VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Ti qytetar i botës je refugjat – Nga Elida Buçpapaj

By | July 18, 2021
blank

Komentet

blank

MBRËMË, NDËRSA FLIJA – Poezi nga ANTONIO MACHADO – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Mbrëmë, ndërsa flija,
ëndërroja iluzione të lumtura!,
se vërshonte një burim
brenda zemrës sime.
Më thuaj, nëpër çfarë rrjedhe të fshehtë,
ujë, arrin tek unë,
gurrë e një jete të re
ku nuk ke pirë kurrë.
Mbrëmë, ndërsa flija,
ëndërroja iluzione të lumtura!,
se kisha një zgjua bletësh
brenda zemrës sime;
dhe bletët e arta
përftonin brenda saj,
me hidhësirat e vjetra,
dyll të bardhë dhe mjalt të ëmbël.
Mbrëmë, ndërsa flija,
ëndërroja iluzione të lumtura!,
se një diell i ndezur po shkëlqente
brenda zemrës sime.
I flaktë sepse jepte nxehtësi,
të vatrës së kuqe,
dhe dielli se pse u ndez
dhe pse na bëri të qajmë.
Mbrëmë, ndërsa flija,
ëndërroja iluzione të lumtura!,
se ishte Zoti që kisha
brenda zemrës sime.

blank

SHTATOR – Poezi nga ANTONIO MACHADO – Përktheu SKËNDER BUÇPAPAJ

Kopshte jeshile,
sheshe të kthjellëta,
burim verdhacuk
ku uji ëndërron,
ku uji memec
përfundon në gur…

Gjethet e gjelbëra
të thara, gati të zeza
të akacieve, era e shtatorit
i puth,
dhe disa i merr me vete
të verdha, të thata,
duke luajtur, mes pluhurit
të bardhë të tokës.

blank

E DIELA PER FEMIJE – Zogu i Vogël Këmbëverdhë Nga Naum Prifti

Ne perrallen Zogu i Vogel Kembeverdhe, shkrimtari Naum Prifti pershkruan nje fenomen natyror per te zbuluar dukuri te karakterit njerezor. Aty jane gjeli qe kaperdiset me hijen e tij, patoku qe e kritikon per fodullek, derrkuci qe vlereson vetem anen praktike te gjerave dhe meqe “hija nuk hahet” nuk interesohet fare per te, qeni qe gjen lidhjen midis burimit te drites dhe formimit te hijeve dhe klloçka qe shpreh moralin: Kam njohur ca gjela që lavdëroheshin me hijen e të tjerëve dhe viçër që mateshin me hijen e mëngjesit dhe pandehnin kushedi sa të mëdhenj ishin, dhe ca zogj pulash që fshiheshin nën hijen e të tjerëve. Për mendimin tim, – vazhdoi klloçka, – e hijshme është atëherë kur secili lëshon hijen e tij mbi tokë aq sa e ka dhe ashtu si e ka. Nese e lexon si femi e ndjen sesi te terheq historia e zogut te vogel qe zbuloi hijen e tij, nese e rilexon si i rritur mund te perftosh pershtypje te reja te lidhura me shprehjen e dimensionit filozofik ne nje perralle qe mund t’ju fal kenaqesi ne te gjitha moshat.    

 

Zogu i Vogël Këmbëverdhë

Naum Prifti

Zogu i pulës, Cipi, ecte në livadh me kokën të përkulur, duke kërkuar farëza. Papritur ai pa diçka që s’e kishte vënë re më parë. Formën e një zogu po aq të vogël sa Cipi, që shkiste pa zhurmë fare si të  ishte kopje e tij dhe e ndiqte ngado që shkonte po gjithmonë anash, herë më të djathtë, herë më të majtë.

“Ç’të jetë kjo që më ndjek pas ngado që vete?” pyeti veten Cipi, duke e parë hijen me dyshim. Qëllimet e saj nuk iu dukën të mira, prandaj mendoi t’i ikte kur ajo të mos e kishte mendjen dhe ta linte aty.
Cipi ngriti kokën e filloi të vështronte kot më kot qiellin ku dukeshin disa re të vogla dhe dielli i qeshur. Si pa qëllim, hodhi një hap, pastaj edhe një tjetër gjoja kot, që hija të mos dyshonte se po largohej. Kur u bind se ajo s’po e vinte re, u turr përpara, duke hapur krahët e duke i hedhur këmbët aq shpejt, sikur të rrotullonte pedalin e biçikletës. Vrapoi deri në anë të livadhit dhe atje qëndroi të merrte frymë thellë, duke shtriqur krahët anash. Më në fund kishte shpëtuar nga ajo qenie e mërzitshme. I gëzuar, hapi sytë, kur për çudi vuri re se hijen e kishte fare pranë, po aq pranë, sa edhe në cepin tjetër të livadhit.

“Po kjo si erdhi këtu kaq shpejt?” u habit Cipi. I menduar, uli sqepin në tokë. Edhe zogu tjetër po ashtu afroi sqepin thuajse puqur me të. E po tani s’durohej! Donte t’i rrëmbente edhe ushqimin.

-Pse më ndjek pas? – e pyeti Cipi duke u kthyer drejt saj.

Hija nuk u përgjigj.

-Largohu prej meje! – i bërtiti duke hedhur një hap drejt saj. Hija u largua. Ai hodhi edhe një hap tjetër dhe hija u largua më tej. Ai e kuptoi se hija po largohej nga frika dhe tha me vete: “Unë jam trim, sa edhe ky zogu ma ka frikën!”

Vendosi ta ndiqte që ta përzinte fare nga livadhi. Ai e vuri përpara dhe donte ta arrinte e ta capërlonte, po tamam atëherë kur i dukej se po i vinte këmbën sipër e do ta shkelte, hija shkiste mbi bar dhe shkonte pak më tej.

“Sa e shpejtë qenka!” – mendoi Cipi. – Kështu s’kam për ta kapur kurrë. Më mirë të rri në vend dhe të bëj gjoja sikur s’po e ndjek e kur të mos e ketë mendjen, ta kap”. Me një sy Cipi po përgjonte hijen që kishte në krahun e djathtë. Ajo s’po lëvizte fare. Menjëherë u hodh ta kapte e ta vinte poshtë, kur ajo fare pakuptuar, kishte shkarë më tej. Ai u rrotullua si fugë, edhe hija për çudi atë lëvizje bëri.

“Duhet t’i dal nga krahu tjetër,” mendoi Cipi. Filloi të rrotullohej në të majtë, pa ia ndarë sytë hijes. U rrotullua aq shumë, sa filluan t’i merreshin mendtë e t’i sillej livadhi vërdallë.

-Ç’po bën ashtu? – e pyeti Klloçka Cërkore.

-Dua të kap këtë por nuk po arrij. Më ndihmo pak!

-Mos u bëj budalla, – e qortoi klloçka, – se hijen tënde s’e kap dot kurrë.

Zogu i vogël u mendua.

-E mirë apo e keqe është hija? – e pyeti me merak.

-Ka gjithfarësojesh, – i tha klloçka. – Kam njohur ca gjela që lavdëroheshin me hijen e të tjerëve dhe ca viçër që mateshin me hijen e mëngjesit dhe pandehnin kushedi sa të mëdhenj ishin, dhe ca zogj pulash që fshiheshin nën hijen e të tjerëve. Për mendimin tim, – vazhdoi klloçka, – e hijshme është atëherë kur secili lëshon hijen e tij mbi tokë aq sa e ka dhe ashtu si e ka.

-Mirë, – vendosi Cipi Këmbëverdhë. Unë e dua hijen time se e kam të bukur. Filloi përsëri të kërkonte farëza nëpër livadh. Tani i dukej e këndshme të kundronte hijen e tij të rrumbullaktë si një topth, me kokën e vogël dhe sqepin e shkurtër përpara. Nja dy herë parakaloi nëpër livadh vetëm që të shikonte hijen si ecte pranë tij.

Mirëpo papritur hija i humbi nga sytë dhe ai s’po e kuptonte ku e si u zhduk. E kërkoi në të djathtë e në të majtë, prapa e përpara me shpresë që ta gjente. Ajo s’dukej gjëkundi. Zogu i vogël Këmbëverdhë u trishtua shumë. “Sa të mirë e kisha! – mendoi – Më rrinte kurdoherë pranë dhe qe fare e butë. Ah, sikur të mund ta gjej!”

Një gjel deti kaloi aty pranë duke u tundur. Cipi e dinte që ai kishte dëshirë ta thërrisnin Xhel, prandaj e pyeti:

-Xhel, mos e ke parë hijen time?

-Unë nuk ruaj hijet e botës! – u përgjigj ai me kokën lart.

-Këtu e kisha, po s’e di ç’m’u bë… – vazhdoi Cipi.

-Pse s’e bën si unë? – e qortoi Xheli. – Unë gjithmonë e mbaj me vete. Ja, shiko!

Ai u fry në pendë, hapi bishtin, lëshoi lafshën, dhe priti të sodiste hijen e vet. Mirëpo nuk e gjeti asgjëkundi.

-Obobo! Më paska humbur! Çfarë të bëj unë pa hije, ku të vete? Kushedi sa do të më qortojë nëna! Ajo shpesh më ka thënë se unë të gjitha gjërat që nxjerr përjashta i humbas. S’di a do të ketë hije tjetër…

-Mos e ke harruar në shtëpi?- e pyeti Cipi.

-Kushedi, edhe në shtëpi mund ta kem harruar, – tha Xheli, – veç unë tani s’kthehem dot atje.

-Ke frikë? – e pyeti Cipi i vogël, pak i habitur që gjithë ai gjel deti druhej të shkonte rrugës vetëm. – Tani është ditë dhe rruga gjendet lehtë.

-Ku ta di unë nga bie shtëpia ime? – u zemërua Xheli.

-Ua! Goxha gjel i madh dhe nuk mban mend shtëpinë…. Unë jam i vogël dhe rrugën e kotecit mund ta gjej menjëherë.

-Ti kot habitesh, – e qortoi Xheli. – Asnjë nga gjelat e detit s’e gjen dot ku e ka shtëpinë. A nuk ke parë si vijnë të na marrin çdo mbrëmje? Për ne, të gjitha shtëpitë duken njëlloj. Dhe ç’është e vërteta, të gjitha njëlloj janë.

Cipi qeshi.

-Ua, ç’flet kështu? Si qenkan njëlloj?

-Krejt njëlloj. Të gjitha kanë mure, dritare, çati dhe një portë që hapet.

Ndoshta nuk shikon mirë nga sytë, mendoi Cipi.

–Pse nuk shkon të vizitohesh te mjeku i syve dhe po të jetë nevoja të mbash syze, – i sugjeroi zogu.

-Derisa i dallojmë në tokë edhe farëzat më të vogla do të thotë se shikimin e kemi të prehtë. Thonë se kemi kujtesë shumë të dobët dhe s’mbajmë mend asgjë. Ne madje s’mbajmë mend as që kemi ngrënë dhe hamë përsëri sa herë të na japin. Ja, për shembull, unë s’mbaj mend pse erdha këtu, a  mund të ma thuash ti?

-Po si mund ta di unë përse erdhe dhe çfarë mendoje? – u habit Cipi.

-Prit, -i tha Xhel Deli, – mua diçka më kishte humbur, po tani s’më kujtohet mirë ç’qe.

-Hija, – i tha Cipi.

-Ah, po, ke të drejtë! Hija. Hija ime e bukur, që ma kishin zili e gjithë. Po kthehem të shikoj mos e më ka rënë rrugës. Jo, jo , do të ma kenë marrë. E di çfarë? Kur po kaloja te hauzi sot në mëngjes, patoku Remë tha: Shikoni fodullin, ç’hije i ka lafsha gjelit të detit!

Xheli i Detit shkoi të kërkonte patokun Remë andej nga hauzi.

Zogu i vogël Këmbëverdhë gjeti një derr në livadh që çante plisat me hundë. Qe shumë i përqendruar në punën e vet.

Cipi priti sa ngriti kokën dhe e pyeti nëse kishte gjetur ndonjë hije.

-Ç’më duhet hijet? – u përgjigj derri Bic. – Ato nuk hahen. Dhe nga ana tjetër, unë s’kam fare nge të shikoj për to. Më mirë fut hundën në tokë dhe gjej diçka për të ngrënë. Shiko sa bukur e kam lëruar, tamam si traktor. Pulat vijnë gjithmonë pas tragës sime se gjejnë haje. Pse s’vjen dhe ti?

-Falemnderit, – i tha Cipi, – po më përpara unë dua të gjej hijen time. Pa gjetur atë, s’më bëhet të ha asnjë farë!

-A pranon një këshillë nga unë pa le të më quajnë të tjerët kokëderr? Mos humb kohë kot, shko te qeni Rap dhe pyete njëherë. Ai i gjen gjërat e humbura me anë të hundës prandaj ka mundësi të të ndihmojë.

Cipi u nis për te qeni Rap nga rruga e lisit.

Ndërkohë dëgjoi Xhelin  e Delit që po ngrindej me patokun pranë hauzit.

-Hajde, nxirr hijen time këtu dhe mos bëj fjalë!

-Je ne vete? E përse do të më hynte në punë hija jote? – i përgjigjej patoku.

-Nuk e di unë. Hajde, nxirre shpejt! – kokoriste Xheli.

-E si u marrka hija e tjetrit? Unë s’arrij ta kuptoj,… – po i thoshte patoku. Dhe ta them hapur, hija jote as që më pëlqen fare…

-Mos e ke futur në ujë? – e pyeste Xheli i Detit. – Ti se çfarë fshehe kur kalova unë…

-Ç’flet marrëzira? Unë s’fsheh kurrgjë në hauz, përkundrazi nxjerr edhe ato që kanë rënë. Qëparë nxora një kalli mistri të shijshëm. Mezi e kapa dhe m’u desh të zhytesha tri herë.

-Ti duhet ta dish kush ma ka marrë, – i tha Xheli, -se unë, kur erdha këtu, e kisha, kur shkova më tutje, andej nga livadhi, e humba.

Patoku Remë përpopi krahët mbi kokë.

-Sa mirë që e the vete! Domethënë se këtu e kishe, kurse më tutje e humbe. Atëherë shko ta kërkosh më tutje!

-Unë s’luaj prej këtej! –tha Xheli duke lëshuar deri në tokë lafshën, që të dukej i zemëruar.

-Rri deri nesër po deshe! – i tha patoku Remë duke u zhytur në hauz.

Cipi nuk ndenji t’i dëgjonte me gjatë. Vrapoi te qeni Rap dhe i tregoi ç’i kishe ndodhur.

-S’më ka rastisur kurrë diçka e tillë, – tha qeni Rap, – dhe askush s’më është ankuar t’i kenë vjedhur hijen. Megjithatë duhet të hetojmë me kujdes.

Qeni Rap vuri syzet mbi  hundë dhe u drejtua nga rafti i librave. Mori një fjalor të trashë dhe e hapi te shkronja H. Zuri të kërkonte derisa gjeti fjalën “hije”.

-Më duket se e gjeta, – tha i gëzuar.

-Sa mirë – tha Cipi. – Nëma të lutem!

-Nuk gjeta hijen tënde, po diçka tjetër, – i tha qeni Rap duke ngritur shputën përpjetë. – Gjeta shkakun pse të humbi.

Ai ngriti sytë nga qielli dhe i tregoi Cipit një re të bardhë.

-E shikon atë renë e bardhë atje lart? Ajo ka zënë dritën e diellit dhe hijet në tokë humbën të gjitha.

-S’më besohet, – tha Cipi, – ç’punë ka reja atje lart me hijen time këtu në tokë?

-Ja, ki pak durim, do ta shikosh vetë.

Sapo reja u largua pak, rrezet e diellit ranë përsëri në tokë dhe atëherë shtëpitë, drurët, lulet, kafshët, shpendët, Cipi i vogël, qeni Rap dhe gjithçka u bë me hije.

-Tani, secili ka hijen e vet! – tha qeni Rap.

Cipi e falënderoi dhe hapi e mbylli krahët e tij të vogla disa herë nga gëzimi që e kishte hijen përsëri pranë vetes.

 

 

blank

TI S’MË DO? S’TË DHIMBSEM SADO PAK – Poezi nga SERGEJ ESENIN – Përktheu JORGO BLLACI

Ti s’më do? S’të dhimbsem sado pak?
… Nuk ta mbushkam syrin, apo si?
Prapseprapë, ndizesh e merr flakë,
Tek shtërngohesh supeve të mi.

Mike epsh e tëra, lajka s’dua,
As i vrazhdë nuk të sillem dot.
Veç me thuaj, sa kështu si mua,
Puthur e shtërnguar ke gjer sot!

Unë e di, të gjithë hije u bënë
Dhe s’ta shuan zjarrin pa mbarim.
Prehër pa u ulur ti s’ke lënë,
Siç po rri tani në prehërin tim.

Dhe në këto çaste, ndonjë tjetër,
Sjell ndërmend ti, syçkat tek pulit.
Mos pandeh se po mërzitem tepër.
Tjeterkënd e kam dhe unë në shpirt.

S’është fat kjo lidhje mëndjelehtë,
Po një flakë çasti. Veç ta dish,
Siç të njoha rastësisht i qetë,
“- Mirëmbetsh!”, – do të të them sërish.

Edhe ti do marrësh udhën tënde,
Do bësh pluhur ditën plot mërzi,
Veçse, mos lakmo t’i prishësh mendjen,
Kujt s’ka njohur puthje e dashuri.

Krah për krah me ndonjë tjetër djalë,
Udhës kur të shkosh ti, ku ta dish,
Ndoshta, edhe unë do të kem dalë
Për shëtitje, e shihemi sërish!

Ti më fort pas tjetrit do të ngjeshesh
Dhe me kryet ulur, ftohtësisht,
“- Mirëmbrëma!” – do më pëshëndesësh,
Ndërsa unë: “- Mirëmbrëma Miss!”.

Dhe asgjë nuk do më turbullojë,
S’do më dridhet shpirti për asgjë!
Kush ka dashur, s’mund të dashurojë!
Kush është djegur, s ‘mund të digjet më!

blank

DUART E SË DASHURËS, DY MJELMA – Poezi nga SERGEJ ESENIN – Përktheu JORGO BLLACI

Duart e së dashurës, dy mjelma
Kredhur në ar të flokëve të mi.
Anekënd në këtë botë njerëzish,
Kënga s’ka mbarim për dashuri.

Dikur edhe unë kam kënduar
Dhe sërishmi shpirti më këndon;
Fjala vlagë merr në kraharuar
E ndër vargje ëmbëlsisht buron.

Po kur shterr kjo vlagë krejt, dhe zemra
Mbetet si një shkëmb floriri i shkretë,
Vetëm hënë e Teheranit këngës
S?mund t’i japë ngrohtësi dhe jetë.

Unë s’di si do më vejë halli:
Do më djegë Shaga shkrumb e hi,
Apo, kur të plakem, i përmallur
Do kujtoj ç’këndova në rini?

Ka një çap të tij sikush në botë,
A diçka që na pëlqen vërtet.
Një persian, që këngës keq ia thotë,
Kurrë nga Shirazi s’mund të jetë.

Sa për mua dhe për këngën time,
thoni vetëm kaq: do kish krijuar
Këngë më të mira, plot kumbime,
Nga dy mjelma po të kish shpëtuar.

blank

PSE, MOJ JETË, JE DHURATË – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

Pse, moj jetë, je dhuratë

që të bie rasti kot?
Pse të dha i fshehti fat
një ndëshkim me tmerr në botë?

Ç’është ai pushtet i nxirë,

që prej hiçit më ka thirë,
që në shpirt më dha mundime
dhe dyshim në mendjen time?

Pa një dritë e një qëllim,

më rreh zemra në shkreti.
Më mbush plot me pikëllim
jeta gjith monotoni. —

blank

LULJA – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

 

Një lulëz mes një libri gjeta

Të tharë edhe pa kundërmim
Dhe për një çast i shtangur mbeta
E humba thellë n’ëndërrim

Kur lulëzoi?

Ç’pranverë thua?

Kush e këputi edhe ku?
Një dorë e njohur a e huaj?
Dhe pse e vuri vallë këtu?

A për kujtim të një takimi?

Apo për ndarjen plot trishtim?
A për një endje pikëllimi
Në heshtje fushash pa mbarim?

Ai, ajo, jetojnë vallë?

Ku thua janë, ku bredhin ku?
Apo mos ndoshta janë tharë
Si dhe kjo lulëze këtu? —

blank

KALORËSI I VRARË – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

 

Në pyjet e largëta mbrëmja po ikën.

Të fundmet shkëlqime të saj u veniten,
Lugina e thellë ka heshtur;
Zhurmon midis mjegullës lumi me valë.

mes reve që enden në qiell ngadalë.

Ndrin hënëz e artë pareshtur.

Koracë e çeliktë dhe heshtë e coptuar

Të shtrira po prehen te kodr’e vetmuar,
Mburoja prej ndryshkut po nxin,
Mamuzet të shkreta në myshk kanë mbetur

Dhe s’tunden nga vendi; dhe hënëz e mekur

Mbi trup të përgjakur po ndrin.

Rreth kodrës vërtitet besniku dori,

diçka vezullon thellë syve të tij,
Me kryet e unjur kalon;
Luginën po rreh me patkonj gjithë zjarr,
koracën vështron edhe krejt vetmitar
Po dridhet, së thelli gulçon.

Nxiton nëpër terr vetmitari dori,

Me shpresë e me frikë e më drojtje në gji,
Patkonjtë i brengosur rreh shpejt;
Po ngjitet me duf në kodrinë e vështron
E nxiton… e çeliku në terr tingëllon,
Ndënë këmbën e lodhur të vet.

Afrohet te trup’i kalorsit të shkretë,

Mundohet ta çojë, po kocka kërcet
Edhe kafka përplaset për tokë…
Së thelli i gjori dori hingëlliti
Përqark n’errësirë vështrimin vërtiti
Dhe heshtaz pastaj uli kokën.

Shtegtari që larg nëpër terr po kalon,

mes heshtjes të ngjan se mbi kocka po shkon…
Po ja dita zbardh përsëri,
Koraca dhe heshta e shkretë po ndrin.
Kalorsi rri shtrirë e s’lëviz mbi kodrinë.
Doriu veç endet rreth tij. —

blank

DEMONI – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

 

Në ditët kur së pari nisa

Të gjerën jetë ta kuptoja,
Kur shihja vashëzat e lisat,
Bilbilin natën kur dëgjoja,

 

Kur zulma, malli dhe liria,

Dhe frymëzimi, poezia
Si zjarr e flakë e patreguar,
Në shpirt më zjejnë pa pushuar,

 

Kur brenga dhe mundim’i heshtur,

Më zuri vend këtu në gji,
Më vinte plot inat pareshtur,
Këtu në zemër, një gjeni;

 

Gjithnjë më sillte shqetësim

Çdo qeshje e tij e çdo vështrim.
Te fjalë e tijë plot me vrer
Dëgjoja të pafundmin ferr.

 

Ai me shpifje, pa pushim,

Çdo gjë të shtrenjtë e mbulonte;
Të dlirin, t’ëmblin ëndërrim
Dhe frymëzimin e përçmonte;

 

S’besonte dashuri, liri,

Jetën ai gjithnjë e përqeshte;
Mbi dhé, për asnjë bukuri,
Të thurte lavd ai nuk deshte. —

blank

I BURGOSURI – Poezi nga ALEKSANDËR PUSHKIN – Përktheu JORGO BLLACI

 

Lëngoj pas kafazit të burgut të zi.

Një shkabëz robinjë përballë më rri;
E ngrysur vështrimin ndër qiej vërvit,
Tund krahët, dhe gjellën e gjaktë skërmit,

E shqyen, e flak, dhe më sheh me trishtim,

Sikur kemi bashkë të njëjtin mendim.
Më grish me vështrime dhe zjen e këlthet,
“të nisemi” – thotë – “ku qjelli thërret”

Ne jemi dy zogj, pa liri s’rrojmë dot!

mbi male, vëlla, të vërsulemi tok,
Mbi detet e kaltër, të çiltër si lot,
Ku era… dhe unë baresim ngamot!…” —

blank

VISAR ZHITI: POEZIA DREJT BURGUT – Nga Liviu Antonesei, shkrimtar dhe akademik rumun

LIVIU ANTONESEI (1953)

shkrimtar, studiues, publicist, politikan demokrat, profesor pranë Universitetit të Iasi-it. Autor i dhjetra librave me poezi, prozë, ese dhe studime shkencore. Personalitet i shquar publik i Rumanisë së sotme.

 

 

         Pas botimime së fundmi në Rumani të dy librave të shkrimtarit Visar Zhitit, atë me poezi  “Flatra e mundur (“Aripa Franta”) dhe romanit “Funerali i pafundmë” (“Cortegiul de sfarsit”), përkthime të shkëlqyera të Dr. Luan Topçiut, sipas kritikës rumune, vazhdon jehona e tyre në median e shkruar dhe atë elektroike të Rumanisë.

         Sapo ka dalë një artikull nga Liviu Antonesei, i cila ka patur dhe shumë komente vlerësuesi në Rumani .

 

blank

 

Befasi? Një poet shumë i madh nga Shqipëria, i cili vuajti jashtëzakonisht shumë për shkak të poezisë së tij. Apo ndoshta është më mirë të thuash për poezinë e tij dhe për poezinë në përgjithësi.

Falë një dhurate me libra që më bëri kritiku, historiani i letërsisë dhe përkthyesi Luan Topciu, fillova të hyj në kontakt me veprën e shkrimtarit të madh bashkëkohor shqiptar Visar Zhiti, poet, tregimtar, romancier dhe eseist.

Kam lexuar deri më tani një antologji të shkëlqyeshme poetike, “Flatra e Thyer”, përkthyer nga Luani, dhe romanin mahnitës, botuar së fundmi, “Funerali i pafundmë”, me të njëjtin përkthyes.

Ndërsa shkrimtarët rumunë kanë tendencë të kenë komplekse epërsie ndaj letërsive që i konsiderojnë më të vogla, unë i këshilloj ata të bëjnë një kurë modestie duke lexuar së bashku me Kadarenë dhe Thanas Medin, këtë shkrimtar të madh, emrin e të cilit ndoshta nuk e kanë dëgjuar akoma.

Para se të bëhej shkrimtar i madh i sotëm, autor i rreth 30 vëllimeve, i përkthyer në shumë vende, fitues i çmimeve të shumta letrare shqiptare dhe ndërkombëtare, Visar Zhiti kaloi nëpër disa sprova për të cilat cilësori kafkian është shumë i butë. Ai kishte botuar poezi në revista që kur ishte student, kështu që në vitin 1979 ai paraqiti në shtëpinë botuese atë që do të ishte vëllimi i tij debutues. Thjesht redaktorëve nuk u pëlqen libri dhe bëjnë një raport refuzimi për shkak të zymtësisë në to, poezive pesimiste.

Gjërat mund të ishin ndalur këtu, por ato nuk u ndalën, sepse redaktorët “vigjilentë” dërguan raportin në Komitetin Qendror të Partisë së vetme, dhe poeti u arrestua, u gjykua në vitin 1980 dhe u dënua me dhjetë vjet burg politik. Vërejtjet në letër u shndërruan në “poet dekadent dhe armik i popullit“. Nga dy poezitë që po botoj, njëra shoqërohet në dosjen e çështjes me nënvizimin: “një metaforë kundër diktatorit Enver Hoxha“, mendoj se është hera e parë që konstatoj se gjykatat mund të merren, të paktën në Shqipëri, me analiza poetiko-stilistike ! Pas tetë vjet burgimi, Visar Zhiti lirohet dhe punon gati tre vjet si një punëtor fabrike.

Pothuajse çdokënd një përvojë e tillë, aq më keq e gjatë, pa marrë parasysh sa e vështirë, do ta kishte shtypur, por jo Visar Zhitin, i cili duket se ka dalë i fuqizuar, duke i dhënë Nietzsche-s të drejtë  – ajo e cila nuk të vret, të bën më të fortë.

Menjëherë pas rënies së regjimit komunist, punoi në shtypin opozitar, drejtoi një shtëpi botuese, ishte parlamentar, Ministër i Kulturës dhe diplomat i vendit të tij në Itali, Vatikan dhe Shtetet e Bashkuara. Dhe mbi të gjitha, ai ka botuar rreth 30 libra, siç thashë më parë.

Ja, dy nga poezitë, njër që e çoi në burg dhe tjetra poezi nga burgu, por do të kthehem, në botimet e ardhshme dhe me poezi të tjera nga burgu, për dashurinë ose për tema të tjera. Do të shihni që koha dhe përvoja nuk kanë ndryshuar asgjë thelbësore në krijimin e tij, formula është zbuluar që nga koha e poezive të para.

 

 

 

 

Visar Zhiti

 

SFINKSI

 

I tmerrshmi sfinks me krifa muzgu

qëndron i zymtë mbi shkretëtirën.

Madhështia e tij e rëndë prej guri

e bëri, ah, të palëvizshëm!

 

Luanët bredhin nëpër pyje

në shpella ere dhe në shira,

por sfinksin nën rërë yjesh

e torturon madhështia.

 

Mishin pa fund të skllevërve

e bënë kthetra sfinksash pompozë.

Shkretëtira tund në apogje

të tmerrshmen madhështinë e kotë.

 

blank

blank

*  *  *

Shkrimi është përkthyer nga Dr. Luan Topçiu. Arritjet dhe sukseset e shkrimtarit Visar Zhiti janë dhe sukses i letërsisë së sotme shqipe, tani e lirë, e pasuruar me atë letërsi martire që erdhi nga burgjet dhe internimet, që solli të vërteta të mëdha dhe atë moral që i duhet çdo letërsie.

 

blank

Sterjo Spasse, një nga kalorësit e letërsisë shqipe – Nga Pandeli Ziu

Ndërsa bisedonim me Prof. Ilinden Spasse, djalin e shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse, fabulisti i njohur Izet Çulli i drejtohet:

– A vazhdon të jetë objekt mësimi për studentët në fakultetet e letërsisë të universiteteve tona jeta dhe krijimtaria letrare e babait tuaj?

Bashkëbiseduesi ynë, Prof. Ilindeni, ngriti supet. Nuk na u përgjigj. Dhe nuk e kuptuam se nga i buronte ajo heshtje; nga mosdija apo nga modestia. Ndërkaq, fabulisti i telefonoi menjëherë Prof. Bardhosh Gaçes, që jep leksione letërsie në Universitetin “Ismail Qemali” të Vlorës.

– Si, ore, nuk studiohet! – përgjigjet Prof. Bardhoshi. – Sterjoja është pjesë e leksioneve që jepen në fakultetet e letërsisë së çdo universiteti. Madje  studiohet edhe në shkollat e mesme.

Teksa dëgjonim këtë përgjigje përmes celularit, vumë re që Ilindenit i shkëlqyen sytë. I erdhi mirë, që jeta dhe krijimtaria letrare e të atit vazhdonte të ishte objekt leksionesh dhe seminaresh me studentët e shkollave të larta dhe të mesme.

– E morëm në telefon, – iu drejtua fabulisti Prof. Ilindenit, – sepse disa shkrimtarë të moshës së babait tuaj janë hequr fare nga programet mësimore!…

Maqedonasi që i dha aq shumë letërsisë shqipe

I lindur më 14 gusht të vitit 1912 në një familje fisnike të fshatit Gllomboç të zonës së Prespës nga prindërit Spasja dhe Mara, Sterjoja do ta niste mbarë  që fare i ri rrugën e krijimtarisë letrare.

Mësimet e para i mori në vendlindje, por, për mungesë nxënësish, shkolla u mbyll, kështu që rrethanat e krijuara bën që të voglin ta dërgonin në shkollën e fshatit Nivicë. Teksa ishte në klasën e tretë, shkëputet nga kjo shkollë dhe kthehet në shtëpi! Pak muaj më pas i ati e dërgoi në shkollën e fshatit Goricë e Madhe, ku jepte mësim Pandeli Sina, që do të bëhej mik i familjes Spasse.

Por edhe në Goricë të Madhe nuk zgjati shumë. Kohë të vështira. Djalin e keni të mbarë, çoç mund të bëhet kur të rritet, prandaj gjejeni mundësinë ta dërgoni në Korçë për të ndjekur shkollën, pat thënë mësues Pandeliu. Dhe ashtu qe vepruar. Kaçurrelësi i vogël u dërgua në Korçë, ku u regjistrua në klasën e katërt të shkollës plotore numër 4 të qytetit. Sakaq, për të përballuar shpenzimet, pasditeve punonte në hanin e Alo Beut.

Pak më pas, së bashku edhe me disa moshatarë të vet, Sterjoja mundi të regjistrohej në Normalen e Elbasanit. Këtu u njoh me mjaft të rinj, të cilët, kohë më pas, do të bëheshin figura të njohura të letërsisë e të gjuhësisë shqiptare. U njoh dhe u bë mik edhe me Aleksandër Xhuvanin.

Ndërsa studionte, nisi të shkruante. Madje edhe të botonte. Botoi te gazetat “Ora” dhe “Normalisti”. Herë – herë shfaqi edhe guxim qytetar. Në një nga shkrimet e botuara pat kritikuar organizatorin e Entit të qytetit, Umberto de Fuçio. E kapin dhe e arrestojnë! Rrethanat erdhën të atilla më pas dhe djalin nga Gllomboçi e lirojnë.

Një këshillë vërtet frymëzuese prej Ali Kelmendit

Ndërsa ishte në qytetin e Korçës, merr vesh se bashkëfshatarët e vet ishin vënë në një hall shumë të madh: beu po u xhvaste tokat, kështu që të gjorëve iu duhej të paguanin, që ta rimerrnin tokën! Kështu do t’i duhej të vepronte edhe i ati i Sterjos. Pra, duhej të punonte edhe Sterjoja për të shlyer “borxhet” te  beu!

Duke lëvizur nëpër Korçë, rastësisht Sterjoja ndeshi një të njohurin e tij. U takuan dhe u përqafuan.

– Hajde të futemi në këtë lokalin këtu, – i propozoi shoku.

Futen. Brenda gjejnë një njëri fare të thjeshtë, që çohet menjëherë në këmbë dhe vazhdon drejt atyre që futeshin.

– Këtë djalë e kemi nga Shulet, – i thotë tjetri atij që gjetën brenda.

– Shule, Shule, por ama po e tundin! –  foli ai që sapo i kishte pritur në atë lokal. – Ashtu të bashkuar, po i tregojnë vendin beut…

Dhe shoku që e shoqëronte, e njeh Sterjon me atë që sapo takohej. Ky që u ndodhej përballë na paskej qenë Ali Kelmendi.

– Kam dëgjuar se ju shkruani, bile jeni me shumë talent, – i ishte drejtuar Aliu.

Sterjoja nuk i ishte përgjigjur. Qe ndodhur para një njeriu që po e mburrte.

– A ka dramë më të madhe se sa kjo rezistenca e goricarëve për të shkruar një vepër të gjatë, për shembull, për një roman? Brumin e keni gati. Ju jeni dhe biri i atij vendi. Ti vetëm shkruaj të vërtetën. Ti vetëm hidhe në letër këtë të vërtetë…

Sterjos i pat mbetur në kokë kjo këshillë.

Një ditë tjetër Sterjoja i shkoi Aliut së bashku me udhëheqësin e rezistencës së goricarëve. Dhe mori edhe të tjera këshilla se si duhej ta përdorte lapsin.

Dhe vite më vonë do të botohej prej Sterjos një nga romanet më interesant të letërsisë shqipe të asaj kohe: “Ata nuk ishin vetem”.

Tashmë maqedonasi nga Gllomboçi kishte nisur rrugën e shkrimtarit.

S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas

Mbas mbarimit të Normales, djaloshin nga Gllomboçi e dërgojnë mësues në shkollën e Derviçanit. Tanimë ky ishte bërë i lapsit. Jep mësim, por edhe boton artikuj njëri pas tjetrit në gazetat e Korçës. Pikërisht këtu, në Derviçan, do të njihej e do të krijonte miqësi me Petro Markon. Pikërisht  këtu lindi dhe u shkrua romani “Pse?”, që bëri bujë në rrethet e gjëra intelektuale

Mbas një viti në Derviçan, Sterjoja dërgohet mësues në Voskopojë. Tashmë njëzetedyvjeçarë, ai boton brenda një kohe të shkurtër disa shkrime, sikurse  boton edhe dy përmbledhje të vogla: “Kurorë rinie” dhe “Në krahët e një femre”. Në këto botime ai do të trajtonte tema të mprehta sociale. Sakaq, pena të njohura do të komentonin nëpër gazeta të ndryshme botimet e të riut Sterjo.

Dy vjet më pas Sterjon e transferojnë, por tashmë duke e emëruar brenda në Korçë, në shkollën plotore numër dy. Tanimë ky do t’i përkushtohej edhe studimeve të karakterit pedagogjik. Krijon biblioteka, nxit të organizohen konferenca me tematikë psikologjike e pedagogjike etj.

Në Korçë gjen rast të botojë, fragment mbas fragmenti, romanin “Pse?” në “Gazetën e Korçës”. Kjo gazetë tërhoqi një rreth të gjerë lexuesish. Dhe erdhi rasti që plot 13 gazeta e revista të bënin komentet e tyre për romanin “Pse?”.

Gjatë vitit 1938 bën përpjekje për botimin e librit “”Mësonjsja ideale”.  “Do të vazhdosh si mësues, apo si shkrimtar?” i qe drejtuar dikush. S’kanë rëndësi këpucët që vesh, por gjurmët që le mbas, ia pat kthyer Sterjoja.

I lidhur ngushtë me Lëvizjen Antifashiste Nacionalçlirimtare

Në monografinë e Prof. Ilinden Spases “Im atë, Sterjo” në faqen 100 shkruhet: “Një ditë Sterjoja u kthye më përpara në shtëpi. Papritur brenda gjen Kristo Themelkon me katër të rinj të tjerë. Mbetën për një copë herë të ngrirë të tërë.

– Më dërgoi Koloja për të të  marrë…, – tha nëpër dhemb i skuqur Kristoja. Pastaj shtoi me të shpejtë:

– Njiheni; ky është Sterjo Spasse, shkrimtar dhe mik i ngushtë i dajës, ndërsa këta janë shokët e mi: Qemal Stafa, Vasil Shanto, Xhezmi Delli dhe Vojo Kushi.

Sterjoja e toku me ta.

– Ju dy të parët ju njoh; jua kam dëgjuar zërin në gjyqin e Shkodrës, ndërsa ju dy të tjerët…, – foli Sterjoja.

– Ndërsa ne të njohim; të njohim nga “Pse-ja”, – ia bën ata thuajse njezëri.

Ndërsa Qemali vazhdoi:

– Unë t’i kam lexuar të tëra shkrimet që ke botuar që nga fillimi. Ti je proletar. Të tillë shkrimtar si ty duam ne, që të shkruash për popullin…

Në tetor të vitit 1944 Sterjoja shkoi në Priskë, ku ishte shtabi i Brigadës së Parë Partizane. Takon me shumë kuadro të lartë, Bako Dervishin, Spiro Shalësin, Nexhip Vinçanin, Lufter Hoxhën e të tjerë.

Mbas çlirimit Sterjo Spasse do të ishte anëtar i Komisionit Nismëtar për themelimin e një organizate të shkrimtarëve shqiptarë, ku bënin pjesë 11 shkrimtarë.

Nuk do të vononte të ishte emër i respektuar mes atyre që merreshin me letërsi dhe art. Nuk ishte rastësi, që së bashku me Aleks Çaçin të dërgoheshin në Kongresin e Shkrimtarëve Bullgarë, që do të ishte pjesëmarrja e parë jashtë vendit e shkrimtarëve shqiptarë në një forum të lartë ndërkombëtar.

Vizitë në dhomën ku kish pas punuar Leon Tolstoi

Mbas çlirimit Sterjo Spasse caktohet të kontribuojë në Ministrinë e Arsimit. Hartonte tekste e programe mësimore për nxënësit e shkollave shtatëvjeçare e të mesme. Shkruante e botonte në mënyrë sistematike artikuj të ndryshëm me karakter pedagogjik e didaktik.

Ndërkohë që i zhytur punës shkencore, krijimtarinë letrare nuk e ndante nga veprimtaria e tij e përditshme. Ditën – për shtetin e ri shqiptar, pasditeve e sidomos natën – për letërsinë shqiptare. Tashmë ishte bërë një emër jo vetëm i njohur, por edhe shumë i respektuar në rrethet intelektuale dhe në qarqet shtetërore.

Ashtu, në vlug të punës, e caktojnë në përbërje të një delegacioni kulturor që do të vizitonte disa vende në Bashkimin Sovjetik. Nisen. Arrijnë në Odesë dhe, nga këtu, në Kiev, ku i bie rasti të vizitojë muzeun kushtuar poetit të madh ukrainas, Taras Shevçenko. Pati rast të shikojë në Kremlinë edhe sallat e shekullit XVII të Romanovëve

Mbresëlënës do të ishte për Të vizita në shtëpinë e shkrimtarit të madh rus Leon Tolstoi në Jasnaja Poljana, dyqind kilometra larg Moskës. Në një kënd të dhomës së punës së Tolstoit Sterjoja pat lexuar një shënim që qe publikuar edhe në disa gazeta: “Dy mbretër ka ndër ne: Nikoll II dhe Leon Tolstoi. Cili nga të dy është më i fortë? Nikoll II nuk mund t’i bëjë asgjë Tolstoit; nuk mund ta trondisë fronin e tij; ndërsa Tolstoi e trondit me siguri fronin e Nikollës dhe të dinastisë së tij”.

Sterjo Spasse ka qenë me misionin e shkrimtarit edhe në Kinë, Mongoli, Suedi, Bullgari e në shtete të tjera.

Kritizerëve u vinte përballë punën plot talent

Mbas çdo romani që botonte, si edhe ndaj shumë të tjerëve, Sterjos i lëshoheshin kritikët! Dhe jo vetëm kritikët! Kështu ngjau sidomos mbas romanit “Pishtarët”. Nisën të gjuajnë me shigjeta të helmuara mjaft syresh. Pati ndonjë që mbushi dynjanë lart e poshtë me thashetheme letrare!

I shkolluar në Itali, i arsimuar edhe ne Institutin “”Gorki” të Moskës për letërsi, Sterjoja e ndjente veten të sigurt në rrugën e krijimtarisë letrare. Mirëpo… cmirëzinjtë çfarë nuk të bëjnë!

Kur u pa se duheshin vënë pikat mbi i, atëherë u krijuan katër komisione për të hartuar katër raporte të pavarur nga njëri – tjetri. Njëri raport ishte nënshkruar nga Llazar Siliqi, Fatmir Gjata e Ismail Kadareja; tjetri – nga historiani Ligor Mile; i treti – nga shtëpia botuese “Naim Frashëri” dhe i katërti nga kritiku Koço Bihiku.

Pasi u studiuan të katër këto raporte, Sterjon e thërresin në Komitetin Qendror të Partisë. Aty shefi i shtypit, Dhimitër Tona, në emër të udhëheqjes më të lartë i transmeton përshëndetjen për nisiativën shumë të çmuar që kishte marrë për të shkruar ciklin e romaneve për Rilindjen dhe për arritjet që kishte siguruar.

Dhe nuk vonoi të dekorohej nga ana e Presidiumit të Kuvendit Popullor me Urdhrin “Flamuri i Kuq i Klasit I”. Në vazhdim, do të meritonte Çmimin e  Republikës.

Disa nga veprat më kryesore të Sterjo Spasses

Siç edhe e vumë në dukje në paragrafet më lart të këtij shkrimi, Sterjo Spasse nisi herët të shkruajë. Në vitin 1934, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç, botoi librin “Kurorë lirie”’. Në po këtë vit botoi edhe librin tjetër interesant “Në krahët e një femre”.

Një vit më vonë, pikërisht në vitin 1935, botoi librin sociologjik “Pse?”. Është një libër, me të cilin ky autor fitoi dhe mbeti me shumë autoritet. Edhe sot dëgjojmë të thuhet, se “pse” – së nuk i ka dhënë dot përgjigje as vet Sterjo Spasse.

Në vitin 1944, ndërsa ishte përfshirë në Lëvizjen Antifashiste, botoi librin “Nusja pa duvak”, si dhe librin tjetër, “Afërdita”.

Mbas çlirimit të atdheut, edhe pse i zënë me shumë detyra të karakterit profesional shtetëror, Sterjo Spasse shkroi e botoi në mënyrë sistematike romane të shumtë. Kështu, në vitin 1952 botoi librin “Ata nuk ishin vetëm”.

Vit mbas viti i dërgoi lexuesit edhe vepra të tjera letrare dinjitoze, si “Afërdita përsëri në fshat” në vitin 1954, “Buzë liqenit” në vitin 1965, “Zjarre” në vitin 1972, “Zgjimi” në vitin 1973, “Pishtarë” në vitin 1975, “Ja vdekje, ja liri” në vitin 1978, “Kryengritësit” në vitin 1983, “O sot, o kurrë!”…

Vepra e Sterjos u botua e plotë në 9 vëllime, që përfshinte mbi tremijë faqe. E gjitha kjo qe një punë tepër e mundimshme për këtë shkrimtar me shumë emër.

Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta kohë më parë e dekoroi këtë shkrimtar të shquar (pas vdekjes) me Titullin “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”.

Biblioteka e Kongresit Amerikan nderon në vitin 2012 në Washington Sterjo Spassen me rastin e 98 vjetorit të lindjes.

Deri në fund të jetës, mik me Ismail Kadarenë

Shkrimtari Sterjo Spasse pati shumë miq në jetë. Dhe të tillë i mbajti tërë jetën. Se nuk thonë kot: të takosh me njerëz të mirë në jetë është fat, t’i mbash miq tërë jetën është meritë.

Një mik të tillë ai pati dhe e mbajti deri në fund edhe gjeniun e letrave shqipe, Ismail Kadarenë. Ja se si i drejtohet me një letër të ngrohtë këtij shkrimtari të madh më 4 mars të vitit 1989:

“I dashur Ismail,

Pak nga muzeumi i sëmundjeve, pak nga mosha e shtyrë (mos kujto se jam si tridhjetë vjet më parë në Moskë!), pak edhe nga mukajeti jam penguar të takohem shpesh me shokë, si dhe me ty. Por e kam ndjekur me shumë kujdes fluturimin tënd lart e më lart si shqiponjë e letërsisë dhe e kulturës sonë jo vetëm në qiellin shqiptar, por edhe në qiejt e botës mbarë dhe më është bërë zemra mal që ke hyrë në bibliotekat tona kombëtare e familjare, por edhe në bibliotekat e mbarë popujve të botës si një kalorës fisnik e ballëhapët, përfaqësues i shkëlqyer i kulturës … shqiptare të ditëve tona.

Tani, me rastin që u bëre anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike të Francës, kam gëzimin të të uroj me gjithë zemër këtë nder që ta bëri Franca, atdheu i kaq gjenive të kulturës së përbotshme. Dëshiroj me gjithë zemër që një ditë, shpejt a vonë, kjo s’ka rëndësi, të të uroj që edhe ti të rreshtohesh ndër ata gjenialë krijonjës të përbotshëm, që kanë me të drejtë edhe çmimin Nobël…

Përshëndetje e urime të përzemërta familjes tënde!

Përqafime!

Tiranë, më 4. III. 1989 Sterjo”.

*     *     *

Shkrimtarit të shquar Sterjo Spasse i janë bërë disa nderime. Në fasadën e katit të parë të pallatit ku ka pas banuar në Tiranë është vendosur një Pllakë Përkujtimore, në të cilën shkruhet: ”Këtu ka pas banuar shkrimtari Sterjo Spasse”.

Një nga rrugët e kryeqytetit, te Kodra e Priftit, mban emrin e kësaj figure të shquar.

Në vendlindje është vendosur busti i tij.

Po në vendlindje shtëpia e tij është duke u kthyer në muze, financuar nga Bashkimi Evropian.

– Para çlirimit dhe në vitet e para të pas 29 Nëntorit 1944 Sterjo Spasse i ka pas dhënë shumë arsimit shqiptar, si rrallë të tjerë, – ndërhyn fabulisti Izet, – kështu që do të ishte mirë që një nga shkollat që po ndërtohen në kryeqytet të mbante emrin e këtij shkrimtari të madh.


Send this to a friend