CELULOID…
Erdhën festat si gjithnjë
Gotat lëvizën nga qelqet e bufeve
Verë e gëzimit dhe gëzim i shtirur
Frymon dhe ngadalë pihet…
Sa herë me to shkoj dhe bie
Në prehër të lirisë së meditimit,
Dhe mendjen vras pse shumicë e tyre
Përkujton ngjarje kaq të dhimbshme,
Sakrificat për liri,gjakun e derdhur,
Vrullet e ndërkryera të shekujve,
Dhe sa ngjarje të tjera të djegura
Në celuloidin e kujtesës,
Pse?
Dhe ne pushojmë të dehur
Pa e pasur mendjen atje…
DIKUR…
Hija ime dikur futej ndër pemë
Kur pemët me hijen e tyre
Iknin në prehër të pafundmë gjelbërimi;
Tani ajo msyn ndër njerëz
Dhe njerëzit aviten drejt meje
Secili ngre çadrën e egoizmit,
Për të më lënë pa hije,
Dhe unë me mall e kujtoj,
Kur ajo ndër pemë turrej,
Të cilat me çadrën e tyre
Mbulonin dashurinë e fshehur…
SA DËSHIRA..
Sa dëshira shkrumbohen dhe nuk vijnë më
Shkrumbi i tyre në duart e ditës,
Ndjen frymën e kotësisë së pritjes,
Sikur dikush mbush bulçitë e fryn me inat,
Gjithë mllefet e vetvetes;
Ëndërroj të ishte një vajzë,
Që puthjen merr nga buza
Dhe e vë në pëllëmbë,
Për ta fryrë me ashkun e bardhë
Drejt të dashurit që nuk e gjen;
Po kjo mbetet e pamundur,
Ai që fryn bulçitë m`i merr ëndërrimet
Si thes mielli i shkundur…
SOT…
Sot s`mund të mallëngjehem më si në fëmijëri,
Ndonëse është e mundur të mallëngjehem,
Pak dal tek rruga dhe rri,
Vështroj hënën, po nuk dehem…
Është e vetkuptueshme;bota plaket me mua,
Dhe humbet nuancat;bëhet më e ujshme…
FYTYRA E NJERIUT
Fytyra e njeriut i ngjet një are me misër
Që tregon duart e njeriut,
Duart e kohës tregon ajo,
Brazdat e viteve,pluhurin e mundimeve
Ujitjen e ndenjave,flakën e arritjeve
Dhe zjarrin e brendshëm të viteve;
Vështroj përreth fytyra të ashpra,
Të paqeta,kërkuese në kotësi,
Dhe më sillet sërish ara me misër,
Fytyrën ia jep urisë së virgjër…
SHKASIN PREJ PYJEVE RRËKETË
Shkasin prej pyjeve rrëketë
Si lotët e zanave,
Që më ngjan janë në retë
Që pyjeve u përvidhen përanash;
Shkasin rrëketë dhe vërshojnë nëpër gërxhe,
Derdhen në litarë malli,
Shkëmbinjve ua freskojnë mjekrat,
Rrëketë shkasin…
E sërish mendja më rri tek pyjet
Që po rrallohen
E bashkë me to rrëketë,
Tani vërshon vetëm ujë,
Që është pikëllimi që dikur
Pyjet e mbanin vetë
PËRQASJE
U lulua qershia si një nuse me të bardha,
Kokrrat e saj të kuqe,bukurinë ia ulin pak,
Dhe i shtojnë dobinë.
Dhe pas të bardhës për nusen vijnë bojatisjet
Që ia humbasin freskinë…
TËRMETIM
Ka rrugë ku s`duhet me mbërri
Ka rrugë ku s`mbërri kurrë,
Dhe keq s`më vjen..
Pse shpesh një rrugë e gabur
Rrugën më të drejtë e gjen…
Zemrën ma tërmeton në jerm
NJË MELODI
Një melodi e lirë bulkthi,
Apo një zë që natyra ia shtrydh veshit tonë
Janë aq të famshme;por të rralla.
Tani ka zëra të tjera në valë buçitjesh,
Që shkundin kujtesën dhe shkundullojnë mendimin,
Dhe s`e gjejnë dot famën e bulkthit,as dëshminë e dritës
Së zërit të urtë përtëritës..
SHËN VALENTIN
Lulet në duart e çdonjërit nuk rrinë,
Aq më tepër në duart e të dashuruarve,
Veçmas , kur këputen për Shën Valentin,
Sa për t`u dhënë për një ditë,
Të nesërmen kjo festë psherëtin
Vallë një datë ka për dashurinë?!
Komentet