VOAL

VOAL

Sterr i zi qielli i Tiranës sot! Nga Ilir Kadia

May 6, 2018
1 Comments
  • author avatar
    Liza 8 years ago Reply

    Pershendetje Flutra,
    Pranoni ju lutem ngushellimet tona me te sinqerta, per dhimbjen tuaj te madhe!
    I paharuar qofte kujtmi i Birit tuaj!

    Organizata e Gruas ” Hope & Peace” SHBA.

Komentet

Shpirt rebel- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Adem Demaçit, me rastin e 8-vjetorit të kalimit në amshim)

 

 

Shpirti i tij shpeshherë është rebeluar,
ka protestuar,
ka debatuar,
padrejtësitë i ka luftuar.

Është përflakur,
është përgjakur,
i uritur e i etur ka mbetur,
hapin e kohës duke e ndjekur.

Është paragjykuar,
është shigjetuar,
por asnjëherë s’është gjunjëzuar.

As nuk është blerë e as shitur,
as nuk ka tradhtuar.
Çdoherë duke qenë vetvetja,
në amshim ka kaluar.

Me fjalën shpatë,
me syrin pishë,
prangat dhe errësirën
i shndërroi në liri dhe dritë.

Mbase në botën e përjetshme
do të prehet në qetësi;
s’do ta trazojnë më
lugetër e gojëkëqij.

Arif Ejupi
Gjenevë, 26 korrik 2026

I dha jetë volejbollit dhe sportit shqiptar, shuhet profesori Artan Pogoni

 

 

Ish-kampioni i volejbollit, Artan Pogoni

Me ndarjen e tij nga jeta, Shqipëria humbet një pedagog, studiues dhe kontribues të rëndësishëm të sportit. Artan Pogoni do të kujtohet si një nga zërat e rëndësishëm të lidhjes mes shkencës dhe sportit në Shqipëri

Është ndarë tragjikisht nga jeta Artan Pogoni, ish-kampion volejbolli, trajner dhe një prej emrave të njohur të sportit, edukimit fizik dhe administrimit sportiv në Shqipëri.

Pogoni u nda nga jeta në moshën 54-vjeçare në Vlorë, si pasojë e një infarkti. Vdekja e tij lë pas një karrierë të pasur, të ndërtuar ndër vite mes universiteteve, fushave sportive dhe institucioneve drejtuese.

Prof. Asoc. Dr. Artan Pogoni ishte një figurë e spikatur në fushën e shkencave të sportit. Ai mbante detyrën e Shefit të Departamentit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Fakultetin e Shkencave Sociale, Turizmit dhe Sportit të Universitetit “Barleti”, si dhe ishte pjesë e Senatit Akademik të këtij institucioni.

Me një formim të gjerë akademik, doktor i shkencave dhe me katër diploma universitare, Pogoni ia kushtoi jetën zhvillimit të sportit dhe edukimit fizik, duke kontribuar veçanërisht në fushat e metodologjisë së stërvitjes, rekreacionit sportiv dhe përgatitjes së brezave të rinj.

Gjatë karrierës së tij, ai ishte autor i 12 publikimeve shkencore dhe dy teksteve universitare. Gjithashtu, kontribuoi në projekte ndërkombëtare akademike përmes programeve Tempus dhe Erasmus+, duke ndihmuar në shkëmbimin e eksperiencave dhe afrimin e sportit shqiptar me standardet bashkëkohore.

Krahas angazhimit akademik, Artan Pogoni ishte aktiv edhe në sportin elitar. Ai ka shërbyer si drejtor sporti në Bashkinë e Tiranës dhe vitet e fundit ishte një nga drejtuesit kryesorë të klubit “Barleti Volej”, ku kontribuoi edhe si trajner i ekipit të femrave.

Pogoni ishte gjithashtu një zë i pranishëm në debatet publike për zhvillimin e sportit shqiptar, duke ngritur shpesh shqetësime mbi organizimin, menaxhimin dhe funksionimin e institucioneve sportive në vend.

Ndarja e tij nga jeta përbën një humbje të madhe për komunitetin sportiv dhe atë akademik shqiptar. Kolegë, studentë dhe sportistë kanë shprehur dhimbjen për humbjen e një profesionisti që për shumë vite punoi me përkushtim për edukimin dhe zhvillimin e brezave të rinj.

Artan Pogoni do të kujtohet si një nga figurat që ndërthurën shkencën me sportin, duke lënë një kontribut të rëndësishëm në historinë e volejbollit dhe arsimit sportiv në Shqipëri.

Bujar Kaloshi 30 vjet pas vrasjes!

Tiranë 26 korrik 1996 – Dy persona të armatosur qëlluan për vdekje drejtorin e përgjithshëm të burgjeve të Shqipërisë Bujar Kaloshi, jashtë shtëpisë së tij në Tiranë ndërsa ish i përndjekuri politik, u fut në makinën e tij, dhe u nisë si zakonisht për në punë, thanë burimet e policisë së Shtetit, në njoftimin e 25 viteve më parë.

Policia tha se personat të armatosur përdorën pistoleta për të qëlluar përmes xhamit të makinës zyrtare të Kaloshit.

‘Kaloshi sapo kishte dalë nga makina e tij në 7.40 të mëngjesit kur dy persona të armatosur qëlluan gjashtë plumba në xhamin e makinës së tij, duke e goditur atë në kokë dhe stomak,’ tha policia e Tiranës. Të armatosurit u përshkruan nga dëshmitarët si të veshur me rroba sportive të rastësishme dhe u “arratisën” nga vendngjarja me një makinë e cila i priste pas vendit ku ndodhi vrasja e shefit të burgjeve Kolonel Bujar Kaloshit.

Simbas, shtypit u tha se Bujar Kaloshi, 40 vjeç, ishte baba i dy fëmijëve dhe ish i presekutuar politik gjatë regjimit Komunist në Shqipëri. Ai u konsiderua si një dorë e fortë në vendosjen e drejtësisë duke u emruar nga Presidenti Berisha, si Drejtor të burgjeve shqiptare.

Vrasja e Bujar Kaloshit ishte e dyta në 10 ditët e një zyrtari të lartë qeveritar. Më 16 korrik, komisioneri i policisë Agorn Gjyrezi, 30 vjeç, i cili u vra me armë zjarri nga vrasës ende të panjohur.

Vrasja makabre!

Në mëngjesin e 26 korrikut 1996, Bujar Kaloshi si zakonisht u bë gati për punë. Piu një kafe mëngjesi me prindërit, u nda me të shoqen dhe dy vajzat adoleshente që shkonin në shkollë dhe hipi në makinë. Ishte vetëm me shoferin e tij dhe nuk e mendoj se vdekja i kishte zënë pusi. Por, sapo po dilnin në fushën e

vjetër të aviacionit, tre vetë i dalin përpara dhe i luten me shenjë që të ndalonin. Mendoi se ndoshta kishin ndonjë hall apo problem për ndonjë të afërm të burgosur që kishte nevojë.

Por, ja që nuk ishte kështu!

Me të ndaluar vetura ata i drejtuan armën Bujar Kaloshit, duke qëlluar me tërë breshërinë e karikatorit dhe menjëherë hipin në një veture, e cila i priste në fshehtësi, duke ikur me shpejtësi dhe zhduken “pa lënë gjurmë”. Ishte nje vrasje gjakëftohtë e llogaritur dhe e studiuar mjaft mirë dhe me profesionalizëm të lartë.

Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Sali Berisha e dekoroi Bujar Kaloshin me titullin e nderit “Pishtar i Demokracisë” dhe me titullin e lartë “Martir i Demokracisë”. Vepra e tij mbeti e skalitur në monumentin e madh të demokracisë…

Vrasja e Bujar Kaloshit, është e përfshirë në librin e Roland Qafokut, ” 100 vrasjet më të bujshme ” në Shqipëri”

25 vjet pas vrasjes!

Bujar Xhevdet Kaloshi (bir i një prej familjeve më në zë të krahinës së Dibrës) lindi në një kamp internimi në një fshat të Lushnjës, Grabian. Pinjolli i Kaloshve, i rritur dhe edukuar me traditat më të vyera atdhetare të familjes nga ai edhe rridhte, do të ishte nga të parët që u rreshtua në frontin e antidiktaturës, që në fillimet e lëvizjes demokratike në qytetin e Lushnjes. Ai u bë në atë kohë nismëtar dhe njëri ndër themeluesit e degës së Partisë Demokratike të Shqipërisë, në Lushnjë.

Vrasja e Bujar Kaloshit, është e lidhur ngushte me demokracine lirine dhe funksionimin e demokracise vullnetin dhe deshirne e te te gjithe qytetareve te Shqiperise, dhe segmenteve te shoqerise, te cilat respektojne parimet demokratike dhe shtetin e se drejtes per te rivendosur ne vendin e merituar te atyre vlerave, pjese e rendesishme e te cilave eshte vleresuar edhe Bujar Kaloshi.

Bujar Kaloshi ka qene nje nga personalitetet e rendesishme, të viteve të para të demokracisë në Shqipëri, i cili ne te njejten kohe konvergonte ne vetvete nje prejardhje nga nje shtrese e persekutuar, nga nje familje me tradita nacionaliste dhe individualisht si nje person qe ishte vene totalisht ne sherbim te levizjes per demokratizimin dhe lirine ne Shqiperi.

Ne themelet e demokracise se saj, Shqiperia, ka shume pishtare, te cilet u bene kurban qe demokracia te jetoje. Dhe, demokracia jetoje, ajo do te kaperceje edhe keto pengesa, apo ferra qe neokomunistet partiak perpiqen t’i ngjizin ne trupin e saj te njome. Demokratet shqiptare, ata qe e duan vertet Shqiperine, nuk do lejoje kurre qe njerez te tille si politikane dhe drejtues partishe te majata me prejardhje ish komuniste, qe jane sot me pa te drejte ne krye te tyre, ata qe, dhe kjo eshte provuar, jane mbreter te skafizmit dhe emigrimit, qe jane kapot e trafikut te mishit te bardhe ata qe e çuane kete vend drejt grminave te pafundme, ujerave te turbullta. Pikerisht per kete e dhane jeten njerezit qe e deshen demokracine dhe Shqiperine.

Personifikim njeriut të vendosur për të zbatuar ligjin!

Pas fitores së demokracisë familja e Bujarit, Xhevdeti, Shkurta dhe fëmijët (dy djem e dy vajzat), xhaxhallarët dhe kushurinjët e pare të tij, u vendosën në kryeqytet dhe një lagje periferike në Tiranë. Bujari për aftësitë dhe shkollimin e lartë u emërua drejtor i personelit në Policinë Financiare dhe më pasë deri sa u vra Drejtor i Përgjithëshëm i Brugjeve.

Postet e ngarkuara nga qeveria demokratike, për aq sa shërbeu, i konceptoi si një detyrë me ndërgjegje të lartë kombëtare, si obligim i njerit prej përfaqësueseve të kësaj shtrese, për pastrimin e shtetit demokratik nga njerëzit e korruptuar e të inkriminuar, nga nostalgjikët e regjimit të vjetër dhe të depërtuarit aty nga rradhët e ish Sigurimit të Shtetit.

Bujari Kaloshi, për aq sa i kontribuoi demokracisë së brishtë në Shqipërinë post komuniste, përfaqësonte me të gjitha vetitë figurën e zyrtarit të ndershëm e korrekt, të përkushtuar e të disiplinuar si rrallë kush tjetër. Ai personifikonte njeriun e vendosur për të zbatuar ligjin dhe mbrojtjen e ligjit deri në vdekje.

Krimi i pandëshkuar, apel për bashkëvuajtësit!

Vrasja e Bujar Kaloshit, padyshim që ishte dhe mbetet një krim i shëmtuar, i një dore vrastare që i merrte urdhërat nga kupola e kuqe. Por, kjo vrasje e kryer nga eksponentët më famëkeqë të Organizatës kriminale “Hakmarrja për Drejtësi” ishte njëherazi dhe një mësim për bashkëvuajtësit, një mësim për ata që e kanë kaluar mbi “shpinën” e tyre egërsinë e rregjimit komunist. Ishte dhe mbetet mësim për ata që kanë dashur e duan demokracinë, dhe qeverisjen demokratike. Ajo (vdekja) paraqitej edhe si simbol për t’u bashkuar kundër atyre që nuk e duan demokracinë e prosperitin e Shqipërisë, por ëndërrojnë ende rregjimin komunist. Krimi i pandëshkuar mbetet apel për bashkëvuajtësit e Bujar Kaloshit.

……Persekutimi politik i familjes Kaloshi!

Kaloshët e Dibrës, dhe të afërmëve të saj, përndjekjen dhe presekutimin e kanë që nga kur erdhi “postuar” dhe instaluar diktatura komuniste në Shqipëri, pra e ka zanafillën që në vitin 1946. Bujar Kaloshi, lindi në 1956 në Grabian – Lushnje, aty ku edhe kreu shkollën fillore, tetëvjeçare dhe të mesme, pa iu dhënë ndonjëherë e drejta, si biri e një familje të persekutuar, të vijonte studimet e larta. Me fillimin e lëvizjes demokratike në vend, ai shumë shpejtë u bë njëri prej nismëtarëve dhe orginazatorëve të proceseve demokratike në Lushnje, themelues i Partisë Demokratike në qytetin e Lushnjes. Mbas ardhjes së demokracisë u emrua Drejtor i Departamentit të Policisë Financiare. Më 1995, pasi përfundoi studimet dhe u diplomua në Fakultetin e Drejtësisë dhe Kolegjin Ushtarak(Law Faculty and Military College ) u emërua Drejtor i Përgjithëshëm i Burgjeve me gradën Kolonel.

Koha për ndëshkimin e bandës kriminale që vrau Bujar Kaloshin!

Zbardhja e aktit terrorist të vrasjes së kolonelit Bujar Kaloshit, më 26 korrik 1996 – edhe sot, 25 vjet mbas saj – është thirrje për drejtësi.., është apel për ndëshkimin ligjor që duhet të marrën bandat kriminale, vegmjet e terrorit të kuq, të shpërndara në dejete tyre, kudo mbas rrëzimit të regjimit të tyre, një grup dhe i inkuadruar në të ashtuquajturën Organizata “Hakmarrja për Drejtësi” .

Në këtë çerek shekulli të vrasjes, figura e Bujar Kaloshit, duhet kujtuar në piedestalin e figurave të ndritura të kombit, që u flijuan në emër të lirisë dhe demokracisë në Shqipëri. Sepse, ai u vra në mbrojtje të shtetit ligjor që vetëm një vit më pas, gjatë rebelimit të armatosur mafiozo-komuist të ’97-tës do të shkëmoqej që nga themelet për t’u rimarrë me armë nga të pinjollët e sistemit më gjakatar të njerëzimit.

Apeli i kësaj vrasje lules së demokracisë në Shqipëri, Bujar Kaloshit merrte rëndësi në kohën e rigjallërimit të veprimtarisë kriminale të ekpsonentëve të sgurimit të shtetit grupuar dhe në Organizatën “Hakmarrja për Drejtësi”, që siç u vërtetua dhe nga hetimi parlamentar i veprimtarisë së tyre, ajo ka pasur mbështetjen e qarqeve mafioze politike të së majtës, krerëve të saj veshur edhe me imuntetin e deputetit socialist.

Vetë, një debat parlamentar pas asaj vrasje dhe vrasjve të tjera politike, të atyre viteve debat ky rreth Raportit të Komisionit Hetimor, ose debati rreth shikimit të dosjeve të Sigurimit të Shtetit(hapja e dosjeve) që u kundërshtua me forcë nga Partia Socialiste, dëshmoi qartazi për inkriminimin e krerëve të së majtës, me në krye Kristaq Ramën, babain e kryetarit të Partisë Socialiste Edi Ramën, Gramoz Ruçin , Skënder Gjinushin, & co, ishin ata që nxisin dhe e inkurajojnin krimin e organizuar në Shqipëri.

Më shumë se kurrë, sot kur flasim per drejtësi, dhe SHBA, kan inevstuar 35 milion dollar për reformën në Drejtësi, është koha për ndëshkimin e vrarësve, dhe udheheqësve të bandave krinimale, përfshirë edhe atë që vrau kolonel Bujar Kaloshin.

Dënimin e të të gjithë atyre që fshihen e mbijetojnë në pentukun e e atyre krimeve të diktaturës në Shqipëri, do të ishte Drejtësi.( zyrtarisht janë ekzekutuar 5 577 burra dhe 450 gra. Janë dënuar 26 768 burra dhe 7 367 gra. Kanë vdekur në burg 1 065 persona. Kanë humbur aftësinë mendore 408 vetë. Kanë vdekur në internim 7 022 vetë. Në 50 vjet diktaturë komuniste, nga kjo shtresë janë kryer 914 000 vite burgu dhe 256 146 vite internim.)

Kush ishte Bujar Kaloshi:

Bujar Kaloshi (nga familjet e mëdha të Dibrës) lindi në internim në një fshat të Lushnjës më 1956. I kultivuar me traditat atdhetare të familjes, Bujari do të ishte nga të parët që u rreshtua në frontin e antidiktaturës që në fillimet e lëvizjes demokratike. Ai ishte njëri ndër themeluesit e degës së Partisë

Demokratike të Shqipërisë në Lushnjë. Pas fitores së demokracisë familja e Bujarit u vendos në Tiranë dhe Bujari u emërua drejtor i personelit në Policinë Financiare. Ai e konceptoi këtë detyrë si një obligim për pastrimin e këtij organizmi nga njerëzit e korruptuar e të inkriminuar, nga nostalgjikët e regjimit të vjetër dhe të depërtuarit aty nga radhët e ish Sigurimit të Shtetit. Bujari përfaqësonte figurën e zyrtarit të ndershëm e korrekt, të përkushtuar e të disiplinuar si rrallë kush tjetër, njeriun e vendosur për të zbatuar ligjin.

I ndjeri Bujar Kaloshi,është nderuar me Urdhrin e Lartë “Nderi i Kombit” me motivacionin:“Për kurajon e shfaqur në qëndresën ndaj diktaturës komuniste në Shqipëri,për kontributin e çmuar në vendosjen e demokracisë dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit ligjor”. Bujar Kaloshi është nderuar edhe me titullin “Pishtari i Demokracisë” dhe “Martir i Demokracisë”. Bujar Kaloshi u vra nga banda kriminale në mëngjesin e datës 26 korrik 1996, me armë zjarri në rrugën përpara shtëpisë së tij në Tiranë.

Plagët që ende kullojnë gjak- Nga ARIF EJUPI

Në Beograd, një skile e rezile,
haptas rrëfen ëndrrën e saj të zezë
për krijimin e Serbisë së Madhe
dhe shfarosjen e shqiptarëve,
edhe pse në Dardani ende gurët dhe toka kullojnë gjak.

E ushqyer me urrejtje,
racizëm e fashizëm, ecën
gjurmëve të parëve të saj,
që në këto anë u vendosën me dhunë, vrasje e plaçkë.

Fjala drejtësi
do të merrte kuptim,
e rajoni do të gjente qetësi,
vetëm kur urrejtjes, racizmit e fashizmit t’u jepej fund.

Srebrenica,
Bijeljina,
Borovo
e Kosova.
do ta ngushëllonin veten
e do t’i mjekonin plagët
që ende kullojnë gjak
dhe do t’u thoshin të masakruarve e atyre që u tretën e mbetën pa varre:

Drejtësia vonoi,
por nuk u harroi.

Promotorët e fashizmit, racizmit dhe nihilizmit,
sa më parë që të përfundojnë nën pranga,
shpresat që të mos ketë gjak e varre të reja
në Ballkanin që synon Evropën shtohen.

Ndërkaq, mëkat i pafalshëm i Evropës,
që proklamon ditë e natë bashkim e integrim,
do të ishte nëse lejon që Ballkani prapë të mbërthehet
në flakë e gjak nga të sëmurë e psikopatë.

ARIF EJUPI

Dialog me heshtjen- Nga ARIF EJUPI

Velipojë,
në rërën
dhe valët e tua të njelmëta
kërkova gjurmët
e motrës sime,
por askund
nuk i gjeta.
.
I trishtuar,
u nisa drejt Shkodrës
dhe u ngjita në kala.
.
Nisa të numëroj,
gur më gur
e rrasë më rrasë,
mos vallë do të gjeja
ndonjë gjurmë të gishtërinjve
apo të hapave të saj.
.
As aty
s’gjeta asnjë shenjë —
shiu i kishte fshirë,
e toka i kishte përpirë
në honet e veta.
.
Dhembja më kaploi,
duke m’i trazuar
shpirtin dhe zemrën.
.
Zemërthyer,
ika drejt Prizrenit;
ndjeva erën
e gjakut ende të patharë.
.
U mallëngjeva,
nisa me dënesë
të qaj.
.
Mallkova
14 korrikun 2012,
me orën e tij të zezë.
.
Motër,
nuk u pamë
vite e vite.
.
Ike
pa më thënë:
“Udhë të mbarë!”
.
Më le zemërlënduar,
e me mallin prush për ty,
sa të jem gjallë.
.
Por shpresoj
se një ditë
do të takohemi
në përjetësi.
.
ARIF EJUPI
Gjenevë, 14 korrik 2015

Aleksandër Buda, një jetë me notën dhjetë! Nga Lufti Dervishi

Një jetë me notën 10

Ka njerëz që e matin jetën me tituj dhe të tjerë që e matin me dritën që lënë pas. Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së dytë.

Ai u nda nga jeta larg vëmendjes publike, ashtu siç jetoi për dekada, i përqendruar te kërkimi, shpikja dhe puna e palodhur.

I lindur në Gjirokastër, ai kreu studimet në Fakultetin e Minierave me rezultate të shkëlqyera. Edhe pse gjatë regjimit komunist u përjashtua përkohësisht nën akuzën absurde të kohës, “agjitacion dhe propagandë”, ai gjeti forcën të rikthehej. Jo vetëm që i përfundoi studimet në mënyrë të jashtëzakonshme, por mbeti ndër të rrallët studentë që mori notën maksimale 10 absolute në lëndën “famëkeqe” të Rezistencës së Materialeve, një sprovë që tmerronte breza të tërë inxhinierësh.

Edhe pse nuk u njohëm kurrë, një rastësi e vogël e jetës na lidh: unë zgjodha të njëjtin profesion, inxhinierinë e shpimit, disa vite pasi Aleksandër Buda (Leka) kishte nisur rrugën e tij profesionale.

Në vitin 1991 ai mori rrugën drejt Francës. Filloi gjithçka nga e para, si mekanik motoçikletash, duke rindërtuar jetën në një terren të panjohur. Ishte nga ato histori emigracioni ku nuk mjaftonte vetëm talenti, duhej edhe një këmbëngulje prej asketi. Ai i kishte të dyja. Këtë rrugëtim e dokumenton edhe revista Arts et Métiers ParisTech, e cila e portretizon si njeriun që zgjodhi Francën “për idealet e lirisë dhe demokracisë”.

Nga Instituti Francez i Naftës, rrugëtimi i tij kaloi në kompani prestigjioze si Geoservices dhe Schlumberger, për t’iu përkushtuar përfundimisht kërkimit shkencor dhe projektimit inxhinierik. Karriera e tij nuk ishte ajo e një teknicieni që zbaton skema ekzistuese, por e një shpikësi që krijon zgjidhje të reja. Ai projektoi instrumente për eksplorimin e nëntokës, sisteme ultrasonike dhe pajisje matëse të avancuara, duke bashkuar në një profil të vetëm mekanikën, elektronikën, gjeofizikën dhe akustikën.

Kulmi erdhi në vitin 2006. Pa ndjekur një program tradicional universitar, ai mbrojti qindra faqe punë shkencore përpara profesorëve të Arts et Métiers ParisTech, njërës prej Grande Écoles më prestigjioze të Francës. U bë kështu inxhinieri i parë me origjinë shqiptare që fitoi këtë diplomë përmes procedurës së rreptë të njohjes së përvojës profesionale, një arritje e jashtëzakonshme edhe për vetë Francën. Emri i tij u botua në Journal Officiel de la République Française si mbajtës i diplomës së inxhinierit.

Në biografinë e tij zyrtare thuhet diçka që e përkufizon më mirë se çdo dekoratë: “Aleksandër Buda i përkiste kategorisë së rrallë të inxhinierëve-shpikës, njerëz që nuk mjaftohen duke zbatuar dijen ekzistuese, por imagjinojnë mjete të reja, krijojnë metoda të reja dhe hapin shtigje të reja teknologjike.”

Edhe në vitet e fundit të jetës, mendimi i tij mbetej i lidhur me Shqipërinë.

Pas ndarjes së tij nga jeta, familjarët gjetën në telefon komunikime me Ministrinë e Industrisë, të vitit 2019, për një projekt inovativ të vlerësuar në Francë, të cilin ai dëshironte ta vinte në zbatim pa asnjë përfitim personal në vendlindje. Edhe pasi kishte prekur majat e reputacionit në Francë, ai ende kërkonte mënyra për t’i kthyer diçka vendit.
Është një nga ato ironi që vetëm koha di t’i prodhojë: Shqipëria nuk arriti ta mbante kur ishte i ri dhe nuk diti ta përdorte kur ishte në kulmin e krijimtarisë së tij.

Aleksandër Buda do të përcillet për në banesën e fundit këtë të shtunë në Berat, pas meshës në Katedralen Ortodokse.

Largimi i tij është një humbje e madhe, por harresa do të ishte një humbje edhe më e madhe. Një vend që nuk kujton njerëzit që ndërtojnë pa zhurmë, rrezikon të mbetet gjithmonë duke kërkuar heronj të rremë atje ku ka vetëm zhurmë.

Ndërtues urash- Nga ARIF EJUPI

 

(Kushtuar Bajrush Behramit, të burgosurit politik të ndërgjegjes sonë kombëtare, bashkëpunëtorit më të ngushtë të Ukshin Hotit dhe ushtarit të radhëve të para të UÇK-së)

 

 

Shtatmesëm, flokëgështenjë,
sy ulliri, qëndrim burri.

Kur thoshte “po”,
fjalën e tij mund ta thyente vetëm vdekja.

Po t’i shtroje bukë e kripë,
ishte mirënjohës.

Atë që e konsideronte shok e mik,
dhe që luftonte pa hile për Atdhe,
jepte kokën për të.

Ata që heshtnin
edhe kur vendi ishte në robëri,
haptas i mallkonte.

E kishte pasion artin.
Portretizonte Gjergj Kastriotin,
Norën e Hotit,
Idriz Seferin
e Mic Sokolin.

Kur dikush e pyeste
pse vetëm ata,
përgjigjej:

“Po të mos ishin ata,
nuk do të ishim ne.”

Për këngën, thirrje lirie,
dhe përpjekjet për ribërjen e Shqipërisë,
e burgosën dhe e dënuan —
por kurrë nuk e thyen,
as nuk e nënshtruan.

Iu gëzua çlirimit të Kosovës
më tepër
se lindjes së katër fëmijëve të tij.

Iku më 30 qershor 2018
me amanetin:

Ruajeni si sytë
vendin
dhe njëri-tjetrin.

I gjithë Llapi e njohu
si burrin që ndërtonte ura
dhe bashkonte njerëz,
rrënonte mure
dhe shuante hasmëritë.

Kushdo që kalon
pranë varrit të tij,
lotët e tradhtojnë.

Vërtet ishte burrë,
shpirtbardhë
dhe engjëllor.

ARIF EJUPI
Crans-Montana, 10 korrik 2018

 

E S E PIKTORI QË PRUNI NGJYRAT N’LAÇ (Në kujtim të artistit Tish Staka (1933–2004) Nga Ndue Hoti

 

Nganjëherë, për të njohur jetën e një artisti, duhet të takosh njerëzit që e kanë dashur më shumë. Kështu më ndodhi edhe mua kur, në kërkim të të dhënave për piktorin Tish Staka, trokita në derën e motrës së tij, Anna Gjoni.

E gjeta Anën në ballkonin e shtëpisë së saj, duke shtrirë rrobat. Kur e pyeta nëse ishte ajo që kërkoja, më pa me kureshtje dhe më ftoi të bisedonim. Pak më vonë u ulëm në një lokal të vogël pranë shtëpisë së saj. Ajo porositi vetëm një kafe turke, ndërsa unë një pije freskuese. Kështu nisi një rrëfim i gjatë për jetën dhe veprën e të vëllait.

Anna kishte ardhur në Laç pas martesës me Martin Gjonin, specialist mekanik nga Durrësi. Ishte fillimi i viteve gjashtëdhjetë, kur qyteti industrial i Laçit kishte nevojë për specialistë e kuadro të rinj. Fillimisht u vendosën në Pallatin Nr. 1 të qytetit të ri, ku pak kohë më vonë erdhi edhe vëllai i saj, Tish Staka.

I lindur në lagjen Rus të Shkodrës më 1933, Tishi kishte kryer shkollimin në gjimnazin jezuit të qytetit dhe më pas studimet e larta për pikturë dega skenografi. Megjithatë, rruga e tij profesionale nuk ishte e lehtë. Fillimisht punoi si bojaxhi në Parkun e Automjeteve të Laçit, ku lyente mjetet pas remontit. Por talenti nuk mund të mbetej gjatë i fshehur.

Në vitin 1970, falë mbështetjes së drejtorit të Pallatit të Kulturës, Mal Berisha, ai u afrua pranë jetës artistike të qytetit. Aty punoi mes dizenjatorëve dhe artistëve të njohur si Ndue Pepa e Gjin Zajsi, ndërsa në të njëjtin mjedis vepronte skulptori i mirnjohur Vasil Rakaj, edhe muzikanti e kantautori shkodran Ruzhdi Keraj, kangtaret Paulin Trieshi e Sokol Preci, . Ishte një periudhë e gjallë artistike për Laçin.

Më vonë, për shkak të aftësive të tij profesionale, Tish Staka u transferua në Shtëpinë e Kulturës së Krujës, ku vazhdoi veprimtarinë si skenograf. Edhe pse familja mbeti në Laç, ai udhëtonte çdo ditë drejt Krujës, duke ndarë jetën mes dy qyteteve dhe duke iu përkushtuar artit me një disiplinë të admirueshme.

Sipas motrës së tij, Tishi trashëgoi shumë nga karakteri i të atit, Kol Matish Stakës, mësues i njohur për seriozitetin dhe përkushtimin ndaj dijes. Përveç skenografisë, pasioni i tij ishte piktura. Punonte portrete, natyra të qeta dhe riprodhime të veprave të mjeshtërve shqiptarë.

Një ndër frymëzimet e tij ishte Simon Rrota dhe tradita e pikturës shkodrane, ndërsa ndër veprat më të dashura për familjen mbeti portreti që i dhuroi motrës së tij Anna në ditën e martesës. Megjithëse ishte artist me formim të lartë, mbi jetën e tij rëndonte hija e biografisë. Shkollimi në gjimnazin jezuit të Shkodrës shihej me dyshim nga regjimi i kohës.

Ndoshta edhe kjo ndikoi që ai të largohej nga qyteti i lindjes e të kërkonte hapësira të reja krijuese në Laç e Krujë.

Ndryshimet politike të viteve nëntëdhjetë e gjetën Tishin të sëmurë. Një pjesë e veprave artistike të ruajtura në institucionet kulturore të Laçit u dëmtuan ose humbën gjatë trazirave të tranzicionit.

Megjithatë, kujtimi i tij mbeti i gjallë tek familjarët, kolegët dhe miqtë.

Në fund të bisedës sonë, Anna e përmblodhi figurën e të vëllait me pak fjalë, por shumë domethënëse: “Tishi ishte njeri i thjeshtë, i dashur, i komunikueshëm, një vëlla i mirë, një shok besnik dhe një baba i përkushtuar.” Ndoshta ky është portreti më i bukur që mund t’i bëhet një artisti.

Sepse përtej pikturave, skenografive dhe veprave të artit, mbetet njeriu. Dhe Tish Staka, sipas kujtimeve të atyre që e njohën, ishte para së gjithash një njeri i mirë. Ja si e komentoi keto dite ESE-n time kolegu i tij Vasil Rakaj(sot ne ShBA, autor i shume veprave skulpturore nga udheheqes te kryengritjeve shqiptare si vellezerit Coku, te vendosur ne qytetin e Lezhes deri te udheheqes botnor): Me vjen shum mire qe ju z.Ndue Hoti sidhni nje emer te nderuar , Tish Staken, si nje artist skenograf, qe ka dhane kontribut ne edukimin artístiko -patriotik gjate kohes se tij ne qytetin industrial te Lacit. Tishi, nje kontribut te mire ka dhane edhe per ekspozitat e kultures popullore ne Kruje e Shkoder, ku eshte nderuar dhe me çmime. Ishte nje tip shoqeror dhe aktivist ne organizimin e ekspozitave ne Lac e ne Kruje.

Tishi ishte i emruar piktor I Pallatit te Kultures ne Laç, detyre qe e mbulonte me kompetence>>. Tishi ishte nje drite permes artit qe la pas. Ai u nda nga jeta më 26 gusht 2004 dhe prehet në varrezat e Rrmajit në Shkodër. Por ngjyrat që solli në jetën kulturore të Laçit dhe Krujës vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që e njohën dhe e vlerësuan. Pallatit të Kulturës të qytetit te Laçit, duhet te promovoje veprat e ketij piktori skenograf me fotografi, ritrata të veprave të tij dhe me një listë të punimeve të njohura, duke u kthyer në një studim më të plotë për figurën e piktorit Tish Staka. ~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~~

VO: Mendoj se kjo ESE për Tish Stakën, ne 22 vjetorin e ndarjes nga jeta, ka vlerë jo vetëm biografike, por edhe dokumentare për historinë kulturore të Laçit në gjysmën e dytë të shekullit XX.

BABA, TA SHOH DRITËN… – Nga Albert HABAZAJ

 

 

Sa herë si fëmijë vij te shtëpia e madhe

Ulem ku ti re me tre dega rrushi në dorë,

Me zë malli t’i them dy fjalë në heshtje

Edhe pse flokët më janë mbushur me borë.

 

Edhe një gotë qelqi me raki nga jotja

Aty ta lë, ku ka çelur dhe një trëndafil,

Kaq vjet boshuar kanë ngelur koshat

Kaq vjet mbi trëndafil këndon një bilbil.

 

Rakia e rrushit që ti bëje qe mjaltë

Se ti me miq e ktheje dhe çelje pranverë,

Nga damixhanët që ke lënë, pi pak

E vij tek ti poshtë hardhisë – ky ritual çdo herë…

 

13 qershori yt me dritërimë shpirti

Më bën të dobët, lëmsh e gur e gërxh në grykë,

Të kisha mësues e vëlla të madh të kisha

Kujtime nëpër lot, malli rëndë m’i lag sytë…

 

17 vjet pa ty baba, po me emrin tënd

Si firmë të denjë drite, që le në hapësirë,

Kur tek ti vij, fëmijë ndihem, me tërë mend

Si zog më rreh zemra e ta shoh dritën,

o mësuesi im më i mirë…

Bardhi ynë i shenjtë – Një jetë virtyti, dashurie dhe dinjiteti- Nga Eduard M. Dilo

              Bardhyl  M. Dilo

                 17-4-1954 — 28-4-2026

Ikën gjithkush nga kjo jetë kalimtare pa marrë me vete asgjë. Pas lë kujtime, dashuri, mall, lot dhe dhimbje në zemrat e atyre që e deshën dhe që i deshi.

Sot, në 40-ditshin e ndarjes nga jeta, kujtojmë me dhimbje, dashuri, respekt, mall dhe mirënjohje vëllanë tonë të shenjtë Bardhyl, një njeri me virtyte dhe cilësi të larta njerëzore.

Sipas Aristotelit, njeriu me virtyte ka të harmonizuar në qenien e vet virtytin intelektual(Διανοητικές)dhe atë moral (ηθικές).

Këto dy dukuri ishin të mbrujtura në mënyrë ideale( në të mesmen e artë -na mëson Aristoteli) te vëllai ynë i shtrenjtë, te shenjtori ynë Bardhyl.

Prandaj ai dallonte kudo: në familje, në shkollë, në shoqëri, në punë dhe në krijimtari.

Ne qoftë se do shprehem me vlerësimin që i ka bërë familjes Dilo, poeti dhe studiuesi Agim Shehu, Bardhi është filizi i shëndetshëm i asaj peme gjigande që furtunat e kohës e përzhitën, por nuk mundën ta përkulnin.

Bardhi ishte fëmija i tretë ndër pesë fëmijët e Margarit Dilo dhe Viktoria (Xhamballo) Dilo.

Ndër pesë fëmijët, babai i tyre, Margariti – një njeri i paisur me kulturë të gjerë perëndimore, (kishte mbaruar Institutin Amerikan të Fullcit në Tiranë dhe Universitetin për Matematikë në Athine), vuri re se Bardhi kishte cilësi të veçanta në sjelljen e tij virtuoze dhe në karakterin e tij këmbëngulës për t’i përsosur këto virtue.

“Ky djalë”, thoshte ai, “në kushte normale do të ngjiste maja dhe do t’i jepte shumë njerëzimit.”

Por “rrufetë e kohës” nuk lejuan që  lastari i shëndetshëm i pemës Dilo të zhvillohej. Shokët dhe shoqet e shkollës së mesme deshën që ta kishin pranë në auditorët e universitetit …, por Bardhit i ishte mohuar kjo e drejtë.

Profesorët e tij shprehnin konsiderata të larta për ish-nxënësin e tyre të shquar, jo vetëm në mësime e sport, por edhe në fushën e artit e të studimeve. Ai pikturonte bukur dhe provonte të krijonte skulptura përmes gdhendjeve në gur.

Përherë i gatshëm për të ndihmuar të tjerët, fitoi respektin dhe dashurinë e të gjithë atyre që e njohën.

Pas përfundimit të shkollimit dhe specializimeve profesionale, punoi me përkushtim dhe profesionalizëm si kipist në Azotikun e Fierit, ku u vlerësua për korrektësinë dhe aftësitë e tij.

Më vonë, me ndryshimet politike që ndodhën në vendin tonë, mori së bashku me familjen rrugën e emigrimit dhe u vendos në Athinë. Edhe atje vazhdoi të dallohej për korrektësi, punë dhe dinjitet.

Jeta nuk qe e lehtë për të. Punoi me mish e me shpirt për familjen, duke sakrifikuar për gjithçka. 

Ëndërrën që kishte në jetë për të vazhduar studimet e larta, e realizoi në fëmijët e Tij: Dy vajzat i studioi në Universitet dhe studime pasuniversitare.

Vitet e fundit u përball me probleme të rënda shëndetësore, por asnjëherë nuk u ankua, nuk u dekurajua dhe nuk u dorëzua. Me kurajë dhe shpresë përpiqej të jetonte çdo ditë, duke besuar se gjithçka do të përmirësohej.

Fjalët e tij të zakonshme ishin:

“Jam mirë, do të bëhem mirë.”

Ai e donte jetën dhe dëshironte ta jetonte sa më gjatë.

Në këtë përballje të vështirë nuk ishte kurrë vetëm. Dy vëllezërit e mëdhenj iu gjendën pranë në çdo kohë, duke mos kursyer asgjë. Kujdesi, dashuria dhe përkushtimi ndaj tij nuk munguan asnjëherë.

Që kur ishim te vegjël, u rritëm në një mjedis familjar ku dashuria vëllazërore dhe dashuria për motrën ishte gjithmonë shtylla themelore. Kemi qenë gjithmonë shumë të lidhur. Ashtu u rritëm, ashtu u edukuam, ashtu na e lanë amanet prindërit tanë: të duam dhe të qëndrojmë pranë njëri-tjetrit në çdo rrethanë.

Babai na la herët, por u rritëm nën kujdesin e nënës, hallës dhe të afërmve tanë. Kaluam vështirësi, punuam që të vegjël për të siguruar jetesën, u ngjitëm maleve për të mbledhur bimë medicinale dhe mbijetuam me të ardhurat që siguronim prej tyre. Ndamë bashkë çdo hall e çdo gëzim.

Nuk u ndamë kurrë në vështirësi. Dhimbja e njërit ishte dhimbja e të gjithëve.

Bardhi ishte gjithmonë i pakursyer, i palodhur dhe i gatshëm të ndihmonte. Shquhej për shkathtësi, korrektësi, sinqeritet, ndershmëri dhe dashuri për njerëzit. Në dukje serioz, por me zemër të ngrohtë dhe humor të hollë, dinte të sillte buzëqeshje edhe në çastet më të vështira.

Më 28 prill 2026, vetëm pak ditë pasi kishte mbushur 72 vjeç, Bardhi mbylli sytë përgjithmonë në Athinë.

Vdekja e ndau nga ne, nga familja, të afërmit dhe shoqëria, Bardhin tonë të shtrenjtë. Ndarja e tij nga jeta ndodhi qetësisht, por la një boshllëk të madh në zemrat tona.

Trupi i tij prehet në Fier, ku kaloi pjesën më të madhe të jetës. Aty, më 1 maj 2026, iu dha lamtumira e fundit mes familjarëve, miqve dhe dashamirësve të shumtë që erdhën për ta nderuar dhe për të ndarë dhimbjen me ne.

Shpirti i tij, shpirti i Bardhit tonë, i Bardhit të të gjithë njerëzve të mirë, në formën e një engjëlli kujdeset për ne.

Nuk mund të lë pa përmendur dedikimin kushtuar atij:

BARDHIT

Ty,

Që jeta të dhuroi

Kurorën

Me gjemba shumë…

Krahë thyera Shqiponjë

Fluturove në furtunë.

Ma jep krahun, vëllai im,

Bashkë ngjitemi në male.

Ti,

Shenjt i zbritur në tokë,

O ikonë legjendare.

Lamtumirë, Bardhi ynë!

Dhimbja për ty do të pushojë vetëm kur të vijmë pranë teje.

Kanë kaluar 40 ditë, por mungesa e tij ndihet çdo ditë. Mëngjeset vijnë si më parë, por nuk janë më të njejtë . Bardhi ynë I shenjtë mungon në radhët tona. Është këputur një hallkë e zinxhirit të vëllazërisë.

Ne dhe motra kemi sot një vëlla më pak; kemi humbur një pjesë të zemrës sonë.

Sytë lotojnë sa herë kujtojmë ditët e fëmijërisë, jetesën në Sheper, në Fier, bisedat, punët, sakrificat dhe çastet e bukura që ndamë bashkë. 

Kujtojmë dashurinë e tij për familjen, përkushtimin në punë dhe shpresën që nuk e humbi kurrë, edhe kur sëmundja e rëndonte çdo ditë.

Nga pema jonë me pesë lastarë  Bardhi ynë i shenjtë u largua nga radhet tona, por kujtimi i tij do të mbetet përherë i gjallë.

Besojmë se atje ku prehet tani, Bardhi ka gjetur qetësinë dhe paqen që i munguan në vitet e fundit të jetës.

I dashur vëlla, mungesa jote është e madhe dhe dhimbja e ndarjes nuk shuhet. Por bashkë me dhimbjen jeton edhe mirënjohja që patëm fatin të të kishim mes nesh.

Do të kujtojmë gjithmonë mirësinë tënde, punën tënde, buzëqeshjen, humorin dhe dashurinë që na fale.

Përherë i paharruar do të mbetesh në zemrat tona.

Kujtimi i njerëzve të dashur jeton përmes dashurisë, respektit dhe fjalëve që u kushtojmë. Bardhi ynë ka lënë pas jo vetëm mall e dhimbje, por edhe një trashëgimi mirësie, dinjiteti, dashurie prindërore dhe vëllazërore.

Pushofsh në paqe, Bardhi ynë i dashur.

Dritë pastë shpirti yt në përjetësi.

Lokomotiva e Mërgatës- Rrëfim për Hafiz Gagicën- Nga Neki Lulaj

 

Viti 1992 ishte ende i freskët në kujtesën time. Kisha vetëm pak javë që kisha mbërritur në Gjermani. Ishte një kohë e vështirë për ne shqiptarët e Kosovës. Atdheu ynë gjendej nën okupim, ndërsa ne, të shpërndarë nëpër Evropë, përpiqeshim të gjenim njëri-tjetrin, të organizoheshim dhe të mbanim gjallë shpresën për liri.

Një ditë, disa mërgimtarë më treguan për një adresë në Stuttgart. Më thanë se në Königstraße 23 ndodhej Dega e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gjermani dhe Evropë. Më thanë gjithashtu se aty vepronte një burrë që gëzonte respekt të madh në mesin e shqiptarëve, një njeri që jetën ia kishte kushtuar çështjes kombëtare.

— Quhet Hafiz Gagica, — më thanë.

Emri i tij më mbeti në mendje.

Pas pak ditësh, së bashku me një mikun tim, vendosëm ta takonim. Nuk kishim paralajmëruar askënd. As telefon, as takim të caktuar. Kishim vetëm adresën e shkruar në një copë letër dhe dëshirën për të njohur njerëzit që po mbanin gjallë organizimin shqiptar në mërgim.

Udhëtimi me tren zgjati disa orë. Për ne, që sapo kishim ardhur në Gjermani dhe nuk dinim pothuajse asnjë fjalë gjermanisht, gjithçka dukej e madhe dhe e panjohur. Kur zbritëm në Stuttgart, mbajtëm letrën në dorë dhe nisëm të pyesnim kalimtarët.

Disa ngrinin supet dhe vazhdonin rrugën. Të tjerë ndaleshin dhe përpiqeshin të na ndihmonin. Pas shumë pyetjesh, kthesash dhe kërkimesh, më në fund arritëm në Königstraße.

Kur pamë numrin që kërkonim, zemra na rrahu më fort.

Për herë të parë, në mes të Gjermanisë, po hynim në një vend ku flitej shqip dhe ku rrihte zemra e organizimit shqiptar.

Shtypëm zilen.

Pas pak sekondash u dëgjua një zë që na ftoi të hynim.

U ngjitëm me nxitim shkallëve dhe në katin e dytë gjetëm një derë të hapur. Aty na priti Sali Çekaj. Përshëndetja e tij ishte aq e ngrohtë, sa menjëherë u ndjemë sikur kishim hyrë në një shtëpi shqiptare.

Brenda pamë Donika Gërvallën dhe Zymer Lulajn. Të dy na pritën me buzëqeshje dhe respekt. Në zyrë mbretëronte një atmosferë pune, por edhe një frymë familjare që rrallë e gjeje nëpër institucione.

Ndërsa po pinim kafenë që na ofruan, dera e një zyre tjetër u hap.

Një burrë shtatlartë, me fytyrë të qeshur dhe me një shikim të qetë e të mençur u afrua drejt nesh.

Na shtrëngoi duart me ngrohtësi.

— Mirë se keni ardhur! Unë jam Hafiz Gagica.

Në ato çaste nuk po shihja thjesht një drejtues politik.

Po shihja një njeri që rrezatonte besim.

Një njeri që të bënte menjëherë për vete me thjeshtësinë e tij.

U ul pranë nesh dhe filloi të bisedonte sikur të njiheshim prej vitesh. Nuk pyeti vetëm kush ishim. Ai donte të dinte si jetonim, çfarë punonim, çfarë mendonim për Kosovën dhe çfarë mund të bënim për të.

Ai fliste me qetësi, por në çdo fjali ndjeje forcën e bindjes së tij.

Kur fliste për Kosovën, sytë i ndizeshin.

Kur fliste për Presidentin Ibrahim Rugova, ndihej respekti i thellë që kishte për të.

Kur fliste për lirinë, dukej sikur ajo ishte një realitet që e shihte tashmë përpara vetes.

Atë ditë mësova shumë më tepër sesa kisha pritur.

Mësova se mërgata nuk ishte vetëm një bashkësi njerëzish larg vendlindjes.

Ishte një front i tërë pune.

Një ushtri pa armë.

Një organizim që jetonte me idealin e lirisë.

Kur u larguam nga ajo zyrë, nuk ishim më të njëjtët njerëz që kishim hyrë aty disa orë më parë.

Kishim marrë me vete frymëzim.

Kishim marrë përgjegjësi.

Kishim marrë besim.

Pak javë më vonë themeluam Aktivin e LDK-së në qytetin ku jetonim. Brenda një kohe të shkurtër, mbi njëqind bashkatdhetarë iu bashkuan aktivitetit tonë.

Dhe në çdo hap të atij organizimi ndihej ndikimi i Hafiz Gagicës.

Vitet kalonin.

Takoheshim në tubime, në mbledhje, në veprimtari kombëtare dhe kulturore.

Por me kalimin e kohës marrëdhënia jonë nuk mbeti vetëm në kuadër të aktivitetit politik.

U bëmë miq.

Miq të sinqertë.

Ai ishte i pranishëm edhe në orët letrare që organizonim në Lidhjen e Shkrimtarëve, Artistëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Gjermani.

Shpesh vinte në shtëpinë tonë bashkë me bashkëshorten.

Bisedat me të zgjasnin me orë.

Fliste pak për veten.

Shumë për Kosovën.

Edhe më shumë për njerëzit.

Një ditë, gjatë një dreke familjare, tha me buzëqeshjen e tij karakteristike:

— Sa do të doja të bëhesha një ditë kumbar i shtëpisë suaj.

Askush nuk e dinte atëherë se koha nuk do t’ia plotësonte atë dëshirë.

Vitet sollën sprova.

Një kohë u gjenda në spital për shkak të sëmundjes.

Pikërisht atëherë mësova se edhe Hafizi po luftonte me një sëmundje të rëndë.

Për një kohë vazhduam të flisnim në telefon.

Zëri i tij mbeti po ai.

I qetë.

I matur.

Optimist.

Por dita-ditës sëmundja po fitonte terren.

Kur mora lajmin e largimit të tij nga kjo botë, ndjeva një boshllëk që nuk mbushet lehtë.

I thashë bashkëshortes sime:

— Lale, sot paskemi humbur edhe një mik të madh.

Dhe vërtet ashtu ishte.

Nuk ishte larguar vetëm një mik.

Ishte larguar një epokë.

Një njeri që për dekada kishte qenë shtyllë e organizimit shqiptar në Evropë.

Një njeri që kishte mbajtur hapur derën e shpresës për mijëra bashkatdhetarë.

Një njeri që kishte ditur të bashkonte, jo të përçante.

Sot, sa herë kujtoj ato shkallë në Königstraße 23, më del përpara fytyra e tij.

Buzëqeshja e tij.

Shtrëngimi i dorës.

Zëri i tij i qetë.

Dhe bindja e palëkundur se Kosova do të bëhej e lirë.

Për shumë njerëz, Hafiz Gagica ishte veprimtar.

Për të tjerë, organizator.

Për mua, ai mbeti lokomotiva e mërgatës shqiptare.

Një burrë që ecën përpara kohës së vet dhe që la pas gjurmë që nuk i fshin as harresa, as vitet.

Sepse njerëzit e tillë nuk jetojnë vetëm në histori.

Ata vazhdojnë të jetojnë në kujtesën e atyre që patën fatin t’i njohin.


Send this to a friend