Me 26 mars të vitit 1999, vetëm dy ditë pasi NATO filloi bombardimet kundër forcave ushtarake e policore serbe, në qytetin e Suharekës, ndodhi një prej masakrave më të rënda në Kosovë.
Këtë ditë forcat serbe vranë 49 anëtarë të familjes Berisha.
Dafina, Sedat dhe Drilon Berisha – familjarët e Gramozit të vrarë gjatë luftës
Ditën që ndodhën vrasjet, Gramoz Berisha ishte me familjen e tij, kur policë serbë ia vranë babanë, Sedatin, vëllanë, Drilonin 13 vjeç, dhe motrën Dafinën që kishte mbushur 16 vjet.
“Ka pasur fëmijë shumë të vegjël, nëntë muajsh, që kanë bërtitur gjatë gjithë kohës, që kanë qarë, kanë kërkuar ujë, por ata nuk janë ndalur duke gjuajtur, deri në momentin që janë ndalur të gjithë zërat dhe nuk ka pasur më britma, në lokal”, rrëfen Gramozi për Radion Evropa e Lirë.
Forcat policore serbe kishin shtënë me armë zjarri në drejtim të grave dhe fëmijëve të familjes Berisha, të cilët i kishin ngujuar në një lokal.
Shumica u vranë në vend nga plumbat dhe mjetet eksplozive që u hodhën brenda lokalit që ishte përplot me njerëz. I ngujuar në lokal ishte edhe Gramozi, atëherë vetëm 8 vjeç. Ai u plagos në njërin krah.
Lokali ku kishin vrarë familjen e Gramoz Berishës
“Ashtu kanë vazhduar njëjtë, i kanë kapur një nga një trupat. Kur ka ardhur radha te unë, jam frikësuar në fillim mos po më kapin për këtë krahun e plagosur edhe kisha reaguar në moment, por më kanë kapur për krahun tjetër, më kanë qit në lesë dhe më kanë gjuajtur në kamion. Përmbi mua kanë gjuajtur trupa të tjerë”, thotë Gramozi.
Të mbuluar me trupa të vdekur
Pasi ekzekutuan gratë dhe fëmijët që ishin në lokal, forcat serbe, ngarkuan trupat në një kamion dhe i nisën në drejtim të Prizrenit.
I rrethuar nga trupat e vdekur, Gramozi pa se nëna e tij, Vjollca, dhe gruaja e një familjari, Shyhretja, ende ishin gjallë.
“Gjatë rrugës e kam dëgjuar një bisedë, mami me Shyhreten duke folur, duke komunikuar mes vete, por unë prapë nuk kam guxuar ta ngre kokën duke menduar që e kemi dikë në kamion edhe mund të merret vesh. Kam qëndruar ashtu, pa lëvizur hiç. Gjatë rrugës, mami ma ka njohur jaknen që kam qenë i mbuluar dhe ka thënë t’ia shoh bile për herë të fundit fytyrën. Kur më ka kthyer kah vetja, unë i kam çelë sytë. Ka thënë: “Mozi, a je gjallë?”. I kam thënë po. Ka thënë hajde me mamin kërcejmë prej kamionit se këta na shtinë në ndonjë gropë dhe s’mund të dalim pastaj”, kujton Gramozi.
Gramozi, nëna e tij, Vjollca dhe familjarja tjetër, Shyhretja arritën që të kërcenin nga kamioni duke u bërë kështu tre të mbijetuarit e vetëm.
Përgjatë këtyre 20 vjetëve, Gramozit nuk i është larguar nga kujtesa momenti kur në kamion kishte mbetur ende një fëmijë i gjallë.
“Afër meje e kam pasur një djalë në gjeneratë me mua, Miratin, ai ka qenë gjallë edhe në kamion. Jemi munduar ta marrim bashkë me mamin, i thamë: “Eja me ne të kërcejmë”. Ai filloi të bërtasë dhe tha: “Jo nuk po dua, vetëm largoma këtë trupin”. Atij ia kishin qitë një trup përmbi, s’mund të merrte frymë. “Veç largoma këtë se s’po dua. Po dua të shkoj me mamin”, vazhdon Gramozi rrëfimin e tij.
Varrezat e familjes Berisha, të vrarë gjatë luftës në Kosovë
Ditën e sulmit, forcat policore serbe vranë gjithsejtë 49 anëtarëve të familjes së ngushtë Berisha, 24 prej tyre ende mbesin të pagjetur, në mesin e tyre edhe motra e Gramozit, Dafina.
Dështimi i diplomacisë
Vrasja e familjes Berisha, ndodhi vetëm dy ditë pasi aleanca më e madhe ushtarake në botë, NATO, filloi bombardimin e Serbisë.
E udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO filloi sulmet kundër caqeve policore dhe ushtarake serbe në Kosovë dhe Serbi, të akuzuar për vrasje masive dhe dëbim të shqiptarëve.
Expose: Fuqia ajrore që ndali gjenocidin në botë
Para se të fillonin bombardimet e NATO-s, bashkësia ndërkombëtare u mundua ta bindë ish-presidentin serb, Sllobodan Millosheviq, ta nënshkruajë një marrëveshje për të arritur paqen.
Por, Millosheviqi refuzoi ta nënshkruante Marrëveshjen e Rambujesë dhe forcat e tij të sigurisë vazhduan luftimet në Kosovë.
Millosheviqi thoshte se po i luftonte terroristët, siç i quante ai, pjesëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por vendet perëndimore thanë se qëllimi i liderit serb ishte spastrimi etnik i Kosovës përmes vrasjeve dhe dëbimeve masive.
Një javë para fillimit të bombardimeve në qytetin e Pejës, në rrethana lufte në jetë erdhi Flaka Muqriqi. Sot ajo është 20 –vjeçare dhe beson se bombardimet e NATO-s kishin qëllim kryesor, ndaljen e gjenocidit ndaj shqiptarëve.
“Mendoj se ka qenë një iniciativë e mirë e Amerikës për ta ndihmuar Kosovën që në njëfarë forme të krijohet një stabilitet dhe thjesht të përfundojë ai gjenocid që ka ndodhur në Kosovë, për arsye se ka qenë e tmerrshme dhe besoj se kur Amerika e ka parë atë se çka po ndodh në Kosovë, mendoj se e kanë parë të nevojshme të intervenohet që thjesht të mos vazhdojë gjithë ajo luftë dhe të ketë pasoja edhe në aspektin material dhe në njerëz. Mendoj që në aspektin material jemi rikthyer dhe jemi duke u zhvilluar, por pasojat në njerëz dhe gjurmët që kanë mbetur në zemrat e nënave, nuk do të rigjenerohen”, thotë Flaka.
Rreth 350 kilometra nga Prishtina, në Beograd, jeton Tina Todoroviq, e cila kishte vetëm dyzet ditë, kur NATO filloi bombardimin e qytetit të saj, Beogradin. Tina beson se NATO-ja nuk kishte nevojë të ndërhynte dhe të bombardonte Serbinë.
“Nuk e kuptoj pse është dashur të vijë deri te kjo. Nuk është shekulli i XV dhe se u duhej të përdornin armët. Mendoj që secili shtet ka diplomatë të mjaftueshëm në mënyrë që të kombinohet diçka. Nuk është e drejtë gjithashtu – unë së fundmi e kam kuptuar – që Amerika ka bazë në Kosovë, gjë të cilën unë nuk e kam ditur fare. Nuk është fare e drejtë as ajo se si sillen të gjithë lidhur me këtë çështje, për shembull, e pranojnë Kosovën. Ajo është e jona, është shteti i parë serb. Si mundet që dikush ta marrë nga ne dhe pastaj ata neve të na kritikojnë?”, thotë Tina.
Kur NATO filloi bombardimet, shumë diplomatë perëndimorë thanë se Millosheviqi do të dorëzohej brenda tri ditësh, mirëpo kjo nuk ndodhi.
Ushtria dhe Policia e Serbisë filloi të vrasë edhe më shumë civilë në Kosovë. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, gjatë 78 ditëve sa zgjatën bombardimet e NATO-s forcat serbe vranë rreth 7,000 shqiptarë.
“Ku shkoni o njerëz?”
Kur bombardimet po ndodhnin, një grua nga Serbia kishte shkuar në Kosovë.
Aktivistja nga Beogradi, Natasha Kandiq, një luftëtare për respektimin e të drejtave të njeriut, beson se ekziston një shans për gjeneratat e reja, si në Kosovë, ashtu edhe në Serbi, që ta kuptojnë drejt të vërtetën e luftës së vitit 1998-‘99.
“Unë, vërtet, ende ndiej të më përzihet dhe kurdo që i kujtoj ato udhëtime të mia – e unë shpesh i kujtoj shkuarjet në Kosovë e pastaj prej Kosovës, përmes Pejës për në Rozhajë dhe më pas kthimin në Beograd – gjithmonë më paraqiten të njëjtat pamje. Në Kosovë ishte tmerrshëm, rrugët e zbrazura, gjithkund ishin ushtria dhe policia. Miqtë që i vizitoja, ishin të gjithë të mbyllur në shtëpitë e veta. Askush nuk guxonte të dilte nëpër rrugë. Në vazhdimësi më kthehet pamja e njëjtë nga një shitore”.
“Rreshti për bukë dhe dikush e njeh se në rresht është një shqiptare dhe fillon të bërtasë që të mos i jepet bukë. Shpeshherë kjo më zgjon natën. Më kujtohen kolonat e njerëzve nëpër rrugë. Më kujtohet pamja kur jam ndalur dhe i kam pyetur “Ku shkoni o njerëz”? Ata thonë’ po shkojmë, sepse na duhet. Na kanë thënë të shkojmë për Shqipëri”. Asgjë… bartnin disa qese plastike me vete. Unë ju them “Kthehuni nëpër shtëpitë e juaja”, dhe ata më thonë “Nuk guxojmë të kthehemi, na është thënë të ikim”, thotë Kandiq, derisa përshkruan kohën e luftës në Kosovë.
Kosova më 1999 dhe sot
Që nga lufta, Kosova dhe Serbia janë përfshirë në procese të ndryshme të bisedimeve me ndërmjetësim ndërkombëtar.
Këto bisedime kanë pasur pak efekt në largimin e paragjykimeve dhe urrejtjes ndërmjet të dyja vendeve.
Viti 2019 është përmendur nga Beogradi dhe Prishtina si viti kur të dy vendet duhet të arrijnë një marrëveshje të përhershme për normalizim të marrëdhënieve por të rinjtë në Kosovë dhe Serbi janë të gatshëm të bashkëpunojnë, por besojnë se fillimisht duhet zgjidhur problemet politike që ekzistojnë në mes të të dyja vendeve.
“Ne jemi shqiptarë, edhe ka njerëz të mirë, por ka edhe njerëz, të mos i quaj të këqij, por ka edhe serbë që mund të jenë mirë. Personalisht, ndoshta edhe unë kisha mundur të punoj me ta në një vend pune, sepse jemi duke jetuar në një shtet demokratik edhe thjesht duam të jemi si ne, si ata, që të kemi paqe dhe bashkëpunim mes vete”, thotë Flaka.
Tina që jeton në Beograd nuk ka qenë ndonjëherë në Kosovë dhe nuk njeh ndonjë shqiptar.
“Nuk njoh ndonjë shqiptar. Por, njoh njerëz nga Kosova. Nuk kam pasur paragjykime. Kur i kam parë për herë të parë, unë u pata thënë ‘a është gjuha turke ajo që ju e mësoni paralelisht’ dhe ‘ a guxoj unë të shkoj atje?’. Kjo nuk ka qenë kurrfarë urrejtje, por thjesht një ndjenjë e natyrshme, që të mos shkoj atje”, thotë Tina.
Gjatë luftës së Kosovës, u vranë më shumë se 13 mijë e 500 persona. Sipas Fondit për të Drejtën Humanitare, rreth 11 mijë janë shqiptarë, e rreth 2 mijë e 200 serbë.
Viti 1999 ishte i më i përgjakshmi pasi vetëm këtë vit u vranë rreth 11 mijë persona. Muaji më i përgjakshëm ishte prilli, ku u vranë më shumë se 4 mijë veta.
Më 9 qershor 1999, në Kumanovë të Maqedonisë, aleanca e NATO-s arriti marrëveshje me Serbinë për ndalje të bombardimeve ajrore dhe Beogradi obligohej t’i largonte të gjitha trupat nga Kosova.
Pas largimit të forcave serbe, në Kosovë në disa raste kishte sulme hakmarrëse ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe dhe etnive tjera jo shumicë.
Vështrim
Qëllimi i emancipimit politik nuk është më vetëm një njeri, por është një shoqëri e qliruar nga dominimi ndaj njeri- tjetrit.Në këtë mënyrë “pjekuria” politike humb kuptimin . . .
Emmanuel Macron e njoftoi vendimin vonë në mbrëmje në X (24.07). Në një postim të gjatë, presidenti francez deklaroi se vendi i tij do ta njihte shtetin palestinez. Njohja zyrtare, tha . . .
Rusia tani “po prodhon tre herë më shumë municion brenda tre muajsh sesa e gjithë NATO-ja gjatë një viti”, deklaroi së fundi sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, për . . .
Familja Jashari, themeli i lirisë së Kosovës e kishte refuzuar Hashim Thaçin dhe Kadri Veselin.
Ishte Jakup Krasniqi që i ndërmjetësoi, i futi përmes derës së respektit inst . . .
Mike Eckel
Për vite, rregullatorët rusë të teknologjisë i kanë kërcëlluar dhëmbët për ta pasur në duar platformën për video YouTube, e cila shërben si burim i lajmeve të pacens . . .
Pas 53 dështimeve të njëpasnjëshme në konstituimin e Kuvendit, përkatësisht të zgjedhjes së organeve drejtuese (kryetarit dhe nënkryetarëve), legjislatura e 9-të nuk bën të quhet e dë . . .
Koment
Sigurishtë se po na shqetëson të gjithëve situata e krijuar politike në Kuvendin e Kosovës dhe jashtë dhe ne media.Na shqetëson nervi skandolozisht I shurdhër I mashtruesve . . .
Në një debat televiziv midis Pierce Morgan ish prezantues kryesor i CNN dhe Candance Oëens, një nga influesueset kryesore të MAGA s në USA, gazetari i njohur britanik deklaroi se 1 e 3 . . .
E bija e presidentit historik të Kosovës Ibrahim Rugova, Teuta Rugova, është martuar dje me Agron Gjeloshin në një ceremoni të bukur në Katedralen kryesore në Prishtinë.
Do të ishte Pre . . .
Në një botë gjithnjë e më të digjitalizuar, preferenca për të shkruar me dorë mund të duket si një zakon i vjetër. Por psikologjia moderne sugjeron se kjo zgjedhje nuk është rastë . . .
Siguria e Kosovës po rrezikohet nga raste spiunazhi të lidhura me shërbimet sekrete serbe. Arrestimet e fundit ngrenë shqetësime për përmasat e kërcënimit dhe gatishmërinë instituciona . . .
Nga Ross Douthat – NYT
Përveçse u ofron gazetarëve dhe demokratëve një burim të pashtershëm lajmesh, përpjekjet e Shtëpisë së Bardhë për të mbuluar çështjen Jeffrey Epstein shër . . .
Komentet