Kuadrot e lartë të zonës kishin dalë buzë rrugës nacionale për të pritur kryeministrin.Ishte një mëngjes i ngrohtë korriku. Bashkë me ta, ndodheshin aty veteranë me dekorata që u zbukuronin gjokset,punëtorë të rendimenteve të larta,vajza dhe gra të veshura me kostume kombëtare,grupi folklorik, dy jevgj, njëri me daulle , tjetri me cyrle.Vetëm kryetari i kooperativës ishte lënë në fshat, gjysmë ore larg,për t`u marrë me përgatitjet e pritjes.Ishte herë e parë që në këtë zonë vinte një njeri kaq i madh,ndoshta pas Skënderbeut,i cili në kohën e vet i ktheu malet dhe luginat në fortesa të pakalueshme për pushtuesit.Në krahinë kishin kaluar konsuj romakë, udhëtarë të huaj, arkeologë,ndonjë padisha turk, po asgjë s`mund të shënohej,as mund të ishte skalitur në kujtesë si kjo ardhje e sotme,e cila, po të vidhej shprehja e një poeti ,mund të përcaktohej me urimin:ardhsh i bardhë.Pak a shumë, këto fjalë i kishte qarkulluar me një entuziazëm patetik, sekretari i byrosë,në një mbledhje të shkurtër, po tepër mobilizuese, të cilat patën çuar peshë zemrat e një populli të lumtur, lumturinë e të cilit do të kishte rast ta prekte edhe kryeministri.Këto fjalë patën çuar peshë zemrat e vetranëve të cilët nxorën nga sënduqet rrobat e reja, dekoratat,shumica e të cilave të dhëna nga vetë kryeministri, si njeri i Luftës së Dytë, nëpër festa të brigadave partizane.
Por edhe plaku shtatëdhjetëvjeçar, Sulo Avdia,një ishballist, atë ditë ishte ndjerë mirë,ndaj , me dëshirë e gëzim, kishte dalë ndanë rruge.Tingujt e cyrles vërshonin me furi,larushia e kostumeve popullore theksohej edhe më shumë nga rrezet e diellit,portrete byroistësh valaviteshin në ajër,nga krahët e gjallëruar të njerëzve.Kaloi një makinë, po nuk ndaloi.Ajo iku larg në drejtim të veriut.Përqëndrimi emocional i turmës po vinte në rritje.Daullja rrihte më fort, grupi folklorik hidhte valle,ndërsa në fytyrat e veteranëve ishte shtuar mallëngjimi,ndoshta pse do kishin edhe një rast më shumë për të takuar komandantin e tyre.
Makina tjetër erdhi. Ajo ndaloi para turmës.I veshur thjesht, me një kasketë në kokë, kryeministri zbriti me nxitim sikur mezi e kishte pritë këtë rast për t`u përqafuar me popullin e tij të dashur.Ai bëri shenjë që muzika të pushonte.Pasi takoi vetranët me radhë,befas ai u ndal para Sulo Avdisë.
-Ti , Sulo Avdia gjatë luftës na ke vënë pushkën, -i tha kryeministri,dhe fytyra deri në atë çast e qeshur, iu murrëtye, krejt papritur,ndoshta në bluarjen e një vendimi që Sulo Avdisë,t`i hidheshin prangat menjëherë.
-Jo, ktheu përgjigje Sulo Avdia, po të kisha vënë unë pushkën , as ti, as Brigada e Parë, nuk do të ishit më.Kisha mundësi , po nuk desha…Fjalët e tij ngrinë pezull çdo gjë, po situatën e çtensionoi kryeministri me një buzëshje të sforcuar dhe me fjalët:
-Mirë, mirë, ne jemi zemërgjërë…Pas këtij momenti, u kuptua se tani mund të fillonte një bashkëbisedim i ngrohtë,por befas kryeministri ktheu kokën dhe pa një arë me misër.
-Po kjo arë pse s`është vaditur?!-pyeti ai,dhe pa marrë përgjigje vazhdoi:
– Për dy ditë, kthehem nga Dibra, dhe nëse ara s`është vaditur, gjeni vend dhe futuni…
Ai bëri një prapaktheu ushtarak,si ish partizan i vjetër, hipi në xhips;fjollat e hidhta të tymit treguan nervozizmin e tij ,i lexuar lehtë.Daullexhiu i ra me topuz lodrës, krejt padashur,si t`i binte një gongu për fillimin e një beteje të madhe…Të gjithë kishin kthyer sytë drejt arës.Ishte një copë tokë , rreth tre dynym,rrethuar nga dy shkëmbij si sqep skifteri dhe nga zbritja e disa kodrave me shkozë.Duhej të qe tokë e re,se rreth saj nuk kishte ara të tjera,madje asnjë kanal vaditës,apo burim aty afër.Atëhere përse e kishin mbjellë, ndoshta për mallkimin e tyre, dhe ku,afër rrugës nacionale…
Turma filloi të shpërndahej, po kryetari i këshillit bëri thirrje të qëndronte e të dëgjonte.Pas një ore turma duhej të gjendej tek sheshi i fshatit. Nuk duhej të mungonte njeri.Fytyra e tij ishte e zverdhur si mbi të të binin rrezet e hënës.Kryetari eci para sikur ta printe turmën në një ceremoni funebre.Shpatullat e tij të ngushta dhe trupi i imët ia bënin më të mjeruar pamjen .Ecte me një hap të shpejtë po ndihej sikur ecte nëpër ferra me gjemba majëpërpjetë.Për shkak të rrugës së ngushtë dikush u skhkëput dhe iku nëpër rrugë qorre, dikush tjetër ra nëpër ledhe arash, po gjithësesi pas një ore turma qe tek sheshi i fshatit.Në ajër ndihej një pezmatim, dhe në fytyrat e njerëzve zotëronte një qetësi që i ngjante kohës para një stuhie të pritshme.
Mungonte vetëm ishballisti dhe dy ustallarët e ahengut që ishin nisur për një dasmë.Kjo u verifikua pasi kryetari i përforcuar nga kuadro të tjerë kryesorë bëri një apel të shkurtër, që sikur i ngjante një aktakuze të rëndë për të lajmëruar një pretencë edhe më të kobshme.U nis një korrier me një sy të verbër,muzikantët erdhën me vrap, duke dihatur, vetëm Sulo Avdinë nuk e kishte gjetur.Pas arës do t`ia rregullojmë samarin, shfryu i inatosur sekretari i byrosë dhe udhëzoi me një ton të prerë, alarmues:
-Të gjithë duheshin të niseshin nëpër shtëpi ,të merrnin ç`enë kishin , dhe pas një ore, ashtu siç ishin, si një trup i vetëm,duhej të gjendeshin tek sheshi i fshatit.Të liheshin mënjanë dasmat , ditëlindjet, qoftëlarg ,ndonjë vdekje, sepse situata nuk priste. Duke respektuar kohën e dhënë ,të mjaftueshme ,tek sheshi u dhanë njerëzit të cilët mbanin nëpër duar legenë , gjyma, sahanë,kova, kusi, dhe gratë, bucela.Ishte një arsenal enësh, të paraqitura në një panair kaotik. Enë të kohës së turkut, sahanë Selaniku,vetëm njëri në nxitim e sipër kishte marrë një kullesë makaronash,po kryetari i këshillit duke ia marrë për tallje,ia mori nga duart dhe ia hodhi në një ferrë. Tjetri u turr ta marrë, po kur ndeshi në vështrimin e rreptë të kryetarit u step në vend duke vështruar duart e veta bosh sikur ato të ishin fajtore dhe jo mendja e çoroditur.Kryëtari i kontrollonte njerëzit me një vështrim të ngrirë,të ftohtë, tmerrues, disa i nxori nga turma dhe i rinisi sërish në shtëpi, ata duhej të vinin patjetër me enë nëpër duar, ndryshe do t`i pinte e zeza.Ardhja e tyre nuk vonoi.Mbanin në duar qypa prej balte, shtamba, ndërsa ai që kishte ende në ferrën pranë kullesën e makaronave, mbante në dorë një legen të vjetër që i ngjante një përkrenarje antike.Njerëzit u ndanë me skuadra , me nga një përgjegjës secili, u morën udhëzimet e nevojshme, cila skuadër do vadiste fundin e arës, cila mesin, lindjen apo perëndimin e saj. Përroi i Ashikut, ishte uji më i afërt për arën.Po edhe ky përrua kishte dhënë shpirt nga vapa, uji mezi gjendej nëpër zgolla ku cijatnin gjarpërinjtë.Nga përroi i Ashikut fillonte një e përpjetë me një rrugë të ngushtë prej nga kalonin vetëm dhitë.Megjithatë rrugë tjetër nuk kishte, duhej bërë kujdes.U mbushën enët nëpër hurdhat e vogla të përroit, gratë ngarkuan bucelat,hileqarët me një gjym në dorë brigadierët i kthenin mbrapsht. Kur enët e para mbërritën tek ara u pa se misri ishte gati në të mbaruar prej vapës.Ara e vetmuar tani po merrte hak, sepse shpirti i misrit nuk të fal.Sapo hidhej ujë tek rrënja e bimës dukej sikur aty urinonte djalli.Toka e pinte dhe s`e tregonte ngopjen.Po fillonte muzgu.
Fati e desh që netët ishin me hënë të plotë.Dikush e quajti këtë si urim e shumë të tjerë si një mallkim mbi mallkim.Drita e hënës ndriçonte gjysmën e shtratit të përroit dhe hijesinat që krijoheshin nga shkëmbinjtë anash si kërcënim sikur qorollepsnin me dashje dhe kundërvinin në një ngushticë shpirtërore çdo mundësi për të parë qartë.Dikush u rrokullis në një bokë dhe u ndje rrokullisja e enës që përfundoi në humnerat e afërta të përroit.Gurët çlironin një avull të ngrohtë ndërsa hëna sikur e shtonte më shumë zjarrminë që vinte përmes këtij avulli.U punua gjithë natën .
Vetëm në mëngjes u dha një orë pushim.Një ish hoxhe dy pleq iu lutën që ai të bënte dua për shi.Por ai s`e hëngri atë kokërr ulliri sepse zoti i dinte vetë punët e veta.Meqë ti permende zotin duhet të bësh lutje, i thanë ata,por hoxha ishte aq i lodhur sa nuk mundi t`u kthejë përgjigje më.Madje ai u shtri mbi tokë dhe filloi të gërhiste, vajtën e zgjuan duke i kujtuar se çdo kapitje mund të sajohej me dashje ,aq më tepër ,ai duhej ta kishte kujdesin se dihej çfarë kishte qenë.Këto fjalë sikur ia hoqën dremitjen hoxhës i cili nuk bëri zë po rrëmbeu menjëherë kusinë dhe u nis drejt përroit. Filloi sërish puna.Erdhën ndihmat e para nga fshatrat e tjerë,dikush kishte marrë me vete një dybek,duke u justifikuar se enët i kishte çuar të gjitha për t`u kallaisur.Kur vajtën tek ara panë se një punë nga dita e djeshme ishte bërë.Ca gjurmë uji , pllanga- pllanga qeshnin hidhur nëpër të.Nëse dita do të sillte një pamje më të mirë të arës ata do të dilnin të nderuar para kryministrit,nëse atij nuk do t`i shkonte ndërmend të ngulte shkopin për të parë sa thellë kishte shkuar uji.Forcat e shumta ardhë në ndihmë e shtuan edhe më entuziazmin, e kjo siguroi një mobilizim të jashtëzakonshëm.Gjurmët e ujit po shtoheshin, sepse populli është një forcë e madhe,sepse ç`thotë partia bën populli,tha dikush.Veçse askush nuk e kishte mendjen në thënien e tij,përveç ndonjë thumbaxhiu që kërkonte të stilizonte situatën .
Thatësira po vihej përpara.Në drekë u dha gjysmë ore pushim.Një grua shtatzënë mallkonte burrin e vet,ndërsa korrieri tentoi të shkelte syrin e verbër, po ai nuk iu bind.Gruaja shatëzanë me një moshë mesatare ishte e lodhur, aq e lodhur sa dukej se do të lindte aty mes njerëzve, fytyrëzverdhur, me preka në fytyrë që ia theksonin edhe më vuajtjen.Midis forcave të shtuara figura e kryetarit dukej rrallë ,po kur shfaqej njerëzit mundoheshin të tregoheshin më seriozë e më të impenjuar.Ata nuk e duronin dot fodullëkun e tij, ndodheshin si të kapur peng , e dinin se fajin për mbjelljen e asaj are, që quhej Paparavë, arë e priftit,e kishte pikërisht ai , kryetari, që s`dinte nga i vinte uji mullirit, po urdhëri gjithnjë mbetet urdhër e duhet zbatuar.Mëngjesi i së nesërmes duhej ta gjente arën të vaditur.Njerëzit nxitonin, me qypa, gjyma, kusi, legenë që i mbanin në sup, në duar, mbi shpinë, rendnin, vinin nga ara, ktheheshin sërish tek ajo, e cila nuk kishte të ngopur me ujë.
Në drekë u bë një mbledhje operative dhe u tha se duhej një tendosje më e madhe, po i afroheshin një rezultati të pritshëm që ua mundësonte faktin për të dalë faqebardhë para kryeministrit.Kur u afrua mbrëmja ara tregonte pa dredhi se aty kishte kaluar uji.Ishte fat që po vinte nata ,freskia e së cilës do të ruante gjurmët e tij.Dikush kishte sjellë fenerë sepse do punohej sërish natën.Iu dha leje vetëm gruas shtatzanë, e cila dy tre herë paraqiti shenja të fikti, po një mamije nuk iu lejua që ta shoqëronte, veçse nëse ajo thirrej mund të ikte.
Mëngjesi i së nesërmes solli një pamje më të kënaqshme të ujitjes.Kishin ardhë forca të tjera edhe gjatë natës duke treguar një solidaritet të pakundshoq. Ishte mëngjes herët , dielli nuk i kishte kapur majat e maleve, mund të punohej nja dy orë të mira, sepse sipas një inspektimi ara në disa rripa të saj nuk kishte ndjerë gjumë uji.Në orën tetë të mëngjesit u dha urdhër që puna të ndërpritej.Të gjithë pas atij aksioni heroik,duhej të rreshtoheshin ndanë xhadesë, por së pari duhej të fshihnin nëpër dushqe, shkozë, ose ku të mundnin, enët e tyre për t`i marrë më vonë.Kryeministri nuk duhej të shikonte enë.Ai duhej ta dinte se ajo arë kishte kanal.Sa i sigurtë u quajt ky justifikim ,nuk dihej,po megjithatë,lodhja nuk linte shumë mundësi për të vrarë mendjen.Dikush tjetër fshehjen e enëve e quajti të arsyeshme edhe për faktin se ato bëheshin pengesë për të duartrokitur.
Njerëzit nuk kishin më fuqi, dielli e theksonte edhe më vapën e cila po shtërngonte si për inatë.Nuk frynte asnjë fjollë ere, edhe pse vendi ishte kodër dhe i njohur si vend ku shfrynte bulçitë djalli.Befas në horizont u duk një makinë.
-Erdhi, tha njëri ,pa ngurruar të rregullonte rreshtin e njerëzve. Dikush u lut që makina të vinte sa më shpejt, nuk kishte më fuqi, të mbaronte kjo punë një herë e mirë dhe të bëhej ç`të bëhej, një zë i mbytur e quajti fat që kryeministri po vinte pikërisht në atë orë, sepse, më vonë, vapa do i përvëlonte si saç, ai të shkonte në punë të tij dhe ata në punë të tyre.Këto fjalë u shqiptuan nën zë, dhe u prenë në mes nga një heshtje e thellë.Gjendjen pezull të njerëzve makina nuk vonoi ta shkriftojë.Ajo linte pas nëpër xhadenë e ndërtuar në kohën e mbretërisë , tym , pluhur dhe zhurma e saj sa vinte rritej ,sikur të ishte një përbindësh që po vinte t`i përlante.Dhe ata e prisnin me qetësi këtë përbindësh, , të qetë ,sepse detyrën e kishin kryer .Kryeministri u shfaq në makinë, me fytyrë të ngrirë bust, po makina nuk ndaloi.
-Po tani ç`do të bëjmë, u ndie një zë.
-Tani? Asgjë, iu kthye përgjigja, vetëm kam një merak, si do ta marrë vesh kryeministri që ara u vadit…
Komentet