Viti i ri 2011 hyri në kapërcyellin e dhjetëvjeçarëve të parë të mijëvjeçarit të tretë me urimet e zakonshme që përherë individët, familjet, bashkësitë, popujt, përcjellin tek njëri tjetri me një shpresë që përsëritet çdo 365 ditë, për të ndryshuar, për të përmirësuar, për të sendërtuar shoqëri të mirëqënies, të ligjit, të moralit, të paqës, të harmonisë….
Fakti që këto urime përsëriten prej mijra vitesh, tregon se objekti i tyre mbetet një mirazh, që njerëzimi e ndjek pa mbarim në një iluzion të përjetshëm e të paarritshëm.
Shqiptarët, një popull i ndarë në shumë shtete, si pasojë e vendimevet historike, sipër vullnetit të tyre, dhe mërgimit biblik, rrjedhojë e varfërisë e mungesës së shpresës, e pritën këtë vit me problemet e vjetra dhe me një mosbesim të ri. Për disa, shqiptarët duhet të gëzohen e të festojnë se po i afrohen bashkësisë evropiane, se, të fundit në kontinent, arritën të lëvizin pa viza, se kanë një nga ekonomitë më të susesëshme të botës, se nuk njohin kriza(!), se BBC na quan një nga gjashtë vëndet më tërheqëse për turizmin botëror se…. Për disa të tjerë ata duhet të vajtojnë sepse po u rrezikohet demokracia, se janë prè e sundimit të arbitraritetit e kleptokracisë në sistem, se varfërohen çdo ditë, se pushteti i uzurpuar i u vret ëndërrat, se…
Do të na pëlqente të dëgjonim një tjetër lloj bisede, të shkëputur nga demagogjia bajate e pushtetmbajtësve dhe nihilizmi krejtmohues i kundërshtarëve të tyre, tregues këto të mangësisë dhe diletantizmit të klasës politike, në gjithë gamën e saj të shtrirjes. Për të mos u zgjatur në morinë e problemeve që mund të merren në analizë, që përbëjnë panoramën ngjyrë hiri të Shqipërisë, ende në tranzicion, kur Estonia hyn zyrtarisht në zonën euro, do të ndalem në t’ashtuquajturin “ngërç” politik, që prej një viti e gjysëm e ka kthyer Vëndin në një kampion anormaliteti istitucional e kundërshtie politike e shoqërore. Proçesi evolutiv i jetës politike, ai që duhet t’i paraprijë evolucionit të vetë shoqërisë, është tepër i ngadalshëm, për të mos thënë i paqënë. Si pasojë klasa politike nuk arrin të shprehë e të përfaqësojë sot identitetin e shoqërisë shqiptare që, në sajë të një kompleksi faktorësh, ka bërë hapa të mëdha në evolucionin e saj drejt botës bashkëkohore.
Ka njëzet vjet që jemi të pranishëm në zgjedhje të tjetërsuara, të diskutueshme, të pavlefshme, pa patur kurajon të gjejmë në vetvete atë minimum ndershmërie që të na bëjë të ndryshojmë qëndrim. Ka një vit e gjysëm që nuk bëhet tjetër diskutim veç zbardhjes së përfundimit të votimeve të 28 qershorit 2009. Paaftësia për të zgjidhur këtë “ngërç” politik është tregues i mirëfilltë i mungesës së theksuar jo vetëm të etikës politike dhe dëshirës e synimit për të ndërtuar një sistem me të vërtetë demokratik, por edhe i prirjes për të kultivuar edukatën e ruajtjes apo marrjes së pushtetit me çdo mënyrë, duke shkelur mbi parime e norma themelore, mbi të drejta qytetarësh e detyra pushtetarësh. Megjithatë në këtë periudhë i jemi afruar objektivit të integrimit evropian, jemi bërë anëtarë të NATO –s, fakte këto që krijojnë një alibi për ata që qeverisin, për të thënë se gjithshka shkon mirë. Pa mohuar ndonjë meritë të Qeverisë apo Kuvendit n’atë drejtim, duhet të jemi të vetëdijshëm se bëjmë pjesë, si pasojë e pozitës sonë gjeografike, në një ingranazh projektesh e synimesh afat gjata të Evropës, që mbyll një sy herë herë para mangësive tona, por që ditët e fundit e ka bërë të qartë, nëpërmjet përfaqësuesve të më shumë se një institucioni, se rruga e integrimit drejt tyre nuk mund të jetë e hapur pa zgjidhjen e problemit të ditës.
Ka një vit e gjysëm që jemi bërë gazi i Evropës, sepse nuk jemi në gjëndje të bëjmë një verifikim të një rezultati zgjedhor të cilin, me ose pa arsye, gati gjysma e politikës e quan të padrejtë. Kundërshtitë ndaj përfundimeve të zgjedhjeve nuk janë një dukuri vetëm e Shqipërisë, ato shfaqen, jo rëndom, edhe në Vënde më ose më pak të zhvilluara se Shqipëria. Dihet prej të gjithëve se si u bë rinumurimi i përgjithshëm i votave në Irak e se si u shtyp një kërkesë e tillë në Iran, se ç’po ndodh në Bregun e Fildishtë, apo çfarë ndodhi në Zimbabve. Por a do të jenë këto modelet që do të marrë si njësi matjeje politika shqiptare?
“Plaku i vatrës”, kushtetuesi Sabri Godo, kërkon ndihmën e Amerikës, a thua se jemi përsëri në Versajë e na rrezikohen kufijtë. Është një tregues i përmasave të vërteta të problemit, fatkeqësisht, është një provë e hidhur, shumë e hidhur e paaftësisë sonë për t’u vetqeverisur. Edhe në logjikën më të thjeshtë, një klasë politike që nuk është në gjëndje apo nuk don të sigurojë votime të lira e të ndershme, nuk mund e nuk duhet të mbajë peshën e qeverisjes së një populli në një demokraci, mbasi në rastin më të mirë nuk është në lartësinë e detyrës e, në rastin më të keq, është një trup i huaj në organizmin e saj. Trasparenca e votimeve është një problem që, politikanë të zgjuar e të ndërgjegjshëm për rolin e tyre, do t’a kishin zgjidhur brënda pak ditësh. Në vënd të zgjidhjes është pëlqyer qëndrimi në kapërcyell të tij, duke u kacavjerrur në terma si kushtetuta, shteti ligjor, gjykatat, kutitë e votimit etj.
Është e pafalshme që nuk arrihet të gjëndet një marrëveshje për të zgjidhur ngërçin që mban peng ecjen përpara të Vendit. Është e papranueshme të vegjetohet me një Kuvend që nuk funksionon, mbasi gati gjysma e tij paguhet për të organizuar demostrata e gjysma tjetër shpreh një qeveri sui generis koalicioni ku me 3% të deputetëve mund të administrohen postet e zv. Kryeministrit, të zv.kryetarit të Kuvendit, të ministrave të punëve të jashtëme, të ekonomisë e të shëndetësisë!!! Më shumë se shprehje e “ stabilitetit të Vendit” më duket se është një kompromis qeverisës interesash klanesh apo individësh. Atëherë kompromisi u gjënd brënda dy ditësh, për krijimin e qeverisë, edhe ndërmjet partish e individësh që, deri dy ditë më parë, nuk kishin lënë pa përdorur asnjë term të arsenalit të fyerjeve e sharjeve për njëri tjetrin. Ai kompromis vazhdon të qëndrojë dhe mbas një “bombe” të tillë siç qe videoja e trasmetuar nga Fiks Fare një javë më parë. Madje po funksionon edhe në kundërshtim me logjikën më fillestare, që porosit në raste të tilla, qëndrim të matur deri në zbardhjen e plotë të së vërtetës, aq më tepër të lidhur me një problem themelor e tepër të rëndësishëm të shoqërisë sonë, siç është korrupsioni në sferat e larta të saj. Dorëheqja e Metës dhe vënia e tij në dispozocion të hetimit është, pa dyshim, një veprim i lëvdueshëm, edhe se nuk është i qartë plotësisht motivi përcaktues i vendimit, kur vetëm disa orë më parë zv.kryeministri kish deklaruar se do të qëndronte në postin e tij deri në 28 qershor 2013….Çuditërisht një kompromis, për të verifikuar numurimin e votave, mes shumicës qeverisëse dhe pakicës kuvendore nuk ka qenë i mundur të gjëndet as në një vit e gjysmë edhe se disa herë është kërkuar nga kreu i Shtetit apo Evropa, për të cilën “përgjërohemi” zyrtarisht.
Ishin skandaloze “debatet” e fundit në Kuvend, të nxitur me forcë nga organizmat ndërkombëtare. “Dialektika” e tyre nuk ishte gjë tjetër veçse shpalosje e një fjalori tepër të rëndomtë sharjesh e fyerjesh për kundërshtarin, në rastin konkret për dy drejtuesit e PD së dhe PS së. Tërhiqet zvarrë e bëhet tërkuzë një çështje themelore, që kërkon zgjidhje të ngutshme, edhe për faktin se politika ka një detyrim moral ndaj qytetarëve, t’i bindë ata me fakte se vota e tyre nuk tjetërsohet. Përndryshe lakimi i tog fjalëshit “vullneti i sovranit” është një tallje e mirëfilltë, mbasi “sovrani” konsiderohet një çiflik që mund të trajtohet simbas interesave, shijeve apo humorit të “përfaqësuesve” të tij.
Në vënd të akuzave e kundërakuzave Berisha e Rama do të kishin bërë mirë të gjenin mënyrën e hapjes së kutive në disa zona ku ishin dyshimet e të nxirrnin në shesh të vërtetën, gjë që do t’i jepte fund ngërçit e do të zbulonte më së miri se çfarë fshihet mbas gjithë kësaj zallamahije, aq të dëmshme për interesat dhe imazhin e Shqipërisë. Ndoshta sot, në këtë qorrsokak ku janë futur, të dyja palët i trëmben zbardhjes së rezultatit zgjedhor, mbasi kanë investuar aq shumë mbi këtë argument, në dëm të ecurisë normale të zgjidhjes së problemeve të Vëndit, sa që humbësi do të paguante një çmim shumë të lartë në opinionin publik shqiptar e ndërkombëtar.
Zgjidhja e ngërçit politik, në dritën e deklaratave gjithënjë e më t’ashpra të protagonistëve, duket si një mrekulli, në të cilën vështirë se beson më kush në Shqipëri e në botë. Por me që “Shpresa është e fundit që vdes”, simbas një proverbi të njohur, duhet t’a ushqejmë atë, duke lutur Perëndinë t’i qetësojë gjakrat e t’i kthjellojë mëndjet atyre që kanë në dorë mundësinë e kompromisit të shumëpritur. Kjo arritje do të kishte meritën të provonte se jemi në gjëndje të qeverisim vetveten, se nuk kemi nevojë për tutorë. Mendoj se jemi para një prove të vështirë, por jo të pamundur. Sëmundja është bërë kronike, por ka ardhur koha të bëjmë gjithshka për t’a shëruar. Recetën duhet t’a zbulojmë vetë, pa e pritur të shkruar nga të tjerët. Askush nuk na njeh më shumë se sa e njohim ne veten tonë, me të metat e të mirat e trashëguara dhe të fituara. Kam përshtypjen se, në kompleksin e ngërçit politik, një motiv i fortë negativ ndikues në dështimin e deritashëm të të gjitha përpjekjeve, është një faktor i veçantë, një fobi patologjike, një mungesë konsiderate e ndërsjelltë, që arrin caqe skajore deri në urrejtje, ndërmjet drejtuesve të dy partive kryesore. Pa hyrë në analizën e personaliteteve të dy personazheve qëndrorë aktualë të politikës shqiptare ( atë duhet t’a bëjnë me përgjegjësi të plotë partitë e tyre ), miqësisht do ju kërkoja atyre në emër të arsyes së mirëfilltë dhe domosdoshmërisë së çastit historik, të bënin një hap prapa. Nuk ju kërkoj të japin dorëheqjen, por të mos merren më, në vetë të parë, me verifikimin e rezultateve të votimeve të 28 qershorit 2009.
Le t’a heqin nga supet e tyre këtë barrë, le t’u a lënë të tjerëve. Të caktojnë nga tre përfaqësues prej partive të tyre që, së bashku me tre përfaqësues të nderuar të shoqërisë civile, jashtë politikës aktive, me Kryetarët e Gjykatave të Lartë e Kushtetuese, nën drejtimin e Kryetarit të Shtetit, të formojnë një organ këshillimor mbikuvendor. Këta zonja e zotërinj, të vetëdijshëm për misionin me të cilin i ngarkon çasti historik, duhet të mblidhen si në një konklav të Vatikanit, jo për të zgjedhur një Papë, por për të gjetur një rrugë zgjidhje të “ngërçit”. Ata duhet të mblidhen, të lënë jashtë dhomës bindjet dhe interesat e përkatësisë politike, të diskutojnë pa pasionin e saj, të gjejnë një kompromis teknik, në përshtatje me ligjet dhe Kushtetutën. Përfundimet e këtij komisioni të jashtzakonshëm duhet të miratohen nga Kuvendi e të vihen në zbatim nga organet kompetente.
Kështu brënda një kohe relativisht të shkurtër do të sendërtohet “trasparenca” aq shumë e dëshiruar nga të gjithë. Nëse ky proçes nuk do të paraqesë ndryshime të mëdha të kuadrit numuror , do t’i heqë Opozitës çdo lloj motivimi të mungesës së saj në Kuvend, pra do t’i sjellë normalitetin jetës parlamentare e politike, duke shkërmoqur një pjesë të shkëmbinjve që bllokojnë sot rrugën drejt BE. Në të kundërt, pasojat mund të jenë edhe traumatike për Qeverinë dhe shumicën, duke mbajtur parasysh brishtësinë e numurave në Kuvend, por arritja e proçesit në vetvete do të jetë shumë i rëndësishëm për disa arsye:
- Do të nxjerrë në shesh të vërtetën, që përbën një detyrim karshi gjithë votuesve.
- Do të japë një farë sigurie se tjetërsimi i përfundimit të votimeve nuk do të përsëritet më në t’ardhmen, një objektiv që duket imagjinar mbas përvojës së njëzet viteve të fundit.
- Do të kemi plotësuar një kërkesë të ngutëshme të institucioneve të Evropës, që përbën një nga kushtet e pranimit të statusit të kandidatit për antar i BE.
- Do të fitojmë besimin në vetvete, se jemi në gjëndje të vetqeverisemi e të përballojmë sfidat e kohës, se mund të shpresojmë të ndërtojmë një shtet të së drejtës e një demokraci të përparuar.
Nëse nuk do të gjindet “filli i Arjanës” i daljes nga kjo gjëndje, nëse “un”et dhe sedrat e sëmura të politikanëve do të mbizotërojnë mbi arsyen, interesat dhe perspektivat e Vendit, jo vetëm politika rrezikon theqafjen, por edhe vetë Shqipëria mund të shkojë drejt skenarësh të njohur e tepër të dëmshëm për qytetarët e saj.
Janar 2011
Marrё nga libri “Demokratura shqiptare nё vёshtrimin e njё tё mёrguari”
Komentet