Lufta kundër trafikut të drogës, niveli i lartë i korrupsionit zyrtar dhe mungesa e zgjedhjeve të lira kanë qenë shqetësimet kryesore jo vetëm të opozitës shqiptare, por edhe të partnerëve amerikanë gjatë diskutimeve të mbajtura në takimet e delegacionit të opozitës në Uashington ditë më parë.
Një prej përfaqësuesve dhe drejtuesve të delegacionit shqiptar, deputeti Fatmir Mediu, ka rrëfyer edhe detaje nga këto takime dhe se çfarë u bisedua më në brendësi të shqetësimeve të shfaqura para kongresmenëve dhe senatorëve.
Mediu konfirmoi se temat kryesore të diskutuara ishin ato që përbëjnë edhe shqetësimin parësor të Shteteve të Bashkuara: lufta kundër trafikut të drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar dhe lidhjeve me kartelet e drogës.
“Po ju them që ishim më tepër se ç’duhet në Uashington. Sepse zëri i opozitës mjafton të përfaqësohet nga një grup. Megjithatë kjo është çështje e gjithsecilit që domethënë kërkon të merret edhe me politikën e jashtme. E dyta, mendoj që narrativa ka qenë në të njëjtën linjë me atë që ka opozita shqiptare. Shqetësimin e parë dhe kryesor Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë luftën kundër trafiqeve të drogës, krimit të organizuar, korrupsionit qeveritar dhe lidhjet me kartelet e drogës. Dhe kjo ka qenë pjesë e diskutimit dhe narratives në të gjitha takimet që ne kemi bërë”, tha Mediu, në një intervistë për “Syri TV”.
Kreu republikan theksoi se qëndrimi i SHBA-së mbetet i qartë dhe i pandryshuar. Ai përmendi si provë Aktin e Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare (National Defense Authorization Act), i miratuar nën Presidentin Trump, i cili e përcakton qartësisht korrupsionin si një element problematik për sigurinë dhe adreson ndikimet e huaja malinje.
Më tej ai foli edhe për takimet që mbajtën me NDI në Uashington.
“Ishin dy takime, një takim me Institutin Republikan Amerikan dhe Institutin Demokratik Amerikan. Qëllimi i këtyre dy takimeve ishte, në mënyrë të padiskutueshme marrëdhënia e opozitës në kuadër të organizimit të saj politik dhe elektoral me Institutin Republikan Amerikan, i cili ka qenë që në fillimet e viteve ’90, instituti i cili ka mbështetur Partinë Demokratike dhe Partinë Republikane në organizimin e saj politik, por edhe në sfidat elektorale. Dhe rikthimi i kësaj marrëdhënieje dhe dakordësia për t’u rikthyer në këtë marrëdhënie është jashtëzakonisht e vlefshme duke pasur parasysh edhe nismën e forumit për dialog, për të pasur një opozitë të bashkuar”, vijoi deputeti opozitar.
Ai tha gjithashtu se Instituti Republikan Amerikan ka pasur politika në shumë vende, ka arritur që të unifikojë opozitën dhe të krijojë një strategji pozitive, fituese dhe shpresoj që kjo t’i shërbejë apo të fillojë të zbulohet edhe në Shqipëri.
“Po e njëjta gjë dhe me Institutin Demokratik Amerikan, i cili në mënyrë të vazhdueshme merret me parlamentin dhe parlamentarët. Ky ishte sfondi i diskutimeve, pa lënë jashtë diskutimit atë çka parashtruat ju si çështje. Se dua të jem tërësisht korrekt, me takimet që u zhvilluan, për të mos vendosur gjëra të cilat nuk janë diskutuar sipas dëshirës tonë. Pastaj, mendoj një takim shumë i rëndësishëm ka qenë takimi në Departamentin e Shtetit. E zhvilluar në nivelin politik, pastaj edhe në nivelin e luftës kundër trafikut. Dy takime me kolegë të opozitës”, shpjegoi kreu i Republikanëve shqiptarë.
Kurse në lidhje me partneritetin e opozitës me administratën e Trump dhe marrëdhëniet me konsulentin e PD, Chris LaCivita, ai shpjegoi se:
“Tani do merremi me fjalët e pazarit të njerëzve të Edi Ramës nëpër media apo do merremi me realitetin? Në qoftë se flasim me realitetin, realiteti është ai që përcillet. Se për të lozur mediatikisht, për të paguar analistë e gazetarë, për të bërë të zezën të bardhë e të bardhën të zezë, domethënë kjo ndodh në Shqipëri. I ka të gjitha burimet dhe kontrollin mbi median Edi Rama. Kurse qëndrimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Departamentit të Drejtësisë ka qenë i qartë. Luftë kundër korrupsionit, luftë kundër trafiqeve edhe lidhje me kartelet e drogës. Kjo është e përcaktuar në çdo qëndrim të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si kur kanë vajtur autoritete shqiptare në Amerikë, ashtu edhe kur kanë ardhur përfaqësues të Shteteve të Bashkuara këtu. Ky mesazh ka qenë më se i qartë dhe vazhdon të jetë i qartë”.
Mediu vuri në dukje se Shqipëria nuk është qendra e botës në SHBA, por amerikanët janë të shqetësuar për problematikat kryesore që po dëmtojnë vendin, që ishin tre shtyllat e mësipërme që shpjegoi.
Ai shtoi se Rama nuk është me të drejtë më kryeministër i vendit, edhe pse e ka statusin dhe mund të bëjë takime zyrtare, deri edhe me Trump, sepse janë protokolle të pashmnagshme. Por ai theksoi se Rama tashmë njihet edhe si manipuluesi i zgjedhjeve të 11 majit.
“Pra, po ta shikosh në kompleks, qëndrimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës është i prerë në raport me politikën shqiptare. Por ajo që dua të them këtu pa u fshehur është, Shqipëria nuk është qendra e botës për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe këtu duhet të jemi pak më të vëmendshëm. Domethënë, unë nuk lidhem fare me faktin se kë takoi Rama, si e takoi Ramën. Rama sot është pa të drejtë kryeministri i vendit, për shkak të manipulimit të zgjedhjeve, por prapë ka statusin e kryeministrit të vendit. Dhe në një mënyrë apo në një mënyrë tjetër, do gjendet një moment ku edhe mund të takohet me Presidentin Trump, sepse ka samite, ka takime të vazhdueshme në të cilat përfaqësohen drejtues të shteteve. Dhe në këtë pikëpamje është gjithmonë një oportunitet për të bërë një foto”, nënvizoi Mediu.