Presidenti amerikan, Donald Trump, do të zhvillojë të enjten (19 nëntor) një takim kokë më kokë me homologun rus, Vladimir Putin, në Kinë, në kuadër të samitit trepalësh mes SHBA-së, Kinës dhe Rusisë. Lajmi është konfirmuar nga një zyrtar amerikan, sipas CNN.
Ky do të jetë takimi i parë zyrtar dypalësh mes dy liderëve që prej samitit të zhvilluar në Alaskë, në territorin amerikan, në gusht të vitit 2025.
Takimi i atëhershëm nuk solli përparim konkret në përpjekjet për arritjen e paqes në Ukrainë, pavarësisht nismave të ndërmarra nga Trump që prej fillimit të mandatit të tij të dytë presidencial, me synimin për t’i dhënë fund luftës.
Dy presidentët kanë pasur tashmë një kontakt të shkurtër mbrëmjen e së mërkurës (18 nëntor), në margjinat e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor (APEC), në Shenzhen të Kinës.
Putin iu afrua Trump për ta përshëndetur me një shtrëngim duarsh, pak para fotos së përbashkët tradicionale të liderëve pjesëmarrës në samit.
Takimi i parashikuar për të enjten merr një rëndësi të veçantë, pasi dy liderët do të kenë mundësinë të diskutojnë sërish ballë për ballë, në një kohë kur vijojnë përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
Takimi dypalësh do të zhvillohet paralelisht me samitin trepalësh të planifikuar mes Trump, Putinit dhe presidentit kinez, Xi Jinping. Panorama