VOAL

VOAL

(Foto) Ditë historike për Shqiptarët në Ontario të Kanadasë dhe për shqiptarët anë e mbanë!

March 27, 2016

Komentet

Këlliçi: Kam informuar kongresmenët! Qeveria po shantazhon diasporën!

Drejtuesi politik për Tiranën, Belind Këlliçi  pas kthimit nga Miçigani është shprehur se ka një tentativë të qeverisë shqiptare për të shantazhuar diasporën përmes vendeve stë punës së të afërmve të tyre në Shqipëri, për t’u marrë votën në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

Teksa thotë se ka informuar kongresmenët republikanë mbi atë se çfarë po ndodh në Shqipëri, Këlliçi përmes një lidhje skype me edicionin e orës 19, tha se i ka informuar amerikanët për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe përdorimin e saj si ‘armë’ ndaj kundërshtarit politik.

Këlliçi theksoi se 90% e shqiptarëve që ka takuar në SHBA, ka të paktën një familjar në Shqipëri që i dërgon para, pasi e kanë të pamundur të përballojnë jetesën për shkak të talljeve që qeveria u bën pensionistëve dhe jo vetëm.

Sipas Këlliçit, sa do që Rama të përpiqet përmes propagandës dhe medies së blerë nga paratë e incienratorëve dhe aferave të tjera korruiptive, janë mediet ndërkombëtare ato që shkruajnë për realitetin shqiptar dhe mbi mënyurëns se si vendi ynë ëshët kthyer në njollë të zezë në trafikun ndërkombëtar të lëndëve snarkotike, ku të përfshirë janë edhe ministrant e Brendshëm të qeverisë.

Demokrati Këlliçi dha detaje edhe nga aksioni opozitar që pritetet të ndërmerret nga PD dhe strukturat e saj drejtuese, për burgosjen e liderit të opozitës, Sali Berisha dhe burgosjes së ligjvënësit demokrat Ervin Salianji.

7 Tetori, tha Këlliçi është sipari i aksionit të mosbindjes civile të opozitës.

Pjesa më e madhe, 90 % të atyre që kam komunikuar kanë familjarë në Shqipëri. Janë këta individë që mbajnë familjetr e tyre, dërgojnë para çdo muaj për shkak të pensioneve qesharake të qeverisë dhe talljeve që Rama u bën pensionistëve. Ata janë të detyruar të mbajnë familjarët e tyre në Shqipëri.

Atyre u intereson se çfarë bëhet me korrupsionin në Shqipëri. Kam takuar me qindra në Miçigan, që kanë dëgjuar për aferat e 5D të Veliajt dhe thonë se çfarë bvën SPAK që nuk heton.

Qytetarët janë më të lirë në amerikë e vendet e tjra për të thënë të vërtetën. PD duke i bërë gati denoncimet, afërat korruptive ia ka çuar të gatshme prokurorëve të SPAK,dhe i ka ndihmuar për të hetuar aferat korruptive.

Takimi me Trump s’është takim vetëm i Belind Këlliçit, s’ëhstë personal. E kam takuar si përfaqësues zyrtar të PD, partisë simotër Republikane. Kongresmenët kanë informacion për Shqipërinë dhe kapjen e sistemit të drejtësisë, si dhe përdorimin e saj si armë kundër kundërshtarit politik. Një fotokopje e kësaj në miniaturë, ndodh në Shqipëri dhe e kanë fare të qartë për ta kuptyuar se njëjtë ndodh edhe në Shqipëri. Preferoj që komunikim ta mbaj konfidencial. Sa do që Rmaa të bombardojë median e paguar në Shqipëri, janë mediat më të mëdha botërore e amerikane, që kanë shkruar për krimin e narkoshtetit në Evropë, Shqipërinë.

Këta i lexojnë jo vetëm politikanët jashtë vendit por edhe agjencitë ligjzbatuese. E dinë që në Shqipëri ka një kryeministër që udhëton me charter privat, e dinë korrupsionin dhe që Shqipëria është kthyer transit për drogëra të forta. E dinë që ministrant e brendshëm merren me trafk droge, sic është Fatrmir Xhafaj me të vëllain.

E thonë të gjithë në diasporë, ka një tentaivë të qeverisë shqiptare për të intimiduar familjarët e diasporës me vendet e punës nëse nuk japin votën. Janë një target grup që s’i shnatazhon dot, kanë futur në lojë për të luajtur me bukën e gojës të atryre që janë të punësuar në Shqipëri.

Duhen bërë publike aferat dhe u duhet treguar se çfarë po ndodh në Shqipëri. Ne kemi një detyrë shumë të madhe në ndërgjegjësim.

Protesta e radhës do të jetë jashtë vendit, në një nga institucionet më të rendësishme në BE. Ku do shkojë Grupi Parlamentar i PD për të ndërgjegjësuar se ku ndodhet demokracia në raport me ligjshmërinë në Shqipëri. Burgosjen e Berishës dhe Salianiit, burgosjen e Belerit, dhe për goditjen e  çdo opozitari që denoncon korrupsionin në Shqipëri. Dhe më pas aksionmin në rrugë e sheshe,  për të vijuar me mosbindje civile. 7 tetori, sipari i nmosbindjes civile.

Vota e Diasporës- Zbardhet projektvendimi, si do të behet regjistrimi i votuesve që jetojnë jashtë! Përgatitja e listës së zgjedhësve

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve ka publikuar projektvendimin për votën e diasporës. Në këtë projektvendim publikohet me detaje si do të bëhet regjistrimi dhe si do të përgatitet lista e votuesve.

 

KLIKO KETU PER TE LEXUAR PROJEKTVENDIMIN

Në projekt vendim thuhet se zgjedhësi që dëshiron të votojë nga jashtë duhet të paraqesë kërkesë në mënyrë individuale për regjistrim në listën e zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Afati për paraqitjen e kërkesës fillon 120 ditë para datës së zgjedhjeve dhe përfundon 68 ditë para kësaj date.

“Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve njofton publikisht për hapjen e procesit të hartimit të listës së zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit jo më vonë se 10 ditë përpara fillimit të këtij procesi. Kërkesa kryhet përmes Platformës Elektronike të Regjistrimit, nga këtu e vijim në këtë vendim referuar si “PER” e cila krijohet, mirëmbahet dhe përditësohet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. PER është e aksesueshme pa pagesë për zgjedhësin. Zgjedhësit do t’i jepet mundësia ta shkarkojë këtë platformë si në versionin desktop, ashtu edhe në atë mobile pa qenë i kushtëzuar nga lloji i pajisjes elektronike që do të përdorë“, thuhet ne projektvendim.

Sa i takon listës së zgjedhësve që votojnë jashtë vendit, projektvendimi thote se është një listë e vetme në nivel zone zgjedhore dhe përmban listën e shtetasve shqiptarë që kanë shprehur vullnetin të votojnë nga jashtë vendit sipas rregullave të përcaktuara në këtë vendim dhe që janë të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile në territorin e zonës zgjedhore përkatëse.

“Lista e zgjedhësve që votojnë jashtë vendit hartohet dhe përdoret rishtazi për çdo palë zgjedhje për Kuvendin. Në çdo rast, KQZ-ja dhe Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile ruajnë bazën e të dhënave të zgjedhësve që votojnë nga jashtë vendit për çdo palë zgjedhje”

Mitizimi i diasporës dhe debati i munguar për votën nga jashtë shtetit- Nga ADRI NURELLARI

Shqipëria është vendi me përqindjen më të lartë të emigracionit në botë, por mënyra se si po trajtohet vota e tyre është tejet problematike.

Vota nga jashtë, përmes postës, paraqet rreziqe të konsiderueshme për deformimin e demokracisë sonë dhe diskriminon qytetarët që jetojnë në Shqipëri. Të dhënat e publikuara nga censusi i fundit i popullsisë në Shqipëri, kur analizohen në lidhje me regjistrin civil, nxjerrin në pah,  se së paku 48% e popullsisë ose 2.2 milionë shtetas shqiptarë jetojnë aktualisht jashtë Shqipërisë ( pa llogaritur ata që kanë hequr dorë nga shtetësia apo fëmijët e emigrantëve që nuk janë regjistruar fare në Shqipëri por kanë të drejtë shtetësie). Kjo e bën Shqipërinë të parin vend në botë për sa i përket përqindjes së popullsisë së emigruar, duke lënë prapa Guajanën, Bosnje Hercegovinën, Sirinë dhe Afganistanin. Mirëpo ajo që çudit është fakti që edhe pse kemi përqindjen më të lartë të diasporës, ministrinë e posaçme që kishim e shkrimë ndërkohë që më shumë se 80 shtete kanë ministri apo agjenci për diasporën, pavarësisht se kanë përqindje më të ulët të popullsisë jashtë sesa ne. Diaspora tek ne po trajtohet vetëm në kuadër të populizmit dhe retorikës boshe, me përllogaritje elektorale dhe asnjëherë nuk është trajtuar siç duhet me një debat të mirëfilltë racional. I tillë qe edhe rasti i reformës së fundit zgjedhore që përfshiu mundësimin e votës me postë për emigrantët. Kjo reformë në pamje të parë mund të duket si një arritje për diasporën por në të vërtetë paraqet goxha rreziqe e mund të jetë madje edhe kundërvepruese.

Sikurse kam shpjeguar në një shkrim të mëparshëm, vota me postë e emigrantëve, në vetëvete, mund të rrisë mundësinë për manipulime elektorale dhe të instrumentalizojë emigrantët si vegël për të deformuar demokracinë shqiptare. Votimi me postë nga jashtë është proces i vështirë për t’u kontrolluar dhe mbikëqyrur nga autoritetet përgjegjëse në Shqipëri të cilat nuk kanë juriduksion në shtetet ku jetojnë emigrantët. Pra sigurimi i kushteve të barabarta për të gjithë kandidatët  si dhe zbatimi i standardeve të njëjta të sigurisë, transparencës dhe mbikëqyrjes ligjore, është pothuajse i pamundur për një popullsi të shpërndarë në shumë vende të ndryshme, ku autoritetet dhe legjislacioni i Shqipërisë nuk ka vlerë. Përtej potencialit për manipulimeve ky shkrim synon të debatojë aspektet etike e morale të votës nga jashtë, gjë për të cilën nuk ka pasur debat fare në Shqipëri. Madje kjo temë nevralgjike nuk po  trajtohet për shkak të  romantizimit të skajshëm të diasporës dhe mungesës së kurajos për të thënë të vërteta të hidhura e jo-popullore.

Për shkak të një vizioni të ngjyrosur nga nostalgjia për diasporën, është harruar të thuhet se me këtë reformë të sapomiratuar ka cënime të parimeve  kushtetuese. Lejimi i votës me postë për emigrantët,  mund të konsiderohet një shkelje e parimit themelor të barazisë para ligjit që diskriminon shtetasit shqiptarë që ende jetojnë në vendlindje e privilegjon diapsorën. Përse duhet që emigrantëve që mund të kenë shumë vite pa ardhur në Shqipëri, t’iu lejohet ta mbushin me nge fletën e votimit në rehatinë e shtëpisë së tyre duke pirë kafe me familjarë, e mandej pa ngut ta dërgojnë me postë, ndërkohë që qytetarët e Shqipërisë duhet të udhëtojnë drejt qendrave të votimit në një ditë të caktuar, të mbajnë radhën, të shkojnë individualisht në kuti të fshehta votimi (ku as nuk mund të asistojnë në proces të afërmit me probleme shëndetësore). Lejimi i votës me postë për diasporën mund të krijojë ndarje dhe privilegje të padrejta midis qytetarëve që jetojnë në Shqipëri dhe atyre që janë jashtë vendit duke krijuar një një klase elektorale të privilegjuar.

Në vend të një analize të ftohtë dhe të sinqertë të çështjes së diasporës, diskutimet janë mbushur me një ngarkesë të madhe emocionale që ka deformuar realitetin. Reforma nuk ka siguruar të drejtën e votës së diasporës, sikurse po pretendohet, sepse kjo e drejtë nuk iu është hequr kurrë emigrantëve.  Pra bëhet fjalë për një lehtësim shtesë për të gëzuar më rehat një të drejtë që ata e kanë pasur gjithmonë. Thjesht duhet të vinin fizikisht në Shqipëri për të votuar. Këtu duhet theksuar se pavarësisht retorikës naive për diasporën që dëgjohet sot për votën me postë, e vërteta gjakftohtë dhe racionale është ndryshe. Faktikisht duhet pasur kurajoja intelektuale për të thënë se gëzimi i të drejtave që të jep shtetësia lidhet ngushtë me territorin e këtij shteti. Shërbimet dhe garantimet e të drejtave të qytetarit, si rendi, shëndetësia, arsimi, siguria sociale etj., lidhen ngushtë me territorin e një shteti, pasi infrastruktura,  juridiksioni dhe burimet e nevojshme për të ofruar këto shërbime janë të kufizuara brenda kufijve të shtetit, duke pamundësuar zbatimin dhe garantimin e plotë të  tyre jashtë vendit. Për ta ilustruar, shërbimi i rendit publik apo i kujdesit të urgjencës ndaj shtetasve të vetë është një nga detyrat e përgjegjësitë kryesore të një shteti, por është absurde që një emigrant shqiptar që jeton në Kretë apo Siçili të pretendojë t’i shkojnë në ndihmë patrullat e shqiponjës apo ambulancat shqiptare nëse ka ndonjë aksident.

Për të krijuar një distancë higjenike nga e folura emotive e  politikisht korrekte është mirë të analizojmë praktikat ndërkombëtare për sa i përket votës së diasporës. Sipas një studimi gjithëpërfshirës global të institutit prestigjioz IDEA, votimi nga diaspora lejohet në 115 (53.4%) vende  dhe territore në botë (të cilat organizojnë zgjedhje shumëpartiake dhe garantojnë votën universale) ndërsa 100 të tjerë (47.6%) nuk e lejojnë fare dërgimin e votës nga jashtë. Mirëpo duhet shtuar se nga kjo shifra 115,  një e treta e kufizon pjesërisht të drejtën për votim nga jashtë.  Shpesh ky kufizim ka të bëj me lidhjen e emigrantëve me vendin e origjinës, kohëzgjatja e qëndrimit të tyre jashtë shtetit dhe synimin e tyre për t’u kthyer. Kështu për shembull Australia nuk të lejon të votosh nëse ke qenë rezident jashtë shtetit më shumë se 6 vjet, Kanadaja  5 vjet,  Zelanda e Re 3 vjet ndërsa Mbretëria e Bashkuar ta heq të drejtën e votës po pate më shumë  se 15 vjet rezidencë jashtë vendit,

Po ashtu ka vende të cilat i mundësojnë diasporës  të zgjedhin përfaqësuesit e tyre në legjislaturën kombëtare duke lënë një grup mandatesh në legjislativ, të rezervuara enkas  si distrikt elektoral më vete ekskluzivisht për diasporën. Kjo praktikë ka për qëllim forcimin e lidhjes së votuesve të jashtëm me komunitetin politik kombëtar, duke mundësuar promovimin e axhendës së tyre legjislative dhe ndërhyrjen direkte nga një këndvështrim i diasporës  në debatet dhe proceset e marrjes së vendimeve politike. Kështu për shembull Kroacia e konsideron diasporën zonë zgjedhore më vete që ka të garantuar 3 deputetë (1.9% i 151 deputetëve) , Italia 8 ( 2 % i 400 deputetëve), Franca 11 ( 1.9% i 577 deputetëve) Portugalia 4 (1.7% të parlamentit) e kështu me radhë.

Po ashtu ka vende vendet dhe territoret që e kufizojnë të drejtën për votim në varësi të aktivitetit për të cilin shtetasit e tyre janë jashtë. Kështu për shembull India, Izraeli dhe Irlanda lejojnë të votojnë prej jashtë shtetit, vetëm shtetasit që kryejnë misione zyrtare jashtë vendit me natyrë diplomatike ose ushtarake, ndërsa përveç funksionarëve shtetërore, vende si Fixhi apo Malajzia i shtojnë listës edhe studentëve, punonjësve të organizatave ndërkombëtare ku vendi i tyre bën pjesë si dhe punonjësve të kompanive të kompanive që janë regjistruar tek ta. Pra dy elemente qe mungojnë në debatin shqiptar janë sa koh është shkëputur prej vendit, dhe nëse emigranti është larguar me qëndrim të përkohshëm jashtë apo ka ikur njëherë e mirë e ska ndër mend të kthehet.

Njëkohësisht, kur flitet për votën nga jashtë, vlen të përmendet se në botë ka katër metoda të ndryshme votimi që përdoren për votimin jashtë vendit, të cilat janë: votimi personal në misionet diplomatike ose në vende të tjera të caktuara; votimi me prokurë;  votimi elektronik dhe votimi me postë sikurse u miratua në Shqipëri. Shumica ose më saktë, 55 shtete i organizojnë votimet në misionet e tyre diplomatike nëpër botë. Në fund të fundit, ambasada është pika kryesore e kontaktit dhe ofrimit të shërbimeve të shtetit përkundrejt emigrantëve jashtë territorit sovran dhe ky opsion garanton mbulimin me juridiksion  nga shteti amë dhe jep disa garanci për rregullsi të procesit të votimit. Nga gjithë këto vende që lejojnë shtetasit e tyre të votojnë nga jashtë, vetëm 27 përdorin votën me postë sepse konsiderohet procesi më i pasigurtë dhe më i rrezikuar nga manipulimet. Pra nuk është aspak rastësi që është zgjedhur pikërisht kjo metodë votimi në një vend ku ende lulëzon masivisht manipulimi.

Për shkak të mitizimit të diasporës  dhe mungesës së guximit intelektual për të përballuar realitetin e hidhur dhe të pakëndshëm, nuk janë vënë asnjëherë në dukje disa argumente që kanë bindur dhjetëra shtete që të kufizojnë ose mos-lejojnë votën nga jashtë të diasporës. Fillimisht duhet thënë se emigrantët, për shkak të largësisë fizike, shpesh nuk janë të informuar me çështjet e rëndësishme dhe urgjente të komuniteteve lokale dhe sfidat ekonomike, sociale, politike, juridike të brendshme.  Pra vihet në dyshim nëse kanë një lidhje të mjaftueshme me realitetin politik, social dhe ekonomik të vendit të tyre të origjinës për të marrë vendime të informuara në procesin e votimit.  Emigrantët mund të jenë të shkëputur nga përditësimet për kandidatët dhe çështjet lokale që janë me rëndësi për votuesit brenda vendit dhe interesat kombëtare, Po ashtu  emigrantët mund të kenë akses të kufizuar në informacionin e plotë dhe të saktë jo vetëm për prioritetet e vendit por edhe për ofertën politike, pra për partitë, kandidatët, politikat dhe zhvillimet lokale, duke çuar kështu në vendime të pa-informuara për votim. Pavarësisht internetit dhe televizionit, shumë emigrantë që janë integruar mirë në vendin pritës prej një kohe të gjatë,  kanë humbur kontaktin e drejtpërdrejtë me realitetin e përditshëm të jetës në Shqipëri dhe nuk sa duhet ata që garojnë për të marrë votën e tyre.

Po ashtu, për hir të së vërtetës duhet thënë se shumë emigrantë vizitojnë Shqipërinë vetëm për periudha të shkurtra ( kryesisht gjatë pushimeve vjetore) dhe vota e tyre mund të ndikohet nga një perceptim i përkohshëm sipërfaqësor i situatës, pa marrë parasysh zhvillimet afatgjata të vendit.  Kjo nënkupton që mund të mos jenë të informuar për zhvillimet e fundit në infrastrukturë, rend, ligj, siguri, ekonomi, apo politika sociale, dhe si rrjedhojë vota e tyre mund të mos pasqyrojë me saktësi interesat e vendit. Thënë ndryshe, ata  mund të mos jenë të përditësuar për zhvillimet e fundit në vend dhe si rrjedhojë, vota e tyre mund të mos reflektojë interesat apo nevojat e popullsisë lokale si dhe interesat e Shqipërisë. Mirëpo mund të jenë përditësuar vetëm me aeroportin, rrugët që të çojnë drejt bregdetit, hotelet dhe restorantet e reja, pra elmente turizmi me të cilat ekspozohen gjatë atyre pak ditë pushimesh që kalojnë në Shqipëri.

Këtu shtrohet një problem tjetër që ka të bëjë me prioritete të ndryshuara për shkak të emigrimit. Jeta në një vend të huaj dhe ekspozimi ndaj një kulture dhe sistemi politik të ndryshëm mund të ndikojë në prioritetet dhe perceptimet e emigrantëve. Kjo do të thotë se vota e tyre mund të jetë e ndikuar nga realitete të jashtme që nuk përputhen me nevojat e brendshme të Shqipërisë.. Prandaj shtrohet pyetja, a do të përfaqësojnë emigrantët me të vërtetë interesat e vendit të tyre të origjinës, apo do të jenë më të fokusuar në interesat e vendit ku jetojnë aktualisht? Emigrantët mund të jenë të përqendruar në çështjet ekonomike të vendit ku jetojnë dhe të mos jenë aq të interesuar në zhvillimet ekonomike të Shqipërisë.. Ata mund të jenë më të interesuar për çështje që lidhen me diasporën, pensionet apo marrëdhëniet bilaterale mes Shqipërisë dhe vendit ku jetojnë se sa të kenë ndonjë interes për debatet mbi politikat e brendshme, investimet në infrastrukturë apo shërbimet publike për qytetarët që jetojnë këtu.

Për më tepër duhet thënë që emigrantët që kanë fituar nënshtetësi tjetër dhe kanë lidhur jetën me vende të tjera prej dekadash,  mund të kenë lidhje më të dobëta emocionale , morale dhe patriotike me Shqipërinë.  Një pjesë e tyre ka vendosur të integrohet plotësisht ne vendin pritës e madje nuk iu mësojnë as shqip fëmijëve  të cilët mund të kenë bërë tashmë shërbimin ushtarak e të jenë betuar  për besnikëri para një flamuri të huaj. Fundja çdo vit rreth një mijë shqiptarë heqin dorë nga shtetësia e Shqipërisë ndërsa në Kosovë numri i heqjes dorë prej shtetësisë ka arritur në mbi 57 mijë. Emigrantët shqiptarë mund të jetojnë  në vende me retorika, debate mediatike apo interesa gjeopolitike specifike në rajonin tonë që nuk janë detyrimisht në harmoni me orientimet, karakteristikat apo interesat e kombit tonë. Kështu për shembull në vende si Italia apo Greqia ku jeton shumica e emigrantëve tanë,  ekziston një traditë e konsoliduar anti-amerikane brenda të majtës historike dhe të djathtës ekstreme, ndërsa euro-barometri tregon tendenca dominuese pro-ruse në opinionin publik. Nga ana tjetër, orientimi drejt aleancës me SHBA-të është e shenjtë dhe jetike për mbijetesën tonë si popull i rrethuar historikisht nga ujqër me pretendime territoriale ndaj nesh.

Gjithashtu, votimi nga jashtë mund të krijojë një fushë të ndjeshme për ndërhyrje të jashtme nga aktorë të ndryshëm shtetërorë e jo-shtetërorë që mund të instrumentalizojnë votat e emigrantëve  për të arritur interesa specifike që mund të shkojnë ndesh me interesat tona kombëtare. Mjafton të kujtojmë vitet 90-ta dhe retorikën e Greqisë zyrtare asokohe për të ndërsyer emigrantët tanë kundër qeverisë në pushtet në Shqipëri, për të kuptuar se vota nga jashtë mund të mundësojë ndërhyrje të  huaj në zgjedhjet e brendshme. Pra procesi mund të bëhet subjekt i presioneve diplomatike ose të tensioneve ndërkombëtare dhe raste të tilla janë të freskëta, si për shembull votimet në Gjeorgji apo Armeni, vende këto që kanë emigracion masiv në Rusi.

Kur flitet për lidhjen me vendin e origjinës,  lind natyrshëm edhe një shqetësim tjetër, që ka të bëjë me mungesën e përgjegjësisë për pasojat që sjell vota e hedhur. Një nga parimet themelore të demokracisë është parimi i përfaqësimit. Një votë përfaqëson interesat dhe qëndrimet e një grupi njerëzish që jetojnë brenda një territori të caktuar, dhe që preken direkt nga vendimet politike dhe ekonomike të qeverisë së zgjedhur. Pjesa më e madhe e emigrantëve nuk kanë përfshirje direkte në jetën publike të Shqipërisë.,  nuk paguajnë taksa, nuk marrin shërbime të drejtpërdrejta nga shteti shqiptar, dhe nuk ndajnë përditshmërinë e sfidave me banorët lokalë. Pra emigrantët që votojnë nuk përballen drejtpërdrejt me efektet e politikave të qeverisjes për të cilën ata votojnë.  Thënë ndryshe emigrantët nuk janë në Shqipëri për të ndjerë pasojat ekonomike, shoqërore apo politike të vendimeve që merr qeveria e zgjedhur. Nga ana tjetër politikat afatgjata mund të ndikohet nga votues që nuk kanë një angazhim të përhershëm me ekonominë dhe realitetet e Shqipërisë.

Kjo krijon një disbalancë të rëndësishme midis qytetarëve që jetojnë brenda vendit dhe atyre jashtë tij, duke minuar parimin e përfaqësimit të vërtetë. Për pasojë, ekziston një rrezik që vota e emigrantëve të ketë një efekt kundërveprues e ta thellojë hendekun e përçarjes ndërmjet banorëve në Shqipëri dhe diasporës sidomos në kushtet kur vota e emigrantëve të përmbysë rezultatin e votës vendase.  Kjo është një gjë veçanërisht e rrezikshme në vende si ky  yni ku përqindja e emigrantëve që janë në lista është pothuaj e barabartë më atë të banorëve në Shqipëri.  Mund të ndodh që votuesit që nuk banojnë në Shqipëri për periudha të gjata , ta  ndryshojnë rezultatin e zgjedhjeve, duke krijuar një disbalancë mes interesave të tyre dhe të popullsisë vendase. Kjo mund të çojë në zgjedhjen e qeverive që nuk reflektojnë nevojat e popullatës rezidente duke krijuar një hendek të madh  midis shqiptarëve që jetojnë jashtë prej një kohe të gjatë dhe atyre që jetojnë në Shqipëri. Kjo mund të çojë në një ndjenjë të ndarjes së interesave dhe prioriteteve mes këtyre dy grupeve, duke krijuar tensione dhe pabarazi përfaqësimi që vë në pikëpyetje legjitimitetin e sistemit tonë demokratik.

Këtu vjen rreziku  i politizimit dhe radikalizimit të diasporës në kurriz të interesave të vendit dhe të qytetarëve që kanë vendosur mos ta braktisin Shqipërinë.  Nëse vota e diasporës lejohet në një shkallë të gjerë, ajo mund të sjellë edhe një fragmentarizim të skenës politike shqiptare. Me pak fjalë ekziston rreziku, që diaspora të bëhet një target për partitë politike, të cilat mund të tentojnë të manipulojnë votën e tyre përmes retorikës dhe premtimeve të veçanta që lidhen vetëm dhe vetëm me interesat e ngushtë të emigrantëve.  Partitë politike mund të fillojnë të krijojnë politika të dedikuara vetëm për diasporën, për të siguruar votat e tyre, ndërsa lënë mënjanë çështjet më të rëndësishme për qytetarët rezidentë. Për  një lider politik të papërgjegjshëm është shumë më e lehtë që të ndezë një retorikë boshe populiste nacionaliste që prek lehtë emocionet e mërgatës; që të investojë në shërbime konsullore më cilësore e efikase në përfaqësitë tona diplomatike në shtetet ku kemi shumë diasporë, apo investojë për nisma të diplomacisë publike, reklama në media e PR në këto shtete pritëse sesa ta bëj Shqipërinë një vend dinjitoz.

Pra për këtë soj qeveritarësh është më e lehtë të investohet që emigrantët të ndihen më mirë e të vlerësuar në vendet ku kanë emigruar sesa të investojnë për ta bërë Shqipërinë një vend dinjitoz të ngjashëm me pjësën tjetër të kontinentint në mënyrë që emigracioni të frenohet ( e mundësish të rikthehet sikurse ka ndodhur pasi u zhvillua Irlanda e Polonia) e ku rinia të zgjedhë të mos largohet por ta shohë si atdheun ku do të ndërtojë të ardhmen e vetë.  Kjo situatë potenciale, mund të çojë në një polarizim të ri të  politikës shqiptar, und të krijojë  një disbalancë në ofertat elektorale për popullsinë brenda vendit dhe të zbehë përqendrimin në prioritetet kombëtare dhe reformat e nevojshme për zhvillimin e vendit.

Ka edhe pikëpyetje të tjera që mund të ngrihen për diskutimin për votimin nga diaspora, por për ta përmbyllur këtë artikull,  duhet të theksojmë se, ndërsa diaspora shqiptare luan një rol të rëndësishëm në historinë dhe zhvillimin e vendit, mundësimi i votës së tyre nga jashtë me postë e pa kufizime paraqet sfida të mëdha për integritetin e votës dhe mbart implikime të thella në politikën shqiptare. Ndërsa mund të argumentohet se është një mënyrë për të inkurajuar pjesëmarrjen e qytetarëve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në procesin demokratik, është gjithashtu e rëndësishme të konsiderohen rreziqet e mundshme që vijnë prej tyre. Personalisht, duke patur parasysh përmasat e diasporës shqiptare,  unë do kisha preferuar një version hibrid të votimit nga jashtë të emigrantëve nëpërmjet ambasadave tona, që kombinon dy praktika ndërkombëtare e që bën një diferencim mes qytetarëve që janë me qëndrim të përkohshëm jashtë vendit dhe diasporës së konsoliduar që nuk ka ndonjë plan të kthehet. Në rastin e parë do përdorja modelin e sipërpërmendur të Kanadase apo Australisë, të kufizimit të votës me vitet e rezidencës jashtë atdheut për shtetasit që zotohen se do të kthehen dhe nuk kanë qendruar si rezidentë permanent më shumë se 6-7 vjet jashtë vendit. Vota e këtyre qytetarëve me qëndrim të përkohshëm jashtë Shqipërisë do të duhej të konsiderohej e barabartë me secilin votues rezident tek ne. Së dyti do të adoptoja modelin e Kroacisë apo Portugalisë e do të shtoja një zonë zgjedhore të 13-të në Shqipëri të dedikuar për diasporën me 3 deputetë , për të cilën do të ftoja të votoja të gjithë pjestarët e diasporës, pavarësisht kohëzgjatjen e qëndrimit të tyre jashtë Shqipërisë.

Ky është opinioni im personal, mirëpo ajo që ka më së shumti rëndësi është nevoja për të zhvilluar një debat publik të hapur, racional dhe të ndershëm për ta adresuar siç duhet këtë çështje nevralgjik. Ky debat duhet të përfshijë të gjitha palët e interesuara, duke përfshirë edhe ekspertë në fushën e së drejtës kushtetuese, shkencave politike dhe sociologjisë. Përveç kësaj, është e rëndësishme të krijohen mekanizma të qarta dhe transparente për votimin nga diaspora, duke siguruar identifikimin e saktë të votuesve, parandalimin e mashtrimeve dhe mbrojtjen e integritetit të procesit zgjedhor. Unë besoj së vetëm nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse dhe të të bazuar mbi kompetencë dhe atdhedashur e jo në përllogaritje banale elektorale, Shqipëria mund të gjejë një zgjidhje që të mbrojë e avancojë demokracinë e saj dhe të forcojë lidhjet me diasporën.

Votimi i emigrantëve në Kosovë: Deri tani janë regjistruar 600 mijë persona

Prishtinë –  Deri më 31 gusht mërgimtarët do të kenë mundësi të regjistrohen si qytetarë jorezidentë në procesin e regjistrimit në Kosovë. Këtë regjistrim, ata mund ta bëjnë përmes platformës e-diaspora.

Drejtori i Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë për RTK-në se të dhënat preliminare tregojnë se janë regjistruar rreth 600 mijë persona që jetojnë në diasporë.

Duke e vlerësuar si proces të rëndësishëm Kastrati i ka bërë thirrej mërgimtarëve  që të regjistrohen, sepse është në interes të tyre dhe Kosovës për të ditur saktë numrin e atyre që jetojnë jashtë vendit.

Kastati ka thënë për RTK se ka disa kërkesa që të shtyhet afati edhe më tutje për regjistrimin e mërgimtarëve me arsyetimin se nuk kanë pasur qasje ne informacion dhe nuk janë të informuar sa duhet.

“Në aspektin teknik kjo nuk sjell problem, sepse dalim me të dhënat që janë. Por për ketë vendoset nga niveli me i lartë, nga qeveria”, ka theksuar Kastrati.

Tri të mirat që mërgata mund t’i bëjë sot Shqipërisë me votën e saj – Nga Bledi Marku

Për herë të parë në historinë e Shqipërisë, parlamenti i dha të drejtën e votës shqiptarëve që jetojnë e punojnë në vende të ndryshme të BE-së dhe jo vetëm, duke i bërë ata kontribuesit kryesorë në zgjedhjen e deputetëve dhe madje edhe qeverinë e ardhshme

Nga viti 2013 deri në 2024 janë larguar rreth 1 milion qytetar dhe shqiptarët mbajnë rekord në Europë me kërkesat për azil njësoj si ato vende që sot janë në luftë.

Por ndryshe nga Siria, Palestina, Ukraina etj, në Shqipëri nuk ka luftë, por të rinjtë tanë ikën për arsye financiare, ku aktualisht janë 77 mijë të rinj nga mosha 20-25 vjeç të papunë, çka e rrit propabilitetin për thellimin e plagës emigruese.

Në vitin 2025, ata që u larguan nga vendi kanë mundësinë që t’i japin një shuplakë të fortë “xhelatit” duke e ndëshkuar, e kësisoj shporrjen nga qeveria dhe hapjen rrugë për hetimin e tij për të gjitha abuzimet e zhdukjen e fondeve publike.

Në vitin 2023, remitancat (paratë që emigrantët u kanë dërguar familjarëve të tyre) u rritën në mënyrë të frikshme. Duke bërë që një djalë apo vajzë që jeton jashtë Shqipërisë të mendojë për mbajtjen e familjes në shtetin që e priti, por edhe ndihmën për nënën e babanë që ka në Shqipëri.

Një pensionist me 180 euro nuk ia del dot që të mbyllë të gjitha shpenzimet mujore, ndaj pret 200 apo 300 euro nga djemtë e vajzat në emigrim.

Mbrëmjen e shenjtë të Kurban Bajramit, kryetari i PD-së Sali Berisha u zotua se qeveria e PD-së do të bëjë dyfishimin e pensioneve dhe vendosjen e minimumit jetik prej 220 eurosh.

Tashmë të bëjmë një llogari të thjeshtë. Nëse dy pensionistë që marrin 180 euro secili, pensioni i përbashkët u shkon 360 euro, këto para nuk mjaftojnë për ilaçe, pagesën e faturave ujë-drita e ushqim.

Por nëse dyfishohet kjo shifër siç do të bëhet realitet me qeverinë e PD-së, vetëm një pensionist do të marrë 360 euro dhe të dy bashke do të marrin 720 euro. Me këtë shifer askush nuk mund të thotë se për dy pensionistë 720 euro nuk mjaftojnë për ushqim dhe pagesën e faturave mujore si edhe blerjen e ilaçeve.

Ndaj, sot, mërgata jonë me një votë mund të bëjë 3 të mira:

1- Largimin e Edi Ramës.

2 – Rritjen e pensioneve për nënën e babanë.

3 – Paratë që postonte në Shqipëri t’i përdorë për fëmijët e tyre.

Ata që u larguan nga vendi si pasojë e keqqeverisjes së Edi Ramës, kanë në dorë armën më të fortë që u është dhënë ndonjëherë, kanë në dorë votën dhe vota sot e “vret” xhelatin e u jep siguri familjarëve që kanë lënë në Shqipëri.

I hapet rruga votës së diasporës- Parlamenti voton ndryshimet zgjedhore PS-PD

Parlamenti i Shqipërisë ka votuar me 106 vota ‘pro’ dhe 2 ‘kundër’, ndryshimet zgjedhore, duke i hapur kështu rrugën votës së diasporës.

Ndryshimet zgjedhore morën votat e nevojshme pasi Partia Socialite dhe Partia Demokratike arritën marrëveshjen për votën e diasporës dhe formulën e listës së kandidatëve për deputetë, ku 1/3 e tyre janë automatikisht fitues, ndërsa pjesa tjetër do të dalë nga vota parapëlqyese.

Përveç formulës së re për mënyrën sesi do të konfigurohet parlamenti i 2025-ës, ndryshimet në kodin zgjedhor përfshijnë edhe votën e diasporës, për të cilën politika ishte e gjitha dakord.

PS-PD arritën të formulojnë një draft të përbashkët edhe për formulën që përcakton hyrjen e deputetëve në parlament.

Formula parashikon një hapje të pjesshme të listës së kandidatëve për deputetët.

Sa i takon votës së diasporës, do të votojnë të gjithë ata shqiptarë që janë jashtë vendit dhe që do duan të ushtojnë të drejtën e votes, që po u mundësohet për herë të parë.

Sa nga 1.7 milionë zgjedhësit jashtë Shqipërisë duan të votojnë? Nga Eduard Zaloshnja

Është e pamundur të dihet me saktësi se sa nga zgjedhësit që banojnë jashtë vendit duan të votojnë për parlamentin tonë të ardhshëm. Por dihet se mundësia për të votuar atje ku banojnë po u krijohet pas ndryshimit të kodit zgjedhor (nën presionin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese rreth votës së emigrantëve).
Vjet në listën e zgjedhësve ishin 3.65 milionë shtetas shqiptarë në moshë për votim, nga të cilët 1.95 milionë banonin këtu dhe 1.7 milionë banonin jashtë vendit. Nga këta 1.7 milionë zgjedhës jashtë vendit, rreth 300 mijë nuk kanë lindur këtu dhe si zor të jenë të interesuar për të votuar me postë nga jashtë për parlamentin e këtushëm.

Pikëpyetja është për 1.4 milionë zgjedhësit që kanë lindur këtu dhe që banojnë jashtë Shqipërisë. Zgjedhësit që duan të votojnë janë në përgjithësi të interesuar të ndjekin zhvillimet në vend. Dhe interneti e ka krijuar këtë mundësi edhe për zgjedhësit që banojnë jashtë Shqipërisë – ata mund të lexojnë/shikojnë si ne këtu çdo lajm përmes portaleve dhe faqeve të internetit të TV-ve kryesore shqiptare.

Nga një analizë që ndihmësi im IT u bëri të gjitha portaleve dhe faqeve të internetit të këtushme, rezultoi se pothuaj 70% e klikimeve në to kishin ardhur nga adresa IP brenda vendit. Dhe duke shfrytëzuar këtë të dhënë dhe faktin se vjet morën pjesë në zgjedhje vetëm 1.4 milionë zgjedhës të këtushëm, mund të ekstrapolohet me afërsi se rreth 600 mijë zgjedhës jashtë vendit mund të jenë të interesuar për të votuar vitin e ardhshëm.

Se sa nga ata 600 mijë do të votojnë realisht do të varet nga intensiteti i dëshirës së tyre dhe nga lehtësia/vështirësia e procesit të votimit me postë. Një proces që do të provohet për herë të parë nga shteti shqiptar… bw

Lea Ypi zgjidhet anëtarja e parë shqiptare në Akademinë Britanike

Lea Ypi është bërë anëtarja e parë shqiptare në Akademinë Britanike.

Përmes një postimi në Instagram, Ypi është shprehur se është shumë e lumtur dhe e nderuar që është zgjedhur anëtare e Akademisë.

“E lumtur dhe e nderuar që jam zgjedhur anëtare e Akademisë Britanike, shkruan Ypi.

Këtë vit Akademia Britanike ka mirëpritur 86 anëtarë të rinj ku ndër ta, dallohet edhe shkrimtarja shqiptare Lea Ypi.

Presidentja e Akademisë Britanike Julia Black ka vlerësuar lart autoren shqiptare, duke i uruar mirëseardhjen në hapësirën më të lartë të kulturës britanike. bw

Qeveria e Kosovës lanson projekt për investime nga mërgata

Qeveria e Kosovës, në bashkëpunim me Fondin Kosovar për Garanci Kreditore dhe Agjencinë e SHBA-së për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), lansoi projektin “Dritarja për Investime të Diasporës”, i cili synon të sjellë investime të mërgatës në Kosovë.

“Po krijojmë mundësi që ta shndërrojmë mërgatën nga investitor pasiv në investitor aktiv”, tha kryeministri Albin Kurti gjatë lansimit të projektit, të martën në Prishtinë.

Përmes këtij projekti, tha ai, mërgata do ta ketë më të lehtë aplikimin për kredi për investime në Kosovë.

“Do të mundësohet garantimi i kredive investuese deri në 3 milionë euro, ndërsa e tërë dritarja parashihet të arrijë deri në 100 milionë euro. Mërgata jonë do t’i sjellë aftësitë, mundësitë dhe kulturën e punës nga vendet ku jeton aktualisht”, tha Kurti.

Derisa nuk u dhanë shumë detaje se kur do të nisë projekti dhe për sa kohë do të jetë i hapur, ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se “ideja ka qenë që të krijohet një dritare e re, përmes së cilës Fondi për Garanci Kreditore, i mbështetur me kapital shtesë nga Qeveria e Kosovës, do të mundësojë garantimin e kredive”.

Në lansimin e projektit ishte i pranishëm edhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeffrey Hovenier, i cili tha se ai do t’i sjellë në vend praktikat më të mira nga diaspora.

“Qeveria amerikane është krenare që ka ndihmuar në themelimin e këtij programi të ri, përmes mbështetjes financiare dhe teknike të USAID-it, sepse ne e kuptojmë mundësinë e rrallë që bizneset nga diaspora paraqesin. Kur diaspora kthehet në vend, ajo sjell më të mirën në Kosovë”, tha Hovenier.

Numri i saktë i qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit nuk dihet ende, por pritet të qartësohet në fund të vitit, kur të publikohen të dhënat përfundimtare të regjistrimit të popullsisë, që u bë në pranverë.

Përndryshe, diaspora e Kosovës luan rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit përmes dërgimit të remitencave, investimeve në patundshmëri dhe shpenzimeve që bën gjatë pushimeve në Kosovë.

Në vitin 2023, remitancat apo dërgesat financiare të mërgimtarëve në Kosovë kaluan shifrën prej 1.3 miliard eurosh, ndërsa në vitin 2022, vlera e remitencave ishte 1.22 miliard euro. REL

Votimi i emigrantëve- Kume: Të përdoret një postë ndërkombëtare dhe jo shqiptare

I ftuar në Syri TV me moderator Edvin Parruca, z.Kristaq Kume, ish-kryetar i KQZ, pyetur për mendimin e tij mbi  zgjedhjet e 2025, u shpreh mbi skenarin e mundshëm sesi qytëtarët e diasporës mund të votojnë në 2025 nëse gjehet një konsensus mes opozitës dhe mazhorancës ai u shpreh kështu:

‘Problemit të mënyrës së votimit të emigrantëve i jepet zgjidhje nëpërmjet mënyrës me postë, gjë që jo se nuk është pranuar në parim nga opozita, por opozita ka goxha kufizime lidhur me operatorin, pra kush do të jetë ai i cili do ta realizojë këtë lloj shërbimi dhe nese do të përdoret shërbimi i votimit nëpërmjet postës atehere duhet të përdoret një shërbim nga një postë ndërkombëtare dhe jo nga një postë shqiptare. Ashtu sikurse në këtë rast votimi do të ketrë një kosto të caktuar financiare, në amendim propozohet që kostoja të mbahet nga shteti dhe nga shtetari që do të dërgojë fletën e votimit deri këtu.’- shprehet Kume.

Z.Kume u shpreh se ai po shpreson ‘që të gjendet dakordësia në kuvendin e Shqiperisë per t’u miratuar edhe kjo mënyrë votimi dhe për tu zbatuar si e tillë në zgjedhjet e 2025.’

‘Do të jetë një progres i mirë përpara për ne si vend.’- thotë Kume.

29 vjet Bota Sot: legjenda e shtypit shqiptar që sfidoi okupatorin dhe riktheu identitetin kombëtar- Nga Xhevdet Mazrekaj

Themelimi
Sot shënohet 29 vjetori i gazetës “Bota sot”, e themeluar në Zyrih të Zvicrës nga unë, Xhevdet Mazrekaj. Kjo gazetë nisi si një përpjekje për të ofruar një zë të lirë dhe të pavarur për shqiptarët, në një kohë kur liria e shtypit ishte shumë e kufizuar. Gazeta synonte të sillte një frymë të re në media, duke ofruar një alternativë në një periudhë kritike për shqiptarët.
Sfidat e hershme dhe përpjekjet për liri
Fillimi i gazetës nuk ishte i lehtë. Shumë më pyesnin me habi: “Si mund të ekzistojë një gazetë e pavarur në një kohë kur mediat ishin nën kontrollin e shtetit?” Pavarësisht skepticizmit, unë kisha besim të plotë në nevojën për një media që mund të fliste lirisht, pa frikën nga censura. Kjo ishte ideja që më shtyu të ndërmarr këtë hap të guximshëm.
Rritja dhe ndikimi
Gazeta “Bota sot” shpejt fitoi zemrat dhe mendjet e shqiptarëve, jo vetëm në diasporë, por edhe në mbarë botën shqiptare. Ne arritëm një tirazh të madh, shenjë e pranimit të gjerë dhe të një kërkesë të madhe për një zë të lirë. Gazeta nuk ishte vetëm një dritare informimi, por u bë një platformë ku shqiptarët mund të ndanin lirisht festat kombëtare, të cilat ishin të ndaluara ose të censuruara nga mediat e atëhershme.
Elita e gazetarisë dhe kontributi i tyre
Në një kohë relativisht të shkurtër, arrita të mbledh talentin më të spikatur gazetaresk dhe redaktorial nga të gjitha trojet shqiptare. Emra si Teki Dervishi, Enver Maloku, Milazim Krasniqi, Melazim Koci, Skënder Buçpapaj dhe bashkëshortja e tij Elida Buçpapaj, Abdi Baleta, Emin Azemi dhe Mero Baze ishin vetëm disa prej pionierëve që kontribuan në krijimin dhe zhvillimin e “Bota Sot”. Në mënyrë të veçantë, thuajse të gjithë shkrimtarët e dalluar shqiptarë kishin shkrime autorjale në gazetën tonë, duke përfshirë edhe Ismail Kadarenë me famë botërore, i cili kishte një kolumnë javore në “Bota Sot”. Ky bashkëpunim solli një larmi dhe thellësi të jashtëzakonshme në përmbajtjen e gazetës, duke e bërë atë një platformë ku zërat më të ndryshëm dhe të fuqishëm shqiptarë mund të dëgjoheshin.
Njohje dhe ndikim në jetën e përditshme
Edhe para se të themeloja “Bota Sot”, isha i njohur në komunitet për shkak të një biznesi të suksesshëm, por pas botimit të gazetës, ndikimi im u zgjerua ndjeshëm. Një ditë, duke qeshur, një shok im më tregonte se si gazeta ime kishte ndikuar në rutinën e tij të mëngjesit: “Që kur ‘Bota Sot’ u bë e famshme, duhej të zgjohej herët në mëngjes për të blerë gazetën, sepse s’mund të shkonte në shtëpi pa ia çuar gazetën babait. Kur e pyeste pse, ai përgjigjej se e pëlqente shumë, sepse ‘Bota Sot’ po e thotë të vërtetën.” Dëgjimi i këtyre përgjigjeve nga lexuesit më bënte krenar për besimin dhe vlerësimin që kishin për gazetën, duke më shtyrë të vazhdoj me përkushtimin për të ofruar lajme të paanshme dhe të saktë.
Thyerja e mitit të okupatorit serb
Më krenar ndihem për rolin tonë në thyerjen e mitit të okupatorit serb. Ne treguam se ata ishin të pafuqishëm përballë vendosmërisë dhe kurajos së shqiptarëve. “Bota sot” nuk u kufizua vetëm te lajmet e përditshme, por u angazhua në luftën për të kthyer dhe ruajtur identitetin kombëtar të shqiptarëve. Kjo u bë nëpërmjet një gazetarie të guximshme që nuk pranonte kompromis për të vërtetën.
Përhapja dhe prania gjithëkombëtare
Është thelbësore të theksohet se “Bota Sot” ishte gazeta e parë ditore e pavarur shqiptare, e cila gjatë kohës së Millosheviçit nuk ishte e lejuar të botohej në Kosovë. Gazeta nisi shtypin në Kosovë vetëm pas hyrjes së NATO-s. Në fillim, që nga viti 1995, gazeta ishte e disponueshme në shtetet e Evropës Perëndimore dhe në SHBA. Megjithatë, gjatë kohës së okupimit, “Bota Sot” arriti të lexohej në Kosovë përmes faximileve që lexuesit nga diaspora i dërgonin në vendlindje. Kjo tregon për përkushtimin e thellë të gazetës për të mbajtur të informuar dhe të lidhur komunitetin shqiptar, pavarësisht kufizimeve dhe sfidave politike.
Momentet kulmore
Ndër arritjet tona të shumta, një moment që veçanërisht më kujtohet është kur “Bota sot” i drejtoi Një pyetje thelbësore për NATO-n gjatë një konference për shtyp në Bruksel, pyetur nëse do të bombardonte televizionin serb në Beograd, i cili propagandonte kundër NATO-s. Kjo pyetje ndikoi që NATO të ndërhynte dhe të bombardonte televizionin serb. Kjo tregon se “Bota sot” nuk ishte thjesht një dëshmitar pasiv, por një lojtar aktiv në skenën ndërkombëtare.
Përmbledhje dhe falënderime
Në rrugëtimin tonë si një ndër gazetat më të rëndësishme shqiptare, “Bota sot” ka mirëpritur në redaksinë e saj shumë personalitete të larta nga fusha e politikës dhe kulturës, duke përfshirë figura të tilla si Presidenti historik Ibrahim Rugova, Mbreti Leka Zogu I, ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Hillary Clinton, ish-kryeministri Sali Berisha, dhe shumë të tjerë. Vizitat e tyre dëshmojnë për rolin jetik që “Bota sot” ka luajtur në formimin e opinionit dhe të diskursit publik në rajon.
Në përvjetorin e 29-të, është kënaqësi të shoh se si “Bota sot” ka lënë një gjurmë të thellë në historinë e medias shqiptare dhe ka qenë dhe do të vazhdojë të jetë një bastion i lirisë së fjalës dhe të pavarësisë mediatike. Si themelues, jam krenar për këtë trashëgimi dhe falënderoj lexuesit tanë për besimin dhe mbështetjen e tyre të vazhdueshme.
PS: “Bota sot” do të mbetet e shënuar në histori si gazeta ditore më e madhe shqiptare e të gjitha kohërave në edicionin e shtypur, një testament i përkushtimit tonë për të informuar dhe lidhur shqiptarët anembanë botës, pavarësisht sfidave dhe ndryshimeve në kohë.

Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë

VOA/Pëllumb Sulo

Interesimi për ecurinë e gjuhës dhe kulturës shqipe në diasporë bashkoi në mjediset e Universitetit të Shkodrës studiues, përfaqësues të institucioneve mësimore dhe kulturore si dhe një grup mësuesish të gjuhës shqipe që punojnë vullnetarisht në diasporë.

Drejtuesja e Qendrës së Botimeve për Diasporën, Mimoza Hysa, tha për Zërin e Amerikës se veçanërisht fëmijët shqiptarë që jetojnë në diasporë kërkojnë një vëmendje të veçantë për trashëgiminë e gjuhës dhe kulturës shqiptare, çka është edhe një sfidë mbarëkombëtare, pasi pjesa më e madhe e shqiptarëve aktualisht jetojnë jashtë kufijve të sotëm shtetëror.

“Ne kemi 5 përqind të fëmijëve që mund të vazhdojnë shkollat shqipe. Pra, nga 400 mijë fëmijë të mundshëm, që janë tashmë në emigracion, janë vetëm 30 mijë që ndjekin shkollat shqipe. Pra numri është i vogël. Ka ardhur duke u rritur nga interesimi i dy shteteve, por sfida është e madhe. Nuk është vetëm e institucioneve. Është e prindërve, mësuesve, është e komunitetit shqiptar”, thotë ajo.

Qendra e Botimeve për Diasporën është ngritur 5 vite më parë dhe ajo boton dhe shpërndan tekste shkollore në gjuhën shqipe në 23 shtete të botës, sipas një programi të përbashkët mes Qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës.

Zonja Hysa vlerësoi tekstin e përbashkët të gjuhës dhe kulturës shqiptare, por edhe një numër tekstesh që mund të shkarkohen përmes platformave dixhitale. Tashmë, shtoi ajo, ekziston edhe një regjistër me të dhënat e shkollave dhe kurseve në gjuhën shqipe në diasporë.

“Kemi tani 400 kurse, mund të themi, dhe shkolla, sepse disa vende mësimi është i integruar në shkolla si në Suedi, Norvegji, Finlandë, Austri, Kroaci. Dhe, në vende të tjera zhvillohet në mënyrë vullnetare si në Itali dhe Greqi, ose me kurse të natyrës më private si në Amerikë, Kanada. Pra ka forma të ndryshme organizimi dhe kemi mbi 700 mësues të gjuhës dhe kulturës shqiptare të regjistruar në databazën e qendrës tone”

Në takimin “Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë” mori pjesë edhe Adriana Bejko Fishta, drejtuese e shkollës “Foleja e shqiponjave” në Kanada.

70-vjeçarja Fishta është Sekretare e Pёrgjithshme e Kёshillit Koordinues tё Diasporёs e shpallur si Ambasadore e Kombit. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë, ajo kritikoi si qeverinë e Shqipërisë, ashtu edhe atë të Kosovës për mungesën e mbështetjes financiare për mësuesit e gjuhës shqipe në diasporë.

“Ti them gjërat troç. Të dy ministritë e arsimit, si e Kosovës si e Shqipërisë, i kanë lënë në baltë, i kanë gënjyer, të gjithë mësuesit dhe prindërit e diasporës. Firmosën që mësuesve të diasporës do t’u jepet rrogë, do të krijohet një buxhet i përbashkët Kosovë-Shqipëri. Po nuk është vënë asnjë lekë kund. Unë kam 17 vjet, bashkë me mikeshat e mia, që ne punojmë vullnetarisht”, thotë ajo.

Në takimin “Gjuha dhe kultura shqiptare në diasporë” sollën përvojat e tyre edhe mësuese të gjuhës shqipe në Greqi, Suedi dhe Amerikë, të cilat theksuan mes të tjerash se duhet një program më i mirëmenduar, mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të berë të mundur që të ketë përqendrim të shkollave në gjuhën shqipe edhe aty ku ende nuk janë hapur.


Send this to a friend