Gazetarja Klodiana Lala komentoi pranimin e kërkesës nga GJKKO të avokatëve të Sali Berishës për të thirrur si dëshmitar në gjyqin për dosjen “Partizani” kryeministrin Edi Rama, në cilësinë e ish kryetarit të bashkisë së Tiranës.
Gazetarja theksoi se avokatët e kreut të PD-së kanë argumentuar në gjyq që Rama, kur mbante postin e kryebashkiakut, ka firmosur ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv “Partizani”, ndërsa kanë pretenduar se SPAK e ka anashkaluar thirrjen e tij për këtë çështje.
E pyetur se kur mund të thirret në GJKKO kryeministri, gazetarja theksoi se kjo mund të zgjasë deri në vjeshtë duke marrë parasysh procedurat që ndiqen. Sipas saj, Berisha nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar dhe duhet të vijojnë me procese të tjera, deri kur të shkojnë te kërkesa e mbrojtjes. Në këtë rast, kërkesa për të thirrur Ramën si dëshmitar është bërë nga avokatët mbrojtës të Berishës.
“Ndoshta nga vjeshta do të jetë edhe kjo përballje, me përllogaritjet që bëj me seancat që vijojnë.”, tha gazetarja, duke shtuar se kryeministri duhet të shpjegojë se përse e ka ndryshuar destinacionin e klubit dhe kush e ka bërë kërkesën.
“Kërkesa është bërë nga avokatet e zotit Berisha. Avokatët arritën të argumentojnë se zoti Rama, në cilësinë e kryetarit të bashkisë së Tiranës, kishte bërë me firmën dhe vulën e tij ndryshimin e destinacionit të klubit sportiv partizani, që më pas, sipas SPAK, Berisha ka favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi për privatizimin e kësaj prone. Një ndër kërkesat kryesore ishte fakti që SPAK, sipas tyre, kishte anashkaluar thirrjen dhe pyetjen e zotit Rama dhe duhej që të vinte në proces se përse e kishte ndryshuar destinacionin.
Nuk do të jetë kaq e shpejtë thirrja e tij. Në momentin kur thirret kryeministri në një proces si dëshmitar, ka interes të shtuar. Pasi jepet përgjigje për kërkesat paraprake të palëve. Në rastin konkret, Berisha nuk ka kërkuar gjykim të shkurtuar, do të dëgjohen shumë dëshmitarë, do të debatohet në lidhje me provat shkresore etj, në fund fare shkohet te thirrja e dëshmitarit të kërkuar nga mbrojtja, dhe duke qenë se zoti Rama është dëshmitar i kërkuar nga mbrojtja, do të duhet pak më shumë kohë.”, tha gazetarja.