VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Tufa i përgjigjet Vukajt, nxjerr dokumentin e persekutimeve nga babai i tij

By | April 22, 2019
4 Comments
  • author avatar
    Fritz Radovani 1 month ago Reply

    O Shaqir Vukaj !
    Per shka keni ba nder Bjeshket e Nemuna…
    Po nuk ju vrau Zoti,
    Nje dite ka me ua ba Buka…

  • author avatar
    Drita e Tunelit 1 month ago Reply

    Shaqir – Mos ja nxi matej edhe ti ne vorr ftyrën , Bejto Faslis! Kerko falje, pendesë, …Kaq! Mos banë avokati krimit se ka me ta kthye koha 1 mijë fishë si gjithkujt brezave të ardshem të familjes tand, kur t’i të keshë cofë!

  • author avatar
    Skender 4 weeks ago Reply

    Shaqo “Bregu”, Veteran! I ciles lufte?

  • […] Autori është ish-ambasador i Shqipërisë në Moskë. Botuar sot në gazetën Dita. Ndalohet riprodhimi pa lejen me shkrim të redaksisë. Shkrimi me të cilin replikohet mund të lexohet duke klikuar KËTU […]

Komentet

Me bujtë në Abacinë e Oroshit, projekti rivitalizues

Fatmira Nikolli – S’është nevoja t’ju flas për kishën e tij, të projektuar prej atij vetë, më e madhja në të gjithë malësinë, as për shtëpinë e tij të madhe, e mobiluar e gjitha sipas shijeve europiane, e as për mikpritjen e tij princërore. Këto i dinë të gjithë ata që vizitojnë Shkodrën e pastaj bëjnë një udhëtim lart nëpër male. Kur vajta unë aty, ai vetë s’qe në shtëpi, por e motra, që më përshëndeti me përzemërsi si të ishim të njohura të vjetra, dhe prifti i Oroshit, më bënë nderet e shtëpisë. Po Oroshi pa abatin (Preng Doçi) është si ‘Hamleti’ pa Hamletin…”. (Edit Durham, “Shqipëria e Epërme”, Botimet IDK, Tiranë)

Dikur ajo ishte një nga komplekset kishtare më me emër në Ballkan. Atje ndalonte edhe Edit Durhami, atje ndalonin udhëtarë në zë e baronë që kalon andejpari, në Shqipërinë e varfër që ende nuk kish dalë nga ndikimi i Perandorisë Osmane. Sot, kur kompleksit të dikurshëm i kanë ngelur vetëm rrënojat, një projekt rivitalizues do e rikthejë në strehë arti, kulture e në një bujtinë të madhe që pret turistë e miq.
Eshtë natyrisht e dukshme rëndësia e madhe që Abacia e Oroshit ka jo vetëm për krahinën e Mirditës, por edhe për rikonstruktimin e historisë së Shqipërisë. Historia e kësaj abacie nuk është zbardhur akoma tërësisht, por në bazë të të dhënave që Abati i famshëm Preng Doçi jep në gazetat gjermane në vitet 1888-1896, rezulton se abatët e Oroshit fillojnë që nga viti 1636, vit në të cilin Stefano de Gapseri u emërua Abat i Oroshit.

Prej pak ditësh është bërë me dije miratimi i një projekti të rikualifikimit të Abacisë së Oroshit.
Projektuesi, arkitekti Gjon Radovani thotë se nisma rikualifikimit të kompleksit të Abacisë së Oroshit është ndërmarrë nga Monsinjor Gjergj Meta, ipeshkëv i Mirditës.
“Oroshi është futur tashmë edhe në programin qeveritar të 100 fshatrave, kështu që një koordimin i punës ndërmjet masave infrastrukturore shtetërore dhe atyre të Ipeshkëvisë më rikonceptimin e kompleksit të abacisë do të sillte një përmirësim të madh të situatës në zonë”, thotë Radovani për ‘GSh’.
Ai vëren se gjendja aktuale e Abacisë, që për momentin ka vetëm kishën në nevojë urgjente restaurimi dhe varrezat pranë saj, të cilat janë edhe sot aktive, dedukton nevojën imediate për ndërhyrje.
“Koncepti urbanistik dhe arkitekturor parashikon ndërhyrjen në pesë elemente të rëndësishme të kompleksit, për ta kthyer këtë abaci në një pol të rëndësishëm fetar, social, kulturor dhe turistik.

Si ndërhyrje e parë imediate është ai i restaurimit të kishës, restaurim i cili do t’i nënshtrohet të gjithë normave moderne të restaurimit si në brendësi të saj ashtu edhe nga ana e jashtme. Një analizë e saktë e dëmeve dhe nevojave jetike për ndërhyrje po bëhet ndërkohë dhe pas mbarimit të kësaj ekspertize, një plan pune i qartë dhe i kuotuar si nga ana teknike ashtu edhe nga ajo financiare do vihet në shërbim të realizimit të punës”,-thekson arkitekti.

 

 

 

Sipas Radovanit, komponenti e dytë, tepër e rëndësishëm është ndërtimi i kuvendit mbi rrënojat e kuvendit të vjetër me një destinacion të ri dhe me një logjistikë moderne. “Rrënojat e kuvendit të vjetër po zbulohen nëpërmjet gërmimeve të kujdesshme arkeologjike që po bëhen në in situ. Çdo gur i ndërtesës së vjetër po ruhet me shumë rigorozitet për t’u vënë në dispozicion për ndërtimin e kuvendit të ri. Kuvendi nuk do të ketë vetëm funksion kishtar, por do të sigurojë vend fjetjeje edhe për turistë apo studiues, që dëshirojnë të kalojnë ndonjë ditë në një ambient tepër komod dhe të mbushur me histori në mesin e maleve spektakolare të Mirditës. Edhe një muze i vogël me informacion mbi rajonin dhe abacinë do zërë vend në këtë kuvend”. Gjuha arkitektonike që përdor Radovani në rindërtimin e kuvendit është një miksturë delikate e historikes që është në themelet e rrënojave të kuvendit të vjetër, me modernen që lind nga tradita dhe që përdor një gjuhë shumë të qartë dhe komunikative.

“Koncepti im vazhdon me një ndërhyrje të fuqishme për sistemimin e varrezave pranë Abacisë. Këto varreza janë aktive, por për t’i shpëtuar nga kaotizimi, duhet t’i nënshtrohen një projektimi për parcelat e reja dhe një sistemimi të atyre aktuale. Rrethimi i tyre dhe gjelbërimi maksimal i mundshëm do krijojë një ambient të paqtë dhe dinjitoz për stacionin e fundit të jetës së njeriut”, thotë arkitekti Radovani. Njëherësh, ai apelon edhe për respektimin rigoroz të Normativave të projektimit dhe të ndërtimit të varrezave, të përpiluara nga vetë ai në vitin 2014 kur ai ishte zv.min i Zhvillimit Urban dhe të miratuara me Vendimin e Këshillit të Ministrave më 2014.
Si element krejtësisht i ri i kompleksit ai veçon komponentin e katërt, që i kushtohet shërbimeve. Paralel me kishën në anën veriore të saj, dy struktura të lehta që dalin edhe ato nga toka për arsye të relievit dhe që hapen nga ana e sheshit të kishës, ofrojnë mundësinë e të gjitha shërbimeve të nevojshme. Bar, restorant, sallë mbledhjesh dhe konferencash, por edhe transformimi i tyre në një skenë të hapur për aktivitete më të mëdha të komunitetit, si koncerte, teatër, etj. është e mundur falë fleksibilitetit dhe qualitetit të projektimit të tyre. Këto struktura do jenë të ashtuquajturat ‘struktura smart’, që në sajë të teknikës dhe teknologjisë do plotësojnë çdo nevojë të organizatorëve të eventeve.
Komponent i pestë dhe i fundit që ka menduar arkitekti është sistemi i qarkullimit të motorizuar dhe këmbësor si dhe parkimi, i cili është i ndarë në dy kategori, privat dhe publik duke siguruar aksesushmëri në të gjithë kompleksin edhe për persona me aftësi ndryshe.
Në tërësi të projektit spikat vëmendja e madhe për kualifikimin e mjedisit, për uljen e impaktit ndaj tij dhe mbajtjen e një raporti të shëndoshë mes historikes dhe modernes. Me realizimin e kompleksit të Abacisë së Oroshit, turizmi historik, malor dhe rural me siguri do të ketë një magnet tepër të rëndësishëm dhe shumë të vizitueshëm, mendon Radovani.
NDËRTIMI I KOMPLEKSIT NGA ABATI
Me përkrahjen financiare të Austro-Hungarisë dhe të Propaganda Fides ishte mundësuar rindërtimi i kishës si dhe rezidenca e abatit të bëhej prapë e banueshme. Për nevoja të tij Doçi kishte mbjellë edhe një vresht rrushi dhe një kopsht me pemë dhe sipas deklarimeve të tij ishte përherë në lëvizje. Me 12 maj 1889 kur shënohet festa e pajtorit Shën Aleksandri Doçi lexon dekretin “Supra montem Miriditarrum” sikurse edhe fermanin e Sulltanit. Kajmekani, pleqtë dhe kleri përpilojnë një falënderim për sulltanin, të cilin abati ia kishte dhënë pashës së Shkodrës me 6 qershor për ta bartur më tutje. Doçi gëzonte mbrojtje të lartë në Romë dhe kishte përkrahjen e qeverisë turke. Abbacia nullius ishte ngritur në koston e dioqezës së tij.
Në tetor 1888, pra, pak para emërimit të tij, Doçi i dërgon Propagandës Fides `Notizie sull`Abbazia dei Miriditi. Ai e thotë si të sigurt se, në Orosh dikur ka qenë një manastir i benediktinëve. Pohimet se mund të jetë bërë fjalë për një abaci baziliane, ai e hedh poshtë kategorikisht. Pas pushtimit turk benediktinët e kanë lëshuar Oroshin dhe në fillim të shek. XVI manastiri është shekullarizuar. Mungesën e dokumentacionit nga kjo kohë Doçi e argumenton me gojëdhënat se, rezidenca e abatit njëherë është djegur. Po ashtu se turqit e kanë grabitur disa herë manastirin e me këtë kanë plaçkitur edhe reliken e Shën Aleksandrit. Papa Klementi VIII ose Sixtus V, pastaj u ka dhënë Abacinë e Oroshit françeskanëve, por që janë dëshmuar si të paaftë për ta mirëmbajtur objektin. Kështu që në viteve 30-të të shek. XVII, Propaganda Fide kishte emëruar përsëri meshtarë shekullarë apo dioqezan (clerici saeculares) si abatë. Kishte kohë të gjata që posti mbetej i zbrazët si dhe përpjekje të ipeshkvijve të Lezhës për ta shuar manastirin dhe për ta përvetësuar si pronë të tyre.
Kësaj përmbledhjeje historike të Doçit, si duket në Romë, duhet t`i kenë besuar, sepse në dekretin e 25 tetorit 1888 me anë të së cilit Abacia e Oroshit ngrihet në `Abbatia nullius` bëhet fjalë prapë për një ish-manastir të benediktinëve: “Abbatia S. Alexandri, quae olim a Patribus Benedictinis regebatur.”

19-vjeçarja e rritur jetime që u burgos nga komunistët, në vitin 1947

“Aktivitetin tim kundër pushtetit popullor, e kam nisur në gusht të vitit 1946. Arsyeja ka qenë pse unë nuk kam marrë triskën e rinisë dhe të frontit…”



Marika Dhima ishte një vajzë 19-vjeçare nga Korça, nxënëse në lice. Ishte jetime, pa mbështetje e pa asnjë përkrahje. I vetmi njeri i afërm që ajo kishte, ishte një xhaxha i saj që jetonte në SHBA. Në pranverën e vitit 1946, kur nisi klasifikimi i popullsisë në “armiq të popullit” dhe mbështetës të pushtetit popullor, një pjesë e të rinjve shqiptarë, ata që vinin nga familje patriotike me background antikomunist, nuk e morën të drejtën e marrjes së triskës së frontit dhe, në rastin kur ishin të rinj, edhe teserën e rinisë. Marika Dhima ishte një prej këtyre të rinjve që u përjashtua nga organizata, duke u klasifikuar automatikisht si “armike e popullit”.  E gjendur në këtë situatë, e kërcënuar nga regjimi, pa asnjë mbrojtje e pa asnjë shpresë, ajo nisi të shkruante letra në SHBA, drejtuar xhaxhait të saj, por edhe personaliteteve amerikane që kishin lidhje me Shqipërinë. Marika nisi kontaktet me misionin amerikan që vepronte ende në Shqipërinë e asaj kohe. Ajo u bë pjesë e të rinjve shqiptarë që nuk e pranuan diktaturën dhe nisën një farë aktiviteti kundër pushtetit komunist. Më poshtë, botohet një pjesë nga letra që ajo i drejtonte zyrtarëve amerikanë, për t’i shpjeguar se në Shqipëri po instalohej diktatura dhe se në popull kishe pakënaqësi.

Letra

“Jam një vajzë jetime pa asnjë njeri, pa prindër, pa përkrahje dhe pa ndonjë burim të ardhurash. Jam studente e vitit të tretë të liceut dhe jam një nxënëse e mirë, me shumë dëshira për të vazhduar studimet. Fatkeqësisht, rrethanat e sotme nuk më lejojnë të vazhdoj shkollën. Në këto kushte, pikësëpari, më duhet të mendoj se si të fitoj jetesën, pa u përkulur aspak e duke sakrifikuar. Studioj natën në një korridor të ftohtë pa zjarr, sepse më duhet të mësoj për të dhënë provimet e fundit. Këto janë kushtet në të cilat i ka lënë pushteti i sotëm studentët, si mua që nuk bëjnë pjesë në radhët e Partisë Komuniste…”, shkruante ndër të tjera Marika Dhima, në letrën e saj.

Në takim me një prej pjesëtarëve të misionit anglez, Marika ishte shprehur se nëpër dyqanet e qytetit e të fshatit, nuk kishte ushqime. Ajo kishte folur për problemet që kishte nisur të shihte në funksionimin e shtetit komunist, ku një pjesë e vogël e popullsisë, njerëzit kryesorë të pushtetit jetonin shumë mirë, ndërsa pjesa tjetër e popullsisë ishte zhytur në varfëri. Marika kishte dhënë opinionin e saj se populli kishte shumë pakënaqësi me pushtetin e ri komunist. Një prej raportimeve të saj, ku gjen detaje mjaft interesante, është edhe vjedhja e mallrave që vinin si ndihma humanitare të UNRA-së për Shqipërinë. Marika kishte njoftuar pjesëtarët e misionit britanik se mallrat që vinin si ndihmë për popullsinë, shiteshin shumë shtrenjtë në tregun e zi. Një prej anëtarëve të misionit britanik, i quajtur “Grastone”, kishte marrë informatën për abuzimin e pushtetit me ndihmat e UNRA-s.

Një detaj me shumë rëndësi në dosjen e Marika Dhimës, është fakti se ajo ka pranuar bashkëpunimin e saj me misionin anglo-amerikan, por ka refuzuar kategorikisht të pranojë se të tjerë të rinj në Tiranë, kishin qenë bashkëpunëtore të misionit angloamerikan. Marika nuk ka pranuar të tregojë asnjë prej miqve të saj të rinj, të angazhuar në aktivitetin e tyre antikomunist, në vitet e para të diktaturës.

Dëshmi

“Aktivitetin tim kundër pushtetit popullor, e kam nisur në gusht të vitit 1946. Arsyeja ka qenë pse unë nuk kam marrë triskën e rinisë dhe të frontit… Letrat që kam dërguar në Amerikë, i kam shkruar duke treguar mbi gjendjen time personale, vështirësitë e mia, por edhe për gjendjen e popullit shqiptar në përgjithësi… Është e vërtetë që kam bashkëpunuar me misionin amerikan, por nuk është e vërtetë që të kem bërë mbledhje me shoqe të tjera…” dëshmoi ndër të tjera Marika Dhima, para hetuesisë.

 Akuza

Marika Dhima ka folur e propaganduar kundër pushtetit popullor dhe gjendjes së krijuar në vendin tonë pas lufte.

Ka marrë iniciativën e shtyrë nga urrejtja për pushtetin e sotshëm dhe u ka shkruar letra disa njerëzve në Amerikë, ku ekspozon gjendjen në vendin tonë tepër kritike edhe regjimin tonë shtypës dhe terrorist.

Ka pasur kontakte me Anton Stivens, pjesëtar i misionit amerikan në Shqipëri, të cilit i ka dhënë ionformata për gjendjen në vendin tonë.

Pas largimit të Stivens, Marika Dhima ka mbajtur lidhje me përfaqësuesin e UNRA-s, i quajtur Kraston, të cilit i ka paraqitur situatë të keqe në vendin tonë.”

Akuza është ngritur nga prokurori Faik Minarolli dhe prokurori ushtarak Petrit Hakani.

Dënimi

Pas një procesi të gjatë hetimor, Marika Dhima u dënua me katër vite heqje lirie dhe heqje e të drejtave elektorale. Bashkë me tri vajza të tjera nga qyteti i Korçës, ajo u dënua dhe vuajti dënimin në burgun e  Tiranës, për t’u kategorizuar një herë e përgjithmonë si “armike e popullit”./kujto.al

Shënim: Materiali është marrë nga AIDSSH, në dosjen e Marika Dhimës, me numër 4894

“Si e pashë ish-deputetin gjysmë të vdekur në burgun e ri të Tiranës. U tmerrova…”, dëshmia rrënqethëse e Dr.Konomit

Historia e panjohur e disidentit komunist, ish-deputetit të Kuvendit Popullor, Xhavit Qesja, i cili në vitin 1956 kur ishte student i Filozofisë në Moskë, përkrahu politikën e Hrushovit duke iu kundërvënë udhëheqjes komuniste të Tiranës. Përse nuk pranoi ai t’i kërkonte falje Enver Hoxhës, dhe internimi e ishullin e Zvërnecit dhe më pas në burgun e Burrelit ku bëri 70 ditë grevë urie….?!

Nga Dashnor Kaloçi, TemA

Po të ishte gjallë Karl Marksi dhe të merrte vesh se komunistët shqiptarë torturohen deri në djegien e trupit me hekur të skuqur në zjarr dhe me heqien e thojve të këmbëve me pinca, siç është rasti i Kristo Budos, ay, pra Marksi, do të shkulte flokët e kokës dhe do të dënonte me ashpërsinë më të madhe këto akte dhunë e antinjerzore”. Kështu shprehej në një nga 40-të letrat që i dërgonte Byrosë Politike të Komitetit Qëndror të Partisë Punës së Shqipërisë në mesin e viteve ‘60-të, Xhavit Qesja, që ndodhej i internuar në Kampin e Zvërnecit, i cili kishte qenë një nga komunistët e parë të rrethit të Krujës, Komisar i Brigadës së 23-të partizane gjatë Luftës, Komisar i Komandës së Qarkut të Tiranës në vitin 1945, antar i Komitetit Qëndror, deputet dhe Sekretar Politik i Qarkut të Shkodrës e Beratit, si edhe nënkryetar i Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Elbasanit deri në vitin 1958 kur u arrestua i akuzuar si armik i popullit. Po cila ishte e kaluara e Xhavit Qeses, ku kishte studjuar ai dhe përse e arrestuan atë në vitin 1958?
xhavit

Përse e mbajtën Xhavitin të izoluar në ishullin e Zvërnecit, cilat ishin pikpamjet e tij lidhur me vijën politike që po ndiqte Nikita Hrushovi dhe Partia Komuniste e Bashkimit Sovjetik në atë kohë dhe përse ai iu kundërvu vijës politike të Enver Hoxhës? Çfarë qëndrimi mbajti Xhaviti në ishullin e Zvërnecit ku asokohe vuanin dënimin disa nga ish-funksionarët e lartë të Shtetit e PPSH-së, të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur armiq e i kishte damkosur si revizionistë dhe çfarë kërkonte ai në letrat që i dërgonte Byrosë Politike?

Kush ishte Xhavit Qesja?

Xhavit Qesja u lind në vitin 1923 në qytetin e Krujës prej nga është dhe origjina e familjes së tij tepër të njohur dhe të pasur në atë qytet.. Pasi mbaroi shkollën unike në vëndlindjen e tij, familja e dërgoi Xhavitin në gjimnazin e Tiranës të cilin ai e mbaroi me rezultate të shkëlqyera në vitin 1941. Që kur ishte në bankat e atij gjimnazi, Xhaviti ra për herë të parë në kontakt me idetë komuniste dhe së bashku me disa nga shokët e e tij të shkollës u aktivizua në grupet edukative apo të simpatizantëve të Partisë Komuniste siç quheshin ata në atë kohë. Pas mbarimit të gjimnazit ai punoi për pak kohë në administratën e Drejtorisë së Postës së Tiranës dhe më pas u largua nga ajo punë për arsye se Qarkori Komunist i Tiranës i drejtuar nga Gogo Nushi e dërgoi atë për të punuar në organizimin e Partisë në rrethin e Krujës.

Në atë kohë që Xhaviti shkoi në Krujë, falë rrethit të gjerë miqësor që kishte, ai menjëherë krijoi dhe celëulën e parë komuniste të atij qyteti duke qenë vetë drejtuesi kryesor i saj. Xhaviti e udhëhoqi Qarkorin Komunist të Krujës për disa kohë dhe më pas ai u muar dhe me formimin e çetës partizane Krujë-Ishëm së bashku me Rexh Deliun që u caktua Komandant i saj. Në vitin 1944 kur u krijua Brigada e 23-partizane, Xhavit Qesja u caktua Komisar i saj dhe në atë detyrë ai mori pjesë në të gjitha betejat që zhvilloi ai formacion partizan deri në mbarimin e Luftës.

Gjatë periudhës së Luftës, Xhaviti u dërgua nga krerët e PKSH-së në Qarkun e Dibrës me qëllim që të merrte kontakt me familjen e madhe të Kaloshëve dhe bashkarisht të organizonin rezistencën e mëtejshme kundër forcave gjermane. Që në vitet e para të Luftës kur Xhaviti ishte në Qarkorin Komunist të Tiranës, ai u njoh me një vajzë të re të quajtur Meriban Najdeni, e cila do të bëhej dhe bashkëshortja e ardhshme e tij. Meribani ishte me origjinë nga rrethi i Dibrës dhe familja e saj kishte ardhur në Tiranë aty nga viti 1930-të.

Në atë kohë që Xhaviti u njoh me Meribanin, ajo ishte një ndër komunistet e pakta të Qarkorit të Tiranës dhe për kontributin e madh që dha gjatë Luftës, në 28 nëntorin e vitit 1944 kur u zhvillua parada e madhe para Hotel “Dajtit”, ku parakaluan brigadat partizane, ajo ishte një nga dy partizanet e vetme që ishin në atë tribunë fare pranë Enver Hoxhës dhe personaliteteve të lartë të udhëheqjes së PKSH-së e Frontit Demokratik.

Xhaviti deputet dhe antar i Komitetit Qendror të PPSH-së

Menjëherë pas mbarimit të Luftës që në ditët e para të dhjetorit të vitit 1944, Xhaviti u caktua me detyrën e Komisarit pranë Komandës së Qarkut të Tiranës me gradën e majorit. Pasi qëndroi disa muaj në atë detyrë, aty nga fillimi i vitit 1945 ai filloi punë në aparatin e Komitetit Qëndror të PKSH-së, ku përveç leksioneve që jepte në Shkollën e Dakos (Kursi i Partisë) ai dha një kontribut të madh në organizimin dhe funksionimin e organizatave bazë të Partisë Komuniste shqiptare në rrethet e ndryshme të vëndit.

Aty nga viti 1947 Xhaviti u caktua si Sekretar Politik i Qarkorit të Partisë në rrethet e Shkodrës dhe më pas në atë të Beratit ku punoi deri aty nga viti 1955. Në atë vit Xhaviti u dërgua për studime në Bashkimin Sovjetik në degën e Filozofisë pranë Shkollës së Lartë të Partisë në Moskë, ku ai ishte një ndër studentët më të përgatitur pasi njihte e zotëronte në mënyrë perfekte gjuhët frënge, italiane, angleze dhe ruse. Në atë shkollë Xhaviti studjoi deri në atë kohë që u mbajt Kongresi i XX-të i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe ai ishte një nga studentët shqiptarë që përkrahu pa asnjë rezervë vendimet liberale të atij kongresi dhe frymën hrushoviane që dominoi aty.

Duke qenë se ajo vijë politike që po ndiqte Nikita Hrushovi në atë kohë binte ndesh me qëndrimin e Enver Hoxhës dhe PPSH-së, organizata bazë e studentë shqiptarë që studjonin në atë shkollë e kritikuan ashpër atë për shkelje të vijës së partisë. Po kështu në atë kohë u thirrën në ambasadën shqiptare disa nga shokët e Xhavitit, si Iljaz Spahiu e Thoma Deljana të cilat studjonin në të njëjtën shkollë me të dhe ata u kritikuan ashpër në organzatën e Partisë të Ambasadës për qëndrimin liberal që ata kishin mbajtur ndaj pikpamjeve të shokut të tyre, Xhavit Qeses, dhe përse nuk e kishin kritikuar atë. Pas asaj mbledhje Xhavitit i’u komunikua urdhëri i ardhur nga Tirana, në të cilin thuhej se ai duhej t’i ndërpriste studimet dhe të kthehej urgjent në Shqipëri.

Në atë kohë që ai u kthye në Tiranë, vazhdonte të ishte deputet i Kuvendit Popullor dhe gjatë pushimit të një seance, vetë Enver Hoxha i futi krahun dhe e këshilloi që të hiqte dorë nga pikpamjet e tija. Por edhe pas atij takimi me Enver Hoxhën, Xhavit Qesja jo vetëm që nuk i ndërroi mendimet e pikpamjet që kishte, por përkundrazi i qëndroi me besnikëri asaj çka kishte thënë që në Bashkimin Sovjetik.

Izolimi 10-vjet në Kampin e Zvërnecit

Nisur nga ai qëndrim që po mbante Xhavit Qesja i cili binte krejt në kundërshtim me vijën politike që po ndiqte asokohe Enver Hoxha dhe PPSH-ja, atë e hoqën nga Tirana dhe e dërguan në detyrën e nënkryetarit të Komitetit Ekzekutiv të Qarkut të Elbasanit. Edhe gjatë asaj kohe që ishte në atë detyrë, Xhaviti nuk i ndryshoi pikpamjet e tij lidhur me vijën politike të PPSH-së dhe si rezultat i atij qëndrimi aty nga viti 1958 atë e arrestuan dhe e dërguan në internim në ishullin e Zvërnecit (pranë Vlorës) ku asokohe mbaheshin të izoluar disa nga ish-funksionarët e lartë të PPSH-së të cilët Enver Hoxha i kishte shpallur armiq.

Pak kohë pasi Xhavitin e çuan në atë kamp, bashkëshorten e tij Meribanin e hoqën nga puna (aparati i Kryeministrisë) dhe nuk e lejonin që të shkonte për ta takuar Xhavitin në Zvërnec. Gjatë periudhës që Xhaviti qëndroi i izoluar në kampin e Zvërnecit, ai u dallua si një nga më konsekuentët nga të gjithë ish-funksionarët e lartë komunistë që ishin të internuar aty me urdhërin e Enver Hoxhës, si Tuk e Filip Jakova, Gjin Marku, Agron Çorati, Mark Ndoja, Zef Mala, Tahir e Muhedin Kadare, Pllumb Dishnica, Kadri Hoxha, Iljaz Ahmeti, Maqo Çomo, Kristo Budo, Vaso Marku, Qamil Disha etj. Gjatë asaj kohe edhe pse Xhaviti ndodhej në kushte shumë të vështira jetese, ai zbatonte me përpikmëri dhe rigorozitet një program dhe regjim ditor shumë strikt.

Falë gjuhëve të huaja që zotëronte në mënyrë perfekte, ai studjonte vazhdimisht, mbante shënime për çështje të ndryshme ekonomike, shfrytëzonte një revistë në gjuhën angleze për problemet ndërkombëtare dhe kishte dy fletore të trasha në të cilat mbante shënime për letërsinë botërore. Po kështu gjatë atyre viteve që qëndroi në atë kamp internimi, Xhaviti merrej me përkthimin e “Kapitalit” të Marksit, libër të cilin e botoi në shqip Instituti i Studimeve marksiste -leniniste, pa i vënë emrin e përkthyesit.

Xhaviti ishte shumë i ndjeshëm ndaj padrejtësive e vuajtjeve që kishin hequr shokët e tij që ndodheshin në atë kamp dhe duke mos i duarur dot ato, ai i shkruante vazhdimisht letra Byrosë Politike. Në një nga ato letra, ku ai denonconte dhunën e torturat çnjerzore që u ishin bërë shokëve të tij, ndërmjet të tjerash shkruante: “Po të ishte gjallë Marksi dhe të merrte vesh se komunistët shqiptarë torturohen deri në djegien e trupit me hekur të skuqur në zjarr dhe heqjen me pinca të thonjëve të këmbëve siç është rasti i Kristo Budos, ai (Marksi) do të shkulte flokët e kokës dhe do të dënonte me ashpërsinë më të madhe këto akte dhunë e antinjerzore”.

Në një letër tjetër që Xhaviti i dërgoi Byrosë Politike në atë kohë që PPSH-ja dha orientimin (urdhërin) për prishjen e shkatërrimin e kishave, xhamiave dhe objekteve të tjera të kultit, midis të tjerash ai shkruante: “Ju muarrtë një vendim shumë të gabuar, ju mund të shkatërroni xhamitë, kishat dhe objektet e tjera fetare të kultit, por kurrë nuk do të arrini të ndaloni me dekrete e detyrim, ndjenjat njerzore, koshiencën, ndërgjegjen e besimet e tyre të trashëguara në shekuj”. Gjatë asaj kohe që Xhaviti qëndroi i internuar në Zvërnec, ai ishte ndër të vetmit që nuk pranoi asnjëherë që të merrte pjesë në votime.

Xhaviti deklaroi përpara Komandës së Kampit të Zvërnecit, se ai nuk merrte pjesë në votime për arsye se nuk ishte dakort me programin e Frontit Demokratik dhe vijën e Partisë që e udhëhiqte atë. Duke parë qëndrimin e Xhavitit, në vitin 1966 atë e arrestuan dhe e nxorrën në gjyq ku ai nuk pranoi që të fliste dhe t’ju përgjigjej pyetjeve që i bëheshin. Përgjigjia e tij e vetme ishte: “Nuk kam punë me gjyqin. Çështjet e mia ia kam thënë Partisë dhe vetëm ajo mund t’i shqyrtojë e jo gjyqi”. Pas asaj Xhavitin e dënuan me dhjetë vjet burg politik dhe nga Zvërneci e çuan në burgun e Burrelit.

70 ditë në grevat e urisë në burgun e Burrelit

Gjatë periudhës afro 30-të vjeçare që Xhaviti qëndroi si në ishullin e Zvërnecit, ashtu dhe në burgun e Burrelit, ai herë pas here hyri në greva urie duke i’u kërkuar autoriteteve të burgjeve që ata të zbatonin ato rregulla që kishin hartuar vetë. Aty nga fillimi i viteve ’60-të, kur Xhaviti ishte në Zvërnec, ai mësoi se i kishte ardhur një pako me libra nga Italia, (“Komedia Hyjnore” e Dantes etj) të cilat i’a kishte dërguar kushëriri i tij Xhemal Ferra, apo siç njihej ndryshe Konti Ferra. Njerzit e Sigurimit nuk donin t’ia jepnin librat, ndonëse “Komedia Hyjnore” nuk ishte e ndaluar dhe shitej lirëshëm nëpër librari. Xhaviti reagoi menjëherë ndaj asaj padrejtësie që po i bëhej dhe njoftoi komandën se në rast se nuk i jepeshin librat brenda pesë ditëve, ai do të shpallte grevën e urisë.

Pas pesë ditëve librat nuk i’a dhanë dhe Xhaviti shpalli grevën e urisë e nuk pranonte të merrte ushqimin që i jepej nga Komanda e Kampit. Ajo grevë vazhdoi për tetë ditë me rradhë dhe Xhaviti nuk futi asgjë në gojë. Të gjithë shokët e tij i qëndruan pranë dhe mundoheshin që t’i lagnin buzët me ujë pasi nga çasti në çast prisnin vdekjen e tij. Ditën e tetë kur Sigurimi e pa se ai po vdiste, nga frika se mund të mbanin përgjegjësi u detyruan dhe i’a dhanë librat, pasi e panë se nuk mund ta gjunjëzonin dot atë.

Gjatë 30-vjetëve që Xhaviti qëndroi në burgje dhe internime, bëri 70 ditë greva urie duke u kërkuar autoriteteve të komandës që të zabtonin ato ligje që regjimi komunist i Enver Hoxhës i kishte hartuar vetë. Nisur nga ai qëndrim konsekuent që mbante Xhaviti gjatë kohës që vuante dënimet, shpesh herë ai u bë objekt i torturave më çnjerzore. Lidhur me këtë, Dr. Miço Konomi ka dëshmuar: “Një ditë më thërritën në birucat e Burgut të Ri të Tiranës për të vizituar një të sëmurë. Kur hyra në qelinë e tij e pashë të shtrirë përdhe gjysëm të vdekur dhe nuk lëvizte asnjë nga gjymtyrën e trupit.

Kur e pyeta se si quhej, ai m’u përgjigj me një zë të shuar: Jam Xhavit Qesja. Kur e pashë se në ç’gjendje ishte katandisur u thashë atyre të komandës se nuk kisha ç’ ti bëja, pasi atij i ishte qelbëzuar gjysma e kokës dhe duhej dërguar urgjent në spital.”

Lirohet në 1991-in, pas 30-vjetësh burg e internim

Pasi kishte kalur plot 30-vjetë në burgje dhe internime, aty nga viti 1990-të kur pritej që në Shqipëri të vinte për vizitë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Perez de Kuelar, Xhavit Qesen e nxorrën nga burgu kur ai ishte në moshën 67-vjeçare. Në atë kohë ai u bashkua me bashkëshorten e tij, Meribanin, e cila e detyryar nga lufta e klasave kishte bërë një ndarje formale me të, me qëllim që të shkollonte fëmijët.

Ndonëse me një shëndet të keqësuar nga vuajtjet, torturat dhe grevat e urisë që Xhaviti kishte zhvilluar gjatë viteve të burgut, përsëri ai gjente forca dhe shkonte vazhdimisht në Bibliotekën Kombëtare ku studjonte për orë të tëra. Disa nga miqtë e tij të burgjeve që e dinin se ç’kishte hequr ai, i sugjeronin shpesh që të shkruante kujtimet, por ai u përgjigjej:

“Unë nuk luftoj me të vdekurit, pikpamjet e mia ia kam parashtruar Byrosë Politike me letra dhe vetë Enver Hoxhës që kur ishte gjallë”. Xhaviti u nda nga jeta në vitin 1994, pasi kishte plotësuar pengun e vetëm: takimin me të birin, Shpëtimin, pas 30-vjetësh. Në kujtesën e të gjithë miqve të tij, ish-të dënuar etj, Xhavit Qesja ka mbetur si një nga disidentët komunistë më konsekuent në pikpamjet e tij dhe që nuk u gjunjëzua asnjëherë përpara presioneve e torturave çnjerzore që iu bënë për 30-vjet me radhë.

Habib Zogaj publikon fotografi të tmerrshme të krimeve serbe në Kosovë

Habib Zogaj nga komuna e Malishevës, ka prezantuar një album fotografish nga krimet e serbëve të kryera mbi popullatën civile shqiptare gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për emisionin “Zyra e Ankesave” në RTV Dukagjini, Zogaj ka treguar sesi i ka realizuar këtë fotografi.

“Kam qenë reporter i Radios Kosova e Lirë gjatë luftës. Duke qenë se profesioni im është gazetaria jam përpjekur që të zë shumë skena lufte dhe momente të tmerrshme që përjetoi popullata civile gjatë luftës në vitin 1998-1999. Fotografitë që përfshihen të përgatitura për botim janë nga masakra e Burimit ish Javiqi i Malishevës dhe nga maskra Turjakës. Albumi si tërësi ka tematika të ndryshme duke filluar që nga maskarat e vitit 1919 e deri në kohën e luftës”, ka treguar Zogaj.

Ai ka shtuar se fotografitë nga masakra e Burimit dhe Turjakës i ka realizuar nga vendi i ngjarjes

“Masakra e Burimit që ka 40 të masakruar që përfshihen pleq, gra, fëmijë dhe masakra e Turjakës ku përfshihen të tjerë qytetarë, janë vende të cilat i kam vizituar në vendin e ngjarjes. Këtë e kamë bërë së bashku me dy policisë ushtarak Fehmi e Bashkim Berisha”, shtoi Zogaj.

Ish-reporteri i luftës, ka treguar se pjesë e albumit të tij me fotografi të krimeve serbe, janë edhe disa fotografi të cilat i kishin realizuar vetë ushtarët serb.

“Pjesë e albumit tim ku përshkruhen në detaje krimet serbe janë 8 apo 10 fotografi që i kanë fotografuar vetë ata të cilat i kanë lanë në një film në shtëpinë ku e kanë pas bazën. Në fund të luftës qytetari nga Turjaka, Hysni Zogaj kur ka hy në shtëpinë e tij e ka gjet atë film dhe ma ka dorëzuar mua dhe unë i kam zhvilluar ato fotografi..”ka vazhduar rrëfimin e tij, Hebib Zogaj.

Në albumin e tij të mbushur me fotografi shihen gratë të dhunuara të cilat janë masakruar dhe pastaj i kanë djegur trupat e tyre, fëmijë të masakruar pa asnjë faj, nxënës të klasës së tetë, babë e djalë të masakruar.

Po ashtu shihen edhe mjete të dhunës të cilat janë përdorur nga ushtarët serb për të kryer krimet siç janë sëpata e sharra.

Zogaj ka treguar se pavarësisht hapjes së ekspozitave me këto fotografi ai nuk është ftuar asnjëherë nga askush as që të dëshmoi e as që t;i ofroi si dëshmi këto fotografi.

Si humbën jetën 2 ushtarë në Berat, gjatë xhirimeve të filmit ‘Skënderbeu’

 

Në pranverë të vitit 1952, kur trupa sovjetiko-shqiptare që po xhironte në vendin tonë pjesë nga filmi “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, shkoi edhe në Berat, afro katër javët e qëndrimit atje u shndërruan në një festë të madhe për qytetin. Ndërkohë përveç faktit të gëzueshëm që edhe Gjergj Kastrioti i vogël si edhe tre vëllezërit e tij në film janë femijë beratas, po ashtu beratase masa e madhe e fëmijëve të marrë peng nga turqit apo të keqtrajtuar prej tyre, gjithashtu të tillë gjithë pjesëmarrësit e rritur në dasmën masive të Skënderbeut (e cila u xhirua në fshatin panoramik Drobonik), nga ky qytet u bë edhe një zgjedhje tjetër.

Për të luajtur rolet e jeniçerëve turq në sulm për të marrë kështjellën, u caktuan ushtarë të repartit që ndodhej në Uznovë, tek ku historikisht ka qenë rregull stacionimi që nga vitet tridhjetë të shekullit të shkuar, të garnizonit qytetës.Këta ushtarë në moshë të re duheshin në skenën kur mbrojtësit shqiptarë nga muret e kalasë do të hidhnin mbi pushtuesit sulmues zift të nxehtë. Sipas skenarit dhe këmbëngulësisht prej regjisorit të talentuar rus Sergej Jutkeviç këto veprime do të ishin reale, jo të prodhuara në studio apo laborator.

U vendos që në rolet e ushtarëve sulmues turq, mbi supet e të cilëve do të derdhej me të vërtetë lëngu i zi përvëlues i serës, nuk do të ishin nga punonjësit e administratës së Beratit, të cilëve kryesisht u qe rezervuar muzika dhe tavolina plot për plot e dasmës, as do të vinin prej ndonjë sektori tjetër civil, si për shëmbull mësues apo zanatçi, por njëqind për qind ushtarë të repartit me rekrutë.

U tha se ata janë jo vetëm më të stërvitur me vështirësi lufte, por edhe plot intuitë për t’iu shmangur rrezikut fizik nga zifti djegës.

Kush e risheh sot filmin “Skënderbeu, luftëtari i madh i Shqipërisë”, tek sheh ato pak sekonda veprimi të luftëtarëve mbrojtës që u hedhin turqve nga lart zift të nxehtë, duhet të jetë i bindur se ata janë ushtarë të thjeshtë të garnizonit të Beratit, ka të ngjarë shumica edhe nga fshatrat apo qytete fqinj. Në repart qenë të vetëdijshëm se loja filmike me ziftin përvëlues ishte me rrezik të sigurtë, prandaj ata në një farë mënyre qenë të vetëdijshëm se mund të sakrifikonin fizikisht.Kanë shkuar me të vërtetë në luftë dhe jo në një xhirim filmi.

Gjithsesi për jetën e të caktuarve të qenë ushtarë turq të goditur nga lënda e zjarrtë u morën masa. Ata u veshën drejtpërsëdrejti në trup me një këmishë të plotë e të trashë gomine antidjegie, pastaj mbi të vunë rrobat e trupit, në këtë rast uniformën e ushtarit osman.

Kineasti Skënder Jaçe, i cili jo më shumë se dy-tre muaj më parë do të na tregonte të fshehtën e mëpasshme, vetë lindur dhe formuar me përvojë filmike në qytetin e Kuçovës afër Beratit, ngul këmbë se në skenën e caktuar të “Skënderbeu, luftëtar i madh i Shqipërisë”, e dallon me sy se si, ndryshe nga masa e madhe e ushtarëve turq, pra në fakt ushtarëve shqiptarë, dy prej tyre, kur u ra mbi shpinë sera e nxehtë, shprehin një dhimbje shumë të madhe, dukshëm të vërtetë.

Kuptohet qartë që djegia u ka ndodhur realisht.

Pas vitit nëntëdhjetë, kur tashmë qe e lehtë të prishje çdo lloj sekreti të së shkuarës, një mik i Skënder Jaçes, oficeri me emrin e thirrur miqësisht Guçe, në momentet që të dy po shihnin filmin për Skënderbeun, i thotë se dy ushtarë nga reparti i tij, figurantë, qenë djegur vërtetë, madje në një shkallë të rëndë.

Këtë po ja thoshte për herë të parë vetëm Skënderit.

Zifti përvëlues, shpjegoi oficeri i garnizonit të Beratzit, dreqi e di si kish mundur, u pati hyrë në qafë nga lart, zbritur pastaj nga poshtëkoka e mbrojtur, duke rrëshqitur si gjarpër vrastar dhe depërtuar deri edhe poshtë gominës. Hyrja në atë hapësirë milimetrike, ku goditi sera e nxehtë, praktikisht një gjë e tillë nuk mund të ndodhte edhe sikur me shenjë të merrej.

Pas xhirimit të dy ushtarët e djegur në qafë, në pjesën e sipërme të shtyllë kurrizore, u shtruan menjëherë në spital dhe u bë gjithçka për tua neutralizuar plagën e shpëtuar jetën. Për fat të keq dëmi qe i pariparueshëm. Trupat e pajetë, të mbyllur në arkivole, iu dorëzuan familjeve me shpjegimin se ata ishin vrarë gjatë një stërvitjeje ushtarake.

Po të thoshin të vërtetën e asaj ngjarjeje tragjike gjithçka akuzuese, mendonin krerët e Shqipërisë së atyre çasteve, do të binte, të paktën në opinionin e brendshëm por edhe në atë të huaj, mbi rusët dhe Bashkimin Sovjetik. Kështu do të kompromentonte miqësinë e fortë ideologjike të Kampit Socialist, do të përbënte pikë të pëlqyer goditjeje nga rivalët e Perëndimit. Në motin 1952, filluar që në 1949, ende qe në vijim operacioni i madh i SHBA dhe aleatëve të saj për ta goditur dhe shkatërruar Kampin Socialist duke përdorur si “thembër Akili” Shqipërinë.

Vdekja e dy të rinjve, arsyetohej, do të njolloste edhe biografinë e filmit, do ta ndiqte atë nga pas në çdo sallë kinemaje ku do të shfaqej, në çdo vend të botës të ndodhte kjo. Nuk do të kursente edhe Kanën, ku fitoi çmim.

Kështu, nën këtë logjikë mendjembyllur, pse jo edhe shumë pak humane, ky sekret për shkaqe politike mund të funksiononte apo justifikohej deri në fund të vitit 1990. Më pas çdo mbyllje tjetër do të kryente të njëjtin faj.

Në fund të fundit, duke e bërë sot publike këtë ngjarje të trishtë do të nxiten bashkëkombës këmbëngulës e të stërvitur për hetime, të cilët mund t’i shkojnë deri në fund verifikimit të saj. Po ashtu edhe zbulimit me emër dhe mbiemër të dy ushtarëve martirë.

Ata ranë për filmin e madh e të famshëm kushtuar Skënderbeut dhe kjo mjafton për t’u konsideruar se e dhanë jetën për Shqipërinë.

MAJI 1942 … DR. NORBERT JOKLI – Përgatiti Fritz RADOVANI

 

 

DR. Norbert Jokli ishte Albanolog Austriak me prejardhje Hebre…

Ai ka shkrue per At Gjergj Fishten:

■ “… Lahuta e Malsisë e At Gjergj Fishtës, jo vetëm që ka rândësi në pikpamje artistike, por ajo, porsi vêna e mirë që sa mâ shumë vjet kalojnë aq mâ vlerë merr, tue qenë se ajo âsht pasqyra, magazina e kopja besnike e jetës, e shpirtit, e dëshirave e përpjekjeve, e luftës dhe e vdekjes së shqiptarve: me nji fjalë, Lahuta âsht shprehja mâ e kjarta e dokeve të fshatarve, banorë të Maleve të Veriut. E prejse doket e lashta të fiseve malore janë gjykue të zhduken nga tallazet e forta të civilizimit, lexuesi, letrari, folkloristi, juristi e historiani i nesërm kanë për t’ia dijtë për nder në dhetë a qindvjetët e ardhshëm Poetit, i cili në Lahutë të Malsisë na la nji ritrat (portret) të shqiptarit, të përshkruem nga goja e dëshmitarëve njikohsorë, ashtu si këta e gjetën në agimin e Shekullit të XX-të, me atë ndryshim të vogël që shqiptari pësoi ç’prej kohve të largëta të iliro – thrakëve.”

 

■”Shqipnia pat nji fat t’ madh e t’ jashtzakonshem, shka nuk e paten popujt e tjerë, veçse mbas qinda vjetësh të nji jete letrare, pat të madhin, të naltuemin përmbi t’gjith, atë, qi u pshtet në popull t’vetin e n’ gjuhen e tij e qi me vjersha t’veta ndezi flak zemrat n’popull, pat zhenin poetike t’At Gjergj Fishtes.

I rranjosur krejtësisht në popullin e vet, At Fishta ka dashtë të përgjonte si flasin burrat e gratë e maleve. Ka marrë prej tyre mënyrat e namëve, të mallkimeve e të urimeve dhe çdo gja e ka shkrij me mjeshtri në poezitë e veta”.

 

■”Koha e ardhshme ka me dijtë me çmue edhe ma mirë randësinë e këtij njeriut, sidomos kur vjershat e tij të jenë përkthye ndër gjuhe ma të përhapuna.”

***

Leter e At Gjergj Fishtës OFM:

Shkelqesisë së Tij, Françesko Jakomoni  Luogotenente

 

■Shkodër, 23 shtator 1939

 

Shkelqësi,

 

Mendoj se ma i miri gjuhëtar i gjuhës shqipe në Evropë, asht profesor Norbert Jokli,

me kombësi çifute qi, para Anshlusit, ishte bibliotekar i Universitetit të Vjenës e Profesor gjuhësie në të njajtin universitet.

Tashti, më shkruejnë nga Vjena, se autoritetet lokale i kanë thanë këtij albanologu të shquem të largohet, mbrenda 30 ditësh, prej territorit të Raihut.

Ai, tashma, asht i ndrymë, beqar, me një fat mjaft modest. Atij, natyrisht, i duhet të rropatet me gjetë ndonjë vend, kudo të jetë, sa me jetue. Duket se don me shkue në Amerikë.

Shkelqësi, pa dyshim, do të ishte një fatkeqësi e madhe për gjuhën kombtare shqipe,

në qoftëse ky shkencëtar, me famë europiane, që unë e njoh e që, me autoritetin e tij

të padiskutueshëm, ka mbajtë gjatë interesin e filologëve ma të përmendun për gjuhën shqipe, të jetë i shtrënguem me braktisë Europën.

Kombi shqiptar, i tani, do t’ju dijë për nder shumë, nëse Shkëlqësia e Juej të mund të gjejë mundësinë t’a bajë me ardhë në Shqipni, tue i caktue aty nji vend, edhe pse jo aq fitimprues, megjithatë të përshtatshëm për famën e tij si shkencëtar e gjuhtar i shquem.

Jam i sigurtë se do t’a merrni në konsideratë dashamirëse këtë propozim timin, që unë e paraqes në emen të të gjithë intelektualve shqiptarë.

Përfitoj nga rasti, për t’Ju lutë të pranoni ndjenjat e respektit ma të madh dhe, me mirënjohje të thellë.

 

I Shkëlqesisë Suej

i devoçëm e mirënjohës

  1. Gjergj Fishta OFM

 

***

■Shenim nga F.Radovani: Letra e At Gj. Fishtës per F.Jakomoni botue nga z.Kolec Çefa,

asht një letër e panjohun dhe e pabotueme e At Fishtës, drejtue Françesko Jakomonit, më 23 shtator 1939, shkrue në emen të të gjithë intelektualëve shqiptarë, me të cilën, mbasi shpreh vlerësimin ma të naltë për Dr. Joklin, shfaqë dëshirën që të gjindet mundësia me ardhë Jokli në Shqipni, në ndonjë nëpunësi, të përshtatshme me famën e tij si shkencëtar e gjuhëtar i shquem.

Ja pra, Ky ishte At Gjergj Fishta i Besës, Bujarisë e Burrnisë së “Lahutës së Malcisë”..!

            Melbourne, 23 Maji 2019.

Si u vranë dy ushtarakët shqiptarë, Fredi Bejleri nën hetim për Masakrën e Peshkëpisë

Prokuroria për Krime të Rënda mori në pyetje Fredi Belerin, i cili është vënë nën hetim për akte terroriste.

Pas 25 vitesh nga ngjarja, disa muaj më parë, Prokuroria hapi dosjen, që njihet ndryshe si “Masakra e Peshkëpisë”, ku mbeti i vrarë roja dhe komandanti i këtij reparti dhe u plagosën katër ushtarakë të tjerë. Hetimet po drejtohen nga prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, dhe gjatë ditës së djeshme, në praninë e tij dhe dy oficerëve të Policisë Gjyqësore, Beleri është marrë tri orë në pyetje, nga ora 12:00-15:00. Pas përfundimit të marrjes në pyetje, atij iu komunikua dhe akuza e ngritur, “Kryerje e aktiviteteve dhe veprimtarive terroriste”.

Në dyert e Prokurorisë, Bejleri, në një reagim për median, tha se ishte paraqitur për të pastruar baltosjen që po i bëhej. “Erdha në Prokurori që të mbarojë baltosja dhe poshtërimi ndaj figurës sime për një çështje që nuk kam asnjë lidhje. Në ditën dhe në muajin që është bërë veprimi, unë kam qenë në Qipro. Edhe autoritet greke, edhe ato shqiptare, kanë prova që të ndalojnë poshtërimin e figurës sime për veprimet e mia politike”, tha ai.

Të arrestuarit për masakrën e Peshkëpisë që më pas u liruan nga Gjykata e Athinës (me shigjete) Fredi Beleri

Posta Kufitare e Peshkëpisë në Gjirokastër u përball prillin e vitit 1994 me një sulm agresorësh grekë, të cilët, pasi vranë rojën, ushtarin Arsen Gjinin dhe komandantin e repartit, kapiten i Parë, Fatmir Shehu, plagosën efektivë të tjerë dhe grabitën gjithë armatimet në tërheqje e sipër. Ndërkohë, pak ditë më parë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve refuzoi kandidimin e Alfred Belerit si kandidat i pavarur për zgjedhjet e 30 qershorit në Bashkinë e Himarës.

PRETENDIMI

Autoritete greke ndalojnë, më 18 mars të vitit 1995, 7 të dyshuar si autorë të masakrës së Peshkëpisë. Ata sapo kishin dështuar në një tjetër sulm terrorist ndaj kufirit shqiptar. Gjatë kontrollit të ushtruar te të ndaluarit, u gjetën edhe armët e municionet e rrëmbyera në Postën Kufitare të Peshkëpisë.

Të ndaluarit e komandës së ashtuquajtur “Pirro i Parë”, ishin: Jorgos Anastasulis, 34 vjeç, shtetas grek, oficer, Apostolos Karvelas, 26 vjeç, shtetas grek (ish-polic rrugor), Marios Kutula, 25 vjeç, qytetar shqiptar, Fredi Bejleri, qytetar shqiptar, 23 vjeç, (i cili përdor disa emra si Dionisios dhe Foti), Jorgo Kristo, 26 vjeç, Jorgo Papa, 30 vjeç, të gjithë këta janë nga Himara, Harallamb Papa, 21 vjeç, nga Krioneri i GjirokastrëS. Edhe pse armët e gjetura ishin ato të vjedhura në Peshkëpi, Gjykata në Athinë vendosi se këto nuk ishin prova të mjaftueshme dhe të gjithë u liruan.

Duke qenë se emri i tij ishte përmendur nga mediat si i përfshirë në këtë ngjarje, emisioni “Gjurmë shqiptare” i kërkoi Fredi Belerit, kandidat për Bashkinë e Himarës, në zgjedhjet e vitit 2015, një reagim për këtë çështje. Ai nuk pranoi të realizonte një intervistë, por përmes mesazheve dha qëndrimin e tij për këtë çështje.

“Unë nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen e Peshkëpisë. Është një mit që e kanë kultivuar gjithë këto vite mediat. Ju falënderoj për ftesën, por nuk kam asgjë të re për të thënë për çështjen. Nga janari i vitit 1994 deri në korrik nuk kam qenë as në Greqi, as në Shqipëri. Fakt që është vërtetuar nga autoritetet shqiptare dhe ato greke”, ishte përgjigjja e Belerit për emisionin.

Masakra e Peshkëpisë, si u vranë dy ushtarakët shqiptarë para 25 vitesh

Masakra e Peshkëpisë në Gjirokastër ka ndodhur rreth orës 03:00 të mëngjesit të datës 10 prill 1994. Organizata terroriste greke “Mavi” (Fronti për Çlirimin e Vorio-Epirit), kaloi kufirin e gjelbër nga Greqia dhe hyri në territorin shqiptar, duke iu drejtuar Postës Kufitare të Peshkëpisë, duke vrarë komandantin e postës, Fatmir Shehu, ushtarin Arsen Gjini dhe duke plagosur ushtarët e tjerë: Ardian Velmishi, Janaq Zaka, Frederik Kalemi.

Gjatë sulmit, ata morën peng edhe një nga ish-nënoficerët e këtij reparti kufitar, Qemal Strokën, i cili më pas u la i lirë në kufi. Anëtarët e këtij grupi terrorist rrëmbyen edhe armët luftarake që ishin në depon e repartit. Pasi u ngjitën në qafën sipër repartit dhe kaluan shpatin e malit Bureto, autorët e sulmit e liruan nënoficerin shqiptar dhe e lanë atë të kthehet. Brenda pak minutash, grupimi me emrin e koduar të mbretit të lavdishëm të Epirit, “Pirro i Parë”, u rikthye serish në territorin grek.

Ndërsa rekrutët e rinj të repartit të Peshkëpisë nxituan që t’u jepnin ndihmën e parë Arsen Gjinit e Fatmir Shehut, por ata nuk kishin më shenja jete. Autorët e këtij sulmi të ndodhur 25 vite më parë, pasi kaluan kufiri, qëndruan në një kodër përballë postës që kishin planifikuar të sulmonin, nga ku mund të mbanin nën kontroll çdo lëvizje. Pasi u siguruan për numrin e rojeve dhe vendndodhjen e saktë të tyre, ata u vunë në lëvizje.

Sulmi nisi në mesnatë, në një kohë që 130 rekrutët e rinj, të moshave 18-20 vjeç, ishin në gjumë. Dëshmori i Atdheut, 20-vjeçari Arsen Gjini, nga fshati Seman i Fierit, i ndjeu lëvizjet e autorëve që vinin nga përtej kufirit, por arma tip “Kallashnikov” që ai mbante në duar ishte pa fishekë. Paralajmërimi i ushtarit shqiptar nuk i trembi autorët e sulmit, pasi sipas të dhënave ata mund të kishin siguruar informacion nga brenda dhe e dinin që roja nuk kishte municion.

Arsen Gjini u qëllua i pari gjatë këtij sulmi, duke mbetur i vrarë. Më pas, autorët mësynë brenda godinës dykatëshe duke hyrë në fjetinën ku ndodheshin rekrutët dhe në depon ku ruhej armatimi për të parandaluar çdo kundërpërgjigje. Brenda dy minutash, i gjithë reparti, me mbi 130 ushtarë dhe oficerë, gjendej i çarmatosur dhe i nxjerrë jashtë luftimit.

Oficeri i stërvitjes, kapiteni Fatmir Shehu, që natën e ngjarjes ishte oficeri më i rëndësishëm i repartit në detyrë, gjendej në katin e dytë të godinës. Sapo dëgjoi të shtënat dhe rrëmujën në godinë, zbriti poshtë me një pistoletë tip “Tokarev”. Por tentativa e tij për të rezistuar ishte e kotë, pasi babai i dy fëmijëve u qëllua me breshëri në sheshpushimin mes shkallëve, duke mbetur i vdekur.

PANORAMA

Masat pas Revoltës së Qafë Barit: Bomba me gazlotsjellës, kundragazë, helmeta e ushqim për ushtarët dhe zvogëlimi i qelive në Burrel e uniforma të verdha për të dënuarit

Nga Dashnor Kaloçi  – Plot 35 vjet më parë në 22 majin e vitit 1984, në kampin-burg të Qafë Barit në rrethin e Pukës ky vuanin dënimet një numër i madh të dënuarish politikë të regjimit komunist të Enver Hoxhës, ndodhi një ngjarje e jashtëzakonshme që tashmë është e njohur si “Revolta e Qafë Barit”, ku diktatura komuniste në shenjë hakmarrje, më pas ekzekutoi me pushkatim dy të dënuar, Sokol Sokoli dhe Tom Ndoja. Si dhe ridënoi me burgime të rënda një numër të madh të dënuarish të tjerë, të cilët u etiketuan dhe u akuzuan si përgjegjësit kryesorë të asaj ngjarje. Po kështu nga torturat çnjerëzore dhe keqtrajtimi brutal që iu bë një numri të madh të dënuarish (që u konstatuan apo u akuzuan si përgjegjësit dhe organizatorët kryesorë të asaj revolte), nga ana e forcave ushtarako-policore dhe efektivat e tjera të repartit të Ndërhyrjes së Shpejtë (rep.326) që erdhën në përforcim nga Tirana, mbeti i vdekur edhe i dënuari politik, Sandër Sokoli, ish-kuadër i lartë ushtarak, që ishte diplomuar në Bashkimin Sovjetik. Ndërsa tashmë prej kohësh këto dhe të tjera detaje nga ajo ngjarje janë të njohura si prej dokumenteve arkivore të bëra publike pas viteve ’90-të, ashtu dhe prej dëshmive të ish-protagonistëve të asaj revolte, ekskluzivisht për ‘Gazeta Shqiptare’”, po publikojmë për herë të parë një dokument krejt të panjohur, me siglen “sekret”, i cili hedh dritë mbi masat që do ndërmerrte regjimi komunist me anë të autoriteteve përkatëse në mënyrë që “të mos ndodhnin më ngjarje të asaj natyre”, ku ato masa përshkruhen me detaje, si dhe njerëzit e ngarkuar për zbatimin dhe kontrollin e tyre. Ajo që bie në sy në këtë dokument të rrallë që është nxjerrë nga Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme prej dosjes tepër voluminoze të asaj ngjarje që duhet thënë se tronditi jashtë mase udhëheqjen komuniste të Tiranës, është kërkesa për furnizimin me bomba me gazlotësjellës, helmeta, kundragaze dhe ushqim të lartë për ushtarët dhe efektivët, si dhe zvogëlimi i qelive në burgun e Burrelit e pajisja me uniforma njëngjyrëshe (të verdhë) e të dënuarve politikë që vuanin dënimet në të gjitha kampet e burgjet e atij regjimi. Për më shumë rreth kësaj, na njeh dokumenti të cilin po e publikojmë të plotë bashkë me faksimilet përkatëse.



MIRATOHET S e k r e t
MINISTRI I PUNEVE TE BRENDESHME Ekzemplar. Nr 1
HEKURAN ISAI Tiranë…….1984
PLAN – MASASH
PER ZBATIMIN E DETYRAVE QE DOLEN NGA KONTRILLI
NE REPARTET E RIEDUKIMIT DHE DETYRAT E DALA NGA ANALIZA QE I BERI KOLEGJUMI NGJARJES SE QAFE BARIT TE DATES 22.v.1984

Me qëllim që në repartet e riedukimit dhe burgjet të parandalohen ngjarjet e jashtëzakonshme, të forcohet vigjilenca në regjimin e të dënuarave dhe masat parandaluese operative-ushtarake për sigurimin e plotë të dënuarave në ruajtje, si në regjimin e fronteve të punës, veç detyrave që u janë lënë komandave të reparteve nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale, në zbatim me drejtorinë e I-rë të Sigurimit të Shtetit dhe drejtorinë Ekonomike, të merren edhe këto masa dhe detyra konkrete.

1. Të bëhet mbledhje me gjithë kryetarët e degëve të punëve të brendshme, komandat e reparteve dhe punëtorët operativë të reparteve të riedukimit dhe të punohen konkluzionet e ngjarjes së datës 22.V.1984 të Qafë Barit, duke vënë theksin në mangësitë dhe dobësitë në regjimin e brendshëm.

Koha e kryerjes deri në 20.5.1984. Ngarkohet: Dh. Krisafi. F. Haxhiu. Kontrollon: A. Tafa.

2. Të bëhet një përshkrim për mangësitë që janë vërtetuar në rregullin e brendshëm në repartet e riedukimit, duke vënë shëmbulla konkrete, shkaqet e këtyre mangësive dhe masat që duhen marrë.
Koha e kryerjes, deri më 18.6.1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
3. Për të stabilizuar regjimin e brendshëm të dënuarëve në disa reparte riedukimi ku vazhdimisht kemi pasur shqetësime, si në Sarandë, Batër, Lezhë dhe Spaç, të bëhen kontrolle të befasishëme nga Drejtoria e Kontrollit të Zbatimit Vendimeve Penale me forca të batalionit 326 të policisë, deri 1 togë.

Koha e kryerjes, Qershor – Korrik 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
4. Për të meta dhe dobësi të theksuara që janë gjetur në repartet e sigurimit të të dënuarave dhe metodën e punës së komandave të reparteve, të thirren në raport tek zëvëndësministri, komanda e repartit 305 Sarandë dhe 301 Batër dhe të paralajmërohen dhe t’u vihen detyra për përmirësimin e gjëndjes.
Koha e kryerjes, Qershor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi A. Tafa
5. Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit të bëjë një studim të thellë të veprimtarisë armiqësore në repartet e riedukimit dhe në burgjet dhe të përcaktohen masa konkrete për sektorin operativ ashtu dhe ushtarak në bashkëpunim me Drejtorinë e Zbatim Vendimeve Penale, për të parandaluar çdo të papritur e veçanërisht të goditen e shpartallohen format e organizuara të kësaj veprimtarie.

Koha e kryerjes, Qershor-Korrik 1984. Ngarkohet F. Haxhiu Dh. Krisafi. E kontrollon Z. Ramizi A. Tafa
6. Drejtoria e I-rë e Sigurimit të Shtetit në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të studjojë dhe të marrin masa për zëvëndësimin e kuadrit punëtor operativ në repartet e riedukimit e burgje që janë të paaftë dhe me dobësi, me kuadro të aftë.
Deri në shtator 1984. Ngarkohet F. Haxhiu. E kontrollon Z. Ramizi
7. Drejtoria e Zbatim Vendimeve penale në bashkëpunim me Drejtorinë e Kuadrit të marrin masa urgjente për plotësimin me kuadro të aftë disa kuadro kryesorë të reparteve të riedukimit, si:

-Të emërohet komandanti i Repartit 303 Leshë që mungon.
-Të emërohet komisari i Repartit 311 Qafë Bari.

-Të transferohet shefi i stërvitjes të Repartit Qafë Bari
për të meta dhe të caktohet një kuadër i aftë.

-Të shkarkohet komandanti i Repartit 301 Batër si i paaftë nga ana shëndetësore dhe për dobësi në punë dhe të emërohet një kuadër i aftë.

-Të shkarkohet komandanti i togës së policisë në repartin 302 në Lezhë si i paaftë dhe të emërohet oficer pune në një repart tjetër.

8. Drejtoria e Zbatim Vendimeve e Penale me Degën e Organizimit dhe Degët e Punëve të Brendëshme Pukë, të transferojë nga reparti 311 në Pukë policët që kanë lidhje gjinie dhe krushqi ndërmjet tyre, me policë të rinj ose nga repartet e tjera.

Koha e kryerjes deri në dhjetor 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi. L. Lena. Kontrollon A. Tafa F. Zeneli

9. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale në bashkëpunim me Drejtorinë Ekonomike të marrin masa për sigurimin e të dënuarave dhe plotësimin e kushteve siç janë:
-Të sigurojë tel me xhëmba për rrethimin e pavionit 7 në spitalin e burgut, të burgut të Burrelit dhe rrjetë teli për pavionin e sanatoriumit
-Të bëhet prevendtivi dhe të bëhen disa adaptime në Burgun e Burrelit për zvogëlimin e dhomave dhe rritjen e kapacitetit të tijë.
-Të kompletohen repartet be riedukimit dhe burgjet me kundragaz, helmeta, bomba gazëlotësjellës, bilbila dhe elektrik dore sipas nevojave për të rritur gatishmërinë.
-Të studjohen mundësitë që norma e ushqimit të repartit 321 Burrel, 302 Lezhë, 301 Sarandë, 313 e 325 Tiranë, për vështirësitë e shërbimit, t’u jepet norma, Dy.
-Të merren masa që të bëhet më mirë furnizimi i reparteve të riedukimit me veshjet për të dënuarëve të një ngjyre (të verdhë) me batanije, çar?5afë dhe mjete të tjera të nevojëshme.
-Në repartin 303 Spaç të zgjidhet problem i depos së ushqimeve e furrës së bukës të efektivit brenda vitit 1985 duke bashkëpunuar me ndërrmarjen e minierës si dhe problemi i furnizimi me ujë të togës së II-të
Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet M. Sako Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa H. Shahu

10. Për të rritur aftësitë profesionale të efektivit kuadër dhe policë në kuadër të zbatimin e kërkesave të rregulloreve të reparteve të riedukimit, me të gjithë të organizohet ripunimi i rregulloreve dhe të mbahen seminare të drejtuara nga Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale për të parë më mirë shkallën e njohjes dhe mënyrën e zbatimit të tij në praktikë.

Koha e kryerjes, brenda muajit tetor 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa

11. Të gjithë komandat e reparteve të riedukimit dhe burgjet në bashkëpunim me D.Z.V.P. me çetat që janë planëzuar për sigurimin e reparteve për kohë paqe dhe lufte, të organizojnë stërvitje të veçanta për njohjen më mirë të rajoneve të mbrojtjes e bllokimit.
Koha e kryerjes, brenda muajit shtator 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. Kontrollon A. Tafa

12. Të organizohet një seminar një ditor me komandantët e togave të policisë ku të trajtohet me ta problemet e forcimit të rregullit të brendshëm, të forcimit të kontrollit kur të dënuarit futen në regjim, mbi aftësimin e efektivit të policisë për këto probleme etj.
Koha e kryerjes, korrik 1984. Ngarkohen Dh. Krisafi, N. Hasani, L. Imeri. Kontrollon A. Tafa

13. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale të dendësojë ndihmën e kontrollin në bazë, kryesisht problemet e forcimit të regjimit, zbatimin të rregulloreve në tërë veprimtarinë e efektivit duke ndihmuar për përmirësimin e gjëndjes në repartet ku ka më tepër probleme.

Koha e kryerjes, gjatë vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi. E Kontrollon A. Tafa.

14. Drejtoria e Zbatim Vendimeve Penale me Drejtorinë e Ndërlidhjes të studjojnë dhe të marrin masa për riparimin e linjës Qafë Bari – Fushë Arrëz dhe ndërlidhjen me rradio të tipit “Sterrno”, repartin 305 Sarandë, të cilët kanë një numër të madh të dënuarish që punojnë në sipërfaqe të pyllëzuar.
Koha e kryerjes, brenda vitit 1984. Ngarkohet Dh. Krisafi, Kontrollon Q. Jaçellari.
ZEVENDESMINISTRI I PUNEVE TË BRENDESHME
AGRON TAFA

FOTOT- Kirurge, inxhiniere, si ishin femrat ‘e prapambetura’ tiranase – Nga Marsida T. Najdeni

Sa herë qe vjen nandori m’kujtohen historitë që dëgjoja gjatë fëminis sime në shtëpi si i vranë komunistët intelektualët mbarë nëpër Tiranë pas “çlirimit” qofshin këta vendali ose jo.

 

Ç’rëndësi nga ishin, ata ishin njerëz të gjakut tim, që s’meritonin torturat komuniste dhe plumbin gjakatar. Edhe përse? Vetëm se nuk besonin n’atë frymë politike pasojat e së cilës i vuajmë ende dhe sot. Fryma e re që zaptoi Tironën me vrasje, pushkatime, tortura, burgosje, vjedhje, turlilloj harbutërinash, që ai qytet bujar as i kishte pa e as i kishte dëgjuar ndonjëherë më parë t’ia bënte bashkombasi vet at’ gjam’. Ahhhh… po, mbase kur

Kurt Pasha i Beratit më 1787 kishte dasht ta fuste me përdhunë Tiranën nën udhnat e tija, gjë që tironasit ishin vetmbrojt me nder e me gjak, ku edhe lindi vllaznia shekullore me komunitetin e nderum llacifac tironas. Se serb e austriak gjene t’paktën s’flisnin SHQIP. Nejse, se humba fillin. Asikohe ishte Osmanlija, Austria, ‘Talia etj ,  bënin ligjin si pushtues, por m’1944 e për 44 vjet kush e bëri vëlla vrasjen? Kush vazhdon ende ta bëi? Njerëzit që për një shtëpi, që ia dhuronte Partia në Tiranë, mbasi ia kishin grabit vendaliut, futën plumba ndër shqiptarët e studiuar. Nuk kursyen gazetarët, shkrimtarët, klerikët, pa fol për femra e fëmi. A ta ken bo gjumin rehat m’shpiat e huja t’atyne që vran?!

Me përdhunën që futën në Tiranë, sollën dhe mentalitetin inferior. A thua se jeta s’kishte egzistu më parë se 1944. Bota ecën me kalendar para e mbas Krishtit kurse tek ne jo, para 1944 s’kishte gjë. Me ta lindi çdo gjë, lindi njeriu i ri, veçse lindi mbrapsht. Ne bëmë 130% rritje, matematikë analfabetësh. Ne e bëmë femrën shqiptare edhe traktoriste, edhe kamioniste, edhe yzmeqare akoma më shumë… ehu! Por, një komunitet që mori një përdhunë propaganduese ishte ai i femrave tironase vendalie. Partia u lodh duke i paraqitur si të prapambetme. Sikur femrat e këtij qyteti s’dishin gjë përveç ferexhesë, si duket nuk i kishin pas pa fotot e Marubit t’femrave katolike t’Shkodër lokes me ferexhe. Kush dreqin e merr vesht?! Kështu propaganda kuqe hidhte baltë mbi prapambetjen e femrës tironase.

Edhe ime gjyshe, që e kishte mbaru shkollën aty, deri m’1998 s’tregoi nga friga komuniste ku kishte pas studiuar. Aq shumë ishin tromaksur nga bashkombasi keqdashës. Ama, Partia trumpetonte prapambetje ndër këta femra vendalie të kryeqytetit. Sikur ishin të padalme, të paveshme, të pa mësueme me qen femra, sigurisht me çarçaf mëndafshi s’kish’ flejt kush prej tyre që shanin, e pra hallat e time mëje ishin rritur ashtu. Njëra përfundoi duke shitur qymyr prej urrejties inferiore. Halla e tim eti fliste 3 gjuhë të huaja etj. Nuk dua të flas për femrat e fisit tim, por po sjell për kujtesën kolektive disa femra tironase vendalie në fotot e para komunizmit. Do habiteni nga prapambetja.

Vera Mulleti ishte vetëm 9 vjeçe kur do ta dëbonin nga shtëpia e fëmirisë përse ishte e bija e avokatit Haki Mulleti. U internua në rrethin e Kavajës. Histori që ma ka treguar e bija, znj. Mira Dine, e cila më ka treguar gjatë për vuajtiet e familjes.

Tironsja Nevrez Këlliçi me bashkëshortin, 1937. Zotni Sakiqi do t’pushkatohej. Familjes Këlliçi do t’i merrej gjithë pasuria.

Tironsja Emine Farka e diplomuar tek Harry Fultz dalë me bashkshortin. Zotni Deliallisi do të dënohej me 18 vjet burg. I vëllai, gazetari Xhemal Farka, do t’i pushkatohej më 1948.

Tironsja Ganimet Toptani e diplomuar në Vienë, Austri. Mban titullin e lartë mbas vdekjes “Fisnike e drejtë” nga shteti Izraelit bashk me bashkshortin për ndihmesën karshi hebrenjve në Tiranë. Do të kryente 3 vjet burg, i shoqi Atifi 5 vjet burg, do t’i merrej gjithë pasuria e tundshme dhe e patundshme.

Tironsja Safije Basha dalë në ambientet e familjes Basha të Tiranës. Bashkshortja e piktorit të madh Sadik Kaceli, e ëma e piktorit Buron Kaceli.

Gocat tironse të familjes Beshiri të shkolluara në Itali. Vini re prapambetjen e Sybhijes me kollare dhe xhaketë. Foto e viteve ’30. Familjes Beshiri do t’i konfiskohej gjithë pasuria.

Tironsja Sadete Lleshi më 1937, babain Muharremin ia pushkatuan. Po ashtu dhe vëllanë. E ëma e autorit të librit “Tirana e përgjakur” z. B. Alimehmeti.

Tironsja Dylbere Liku më 1933 ditën e dasmës. Bashkëshortin Muharrem Likun ia pushkatuan.

Tre krushqi tironase, familjet Maçi – Petrela – Kondi. Mësues, doktora, inxhinierë gjithë bashk. E veçantë ulur e para majtas Mësuesja e Kombit Servete Maçi. Foto nga e mbesa Znj. Zanusha Jashari.

Tironsja gjyshja ime Qerime (Struga) Tufina shkolluar në institutin Nana Mretneshë në Tiranë. Vëllain që i mbeti me studime në Itali nuk e pa për 44 vjet. “Daj Xhemoli” ishte kthyher si legjend e përrallave fëminore.

Tironsja Safete (Tafaj) Bërmema njihej në qytet për shijen e saj të hollë në veshje. Këtë foto e kam pa për herë të parë më 2013 nga z. Ed Bërmema, i cili e kujtonte me nostalgji.

Gjyshërit e shoqes sime Isida Kalaja, nga e majta P dhe O Kalaja, ulur Z. Toptani.

Tironsja Ballkiz Nallbani është e motra e tenistit të parë shqiptarë Sali Nallbani. Ai është padyshim babai i këtij sporti borgjez, siç njihej asokohe. E gjithë familja Nallbani u aktivizua thellësisht ne këtë sport duke ngritur dy fusha tenisi në Tironë qysh në fund vitesh 20-të e fillim vitesh 30-të. Por, më shume nga të gjithë ethet e kapën Ballkizen, e cila i vuri qëllim vetes duke ecur fort në hapat e të vëllait. Deri në mes vitesh 40-të Saliu dhe Ballkizja morën pjesë në shumë evenimente tenistike brenda e jashtë vendit.

Tironsja Qemoran Toptani, ose Doktoreshë Lona, ajo njihet si kirurgia e parë femër shqiptare. E bija e patriotit Fuat Toptanit, do të degdisej 10 vjet në Peshkopi, por prej nevojës që kishin e rikthyehen në Tiranë. E diplomuar në Austri dhe Itali. Foton e pashë nga z. Olsi Ferrazini.

Tironsja Meleqe Preza mbasi mbaroi shkollën Nana Mretneshë në Tiranë vazhdoi studimet në Romë, të cilat nuk i përfundoi për shkak të luftës. Me “çlirimin” e Shqipërisë do të shërbente si mësuese, por Partia shumë shpejt do ta hiqte duke e degdisur puntore krahu tek fabrika e pllakave dhe tullave meqë kishte një vëlla të arratisur. Mbas 1990 shkoi në Australi pranë familjes.

Im gjysh ka qenë fotograf amator, kjo foto shkruan “Kujtim me shoqet eskursion jasht Tirane” vetëm se emrat nuk u lexohen. Kush ka informacion mbi zonjat e mirëpres.

Urie (Tomini) Bakiu deri momentet e fundit të jetës mbeti heroinë, edhe pse i shoqi intelektuali Ali Bakiu bëri burgje mbas burgjesh ajo nuk e la veten t’i binte sqima dhe qytetaria kurrë. Këtë foto ma ka treguar i biri, studiuesi, Gazmend Bakiu./Marrë nga gazeta Illyria

MAJI 1945: HEROI DEMOKRAT MARK ÇUNI NUK NJOLLOSET NGA “RILINDJA” KOMUNISTE – Nga Fritz RADOVANI

 

Shqipnia asht e para që ka vendosë në Elterin e Demokracisë Evropjane: Heroin e Saj të Pavdekshëm, Atdhetarin MARK  ÇUNI..!

ORGANIZATA ANTIKOMUNISTE “BASHKIMI SHQIPTAR” E FORMUEME NË MAJI 1945 NGA MARK ÇUNI, ASHT ORGANIZATA E PARË, ME PARIME DEMOKRATIKE PËRENDIMORE NË VENDET E LINDJËS KOMUNISTE.

Mark Çuni do të vente gurin e parë të demokracisë së vërtetë, tue kërkue me guxim deri n’ vetflijim, “zgjedhje të lira e demokratike” për rindërtimin e Shqipnisë së Lirë, dhe realizimin e aspiratave të Atdhetarve të vërtetë Shqiptar, pa dallime feje dhe krahinore, tue unifikue mendimet, idetë e veprat e Tyne përparimtare mbi parimet demokratike të Evropës Përendimore, në një Organizatë antikomuniste e quejtun “Bashkimi Shqiptar”.

Në Maji 1945, delegati apostolik Imzot Leone G.B. Nigris u largue nga Shqipnia prej qeverisë komuniste shqiptare. Mbas disa përpjekjeve pa sukse të qeverisë për shkëputje të Kishës Katolike nga Vatikani, qeveria mendoi me ndryshue taktikën e vet sigurisht, me udhzimet e Beogradit. Në muejn Prill një grup të rinjësh shkodranë, në shtëpinë e Mark Gjon Shllakut në Rus, menduene me formue një parti demokristjane, e cila mbeti vetëm ide, siç, më ka shpjegue z. Nino Kurti, në vitin 1998 i pranishem në atë rast aty. Kjo ide nuk u aprovue as nga Kleri Katolik, mbasi u konsiderue grackë komuniste për me shpartallue Klerin dhe inteligjencën katolike në Shqipni. Atëherë qeveria dergoi në Shkoder ish sekretarin e Fan S. Nolit, nëpunës besnik pranë E. Hoxhës, “shokun” e njohun Sejfullah Maleshova, i cili, u takue me Imzot Gasper Thaçin, At Gjon Shllakun dhe disa klerikë të tjerë, për me formue “partinë demokristjane”, që do të përfaqsonte elementin katolik shqiptar në zgjedhjet e dhjetorit 1945. Përgjegja e klerikve katolik ishte negative dhe e preme pa asnjë lëshim, plani mashtrues i qeverisë deshtoi përfundimisht.

Seminaristi Mark Çuni në bashpunim me Prof. Gjelosh Lulashin dhe Gjergj Bicin, në mënyrë të mësheftë mendojnë se nuk duhet me u pajtue me zgjedhjet e dhjetorit por, duhet me gjetë mundësi me zgjue mbarë opinjonin shkodranë për “zgjedhje të lira dhe demokratike”, kështu, në gjysmën e muejt maji Ata formojnë Organizaten “Bashkimi Shqiptar” dhe, menjëherë, fillojnë organizimin e saj.

Mbas pak kohe qeveria komuniste ban shpalljen e deputetve të Shkodres, ku, paraqiten listat me përfaqsues të frontit, organizatave të masave, pra, as nuk bahet fjalë për parti opozitare. Ata ishin vetëm agjenta komunistë të mëshefun nën frontin antidemokratik.

Por, nga viti 1944 nuk duhet harrue se UDB jugosllave, organizonte të gjitha veprimet e njohuna me etiketen e “armikut popullit dhe të pushtetit komunist”, ku kuadrohej edhe Organizata antikomuniste “Bashkimi Shqiptar”, veprimtaria e së ciles asnjëherë s’ asht kenë në sherbim të shteteve të hueja, si kerkojnë sot me e quejtë agjentët e “Rilindjes”.

Dosja e Organizatës vetem zbaton porosinë e ambasadorit jugosllav dhanë diktatorit Enver Hoxha, per vrasjen e At Gjon Shllakut, që nuk ra asnjëherë në kurthen e Sejfullah Maleshovës per me formue “Parti Demokristjane Shqiptare”, e cila nuk ka ekzistue kurr as para 1944, as mbas 1945 në Shqipni. Tentativa e parë per formimin e asaj parti asht ba në vitin 1989 nga Prof. Nush Radovani me Ruzhdi Çoben, Matish Fishten etj., menjëherë mbas thanjes së Meshës së Parë me 11 Nandor 1989, nga Don Simon Jubani në Rrëmaji.

Të gjitha perpjekjet tjera të UDB dhe sigurimit shtetit antishqiptar janë vetem shpifje!

Këte e vertetojnë të gjitha Dosjet e Klerikëve Katolik Shqiptar të arrestuem, të torturuem,  të vramë si dhe Ata të masakruem nder kampet e shfarosjes komuniste prej vitit 1945.

Mbas largimit të delegatit apostolik në muejn Maji 1945, sigurimi i shtetit mendoi me ndryshue taktikën e vet sigurisht, me porosinë e Beogradit, tue kerkue me organizue rrjete spijunazhi në gjiun e Klerit Katolik, gja e cila ju pat deshtue edhe pse atyne që janë kenë aktivizue të dhunuem.., ju kushtoi me kokë… Këte e vertetoi vetem koha e 1967 !

Ishte tue ngordhë skilja Ramiz Alia, kur akuzon Vatikanin per agjentura në Shkoder…

Pikrisht, atëherë kur ai vetë po perpiqej “me shkue per vizitë” tek Papa Gjon Pali II…

Fatkeqsisht drejtuesve të shtetit shqiptar ju ka mungue gjithmonë vizioni Europjan!

Mundohen me “rilindë” dhe harrojnë se janë të deshtuem… Nga prind hudum…

Shkatrrojnë per me “ndertue” ate.., shka Europa e ka groposë me kohë…

Vetem një dallgë e Adriatikut ju zhdukë nga faqja e dheut o “rilindas” fatzez…

Mos harroni me hjekë nga dyert e pallateve etiketat e emnave, ashtu si në 1990…

Emnat e Mark Çunit e Arben Brocit, kurr nuk fshihen nga gurt e Rozafës së Shkodrës!

Fjala DEMOKRACI EUROPJANE asht shkrue me gjakun e Luigj Gurakuqit!

E sikur, të mos ishte një ky Burrë, kurr në Shqipni s’ u ngrit Flamur!..

            Melbourne, 21 Maji 2019.

 

Hasan Prishtina për “La Transalpine”, (1927): “Jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar ndaj Jugosllavisë, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme.”

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 19 Maj 2019

 

“La Liberté” ka botuar, të premten e 8 korrikut 1927, në faqen n°3, intervistën e Hasan Bej Prishtinës, dhënë asokohe gazetës “La Transalpine”.

 

Politikani i njohur shqiptar, ndër tjera, ka shprehur mendimin e tij mbi me reagimin e kundërshtarit politik dhe personal të tij, Ahmet Zogut, ndaj Jugosllavisë.

 

Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, ka sjellë intervistën e plotë për publikun shqiptar : 

 

 Deklarata të rëndësishme nga një ish-Kryeministër shqiptar

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Vjenë, 7 korrik. — Incidenti (Arrestimi i përkthyesit të legatës jugosvalle në Tiranë, Vuk Gjurashkoviç – Vouk Djourachkovitch, për çështje spiunazhi) midis Jugosllavisë dhe Shqipërisë është zgjidhur përfundimisht. Megjithatë, rifillimi i marrëdhënieve diplomatike midis dy qeverive nuk do të jetë aq i shpejtë sa mund të ishte shpresuar. Në të vërtetë, përfaqësuesit e të dy vendeve do të zëvendësohen dhe ardhja e tyre në destinacion duhet të ndodhë në të njëjtën kohë, konsiderohet se do të zgjasë dhjetë apo pesëmbëdhjetë ditë përpara se të rifillojnë përfundimisht marrëdhëniet diplomatike.

 

Një prej emigrantëve politikë më eminentë shqiptarë, Hasan Bej Prishtina, ish-President i Këshillit të Shqipërisë, kundërshtar politik dhe personal i Ahmet Zogut, bëri deklarata të rëndësishme për shtypin :

 

A është e vërtetë, e pyetën z. Hasan Bej, se Shqipëria përbën një rrezik për Evropën ?

 

— Ky lajm është përhapur nga disa gazeta në Beograd. Por për të kuptuar se kjo është vetëm një zhurmë tendencioze, duhet të kujtojmë se këto gazeta filluan të flasin për rrezikun vetëm ditën kur Shqipëria u bë e pavarur nga politika e Beogradit. Unë jam një kundërshtar i ashpër i Ahmet Zogut, por duhet të pranoj se këtë herë ai ka vepruar, me të vërtetë, në mënyrë të arsyeshme.

 

— Dhe çfarë mendoni për formulën që përsëritet kaq shpesh : Ballkani për popujt e Ballkanit ? e pyetën sërish Hasan beun.

 

— Kjo është një formulë e shkëlqyer, me kusht që vetë Ballkani të fillojë të japë shembullin. Për shembull, si mund të flitet për “vëllazërim” mes jugosllavëve dhe shqiptarëve, nëse Beogradi vazhdon politikën e tij të përndjekjeve kundër pakicave shqiptare ? Z. Fernand Draga, deputet nga Kosova, u dënua me 20 vjet burg sepse… ai donte të mbronte të drejtat e shqiptarëve. Mund të ju japim një listë të gjatë persekutimesh kundër shqiptarëve… Në këto kushte, si të arrihet një “vëllazëri ballkanike” ? — (La Transalpine.)

Excelsior (1914) – Inervista ekskluzive me Princ Vidin në Durrës

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Nga Aurenc Bebja*, Francë – 18 Maj 2019

 

“Excelsior” ka botuar, të dielën e 28 qershorit 1914, në faqen n°3, intervistën ekskluzive të dërguarit të saj të posaçëm me Princ Vidin, të zhvilluar asokohe në qytetin e Durrësit, të cilën, Aurenc Bebja, nëpërmjet Blogut “Dars (Klos), Mat – Albania”, e ka sjellë për publikun shqiptar :

 

 

Problemi shqiptar

Një vizitë te princi i Shqipërisë

Sovrani i mbretërisë së re beson ende për një paqe të frytshme.

Burimi : gallica.bnf.fr / Bibliothèque nationale de France

Durrës, 25 qershor (Nga i dërguari ynë i posaçëm). — Princit të Shqipërisë nuk i pëlqen të presë gazetarët, dhe akoma më pak dy herë radhazi ; jam përballuar me këtë formalitet. Nga që dëshiroja të pranohesha prej tij, i kërkova një takim privat, dhe sovrani e pranoi këtë kërkesë.

 

Pritja e tij ishte veçanërisht dashamirëse. Fizikisht, princi është shumë i njohur, me shtatin e tij të gjatë, karakteristikat e tij të dalluara, të mbushura me një përzierje ëmbëlsie dhe energjie, që unë t’i bëj portretin. Nuk kam gjetur aspak në fizionominë e tij ngjashmëri me tezen (hallën) e tij, mbretëreshën e Rumanisë ; por hasim pasqyrimin e mirësisë së saj.

 

Takimi që më akordoi princ Vidi mund të zhvillohej vetëm për çështje të përgjithshme.

 

— Aq shumë, më tha ai, kam frikë, jo nga ju, por nga ata që ju lexojnë juve se mund të keqinterpretojnë atë që unë mund të ju tregoj për situatën në Shqipëri.

 

— Megjithatë, mund t’ju them se, pavarësisht nga ngjarjet e fundit, kurrë nuk kam humbur shpresën që të vendos në Shqipëri, në zemrën e popullit tim të guximshëm shqiptar, një paqe të qëndrueshme, falë të cilës vendi do të arrijë me shpejtësi zhvillimin në të cilin ai mund të pretendojë. Respekti për ligjin dhe drejtësinë do të jenë mundësitë e mia të veprimit.

 

— Pa dyshim, shtoi princi, me një farë melankolie, do të duhet kohë, një kohë të gjatë. Dhe Evropa duhet të më besojë dhe se asnjë dëshirë e mirë të mos më dështojë.

 

— Me anë të kësaj, dhe me butësi, unë jam i sigurt për të krijuar një skemë të përbashkët besimi jo vetëm mes shqiptarëve dhe mua, por edhe në mesin e shqiptarëve vetë.

 

— Nuk dua të bëj ndonjë vlerësim të parakohshëm. Por nga ky këndvështrim, unë nuk mund të ndalem pa fajësuar thellësisht ekzagjerimet dhe pretendimet e keqardhura të bëra nga një shtyp i caktuar interesi. Por, megjithatë …

 

Por pjesa tjetër e fjalisë mbeti në buzët e princit. Megjithatë, nuk i kërkova që ta përfundonte. Ishte e lehtë për të kuptuar mendimin intim të këtij sovrani të dërguar nga Evropa për të kryer detyrën më të rëndë dhe që iu desht, i sapo mbrërritur në tokën e shtetit të tij, të luftojë rrjetin më të pazgjidhshëm të intrigave të të gjitha llojeve. Pas një shikimi trishtues, në sytë e tij u shfaq shprehja karakteristike e mirësisë.

 

Para se të mbaronte takimi, princi këmbënguli të më fliste për Francën, për “këtë vend të bukur, veçanërisht Qytetin e Dritave (Parisin), ku ai kishte aq shumë kënaqësi për të shkuar çdo vit”.

 

— Po ju them se, shtoi ai, unë do të jem i lumtur të shoh sa më shumë francezë, që të jetë e mundur, të vijnë në Shqipëri për të bashkëpunuar në zhvillimin e të gjitha pasurive të shumta natyrore.

 

— Sigurisht, nuk e kam fjalën për në këtë moment. Para së gjithash, Shqipëria duhet të qetësohet, për interesin e saj dhe atë të Evropës.

 

Me këto fjalë përfundoi vizita. Dhe Princi i Shqipërisë, duke e ditur se unë po shkoja në Rumani dhe që ndoshta do të shihja atje disa anëtarë të familjes mbretërore, më ngarkoi që t’i përshëndes nga ana e tij.

 

  1. Stambler