Gjergj Fishta (Fishtë, 23 tetor 1871 – Shkodër, 30 dhjetor 1940) ishte frat françeskan, njeri i letrave[1], piktor, arkitekt[2]
Për gjysmë shekulli ishte figura mbizotëruese e letërsisë shqipe, madje që kur ishte gjallë u kurorëzua “poet kombëtar”. Pas vitit 1945, kur u vendos regjimi komunist, vepra e Fishtës u ndalua dhe qëndroi e tillë derisa u përmbys diktatura komuniste.[3]
Fëminia
Lindi me 23 tetor 1871 në Fishtë të Zadrimës.[4]
Më 1886 Fishta vetë i gjashtti xhakua u nis për në Bosnie nga Urdhri Françeskan[5].
Student në Bosnie
Vitin e parë të provës e kaloi në Guçjagorë afër Travnikut, ku sipas sharteve të urdhrit ndërroi emrin në Gjergj. I la mbresë rilindja letrare kroate tek lexonte poetët Martiç, Kaçiç, Njegosh dhe Mazuraniç. Në këtë kohë ai zë miqësi të ngushtë me poetin lirik kroat Kranjçeviç Silvije Strahimir (1865-1908).
Në vitin 1893 Fishta kreu me lavd këndimet në Bosnie dhe vetë i gjashtti ktheu në vendlindje, ku u bë meshtar më 25 shkurt 1894 duke çuar meshën e parë në kishën e Troshanit[5].
Meshtar dhe mësues në Troshan
Fishta si mësues në Kolegjën e Troshanit, më 1894. Marubbi
Pasi u kthye nga Bosnia punoi për disa vite mësues në Kolegjin e Troshanit. Të dielave mbulonte me shërbim meshtarak kishën famullitare të Dom Lleshit (Zojës Nunciatë) në Lezhë, në të cilën shërbeu si kapelan (1896-1897).
Në vitin 1899 caktohet famullitar i përkohshëm në famullinë e Gomsiqes, nën juridiksionin e Abatit. Më 1899 qe një ndër anëtarët themelues të shoqërisë “Bashkimi”, të prirë nga Abati Doçi. Më 1902 u emërua sekretar i Komisariatit Gjeneral të Misionit Françeskan në Shkodër dhe po atë vit u bë i pari drejtor shqiptar i Shkollës Françeskane. Porsa mori në dorë drejtimin e shkollës ndërroi gjuhën e dhënies së mësimit nga italishtja në gjuhën shqipe. Me mbarështimin e tij, iu shtuan edhe klasët që atëkohë quheshin qytetnore. Duke qenë në periudhën osmane ndoshta e vetmja shkollë kombëtare në Shkodër, duke u nderuar më pas edhe nga Xhonturqit ngaqë ishte pa ndikime të huaja si shkollë.
Më 15 shkurt 1907 me Gjeçovin themeloi të parën bibliotekë shkollore në viset shqiptare. Në nëntor 1908 u tubua Kongresi i Manastirit, ku Fishta përfaqësoi shoqërinë Bashkimi dhe mbajti ligjëratën “Për alfabetin latin”, që i dha udhëzgjidhje marrëveshjes për alfabetin. Me kryengritjen e MbiShkodrës më 1911 i dërguar nga autoritetet osmane Arqipeshkvi i Shkodrës, Serreqi, mori me vete Fishtën dhe Bumçin në Podgoricë për të ndërmjetësuar për paqe mes autoriteteve dhe prijësve të maleve[5].
Komisioni ndërkombëtar dhe politika
Me administrimin ndërkombëtar të Shkodrës, drejtoi të përkohshmen “Hylli i Dritës”, por u mbyll pas një viti prej autoriteteve të qytetit prej artikujve thumbues të vetë Fishtës[5]. Për shkak të qëndrimeve të tij, autoritetet lëshuan urdhrin që të syrgjynosej në Maltë, gjë për të cilën u strehua ndër famullitë e krahinës dhe krerët e klerit ndërhynë që t’i pezullohej urdhri i mërgimit[6].
Me pushtim-administrimin austro-hungarez pas 1916, botoi fletoren “Posta e Shqypniës”[5]. Po atë vit çoi shtypshkronjën në Shkodër, e cila do të marrë emnin Shtypshkroja Françeskane, pra françeskanët që deri atëherë botonin tek shtypshkronjën “Nikaj”, tashmë do t’i botonin vetë.
Me Bumçin më 5 shkurt, 1920, zhvilluan takimin e radhës me kardinalin e Brukselit, Disider Mercier, primat i Belgjikës për ta ndërkombëtarizuar më tej çështjen kombëtare. Kardinali mori përsipër t’i shkruante autoriteteve të ndryshme qeveritare e kishtare.
Më 6 qershor 1921 u zgjodh deputet i prefekturës së Shkodrës. Fishta në fillim zgjidhet anëtar e më vonë kryetar i komisionit të buxhetit, anëtar i komisionit të arsimit dhe në gusht të atij viti zgjidhet nënkryetar i Parlamentit. Kur iu desht ta linte, propozoi Marlaskajn si zëvendësues. Në tetor sivëllaun Dodajn, shkuan në Romë për të takuar Kryetarin e Urdhnit dhe u pritën nga Papa Benedikti XV, ku morën ndihma për hapjen e shkollës publike me emrin “Illyricum“[7].
Në fillim të 1922 niset për në Mbretërinë e Bashkuar, në shkurt 1922 nga Liverpool, pas 12 ditëve mbërrin në Amerikë. Takoi senatorë katolikë, të cilët ndikuan tek Henry Cabot Lodge, i Partisë Republikane, duke bërë kësodore të mundur hapjen e dyerve për njohjen diplomatike Shqipërisë së pavarur[8].
Në votimet për Kuvendin Kushtetues në dhjetor të vitit 1923, Fishta së bashku me Nolin dhe Gurakuqin përfaqësoi Opozitën. Pasi përkrahu Lëvizjen e qershorit, largohet për në Itali më 1925-26, ku qëndroi pranë Urdhnit Françeskan.
Më 1930 pësoi një incident në përurimin e fabrikës së çimentos Portland Cementi, pas të cilit do t’i duhej të ecte gjithmonë me bastun. Prej 1930 bashkë me ministrin e oborrit Mehmet bej Konica përfaqësoi Shqipërinë në Konferencat Ballkanike në Athinë më 1930, në Stamboll më 1931 dhe në Sofie më 1932.
Mbas Konferencave maratonë Ndërballkanike, u pranua anëtar i Bashkimit Ndërkombëtar i Poetëve, organizatë e themeluar në Nju Jork. Me diskutimin e projektligjin e arsimit për mbylljen e shkollave private, do të kishte një polemikë publicistike me ministrin e Arsimit Mosi. Ministri pasardhës, Ivanaj, aplikoi ligjin për arsimin në shtetin shqiptar.
Më 1935 u zgjodh Provincial i Urdhrit Françeskan në Shqipëri, dhe po të njëjtin vit u hap sërish liceu i fretërve pas vendimeve të Gjykatës së Hagës, ku shkollat private në Shqipëri e kishin shpënë çështjen. Në prill të 1937 shkoi në Çekosllovaki me detyrë prej Urdhrit. Më plotësoi mandatin si provinçial dhe në këtë post e zëvendësoi P. Çiprian Nika.
Pas pushtimit italian, më 3 qershor 1939 Fishta emërohet akademik i Italisë. Më 1940, Papa Piu XII e priti atë në një audiencë të gjatë në Selinë e Shenjtë në Vatikan.
Fishta në shtratin e vdekjes
Nga fundi i vitit 1940 shkoi në Troshan, ku kishte nisë së pari jetën rregulltare dhe atë letrare. Sëmuret me 10 dhjetor ku iu gjendën pranë miku i vet Doda dhe sekretari Volaj. Më 14 dhjetor e sjellin në Shkodër, ku e shtrojnë në spital për një sëmundje zemre dhe polmoni. Më 22 dhjetor, borën e skllotën që kishte mbuluar qytetin, Fishta e kundron nga dritarja e kuvendit. Më 22 ra një borë e madhe dhe Fishta mori një polmonit që e rëndoi shëndetin e tij. Me 27 mjekët humbasin shpresat dhe Fishta bie në kllapi[9].
Më 30 dhjetor 1940 Fishta ndërroi jetë në spitalin civil të qytetit të Shkodrës. Arkivoli me trupin e tij u vendos në Kishën e Gjuhadolit prej nga u përcoll në banesën e fundit nga pothuaj i gjithë qyteti si dhe autoritetet e kohës. Meshën e përmotshme e mbajti Arqipeshkvi i qytetit Imzot Gaspër Thaçi. Telegrame të shumta ngushëllimi mori Provinciali Nika. Më 31 janar 1941 Akademia Mbretërore e Italisë mbajti një Meshë Drite në kishën artistike të saj të Shën Lukës dhe Shën Martinës, të cilën e udhëhoqi Gjenerali i Urdhnit Françeskan At Leonard M. Bello, kënduar nga Schola Cantorum e Vatikanit, ndërsa pjesën muzikore të saj e drejtoi muzikanti i njohur Akademik Don Lorenzzo Perosi, ndërsa një tjetër ceremoni përkujtimore u mbajt Reale Accademia d’Italia më 9 mars 1941.
Nderime
Pupla e artë dhe kunora e argjendtë, foto Marubbi
I dekoruar për shërbime paqe me dekoratën Mearif të klasit të II. Më 28 janar 1912, Klubi “Gjuha Shqype” në pallatin ipeshkvnor në praninë e Imzot Serreqit, përmes kryetarit të saj Ndoc Çobës, i cili më këtë rast mbajti edhe një ligjëratë mbi veprimtarinë e tij, i dhuroi Fishtës një kurorë argjendi për merita në krijimtarinë letrare dhe po këtë vit ai dekorohet dhe nga Mbretëria Austro-Hungareze me medaljen Ritterkreuz (1912), për kontributin kulturor në Shqipëri, qyteti i Beratit i dërgoi një pupël ari (pendë) (1913), Piu XI Medaglia di Benemerenza (1925), Urdhëri françeskan e dekoroi Lector Jubilatus (1929), Greqia me dekoratën Phoenix (1931); qeveria italiane e bëri anëtar të saj, Academico d’Italia më 1939.
Me rastin e 130 vjetorit të ditëlindjes së tij. Këshilli i Bashkisë se Lezhës e bëri “Qytetar Nderi”. Në këtë mbledhje përkujtimore, një grup intelektualësh kërkuan nga Kryetari i Qarkut dhe Prefekti qe t’i bëhet një propozim Presidencës që t’i akordojë poetit të madh titullin e lartë “Nderi i Kombit” për merita të shquara në shërbim të Kombit Shqiptar. Kjo dëshirë u realizua nga presidenti Alfred Moisiu me 28 nëntor 2002.
Korrespondenca e Fishtës me Musolinin dhe Jakomonin
Njihen dy letra që Át Gjergj Fishta i ka drejtuar Benito Musolinit. Letra e parë i takon vitit 1934 dhe është e postuar në Livorno, Itali. Është e shkruar italisht, herë-herë me fjalë jo të italishtes së sotme. Duke ndjerë se nuk i mbetej shumë për të jetuar, Fishta i kërkon Mussolinit që vepra e tij të botohet e plotë dhe “e paraqitshme”, gjë që nuk mund ta bëjë Urdhri Françeskan, dhe as Provinca e Fishtës. Dhe të ardhurat nga shitja e veprës t’i kalojnë kësaj province.
Deri në atë kohë dijetari shqiptar thuajse e kishte mbyllur ciklin e gjithë veprimtarisë së tij, pavarësisht rishikimeve të mëvonshme. Lutja konsiston në botimin e të shtatë vëllimeve të veprës ku përfshihen poezia ajo epike me “Lahutën e Malcisë”, lirika, drama, satira politike dhe sociale, proza, përkthimet nga Iliada e Homerit, Molieri etj.
Letra e dytë e Fishtës drejtuar Musolinit është shkruar në Romë, me datë 27 prill 1940, dhe po ashtu si letra e parë mban edhe vitin përkatës fashist, viti XVIII, i drejtohet tashmë Udhëheqësit – Duçe. Në këtë letër të shkurtër i shkruan për prof. Gino Bottiglioni, i Universitetit të Bolonjës që në atë kohë ishte thirrur nga Akademia Italiane – anëtar i kësaj Akademie Gjergj Fishta u bë në 1939 – i ngarkuar me misionin për të promovuar studime në të gjitha fushat e dijes dhe për të drejtuar të rinjtë studentë. “Qendra jonë e Studimeve Shqiptare do donte një impuls të dukshëm nga profesori i Universitetit të Bolonjës ku me iniciativën e tij, po organizohet një grup të rinjsh veçanërisht i përkushtuar ndaj albanologjisë”. Për këtë Fishta “guxon” t’i drejtohet Duçes dhe “gjykimit të tij të ndritur” për t’u gjetur një mënyrë që ta shtyjë më tej këtë nismë.
Letra drejtuar Jakomonit, mëkëmbësit të mbretit Viktor Emanueli III është një lutje për të ndihmuar albanologun Norbert Jokl.
Censura e Fishtës gjatë regjimit komunist e çështja e eshtrave të tij
“Një aksion për zhdukjen e çdo gjurme të gegnishtes“,- kështu e quan Arshi Pipa ndërmarrjen e vitit 1972 përmes Kongresit të Drejtshkrimit në emër të shqipes së njësuar letrare. Dhe sipas tij rrënjët e këtij dënimi dhe dhunimi të gjuhës ishin shumë më të hershme, që me vendosjen e diktaturës në Shqipëri, ku u ndaluan rreptësisht autorë si Fishta, Camaj, Harapi,etj. Pipa shkruan se “Stalinizmi e konsideronte katolicizmin gegë, si kryearmikun e vet. E kjo ishte një nga arsyet pse Fishta ndalohej, sepse ai ishte përfaqësuesi kryesor i katolicizmit“. Duke marrë parasysh se kryevepra e Fishtës, “Lahuta Malcís”, është katërcipërisht anti-sllave, do të ishte një problem për E. Hoxhën dhe bashkëpunëtorët e tij jugosllav, Miladin Popoviç e Dushan Mugosha në kuadrin shqiptar, meqë Poeti Kombëtar evokonte një frymë anti-sllave, dhe vitet e fundit të jetës së tij, edhe anti-komuniste. Kultura perëndimore, pas së cilës ìu qaste Shkodra në atë kohë, përbënte një problem për regjimin që rrënjtë i kishte nga lindja, dhe kjo dritare për nga perëndimi,- përfshi këtu një numër të madh njerëzish që edukoheshin në perëndim, që u persekutuan dhe vizituan burgjet e egra të diktaturës,- duhej mbyllur[10]. Ai u refuzua, jo vetëm për shkak të antijugosllavizmit të tij (skicat sarkastike të Hoxhës për Titon dhe udhëheqësit e tjerë jugosllavë në librin e tij Titistët, janë të krahasueshme – duke lënë mënjanë poezinë – me karikaturat e Fishtës për Knjaz Nikollën e Malit të Zi e ushtarët e tij te Lahuta e Malcís), por edhe për arsye të tjera: ai kishte pranuar një medalje merite prej sulltanit turk, pastaj qe bërë agjent i imperializmit austro-hungarez me botimin e “Posta e Shqypnís”, nuk kishte refuzuar caktimin e tij si anëtar i Akademisë fashiste Italiane të Shkencave pas pushtimit të Shqipërisë prej Italisë). Po të jetonte edhe disa vjet të tjerë e të shihte ardhjen e stalinizmit shqiptar, me siguri do të arrestohej e do të procesohej si armik i popullit e tradhtar i kombit (vëllai i tij françeskan Vinçens Prenushi, një folklorist i shquar e shkrimtar, e më vonë Arqipeshkëv i Durrësit, vdiq në burg). Arsyeja e vërtetë me të cilën mund të shpjegohet fishtofobia e partisë, është se ai ishte gegë i Shqipërisë së Veriut dhe prift katolik, si edhe poet i madh.
Kongresi i drejtshkrimit të gjuhës shqipe i mbajtur më 1972, duke vendosur një hegjemoni gati totale të dialektit toskë,- një bazë gati lokaliste, duke marrë parasysh prejardhjen e klikës politike të asokohe. Kjo gjuhë e re standarte siç thekson Pipa, e alienizoj popullin nga gegnishtja që shkruhej nga qarqet letrare me qendër Shkodrën, do me thënë në largimin e dialektit gegë nga syri i lexuesit. Kjo mangësi, përveçse çoj në dobësimin e standardit, zhduku nga vitrinat e librave shqip për më se gjysëm shekulli veprat e Fishtës, po ashtu si të Dom Shantojës, Át Kurtit e shumë të tjerë.
Histeria komuniste me valë lindore karshi kulturës perëndimore me qendër françeskanët e Shkodrës zhvarrosi eshtrat e tij. Më 20 mars 1967 eshtrat e Fishtës me urdhër të strukturave të shtetit komunist zhvarrosen nga Kisha Françeskane e Gjuhadolit. Mendohet se urdhrin për hedhjen e eshtrave të Fishtës në lumë e ka dhënë kryetari i Komitetit Ekzekutiv dhe kryetari i Frontit Demokratik të Shkodrës. Eshtrat mblidhen në një thes çimentoje dhe qëndrojnë për tri ditë në një nga zyrat e ndërmarrjeve të ndërtimit. Sipas burimeve të ndryshme, thesi është hedhur pas tri ditësh në rrjedhën e lumit Drin në Shkodër. At Zef Pllumi, në kujtimet tij thotë se nuk është i sigurt se eshtrat e Fishtës janë hedhur në lumë, por i kanë thënë dëshmitarë okularë se eshtrat janë hipur në një karro për t’u transportuar. Një tjetër klerik, Konrrad Gjolaj, në kujtimet e tij thotë se, “me “revolucionin kulturor” edhe eshtrat e Tij u tretën buzë Drinazës, në afërsi të Bërdicës, bashkë me eshtrat e vëllezërve të tjerë t’asaj Kishe”. Sipas letrës së Fritz Radovanit, janë në varrezat e Rrmajit, pas tri ditësh eshtrat e Fishtës janë marrë nga ish-drejtori i ndërmarrjes që merrej me riparimin e Kinema Punëtori (ish-Kisha e Fretenve), Shyqyri Rrjolli, dhe i ka varrosur së bashku me rojën e varrezave, Gjon Gjergjin, në varrezat e Rëmajës në Shkodër. Kjo zhvarrosje dhe “zhdukje” e eshtrave të tij shënjoj simbolikën e territ që pàu kolosi i letrave shqipe që do “bânte Shqypninë për inat t’shqyptarvet” për gjithë ato vjet.
Tituj të veprave
- 1*Lahuta e Malcíse [11] – poemë (Zarë, 1925
- 2*Anzat e Parnasit – satirë (Sarajevë, 1907) [11]
- 3*Pika voese, më vonë ribotuar si Vallja e Parrizit (Zarë, 1909)
- 4*Shqyptari i gjytetnuem – melodramë (1911) [11]
- 5*Shqyptarja e gjytetnueme – melodramë
- 6*Vëllaznia apo Shën Françesku i Assisi-t (1912) [11]
- 7*Hylli i Dritës – revistë (1913), themelues.
- 8*Juda Makabé – tragjedi (1914)
- 9*Gomari i Babatasit (Shkodër, 1923)
- 10*Mrizi i Zânavet (Shkodër, 1924) [11]
- 11*Sh. Luigji Gonzaga, (Shkodër 1927)
- 12*Lahuta e Malcís – botimi komplet (1937)
- 13*Jerina ase mbretnesha e luleve, (Shkodër, 1941)
Mirënjohjet
- 1* Urdhrin “Nderi i Kombit” Shqipëri, 2002
- 2* Medalja e Artë e Lidhjes së Prizrenit Kosovë
- 3* Kurorë Argjëndi, nga Klubi “Gjuha shqipe” i Shkodrës (1911).
- 4* Dekorata Mearif, nga Mbretëria Turke (1912).
- 5* Dekorata Ritterkreuz, nga Mbretëria e Austrisë (1912).
- 6* Penë floriri, nga qyteti i Beratit (1913).
- 7* Medaglia di Benemerenza, nga Papa Piu XI (1925).
- 8* Lector Jubilatus, nga Paria e Urdhnit françeskan (1929).
- 9* Dekorata Phoenix, nga Greqia (1931).
Shiko dhe këtë
Referencat
- ^ Plasari A., Mbi autorin botuar në Estetikë dhe kritikë, Tiranë: Revista “Hylli i Dritës”, 1999, fq. 9-30. ISBN 99927-646-0-0
- ^ Kabashi L., A. Gj. Fishta ndër arte, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 61-69. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Hamiti, Sabri (2009). Letërsia moderne shqipe. Tiranë: UET press. f. 16. 978-99956-39-03-7.
- ^ “Gjergj Fishta”. Fajtori.com. Marrë më 2 tetor 2018.
- ^ a b c d e Bardhi P., A. Gjergj Fishta – me rasen e 25 Vjetorit të Meshtarís së Tij, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 21-28. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Dodaj P., A. Gjergj Fishta O.F.M. në korrispondencë me nji sivllá të perzemert, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 76-108. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Sirdani M., Jeta e vepra fetare e At Fishtës, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 29-45. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Dodaj P., A. Gjergj Fishta deputat në parlament e udhtimi i tij per Amerikë, botuar tek Át Gjergj Fishta, O.F.M. 1871-1940, përgatitur B. Demës, Shkodër: Botime Françeskane, 2010, fq. 119-127. ISBN 978-99956-97-03-7
- ^ Maska e vdekjes e at Gjergj Fishtes, Mentor Quku Admirina Peçi 26/12/2010
- ^ Si e zhdukën Fishtën në diktaturë nga Arshi Pipa
- ^ a b c d e Gjovalin shkurtaj dhe Enver Hysa: Gjuha Shqipe për të huajt dhe shqiptarët jashtë atdheut
Lidhje të jashtme
Multi media
Komentet