çohu
mos prit të të japë
kush dorën
ky është ligji i xhunglës
seleksionimi spartan
quaje si të duash
ngrije kokën e shih
si fluturojnë retë
jo, janë mendimet e tua
që bredhin në univers
ti pret
të të japë një mik dorën
mos prit
se do të mbetesh
jetë pas jete
në pritje të Godosë
të barbarëve
kur barbaria
par excellence
na rrethon
na sheh me sy të ftohtë
si mermeret e varreve
hape derën
dhe dil jashtë
me vrap
pylli është shoku
që nuk të tradhëton kurrë
shikoji sytë e tij të gjelbër
si takohen
me sytë e tu
për të të thënë
me vërshëllimën
gjelbëroshe flutur
hej, jeta është e bukur
Elida Buçpapaj, Skaterr, Onufri, 2024