VOAL

VOAL

(Video) Amnistia fiskale/ Ekspertja Suzana Guxholli: Amnistia fiskale shkatërron ekonominë! Qeveria po përdor emigrantët si të moshuarit me inceneratorët

July 5, 2022

Komentet

BE-ja i kërkon Serbisë t’i japë fund mosndëshkimit të autorëve të vrasjes së gazetarëve

Bashkimi Evropian (BE) i ka bërë thirrje Serbisë të enjten t’i japë fund pandëshkueshmërisë se përgjegjësve për vrasjen e gazetarëve dhe i ka kërkuar të sigurojë kushte të duhura për punën e lirë dhe të pavarur të gazetarëve.

Gjykata e Apelit e Serbisë në Beograd i liroi javën e kaluar katër ish-pjesëtarët e Shërbimit të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, të akuzuar për vrasjen e gazetarit, Sllavko Quruvija, në prill të vitit 1999.

Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Ana Pisonero, shprehu keqardhjen e saj për vendimin e gjykatës në Beograd dhe që vrasja e Quruvija nuk është zbardhur akoma dhe vrasësit nuk janë dënuar, edhe pse kanë kaluar më shumë se 24 vjet.

“Autoritetet përkatëse të Serbisë duhet të ndërmarrin hapa që t’i jepet fund pandëshkueshmërisë në këtë rast dhe të nxjerrin para drejtësisë kryesit. Gazetarët duhet të punojnë pa presion dhe në mënyrë të lirë”, tha Pisonero.

Gjykata e rrëzoi aktgjykimin e shkallës së parë dhe i liroi Radomir Markoviqin nga akuzat për nxitjen e vrasjes së rëndë, si dhe Millan Radonjiqin, Mirosllav Kurakin dhe Ratko Romiqin nga akuzat për bashkëpjesëmarrje në kryerjen e vrasjes së rëndë.

Sllavko Quruvija ishte vrarë më 11 prill 1999 në qendër të Beogradit, para hyrjes së ndërtesës në të cilën banonte. Ai ishte pronar dhe redaktor i “Dnevni telegraf” (Telegrafi Ditor) dhe i gazetës javore, “Evropljanin”, (Evropiani).

Pisonero ka rikujtuar edhe porositë nga Raporti i Progresit për Serbinë, ku kërkohet që të krijohen kushte për respektimin e standardeve të lirisë së mediave në Serbi.

Ndërkaq, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, iu është përgjigjur pyetjeve rreth sulmeve verbale ndaj disa mediave evropiane që në një intervistë i ka bërë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke i quajtur edhe si ”media kriminale”.

“Nuk komentojmë zakonisht komente e personave të tjerë, sidomos kur nuk e dimë kontekstin. Por, BE-ja dhe Komisioni Evropian kanë qëndrim të qartë dhe mbështesin fuqishëm lirinë e mediave dhe të gazetarëve si në BE, ashtu edhe jashtë saj. Kërkojmë fuqishëm që gazetarët të kenë mundësi të punojnë pa presion”, tha Stano.

Duke iu referuar kritikave të Vuçiqit dhe fyerjeve që ua kishte bërë disa mediave evropiane, Stano, pa ia përmendur emrin, e ftoi presidentin serb “të shikojë rreth vetes dhe të shohë se çfarë kanë bërë autoritetet e vendit të tij për mediat”.

“Kushdo që bën kualifikime të tilla për mediat një gjë e tillë flet më shumë për atë person. Për shembull, lejimi i mjeteve të propagandës ruse që të vendosen në Serbi. E kam fjalën për RT-në, medium i Rusisë që është i ndaluar në BE, i cili përhap propagandën më të ashpër ruse rreth luftës ilegale të Rusisë ndaj Ukrainës”, theksoi Stano.

Bashkimi Evropian i ka kërkuar Serbisë disa herë që t’i mbështesë sanksionet e bllokut ndaj Rusisë, përfshirë edhe kur është fjala për ndalimin e mediave të cilat janë të sanksionuara nga BE-ja. Por, Serbia vazhdon të refuzojë përshtatjen e qëndrimeve të veta me ato të BE-së kur është fjala për sanksionet ndaj Rusisë.rel

Rezistencë në heshtje: Simbolet ruse pro luftës nën sulme të vazhdueshme

Baneri me simbolin Z në Irkutsk të Rusisë.

Disa ditë pas nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë, në shkurt të vitit 2022, një baner i madh me shkronjën Z, është parë në fasadën e teatrit, në qendër të qytetit të Siberisë, Irkutsk.

Ky ka qenë vetëm një prej shumë banerëve të ngjashëm që kanë pasur një simbol të ri të Kremlinit për të treguar mbështetjen për luftën, për politikat e presidentit rus, Vladimir Putin, dhe të administratave lokale, që i kanë ndërmarrë atëbotë.

Kritikët e simbolit Z e shohin atë si emblemë fashiste të një besnikërie ndaj shtetit, të detyruar nga vetë shteti, së cilës i referohen si “Zvastika”.

Baneri ka qenë për shumë muaj prezent në Irkutsk.

Mirëpo, në maj, mediat lokale kanë raportuar se përfaqësuesit e komunitetit të teatrove të qytetit, kanë dërguar dy kërkesa te autoritetet komunale, për heqjen e banerit.

Sipas letrave të tyre, baneri është vandalizuar më shumë se një herë.

Kryetari i ka injoruar thirrjet, mirëpo Vadim Palko, i cili menaxhon kanalin e qytetit në platformën Telegram, e ka nisur një fushatë publike, duke kërkuar që baneri të largohej.

Shumë shpejt, ai i ka fituar 440 mbështetës.

Në fund të muajit të kaluar, zëvendëskryetarja Tatyana Makarycheva, e ka dorëzuar një përgjigje, duke refuzuar thirrjet për largim, me arsyetimin se baneri “mbron tokën amë, njerëzit dhe traditat tona”.

Ajo ka paralajmëruar edhe kundër “deklaratave negative” për simbolin Z, duke thënë se ato mund të ndiqen sipas ligjit që dënon “diskreditimin e forcave të armatosura”.

Mirëpo, lufta për ta larguar banerin me shkronjën Z nga teatri “nuk ka përfunduar”, ka thënë Palko për Radion Evropa e Lirë.

“Sipas planit tonë, ne jemi duke përgatitur kërkesa tjera për Zyrën e Prokurorit”.

Rritja e kundërshtimeve për banerin e Irkutskut – si fushata për ta larguar banerin, ashtu edhe dëshmitë për vandalizim – shpërfaqin histori të ngjashme në Rusi, që mund të japin shenja për rritje të kundërshtimeve për luftën, që po hyn në vitin e tretë dhe nuk i shihet fundi.

Për më shumë, tani është bërë më shumë se një vit prej kur Putin pati shpallur mobilizim ushtarak, dhe e ka afruar luftën direkt në shtëpitë e qindra mijëra rusëve.

“Nuk ka pasur mbështetje të thellë për këtë luftë, qysh prej fillimit”, ka thënë Aleksei Ivanov, banor në qytetin Siktivkar, i cili ka ikur nga Rusia pasi është përballur me akuza penale pse e ka quajtur një zyrtar policor, “fashist”, gjatë një proteste të vogël kundër luftës, të mbajtur në shkurt të vitit 2022.

“Unë vetëm e kam parë simbolin Z në makinë, në mesin e prillit të vitit 2022. Atëherë ka pasur rrëfime të njerëzve që simbolet ua kanë vënë edhe në goma të makinave. Prej fillimit e kam parë që nuk ka pasur mbështetje të madhe për luftën. Prandaj, ky lajm nuk më befason.

“Një prej rrugëve më pak të rrezikshme”

Për më shumë se një vit, 17-vjeçari Yevgeny Fokin, është duke zhvilluar një fushatë për t’i detyruar autoritetet që ta largojnë banerin me shkronjën Z nga hapësirat publike të qytetin Siberian, Novosibirsk.

Në fund të majit të vitit 2022, ai ka arritur t’i bindë autoritetet komunale që ta largojnë banerin, me arsyetimet se ato i shkelin rregulloret e qytetit për reklamim.

“Pas banerit të parë, një version i ri është shfaqur në ndërtesën e njëjtë”, ka thënë Fokin për Radion Evropa e Lirë.

“E kam shkruar një ankesë të dytë për administratën, duke thënë se baneri, sërish, nuk përkon me standardet e qytetit dhe duhet të largohet patjetër”.

Për çudinë e Fokinit, edhe baneri i dytë është hequr. Qysh atëherë, ai vlerëson se ka arritur t’i heqë edhe 10 të tilla prej ambienteve publike, duke e lënë këtë qytet pa shumë simbole që lexohen si përkrahje për luftën e Rusisë në Ukrainë.

Heqja e banerit pas kërkesës së 17-vjeçarit, Fokin.

Heqja e banerit pas kërkesës së 17-vjeçarit, Fokin.

“Situata me banerë është shumë më e mirë, tani nuk ka mbetur pothuajse asnjë”, ka thënë ai.

“Ata nuk janë duke vendosur banerë që i shkelin standardet arkitekturore dhe ata që janë larguar nuk janë vendosur më. Të vetmit që kanë mbetur janë ata që janë vendosur në hapësirat zyrtare për reklamim. Shenjat Z janë larguar prej pjesës më të madhe të tramvajeve. Disa janë ende nëpër autobusë”.

Yevgeny Fokin.

Yevgeny Fokin.

Fokin ia atribuon suksesin e tij faktit se pak pas nisjes së fushatës së tij, ai është punësuar si asistent për anëtaren e pavarur në Këshillin e Qytetit Novosibirsk, Svetlana Kaverzina.

“Kur një zëvendës kërkon, zyrtarët janë të detyruar të përgjigjen”, ka thënë Fokin.

“Plus, ata e din se zëvendësi mund të konfirmojë çdo informacion që ofrojnë, dhe të bëjë zhurmë, nëse është e nevojshme”.

Në prill, studentët e Universitetit shtetëror të Artit dhe Arkitekturës në Jekaterinburg, qytetit të katërt më të madh të Rusisë, kanë nisur të mbledhin nënshkrime për një peticion për ta larguar simbolin Z prej një fasade të objektit të tyre.

Ndërtesa e Universitetit të Arteve në Jekaterinburg, pa simbole Z.

Ndërtesa e Universitetit të Arteve në Jekaterinburg, pa simbole Z.

Disa persona të paidentifikuar e kanë dëmtuar simbolin me ngjyrë të kuqe.

Pas mbledhjes së mbi 600 nënshkrimeve, zyrtarë të universitetit i kanë marrë në pyetje dy organizatorët dhe kanë kërkuar që të nisin një “sqarim” me shkrim në Komitetin kundër-ekstremizmit të Ministrisë së Brendshme, sipas një raporti të mediumit Madiazona, në korrik.

Ata kanë refuzuar të veprojnë ashtu, dhe dekani u ka thënë më vonë që baneri do të vazhdojë të jetë ku ka qenë.

Tetë muaj më vonë, baneri është larguar, pa ndonjë sqarim.

Mediazona ka dokumentuar raste të ngjashme edhe në qytetet ruse Perm, Jarosllav dhe Shën Petersburg.

“Shpresoj që njerëzit që lexojnë postimet e mia në rrjetet sociale, dhe publikimet e mia, do të shkruajnë gjithashtu”, ka thënë banori i Shën Petersburgut, Aleksei Lakhov, i cili ka bërë fushatë kundër simbolit Z.

“Mendoj se është e rëndësishme që ta përdorim këtë rezistencë në heshtje, sepse është një prej rrugëve më pak të rrezikshme”.

Më 17 nëntor, udhëheqësi i Republikës Komi, Vladimir Uiba, është ankuar në kanalin e tij në Telegram se në rajonin e tij shihen shumë pak simbole patriotike, pro luftës.

“Kam urdhëruar të gjitha agjencitë shtetërore që t’i mbështesin djemtë tanë dhe t’i shfaqin këto slogane”, ka shkruar ai.

“Mirëpo kompanitë e transportit më tregojnë se nuk mund të bëjnë atë gjë. I pyes, pse? ‘Dikush mund të t’i thyejë dritaret’. Kjo nënkupton se djemtë tanë janë duke vdekur, dhe ne frikësohemi nga thyerja e dritareve”.

Unanimitet i plotë?

Duke marrë parasysh kufizimet në zgjedhje dhe faktin që rusëve u është kërkuar të kenë kujdes kur bëjnë deklarata publike, është e vështirë të kuptohet niveli i mbështetjes publike për luftën në Ukrainë.

Sipas Qendrës Levada në nëntor, 67 për qind e rusëve kanë thënë se shteti i tyre “po lëviz në drejtimin e duhur”, dhe 85 për qind e përkrahin presidentin rus, Vladimir Putin.

Në tetor, Levada ka thënë se 76 për qind e rusëve, ose e “mbështesin” ose “tentojnë ta mbështesin” luftën, dhe vetëm 16 për qind kanë thënë se e “kundërshtojnë” ose “tentojnë ta kundërshtojnë” atë.

Megjithatë, kur në tetor Levada i ka pyetur qytetarët se çfarë kanë në mendje kur thonë se Rusia po lëviz në drejtim të duhur, vetëm 14 për qind e kanë përmendur “operacionin special ushtarak”, shprehje që përdor Kremlini për luftën në Ukrainë.

Për dallim prej të parëve, 45 për qind e qytetarëve që kanë thënë se Rusia po lëviz në drejtim të gabuar, e kanë përmendur luftën në Ukrainë, dhe shumë aspekte tjera si shkas për shqetësim.

Ndërkohë, familjet e ushtarëve të mobilizuar rusë, i kanë rritur protestat brenda shtetit në javët e fundit.

Një tjetër kanal në Telegram, dokumenton shumë raste të shprehjes së pakënaqësisë në heshtje, duke përfshirë sloganet kundër luftës, të shkruara në monedha, ose në borën e saporënë në tokë, apo përmes vandalizimit të posterëve pro luftës.

“Nëse banerët me shkronjën Z vendosen kudo dhe askush nuk thotë asgjë, kjo do të thotë se Zvastika është normale”, ka thënë aktivisti nga Irkutsku, Palko.

“Mirëpo, nëse dikush është duke luftuar që ata të largohen, dhe nisen diskutime publike, kjo do të thotë se diçka po shkon keq me simbolet, që nuk ekziston unanimitet i plotë”.

“Kjo luftë i bën njerëzit, që nuk e pranojnë luftën, që ta kuptojnë se nuk janë vetëm. Të tjerët i shtyn që të mendojnë”.

Përgatiti: Krenare Cubolli

Gjermania paralajmëron Serbinë: Nuk mund të ulesh në dy karrige

Ministrja gjermane e jashtme, Annalena Baerbock, dhe homologia e saj sllovene, Tanja Fajon, duan të promovojnë integrimin e shpejtë të Ballkanit Perëndimornë BE. Por edhe vendet duhet të kryejnë reformat e tyre në këtë drejtim, thanë dy kryediplomatet pas një takimi të tyre të martën, 5.12.2023, në Lubjanë.

“Nuk mund të ketë zona gri në Evropë”, tha Annalena Baerbock. “Në një kohë kur presidenti rus, i cili në çmendurinë e tij perandorake po sulmon jo vetëm Ukrainën, por edhe rendin e paqes në Evropë, duhet të jetë e qartë se ne mbrojmë këtë paqe”, tha ministrja e Jashtme. Këtë e demonstruan 55 shtetet në takimin e fundit të OSBE-së në Shkup dhe kjo vlen edhe më shumë për Bashkimin Evropian.

Ballkani Perëndimor në BE – një domosdoshmëri gjeostrategjike

Ministret e Jashtme të Gjermanisë dhe Sllovenisë, Baerbock dhe Fajon, siguruan se duan ta shtyjnë përpara anëtarësimin e Ballkanit Perëndimor në BE. “Ky zgjerim është një domosdoshmëri gjeostrategjike,” tha Tanja Fajon. Zgjedhjet e ardhshme në Serbi do t’i shtojnë një dinamikë të veçantë procesit.

Është shumë e rëndësishme që në të njëjtën kohë me procesin e anëtarësimit në BE për Ukrainën, Moldavinë dhe Gjeorgjinë, Ballkani Perëndimor të mos lihet anash. “Agresioni në Ukrainë ka rritur ndjeshëm rreziqet e sigurisë në vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Fajon. Ajo u ankua për largimin e shumë të rinjve nga vendet e Ballkanit Perëndimor, çka është pasojë e mungesës së perspektivës. “Ata nuk kanë më besim në historinë e këtij procesi të zgjerimit”, tha Fajon.

Tanja Fajon tha më tej se shpreson që zgjedhjet parlamentare në Serbi të jenë “demokratike dhe transparente”, por shtoi se edhe “BE-ja të dërgojë sinjale të rëndësishme në Ballkanin Perëndimor deri në fund të vitit. Fajon pret mbi të gjitha progres në negociatat e anëtarësimit me Bosnje-Hercegovinën dhe lehtësimin e vizave për Kosovën. “Deri në fund të dekadës ne duhet të ndërmarrim disa hapa të mëtejshëm në lidhje me zgjerimin e Ballkanit Perëndimor”, tha ministrja e Jashtme sllovene.

Serbia të ndjekë rekomandimet e OSBE-së

Në lidhje me sjelljen e lidershipit në Beograd ndaj BE-së dhe marrëdhënieve të ngushta me Rusinë, Baerbock tha: “Kur flasim tani për zgjerimin, është e qartë se nuk mund të ulesh njëkohësisht dy karrige”. Prandaj, bisedimet e anëtarësimit duhet të shoqërohen me një angazhim për paqen, sigurinë dhe vlerat brenda Bashkimit Evropian. “Prandaj jam jashtëzakonisht e shqetësuar për zhvillimet e fundit, veçanërisht në Serbi, në lidhje me tendencat propagandistike nacionaliste”, tha ministrja e Jashtme gjermane.

Qëndrimi i Serbisë ka ndikim edhe në çështjen e bashkëpunimit të mëtejshëm ndërmjet Serbisë dhe BE-së. “Kjo do të thotë gjithashtu se ne po i ndjekim nga afër zgjedhjet e reja në Serbi”, tha Baerbock. Qeveria serbe duhet të zbatojë rekomandimet e OSBE-së në lidhje me institucionet demokratike dhe të drejtat e njeriut nga zgjedhjet e fundit në vitin 2020, paralajmëroi Baerbock. Politikania e Partisë së Gjelbër përmendi në mënyrë specifike “dështimin për të garantuar qasje të barabartë në media për të gjithë kandidatët politikë në të kaluarën” dhe foli për presionin ndaj votuesve dhe keqpërdorimin e funksioneve dhe burimeve publike nga qeveria serbe.

“Kjo është arsyeja pse është po aq e rëndësishme që t’i shikojmë nga afër këto pika me synimin për zgjedhjet e reja,” tha Baerbock. Edhe nëse disa nga këto pika janë në të kaluarën, ato janë ende një problem sot.

Baerbock ishte në Lubjanë për një vizitë të shkurtër dypalëshe. Atje ajo foli me kolegen e saj sllovene Tanja Fajon dhe me kryeministrin Robert Golob. Ministrja e Jashtme gjermane vizitoi edhe Qendrën Kombëtare të Logjistikës, e cila u pajis rishtazi për situata krize pas përmbytjeve të fundit. Gjermania ishte vendi që i dha Sllovenisë ndihmën më të shpejtë pas katastrofës së përmbytjeve.

Begaj do të presë Macronin në vizitën zyrtare në Shqipëri. Zbardhet agjenda e plotë

Presidenti francez Emanuel Macron do tu bashkohet punimeve të Samitit të Berlinit pasditen e të hënës së 16 Tetorit për të vijuar me vizitën zyrtare në Shqipëri.

Sakaq, është zbardhur agjenda e takimit të ditës së nesërme ku thuhet se do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Agjenda e plotë:

Presidenti i Republikës së Francës, Emmanuel Macron, do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Nesër më 17 tetor 2023 Presidenti francez do të takohet me Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj.

Më poshtë agjenda e vizitës në Presidencë:

8:25 -Mbërritja e Presidentit të Republikës Franceze në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Presidenti i Republikës franceze do të pritet nga Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bajram Begaj.

-Interpretohet himni kombëtar francez;

-Interpretohet himni kombëtar shqiptar;

-Kryhet kalimi para truprojës së nderit;

-Dy krerët e shteteve prezantojnë ekipet e tyre respektive.

Presidenti i Republikës së Francës ftohet të nënshkruajë në librin e të ftuarve.

Në hollin ”Nënë Tereza” do të bëhet fotoja zyrtare.

08:35 – 09:05 – Takim kokë më kokë mes dy presidentëve.bw

15 VJET ME GAZETËN LETRARE DHE KULTURORE “NACIONAL”- Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Dr. Mujë Buçpapaj, Botues dhe themelues i gazetës “Nacional”

Në një kohë të papërshtatshme për shtypin e shkruar, gazeta letrare dhe kulturore “Nacional” ja ka dalë prej 15 vjetësh të qendrojë në tregun shqiptar dhe rajonal falë një politike editoriale të qartë dhe gjithëpërfshirëse, si dhe idealizmit të stafit të saj. Duke vijuar në kohë moderne, një traditë të shtypit kombëtar të kulturës, letërsia shqiptare, kultura dhe çështja shqiptare kanë qënë për redaksinë qendrore në Tiranë dhe ato rajonale, jo vetëm obligim, por edhe frymëzim në punën tonë si profesionistë të fushës.
Ndërsa gazetat ndjekin të njëjtën rrugë të lajmit për tek lexuesit si këtu e 200 vjet më parë, sfida dhe kërcënime të reja dhe të paparashikuara ja kanë bërë edhe më të vështirë këtë komunikim shtypit të shkruar, pra edhe gazetës Nacional me lexuesit klasikë.
Konkurentëve tradicionalë si televizioni dhe radioja, këto vitet e fundit ju shtuan edhe interneti dhe trasmetimet online, duke e spostuar shtypin e shkruar si burim kryesor të lajmit, do të thotë edhe si burim kryesor të reklamave, pra edhe të të ardhurave.

E themeluar 15 vjet më parë nga një grup shkrimtarësh, artistësh, studiuesish, përkthyesish dhe albanologësh të shquar në vend dhe jashtë tij, gazeta javore “Nacional”, ka hyrë me modesti në historinë e shtypit shqiptar në përgjithësi dhe atë kulturor në veçanti, me individualitetin e saj, me shpresat dhe ndijimet e saj për kombin tonë, për trashëgiminë kulturore dhe të ardhmen.
E mbajtur nga një numër gazetarësh idealistë që mendojnë se çeshtja kombëtare është së pari edhe një çështje kulturore, Nacional ka mundur të thotë fjalën e saj për çdo problem të shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi, në Luginën e Presheves, në Greqi etj, duke patur një vision të qartë.
“Nacional”, ka sherbyer si një kanal komunikimi me emigracionin e shumtë shqiptar në botë, duke qënë ndoshta e vetmja media në Tiranë që tregon këtë kujdes.
Kemi përkrahur talentet e reja në letërsi dhe arte si dhe nxitur ata t’i përkushtohen letërsisë, kritikës, studimeve dhe përkthimeve.
Kemi sjellë në çdo numër letërsinë më të mirë rajonale dhe ndërkombëtare, duke shndërruar kështu Nacionalin në një pikë takimi dhe shkembimi kulturor, të hapur dhe me interes kombëtar.
Kemi polimizuar, kemi denoncuar dhe reaguar ndaj çdo deformimi që ka pësuar klasa politike shqiptare dhe bashkë me të edhe demokracia, pasi shkrimtarët dhe artistët shqiptarë nuk jetojnë vetëm brenda metaforave të tyre, por janë pjesëtarë të këtij kombi, të kësaj shoqërie.
I kemi thënë me emër ata që kanë anashkaluar interesin kombëtar shqiptar, që e kanë bërë këtë vend të pabanueshëm për shumicën e shqiptarëve që kanë ikur jashtë dhe kështu do të vijojmë edhe në të ardhmen, me besimin se instalimi i një demokracie të tipit perëndimor dhe bashkimi kombëtar janë të vetmet rrugë që do ta shkëpusin këtë komb nga varfëria, pasiguria, korrpsioni i përhapur, staniacioni ekonomik etj, që nxisin shpërngulljen masive të të rinjve dhe profesionistëve shqiptarë.
Gazeta “Nacional” kontribuon me modesti në këtë mision kombëtar, duke bashkuar rreth vetës elitat kulturore dhe letrare që i besojnë kësaj ëndrre, pavarësisht vështirësive financiare që kalojmë, pavaresisht qe siç thotë shkrimtari ynë i shquar Ismail kadare, jo shqiptarizmi por antishqiptarizmi është bërë një profesion fitimprurës. Në Shqipëri po qe patriot duhet të vdesësh për bukë, pa punë, pa të ardhme, ose duhet të ikësh nga vendi.
Gazeta Nacional si i gjithë shtypi shqiptar në Shqiëpri, Kosovë, Maqedoni, Mal të Zi etj, kalon vështirësi të panumërta financiare. Në Kosovë kjo situatë duket edhe ma e rëndë, pasi prej vitit 2020 gazetat e printuara janë vetëmbyllur. Po kështu edhe shtypi i shkruar në botë ka pësuar një kolaps të vertëtë.
Sipas një studimi të vitit 2022 botuar nga Northwestern University , vetëm në Shtetet e Bashkuara kanë falimetuar mesatarisht dy gazeta në javë për periudhën nga fundi i 2019-ës dhe maji 2022. Nëse trendi vazhdon, një e treta e gazetave do të falimentojë deri në vitin 2025.
Nga viti 2005 deri në vitin 2021, rreth 2200 gazeta të shtypura lokale amerikane u mbyllën. Nga viti 2008 deri në vitin 2020, numri i gazetarëve të gazetave amerikane ra në më shumë se gjysmën.
Në Shqipëri, gjatë këtyre 15 viteve që është në treg gazeta “Nacional”, kanë janë mbyllur rreth 12 gazeta të përditshme dhe dhjetra gazeta lokale, për fat të keq edhe disa gazeta dhe revista kulturore.
Numri i lexuesve ka rënë në mënyrë katastrofike, gjë nuk kishte ndodhur prej më shumë se këtu e 400 vjet më parë, ashtu siç e kanë thelluar këtë distancë me lexuesit e gazetave edhe zhvillimet teknologjike që nga shpikaje telegrafit, radioja , buletinet e lajmeve në kinema, televizioni dhe tani intenerti.
Ashtu si të gjitha gazetat në botë, jemi përpjekur ta zgjerojmë redaksinë online, duke komunikuar me një numër të pakufizuar të lexesve të “Nacionalit” në botë, ndërkohë që një numër lexuesish të “Nacionalit në Ballkan, duan akoma që të lexojnë krijimtarinë tyre në variantin e printuar, pra në letër, duke I qendruar besnik kulturës së tyre të leximit.
Në këtë 15 vjetor, dua të falenderoj të gjithë bashkëpunëtorët e gazetës “Nacional” në Shqipëri dhe rajon, mbi 50 gazetarë, shkrimtarë, përkthyes, studiues të shquar dhe albanologë në rajon dhe në botë, artistë, shkenctarë etj, të cilët kanë bashkëpunuar me “Nacionalin” falas, me idealizëm dhe atdhetari, me dashuri ndaj fjalës shqipe, gjuhës së saj dhe letërsisë.
Por në konstrast me idealizmin tonë, gjendet një treg i deformuar i shtypit të printuar.
Sot çimi i letrës, shtypjes dhe transportit është dyfishuar krahasuar me 15 vjet më parë, sidomos pas luftës së padrejtë të Rusisë në Ukrainë kur këto çmime njohën rritje të tmerrshme. Ndërkohë që çmimin e gazetës jemi detyruar ta mbajmë po atë të fillimit, kostojo përfundimtare e gazetës nga redaksia deri tek kioska e shitjes është rritur dyfish, ndërsa fitimet janë reduktuar në minimum.
Në këtë përvjetor, dua t’i falenderoj ato pak biznese që kanë bërë reklama, sido në vlera modeste, por me dashmirësi dhe patriotizëm.
Dua të falenderoj qindra dhe mijëra autorë që bashkëpunuam me “Nacionalin” gjatë këtyre viteve.
Dua t’u shpreh mirënjohjen time edhe punëtorëve të shtypit, të transporit të shpërndarjes, qindra gazetashitësve që sigurojnë bukën nga gazeta “Nacional” dhe gazetat e tjera, pavarësisht veshtirësive të gazetës tonë dhe gazetave të tjera.
Qeveria, agjencitë e saj nuk mund të heqin dorë nga shtypi i kulturës, pasi do të ishte njësoj sikur të heqësh dorë nga shpirti i kombit, sidomos tani që agresioni kundër kulturës shqiptare dhe çështjes kombëtare shqiptare sponsorizohet rëndë nga qendra ndërkombëtare antishqiptare lindore. Shëmbujt e këtij shqetësimi në botë janë të qarta. “ Përkeqësimi në tregun e gazetave të Shteteve të Bashkuara bëri që senatori Ben Cardin të prezantonte një projekt-ligj në mars të vitit 2019 që lejonte kompanitë e gazetave të ristrukturoheshin si korporata jofitimprurëse me një sërë lehtësimesh tatimore.
Akti i Rivitalizimit të Gazetave do t’i lejonte gazetat të operonin si organizata jofitimprurëse.
Nëse nuk gjendet një mbështetje shtetërore, edhe në Shqipëri, gazetat do të mbyllen, si në rastin e Kosovës dhe do të na marrë malli për to si për gjyshet tana, ndjesë paçin.
Në Shqipëri ka mbi dhjetë vjet që flitet për hartimin e një projektligji për sponsorizmin e artit dhe sportit, por ka mbetur vetëm një premtim i kësaj qeverie. Biles tani nuk flitet më as në parlament dhe as në media, sido që pati filluar me aq bujë nga njerëzit afër qeverisë.
Është e qartë se pa kaluar ky ligj, i cili e bën të mundur partneritetin biznes-art, mbijetësa e kulturës, shtypit të saj dhe në përgjithësi të asaj që quhet industri krijuese kombëtare, nuk ka të ardhme, pasi në kushtet kur një sponsorizim nuk njihet nga tatimet natyrisht që nuk nxit bizneset të sponsorizojnë artin dhe shtypin e tij.

Në fund të këtij shënimi, dua t’u falenderoj ju lexues të dashur dhe besnikë të Nacionalit në të gjitha hapsirat shqiptare dhe kudo ku jetoni në botë, duke ju sigurar se dyert e “Nacionalit” do të jenë të hapura për ju me korrektesë dhe dashamirësi, sot dhe sigurisht edhe në të ardhmen.

Më 2023 Italia përjetoi 11 ngjarje ekstreme të motit në vitin e tretë më përvëlues që nga 1800-a

Një nga vitet më të nxehta në historinë e Italisë ka sjellë mesatarisht 11 ngjarje ekstreme të motit në Itali, që nga përmbytjet dhe thatësirat deri te zjarret shkatërruese.

Viti 2023 nuk ka qenë i sjellshëm me Italinë.

Jo vetëm që viti ka qenë viti i tretë më i nxehtë në historinë e vendit që nga viti 1800, por Italia ka përjetuar mesatarisht 11 ngjarje ekstreme të motit në ditë në shtatë muajt e parë të 2023, sipas një studimi të ri nga fermerët kombëtarë. organizata Coldiretti.

Studimi, i publikuar të enjten, zbuloi se Italia ka përjetuar nxehtësi rekord këtë vit, me temperatura 0.67C më të larta se mesatarja historike që kur studiuesit filluan të mbledhin të dhëna mbi 200 vjet më parë. Në katër rajone veriore të vendit, temperaturat ishin 0,86 gradë Celsius mbi mesataren historike, duke e bërë vitin 2023 vitin e dytë më të nxehtë që nga viti 1800 në rajon.

Nuk ka dyshim se rritja e nxehtësisë mund të lidhet me ndryshimet klimatike. Jo vetëm shkencëtarët kanë gjetur se temperaturat po rriten për shkak të ndikimit të lëndëve djegëse fosile në atmosferën tonë, por vitet më të nxehta në Itali janë raportuar të gjitha në dekadën e fundit dhe përfshijnë 2014, 2015, 2018, 2019, 2020 dhe 2022.

“Ne po përballemi me një rritje të tropikalizimit,” vuri në dukje Coldiretti në raportin e tij, “me ngjarje më të shpeshta ekstreme të motit, rritje të ndërprerjeve nga pritshmëritë sezonale, reshje të shkurtra por intensive dhe kalim të shpejtë nga moti i nxehtë në mot të keq.”

Këtë vit, Italia është goditur nga një thatësirë e madhe që ka dëmtuar të korrat në të gjithë vendin, e ndjekur nga përmbytjet shkatërruese në Emilia Romagna. Reshjet e dendura por të shkurtra nuk kanë ndihmuar në zgjidhjen e problemit të thatësirës në Itali dhe kanë kontribuar në përmbytjet në të gjithë vendin.

Vapa mbytëse e korrikut solli temperatura që ishin 1.96 gradë Celsius mbi mesataren e muajit dhe ka kontribuar në krijimin e skenarit të përsosur për fillimin e zjarreve që kanë shkatërruar rajonet jugore të vendit, përfshirë Siçilinë dhe Sardenjen.

Ndërsa të dhënat tregojnë një perspektivë të tmerrshme për vendin, Coldiretti është gjithashtu i shqetësuar se sa po u kushton kjo fermerëve italianë. Sipas organizatës, dëmet e pësuar nga vendi këtë vit do t’i kushtojnë Italisë edhe më shumë se humbjet prej 6 miliardë eurosh të raportuara vitin e kaluar.

Vetëm përmbytjet në Emilia Romagna i kushtuan vendit mbi 1 miliard euro, tha organizata. Për shkak të vapës, Italia ka parë uljen e prodhimit të mjaltit me 70% dhe atë të rrushit me 14%. Produkte të tjera janë prekur gjithashtu./SYRI.NET

FYELLI MAGJEPSËS- Tregim nga ANTON PAPLEKA

Me të mbaruar ritet që duhej të bënte nusja kur hynte në herë të parë në shtëpinë e burrit, Borën e çuan në kthinën e ndrequr për të. Në kohën që po çlodhej për të marrë veten nga udhëtimi i gjatë, nga dhoma ku ishin mbledhur dasmorët, erdhën tingujt e një fyelli, të cilët ia drodhën shtatin. Një mall i thellë e i largët i vërshoi në shpirt si ata lumenjtë që dalin nga shtrati kur bie shi diku përtej maleve. Një dorë e padukshme ia përkëdheli supet, pastaj i rrëshqiti midis gjinjve dhe zbriti poshtë…
Një tronditje të tillë kishte ndier atë ditë që Dashi e kishte përqafuar në mes të ahishtës së dendur. Pasi e kishte shtrirë në bar, ai ia kishte zbërthyer këmishën dhe e kishte puthur me zjarr. Vajza ishte dehur aq shumë, sa kishte pasur frikë se do të marrosej. Disa minuta më vonë, djaloshi ishte përpjekur t’ia zgjidhte brezin e larmë që ia mbështillte mesin. Mos u mundo se do ta zgjidh vetë, i kishte thënë Bora, duke fërgëlluar para syve të tij të përndezur. Bariu e kishte lënë të lirë të ngrihej në këmbë. E çliruar nga krahët që e shtrëngonin, vajza kishte vrapuar sa i kishin punuar këmbët për t’u larguar nga ahishta e dendur, për të shmangur një veprim që ajo mendonte se ishte diçka e ndaluar, madje e kobshme.
Nga fjalët e nënës dhe të grave të tjera të shtëpisë, i ishte ngulitur në kokë mendimi se një vajzë duhej ta ruante si sytë e ballit virgjërinë, të cilën duhej t’ia çonte si dëshmi ndershmërie burrit të saj të ardhshëm. Pasi ishte larguar nga ahishta e dendur, Bora kishte shkuar te një gurrë që buronte nga e çara e një shkëmbi, kishte mbushur grushtet me ujë të ftohtë për të flladitur fytyrën e gushën që ende i digjnin nga të puthurat e Dashit. Ajo ishte përpjekur t’i zhdukte sa më shpejt gjurmët e atij takimi, i cili njëherësh e kishte tronditur thellë dhe i kishte dhënë mundësi të shijonte një kënaqësi të panjohur.
Thellë në vete, vajza nuk kishte dashur ta harronte përqafimin e bariut që e donte. Përkundrazi, ajo do të kishte qenë e lumtur sikur puthjet e tij të mos mbaronin kurrë. Mirëpo asaj i ngjethej mishtë kur mendonte se ndonjë bari apo bareshë tjetër që mund t’i shihte duke dalë nga ahishta e dendur, do ta merrte me mend atë që mund të kishte ndodhur midis tyre…
Bora ishte e bindur se, po të ndodhte një gjë e tillë, asaj do t’i nxihej jeta. Prindërit do ta kalbnin në dru. Nazifi, i fejuari, të cilin nuk e kishte parë ndonjëherë, do ta prishte fejesën. Asaj do t’i vihej damka si femër e keqe dhe do të mbetej pa u martuar, meqenëse martesat midis katundit të Borës dhe katundit të Dashit ishin të ndaluara. Ajo nuk do të vishej nuse si të gjitha vajzat e tjera të krahinës, nuk do të bëhej nënë. E mbetur në derë të babait, ajo do të katandisej në një shërbëtore të kunatave, të cilat do ta kishin halë në sy. Në ato anë, për lëneshat, përdorej shprehja përbuzëse: Vajza në gjini, si pleh i zi.
Pikërisht frika se mos e pësonte një fat të tillë e kishte shtyrë të largohej nga ahishta e dendur ku ishte takuar me Dashin. Me atë ikje të nxituar, ajo kishte dashur më shumë të shpëtonte nga vetja, nga dobësia e saj. Bora nuk dyshonte te dashuria e bariut, të cilin e njihte prej vitesh. Ajo ishte e bindur se ai ishte gati të hidhej në zjarr për të, siç i thonë fjalës. Mirëpo ajo e dinte se fatet e tyre ishin vendosur qysh atë ditë që babai i saj i kishte dhënë fjalën babait të Nazifit, pa e pyetur fare vajzën e vet a i pëlqente apo nuk i pëlqente i fejuari që i kishte zgjedhur.
Për shkak të mjedisit ku rronin, të dokeve që qeverisnin jetën e tyre, as Bora, as Dashi nuk kishin guxuar t’i dilnin zot dashurisë së tyre, të ngrinin zërin kundër padrejtësisë që po u bëhej. Mallin që ia përvëlonte zemrën, bariu kishte vazhduar ta shprehte me fyellin e tij. Sa herë që ulej në ndonjë kodër apo mbështetej pas trungut të ndonjë lisi, ai e vinte fyellin në buzë dhe i binte për minuta të tërë. Me tingujt që fluturonin mbi lirishta e lugina, te Bora mbërrinte edhe fryma e ngrohtë e djaloshit të pikëlluar, dashuria e tij e pafashitur.
Vajzën e piknin në zemër ata tinguj që shprehnin dëshirë, përgjërim, dhimbje, por frika që ndiente nga pasojat që do të kishte, po të zbulohej dashuria e tyre apo ca më keq po të mbetej shtatzënë, kishte qenë më e fortë sesa keqardhja për djalin që donte, madje më e fortë, sesa dëshira e saj përvëluese për t’i ndier duart e tij t’i rrëshqisnin përsëri mbi trup. Për këtë arsye, ajo e kishte bërë zemrën gur dhe nuk kishte pranuar të përsëritej më ajo që kishte ndodhur tek ahishta e dendur.
Në mbarim të verës, në bjeshkë ia kishte behur një stuhi e papritur që i kishte zënë në kullota barinjtë dhe grigjat e tyre. Për t’u mbrojtur nga shiu i rrëmbyer, Dashi ishte strehuar nën trungun e një pishe të lartë. Gjatë stuhisë, pishën e kishte qëlluar rrufeja dhe e kishte ndezur flakë. Nga goditja e rrufesë kishte vdekur në vend bariu që ndodhej nën trung.
Kufomën gjysmë të shkrumbuar e kishin zbritur në vërri për ta varrosur. Ndryshe nga të afërmit dhe bashkëfshatarët e tjerë, Bora nuk kishte pasur të drejtë të merrte pjesë në varrim, të derdhte lot te koka e të dashurit të saj. Ajo kishte qarë fshehurazi për të kur ishte gjendur fillikat në kullota ose në errësirën e natës, duke e mbuluar kokën me mbulesën e leshtë. Bjeshka e mbetur pa zërin e Dashit dhe pa tingujt e fyellit të tij i dukej si një pishë e djegur nga rrufeja. Ashtu e ndiente edhe zemrën e saj…
Pas fejesës, ishin shtuar andrallat e jetës së përditshme. Vajza ishte detyruar t’ia linte kopenë e deleve motrës më të vogël, për t’u marrë me përgatitjen e pajës. Kur kishte ardhur dita e vades, e kishin veshur nuse dhe e kishin hipur në kalë. Pas një udhëtimi prej disa orësh, ajo kishte mbërritur te shtëpia e burrit. Sapo kishte zbritur nga kali, Nazifi e kishte kaluar nën frerin e kalit. Ky veprim ritual donte të thoshte se nusja duhej t’i bindej burrit, ashtu siç i bindet kalorësit kali, të cilin e mban për freri.
Tingujt e fyellit që binte në dhomën ku ishin mbledhur dasmorët shpërndaheshin si tufa zogjsh në të gjitha kthinat e shtëpisë. Duke e dëgjuar atë melodi të përmallshme, Bora provonte ndjenja të kundërta: edhe e kishte zët për tronditjen që i shkaktoi, edhe donte që ajo të mos ndalej kurrë. Nusen e befasonte sidomos ngjashmëria e madhe midis mënyrës se si i binte fyellit bariu i vdekur dhe dasmori i panjohur. Ajo tha me vete: “Po ma shkon krejt mallin e Dashit!” Instinktivisht e afroi dorën te goja sikur me atë gjest desh t’i ndalte fjalët që nuk duhej t’i dëgjonte askush.
Papritur, Bora zuri të qante me gulçe. Kësaj here, lotët që i rridhnin rrëke, nëpër faqe, nuk e shqetësuan fare dhe nuk pati nevojë t’i fshinte. Gratë që hynin në kthinën e nuses, pandehnin se ajo derdhte lot për prindërit dhe për katundin e saj, nga të cilët ishte ndarë përgjithmonë. Vetëm ajo e dinte se ata lot të nxehtë kishin lidhje me dashurinë e vajzërisë dhe me fyellin, me të cilin bariu nga katundi fqinjë ia kishte shprehur mallin që i përvëlonte zemrën…
Kur erdhi koha për të vajtur në dhomën e dasmorëve, siç e kërkonte riti i radhës, Bora e pa nga afër fyelltarin që e kishte trazuar aq shumë me melodinë e tij. Ai ishte një djalë rreth njëzet e pesë vjeç, me sy të zinj që vezullonin si prush. Nga vështrimi i ngulmët i dasmorit me fyell në dorë faqet ia mbuloi një kuqëlim i lehtë si vezullimi që mbulon borën në perëndim të diellit. E frikësuar se të tjerët mund ta vinin re tronditjen e saj, ajo ndenji kokulur, pa guxuar ta ngrinte kokën as edhe një herë të vetme për të vështruar fyelltarin që po e përpinte me sy.
Pas mbarimit të dasmës, fyelli që Borës ia kishte trazuar shpirtin me melodinë e tij, vazhdoi të binte në kodrat që rrethonin katundin.
-Kush është ai që i bie kaq bukur këtij fyelli? – e pyeti ajo Rushën, gruan e moshuar të një kushëriri të Nazifit, i cili e kishte shtëpinë ngjitur me shtëpinë e tyre.
-Është Shpendi, një çoban dhensh. Është djali i motrës sime…
Pas këtyre fjalëve, ajo shtoi se në tërë krahinën, askush nuk i binte fyellit si Shpendi. Edhe babai i tij kishte qenë fyelltar i përmendur. Këtë mjeshtri, ata e kishin trashëguar brez pas brezi. Për traditën e kësaj familjeje, pleqtë e katundit tregonin një gojëdhënë që Rusha nuk e kishte dëgjuar ose nuk e mbante mend.
Shumë kohë më parë, një nga stërgjyshërit e Shpendit i kishte nxjerrë dhentë nga vatha në të dalë të dimrit. Atë ditë ishte pika e diellit. Grigja kishte filluar të bubrronte në lëndinat e sapoliruara nga bora. Bariu ishte ulur rrëzë një krekëze dhe e kishte vënë fyellin në buzë. I mërzitur nga dimri i gjatë që e kishte detyruar të rrinte brenda, ai i kishte rënë fyellit me dëshirë të madhe. Krekëza ku kishte mbështetur kurrizin fyelltari, i kishte marrë për cicërima zogjsh tingujt e fyellit që binte rrëzë trungut të saj. Ajo ishte gjallëruar përnjëherësh. Sythat e saj ishin fryrë sa hap e mbyll sytë, kishin pëlcitur dhe kishin nxjerrë gjethe të reja. Duke ndier se ndodhej në hije, bariu kishte ngritur sytë lart dhe kishte parë me habi gjethet e reja që shushurinin mbi kokën e tij.
Pasardhësit e bariut të qëmotshëm që kishte magjepsur krekëzën me melodinë e tij, e kishin ruajtur fyellin e lashtë si një gjë të shenjtë. Në vitet e mëpastajme, shtëpia e tyre ishte djegur tri herë. E vetmja gjë që kishte shpëtuar pa u bërë shkrumb e hi, kishte qenë fyelli i lashtë. Familja e Shpendit besonte se fyelli i trashëguar nga stërgjyshi i tyre u sillte mbarësi edhe njerëzve, edhe bagëtive. Sa kohë që ajo vegël do të qëndronte në atë shtëpi, nuset do të lindin më shumë fëmijë, kurse bagëtitë do të pillnin më shumë qengja, keca e viça, do të jepnin më shumë qumësht, do të dëmtoheshin më pak nga bisha, nga guri apo nga sëmundja…
Disa javë pas dasmës, Shpendi u gjend përballë Borës që kishte vajtur në shtëpinë e Rushës. Sytë e tij nuk iu ndanë për asnjë çast nuses së bukur. Ai i tha se do të jepte çdo gjë për t’u takuar me të vetëm për vetëm. Megjithëse u skuq në fytyrë, Borës i erdhi mirë kur i dëgjoi ato fjalë.
-Edhe tufën e dhenve do ta jepje? – e pyeti ajo.
-Me të dyja duart!
-Po fyellin?
-Jo vetëm fyellin, por edhe shpirtin!…
Pas këtyre fjalëve, Bora u largua me të shpejtë nga shtëpia e Rushës, ashtu siç kishte vepruar tek ahishta e dendur ku ishte takuar me Dashin. Megjithëse vendosi t’u shmangej takimeve me Shpendin, ajo linte çdo punë për të dëgjuar fyellin e bariut me sy të ndezur si prush. Ajo melodi e përmallshme që vinte nga kodrat rreth katundit, ishte ndër gjërat e pakta që i falte gëzim, që e bënte të harronte për disa çaste jetën e saj të rëndomtë e të hidhur.
Nazifi sillej me të shoqen si kalorësi që mendon se kali është krijuar vetëm për t’i shërbyer të zotit. Ai nuk ia kursente fjalët e ashpra dhe poshtërimet. Edhe kur shtriheshin në shtrat, nuk i thoshte ndonjë fjalë të ëmbël, nuk e përkëdhelte me dashuri. Ai e përdorte sa për të shfryrë epshet prej mashkulli, pastaj i kthente kurrizin dhe ia këpuste gjumit.
Bora e mbante brenda vetes pakënaqësinë që ndiente, heshtte, duronte, ashtu siç bënin të gjitha gratë e krahinës ku kishte lindur apo të krahinës ku ishte martuar. Kur dilnin nga dera e babait, vajzat që vinin në jetë në ato anë, e dinin se para tyre hapeshin vetëm dy dyer: dera e shtëpisë së burrit dhe gryka e varrit…
Fyelli i Shpendit e ndihmonte nusen gëzimpakë ta mbante gjallë sa më gjatë kujtimin e dashurisë së humbur, të asaj lumturie të shkurtër që i kishte falur takimi i parë dhe i vetëm me Dashin. Ajo melodi ishte një pikë mjalti që fati kishte zemërgjerësinë të hidhte në kupën e vrerosur të jetës së saj bashkëshortore.
Një ditë, Bora po fshinte oborrin e shtëpisë. Kur dëgjoi tingujt e parë të fyellit, ajo e la fshesën përtokë, u ul në një trung që përdorej për të çarë drutë dhe zuri të mbante vesh. Ndërsa dëgjonte melodinë e njohur, kishte përshtypjen se nuk ndodhej në oborrin e shtëpisë së burrit, por në kullotat e largëta të vajzërisë ku Dashi i shprehte dashurinë me fyellin e tij.
Nga ai kotullim i ëmbël, nusen e nxori zëri i vrazhdë i Nazifit, i cili iu afrua si bishë e egërsuar.
-Pse je ulur aty?
-U lodha duke fshirë oborrin dhe u ula të pushoja një grimë herë, – tha nusja që u ngrit në këmbë.
-U ule për të pushuar apo për të dëgjuar fyellin?
-Për çfarë fyelli e ke fjalën?!
-Për atë fyellin që bie në kodër!
-Nuk e di se, kur dikush i bie fyellit, gratë duhet të mbyllin veshët.
-Po që duhet të lësh punën e të dëgjosh me veshët pipëz, a e di?
-Nuk po dëgjoja me veshët pipëz. U ula të pushoja, se e ndjeva veten të lodhur.
-I vura re nga ballkoni të gjitha veprimet e tua! – iu hakërrua Nazifi. – Kallëzomë, a merresh vesh me Shpend Kreshtën me anë të fyellit?
-Unë nuk merrem vesh me askënd.
-Pse rren?
-Nuk rrej dhe nuk mund të pranoj diçka që nuk më ka shkuar ndër mend.
I xhindosur nga kundërshtimi i të shoqes, Nazifi e kapi nga flokët dhe e tërhoqi drejt katoit të bagëtive. Me një litar që përdorej për të ngarkuar kalin, ai zuri ta qëllonte sa i punonte krahu. Bora ishte e shëndetshme dhe e fuqishme. Ajo kishte aq fuqi sa mund t’ia kapte litarin e t’ia hiqte nga duart. Pati një çast kur ajo deshi ta bënte një gjë të tillë, por ndërroi mëndje. Po t’ia rrëmbente litarin, Nazifi do ta ndiente veten të poshtëruar, të cenuar në sedrën e tij prej burri, i cili mendonte se kishte epërsi mbi gruan në çdo pikëpamje. Për të vënë në vend nderin e humbur, ai mund të merrte pushkën e ta vriste fare. A nuk ia kishte dhënë babai i saj një fishek bashkë me pajën? Sipas kanunit, burri kishte të drejtë ta vriste me atë fishek, kur ta gjykonte se gruaja nuk e kishte mbajtur vendin që i takonte, se ajo ia kishte bërë borxh ta ndëshkonte.
Në fillim, Bora i përballoi dhimbjet duke tendosur trupin e duke shtrënguar dhëmbët. Kur dhimbjet u bënë të padurueshme, ajo bërtiti me zë të lartë. Të shqetësuara nga ato britma të papritura, te katoi erdhën e ëma e Nazifit dhe Rusha, të cilat u munduan ta qetësonin Nazifin dhe t’ia mbanin duart.
Lutjet dhe veprimet e dy grave të moshuara e detyruan burrin ta lëshonte litarin nga dora. Para se të dilte nga katoi, ai tregoi me gisht trarin transversal që mbante dyshemenë e katit të dytë dhe iu drejtua të shoqes me këto fjalë:
-Po më ra në vesh ndonjë fjalë e keqe për ty, në këtë tra do të të var!…
Gratë e moshuara e ndihmuan nusen të ngjitej në katin e dytë, pastaj i vunë pece të lagura mbi blanat e zeza, të shkaktuara nga goditjet e litarit. Për ta ngushëlluar, ato i thanë se, kur kishin qenë nuse të reja, burrat e tyre i kishin rrahur aq shumë, sa u kishin dhimbur brinjët me ditë të tëra.
Kur keqtrajtoheshin nga burrat, gratë e atyre anëve nuk kishin ku të qaheshin, nuk kishin nga t’ia mbanin. Po të ktheheshin në shtëpinë e babait, të afërmit do t’i detyronin të shkonin përsëri te dera e burrit. Po të iknin nga burri i parë, nuk kishin asnjë siguri se burri i dytë do të sillej më mirë me to. Për atë grua, të cilës i vinte shpirti në majë të hundës nga jeta bashkëshortore, e vetmja rrugëdalje ishte vetëvrasja: të varej në litar, të hidhej nga ndonjë shkëmb ose të mbytej në lumë…
Pas të rrahurit me litar, Bora nuk ishte më ajo e para. Në prani të burrit ajo tregohej shumë e kujdesshme për të mos bërë ndonjë gjest ose për të mos nxjerrë nga goja ndonjë fjalë që do të ngjallte edhe dyshimin më të vogël. Nga ana tjetër, ajo vendosi të bënte atë që deri dje i dukej e papranueshme. Meqenëse e kishin rrahur pa pasur marrëdhënie me ndonjë burrë tjetër, ajo vendosi t’i jepej bariut që kishte kërkuar të takohej me të. Kjo ishte e vetmja mënyrë për t’u hakmarrë ndaj padrejtësisë dhe mizorisë së të shoqit.
Për t’u lidhur me Shpendin, ajo përdori si ndërmjetëse Rushën, tezen e tij, të cilës i dhuroi një këmishë të re. Një natë dimri, kur i shoqi po hante darkë me ca miq, Bora i tha të vjehrrës se do të zbriste në vathën e deleve.
Sapo hyri në vathë, krahët e bariut e mbërthyen si dy putra ariu dhe shtrënguan pas kraharorit. Pasi e puthi në gushë, pas veshit dhe në qafë, ai zuri t’ia shkopsiste rrobat, t’ia zbulonte pjesët e trupit e t’ia mbulonte me të puthura të zjarrta. Asaj iu duk sikur lëkurën ia mbuloi një diell pranvere.
Shpendi ia kafshoi gjinjtë, pastaj dora e tij e babëzitur për trup gruaje rrëshqiti midis kofshëve të saj të mbushura, derisa mbërriti te vendi ku takoheshin çapokët. Dora iu lag. Ai e shtriu mbi një vandak me sanë që Nazifi e kishte sjellë në vathë për t’ua hedhur deleve, dhe u ngjesh pas saj. Trupat e tyre u ngjitën aq shumë, sikur u shkrinë me njëri-tjetrin. Me erën e trupave të tyre u përzie era e livadheve të verës, aroma e tërfilit dhe e barit të thatë.
Borës i erdhi të gulçonte, të ulërinte nga kënaqësia. Ato çaste iu kujtua nata e parë kur kishte fjetur me të shoqin. Marrëdhëniet e tyre kishin qenë të vakëta, gati-gati si ca lëvizje mekanike. Ajo e kuptoi se nata e parë e vërtetë e martesës ishte takimi me Shpendin në vathën e deleve, mbi vandakun e sanës. Nga mënyra se si trupi i saj e përpinte trupin e mashkullit, ajo e ndjeu se atë natë do të bëhej nënë.
Pasi u ngrit nga vandaku i sanës, ajo i shtriu sa mundi rrobat e tutluara, mbërtheu kopsat, e vështroi me përgjërim bariun që u zhduk në errësirën e natës, pastaj u kthye te dhoma e zjarrit.
Nazifi dhe miqtë e tij ende nuk ishin ngritur nga sofra. Vjehrra i hoqi nga kurrizi dy-tri fije bari, pastaj i tha:
-A u hodhe sanë dhenve?
-Po. Nga e more vesh?
-Tërë trupi të mban erë sanë. Duke nuhatur këtë erë, m’u duk sikur isha në livadhet e verës!
-Kur po u hidhja sanë deleve, edhe mua kështu m’u duk…
Të nesërmen, Shpendi i ra fyellit në kodrat që rrethonin katundin. I ra gjatë e bukur. Meqenëse ky veprim i tij ishte diçka e zakonshme, askujt nuk i bëri përshtypje. Vetëm Borës iu duk se ai i ra më bukur se asnjëherë. Duke e dëgjuar, ajo mendonte: Ai i bie për mua! Asaj i dukej vetja si krekëza që kishte nxjerrë gjethe në dimër, e magjepsur nga fyelli i bariut të qëmotshëm.
Nusen e re nuk e vriste ndërgjegjja që e tradhtonte të shoqin. Qëkurse kishte provuar përkëdheljet e Shpendit dhe dalldinë e epshit, marrëdhëniet intime me Nazifin i dukeshin thjesht si një angari. Për t’i bërë ballë bezdisë që i shkaktonin ato veprime, ajo mbyllte sytë dhe ëndërronte sikur mashkulli që rëndonte mbi trupin e saj, nuk ishte i shoqi, por i dashuri.
Kur trupi i Nazifit rrëshqiste si trung nga trupi i saj, Bora tërhiqej në anë të shtratit, mblidhej kruspull dhe mendonte për fëmijën që po ngjizej në barkun e saj. Ajo e dinte se atë fëmijë nuk e kishte me të shoqin që gërhinte në anë tjetër të shtratit. Për të duruar atë gërhimë të rëndë, ajo mendonte se fyelli i Shpendit do të binte përsëri te kodrat që rrethonin katundin. Në tingujt e atij fyelli, ajo do të ndiente dëshirën e zjarrtë të bariut për ta puthur, për të bërë dashuri me të…

2012

Djali i anëtares së KLP-së dhunoi për vdekje 55-vjeçarin në Vlorë, dalin pamjet

Ky është momenti nga sherri fatal në Vlorë, ku viktimë mbeti Armando Meshau. Ishte djali i anëtares së KLP-së i cili qëlloi me grushte 55-vjeçarin, e si pasojë ky i fundit humbi jetën.

Rei Meta kishte ndërhyrë si sekser për një prej pronave që biznesmeni i ndërtimit kishte interes, duke i premtuar garanci se do t’i zgjidhte punë. Ai kishte premtuar zgjidhje për pronën e Armando Meshaut, duke përdorur emrin e të ëmës, që është anëtarja e KLP-së, Nurihan Seiti Meta dhe për punën që do bënte do të përfitonte një apartament që do t’i falej nga ndërtuesi i njohur në Vlorë.

Por 33-vjeçari nuk e kishte mbaruar punën si sekser dhe 55-vjeçari kishte zgjidhur çështjen me lidhje të tjera. Por 33-vjeçari pretendonte se ndërtuesi duhet t’i falte apartamentin dhe për këtë arsye nisi edhe konflikti mes tyre.

55-vjeçari kishte refuzuar t’ia kalonte në pronësi apartamentin Rei Metës dhe ditën e sotme u përballën në një kancelari në Vlorë aty konflikti verbal degradoi në dhunë fizike, ku si pasojë 55-vjeçari humbi jetën.gsh

Grupi i Vajzave “Ansambli Artistik Lura” në prezantimin me veshjeve kombëtare krejtësisht origjinale Nga Jurgen Vladi

Grupi i Vajzave  ” Ansambli Artistik Lura ” ne prezantimin me Veshjeve Kombtare egzakt Origjinale
Rizja ne koke me dhe modeli i vendosjes duke nxerrje ne pah fytyren e bukurosheve Arberore .
Xhamadani se kopsa si fishek arme ne gjoks ,Shqipja e zeze ne shpijn dhe Kryqet ne prerjet fundore
Pushterka – Perparja me ngjyra Lulesh ashtu siç e ka natyra jone e Bukur e Shqiperisë Veriore
Kemishat e bardha dhe veshjet e brendshme si lule zoje me pedale ku tregojn pastertijn e femres Shqiptare
Corapet traditionale te gjera drejt gjurit dhe te zeza .
Opingat me lekure kau dhe gjalmat me litar lekure …
Ne kujtim te hidhur, kur prinderit e mij u martuan me Veshje Tradicionale, Nëna me Kostum Cidhne dhe Baba si Malsore -Lure e blere tek Sait Lushi ne Lugje Dardhe qe prodhonin  dhe ne vitin 1991 nje grek mashtrues vjen ne Lure se bashku me nje naiv shqiptar që grumbullonin dhe blinin veshjet, ku fatkeqsisht i moren per te pare dhe fotografuar dhe as nuk i kthyen e as nuk i paguan ..
Keshtu grabitet Identiteti ynë ●●●●●●●●●●●.

Poeti Vehbi Skënderi i tradhëtuar si nga lufta dhe nga paqja Nga Fatbardh Rustemi

-Esse-

“Jam i tradhëtuar nga lufta dhe paqja.”-një varg tronditës nga një ish partizan dhe poet i paqes, ku fitimtari trajtohet si një i mundur.

Për anologji: kush ia plasi shpirtin Fishtës, të shkruante vargjet të mbushura me maraz: “T’a dijë Shqypnija/Prá, e sheklli mbarë/Se mâ mbas sodit/Un s’jam Shqyptár”?! Gogoleshët e politikës, do thoshte Noli. Intelektualët levantinë, do ia pasonte Konica. Gjysmë të kulturuarit, do i bashkohej Eqerem bej Vlora. Ata, që për dështimet e tyre, fajsojnë atdheun, do e përmbyllte Kadare. Fjalët e Mitrush Kutelit se: “Profesionizmi në letërsi, në vendin tonë, është, hë për hë, një rrugë vuajtjesh, buka e tij është e hidhur. E hidhur, them, për atë që s’di marifete dhe hipokrizira.”, do i shkonin dhe Vehbi Skënderit, i cili: “Ishte shembulli i pastërtisë shpirtërore, i njeriut me zemër të hapur e të sinqertë…Jam i sigurt se krijimtaria e tij poetike do të çmohet gjithmonë e më shumë, sepse ka lënë pas krijime artistike të bukura, të sinqerta e plot ndjenja frymëzuese.”-shkruan për të shkrimtari Naum Prifti. Por, superioriteti moral, në një mjedis të ndoturish përngjan me dritat e një qyteti, kur mbi të nis një sulm ajror. (Nëse në sporte respektohet fair play, në arte për fat të keq, morali kalorsiak: mungon.) Ndërsa poeti Moikom Zeqo do shprehej besimplot: “Emri i lirikut gjenuin të çuditshëm Vehbi Skënderi nuk do të harrohet asnjëherë. Për këtë jam i bindur.” Të ishe “lirik i çuditshëm” dhe “shembull i pastërtisë morale”, nuk të priste fat tjetër nga ai i Lasgush Poradecit.

 

Nëse poeti i valles së yjeve, Lasgushi, ndoqi të dashurën hollandeze nga aeroporti në aeroport dhe s`e arriti, një tjetër poet, partizan i çetës së Haxhi Lleshit, i mbijetuari i tri plagëve, me teserën e komunistit të 44-ës, bir i një kleriku të lart nga Erseka, me shkollim në medresenë e Tiranës, Vehbi Skënderi, merr për grua vajzën më të bukur të Pogradecit nga shtëpia e Gushajve, një kurbetli ky i Amerikës, i cili qe kthyer në vendlindje si tregtar i suksesshëm, mirëpo ziliqarët nuk mund të duronin një burrë të hijshëm allafrenga, i kamur, me sqimë, ndaj i thurën intrigën dhe e vrasin mu në mes të bulevardit të qytetit. Dhëndërrit të Gushajve nuk i shkonte në mend, se edhe ai ishte i përshtatshëm për t`i mveshur një faj. (Bukuroshja pogradecare, Lili, do njehësohej me poezinë, duke mbajtur për poetin fillin e Arianës, ndonëse filli i jetës së tij do bëhej lëmsh.) “Ti e di mirë që nuk ma mbushin synë dafinat e fanfarat./I pamë që të gjitha. I provuam./E dimë ç’është fyerja, gënjeshtra e hakmarrja./Pse m’i dhuron, e dashur, këto lule mua?/Nga dashuria a nga keqardhja?” Ngaqë dafinat (çmimet letrare) dhe fanfarat (Çmimi i Republikës) nuk i patën duk, duke mos pritur nderim prej askujt, kërkon të dijë: e dashura, tufën me lule, po ia jep nga dashuria apo keqardhja?

 

Vehbi Skënderi është ndër të rrallët, i cili nuk kërkon të nxjerrë përfitime prej vuajtjeve. Nuk ia pa hajrin partizanllëkut e jo më të qënit i persekutuar. Me sa duket indiferencën ndaj dafinave dhe fanfarës, ofiqeve e nishaneve, thua se vuan nga thjeshtësia proletare, ka të ngjarë t`ia kenë marr për modesti si e si të përligjnin menjanimin, duke e trajtuar si asket: poetin me ashik të kohës?! “O babagjysh Fisnik! I drejtë dhe besnik sa s’ka!/Pse s’u tregove pak dinak e pak i mençëm?/Pse u besove këngëve dhe ëndërrave të mëdha?!/Dhe deshe që të jesh deri në varr i ndershëm?/O babagjysh Bujar, trim si askush dhe horr!/Pse more shtatë plagë, sulm më sulm dhe s’re dëshmor?/O babagjysh Hero, që ike si kusar:/E ku të dergjen kockat, pa emër e pa varr?!” E shkruar në ditën e dëshmorëve më 5 maj 1975 nga një ish partizan me plagë në trup, i flakur nga radhët si i padëshirueshëm, merret me mend drama e tij, vetëm se besoi tek këngët dhe ëndërrat e mëdha dhe, nga pozita e deheroit: i këndon heroizmit. (Të të njihet si fajsi, pse u besove këngëve dhe ëndrrave të mëdha, duke shkruar për to, është si t`u thuash amerikanëve, se meritën për të qenë vendi më i lirë në botë e kanë prej francezëve, të cilët i dhuruan Statujën e Lirisë. Edhe poema “Ëndërr industriale” e Kadaresë u shkrua duke besuar “tek këngët dhe ëndërrat e mëdha”, ndaj: tentativat për ta politizuar atë, shihet si një avaz gogoleshësh e levantinësh.) Ngaqë, poeti V. Skënderi, s`është mësuar të flasë për veten, i drejtohet një tjetri, ku dëshmorin e marrin për horr dhe heroin për kusar. Një nga arsyet që raportet me të vërtetën i kemi të deformuara është se dëshmimtari i rremë parapëlqehet ndaj atij okular, ku më zell ka për prishjen e provave se sa këmbëngulja për të gjetur fakte. Cili mori përsipër të dëshmonte historinë nuk u nëpërkëmb nga falsifikatorët, nuk pati fatin e Laokontit?!

 

Vehbi Skënderi, autor i disa librave, njohës i gjuhëve: rusisht, italisht dhe frengjisht, (mësimi i gjuhëve tregon dhe orientimin nga Lindja në Perëndim) ndër më të njohurit e kohës, i cili, me propozimin (bekimin) e poetit Lasgush Poradeci në vitin 1950 pranohet anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Shqipërisë, pa qenë kandidat, asesi, në kulmin e energjive krijuese, jeta do i merrte rrokullimën për shkak të fejtonit “Klubi i të qetëve ose Klubi i të lumturve” referuar Klubit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe të Artistëve, i cili nuk u botua, por që kaloi dorë më dorë nga kryeredaktori i “Zërit të Popullit” Todi Lubonja tek sekretari i parë i Tiranës, e cilësuar prej këtij të fundit: si vepër armiqësore. Në vitin 1974, poetin e përjashtojnë nga Partia, nga Lidhja e Shkrimtarëve, e heqin nga puna, duke ia kthyer librat në karton dhe atë vetë e degdisin në punëra të rëndomta deri në hamall. (Në një farë mënyre poetët ngjasojnë me heroin mitik, Atlasin, që mbante botën në kurriz.) Fejtoni u gjet si sebep, pasi shkaku, sipas meje, duhet kërkuar tek krijimtaria e tij në lulëzim, pasi, nga viti 1969 deri më 1974 ai boton 6 libra në pesë vite, si: “Vjershat dhe poemat e Drinit” (1969), “Vazhdim i një bisede” (1971), “Vdekja e Ofelisë” (1971), “Shqiponja e Vermoshit” (1972), “Përsëri mëngjes” (1973), “Vjersha dhe poema të zgjedhura”-Kolana e poezisë shqipe (1973). As plagët, as tesera, as librat, as miqtë e shokët nuk mjaftuan ta shpëtojnë poetin kundrejt një aparatçiku. Në përballjen e poetëve me zyrtarët, të gjitha betejat, i kanë fituar këta të fundit.

 

Babai ishte i drejtë si një shenjtor, por jetoi mes djajësh, do shprehet e bija, Elida Buçpapaj, e cila kujton me mall mëngjesin, kur i ati, ngrihet nga shtrati, ulet në makinën e shkrimit duke iu rikthyer krijimtarisë, i përjetuar ky çast, si një ringjallje. I ringjallur pa u rehabilituar?! “Kur nuk m’i hidhte sytë askush, sikur të kisha dreqin,/aq sa dhe gratë llafazane, sa më vështronin mua heshtnin,/Kur farefis, vëllezër ç’kisha: “s’të kemi gjë”-më thanë e ikën:/I vetmi te kjo virane tokë;/i vetmi që s’ma kishte frikën, ish qeni Dik./Më ndiqte pas kudo që veja! Putrën më zgjaste e më tokte./…Më shtrihej gjithë gaz në prehër, llastohej shpesh si kalama/Mes njerëzve, midis kalecave-pa çarë kryet hiç për ta./E ndonëse unë e lutja shpesh: Ki mendjen, Dik! Ruaju pak!/…E ja, për këtë “krim”, s’di si…/I miri Dik, tinëzisht, të varën!” As përkëdhelitë e qenit Dik nuk ia duruan. Poeti i nëmur duhej lënë vetëm. Nëse ti mbylleshe në vetvete, të akuzonin se ishe mbyllur në “kullën e fildishtë”? Të linin vetëm dhe të bënim me faj për vetminë?! Të përzënë dhe të thonë: pse ike?! (Dikur të linin vetëm, ndërsa tani je ti, që zgjedh vetminë.)

 

Në diktaturë, Vehbi Skënderi, shkroi disa libra, edhe kur iu dha e drejta e botimit në vitin 1984, ai përsëri botoi, por, a mund të thuhet për të se ishte poet i realizmit socialist, kur prej vitesh punoi si redaktor gazetash, revistash dhe në shtëpinë e vetme botuese “Naim Frashëri”? Pse aq të ashpër me të, kur nuk u dënua për krijimtari të gabuar, por, për një fejton të pabotuar, ku kishin firmën dhe të tjerë? Donin t`i mvishnin një faj për të larë hesapet me të. I tradhëtuar njësoj, si nga lufta dhe paqja, gjithsesi ia doli të ngadhnjente, mbi ata që tundnin flamujtë e fitores. Se ai nuk e kishte betejën me humbësit, por me fitimtarët.

 

Nuk u ndesh me të dobtit, por me të fortët, duke përdorur arsenalin, që të ofron dashuria, ndërkohë që ndaj tij ushqehej urrejtje. Sfidantë jemi mësuar t`i shohin në radhët e kreshnikëve, epikëve, ata që pinin qumësht zanash për të përmbysur botën, ndërsa ai pinte “nektar perëndish” pa qenë në Olimp. Nuk zgjodhi rrugën e Prometeut, por të erosit, Afroditës e cila në “Iladë” është e vetmja perëndi, që plagoset. “Gruaja çdo prangë do ta këputë./(Qoftë dhe zinxhirë i artë)”-bëhet fjalë për prangosjen e shpirtit. “Hyn në çdo labirint skutë më skutë/Shtron çdo stuhi të çmendur e zbut çdo bishë./Ndez miliarda qirinj në xhami e kishë.” I goditur rënd, duke parë gjithandej: paqendrueshmëri, rrëshqitshmëri karakteresh, silueta që të vidhen, sepse jeta nuk i afroi njerëz tek të cilit të mbështetej, por të tillë që t`u ruhej, ngushullimi i tij do mbetej veçse, mikja e zemrës. “Mike! Pse më jep përditë krahë Dashuria?! Dhe shpesh m`i këput krahët?/Mike! Ndarja qënka më afër nga takimi ynë.” Mëdyshje zë e thellohet: “Pastaj s`di si: Më shfaqesh si Ylber./Pastaj s`di si: Në gjoksin tënd më merr:/Më ngre lart në Qiell! Dhe vrik më hedh në Ferr./Dhe s`di në ç`breg: Më nxjerr apo s`më nxjerr?!” Ngaqë bëjnë ç`të duan me të, hedhur sa andej e këndej, i mësuar me humbjen e shokëve dhe miqëve, shqetësohet kur mikja: herë e ngre në qiell dhe herë e flak në ferr, si me qenë një lodër e fatit në duart e saj, se nuk do ta humbasë miken e tij, si e vetmja pikë mbështetëse e jetës. (Poeti vuante nga sëmundja e zezë e depresionit. Për ta kuptuar sfilitjen, po e ilustroj me vargjet e tij: “E ndonëse jam me ty, kudo që je,/Prapë më zë frymën hiçi e vetmia./Si çdo fëmijë: qesh, thërras, ha dhé!/Dhe mund të shqyej malin nga mërzia!”) Kundër vetes kishte kohën, fatin, por jo dashurinë e mikes. (Shumë poetë ia kanë dalë, falë mikeshave. Ben Blushi: “Sa të dashura ka pasur (Lasgushi)? Shumë, tha Maria (e bija). Sa shumë? Po një greke quhej Eleni, një rumune Lula, një austriake Marjeta, shumë ka pasur.”-i përgjigjet vajza e poetit, duke kujtuar së bashku dhe holandezen.)

 

Edhe në kohë privimesh, njeriu i kultivuar, nuk i ul pretendimet. Edhe pse nuk e lanë të gëzohej, lirizmi i tij vazhdon të jetë një thirrje në kërkim të së bukurës. “Oh! Shpesh sulmojmë kot drejt yjeve që s`i njohim/Me ditë e me vite, qiellin pa anë matim,/Një hap larg bukurinë-dhe s`kemi sy ta shohim,/Një hap lumturinë-s`kemi duar ta kapim!” Një poet, që u tradhëtua nga lufta dhe nga paqja, kurrësesi nga një grua. “U njohëm një buzëmbrëmje./Kur dita që po shkonte, çapej si me dy mendje.”-Nëse dita shkon me një mëdyshje, mos dhe e dashura po shfaq teka, hezitim? “Erdhe të ikësh prapë, si zanat e legjendave/Apo erdhe të vendosësh ekuilibër?/Në këtë katrahurë,/Në këtë pyll pa lisa, pa pisha e pa drurë!” Nëse shqiptari nuk bën dot pa një fuqi madhore, kur rrëzohet tirani ai bëhet me diktatorin, kur bie diktatori bëhet me autokratin, këtë fuqi madhore poeti ia njeh vetëm femrës, e vetmja që mund të vendosë ekuilibër brenda tij, në mos drejtpeshim në një shoqëri të çorientuar. “Mos u beso betimeve të erës e flakës së nxituar!/Ajo që kërkon ti është më tej. Më larg! Ndoshta tre male lart./Ajo që kërkon ti është më thellë…/Sa ndjen hapat e tua, hov deti valë-valë. I bukur e i madh:/Me pelerinë blu nxiton të të mbulojë, edhe të të mbështjellë./Mos i beso! Mos i beso aspak! Po luaj e qesh, si çajkat nëpër dallgë!/Ajo që kërkon ti është më tej!/Ndoshta tre male larg. Ndoshta tre yje lart.”-Nëse në një poezi këshillon se bukuria është një hap larg teje, heroinës i thotë se ajo që kërkon është përtej maleve dhe yjeve, duke lartësuar shpirtin e njeriut të kultivuar. I tradhëtuar dhe i shvleftësuar vetëm një poet lirik mund të dalë garant në njësitë matëse të bukurisë. Aq i hollë është në përjetim, aq e çmon çastin, që s`do ta lërë të ikë, sa loja me imazhet e mirazhet të tërheq magjishëm: “Nga erdhën? Shih, ç’rosa të egra arrakate!/… Me ty erdhën! Ti m’i prure!/Pse hesht? Tani as heshtja, as fjala s’ka më vlerë…/Ik, po të duash. Po këto çaste nuk t’i lë./Janë të miat./Nuk t’i fal dot. Me hir e me pahir, s’m’i shkul dot kurrë!/Unë fal gjithçka: ujin, dritën, zjarrin./Rininë. Gjakun. Këngën… Çdo mirësi e pasuri të kësaj jete./Këto s’ia fal askujt. As yllit, as pyllit, as detit, as varrit!/As ty nuk t’i fal dot!” Thua të jetë një pasuri iluzive me të cilën ai ushqen shpirtin e boshatisur? “Ik, po të duash! Po këto çaste nuk t`i lë!”-një reagim, që mund të shkaktojë habi, se ajo që mbetet fill pas ikjes së dashurës, qënkish përjetimi më i rrallë, që mund ta regjistrojë vetëm shpirti i një liriku, sikurse teleskopët e fuqishëm sjellin në tokë foto të mahnitshme nga galaktika. “Më deh ky fllad që dheu përhap në prill,/Që nga çdo pemë e nga çdo shkurre fryn./Dhe ndoshta një dëshirë apo një trill,/As vetë nuk e di nga po më shtyn.” Në monografinë kushtuar Tolstoit, Romeo Rolan, vë në dukje përjetimet dehëse të kontit Tolsto në natyrë. “Mos harro/Që të m’i kthesh prapë këto çaste fluturake,/Që i more me vete kur ike.” Pikërisht pse çasti është fluturak, i pafiksueshëm, i cili materializohet vetëm me prani njerëzore, poeti nuk i përton aventurës. “Ju nuk e kuptoni! Ju s’keni folur kurrë me pulbardha!/Duan të më marrin prapë me vete si detar./Më shkulin dhembshurisht me sqep të gjitha thinjat e bardha./Dhe ngjitem e zbres, si ujk deti, kreshtë më kreshtë/Pa çarë krye hiç se ku po më shpie dallga!”

Por, vjen një ditë dhe poeti i drejtohet vetes, ngaqë ka shumë për t`i thënë: “Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten/Ftoj në raport të gjithë vitet, sërë-sërë,/I hapim von` defterët, e von` shoshitim veten!/E vrej çfarë kam kryer e çfarë kam lënë pa bërë:/Kam një bilanc të mjerë!”-janë vargjet e para të poezisë “Kur më fiksohet bindja, se edhe pak ditë më mbeten”, e cila u bë shkak dhe i kësaj eseje. Gjithkush ka një çast, kur i bën gjyqin vetes, kur kthen kokën dhe do të dijë se çfarë ka lënë pas. Më parë se At Zef Pllumi të shkruante “Rrno për me tregue”, ishte Petro Marko Plaku, i cili interviston Petro Markon e Ri si të ishte një dialog midis Gavril Darës Plaku dhe Gavril Darës i Riu. Pse flitet me veten (plaku dhe i riu) dhe jo me një të dytë? Sepse, ai i dyti mungon. Pale i treti apo i katërti. Vehbi Skënderi në ballafaqimin me veten sheh një bilanc të trishtë. “E si kalojnë vitet, rritet kamata e fajit…/Kam dashur t’i nxë krejt, të tëra gjuhët e erërave/Dhe nuk po mund t’i nxë,/Jam nisur t’u gjëmoj në fluturim skifterëve/Dhe s’po kap dot asnjë!/Kam dashur që të ngre Qytetin më gazmor/e më të drejtë në botë,/Po vetëm pak haliçë në themel kam vënë./Kam dashur të mbjell vreshtë çdo akullnajë të ftohtë/Po vetëm pak fidanë më kanë zënë!/E, si gjithnjë, pas këtij monologu, me dhimbje kaq akute:/Shtegtimin, ndarjen, vdekjen-a s’di ç’dreq i thonë,/E shtyj, për miqësi, një çikë më tutje…/Ndoshta njëzet a dyzet vjet më vonë!” Kërkon të fitojë kohë, për të ndrequr bilancin. Kjo poezi është shkruar në vitin 1991. Poeti u largua nga kjo botë 20 vite më vonë, më 13 qershor 2011, ditën e Shna Ndout. Nuk mund të mos habitesh, se ku e gjeti fuqinë ta shtyjë vdekjen 20 vite më tej? S`ka tjetër veç dashurisë. “Dhe në mos të të shpëtoftë ajo, (hëna)/ndoshta të merr me vete në hapsirë/Ku në mos qofsh e lumtur je e lirë.” Lumturia dhe liria nuk mund të jenë bashkë. Për hir të njërës duhet sakrifikuar tjetra. Poeti ka zgjedhur të sakrifikojë të parën: lumturinë. “Kujtesa ime libër, me mijra e mijra fletë, mbushur plot hollësira:/Plot vjollca e gjëmbaçë. Dhe lisa, që i ka grirë kalbësira./Kam një të mirë: unë mbaj mend./ “Nëna më thosh dikur: “O bir! Pse pi çdo helm? Pse nuk harron diçka?” Ju, mëkatarë, që e tradhëtuat në luftë apo në paqe, mos u trëmbni, gjithë sa poeti mbante mend i keni të shkruara këtu, tek këto poezi e këto vargje, ku dashuria nuk i ka lënë kohë dhe vend të merret me ju.

Fatbardh Amursi

Kur vuajtja rrëmon, për tokë më zvarrit Nga Miradije Maliqi

Nuk ma mësove këtë ikje

Unë frymoj me buzëqeshjet e tua
Kur vjen koridoreve të kujtesës.
Këndell mendimin me dritën e syve të tu.
E shoh veten me vështrimin tënd
Etjen e mungesës e ndez me praninë tënde
E i godas malet kur më thonë ke ikur.
Mësoj për ditë se si ta kuptoj jetën
me sy të lagur humnerave të netëve
Eh, kur vuajtja rrëmon, për toke më zvarrit,
arratisem me krahët e dashurisë tënde.
Sa herë në ëndrra më vjen plot gaz dhe e lumtur
Mi hap portat e botës, më bën nënë më të mirë, nënë,më të fortë.
Me emrin tënd, bijë, fitoj, gjithçka pata humbur.
Liria, akti mizor i ikjes
Pas zgjimit,koha numëron hapat pas,me premtimet plot pëllëmbë xhama të thyer.
Idhuj të rremë, paskam shpikur,
në emër të lirisë mi vjedhin ëndrrat
Liria qenka akti mizor i ikjes!
Ecim spirales së Arkimedit,
gjithnjë më larg nga gjërat, që i patëm të shenjta ,
të pangopurit i ngrohin duart
kur baltosim njëri tjetrin me balte.
E përrallat?
Nuk ekzistojnë më, as nëpër përralla!
Zemrat e vrara përpëliten nëpër kalendarët e vjetra.
Nëpër parada krenarie, luftëtari mbledh thërmi buke
Plumbi për mizorinë ,paska shumë etje.
Pas zgjimit, vetëm të pavdekshmit shohin dritë,
gjersa trupi tyre, ushqen tokën, që i tradhton çdo ditë
Pas zgjimit,pangopësia ,motivi që e admirojmë.

Send this to a friend