Rrëfen D.S
Unë nuk kam shkruar kurrë ndonjë tregim, prandaj mos më nxit kot, sepse edhe këtë ngjarje nga jeta ime veçse do të ta them ty, dëgjoje dhe, po të pëlqeu , bëjë vetë një tregim…
Kur më çuan për riedukim në fshat, u vrerosa shumë në fillim . I humba të gjitha , thashë,.por, sa mirë që ty nuk është nevoja të ta shpjegoj se çfarë do të thoshte atëherë “riedukim” ; mos qesh hidhshëm, sepse e marr me mend se ç’do të thuash, por dëgjo ! Njëzetvjeçarëve apo tridhjetëvjeçarëve duhet t’ua shpjegosh patjetër hollësisht se ç’do të thoshte për ne “riedukim”. Po po, ata të shkretët të pyesin pa dashje me një naivitet fyes…
E pra, kur më çuan për riedukim në fshat, masa e parë që mora ishte ngritja e një biçiklete ; prit duro, jam plotësisht i saktë; ngritja e një biçiklete … Po shprehem kështu, sepse, kunati im më dha një trup të vjetër “Robusto” dhe dy disqe të ndryshkur. Të tjerat gjeji vetë, më tha. E sheh, m’u desh vërtet të ngre nga e para një biçikletë. Mos shih tani që ka sa të duash, nga më të mrekullueshmet. Atëherë u stërmundova, gjersa e ngrita më këmbë, hëhë, atë biçikletë…
Dymbëdhjetë kilometra në ditë, i dashuri mik; gjashtë qytet – fshat dhe gjashtë të tjera fshat – qytet, dimër – verë !
Dhe ke parë ti, edhe kur nisesha herët në mëngjes, edhe kur kthehesha pasdite vonë, erën e kisha gjithmonë kundër. E di e di, që meteorologët do të më thoshin “ shko ore pirdhu”, por ja që është pikërisht kështu, siç po ta tregoj unë; mezi i jepja biçikletës zhdrak e zhdruk gjithë rrugës. Le pastaj sa herë jam ftohur keq e mos më keq! Si ? Ke të drejtë ti, tërë jetën edhe unë “contravento “ kam shkuar…
Në fshatin riedukues, duhet thënë që në fillim, se më pritën mirë, paçka se mua më binin në fytyrë ca djersë të yndyrshme shqetësimi. Vërtet kryeja lloj – lloj punësh, por kurrë, lavdi Zotit, nuk më kërkuan ta bëja normën.Po të më detyronin, nuk do ta arrija asnjëherë të vetme dhe, kësisoj do të fillonin kushedi ç’andralla…
Çfarë pyete ? A kam prashitur, apo a kam korrur ndonjëherë ? Posi, madje kam hedhur nëpër ara edhe komposto fekalesh, mut, me një fjalë, i dashur.Sa mirë që nuk të vjen për të qeshur ! Pas kaq e kaq vitesh, edhe mund të gajaseshe, madje. Një ditë tek po mbaja ato kovat, në drejtpeshim të plotë, një në secilën dorë, vura re një fotograf, që shkrepte frap e frap aparatin, pasi vendoste me radhë disa kooperativistë n’atë sfond që i dukej më i përshtatshëm. Ika nxitimthi si kusar, që të mos më fotografonte edhe mua, sepse pastaj, hajt ta duroja surratin tim, atje te tabela e emulacionit socialist , mbi murin e kryesisë, me diçiturën e tmershme : ja, një intelektual që punon pa u lodhur në frontet më të vështira të bujqësisë. Ee; si të duket ? Por, sot them se, kam bërë një gabim të pafalshëm, që s’e luta vetë atë fotografin të më fiksonte me kovat ndër duar; s’do të kishte fotografi më autentike! Ja, do t’iu thosha të gjithëve, a e shihni sa rëndë më dënuan për hiçgjë, a e shihni si më poshtëruan ? Si ,si ? Po që ke të drejtë ti; ashtu do të më qesëndisnin, duke u nëpërdhëmbur; prandaj bie erë ky birboja edhe sot e kësaj dite, sepse paskësh trazuar haletë e dynjasë! Po, po; ke të drejtë; më mirë që s’e kam një fotografi të atillë…
Fshati ishte i bukur, por s’e shijoja dot bukurinë e tij. Nuk mundesha. Gjithashtu, po të them se, nuk ia lejoja edhe vetes, sepse pastaj nuk do të arrija të përballoja dot punët rraskapitëse në kooperativë, të veshurën time gati – gati prej fshesaxhiu , ngënien e bukës drejt e nga qesja, ashtu ulur mbi bishtin e veglës së punës; fyerjet, sharjet, përbuzjet, orët politike pas punës, ndarjen nga letërsia dhe shkrimtarët; që nuk më paskëshin dashur dhe më shpërfillën ngutshëm…
E, megjithatë fshati ishte i bukur; ta thashë një herë. Kishte tokë të begatë, pemë të mrekullueshme, lloj – lloj zogjsh, hije, lumë me shtrat të gjerë dhe të shtrirë, gjithë zaje vezulluese dhe brigje me ferra dhe shelgje, që lëshoheshin e lëshoheshin. Ah, moti ngrohej shpejt atje dhe, në ato vite mund të shijoje ende kthimin e zogjve. O, sa bukur, kur vinin, por, sa bukur edhe kur iknin, ashtu plima – plima! Ç;zogj ? Ç’të të përmend, rosa, pata, lejlekë si ëndrra…
Unë nuk e kruajta me njeri, më kupton ? Dhe flisja fare pak; vetëm kur më duhej të përgjigjesha, apo të sqaroja ndonjë gjë të domosdoshme. Çdo moment tregohesha i kujdesshëm dhe pas çdo sjelljeje shqyrtoja veten. Mirëpo, edhe ky vetëkontroll, nuk më pengoi të vija re një grua që punonte në brigadën tonë. M’u desh ta shoh vetëm një herë, për të mos ia ndarë më sytë. O Zot, psherëtiva thellë, gjeta një motiv tërheqës për të ardhur ca si me qejf në kooperativë ! Si ? E sajova nga e keqja ? Jo dhe aq, ke për të parë…
Ishte e stërmadhe, por lëvizte sikur trupi i saj të përbëhej prej një muskuli të vetëm. Tundte bythët; i tundte fort e fort, pa pasur pikën e mëshirës. Po, ç’të bënte e shkreta! Ku ecej dot pa i tundur ato bythë të mëdha ! Merre me mend ! Edhe pse vishte pantallona dhe, njëherësh, edhe një biçim fundi përsipër; ato i dukeshin të bukura, gjithë rrumbullakësi ngacmuese dhe të larta, a thua se ecte gjithë hijeshi majë takave. Po flokët ? S’e merr dot me mend sa shumë kishte ! Dukej sikur i shtoheshin çdo moment. Të dendura dhe të ndritshme, ato të kujtonin barin në pranverë, kur mugullon e mugullon paqërmbajtshëm mes shirash dhe vetëtimash. Jemi në fshat: mos harro dhe, flokëve krahasimi me barin u shkon më së miri. Të pëlqen bari, djalosh ? I mrekullueshëm është vërtet, ashtu i blertë dhe i njomë, shtrirë mes drurëve, apo fushës që përkëdhel era, por mua më pëlqente trotuari prej betoni i qytetit atëherë, kur riedukohesha në fshat, më pëlqenin pallatet dhe asfaltet. Por, ç’po thoshim ? Ajo, o Zot vinte në punë çdo herë e gëzuar; po më ndjek ? Pikërisht e gëzuar. S’ngopej e s’ngopej me jetë. Zor se gjen tjetër njeri, që të mbërrijë atë vlim gëzimi. E, si u gdhitë pyeste, të gjithë, mirë ? Pyeste ashtu kot …
Tundej e shkundej dhe, pulpat që i zbuloheshin nga përveshja e pantallonave gjer afër gjunjëve, i kishte të bardha dhe të harkuara gjer te kavilet. Si u gdhitë, pra, i pyeste të gjithë dhe në fytyrë kishte aq dritë, sa edhe mëngjesi mbi fushë. Gjoksi i madh i lëkundej kompaktësisht dhe nuk merrej vesh se me çfarë e përmblidhte. Nganjëherë dekolteja: ta përdorim këtë fjalë? Pse jo ? E pra, dekolteja e thellë i zbulonte një lëkurë të ndritshme dhe të lëmuar, të cilën ia kishte dhuruar bujarisht natyra.Dëgjo ! Mos u çudit që fshataret nuk kanë shumë kujdes në mbulimin e gjoksit, sepse ato janë mësuar ta nxjerrin vend e pa vend, kur mëkojnë fëmijët e tyre, që i lindin rresht njeri pas tjetrit, jo rrallëherë edhe n’arë. Por unë ta thashë një herë, duhej të rrija urtë, urtë në kuptimin e të ndenjurit të nnxënësit në klasë; qartë ?
Një ditë, pasi na përshëndeti të gjithëve me atë mënyrën e vet, m’u kthye mua: e more, ti i qytetit …
Sa tallje kishte në zërin e saj, sa qortim ! Nuk të besohet sa shumë nuanca aluzionesh vibrojnë në të folurën e fshatarëve. Askush nuk të shpotit më hidhur se ata. Si ? Desh të kruhej, ke të drejtë, por të thashë, unë isha me karton të verdhë, në mos më keq.megjithatë , të ndiqje sjelljet e saj, ishte një kënaqësi më vete, madje në rastin tim të veçantë, një terapi e dobishme.Në fshat, i dashuri miku im i vëmendshëm dhe, në përgjithësi, në tërë provincat, njerëzit paraqiten pa përjashtim, me karakteristika të përcaktuara saktë. Do të sillesh si do të sillesh, në fshat dhe, do të shfaqesh detyrimisht ai që je. Nuk ke nga ia mban në atë mjedis të ngushtë; nuk kamuflohesh dot; pastaj, kur të marrin vesh se kush je, të pranojnë ashtu siç je dhe, shpesh bëhesh edhe proverbial. E tillë ishte edhe ajo. Se ç’kishte një emër fare të shkurtër; dale ! O, Sano, Sano ! Të pëlqeu, hë ? Sanie, duhet ta kishte pasur të plotin, por askush s’e thërriste ashtu. Jo mor’jo; nuk ia solla ndër mend emrin me zor, por zgjodha një mënyrë të shprehuri tërheqës, kur të thashë, o dale …
Por unë morracaku, duhej të sillesha në mënyrë shëmbullore dhe të mos e kaloja as nëpër mend një aventurë me Sanon. Si ? Ndoshta ke të drejtë, nuk do ta hap më parantezën e të ndenjurit urtë. U teprua. Por, mos je i poshtër edhe ti. Vazhdojmë; ishte prill, bretkosat kuaknin ndanë lumit, zogjtë fluturonin ulët mbi ara dhe ndalnin mbi plisat e kthyer, që shkëlqenin si feta buke të lyera me gjalpë, shtrëngatat shpërthenin herë pas here, teksa gruri ishte në qumësht. O, Zot, një çast ndieje vapë, një çast ftohtë !
Sanoja, ah çfarë Sanoje, nuk përqëndrohej dot më ! Faqet e prushta i zinin pothuaj puçriza të imëta dhe sytë e zmadhuar dhe vetëtitës të ndillnin paturpërisht. Lëshohej shtegut si një kafshë e bukur me vithe të djersitura dhe të ndritshme, që azdiset gjithë kërcime dhe humbte mes pëshpërimave të shelgjeve tutje në lumë. Eh, thoshin fshatarët me përtesë: ashtu është ajo, sikur nuk e njihni…
Pas i shkonte ( zakonisht tri – katër minuta më vonë ) një burrë rreth të tridhjetave, që për Zotin, ishte gjysmë teveqel. Ç’po them ? Dëgjomë me vëmendje, sepse jam ashpërsisht i saktë. Unë përfytyroja kofshët e saj që fërgëllonin nëpër bar, por pastaj e fikja menjëherë përfytyrimin tim. Nuk doja…
Kështu ikte i gjithë prilli, i shkreti ti, ethet erotike e mbërthenin Sanon, sapo hynte ky muaj dalldisës. Po. Dalëngadalë edhe unë u forcova fizikisht së tepërmi dhe, nga fytyra më iku “ zbehtësia e qytetit “. Darkave as lexoja dhe as shkruaja më. Mora vendim të prerë një herë e mirë për këtë , sepse ndryshe, nuk zgjohesha dot në mëngjes. Mendja e trashë në trup të trashë, tallesha me veten time, duke përmbysur kuptimin e proverbit latin dhe shkoja për të fjetur fare herët; si pulat e fshatit. Të dalë ku të dalë ! Duke e vrarë trurin ca si shumë , e pësova, ta provoj një herë pa kokëçarje…
Dhe prilli i Sanos erdhi përsëri dhe gruri në arë ishte përsëri në qumësht. Kur do të na largohesh nga kooperativa, më pyeti një ditë Sanoja. Si nuk i hodhe sytë një herë tutje hundës tënde, o i shkretë, vazhdoi, je dhe goxha gazetar ! Ke frikë atë gruan tënde në qytet, më duket…
Nuk i ktheva përgjigje, por vetëm tunda kryet i brengosur. Por ti, a më beson, që kisha filluar ta dashuroja dhe të bëhesha xheloz për të ? E, pra, si t’ia bëja, si të sillesha ? Brigadierin tonë e kisha bërë prej kohësh mik për kokë dhe, e dija që do të më ndihmonte, po ta donte puna, por, nga ana tjetër, do t’i çudisja të gjithë me sjelljen time të papritur dhe krejt të dënueshme. Pa shih, pa shih, do të shfrynin ugareve, i dolën puplat gazetarit; filloi ta dredhë edhe ai me atë të tërbuarën! Sanoja, nga ana e saj, as që pyeste për njeri, madje as për burrin dhe, herë – herë e shthurte gojën fare. Po mëkati më pëlqente, më intrigonte papërmbajtshëm dhe më bënte trim! Fundi i fundit, më kishin dënuar fare pa të drejtë, prandaj unë do të hakmerresha . Moralin askush nuk e do për vete, gjithmonë e shërbejnë për të tjerët…
Kështu ia mbusha mendjen vetes dhe një pasdite nuk u ktheva si zakonisht për në qytet, por shkova në shtëpinë e brigadierit tonë dhe piva me të nja dy gota raki. Kur dola q’andej e mora biçikletën përdore dhe u futa mes për mes fshatit, Kushedi ç’pamje qesharake duhet të kem pasur, ashtu gjysmë i dehur, me këpucë të shkelura mbrapa, pantallona pa asnjë lloj forme, këmishë të zbërthyer gjer te rripi i mesit…
Por, e dija ku po shkoja. Te Sanoja ! Lavdi Zotit, shtëpia e saj ishte paksa e mënjanuar nga të tjerat. Ç’kemi, i thashë, sapo e pashë në oborr me një thupër të gjatë në dorë, me të cilën po shtynte pulat për në kotec. Ndërkohë, m’u kujtua që atë ditë ajo kishte mbëltuar qepë e përkulur mundueshëm.
E, profesor, u rrëmbye ajo, më nge dukesh; eja ma ndihmo një herë në mësime këtë djalin tim të madh. Kungull gardhi është !..
Mbështeta me qejf biçikletën pas një peme dhe hyra në oborr. Sanoja më solli një karrige, të cilën duhej shumë guxim ta quaje të atillë dhe unë u ula.Sakaq, i biri, një zdap i gjatë, erdhi e më zgjati dorën. Atë dëgjon ti; e ku di gjë ajo ? – më tha për të ëmën dhe, iku nga oborri me të katra.
Një herë më quan gazetar, një herë profesor, një herë frikacak , s’merresh vesh fare dhe ti – iu lëshova Sanos. Ajo nuk reagoi fare, por hyri në shtëpi, prej së cilës vinte një erë e këndshme gatimi.
Eja të pish një kafe, më ftoi Sanoja që nga dera e hapur, përjashta nuk rrihet më. U bë shumë fresk.
Shih, e marra, thashë me vete, kurse asaj: lere kafen këtë herë, sepse po hyra brenda mora fund fare, të gjithë po na ruajnë ne. Prapë do të takohemi…
I hipa biçikletës dhe u lëshova në të tatëpjetën e udhës së fshatit, por m’u duk sikur dëgjova një të qeshur që shpërtheu si dallgë, që më spërkati mbi shpinë. Sa keq, sa keq, kur lë pas një femër që shprehet për ty: ah, i shkreti, s’qenka i zoti për asgjë…
Por le të thoshte ç’të donte Sanoja për mua! Mjaft i kisha marrë në qafë fëmijët dhe gruan me dënimin tim absurd për botimin kinse të një shkrimi që aludonte haptazi për shpenzimet e tepruara të disa anëtarëve të Byrosë. Po, ku dreqin e kishte atë burrin e saj brinjar ? Mos ndoshta brenda në shtëpi? Ruajna, Zot !
Megjithatë, Sanoja nuk bënte për në shtëpi. Ajo ishte e mirë në një mjedis me bar të lartë dhe pemë rreth e rrotull. Ndërkohë , në fshat kisshte rënë paqja e mbrëmjes, teksa unë dola në rrugën automobilistike. Erën e kisha kundër…
Vazhdojmë. Po më ndjek ? Në rregull… Të nesërmen në mëngjes u lëshova përsëri drejt kooperativës sime të shtrenjtë dhe erën , sigurisht , e kisha përsëri kundër. Kisha frikë se mos më shpohej ndonjera nga rrotat, sepse kopertonat e biçikletës ishin tepër të përdorur dhe vende – vende të qepur me spango, si opingat. Mezi gjeje kopertona të rinj asokohe: ti e mban mend ? Le, që ç’gjeje atëherë ! Prapa, në skarë kisha vënë bukën, vaktin e drekës, djalosh, dietë e varfër sa më s’ka, por, edhe atë të shkretë shpesh detyrohesha ta haja pak si mënjanë, sepse isha i vetmi në brigadë, që haja bukë gruri. Fshatarët e munduar nuk thoshin gjë, por mua më dukej sikur ndonjeri edhe turfullonte me vete: ne që prodhojmë grurë, hamë bukë bajate misri të çembrionizuar, kurse ky birboja antipushtet e antiparti na vjen e na kapardiset me bukë gruri.
Në kooperativë mbërrita shpejt, megjithatë përherë gjeje dikë që kishte vajtur para teje. Plehrat kimike, pesticidet dhe insekticidet ishin produktet që urreja më shumë dhe atë mëngjes, për dreq, pikërisht me shpërndarjen e tyre po merreshin.
Do të më rregullosh fëmijët në shkollë të mirë, kur të fillosh punë si mësues në qytet, m’u drejtua brigadieri, sapo më pa. Qesha, Patjetër i premtova, sepse ai kishte të drejtë. Askush nuk do të më kthente më mua në gazetari. Do të më caktonin diku mësues dhe kaq. Po ku ta gjeja edhe mësuesinë !
Brigadieri thirri Sanon, kinse me ashpërsi dhe kur ajo u afrua, na u drejtua të dyve: do të shkoni të qëroni kanalin pas vreshtit, jua tregoj unë ku ndodhet, duro ti lakute e dreqit (ti grykëse me një fjalë…) Kanali është mbushur dhe ka zënë lëpushka anëve. Prisni, t’ju çoj gjer atje Culja, sepse është ca si larg .Cule ! Hajde këtu , more lakoç ! Merr karrocën shpejt dhe hiqmu nga sytë ! Pse më thua gjithmonë lakoç, u nxeh Culja, unë ia fus edhe pelës, po të dua; ti më quan lakoç…
Në karrocën që na kalamendte si për të lodruar, u ulëm përballë njeri – tjetrit. Nuk flisnim, por vetëm vështroheshim dhe mua më dukej sikur dy shtjella të ndritshme flake, përziheshin e përziheshin. Midis këmbëve tona ishin veglat e punës. Ah, ç’vegla ! Çnuk provon i ziu njeri! Pa le të shihje ç’këpucë kishim mbathur! Edhe tani më vjen turp, kur i kujtoj. O, Zot, thundra të vërteta, të lerosura me baltë dhe bajgë bashkë. Po, po , ja unë, miku yt elegant dhe e dashura e tij që i hidhej gjoksi përpjetë si baticë deti. Por arat përreth ishin mahnitëse ! Kisha filluat t’i ndjej bukuritë e tyre me ato dekore, që lëviznin stinë pas stine. Atë mëngjes fëshfëritës ato i krihte flladi gjithë kujdes dhe, kikat e njoma dhe të qumështëzuara të grurit përqafoheshin e ndaheshin sipas një ritmi dehës.E shtriva vështrimin gjer tutje, ku vlonte dielli dhe provova po atë kënaqësi që provon kur shtrin gjymtyrët e mpira…
Karrocieri, që nuk pranonte të ishte i tredhur, na la në një zabel me drurë të ndryshëm, nga ku nuk shihej kanali kullues, prandaj m’u desh të përqëndrohesha një moment për të gjetur anën e zgjatjes së tij. Sanoja, ndërkaq kishte lëshuar veglat e punës dhe çantën e saj të madhe rrëzë një akacieje dhe ishte ulur edhe vetë. S’kisha pikë emocioni dhe më erdhi keq për veten. Por edhe po të kisha pasur emocion, përsëri do të më vinte keq për veten , ndonëse për një tjetër arsye…
Nga t’ia fillojmë, iu drejtova Sanos. Bobo ! – ç’pyetje bëra, thashë me vete në çast dhe prita që ajo të më kthehej , nga të sat’ëme!…
Por ajo më tha tjetër gjë: ulu një herë të marrim frymë! Pastaj ; sa i madh që je, sa një buall…!
Më është dhjamosur truri këtu te ju, ia ktheva dhe qesha me gjithë shpirt.
Ishim përsëri ballë për ballë, ajo e mbështetur pas akacies, unë i ulur këmbëkryq si shkronjësi egjyptian i Luvrit.
Sa e bukur ishte, sa të bardhë e kishte lëkurën dhe sa të shtrirë, a thua se s’rreshkej tërë ditën e ditës së punuari në diell, por qëndronte para pasqyrës për t’u lyer e zhgërryer…
Sa e bukur ishte Sanoja dhe sa e pavetëdijshme për shumë gjëra ! Më shpartallonte pavetëdija e saj ! Nuk shqetësohej dhe nuk mërzitej asnjëherë për ato që bënte. Ndoshta s’e jepte dhe veten, jo, jo, nuk e besoj.
Gjunjët i mbante të përthyer dhe këmbët të çapëlyera dhe te pantallonat e saj prej kooperativisteje, mbi vaginë, vura re një njollë, që hapej. Kishte derdhur dhe unë u ndjeva fajtor! E mbërtheva vrullshëm nga krahët dhe, pothuajse, zvarrë – zvarrë shkuam dhe u zhytëm mes barit dhe drizave. Sanoja më godiste fort me grushte, më kafshonte përvëlueshëm , ku të mundte dhe më shante tërë kohës. Më pas filloi të rrënkojë mbyturazi dhe thellë, teksa sytë i mbante të hapur, shumë të hapur, gati të shqyer; por, të siguroj se ajo nuk shihte asgjë me ata sy. Hera – herës i kalonte mbi fytyrë një dritë ekstaze, si rrezja e diellit mbi cipëzën e ujit. E kuptova, do të shqiteshim prej njeri – tjetrit, kur të shkrehej dhe të lëshohej krejtësish ajo. E shkreta Sano! Vetëm erë të mirë binte; hë, pra gjeje …
Aty nga ora dymbëdhjetë, u ulëm të hanim. O, sa gjëra të mira kishte me vete Sanoja! Ku i gjente ? Më dha mua nga të tëra, kurse unë asgjë, kështu që nuk mund të quhet se kryem një shkëmbim. As bukë gruri ( o Zot ! Mendo sa shumë ka tani ..) nuk i dhashë. S’e shpjegoj dot këtë moment, por të siguroj, që ajo do të fyej po t’i jepja. Do të të rrahë ajo qytetarja, kur të kthehesh në shtëpi, mor i shkretë, më ngacmoi, do të të zhveshë në darkë, por ti i thuaj se më pickoi nepërka….
Por unë haja me ngut dhe s’i ktheja përgjigje. Ore, filloi përsëri ajo, po edhe ju të qytetit njëlloj e bëki këtë punë ?!
Kështu më tha, mos u gajas, por, a e merr me mend se me ç’ton ma tha ? Sikur s’ishte ajo që pak më parë gërvishtte qiellin me gishtrinjtë e këmbëve. Rrinte pranë meje , me një shprehje të atillë në fytyrë, sikur kërkonte ëngjëjt e saj, diku përreth…
Pas disa muajve u caktova vërtet mësues në një shkollë tetëvjeçare të qytetit,i riedukuar plotësisht tashmë dhe, me punën që bëja, më dukej ( ç’budalla !) e pameritueshme buka që haja. E çfarë se ! Duke kryer punën fisnike të mësuesit. Por ti më kupton; mësimdhënia për mua ishte si një punë çiliminjsh para ferrit në kooperativë, ndonëse edhe aty Zoti i lumnueshëm, kishte hedhur një mëkatare…
Unë s’prodhoj bukë, arsyetoja si lejfen në fillim, si mund të kem të drejtë të ha ? Sanoja? A u lidha më tej me të ? Ah, kurrë nuk do t’i harroj ethet erotike të saj ! Sa shumë m’i pakësuan vuajtjet e riedukimit lidhjet me të ! Zgjimi i asaj femre ishte si zgjmi i natyrës, edhe letargjia e saj po ashtu ishte, si e natyrës. E dashurova atë femër fshatare dhe shqetësohesha për të. Kurse ajo nuk më dashuroi. Asnjëherë. E, ç’të më dashuronte mua! Unë e pëlqeja edhe kur e humbte turravrapin nëpër fushë, edhe kur s’i shkëlqente më fytyra, edhe kur s’kishte më magji dhe guxim. Ti po tallesh, tek më dëgjon, që deklamoj i frymëzuar, por, ta dish : ti asaj femre nuk do t’i rezistoje dot ! Si ? Nuk do të kishe mbetur pa i shkuar prapa, desha të them.Hiperbola Sano të tregonte se ka jetë ! Se ka vdekje, ti e dije vetë.Ashtu, hë, një mesazh filozofik i mrekullueshëm? Po, mirë, le ta pranojmë, përderisa ti pate kënaqësi ta quash të tillë. Sanoja; është më mirë të çuditesh pak, sesa të dëgjosh të vërteta të ujdisura, ishte gjithë delikatesë sensuale dhe këtë e kuptoje dhe e ndjeje më mirë, kur ndaheshe prej saj, siç u ndava unë prej ikjes. Ha ha ha ! Ja, po qesh edhe unë me ty, madje, duke pasur nevojë, por dëgjo happyend-in: një pasdite pranvere, një pasdite prilli, pra, me shkundje lulesh, me rrëqethje dhe parandjenja, u nisa për te Sanoja. Pas kaq e kaq muajsh ! Erën, sidoqoftë , e kisha kundër…
Komentet