VOAL

VOAL

VOA- Arrestimet në Uzinën ushtarake, Peleshi: Ka arsye të dyshojmë për spiunazh

August 21, 2022

Komentet

Skema e vjedhjes 700 mijë euro në Postën e Durrësit, del edhe emri i deputetes së Ramës! Dosja shkon në SPAK

Nga Elton Qyno – Syri.net

Dalja e emrit të ish-drejtoreshës së postës së Durrësit, Etleva Budini, sot deputete e Partisë Socialiste, ka çuar prokurorinë e Durrësit, në shpalljen e moskopetencës lëndore të hetimit të skandalit të vjedhjes së mbi 700 mijë euro në postën e qytetit bregdetar.

Vendimi për shpalljen e moskopetencës është marë nga prokurori, Gazmend Frëngu, i cili gjatë hetimeve të kryera ka konstatuar se zyrtarët e postës, kanë funksionuar si grup i strukturuar kriminal, ku ka dyshime të arsyeshme se është përfshirë dhe deputetja e PS, Etleva Budini.

Kjo e fundit para se të behej deputete e Kuvendit të Shqipërisë, ka mbajtur detyrën e Drejtoreshës së Postës në Durrës.

Gazetari Elton Qyno ka mësuar se hetimi i kryer nga prokurori Frëngu, ka çuar në dyshime të forta se vjedhjet e parave të pensionistëve janë kryer edhe gjatë kohës kur posta drejtohej nga Etleva Budini.

Të implikuar në këtë skemë, dyshohet të jenë dhe njerëz të jashtëm të postës së Durrës, të lidhur ngushtë me një grup kriminal në zonën e Sukthit.

Ndërkohë aktualisht për këtë çështje, nën hetim janë vënë dhe arrestuar ish-drejtoresha e filialit, Elisabeta Mataj, ish-shefja e financës, Valbona Duni, si dhe arkëtarja Paola Dana.

Tashmë dosja do të shqyrtohet nga SPAK, për shkak të dyshimeve mbi përfshirjen e një grupi të strukturuar kriminal dhe të personave të tjerë që sot gëzojnë imunitet parlamentar, siç është rasti i deputetes Etleva Budini.

Budini, ka shërbyer si Drejtore e Filialit të Postës Shqiptare në Durrës deri në mars të vitit 2025.

“Skandal në Spitalin Onkologjik”, Osman Stafa: Pacientët me kancer kthehen në shtëpi për mungesë fijesh kirurgjikale

Një denoncim i rëndë ka nxjerrë në pah një tjetër situatë alarmante në sistemin shëndetësor publik, konkretisht në Spitalin Onkologjik. Gazetari Osman Stafa ka bërë publike një histori ku pacientë me tumore, të cilët kishin muaj që prisnin për t’i nënshtruar ndërhyrjeve kirurgjikale jetike, janë kthyer mbrapsht nga spitali me arsyetimin se mungojnë mjetet bazike, konkretisht fije për qepjen e plagëve pas operacionit.

“Ky është një skandal i madh i cili po ndodh në spitalin onkologjik. Pacientët të cilët kanë tumore në trupin e tyre do duhet t’i nënshtrohen ndërhyrjeve kirurgjikale, presin me muaj të tërë derisa vjen data. Dhe kur vjen dita e operacionit vijnë pacientët në spital dhe këtu u thonë se nuk kanë penj për të qepur plagët. Nuk kanë penj për të mbyllur plagën dhe për këtë arsye do duhet të ktheheni përsëri në shtëpi dhe kur të vijnë penjtë, ne do ju marrim në telefon për të bërë operacionin.”

“Po çfarë shaka është kjo? A është tallje kjo? Po si mundet një shtet i cili pretendon të hyjë në Bashkimin Europian dhe i cili paguan koncertin e Keni Westit, i cili paguan kopshtin Eden… nuk ka para për të blerë penj që pacientët të qepen pas ndërhyrjes kirurgjikale? A është shaka kjo? Po këta pacientë nuk mund të presin. Në qoftë se këta presin, tumori në trupin e tyre avancon, krijon metastaza, është urgjente ndërhyrja te këta pacientë, ndërhyrja kirurgjikale”, u shpreh Stafa.

(Telefonata me familjaren e pacientes)

Osman Stafa: “Alo. Përshëndetje, si jeni? Mirë jeni ju? Osman Stafa jam, më keni lënë numrin e telefonit aty dhe ju mora për t’ju pyetur në lidhje me mesazhin që më keni dërguar. Si është e vërteta?”

Qytetarja: “Po, kemi qenë planifikuar përpara për 2 muajsh për nënën, që duhet të operoheshim para disa ditësh. Dhe kur shkojmë atje, me të gjithë dokumentacionin e plotësuar, edhe këto na thanë që nuk kanë mjete të duhura në sallën e operacionit. Edhe na kthyen mbrapa. Ishin disa pacientë jo vetëm neve, kështu që janë kthyer të gjithë mbrapa për mungesë pajisjesh në sallë operacioni.”

Osman Stafa: “Konkretisht çfarë? Ju thanë gjë?”

Qytetarja: “Me çfarë biseduam edhe me mjekun edhe këto, na thanë që nuk ka fije për të qepur plagën.”

Osman Stafa: “Pra nuk ka penjë për të qepur plagën?”

Qytetarja: “Po.”

Osman Stafa: “Pra ka tumor në trupin e saj, nëna?”

Qytetarja: “Po.”

Osman Stafa: “Po si do ja bëni tani?”

Qytetarja: “Nuk e di, nuk e di se çfarë si do veprojmë, sepse duke qenë se atë ditë u anuluan disa operacione… në vazhdim i bie që do të zgjaten goxha shumë.”

Osman Stafa: “Si ndihesh ti teksa besoj e ke dëgjuar që qeveria shqiptare ka dhënë para për kopshtin Eden, ka dhënë para për koncertin e Keni West dhe nuk ka para për çështje që lidhen me shëndetin e njeriut dhe konkretisht për penj?”

Qytetarja: “Gjëja më absurde që mund të… me një fjalë, edhe pastaj pyesin veten pse largohen njerëzit nga Shqipëria, duke mos pasur gjë më minimale… atëherë çfarë presin të qëndrojmë këtu?”

Osman Stafa: “Unë të falenderoj shumë dhe uroj që me anë të këtij denoncimi penjtë të vijnë, dhe faleminderit që ma besove mua denoncimin tënd.”

Qytetarja: “Faleminderit dhe juve që jeni zëri jonë për çdo gjë, sepse kështu si kanë shkuar gjërat vetëm juve mund të… vetëm zëri juaj mund të.”

Osman Stafa:
“Nuk ka penj, penj për të qepur plagët. Kjo është çmenduria më e madhe që mund të kem dëgjuar sa i takon ndalimit të operacioneve për të sëmurët që vuajnë nga kanceri. Nuk e di, por kjo është çmenduri.” bw

Nga sheshi i protestës në alternativë politike, a do ta ndjekë Shqipëria modelin serb?

Një person duke valëvitur një flamur të Shqipërisë gjatë protestës antiqeveritare të 24 tetorit 2026 në Tiranë.

 

Jetmira Delia-Kaci

Prej afro gjashtë muajsh, protestuesit në Tiranë kërkojnë largimin e kryeministrit Edi Rama. Sipas aktivistëve dhe analistëve, vazhdimësia e protestës ka ushtruar presion si mbi qeverinë, ashtu edhe mbi opozitën.

Protesta nisi në maj si një lëvizje qytetare, e njohur si “Revolucioni Flamingo”. Fillimisht, qytetarët dolën në rrugë për të kundërshtuar projektin turistik në Zvërnec të Vlorës, të lidhur me Jared Kushner. Në fillim të tetorit, protestës iu bashkuan studentët dhe më pas pedagogët. Me zgjerimin e saj, grupe të ndryshme qytetare shprehën edhe pakënaqësi të grumbulluara ndër vite me qeverisjen e kryeministrit Rama.

Që në ditët e para të protestës është diskutuar mundësia që prej saj të dalë një alternativë politike. Megjithatë, deri më tani nuk është ndërmarrë ndonjë hap konkret në këtë drejtim.

Protestuesit thonë se kanë ndjekur nga afër lëvizje të ngjashme në Serbi dhe në vende të tjera. Ata vënë në dukje ngjashmëritë dhe dallimet me këto lëvizje, si edhe vështirësitë që mund të ndikojnë në vijimësinë e protestës në Shqipëri dhe në atë që ajo mund të arrijë.

Çfarë shohin protestuesit në Tiranë te përvoja serbe?

Zhaklinë Lekatari, aktiviste për të drejtat e njeriut, është në protestë që prej ditës së parë. Ajo thotë për Radion Evropa e Lirë se protestuesit kanë ndjekur me vëmendje mënyrën se si janë organizuar protestat e studentëve në Serbi: taktikat e bllokimit të rrugëve, format e vetëmbrojtjes, mënyrat e përcjelljes së mesazheve dhe strategjitë për të nxitur pjesëmarrje më të gjerë.

Por sipas Lektarit, interesi për modelin e Serbisë u shtua pas organizimit politik të studentëve në Serbi në Listën Studentore dhe përpjekjeve të tyre për të ndërtuar një alternativë të re politike.

Lista Studentore fitoi zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit, duke i dhënë fund pushtetit 14-vjeçar të Partisë Përparimtare Serbe (SNS), të udhëhequr nga Aleksandar Vuçiq.

“U shtua vëmendja për të huazuar këtë lloj modeli të ri politik”, thotë Lektari duke nënvizuar se emëruesi i tyre i përbashkët i grupimit të studentëve serbë ishte protesta kundër korrupsionit.

“E njëjta gjë vlen edhe për Shqipërinë, edhe këtu korrupsioni është emëruesi i përbashkët që ka bërë kaq shumë grupe interesi ideologjikisht kundër njëri-tjetrit dhe në opozitë me njëri-tjetrin, të qëndrojnë së bashku në shesh për pothuajse gjashtë muaj” thotë Lektari për REL.

Ajo thotë se me të njëjtin interes është ndjekur edhe zhvillimi i situatës në Serbi pas protestave, përfshirë hetimet dhe arrestimet e zyrtarëve.

Sipas aktivistes, përvoja serbe duhet të shërbejë edhe si pikë referimi për organizimin e forumeve dhe ndërtimin e një strukture politike horizontale, në vend të një organizimi vertikal, ku vendimmarrja përqendrohet te drejtuesit. Ajo vlerëson veçanërisht përfshirjen e fakulteteve, pedagogëve dhe intelektualëve në procesin e artikulimit të një alternative të re politike.

Ngjashmëritë mes situatës politike dhe protestave në Shqipëri dhe në Serbi i evidenton edhe Ben Andoni, analist.

“E përbashkëta e situatës politike mes Shqipërisë dhe Serbisë lidhet me pushtetin e pamatë që ndërtoi Vuçiç me njerëzit e tij; kurse Rama me sistemin e ndërtuar klientelist, duke dhënë favore për një pjesë individësh dhe duke lënë pa shpresë shqiptarët e klasës së mesme dhe atë të varfër”, thotë Andoni.

Ai i referohet edhe të dhënave të Institutit të Statistikave, sipas të cilave rreth 40% e popullsisë në Shqipëri është në rrezik varfërie ose përjashtimi social, një tregues që, sipas tij, dëshmon thellësinë e problemeve sociale dhe ekonomike.

Kush mund ta çojë përpara protestën në Shqipëri?

Pavarësisht pikave të përbashkëta, protestuesit dhe analistët evidentojnë edhe dallime e vështirësi që mund të ndikojnë në vijimësinë dhe rezultatet e protestës në Shqipëri.

Lekatari mendon se protestës shqiptare i mungon një vizion politik, i cili duhet të artikulohet përtej kërkesës për largimin e qeverisë Rama.

“Ne kemi një zemërim dhe një frustrim shumë të madh, që më në fund arritëm ta kanalizonim në një veprim apo lëvizje politike. Por, në momentin që ti kritikon pushtetin, të cilin po kërkon që të largohet, pas protestave masive duhet të vijë patjetër faza e dytë, që është artikulimi i vizionit politik, verbalizimi i “Shqipërisë së re”, thotë ajo për REL.

Andoni e sheh dallimin kryesor te shkalla e organizimit dhe pjekuria e protestave.

“Ajo në Beograd dhe Novi Sad u kthye në Lëvizje dhe kulmoi me një Listë, e cila mori fitoren ndaj partisë në fuqi SNS në Serbi. Kurse kjo në Shqipëri është ende në muajt e parë dhe sfida është të vazhdojë, por që ende nuk ka premisa të bëhet Lëvizje”, thotë Andoni.

Sipas tij, ndërsa në Serbi lëvizjen politike të dalë nga protestat e morën përsipër plenumet politike (organizime të brendshme të fakulteteve), “në Shqipëri studentët po kthehen në garniturë, sepse peshën kryesore po e marrin anarkia dhe opozita”, thotë Andoni për REL.

Jurgen Shpërdhea, student në vitin e dytë të masterit, mendon se protestuesit në Shqipëri duhet ta ndjekin modelin e njëjtë meqë janë lëvizjet studentore ato që duhet ta çojnë përpara energjinë e protestës dhe të punojnë për krijimin e një force të re politike.

Sipas tij, hapi i radhës duhet të jetë mobilizimi nëpër fakultete dhe propozimi i emrave të ekspertëve e personave që nuk kanë qenë pjesë e politikës së vjetër dhe që studentët do të dëshironin t’i kishin si përfaqësues.

“Do të jetë e vështirë. Është një proces që duhet të shkojë në çdo fakultet, për të folur me studentët dhe për të diskutuar emrat që mund të përzgjidhen si kandidatë”, thotë ai për REL.

Ai kundërshton publikimin e emrave të mundshëm përmes rrjeteve sociale, ku ditët e fundit janë shfaqur lista dhe sondazhe për persona që mund të përfaqësojnë një alternativë të re politike.

“Emrat kurrsesi nuk duhet të dalin në mediat sociale, por në auditore. Aty duhet të diskutohen emra të papërlyer me politikën e vjetër”, thotë ai.

Nga ana tjetër, Lekatari vëren se protesta nuk ka pasur që prej fillimit mbështetjen e duhur nga intelektualët e pavarur, të cilët nuk janë të lidhur me dy partitë kryesore, Partinë Socialiste të Ramës dhe Partinë Demokratike të Sali Berishës.

“Ky ka qenë problemi më i madh së bashku me mungesën e një strukture institucionale studentore, që të mos organizohet nga studentët nga jashtë, por nga brenda, me pedagogë të cilët janë intelektualë vërtetë dhe e vënë në diskutim pushtetin dhe e thonë edhe në publik”, thotë Lekatari.

Më 20 tetor, protestës në Tiranë iu bashkuan edhe pedagogët. Megjithatë, ky zhvillim u shoqërua me debate dhe akuza mes grupimeve të ndryshme pjesëmarrëse.

Përfshirja e tyre u vu në pikëpyetje edhe për shkak të lidhjeve apo afërsive politike që u atribuoheshin disa prej pedagogëve, të cilat ngritën pikëpyetje mbi paanshmërinë e këtij angazhimi. Disa prej protestuesve shprehën shqetësimin se kjo përfshirje mund të sillte përçarje dhe të zhvendoste vëmendjen nga kërkesat e përbashkëta qytetare drejt interesave dhe qëndrimeve specifike të grupeve të veçanta.

Lekatari thotë se ky zhvillim pati pasoja edhe në raportet e besimit brenda protestës.

“Me hyrjen e pedagogëve, eskalimi i protestës, dhuna u zhbë, por bashkë me të edhe besimi. Mendoj që një ndër asetet më të mëdha me të cilat bota punon sot është pikërisht besimi”, thotë ajo.

Ndërkohë, ditët e fundit, PD ka organizuar tubime të veçanta, duke iu bashkuar më pas protestës së studentëve. Një pjesë e studentëve kanë këmbëngulur në ruajtjen e karakterit të pavarur të protestës së tyre, duke kundërshtuar përfshirjen dhe identifikimin e saj me aksionin politik të demokratëve.

Kodi Zgjedhor ‘rrethi vicioz i protestës’

Që në fillimet e saj protesta ka artikuluar pesë kërkesa. E para dhe kryesorja është dorëheqja e kryeministrit Rama. Gjithashtu u kërkua krijimi i një qeveri teknike tranzitore dhe jopartiake, ndryshime kushtetuese që të prekin edhe Kodin Zgjedhor, anulim të disa ligjeve, mes të cilëve dhe atë për zonat e mbrojtura si dhe një kontratë të re sociale mes qytetarëve dhe shtetit.

Andoni thotë se ndryshimet që kërkohen kalojnë domosdoshmërisht përmes Parlamentit dhe, në thelb, varen nga dy partitë kryesore politike.

“Janë ato që duhet të ndryshojnë sistemin zgjedhor, duke iniciuar ndryshimet reale. Edhe qeveria teknike që kërkohet, nuk mund të bëhet pa e shpallur Parlamenti”, thotë Andoni duke shtuar se ‘thembra e Akilit’ është marrëveshja për ndryshimet kushtetuese zgjedhore të vitit 2008.

Në vitin 2008, me një marrëveshje politike të arritur mes kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha dhe liderit të opozitës të asaj kohe, Edi Rama, u krye një reformë kushtetuese dhe zgjedhore. Ndryshimi kryesor ishte kalimi nga sistemi zgjedhor miks në sistemin proporcional rajonal, me lista kandidatësh të përcaktuara nga partitë politike.

Reforma u dha kryetarëve të partive më shumë kontroll mbi përzgjedhjen e deputetëve dhe favorizoi dy partitë e mëdha në dëm të forcave më të vogla politike. Marrëveshja u kundërshtua nga partitë e vogla, të cilat pretenduan se ishin përjashtuar nga procesi i negociimit dhe se ndryshimet cenonin pluralizmin politik.

“Dhe ky është domeni që e krijon ‘rrethin vicioz’ në vend”, thotë Andoni.

Edhe Shpërdhea e konsideron Kodin Zgjedhor një nga problemet kryesore që duhet të trajtohen, nëse synohet krijimi i kushteve për një garë të barabartë politike.

“Me këtë Kod është e sigurt se këdo që të ketë përballë, partia në pushtet i fiton zgjedhjet. Ne ndaj po kërkojmë jo vetëm dorëheqjen e Ramës dhe të qeverisë së tij, por edhe një qeveri teknike, e cila duhet të garantojë këto ndryshime dhe rregulla të barabarta loje për një garë të drejtë”, thotë ai.

Andoni mendon se energjia e protestës duhet të kanalizohet drejt objektivave që mund të arrihen, për të shmangur konsumimin e saj në kërkesa që nuk kanë një rrugë të qartë realizimi, siç është edhe dorëheqja e Ramës.

Sipas tij, protestuesit duhet të qartësojnë mes tyre objektivat dhe strategjinë, si dhe të kalojnë gradualisht nga një organizim horizontal në një strukturë më të përcaktuar përfaqësimi. Kjo, sipas tij, do ta bënte lëvizjen më të organizuar, më institucionale dhe më të aftë për t’u përballur politikisht me qeverinë Rama.

Megjithatë, për Shpërdhean, mungesa e përfaqësuesve të përcaktuar është një nga zgjedhjet më të rëndësishme të protestës deri tani.

Ai argumenton se, nëse protesta do të kishte pasur përfaqësues zyrtarë, kërkesa e kryeministrit Rama për dialog mund të kishte çuar në negociata dhe, për pasojë, në shuarjen e protestës pa arritur ndryshimet e kërkuara.

Ndërsa protesta vijon dhe kërkesat për largimin e tij mbeten të pandryshuara, kryeministri Rama nuk ka dhënë sinjale për tërheqje. Në fjalën e mbajtur më 14 nëntor në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, ai e cilësoi si iluzion largimin e tij me dhunë.

Rama deklaroi se qeveria i ka dëgjuar protestuesit, por theksoi se tashmë është radha e socialistëve të komunikojnë me qytetarët në çdo lagje dhe fshat. Ai pranoi se në protestë ka qytetarë me shqetësime reale, por foli edhe për praninë e elementëve të tjerë, të cilëve iu referua me shprehjen “duar të huaja”.

Protestat në Tiranë, që ende vazhdojnë, janë shoqëruar disa herë me tensione dhe përplasje të dhunshme me policinë, veçanërisht në fillim të tetorit.

Policia ka përdorur gaz lotsjellës dhe topa uji, si dhe ka shoqëruar qindra persona në komisariat. Disa protestues kanë hedhur gurë dhe kokteje molotovi. Gjatë përplasjeve janë lënduar protestues dhe policë, ndërsa janë dëmtuar prona publike dhe private.

Çfarë triumfi! Çfarë burri shteti! Mundi një grua!- Nga Fatos Tarifa

 

Çfarë triumfi për një kryetar partie! Arriti të përjashtojë nga të gjitha forumet drejtuese të Partisë Socialiste një grua që dëshmoi se nuk kishte frikë prej tij! Tani mund të flejë i qetë, i rrethuar nga burra që nuk guxojnë të mendojnë e ta kritikojnë hapur dhe nga gra që kanë frikë të flasin.

Enver Hoxhës iu desh të shpikte armiq ideologjikë kur përjashtoi dhe persekutoi një grua, Liri Belishovën. Edi Ramës i mjafton një grua që nuk mendon si ai. Një grua me profil të lartë politik, ish-kryetare e Kuvendit dhe ish-ministre e Jashtme, që guxoi të kërkojë atë që çdo parti demokratike duhet ta konsiderojë normale: të drejtën për të menduar ndryshe, për të folur, për të kritikuar dhe për të kërkuar ndryshim. Ky, me sa duket, është mëkati i saj i pafalshëm.

Dikur burrat e pushtetshëm i trembeshin revoltës së popullit. Sot, kryeministri ynë trembet edhe nga një grua që mendon ndryshe. Burrë shteti, jo shaka!

Ironia, sidoqoftë, mbaron këtu. Sepse ajo që po ndodh në Partinë Socialiste nuk është thjesht një konflikt mes kryetarit dhe një prej figurave më të njohura të saj, por shprehje e një sëmundjeje politike që ka kohë që ka mbërthyer këtë parti: autoritarizmit, servilizmit dhe frikës nga mendimi i lirë.

Në Partinë Socialiste të Edi Ramës mund të gabosh, mund të abuzosh me pushtetin, mund të bëhesh objekt hetimesh për korrupsion, por nuk mund të mendosh ndryshe nga kryetari. Sepse Partia është Ai dhe kushdo në atë parti duhet të mendojë si Ai. Korrupsioni mund të tolerohet; mendimi kritik, jo.

Këtu qendron paradoksi më i madh moral i kësaj historie. Belinda Balluku, ish-zëvendëskryeministre dhe një nga bashkëpunëtoret më të afërta të Ramës, është përballur me akuza të rënda penale lidhur me ushtrimin e funksioneve të saj publike. Natyrisht, është drejtësia ajo që do të përcaktojë përgjegjësinë e saj. Por qytetarët kanë të drejtë të pyesin:

Përse Rama ka treguar kaq shumë mbështetje politike për Ballukun dhe kaq pak tolerancë për Spiropalin?

Përse një grua që përballet me dyshime serioze për korrupsion meriton mbrojtje politike, ndërsa një grua që kritikon kryetarin meriton përjashtimin nga forumet drejtuese të partisë?

Çfarë e tremb më shumë Edi Ramën: korrupsioni në qeverinë e tij apo mendimi i lirë në partinë e tij?

Mos vallë Balluku di shumë për mënyrën se si është ushtruar pushteti, për vendimet që janë marrë dhe për përgjegjësitë që mund të mos jenë vetëm të saj?

Kjo është një pyetje politike që kërkon transparencë, jo një akuzë që mund të merret si e provuar. Por, kur një kryeministër shqetësohet më shumë për fatin politik të një bashkëpunëtoreje nën hetim sesa për integritetin moral të qeverisjes së tij, lind dyshimi se ai nuk mbron parimin, por pushtetin.

Rama e ka shndërruar Partinë Socialiste në një repart politik të regjimentuar, ku disiplina vlen më shumë se ndërgjegjja, bindja çmohet më shumë se dinjiteti dhe heshtja më shumë se e vërteta.

Deputetët socialistë nuk pritet të përfaqësojnë qytetarët, por të rreshtohen pas kryetarit. Nuk pritet të gjykojnë, por të miratojnë, jo të kundërshtojnë, por të duartrokasin. Kjo nuk është demokraci partiake. Ky është nënshtrim politik i organizuar.

Një lider i sigurt në legjitimitetin dhe autoritetin e tij nuk i trembet kritikës. Ai e kërkon atë, sepse e di se pushteti pa kritikë korrupton jo vetëm institucionet, por edhe vetë gjykimin e atij që e ushtron.

Vetëm një lider i pasigurt e sheh mendimin ndryshe si një kërcënim personal. Vetëm një lider autoritar e njëjëson besnikërinë ndaj partisë me besnikërinë ndaj vetes.

Dhe vetëm një lider që e ka personalizuar pushtetin mund ta konsiderojë më të rrezikshme një grua që flet sesa një sistem qeverisjeje mbi të cilin rëndojnë dyshime serioze për korrupsion.

Edi Rama mund ta përjashtojë Spiropalin nga forumet e Partisë Socialiste. Ai mund t’i mbajë të rreshtuar deputetët socialistë në një regjiment të disiplinuar, t’i deryrojë ministrat dhe vartësit të heshtin. Por të vërtetën nuk mund ta përjashtojë nga jeta publike. Ajo është sheshit. E sheh kushdo. Edhe të verbërit. Nuk e shohin vetëm ata që nuk duan ta shohin.

Një parti që përjashton zërat kritikë dhe mbron politikisht njerëzit e pushtetit përballë dyshimeve për korrupsion nuk është më një bashkësi politike e lirë. Ajo shndërrohet në një instrument personal të atij që e drejton.

Dhe kur një kryetar partie fillon të ketë më shumë frikë nga një grua që arsyeton dhe gjykon me mendjen e saj sesa nga korrupsioni që duhet luftuar, problemi nuk është më ajo grua. Problemi është vetë kryetari.

A tyre që mund të thonë se znj. Spiropali u kujtua shumë vonë të kritikojë, vetëm pasi humbi pozitat e saj në pushtet, u përgjigjem: Edhe nëse është kështu, çfarë provon kjo? Se ajo duhej të vazhdonte të heshtte? Se një e vërtetë humbet vlerën e saj vetëm sepse thuhet me vonesë?

Kritika, edhe kur vjen vonë, është gjithnjë më e dobishme se heshtja që, nga frika, interesi apo konformizmi, zgjat përgjithmonë.

Dhe nëse kritikat e saj dëshmojnë se ajo ka ndryshuar mendim, kjo nuk është domosdoshmërisht një dobësi karakteri apo një shenjë oportunizmi. Mund të jetë, përkundrazi, dëshmi e pjekurisë politike dhe e aftësisë për reflektim kritik.

Njeriu që mendon nuk është i dënuar të mbetet përgjithmonë rob i mendimeve që ka pasur dje. Të ndryshosh mendim përballë fakteve, përvojës apo një kuptimi më të thellë të realitetit nuk është tradhti ndaj vetes, por një mënyrë për t’i qëndruar besnik arsyes.

Niçe vinte në dukje se bindjet e palëkundura janë armiq më të rrezikshëm të së vërtetës sesa gënjeshtrat. Dhe kishte të drejtë. Sepse mendjet e hapura e të lira nuk kanë frikë të dyshojnë, të reflektojnë dhe të korrigjojnë veten. Vetëm mendjet e ngurta e ngatërrojnë kokëfortësinë me karakterin dhe nënshtrimin me besnikërinë.

Njerëzit inteligjentë mund të ndryshojnë mendim sepse guxojnë të mendojnë. Servilët nuk guxojnë. Ata nuk ndryshojnë mendim, sepse prej kohësh kanë hequr dorë nga e drejta për të pasur një mendim të vetin.

“Pa mua jeni një m**!”- Ylli Rakipi: Rama ka thënë se jam më i madh se Partia!

Gazetari Ylli Rakipi ka deklaruar se Edi Rama gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-ë, në takimin me dyer të mbyllura, mësohet të ketë thënë se kryeministri është i më i madh se Partia Socialiste.

Sipas Rakipit, kryeministri i ka dhënë mesazh socialistëve se: “Pa mua jeni një m*”.

Këto pohime janë pranuar indirekt nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Blendi Klosi i cili nuk ka pranuar të flasë për deklaratat e Ramës, por ka thënë se: “mos prit nga unë të themi gjë që nuk duhet ta them”.

Në deklaratën e tij, Ylli Rakipi ka ironizuar me socialistët dhe grupin e PS, teksa ka thënë se ajo ka njerëz që vegjetojnë dhe që pasurohen shumë.

”Kishte raportime sikur Edi Rama ka thënë ne mbledhjen e Asamblesë se: Unë jam më i madh se Partia. Pa mua jeni një m*t.

Me thënë të drejtë, këtu edhe nuk e ka thënë edhe keq, po e ka thënë. Aty ka vetëm njerëz, njerëz që vegjetojnë dhe pasurohen shumë njerëz që vegjetojnë”- ka thëne Rakipi ne emision e tij te Pa Ekspozuarit.

Replikat Rakipi-Klosi

Ylli Rakipi: Kishte raportime sikur Edi Rama ka thënë ne mbledhjen e Asamblesë se: Unë jam më i madh se Partia. Pa mua jeni një m*t.  Me thënë të drejtë, këtu edhe nuk e ka thënë edhe keq, po e ka thënë. Aty ka vetëm njerëz, njerëz që vegjetojnë dhe pasurohen shumë njerëz që vegjetojnë.

Blendi Klosi: Nuk pranoj të merrem me çfarë ju keni për mesazhet tuaja. Do largohem unë nga emisioni dhe vazhdoni më tutje.

Ylli Rakipi: Mua ma thane shume njerëz këtë, por dakord mos dakord. Mua ma kane thëne shume njerëz mor burrë!

Blendi Klosi: Pak të paktën kaq njihemi bashkë dhe mos prit nga unë të themi gjë që nuk duhet ta them.

Ylli Rakipi: Jemi miq bashkë. Jo, po ka gjë që prish punën. Mos e thuaj kurrë se është se do thyesh disiplinën pastaj!

Blendi Klosi: Është punë unë po them nuk ka asnjë rëndësi se çfarë ne kemi diskutuar me njëri-tjetrin për aty. Tani po të thuash që Partia Socialiste nuk diskuton. Jo, ju e keni ndjekur…

Ylli Rakipi: Jo nuk e kemi thëne por aty ka njerëz tani që vegjetojnë dhe pasurohen shumë. Panorama

Nëna me zemrën sa bota- Nga OSMAN STAFA

Nëna me zemrën sa bota ❤️
Isha në protestë mbrëmjen e djeshme.
Më afrohen një nënë.
Më përshëndet.
Më kërkon t’i çoj në fund një dëshirë të saj.
Më thotë: Dua që pensionin tim t’ia japësh djalit 15-vjeçar.
Kujt djali i them?
Atij që është gjobitur me 5 milionë lekë.
Atij që kishte babain e verbër.
Babai i cili i binte firzamonikës për të mbajtur familjen.
Mbeta pa fjalë.
Po është pensioni yt, moj nënë. Mos të duhen?, i them.
Jo, e kam bërë nijet.
Është i gjithë pensioni.
150 mijë lekë.
Atyre u duhet më shumë.
Kam besim tek ti.
E di që do e çosh deri në fund.
E falenderova me zemër nënën me zemër të madhe, e cila kishte ardhur për të më dorëzuar pensionin për djalin e varfër që është dënuar nga shteti me 5 mln lekë.
Dhe mendova…
Sa e madhe duhet të jetë zemra e një nëne, që nga ai pension i vogël, me të cilin mezi shtyn muajin, të vendosë të mos mbajë asgjë për vete.
Ajo nënë më shumë sesa pensioni, solli një mësim.
Sepse ka njerëz që kanë miliona dhe nuk japin asgjë.
Ka një shtet që ka milionat dhe nuk jep asgjë për njerëzit në nevojë.
Dhe ka nëna që nuk kanë pothuajse asgjë, por janë të gatshme të japin gjithçka.
Nëna me zemrën sa bota. Paç jetë e shëndet.

“I q… motrën fare”- Komunikimet në SKY ECC mes grupit ‘Çopja-Çela’: Jam i mbrojtur me shtet! Ministrit, antidrogës dhe gjykatësve iu jap rrogë

TIRANË- Detaje të reja janë zbardhur nga dosja hetimore e organizatës kriminale Çopja-Çela, të cilën SPAK e ka dërguar për gjykim në Gjykatën e Posaçme.  Komunikimet e zbërthyera në aplikacionin e koduar Sky ECC hedhin dritë mbi mënyrën e funksionimit të grupit, lidhjet ndërkombëtare dhe shumat marramendëse të parave që dyshohet se janë gjeneruar nga trafiku i kokainës.

Një prej personazheve që shfaqet në dosje është Ervis Çela nga Peqini. Sipas komunikimeve që Euronews Albania ka publikuar, Çela dyshohet se gjatë qëndrimit në Paraguai kishte krijuar lidhje me zyrtarë të lartë vendas, duke pretenduar se kishte korruptuar drejtues të policisë, përfaqësues të antidrogës dhe gjyqtarë, me qëllim garantimin e paprekshmërisë dhe lehtësimin e trafikut ndërkombëtar të drogës.

Ervisi Çela- Francit: Jam i mbrojtur me shtet këtu… Nuk e kam hall fare këtu… Komandantin e përgjithshëm të policisë i jap rrogë mujore… Ministrin e antidrogës i jap rrogë. 3/4 gjykatësve të fortë i jap rrogë….

Nga letërporositë e mbërritura prej autoriteteve paraguajane rezulton se Ervis Çela, gjatë qëndrimit në këtë shtet, në zonën e Aguilar, dyshohet se ka përdorur një identitet të rremë, konkretisht atë të Joze Medardo Rodriguez Aguilar, me kombësi ekuadoriane. Dosja evidenton gjithashtu bashkëpunimin e tij me një shtetas brazilian, të identifikuar si Clayton Santos Lima, për sigurimin dhe trafikimin drejt Europës të sasive të mëdha të kokainës.

Në Paraguai ka udhëtuar dhe qëndruar edhe Ardian Çela, një prej vëllezërve të Ervis Çelës. Ndërkohë, disa herë në këtë shtet ka shkuar edhe Fadil Balla, i njohur gjithashtu me emrin Julian dhe nofkën “Shijaksi”. Ai njihet edhe si pronar i resortit “Ajman”, të sekuestruar nga SPAK, ndërsa rezulton në kërkim ndërkombëtar si pjesë e dyshuar e kësaj organizate kriminale.

Një tjetër element tronditës i dosjes lidhet me përmasat financiare të aktivitetit kriminal. Sipas SPAK, vetëm gjatë një muaji organizata ka gjeneruar ose grumbulluar rreth 150 milionë euro, ndërsa pritej të siguroheshin edhe 40 milionë euro të tjera.

Konkretisht, nga komunikimet në Sky ECC mes Renato Musakut dhe Petrit Lakatos, në periudhën 9 nëntor 2020 deri më 7 dhjetor 2020, rezulton se janë gjeneruar dhe grumbulluar 151.380.000 euro, ndërsa pritej të mblidheshin edhe 40 milionë euro të tjera. Hetimet kanë evidentuar se nga nëntori 2019 deri në mars 2021, organizata Çopja ka qarkulluar jo më pak se 520 milionë euro, të dyshuara si të ardhura nga trafikimi i kokainës.

Përmasat e aktivitetit të grupit dalin edhe në një tjetër komunikim të zbardhur nga Sky ECC, ku Franc Çopja flet për një prej ngarkesave më të mëdha të kokainës të futura në Europë. Në bisedë, ai thotë se kanë arritur të trafikojnë 12 ton kokainë, duke e cilësuar këtë si një nga operacionet më të mëdha të realizuara ndonjëherë. Sipas tij, rekordi i mëparshëm kishte qenë 8.7 ton, ndërsa një sasi tjetër prej 3 tonësh nuk ishte përfshirë në operacion.

Franc Çopja: Puna ma e madhe në histori që ka hy i herësh në Europë, 12 Ton, 8,7 ka qenë rekordi. Ka qenë për 15 ton po si futa 3 ton. Thashë ato i q… motrën fare, erdhën jeshil… U shplodhet nai cik….

Sipas të dhënave të dosjes, droga transportohej dhe fshihej në ngarkesa me kuti boje, ndërsa anëtarët e organizatës merreshin me nxjerrjen e pakove të kokainës nga paletat. Në komunikimet e zbardhura nga SPAK shfaqet edhe një tjetër aspekt i bashkëpunimit mes Ervis Çelës dhe Franc Çopjas. Çela i ofronte këtij të fundit armë që dyshohet se siguroheshin dhe trafikoheshin nga Paraguai. Bëhet fjalë për pistoleta dhe armë të gjata të veçanta, të pajisura me silenciator dhe të prodhuara në fabrikë./Dosja.al

Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor: LAMTUMIRË, PROF. DR. RAMAZAN BOGDANI – MJESHTËR I MADH!

LAMTUMIRË, PROF. DR. RAMAZAN BOGDANI – MJESHTËR I MADH! 🕊️
Me hidhërim të thellë morëm lajmin e ndarjes nga jeta të Prof. Dr. Ramazan Bogdanit, “Mjeshtër i Madh”, një prej personaliteteve të shquara të artit koreografik shqiptar, valltar, koreograf, pedagog dhe studiues i palodhur i trashëgimisë sonë folklorike.
Ramazan Bogdani i përkiste brezit të artistëve që hodhën themelet e zhvillimit të artit koreografik profesionist në Shqipëri. Rrugëtimin e tij artistik e nisi si valltar dhe më pas si solist e koreograf në Ansamblin e Këngëve dhe Valleve Popullore, Filarmoninë Shqiptare, dhe në Teatrin e Operës dhe Baletit.
Gjatë karrierës së tij skenike spikati për talentin interpretues dhe aftësinë për të mishëruar karaktere të ndryshme artistike. Ndër rolet e tij të rëndësishme kujtojmë interpretimin e Miguelit në baletin “Lola” (1958), pjesëmarrjen në baletin “Zhurale” (1959), si dhe interpretimin në baletin “Sheherazade” (1963). Ai dha gjithashtu një kontribut të vyer në krijimtarinë koreografike shqiptare, veçanërisht në tablotë me karakter historik e patriotik, si “Besa-besë” dhe “Legjenda e trimave”.
Përtej skenës, Prof. Dr. Bogdani ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme shkencore, duke ia kushtuar jetën studimit, dokumentimit dhe ruajtjes së folklorit koreografik shqiptar. Si studiues pranë Institutit të Folklorit dhe më pas Institutit të Kulturës Popullore, ndërmori ekspedita të shumta kërkimore në trevat shqiptare, duke mbledhur dhe dokumentuar vallet, traditat dhe karakteristikat e tyre të veçanta.
Autor i një numri të madh studimesh, artikujsh dhe botimesh shkencore, ndër të cilat “Folklori koreografik i Hasit”, “Vallet e Lunxhërisë”, “Gjurmime koreografike”, “Shpirti i popullit në valle” dhe “Etnokoreografi”, ai la pas një pasuri të çmuar dokumentare e shkencore për brezat e ardhshëm.
Kontributi i tij u shtri edhe në fushën e pedagogjisë, ku përmes mësimdhënies dhe përvojës shumëvjeçare ndihmoi në formimin e brezave të rinj të valltarëve, koreografëve dhe studiuesve të artit shqiptar.
Sot, me ndarjen e tij nga jeta, skena shqiptare humbet një artist të brezit themelues, ndërsa kultura kombëtare një prej studiuesve të saj më të përkushtuar.
Ramazan Bogdani i kushtoi jetën valles shqiptare, jo vetëm duke e interpretuar dhe krijuar në skenë, por edhe duke e studiuar, dokumentuar dhe ruajtur si pjesë të pazëvendësueshme të identitetit tonë kombëtar.
Teatri Kombëtar i Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes, të afërmve, kolegëve dhe të gjithë komunitetit artistik.
Vepra e tij do të mbetet përherë pjesë e çmuar e historisë së artit dhe trashëgimisë kulturore shqiptare.
16.11.2026

Skënder Kosturi, një jetë në kantieret e hidrocentraleve

 

Diplomuar në Teknikumin e Ndërtimit dhe Universitetin Shtetëror të Tiranës në specialitetin Inxhinier Ndërtimi  punon në N.N.Linjave Tensionit të Lartë si kryetar i degës teknike dhe drejtor kantieri.

Merr pjesë në ndërtimin e linjave110 kv Lac- Skuraj, Lac- Shkodër, Memaliaj- Bistricë, Maminas- Fier-Cërrik- Elbasan, Elbasan- Korcë si dhe të linjave 35 kv Elbasan- Mjekës, Cërrik – Gramsh, si dhe ndertimin e nënstacioneve Shkozet, Shkodër, Kavajë, Gramsh.

Me pas inxhinier ndërtimi pranë N.SH.N Durrës në ndërtimin e Radiostacionit të Fllakës.

Punon si inxhinier projektues në Institutin e Studimeve dhe Projektimeve nr 3 ku ndër të tjera ka marrë pjesë në projektimin e Hirocentralit të Vaut të Dejës, projektimin e objektet Urat në dalje të Tunelit Zadeje për kalimin e mjeteve 32 ton, nyjet e argjilit dhe betonit, silloset 500 ton, projektimin e ura metalike për vincin 50 ton në Qyrsaq, vepra e marrjes së ujit.

Në Hidrocentralin e Fierzës, projekton bateritë e silloseve 500 dhe1000 ton, urat në dalje të tuneleve, tuneli nr 3 i shkarkimit me seksion 11 herë 7 metra, projekton kullë komandimi 87 metra me aftësi shkarkimi 1500 m3 në sekonë me shpejtësi mbi 30 m/ s.Ka projektuar mënyrën e zgjdhjes së problemit të kalimit të ujit me shpejtësi shumë të madhe në tunele me veshje betoni, duke zgjidhur teknologjinë komplekse të zbatimit të kësaj veshjeje ,si dhe projektin e kallëpeve speciale. Projekti i eleminimit të shkarjes së madhe në hyrje Tunelit nr 3,  projekton pjesë të veprës së marrjes etj. Në hekurudhën Elbasan- Përrenjas merr pjesë në projektimin e 11 tuneleve dhe drejton punimet për Tunelin e Librazhdit.

Realizon një specializim pranë Institutit të Sizmiologjisë në Shkup të Maqedonisë, në fushën e inxhinierisë antisizmike.

Eshtë Kryeinxhiner i Ndermarrjes se Ndertimit te Linjave të Tensionit të Lartë ku drejton punimet për ndërtimin e linjave 220 kv si: Fierzë –Burrel – Elbasan dhe Fierë-Tiranë – Elbasan, prodhimin e kullës së naftës dhe ndërtimin e antenave televizive Midë e Gllavë, ndertimin e linjave te Tensionit të Lartë Shkodër- Vukpalaj dhe Korcë- Rehovë.

Me pas zv drejtor i Ndermarrjes se Ndertimit te Hidrocentralit të Komanit.

 

Pedagog në Fakultetin e Ndërtimit të Universitetit Politeknik të Tiranës , Titullar i lëndëve  Teknologji Ndërtimi dhe Teknikë Kantieri(zbatim punimesh)  për të gjitha specialitetet e Fakultetit përkatësisht Ndërtim, Hidroteknike, Rruga Ura, si dhe i lëndës Nëntokësore për specialitetin Gjeodezi. Hartues i programeve programeve te këtyre lëndëve duke pasqyruar zhvillimet botërore të Teknologjisë së ndërtimit dhe organizimit të punimeve. Specializohet prane  Departamentit të Infrastrukturës  Rrugore në Politeknikun e Torinos, Itali në fushën e organizimit  të punimeve në objekte të komplikuara ndërtimi, në fushën e teknologjisë së ndërtimit të rrugëve, tuneleve dhe hartimit të programeve të reja mësimore dhe teksteve të lendëve. Duke përfituar nga njohja e përvojës së ndërtimeve të hidrocentraleve të mëdhenj në vendin tonë dhe mardhëniet me mjaft projektues e profesorë italianë, francezë, etj ka hartuar leksionet e shkruara në lëndët Teknologji Ndërtimi dhe Teknikë Kantieri, të cilat vazhdimisht janë azhornuar me të rejat e shkencës dhe teknikës …

 

400 mijë çekë në rrugë: Mos prekni median publike! Protestë masive në Pragë, frikë se qeveria mund të kontrollojë televizionin dhe radion publike

Mijëra qytetarë janë mbledhur në qendër të Pragës për të protestuar kundër planit të qeverisë çeke për të hequr tarifën e licencës për televizionin dhe radion publike dhe për ta zëvendësuar atë me financim nga buxheti i shtetit. Protestuesit paralajmërojnë se ndryshimi i skemës së financimit mund t’u japë politikanëve më shumë ndikim mbi median publike dhe të rrezikojë lirinë e shtypit.

Protesta e së dielës u organizua nga shoqata “Milion Momente për Demokraci”, e cila pretendoi se në tubim morën pjesë rreth 400 mijë persona. Kundërshtimet janë shtuar që prej muajit të kaluar, kur parlamenti miratoi draftin e parë të propozimit të qeverisë.

Aktualisht, familjet çeke paguajnë 205 korona në muaj, rreth 9.44 dollarë, për financimin e televizionit dhe radios publike.

Një prej protestuesve, pensionistja 72-vjeçare Milana Rudolfova, tha për Reuters se televizioni publik çek përfaqëson një garanci për informimin e drejtë dhe objektiv.

“E di që i gjithë televizioni ynë çek është një garanci e së vërtetës dhe objektivitetit. Nëse nuk kemi televizion dhe radio publike, atëherë për fat të keq nuk do të jemi në gjendje të besojmë më asgjë”, u shpreh ajo.

Qeveria e koalicionit, e përbërë nga partia populiste ANO dhe dy parti euroskeptike të krahut të djathtë, këmbëngul se ndryshimi nuk do të cenojë pavarësinë editoriale të transmetuesve publikë. Kryeministri Andrej Babis ka mohuar se synimi është vendosja e kontrollit politik mbi median, duke argumentuar se sistemi aktual i financimit është i vjetëruar dhe se transmetuesit duhet të reduktojnë kostot.

“Sistemi i financimit po ndryshon, askush nuk dëshiron të kontrollojë median publike, askush nuk dëshiron t’u diktojë atyre se çfarë duhet të thonë dhe të bëjnë, askush nuk dëshiron t’i shtetëzojë ato”, deklaroi Babis për Agjencinë Çeke të Lajmeve.

Ai argumentoi gjithashtu se ndryshime të ngjashme janë ndërmarrë edhe në vende të tjera evropiane.

Kritikët e projektligjit kanë krahasuar nismën e qeverisë çeke me ndryshimet e ndërmarra në Hungari gjatë qeverisjes së Viktor Orbán, i cili u akuzua për vendosjen e kontrollit të fortë politik mbi median shtetërore.

Ndërkohë, disa vende evropiane, si Franca dhe Norvegjia, e kanë braktisur tashmë modelin e tarifës së licencës. Franca e hoqi atë në vitin 2022, duke kaluar në financimin e medias publike përmes një pjese të të ardhurave nga TVSH-ja. Norvegjia e ndërmori këtë ndryshim në vitin 2020, duke i transferuar fondet e transmetuesit publik në buxhetin kombëtar.

Gjatë protestës në Pragë, disa qytetarë mbanin kapele prej gazetash, në homazh të personazhit të animuar Vecernicek, i cili prej dekadash prezanton përralla për fëmijë në Televizionin Çek.

Shqetësimet për lirinë e medias janë shtuar edhe për shkak të përplasjeve të mëparshme mes kryeministrit Babis dhe mediave. Në qershor, Pavol Szalai, drejtor i Byrosë së Pragës të organizatës “Reporterë pa Kufij”, deklaroi se sulmet politike ndaj mediave private dhe publike janë bërë një prej tipareve dalluese të drejtimit të tij si kryeministër. gsh

Protesta masive, përplasje brenda PS dhe konflikti me Veliajn! Der Standard: Rama duket gjithmonë e më nervoz! Shpërblen dhunën policore dhe…

Der Standard

Liria e tubimit është kufizuar dhe janë vendosur gjoba të rënda. Kryeministri Edi Rama duket gjithnjë e më nervoz, dhe ka edhe trazira brenda partisë së tij socialiste.

Pas muajsh protestash kundër korrupsionit të dyshuar të qeverisë shqiptare nën drejtimin e Edi Ramës, ligje të reja që kufizojnë lirinë e tubimit hynë në fuqi dy javë më parë. Që atëherë, bazuar në këto dispozita të reja ligjore, janë dhënë gjoba për 83 demonstrues që bllokuan rrugët dhe penguan trafikun.

Mediat shqiptare raportojnë se protestuesit u gjobitën me 55 euro për bllokimin e dyshuar të rrugës. Organizata të shumta të shoqërisë civile i bënë thirrje parlamentit të ndalojë zbatimin e legjislacionit të propozuar. “Aktet e dhunshme nga individët nuk duhet të përdoren për të kufizuar në përgjithësi të drejtën e qytetarëve për tubim paqësor ose për të imponuar përgjegjësi kolektive mbi pjesëmarrësit dhe organizatorët e protestave”, deklaruan OJQ-të.

Qeveria po përpiqet të frenojë protestat në rrugë, të cilat u shndërruan në të dhunshme në tetor, me këto masa të reja. Shumë demonstrues po e quajnë këtë një “taktikë frikësimi”.

Gjoba të rënda
Kushdo që merr pjesë në një tubim të paautorizuar tani përballet me gjoba nga 100 deri në 1,000 euro. Gjoba deri në 5,000 euro u vendosen gjithashtu individëve që fshehin identitetin e tyre me maska. Ata që refuzojnë të shpërndahen kur urdhërohen ta bëjnë këtë do të gjobiten gjithashtu deri në 5,000 euro. Edhe pengimi i trafikut dënohet me gjobë – një formë shumë efektive proteste në Serbi.

Për më tepër, po futen “zona të mbrojtura”, për shembull rreth objekteve publike. Policia tani mund t’u urdhërojë njerëzve të largohen nga këto “zona të mbrojtura”. Në një kryeqytet si Tirana, kjo kufizon zonën ku lejohen demonstratat. Kjo për shkak se zonat e mbrojtura përfshijnë gjithashtu qendra dhe terminale transporti, portet, aeroportet, zonat përreth objekteve arsimore dhe të kujdesit shëndetësor, si dhe vendet e trashëgimisë kulturore.

Për më tepër, do të futet një kod i ri etike për mësuesit në shkolla. Mësuesit nuk do të lejohen më të marrin nxënës nën 18 vjeç në protesta. Arsyeja: Një numër veçanërisht i madh nxënësish dolën në rrugët e Tiranës në fillim të tetorit.

“Regjistri elektronik special”
Rregullorja që ndalon “qëndrimin në vendin e ngjarjes së dhunës pas paralajmërimeve të policisë” nënkupton hapësirë ​​të konsiderueshme për interpretim – dhe për këtë arsye pasiguri ligjore. Kjo për shkak se zbatohet jo vetëm për njerëzit që kryejnë dhunë, por edhe për demonstruesit që janë thjesht në afërsi të trazirave.

Një “regjistër elektronik special” po krijohet gjithashtu për individët e dyshuar për kryerjen e krimeve kundër shtetit, rendit publik ose sigurisë publike. Këto lista shkaktojnë reagime të forta nga shumë qytetarë shqiptarë, duke u kujtuar atyre shtypjen e të gjithë kritikëve nga policia sekrete Sigurimi nën regjimin stalinist të Enver Hoxhës.

Një burrë me kostum dhe kravatë ecën midis pemëve. Në sfond, duket një peizazh bregdetar dhe elementë shumëngjyrësh.
Pas muajsh protestash kundër korrupsionit të dyshuar të qeverisë shqiptare nën drejtimin e Edi Ramës, kanë hyrë në fuqi ligje të reja që po shkaktojnë pakënaqësi. Rama po përballet me presion në rritje, përfshirë edhe brenda partisë së tij.

Regjistri menaxhohet nga policia e shtetit. Megjithatë, pasojat janë veçanërisht problematike. Për shembull, policia kufitare mund të refuzojë të lejojë një person të largohet nga Shqipëria nëse një kontroll zbulon se ai ka marrë pjesë në akte dhune gjatë protestave. Kjo vlen edhe nëse ndaj individit nuk është vendosur asnjë masë formale sigurie – siç është ndalimi i udhëtimit.

Bonusi i policisë
Policia po njofton gjithashtu ofruesit privatë të akomodimit nëse ata janë individë që ofrojnë strehim të listuar në regjistër. Rama ka njoftuar gjithashtu plane për të rritur forcën policore shtetërore me 630 oficerë të rinj. Megjithatë, qeveria nuk po e trajton përdorimin e përhapur të forcës nga oficerët e policisë që ka rezultuar në lëndime serioze të protestuesve në javët e fundit.

Përkundrazi, Rama u premtoi oficerëve të policisë të vendosur në demonstrata një bonus prej 2,500 eurosh. Disa kritikë e interpretuan këtë si një “mbështetje politike” të dhunës kundër demonstruesve.

Marrëveshjet me familjen Trump
Protestat antiqeveritare në Shqipëri filluan në fund të majit, fillimisht për shkak të zemërimit ndaj vendpushimeve luksoze turistike të planifikuara të lidhura me Jared Kushner, dhëndrin e Donald Trump, të cilat do të ndërtohen në një zonë bregdetare të mbrojtur.

Diskutimi rreth korrupsionit brenda administratës Trump në SHBA tani mund të çojë në një shqyrtim më të afërt të marrëveshjeve midis qeverisë Rama dhe familjes Trump. Për shembull, Ivanka Trump, vajza e Trump dhe gruaja e Kushner, u pa për herë të fundit në bregdetin shqiptar në janar, ku darkoi me kryeministrin Rama.

Disa ditë pas vizitës së saj, Këshilli Kombëtar i Shqipërisë për Territorin dhe Ujërat, i kryesuar nga Rama, dha lejen e ndërtimit për kompleksin: “Resort Turistik në Gadishullin e Zvërnecit”, blloku rezidencial F1V2, F1V3, F1R6, i vendosur në Pishë Poro-Nartë, bashkia e Vlorës, me kompaninë e zhvillimit “Zvërnec South Adriatic Development”.

Sipas një dokumenti të Sazan Development nga nëntori 2025, i cili është në dispozicion të STANDARD, planet përfshijnë hotele luksoze me 800 dhoma për mysafirë, spa luksoze, marina duke përfshirë një marinë kryesore me rreth 350 vende ankorimi për superjahte deri në 100 metra të gjata, rreth 520 vila luksoze të markave me tre deri në shtatë dhoma gjumi dhe 350 deri në 2000 metra katrorë, një park ujor, një fushë golfi me 18 vrima dhe një Qendër Jetëgjatësie për terapi mjekësore mirëqenieje dhe rigjenerimi, si dhe një qendër hipizmi dhe një kazino.

Konflikti me kryetarin e bashkisë
Autoritetet ligjzbatuese në Shqipëri po hetojnë gjithashtu dyshimet se paratë e drogës janë pastruar në ekonominë legjitime për të blerë ose riorganizuar tokën për resorte luksoze. Rama duket gjithnjë e më nervoz dhe bën vazhdimisht vërejtje përçmuese për gjyqësorin.

Por ka edhe trazira të konsiderueshme brenda partisë së tij socialiste në pushtet. Përçarja midis ish-kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili ka qenë në paraburgim për një vit, dhe kryeministrit Rama është veçanërisht e habitshme. Veliaj fillimisht ishte një lloj i mbrojturi politik i Ramës, por marrëdhënia tani ka ndryshuar.

Një sulm ndaj Ramës
Pasi ish-presidenti serb Aleksandar Vuçiç humbi zgjedhjet më 25 tetor, Veliaj shkroi në Facebook: “Urime studentëve që rrëzuan populistin makiavelian nga Beogradi! Lëvizjet dhe protestat studentore nuk nënkuptojnë ‘fundin e botës’, por më tepër fundin e ‘një bote’. Sa më shpejt që ne si qytetarë dhe vendimmarrës politikë ta kuptojmë këtë, aq më mirë të pajisur do të jemi për t’iu përgjigjur nevojave dhe pritjeve të këtij brezi.”

Mesazhi u interpretua si një sulm ndaj Ramës, i cili ka qenë në pushtet pothuajse aq kohë sa Vuçiçi dhe përballet me protesta masive të ngjashme. Ngjashëm me Serbinë nën Vuçiçin, regjimi i Ramës vepron në një mënyrë autoritare, me të gjithë pushtetin të përqendruar në duart e një udhëheqësi të vetëm. Për më tepër, Vuçiçi dhe Rama kanë një histori bashkëpunimi të ngushtë politik.

Qëllimi i përbashkët
Autori dhe disidenti shqiptar Fatos Lubonja beson se lëvizjet serbe dhe ato shqiptare bashkojnë orientime të ndryshme politike. “Megjithatë, qëllimi i tyre i përbashkët dhe themelor është rivendosja e institucioneve demokratike. Të dyja lëvizjet kundërshtojnë opozitën tradicionale, të cilën e mbajnë përgjegjëse për sistemin e klientelizmit, korrupsionit dhe një peizazh mediatik të ndërthurur me pushtetin – në Shqipëri, ka edhe lidhje me krimin e organizuar”, tha Lubonja për STANDARD.

Lëvizja protestuese shqiptare është më pak e organizuar mirë se ajo në Serbi, sipas Lubonjës. “Nga njëra anë, asaj i mungon aftësia për të mbetur e bashkuar pavarësisht diversitetit të saj. Nga ana tjetër, ‘sistemi Rama’ është shumë më i rrënjosur në shoqërinë shqiptare dhe më i infiltruar nga aktiviteti kriminal sesa ‘sistemi Vuçiç’, gjë që e bën më të lehtë për Ramën të godasë lëvizjen”, shpjegon ai.

Një ndryshim tjetër është se BE-ja nuk e ka mbështetur së fundmi Vuçiçin, ndërkohë që e ka mbështetur hapur Ramën – madje edhe gjatë protestave. Kjo është demotivuese për shqiptarët, të cilët janë mësuar t’i zgjidhin problemet e tyre përmes vendimeve të marra në “qendër të perandorisë”. Serbët, nga ana tjetër, po veprojnë pavarësisht qëndrimit të BE-së. Protestuesit në Shqipëri janë aktualisht në një gjendje dëshpërimi, pasi kanë dështuar ta detyrojnë Ramën të japë dorëheqjen, sipas Lubonjës. (Adelheid Wölfl, 15 nëntor 2026) BW

Fjalimi i një socialisti pa emër në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste – Nga IRENA BEQIRAJ

Të dashur shokë dhe shoqe,

Të flasësh në këtë Asamble është një akt që kërkon njëfarë guximi. Jo se këtu nuk lejohet të flasësh, përkundrazi, liria e fjalës në këtë forum është e garantuar, për sa kohë që nuk rrezikon të shndërrohet në liri mendimi.

Siç e do zakoni, po e nis me një falënderim për Kryetarin, i cili sapo na dhuroi një tjetër fjalim nga fjalimet e tij të jashtëzakonshme, ku mendimet udhëtojnë gjatë dhe përfundimi, nëse ka një të tillë, mbetet gjithmonë një çështje interpretimi.

E dëgjova me vëmendjen e një socialisti të vërtetë fjalimin e tij. Duhet thënë se kryetari flet ca gjatë dhe, në këtë pikë, konkurron vetëm me gratë, të cilat, ndonëse të shumta në numër në parti e qeveri , rrallë kanë pasur rastin të lidhin shtatë fjalë në këto forume. Nejse, nuk dua të largohem nga tema. Kryetari na foli për Europën, për arritjet ekonomike, për protestën, për sfidat dhe për opozitën. Padyshim, ndaloi edhe tek produkti ynë i krenarisë, drejtësia. Për një çast, naivisht mendova se do të fliste edhe për krizën e rëndë brenda nesh të shkaktuar nga hetimet , por me sa duket nuk ishte në rendin e ditës.

Nga fytyrat tona është e dukshme se të marrësh pjesë në forumet e kësaj partie ndihet si një lloj vdekjeje. Ende nuk jam e sigurt nëse është më mirë të flasësh dhe të vdesësh, apo të vdesësh ngadalë, pa folur.

Këtu mes nesh ka njerëz që heshtin sepse nuk kanë çfarë të thonë. Ka të tjerë që kanë shumë për të thënë, por kanë mësuar të peshojnë çdo fjalë me kujdesin e atij që e di se një fjali mund të kushtojë më shumë se karrierën.

Ka edhe nga ata më të vjetrit, të cilët janë mësuar aq gjatë me faktin se nuk dëgjohen, saqë kanë pushuar së menduari. Por për fatin tonë të keq, ajo që nuk thuhet nuk zhduket. Ajo grumbullohet në heshtje, bëhet ankth, zhgënjim, hidhërim dhe, në fund, vetëshkatërrim.

Vetshkatërrim të cilit deri tani i kemi rezistuar pasi jemi transformuar në një parti që nuk kemi frikë nga e vërteta. Përkundrazi, kemi ndërtuar me të një marrëdhënie jashtëzakonisht të kujdesshme. E vërteta duhet thënë, por duhet zgjedhur koha, vendi dhe, mbi të gjitha, audienca.

Ne nuk kemi ngurruar kurrë t’ia themi të vërtetat njëri-tjetrit në tavolinat e drekave, në kafe dhe në takime mes miqsh. Aty jemi të gjithë trima. Ankohemi, mallkojmë, kritikojmë pa mëshirë edhe Kryetarin, fundja, prapa krahëve kritikohet edhe mbreti.

Por sapo dalim nga kafenetë dhe hyjmë në sallat e mbledhjeve, ndodh mrekullia, të gjitha mendimet e ndryshme bashkohen në një mendim të vetëm dhe e vërteta harrohet të plaket në paqe.

Apo, nëse publikisht na pyesin për korrupsionin, shpjegojmë se po e luftojmë atë. Nëse na pyesin për përgjegjësinë, i kujtojmë publikut se përgjegjësia është individuale. Nëse na pyesin për partinë, u themi se partia është më e madhe se individi.

E nëse ndonjë i djallëzuar na pyet përse disa individë janë bërë më të mëdhenj se partia dhe e kanë trajtuar shtetin si pronë private, duhet të tregohemi të matur, sepse nuk është ky momenti për të krijuar probleme.

Të dashur shokë dhe shoqe,

Dua të ndalem te një tjetër arritje, ndoshta më e rëndësishmja për t’u kremtuar pas 13 vitesh në pushtet, uniteti.

Ne kemi ndërtuar një parti ku uniteti është i përsosur, saqë nuk ka më nevojë për diskutime. Dikur, kur partia ishte, siç thotë Kryetari ynë, një bordello, diskutonim për ideologjinë, programin dhe drejtimin e vendit. Kishim mendime të ndryshme, debate, përplasje dhe ndonjëherë edhe ide. Ishte një kohë e vështirë, sepse askush nuk e dinte me siguri se çfarë duhej të mendonte.

Sot kemi kapërcyer atë fazë primitive të demokracisë së brendshme. Sot kemi kaluar nga pluralizmi i ideve te pluralizmi i mënyrave për të thënë të njëjtën gjë.Tani diskutojmë se si duhet ta interpretojmë me fjalët tona mendimin e Kryetarit.

Kjo është një arritje që nuk duhet nënvlerësuar. Kemi krijuar një sistem komunikimi par excellence: Kryetari flet, ne dëgjojmë; Kryetari vendos, ne mbështesim; Kryetari shpjegon pse kishte të drejtë, ne çuditemi se kush e ka vënë ndonjëherë këtë në diskutim. Kështu kemi shmangur shumë debate të panevojshme, kemi kursyer kohë dhe kemi rritur ndjeshëm efikasitetin e mbledhjeve tona.

Gjatë këtij përmirësimi, edhe duartrokitjet tona janë bërë më të sofistikuara. Nuk presim gjithmonë të kuptojmë çfarë u tha, mjafton të kuptojmë kur duhet të duartrokasim. Kjo është një aftësi që fitohet me përvojë dhe, për fat të mirë, në këtë parti ka shumë njerëz me përvojë.

Natyrisht, kemi edhe disa probleme të vogla por që nuk duhet t’i dramatizojmë.

Për shembull, në këtë parti karriera nuk është gjithmonë çështje meritash, shpesh është edhe çështje durimi, kujdesi dhe aftësie për të mos bërë pyetjet e gabuara në momentin e gabuar.

Në partinë tonë nuk mjafton të jesh i zoti, duhet të jesh edhe i përshtatshëm; nuk mjafton të kesh kontribute, duhet të kuptosh se kontributet e së kaluarës nuk të japin domosdoshmërisht të drejtën për të pasur një mendim në të tashmen.

Fundja, të gjithë ne e kemi pranuar se askush nuk është i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për partinë, nëse nuk është më parë i rëndësishëm dhe i domosdoshëm për Kryetarin.

Kështu kemi ndërtuar një meritokraci të veçantë, ku merita më e madhe nuk është ajo që ke bërë për partinë, por ajo që Kryetari mendon se mund të bësh për të.

Ju shoh ca të lodhur, jo shumë entuziastë si nga hera, ndaj po e mbyll duke theksuar se nuk është rastësi që kjo Asamble u zhvillua në Gjirin e Lalzit. Deti është vendi ideal për të hedhur gjithçka që nuk dëshiron të mbash në breg. Por, si njeri i rritur buzë detit, dua t’ju kujtoj se deti ka një zakon të keq, herë pas here, i nxjerr në breg pikërisht ato gjëra që mendojmë se i kishte fundosur.

Faleminderit!


Send this to a friend