SHBA- Kryeministri Edi Rama është përplasur me përfaqësuesin e diasporës shqiptare në Michigan, Arti Tamburi, gjatë takimit me komunitetin shqiptar në SHBA. Tamburi kritikoi qeverinë për mungesën të një programi konkret për rikthimin e shqiptarëve në Shqipëri, duke pretenduar se politika e saj po synon zëvendësimin e tyre me të huaj.
“Tirana zyrtare ka deklarata të tipologjisë që nuk dallojnë nga ato të Miroslav Lajçak. Në sensin e brendshëm, Shqipëria ka humbur mbi 1 milionë shqiptarë. Në vend të një strategjie jetike për rikthimin e këtyre të rinjve dhe të rejave që u dhemb zemra për atdheun, qeveria juaj servir jo rikthimin e shqiptarëve, por zëvendësimin e shqiptarëve. Sepse sipas retorikës tuaj, Shqipëria i përket “mikut”, gjithkujt përveç shqiptarëve”, u shpreh Tamburi.
Po ashtu përfaqësuesi i diasporës i drejtoi kryeministrit edhe një pyetje lidhur me qëndrimin e tij dhe ndikimin e protestave që vijojnë prej më shumë se 100 ditësh në Tiranë. Rama e ndërpreu disa herë, duke i kërkuar të drejtonte pyetjen dhe jo të mbante një fjalim: Ke pyetje apo fjalim?
Takimi në Michigan është pjesë e vizitës së Ramës në SHBA, ku kryeministri do të marrë pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së dhe do të mbajë një fjalim në kuadër të debatit të përgjithshëm./Dosja.al