TIRANË- Policia e Tiranës ka njoftuar këtë të mërkurë procedimin penali të 24 personave gjatë protestës të zhvilluar ditën e martë si dhe vendosjen e 28 masave administrative gjatë dy ditëve të fundit, bazuar në Aktin Normativ nr.5, të miratuar nga qeveria më 28 tetor. Ndërkohë është raportuar se gjatë protestës së djeshme janë dëmtuar edhe dy punonjës policie.
Gjatë tubimit të djeshëm, protestuesit tentuan të qëndronin në bulveardin Dëshmorët e Kombit, por policia ndërhyri për t’i larguar. Pas ndërhyrjes së policisë u krijuan tensione të forta mes tyre dhe protestuesve, që pasoi në shoqërimin e dhjetëra prej këtyre të fundit.
Përmes Aktit Normativ, qeveria ndryshoi ligjin “Për tubimet”, duke zgjeruar kompetencat e policisë për kufizimin e protestave dhe ndëshkimin e pjesëmarrësve, pavarësisht nëse janë përfshirë ose jo në akte të dhunshme.
Pas miratimit të këtij akti, policia ka njoftuar deri të mërkurën vendosjen e 231 masave administrative ndaj protestuesve, tre prej të cilave në vlerën nga 500 mijë lekë secila, kurse të tjerat nga 5 mijë lekë. Në total, vlera e masave administrative të caktuara ndaj protestuesve, shkon në 1 milion e 290 mijë lekë./Dosja.al