Dihet mirë se qyteti i Shkodrës është një djep i rëndësishëm i kulturës shqiptare dhe pikërisht, me këtë cilësi ka ushqyer brez pas brezi çdo fushë të artit në të gjithë vendin. Megjithatë, kontributi i tij në fushën e muzikës mbetet i madh. U dalluan dhjetëra emra. Kolosalë, të mëdhenj dhe më të vegjël, por që të gjithë të paharrueshëm! I vlerësoi apo jo historia moderne? ata i ofruan muzikës shqiptare obolin e tyre me gjithë shpirt, në një epokë kur asgjë nuk ishte njësoj me sot dhe gjithçka dukej gri. Në këtë kategori bën pjesë padyshim bilbili më i bukur dhe më melodik i qytetit të Shkodrës, këngëtarja legjendare Valdete Hoxha.
Që në moshë shumë të vogël në Shkodër, ajo u dallua për talentin e saj dhe u bë veçanërisht e njohur në rrethet artistike të qytetit të asaj kohe, të cilat ishin plot jetë dhe veprimtari artistike. Kompozitorë të mëdhenj, “të specializuar në gjetjen e talenteve të reja”, si Çesk Zadeja, Pjetër Gaci dhe Simon Gjoni folën për një “vajzë të veçantë ” me një talent të rrjedhshëm që emocionon publikun artdashës të qytetit.
Nxënësja e asaj kohe, me buzëqeshjen e gjerë të ngulur në fytyrë (një buzëqeshje që e mban të paprekur edhe sot e kësaj dite) dhe me ato sytë në formë bajameje, as që mund ta imagjinonte që sapo i ishte hapur rruga për një karrierë të madhe që do të numëronte 40 vite radhazi sukses. Ishte nxënëse në një gjimnaz pedagogjik për mësuese, por në të njëjtën kohë aktivizohej në Shtëpinë e Kulturës në Shkodër nën kujdesin e Tish Daisë dhe Çesk Zadesë. Në vitin 1972 zhvillua konkursi i interpretuesve të këngës dhe aty ra në sy talenti i saj. Për Valdeten u bë një dokumentar propagandestik, ti talent i veçantë madhe, që kaloi që nga pedagogjikja për mësuese me Urdhër të Ministrit në konservator për kanto.
Kështu ajo u gjendet studente në Ish-Institutin e Lartë të Arteve të Bukura në Tiranë, në degën e Kantos, në një kurs që nxori mbase një nga pliadat më të shkëlqyera të muzikantëve vendas si Gjergj Sulioti, Ylli Muço, Diana Ziu, Suzana Turku, Alqi Lepuri, Ilirjana Dema, Dorian Nini, Zeqir Sulkuqi, Dhimitër Dushi, Haxhi Dalipi, Aleksandër Vezuli etj. E dalluan për talentin dhe zërin e saj profesorë të ndritur si Ramiz Kovaçi, Çesk Zadeja, Ferid Bala, Tish Daija, Marie Kraja, Ermelinda Paparisto, Naile Hoxha dhe Shpresa Nishani që në momentin e parë, që sa shkeli këmbën në hyrje të ILA-s.
Performancat e saj si studente ishin të shkëlqyera! E sjellshme, e buzëqeshur dhe e gatshme për çdo gjë që i kërkohej, shkëlqen dhe pushton publikun e Tiranës. Vajza e bukur dhe e qeshur nga Shkodra fiton një reputacion të madh në rrethet studentore dhe të gjithë ia mësojnë emrin. Dalja e saj e parë në skenën muzikore shqiptare do të bëhet me një këngë melodike, në Anketën e muajit gusht 1972, me muzikë nga Platon Mezini dhe tekst nga Agron Pepa. Kënga quhej “Një tufë mimoza”. Ende studente do të debutojë në skenën e madhe të Festivalit të 13-të, konkretisht kompozitori i madh Simon Gjoni do t’i besojë asaj këngën “Kjo anë e Bistricës ka bilbila shumë” me tekst të popullit dhe të përsëritur nga Fatbardha Dyli. Kënga do të fitojë çmimin e tretë dhe të nesërmen nuk do të ketë gazetë që nuk do të përmendë vajzën e re me emrin Valdete Hoxha.
Një tjetër sukses i madh që do ta veçojë atë, ishte pjesëmarrja e saj e dytë në anketat e Radio Tiranës në dhjetor 1975 me këngën “Çe grive shaminë” me muzikë nga Shaban Kapllani dhe tekst nga Koçi Petriti. Një këngë, që edhe ajo vetë sot mund të mos e kujtojë. Po në atë Dhjetor Valdete Hoxha merr pjesë në Festivali i 14-të në RTSH me këngën “Si Lule Ne Bjeshkë “, me muzikë nga Naim Gjoshi dhe tekst të Pandeli Koçit, kënga dublohet nga një tjetër talent të ri, mexosopranon Shpresa Spaho, të cilat së bashku arrijnë të marrin sërish çmimin e tretë.
Në Dhjetor 1976, tek festivali i Valdete Hoxha merr pjesë në Festivali i 15-të në RTSH me këngën “Buka Jonë e ëmbël” serisht me muzikë nga Naim Gjoshi por me tekst të Roland Mustës, e dubluar nga Klotilda Daliu. Në festivalin e 16-të t ë Këngës në RTSH, bëhet hapi i madh, kur kompozitori kolosal Çesk Zadeja i beson asaj instinktivisht një duet me Hysni Zelën me motive Popullore, duke parashikuar kështu një udhëtim të shkëlqyer që do të ndiqte më vonë si një nga zërat më të mëdhenj të Ansamblit të këngëve dhe valleve Popullore. Kënga quhej “Sa lule çel Pranvera” me tekst nga i madhi Llazar Siliqi, e përsëritur nga çifti Adriana Ceko dhe Ylli Çiftjanë një version krejt tjetër. Natën e dytë, në të njëjtin festival, ajo do të këndojë edhe një tjetër këngë, me muzike nga e mira Lejla Agolli, me tekst nga Kastriot Mahilaj me titullin “Mes minatorëve” e dubluar nga Luljeta Përbasha.
Suksesi ishte i madh, Valdetja figuron tashmë në emrat e parë, pasi në të njëjtën kohë do të vendosë një tjetër rekord në karrierën e saj, do të luajë Mrikën në ILA dhe në rolin e Dedës do të ishte shoku i klasës, Gjergj Sulioti. Duke kërkuar kritika në gazetën “Bashkimi” apo në “zërin e popullit” mund të gjesh shumë “Mrika” të vëna në skena të ndryshme dhe nga studentë dhe nga profesionistë, por vështirë se mund të gjesh ditirambë të tilla, si ato që shkrojtën për dyshen Sulioti-Hoxha. Madje diku shkruhet se duartrokitjet e finales kanë zgjatur më shumë se dhjetë minuta.
Ende studente ajo do të emërohet si soliste në Ansamblin e këngëve dhe valleve, ku serisht do të shkëlqejë menjëherë duke interpretuar hite të mëdha të muzikës Popullore dhe jare shkodrane si “Çu çu rrushja në sabah” e cila do të gdhendet në kujtesën popullore deri sot vetëm nga zëri i saj. Në vitet do të këndojë atje si soliste kryesore do të sjellë më shumë se 140 këngë popullore nga Shkodra dhe Shqipëria veriore, si: “Ti më je si një gonxhe”, “Ushton Gryka e Kaçanikut “,”Lene nanën lene babën”, “Në zaman të asaj furie”, “një këllef me ar ta çova”, “Qënke nur i bukurisë”, “me këtë kangë du me fillu”, “i kam hyp vaporrit”, “n`bash t`zamanit të djelmënise”, “Karajfil të zgjodha” etj duke i dhënë një dimension të ri këngës Popullore.
Valdetja do të rikthehet dinamikisht tek festivali i 19-të i Këngës në RTSH në dhjetor 1980, pas dy vitesh mungesë, duke inauguruar një periudhë të re, të përbërë zakonisht nga duete me Bashkim Alibalin, si psh një këngë që pati shumë sukses në masën popullore për shkak të tekstit të veçantë “Kush je ti që më tremb dhentë” me muzike nga Naim Gjoshi dhe tekst nga Agim Hila të dubluar në formë të përsosur nga dyshja gjithashtu e shkëlqyer Zeliha Sina dhe Hysni Zela, si dhe me këngën e Tish Daisë “Kur vallzojnë shqipet” me tekst të Aleksandër Banushit, të dubluar serisht nga Zeliha Sina, të cilat së bashku me Sabahete Vishnjën dhe Merita Halilin mbeten perandoreshat e Ansamblit deri më sot.
Në Dhjetor 1981, Valdete Hoxha & Bashkim Alibali hapin Festivalin e 20-të në RTSH me këngën “Drita E Kongreseve” të Ferdinand Dedës me tekst të Kudret isait, dubluar nga Petrit Lulo dhe Zeliha Sina, fitojnë Çmimin e dytë. Në Dhjetor 1982, Valdete Hoxha & Bashkim Alibali marrin pjesë në Festivali i 21-të në RTSH si duet me këngën ” Gëzuar Shokë” kushtuar tërmeteve që kishin goditur Shqipërinë, serisht me muzikë të Ferdinand Dedës dhe tekst të Kudret isait, dubluar nga Parashqevi Simaku dhe Lindita Theodhori, serisht fitojnë Çmimin e dytë. Natën e dytë do të performojë solo me këngën “Malli për atdhe” me muzike nga Pjetër Gaci dhe tekst nga Gjokë Beci, dubluar nga Arif Vladi.
Në Dhjetor 1983, Valdete Hoxha & Bashkim Alibali marrin pjesë në Festivali i 22-të në RTSH si duet me këngën “Festa E Lirise” serisht me muzikë të Ferdinand Dedës dhe tekst të Kudret isait, dhe serisht fitojnë Çmimin e dytë. Por natën e parë Valdetja do të performojë solo me këngën “Në Koman mes shokësh” me muzike nga Simon Gjoni dhe tekst nga Pjerin Logoreci, dubluar nga sopranoja Rakipe Karaj.
Në Dhjetor 1984, Valdete Hoxha hap Festivalin e 23-të në RTSH, pasi ndryshon duetin e saj me Bashkimin, me këngën e Ferdinand Dedës me tekst të Sulejman Matos “ Dyzet vjet fitore” në duet me Luan Sulën, dubluar nga dyshja Dhimitër Dushi dhe Petrit Lulo, dhe një vit më vonë, pasi hiqen dublimet në festivalin e 24-të, do të tejkalojë çdo pritshmëri, duke realizuar një nga hitet më të mëdha në historinë e këngës shqiptare të të gjitha kohërave, “Moj lule zambaku” nga I madhi Pjetër Gaci, Vojsava Nelo dhe Zhuliana Jorganxhi, e cila edhe pse nuk mori asnjë çmim, arriti të qëndrojë gjallë edhe sot e kësaj dite si këngë hit. Megjithatë do të shënonte dhe pjesëmarrjen e saj të fundit në institucionin e festivalit të Këngës.
Ndërkohë ia vlejnë të përmenden edhe performancat e saj verbuese si solo ashtu edhe si soliste e Ansamblit të këngëve, në dekadat e famshme të majit, në turnetë në të gjithë Shqipërinë për rreth 14 vjet dhe suksesi që arriti si soliste e Ansamblit Kombëtar në një sërë vendesh si Suedi, Norvegji, Finlande, Danimarke, Greqi, Itali, Turqi, Francë, R.F. Gjermanisë dhe Austri që nga viti 1974 deri në vitin 1988. Duke arritur majat e suksesit të saj, e vlerësuar artistikisht dhe duke pasur një nga karrierat më të mëdha në historinë e këngës shqiptare, ajo u largua për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës menjëherë pas rënies së regjimit ku jeton edhe sot e kësaj dite me familjen e saj.
Në vitin 1982, përfaqëson e vetme Ansamblin e Shtetit jashtë vendit bashkë me këngëtarin Sali Brari në një festival në Austri. Në vitin 1983, bashkë me Vaçe Zelën japin një koncert në Mynih, për të cilin krijohet kënga “Gryka e Kaçanikut” enkas nga Pjetër Gaci, duke qëmë grupi i parë që shkoi në Kosovë.
Valdete Hoxha, u rishfaq në skenën muzikore shqiptare si yll i ftuar një herë në këngët e shekullit (edicioni i katërt) në vitin 2013 dhe një herë tjetër në 60 vjetorin e Ansamblit Popullor në vitin 2017 duke përhapur emocione në audiencën e saj me buzëqeshjen e gjerë të ngulur në fytyrë dhe me ato sytë në formë bajameje, e njëjta vajzë që ishte gjithmonë në skenë. Ne i detyrohemi asaj shumë dhe i jemi mirënjohës në maksimum.
Sot ishte ditëlindja e saj dhe tani që po shkruaj këto rreshta, në Amerikë është ende ditë..
I uroj me gjithë zemër gëzuar ditëlindjen!!! Valdetja të jetojë sa malet e larta dhe të jetë e lumtur pranë familjes.
Të vazhdojë të na këndojë përgjithmonë me zërin e saj unik dhe melodioz.
Së fundi, i uroj me gjithë zemër që një ditë ta shohë veten me sytë e brezit të saj dhe të kuptojë se sa e veçantë ishte për një popull kaq të vuajtur..
Hulumtimi dhe përgatitja
Aleksandër Ikonomidhi Sulioti
Komentet