KETU BIE SHI…
Sa herë ti ikën këtu bie shi
në çatinë e zemrës gjithnjë bie shi
nuk e kthen kokën në sy breron shi
në kopshtin e vogël lulëzon habi
këtu bie shi, bie shi, bie shi…
Një shenjë nga larg: këtu vetëtin
Ca fjalë nga larg – këtu bie shi
Troket në prag, kudo bie shi
Petalelagur çdo lule shpik magji
këtu bie shi, bie shi, bie shi…
Dal në rrugë dhe pse bie shi
hyj në klub ku mungon veç ti
një kitarë shkul gjoksin-dashuri
dikush në saks nxit notat në orgji
jasht bie shi, bie shi, bie shi…
Hesht në banak, porosis dhe pi
Ca kujtime-flakë më ngrohin gjithsesi
në pistën hënake – vallëzues të rinj…
-Sillna kamarier dy gota me shi
Me të kuqe vere t’i ngjyej tani!…
Jasht bie shi, bie shi, bie shi…
TRINITET
Në emër të Shiut
të Barit
dhe të Dashurisë së shenjtë
Amen!
* * *
Flutura e sapo lindur
E di se do jetojë 1000 sekonda
Dhe në këto njëmijë vjet me pajën e pjalmit
Do të fle mbi një lule
Pastaj kur ti vijë vdekja
në pajën e zjarrit
me dinjitetin e një letre dashurie
do digjet.
***
Nga kuletë e syrit ç’ monedha floriri muzikojnë te gjiri!
hop, thithka ndizet: gjarpër fakiri.
Lakuriq si loti në sheshin e syrit
pasqyrat e djemve me argjende shpirti.
Lakuriq si loti rrotullohesh, digjesh
rrëzëllin e tëra: diamant pa brigje.
PRES NATEN TE VIJ
Pres natën të vij
Ngaqë nata kalon nëpërmjet teje
Pres natën të vij.
Nata merr trajtën e trupit tënd
Di në cilët yje ta prek
E cilën vesë të pij.
Pres natën të vij.
Nëse vjen me hënë
Mbi hënë do të shtrij
Pres natën të vij.
Dhe kur nata vjen
Motër me rrufenë
Çdo të bëj e di…
S’ka rrufe që s’shuhet
Kur bën Dashuri.
***
Kam një takim me ty mbi një gjethe vjeshte ku qielli ka shkruar diçka me shi
Kam një takim me ty…
Çdo ditë kam një takim me ty dhe pse nuk vjen, kam një takim me ty.
Dhe pse nuk vjen, vijnë mëllenjat nën shi, kam një takim me ty.
Trenat ikin drejt një stacioni të ri…kam një takim me ty.
E di që ti s’vjen, të vdekurat dinë të fshihen, gjithsesi
Kam një takim me ty.
***
Buzë oqeanit bie borë:
është hapur çanta e postierit qiellor
Dhe unë lexoj gjithë letrat që vijnë nga Parajsa…
Po asnjë letër s’vjen nga ty
i ka mbetur postierit Zot te çanta…
do që ta lexojë përsëri…
***
Orëndreqësi plak e ndjen se do vdesë
Me pengun se s’bëri dot orën magjike
Të kthimit të kohës mbrapsht.
Kjo ndodhi veç një herë
Kur takoi Marien mes lulëkuqeve të ndezura:
Të shtrirë mes lulëkuqeve dashuroheshin
Me mijëra orë në kujtesë.
Mjeshtri plak kurdis dhe njëherë gjithë llojet e orëve
Pastaj shtrihet duke kurdisur zemrekun e lulëkuqeve
Të kthyera në orë…
NJE GRUA PREJ SHIU…
Takova një grua prej shiu e sapoavulluar nga gjoksi i një burri
Aromën e saj kish bari që mbiu, stuhinë e tij kish afshi që pruri
Një grua prej shiu e tejdukshme prej nurit.
Një grua prej shiu: flokët, gjymtyrët, gishtërinjtë, shikimi…
Prej shiu zemra dhe ëndrrat prej shiu
Unë isha thjesht: ylber i prerë me pamje njeriu.
I lindur nga shiu.
TESTAMENT
Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merri muret, po jo dritaret
Merre kopshtin po jo zogun e kuq mbi kumbullën e lulëzuar
Veç tyre asgjë nuk dua.
Nuk dua asgjë, asgjë nuk dua: merre sixhadenë me sfinks
Orën e madhe me lavjerësin joshës si grua
Veç kohën kur të desha, ma lë mua.
Me murin merre dhe tablonë e Pikasos
Merre dhe pianon me tastierat si krua
Veç lotët në faqe lërmi mua.
Merre pishinën, “Jaguarin” e ri
Dhe rrugën me mozaik të shtruar
Veç kantinën me verë ma lë mua.
Merri të gjitha dhe pyllin e vogël
Lëndinën e ëndërrt mbështetur në panja
Lermë veç hënën që kërcen sa herë hapet shampanja.
Mos harro të më lësh dhe hapat e tua
Gishtërinjtë e dritës mbi tastierë
Dhe zemrën dhe zemrën patjetër e dua…
Veç kështu Testamenti ka vlerë…
***
Lotët e tua: sumbulla në këmishën e dashurisë
zjarri im: kravatë në kostum të dhëndërrisë.
Prit të t’i zbërthejë lotët këmishën ta hap
hiqma shpejt kravatën zjarrin të ta japë.
***
Ky mёngjes i bardhё: gushё sorkadheje kur lahet buzё ujvarёs
Rrezet hyjnё mes pyllit si shkollarёt nё orёn e poezisё
Tani pritet tё shfaqesh ti e natyra tё bёj “ah!”
e veza e bilbilit tё ri tё krisё…
GRUAJA QE PO PLAKET
Bëra skufe natën
zbukuruar me karfica e diamantë
për të joshur ëndrrat…
Burrat kanë harruar të më joshin.
Karficat e bizhutë e ditës i vë në shtrat: me to fle
dhurata të burrave të humbur
të përgjumur në një tjetër fole.
Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…
Me bastunin tim kërcënoj sendet
Dhe sendet s’ma vënë veshin
Më torturojnë me kujtimet e tyre.
Gjithë inatin e kam me pasqyrën…
Te dritaret shkoj shpesh
Tek tre dritaret ngaqë janë harraqe
Ata s’ma shfaqin atë tjetrën në qelqe
Nuk janë si pasqyra: budallaqe…
…Veç ajo më njeh…
Edhe rruga nuk më jep të njohur
Fundja kaq e ka kujtesë e saj
Ndonjëherë unë i ngre dorën
Dhe pres: rruga të filloj të qaj.
Gjithë inatin e kam me pasqyrën
Veç ajo më njeh…
Qëllon shpesh një luleshitës
Shpërndan trëndafila derë më derë
Po unë diku mes natës dhe klithmës
Nxihem: diamant pa vlerë…
Gjithë inatin e kam me pasqyrën…
Nga dritaret mund të fluturoj
Nga pasqyra, jo…
TE SOLLA NJE PARFUM TE RI…
Të solla një parfum të ri nga një dru i rrallë rritur në një ishull të vetmuar
të solla një parfum të ri…
Zhvishu natyrshëm, pa turp,
trupi yt ka kohë që pret udhëtarin e largët
lëkurën tënde të tendosur një zjarr i brendshëm e ka kthyer në tambure…
Ky trup: elektricitet joshës, drithërim mëkati,
Magji-baticë nga shikimet epshorë të burrave.
Të solla një parfum të ri…
Ky parfum t’i lulëzon supet, krahët e gjatë, shpatullat e hajthme
Gjinjtë e vegjël t’i kthen në zogj (Cicërima, cicërima, cicërima
Dy zogj-cicëza, bëjnë rima)
Ky parfum vjen nga ishulli i vetmuar
nga një dru i famshëm afrodiziak: kthyer nga deti psherëtin, psherëtin…
Të solla një parfum nga druri i rrallë: ka për rrënjë Dashurinë.
Në këtë dru janë mbështetur gjithë dashuritë e ishullit
Gjithë gratë e lundërtarëve presin kthimin aty
Vejushat e reja me të e ndajnë trishtimin
Teksa ulin velin ngjyrëylli mbi sy.
Të solla një parfum të ri…
Po të lulëzojnë kofshët, ijet, vithet, barku… gjithë trupi yt
Kuptoj: parfumi i ri qenka me shpirt.
Ndizet dashuria, zjarri ndën lëkurë i josh tamburet
O zot, e shtrirë më dukesh si blatim
Dhe unë udhëtari i largët: amanet i atyre drurëve
bie mbi ty i pushtetshëm si një himn…
Mundem në parfumin tim.
DEBORA KRISTALINE
Kristaline dëbora e New Yorkut
megjithëse gatuar në qiej të ndotur,
zbret ngadalë
me ashensorin e tejdukshëm
që përdoret shpesh në Parajsë.
Dhe bashkë me të zbret dhe një kujtim
që fare mirë mund të bëhet njeri prej bore
të cilit i mungon vetëm pakëz prush
për t’u kthyer në Ti.
ISHA MAGJISTAR…
Kuptova se isha magjistar i vogël
Puthja qershinë, përshembull, dhe ti dridheshe e tëra
Mos, më thoje, mos
Jam vedër e re, thyhem, e na derdhet vera.
E të tjera e të tjera e të tjera.
Isha larg teje në një mal
Prekja një lule e hop në TI e ktheja
Ca zogj të hutuar flatrat ti falnin
E unë, hop, papritmas të ngrija lart tek reja.
Një ditë të çova në botën e përtejme
Qeshje, oh, sa qeshje
Aq sa nga të qeshurat shkunde gjithë qershinë…
Dhe në çastin kur tek unë do ktheheshe
Oh, dikush, dikush ma prishi magjinë.
I çmendur brodha, udhëve e skenave
Të ringjallja ty, po ku të gjeja…
Puthja qershinë po gjaku qe ngrirë venave
Në parvaz te reja më ndizej rrufeja
Nga vedra piva gjithë llojet e verërave
Po në krahët e mi nuk po të ktheja.
Vetëm kur u thinja, kur u mplaka
M’u zvogëlua hija, m’u shkurtua flaka
Papritmas përballë magjike m’u shfaqe
E re si atëherë kur ishe loja ime
O Zot, sa e ngrohtë si një lot në faqe
Kur do të rrokulliset në majat e gjinjve.
Më prek, të lutesha, ma kthe rininë e parë
Po ti sërish qeshje dhe shkundje qershinë…
Kuptova: në ditët që të mbaja pranë
Ti ma kishe vjedhur magjinë.
KUR PI VERE…
Kur pi verë
qielli shpreh dëshirën të rrëzohet në gotë
e me qiellzën e gojës të bëjë dashuri.
Kur pi verë sikur pi një gllënkë liri
Pi fytyrën tënde e ndonjëherë veten pi.
Pi verë dhe sytë arratisen nga fytyra
Kanë liri tjetër sytë: më anarshistë se zemra.
Goja kthehet në fushë ore
Në akrepa – gishtërinjtë…
Sus!- i them kohës që ikën.
Në rrethin e gotës buzët e mia
Bëjnë një orë të florinjtë.
***
Nga që gurët e lumit s’ankohen për rrjedhjen: marrin formë zemre
Kur ti lahesh në lumë me fustan mbi gjunjë
Gurët marrin formën e gjunjve.
Mos e hiq këmishën,
Me ujë lumi mos i fresko gjinjtë…
Oh, gurët e lumit: ç’formë gjinjsh!
TI ISHE NJE ISHULL I VOGEL…
Ti ishe një ishull i vogël në formë gruaje:
Një kokë e bukur me një pyll flokësh që muzgëronin vjeshtë
Me përrenj të kthjellta fjalësh.
Në dy kodrinëza gjinjsh rrokulliseshin qingjat gazmorë të fantazisë sime
Dhe lart dy faret e thithkave u bënin sinjale anijeve.
Ti ishe një ishull i vogël në formë gruaje i lindur nga një vullkan i padukshëm:
të zbuluam kur ishe 18 vjeç.
I nisëm anijet nga drejtime të ndryshme të pushtonim ty
Dhjetë anije me dhjetë kapitenë me dhjetë ekuipazhe subkoshience
Dhjetë anije si dhjetë gishtërinj në pëllëmbët e deteve.
Ti ishe një ishull i vogël në formë gruaje i pamësuar me fjalën pushtim
Dhe ne si të gjithë pushtuesit ëndërronim thesaret që fshehin dashuritë.
Ëndërronim aromat ekzotike të buzëve, llërëve, kofshëve: pemë të rralla afrodiziake
në çastin ku ti shtrirë në detet e pasioneve kujtoje vullkanin me krahët e flakëve…
Dhjetë anije me dhjetë kapitenë me gjokset e velave hapur
Shtangëm tronditur: ishullin e vogël në formë gruaje
Vullkani na e kish rrëmbyer prapë.
DUKE PRITUR…
Një pasqyrë e shkrirë u kthye në det
Një ëndërr: në anije
Molla e kuqe në tryezë: në bovë u kthye.
Vetëm ti mungoje, nuk po vije.
Bromuri i argjendit krijoi ca pulëbardha
Dhe krahët e pulëbardhave e krijuan erën
Lëviza mollën që të zgjohej dallga
Po ti prapë nuk erdhe.
Padashur, padashur pasqyra u thye
Anija u mund nga shtërngata
Molla e kuqe në plagë u kthye
Veç brumuri i argjendit mbeti te pulëbardhat.
…Dhe ti prapë nuk erdhe.
Komentet