“Unë shumë gjëra në botë nuk i di,
Po unë kurrë nuk shkruaj për gjëra që s’i di”
LEON FELIPE( poet spanjoll)
Ky”Pushti” ka patur dhe emër dhe mbiemër,por,meqë nga kjo jetë është ndarë ka gati 50-vjet, për”hyneren” që ka bërë,kur ka qenë në detyrë,po i vë këtë ndajshtim si një damkë që, kur ishte gjallë,e kish si të shkruar mbi ballin e tij të neveritshëm. Qe i madhi i rinisë në rrethin tonë(një nga rrethet më të mëdha të vendit) dhe qe fare i paskrupull:një pusht e shkuar pushtit. E kishte këtë detyrë jo për meritë të tij, po më tepër i farefisit që kish kontribuar në luftë kundër pushtuesëve. Qe i “madhi” i rinisë aty nga gjysma e dytë e viteve ’50-të të shekullit të kaluar. Ende kishim miqësi me Bashkimin Sovjetik dhe ky,duke shfrytëzuar postin, dilte fshatrave dhe mblidhte(kryesisht të rinjtë e të rejat) dhe zgjidhte dy apo tre kandidatë të mundshëm për t’I dërguar në Shkollën e Komsomolit në B.S. Natyrshëm, së pari, kandidatët do”testoheshin” në zyrën e Pushtit. Kjo shkollë,me sa më kujtohet,qe a 6-muaj,a një vit. Me një të sapokthyer nga “kjo lloj shkolle”,ai erdhi në fshatin ku jepja mësim dhe,pasi mori pjesë në një mbledhje me të rinj e të reja, si”përfaqësues i madh i rrethit”,me gjithë”komsomalesen” e tij,u ftua të asistonte në një mbrëmje dëfrimi të rinisë së fshatit.
*
Fshati qe bërë kooeparativë dhe mos kujtoni se qe një fshat dhe aq. Qenë bashkë 6-fshtatra në kooperativë dhe mbrëmja e dëfrimit u bë tek lëmi. SE vetëm aty vendi qe shtruar me cimento.Organizatorët kishin vendosur stola për pjesëmarrësit. Në krye,sekretari i rinisë së fshatit dhe dy karrike për të ftuarit: një karrike për këtë,PUSHTIN dhe tjetra për”komsomalesen” që nuk qe as më pak dhe as më shumë po”konkubika” e tij. Sa bëri prezantimin sekretari dhe u ngrit”PUSHTI” që me entusiazëm fliste për përparimet që kish bërë fshati nën udhëheqjen e partisë dhe sidomos për rininë. Se kush e merrte në mend që për as 15-vjet çlirim të ketë këto arritje. Ja,- tha entuziast,-kjo si ju nga fshati(tregoi për “komsomolen),tani është kuadër partie. Duartrokitjen ia rrit adrenalinë folësit dhe,pastaj,lëshoi urimin:-Të festojmë të gëzuar.
Ende nuk ishte elktrifikuar fshati,por me fenera (varur rreth e qark) tek lëmi ish bërë goxha dritë. Çiftet kërceni pas muzikës dhe,padyshim,Pushti me”komsomolen” e tij. Pas dy a tri kërcimesh,drejtuesi pohoi:- Tani do kërcejnë vetëm çiftet që janë fejuar brenda fshatit. U ngritën nja katër-pesë çifte të fejuarësh dhe befas,një kolegia ime,më thotë:- A çohemi të kërcejmë?
-Dëgjo,- i thashë,- po u çuamë.nuk do ulemi. As mos e shko në mend,-tha ajo,e vendosur. U çova me të dhe PUSHTIT i shkuan jargët nga goja,kur pa kolegen time. Duket pyeti dhe kur drejtuesi i tregoi se unë isha mësues jabanxhi në fshat dhe nuk isha i fejuar. Kaq i mjaftoi Pushtit dhe urdhëroi:- Të ulen,menjëherë! Erdhi dhe,si pak mbyturasi, më tha:-Urdhëroi ai,që të uleni! I thuaj atij,- i them unë,- që jemi të fejuar dhe,sapo e shpallëm:me këtë kërcim!!! Duket vajti i tha dhe PUSHTIT mend i ra pika. Pyeti mbarë e prap për mua dhe,kur mbaroi vallëzimi i “tëfejuarëve”,PUSHTI erdhi drejt e tek unë dhe,ngaqë nuk e mbante dot inatin, u zbraz:- Ti je turk nga Petova( e kish fjalënpër mysliman se pjesëmarrësit ishin të gjithë ortodoksë) dhe PETOVA është fshati im i lindjes në rrethin e Fierit.
Dhe vjen u prish mbrëmjen këtyre të rinjëve që partia i ka bërë me krahë.
Unë nuk jam turk,por shqiptar dhe partnerja ime është e fejuara ime,-ia ktheva me inat. U kthye,i revoltuar tek karrikja e tij dhe nga koka sikur po i dilte tym.
Kur mbaroi mbrëmja,çiftin e ardhur nga rrethi,e mori për darkë LEKA.
*
LEKA qe i vetmi në fshat që kishte një nivel jetese pak më të mirë se bashkëfshatarët. Kur them kështu,mos u çudisni:i vetmi që kish krevat me sustë dhe,ndaj për të nderuar të ardhurit,i mori për darkë. Çdo lexoni,pas kësaj fjalie,janë fjalët e LEKËS.
U nxora raki e meze dhe.ndërsa pinim, miku(lexo:Pushti) zuri më lavdëronte:-Bravo shoku LEKË,e paske selitur mirë jetën në familje dhe,tek hidhte kupat një nga një,thashë se do t’i merrte koka zjarr. Aty nga mbarimi i darkës,sytë “miku” nga krevati dhe,siç duket,priste të “hidhte valle” me komsomolasen e tij.Por si duket,i kish bërë hesapet pa pyetur hanxhinë. LEKËS nuk ia hante qeni shkopin dhe t’i këndonte teskeretë nga xhepi.
-Epo tani,shoku Lekë,- tha PUSHTI,- edhe do flemë,se nesër në mëngjes duhet të jem në komitet të partisë.
-Moj ti,- i thirri të shoqes LEKA. Merre këtë Cucën e mblidhu andej nga dhoma.Qy po ka krevatin dhe mua më shtro shesh,se nu e lë mikun vetëm una!!!
Mikut(PUSHTIT) sa nuk i ra pika.
Shoku Lekë,-tha,- ne jemi komunistë(e kish fjalën për partneren) dhe nuk ka nevojë të na ndashë.
Aha,- tha LEKA,- jam vet zot shtëpie dhe gratë me gratë e burrat me burra. Tërë natës,PUSHTI,mend hante jorganin.
I hasi sharra në gozhdë. Në mëngjes u largua hundë e turi!
Tiranë.9 tetor 2024
Nga fillimi i verës në fshatin tonë ia behu një djalë nga qyteti me emrin Mondi. Nuk ishte edhe aq simpatik, por kishte trup atleti dhe vishej bukur, me rroba të reja e me stampa të huaja. Dukej shumë i shkathët dhe nuk kishte ndroje si djemtë e fshatit. Vajzat e shikonin me admirim. Djemtë të gjithë donin të shoqëroheshin me të. Kur mësuan se ishte vëllai i Verës, njerëzit filluan të silleshin sikur e njihnin prej kohësh. Emrin ende s’ia kishin mësuar, disa e quanin “Djali nga qyteti”, të tjerë “Vëllai i Verës”.
Vera kishte tri gjëra: ishte e bukur; ishte gruaja e një burri plot autoritet, që ia jepte uniforma e ushtarakut, dinte t’u bënte lajka dhe t’ua përkëdhelte sedrën fshatarëve. Edhe ata ia shpërblenin me fruta e perime nga kopshtet dhe qumësht nga lopët e tyre. Duke qënë punonjëse në kafenenë e fshatit, qëkur burri i saj kishte ardhur me shërbim në batalionin e këmbësorisë, ajo e privatizoi lokalin dhe ia pa hajrin. Gjithë burrat dhe djemtë nxitonin të pinin një kafe tek lokali i Verës. Duke qënë vëllai i Verës, edhe Mondi u bë djali i llastuar i fshatit.
Për habinë e të rinjve Mondi më fort u lidh me Beson. Shkonte e rrinte te puna me të, pinin kafe te lokali i Verës, shëtisnin bashkë rrugëve të fshatit dhe shpesh kalonin orë të tëra në shtëpinë e Besos. Ndodhte që rastësisht të gjëndej atje edhe Neta, në shoqëri me motrën e Besos, dy vjet më e vogël se i vëllai. Mondi i hidhte shpesh vështrime mikluese Netës, ndonëse motra e Besos ishte më e bukur. Kjo ia ngrohte gjakun dhe, kur Mondi ia kapte vështrimin tinzar, Neta bënte një gjest prej kali, sikur hidhte baluket lart…
Neta ishte gjitonia e Besos. Ata ishin rritur bashkë si dy binjakë. Kishin lindur në një ditë, kishin qënë në të njëjtën çerdhe, në të njëjtin kopsht e në të njëjtën shkollë. Bashkë kishin qarë, bashkë kishin qeshur, bashkë kishin lozur, bashkë ishin grindur, bashkë kishin kënduar e bashkë kishin mësuar. Edhe lule-shegën ia kishin parë njëri-tjetrit. Të dy skuqeshin kur kujtonin se në fëmininë e hershme kishin lozur lodrën e babit me mamin. Afërsia e përhershme kishte bërë të mos e dallonin rritjen te njëri-tjetri. Fëmijëria e tyre ishte dëborë e pastër në burimin e një lumi nga më të fëlliqurit…
Edhe shtëpitë e tyre ngjanin si binjake. E njëjta arkitekturë, të njëjtat përmasa, në të njëjtën kohë kishin filluar, nga e njëjta dorë ishin ndërtuar. I ndante një murë i vjetër prej betoni i grënë dhe e murrëtyer nga koha. Ai murë i hollë, i rrënuar ishte i padepërtueshëm për dy familjet gjitone, sikur ndante dy botë. Prindërit e Netës e të Besos, punëtorë të thjeshtë, përshëndeteshin te porta, shkëmbenin thjeshtë ndonjë fjalë për kohën apo shëndetin dhe me gjysëm zëri mund të uronin për festën e Vitit të Ri. Në oborrin e njëri-tjetrit hynin 10 deri në 30 minuta vetëm në raste vdekjeje. Familja e Netës ishte biografinxirë, kurse familja e Besos ishte kristal…
Pasi filloi demokracia Besua i thoshte Netës: “Ra Muri i Berlinit… Mbaroi lufta e ftohtë… Uufff!…të marrim pak frymë lirisht!… Uaa, sa ajër i pastër!” Ndërsa Neta vetëm buzëqeshte…
Ditët kalonin e Mondi nuk largohej nga fshati. Shtroi gunën, siç thuhet në këto anë. Ndërkohë edhe Vera kishte filluar të bënte më tepër shëtitje rrugëve të fshatit. Shpesh linte vajzën në lokal nën kujdesin e oficerit të liruar nga shërbimi ushtarak. Shkonte më shpesh për të pshonisur te dyqani i babait të Netës. Edhe Neta takohej pa të keq me Mondin e fliste lirshëm, falë shoqërisë së Besos.
Një ditë prej ditësh Mondi iu hap Besos:
-Unë, Beso, dua të fejohem me Netën. Ti e ke gjitone, shoqe të ngushtë, gati si motër. Prandaj dua të jemë i sinqertë me ty dhe ti i hapur me mua…
Besua e humbi fare. Nuk e priste. Në trurin e tij të plogët nuk e gjente dot rrugën për të vazhduar bisedën. Diçka e brendshme nuk e linte gjuhën t’i shprehte fjalët miratuese shokut rishtar dhe u largua pa i thënë as “Natën e mire!”. Mondi vuri buzën në gas…
Beson dhe Netën, sido që ishin në dy anët përballë lumit të fëlliqur, vetëm shkolla e mesme i kishte ndarë. Neta ndoqi bujqësoren në fshatin e saj, Besua një shkollë profesionale në Fier. Nga ndarja vuajtën të dy, por me dhimbje të ndryshme. Neta humbi mburojën e saj. Sepse, në shkollën tetëvjeçare, sa herë ia mërziste ndonjë vajzë, Besua i turrej: “Ik ti, moj shushkë!”. Kur e bezdiste ndonjë djalë, Besua i thyente turinjtë. Nryshe ishte Besua. Ai kishte mallë për Netën. Ndjente një boshllëk në kraharor, që nuk mund ta mbushte asnjë shok apo shoqe e re…
Nga fundi i viteve ’90 Besua ua vari mësimeve. E la fare shkollën dhe, sa u hap kufiri, provoi të kalonte me një grup shokësh në Greqi, por shpejt u kthye në shtëpi. Në fshat filloi të ushtronte zanatin, për të cilin kishte mësuar dhe e kishte ushtruar pak në shtetin fqinj. Bënte kangjela hekuri e porta te thjeshta llamarine. Neta e mbaroi bujqësoren dosido dhe i ndihmonte të atit, i cili kishte hapur një dyqan të përzier, me ndihmën e ca dollarëve, që ia kishte dërguar nga Amerika vëllai i arratisur.
Nuk kaluan shumë ditë dhe plasi “bomba”. Neta ishte fejuar me Mondin. Kishin ndërruar unazat. Miqësia e familjes së oficerit të liruar me familjen e shitësit të ri e kishte parathënë atë krushqi. Verës dukej se i kishin dalë flatra. Kjo kishte çuditur pak vajzat e bukura të fshatit. Shpesh Vera hapte me to temën e bukurisë, pasi e mbante veten miss. Dhe, kur s’ishte e pranishme Neta, e quante me cinizëm “thithëlopë”. Në të vërtetë Neta ishte pak e shkurtër dhe tej normës e shëndoshë për moshën. Por shoqeve u vinte keq, pasi ajo ishte shumë e sinqertë dhe zemërpastër. Po ashtu oficeri i dalë në lirim dhe babai i Netës pinin së bashku çdo ditë kafen e mëngjesit në lokalin e Verës, gjë që nuk e kishin bërë asnjë herë më parë. Pra paqja ishte ngritur mbi harrimin. Mondi 27-vjeçar, “shend e verë”, ksehaste tërë fshatin me “çapkënllëqet” e tij. Kurse Neta, me dlirësinë e saj, nuk e përmbante dot entusiazmin. Bile ishte bërë llafazane me shoqet e saj, të cilat e shikonin me zili. Edhe kur shërbente në dyqan dukej më e shkathët, sendet i prekte me dashuri, sikur i ledhatonte. Duart e Netës nuk punonin më, ato vallzonin e këndonin. Ndonjëherë në sytë e saj ëndërrues, dukej hapur një farë paniku: I dukej se në dorë i kishte ardhur një zog i truar dhe ajo kishte frikë se e trembte dhe, mos o Perëndi, ai fluturonte papritur.
Neta të gjithë e respektonin për komunikimin dhe mirësjelljen e ëmbël të saj, por askush nuk ndiente gjë për të. Vetëm Besos i ngjante si e bukura e dheut. Besoja ishte një djalë i gjatë, kockëtrashë dhe babaxhan. Kur filloi të merrej me hekura, vuri muskuj dhe krahët iu forcuan sa asnjë djalë i fshatit nuk guxonte të bënte më kthim dore me të. “Ta dinte ujku sa të trashë e ka qafën”, thonin burrat në fshat, kur atë e ngacmonin djemtë e tjerë. Po Besua nuk e shpërdoronte forcën edhe kur ndonjë trimosh ia bënte borxh. Ai bëhej agresiv vetëm kur dikush ngacmonte Netën. Për punëtor, s’i dilte kush në krah. Fshati ringrihej dhe punë kishte boll. Punishtes i vinte kyçin vetëm kur shkonte në dyqanin e babait të Netës. Njerëzit s’kishin shumë para dhe klientët në dyqan ishin të pakët, prandaj babai shpesh linte vajzën. Neta mërzitej vetëm midis atyre sendeve të ftohta pa zë dhe gëzohej kur shihte Beson te dera, i cili blente gjëra jo të domosdoshme, thjesht të rrinte pak me të. Dyqani i Netës ishte përherë një ishull paqeje dhe dashurie për Beson. Por, pas fejesës me Mondin, ai u shmangej takimeve me të. Shumë rrallë shkonte në dyqan, sa për të mos rënë në sy. Ndërsa për Netën, në marrëdhëniet me Beson, nuk kishte ndryshuar asgjë. Trishtimin, mbylljen në vetvete dhe tretjen e Besos e vërenin të gjithë, veç Netës. Vuajtja e Besos ishte e pastër. Asnjë lloj pendimi nuk mund ta ndryshonte. Siç thuhet, brengat e gëzimet lindin nga kënaqësitë më të pafajshme!
Dita e dasmës, me këmbënguljen e Verës, u caktua shumë afër. Ftesat kishin mbritur deri në Amerikë dhe xhaxhai i Netës erdhi duarplotë një javë para dasmës. Midis të tjerave solli edhe një makinë për vëllain e vet, babanë e Netës. Mondi dinte ta drejtonte Xhipin dhe kjo qe mrekullia më e madhe që ai shpalosi para banorëve të fshatit.
Xhaxhai i Netës kishte shumë mallë për vëndlindjen. Dukej hapur se ishte më i përmallur për vendet se për njerëzit. Mondi e çonte kudo me entusiazëm. “Eshtë me fat Neta jonë. Një djalë si Mondi, s’e kishim parë as në ëndërr”, i pëshpëriste mamaja e Netës të shoqit sa herë shihte Mondin në timon.
Dasma u bë e madhe. Me shumë njerëz e shumë shpenzime. Këngë e valle dy ditë e dy netë. Haje e pije plot. Xhaxhai i derdhi lumë dollarët për mbesën. Por, po ta shikoje me syrin e një kamere të ftohtë, dukej sikur gëzimi dhe hareja ishin më shumë për xhaxhanë e ardhur nga Amerika se për çiftin e ri. Të gjithë i kishin sytë e veshët nga ai. Dukeshin të magjepsur prej tij. Vetëm Neta lundronte në re trëndafili dhe nuk dallonte nuanca gri në dasmën e vet.
Një javë pas dasmës, xhaxhai dha lajmin se do të ikte pas dy ditësh. Të gjithë, që nga vëllai e deri te krushqit, prisnin gojëhapur fjalën e fundit të tij. Çfarë do t’u premtonte? Nuk se ishte treguar kurnac, i ndihmoi dy motrat dhe dy vëllezërit. Dikujt i dha para të thata, dikujt i bleu një tufë me bagëti, ndonjë e ndihmoi për të hapur ndonjë biznes të vogël, sipas dëshirës të secilit. Mirëpo nipat e mbesat prisnin oferta më të mëdha. Ata synonin Amerikën. Xhaxhai ua kishte mësuar dëshirat gjatë ditëve të qëndrimit. Secili ishte rrëfyer pranë tij. Pasnesër, u tha, unë do të nisem, por shumë shpejt do të kthehem prapë. Mundet, si ta gjykoj, të hap ndonjë biznes në Shqipëri. Vendi është i virgjër nga konkurenca kapitaliste dhe krahu i punës është i lirë. U ndihmoj dhe juve me punë këtu në vendin tuaj. Në Amerikë do të marr vetëm një nip dhe një mbesë. Ju mendojeni, bini në ujdi sipas nevojave, dëshirave dhe aftësisë për të ndihmuar dhe të tjerët këtu në vendin tonë. Gjejeni me njëri-tjetrin. Kur të vij prapë do të jemë i përgatitur për t’i marrë. Të rinjtë gremisën kokat. Kjo ishte si rrufe në qiell të kthjellët për ta. Mondi ishte treguar më i shkathti dhe të tjerët u bënë xhelozë. Sipas fjalëve të xhaxhait, dukej sikur ai ishte më afër realizimit të ëndërrës. Sidoqoftë shpresa mbetej e hapur. Të gjithë prisnin mëndjengrehur.
Shkathtësia e Mondit nuk kishte kaluar pa lënë mbresa te Xhaxhai i Amerikës. Mondi, Neta, motra e Mondit dhe ish-ushtaraku ishin lumturuar. Shtëpia e oficerit të liruar kishte hapësira të bollshme, pasi ishte godina e një reparti ushtarak, të cilën e kishte privatizuar, kur u lirua nga shërbimi ushtarak. Çifti i ri u sistemua në godinën e ish-repartit ushtarak dhe dukej i lumtur. Por ajo që kishte rënë më shumë në sy ishte fakti se Mondi dhe Neta nuk bënin hap pa Beson, i cili shkonte pas tyre sikur e tërhiqnin zvarrë. Si djalë i qetë e i mbyllur, e vuante shumë ndjenjën dhe pasionin për Netën. Ndërsa ajo, me pafajsinë dhe naivitetine saj, tregohej e pakujdesëshme ndaj tij. Nuk nguronte që, me intimitetet pak të trasha ndaj Mondit, ta manifestonte tërë gëzimin e lumturinë e saj pasmartesore në sytë e Besos.
Pas 7-8 javësh gjendja shëndetësore e Netës ndryshoi shumë. Ndihej e këputur, s’kishte oreks, pështinte shumë, i vinte për të vjellë. Nëna e Netës dhe Vera i njihnin shenjat e shtatëzanisë. Gjatë kësaj kohe Neta ndjeu një ndryshim të dukshëm të Verës në kujdesin ndaj saj. Edhe oficeri i liruar nuk përtonte t’i afronte gjërat e nevojshme nuses së kunatit. E kujdesnin Netën si atë vazon e argjëntë që do të mbante pjellën e tyre.
Përgjigjja e xhaxhait nga Amerika s’po vinte. Mondi fliste në krye të javës me të dhe nuk ia kursente elozhet, i shprehte mallin për të dhe brengën për Amerikën. Përgjërimet ishin aq të shumta, sa bënin efektin e kundërt. Gjthmonë në fund të bisedës, i thoshte: Fol pak me Netën, se këtë s’e zë gjumi tërë javën në pritje të së shtunës. Pret me padurim të flasë me xhaxhain. Lavdi teknologjisë, xhaxhi! Neta ishte e drejtpërdrejtë. Ajo i thoshte hapur xhaxhait se Mondi s’mund të priste të shkelte në tokën e bekuar të Amerikës. Thoshte fjalët që përsëriste shpesh Mondi: “Ky vend nuk bëhet, shpresën e kemi vetëm te ju, xhaxhi”. Dhe në fund ia merrte prapë telefonin Mondi, për t’u përshëndetur me xhaxhain. Nëpërmjet bisedës, Mondi nuhaste edhe opinionet e tij.
Fare papritur, një ditë, Mondi e provokoi Beson për ndjenjat që ruante ndaj Netës:
-Thjesht e kam shoqe që nga fëminia. Veç miqësisë dhe keqardhjes, që do më ikë bashkë me ty, nuk ruaj asgjë tjetër për të.
Mondi e kuptoi shumë mirë atë që dinte. Besoja e donte shumë Netën.
-Mos ki ndroje nga unë. Unë e di se ti e do për vdekje Netën.
-Si e di ti? Nga e di ti? Pse je kaq i sigurtë në ato që thua?-Besua dyshonte në ato që thoshte Mondi, por, vallë, mos ishin të vërteta? Mos ia kishte thënë vetë Neta?…
-Më ka thënë vetë Neta, -iu përgjigj Mondi, që e psikologjiste me një vështrim Beson. Besos i shkëndijuan sytë dhe një valë e ngrohtë gjaku ia përshkoi trupin.
-Edhe ajo të do ty. Po të mos ishte martuar me mua, ajo do të martohej vetëm me ty dhe askënd tjetër. Duke mos i ditur mardhëniet tuaja, unë hyra midis juve dhe e ndjej se kam bërë një krim. Por tani… s’kam si ta shlyej.
Beson, të cilit instinktivisht i vinte të përdorte grushtat, sa herë takohej me Mondin dhe dëgjonte broçkullat e tij, këtë herë e çarmatosi sinqeriteti i dhëndërrit të ri. Filloi t’i vlonte gjaku, iu errën sytë dhe iu turbullua mëndja. I rifilluan ëndërrat me sy hapur. Gjumi iu terratis përsëri.
Që nga ajo bisedë Mondi nuk linte asnjë ditë pa e takuar Beson bashkë me Netën. Kur Neta rrinte në dyqan, Mondi bënte ç’ishte e mundur ta çonte Beson atje. Ai nuk druante ta linte Netën vetëm me Beson edhe në vende që një tjetër i posamartuar do të hezitonte. Bile shpesh sajonte pretekste për këtë. Bënte ca akrobacira që ata të dy të përplaseshin trup me trup. Vërente drithërimat e konvulsionet ndjesore të Besos dhe indiferencën e Netës. “Kjo s’është femër”, thoshte me vete… Ishte e dukshme se Mondi nxitonte për diçka që as Neta dhe as Besua nuk kishin mundur ta kuptonin. Pas një kafeje në lokalin e Verës, Besua tha me vete: “Diçka kurdis ky”. Po atë pasdite, duke bërë të ndrojturin, Mondi foli dhe me Netën:
-Besua vuan shumë. Më vjen keq për të.
-Pse, ç’ka Besua. Me shëndet është mirë. Puna me hekura ia ka forcuar muskujt, si luan.
Ajo fjala“si luan”, në çast i shkaktoi një rrënqethje instinktive Mondit, por s’i bëri më përshtypje.
-Beson e ka zënë prej kohësh qymyri…
-Ashtu! S’e dija. Mos ta ka treguar të adhuruarën e tij?
-Po. Unë tani e di.
-Hë, cila është?
-Nuk ta themë, deri sa s’ta ka thënë vetë ai.
-Po, hë të shkretën, thuaje!… Të keqen!… T’u bëfsha! Ma thuaj, se më përvëloi kureshtja!
-Çfarë të themë tjetër? S’të kuptoj. Ti e di mirë. Bën sikur s’e di.
-S’është e vërtetë. As më ka thënë gjë as më ka pyetur. Si shoqe duhej…
-Ama ai ma tregoi mua, -nxitoi Mondi, -por më porositi të mos i tregoj Netës.
-Po mirë mos ma trego, nuk jam shumë kureshtare për jetën e të tjerëve, qoftë edhe vëllai im.
Mondi heshti pak, thithi fort një cigare, sikur do të thoshte diçka shumë të rëndësishme:
-E adhuruara e Besos është Neta.
Aq e pavëmendëshme ishte Neta, sa nuk e kuptoi tekstin e nëntekstin e Mondit.
-Cila Netë,more? -pyeti ajo e habitur.
-Mbesa e xhaxhait në Amerikë. Dhe ti mos më bëj të paditurën. Ai ty të adhuron. Këtë e kam kuptuar me kohë, por ti përpiqej ta fshehësh, për shkak të lidhjes me mua.
-Ç’janë këto fjalë, Mondi? Mos je gjë i pirë! Këtu s’ka asgjë të vërtetë. Dhe unë nuk kam thjeshtë lidhje me ty, unë të dua. Kot u jep udhë bisedave të tilla mes nesh.
-Pse është keq të të dojë një njeri! Nuk ka asgjë për t’u habitur dhe as për t’u fyer. Aq më tepër për një djalë që ke qënë një jetë të gjithë pranë tij.
– Mondi, ti më provokon mua!?Jo,po…- nisi diçka të thoshte Neta, por Mondi i kyçi buzët më gishtin tregues, se po vinte mamaja e saj.
Mondi kishte kohë që e kishte nuhatur se nuk ishte i preferuari i xhaxhait të Netës. Kjo nënkuptohej nga bisedat telefonike mes tyre. Prandaj rrinte gjithmonë i menduar dhe i zymtë. Nevrikosej për hiçmosgjë dhe bëhej i padurueshëm. Neta e çiltër vrazhdësinë e tij në sjelljet me të e lidhte me padurimin e tij, për të ikur në Amerikë. Por shumë herë ai e përbuzte dhe e fyente hapur. Ajo vetëm stepej pak dhe pastaj i buzëqeshte. Kurrësesi s’mund ta pranonte se Mondi asnjë herë s’kishte ndier gjë për të. S’mund ta kuptonte se krenaria e saj që ishte gruaja e tij dhe çdo gjë që e bënte të lumtur, atë e neveriste. S’mund ta kuptonte se çdo gjë që e gëzonte Netën, atë e zemëronte. Nuk mund ta pranonte se gangsteri nga qyteti kishte vetëm një synim: ta përdorte atë “vajzë të shpifur” si karrem për të kapur Amerikën…
Shqetësimet shëndetësore të Netës vazhdonin. Për të ëmën dhe Verën çdo gjë ishte e qartë. Vera i shpjegoi diçka edhe Mondit. Që atë çast Mondi u bë bishë. Shpërthente pa shkak mbi Netën. Nuk është e vërtetë, ulërinte ai në dhomë kur ishte vetëm, që ta dëgjonte motra e kunati. Kjo nuk i pëlqente as Verës as oficerit të liruar. Në fund të fundit shtatëzaninë e Netës ata e konsideronin një hallkë më tepë pë ralizimin e synimit. Sa më thellë të hyjë grepi, aq më lehtë kapet peshku, thoshte oficeri i liruar. Prindët e saj e çuan Netën për vizitë në qytet me një shpresë tëmbël në gji. Ata nuk dinin gjë se ç’bënte Mondi. Neta nuk u tregonte asgjë.
Besua dhe Mondi rrinin ulur në verandën e lokalit të Verës, secili në mendimet e veta, kur vetura ndali para tyre.
-Mondi, kemi një sihariq të madh për ty… – e lëshoi zërin vjehrra që larg tërë gas, duke u hedhur e para nga makina dhe iu drejtua djemve, që ta dëgjonin edhe gjitonët. Ajo nuk e dinte se Mondin e kishte informuar Vera, por e ndjeu se Mondit i hipën xhindet.
-Po shkrepe, moj vjehërza ime! Ç’farë ke në mëndje? –foli ai me shpoti.
– Neta është shtatëzënë…
Mondi u tërhoq prapa, i shtrembëruar dhe dyll i verdhë në fytyrë, sikur e vjehrra do ti hidhej në qafë, siç e kishte zakon dhe do t’i ngjiste sëmundjen e lisë.
-Ashtu! Pse s’thua se Neta do të na lindë Krishtin… “Kjo ishte gjëmë, moj bastarde, jo sihariq”, tha me vete. Vjehrrës i pëlqeu t’i mirrte si shaka alla Mondi ato fjalë.
-Shkojmë në shtëpi, vjehërrza ime, ta marrim vesh punën e Krishtit pa baba, – e vazhdoi Mondi fjalën dhe i futi krahun vjehrës. Ajo ia hoqi krahun.
Sa mbritën në shtëpi, Mondi filloi sherrin.
-Qënke shtatëzën ti…, moj Shën Mëri? –iu drejtua me përbuzje Netës, duke përtypur me dhëmbë fjalën “zhabë”. Neta dhe e ëma buzëqeshën, duke i dhënë përshtypjen Mondit se i merrnin për shaka maskarallëqet e tij.
-Po si u bëre shtatëzënë ty, moj pëllumbeshë? Me frymën e shenjtë, si Shën Mëria!… Në se je e sigurtë se je shtatëzënë, trego me kë e ke dobiçin.
Gratë vështruan njëra-tjetrën syshqyer. Netës i iku fytyra. U zbardh si gëlqerja e murit. E ëma, ndonëse e fundosur në një dyshim të madh, u hodh se mos i binte të fikët vajzës. Kur e uli në divan, iu drejtua Mondit me një zemëratë prej ulkonje:
-Ti s’je në vete sot. Mund të kesh pirë. Ik qetësohu një copë herë.
-Jam shumë i qetë. Mos më mëso ti se ç’do të bëj unë!
-Atëherë, po je esëll, të ka ikur mëndja. Shko thyej qafën! Mos guxo t’i flasësh vajzës sime si rrufjan! E di ti kush jemi ne dhe kush është babai i saj apo jo?
Mondit as i shkonte në mëndje një reagim i tillë nga ajo “pulë e sëmurë”. Bëri sikur qeshi me të madhe si karagjoz. Mllefi që kishte brenda, me që nuk realizoi dot vajtjen në Amerikë, ia kishte fshirë çdo nojmë njerëzore. Tani donte ta hiqte qafe atë pengore nëpër këmbë, martesën me Netën, të ikte nga sytë këmbët dhe t’i fshinte ata njerëz të pagdhendur nga memorja e tij.
-Nuk është fëmija im dhe pikë, -tha ai dhe bëri të dilte jashtë.
-Ajo është martuar me ty dhe s’është nga ato që do të na tregosh ti! –foli e ndërkryer vjehrra dhe ishte gati t’i hidhte thonjët në fyt. -I kujt është atëherë, kur e ditke që nuk është yti?
-I Besos. Shko pyete , po të duash, nënokja ime, -u përgjigj Mondi dhe doli nga shtëpia me nxitim. Njerëzve që s’janë në gjëndje të duan, asgjë s’u duket vërtetë e rëndë… Nënës i erdhi shtëpia rrotull. Neta ra në divan e alivanosur.
Mondi me vrap u gjënd te Besua.
-Beso, më trego të vërtetën, pa ndroje: E do Netën?
-E,e, e…kam dashur, por tani e do ti.
-Po e do me gjithë mend, dili zot të adhuruarës tënde.
-Si t’i dal zot, nuk e kuptoj,-pyeti i habitur Besua.
-Ta shpjegoj unë. Neta është shtatëzënë.
– Ç’do të thuash është shta-të-zë-në!… E pastaj?
-Prit, bëj durim. Fëmija nuk është imi. Ç’rëndësi ka se i kujt është fëmija. Prano që është fëmija yt dhe gjithçka merr fund…
-Si!?…Si!?…S’e kuptoj…Po Neta çfarë do thotë?-pyeti Besua i shtangur me dyshim mos edhe këtë e kishte pranuar Neta.
-Këtë që them unë.
Besua mbeti i hutuar. As kuptonte gjë as ishte në gjëndje të arsyetonte dhe të merrte një vendim të çastit, se çfarë duhej të bënte…
Ndërkohë Mondi shkoi në lokalin e Verës. Mlodhi alabakët e fshatit, të cilëve kishte 5-6 muaj që u kishte hedhur trurin e gomarit . Ua shtroi me raki e meze dhe i bindi e i nxiti me ato marifetet e tij të përhapnin fjalën se Neta ishte shtatëzënë me Beson dhe ai e kishte pranuar vetë para tyre… Fshati aq donte, filloi thashethemnaja: “E poshtra, priste një fëmijë dhe iu ngjit atij bukuroshit nga qyteti”… “Jo, s’janë Neta dhe Besua të tillë”. …“Iu ngjit ai vagabondi Netës, për të vajtur në Amerikë”… Por grave të fshatit, mikesha të Verës, u pëlqente më shumë variant i parë.
Të nesërmen pasdite nëna e Netës vuri ulërimën në oborr të shtëpisë: Ndihmë! Ndihmëëë!… Po më vdes vajzaaa!… Ishte vetëm fare në shtëpi. Gjitonet dolën në ballkone e dritare dhe vështronin të tronditura sa nga shtëpia e fqinjës, sa njëra-tjetrën. Ndërkohë Besua kapërceu avllinë dhe kërceu në oborr. Nuk kishte kohë të kalonte nga porta.
-Ku vete ti, budallai i fshatit. Ti ma mbyte vajzën. Ik, zhduku, se të rashë me sopatë në kokë!-ulëriu nëna e Netës, por fjalët i ngecën në grykë. Beson e kishte si djalin e saj dhe Neta e kishte si vëllain e vet. Por Besua s’u kushtoi vëmëndje fare fjalëve. Me dy hapa e përshkoi oborrin dhe u gjend në dhomën ku ishte Neta.
-Netaaaa!…Netaaa! -thirri ai sa kapërceu derën dhe e kapi me të dy krahët te kofshët. E ngriti menjëherë lart trupin e saj si një ari i fortë, deri sa pesha e trupit nuk binte më në litar.
-Afro tavolinën shpejt! -i thirri mamasë së Netës. Gruaja iu bind. Ia vendosi këmbët vajzës mbi tavolinë, pastaj hipi edhe vetë. Ngadalë ia liroi litarin dhe donte ta përqafonte, por prania e nënës së saj e ndali. Neta mori frymë. O Zot! O Zot! thirri nëna dhe ia dha të qarit. Besua e uli poshtë trupin e vajzës, e shtriu në krevat dhe, duke mos u përmbajtur dot, u shtri edhe vetë pranë saj për ta ndihmuar. Nëna humbi ndjenjat.
-Pse e bëre këtë, Netaaa? Për kë deshe t’i jepje fund jetës, për atë gangsterin?…Ai u martua me ty për Amerikën! Unë prisja ta kuptoje, pastaj le të martoheshe me kë të doje, -i thoshte Besua Netës. Ndërkohë u hodh te mamaja e Netës. E goditi me pëllëmba faqeve dhe preu me shpejtësi një qepë. Ia afroi te hunda deri sa nëna erdhi në vete.
-Ik tani, lere vajzën! – tha nëna sa mori veten. Ishte instinkti mbrojtës i nënës. Besua u bind vetëm kur Neta i hapi sytë dhe mori frymë lirisht. Ajo e vështroi e habitur, sikur të mos e kishte marrë vesh se ku ishte. Besua bëri hapa prapa drejt derës. Kur doli jashtë dhomës, u kthye sërish dhe tha, si një përbetim:
– Unë të kam dashur ty, Neta. Nuk dua të të turpëroj, fëmija s’ka si të jetë imi, siç thonë gojët e çthurrura, por unë e pranoj atë fëmijë sikur të ishte imi… Po të pranosh të martohesh me mua…Me gjithë atë, ti pyet veten dhe bëj si të thotë zemra… Për mua ti do të mbetesh ajo që ke qënë… Ndërsa atij horrit të poshtër do t’ia thyej turinjtë, – dhe doli si i tërbuar nga shtëpia.
-Vëlla, Beso, pse s’më le të vdisja, – tha Neta, duke e përcjellë me sy të frikësuar. Ndërkohë Mondi kishte paguar një taksixhi për ta çuar në Greqi.
Pas disa ditësh Vera e bukur dhe oficeri i liruar nga shërbimi ushtarak mblodhën plaçkat e ikën nga fshati.
Poeti do të shkruaj në fletën e tij të bardhë
tokë dardane ndjema zemrën dhe prushin
Atdheu im, s´është plagë dashurie po plagë
historie, i flisja gurit dhe tokës që po çahej!
Evropa s´ lejoi që të quhemi me emrin Iliri
latinishtja ilire e mesapishtja janë dialekte
të shqipes pellazge, ilire, epirote e dardane.
Dielli me flamur shqiptar nuk nxeh njëjtë
në të gjithë atdheun, jo se jo në Preshevë
fqinjët pushtuan pjesë të mëdha të Ilirisë:
Çamërinë, Krahinën e Mollës së Kuqe, si
dhe emrin e mirëfilltë të vendit tonë,Ilirinë
Me kryqëzim emrash Evropa sajoi Greqinë
Ilirinë e kryqëzuan me emër xhuxh, Albani
e Dardaninë e mohuan me emrin, Kosovë,
dhe me një flamur që kurrë nuk ishte i yni.
Si t´i zëmë besë Evropës dhe interesave të
saj, kur tërë ballkani ishte tokë shqiptare.
Jon s´mund ta naltoj këngën me gënjeshtra
zërin që rend nëpër gjakun tim unë e ndiej
zemërimi i gjakut kërkon ta kaloj ëndrrën,
se dashuria për atdhe, atdheun s´e harron!
Poeti do të shkruaj në fletën e tij të bardhë
të shenjtit diell arbëror i dalin lot për Iliri
i dalin lot për Kosovë dardane dhe Çamëri
i dalin lot për Shkup, Tetovë dhe Gostivar
i dalin lot për Ulqin dhe flamurin shqiptar!…
Atdhe Geci – Dortmund, 2024
Një histori i vërtetë – Mali me mali nuk takohen por njeriu me njeriun po! Cili është sekreti i jetës! E shqipëroi Elida Buçpapaj
Në vitin 1892, në Universitetin e Stanfordit, një student 18-vjeçar luftonte për të paguar tarifat e shkollimit. Ai ishte jetim dhe, duke mos ditur se ku të kërkonte para, i lindi një ide e shkëlqyer. Ai dhe një mik vendosën të organizonin një koncert muzikor në kampus për të mbledhur fonde për edukimin e tyre.
Ata iu afruan pianistit të madh Ignacy J. Paderewski. Menaxheri i tij kërkoi një tarifë të garantuar prej 2,000 dollarë për recitalin e pianos. U arrit një marrëveshje dhe djemtë filluan të punojnë për koncertin që të kishte sa më tepër sukses.
Dita e madhe erdhi, por për fat të keq, ata nuk kishin arritur të shesin biletat e mjaftueshme. Ata kishin mbledhur vetëm 1600 dollarë. Të zhgënjyer, ata iu afruan Paderewskit dhe i shpjeguan situatën e tyre të vështirë. Ata i dhanë të gjitha 1600 dollarët, plus një çek për 400 dollarët e mbetur. Ata premtuan se do ta paguanin çekun sa më shpejt të ishte e mundur.
“Jo,” tha Paderewski. “Kjo nuk është e pranueshme”. Ai grisi çekun, iu ktheu 1600 dollarët dhe u tha dy djemve: “Ja ku i keni 1600 dollarët. Zbrisni çdo shpenzim që keni bërë. Mbani paratë që ju nevojiten për tarifat tuaja të shkollimit dhe më ktheni atë që ka mbetur.” Djemtë u habitën dhe e falënderuan pa masë. Ishte një akt i madh dashamirësie, që vinte në dukje se çfarë qënie njerëzore ishte Paderewski.
Përse do t’i ndihmonte dy djem që as nuk i njihte?
Të gjithë ne hasim situata të tilla në jetën tonë. Dhe shumica prej nesh mendojnë vetëm: “Nëse i ndihmoj, çfarë do të ndodhë me mua?” Ndërsa njerëzit me zemër të madhe mendojnë: “Nëse nuk i ndihmoj, çfarë do të ndodhë me ta?” Ata nuk e ndihmojnë duke pritur diçka në këmbim. Ata e bëjnë këtë sepse mendojnë se është gjëja e duhur për të bërë.
Paderewski më vonë u bë Kryeministër i Polonisë. Ai ishte një udhëheqës i madh, por për fat të keq, kur shpërtheu Lufta Botërore, Polonia u shkatërrua. Në vendin e tij kishte mbi 1.5 milionë njerëz të uritur dhe qeveria e tij nuk kishte para për t’i ushqyer.
Paderewski nuk e dinte kujt t’i drejtohej për ndihmë. Ai kërkoi ndihmë nga Administrata Amerikane e Ushqimit. Ai dëgjoi se ishte një njeri i quajtur Herbert Hoover, i cili më vonë u bë President i Shteteve të Bashkuara. Hoover pranoi të ndihmonte dhe shpejt dërgoi tonelata drithë për të ushqyer popullin polak të uritur. Një fatkeqësi u shmang.
Paderewski u ndje i lehtësuar. Ai vendosi të udhëtojë për të takuar Hooverin dhe për ta falënderuar personalisht. Kur Paderewski filloi të falënderonte Hooverin për gjestin e tij fisnik, Hoover ndërhyri shpejt dhe tha: “Ju nuk duhet të më falënderoni, zoti kryeministër. Ndoshta nuk ju kujtohet, por shumë vite më parë, ju ndihmuat dy studentë të rinj të shkonin në kolegj. Unë isha një prej tyre.”
Bota është një vend i mrekullueshëm. Çfarë të mbjellësh, do të korrësh. Ju lutemi ndihmoni të tjerët sa më mirë. Në planin afatgjatë, ju mund të ndihmoni veten. Universi nuk harron kurrë këdo që mbjell një farë të mirë te të tjerët, kurrë.
Asgjë në natyrë nuk jeton për vete. Lumenjtë nuk e pinë ujin e tyre. Pemët nuk hanë frutat e tyre. Dielli nuk jep nxehtësi vetëm për vete. Lulet nuk përhapin aromë për veten e tyre. Të jetosh për të tjerët është rregull i natyrës.
Dhe aty qëndron sekreti i të jetës!
Kredite: Sueños de Luna
LAJMI:
Çmimi letrar për poezinë, “Camaiore – Francescco Belluomini”, që jepet ndër vite në Itali, është i njohur dhe i rëndësishëm, sipas kritikëve, është institucioni i vlerësimit që i kushtohet tẽrẽsisht veprave mẽ të mira, të botuara në Itali, jo vetëm të autorëve italianë, por dhe poetëve nga bota.
Janë nderuar me këtë çmim – njoftohet, – poetë italianë si Alda Merini, Alberto Bevilacqua, Corrado Calabrò, Maria Luisa Spaziani, Dante Maffia, Davide Rondoni, etj, dhe nga bota Shenjtẽria e Tij Papa Carol Wojtyla, poeti rus Evgenij Jevtushenko, rumunia Anna Blandiana, suedezi Kjell Epmark, nikaraguani Ernesto Cardinal, prift, etj, e deri te nobelisti irlandez Seamus Heaney.
Media italiane i bëri jehonë ecurisë së kësaj ngjarjeje. Bëri të njohur jurinë, të kryesuar nga Michele Brancale – studiues, gazetar dhe poet, Cinzia Demi – poete, Simone Gambacorta, Federico Migliorati, Renato Minore, Ottavio Rossani e Luigia Sorrentino, personalitete të letrave, kritikë arti, poetë, studiues.
Ndërkaq do të ishte dhe një juri tjetër popullore, që në ditën e ceremonisë së dhënies së çmimit, mes publikut pjesëmarrës, do të nxirrte me votim mes 5 kandidatëve një fitues.
U shqyrtuan botimet nga prilli 2022 deri në mars 2023. Mes përzgjedhjes së 150 librave me poezi, u sekeksionuan 25 prej tyre dhe dolën 7 poetë kandidatë nga bota për Çmimin Ndërkombëtar:
• Joao Luis Barreto Guimaraes, “Movimento” (Edizioni Kolibris) – Portugalia,
• Andrea Cote, “La rovina che nomino” (Edizioni Fili d’Aquilone) – Kolumbia,
• Edmond Neagoe, “Una visione dell’apocalisse” (Terra d’Ulivi Edizioni) – Rumania,
• Martin Rueff, “Icaro grida in un cielo di creta” (Samuele Editore) – Franca,
• Zoe Valdés, “Anatomia dello sguardo” (Edizioni Il Foglio) – Kuba,
• Sarah Zahid, “Non scordiamoci mai quanto può essere bello vivere” (Edizioni Kolibris) – Norvegjia,
• Visar Zhiti, “Strade che scorrono dalle mie mani” (Puntoacapo Editrice) – Shqipëria.
Në votimin e tyre më të fundit, juria profesionale për vitin 2024 shpalli fitues poetin shqiptar Visar Zhiti për librin me poezi “Strade che scorrono dalle mie mani” – “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia”, botim nga “Puntoacapo Editrice”, në dy gjuhë, shqip dhe italisht, përkthyer nga Profesor Elio Miracco.
Lajmin e dhanë juria e çmimit, Komuna e Camaiores, më pas Agjensia Kombëtare e Shtypit Italian ANSA, u perhaps në mediat e tjera, shkruajtën revista e PEN Clubit Italian deri dhe gazeta më e madhe italiane, e përditëshmja “Corriere della sera”.
Jehonë pati dhe në median shqiptare, u botua në gazetën “Panorama” në Tiranë, ndërsa televizioni “Vizion plus” i mori një intervistë Visar Zhitit dhe shkruajtën gazetat shqip të diasporës nëpër botë.
PËRURIMI NË MILANO:
Botuesi “Puntoacapo” caktoi një ditë për të përuruar në Milano librin fitues, “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia” me praninë e autorit Visar Zhiti…
U mblodhën lexues të shumtë, poetë, gazetarë, italianë dhe shqiptarë, kishin ardhur dhe nga qytete të tjera, mes tyre dhe një bashkëvuajtës i Visarit në burgjet e diktaturës në Shqipëri, tani me banim në Itali, studiuesi, kritiku letrar Eugjen Merlika, i cili do ta niste kështu shkrimin e tij, që do të botontenë gazetë “Dielli” në SHBA:
“Më datën 19 shtator, në orën 18.00 në Shtëpinë Muze “Tadini”, në rrugën N. Jommelli 24, Milano, u zhvillua një mbrëmje kulturore, me rastin e promovimit të vëllimit me poezi “Rrugë që rrjedhin nga duart e mia/“Strade che scorrono dalle mie mani”. Autori i vëllimit është poeti i mirënjohur Visar Zhiti, shkrimtari më përfaqësues i letërsisë shqiptare sot në botë…
Madje njëra nga antaret e Jurisë së Çmimit Camaiore, Cinzia Demi, kishte ardhur vetë për t’a paraqitur librin në Milano, – vazhdon shkrimin e tij Eugjen Merlika.
Në drejtimin e promovimit t’asaj mbrëmjeje ajo shoqërohej nga e zonja e shtëpisë, gazetarja arbëreshe Melina Scalisse, që… ishte krenare për origjinën e saj. Ajo, mbas vitesh pune në gazetën “Il giorno”/“Dita”, kishte në kujdes Shtëpinë Muze Hapësira Tadini, një personalitet i njohur i kulturës së qytetit të Milanos, një poet e piktor modernist, që e kishte lënë shtëpinë e tij si një muzeum për qytetin e tij…”
Melina Scalisse ndali te gjuha, te misteri i fjalës së Zhitit, që ajo ia njihte rrënjët dhe e ndjente si frymë dhe histori.
“…shkrimtari Zhiti iu përgjigj disa pyetjeve të organizatorëve, profesor Mauro Ferrari, poet e Cristina Daglio, ndërkohë dhe bouesit. Ai, – thekson Merlika, – u përgjigj shkurt e me dhimbje, duke treguar disa nga çastet më të vështira të jetës së tij, siç ishin ato të arrestimit, të dënimit e të qëndrimit në kampet e punës së detyruar, që ishin dhe ato që përcaktonin burimin e frymëzimit për një pjesë të mirë të poezive të vëllimit.
Një përimtim të thukët të përmbajtjes së vëllimit e bëri në mënyrë bindëse profesor Ferrari, që dukej se ishte mjaft i prekur nga drama jetësore e poetit shqiptar. Ai analizoi disa poezi, duke u ndalur më shumë, jo vetëm në përmbajtjet, por edhe në disa terma të hasura më shpesh si atdheu, liria, udhëtimet, etj.
Nga salla do të ngrihej të fliste dhe padre Gianni Criveller, njohës i thellë i persekutimit të poetëve në Lindje dhe Kinë, ku ka shërbyer si misionar. Ndër të tjera ai tha se vuajtja njerëzore është kthyer në vlerë poetike. Këtë theksoi dhe poetja bjelloruse Lara Putsileva.
Edhe Kryetari i Lidhjes së Shkrimtarëve Shqiptarë në Itali, Skënder Lazaj do të nxirrte përshtypjet e tij nga takimi:
“…Nisemi nga Brescia, së bashku me antarët e LSHASHI, Ndue Shabaku, Valbona Jakova dhe poeten Daniela Dante, promovonte veprën e tij Antarë i Nderit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve Shqiptar në Itali!…
Takimi i përzemërt me Visarin dhe me zonjën e tij Edën, qe sa emocionues aq dhe i ngrohtë, mes një atmosfere arti, ku veç poezisë aty ekspozoheshin pikturat e autorit Tandini, por dhe të autorëve të tjerë, mes tyre dhe të piktorit të famshëm shqiptar Ibrahim Kodra.
Aktiviteti çelet me prezantimet, dhe natyrisht me përshkrimin e jetës së autorit dhe veprës së tij letrare.
Drejtoresha e Muzeut, gazetarja Melina Scalise, bëri një analizë të veprës dhe fjalës poetike në veçanti, ku evidentoi forcën e fjalës dhe në kushte izolimi, shpirtin e paepur të autorit dhe forcën e besimit, i cili i rezistoi edhe mizorive të regjimit.
Atmosferën e elektrizuan recitimet në shqip të poezive të Visarit nga Eda, kaq bukur dhe aq ëmbël derdhej poezia e tij dhe në italisht, recituar nga poetja italiane Cinzia Demi.”
I rikthehem shkrimit të Eugjen Merlikës, ja ç’shton ai:
“…duke patur në dorë vëllimin, lexohej në kapakë dhe kjo shprehje nga shkrimtari i madh Italian, Umberto Eco:
‘Shihni… ndodhia e Visar Zhitit, që i mjaftoi të shkruante poezi, të quajtura “të trishtueshme dhe hermetike”, pra armiqësore për regjimin ….. dhe fitoi me të drejtë dhjetë vite burg. Poezia i shtie frikë regjimeve autoritare e diktatoriale, edhe se flet vetëm për trëndafila, si në rastin e Zhitit.”
Dhe më pas:
‘Visar Zhiti është shkrimtari shqiptar, jeta e vepra e të cilit janë pasqyra më e mirë e historisë së Vendit të tij.’ Poshtë këtij vlerësimi ishte në kllapa: (Robert Elsie, albanolog kanadezo-gjerman).
Në tridhjetë vitet e fundit janë të shumtë vlerësimet e poetit e shkrimtarit madhor shqiptar nga përfaqësues të ndryshëm të kulturës e letërsisë shqiptare e të huaj të vëndeve ku veprat janë përkthyer e botuar, por mendoj se kjo shprehje e studiuesit kanadez është një nga pikat kulmore, ku Visar Zhiti njëjtësohet me atdheun, një koncept që gjindet shpesh në vargjet e tij, në format e të shkruarit për të shkuarën, të sotmen e për të ardhmen e tij.’
“Duke përmbyllur analizën, botuesja Cristina Daglio iu drejtua poetit: “Ndërmjet të gjithë koncepteve të trajtuar në poezitë tuaja, cili do t’ishte ai më domethënësi, më qëndrori, më përfaqësuesi…?
Poeti, mbas një çasti përsiatjeje, u përgjigj: Dashuria.
Salla shpërtheu në një duartrokitje të gjatë e të fuqishme. Mendoj se ishte çasti kulmorn i mbrëmjes, thelbi dhe kuintesenca e saj. Me atë pohim poeti shpalli vlerën universale të veprës së tij, që është e barazvlerëshme me vetë jetëgjatësinë e mesazheve që i përcillen lexuesve shqiptarë, italianë, evropianë e botërorë.”
CEREMONIA NË CAMAIORE:
“Ndarja e çmimeve do të zhvillohet gjatë një mbrëmje në këtij shtatori me të ftuar fituesin, Visar Zhiti, – shkruante Eugjen Merlika, – në Camaiore, një qytet i lashtë mesjetar në breg të detit Ligur, një komunë prej 31776 banorësh, në provincën e Lukës në Toskanë, e njohur për bregdetin e bukur të saj, për kishat e saj mesjetare, muzeumet e traditën e qilimave”.
Nga dritaret dukej deti si një poemë e kaltër përjetësie. Rrugëve ishin vendosur pllakatet “Camaiore është poezi”. Në sallën e madhe vinin vazhdimisht njerëz. Në krye ishte një ekran dhe shfaqeshin librat dhe emrat e autorëve.
Që në fillim veprimtarinë e përshëndetën Kryetari i Bashkisë së qytetit, Marcello Pierucci dhe Raffaela, vajza e themeluesit të këtij çmimi, e poetit Francesco Belluomini.
Gazetarë të televizionit vendas filmonin takimin dhe merrnin në intervista poetët që ftoheshin në skenë. Nga sipër vinin ndriçimet, ndryshonin ngjyrë si emocionet dhe binin mbi fletët e poezive…
Presidenti i jurisë profesionale, Michele Brancale, thirri si fitues të Çmimit Ndërkombëtar Visar Zhitin. Motivacionin e dhënies e lexoi poetja dhe anëtarja e jurisë, Ciznia Demi:
SIRENEU MODERN I KRYQIT
“Poetika e “Rrugëve që rrjedhin nga duart e mia” të Visar Zhitit, një libër i botuar dygjuhësh shqip-italisht, riprodhon më së shumti historinë e poetit, një prej të paktëve të mbijetuar të burgut, të mbyllur për të punuar në minierat shqiptare nën regjimin e Enverit Hoxhës: faji i tij ishte se kishte shkruar vargje të dhimbshme, të papërshtatshme për lëvdatat pushtetit. Zhiti nuk hoqi dorë nga kënga edhe në burg, vazhdoi të kapej pas poezisë, prostitutës që më denoncoi në polici. – siç e ka përkufizuar ai në një intervistë – dhe duke mos pasur letër ku të vazhdonte të shkruante tekstet, vargjet u mësuan përmendësh nga ai dhe të burgosurit e tjerë, në mënyrë që ato të mbeteshin, nëse ai nuk do të mbetej gjallë.
Në këtë vëllim i ripërshkohen ato vite, pa asnjë venë urrejtjeje. I tradhëtuar nga poezia, Zhitit nuk i vjen keq kurrë për veten, por për njeriun që vuajti, për të ngjashmin e tij që i kanë shkaktuar vuajtjet.
Në poezinë e tij nuk është vetëm përplasja mes një regjimi tiran dhe poetit, por diçka më e keqe: njeriu kundër njeriut. Duke përqafuar mundimin dhe dhimbjen e të tjerëve, por duke derdhur lotët e tij, mesazhi poetik i Zhitit bëhet universal dhe i kalon kufijtë gjeografikë të dhimbjes shqiptare, duke e bërë atë dëshmitar të vuajtjeve të njerëzimit. Ajo e Zhitit është një litani laike, por vargjet e tij përshkohen nga një ndjenjë besimi e shqetësuar që gjen në simbolin e Kryqit martirin e shëlbimit dhe zbulohet në Krishtin dhe Nënë Terezën: ai nuk e paraqet veten si vuajtësin e fundit të dënuar të atij regjimit, por si një Sirene i kohëve moderne që merr mbi vete kryqin e të gjithëve”.
Visari kishte thënë që poezia iu bë dhe Madona që e ndihmoi të shpëtonte. Poezia e tij ishte ditari i tij shpirtëror.
Kryetari i Bashkisë, Francesco Pierucci, i dorëzoi Çmimin. Aktorët Alessandro Bertolucci dhe Giulia Battistini recitonin poezitë.
Duke falenderuar, Zhiti theksoi se e ndjente fort që ishte në vendin e Dantes, mbase poeti më i madh i të gjitha kohërave, që na dha me vargje jo vetëm Ferrin, nëntokën e dënimeve, por edhe Parajsën, që patjetër i jep shkëlqim qiellor dhe e bën po aq të rëndësishëm, se letërsinë e ushqejnë po aq sa dhimbja, edhe lumturia, ndërsa unë nga shkaku i poezisë e kalova ferrin tim dhe ajo ndërkaq më hodhi në një parajsë të saj…
Ndërkaq juria popullore mes 5 kandidatëve të poezisë italiane nxori fitues aty poetin Stefano Dal Bianco me librin “Paradiso”. Parandjenjë e Visarit apo ndikoi kur foli ashtu?
U ndanë dhe çmime të tjera e mirënjohje. Më pas të gjithë dolëm në kopshtet e bukura aty, buzëdetit tej si copëza parajse dhe Visarit i kërkonin autografe pranë shatërvanit nën drita dhe nën ujëvarën hënore. Edhe libri vetë dukej si i mbështjellë me hënë, me atë kopertinëm ku ishte një profil, vepër e piktorit Maurizio Caruso, “Mendim rinor”.
Dhe përsëri gazeta Corriere della Sera” e këtyre ditëve kishte në faqen kryesore të kulturës një shkrim me fotografi me titull: “L’albanese Visar Zhiti vince il Premio Camaiore: compose versi in carcere”.
Të bësh poezi në çdo burg, të dukshëm dhe të padukshëm edhe kur s’të lenë, krijo dhe me mend, me çastin tënd. Ai mendim rinor për jetën të jetë i përhershëm, me ato ndjenja dhe pasion si vetë poezia…
Ndërsa gazeta italiane “La Nazione” shkrimin e saj të tanishëm e titullon: “Në Camaiore fiton Poezia si gjuhë e paqes”.
Se koha është e shqetësuar, lufta çuditërisht po gjëmon andej-këtej në glob, ajo s’është kurrë larg kur vriten njerëz me mijëra, mes tyre fëmijë dhe poetë, copërlohen dhe poezitë, digjen në ajër nga bombat dhe raketat. Njerëzimit i duhet të flasë patjetër gjuhën e paqes.
Me dorën time mblodha
Edhe lulen e fundit
Të kësaj vere
Me hithër regja kohën e heshtjes
Që heshtte kohën pafundësisht
Dhe ditën që ikte drejt natës
Ndjenjën hergjelé
Por të brishtë
Shëtita lugjeve të dëshirave
Ku ka dhe togje lulesh tjera
Më sill me vete
E falma një natë
Një trastë përplot
Ëndërra të bardha
Që sot
E deri
Në pranverë.
Berlin, 3 tetor 2021
Të dita për zot
Se s’kusha zot tjetër
Por,plagët që çdo ditë m’i bën
Nuk më frikësojnë asnjë çast
Edhe pse me dhembin në shpirt
Sa herë më bëjnë rebel
Edhe pse nuk rebelohem
Më bëjnë edhe të dehur
Por,nuk dehem
Jam betue më të dashtë
Ma shumë se veten
Nuk kam tjetër në jetë
Që ta dua ma shumë se
Ty im zot
Ti me vite ishe gëzimi dhe loti im
Sa herë ëndrroja lirinë
Ti ishe liria ime e shpirtit
E unë isha ferri i vet Dantes
Andaj dhembjet që çdo ditë m’i jep
Nuk më frikësojnë
E di se ti do të zhburrnohesh
Në sytë e botës do të mbetësh
Një letër e zezë
Ku korbat do të derdhin lot
Unë jam mësue me ferrin
S’kam ku shkoj askund tjetër
Përpos të mbetëm fytyra e jote
E bardhë ose e zezë.
05 Tetor 2024 AGIM DESKU
Sapo doli nga shtypi përmbledhja publicistike e Ernest Koliqit me titull “Drita e Shêjzave. Publicistikë 1957-1974”. Libri është kujdesuar nga editori i revistës Shêjzat, Ardian Ndreca, dhe është botuar nga Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët e cila drejtohet nga Diana Kastrati. Botojmë këtu parathanjën e vëllimit që mban firmën e editorit të Shêjzave.
Jeta e Ernest Koliqit në mërgim asht nji digresion që krijon hapsina lirie për me komunikue me mbasardhësit. Shkrimtar i parakohshëm për atmosferën kulturore të rinisë së tij, ai e ruejti këtë dimension deri në fazën e fundit të krijimtarisë së tij, mbasi siç e tregon edhe kjo përmbledhje, kemi të bajmë me soliloquia ma fort se me dialogje me bashkëkohësit e tij.
Publicistika e Koliqit, e këtu skaji përdoret në nji sens të gjanë, asht edhe prozë poetike edhe elzevir ku ndihen jonet e nji shpirti të bukur e dora e nji argjendari të gjuhës shqipe, urtësia e poetit dhe poezia e të urtit.
Shkrimi i tij, në të gjithë regjistrat që ai ka përdorë, ka privilegjin e madh të lirisë, forcën e mendimit dhe delikatesën e ndjenjave.
Leximi i kësaj përmbledhje të jep ndjesinë nji dige që ka tubue emocione, kujtime, keqardhje dhe herë mbas here portat e saja hapen për me ujitë fushat e djerra të diasporës antikomuniste. Këto editoriale, “mendime të zhgarravituna” siç i quen ai, janë ideogramet e fundit nëpërmjet të cilave bahen të kuptueshme idealet e Rilindjes kombtare.
Mërgata antikomuniste asokohe ishte nji masë heterogjene, ku gjeje intelektualë e zotni të mirëfilltë, të lodhun e të hutuem, por edhe nji mori enfants gâtés djerraditës të pakuptimtë, pinjoj të familjeve të pasuna që Shqipnisë nuk i kishin vjeftë kurrgja, shihje njerëz të vorfën në xhep e në tru, hujlí, spijuna e mujshar, por s’gjen kurrsesi nji rrymë homogjene e serioze që mund të krijonte idealisht nji alternativë serioze për nji nesërme të atdheut.
Koliqi e kishte kuptue me kohë këtë gja e prandaj tenton tri rrugë të reja: me aktivizue të rinjt e talentuem, me tërheqë idealisht intelektualët e Kosovës dhe me plazmue botën arbëreshe tue e nxjerrë prej ekzotizmit e tue e drejtue kah moderniteti si dimension shpirtnor dhe urban.
Me aktivitetin e tij si themelues i Shêjzave, si shkrimtar, përkthyes, pedagog dhe politikan, mendojmë se Koliqi ia ka arritë disi të trija këtyne objektivave.
Ankthi me komunikue ia rritë tensionin fjalës së tij tue alternue emocionet stenike e ato astenike, shpresën dhe dëshpërimin. Tëhuajzimi i jep shkas me folë, me reague, idhnimi i hapë horizontin dhe i jep tone profetike shkrimit të tij.
Në fundin e viteve ’50 klima mendore e emigracionit antikomunist kishte sintetizue tashma idenë se kthimi në atdhe s’ishte i afërt. Të ikunit ndërkaq kishin mësue abetaren e travajëve të ekzistencës, simbas asaj profecisë danteske:
Ti do provosh sa ka përmbrenda krypë
buka e huej, sa shtegu asht i vështirë
n’shkallë të hueja me hypë edhe me zdrypë. (Parajsa, XVII, 58-60, përkth. P. Gjeçi)
Por edhe ata që e kishin sigurue jetesën nuk e kapërdinin të qetë kafshatën tue mendue të afërmit e tyne në kampe përqëndrimi, në burgje apo thjesht në atë burgun e madh që ishte Shqipnia asokohe. Koliqi përthithë me kureshtje çdo lajm që i vjen prej atdheut, lexon gazeta e libra, ndjekë për aq sa mundet propagandën komuniste dhe vëren sesi regjimi krenohet pse në pak vite ka mbërrijtë me e modernizue vorfninë, me krijue nji tabula rasa ku ka zanë fillë nji epokë e re që nuk e njeh veten si projektim të së kaluemes por thjesht si nji shpikje shkencore, parametrat e së cilës duhet me i vu në jetë me dhunë.
Koliqi në atdhe urrehet si fashist, por urrehet edhe në diasporë si ish fashist. Nuk shkon dot në Kosovën e tij të dashun, pse edhe atje konsiderohet si kriminel lufte prej regjimit të Beogradit, mbasi dikur, kur ishte Ministër Arsimi, ka dërgue atje nji numër të konsiderueshëm arsimtarësh.
I kanë mbetë vetëm arbëreshët, nji realitet i ruejtun prej mbylljes por i rrezikuem prej kohnave të reja që po shfaqeshin në horizont. Koliqi shkon deri në SHBA tue gjurmue arbëreshet e ikun në fillimet e ‘900, tue mbledhë folklor e visare shpirtnore, tashma të shenjueme me u zhdukë përgjithmonë.
Vetëm dimensioni i kujtesës e kthen në Shkodrën e rinisë apo tek Tirana e viteve ’30-‘40, tashma sytë e tij janë ngulë tek “gjaku ynë i shprishun”. Prej nji dimensioni tragjik me plagë të hapuna që kullojnë gjak ai kalon tek nji tragjizëm i qetë që e lejon me jetue dyfish të tashmen tue qenë njikohsisht pjesë e së kaluemes.
Mësimdhanja në Universitetin e Romës dhe politika nuk mjaftojnë. Koliqi ka nevojë edhe për hapsina të tjera, prandaj ai rindërton – përreth Shêjzave – në mënyrë plastike shpirtin si entitet të epërm nëpërmjet artit figurativ të Lin Delisë, erotikes dhe sakrales të mbrujtuna në episode që të çojnë drejt e në atdhe. Nga ana tjetër kundron me interesë dhe dashamirësi horizontet sintetike të Ibrahim Kodrës, ku drita artificiale izolon format gjeometrike dhe u jep atyne dinjitet artistik.
Afron tek Shêjzat talente të reja si Prenk Ndrevashaj apo Anesti Andrea, inkurajon intelektin skofiar të Fehime Pipës apo entuziazmin poetant të Nermin Falaschi Vlorës. Afron edhe të tjerë që ma vonë kanë tretë rrugë.
Gjatë rrugtimin të tij Koliqi ka humbë dhe ka gjetë shokë me të cilët ka nda çaste të bukura e të dhimbshme. Gjithçka që ai trajton ka mbrendë nji pietas që dëbon çdo lloj urrejtjet, edhe ndaj kuqalashave, siç i quen ai komunistat, atyne që e lanë pa atdhe.
E çka mund të bajnë nji shkrimtar pa atdhe? Në vendet e tjera të Lindjes komuniste për me e shkallmue shpirtin e nji artisti mjaftoheshin me e dëbue prej atdheut, pse e dinin se kështu i thaheshin lozet, tek ne i vrisnin për mos i lanë as me shpresue tek liria.
Për Ernest Koliqin, por edhe për Martin Camajn e shumë të tjerë, ndamja prej atdheut ishte dënimi ma i madh dhe kërcënimi ma serioz për shpirtin e tyne krijues. Xhelatët shpirtmalcuem të Tiranës s’kishin si ta njihnin Ovidit për me e kuptue të keqen që kishin ba, prandaj s’hiqnin dorë nga shpresa e aktit supererogator të nji breshnie plumbash në krahnor, a thue se nji çast vuejtje mund të barazohet me dekada të tana vetmi e lodhje shpirtnore!
Nostalgjia asht timbri që karakterizon gjithë krijimtarinë e Ernest Koliqit në mërgim. Mjeku zviceran Johannes Hofer në shekullin XVII e kishte diagnostikue nostalgjinë si nji sëmundje neurologjike të trupave mercenare zvicerane që luftonin larg atdheut të tyne: “Heimweh” ka mbrendë dhimbjen therëse për shtëpinë, për rranjët dhe vendin ku njeriu ka pa për herë të parë dritën e diellit.
Ajo dhimbje e shoqnoi gjithë jetën Ernest Koliqin në mërgim, prandaj dera e shtëpisë së tij – falë edhe bashkëshortes bujare, Vangjelisë, ishte e hapun natë e ditë për çdo shqiptar, verior apo jugor, pa dallim feje apo fryme politike. E ai shêndohej tue ndie tue folë malsorë e katundarë, qytetarë, të shkolluem e të pashkolluem, pse kishte etje për atmen e tij.
Me këtë përmbledhje Ernest Koliqi rikthehet në atdhe me të vërtetat e tija, prej të cilave ende kanë frikë pinjojt e gënjeshtrës së madhe, ata që bajnë sikur e duen Koliqin por thellë thellë e urrejnë. Komunizmi nuk asht vetëm dhunë, ma së parit asht klimë, po ajo klimë që i ka mbijetue deri sot dhunës së djeshme dhe trajton me nji respekt kallp Ernest Koliqin, Lasgushin, Gjergj Fishtën, Mit’hat Frashërin.
Kemi në dorë thuejse dy dekada shkrime ku ikja prej atdheut e ka afrue shkrimtarin me vendin e tij; urrejtja me të cilën ai asht rrethue asht kthye në kurë ndaj njerzve të fisit, siç i quen ai bashkëkombësit. E keqja e shqiptarëve tek Koliqi identifikohet me ideologjinë që ka kaplue mendjet dhe jo me njerëz të veçantë.
Vitet e fundit janë të trishtueshme, vdekja e bashkëshortes së dashun, largimi nga jeta i shumë miqve dhe vetmia që e rrethon i peshojnë. Kanë mbetë drekat me miqtë e tij të ngushtë shkodranë, mbramjet tue ndigjue muzikë klasikë në shoqninë e të birin, paraditet tue punue me ndonji doktorand apo bashkëpuntor të Shêjzave, takimet me miq të ardhun prej përtej oqeanit apo me funksionarë amerikanë, italianë, bisedat me intelektualë të mërguem prej vendeve të Lindjes komuniste, por sidomos mbasditet në lutje në kishën e Shën Piut X në Balduina.
E ardhmja e dikurshme tashma ka mbërrijtë por shikimi i tij asht ba opak, për vete nuk ka ma shpresë se kthehet në shtëpinë e tij, për të tjerët po.
Me të në mërgim mbyllet nji epokë e tanë. Në atdhe prej kolegëve që vlejnë të brezit të tij ka mbetë gjallë vetëm Lasgushi, por edhe ky rezulton në jetë vetëm për evidencat e gjendjes civile.
Koliqi len mbas vetes visarin e Shêjzave, sidomos këto shkrime ku ndihet afshi gjakues dhe tonet e kërthëndezëta e mbi të gjitha, kundër çdo arsyeje logjike, ndihet i pastër nji kumt ndjellamirë, pse për atdheun tand nuk mund ta mendojsh kurrë të zezën si gjendje të përhershme. Poeti rus Osip Mandelshtam në nji poezi të tijën thotë se ka mësue “shkencën e lamtumirave”. Kjo asht shkencë e pazakontë poetësh e nuk ka nji metodë të veten por ushqehet me aktet e pastra të shpirtit e si të tilla duhen trajtue edhe këto shkrime të Ernest Koliqit, ushtrime për shkencën e lamtumirës prej atdheut të tij.
Marrë nga ExLibris
Problemi i dhënies dhe marrjes mes kulturës çame dhe asaj greke në veçanti, por edhe asaj shqiptare e greke apo kulturave të popujve ballkanikë në përgjithësi, është pak e studiuar, por edhe kur është trajtuar, vihet re jo vetëm një subjektivizëm i skajshëm, apo edhe shovinizëm kulturor “alla ballkanik”. Do të mjaftonte të sjell në kujtesë studiuesit serbë, të cilët të paktën prej një shekulli, për të mos thënë më shumë, kanë shkruar qindra faqe duke derdhur shumë energji, për të ‘’provuar’’ se ‘’Eposi i Kreshnikëve’’ u përket popullit serb e se shqiptarët si ‘’endacakë’’ dhe ardhës’’ të vonshëm në Ballkan’’, e kanë marrë atë nga sllavët. Jo vetëm ‘’Eposi i Kreshnikëve’’, por edhe mitet gojëdhënat, legjendat, siç është ai i kalasë së Shkodrës janë të tyret. Ballkani ynë, ky truall befasues i kulturave nga më të çuditshmet, që ka rrezatuar përtej maleve të tij vlera të padiskutueshme në Europë, për fat të keq brenda vedit është shquar jo vetëm për sherrnaja e luftrave për territore në dëm të fqinjëve, si edhe për ca sherrnaja të tjera absurde, siç janë ato për kulturën.
Për fat të keq fjala ‘’URË’’ në kutimin e mirëfilltë si lidhje mes brigjeve dhe në kuptimin metaforik edhe si lidhje mes popujve e në fushën e kulturës si dhënie e marrje reciproke, është shpërdoruar keq në Ballkan. E megjithatë, popujt e Ballkanit përtej këtyre sherrnajave absurde, kanë ditur që në mijëra vjet fqinjësi të ndërtojnë dhe rindërtojnë ura komunikimi. Ata kanë patur dhe kanë kodet e tyre të komunikimit dhe mirëkuptimit herë të qarta e të dukshme, herë- herë të mjegullta me simbole nga më të çuditshmet.
Ballkanasit edhe në kulmet e acareve nxitur nga politikat përçarëse, ideologjitë ekstremiste nacionaliste, stinët e shpeshta të përgjakshme që ka shoqëruar historinë e tyre, janë marrë vesh me ca kode që vetëm ata mund t’i kuptonin… Dhe nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Ballkanasit e sertë, por edhe të mençur, herë- herë kapadaij dhe me ca gjeste teatrale në sjellje, gjaknxehtë si ata, por edhe mikpritës trima të çartur dhe herë- herë naivë si fëmijë, të habisin me urat e komunikimit kulturor. Një këngë, valle, melodi, veshje e bukur, fjalë e urtë, legjendë, befas natyrshëm kapërcente kufijtë e një fshati të humbur dhe qindra kilometra më në jug, veri, lindje, perëndim, por edhe më pranë bëhej, pjesë e kulturës shpirtërore të atij vendi… Udhëtarë anonimë që flinin nëpër hane, tregëtarë, që me karvanet e tyre lëviznin lirshëm nëpër trojet ballkanike, barinj që veronin dhe dimëronin nëpër fushat e buta bregdetare apo alpe, rapsodë dhe grupe instrumentistësh ose këngëtarë të njohur, që ftoheshin nëpër dasma etj ishin padyshim këmbë të forta ‘’urash mes kulturave të Ballkanit…”
Kështu ka ndodhur edhe mes shqiptarëve dhe grekëve, që janë popujt më të lashtë të gadishullit, ku në historinë e hershme të tyre ka një substrat të përbashkët gjuhësor dhe kulturor. Kështu ka ndodhur veçanërsisht mes shqiptarëve çamë të Thesprotisë dhe fqinjëve të tyre grekë. Këto dhënie dhe marrje në fushën e kulturës, sidomos asaj shpirtërore, kanë qenë normale dhe të natyrshme.
Çamëria është trualli ku pikafrimet dhe pikëtakimet mes kulturës shqiptare dhe asaj greke janë të prekshme dhe të dallueshme. Të gjendur pranë njëri-tjetrit gjeografikisht, por në disa fshatra dhe qytete çame edhe të përzierë, në fushën e kulturës shpirtërore, por edhe më gjerë, kanë dhënë dhe marrë mes tyre. Ka një të vërtetë të pamohueshme, se duke njohur dhe vlerësuar kulturat e njëri-tjetrit, çamët dhe grekët i kanë respektuar ato. Në këtë kuptim diversiteti kulturor në Çamëri dhe këtu fjalën e kam për kulturën shqiptare çame, që ishte homogjene, por edhe për kulturën e grekërve, vllehëve etj ka qenë një nga pasuritë dhe vlerat e mëdha të saj. Ndasitë fetare nuk ishin pengesë sa kohë që ata respektonin njëri-tjetrin si besim dhe vlerë. Çamët merrnin pjesë jo vetëm në festat fetare të fqinjëve të tyre, por edhe në dasma dhe gëzime të tjera. Përveç sinoreve ndarës pra gjeografisë me vija të përcaktuara ose edhe jo ndarëse, në Ballkan, dhe veçmas në Çamëri, mund të flasim edhe për gjeografi shpirtërore. Kjo e fundit nuk figuron në asnjë traktat apo marrëveshje ndërkombëtare ose ndërshtetërore. Ka patur por ka edhe sot, studiues seriozë grekë, ndonëse shumë të pakët në numër, që kanë vlerësuar kulturën e çamëve, këngët dhe vallet e tyre, veshjet, mënyrën e jetesës dhe banesën në qytet dhe fshat. Bota çame, shpirti i patjetërsueshëm çam ka vulën e vet në kulturën origjinale dhe befasuese të krijuar dhe trashëguar nga brezi në brez. Trashëgimia kulturore në Çamëri në tërësinë e saj është unike dhe pjesë e trashëgimisë kulturore shqiptare. Do të gabonim në qoftë se këtë kulturë do ta veçonim nga ajo e së tërës, pra shqiptare, siç do të gabonim edhe nëse atë do ta quanim një ishull më vete të mbyllur e pa komunikuar me fqinjët e saj grekë. Kultura lëndore, e quajtur ndryshe materiale dhe ajo shpirtërore në Çamëri janë shprehëse e vlerave të një popullsie me histori të lashtë. Ajo bart shtresëzime të hershme të formuara në epoka të ndryshme. Siç janë vënë në dukje nga studiues të ndryshëm, ajo është formuar nga elementë të lashtë parailirë (pellazgë) e pastaj ilirë dhe që u trashëguan në Mesjetën e Hershme. Nuk është e rastit një nga përfundimet e studiuesve gjermanë në librin ‘’Këngët e çamëve’’ (Berlin 1965) se ‘’ky gjurmim muzikologjik dhe tekstologjik dhe botimi i materialit të mbledhur, na tregon qartë se te këngët çame kemi të bëjmë me një shtresë arkaike të muzikës shqiptare.”
Kostumi popullor çam, Faik Konica dhe shformimet greke
Në mungesë të botimeve shkencore nga Greqia fqinje për vlerat dhe marrëdhëniet e kulturës çame me atë greke, por në mungesë edhe të studimeve shqiptare në këtë fushë, do na duhej të zhvendoseshim në kohë dhe hapësirë, pra të riktheheshim dekada më parë, ndoshta edhe më shumë se një shekull, si dhe në trojet e Çamërisë për të analizuar jo mekanizmin e marrëdhënieve mes kulturës çame dhe asaj greke si shpirt dhe lëndë, por mekanizmin e përvetësimit të njëanshëm të kulturës çame prej grekërve, deri në grabitje dhe duke mohuar autorësinë e saj. Këtu jo popujt, por doktrinat nacionaliste greke kanë shembur njërën këmbë ose tërësisht ‘’urën’’ e komunikimit kulturor.
Shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, duke u marrë me këtë temë ka thënë: ‘’Lufta për autorësinë e vlerave artistike zhvillohet prej kohësh në zonën ballkanike, ku ajo është veçanërisht e komplikuar, për shkak të marrëdhënieve kulturore të popujve të Ballkanit gjatë shekujve. Nënshtrati ndërballkanik, i krijuar si rrjedhim i këtyre marrëdhënieve, motivet e përbashkëta të epikës e të legjendës kanë qenë një terren tepër i përshtatshëm për incidente e shkelje kufijsh kulturorë, kacafytjet për përvetësimin e vlerave shpirtërore kanë qenë disa herë jo më pak të egra se kacafytjet e përgjakshme për kufijtë’’.
Popujt e Ballkanit “duke i huazuar njëri- tjetrit motive, tinguj ngjyra dhe teknika poetike, asnjëherë nuk kanë menduar se këto dhënie e marrje të bukura e sublime do të shfrytëzoheshin prej shovinistëve për qëllime të ulëta e krejtësisht të huaja për artin’’.
Do të duheshin studime serioze, mbështetur në argumente shkencore për të trajtuar jo vetëm marrëdhëniet mes kulturës çame e asaj greke, por veçanërisht huazimet reciproke. Gjithashtu do të duheshin edhe fushat, ku grekët fillimisht kanë huazuar, por më pas i kanë shformuar dhe përvetësim kulturën shpirtërore dhe materiale të çamëve. Pikërisht në këto shformime e përvetësime ka vepruar tinëzisht politika e qarqeve ultranacionaliste greke, një mekanizëm djallëzor, duke përbaltur shpirtin sublim të dy popujve në dhëniet e marrjet e bukura në fushën e kulturës.
Do përpiqem të trajtoj përvetësimin dhe shformimin që grekët i kanë bërë kostumit dhe valles çame.
Studiues seriozë, por jo vetëm ata, kanë vlerësuar kostumin popullor të çamëve. Poeti i madh anglez Bajron i mrekulluar nga ky kostum ka dhe një pikturë, ku ka pozuar i veshur me të. Udhëtarë të tjerë europianë, në librat e tyre kanë bërë të njëjtën gjë: kostumin çam e quajnë një nga vlerat e kësaj popullsie dhe asnjë prej tyre nuk vë në dyshim, se ai u përket shqiptarëve të Çamërisë.
Sipas citimit që bën studiuesi i mirënjohur Hajredin Isufi në librin ‘’Çamëria studime historike – sociologjike shek XIII – XX’’ Çajrëll ka qenë në vitin 1880 mes çamëve në fshatin Mazërek dhe jep këtë përshkrim: ‘’Grupet piktoreske të malësorëve, kësulat dhe fustanellat e tyre, bënin kontrast me livadhin e gjelbërt e me armët e tyre të çuditshme, që vezullonin në diell…’’
Edhe konsulli francez në Janinë Pukëvil, që siç dihet nuk kishte ndonjë simpati për shqiptarët, nuk e fsheh entuziazmin dhe vlerësimin për kostumin e çamëve:: ‘’Udhëtari që do të shikojë ata çamë që do të kenë shpëtuar nga sundimi feudal i sovranit të Janinës dhe nga rënia e mortajës, do të njohë me vështirësi ata burra të bukur me ato qëndisma të bukura lara- lara të veshur me kostume të shkëlqyer dhe të ngarkuar me ar të çmueshëm, që ngjasin sikur të ishin një koloni ushtarësh të Pirros të pasur me plaçka të Trojës, që kanë zbarkuar sërish në Epir.’’.Edhe historiani grek Spiro Mela (sipas citimit që i bën Hajredin Isufi) shkruan për ‘’çamët me rrobat e tyre elegante e luksoze, këmisha të bardha të gjata, të qëndisur anash me ar.’’
Kur është huazuar kostumi popullor i çamëve nga grekët? Është një pyetje, përgjigja e së cilës do të kërkonte hulumtime serioze.
Në qoftë se do t’i riktheheshim kontakteve, por edhe fqinjësisë mes çamëve e grekërve, dhënieve e marrjeve reciproke në fushën e kulturës, kur popujt tanë nuk vuanin nga komplekse dhe ishin normale që në gëzime, veçanërisht në dasma, të ftoheshin apo të mernin pjesë në pazare, që organizoheshin në Prevezë, Paramithi etj e që sot quhen panaire, duhet të ketë qenë i hershëm huazimi i kostumit çam. Jam i bindur se në këto periudha grekët fqinjë të çamëve admironin fustanellën palë- palë, jelekët e qëndisur dhe mëngoret që vareshin, festet e gjata me majë, këpucët me xhufka, levendërinë në të kërcyer të çamëve….
Faik Konica, një nga shkrimtarët dhe kulturologët e mëdhenj shqiptar, përmend shek XIV, kur kostumi shqiptar ‘’ka hyrë ndër grekët, kur shqiptarët nën Bua Shpatën sulmuan dhe nënshtruan Greqinë’’. Po Faik Konica, duke u marrë me këtë problem, shkruan: ‘’Shumë më vonë, nga fundi i shekullit të tetëmbëdhjetë, greku praktik e pa se ishte në të mirën e vet që ta pranonte veshjen shqiptare në disa rrethana dhe për disa arsye, që i kanë paraqitur disa autorë’’.
Koloneli Lik në ditarin e udhëtimeve të tij nëpër More, më datën 28 mars 1805, shënon: ‘’Veshja shqiptare po bëhet përditë e më e zakonshme si në More, edhe në pjesën tjetër të Greqisë…. Kjo veshje është më e lehtë dhe më e volitshme se ajo turke ose greke’’. Ndërsa admirali Zhyrjen dë la Gravjerë shkruan: “Shqiptarët përbëjnë një racë të veçantë në Evropë…Veshja shqiptare u bë e modës dhe osmanët më fodullë e mbanin me krenari fustanellën e bardhë të shqiptarëve të jugut. Vetë grekët, kur djali i dytë i Aliut, Veli pasha, qeveriste Morenë, e morën këtë veshje si simbol të trimërisë dhe e bënë uniformën elegante të palikarëve.’’Faik Konica gjithashtu, duke ju referuar të huajve, citon edhe G. Finlay, i cili në librin ‘’A history of Greece’’ ka shkruar: “Ka qenë fama e shqiptarëve që i ka detyruar grekët e sotëm të pranonin fustanellën shqiptare si kostumin e tyre kombëtar. Është pasojë e këtij adhurimi për shqiptarësinë, që oborri i mbretit Oto merr pamjen e vet melodramatike dhe shkëlqen me një imitim të shtirë e verbues të veshjes së ndritur e të pasur, që ka tërhequr vëmendjen e Çajld Haroldit në galeritë e pallatit të Tepelenës, por fustanella prej basmeje u varet rreth këmbëve grekërve si fund grash prej letre, ndërsa fustanella e bardhë e toskëve, e përbërë nga cohë e fortë e endur në vegjën vendëse, bie me pala të hijshme si cohët e lashtësisë’’.
Nuk ka nevojë për shumë koment për të arritur në konkluzionin që siç shprehet Konica,’i ashtuquajturi kostum modern ‘’grek’’ në të vërtetë është një imitim i poshtër i kostumit shqiptar’’ dhe se në shformimin grek të veshjes shqiptare ka një element të palaçove, që i bën shumë shqiptarë të qeshin, ndonëse të tjerët janë të pakënaqur e të zemëruar. Faik Konica është i pari që vë në dukje dallimet kryesore ndërmjet veshjes së mirëfilltë shqiptare dhe karikaturës greke. Xhaketa në veshjen shqiptare ka një të çarë të lirë te mëngët, për të lënë të kalojë krahu, ndërsa mngët të qepura vetëm në pjesën e sipërme të supeve hidhen prapa. Ato edhe mund të përdoren, por përgjithësisht nuk u futen krahët. Ndërsa grekët, nënvizon Konica, gjithmonë i fusin duart dhe nuk e kanë vënë re ose nuk e kanë kuptuar këtë tipar, që nga koha e mbretërimit të mbretëreshës Elizabeta ka tërhequr vëmendjen e një poeti të madh anglez. Edmond Spenser flet për mëngët, që u vareshin si të shqiptarëve. Është me interes të nënvizojmë se në këtë shformim nuk ka shpëtuar as fustanella, që përbën elementin kryesor të kostumit çam. Sipas Konicës, në veshjen origjinale shqiptare, fustani ka një numër të vogël palësh, zakonisht gjashtëdhjetë. Veç kësaj ai bëhet me pëlhurë liri të rëndë, të endur në shtëpi dhe është mjaft i gjatë sa mbulon tërësisht kofshët dhe le të pambuluara vetëm pulpat. Burrat më të vjetër e mbajnë fundin tetë deri dhjetë centimetra nën gju. Sipas Likut por edhe autorëve të tjerë, përshtypja e përgjithshme që krijon fustanella shqiptare është ajo e cohëve të lashtësisë. Si e kanë shformuar fustanellën shqiptare grekët? Ky shformim ka prekur jo vetëm gjatësinë, numrin e palëve, por edhe cohen. Ata ‘’kanë shtuar palat e fustanit nga gjashtëdhjetë në rreth dyqind ose më shumë; në fillim ata kanë ruajtur gjatësinë e rregullt të fustanit, por meqë nuk ishin të zotët ta mbanin në vend rreth këmbëve, nisën ta shkurtonin gjithnjë e më shumë, derisa sot ka arritur një shkurtësi të pahijshme dhe ata përdornin një pëlhurë të lehtë pambuku. Në fakt ata e kanë rrëgjuar fustanin në një fund të lirë baleti e në tërësi ai të jep përshtypjen e diçkaje të neveritshme, që nuk u shkon burrave.’’.
Vallja çame dhe ‘’Çamiko’’ e kërcyer nga grekët.
Ndryshe ka ndodhur me vallen çame. Grekët deri më sot kanë njohur çamët si krijues dhe bartës të valles. Në të gjitha grupet foklorike jo vetëm të trevës së Çamërisë së sotme, por edhe ato greke apo ansamblet, programet televizive, shfaqjet kulturore brenda e jashtë Greqisë, ajo quhet vallja ‘’çamiko’’ ose thënë ndryshe ‘’vallja e çamëve’’. Unë kam patur rastin në vitet ’70 e më vonë të shekullit që lamë pas, të shoh disa ansamble greke që kanë dhënë shfaqje në Tiranë, Durrës e gjetkë. Jam mrekulluar nga niveli i lartë dhe muzika moderne greke si dhe këngëtarët e mëdhenj Marinela Mariza Koh Janis Parios etj. Gjithashtu jam mrekulluar edhe nga traditat folklorike të krahinave të ndryshme të Greqisë fqinje. Emocione të veçanta kam ndjerë kur kam parë në skenë valltaret virtuozë grekë, që interpretonin vallen çamiko. Ato ishin djem të rinj shumë të talentuar, që e kërcenin me shpirt këtë valle.
E megjithatë, kur kam dalë nga këto shfaqje më janë kujtuar shumë valltarë çamë, që unë i kisha parë në dasmat çame. Atëherë isha i ri dhe në qytetin e vogël të Rrogozhinës, ku jetonte një numër jo i vogël çamësh kisha parë disa valltarë virtuozë. Nuk do të harroj kurrë Shaban Osmanin nga Salica. Ai ishte një burrë i gjatë shumë elegant, që atëherë më dukej një njeri kockalli. I thatë, me një fytyrë të mprehtë, kërcinj të gjatë me një mirësi të spikatur në tërë qenien e tij Shaban Osmani ishte një nga mjeshtrat e mëdhenj të valles çame. Mbaj mend se ai nuk dilte menjeherë në valle. Sheshi ishte bosh i rrethuar vetëm nga burra dhe orkestrën ulur në krye. I pari çohej në këmbë klarinetisti. Ai quhej Karaman dhe vinte nga Tirana . Karamani ishte i njohur që në Çamëri dhe thonin se për të klarineta ishte e shenjtë…
Pas Karamanit ngriheshin në këmbë violinisti dhe ai që i binte defit. Karamani ja niste melodisë së valles… Asnjë nuk pipëtinte. Burrat ndërprisnin muhabetin dhe ata që pinin cigare i shuanin ato…. Vështrimet e syve të trishtuar e plot mall të çamëve, ishin drejtuar nga Karamani. … Atje kam parë pleq që vinin duartt në dy anët e kokës e disa të tjerë që shihnin herë sheshin bosh e herë- herë qiellin. Ndoshta nga qielli prisnin të vinte vallja çame. Sepse vallja çame kishte shumë nga qielli, siç kishte shumë edhe nga toka… Kalonin kështu një, dy minuta… Karamani ulte e ngrinte klarinetën. Dukej sikur thërriste shpirtërat e valles çame ose më saktë shpirtin e valles çame… Dhe ai vinte në minutin e tretë, krejt befasisht, sikur kishte rënë nga qielli ose dalë nga thellësia e tokës. Nuk ishte Shaban Osmani që njihja unë, dhe që e takoja thuajse çdo ditë. Ishte Shaban Osmani i valles çame, që ulej e ngrihej me një lehtësi të habitshme nga toka, shtrihej për t’u ngritur prap në ajër… Shaban Osmani ishte edhe ëndërr edhe qiell, edhe ditë, edhe natë, edhe lot edhe gëzim. Shaban Osmani ishte triumfi i njeriut çam krenaria dhe levendëria e Çamërisë, sakrifica sublime, tallaz dhe dehje në beteja….
….Kur kam lexuar librin e Aristidh Kolës “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve’’, valltarët e talentuar të ansableve greke që i kisha parë duke kërcyer vallen çamiko m’u dukën si hije të zbehta dhe vallja jonë e bukur tërësisht e shformuar prej tyre. Atëherë m’u kujtua Shaban Osmani nga Salica e Çamërisë, mjeshtëria dhe virtuoziteti i kërcimit të tij. Aristidh Kola, ashtu si Faik Konica më parë, që publikisht denoncoi përvetësimin dhe shformimin e kostumit shqiptar çam, në librin e tij ka argumentuar nga njëra anë madhështinë e papërsëritshme të valles çame dhe nga ana tjetër shtrembërimin dhe deformimin e saj nga grekët. Studiuesi i mirënjiohur arvanitas qartësisht jep thelbin e valles çame, si një valle që pasqyron shpirtin shqiptar… Ajo, sipas Aristidh Kolës, ka levenderi, krenari, bukuri në lëvizje, të cilat vënë në dukje dhe virtytet e mësipërme. Nuk është valle erotike. Por gjithashtu nuk është as luftarake, as e ndjenjës. Vallja çame është valle triumfale. Diçka që bën të dyshoj nëse mund të ketë të dytë në botë, nënvizon Kola. Vallja çame përmbledh me lëvizjet bukurinë, levenderinë, burrërinë dhe krenarinë e kërcimtarit të parë. Sepse duhet theksuar këtu se vallen çame nuk e kërcejnë të gjithë por vetëm kërcimtari i parë. I dyti ‘’e mban mirë’’ dhe është me të vërtetë e vështirë të ‘’mbash drejt’’ dhe mirë kërcimtarin e parë e të zotë me figurat e mrekullueshme dhe kërcimet, ndërkohë që të tjerët ndjekin nga pas, duke marrë pjesë mendërisht dhe shpirtërisht, duke u krenuar dhe duke i dhënë figurën e plotë asaj, që përpiqet të shprehë i pari me lëvizjet dhe figurat e tij.
Ç’ka ndodhur me vallen e famshme çame në Greqi? A është ruajtur origjinaliteti i saj në kërcim? Përveç emrit ‘’çamiko” që grekët çuditëriht nuk e kanë ndryshuar, të tjerat janë të shformuara. Valltarët e rinj e të talentuar grekë përveç lëvizjeve prej atletësh dhe figurave që krijojnë gjatë kërcimit të kësaj valleje, nuk japin asgjë më tepër se kaq. Ky nuk është faji i tyre, por i koreografëve. ‘Çamikos’’ greke i mungon kryesorja:shpirti shqiptar çam dhe bukuria, levendëria, burrëria, dhe krenaria, që karakterizon popullsinë çame. Studiuesi Aristidh Kola me të drejtë konkludon: “Ata njerëz që kanë marrë në duar vallen çame që prej disa kohësh, me sa duket qartësisht as arbëreshë nuk janë dhe as idenë s’ia kanë se ç’lloj valleje është vallja çame dhe nga cili popull është krijuar. Kështu na paraqesin një lloj valleje çame që po jua them haptazi, kur e shohin arvanitasit nisin e qeshin. E quajnë “Shkollore’’, sepse mësuesit që dërgoheshin nëpër fshatrat arbëreshe pa ditur gjë prej gjëje rreth saj, përpiqeshin t’ua mësonin vallen çame popullit që e krijoi atë, duke e bërë kështu imitimin mjaft qesharak”.
Ndryshe ndodh me vallet çame të kërcyera edhe sot nga çamët e krishterë, apo vllehët, ose grekët, kur popullsia myslimane e krahinës së Çamërisë nuk është më atje, e shpërngulur dhunshëm në vitet 1944-45, nga bandat zerviste. Kur I shoh këto valle më duket se atje është shpirti i vërtetë i valles, shpirti i vërtetë i Çamërisë. Gjej rastin t’I përshëndes vëllezërit e mi të krishterë në Çamëri, që vazhdojnë të ruajnë të patjetëtsueshme karakterin e kësaj valleje të mrekullueshme.
Urat e reja të shpirtit ballkanik
Shumë vite më parë, kur shekulli që lamë pas po rrokullisej drejt fundit të tij, pata fatin të marr pjesë në një festival ballkanik që organizohej në Ankara. Ishte maj dhe nuk do të harroj kurrë qiellin e Ankarasë, erërat e ngrohta, tingëllimin poetik të gjuhës turke, por veçanërisht atmosferën e krijuar në kryeqytetin e Turqisë nga shfaqjet e grupeve folklorike, ardhur nga gjithë vendet e Ballkanit. Ndryshe nga acaret, makthet, sherrnajat e pafund, luftërat e përgjakshme që kishin ndodhur në Ballkanin tonë gjatë shekullit që po rrokullisej ankthshëm e me përtim, në Ankara, gadishulli tragjik nëpërmjet melodive, këngëve, valleve, larmisë së kostumeve, sillte shumë nga shpirti i tij. Ndihej, siç shkruan shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare “nënshtrati ndërballkanik’’ si dhe motivet e përbashkëta. Urat e komunikimit që risillnin popujt e Ballkanit në këtë festival ishin të lashta sa vetë ata, solide dhe ndryshe nga baladat e tyre, që prisheshin natën për t’u rindërtuar ditën… Ishte maji i vitit 1991. Shqipëria ime përpiqej të largonte përgjithmonë mantelin e përgjakur komunist, ndërsa Ballkani në veri të tij, ishte në prag të gjakderdhjes së tij të fundit… Kanë kaluar gati 20 vite që nga festivali Ballkanik i Ankarasë dhe gadishulli ynë mitik ndodhet në proceset e evropianizimit ose thënë ndryshe, po punon për të ringritur urat e komunikimit të shumanshëm. Në Jug të tij, shqiptarët dhe grekët popujt më të moçëm të Ballkanit, gjithashtu janë në këtë proces rindërtimi urash, pavarësisht fantazmave të fundit që ringrihen nga varret e idelogjive përçarëse. Çamët e shpërngulur me dhunë nga bandat kriminele greke të Napolon Zervës në vitet 1944-1945, kërkojnë të rivendosin ura komunikimi shpirtëror me vëllezëri e tyre të një gjaku, çamët e krishterë, vllehët dhe grekët, që jetojnë në Çamërinë e sotme. Jo vetëm kaq. Ata janë për ura komunikimi edhe me grekët, sepse çamët e grekët, pavarësisht nga e kaluara e tyre e hidhur, kanë ditur që në fushën e kulturës të marrin dhe japin me njëri- tjetrin.
Çamëria ime mitike kërkon rikthimin në trojet e saj të shpirtit çam: baladave, këngëve, kostumeve popullore, valleve, rikthimin e miqësive të vjetra jo vetëm me vëllezërit e saj të krishterë, por edhe me grekët, vllehët etj.
Ballkani ka nevojë për ura të reja komunikimi mes kulturave të tij nga më befasueset jo vetëm të gadishullit, por edhe në rrafshin europian.
Marrë nga ExLibris
Lajmet me interesante
-
HOROSKOPI E MËRKURË 9 TETOR 2024
October 9, 2024
-
Fjalë shpirti dhe zemre për mësuesin tim Sabri Raçi- Nga Arif Ejupi
October 10, 2024
-
Publicistika e Ernest Koliqit si fitore e historisë së tij intelektuale- Nga Ardian Ndreca
October 5, 2024
-
Në Athinë më 8 tetor – Lulja e Vlorës në greqisht – e pranishme edhe autorja Dr. Anna Kohen
-
POROSIA E ZARFIT TË ZBRAZËT- Nga Ramadan Musliu
October 8, 2024
-
KRONIKA E NJË ÇMIMI, CAMAIORE 2024, FITUES VISAR ZHITI. Përgatiti Eda Agaj Zh.
Lajmet e fundit
-
Publikohen formacionet Çeki-Shqipëri, ja si i rreshton Silvinjo kuqezinjtë në transfertën e Pragës
By voal.ch | October 11, 2024
-
BE-ja miraton agjendat e reformave të Kosovës dhe katër shteteve tjera për Planin e Rritjes
By voal.ch |
-
Artikull i rremë ‘Zelensky ble makinën e Hitlerit’
By voal.ch |
-
Kasanof: Duhet partneritet më efektiv me Kosovën
By voal.ch |
-
‘The Guardian’: Hapen qendrat italiane të migracionit në Shqipëri, precedent i rrezikshëm në BE
By voal.ch |
-
Gjykata e Bosnjës pezullon modulin shkollor që paraqet si heronj të dënuarit për krime lufte
By voal.ch |
Komentet