Pasojat e situatës kaotike dhe katastrofike me infrastrukturën rrugore në vend, e cila është dëmtuar me akse që shemben njëri pas tjetrit dhe që janë ndërtuar vitet e fundit nën drejtimin e ministrisë së Belinda Ballukut, po i vuajnë qytetarët shqiptarë dhe veçanërisht juglindja e izoluar prej ditësh.
Kështu u shpreh sot në studion e “News 24” inxhinieri Romeo Nazarko. Ai analizoi situatën më të fundit të krijuar në vend nga lajmet dhe dëmtimi i segmenteve, kryesisht në qarkun e Elbasanit dhe Korçës.
“Të gjithë problematikat i vuajnë qytetarët, shqetësimin e kësaj situate e vuajnë ata. Kemi parë në media edhe nga ata që u ka rënë të fikët nga pritja e gjerë. Është punuar keq gjithë këto vite dhe kemi këtë situatë katastrofike me rrugët. Mungojnë studimet gjeologjike, mungojnë inxhinierët në terren, kontrollet dhe cilësia, duke shtuar edhe shkeljet me tenderët”, shpjegoi ai mes të tjerash.
Sipas Nazarkos, fakti që Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH) nuk ka një afat të qartë për nisjen dhe përfundimin e punimeve tregon mungesë kontrolli mbi situatën.
“Nëse nuk dihet kur do hapet rruga për udhëtarët drejt juglindjes, do të thotë se nuk ka njohuri të mjaftueshme mbi strukturën e nëntokës në atë zonë”, u shpreh ai.
Ai vuri në dukje mungesën e studimeve gjeologjike nga specialistë të fushës, që të përllogaritej edhe punimi, edhe koha, sikurse edhe cilësia e ndërtimit të ri.
Nazarko nënvizoi se para ndërtimit të çdo rruge duhet të zbatohet një protokoll i qartë teknik, që nis me studimin gjeologjik të terrenit dhe më pas me projektimin e veprave përkatëse si mure mbajtëse, tunele apo vepra arti të tjera. Sipas tij, problematikat aktuale tregojnë se këto procedura nuk janë ndjekur siç duhet.
“Në zona me ujëra nëntokësore, ky mur bëhet i rëndë, ushtron presion mbi murin mbajtës dhe përfundon duke u rrëzuar. Mund të ndërtosh edhe rrugë e tunele pa hekur dhe vetëm me beton, por më pas merr një situatë problematike si kjo”, shpjegoi Nazarko.
Sipas tij, një situatë e ngjashme ka ndodhur edhe me urën e shembur në rrugën Korçë–Kolonjë, që ai ka denoncuar vazhdimisht. Por edhe gërryerjet e papërgjegjshme në rrjedhat e lumenjve dhe veçanërisht në Shkumbin, kanë shkak shembjet që po ndodhin.
Ai e ka cilësuar gjendjen alarmante dhe me pasoja të rënda për infrastrukturën kombëtare dhe vuri në dukje mungesën e mobilizimit të qeverisë.
“Kemi rreth një javë që ka ndodhur rrëshqitja e rrugëve dhe nuk ka asgjë. Nëse do të ishin mobilizuar të gjitha makineritë, situata do të ishte tjetër”, u shpreh Nazarko.
Ai shprehu shqetësim edhe për rëndësinë strategjike të Korridorit Tetë, për vonesat dhe mosreagimin që mund të dëmtojnë një nga arteriet kryesore të vendit.
Ai theksoi se qeveria duhet të përqendrojë gjithë vëmendjen për finalizimin e këtij korridori, duke paralajmëruar për pasoja në raport me Bashkimin Europian.
“Nëse situata zvarritet, BE mund të tërheqë fondet e zhvillimit, ashtu si ndodhi me fondet IPARD pas zbulimit të abuzimeve”, deklaroi inxhinieri.