Jam i rrethuar, i rrethuar
nga dorëzonja e stepës, nga çakalli dhe shigjeta,
nga profumi i pranguar i zambakut:
jam i rrethuar, i rrethuar
nga ditët, muajt, ujërat të cilat vetëm unë i njoh,
nga thonjtë, peshqit, muajt për të cilët vetëm unë vendos,
jam i rethuar, i rrethuar
nga shkuma e shkathët e stërvitur
e bregdetit të populluar me kambana.
Këmisha alle e vullkanit dhe e indiumit,
shtegu, të cilin këmba e zbathur e ndërton mes gjetheve
dhe gjëmbat mes rrënjëve,
i kap këmbët e mia natën sepse unë e përshkoj.
Gjaku i errët si në vjeshtë
i rrjedhur mbi truall,
bajraku i tmerrshëm i vdekjes në pyll,
hapat e pushtuesve që veniten, thirrja
e luftëtarëve, terri i akrepëve të fashitur,
gjumi i paqetë i ushtarëve, lumenjtë
e mëdhenj në të cilin qelbet qetësia e një kaimani,
qytete e tua të vona kryebashkiakësh të paparashikuar,
kori i zogjve zakonesh të pakontrollueshme,
në ditën e kalbur të pyllit, vezullimi
i butë i xixëllonjës,
kur në barkun tënd ekzistoj, në mbrëmjen tënde
të dhëmbëzuar, në prehjen tënde, në mitrën e lindjeve tua,
në tërmetin, në djallin e katundarëve, në hirin
që bie nga akullnajat e tua, në hapësirën,
në hapësirën e kulluar, çarkun e pakapshëm,
në kthetrën e përgjakut të kondorit, në paqen e poshtëruar
të Guatemalës, në negrit,
në molet e Trinidadit, në Huayra:
e gjitha është nata ime, e gjitha
është ajri im, e gjitha është
ajo që jetoj, vuaj, ngrihem dhe jap shpirt.
Amerikë, jo prej nate
as prej drite nuk janë bërë rrokjet që këndoj.
Prej toke është materia e zotëruar
e shkëlqimit dhe e bukës së fitores sime,
dhe nuk është ëndërr ëndërra ime po tokë.
Fle i rrethuar nga argjili i pamasë
dhe mes duarve të mia rrjedh kur jetoj
një burim i tokave të braktisura.
E nuk është verë kjo që pi po tokë,
tokë e fshehur, tokë e gojës sime,
tokë e bujqësisë me vesë,
shqotë e lozëve të ndritshme,
hambarë drithi, kantinë ari.
Komentet