Dikur, filmi shqiptar ishte një familje e madhe.
Unë u bëra pjesë e kësaj familjeje në vitin 1975, kur një prej regjisoreve të reja të Kinostudios “Shqipëria e Re”, Xhanfize Keko, më përzgjodhi për të luajtur rolin kryesor në filmin “Beni ecën vetë”.
Duke lënë mënjanë gjithë mundimet që pasuan atë përzgjedhje, dua të tregoj disa episode të vogla që, sot, pas 50 vitesh, më duken shumë të mëdha sepse tregojnë jo vetëm historinë time, por edhe mënyrën se si funksiononte ajo “Bote”
Xhanfize Keko — Teta Xhano, siç e thërrisnim ne femijet e saj — do të bëhej më vonë një emër i njohur i Kinemase edhe jashtë Shqipërisë. I ndrittë shpirti atje ku prehet! Ajo i dha kinemasë shqiptare një hapësirë që deri atëherë pothuajse as nuk konsiderohej : “Botën e Fëmijëve” Fëmijët e filmave të saj janë sot baballarë e gjyshër. Jeni ju qe me lexoni.
Kjo grua e apasionuar, kjo nënë e përkushtuar dhe regjisore e jashtëzakonshme, më kishte perzgjedhur mua për Benin e saj.
Por….një natë përpara nisjes për xhirime, ajo u detyrua të lajmëronte familjen time se unë nuk do ta luaja më rolin kryesor.
Valixhja ime ishte bërë gati. Të nesërmen duhej të nisesha.
Papritur, nuk isha më Beni.
Do të isha thjesht një nga fëmijët e filmit, me premtimin se Xhanua do të më mbante në mendje për filmat e saj të ardhshëm.
Në atë moment hyri në histori gjyshi im, Sotir Spiro Gjonça.
Gjyshi kishte qenë luftëtar, partizan në çetën e Babë Myslymit. Nga lufta kishte dalë me një copë mortaje vetëm një milimetër larg zemrës si medalje. Nuk e hoqi kurrë nga trupi dhe e mori me vete edhe në varr.
Ishte njeri që besonte tek drejtësia qe njeriu meriton si qenie , si specie e krijuesit , e qe duhej te perkthehej ne ligje ky ti sherbenin atij, kishte enderruar per te, qe kur mushkonjat i çanin lekuren e lyer me uthull ne Novoselen e 1930-es, por që pikërisht prej asaj endrre kishte vuajtur rëndë.
Familja jonë nga ana e mamase kishte kaluar goditje të mëdha. Djali i tij i madh, pra daja im , kishte humbur jetën gjatë shërbimit ushtarak, një ngjarje që familja jonë nuk e përjetoi kurrë thjesht siç u paraqit zyrtarisht. Vetë gjyshi, nga poste shumë të larta në drejtësi, kishte përfunduar i ulur në detyrë deri në Vlorë.
Kur mori vesh se unë nuk do të isha më Beni, ai telefonoi Znj.Xhanfize Keko.
“Çfarë ka ndodhur?” — e pyeti. “Si është e mundur që Erioni, që ka bërë valixhen gati dhe nesër duhet të niset për xhirime, papritur nuk është më aktori kryesor?”
Xhanua, me sinqeritet, i shpjegoi se ishte rikthyer një fëmijë tjetër që produksioni e kishte pasur më parë në mendje dhe që kishte qenë i angazhuar edhe në filma të tjerë të Kinostudios.
Gjyshi e dëgjoi dhe pastaj i tha:
“Zonjë, Kinostudioja institucioni . Ju jeni regjisorja së cilës shteti i ka besuar një film. Dje vendosët që Herioni ishte Beni. Sot ky vendim ndryshoi. A keni besim në përzgjedhjen tuaj? A mendoni se, kur vendosni, po bëni gjënë e duhur për filmin tuaj , per filmin e ketij institucioni ku punesoheni ?
Ajo iu përgjigj se po.
“Atëherë,” i tha gjyshi, “që nesër të mos ju mbetet juve barra nëse filmi pati apo nuk pati sukses, bëni një audicion. Vendosini të dy fëmijët përballë njëri-tjetrit. Le të vendosë institucioni, bashkë me ju, se cili duhet ta luajë Benin.”
Xhanfize Keko e pranoi , pasi tashme nje Zonje si ajo kishte nje llogjike ndihmese ne krah te saj.
Nëpërmjet drejtorit të Kinostudios, Z. Todi Bozo, u organizua audicioni.
Atë audicion e fitova me vota unanime nga Akademia e Filmit Shqiptar te assj kohe. Qe mos shkoj me tej po permend vetem 2 emra Viktor Gjiken dhe Dhimiter Anagnostin e mbase 10 vete te tjere me aq sa mbaj mend. Kishin sjelle dhe Zotin Pandi Raidhi me gjithe nje kale te bardhe qe ishte pjese e skenes se audicionit , atje , ne baçen perkrah godines , ku sot eshte shkolla e Kinemase se Z.Kujtim Çashku.
Kështu u bëra Beni.
Por kishte edhe një pengesë tjetër, mbiemri im.
Familja e babait tim mbante mbi vete biografinë e ish-pronarëve dhe të “kulakëve”. Babai im ishte nën trysninë e sistemit dhe në thashetheme flitej edhe për rrezikun që mund të akuzohej për agjitacion e propagandë e madje te burgosej pasi kishte dhe nje nene Italjane, te nderuaren gjyshen time Z.Linen.
Në Shqipërinë e asaj kohe, një mbiemër mund të ishte shumë më tepër se një mbiemër. Mund të të hapte një derë. Mund edhe të ta mbyllte përgjithmonë.
Gjyshi vendosi që këtë pengesë të mos ma linte mua, një fëmije, mbi shpinë.
Kështu, për filmin “Beni ecën vetë”, unë u quajta Erjon Spiro. Mora per mbiemer , emrin e stergjyshit tim. Gjyshi mendonte se, nëse filmi do të kishte sukses, ky mund të bëhej edhe emri im artistik.
Dhe pastaj ndodhi diçka që një fëmijë shtatëvjeçar dhe familja e tij , nuk mund ta kuptonte plotësisht perveç gjyshit tim te zgjuar e trim.
Beni u be sukses .
Dhe bashkë me filmin ndryshoi edhe statusi im në jetë.
Fëmija që deri dje mund të shihej me syrin e paragjykimit — fëmija me prindër të ndarë, ai që dikush mund ta quante “kopil” — papritur u bë Beni i gjithë Shqipërisë.
Njerëz që nuk më kishin takuar kurrë më njihnin.
Më thërrisnin Beni.
Më puthnin.
Më nduknin faqet.
Më merrnin në krahë.
Më përqafonin me atë dashurinë e madhe, të pakontrolluar, shqiptare, duke më lënë mbi fytyrë puthjet, përqafimet dhe djersën e tyre te dashur
Pas suksesit, gjyshi më tha:
“Herion u bere dikushi. Tani je Beni. Tani s’kanë më ç’të të bëjnë me as për emrin, as për mbiemrin. Në filmat e tjerë mund të mbash emrin dhe mbiemrin e babait tënd.”
Dhe kështu, në një mënyrë të çuditshme, kinemaja jo vetëm më dha një emër — por më dha mundësinë të rimerrja timin.
PLANETI I KINOSTUDIOS
Pas Benit, unë nuk isha më thjesht një fëmijë që kishte luajtur në një film.
U bëra “Nipçja” i Kinostudios.
Dhe Kinostudioja për mua ishte Bota.
Shqipëria ku rritesha ishte ajo ku këpucët mbusheshin me pluhur, balte e shi.., ku çorapet e bluzat nuk ndërroheshin çdo ditë, ku bukes se ngrohtë te sapo dale nga furra i hiqej me uri korrja, e deri sa arrije në shtëpi, kishe ngrënë gjysmën e saj, duke e lënë tulin pothuajse të zhveshur “Synet”, sepse Shqiperia ishte Synetllek.
Ishte Shqipëria ku fëmijët shkonin në shkollë me përparëse të zeza e jakë të bardhë dhe recitonin vargje për Partinë dhe udhëheqjen qe ne mengjes duke thene qe jemi gati ne lufte per çeshtjen e popullit e te Partise. Une as nuk e dija se kush ishte “Çeshtja”.
Por sapo hyja në Kinostudio, diçka ndryshonte.
Për mua, ajo ndërtesë ishte sikur të ndodhej jashtë kufijve të Shqipërisë, megjithëse ishte në mes të saj.
Kaloje oborrin e madh dhe afroheshe te shkallët monumentale, te kolonat e larta dhe te dyert e mëdha e të rënda qe gjithmone ishin hapur.
Era e Pelikules , e filmit 35 mm , eshte akoma flagranca me e vyer e nuhatjes time , mbushte hapesiren .
Kinostudioja ndodhej në skajin e Tiranës së atëhershme, me Dajtin përballë. Aty kishte hapësirë për studiot, dekoret, magazinat, ambientet e brendshme dhe lëndinat ku mund të ndërtohej e xhirohej një botë e tërë pa qenë nevoja që çdo skenë ta çonte grupin në anën tjetër të Shqipërisë.
Por ajo që më magjepste nuk ishin vetëm ndërtesat.
Ishin njerëzit.
Njerëzit që deri dje i kisha parë vetëm në ekran, papritur ishin përpara meje.
Dhe jo vetëm që mund t’i shihja.
Ata më njihnin mua.
Më puthnin. Më përqafonin. Më merrnin në krahë.
Ndonjëherë më dukej sikur nuk isha unë fëmija që sapo kishte ardhur aty, por djali i tyre që kishte munguar prej kohësh dhe më në fund ishte kthyer në shtëpi.
Ishte një familje e jashtëzakonshme.
Burrat vinin në punë me këmisha, kravata, xhaketa, pantallona të hekurosura dhe dosje në duar. Gratë të kuruara, me flokët e rregulluara, elegante. Për sytë e mi shtatëvjeçarë, këta njerëz dukeshin sikur vinin nga një realitet tjetër.Sot, po të përpiqesha t’ia shpjegoja atë ndjesi një fëmije, do t’i thosha:
Ishte sikur të të merrnin nga Toka dhe të të çonin në një planet tjetër.
Një planet me njerëz të gjatë, të bukur, të kuruar, të ndriçuar — pothuajse si ato qeniet që sot na i krijon inteligjenca artificiale.
Dhe në atë planet unë kisha një privilegj të jashtëzakonshëm:
Hyja pa pasaportë.
Hyja në Kinostudio duke vrapuar, duke u fshehur , duke kaluar nga hekurat , si te doja une , e nuk me ndalonte kurre askush. Hapja një derë, mbyllja një tjetër. Futesha ku më çonte kureshtja ime prej fëmije.
Nga polici dhe ushtari te hyrja, te zyrat e drejtuesve; nga dhomat e montazhit te studiot e audios dhe të zërit deri te sallat ku mblidheshin korifenjtë e mëdhenj të filmit shqiptar e diskutonin Kinematografi.
Unë isha çapkën dhe nuk njihja shumë dyer të ndaluara.
I hapja.
Dhe çuditërisht, pothuajse askush nuk më thoshte:
“Dil jashtë!”
Përkundrazi.
Hapja derën dhe dëgjoja:
“Oooo! Beni!”
Pastaj vinte një përqafim.
Një puthje.
Një dorë mbi kokë.
Dhe unë vazhdoja drejt derës tjetër.
Në atë Kinostudio unë nuk ndihesha si një aktor i vogël që kishte ardhur për të bërë një film.
Ndihesha si nipi i saj më i dashur e ajo ishte shtepua ime.
Dhe ndoshta kjo është fjala që e përshkruan më mirë filmin shqiptar të asaj kohe:
Familje.
Një familje e madhe, e çuditshme, plot talente, ego, dashuri, xhelozi, frikë, politikë, ëndrra art pasion.
Një familje që mua, një fëmijë shtatëvjeçar, më hapi dyert.
Dhe pas asaj dere, jeta ime nuk ishte më kurrë njësoj. Un perfaqesoja nje brez qe sot perseri ndihet jetim.