Unë dëgjoj midis joprofesionistëve (kjo nuk do te thotë që unë të dëgjoj profesionistët) çdo poet të madh dhe çdo njëri të madh ose më mirë nëse ata shkrihen të dy në një.
Kritika e një poeti të madh, lind më shumë nga pasioni: nga afëria ose dorëjashtësia. Për ketë raport personal me një vepër dhe jo gjykim; për këtë: jo kritikë; për këtë, mbase, unë e dëgjoj. Nëse nga fjalët e tij nuk del përfytyrimi im, sidoqoftë, është i tiji që shfaqet. Nje lloj rrëfimi, si atëherë kur shohim në ëndërr një person: është tjetri ai që vepron, por jam unë ai që kujtoj ! e drejta për të miratuar dhe, ajo për të mohuar – kush i kundërshton? unë kundërshtoj vetëm të drejtën për të gjykuar.
Një shembull ideal i kësaj anarkie shumë të dashur, është libri magjepsës i Balmontit Maja malesh, thjerrëz që djeg të gjitha «po-të» e tij. Pse i besoj Balmontit? Sepse ai është poet i madh. Dhe sepse flet për atë që do. Por, a s’do mund të gabohej Balmonti? Sigurisht që mund – dhe pikërisht kohët e fundit ka gabuar rëndë në lidhje me X. Por që X përkon ose jo me përfytyrimin e Balmontit, në gjykimin e tij për X Balmonti përkon me Balmontin, domethënë, Balmonti, poet i madh del me gjithë madhështinë e tij. Duke parë X, ka parë vetveten. Zhduket X, por ne shohim Balmontin. Dhe të vështrosh Balmontin, ia vlen. Si pasojë, edhe në rastin e një lajthitjeje, gjykimi i një poeti për poetin tjetër (në këtë rast një prozator) është diçka e mirë.
Por përveç këtij fakti, a nuk mund të gabohesh në këtë marrëdhenie? Kështu që i gjithë vlerësimi i X nga ana e Balmont është një rast i dukshëm i poetit subjektiv. Duke dëgjuar e duke parë tek ai këtë apo atë gjë, ai ndien atë të gjësë tjetër. Ç’mund të kundërshtohet? Gjithçka është kaq personale sa është e pamundur ta mbash në një farë konsiderate.
Gjykimi: vendoset cili është vendi i një vepre në botë. Raporti – cili është vendi i asaj vepre në zemrën e tij. Raporti nuk është i ndryshëm nga gjykimi, është vetë ai, i pagjykueshëm.
Kush mund ta kundërshtojë një burrë të cilit i pëlqen një grua që është në mënyrë të dukshme përbindëshore? Në marrëdhënie gjithçka është e lejueshme, me përjashtim të një gjëje: ta shpallësh veten gjykim. Nëse vetë, ai burrë i po asaj gruaje të shëmtuar ngulmon se është gruaja më e bukur e botës ose edhe vetëm më e bukura e fshatit, cilido do të kishte të drejtën ta kundërshtonte edhe ta përgënjeshtronte. Raportit subjektiv më ekstremi dhe në çdo drejtim i lejohet, jo vetëm poetit të madh, por edhe të parit që kalon – me një kusht që ai të mos i tejkalojë caqet e subjektivitetit vetjak. « Unë e mendoj kështu, mua më pëlqen kështu » – në prani të «unë», dhe të «mua» këtë ia lejoj edhe këpucarit që të refuzojë poezitë e mia . Sepse, as «unë»’, as «mua» nuk mbajnë asnjë përgjegjësi. Por, nëse i njëjti këpucar, duke hequr dorë nga «unë» dhe «mua», të provonte ta përcaktonte si të shëmtuar e të kotë punën time, çdo të ndodhte? – ajo që ndodh përherë: do të qeshja .
Nga shembulli i Balmontit dhe X do mund të arrinim në përfundimin se poeti, në përgjithësi, nuk është gjykatës. Nuk është kështu, natyrisht. Nëse në përputhje me natyrën e vet një poet lirik zëvendëson peshën e gjykimit me kënaqësinë e raportit subjektiv (në vend të kufizimeve të paanësive – luksi i preferencës), kjo nuk tregon ende: 1- se të gjithë poetët janë lirikë, 2 – se një poet lirik nuk mund të jetë gjykatës. Thjesht, nuk do që të jetë gjykatës, do (krejt të kundërtën e mikroborgjezit) të dashurojë e të mos gjykojë. Të mos duash e të mos mundësh janë dy gjëra të ndryshme.
Do dhe mund: gjithë veprimtaria e poetit lirik Kodaseviç, si kritik dhe recensent.
Kur dëgjoj të flitet për lloj «natyre poetike të shpirtit» mendoj se nuk ekziston dhe, nëse ekziston nuk i përket vetëm poetëve. Poeti është një njëri i shumëzuar me mijëra dhe llojet e poetëve ndryshojnë midis tyre plotësisht, si ato të njerëzve. «Poet në shpirt» ( shprehje kjo shumë e njohur ), është po aq e paqartë sa «njeri në shpirt». Poeti është para se gjithash dikushi që ka dalë nga kufijtë e shpirtit. Poet nga shpirti dhe jo poet në shpirt (i njëjti shpirt është nga: lëvizje në vend!), dikush sapo ka dalë jashtë kufijve të shpirtit – në fjalën. Dhe më në fund kush do të ishte (“poeti në shpirt”)? Homeri, apo Ronsari ? Derzhavini apo Pastërnaku – jo në epokën, qëndron ndryshimi : në thelb – Gëte apo Shileri, Pushkini apo Lermontovi dhe më në fund Majakovski, apo Patërnaku!
Barazi dhuntie: e shpirtit dhe e fjalës – ja poeti. Për këtë nuk ekzistojnë poetë që nuk shkruajnë, as poetë që nuk ndiejnë. Ti ndien por nuk shkruan: jo poet ( ku është fjala?); ti shkruan, por nuk ndien; jo poet (ku është shpirti?) ku është esenca? Ku forma? Identitet. Pandashmëri, thelbi dhe forma – ja poeti. Unë parapëlqej, është e natyrshme, atë që nuk shkruan, por ndien para atij që nuk ndien, por shkruan. I pari, mbase nesër do të jetë poet. Ose shenjtor. Ose hero (i dyti vargëzues), askushi. Dhe emri i tij është turmë.
Kështu, pasi përcaktuam kush është poet në përgjithësi dhe cila është shenja më esenciale përkatëse ndaj poezisë, do të pohojmë me faktin se ‘‘esenca është forma dhe forma esencë, mbaron çdo ngjashmëri midis poetëve. Ata janë të ndryshëm si planetët.
Një vëzhgim i domosdoshëm. Në gjykimin e poetit lirik (raporti) mbizotëron në mënyrë të dukshme mbivlerësimi (të shihet se ç’thoshin për njeri – tjetrin romantikët gjermanë, francezë ). Në gjykimin e poetit epik, (gjykim, pikërisht) – nënvleftësimi. Marrim shembull shumë të paanshmin Gëte që nënvleftësoi Hëlderlin, Hajnen, Klajstin. Çfarë nënvleftësimi kuptimplotë: pikërisht për bashkëkohësit e vet! Dhe midis bashkëkohësve, pikërisht për bashkatdhetarët e tij. Kjo nga ana e poetit Gëte që vlerësoi në kulm Bajronin e ri dhe çmoi së tepërmi Valter Skotin. Një shembull ky që duket se i heq çdo vlefshmëri thënies sime për të drejtën e poetit, për të gjykuar një poet tjetër. Por vetëm duket. E drejta për gjykim nuk është ende e drejta e dënimit me vdekje. Për të qenë më e saktë, dënimi me vdekje nuk është ende ekzekutim. Ose ekzekutimi nuk është ende vdekja. Askujt, as Gëtes – dhe fjalës së askujt – as edhe asaj të Gëtes tetëdhjetëvjeçar, nuk i lejohet që të vrasë Hajnen: Egosum ! (Jam unë). Gëtja e ka nënçmuar, megjithatë Hajnia mbijetoi. Por, (kundërshtim) nëse Hajne do të kishte qenë më i dobët, pas gjykimit jomiklues të Gëtes, ai do të mund të vriste veten si njeri ose si poet. Por nëse Hajne do të kishte qenë më i dobët, nuk do të ishte Hajne. Jo, Hajne është jeta dhe jeta nuk vritet. Mendimi i Gëtes për Hajnen është vetëm një shtytje e mëtejshme për punë (bëre një gabim – tani ta tregoj unë !). Dhe për ne, pas njëqind vjetësh, një nxitje për të reflektuar. Gëte – dhe një gabim i tillë i trashë! Si është e mundur? Të mendohemi. Të reflektojmë mbi Gëten dhe Hajnen, mbi ndryshimin e thellë midis tyre, pastaj mbi moshën e tyre: tetëdhjetë dhe tridhjetë vjeç, pastaj për moshën në vetvete, nëse ekziston dhe çfarë është, pastaj mbi olimpizmin dhe demonizmin, mbi tërheqjen dhe mospranimin dhe ende mbi shumë gjëra të tjera akoma…
Si pasojë edhe në rast të pamëshirshëm, nënvleftësimi i një poeti nga ana e një poeti tjetër, gjykimi i poetit mbi poetin, është diçka e mirë.
Gjer këtu – mbi poetët. Kë dëgjoj ende?
Dëgjoj çdo zë të madh, kujtdo që t’i përkasë ai zë. Nëse për poezitë e mia më flet një rabin i urtë nga vitet, nga mosha dhe nga profetët, unë e dëgjoj me vëmendje. E pëlqen poezinë? Nuk e di. Mbase s’e ka lexuar. Por i pëlqen (di) gjithçka – gjithçka nga rrjedh poezia, burimet e jetës dhe qenies. Është i urtë dhe urtësia e tij mjafton dhe tepron për mua, për vargjet e mia. Dëgjoj rabinin, dëgjoj Rome Ralanin, dëgjoj një fëmijë shtatëvjeçar për gjithçka që është urtësi dhe natyrë. Vizioni i tyre është kozmik dhe, nëse në poezitë e mia ka kozmos, ata do të kapin zërin e tij dhe do t’i përgjigjen.
Nuk e di, nëse Rolani e pëlqen poezinë. Të marrim rastin më të skajshëm se nuk e pëlqen, por në poezi, përveç vargjeve (elementi poetik) gjenden gjithashtu të gjitha elementet e natyrorë. Dhe Rolani e do sigurisht. As prania e elementit poetik tek unë, as mungesa e atij elementi tek ai, nuk na pengojnë dhe s’mund të na pengojnë.
«Do t’ju them në esencë …». Është pikërisht esenca dhe gjithçka që më duhet .
Duke folur për fëmijën shtatëvjeçar, flas edhe për popullin, për dëgjimin e pastër, primitiv, të njeriut të egër.
Kë dëgjoj akoma, përveçse zërin e natyrës dhe të urtësisë ? Dëgjoj zërin e gjithë mjeshtërve dhe mësuesve.
Kur recitoj një poezi për detin dhe, një detar që nuk kupton asgjë nga poezia, më korrigjon, unë i jam mirënjohëse. E njëjta gjë ndodh me rojtarin e pyllit, kovaçin, muratorin. Çdo gjë që më dhurohet nga bota e jashtme, është e çmueshme për mua, pasi në atë botë unë jam një hiç. Por kjo botë është e nevojshme për mua në çdo orë, në çdo minutë. Nuk mund të flitet në mënyrë të papeshueshme për të papeshueshmen. Qëllimi im është që të vërtetoj sendin, t’i jap atij peshë. Dhe që «e papeshueshmja ime» (shpirti për shembull) të ketë një peshë, më duhet pak fjalor dhe ca jetë e përditshme tokësore, pak masë peshe që të jetë e njohur në botë dhe e pranuar në të. Shpirti dhe deti. Nëse krahasimi im nga jeta e detit është i gabuar, hidhet në erë e gjithë poezia (Të bindin vetëm disa hollësira: një lloj çasti i detit, një lloj shprehie, zakoni. Por me «të dua» në dashuri nuk fiton!) Më i tmerrshmi, më i ligu (dhe më i nderuari) armik i poetit është e dukshmja. Një armik të cilin ai mund ta mposhtë vetëm nëpërmjet njohjes. Të bësh skllave të dukshmen që t’i shërbejë të padukshmes – ja jeta e poetit. Unë të bëj skllav ty, të bëj armik me gjithë thesaret e tu. Po ç’tensionimi i shikimit të jashtëm është i nevojshëm për ta kthyer të padukshmen në të dukshme ! (Gjithë procesi artistik). Sa mirë duhet njohur ajo e dukshme ! Gjithashtu, më thjesht : poeti është ai që duhet të njohë çdo gjë me saktësinë më të madhe. Pikërisht ai që di gjithçka ? Është tjetër ajo që ai di. Duke njohur të padukshmen, nuk e njeh të dukshmen që është përherë e nevojshme për krijimin e simboleve. «Alles Vergan glishe ist ein Gleichnis» (E gjithë kjo është kalimtare, është një alegori). Po, por duhet ta njohësh atë Vergangliche, (alegori të rastit) ndryshe krahasimet e mia do të duken të rreme. E dukshmja është çimentoja, këmbët mbi të cilat mbështetet vepra. Në frëngjisht: «Ça ne tient pas de debout ». (Kjo nuk qëndron në këmbë).
Formula e Teofil Gotiesë (ta krahasoj atë me atë gëtiane) me të cilën kanë abuzuar dhe vazhdojnë të abuzojnë ende :
Je suis de cex pour qui le monde visible existe (Jam nga ata, për të cilët, bota e dukshme ekziston) ndërpritet tamam kur fillon gjëja më e rëndësishme: si mjet dhe jo si qëllim! Realja si vlerë në vetvete për poetin është një absurditet. Për filozofin – shkak pyetjeje, për poetin – përgjigjeje. (Mos u besoni kurrë pyetjeve të poetit ! Të gjitha «përse-të?» e tij janë «meqenëse», po «si- të ?» – kështu!». Por në argumentet e tij (në krahasimet e tij) poeti duhet të jetë i lumtur. Duke krahasuar, të themi, shpirtin me detin dhe, mendjen me fushën e shahut, mua më duhet të njoh si oqeanin, ashtu edhe fushën e shahut çdo çast të oqeanit dhe çdo lëvizje të gurëve të shahut. Për të mësuar – për të mësuar gjithçka – nuk mjafton një jetë. Dhe ja na vijnë në ndihmë ekspertët e profesionit – mjeshtrit.
Një poezi është bindëse, vetëm kur mund të vërtetohet me një formulë matematike (ose muzikore: është e njëjta gjë). Jo nga unë do të vijë verifikimi.
Është kjo arsyeja që me poezitë e mia që flasin për detin, unë shkoj te detari dhe jo tek ai që pëlqen poezinë. Çdo të më japë i pari ? Një skelet – për shpirtin. Po i dyti ? Në rastin më të mirë, një jehonë të dobësuar të shpirtit – të vetes sime. Në gjithçka që nuk është shpirt, unë kam nevojë për të tjerët.
Pra nga profesionet, nga zejet – në shkencat. Nga bota e njohur, në atë që duhet njohur. Nga detari, rojtari i pyllit, kovaçi, marangozi, furrtari – te historiani, gjeologu, fizikani, gjeometri e më gjerë, duke zgjeruar përherë e më shumë rrethin. Asnjë poet nuk ka një njohje të lindur për shtresëzimet gjeologjike dhe për datat historike. Çfarë njoh unë – që nga lindja ime ? Shpirtin e heronjve të mi. Zakonet, ritet, banimet, gjestet, gjuhën – domethënë gjithçka që më jepet nga dija – unë i marr nga ekspertët, historianët, arkeologët.
Në poemën për Zhanna d’Arkën për shembull :
Protokolli është i tyre.
Flakadani – imi.
Përktheu: Faslli Haliti
Komentet