Sytë, shikimi, janë vendimtarë në raportin që krijohet gjatë një bisede. Sado që, të qenit i ndershëm me veten është një ushtrim i mirë për vetë rrëfimtarin, edhe në rast se arsyeja nuk e lejon të jetë aq sa do, për të ruajtur masën, është vështrimi ai që nuk cenohet lehtë nga përllogaritjet e logjikës.
Pavarësisht se, Vera Bekteshi,fizikantja–shkrimtare, e bija e gjeneralit Sadik Bekteshi, një prej të rënëve nga froni, ish-drejtor i institutit të studimeve ushtarake, duke qenë e shtëpisë në shkencat ekzakte, lapsin matematikor di ta përdorë mirë, madje edhe më mirë se penën letrare.
Kjo duket qartë nga konçiziteti i përshkrimit të ngjarjeve të internimit në fshatin Kutalli të Beratit, ku u degëdis e gjithë familja pas dënimit të të atit, në romanin e saj ‘Vila me dy porta”. Tjerrjet e gjata, nuk janë të stilit të saj, pikërisht sepse, të shkruarit për të ishte një terren i panjohur. Dell që, i fshehur kushedi se ku brenda saj, i ngacmuar nga kujtimet e nga nevoja për të shpërthyer, u shpërfaq. Po a mundi të ‘bërtiste’ aq sa duhej, aq sa donte? Aq sa për ta çliruar sado pak veten nga errësira e 16 viteve të internimit?! Jo! Për këtë Vera Bekteshi është e bindur, ama nëse e ka tërësisht në dorë të ndalë a të vijojë rrëfimin aty ku duhet, nuk mund të kontrolloj sytë. Në kryqëzimin e parë ata duken sikur kanë një maskë të hekurt, përtej së cilës nuk mund të depërtosh. Vetëm se, në këtë pikë, kontrolli nuk është në favor të saj. Sytë e çelët, siç janë jeshil ata të sajët, nuk dinë t’i mbulojnë fort mirë emocionet e forta. Vërehet sakaq ajo transparenca e lëngshme që i përmbush sa herë që kujtimet bëhen aq të gjalla, sa mjafton të zgjasësh dorën për t’i prekur. Vetëm në raste si këto, gruaja e fortë, pas së cilës i është dashur të fshihet gjithnjë për shkak të njëmijë e një peripecive të jetës, vjen e shtendoset. Fundja merr përmasat njerëzore, ato emocionale e të vërteta që secila grua ka. E që ndoshta ajo vetë, në mos do ishte për dënimin që ka jetuar, do kishte. Nëse do kishte sy e flokë të zinj, ashtu siç pat krijuar bindjen se u pëlqente më së shumti shqiptarëve aso kohe, do arrinte t’i mbronte më fort disa nga ato përjetimet që nuk do t’i ndajë me të gjithë…
Pse nuk pëlqeheshin sykaltrat në fshat?
Sipas ndjesive të mija dhe gjërave që kam parë e kuptuar, fshati do trupa robustë, nuk pëlqehen femrat elegante. Këtë model bukurie kishin dikur shqiptarët, me sy e flokë të zeza, vetëm këto ishin të bukura.
Ishte në disfavorin tuaj kjo, por jo vetëm…Ju akuzonin gjithashtu se paraqitja e jashtme, përfshi edhe flokët e verdhë, ishte në kundërshtim me situatën revolucionare…
Flokët e mi natyral kanë qenë të verdhë, sikundër tani, edhe pse koha ka bërë që të ndërhyj mbi ta, por pamja ime e jashtme në përgjithësi i përngjante një imazhi evropian. Përveç tipareve natyrale, edhe ndaj veshjes kam treguar gjithnjë kujdesin e duhur. Asnjëherë nuk pranova të ngjallja mëshirë duke pasur imazhin e një gruaje të lëshuar, të veshur keq.
Ky vendim mund të sillte edhe pasoja. A ka pasur situata në të cilat, pikërisht për këtë, jeni ndjerë e kërcënuar?
Situata të tilla krijoheshin vazhdimisht, por më kujtohet një rast, sapo mbërrita në Berat, e veshur mirë, me kujdes, dikush më ndal në një lulishte. Me veshjen tuaj-tha- ju provokoni, duke qenë armike e popullit. Jo vetëm që nuk kanë për t’ua hequr dënimin, por kërcënoheni me internim të përjetshëm.
Sikundër ju, spikasin në një fragment në libër, përpos veshjes, edhe këpucët blu, italiane, të Ardianit, djalit tuaj…a ishin ato një nga gjërat e mbetura nga koha, kur ende nuk ishit ndarë me bashkëshortin, apo ai siguronte të mira materiale për të në vazhdimësi?
Im bir dallonte nga të tjerët, sepse ishte i veshur mirë për shkak të udhëtimeve të të atit jashtë shtetit. Sa herë udhëtonte, deri në kohën që ishim bashkë, jo më pas, i sillte rroba apo këpucë. Disa prej tyre që kishin qenë të mëdha, i shërbyen në vitet pasardhëse.
Pra, asnjë kontakt i mëvonshëm me të qysh prej ndarjes, që, për shkak ndoshta të një vendimi tuajin, nuk duket të jetë fort e qartë…
Jo, asnjë. Im bir e ka takuar të atin pas 25 vitesh në një situatë fare rastësore.
Në 16 vitet e gjata, Vera Bekteshi, ka hasur jo pak njerëz për të cilët edhe të dojë, nuk mundet të ushqejë respekt. E që, megjithëkëtë, as në libër e as në rrëfimet e saj jashtë tij, nuk ka pranuar që të vazhdojë t’i godasë. Edhe pse, në forma të ndryshme, ironike e autoironike, i ka cekur. Ama, sado i parëndësishëm të jetë për të tani momenti i ndarjes së saj nga i shoqi, ngelet fakt real, dhe jo aq kalimtar, në jetën e saj. Sado ta ketë harruar a ta shpërfillë, proçes ky fare i natyrshëm krahasuar me peripecitë që do pasonin, në një çast do duhet përshkruajë të paktën….
Si ndodhi?
Kur ndodhi dënimi i tim eti, morën urdhër të gjitha nuset e dhëndurët të ndaheshin nga bashkëshortët përkatës. Në këtë kohë, im shoq ishte në Amerikë, meqë ishte diplomat. Natyrisht që u urdhërua të kthehej menjëherë dhe ka shkuar direkt nga aeroporti në mbledhje partie. U kthye prej andej rreth orës 4 të mëngjesit. Nuk duhej shumë për të kuptuar qëndrimin e ftohtë, dhe as arsyen pse. E mora me mend sakaq, jo vetëm që ishte ndikuar por që e kishte dhënë fjalën e tij. Madje më kujtohet që u ktheva atëherë nga një provim i rëndësishëm, pas të cilit më puthi në ballë e më tha “Ti je e zonja!”. Nënkuptohej që nuk ishte vetëm për shkak të rezultatit të provimit, por pse do isha e zonja të kaloja edhe atë çka më priste më pas.
Sa zgjati kjo situatë tensioni e ç’përjetim a shije la?
Nga vendimi deri në ndarje zgjati rreth një muaj. Unë nuk pata dhimbje pse u ndava nga ky burrë, sepse në fund të fundit as që e doja. Isha martuar me të për shkak të pozicionit të punës që kishte. Veçse u fyeva, se si mund të prishej familja vetëm nga një urdhër.
Po nëse do t’i kishte ndodhur atij, mund ta hamendësoni qëndrimin tuaj?
Unë këtë gjë e tregova, nuk e braktisa familjen time, asnjë prej nesh nuk e bëri, as ime më, sepse me të tillë model ishim rritur, atë të një familjeje të shëndoshë.
Veçse, në libër, thoni se udhëheqëset tuaja shpirtërore ishin gjyshet, jo nëna…
Po, është e vërtetë, gjyshet përfaqësojnë për mua mençurinë popullore, sepse ato ishin të pa arsimuara, ama ishin të mençura e shumë të mira.
Kam vënë re që këshillat që kam zbatuar në jetë kanë qenë prej tyre e jo prej sime mëje. Që, nga ana tjetër, ka qenë edhe ajo një grua e jashtëzakonshme, por goxha më e indoktrinuar ndërsa unë,jo. Asnjëherë nuk jam përpjekur të hyj në parti, edhe pse nga kjo do kisha avantazhet e mija. Sidoqoftë, në libër disa gjëra thuhen të cunguara, të tjera të plota. sepse është edhe në vlerësimin e redaktorit vlera e librit. disa prej ngjarjeve apo detajeve, Ardian Klosi, më thonte shpesh, me të drejtë, sic kuptoja më vonë, t’i hiqja. Ngelet gjithsesi vend në dorëshkrimet e rradhës.
Në vitet e internimit, a mundeshit ju të kishit miq apo mikesha, bashkëvuajtës fundja, me të cilët të mund të flisnit qoftë dhe për të ndarë një dhimbje të përbashkët.. Mund të jetë lehtësuese por, a ishte e mundur?
Bashkëvujatës dhe mbështetës të vërtetë në atë kohë mund të kishe vetëm familjen tënde. Ishte e vështirë t’i besoje kujt tjetër, ose më mirë, frika ishte shumë e madhe për të folur. Në momente të caktuara edhe mund të shpërtheje, por nuk e bëje në mënyrë të ndërgjegjshme. E bëje se nuk mund të mbaje më.
Cilat kanë qenë disa nga këto momente?
Më kujtohet Xha Tofiku, me të cilin ndeshesha në kultivimin e duhanit, arrija ndonjëherë të shpërtheja e të thosha gjëra, siç mund të ketë qenë ndonjë përgjigje për Stalinin, për të cilën mund të më burgosnin, por ai nuk më dekonspiroi. Situatë e ngjashme ishte edhe kur më vranë djalin e hallës. Arrita t’i them një bashkëvuajtëses sime se do vij një ditë, kur ai që u vra të bëhet dëshmor, dhe ashtu ndodhi. Mirëpo ta thoshe këtë, duhet të llogarisje pasojat, por as ajo nuk foli.
Duhet të ketë qenë njëfarë nuhatje instiktive… Keni pasur edhe miq të tjerë që janë pyetur rreth jush, e me të cilët ju vetë keni pohuar se ruani marrëdhënie të mira, i keni marrë vesh ndonjëherë përgjigjet e tyre?
Kam patur plot miq me të cilët kam bërë biseda,prej të cilave nuk ka dalë asgjë, Spartak Ngjela, Vladimir Balluku, Fatos Klosi apo banor të thjeshtë të fshatit Kutalli. Ngjela më pat thënë se kur e kishin thirur për ta pyetur se ç’mendonte për mua, ishte përgjigjur se isha një vajzë shumë e bukur dhe inteligjente por që kisha një problem të madh, adhuroja Enver Hoxhën. Mandej, kur kishin vijuar ta pysin në do donte të kishte një mardhënie me mua, kishte thën po, vetëm se preferonte më së shumti të lidhej me gra apo vajza të punonjësve të sigurimit. E gjitha një ironi që i kishte bërë marsit në pyetje ta largonin duke i thënë – me ty nuk flitet!
A mundët ju në fakt, më pas, të krijonit me një burrë një mardhënie prej së cilës të ndiheshit e mbushur, e sigurt, e që të ishte e shëndetshme, ndryshe nga ç’rezultoi e para?
Po, kohë më vonë arrita të krijoj një marrëdhënie shumë të mirë, që megjithëse ka mbaruar, më ndihmoi, më bëri të harroj një pjesë të vuajtjeve të internimit. Apo më mirë, të dy ne ndihmuam njëri-tjetrin. Vazhdojmë të jemi miq të mirë.
Pse, ishte edhe ai pjesë e vuajtjeve të asaj kohe?
Jo, por mund të kishte vuajtje a mangësi të tjera, u ndihmuam reciprokisht.
Nga e gjithë ajo kohë, për pasojat e së cilës Vera Bekteshi është ndihmuar jo vetëm nga një, por të gjithë miqtë e mikeshat e asaj periudhe që nuk humbi asnjëherë, i kanë ngelur sidoqoftë disa detaje, së cilave nuk mund t’iu shpëtojë. “Tani e kuptoj -shpjegon- pse fotografja e talentuar Jutta Bezenberg, kur i pozoja per foton e librit me thosh te veshtroja drejt me synimin e qarte per t’i thene lexuesit se dua t’ju tregoj gjera me rendesi”.Vëren, kur e sheh veten në ritransmetimet e intervistave televizive, që, përveç se nuk i mban sytë drejt shikuesit, por gjithnjë poshtë ose anash për shkak të mospërvojës, zëri i saj i tingëllon i huaj. Ato 16 vitet e internimit, i kanë mundur këta 40 e ca të tjerët, pra, dominon në të folurën e saj aksenti beratas. Si një vajzë e ish-bllokut, që fliste pastër gjuhën zyrtare, ajo nuk mund t’i bëjë bisht këtij ndryshimi. Në kohët e para, pas përfundimit të internimit, ndryshimi i gjuhës ishte qartësisht i dukshëm, por siç duket ende edhe sot, 20 vite më pas, dallohen gjurmët e një kohe që s’mund të harrohet e që shenjat më të forta i lë nën lëkurë, nën vështrim…e që të gjitha rrëfimet, edhe ato që do pasojnë në tregimet e ardhshme që Vera ka në duar, mund të jenë vetëm gjysma e ajsbergut, themelet e të cilit nuk dihet ku janë.
Brenda shishes së parfumit…
…Lime, trëndafil, luleshpate, jasemin, violet, iris… janë këto aromat e parfumit “Lanvin”, që të përziera së bashku, e shoqëruan Vera Bekteshin përgjatë 16 viteve të internimit. Me lindjen e djalit, i shoqi i pati sjellë nga jashtë këtë një set, në të cilin ishte parfumi dhe një kuti me pudër. E mori me vete setin bashkë me premtimin, që i bëri vetes se ky parfum do ta shoqëronte deri në fund të dënimit të saj. Kujdesej përherë, që të hidhte vetëm një pikë në flokë, pas çdo here që lahej në lumë. Duhet ta përdorte me kursim, sepse nuk dihej sa vite do zgjaste periudha e errët. Aq me kursim sa që jo vetëm i mjftaoi, por teproi. Ndërsa në kutinë e pudrës të cilën nuk e përdori asnjëherë, nuk mund të përdorej pudra në fshat, shihte të gdhendur sipër fjalët Lanvin i linjës My Sin (mëkati im). Fjalët e fundit, Bekteshi i lexonte My Son(djali im), ngase dhurata e ardhur për lindjen e tij, i dukej sikur ishte krijuar enkas për ata të dy.
Dy gjëra do t’i pëlqeja veçanërisht tek im atë, të qeshurën e tij jo shumë të shpeshtë por me gjithë zemër, me gojën plotë dhëmbë të mëdhenj e të bardhë dhe mënyrën se si e pinte cigaren. Asnjëherë nuk takova një burrë t’i përngjante, por ën fakt as që e morra mundimin për këtë. Prej tij mësova për herë të parë se jeta dhe njerëzit nuk janë tamam ashtu si na shfaqen, dhe se nuk duhet t’i marrim fare seriozisht të thënat e tyre, përndryshe mund të lëndohemi, gjë që për fat e mësova shumë herët, nga ngjarja me qengjin. Duhet të isha nja 4 vjeç , duke luajtur në fushën pranë pallateve të Moskatit, që aso kohe ishte goxha fushë me bar ku kullosnin bagëtia e fshatarëve, të posaanëtarësuar në kryeqytet. Midis dhenëve që po kullosnin, ishte një qengj i vogël, po kaq i bardhë e kaq i bukur, sa më mbetën sytë te ai dhe desha ta kisha. Me shumë ndrojtje ju afrova bariut të kryeqytetëruar dhe i thashë a i shiste qengjat, sepse pashë që ai dha disa përpara syve të mi në këmbim të një shume parash. Më tha se po, dhe kur e pyeta sa kushton, m’u përgjigj ‘vetëm 10 lekë’. Me një frymë shkova deri në shtëpi ku gjeta babanë që po flinte në vapë dhe duke u zgjuar (ai nuk më bërtiti, por as më puthi) i tregova për rastin fatlum për të blerë një qengj me 10 lekë.
-Një qengj kushton më tepër se kaq- m’u përgjigj ai,- po bariu të ka thënë ashtu sepse e di se ti nuk ke ku ta mbash.
Me këtë rast kuptova se të mdhenjtë tallen me fëmijët dhe se fjalët e tyre s’mund t’i marrësh menjëherë siç i dëgjon.
Nuk mund ta shpjegoj por gjithnjë kam parashikuar gjithçka të mirë e jotë mirë që do t’i ndodhte fëmijës së vetme dhe të mrekullueshme që linda. Kur ma treguan, mbasi e kishin pastruar, pashë një fytyrë të vockël ezmere, me shumë flokë të zinj dhe një palë sy të mëdhenj që në fillim dukeshin si blu, ishte krejtësisht si në ëndrrën që kisah parë një muaj më parë.
-Mirë se erdhe në këtë botë të egër, bir! – i thashë, ‘të egër’ thjesht si një mënyrë të shprehuri, pa e ditur se vecanërisht për të bota do të ishte vërtet e egër që në vitin e parë të jetës.
Fëmijën e porsalindur nuk ta jepnin aspak në duar si në skenat prekëse të filmave, thjesht ta tregonin të mbështjellëm, para se të bënin banjën e pastrimit nga lëngjet mbrojtëse dhe ushqyese të trupit të nënës. /Unë gruaja/Panorama
Vera Bekteshi/ Shkrimtarja vjen në një rrëfim për diktaturën, krizën e gjatë intelektuale të 20 viteve të fundit, letërsinë e shkruar nga femrat dhe librat që kanë ndikuar në jetën e saj
Alda Bardhyli (Gazeta SHQIP)
Teksa buzëmbrëmja vazhdon të ulet ngadalë mbi liqenin e Ohrit, Vera Bekteshi vazhdon të flasë për librat…Duket sikur gjithë ato vite të kaluara në internim, gjithë ajo e shkuar e mbushur me ndarje, humbje, nuk kanë mundur të heqin nga kjo grua, ndjesitë e bukura që ia jep e shkruara… Nëse me vite me radhë do të nguronte si Tatjana e Pushkinit të ulej për të shkruar, tashmë Vera nuk ka më ngurrime… E shkruara është gjithçka për të dhe duket sikur ka qenë gjithnjë diçka e rëndësishme brenda saj, diçka që duhet të dilte në sipërfaqe pas një kalvari të gjatë dhimbjeje. 16 vite të kaluara në internim, që prej vitit 1974, ajo i tregoi në romanin “Vila me dy porta”. Vetëm pak kohë më parë, ajo ka botuar librin “Një det i moçëm”, ku rrëfimeve për diktaturën u janë shtuar dhe ato për tranzicionin e gjatë të këtyre 20 viteve postkomunizëm… Më poshtë, shkrimtarja vjen në një rrëfim për të shkuarën, librat që kanë ndikuar në jetën e saj, tranzicionin e gjatë intelektual dhe letërsinë e shkruar nga femrat…
Si erdhi e shkruara tek ju? Ishte diçka që ka qenë gjithnjë brenda jush dhe u desh momenti të dilte në sipërfaqe, si e kujtoni këtë proces?
Po besoj do ketë fjetur me vite brenda meje. Në rininë e hershme kam mbajtur ditar, të cilin nuk e përdora kurrë sepse e grisa. Nuk doja që mendimet e mia t’i lexonin të tjerët (përfshirë prindërit) sepse kishte aty dëshira të palejueshme për kohën, kështu që gjithçka që më interesonte e depozitova në hardin tim. Besimin se mund të shkruaja ma ka dhënë për herë të parë Gjergj Zheji, mësuesi im i dashur i letërsisë. Gjatë vitit jo se shkruaja ndonjë hartim për të qenë, mbase për shkak të faktit se temat ishin të përcaktuara dhe ato s’më pëlqenin, s’shkruaja dot me porosi. Në provimin e maturës, për fat një nga temat ishte realizmi kritik dhe unë zgjodha “Ringjalljen” e Tolstoit, të preferuarin tim të rinisë, por edhe sot e kësaj dite e kam shumë të çmuar. Nuk fola për Katjan, personazhin kryesor por vura të tillë Rusinë e kohës së Carit, që zvarritej me frymëmarrje të rëndë, e lodhur, e prangosur, pa liri. Tolstoi si shkrimtar profet, në këtë vepër kishte parashikuar përmbysjen e madhe që do ndodhte. Mësuesit tim i kishte pëlqyer kjo mënyrë shikimi e veprës dhe më inkurajoi të shkruaja. U desh të kalojnë shumë e shumë vite që të merrja guximin dhe unë e fillova duke menduar si personazhi i Pushkinit, Tatjana në letrën dërguar Onjeginit: Po marr guximin që t’ju shkruaj ç’do deshit më veç shpirtit tim? Dhe me këtë pyetje ju drejtova me mend lexuesve hipotetikë në fillimin e librit tim të parë. Një shtysë tjetër për të shkuar drejt shkrimit ka qenë dhe miku im, një konsulent francez me të cilin punova disa vite në Fondin Shqiptar të Zhvillimit. Ai ishte kurioz të dinte për të shkuarën time, dhe kur unë i tregoja, ai ngulte këmbë që të filloja të shkruaja. Pastaj një ditë më gjeti duke luajtur në kompjuter për t’u çlodhur, kur hyri në zyrën time papritur. “Të kesh turp, po e harxhon kohën kot në vend që të shkruash”, – më tha. Kjo ishte shtysa e fundit. Sapo ai u largua, unë e lashë duhanin e lojën dhe nisa të shkruaja librin.
Atëherë ju nisët të shkruanit për të shkuarën? A nuk ishte kjo një nevojë për çlirim?
Kisha diçka që duhet ta tregoja dhe të mbetej si dëshmi. Unë shkrova një roman dokumentar me ngjarje dhe emra ose shkurtime të vërteta. Çdo gjë është reale, veçse ka strukturën e një romani.
Në libër ju i përshkruani ato vite jo të lehta të rinisë suaj, largimin nga Tirana, ndarjen nga bashkëshorti, internimin… Teksa ktheheshit pas në kohë, si e shihnit Verën e atyre viteve?
Kur u rikthehem atyre viteve, mendoj se kam vepruar drejt. Edhe sot, pas kaq vitesh që situatat kanë ndryshuar, nuk kam asnjë peng nëse bëra ndonjë veprim të gabuar, thjesht ndoqa instinktin dhe arsyetimin tim se rruga e vështirë e qëndresës, e moskapitullimit nga presionet, është ajo më e mira.
Diktatura është pjesë e rrëfimit tuaj? Çfarë ishte komunizmi për ju? Çfarë gjurmësh ka lënë ai ende?
Pas përvojës që provuam, sikurse shumica, mendoj se ishte një doktrinë krejtësisht e gabuar. Sistemet ideale ekzistojnë vetëm në mendjet tona – thotë Platoni. Marksi, me sa duket, e mendoi si një sistem ideal për të liruar proletariatin nga prangat e kapitalizmit. Nuk e merrte me mend se kur të gjente jetë ajo doktrinë, do prangoste në kuptimin e parë të fjalës jo vetëm atë proletariatin e tij, por edhe intelektualët e të gjithë të tjerët pa kursyer asnjë. Edhe çështja e pronës që tjetërsohet është kundër natyrës njerëzore, siç thotë një fjalë e urtë tiranase, është baras me shpirtin, dhe rrëmbimi i saj sigurisht që sjell pasoja. Siç u pa qartë, zbatimi i kësaj doktrine (sigurisht e ndryshuar nga Lenini e të tjerë) në Rusi fillimisht, e pastaj në gjithë vendet e Lindjes komuniste rezultoi si diktaturë e egër. Çdo vendim tek ne merrej “Në emër të popullit”, por popull s’kish gjëkundi në ato vendime, e merrte Njëshi dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt. I gjithë ky tranzicion kaq i vështirë, është pasojë e asaj diktature. Sa më në presion të ketë qenë një popull, aq më me tërbim çlirohet ai, prandaj ne nuk po e marrim dot veten, ende s’është shuar tërbimi. Reminishencat e diktaturës kanë qenë dhe janë shpesh prezente.
A ka përfunduar saga e diktaturës në shkrimet tuaja?
Edhe në librin e dytë kam disa tregime të shkruara për diktaturën, ndërsa të tjerat janë të tranzicionit. Mendoj vazhdimisht se ajo periudhë është ngulitur fort tek unë e do të kthehet herë pas here. E mirë është të kthehet, ç’të keqe ka pasi i shërben jo vetëm çlirimit tim, por edhe të gjithë shqiptarëve. Duket sikur njerëzit janë të lodhur nga shkrimet për diktaturën dhe shpesh rrudhin buzët kur flitet për to, por shihni gjermanët. Ata jo vetëm shpallën listat e spiunëve pas rënies së murit për të shëndoshur shoqërinë e tyre me një shuplakë të fortë (se nuk është kollaj të shpallen publikisht kush e si janë denoncuar njerëzit), por ende vazhdimisht bëjnë letërsi apo kinematografi me temën e Luftës së Dytë ku ata ishin protagonistë në vrasje e gjenocid. D.m.th. ende shoqëria e tyre nuk është pastruar përfundimisht nga nazizmi. A nuk është fakt rilindja e tij në forma të tjera në Gjermani apo gjetkë? A nuk mund të kthehet edhe tek ne në forma të reja? Mendoj se dosjet duhet të hapen patjetër. Këtë temë e kam prekur edhe herë të tjera. Nuk jam për linçim, por ama të mos jemi në situatën që ata të dosjeve të bëjnë moralistin apo politikanin. Kjo është tepër!
Mendoni se do të hapen një ditë?
Shpresoj, por durimi duhet të marrë fund një ditë, pasi siç thotë një shkrimtar i madh, durimi është i mirë por kur zgjat, të shkatërron karakterin.
Cilat kanë qenë librat apo letërsia që kanë lënë më shumë gjurmë tek ju?
Përgjithësisht letërsia klasike ka lënë gjurmë tek unë. Kur lexoj esetë apo edhe veprat e shkrimtarëve të mëdhenj, atyre ju referohen gjithnjë. Në një nga romanet e fundit japonezë “Pylli norvegjez”, flitej sesi u lidh një miqësi në universitet me studentë që donin Fitzgeraldin me “Getsbin e madh”, në ndryshim nga të tjerët që preferonin vetëm letërsi moderne. Kjo më pëlqeu, ndërkohë që ai libër japonez, ndoshta i vetmi nga ata që kam lexuar prej tyre, m’u duk pak i stisur, më la shijen e një libri me erotizëm të sofistikuar. Ndaj dhe është bërë bestseller. Librat e vërtetë përgjithësisht nuk bëhen bestseller. Kurse Fitzgeraldi është krejt gjë tjetër. Stili i tij, është muzikë, sidomos në anglisht. Përveç stilit, ai libër “i vogël” vlen aq shumë. Shpesh, më duket sikur të gjithë filmat amerikanë, sa herë duan të pasqyrojnë jo vetëm vanitetin por edhe shkatërrimin që lënë pas me egoizmin e tyre persona nga shtresa e borgjezisë së lartë amerikane, i referohen atij libri. Letërsia ruse, siç e thashë, ka ndikuar tek unë, por edhe ajo franceze, angleze, japoneze, latine etj. Letërsia e narracionit që ata përfaqësojnë është e bukur, edhe sepse ajo duhet të tregojë diçka. Sigurisht që ka eksperimente në letërsinë moderne. Italo Kalvino më pëlqen p.sh. te libri i tij i fundit “Nëse një natë dimri një udhëtar”, por ai lloj të shkruari kërkon një përgatitje dhe një talent të jashtëzakonshëm. Që në rini kam pasur mundësi të njihem me letërsinë e kohës përmes librave të fondit të veçantë, që drejtori i bibliotekës së universitetit, Mihal Hanxhari, më jepte fshehurazi herë pas here.
Nëse do të kishit mundësi të zgjidhnit të takonit një prej këtyre shkrimtarëve që përmendët, cili do të ishte dhe pse?
Nuk e di pse po do doja të takoja Shekspirin dhe të kuptoja a i kishte shkruar vërtet ai ato mrekulli që edhe sot nuk janë zbehur, po ashtu Tolstoin aristokrat, por me veshje fshatari në Jasnaja Poljana, Çehovin delikat, por sigurisht edhe Heminguejin aventurier por të disiplinuar në letërsi, Saramagon e thellë, Markezin thellësisht jetësor, e të tjerë burra dhe gra që me veprat e tyre na e kanë pasuruar jetën aq shumë.
Tërhiqeni nga letërsia e femrave… Le të ndalemi pak këtu, a mund të ketë ndarje mes letërsisë së shkruar nga femrat dhe ajo e burrave? Çfarë e bën ndryshe shkrimin e një gruaje?
Po, sidomos kohët e fundit ka një hov në letërsinë femërore. Më ka pëlqyer shumë dhe e konsideroj si një nga librat më të rrallë “Kujtimet e Hadrianit” të Margaret Jurcenar. Doris Lessing më pëlqen gjithashtu shumë, është aq e ndryshme në një libër që mund ta lexosh për një pasdite si “Fëmija i pestë”, por që ngre aq shumë probleme etike të shoqërisë së sotme, nga tregimet e shkruara me aq intensitet sa të duhet t’u kthehesh. Për Elfride Jelinek, apo Herta Muller, megjithëse janë nobeliste, për aq sa kam lexuar, nuk më mrekullojnë, as më tronditin. Një herë një shkrimtar i yni më ka thënë për Izabel Aljenden se dallohen librat e saja si të shkruara prej një gruaje, në kuptimin jo të mirë të fjalës. S’jam dakord! Gratë mund të shkruajnë njësoj si burrat nëse i dedikohen letërsisë po aq sa ata, por ne për fat të keq s’e kemi atë luks. Shihni Lessing, ajo përveç talentit, ka pasur mundësi t’i dedikohet kësaj mjeshtërie dhe ja ku e keni, apo Jurcenar. Dhe një shembull të një çifti shkrimtarësh si Alberto Moravia dhe Dacia Maraini. Mbase jam e gabuar, por më pëlqen më shumë Dacia me librin “Jeta e gjatë e Mariana Ukrias”.
Përveç një krize sociale, ekonomike apo politike, këto vitet e fundit shpesh është folur edhe për krizë të intelektualëve. Si e shihni zërin kritik të intelektualëve dhe rolin e tyre në zhvillimet e vendit?
Intelektualët janë të shtypur, nuk e vini re? Janë të varfër, sidomos kur dalin në pension, sepse për ta s’duhet të ketë pension, nëse e meritojnë emrin intelektualë. Në të gjashtëdhjetat, nëse gëzon shëndet, je më i mençur e më prodhimtar se kurrë, por nëse të lejojnë. Ndërkohë që të dridhet dora për një kafe. Është për të ardhur keq që s’ka oponencë në letërsi, p.sh. meqë po flasim për të, pavarësisht se njerëzit i janë kthyer librit vitet e fundit. Por ndërkohë po rritet një brez i ri intelektualësh të shkolluar këtu apo jashtë, me të cilët duhet të mendohesh kur të flasësh. Veçse dhe ata duhet t’i ruhen indoktrinimit. Nuk është kaq e lehtë t’i shpëtosh atij, sepse tani kamuflohet në forma të reja.
Nëse në vende të ndryshme ish-komuniste, gratë dolën dhe gjetën shpesh veten dhe rolin e tyre në shoqëri, në Shqipëri duket se gruaja po kalon një krizë, referuar vrasjeve që dëgjojmë shpesh, që kanë si viktima gratë?
Nuk e besoj se në vendet e tjera ish-komuniste gratë e kanë të lehtë, kudo në botë gratë e kanë të vështirë, por sigurisht në shkallë të ndryshme. Në vitin 2002 kam qenë në Paris në kongresin e grave fizikane dhe a e dini se ç’probleme u shtruan aty? Pikësëpari sa përkrahen gratë fizikane në krijimin e kushteve të favorshme për punë, si p.sh. në rastin e lindjes së fëmijëve ose sa zgjidhen ato në poste vendimmarrjeje në këtë fushë? Rezultoi se ka shumë maskilizëm edhe midis shkencëtarëve dhe kjo është vërtet për të ardhur keq. Nga diskutimet dhe të dhënat doli se kushte më të mira në të gjithë botën u krijohen fizikaneve në Francë dhe për këtë amerikanet (ato ishin organizatoret dhe sponsoret e Kongresit) nuk ranë dakord. Te ne gratë e kanë të vështirë si kudo, por më duket se ndër të rejat e shkolluara ka një çlirim, madje nganjëherë edhe arrogancë, për të cilën s’jam dakord. Të dyja palët duhet të konkurrojnë me profesionalizëm dhe përkushtim. Sa u përket vrasjeve, ky fenomen është shumë i përhapur edhe në një vend të zhvilluar si Italia. Ndoshta burrat vrasës nuk e kanë kuptuar ende se gratë s’janë më pronë e tyre dhe mund të vendosin të lira nëse duhet të vazhdojnë jetën me ta apo jo. Por, gjithsesi, mendimi im është se burrat po çedojnë paksa, nuk ndihen më aq të sigurt si më parë (prandaj edhe vrasin), sepse gratë po çlirohen me ngadalë, por po çlirohen kudo në botë, duan apo nuk duan ata. E vini re se sa shumë po “zbukurohen” burrat (d.m.th. sa shumë po i kushtojnë kujdes zbukurimit të tyre), sa janë shtuar homoseksualët meshkuj?
Çfarë po shkruani tani?
Fillova diçka nga koha e Perandorisë Otomane, por e lashë përgjysmë se në mendjen time u krijua një skenar tjetër nga ditët tona. Por kam pak kohë për të shkruar, megjithëse kjo s’më justifikon. Përgjithësisht punët e mira i kam bërë nën trysni. Asnjëherë nuk kam qenë e qetë kur kam bërë diçka. Por siç duket unë kështu jam mësuar të punoj, nën trysni.
Pa dashur po shkruani sërish një autobiografi?
Markezi ka thënë që “unë s’mund të shkruaj asgjë që nuk kalon përmes eksperiencës sime personale” gjë që s’do të thotë aspak se do të shkruash autobiografi, do të thotë se shkruan për ngjarjet e përjetuara. Pastaj më pëlqen të shkruaj për gjërat që i njoh mirë. Nuk na e kanë lënë kot plot shkrimtarë këtë porosi. Tani po më kujtohen së paku Heminguej apo Amos Os. Te libri i dytë kam shkruar tregime për personazhe fare të panjohur si “Tapeti”, për një emigrant në Greqi, por ama atje flitet për fshatin që e njoh mirë.
Si e shihni letërsinë e femrave që shkruajnë në Shqipëri?
Mua më bëhet qejfi që këta zëra po shtohen, por megjithatë janë pak. Ajo që vërej me keqardhje është se burrat që janë patriarkë edhe në këtë fushë, nëse nuk dalin hapur me kritikë na dënojnë me heshtje… që vihet re edhe në ndarjet e çmimeve, në kritikat e pakta e sidomos heshtja është ndoshta më e keqja. Më bëri përshtypje Visar Zhiti në Panairin e Librit në Berlin, që në letërsinë për diktaturën përmendi plot burra dhe asnjë grua, megjithëse ne kemi dhënë goxha kontribut në këtë lloj letërsie.
Nje grua qe ben radiografine e ferrit. E kam ne sy kur e kam pare ne femijerine time ne Moker. Drite farfuritese ne nje tunel injorance. I deshiruar ta takoj.