TI E DI NGA MOSHA E RINISE
Që në adoleshencë pata shijuar
Pranvera të bukura plot poezi
Dhe vargje fluide pata shkruar,
Ca vargje të çmendura për ty!
Nga koha që ikte pa mëshirë
Diçka dhe ne patëm mësuar,
Se nuk do kishte asnjë të mirë,
Si foshnja po të kishim vepruar.
Me dëfrime, gas edhe hare
Kohën shpesh e kaluam kot.
Dy çaste rrojmë në botë ne:
Njërin arsyes s’ia kushtuam dot;
Ti e di, e di nga mosha e rinisë,
Se unë të doja me përgjërim…
Kur të vijë muzgu i pleqërisë
T’i bashkoja prapë agimin tim…
NE MUZE
-për fëmijë-
Fëmijët shkuan në muze
Mbetën të habitur fare,
Njerëz të moçëm panë atje
Me një jetë qindra vjeçare;
Ja Teuta hijerëndë,
Mbretëresha jonë ilire,
Me romakët dhëmbë për dhëmbë
U përlesh në dete, gjire;
Shtangen para Skënderbeut
Kali rend e fluturon
Si vullkan i dalë prej dheut
Shpata digjet, flakëron;
Krahëhapur pret Naimi
Me abetaren nëpër duar:
Mirësevini, mirësevini
Ju pasardhës të bekuar!
Ja dhe gjyshi i urtë i Vlorës
Me flamurin kuqezi,
Përmes kurthesh, baltës, borës
I jep vendit pavarësi;
Ndalen para At’ gjergj Fishtës:
“Na trego, i dashur At’,
Ç’hani Ju, ç’ilaçe pini
Që jetoni kaq shumë gjatë?”
At’ gjergj Fishta u përkul,
I bekoi me ledhatim,
Në gjunjë me zor pakëz u ul,
Puthi tokën me nderim:
Dashuria për këtë vënd
Ta zgjat jetën dhe lavdinë;
Bëni vepra anë e kënd
Për Nënën tuaj, Shqipërinë!
GJIMNAZISTJA NGA FSHATI
Si një laureshë nga mali zbret
Kjo vajzë e imtë e fluturake;
Në gjoks mban të fshehtën e nxehtë
Dhe ëndërrat në lulen e gjakut;
Të qeshurën e diellit sjell me vete,
Prarimin e borës nën diell,
Dlirësinë e vesës përmbi gjethe
Dhe renë e bardhë nën qiell;
Me blerimin e aromën e barit,
Mes udhës së agimit të qeshur,
Troket ajo në portat e zjarrit
Me zemrën e saj të zhveshur;
Dhe ulet në bankën e ngrohtë,
Sytë mbyll e kurmi i shpihet,
Si një këngë e re e posalindur
Që pret mes mjegullës të ngrihet;
Dhe lart në kaltërsi vrapojnë
Mendimet e vetullat si zogj,
Gurrat e gjinjve gjëmojnë
Sipër ballit reja vajti, u dogj…
MALLË MERGIMI
Po një zile na e bëj ti, o bir,
Të mbushet shtëpia me mall
Si atëherë kur luga kërciste
Në tasin e mbushur me dhallë;
Çoi edhe vajzës të fala, shëndet
I thuaj një gënjeshtër së largu,
Falje i kërko për ato vjetë,
Kur gjëmonte dashuria te pragu;
Si pëllumbeshë hynte e dilte
Dhomat na i mbushte me gëzim
Fletë më fletë flladi frynte
Ilaç më bëhej për shërim;
Le të gremiste kokën babai
Kur e puthje tinëz prapa derës,
Sa i lumtur qe, më thotë, qeratai,
Sa mirë do të ishim ne të tjerët!
Do të mbanim sot nipçet në duar,
Me këngë do të na mbushej jeta
Dhe hëna do të dilte e gëzuar
Si lodër do të varej mbi plepa;
VALLJA “OSMAN TAKA”
Këmba lehtë tokën e shkel
Një fije bari prek, i dhëmb;
Sfidë i bën vdekjes tinzare
Sikur thjesht e shpon një gjëmb;
Dhe kërcen ashtu papritur
Shkrepëtimë mbi fushë e mal,
I thotë vdekjes ballëndritur:
“Një krëhër flokësh as ma fal!
Me këta flokë të pikëlluar
Si ka hije një kaçaku!…
Jeta ime qënka e shkruar
Të kërcej rreth një zambaku!”
Vrenjtet Pashai, hesht ushtria
Valltari trupin e bën urë…
Poshtë lumë gjaku…, lart liria
Liria jonë lulebozhur;
Zambak ish vajza e Pashait,
E përpiu vallja si hon,
Në këmbim të zemrës së saj
Jetën trimit ia dhuron…
Dhe iku tutje i shkujdesur
Me vallen çame hapkusari…
Unazë e varur tej nën diell
Mbeti prapa lak-litari.
TI E DI NGA MOSHA E RINISE
Që në adoleshencë pata shijuar
Pranvera të bukura plot poezi
Dhe vargje fluide pata shkruar,
Ca vargje të çmendura për ty!
Nga koha që ikte pa mëshirë
Diçka dhe ne patëm mësuar,
Se nuk do kishte asnjë të mirë,
Si foshnja po të kishim vepruar.
Me dëfrime, gas edhe hare
Kohën shpesh e kaluam kot.
Dy çaste rrojmë në botë ne:
Njërin arsyes s’ia kushtuam dot;
Ti e di, e di nga mosha e rinisë,
Se unë të doja me përgjërim…
Kur të vijë muzgu i pleqërisë
T’i bashkoja prapë agimin tim…
MBROJTJE TRENDAFILI
Ti ia veshe zemrës
Këto këpucë të arta
Që rend edhe këndon
Në rrugë e monopate;
Me ti jam përherë
Në çastet më sublime,
Troket dikush në derë-
Ajo është zemra ime;
Troket ajo çdo mbrëmje
Me gishtat fllade prilli
Dhe të afron në ëndërr
Mbrojtje trëndafili;
Komentet