Kushdo që me automobil udhëton përgjatë autostradës I-94 në qytetin Harper Woods, nga secili drejtim që të udhëtojë, diku djathtas, ose majtas (kur vjen nga krahu i kundërt), do të shquajë një minare. Po doli nga autostrada, i shtyrë nga kureshtja, do të shohë se përbrinjë minares së thjeshtë shtrihet një ndërtesë mjaft e madhe që së toku me minaren përbëjnë xhaminë shqiptare të Imam Vehbiut! E në qoftë se kureshtja është edhe më e madhe dhe nuk mjaftohet me kaq, atëhere hulumtimi duhet të shtyhet thellë në vite kur me nismën e Imam Vehbiut, të mbështetur nga familje shqiptare myslimane që banonin në Detroit dhe rrethina, u vendos që me ndihmën e Zotitt ë ngrihej kjo faltore shqiptare.
Imam Vehbiun, në atë vit të largët 1949, disa familje shqiptare nga Detroiti, vendosën t’a ftonin me anën e një letre që të vinte e të ushtronte shërbesat fetare në këtë skaj të largët të botës. E kishin mësuar, krejt rastësisht, (me që atëhere edhe udhëtimi trans-atllantik zgjaste me javë), se diku në Misirin e largët ishte diplomuar në fakultetin e teologjisë një imam shqiptar, e për më tepër edhe bir i Myderrizit të ndeuar të Shkodrëd e më vonë Myfti i Krujës si edhe në vazhdim Myfti edhe i Vlorës, Ismail Hakiut. Disa thoshin”… sikur sa gishti i këmbës Myftiut Ismail Hakiut të jetë i biri, i mrekullueshëm do të jetë.” Kish edhe ca zëra më mirë të informuar, të cilët u referoheshin lajmeve të marra nga korrespondenca e tyre, se Imami i ri, jo vetëmqë ishte bir i denjë i Myftiut dhe i kishte mbaruar studimet me nota maksimale, por kishte edhe dhuntinë e posaçme të ishte edhe shkrimtar dhe shqpërues i talentuar, E siç do të shprehej ndonjë fatalist, ishalla kishte qënë e shkruar që Imam Vehbiu t’a linte për gjithmonë Kajron e nxehtë e të vinte të shërbente në Michiganin e ftohtë!
Nuk e pati të lehtë Imami i ri këtë vendim. Kur e mori letrën e cila brënda përmbante ftesën nga Amerika, ishte krejtësishti papërgatitur për një përzgjedhje të tillë. Fillimisht, kujton sot mbas 50 e ca vitesh Hirësia e Tij Imam Vehbiu, nuk po e hapte zarfin e ardhur nga përtej oqeanit. Në Amerikë nuk njof kërkënd, mendonte me vehte Imami i ri, kush të ma ketë nisë këtë letër? E kështu i mëdyshur, me duar jo shumë të sigurta, e hapi atë letër leximi i së cilës, kurrën e kurrës nuk e përfytyronte dot se do t’a fuste në mendime aq të thella! Mëndja, e cila nuk njeh kufinj e as pengesa natyrore, kaptoi dete, male e krahina dhe shkoi e u ndal tek shtëoia e tij e lindjes në Shkodrën e largër por edhe aq të dashur. Kujtoi , si nëpër ëndërr, ditën kur mbas mbarimit të shkollës fillore e kishte pyetur i ati: -Cilli kish me kênë dishiri yt për mësime mâ të nalta?. Dhe djaloshi i ri i ishte përgjigjur të atit, pa u stepur, se donte të shkonte në Medrése. Kujtonte pastaj se si Ismail Hakiu, ai Myderiz aq i nderuar dhe i respektuar, i kishte thënë:-… maj vesh bir’i êmi, të përkushtuemt e jetës shërbesave fetare âsht i lidhun me shumë detyrime e pak të ardhuna. Mêndoje mirë para se t’a marrish kët vêndim.-Mirëpo Vehbiu i ri e kishte ndarë mëndjen, kishte shëmbull të gjallë të atin, e njihte dhe e respektonte shumë Sali Efendi Myftinë, kishte dëgjuar nga i ati për Hafëz Ali Korçën dijetar e patriot i shquar, për Hasan Tahsinin shencëtar e atdhetar i zjarrtë e gjithashtu edhe për Hafëz Ibrahim Dalliun erudit e patriot i madh, e prandaj dëshira e përzgjedhjes së rrugës që do të ndiqte në jetë ishte përcaktuar saktë: do të ndiqte rrugën e të atit. Kur ia tha prerë të atit dëshirën e tij, i ati e pushtoi me të dy krahët dhe mes lotëve që i rridhnin e mjekrës që i dridhej i tha:-Je kah m’ban me u ndie krenar me shêmbullin që paskam dijtë me të dhânë. Ky âsht edhe dishiri êm i zjermtë, por desha m’e provue vendosmëninë t’ânde. E me zë të mekur shtoi: – E paç uratën t’ême bir, mos t’u daftë kurr e qofsh’ i nderuem përgjatë tânë jetës tue punue për fe e dhe Atdhé!
Ndërkohë që mëndja e Imamit të ri endej me kujtime viseve të atdheut aq larg Misirit të njëmendtë, letra e ardhur nga Amerika, e shkruar nga një dorë që dukej se nuk e kishte për zanat shkrimin por që shprehte shumë dashuri edhe shpresë, e solli në realitet. I lexoi edhe një herë fluturimthi rradhët ku shkruhej : … mos na lini si jetimë … ta kemi edhe ne Imamin tonë të na bashkojë në martesa … nuk do të varrosemi në dhe të huaj pa një lutje … dhe e kuptoi se duhej të merrte një vendim. Por ky vendim ishte shumë më i vështirë i krahasuar me vendimin që mori kur zgjodhi rrugën e jetës. Ishte më i vështirë sepse në parim i dukej se po të shkonte në Amerikë do të zgjidhte rrugën e jetës më të mirë e të begatë duke i u shmangur edhe detyrimeve kombëtare. Dhe në atë çast e kuptoi se si Filip Shiroka me aq mall u drejtohej dallëndysheve shtegtare që nga Misiri shkonin në Skodrën e tij e anaslelltas, dhe me fantazinë e tij i bënte bartëse korrespondence imagjinare! Sa do të donte Imami i ri të mund të komunikonte me të atin e tij në ato çaste.
Lajmi i fundit i marrë nga i ati nga Shqipëria ishte një copë letër e dërguar dorazi dhe e kaluar fshehurazi ku i thosh:-Këtu e morrne n’ dorë komunistët internacionalistë të pa fé e të pa Atdhé … sakën se kthehesh …!
Të kujtuarit e kësaj porosie atërore, avash avash ia kthjelloi mendimet Imamit të të ri , i cili e mori në dorë penën dhe shkroi letrën e përgjigjes ftesës që i bëhej nga Kontinenti i ri; I falënderonte për respektin edhe konsideratën dhe pranonte të nisej për të marrë në dorë detyrën e re.
Peripecitë e shumta si edhe pengesat që u deshtne m’u shkapërcyeme të ardhun në Amerikë, po t’i kisha parashikue, kurrë nuk do t’i isha gjegjë pozitivisht letrës me të cilën më ftojshin me ardh’e me shërbye këtu-thotë Hirësia e Tij Imam Vehbiu tek kujton vështirësitë e pafund që përballoi. -Por m’anë tjetër- vazhdon Hirësia e Tij, – kah shof në mënyrë mbrapashikjuese rrëugën e përshkueme, besimin si dhe dashtuninë me të cillat më ndoqën brêza të tânë besimtarësh që i bekova kah u lindën vetë e sot vazhdoj e u bekoj lindjen si edhe martesat e nipave edhe mbesave të tyne , ndjehem vërtet i bekuem i Zotit që më dha fuqi edhe jetë m’i shërbye Të Madhnueshmit e nëpërmjet Tij motrave e vllazënve shqiptarë për kaq dhetvjeçarë!
Edhe pak ditë na ndajnë nga dita e 24 prillit kur Hirësia e Tij Imam Vehbi Ismaili mbush plot gjysmë shekullipune me përkushtim të madh ndaj besimtarëve të tij. %0 vite pune të pakursyer për të shtatë ditët e javës, pa vënë re orar as ditën e as natën kur është nevoja për të, janë një prag i cili me shumë vështirësi mund të barazohet. E megjithatë edhe sot e kësaj dite, kush ka kërshëri, mund t’a ndjekë Hirësinë e Tij tek shkon, pa munguar kurrë, në ora 11 të paradrekës në xhamin e tij të dashur me të cilën është e lidhur e gjithë jeta e këtij fetari erudit të shquar dhe patrioti shëmbullor. Këtu e ndjej se duhet ndalur dhe të jepet një kuadër, sado i vogël dhe në përputhje me caqet e këtij shkrimi , me të cilin të kuptohen dy cilësorët madhorë që i mvishen Hirësisë së Tij si erudit i shquar dhe patriot shëmbullor. Këtu e ndjej se duhet ndalur dhe të jepet një kuadër, sado i vogël dhe në përputhje me caqet e këtij shkrimi, me të cilin të kuptohen dy cilësorët madhorë që i mvishen Hirësisë së Tij si erudit i shquar dhe patriot shëmbullor. Me cilësorin e parë lidhet fakti që duke u bërë poliglot, ai i dha vehtes çelësat për t’a zgjeruar horizontin e tij kulturor dhe letrar. Si pasojë është krijimi i mbi 50 veprave me shkrime autentike, shqipërime si edhe përmbledhje veprash të zgjedhura studjuesish e patriotësh të tjerë. Një ndër autorët e preferuar të Hirësisë së Tij ka qenë novelisti i shquar shqiptar Prof. Ernest Koliqi, shumë novela të të cilit i përktheu në arabisht dhe i botoi në Kajro, sa kohë që ishte atje e më vonë, në Detroit, botoi “Tregtar Flamujsh”, “Hija e Maleve” etj.
Nga ana tjetër, mëkimi i tij me ndjenja atdhetare që në fëmijëri bëri që bindjet e tij patriotike të kristalizoheshin që në rininë e herëshmee kështu duke u gërshetuar këto me studimet në fushën e teologjisë na japin figurën madhore të Hirësisë Tij, që ngrihet mbi nivelin e besimeve të ndyshme fetare me ekumenizmin e tij që shprehet me fjalët e tij madhore se:
Fjala e Zotit na bashkon të gjithëve e prandaj feja për shqiptarët ka qenë gjithmonë vatër bashkimi.
Në këtë vazhdë ia vlen të përmëndet cilësimi që i ka bërë Hirësisë Tij njëri nga fetarët tanë të shquar, At Prenk Ndrevashaj, duke u shprehur se ;-“Në marrëdhâniet me Imam Vehbi Ismailin, si klerik, na bashkon mirëkuptimi total. Për kulturën e tij sa të gjânë aq edhe të thellë, kam respekt të posaçëm. Kurse për atdhedashununë dhe përkushtimin ndaj saj duhet me pranue se Imam Vehbiu âsht i veçantë.!”
Janë të pafund ata që Hirësia e Tij i bekoi, i rriti dhe ua mësoi gjuhën amtare nëpërmjet kurseve të gjuhës shqip që ngriti e drejtoi vetë për dhjetëvjeçarë rradhazi. Nga ky shëmbull i madh eruditi, patrioti të skajshëm si edhe puntori të palodhur, kanë shumë se ç’të mësojnë pasardhësit e tij.
Vlerësime për Hirësinë e tij janë dhënë nga dijetarë, teologë si edhe atdhetarë të shquar an’e kënd. Por 10 korriku i vitit 1993 shënon edhe një pikëpamje vlerësimi të veçantë. Në New York u mblodhën përfaqësues nga të gjitha qëndrat shqiptare të Amerikës edhe Kanadasë të cilët në krye të Komunitetit Mysliman Shqiptar për Shtetet e Bashkuara dhe Kanadanë, zgjodhën Hirësinë e Tij Imam Vehbi Ismailin.
Historia tregon se në qoftë se nxënësi nuk ia kalon mësuesit nuk ka si të ketë përparim. Kjo shumë e vërtetë, në parim. Por ama, nga ana tjetër, nuk është për t’ia patur zili Imam Shuaip Gërgurit, punën e tij si vazhdues i veprës Hirësisë së Tij Imam Vehbi Ismailit. Vërtet që ai e gjeti të shtruar punën e jo si 50 vite të shkuara ku çdo gjë u desh të fillohej nga e para. Kjo më se e vërtetë. Nga ana tjetër ai ka një udhërrëfyes që e udhëheq në punën e tij. Edhe kjo e vërtetë e pakundërshtueshme. Por ama ai ballafaqohet edhe me një vështirësi tejet të madhe: Do të jetë vallë në gjëndje, i krahasuar me mësuesin dhe udhëheqësin e tij, t’a arrijë e pastaj detyrimisht edhe t’a kalojë atë? Gjykatëse do të jetë koha, dhe ne urojmë që në këtë drejtim të shënohen përparime ku brezat e ardhshëm të jenë dëshmitarë që puna e nisur dhe e vazhduar nga Hirësia e Tij Imam Vehbi Ismaili për më shumë se gjysmë shekulli, të jetë një shëmbull i ndritur për t’u ndjekur si edhe një pikë riferimi e pagabueshme për t’ardhmen!
Para se t’a mbyll shkrimin , do t’u referohem fjalëve me të cilar e ka skalitur portretin e Hirësisë Tij Imam Vehbi Ismailit, Mjeshtri i Madh i Mistikës Islame, i paharrueshmi Baba Rexhëbi : – I imët është fizikisht Imam Vehbi Ismaili por, dituria e tij e cila nuk ka anë e fund, e bashkuar me përkushtimin e tij atdhetar, si edhe lufta që ai i ka bërë egoizmit, e kanë rritur shtatin e tij në përmasa vigane.
Kështu që nuk na ngelet gjë tjetër veçse t’a quajmë veten fatlumë që Hirësinë e tij Imam Vehbi Ismailin e kemi, dhe urojmë t’a kemi sa më gjatënë mes nesh, e kështu të vazhdojmë e të përfitojmë sa më shumë nga ai në çdo drejtim . Ky është urimi që bëjmë.