Bari, kryeqyteti i Puglies, i industrisë e qytet i këndshëm me 130.000 banorë, është ura e drejtpërdrejtë e lidhjes me bregun tjetër. Me një t’ardhme të sigurtë e të shëndetëshme ekonomike, ai është i paracaktuar të jetë edhe një qendër eprore kulture dhe t’arrijë atë lartësi shpirtërore që do t’i japë mundësi të marrë mbi vete detyrën e lartë të rrezatimit të kulturës e të qytetërimit italian në Lindjen e Afërt. Që prej 50 vitesh bëhet fjalë për çështjen e krijimit të “Universitas studiorum” në Bari, një shqetësim që pati sanksionimin dhe pohimin e tij në urdhërin e ditës të miratuar nga Mbledhja e madhe e përfaqësuesvet të Puglies dhe Basilikatës, në “Teatro Picini”, më 2 mars të k.m.
Tubimi ripohoi të drejtën e Provincave të Puglies e të Basilikatës për të patur Universitetin e studimeve në Bari dhe i kërkoi Qeverisë njohjen e plotë të kësaj të drejte që, në zbatimin praktik, nuk duhej të kishte më të tjera vonesa. Arsyet që e kanë bërë të domosdoshme ngritjen e Universitetit të tipit klasik në Bari u shpalosën gjërësisht e në mënyrë të përsëritur nga studjues të njohur e të shquar të problemit të rëndësishëm ; por ato janë trupëzuar e saktësuar më mirë në Raportin e vyer e të mrekullueshëm të prof. Çeçit në Komisionin për rregullimin e Studimeve të Larta. Duke vënë në dukje rëndësinë e Universiteti të pritëm të Barit, nga pikpamja lindore dhe ndikimin e dobishëm që ky Institut Studimesh të Larta do t’ushtrojë pashmangshmërisht në marrëdhëniet e Italisë me popujt e Lindjes s’ Afërme, prof. Çeçi, duke folur për shqiptarët, tha ndër të tjera :
“Tashmë çështja shqiptare, në një pjesë të mirë, është çështje italiane, dyqindmijë italo-shqiptarë jetojnë mes nesh, bij të devotshëm të nënës së madhe italiane, por me ngulm kujtues të atdheut t’origjinës. Ata krenoheshin me dy institute të arsimimit : Kolegjin e Palermos dhe Kolegjin e Shën Dhimitër Koronës (Provinca e Kozencës), por janë dy institute të arsimit të mesëm si njëmijë të tjerë n’Itali. Para pak vitesh kemi krijuar një katedër të shqipes në Istitutin Lindor të Napolit. Nuk kemi bërë tjetër për këtë koloni të shquar, nga gjiri i së cilës doli Francesco Crispi. Gegëve dhe Toskëve në Shqipëri u mungon ai Instrument i energjisë kombëtare dhe i jetës kulturore që është gjuha letrare. Përpjekja e Kristoforidhit në Elbasan ka qënë ndër më të denjat, por e një leximi më të shpejtë ka qenë vepra e shqiptarëve n’Itali, që dialektet e tyre, shumë pranë toskërishtes, i kanë përdorur në forma të bukura e të ndryshme, duke hedhur një farë që do të mbijë.
Gustav Meyer-it, që qe një albanolog i madh, poema e shenjtë “Jeta e Marisë së Virgjër” e Jul Varibobës i dukej “klasike mbi çdo tjetër”. Dhe Jeronim de Rada, të gjithë jetën e tij të gjatë e fisnike i a kushtoi kultit të gjuhës shqipe, duke mbledhur këngë popullore, duke shkruajtur vargje e prozë, duke themeluar një gazetë “Flamuri i Arbërit” e duke vdekur në braktisje e në trishtim. Shpresa nuk është e kotë që nga kolonia italo-shqiptare të niset impulsi i madh për gjuhën kulturore të popullit që tani ringjallet si Komb.
Tashmë, kur pavarësia politike e Shqiptarëve është një realitet, Italia nuk do të ndalet. Austria ka kryer një vepër të madhe me atë seri të mahnitëshme “Schriften der Balkakommission”, që prej kohësh boton Akademia Perandorake e Shkencave të Vjenës. Gjuha, zakonet, gjeografia, arkeologjia, gjithshka e studjuar. Vepër shkence sigurisht, por edhe vepër politike kulturore largpamëse. Universiteti i ri Adriatik mund të jetë një qendër pune, duke i drejtuar përpjekjet e tij në zbulimet historike, arkeologjike, shkencore të Vendit që Roma i a hapi kulturës romake, nga viti 167 p.K., kur Shkodra e mbretit Gent hynte në pushtetin tonë me armët e Pretorit Lucio Anicio, e në Perandorinë mbetej “oppidum civium Romanorum” (“kështjellë qytetërimi Romak”), në rangun e Kolonias me Dy drejtues e të cilën Venediku e mbarsi me një punë mëndjemprehtë, për të cilën duhet të rindërtohet gjithsej shtrirja dhe rezultati.”
I nderuari Anselmo Ciappi, deputet i zonës Macerata-Ascoli, profesor me famë i Universitetit të Romës dhe teknik i shquar, i thirrur në mision zyrtar nga Ministri i Arsimit, Anile, për të vërtetuar se lokalet e këtij Instituti të dhëna nga Provinca e Barit për Universitetin e ardhëshëm, i përgjigjen kërkesavet të tij, ka deklaruar : “ Universiteti i Barit duhet të ketë një rëndësi, madje një mision ndërkombëtar. Kur nga Cav. Cantarano, rektor i Konviktit Kombëtar, që meriton lavdërimet më të mëdha për veprën e tij, m’u paraqitën tridhjetë konviktorë shqiptarë, e kur ndonjeri prej tyre, duke folur përsosmërisht gjuhën tonë, më tha se do të shpinte mes bashkatdhetarëve të tij shprehjen e mirënjohjes më të thellë për edukimin e marrë n’Itali, sinqerisht u preka shumë.”
Më parë se problemi i universitetit të zgjidhet, Bari, përveç se është një qendër e parë për blerje dhe furnizime, është dhe qendër kulture për popullsinë shqiptare. Në Konviktin Kombëtar në Bari, që nën kujdesin symprehtë të Rektorit të shkëlqyer prof. Nunzio Cantarano, lulëzon me 270 nxënës, studjojnë tridhjetë të rinj shqiptarë ; ata do të shtohen dora dorës, sapo lokalet e Konviktit do të jenë në gjëndje të mbledhin një numur më të madh. Konvikti Kombëtar i Barit është i vetmi n’Itali që mburret se ka 40 konviktorë të huaj, shqiptarë, turq, grekë, amerikanë, një egjyptian dhe një japonez. Grupin më të madh e përbëjnë shqiptarët që janë, siç u tha, tridhjetë vetë e që kanë arritur më shumë se të tjerët – simbas pohimeve të vetë mësuesve të tyre – rezultate me të vërtetë mrekulluese në çdo drejtim.
“Shqiptarët, duke përjashtuar disa të pakët, – na tha i Shkëlqyeri Rektor Cantarano, të cilit i u drejtuam enkas për të kërkuar lajme e për të njohur mendimin e tij të veçantë dhe të vlefshëm mbi këta djelmosha t’ardhur këtu plot besim, nga krahina të ndryshme të Shqipërisë së vogël e të rilindur, për t’u arsimuar e përvehtësuar të mirat e kulturës – u pritën në institut në kushte të mjerueshme, sa në vështrim fizik po aq dhe në vështrim intelektual për kulturë të pakët ose për mungesë të saj : më të shumtit ishin dorështrënguar, të mbyllur, mosbesues, në dukje ishin të nënështruar, të respektueshëm, por në më të voglën kundërshti bëheshin sherrxhinj, sedërmëdhenj, të padurueshëm kundrejt frenimit e disiplinës dhe shumë intolerantë në jetën kolektive. Krenarë për kombësinë e tyre dhe lirinë e fituar, nuk dorëzoheshin veçse atyre që dinin t’u vinin mbas avazit ; “Shqipëria dhe liria mbi të gjithë e mbi gjithshka”. Fodullë deri në mërzi, nuk pushonin së kërkuari, deri sa nuk arrinin të kishin atë që dëshironin. U pranuan në shkolla, pothuaj të gjithë jashtë rradhës, për moshën në përgjithësi më të madhe se klasa ku regjistroheshin, për shkak të pregatitjes së pamjaftueshme dhe ndryshimit të drejtimit të shkollave që kishin ndjekur në Vendet e tyre , por edhe për mungesën e njohjes së gjuhës italiane, që për më të shumtët ishte krejtësisht e injoruar.
Këtyre dhe çfarëdo tjetër ndryshimi kanë mundur t’i bëjnë ballë me mëndjen e tyre të fortë dhe ngulmin e një vullneti të hekurt, me të vërtetë çudibërës. Një pregatitje e vazhdueshme në synimet dhe në studimet është karakteristika e tyre më e spikatur. Këto dhuntí natyrore përbëjnë një tokë pjellore në të cilën puna edukative e konviktit ka ditur të japë frute të paçmueshme. Mbas një viti janë bërë të panjohshëm, të ndryshuar në trup dhe në shpirt, djelmosha të shëndoshë, me çehre ngjyrë trëndafili, të fuqishëm, me humor gazmor, karakter të hapur, të përzemërt, me sjellje korrekte. Kur paraqiten dhe flasin nuk mund të besohet se janë të huaj. Në pak kohë kanë mësuar të flasin, të shkruajnë e të hartojnë n’italisht shumë më mirë se shokët e tyre italianë. Jo vetëm në Konvikt, por edhe në shkollë, nxënësit më të mirë janë të huajtë, veçanërisht shqiptarët ; nga dyzet kanë kaluar klasën tridhjetegjashtë, prej të cilëve mjaft të përjashtuar nga provimet ; ndërsa nga 240 konviktorë italianë kaluesit kanë qenë njëqind me pak të përjashtuar nga provimet. Ndonjë shqiptar, e pabesueshme të thuhet, ka bërë katër klasët e fillores në dy vjet, duke marrë “me lavdërim” dëftesën e maturës !
Por këtyre përfitimeve të dhëna drejt për së drejti nxënësve të huaj, veçanërisht shqiptarëve, të tjerë jo më pak të rëndësishme, Konvikti, nëpërmjet tyre i ka dhënë edhe Kombit tonë ; sepse këta djelmosha janë vëllazëruar në mënyrë t’atillë me shokët e tyre italianë, sa që mund të quhen të gjithë bij të të njëjtit atdhe, tonit ; janë, mund të them, italianizuar në atë mënyrë sa që, pa kuptuar, kanë hequr dorë nga krenaria e kombësisë e të gjuhës së tyre duke simpatizuar për gjuhën italiane, të cilën e mësojnë me lehtësi të madhe dhe në gojën e tyre fiton një hir po aq të madh. Në këtë mënyrë Konvikti i Barit pregatit, pa shumë zhurmë, një fidanishte bimësh lindore që do të vazhdojnë të plotësojnë kulturën e tyre në Shkollën Eprore të Tregëtisë apo në Universitetin që do të hapet. Ja se si bëhet, përfundoi me të drejtë prof. Cantarano, depërtimi i shpirtit të italianizmës tek popujt e bregut tjetër t’Adriatikut. Çfarë vepre më e bukur, më lartësisht qytetare, politike, atdhetare edhe diplomatike mund të ishte kryer në një kohë të shkurtër, në një Institut edukativ, në dobi t’atyre popujve, por dhe në përfitim të sigurtë të Atdheut italian ? E çfarë kënaqësi më të madhe, duam të shtojmë, për vetë drejtuesin e atij Instituti ?”
Prof. Cantarano nuk shqetësohet se autoritetet lokale, qeveria italiane, Ministritë e Jashtëme dhe të Arsimit Publik, të vetëdijshme për gjithshka, nuk i kanë vënë veshin e nuk kanë pranuar asnjë nga propozimet e tij të përshtatëshme në Raportet përfundimtare, për të inkurajuar dhe lehtësuar pranimin e të huajve, veçanërisht të shqiptarëve në Konviktin Kombëtar të Barit. Shkujdesjen dhe moskokëçarjen e papërligjur të autoriteteve e zëvëndëson kënaqësia e vrapit të nxënësve shqiptarë e të huaj të tjerë drejt Konviktit, të tërhequr vetëm nga emri i të Shkëlqyerit Rektor Cantarano, siç thonë ata vetë njëzëri ; e zëvëndëson mirënjohja e atyre djelmoshave e të familjeve të tyre ; durtrokitjet dhe mirënjohja shpesh herë të shprehura nga qeveritarët shqiptarë ; duartrokitja e publikut e, mbi të gjitha, ajo e ndërgjegjes së vet të italianizmës së pastër e të shenjtë.
Rreth lëvizjes kulturore të Barit në lidhje me Lindjen, e veçanërisht me Shqipërinë, duhet vënë në dukje edhe kursi i gjuhës shqipe, i futur në Shkollën Eprore të Tregëtisë, të ndjekur nga shtatëdhjetë studentë italianë. Ai kurs, nëse jemi t’informuar mirë, do të jetë i detyrueshëm nga viti i ardhshëm shkollor.
SOTIR GJIKA
Corriere delle Puglie, 16 – 9 – 1922 Pёrktheu nga italishtja Eugjen Merlika
Komentet