Shoqata Kulturore – Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë, zhvilloi Konferencën VI të saj të premten e datës 22 korrik 2016 në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, Skelë. Në konferencë morën pjesë anëtarët e kryesisë, kryetarët e shoqatave të fshatrave, që në kuptimin pozitiv të fjalës janë bijëza të Labërisë, përfaqësues të atyre fshatrave, me banorë të ngulur në qytetin e Vlorës. Morën pjesë gjithashtu të ftuar, miq, dashamirës, gra, vajza dhe djem (edhe pse ndihet ende nevoja për prurje më të vrullshme për femra dhe rini labe veprimtare). I deleguar nga qendra ishte ngarkuar edhe z. Aldrin Dalipi, por për arsye pune, nuk mundi të vinte. Këtë konferencë e nderuan me pjesëmarrjen e tyre vetë kryetari i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, prof. dr. Ago Nezha, “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut” dhe nënkryetari i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, MSc. ing. Sejmen Gjokoli “Personalitet i Shquar i Labërisë”, i ngarkuar për Vlorën. Në këtë takim të rëndësishëm pune për labët vullnetarë, që veprojnë të organizuar në një shoqëri të përbashkët në qytetin e Vlorës, mori pjesë edhe zonja Vojsava Xhebro Ismaili – Shkurtaj, kryetare e Këshillit Bashkiak të Bashkisë Vlorë, veçse, siç u shpreh ajo, me statusin e një veprimtarje të zakonshme, si gjithë labët e tjerë, pavarësisht se prezenca e saj i dha më tepër dinjitet e dashuri konferencës. Pesha e fjalës së Savës në Bashkinë e Vlorës, bëri që mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në Skelë të na jepeshin pa qera, gjë që për shoqërinë tonë pa financa është një ndihmë e dukshme. Pa u krekosur si ai kaposhi…, kishim me se të krenoheshim, pa u mburrur, që erdhëm në këtë konferencë të qetë, ballëhapët e ballëlart, duke iu gëzuar rezultateve konkrete e të zilishme nga të tjerërt me punën tonë kulturore-atdhetare, që ka fituar respektin e merituar qytetar, aq vështirë për t’u fituar, aq më tepër në Vlorë, që banorët kanë kërkesa shumë të larta. E dimë dhe nuk e harrojmë kurrë atë thënien e artë shkodrane: “Me t’hy vedi në qef!…”, prandaj punojmë përditë, thjeshtë, duke bërë veprimtari të mira, të bukura, të dobishme. Raportin me shkrim e mbajti z. Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë.
Veprimtaritë e degës së Vlorës
Është në natyrën e punës të shoqatës “Labëria”, dega e Vlorës, që të punojë ritmikisht e pa u dukur, të veprojë cilësisht lart e pa u ndjerë. Me kohë kemi thënë dhe shkruar se Shoqata Kulturore Atdhetare “Labëria” e Vlorës nuk bën pushim. Ajo ndez qytetin dhe fshatrat e krahinave të saj me zjarr atdhetar dhe dritë kulturore çdo stinë, çdo muaj, çdo javë, çdo ditë. Në disa raste realizon edhe dy veprimtari në ditë, njërën më të bukur se tjetra, njërën më mbresëlënëse se tjetra. Ka pasuri gjeografike, grupmoshash, profesionesh, gjinie, tematike, cilësisht të mira, estetikisht të pëlqyeshme, shoqërisht të dobishme. Ngaqë synimi ynë kryesor nuk është reklamimi, por njohja, promovimi dhe nderimi i traditave më të mira e vlerave kulturore – atdhetare – historike të labëve – model për ne dhe të Labërisë sonë – model për Shqipërinë, veçse telegrafisht do të japim një panoramë tematike, duke mos u shtrirë kronologjikisht më tej se stina e ngrohtë që jemi:
Përurime, diskutime librash dhe udhëtime pelegrinazhi
1. Pas përurimit të librit “Shënime nga Shkolla e Partisë” (pesë tablo që mund të shihen dhe si një roman) të shkrimtarit, poetit, publicistit, përkthyesit dhe diplomatit Daut Gumeni, idealist i zjarrtë dhe njëri nga figurat më të ndritura të Shoqatës Kombëtare “Labëria”, tamam LAB i përvëluar për LABËRI, para pak kohësh, po në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, në Skelë, kemi bërë promovimin e romanit të tij më të ri me titullin metaforik “Bletë dhe fishekë”, nën kujdesin e drejtpërdrejtë të intelektualit Petrit Brokaj, figurë publike në Vlorë duke bashkërenduar veprimtarinë me bashkinë e Vlorës, intelektualët e njohur dhe shoqëritë letrare – artistike që veprojnë në qytet. Mori pjesë dhe anëtari i Kryesisë së Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria” – “Nderi i Kombit”, prof. dr. Pëllumb Xhufi dhe miq të tjerë të autorit, ardhur nga Tirana. Mbresëlënës qe referati kryesor që mbajti intelektuali dhe studiuesi Mihal Kalia, fjalët e të cilit lanë gjurmë tek dëgjuesit dhe mbahen mend edhe sot. Sinqerisht, me pak fjalë, ai takim që ishte i orientuar me diskutime të programuara dhe të përgatitura me seriozitet kulturor, letrar e shkencor, me diskutimin e gjuhëtares së njohur prof. dr. Anila Omari, për njësitë dialektore, fjalëformimet, për fjalët e rralla të librit e ndezi auditorin, jo si pak herë, por si asnjëherë më parë. Përveç trajtimit shkencor që i bëri kumtuesja këtyre visareve dialektologjike, që pasurojnë hijshëm gjuhën e bukur shqipe, kumtesa e profesoreshë Omarit mori trajtën e një bashkëbisedimi të ngrohtë, ku u angazhuan gati të gjithë pjesëmarrësit, ndoshta dhe për faktin se shumica e tyre, dikur kanë qenë mësues gjuhe dhe letërsie dhe të pasionuar si ata mbas fjalëve të rralla dhe aq të përkushtuar me punën në terren sidomos në vitet 1970 – ’75.
2. Më 27 prill 2016 një grup veprimtarësh të Shoqatës “Labëria”, dega e Vlorës, duke bashkëvepruar me Shoqatën e Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë dhe me Shoqatën Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali” kryen dy veprimtari brenda një dite, që u shndërrua në një udhëtim pelegrinazhi për të nderuar të madhërishmin Petro Marko, shkrimtarin tonë të shquar internacionalist, kalorësin rebel të lirisë atje ku prehet poshtë, mbi dallgët e shqetësuara të Jonit, në dheun e tij, në varrezat e fshatit Dhërmi dhe lart, në brinjë, te shtëpia ku lindi idhulli ynë i paharruar. Te varri ku Ai prehet, vendosëm kurora me lule dhe buqeta të freskëta. Aty, secili nga ne, pjesëmarrësit në këtë udhëtim pelegrinazhi, thamë fjalë shpirti, si nderim dhe vlerësim për Atë që nderoi letërsinë shqiptare në Mesdhe dhe Europë, jo vetëm për kohën që jetoi. Labët dhe petromarkoistët nderojnë kalorësin e letrave shqipe, Petro Marko.
2.1. Pasi bëmë homazhet e merituara, ato që të gjithë ndjemë si qetësim shpirtëror, vijuam udhëtimin drejt qytetit të Himarës. Në Himarë nderuam himariotin e madh, labin e madh, shqiptarin e madh Petro Marko, me një veprimtari konkrete, duke përuruar romanin “Rebeli” kushtuar kujtimit dritëror të Petro Markos, shkruar nga shkrimtari tjetër lab Eqerem Canaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së Shoqatës “Labëria”, Vlorë. Aktiviteti u realizua me mbështetjen e bashkisë së Himarës, me pjesëmarrjen e nënkryetarit të bashkisë Simbol Pazaj, autoriteteve të tjerë vendorë, miq e dashamirës nga fshatarat e Bregut. Veprimtarinë e moderoi kryetari i këshillit bashkiak të bashkisë së Himarës Milto Gjiçali, i pasionuar pas letërsisë, artit, këngës labe himariote dhe adhurues i Petro Markos. Diskutuan prof. dr. Bardhosh Gaçe, “Mjeshtër i Madh”, kryetar i Shoqatës Kulturore Mbarëkombëtare “Ismail Qemali” si dhe poeti e studiuesi Albert Habazaj, kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve dhe Artistëve “Petro Marko”, Vlorë, njëkohësisht dhe redaktor i romanit “Rebeli”. Më tej folën shkrimtari Çlirim Hoxha, drejtor i Bibliotekës Publike të qytetit të Vlorës, si dhe publicisti dhe fejtonisti i thekur Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë. Folën poeti nga Palasa, docent Odise Çaçi, nip i të paharruarit Aleks Çaçi, bashkëfshatari i Petro Markos, si dhe poeti romantik e prozatori atdhetar Foto Bixhili, gjithashtu poeti i Mesaplikut dhe fajkoi i Shënmjegullës, Namik Jahaj, njëkohësisht anëtar i kryesisë së Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë. Përshëndetën shkrimtari i dashur Remzi Gjika, poeti i njohur Thodhori V. Baba, gjahtari i poezisë Qerim Pyllaj, etj. Kjo veprimtari, që u zhvillua me një nivel cilësor të kënaqshëm, u transmentua nga televizioni rajonal “6+1 Vlora” në emisionet e lajmeve dhe si speciale më vete, përgatitur nga të dërguarit e posaçëm të televizionit gazetari i palodhur Ermal Sika dhe grupi i xhirimit me përgjegjës të përkushtuarin djalë Labërie Enton Hoxha me origjinë nga Gjormi i Lumit të Vlorës. Kjo veprimtari pati një efekt shumë pozitiv për banorët himariotë, sepse u bë në kohën e duhur, në vendin e duhur, nga njerëzit e duhur, për njeriun e duhur (sidomos sot kur bashkia e Himarës është zgjeruar e përfshin edhe fshatrat Tërbaç, Vranisht, Bolenë, Kallarat, Kuç, Kuç Buronja të Lumit të Vlorës (ish-komuna Horë, Vranisht, sot njësi administarive), si dhe fshatrat Fterrë, Çorraj, Borsh, Qazim Pali, Piqeras, Lukovë, Sasaj, Shën Vasil e Nivicë (ish-komuna Lukovë, që më parë i përfshinte Saranda si rreth).
Nderojmë ata që kanë nderuar dhe nderojnë Labërinë
Nderime kolektive. Janë nderuar me çertifikatën e nderit “Mirënjohja e Labërisë” fshatrat Dukat, Tërbaç, Vranisht, Velçë dhe Drashovicë. Kriter kryesor i punës së degës së Vlorës për propozimet për nderimet kolektive nga qendra ka qenë vlerësimi i fshatrave, grupeve apo institucioneve më të spikatur se të tjerët. Për nderimet individuale kriter është dhe do të jetë respektimi kronologjik i hierarkisë së vlerave të bijave dhe bijve më të të dalluar se të tjerët për Labërinë sidomos dhe deri në rang kombëtar a më gjerë. Gjeografia e të vlerësuarve, mozaiku gjinor, i profesioneve dhe i grupmoshave, që ne kemi patur në vëmendjen e punës sonë si degë, i ka bërë më të bukura, më tërheqëse, më interesante, më të ndjekura e të pëlqyeshme, më dinjitoze dhe me mesazhe kuptimplotë për përmirësimin e punës sonë në të ardhmen. Ne kemi vlerësuar jo vetëm persona të veçantë, por edhe nderime kolektive, për fshatrat më të spikatur për traditat dhe vlerat e tyre, që janë përgjithësuese për Labërinë. Po ashtu kemi nderuar institucione kulturore apo mediatike, siç qe rasti më i freskët i vetëm para pak ditëve, kur me propozimin tonë, shoqata “Labëria”, qendër vlerësoi me Çertifikatën “Mirënjohja e Labërisë” Televizionin Rajonal “6+1 Vlora”. Nuk ka fshat të Labërisë së Vlorës e më tutje, ku gazetarët dhe kamerat e këtij televizioni aq të dashur për labët të mos kenë shkelur, filmuar, përshkruar dhe transmentuar në ekranin e “6+1-shit”, që në kuptimin më të mirë të fjalës na është bërë si i shtëpisë. Shumë spektakolar u bë dhënia e dekoratës, që rastisi me 50 vjetorin e lindjes së krijuesit dhe presidentit të Televizionin “6+1 Vlora”, biznesmenit të përkushtuar ndaj medias pamore Albert Deliaj me origjinë nga Sevasteri i Kudhës-Grehotit, (Vlorë) realizuar aq bujarisht me një mbrëmje festive në mjediset e “Club Itarus” në Ujë të Ftohtë, në miqësinë gëzimtare të mbi 300 personave.
Nderime individuale. Për vlerësimet, bashkërendojmë punën tonë me shoqatat e fshatarave, nga të cilat marrim propozimet e hollësishme, me Drejtorinë Arsimore Rajonale, me institucionet kulturore dhe shoqëritë letrare-artistike të qytetit. Është në traditën e shoqatës “Labëria” dhe patjetër edhe të degës së Vlorës vlerësimi i njerëzve të shquar, që i kanë sjellë dobi shoqërisë dhe Labërisë në fusha të ndryshme të kulturës, artit, letërsisë, historisë, ekonomisë dhe shkencës, përkatësisht me dekoratat e klasifikuara “Personalitet i Shquar i Labërisë”, “Mirënjohja e Labërisë” dhe “Veprimtar i dalluar i Labërisë”. Ndër veprimtaritë që akoma e ruajnë vlagën e nderimit mund të përmendim vlerësimet me Çertifikatën e nderit “Mirënjohja e Labërisë” për këta veprimtarë: Piro Hodaj (Bashaj), Shpesim Kasaj (Armen), Bedri Sullaj (Mesaplik), Anesti Bezhani 85 vjeçar, (qytet), i shquar në fushën e ekonomisë, jo vetëm në Sevaster, Novoselë e Vlorë, por i mirënjohur në rang kombëtar, si simbol dinjiteti dhe vitaliteti. Gjithashtu kemi bërë nderimin e birit të nderuar të Gumencës Refat Bajrami-Veshaj, (pas vdekjes) partizan dhe komandant i Brigadës XII Sulmuese, që çliroi edhe Vlorën e Sazanin, saqë banorët e Labërisë e kujtojnë si sinomin i kësaj brigade çlirimtare. Po ashtu, një tjetër veprimtari vlerësimi u zhvillua për ish mësuesin veteran nga Drashovica Festim Nelaj (pas vdekjes), etj.
Një dukuri pozitive. Në konferencën e saj të VI, dega e Vlorës vjen me prurje të freskëtadhe ky fakt është shumë pozitiv për stafetën e shoqatës. Është puna pa zë, kokë më kokë me nxënësit dhe studentët, kërkesat në vijimësi e këmbëngulëse ndaj bashkëmoshatarëve e anëtares së kryesisë së degës sonë Anila Ahmataj Sulaj, që pranimi i të rinjve në shoqatë është një proces që nuk do të ndërpritet.
Protokolli i analizës dyvjeçare
Pyetje, diskutime dhe zgjedhje të reja të degës së Vlorës. Raportin me shkrim e mbajti z. Ahmet Demaj, kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, dega Vlorë, që iu përgjigj dhe pyetjes së baletmaestrit të përkushtuar Jani Gjergji, i cili kërkoi të dinte përse nuk përmendet në raport kontributi i ansamblit të fëmijëve “Ismail Qemali”, Vlorë, që ka bërë aq shumë efekt në edukimin atdhetar të brezave dhe për zbukurimin estetik, artistik dhe etiko-moral të jetesësë së banorëve të qytetit dhe të fshatrave të qarkut, ku ata s’kanë lënë fshat pa dhënë shfaqje. Kryetari Demaj i ktheu përgjigjen, se është shkruar në gazetën “Labëria” dhe “Telegraf” për artistët e vegjël, është nderuar drejtuesi dhe regjisori i ansamblit (edhe pse jolab) me medaljen “Mirënjohja e Labërisë”, pikërisht për këto kontribute të çmuara. Më shumë do të merremi në të ardhmen me artistët e mrekullueshëm të Jani Gjergjit, pse jo, duke u bërë nderim kolektiv si ansambël. Pas pyetjeve rreth raportit, filluan diskutimet. Xhevdet Nuraj (Mesaplik) shprehu respekt për punën e degës së Vlorës, që i ka dhënë zjarr atdhetar dhe frymë kulture shoqërisë. Bexhet Rrapaj (Tërbaç, kryetar i shoqatës) theksoi se shoqata e Vlorës ka bërë punë të mira e të dobishme. Kërkoi që gazeta të merret më shumë me shkrime patriotike, si dhe më tepër aktualitet. Le të rritet dhe çmimi i gazetës. Qani Dervishi (Lops, Tepelenë) falënderoi kryesinë e degës, sidomos për punën në grup që bën binomi drejtues Ahmet Demaj – Albert Habazaj. Ngriti shqetësimin për pjesëmarrje më masive të grave dhe të rinjve. Luto Memokondi (Brataj) tha se në shoqatë ne duhet të japim llogari, jo të kërkojmë. Personalisht nuk kam munguar në asnjë aktivitet të shoqatës. Ndihem përgjegjës, se nuk kam shkruar në gazetë apo të punoj për shpërndarjen e saj. Vërtet që puna jonë është vullnetare, por deshëm që u bëmë tok, ta respektojmë këtë organizim shoqëror dhe të jemi në ballë të punëve. Shpresim Kasaj (Armen, sekretar i shoqatës) pasi falënderoi biznesmenin e sukseshmëm dhe bujar armenas Vullnet Sinaj, njëkohësisht edhe kryetar i shoqatës “Armeni”, i cili ka siguruar mjedise shumë të mira pune për veprimtarët e shoqatës “Armeni” në Vlorë, me zyrë, kancelari dhe paisjet e duhura në zemër të qytetit tek “Konadi”, buzë bulevardit “Ismail Qemali”, që është shetitorja kryesore e Vlorës. Shoqata “Labëria” s’është OJQ- tha diskutanti, -është institucion kombëtar kulturor atdhetar. Ne japim nga shpirti ynë për emrin e Labërisë, se na ka nderuar dhe na nderon. Ne duhet të punojmë edhe për ruajtjen e vlerave gjuhësore tek nipërit e mbesat, jo vetëm për vlerat morale atdhetare e kulturore. Dega e Vlorës ka bërë punë shumë të mirë në vazhdën e të parëve, të paharruarit Dasho Matodashaj, si dhe të Sejmen Gjokolit, Albert Habazajt e Bilal Shkurtajt, që kanë qenë kryetarë të degës së Vlorës në vite. Sot Ahmet Demaj ka kontribut të veçantë për faktin se Vlora dallon nga simotrat e saj të Shoqatës Kombëtare “Labëria”. Vlerësimet që bën shoqata- vuri në dukje ai- janë nxitje, shtytje, motivim dhe mobilizim atdhetar. Kryetari dhe sekretari kanë bërë punë shumë të mirë. Mendoj që për vlerësimet që bëhen të shikohen më mirë kriteret. Mirë është që shoqata të ketë një zyrë. Kjo punë zgjidhet me biznesmenë të zotë e fisnikë dhe me angazhimin e tyre. Serri Tushi (Vërmik): Raporti që mbajti Ahmeti qe i përsorur. Pasqyronte veprimtaritë kryesore të shoqatës, me të mirat dhe dobësitë. Kam një vërejtje, për vlerësimet e figurave mendoj që të shtrohen në diskutim me kryesinë. Për shkrimet që nuk na botohen, të na kthehet përgjigje, të paktën, se unë kam nisur dhe nuk më janë botuar. Mezi m’u botua një. Duhet të ketë një klub shoqata “Labëria”, se në Vlorë ka patur qysh më vitin 1908. Taire Bozhani (Dukat, nënkryetare e degës së Vlorës) bën një retrospektivë të shoqatës “Labëria” të degës së Vlorës, qysh nga viti 1993, kur u hodhën themelet e kësaj shoqate, në ato kushte aq të vështira. Në vitin 1994 u ngrit shoqata “Labëria” e Vlorës, u konstitucionalizua me mund, përpjekje e sakrifica, me shumë vështirësi finaciare, që për vendin ku të mblidheshim, qetësinë, sigurinë, etj. I deleguar nga qendra erdhi poeti i shquar lab Agim Shehu. Po ku të mblidheshim? Ata që kishin mundësi, kishin frikë të na krijonin ndonjë mjedis, sado modest. Tomor Lelo guxoi e na liroi zyrën e tij tek Shtëpia e Oficerëve dhe këtë e gjest fisnik e bënte sa herë ne na nevojitesh të mblidheshim si shoqëri labësh të sapoorganizuar në shoqatë jopolitike, por kulturore atdhetare. Nuk duhet të humbasim memorien dhe peshoren e gjykimit. Falënderoj Dashon dhe të tjerët që kanë kontribuar në krye të shoqatës së Vlorës. Falënderoj kryetarët e shoqatave të fshatrave, që i japin impuls veprimtarive të Labërisë në Vlorë. Kam dhe disa vërejtje: Asnjëherë nuk duhet të anashkalohet kryesia, për çdo problem që ka! Kujdes me afrimin fiktiv të anëtarëve të shoqatës! Vërejtje për qendrën në Tiranë: mos ta kthejnë shoqatën në koktejle për njerëz të paduhur dhe pavlerë. (ndërhyn i deleguari i qendrës, prof. dr. Ago Nezha, i cili e kundërshton, sipas tij, me fakte që janë mbushëmendëse se qendra është në ballë të nderit e është Nder i Kombit dhe veprimtaritë i bën njërën më të mirë se tjetrën dhe ka personalitete të rangut kombëtar e europian që afron, promovon e nderon. Vetëm dy shoqata shquajnë në Shqipëri – tha kryetari Nezha – Shoqata “Labëria” dhe Shoqata “Çamëria” dhe që të dyja janë vlerësuar me dekoratën e lartë “Nderi i Kombit”. Në vijim diskutoi Albert Habazaj (sekretar i shoqatës “Labëria” për Vlorën, njëkohësisht protokollues i Konferencës), ku, ndër të tjera, theksoi: Jemi munduar të shtrijmë gjeografinë e shoqatës “Labëria” Vlorë, edhe matanë Vjosës, me angazhim që nga Mallakastra në Tepelenë; me pjesëmarrjen e banorëve të këtyre krahinave që banojnë në qytetin e Vlorës. Veprimtarët tanë më të shquar veprojnë dhe nuk flasin. Do të përmend vetëm trion heroike (në kontekst): Jahaj, Gaçe, Demaj, sepse ai ansambël monumental në Mesaplik, të cilin ne, labët, duhet ta kthejmë në vend pelegrinazhi historik e kulturor, nuk mund të realizohej pa zjarrin e shpirtit të tyre monumental dhe bujarinë e falënderueshme që treguan, bashkë me të tjerë më pas. Meriton lavdërime anëtarja më e re e kryesisë Anila Ahmataj për prurjet e reja në shoqatë, që, gjithsesi janë ende bulëzime. Presim shpërthime rinore në Labërinë e Vlorës. Ndoshta ne, duhet të freskojmë e të riformatojmë metodologjinë e punës me brezat, që ata mos ta shikojnë si bezdisje afrimin në shoqatë, por si mision me dëshirë, për argëtim, për edukim me ndjenjën e dashurisë ndaj vendlindjes a vendorigjinës dhe të kontribuojnë me ide të reja investimesh për përmirësimin e jetesës të fshatarave të Labërisë, nga ne vijmë. Çdokush nga ne duhet të ketë parasysh që misioni ynë është edukimi kulturor dhe atdhetar i brezave, në ruajtjen e vlerave më të mira të traditës së popullit tonë në tërësi dhe në veçanti të krahinës sonë Labërisë së dashur, që ende dhëmb. Dje kullonte gjak nga plagët e luftës për liri. Sot përsëri rënkon e kullon përsëri gjak për shpërfilljen që i bëhet nga vertikaliteti ynë, që na ka xhan vetëm një herë në katër vjet. E çfarë kërkojnë sot labët e Lumit të Vlorës?! Fillestaren kërkesë për jetesë – RRUGËN, asfaltimin e rrugës, që Lumin e Vlorës mos ta marrë lumi… Kam dhe një mendim: Zgjedhjet në degë të mos bëhen çdo dy vjet, por çdo katër vjet, se na bllokuat fare, sikur vetëm këtë punë paskemi ne: zgjedhje, zgjedhje. Të marrim një herë frymë, të ngrihemi, të konturohemi, të formatohemi, të shfaqemi e të tregojmë çfarë dimë e duam të bëjmë, pastaj le të vijojë stafeta normalisht siç e ka qendra, siç dhe funksionon normalisht procesi zgjedhor në Shqipëri. Ky sugjerim që bëj nuk i shkakton ndonjë problem rishikimit të Statutit të Shoqatës “Labëria”. Nuk jam dakort të rritet çmimi i gazetës, veçse çdo anëtar kryesie të tërheq të paktën 5 gazeta (dy kafe në muaj janë, jo tri…). Simbolik është çmimi vërtet, po ja, kështu, “gurë – gurë bëhet kalaja”, thotë një fjalë e vjetër. Vetëm sot Kastriot Karabolli tërhoqi 20 gazeta për kallaratasit e tij. Kështu duhet të bëjmë të gjithë, por jo një herë në mot, dil e kullot e kur ka hënë. Meriton një falënderim të veçantë gazetari i talentuar, shkrimtari i palodhur dhe labi i përkushtuar si ai, Albert Z. Zholi, njëkohësisht dhe sekretar organizativ i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, i cili me rubrikizimin, formatimin, faqosjen me ngjyra dhe strukturizimin bashkëkohor që i ka bërë gazetës “Labëria”, si kryeredaktor i saj, i ka dhënë asaj një fytyrë të re qytetare, përparimtare, aq të dashur nga ne labët, por edhe nga miqtë tanë anembanë Shqiptarisë. Dr. Asqeri Llanaj (Cakran, kryetar i shoqatës) përshëndet punimet e kësaj konference dhe falënderon kryesinë për mbarëvajtjen shembullore të veprimtarive të degës së Vlorës, e dalluar ndër shoqe, sipas doktorit. Ndihem krenar që jam anëtar Shoqatës “Labëria” dhe i kryesisë së Vlorës. Fatmir Hodo (Gumenicë, kryetar i shoqatës) falënderon punën e degës së Vlorës dhe të qendrës në Tiranë. Ne jemi këtu, – tha ai – se të parët na kanë lënë histori. Gumenica ka një muze, që më parë s’e kishte, godinë historike e fshatit. Falënderoj z. Gafur Duda, që investoi për muzeumin e Gumenicës dhe s’u mburr një herë. Kemi bërë dhe një park 5 dynym truall, më i mirë se i Vlorës. Kemi bërë lapidarin historik të dëshmorëve. Kemi restauruar lapidarin e krijimit të Brigadës V. Kemi nderuar figrat e fshatit, duke respektuar kriterin kronologjik dhe të vlerave. Do të vijojmë dhe në të ardhmen më mirë akoma. Sejmen Gjokoli (nënkryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”) pasi bën një vlerësim të veçantë të veprimtarive të degës së Vlorës, në rrafshin krahasues me degët simotra të shoqatës “Labëria”, shprehet se Vlora ka më shumë mundësi të shkëlqejë dhe të jetë vërtet model për degët e tjera. Bashkë me Aldrin Dalipin – tha ai- jemi caktuar të ndjekim punimet e Vlorës. Aldrini ka ngarkesë pune në Tiranë, por ka ardhur vetë z. Ago, kryetari i shoqatës. Propozimi i Berti për të bërë zgjedhje një herë në katër vjet qëndron; të ngelet që të diskutohet si propozim nga Vlora në Kuvendin VI të Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”. Vlerësimet që bëjmë për njerëzit që kanë bërë e bëjnë histori e kulturë duan vëmendje. Më shumë kolegjialitet dhe seriozitet në vlerësimin e figurave. Të mos ketë inflacion në këto vlerësime, se bëhemi objekt thashethemesh. Duhet të jemi derë përgjegjësie, jo han me shtatë porta. Duhet të kemi një radhë në vlerësimet që bëjmë. Prof. dr. Bilal Shkurtaj (Vranisht, kryetar i shoqatës dhe nënkryetar i Vlorës, zëvendës rektor i Universitetit “Ismail Qemali”): Kur flasim për shoqatën “Labëria”, kemi parasysh anëtarësinë, kryetarët e shoqatave të fshatrave dhe ata që vijnë me dëshirë e përgjegjësi në organizatën tonë. Funksionimi organizativ në shoqatë ka ende probleme. Duhet të bëjmë listimin dhe paisjen me kartat e reja të anëtarësimit për disiplinimin e të angazhuarve. Personalisht do të angazhohem me detyra që mund t’i realizoj e konkretisht zotohem për afrimin e grave në shoqatë dhe sidomos të studenteve dhe studentëve në shoqatë, meqënëse punoj në Universitet. Piro Bregu (Kaninë) pasi bëri një përmbledhje të sukseseve të shoqatës “Kanina” tha se veprimtari më të bukura do të bëjmë në Ballkonin e Vlorës. Shoqata “Labëria” është parlament popullor – theksoi ai. – Nuk na prish punë buka, dreka, darka e kafja, se në fund të fundit, është dhe në traditën e Labërisë bukëdhënia mikut. Të parët tanë kanë qenë mikpritës dhe sofërmbudhë. Se kemi Ago Nezhën me shpirt dhe bujarin Bujar Leskaj me financim në ide, mendime dhe sponsorizime, që janë aq shumë të angazhuar, sikur të ishin të punësuar në shoqatën “Labëria”, prandaj emri i lartë i Labërisë qëndron sipër, Nder i Kombit. Në fund të diskutimeve e mori fjalën prof. dr. Ago Nezha (kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, “Mjeshtër i Madh”, “Kalorës i Urdhërit të Skënderbeut”), i cili vlerësoi punën e shoqatës “Labëria”, dega e Vlorës duke cilësuar se Vlora është në ballë të veprimtarive kulturore – atdhetare të Shoqatës “Labëria” – “Nderi i Kombit”. Ai kujtoi se Rexhep Qosja ka thënë: “Labëria e ka lindur dhe rilindur Shqipërinë. Komplimentoj Vlorën – tha kryetari Nezha – sepse keni një ansambël të mençur mendimesh e diversiteti që treguat drejtpërdrejt, me guxim e pa qejfmbetje, flet për nivelin intelektual të drejtuesve tuaj. Ju e pranoni njeri-tjetrin ashtu siç jeni dhe s’keni komplekse. Kjo është shenjë qytetarie. Ken kërkesa të larta ndaj vetes. Ju nuk krahasoheni me të tjerët, por me më të mirën ideale. Jeni model i funksionimit të një shoqërie kulturore – atdhetare, me aktivitetet që keni zhvilluar, në shumë prej të cilave kam qenë pjesëmarrës. Një aktivitet ju nuk e bëni si tjetrin. Ju i shtrini gjatë gjithë vitit veprimtaritë. S’punoni me hope, por me program të studiuar dhe u pëlqehen nga komuniteti veprimtaritë që bëni. Kjo ka rëndësi. Keni pasuri, kolorit, gjerësi, shtrirje. Shembull i veçantë kombëtar është memoriali i Mesaplikut, ku, sidomos, përkushtimi i treshes Namik Jahaj, Bardhosh Gaçe, Ahmet Demaj, ishte titanik, deri në realizimin e ansamblit historik nga skulptori i ri jolab Viktor M. Simoni “Mirënjohja e Labërisë”. Solidarizohem me shqetësimin që ngritët për respektimin e hierarkisë së vlerave në vlerësime. Në shoqatë janë afruar shumë intelektualë e personalitete të fushave të ndryshme me titullin profesor. Kjo do të jetë një tendencë jona edhe në të ardhmen. Është i nevojshëm ndërkombëtarizimi i Shoqatës “Labëria”. Ka hapësira promovimesh në Kosovë për të angazhuarit atdhetarë me emrin Vlora, Labëria, Berati, etj. emra të tillë simbolikë. Tërheq vëmendjen se ende ka pak vajza, djem, gra e të rinj në afrohen në veprimtaritë tona. Një falënderim të veçantë kam për zonjën Vojsava Shkurtaj për mbështetjen e saj në veprimtaritë tuaja, si dhe duke na krijuar një klimë të favorshme për zhvillimin normal të punimeve të kësaj konference të rëndësishme. Falënderoj kryetarin Ahmetin, sekretarin Bertin dhe z. Sejmen si i deleguar i qendrës në Vlorë – Orikum. Kam një vërejtje për ju të Vlorës, se mënyra e pasqyrimit të veprimtarive nga Vlora pothuaj mungon në faqet e gazetës “Labëria”. Shikojeni këtë çështje seriozisht, se i keni mundësitë si pakkush, krahasuar me të tjerët. Rekomandoj të zgjidhni një kryesi aktive.
Zgjedhjet e reja. Procesi i zgjedhjeve të reja në Vlorë kompozon tre elementë të domosdoshëm për një funksionim cilësor të shoqërisë labe në qytet: 1. shpërndarjen gjeografike, 2. shpërndarjen gjinore dhe 3. kompozimin e moshave. U miratua që kryesia të përbëhet nga 25 vetë, por nuk u ra dakort që gjithë kryetarët e shoqatave të fshatrave të jenë patjetër anëtarë të kryesisë, sepse kjo është e pamundur, nga që në Vlorë deri më sot kemi 33 fshatra të organizuar në shoqata, dhe na ngelen jemi të gjithë në presidium e në sallë karriget. U miratua të ketë një raport të drejtë gjeografik dhe të zgjidhen ndër më të dalluarit nga kryetarët e shoqatave të fshatrave. Pastaj Ahmet Demaj lexon listimin e kryesisë së re dhe e hodhi për miratim. (U zëvendësua Kristo Çipa, sepse ka ikur me banim në Himarë dhe atje ka degë më vete, ku ai është i organizuar). U bënë tre zëvendësime për arsye moshe apo mosangazhimi, me tre propozime të reja, që qenë: Fatmir Hodo (Gumenicë), Agim Jazaj (Dushkarak) dhe ing. Todi Hodaj (Bashaj). Miratohen të tre emrat e rinj. Miratohet listimi i lexuar, i cili u paraqit me shkrim dhe ruhet në dosjen e shoqatës. U rizgjodhën: kryetar Ahmet Demaj, sekretar Albert Habazaj, nënkryetarë: Bilal Shkurtaj, Vitori Hasani dhe Taire Bozhani. Protokolluesi Albert Habazaj.
RAPORTI
Raport në analizën e zgjedhjeve të Shoqatës Kulturore Atdhetare “Labëria”, Vlorë
Nga Ahmet Demaj
kryetar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë
Më duhet ta fillojmë këtë takim me një minutë heshtje në nderim të gjithë atyre labëve dhe miqve të Labërisë që nuk jetojnë më. Më duhet të falënderoj punën e bërë në vite të gjithë atyre që e krijuan, e vazhduan, na e dorëzuan neve për ta shpurë më përpara dhe për ta bërë shoqatën “Labëria” të meritojë titullin “Nder i Kombit”. Merita kryesore i takon historisë së lavdishme të të parëve tanë dhe që detyra jonë është ta ruajmë, ta pasurojmë me element të rinj, ta pëcjellim te brezat që vijnë me tërë lavdinë që ka kjo trevë. Patjetër, duke marrë edhe përgjegjësitë për ato probleme që kemi pasë mundësi për t’i bërë më mirë por s’kemi mundur. Kemi bërë bilance pune, kemi bërë analiza, kemi realizuar shumë detyra të planifikuara, ashtu siç mund të themi, se brenda anëtarësisë së shoqatës sonë “Labëria” ka energji të pashterura për të bërë të pamundurën të mundur dhe të mundurën realitet. Këtë e tregon veprimtaria e anëtarëve të kryesisë dhe shumë shoqata të fshatrave, që kanë shërbyer me punën dhe shembullin më pozitiv të tyre për të tërhequr mbas vetes edhe të tjerët, si në aktivitete atdhetare dhe në ato kulturore. Kanë qenë shembull si në sasinë e aktiviteteve edhe në ngritjen cilësore të tyre. Më duhet të lavdëroj punën e prof. Bilal Shkurtaj, të Taire Bozhanit e Vitori Hasanit dhe në mënyrë të veçantë të sektretarit Albert Habazaj. Jo vetëm këta, por anëtarë të kryesisë si Ruzhdi Bajrami, Mustafa Dedenika, Serri Tushi, Asqeri Llanaj, që kanë kontribute dhe pjesëmarrje aktive në tërë veprimtaritë. Nuk do të kishim këto suksese pa punën për gjallërimin e gjithë trevës së Labërisë, pa shpërnguljen gjeografike të aktiviteteve aty ku janë rrënjët e Labërisë, ndaj falënderojmë shoqatata që nga Kuçi, Bolena, Kallarati, Vranishti, Tërbaçi e veçanërisht të Mesaplikut, Dukatit, Gumenicës, Bratit e Velçës, që kanë krijuar modele të veçanta të punës së tyre. Këtë vit del në pah dhe puna e shoqatës së Armenit me kryetar Vullnet Sinën, që krijoi i pari ndër shoqatat zyrën ku kryejnë veprimtaritë dhe ku ruhen dokumentacionet e shoqatës. Po kaq pozitiv është edhe shembulli i shoqatës “Kanina” dhe Piro Bregut. Bashkërendimi i veprimtarisë së këtyre shoqatave me shoqatën “Labëria” ka pasë interesa të përbashkëta për zgjerim, por edhe për mundësitë që u kemi dhënë ne për të demonstruar, për të vlerësuar, nderuar e kujtuar vlerat njerëzore dhe historike të fshatrave të tyre. Është ky kujdes që ne u futëm me aktivitetet tona edhe në Gjorm, edhe në Drashovicë, edhe në Kaninë apo dhe në të tjera fshatra. Shembulli që dha unioni i shoqatave të Mesaplikut shërbeu si nxitje për të tjerët. Shembulli që dha Gumenica për muzeumin, Matogjini dhe Tragjasi për shkollën, si qendra komunitare apo qendra muzeale, janë nisma që duhet t’i shpiem edhe në fshatra të tjerë. Shembulli që dha Brati për monumente të reja është premtues, ashtu siç dha Velça me bustin e dëshmorit të shkollës, etj. Kontributi ynë ka qenë nxitja, pjesëmarrja, mbështetja në nderim të këtyre aktiviteteve. Kështu kemi bërë me 100 vjetorin e shkollave në Bashaj e në Tragjas, në Brataj e në Bolenë, në Tërbaç e në fshatra të tjerë si Drashovicë, Ploçë e Ramicë. Nuk mund t’i përmendim të gjitha aktivitetet, por kemi të drejtë të themi që çdo muaj kemi realizuar jo më pak se dy aktivitete. Kujtojmë që vetëm këtë muaj (korrik 2016, shën. im – AH) u realizuan katër të tillë. U kemi dhënë gjallëri kujtimit dhe vlerësimit të ngjarjeve historike, por nuk kemi lënë mbrapa ngjarjet kulturore. Dëshira dhe besimi që kanë krijuar te puna e shoqatës tonë bënë të mundur promovimin dhe diskutimin krijues të shumë librave. Kujtojmë veprimtaritë me prof. Paskal Milon, prof. Ago Nezhën, me zotërinjtë Mark Dodani, Daut Gumeni, Mihal Kalia, Sejmen Gjokoli, Ruzhdi Bajrami, Albert Habazaj, Eqerem Canaj, Namik Jahaj, Idajet Jahaj, Sulçe Çela, me mjaft të tjerë si Manxhar Binaj, Luftar Petroshati, duke bashkërenduar mirë punën me shoqëritë e klubet krijuese dhe Bibliotekën e qytetit. Këto aktivitete kanë qenë jo vetëm takime intelektualësh, por kanë shërbyer si vlera edukative për forcën e fjalës dhe për lirinë e saj, sepse kanë ndikuar në edukimin individual për t’u ndërtuar si qytetar të ndërgjegjshëm, të përgjegjshëm, të ndershëm, për të ndikuar për një shoqëri me standarte qytetare, në papajtueshmëri me mashtruesit, me gënjeshtarët, me shpërdoruesit e lirisë pa kufi. Janë këto arsyet pse vlerat e punës së shoqatës kulturore – atdhetare “Labëria” në Vlorë kanë fituar respektin e qytetarëve. Dhe kur arrin këtu thotë Zhan Zhak Rusoi “e ke situatën në pëllëmbë të dorës”. Kjo situatë pozitive ka bërë që, shumë herë me propozim tonin, që nga Presidenti i Republikës, Bashkia, Qarku, të nderohen e vlerësohen për kontribute të veçanta shumë figura historike, kulturore, atdhetare, sportive dhe gjej rastin, që, si institucione shtetërore, t’i falënderoj. Edhe në të ardhmen do të bëjmë të mundur të mbajmë këtë nivel marrëdhëniesh, duke ruajtur inflacionin e vlerësimit pa vlera dhe që kësaj sëmundje s’i kemi shëptuar as ne, duke shmangur presionin e mikut, të shokut, të tarafit, të fshatit apo më tej. Jemi ne përgjegjës për çdo kontestim publik ndaj këtyre vlerësimeve. Kjo s’do të thotë që ne s’do bëjmë më, por porositim kryesitë e shoqatave të fshatarve ta gjejnë radhën e vlerave pa hequr përgjegjësinë që kemi ne për t’i kthyer mbrapsh, si kemi bëre edhe deri tani. Edhe pse pa fonde, pa buxhete, pa financa kemi bërë diçka, por jo gjithçka të mundshme. Ashtu siç duhet të korrigjojmë pjesëmarrjen e zonjave të Labërsië në organet drejtuese, ashtu duhet të korrigjojmë edhe këtë raport në vlerësimet tona. Në të ardhmen duhet ta korrigjojmë. Ripërtritja e shoqatës me të rinj është problemi më i mprehtë. Vlen të falënderoj zj. Anila Hamataj për kontributin që ka dhënë duke sjellë edhe sot pjesëtarë të rinj. Këtë do të thosha edhe për Todi Hodaj nga Bashi. Do ta kthejmë në normë. Çdo anëtar kryesie i zgjedhur do të afrojë brenda një viti 10 anëtarë të rinj. Vetëm kështu ne do të shumojmë anëtarësimin e shoqatës për të mos e lënë që të plaket. Kemi pasur bashkëpunim të mirë me shoqatat simotra, si ajo “Ismail Qemali”, ku më duhet të falënderoj prof.dr. Bardhosh Gaçe për kontributin që jep edhe si anëtar i Këshillit Drejtues të Labërisë. Bashkëpunimi ynë me organizatën e Veteranëve, të Familjeve të Dëshmorëve, të Invalidëve të Luftës, me shoqatën “Çamëria”, me shoqatën “Shqipëri – Kinë”, ka bërë që sallat tona të jenë gjithnjë plot. Do ta vazhdojmë bashkëpunimin me Mallakastrën e Tepelenën e pse jo deri në Kosovë te vëllezërit tanë. Patjetër që meritojnë një kujdes dhe falënderim televizionet, veçanërisht “6+1”-shi, që ka pasqyruar çdo aktivitet, patjetër me pagesë, por s’ka përtuar të shkojë në thellësi të Labërisë. Meriton një falënderim z. Agim Jazaj për kontributin në shtyp për shumë personalitete dhe ngjarje të Labërisë. Nuk na vjen frikë se dëmtojmë imazhin personal dhe atë të shoqatës “Labëria”, kur të pranojmë se kemi shumë probleme të tjera që s’i kemi bërë mirë: 1- Nuk i kemi dalë zot gazetës “Labëria”, as në shpërndarje dhe as me shkrime e pasqyrim të aktiviteteve tona që nga unë e deri te 25 anëtarët e kryesisë, duke vendosur rregullin që çdo anëtar i ri i kryesisë të abonojë apo shpërndajë 5 copë gazeta, duke sakrifikuar 2 kafe dhe çdo anëtar i ri të botojë shkrime të zonës dhe për zonën e tij. Do të shtoja që çdo shoqatë fshati të mos heqë dorë nga botimi i gazetës lokale. Ato kanë vlerë të jashtëzakonshme, sepse mbeten të shkruar ato pjesë të historisë që varrosen çdo ditë. Shembullin pozitiv ta marrin tek Dukati, Vranishti, Tërbaçi, Mesapliku, Vërmiku, Kanina e Armeni. 2- Të shtojmë bashkëpunimin që gjithë fshatrat e Labërisë të jenë në bashkëpunim të vazhdueshëm reciprok me SHAK “Labëria”, sidomos të zonës së Gorishtit. Edhe ato janë Labëri. 3- Zëri i shoqatës të ndihet më shumë për problemet. Janë ngritur probleme për rrugët, për ambjentet, për kishat, për pyjet, por duhet më shumë, sepse jemi një zë që kemi filluar të dëgjohemi. 4- I falënderojmë gjithë ata që nderojmë, se me historinë e tyre i kanë bërë nder Labërisë, por pjesëmarrja e pasardhësve të tyre në aktivitetet tona ngelet edhe detyrë e atyre. 5- Sukseset i ndajmë me kryesinë qendrore për mbështetjen që na kanë dhënë ne si degë e Vlorës, po ashtu edhe mossuksest tona për të na vënë para përgjegjësisë për ta përmirësuar punën në të ardhmen.
*Sekretar i Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”, Vlorë,
anëtar i Këshillit Drejtues të Shoqatës Kulturore – Atdhetare “Labëria”-“Nderi i Kombit”
Konferenca e Vlorës
Komentet