“Më 2010 u mor vendimi katastrofik, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e Pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe morëm përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër, (në atë rast) ne do ta kishim shumë më vështirë”
Marrëdhëniet serbo-shqiptare e anasjelltas kanë qenë gjithmonë të acaruara. Shkalla e acarimit është matur me qëndrimin dhe veprimet e personaliteteve që kanë përfaqësuar elitat kombëtare të të dyja kombeve. Aktualisht këto marrëdhënie janë në tehpikun e një humnere apo të një rrugëtimi të mundimshëm mes luftës dhe paqes, mes armiqësisë e paqetimit, mes urrejtjes e respektimit të interesave reciproke…
Në këtë përballje që po vazhdon tash një shekull e gjysmë, shqiptarët vazhdimisht kanë dalë humbës në territore e në jetë njerëzish. Kjo për shumë shkaqe, por të shumtën e rasteve për shkak të keqorganizimit, të mungesës së elitave të qëndrueshme apo sajimit të tyre, të mungesës së vetëdijes kolektive dhe, natyrisht, yllësive gjeopolitike.
Në përballjen aktuale Serbinë po e përfaqëson kryetari i saj, Aleksandar Vuçiq. Ky është një personalitet me shumë ndikim dhe me pushtet të pakufishëm. Përmes mendimit të tij politik, përmes veprimtarive të tij të përditshme, mund të konkludohet se Vuçiqi pasqyron, në mënyrën më origjinale, tërësinë e moralit, vendosmërisë, dinakërisë dhe aftësive të prijësve serbë që nga Garashinini e këtej.
Prandaj edhe është objekt i kësaj analize.
Ngadalë, por sigurt drejt pushtetit absolut
Aleksandër Vuçiq (1970) angazhimin politik e filloi në kulmin e luftërave në ish-Jugosllavi, si gazetar i radios së Karaxhiqit në Bosnjë, dhe me aderimin, më 1993, në partinë e Sheshelit (Partia Radikale Serbe, PRS), një parti që mëtonte të jetë trashëgimtare e partisë së Nikolla Pashiqit (1845 – 1926).
Më 1994, Vuçiqi u zgjodh sekretar i përgjithshëm i Partisë Radikale Serbe, duke u bërë njëri prej bashkëpunëtorëve më të afërt e më besnikë të Vojislav Sheshelit, i dënuar për krime lufte.
Vuçiqi, me retorikën e tij të egër, përpiqej t’ia kalonte atit të tij shpirtëror, Sheshelit; ende mbahet mend deklarata e tij në Parlament, më 20 korrik 1995, kur u zotua se: “Për një serb të vrarë do t’i vrasim 100 myslimanë (boshnjakë)!“
Në vitin 1998, Vuçiqi u emërua ministër për informata në Qeverinë serbe të unitetit kombëtar. Gjatë bombardimeve ai ishte zëdhënës autentik i politikës shfarosëse serbe në Kosovë.
Gazetari anglez, Robert Fisk, në një shkrim në “Independent”, 14 maj 2016, e përshkruan kështu Vozhdin e gjatë:
“Në Beograd…, më 18 qershor 1998, u shfaq një i ri i sjellshëm, por i rrezikshëm; i referohesha sherrisht ‘fytyrës së tij të pafajshme, buzëve të trasha dhe buzëqeshjes së shpejtë’ derisa ai tentonte të na bindte ne, gazetarëve, se krejt çka donte diktatori Slobodan Milosheviq në Kosovë ishte paqja, dialogu dhe të drejtat e njeriut për të gjithë, përfshirë edhe 90 për qind të popullatës shqiptare. Për autonominë e Kosovës që ia kishin rrënuar nëntë vjet më parë nuk e thoshte asnjë fjalë”.
Më 2008, për shkak të mospajtimeve me liderin e tyre, Sheshelin famëkeq, derisa ky ishte “me pushime“ në Hagë, T. Nikoliq dhe A. Vuçiq, u ndanë nga partia radikale dhe formuan Partinë Progresiste Serbe (Srpska Napredna Stranka), duke i dhënë kështu partisë radikale një grusht dërrmues.
Se si ‘u mor kalaja nga brenda’ Shesheli e shpjegon pas daljes nga burgu, në një tubim me besnikët e tij:
“Gjatë kohës sa isha në Hagë, aktivistët e PRS-së, për të evituar shpenzimet, komunikonin brenda një rrjeti qarkor telefonik. Ndërkohë, Vuçiqi kishte blerë një aparat, rreth 30.000 euro, dhe i përgjonte të gjithë, përfshirë këtu edhe Tomislav Nikoliqin, madje edhe kur ky fliste me të huajt, prandaj e dinte saktësisht se çka po ndodhte në parti. [1]
Partia progresiste nuk ndryshonte shumë në përmbajtje nga partia e Sheshelit, por me një fjalor të zbutur e bënte ideologjinë politike të radikalëve serbë më të pranueshme për bashkësinë ndërkombëtare.
Ky kërcim akrobatik në verbin e Vuçiqit dukej kështu;
“Kur shqiptarët e shpallën pavarësinë, kam qenë i trishtuar, por kurrë nuk kam parë asi guximi si te djemtë përpara ambasadës së djegur amerikane.“ (2008)[2]
Është fjala për tubimin e madh protestues që u mbajt në Beograd me t’u shpallur Pavarësia e Kosovës, me ç’rast, në sytë e policisë, u sulmuan ose u dogjën disa ambasada të shteteve perëndimore në Beograd, e sidomos Ambasada amerikane, ku edhe u vra një person.
Pas disa muajsh, po i njëjti person, me emrin Aleksandar Vuçiq shprehej kështu:
“Kushdo që mund të thotë se gjendja në Serbi është ideale e ne t’i kemi marrëdhëniet ‘thikë e gjak’ me SHBA-në, unë i them se s’ka lidhje me kokën. Marrëdhëniet e mira me amerikanët janë e vetmja rrugë për ta shpëtuar Serbinë… Në këtë vend janë disa budallenj që thonë se mund të qeverisësh pa pasur mbështetjen e SHBA-së… Amerikanët kanë verëra të shkëlqyera. Më kanë dhuruar disa ‘chafer merlo’ (2008)“[3]
Në saje të këtij ‘reformimi’, Partia Progresiste serbe i fitoi zgjedhjet presidenciale të vitit 2012, ndërsa më 29 shtator 2012, Aleksandër Vuçiqi u zgjodh kryetar i saj.
Në korrik të vitit 2012, Vozhdi i gjatë u emërua nënkryetar i Qeverisë, ministër i Mbrojtjes dhe njëherësh sekretar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare. Me një fjalë, një kupolë e të gjitha shërbimeve sekrete serbe dhe një trampolinë drejt majës së gjithë pushtetit.
Në zgjedhjet e vitit 2014, Vuçiqi u emërua kryeministër i Serbisë, ndërsa më 2 prill 2017 ai u zgjodh kryetar i saj.
Gradualisht, Vuçiqi e shtriu pushtetin e tij absolut gjithandej në Serbi, së pari, me përjashtime të rralla, i disiplinoi mediat dhe orientoi tehun e tyre mercenar kundër opozitës, kundër shqiptarëve, kroatëve dhe boshnjakëve, dhe natyrisht kundër Perëndimit. Falë mediave ai e komprometoi keq dhe pastaj e eliminoi politikisht edhe shefin e tij, Tomislav Nikoliq, ani se ky i fundit e konsideronte si djalin e vet.
Me të marrë në duar të gjithë frenjtë e pushtetit, Vuçiqi i kushtoi një rëndësi të madhe komunikimit me Perëndimin dhe nuk la gur pa lëvizur për të krijuar atje një imazh tjetër për veten dhe për Serbinë. Në këtë funksion emëroi si kryeministër Ana Bërnabiq, lesbike e deklaruar, e cila madje nuk ishte as anëtare e partisë së tij.
Vozhdi, SHBA-ja dhe luftërat në ish-Jugosllavi
Gjatë gjithë luftërave në ish-Jugosllavi, Vuçiqi ishte dora e djathtë e Sheshelit dhe mbështetës i vendosur i krerëve serbë në Kroaci e Bosnjë kur ata, me ndihmën e ushtrisë federale, zbatonin ideologjinë serbomadhe dhe strategjinë e saj të spastrimeve etnike masive.
Për shkak të këtyre veprimeve dhe të kësaj vetëdijeje gati kolektive te serbët, Papa Pali i Dytë i pati thënë Klintonit:
Duhet t’i bombardoni serbët…
Më 20 mars 1995, në qytetin e pushtuar kroat të Glinës, Vucic e ndezte turmën:
“Vëllezër serbë, motra serbe, ju përshëndes juve që ngritët flakadanin e lirisë në tokat serbe.
Kurrë Krajina serbe dhe Glina nuk do të jenë Kroaci. Kurrë Banija nuk do të bëhet Kroaci… Nëse radikalët serbë fitojnë zgjedhjet, ju e dini se do të jetoni në Serbinë e madhe.“[4]
Në këtë vijë, sipas Vuçiqit: “Radovan Karaxhiqi pasqyron simbolin e luftës së popullit serb për liri. Radovani dhe Ratko (Mladiq) janë trima dhe patriotë të shquar në luftën atdhetare… Nuk do t’i dorëzojmë as njërin as tjetrin.. Nëse i takojmë diku, do të pimë kafe me ta. Serbisë ia duan të keqen më të madhe ata që detyrojnë Mladiqin dhe Karaxhiqin të dorëzohen në Gjykatën e Hagës. Akuzat kundër gjeneralit Mladiq janë gënjeshtra e manipulime që kanë për qëllim satanizimin e tij… Shtëpia ime, si dhe çdo shtëpi e familjes së gjerë Vuçiqi do të jetë shtëpi-strehë e sigurt për gjeneralin Ratko Mladiq…“[5]
Dënimi i serbëve për krime gjithandej në Kroaci dhe Bosnjë-Hercegovinë nga Tribunali i Hagës e sidomos për gjenocidin në Srebrenicë, nuk u pranua asnjëherë nga krerët e Serbisë.
Në këtë pikë, Vozhdi i gjatë ishte më i vendosuri:
“Histeria që po krijohet përmes Srebrenicës është një fushatë antiserbe, ndërkohë që heshtën vuajtjet e serbëve, viktimat dhe fatkeqësitë e tyre… Qëllimi i kësaj fushate që po bëhet kundër popullit dhe shtetit serb është arrestimi i Ratko Mladiqit dhe suprimimi formal i Republikës serbe.“[6]
Për shkak të qëndrimit të pandryshueshëm të krerëve serbë për këtë çështje madhore, më 29 nëntor 2018, Parlamenti Evropian, në rezolutën për Serbinë, nënvizoi “se pranimi i gjenocidit në Srebrenicë është një etapë fondamentale në procesin e aderimit të Serbisë në BE“.[7]
Vozhdi i gjatë vazhdimisht villte helm e vrer kundër Perëndimit dhe Amerikës sidomos: “Ashtu siç zgjerohej fronti antifashist në Luftën e Dytë Botërore, po ashtu do të zgjerohet edhe fronti i rezistencës kundër amerikanëve dhe idesë së tyre naziste-imperialiste.“ (1999)[8]
“Kemi vuajtur nën bombat amerikane, ndërsa tani po vuajmë edhe më shumë nga gjoja ndihmat dhe mbështetja e tyre ekonomike“. (2001) [9]
“Amerikanët po duan të zaptojnë dhe të pushtojnë çdo gjë, kudo duan ta kenë nga një Gjingjiç“ (2003, këtë e tha vetëm disa javë para se ai të vritej, shënim i autorit) [10]
“Krerët e DOS-it (partitë politike që erdhën në pushtet pas rënies së Milosheviqit) në mënyrë kusare e banditeske po përpiqen ta arrestojnë dhe ta dorëzojnë Slobodan Milosheviqin, të shkatërrojnë emrin e kombit serb, krenarinë, nderin dhe shtetin e popullit serb… Është e mjerë dhe e ngratë ajo qeveri që i dorëzon serbët vetëm për të përmbushur urdhrat e SHBA-së dhe Gjykatës së Hagës…“[11]
“Bashkësia ndërkombëtare po do t’ia fusë popullit serb banderin në anus dhe pret prej nesh që t’i themi se po ndihemi shumë mirë…“ (2005) [12]
Sipas Sheshelit, shefit të tij të dikurshëm:
“Vuçiqi ka ngjitur parulla me foton e Ratko Mladiqit nëpër rrugët e Beogradit, duke i vënë ato mbi treguesit e rrugës ‘Zoran Gjingjiq’.
Ai madje edhe në Kuvendin e Serbisë ka futur banderola me emrin Sigurna kuça za Ratka Mladiqa (Shtëpi e sigurt për Ratko Mladiqin)…
Ka punuar shumë me vetveten dhe është bërë ekspert për manipulimin e mediave. Me premtimet e zbrazëta ka fituar shumë simpati dhe ky është një fakt.“
Vozhdi i gjatë për Kosovën
Në diskursin politik të Vuçiqit Kosova është A-ia dhe Kryefjala e tij. Platforma më e qartë për Kosovën e Vozhdit të gjatë dhe bashkëmendimtarëve të tij është botuar në gazetën e Partisë radikale serbe “Velika Srbija“ (Serbia e madhe), më 14 tetor 1995. Vuçiqi ishte anëtar i redaksisë dhe i këshillit botues.
Platforma me titull “Si do ta zgjidhnin çështjen e Kosovës e Metohisë radikalët serbë“, ka 5.540 fjalë dhe është nënshkruar nga udhëheqja e PRS-së, kryetari, zëvendëskryetari, sekretari i përgjithshëm, Vuçiqi, të katër nënkryetarët si dhe nga 81 deputetë të PRS-së.
Në këtë analizë, kjo platformë do të citohet gjerësisht, sepse është njëri prej projekteve serbe më të rrezikshme dhe, për më keq, nuk përmendet asnjëherë prej pushtetarëve shqiptarë, madje as në rastet, si në një darkë me përfaqësuesit e BE-së, kur Vuçiqi pati akuzuar rëndë njërin prej qyqarëve të Kosovës dhe ky i fundit, për turpin dhe për të zezën tonë e të Kosovës, nuk e hapi gojën!
Fillimisht, në Platformë konstatohet se:
“Pa Kosovë e Metohi nuk ka as shtet serb. Mu për këtë ruajtja e Kosovës e Metohisë, si pjesë përbërëse dhe integrale e Serbisë, për nga rëndësia, është e barabartë me vetë ekzistencën e kombit serb…“
Në këtë frymë nënshkruesit zotohen për suprimimin e “…federatës ekzistuese dhe formave të autonomisë territoriale, sepse ato janë provuar si dështime për popullin serb, prandaj zgjidhja më e mirë duhet të jetë krijimi i një shteti unitar serb, në përbërjen e të cilit do të hynin Republika e Krainës Serbe, Republika Serbe, Republika e Serbisë dhe Republika e Malit të Zi.“
Pakicave u njihet “… e drejta për përdorimin e gjuhës së vet në jurisprudencë, e drejta për arsimin fillor në gjuhën e vet amtare, për shprehjen e ndjenjave fetare, marrjen me veprimtari kulturore e të ngjashme. Ndërkaq, ushtrimi i këtyre të drejtave nënkupton, para së gjithash, detyrimin e anëtarëve të pakicave për sjellje luajale ndaj shtetit, qytetarë të të cilit janë.“
Sipas Platformës, në atë kohë ishin rreth 400 mijë shqiptarë që duhej ndjekur nga Kosova, sepse qenkëshin ardhacakë. Ndaj tyre “… duhet të zbatohen standarde të dyfishta: për ata që njihen si ekstremistë duhet paraparë përzënia e menjëhershme, ndërkaq të tjerëve duhet t’u vihet si kusht zotërimi i të gjitha dokumenteve, madje edhe për nevojat më të zakonshme, për sigurimin e të cilave, si parakusht do të ishte dëshmia e shtetësisë, të cilën ata nuk e kanë si edhe pasja e listës së atdheut. Lista e atdheut do të zbatohej për të gjithë shtetasit e Serbisë, si mjet i detyrueshëm, me të cilën do të vërtetohej se kanë shtetësinë e Republikës së Serbisë. Në kopertinë, lista e atdheut do të kishte stemën e Serbisë: shqiponjën e bardhë dykrenore të Nemanjiçëve, mburojën me kryq dhe katër S-të.“ (Samo sloga srbina spashava! që do të thotë: vetëm uniteti serbët i shpëton).
“ Duhet penguar me të gjitha mënyrat kthimi i shqiptarëve të punësuar në botën e jashtme, e posaçërisht kthimi i atyre, që në periudhën 1990/93 kanë shkuar në mënyrë masive jashtë (vlerësohet se kanë shkuar rreth 300 mijë pjesëtarë të popullsisë më aktive).“
“Të gjitha pronat serbe që janë shitur apo që u takojnë në ndonjë mënyrë tjetër shqiptarëve, shtëpitë dhe apartamentet, sidomos ato të periudhës 1966/1987, (gjatë kohës së pushtetit ballisto-komunist në Kosovë), si edhe ato që fashistët i përvetësuan gjatë Luftës së Dytë Botërore, duhet t’u kthehen pronarëve të mëparshëm ose pasardhësve të tyre.“
T’u hiqet shtetësia serbe dhe t’u ndalohet kthimi të gjithë shqiptarëve shtetas të Jugosllavisë, të cilët banojnë jashtë shtetit e që, atje veprojnë nga pozita separatiste.
“Përmes ndërtimit të autostradave (qëllimisht me korsi të ndara deri në 1 km, për shkak të ‘konfiguracionit të terrenit’ dhe sheshimit të një brezi të gjerë buzë rrugës) mes për mes mjediseve rurale shqiptare me dendësinë më të madhe të popullsisë, dhe ndërtimit të objekteve të tjera, si kazerma, poligone, magazina, etj., si dhe dhënia e trojeve dhe hapësira për kolonitë e të ardhurve, në këtë mënyrë do të imtësohet hapësira etnike shqiptare, me çka ata do të humbin “thellësinë” e territorit, që është element cenues i rëndësishëm i ndjenjës së tyre të sigurisë.
Qëllim i gjithë kësaj është krijimi i vetvetishëm ‘i lëkurës etnike të leopardit’, me çka, më vonë, me shtrirjen e enklavave serbe, ato shqiptare do të zvogëloheshin dhe do të zhdukeshin“.
“Me ndryshimin e kushteve të tregtisë, përmes firmave private, mund të shkaktohen mungesa artificiale mallrash, që nuk do të gjenden as në ato shtetërore, me çka do të krijohet ndjenja e pasigurisë dhe e ankthit.
Furnizimi me rrymë elektrike (ndërprerjet e shpeshta të saj me qëllim, si dhe sabotimet e vërteta në ato pjesë të rrjetit që furnizon enklavat shqiptare), në veçanti, u duhet ndërprerë ujin, që është problem i mprehtë në Kosmet, në këtë mënyrë do t’ua bëjmë jetën e padurueshme. Qëllimi i gjithë kësaj është që të bëhet ndarja (veçimi i plotë) e popullsisë, jo vetëm për nga aspekti i hapësirës, por për të bërë izolimin e plotë të shqiptarëve nga enklavat e tjera të banuara prej tyre…“
“…duhet vështirësuar funksionimi i sektorit privat të shqiptarëve me anë të veprimeve të rrepta administrative dhe të kontrollit të përhershëm të tregtisë, me çka do të vihej njëfarë kontrolli mbi financimin e partive të tyre politike.“
“Duhen vështirësuar kontaktet me firmat dhe ndërmarrjet private në Serbi, për të mos lejuar që kapitali shqiptar të krijojë monopol dhe të ndikojë në proceset ekonomike në Serbi.
Me anën e dispozitave përkatëse përfshirë dhe politikat tatimore, të mbikëqyret sektori i ndërtimeve pa leje, prej nga mund të fitohen mjete të mëdha financiare për investime në programin e kolonizimit dhe krijimit të vendbanimeve të posaçme“.
“Shkaktimi dhe demaskimi i aferave të ndryshme, në saje të të cilave do të ndiqeshin firmat e mëdha private dhe pronarët e tyre. Kujdes i veçantë i duhet kushtuar trafikut me drogë, duke përfituar nga rastet e zbuluara për të dënuar një rreth të gjerë njerëzish me dënime të ashpra. Rastet e zbuluara të përdoren për komprometimin e individëve të shquar…“
“Dhënia e lejeve të caktuara, dokumenteve nga organet shtetërore (me përjashtim të pasaportave) duhet të ndërlikohet deri në maksimum, ndërkaq dënimet për mungesën e tyre duhet të jenë të ashpra. Shqiptarët kanë aversion të posaçëm ndaj sjelljeve të këtilla, sepse rrjedhin nga një mjedis ku drejtpërsëdrejti aplikohet e drejta zakonore. Ata nuk e durojnë sidomos ndërhyrjen administrative në atë që ata e konsiderojnë si çështje të veten intime. Madje, duhet kërkuar edhe “leje për lopën” (leje për posedimin e kafshëve).
Duhet ndikuar që shkuarja e shqiptarëve jashtë të bëhet e zakonshme, ndërkaq kthimi të vështirësohet me procedura të koklavitura në kufi…“
“Veprimtaria gjithëpërfshirëse (e shërbimeve serbe, shën. i autorit) brenda organizatave shqiptare doemos do të shkaktojë pakënaqësi te shqiptarët, gjë që është parakusht për ta rritur gatishmërinë e tyre për t’u angazhuar në organizata të ndryshme, prej atyre jashtëligjore e deri në ato terroriste. Për këtë arsye, është e udhës që të infiltrohen individë nga Sigurimi i Shtetit, të cilët, në momente të përshtatshme do të inicionin formimin e organizatave të tilla, në mënyrë që pastaj të ndikohet në veprimtarinë e tyre, në mos edhe në udhëheqjen e tyre…“
“Me këso komplotesh mund të shkohet madje edhe në kryerjen e aksioneve, me çka kontribuohet në arritjen e satisfaksionit kolektiv të masave shqiptare, por edhe rënies së tendosjeve, ndërsa shtetit kjo do t’i shërbejë si shkas për veprime shumë më të ashpra ndaj të gjitha organizatave të tjera, e kjo sjellë deri tek tendosjet ndërnacionale dhe thellimi i mëtejmë i jetës së tyre paralele“.
“Në këtë kuptim, është i nevojshëm ekzistimi i shumë grupeve të tilla, ndonjë prej të cilave policia dhe Sigurimi i Shtetit, kohë pas kohe, do ta shkatërronin, deri sa ato të konsolidohen sërish, të tjerat e vazhdojnë punën dhe kjo i kontribuon krijimit të mendësisë se këto veprimtari janë në funksion të çlirimit“.
“Eliminimi i individëve të shquar (atyre aktivë, por edhe potencialë) të cilët luajnë ose mund të luajnë rol vendimtar në jetën politike, me afera të fryra publike dhe me “fatkeqësi të rastit”, si (fatkeqësi trafiku, vrasje nga xhelozia, infektime të individëve me virusin e SIDA-s, gjatë qëndrimit në botën e jashtme, të tillëve për të cilët dihet se kanë prirje për ekskursione dashurie, infektime që ‘zbulohen’ gjatë kontrollit në kufi, pas të cilit zbatohet vënia në karantinë.
Me përpunim të përshtatshëm medial, mund të krijohet një atmosferë e tillë, e cila do të nxitë kontrollin medikal të popullsisë shqiptare, në mënyrë që të konstatohet artificialisht se ekziston një përqindje e madhe e të sëmurëve nga SIDA, prej nga rrjedh nevoja e izolimit të një numri sa më të madh njerëzish; në mënyrë që të krijohet përshtypja në opinion se shqiptarët janë komb infektues“.
Veprimtaria informativo-propagandistike
“Duhen krijuar programe të posaçme televizive e radiofonike në gjuhën shqiptare, përmbajtja e të cilave do të orientohej drejt rrënimit të mendësisë së tyre patriarkalo-fisnore, me anën e paraqitjes së përmbajtjeve më dekadente nga Perëndimi, ndaj të cilave shfaqin prirje popujt primitivë. Enklavat serbe do të mbroheshin nga programet e tilla, para së gjithash me pengesa gjuhësore (radioja), si edhe me anën e aplikimit të televizionit kabllor, në vendbanimet e reja dhe në ndërtesa.
Ndaj botës është e domosdoshme të formohet një mekanizëm i fuqishëm propagandistik, në përputhje me përvojat e njohura.
Të parashikohen madje edhe botime të fshehta të nëndheshme, me përmbajtje që do të përhapnin për ta ide fatale e mistike dhe gjoja kritike për “regjimin serb“.
“Të gjitha shkollat dhe akademitë ushtarake e policore, të gjitha entet ushtarake, që nuk janë të lidhura drejtpërdrejt me komandimin në disa fusha ushtarake, si edhe një varg institucionesh të tjera shtetërore, si bie fjala, ministri të tëra, duhet të transferohen në rajonin e Kosovës e Metohisë, në mënyrë që të krijohen kushtet për vendosjen e dhjetëra e mijëra oficerëve, policëve, nëpunësve e anëtarëve të familjeve të tyre, dhe të infrastrukturës së plotë. Të gjithë serbëve, që dëshirojnë të jetojnë në ato hapësira tonat, duhet t’u sigurohet falas tokë bujqësore në pronësi të përhershme, si dhe troje për ngritjen e shtëpive familjare dhe të ndërmarrjeve ekonomike. Të gjithë atyre, që transferojnë atje përfaqësitë tregtare dhe ndërmarrjet prodhuese, në të cilat punësojnë së paku 10 veta, do t’u ofrojmë një prej lehtësive kyç: lirimin nga pagesa e tatimit, më së paku për dhjetë vjet. Pse Kosova e Metohia të mos jenë zona jashtë doganore?“
“Oficerëve të pensionuar, nënoficerëve, policëve dhe nëpunësve shtetërorë, si zgjidhje e përhershme e çështjes së tyre të banimit, t’u ofrohen banesa maksimalisht komfore në territorin e Kosovës e Metohisë. Të sigurohet brezi kufitar në gjerësi prej 50 km (minimumi) përgjatë kufirit me Shqipërinë. Të mos lejohet cenimi i kufirit nga hapësira e Shqipërisë së tashme, ndërsa marrëdhëniet me të do të zhvillohen në harmoni me mundësitë dhe interesat e të dyja palëve.
Zona kufitare me Shqipërinë do të mundë të popullohej vetëm me serbë, ndërsa toka tjetër do të ishte në pronësi të Ushtrisë së Jugosllavisë“.
2) Shkollimi
“Në shkollat shtetërore në Kosovë e Metohi, sistemi shkollor duhet të mbështetet në përmbajtjen dhe vlerat e artit dhe kulturës serbe, evropiane dhe botërore dhe duhet të shtjellohet në gjuhën serbe. Perspektiva e hapur e jetës dhe e zhvillimit të lirë në Serbi është mjaft tërheqëse që këtë sistem ta pranojnë edhe anëtarët e pakicave kombëtare. Shkollat në gjuhët e bashkësive minoritare duhen trajtuar si private dhe gjatë punësimit duhet kërkuar verifikimi i mësimdhënies sipas plan programeve zyrtare. Në këtë mënyrë do të bëhej seleksionimi normal në përputhje me vlerat dhe strukturën e shoqërisë serbe. Mësimi në Universitetin e Prishtinës, pas rrënimit të parashtetit shqiptar, ka përjetuar kthesë rrënjësore dhe është në rrugë e sipër për të arritur rezultate kapitale, dhe me këtë ta përcaktojë qartë fatin e Kosovës e Metohisë dhe të shtetit serb në tërësi. Ky nivel i arritur duhet stabilizuar edhe më tej, duke vazhduar me projektet dhe programet e reja. Kushtet e studimit në gjuhën serbe në Universitetin e Prishtinës duhen bërë më të përshtatshme se kudo tjetër në Serbi“.
“Duhet mbajtur dhe thelluar edhe më tej sistemi i tanishëm paralel e ilegal i shkollimit të shqiptarëve, sepse në këtë mënyrë, në të ardhmen, me diploma jolegale, atyre u mbyllen dyert e çdo angazhimi dhe integrimi në shoqëri si dhe mundësitë për gjetjen e vendeve adekuate të punës. Veç kësaj, vazhdimi i mëtejmë i shkollimit paralel dhe ilegal i shqiptarëve ka edhe një rëndësi tjetër: nuk është arsimim i detyrueshëm si ai shtetëror, prandaj bie shkalla mesatare e mësimit dhe zvogëlohet aftësia e tyre kolektive për t’i rezistuar manipulimit nga jashtë dhe nga brenda“.
“Të gjitha këto veprimtari duhet të bashkërendohen në mënyrë të tillë që ta nxisin sa më shumë derdhjen e popullsisë shqiptare në botën e jashtme, në Maqedoni dhe në Shqipëri. Duhet të përdoren mënyra të nduarnduarta të trysnisë, të krijimit të ndjenjës së pasigurisë për të nxitur shpërngulje sa më të madhe të shqiptarëve“.
“Policia, si organ i rëndësishëm i pushtetit, është përgjegjëse për mbetjen e Kosovës e Metohisë në pronësi të përhershme të shtetit serb“.
“Bisedimet dhe marrëveshjet me përfaqësuesit e shqiptarëve të mos fillohen, para miratimit të ligjit mbi shtetësinë dhe konstatimit të numrit të atyre që e njohin dhe e pranojnë Serbinë si shtet të vetin.“
“Ndaj atyre shqiptarëve që përcaktohen për të qenë shtetas të Serbisë, përkatësisht të Jugosllavisë, duhet të sillemi me tolerancë dhe t’i trajtojmë drejt, por, inkorporimi i tyre në organet shoqërore, politike dhe shtetërore, duhet bërë sipas masës së integrimit dhe të identifikimit të tyre të vërtetë me shtetin serb dhe me ligjet e tij.“[13]
Sigurisht për shkak të planeve të tilla, të shumta, të serbëve për Kosovën dhe për krimet e tyre në Bosnje e Hercegovinë, Margareth Thaçer pati kërkuar: “Ndalini serbët menjëherë dhe përgjithmonë!“[14]
Ndërkaq, Jacque Chirac, gjatë një dreke, në qershor të vitit 1995, ishte edhe më i drejtpërdrejtë:
“Serbët janë popull pa ligje dhe pa fe, këta janë popull banditësh dhe terroristësh.“
Kur lexuesi mendon thellë arsyen pse njerëz kaq larg prej serbëve dhe Serbisë, kaq të pa rrezikuar prej saj, shprehin këso mendimesh të pamëshirshme për ta, besoj se shkakun duhet kërkuar te rrëfime që nuk i mban as toka;
– për grabitësin që ta merr kafshatën nga goja dhe të tjerëve u thotë, është imja;
– për pushtuesin që ta burgosë fëmijën tënd dhe e tretë burgjeve pafund, e të tjerëve u thotë, ma ka rrezikuar ekzistencën time;
– për xhandarin që ta merr tokën e shtëpinë, dhe të tjerëve u thotë, gjithmonë kanë qenë te miat;
– për shtetin që të nxjerr nga shkolla, nga bibliotekat, nga universiteti që i kanë themeluar me mund prindërit tu, e ty të thotë nuk i meriton se je i egër;
– për oficerin që me urdhër shteti me krejt njësinë e tij t’i përdhunon gruan, fëmijët dhe të tjerëve u thotë ia kanë bërë vetës;
– për ushtrinë që t’i vret njerëzit tu në shtëpi dhe i djeg brenda ose ua merr kufomat dhe, për t’i fshehur gjurmët, i djegë në furrat e xeheroreve ose hap varreza masive dhe mbi të ndërton kisha e pista aeroportesh dhe ti nuk e ke as një varr për ta derdhur, në ditë trishtimi, një truç lot mbi të…
“Dialogu” me Kosovën dhe për Kosovën
Që nga viti 2013 e këtej, Vuçiqi u bë faktor vendimmarrës në ‘dialogun’ e Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Edhe në këtë pikë qëndrimet e tij më herët ishin radikale:
“Vetëm pasi të jenë kthyer ushtria dhe policia jonë në Kosovë e Metohi ne do të mundë të negociojmë me të huajt dhe me shqiptarët.“ (2003)[15]
“Askush nuk ka të drejtë të heqë dorë as nga një livadh apo arë e vetme serbe… E vetmja mënyrë për ta ruajtur Kosovën është të na mbështesin Rusia dhe Putini.“ (2005)[16]
“Evropa dhe Amerika po na grabisin Kosmetin, Serbia as që duhet të mendojë për integrimet evropiane.“ (2007).[17]
Ndërkaq katër vjet më vonë, Vozhdi përdorte një fjalor disi tjetër :
“Kosova është e rëndësishme për ne, por ne duhet të mendojmë për investimet, partia progresiste nuk do të heqë dorë nga rruga evropiane.“ (2011)[18]
Me ardhjen e tij de facto në krye të delegacionit të Serbisë, Vuçiq e dinamizoi dialogun dhe arriti që, në prill të vitit 2013, të nënshkruhet nga Thaçi-Daçiq Marrëveshja e Parë e Parimeve, përmes së cilës, në kundërshtim me Kushtetutën, në Kosovë formohej një entitet juridik, një etnik, pra bëhej federalizimi i vendit.
Kjo Marrëveshje, që cenon rrezikshëm rendin kushtetues dhe integritetin e vendit, u përthellua përmes marrëveshjes për Asociacionin, më 25 gusht 2015, nënshkruar nga Vuçiqi dhe Mustafa. Nëse Marrëveshja e vitit 2013 e federalizonte vendin në favor të një pakice prej 5% të popullsisë, Marrëveshja për Asociacionin, sipas Aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese (23 dhjetor 2015), krijon nga Kosova“…një formë konfederate ku njësitë territoriale bashkëpunojnë në nivel horizontal në bazë të bashkëpunimit të ndërsjellë dhe ndarjes së informatave. Asnjë formë e vetëqeverisjes lokale apo edhe e vetëqeverisjes rajonale nuk njeh një marrëdhënie të tillë horizontale me autoritetet qendrore…“
Kjo Marrëveshje dhe ajo për demarkacionin e sollën vendin buzë greminës së luftës civile, që filloi me hedhjen e gazit lotsjellës në Kuvend, në ato rrethana, si e vetmja mënyrë e mbetur për ta shpëtuar Kosovën nga copëtimi.
Paralelisht me këto fitore në tryezën e bisedimeve, Vozhdi i gjatë e ndryshoi kahun “dialogut“. Ai gradualisht dialogun me Kosovën dhe për Kosovën arriti ta kthejë në negociata të Serbisë me shqiptarët: në negociata për territore të Kosovës. Ai, ashtu si Gjingjiqi, është i prerë se zvarritja e kësaj çështjeje “po i thith gjakun sistemit, sepse po i kushton shtetit 1 miliard e 300 milionë euro në vit.“ [19]
Suksesi më i madh i Vuçiqit në politikën e jashtme ishte sidomos fakti se ai arriti ta fusë në kurth kryeministrin shqiptar, Edi Rama, në mënyrë që edhe ky të bëhet avokat i vënies në pikëpyetje të kufijve të Kosovës dhe të vendimit të GjND-së:
“Më 2010 u mor vendimi katastrofal, kur ne i jemi drejtuar me letër Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ta pyetur se a është shpallja e pavarësisë së Kosovës ilegale apo jo, dhe marrim përgjigjen se vendimi nuk ishte ilegal. Po të ishin shqiptarët të mençur, në Këshillin e Sigurimit do t’i përmbaheshin vetëm këtij vendimi, e jo në atë që i zura dhe i munda lehtë, si Plani i Ahtisaarit e çdo gjë tjetër…“[20]
Njohësit e mirë të historisë moderne serbe e dinë se të paktën qe një gjysmë shekulli e këtej, Serbia ka këmbëngulur që për ndarjen e Kosovës të mos flasë me parinë e saj, por me pushtetarët në Shqipëri.
Kjo i përshtatet Beogradit shumë më tepër, sepse së pari nuk do të ketë nevojë ta njohë Kosovën, së dyti krerët serbë e dinë se shumë më lehtë do të merren vesh për këtë çështje me politikanë të atjeshëm se sa me ata të Prishtinës. Shkaqet janë të njohura: çdo politikan nga Kosova e din se futja në këtë lojë do të thotë të fusë në rrezik kokën e tij dhe të familjes, ndërsa ata në Shqipëri janë mësuar t’i bien kryq e tërthorazi Rubikonit pa u lag dhe pa therrë në këmbë.
Edi Rama: ora e mësimit të serbishtes
Mirëpo Edi Rama, pavarësisht se është një sharlatan ‘par excellence’, e hetoi se sa patate e valë është kjo temë, prandaj këtë punë të pistë ia la në dorë Hashim Thaçit, kokë turku që e di mirë se e presin prangat, prandaj është i gatshëm në çdo akt që do ta kursente nga burgu.
Vozhdi i gjatë është treguar mjeshtër në raport me shqiptarët, Thaçin duke e shantazhuar me dosje të trasha, ndërsa Ramën duke ia kashagitur mendjemadhësinë. Ja një dialog publik në Beograd (31 gusht 2015), që flet shumë.
Rama: “Kemi folur për unionin ekonomik, që realisht ta zgjerojmë tregun…, për rrugën Nish-Prishtinë-Durrës…, ajo rrugë duhet të jetë pa barriera tarifore…“
Vuçiqi: Edi është politikan botëror, ndërsa unë jam lokal, i ngarkuar vetëm për Serbinë.“[21]
Lojën “me tre çibrita“ që ka bërë Vuçiqi me Thaçin dhe Ramën në dëm të territoreve të Kosovës ai ia shpërfaq publikut me humor:
“Bisedimet që kisha në Davos me Hashim Thaçin dhe Edi Ramën nuk ishin të lehta… Me rëndësi është që të mos e humbim atë që nuk guxojmë ta humbim, dhe të humbim vetëm atë që jemi të detyruar… ose atë që nuk na takon.“[22]
Në allishverishet me Serbinë, si duket, Edi Rama ka shkuar edhe më larg. Sepse në mbledhjen, më shumë se teatrale, të të dyja qeverive në Pejë, më 26 nëntor 2018, ai shpalosi idenë se: “Marrëdhënia jonë me Serbinë është strategjike dhe afatgjatë. Shqipëria është e vendosur të ndërtojë një partneritet strategjik me Serbinë.“
Për marren e tyre, askush nga të pranishmit nuk i kërkoi sqarime Edi Ramës, se cili institucion shtetëror dhe kur kishte vendosur për këtë orientim strategjik të politikës shqiptare? Për më tepër kur dihet se marrëdhëniet në mes dy vendeve vuajnë në çdo pikëpamje nga pabarazia dhe mungesa e reciprocitetit elementar.
Këtë lojë të tejdukshme me liderët e pagdhendur shqiptarë, Vozhdi i gjatë e arriti edhe falë rrethanave të reja gjeopolitike, duke luajtur me mjeshtri kartën shumëfytyrëshe në marrëdhëniet e acaruara të Perëndimit me Rusinë, një imitim i politikës dikur të leverdishme të Titos.
Telashet me ndërkombëtarët, kur përpiqej t’ua shiste goglat për arra, Vuçiqi i shpjegon në mënyrë prozaike “… e pyeta shefin e diplomacisë gjermane si të dalë para serbëve dhe t’u them se nuk ka asgjë prej Kosove dhe se këtë ma kanë thënë miqtë tanë? Dhe të gjithë serbët të marrin fërteret dhe të më mëshojnë kokës?“[23]
Gazetari i njohur Andrej Ivanji shpjegon mirë taktikën e Vozhdit : “Thelbi i politikës së Vuçiqit është që Perëndimit dhe rajonit t’ua përcjellë të njëjtin mesazh: në njërën dorë kam shkrepsen dhe këtij rajoni jostabil mund t’i vë zjarrin kur të dua; njëkohësisht në dorën tjetër kam aparatin zjarrfikës dhe jam i gatshëm që zjarrin që kam ndezur vetë ta fik lehtësisht. Ju takon juve të zgjidhni.“[24]
Gjatë një manovre ushtarake, jo larg kufirit me Kosovën, në Pasuljanske livade (Livadhet e Pasulit), Vozhdi rrahte gjoksin se: “Asnjë vend në rajon nuk mund të krahasohet me ushtrinë e Serbisë… ne dhe hungarezët jemi si baraz. Të tjerët janë larg prapa nesh.“[25]
Njëri prej analistëve më të mirë të rajonit, Vladimir Gligorov, kërcënimin e Vozhdit e deshifron saktësisht: “Ushtria është mjeti, ushtria e pajisur mirë është mjet më bindës, e qëllimi cili është, të mbrohet vendi. Por nga kush saktësisht? Në mënyrë që përmes kërcënimit t’i kushtëzojmë të tjerët për të bërë lëshime? Cilët saktësisht. Nëse nuk ka përgjigje në pyetjen për qëllimin, atëherë fjala është për para të hedhura kot…“[26]
Kur strategjia për copëtimin e Kosovës u kundërshtua me këmbëngulje gjithandej ndër shqiptarë po edhe nga shumë serbë, më 24 shtator 2018, para Këshillit të përgjithshëm të Partisë së tij, Vozhdi i gjatë vajtoi:
“Politika ime që Serbia të ruajë shumëçka në Kosovë ka pësuar disfatë. Serbët duan t’i humbin të gjitha. Më shumë preferojnë të qajnë për diçka që do të mbetet larg se sa për diçka që e kanë në duar.“[27]
Dhe vazhdon të vajtojë:
“Patëm rastin të fitojmë më shumë se zakonisht, por serbët thanë se këtë nuk e duan.“[28]
Por kjo është vetëm lojë, nga ato që i thoshte D. Qosiq se “…rrena është interes shtetëror serb…“, sepse burime të besueshme pohojnë se Thaçi-Vuçiq, me dijen e Ramës, që në muajin shtator 2018 kanë ravijëzuar një marrëveshje për copëtimin e Kosovës. Vetëm po presin momentin e volitshëm që, nëse ia arrijnë, t’ia imponojnë popullit të Kosovës copëtimin e vendit, duke vënë kështu shqiptarët para një akti të kryer tradhtie.
Ministri i Jashtëm serb, Daçiq, ditë më parë, në një intervistë pohoi: “Nëse para dhjetë vjetësh do të vepronim kështu do të ishim në gjendje shumë më të mirë. Jam i bindur se deri tash problemi i Kosovës do të ishte zgjidhur.“[29]
Burime të besueshme pohojnë se katër vjetët e fundit Serbia për veprime që lidhen me zgjidhjen e çështjes së Kosovës ka shpenzuar rreth 600 milionë euro. Kjo nuk ka të bëjë fare me financimin e strukturave të saj apo të popullsisë serbe në Kosovë. Se a bëjnë pjesë në këtë shumë edhe 39 milionë euro që shpenzoi Serbia për pengimin e Kosovës të bëhet pjesë e Interpolit, nuk e di, sikundër që nuk e di se ku ka përfunduar ajo shumë kolosale parash; në xhepa të disa shqiptarëve, në xhepa të disa ‘ndërkombëtarëve’ apo në xhepat e të dyja palëve bashkë. Ajo që dihet është se çështja e Kosovës, që ishte një kapitull i mbyllur, sërish u nxor në pazarin e madh si çështje e pazgjidhur.
Hashim Thaçi: Mirësevini, bukë e territor sa te doni…
Edhe Hashim Thaçi, në takatin e tij, ka kontribuar në këtë drejtim, sepse me paratë e buxhetit skamnor të Kosovës, ka paguar lobistë për t’u mbështetur nga qendrat vendimmarrëse marrëveshja e tij me Vuçiqin.
Veç kësaj, ai ka harxhuar shuma kolosale të parave të taksapaguesve për të botuar jashtë librat e tij për marre, ku, paturpësisht, sakrificat e disa brezave për liri përpiqet t’i përvetësojë si kusar.
Keqpërdorimi i serbëve të Kosovës
Serbët e Kosovës qe një shekull e gjysmë janë objekt i yshtjes, dezinformimit dhe manipulimit të paskrupullt nga Beogradi. Kjo veprimtari diversive kundër tyre është intensifikuar sidomos këto katër dekadat e fundit.
Zakonisht votat e serbëve të Kosovës përdoren për sajimin e strukturave të cilat veprojnë jo sipas interesave të serbëve lokalë, por sipas diktatit të Beogradit, siç është e ashtuquajtura Listë Serbe.
Se si përdoren votat më së miri e shpjegon gazetari kosovar, Darko Dimitrijeviq: “… në zgjedhjet e fundit që janë mbajtur në Kosovë, në Osojan (vendbanim serb, afër Istogut) kanë votuar 38 zgjedhës, ndërsa 1.700 nga Kraljeva, Kragujevci etj. (qytete në Serbi, ku banojnë shumë serbë me origjinë nga Kosova), prej tyre 60% janë të vdekur. E kam parë listën me sytë e mi.“[30]
Prej ardhjes në pushtet, Vozhdi i gjatë u drejtohet, gati për çdo ditë, serbëve të Kosovës me mesazhe kundërthënëse e keqdashëse. Dhe nuk është ndalur me kaq, sepse në kulmin e bisedimeve të fshehta për copëtimin e Kosovës, kur Vuçiqit iu kundërvu vendosmërisht edhe njëri prej liderëve më të spikatur serbo-kosovar, Oliver Ivanoviq, këtë e vranë mizorisht para zyrës së vet. Burime serioze konfirmojnë se këtë vrasje, dhe jo vetëm këtë, e kanë kryer strukturat mafioze të lidhura me shtetin serb.
Paraprakisht, Ivanoviqi ishte demonizuar nga bashkëpunëtorët më të afërt të Vozhdit dhe mediave që ky i kontrollon plotësisht, duke u shpallur njeri i lig e vegël e Prishtinës.
Prandaj, disa ditë para se të vritej, Ivanoviqi kishte takuar Vuçiqin dhe krerët e BIA-s (shërbimi sekret serb) dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre për shkak se e kërcënonte me jetë, nënkryetari i partisë së Vuçiqit në Kosovë (Lista Serbe), mafiozi famëkeq, Milan Radoiçiq.
Një vit para se të vritej, Oliver Ivanoviq, u deklaroi mediave se “…fushata që po bëhet për zgjedhjet lokale në Kosovë, thënë më së buti është e çuditshme dhe se tash serbët po frikësohen prej serbëve më shumë se që janë frikësuar nga shqiptarët radikalë në vitet 1999, 2004 dhe 2008.“[31]
Në tubimin e fundit javor në Beograd (12 janar 2019), ku po marrin pjesë nga disa dhjetëra mijëra kundërshtarë të regjimit, Rada Trajkoviq, njëra prej liderëve të njohur të serbëve të Kosovës deklaroi:
“Na e vranë Oliverin, më të mirin prej nesh. Kanë menduar se vrasja e Oliverit do të promovonte si krejt të pamundur bashkëjetesën e serbëve dhe shqiptarëve, në mënyrë që përkufizimi (ndarja territoriale) të imponohet si ardhmëri. Ai edhe i vdekur i sfidoi, sepse në rrugëtimin e tij të fundit e përcollën edhe fqinjët e tij shqiptarë, të cilët shprehën keqardhje për vrasjen e fqinjit të tyre, dhe kështu plani i Vuçiqit dhe Thaçit (për ndarjen e Kosovës, shënim i autorit) u bë një plan i parealizueshëm“.
“Ne, serbët (e Kosovës) nuk po kërkojmë shumë. Po kërkojmë që serbët të mos frikësohen prej serbëve. E prej që Vuçiqi ka ardhur në pushtet, ne (serbët) po frikësohemi prej serbëve.“[32]
Vozhdi i gjatë ua fut frikën në palcë serbëve të Kosovës edhe duke gënjyer sy ndër sy. Në kohën e acarimit të gjendjes pas aplikimit të taksave doganore, ai në një tubim me serbët e Kosovës deklaroi: “Kemi informata për lëvizjen e trupave shqiptare nga baza e Belvedereve dhe Vrella… Ndoshta po shkojnë për të kontrolluar Liqenin (e Gazivodës), për t’i treguar muskujt dhe për të penguar ndonjë import mallrash“.
Ndërkaq zëdhënësi i KFOR-it deklaronte krejt të kundërtën: “…Nuk po ndodh asgjë. Nuk ka pasur kurrfarë lëvizjeje të trupave të FSK-së drejt veriut… nuk ka asnjë arsye për shqetësim.“[33]
Për këtë klimë të krijuar artificialisht flet me shqetësim edhe ish-ministri serb për Kosovën, Goran Bogdanoviq, përndryshe banor i Leposaviqit: “Ajo që s’më pëlqen është pompimi medial që shpërndahet live. Tërë ditën emetohen emisione speciale, në të cilat të intervistuar të ndryshëm me përgjigjet, demagogjinë dhe rrenat e tyre i shqetësojnë serbët në Kosovë. Nuk e di pse krejt kjo. Kanë ndodhur gjëra shumë të rënda, por nuk kishte emetime mediale live. Duhet informuar qytetarët, por jo kështu…“[34]
Pas vendimit për formimin e Ushtrisë së Kosovës, Vuçiqi luante teatër me serbët e Kosovës, thua se ata nuk e dinë se KFOR-i nuk lejon të rrezikohet prej askujt siguria e tyre:
“Mos u shqetësoni. Në çdo përpjekje për sulm ndaj jush, Serbia do të ketë forcë për t’ju mbrojtur… Ne mbrapa nuk mundemi më, s’kemi ku. Mos mendoni se do ta pranojmë dhe me mirësjellje të kënaqemi me vetëshkatërrimin tonë.“[35]
Në këtë lojë të madhe, Vozhdi i gjatë ka mobilizuar sidomos mediat serbe. Vitin që lamë pas, ta zëmë, vetëm në tabloidët mercenarë “Informer“ e “Srpski telegraf“ në kryetitujt e faqeve të para 265 herë paralajmërohen luftërat dhe konfliktet kundër kroatëve e shqiptarëve në radhë të parë.“[36]
Në njërën anë Vuçiqi ndez zjarrin dhe menjëherë pastaj merr rolin e zjarrfikësit. Shembulli më i mirë është treni laran rus, që Kosova e ndali në kufi:
“Një pjesë e mirë e serbëve hidhërohen pse nuk e çuam trenin deri në Mitrovicë. Ne mund ta bënim këtë, por do të kishte të vdekur në të dyja anët… “ [37]
Kjo politike e tejdukshme meskine dhe e paskrupullt, që ka për synim të realizojë objektiva strategjike serbomëdha, ka irrituar edhe shumë serbë. Fjalët që do të duhej t’ia thoshin në takimet e tyre të shpeshta Vozhdit të gjatë, Hashim Thaçi, Isa Mustafa ose Edi Rama, ia tha regjisori, çedomir Petroviq, serb me prejardhje nga Prishtina, deri tash mbështetës i Vozhdit të gjatë, i cili, në një letër që ia drejtoi, para disa javësh, kryetarit të tij, i thotë troç:
“Besimi im në ju ishte pjellë e dëshirës sime dëshpëruese që të shfaqet dikush pas kaq vitesh dhe me ndryshimin e vet ta ndryshojë edhe Serbinë.
Na mashtruat dhe na zhgënjyet. Kemi humbur në mënyrë të pakthyeshme shumë vjet, falë politikës tuaj të gabueshme e të luhatshme duke shtyrë kohën, e cila kurrsesi nuk punonte për ne“.
“Kemi kryer krime të tmerrshme ndaj shqiptarëve gjatë luftërave ballkanike, para dhe pas Luftës së Dytë Botërore.
Forcat policore serbe gjatë viteve 1998 e 1999 kanë kryer masakra, shkatërrime, helmime, të puseve të ujit, përdhunime, plaçkitje, vrasje të civilëve… Ushtria dhe policia.. të kontrolluara nga maja e shtetit kanë dëbuar nga Kosova 700 mijë shqiptarë të Kosovës.
Milosheviqi ka urdhëruar që të gjitha kufomat në Kosovë që do të mund të ishin objekt interesimi për Gjykatën e Hagës duhej të fshiheshin.
Në furrat e Trepçës janë djegur 1500 kufoma.
Nga thellësitë e Danubit të ftohtë janë dalë në sipërfaqe frigoriferët me trupa të grave dhe fëmijëve shqiptarë.
Gjithandej nëpër Serbi, në poligonet e policisë ka varreza masive.“[38]
Në vend se me fakte të tilla t’ia mbyllte gojën Vozhdit dhe Daçiqit, kur këta, duke ia treguar këndin e dosjeve të trasha me paudhësi, i kanë kërkuar copëtimin e Kosovës, Hashim Thaçi, i zënë pisk vetëm ka pëshpëritur : “… hesht se na dëgjojnë të tjerët… !“[39]
Komunikimi diabolik, herë prush e herë akull
Prej që ka ardhur në pushtet, gati për çdo ditë, Vuçiqi komunikon intensivisht me opinionin, përmes intervistave dhe deklaratave të ndryshme. Kryetemë ishte dhe vazhdon të jetë Kosova. Për të Kosova është : “…ankth i natës, është brenga më e madhe, me të cilën bie dhe zgjohem, ani se flej pak. Kosova është brenga ime më e madhe, sepse e di se sa shumë jemi përpjekur për ta ruajtur stabilitetin…“[40]
“Kosova ma han shpirtin. Pa zgjidhjen e këtij problemi çdo gjë që kam arritur nuk do të jetë e qëndrueshme. Kriza e parë do të na mbysë.“[41]
Në këtë temë me kërrabëzën e verbit, Vuçiqi përthur luftën, paqen, shpresën, lutjen, kërcënimin, inatin, zhgënjimin… Tamam teatër:
Deklaratave të pamend të parisë së Kosovës për Nishin etj., ai u përgjigjet me ironi: “Mirë, ata janë të fortë e të mëdhenj, ne, serbët, të vegjël e të pafuqishëm. Ndoshta do të mbërrijnë deri të Smederevska Palanka (qytet afër Beogradit), ta shohim…“[42]
Sipas Snjezhana Milivojeviq, eksperte e mediave, “…Vuçiq është një orator mesatar… ai përhap frikë rreth vetës… dhe dëshiron të krijojë bindjen se ai natë e ditë kujdeset për Serbinë… Sillet si pater familias i krejt kombit, kujdeset jo vetëm për njërin por për të gjithë serbët… Mendoj se ai ka një ide të fiksuar se ai duhet të jetë shpëtimtari i Serbisë… për të është tmerrësisht e rëndësishme që mu ai ta zgjidhë çështjen e Kosovës dhe ashtu të hyjë në histori…“[43]
Në një analizë të gjatë, të publikuar në NSPM (Nova srpska politicka misao) me titull “Silovanje Srbije“ (Përdhunimi i Serbisë) dhe nëntitull “Aleksandër Vuçiq në faqet e para të gazetave të përditshme“ konstatohet se:
“Si mediet e tjera, edhe gazetat e përditshme pandërprerë dhe me këmbëngulje formësojnë fotografinë e kryetarit si hero dhe martir, prijës dhe shpëtimtar i kombit, të gatshëm në sakrifica për të mirën e vendit dhe të popullit si model i lehtëpranueshëm për opinionin e brendshëm.“[44]
Shpeshherë edhe kur gjendja është krejt e qetë, Vozhdi ankohet pa asnjë shkak: “Jemi në gjendje të rëndë, po rrëmihin me këmbë e me duar… “ Me ata që rrëmihin ai mendon në Perëndimin, në shqiptarët dhe në opozitën.
Ose: “Shtrohet pyetja si do t’ia bëjmë nëse shpërthen ndonjë konflikt, prandaj vazhdimisht kam kërkuar ta gjejmë një kompromis. Ishte kjo lufta ime e Davidit me Golijatin, i cili quhet krejt Perëndimi me shqiptarët. Po luftoj që të fitojmë diçka për Serbinë dhe popullin serb, nuk isha afër asaj që të fitojmë diçka, por disa filluan të na dëgjojnë… Për shqiptarët Amerika është edhe nënë edhe baba, të tjerët janë halla dhe teze, Anglia, Franca, Gjermania.“
“Ne po përpiqemi, kemi mbështetjen e Kinës, Rusisë dhe disa vendeve. Por a mjafton kjo? Pozita jonë është e vështirë, po përpiqemi të mbahemi në fushë, që të paktën të kemi remi.“[45]
Përderisa me të huajt Vuçiqi përdor një fjalor shumë të përzgjedhur, me opozitën ai sillet si karrocier, duke i quajtur liderët e saj me të gjithë emrat: kafshë, hajdutë, tradhtarë, të pabesë, plaçkitës e çka mos tjetër. Njohësit e mirë të gjendjes në Serbi pajtohen se mediat, por edhe klima politike në Serbi nuk dallojnë shumë nga ajo e viteve të luftës (1991 – 1999).
Si pasojë e kësaj gjendjeje, ka dy muaj që në Beograd ka manifestime të rregullta. Shëtitësit, apo manifestuesit, që po shtohen vazhdimisht ditë më parë iu drejtuan Vozhdit me një letër të hapur.
“Po të drejtohemi drejtpërdrejt Ty, sepse ti je redaktori i të gjitha mediave. Sepse ti dëshiron të kesh njerëz-objekte e jo qytetarë.
Të gjithë ata që guxojnë ta thonë mendimin e tyre, trajtohen si armiq dhe duhet kredhur në baltën e “tabloidëve“… Dikur armiq ishin Slavko Quruvija e Oliver Ivanoviq, ndërsa tash të gjithë jemi bërë armiq dhe objekt i sulmeve tuaja.“[46]
Më 25 nëntor 2018 në një tubim përkujtues, në Vojvodinë, Vozhdi i gjatë u drejtohet kundërshtarëve sidomos:
“E keni kuptuar se Serbia sot është nën presion nga anë të ndryshme, dhe zogj të ndryshëm të zinj kanë mësyrë të çukatin çdo gjë që munden nëpër Serbinë tonë të bukur, por Serbia e di se ani se nuk jemi më të mëdhenjtë as në mesin e të mëdhenjve askush nuk ka mundur ta gjunjëzojë e nuk do t’ia arrijnë as ata që po përpiqen sot…“[47]
Në forumin e liderëve të Ballkanit me BE-në, në Tiranë, më 28 maj 2015, Vuçiqi iu drejtua përfaqësuesit të BE-së pa dorashka, lërini përrallat se: “Jemi lodhur me seminare, neve na duhen paratë…“[48]
Vozhdi i gjatë është ekspert për shndërrimin e tezave. Para se zyrtarizohej formimi i ushtrisë së Kosovës, ai takoi ambasadorët e Kinës dhe Rusisë në Beograd dhe i alarmoi se “Sjellja e Prishtinës mund të çojë deri te katastrofa, qëllimi i tyre është përzënia e popullit serb…“
“Serbia me asgjë nuk po shkakton destabilizim, por me provokacionet e përhershme do të vihemi para një situate pa rrugëdalje (deri të domosdoshme) për të mbrojtur popullin serb në Kosovë e Metohi. Serbia nuk guxon të lejojë ndjekjen e popullit të vet…“ [49]
Ndërsa vetëm pas dy ditësh :
“Shpresoj se do ta ruajmë paqen, Serbia do të japë çdo gjë nga vetja. Jam i bindur se do të kemi paqe, që s’do të ketë luftë, por nuk do të lejojmë përzënien e njerëzve tanë prej aty ku ata jetojnë… Gjithnjë do të bisedojmë për t’i zgjidhur problemet në mënyrë paqësore…“[50]
“Ata janë shumë të fortë dhe Serbia nuk është ajo që (mund) t’ia ndërrojë mendjen SHBA-së. Ne s’kemi çka të bëjmë tjetër, me shpatulla për muri jemi, duhet të ruhemi dhe të mbrohemi…“[51]
Vendimi për formimin e ushtrisë së Kosovës i shqetësoi së tepërmi autoritetet dhe opinionin serb gjithandej. Dhe nuk është çudi, sepse në shumicën e luftërave që i ka bërë Serbia, ajo zakonisht është përballur me civil ose me çeta të keqorganizuara e pa armë.
Lufta në Kroaci dhe BeH e ka dëshmuar se kudo ku ushtria serbe kishte përballë njësi ushtarake të udhëhequra nga oficerë profesionistë edhe sado të pakta në numër, megjithatë e ka humbur çdo betejë. Një shembull i mirë është Korpusi i pestë i Ushtrisë boshnjake i udhëhequr nga gjenerali Dudakoviq, i cili u ka shkaktuar forcave serbe humbje të pariparueshme.
Prandaj Vozhdi i gjatë flet me kaq shqetësim:
“Kosova e Metohia është makth i madh për ne, sidomos për shkak të potezit të Prishtinës për formimin e ushtrisë, që nuk mbështetet as në të drejtën (ndërkombëtare) e as në Rezolutën 1244. Është detyrë e Kforit që ta shformojë ushtrinë. Por ata nuk do ta bëjnë këtë, do të thonë se çdo gjë ka ndryshuar prej që (shqiptarët) e kanë shpallur Pavarësinë.“
“Mos e poshtroni Serbinë dhe popullin serb, sepse këtë nuk do ta lejojnë as Serbia e as populli serb.“[52]
“Shqiptarët dhe sponsorët e tyre amerikanë kishin vetëm një qëllim – ta shkelin Serbinë në kuptimin politik dhe të nëpërkëmbin vlerat e saj, në mënyrë që Serbia të mos mund të ngritet…“[53]
“Mirëpo Serbia ka fytyrë, krenari, dinjitet, shtetësi dhe popullin e saj krenar. Jam krenar me popullin tonë në Kosovë e Metohi, në ata njerëz që, si përgjigje ndaj atyre që kanë renditur gjithandej flamurin amerikan, ngritën flamurin e Serbisë nëpër rrugë dhe nëpër shtëpitë e tyre… e jo si ata që s’kanë me se të krenohen por shpalosin flamurin e huaj për të treguar se sa të fortë janë…“[54]
Duke analizuar makiavelizmin e Vozhdit të gjatë, m’u kujtua për dreq, një thënie e Martin Luterit, e shkruar këtu 500 vjet më parë për serbët, për të cilët kishte një urrejtje të madhe, ndoshta sepse mund të ketë takuar ndokund Vuçiqin e parë…:
“Serbët janë populli më i lig i të gjithë popujve, ai është popull i malokëve dhe i hajdutëve…“[55]
Një ditë pasi kishin marrë ai dhe Thaçi letrën nga presidenti amerikan, Vuçiqi paralajmëron opinionin se: “Zgjidhja në raportet Beograd-Prishtinë nuk është afër. Druaj se do të ketë zgjidhje të keqe për ne…“ dhe se për këtë letër do të fliste me Putinin.[56]
Kulmi i këngës së përvajshme të Vozhdit të gjatë, gjithsesi ishte fjalimi tij në Këshillin e Sigurimit, më 17 dhjetor 2018:
“Numrat tregojnë se serbët nuk kanë kryer pastrime etnike, sepse dikur në Kosovë ishin 220.000, ndërsa sot kanë mbetur vetëm 106.000…
I kemi përgjëruar të mos kandidojnë për anëtar të Interpolit, UNESCO-s, ENTSO-E. Ata llogarisnin në mbështetjen e SHBA-së dhe shumë shteteve evropiane, duke shpresuar se do të fitojnë. Në rundin e parë kishin më pak se 50% të votave. E pastaj filluan ta akuzojnë Serbinë, sikur ishte faji ynë…“
“Me taksat e tyre ata kanë rrezikuar krejt popullsinë serbe në Kosovë…, a mund ta merrni me mend që dikush, në shekullin XXI, ndalon dhe pengon qarkullimin e lirë të mallrave dhe të njerëzve… ? “
Ne i kemi respektuar të gjitha që burojnë nga marrëveshja, ndërsa (shqiptarët) qe 2070 ditë nuk e kanë zbatuar dhe as që ka ndërmend të zbatojnë detyrimin për formimin e Bashkësisë së komunave serbe.“
“Dëshiroj të them se Serbia ka bërë shumë përpjekje e derdhur shumë mund që të vendoset paqja e stabiliteti gjithandej në Ballkanin Perëndimor. Kemi bërë çdo gjë që të përmbahemi e të mos përgjigjemi në provokime të ndryshme që vinin nga Prishtina…
Më duhet të them se jam tepër i shqetësuar, madje nga pak edhe i frikësuar për të ardhmen jo vetëm të popullit tim dhe shtetit tonë, Serbisë, por për krejt rajonin…“
“Duhet të jemi ne fajtor në mënyrë që dikush ta arsyetojë politikën e vet të gabuar.“[57]
Në këtë fjalim pervers Vozhdit të gjatë do t’ia kishte zili edhe mentori i tij i ndjerë, Dobrica Qosiq, i cili thoshte se “Serbët shumë herë gjatë historisë i ka shpëtuar gënjeshtra…“
Vuçiq, sa herë ka nevojë për ta zhvendosur vëmendjen e atyre që e dëgjojnë u kthehet dyshuesve në llogoret e tij politike, por të shumtën e rasteve opozitës, siç bën edhe në kongresin e partisë socialiste të Daçiqit:
“T’i pyes sot anëtarët tuaj e të mitë dhe funksionarët (partiakë), cili është kompromisi (për Kosovën) me të cilin ju do të ishit të kënaqur, askush nga ju nuk do të më përgjigjeni. Ne, serbët kënaqemi vetëm kur e fitojmë maksimumin.“
“Lërini përrallat e tuajve e të mive se krejt (Kosova) ishte e jona. Asgjë nuk ishte e jona. E kanë vënë kufirin në mes Serbisë qendrore dhe Kosovës në Jarinjë dhe në Bërnjak. Krejt ua kanë dhënë. Më 2010, ua kanë dhënë vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, se deklarata e tyre (e Pavarësisë) nuk ishte akt ilegal. Ky është turpi më i madh që i ia kemi bërë vetës. Dhe sot kjo është e vetmja gjë rreth të cilës po përpiqen ekspertët tanë dhe nuk po mund ta mbrojmë.“
Dhe, ashtu si në Gazivodë, edhe kësaj radhe glorifikon kasapin e Ballkanit :
“E di se gjithnjë do ta duani më shumë Milosheviqin se mua, ndoshta edhe më shumë se Daçiqin, por sot rezultatet janë më të mira se atëherë, pra edhe për këtë çështje (të Kosovës).“[58]
Në një letër të peshkopit të Kosovës, Teodosije, përmes së cilës kleriku i lartë kundërshtonte ndarjen e Kosovës, Vuçiq përgjigjet me hungërim:
“Nuk doni përkufizim me shqiptarët? S’ka problem, thoni njerëzve që të jenë të gatshëm ta mbrojmë Vranjën (qytet në kufi me Kosovën Lindore) për 40 vjet. A vërtet mendoni se qysh tash njerëzit tanë nuk po shpërngulen prej atje?“[59]
Vozhdi nuk vajton vetëm për Kosovën, por edhe për Malin e Zi: “Ne e kemi humbur Kosovën më 2008, sepse i kishim në pushtet dy persona që garonin në Beograd se cili do të pëlqehet më shumë nga të huajt… Edhe më 2006 kishim pushtetarë të paaftë kur e humbëm Malin e Zi…“[60]
Prandaj ministri i Jashtëm i Malit të Zi, Drmanoviq, shpreh shqetësimin se:
“…Vuçiqi po i acaron marrëdhëniet me fqinjët… Acarimi i marrëdhënieve gati me të gjithë fqinjët nuk i sjell asgjë të mirë as vetë Serbisë.“[61]
Ndërsa ambasadori i Sllovenisë në NATO, Kacin, dikur europarlamentar i ngarkuar për Ballkanin deklaroi:
“Për sa i përket Ballkanit Perëndimor, krejt do të varet nga ajo se a do të përcaktohet A. Vuçiqi për të ardhmen e Serbisë apo të gjitha vendet e rajonit do të mbeten peng i kthimit të tij në të kaluarën dhe në mitologji.“[62]
Ish-ministri kroat i Punëve të Jashtme, Davor Stier, në një analizë serioze për politikën serbe rezonon kështu :
“Ajo u përshtatet rrethanave të reja, por në substancë mbetet në gjurmët e Naçertanies së Garashaninit të shekullit XIX.“
Stier shpreh shqetësimin e tij të ligjshëm për qëllimet strategjike të Serbisë për ta shtrirë ndikimin në hapësirat e ish-You-së si dhe për sjelljen e papërgjegjshme të disa shteteve evropiane : “…kjo alternativë e logjikës së sferave të interesit ka bërë që për disa kryeqytete të BE-së më e kapshme është të mbështesin apo të tolerojnë Vuçiqin sesa të lejojnë që këto hapësira t’ua lënë lojtarëve më të mëdhenj, Moskës ose Ankarasë…“[63]
Përfundim
Vozhdi i gjatë, nganjëherë di edhe të befasojë me gjoja çiltërinë e tij, siç është rasti kur, më 29 dhjetor 2013, denoncoi krimin e shëmtuar të shërbimeve serbe, të cilat më, 14 dhjetor 1998, në Pejë, në kafenë “Panda“, që frekuentohej ekskluzivisht nga serbët, vranë mizorisht 6 të rinj serbë dhe plagosën shumë të tjerë. Me qëllim që të fajësonin shqiptarët.
Por ai nuk ndërmori asnjë hap për t’u zbardhur ky krim i shëmtuar dhe për t’i nxjerrë kriminelët para drejtësisë, përkundër premtimeve që, disa herë, u kishte dhënë familjeve të viktimave.
Në të njëjtën mënyrë është sjellë edhe me vrasjen mizore të vëllezërve Bytyqi (korrik 1999), sepse përkundër kërkesave të vazhdueshme të Washingtonit, kriminelët, megjithatë ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë…
Pavarësisht aftësive dribluese, energjisë dhe këmbënguljes, Vuçiq, megjithatë mbetët një politikan tipik ballkanik:
“E dua shumë gruan dhe për asgjë në botë nuk do ta ndërroja. Thjesht e adhuroj. Si person është e matur dhe e përmbajtur. Asnjëherë nuk më pyet se ku po shkoj dhe kur do të kthehem. Ajo nuk shkon askund pa fëmijët dhe burrin e saj. Me shoqet shkon për kafe kur unë konsideroj se është fjala për një datë të përshtatshme… “ [64]
Megjithatë, katër vjet më vonë ai e la këtë grua dhe e mori një tjetër, më të re. Por, fundja, kjo është çështje e tij private.
Ajo që nuk është çështje e tij private, sepse dëmton themelshëm interesat jetike të një populli, është se Vuçiq, falë mirëfunksionimit të organeve shtetërore serbe, shërbimeve sekrete sidomos, këmbënguljes së tij (Ai ia ka arritur që edhe një Angela Merkel ta bindë për t’i shikuar hartat, thoshte këshilltarja e tij, natyrisht, hartat për copëtimin e Kosovës…) pa përjashtuar këtu edhe lumin e parave, arriti që çështjen e Kosovës, që megjithatë ishte një çështje e mbyllur, ta nxjerrë sërish në tavolinën ndërkombëtare si çështje të hapur.
E nxori në një kohë kur rrethanat gjeopolitike kanë ndryshuar shumë dhe, mjerisht në disfavor të shqiptarëve.
Vuçiqi ia arriti kësaj, falë pushtetarëve të pagdhendur e të pamoralshëm të Kosovës, që është dëshmia më e qartë se sa të rrezikshme janë elitat e sajuara. Por edhe falë faktit se Shqipëria, fatkeqësisht, edhe pas një shekulli shtet, nuk arrin t’i mbrojë as interesat e veta strategjike e të mos flasim për interesat e kombit shqiptar.
Pallavrat e Edi Ramës se copëtimi i Kosovës do të mundësojë bashkimin kombëtar është një demagogji e shëmtuar që nuk do të duhej t’i lejonte vetës as Shukri Xhelili i ‘famshëm’…
Por të jemi me këmbë në tokë. Ky shtetrrënim i Kosovës para së gjithash është meritë e Hashim Thaçit, sepse ky, për të shpëtuar lëkurën e tij, në negociatat me Serbinë, luajti dhe po vazhdon të luajë rolin e Kalit të Trojës.
Thaçi përmes lidhjeve të tij, përfshirë dhe një mantenutë të kahershme, dhe me paratë e buxhetit të Kosovës, ka lobuar gjithandej që aleatët e Kosovës ta pranojnë si të mirëqenë Marrëveshjen e tij me Vuçiqin. Rezultat i kësaj veprimtarie duhet të jetë edhe letra e Boltonit drejtuar qeverisë së Kosovës, ku, në mënyrë ultimative kërkohet prej saj t’i heqë taksat kaherë të meritueshme doganore ndaj Serbisë.
Në të njëjtën mënyrë nesër do t’i kërkohet qeverisë heqja dorë nga qëndrimi kundër ndarjes së vendit e pastaj, edhe miratimin e nënshkrimit të Marrëveshjes Thaçi-Rama-Vuçiq për copëtimin e Kosovës.
Të njëjtën gjë Thaçi e ka bërë edhe gjatë negociatave për demarkacionin me Malin e Zi, kur, përmes kanaleve të tij, kërkoi nga BE që Kosovën ta kushtëzojë me liberalizimin e vizave derisa populli ta pranojë demarkacionin e imponuar.
Shkrimi është i mbrojtur, në rast kopjimi duhet të shënohet burimi dhe të mos ndryshohet përmbajtja e tij.
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
Aty
“Kako bi srpski radikali razresili Kosovsko Metohijske pitanje“, ‘Velika Srbija’, tetor 1995
NYT, 04. 05. 1994
Predrag Popoviq, “Moralni portret Aleksandra Vuçiqa”, Beograd 2011
Aty
Aty
Aty
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.espreso.rs/autor/313/sasa-m-stajic
https://www.youtube.com/watch?v=ttXM8pVHhWc, minuti 10 :50
Pravda, 14 janar 2018
B92, 1 mars 2018.
Andrej Ivanji, intervistë te ‘Avangarda’, 28. 11. 2018
Blic, 10.11.2018
Vladimir Gligorov, Beta, 8. 01. 2019
B92, 15.10.2018. | 13:57
Blic, 6. 12. 2018
Blic, 9 janar 2019
Rasti i dhunës i raportuar mbrëmë në komunën e Skenderajt është një tjetër sinjal shqetësues për nivelin e kulturës politike dhe demokratike në shoqërinë tonë. Ngjarje të tilla nuk duhet të trajtohen si incidente të zakonshme apo si pasojë e emocioneve momentale, por si tregues të një klime të rrezikshme intolerance që, fatkeqësisht, po vazhdon të ushqehet nga vetë diskursi politik.
Në një sistem pluralist, mendimi ndryshe nuk është kërcënim, por vlerë themelore e demokracisë. Pikërisht aftësia për të pranuar kundërshtarin politik dhe për të respektuar të drejtën e secilit për të menduar ndryshe e dallon një shoqëri demokratike nga një shoqëri e dominuar nga frika, presioni dhe mentaliteti autoritar.
Ata që dikur luftuan për lirinë dhe çlirimin e Kosovës kanë përgjegjësi edhe më të madhe morale e historike për të dhënë shembull tolerance, qytetarie dhe maturie politike.
Nëse lufta është bërë për lirinë e të gjithëve, atëherë kjo liri duhet të vlejë njësoj për çdo qytetar, pavarësisht bindjeve politike apo ideologjike.
Kosova është shtet i të gjithë qytetarëve të saj dhe askush nuk ka të drejtë ta trajtojë atë si pronë personale apo partiake. Mentaliteti i përjashtimit dhe arroganca politike janë në kundërshtim të plotë me frymën demokratike mbi të cilën duhet të ndërtohet shteti.
Veçanërisht shqetësues mbetet fakti kur liderë politikë apo përfaqësues institucionalë dalin publikisht dhe relativizojnë ose justifikojnë dhunën. Në atë moment nuk kemi më të bëjmë me konkurrencë demokratike, por me legjitimim të mosdurimit dhe të logjikës së forcës.
Deklaratat e pamatura dhe reagimet emocionale jo vetëm që dëmtojnë klimën politike, por njollosin edhe vetë kontributin e atyre që në periudhat më të vështira u vunë në mbrojtje të Kosovës.
Po aq problematike është edhe ndërhyrja në punën e organeve të rendit dhe sigurisë. Në çdo shtet demokratik, policia dhe institucionet e sigurisë kanë për detyrë ruajtjen e rendit publik dhe garantimin e sigurisë për të gjithë qytetarët.
Kjo është praktikë universale. Edhe në vendet me traditë të gjatë demokratike, si Zvicra, askush nuk e vë në dyshim të drejtën dhe detyrën e policisë për të patrulluar dhe për të garantuar rendin në qytet apo në fshat.
E kaluara jonë politike ka lënë plagë të thella. Shoqëria kosovare ka përjetuar edhe raste tragjike ku, gjatë fushatave zgjedhore, janë vrarë pjesëtarë të partive kundërshtare si pasojë e urrejtjes politike dhe e përpjekjeve për ta deformuar vullnetin qytetar.
Pikërisht për këtë arsye, çdo tolerim i gjuhës së urrejtjes apo i dhunës duhet të konsiderohet alarm serioz për demokracinë.
Fatkeqësisht, dhuna verbale dhe mosdurimi politik shpesh ushqehen nga vetë liderët partiakë. Në publik ata paraqiten si kundërshtarë të ashpër, ndërsa prapa skenës bashkohen rreth interesave personale, ekonomike apo klanore. Në këtë realitet të deformuar, humbësi më i madh mbetet qytetari i zakonshëm, i cili, i nxitur nga retorika përçarëse, shkon deri te konfliktet personale me militantët e partive rivale.
Përkundër deklarimeve për maturi dhe standarde demokratike, shumë prej fushatave zgjedhore në Kosovë dhe Shqipëri vazhdojnë të dominohen nga skandalet, polarizimi dhe propaganda agresive.
Demokracia nuk ndërtohet mbi frikën, manipulimin dhe mobilizimin militant, por mbi besimin qytetar dhe integritetin moral të përfaqësuesve politikë.
Një fenomen tjetër shqetësues mbetet lëvizja e shpeshtë e individëve nga një parti në tjetrën, shpesh jo për shkak të bindjeve politike, por për interesa personale dhe klanore. Kjo krijon mosbesim te qytetarët dhe e zbeh seriozitetin e vetë sistemit politik.
Edhe një pjesë e mediave, në vend që të kontribuojnë në qartësimin e opinionit publik me profesionalizëm dhe paanshmëri, shpesh bien pre e sensacionalizmit, anshmërisë politike dhe gjykimeve të parakohshme, duke marrë rolin e institucioneve të drejtësisë.
Dhuna, intoleranca dhe sidomos justifikimi publik i tyre janë rrugë e rrezikshme që mund ta çojnë një shoqëri drejt destabilizimit institucional dhe anarkisë. Demokracia nuk mbrohet me forcë, por me kulturë politike, me institucione të pavarura dhe me respekt të ndërsjellë.
Prof. Dr. Basil Schader (1951–2026) ishte një ndër personalitetet më të shquara evropiane që kontribuoi në studimin, ruajtjen dhe zhvillimin e gjuhës shqipe, veçanërisht në fushën e arsimit plotësues në diasporë.
Me dhembje të thellë morëm lajmin për ndarjen nga jeta të Prof. Dr. Basil Schader, pedagogut, studiuesit dhe mikut të madh të shqiptarëve. Ikja e tij e papritur, pas një sëmundjeje të rëndë në spitalin e Cyrihut, përbën një humbje të madhe jo vetëm për botën akademike shqiptare e zvicerane, por edhe për të gjithë ata që patën fatin ta njohin nga afër përkushtimin, urtësinë dhe dashamirësinë e tij të pashoqe ndaj gjuhës, kulturës dhe arsimit shqiptar.
Në çaste të tilla dhimbjeje, fjala duket e pamjaftueshme për të shprehur pikëllimin që ndiejmë. Megjithatë, krahas dhimbjes së thellë, kemi edhe detyrimin moral e intelektual të kujtojmë dhe të vlerësojmë veprën e vyer të profesor Schader-it, i cili me përkushtim të rrallë iu kushtua çështjes shqiptare, veçanërisht ruajtjes dhe kultivimit të gjuhës shqipe në diasporë.
Në mesin e studiuesve me prejardhje joshqiptare që dhanë kontribut të jashtëzakonshëm për gjuhën dhe arsimin shqip, emri i Basil Schader-it zë një vend të veçantë. Ai jo vetëm që e mësoi dhe e zotëroi gjuhën shqipe në mënyrë shembullore, por e studioi atë me seriozitet shkencor dhe ia kushtoi një pjesë të madhe të jetës mbrojtjes, promovimit dhe zhvillimit të saj. Për profesor Schader-in, gjuha shqipe nuk ishte thjesht objekt studimi akademik, por një pasuri shpirtërore dhe identitare që duhej ruajtur e transmetuar brez pas brezi.
Mesazhi i tij shkencor dhe njerëzor drejtuar shqiptarëve që jetojnë jashtë trojeve amtare ishte i qartë dhe i vazhdueshëm: gjuha shqipe duhet folur në familje, në jetën e përditshme dhe t’u trashëgohet fëmijëve si vlera më e çmuar identitare. Ai ishte i bindur se vetëm përmes përdorimit aktiv dhe shkrimit të saj, shqipja mund të mbijetojë dhe të zhvillohet në kushtet e migrimit dhe të shumëgjuhësisë.
Kontributi i tij në fushën e arsimit plotësues në diasporë ishte shumëdimensional. Në vitin 1996, në bashkëpunim me mësuesin Femzi Braha, botoi librin “Shqip”, ndërsa së bashku me Fadil Rexhepi hartoi librin shkollor “Ura e Fjalëve”, si dhe fjalorin shkollor gjermanisht-shqip. Një ndër veprat më të rëndësishme shkencore të tij mbetet studimi “Shqyrtime gjuhësore rreth kontaktit mes shqipes dhe gjermanishtes në Zvicër”, me të cilin mbrojti doktoraturën e dytë në Universitetin e Tiranës, botuar në vitin 2005. Ky studim përfaqëson një kontribut të
rëndësishëm në fushën e sociolinguistikës dhe të dygjuhësisë shqiptare në diasporë.
Përveç botimeve dhe përkthimeve të shumta nga shqipja në gjermanisht dhe anasjelltas, profesor Schader u dallua edhe për angazhimin e tij në ngritjen profesionale të mësimdhënësve shqiptarë. Ai bashkëudhëhoqi seminare, konferenca dhe projekte të rëndësishme arsimore për mësuesit e shkollave shqipe në diasporë, në Kosovë dhe më gjerë, duke kontribuar në avancimin e metodologjisë së mësimdhënies dhe të didaktikës bashkëkohore.
Veçanërisht i rëndësishëm ishte bashkëpunimi ndërmjet Shkollës së Lartë Pedagogjike të Cyrihut, ku ai vepronte si docent, dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës për hartimin dhe botimin e teksteve të mësimit plotësues në diasporë. Në kuadër të këtyre angazhimeve, profesor Schader udhëhoqi projekte ndërkombëtare për didaktikën e mësimdhënies, duke dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në profesionalizimin e mësuesve të gjuhës shqipe jashtë atdheut.
Për veprimtarinë e tij të çmuar në shërbim të arsimit dhe kulturës shqiptare, Lidhja e Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë në Zvicër e shpalli anëtar nderi në mars të vitit 2003. Ndërsa në vitin 2017, për kontributin e tij shumëdimensional në favor të mërgatës shqiptare dhe të shqiptarëve në përgjithësi, ai u nderua me “Çmimin e Nderit” nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Figura e Prof. Dr. Dr. Basil Schader-it do të mbetet e paharruar në kujtesën e mësuesve, studiuesve dhe të gjithë shqiptarëve që panë tek ai një mik të sinqertë dhe një mbrojtës të palodhur të gjuhës shqipe. Ai ishte një urë lidhëse mes kulturave, një zë i fuqishëm në mbështetje të arsimit shqip në diasporë dhe një shembull i rrallë i humanizmit akademik.
Lamtumira ndaj tij është e rëndë, por vepra dhe mesazhi që la pas do të jetojnë gjatë. Emri i Basil Schader-it do të mbetet i shkruar me respekt e mirënjohje në historinë e arsimit dhe të albanologjisë shqiptare. Ndërsa kujtimi për të do të mbetet frymëzim për brezat që do të vazhdojnë misionin e ruajtjes së gjuhës dhe identitetit shqiptar kudo në botë.
Në diasporën shqiptare, arti dhe muzika kanë qenë gjithmonë ura që lidhin zemrat me atdheun. Përmes këngës, valleve dhe aktiviteteve kulturore, shumë artistë shqiptarë kanë ruajtur gjallë identitetin kombëtar edhe larg trojeve shqiptare. Njëri ndër ta është edhe këngëtari dhe veprimtari i njohur kulturor Bardh Ramadani, i cili prej vitesh kontribuon në jetën artistike të shqiptarëve në Zvicër.
Si udhëheqës i grupit artistik “Hareja” në Gjenevë, ai ka arritur të mbledhë rreth vetes artistë, të rinj e dashamirë të kulturës shqiptare, duke sjellë në skenë atmosferën, traditën dhe shpirtin shqiptar. Me përkushtim dhe dashuri për artin, Bardh Ramadani vazhdon të jetë një zë i rëndësishëm në promovimin e muzikës dhe kulturës sonë në mërgatë.
Në këtë intervistë ai rrëfen për rrugëtimin e tij artistik, sfidat dhe sukseset në diasporë, si dhe për misionin e grupit “Hareja” në ruajtjen e trashëgimisë kulturore shqiptare.
Rrugëtimi artistik
NM: Ku i ka rrënjët Bardh Ramadani ?
Bardh Ramadani: Rrënjët e mia janë thellë të lidhura me tokën shqiptare, me familjen, traditat dhe vlerat që më janë përcjellë që nga fëmijëria. Pikërisht këto vlera më kanë formuar si njeri dhe si artist, pavarësisht se jeta më ka çuar larg atdheut.
Kam lindur në Prishtinë. Shkollën fillore e kam ndjekur pjesërisht në Prishtinë dhe pjesërisht në fshatin Nerodime e Epërme, ku jam rritur pranë gjyshit dhe gjyshes, në një ambient të mbushur me dashuri, edukatë dhe tradita shqiptare. Gjimnazin e kam përfunduar në Ferizaj, ndërsa studimet në Fakultetin Juridik i kam nisur në Prishtinë. Megjithatë, për shkak të rrethanave të kohës dhe largimit nga Kosova, nuk arrita t’i përfundoj ato.
Vij nga një familje ku arsimi, arti dhe kultura kanë qenë gjithmonë pjesë e rëndësishme e jetës. Gjyshi im, Munish Ramadani, ishte ndër mësuesit e parë dhe veteran i arsimit në komunën e Ferizajt. Kontributi dhe veprat e tij përfaqësojnë me krenari jo vetëm familjen tonë, por edhe Ferizajn dhe mbarë Kosovën. Babai im ka qenë gazetar në RTP, ndërsa nëna ime juriste. Pikërisht ky mjedis familjar, i mbështetur në dije, kulturë dhe përkushtim, ka ndikuar fuqishëm në formimin tim personal dhe artistik.
NM: Zoti Bardh Ramadani, si lindi dashuria juaj për muzikën dhe këngën shqipe?
Bardh Ramadani: Dashuria ime për muzikën dhe këngën shqipe lindi që në fëmijëri, në ngrohtësinë e shtëpisë familjare, aty ku kënga dhe folklori jetonin bashkë me ne çdo ditë. Gjyshja ime, Nana Sadi, me zërin e saj të ëmbël dhe plot dashuri, më këndonte ninulla dhe këngë të vjetra shqiptare, duke mbjellë në shpirtin tim farën e parë të muzikës dhe emocioneve artistike.
Ajo ishte fansja ime e parë, forca ime e heshtur dhe mbështetja ime më e madhe në çdo hap të jetës. Përmes saj mësova se kënga nuk është vetëm melodi, por kujtesë, shpirt dhe identitet.
Për mua, muzika ka qenë dhe mbetet gjuha më e pastër e ndjenjave, ura që më lidh përjetësisht me rrënjët, kulturën dhe identitetin tim shqiptar.
NM: Cilat kanë qenë hapat e parë në rrugëtimin tuaj artistik?
Bardh Ramadani: Hapat e parë në rrugëtimin tim artistik i kam bërë në aktivitete kulturore lokale, në mbrëmje festive familjare dhe në ngjarje të ndryshme ku kënga shqiptare ishte pjesë e pandashme e atmosferës. Që në moshë të re ndjeja një lidhje të veçantë me muzikën dhe skenën, ndaj çdo interpretim për mua ishte një emocion dhe një motivim për të ecur më tej.
Me kalimin e kohës, ky pasion u kthye në një përkushtim serioz artistik. Në moshën 14-vjeçare realizova albumin tim të parë, një hap shumë i rëndësishëm që shënoi fillimin e rrugëtimit tim në muzikë dhe më dha besimin për të vazhduar ëndrrën time artistik.
NM: Kush kanë qenë figurat apo artistët që ju kanë frymëzuar më shumë gjatë karrierës suaj?
Bardh Ramadani: Gjatë rrugëtimit tim artistik jam frymëzuar nga shumë këngëtarë dhe artistë të muzikës popullore dhe patriotike shqiptare, të cilët me zërin, interpretimin dhe përkushtimin e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën tonë kombëtare. Ata kanë ditur të ruajnë autenticitetin, shpirtin shqiptar dhe vlerat tradicionale në çdo këngë, duke e kthyer muzikën në një mision për ruajtjen e identitetit kombëtar.
Për mua, këta artistë kanë qenë jo vetëm shembuj profesionalë, por edhe burim frymëzimi dhe motivimi për ta dashur dhe kultivuar muzikën shqipe me zemër dhe respekt.
NM:Çfarë përfaqëson muzika për ju në jetën personale dhe profesionale?
Bardh Ramadani: Muzika për mua është shumë më tepër sesa art; ajo është frymëzim, qetësi shpirtërore dhe një mision i pandashëm i jetës sime. Përmes saj shpreh ndjenjat, kujtimet dhe emocionet më të thella, duke gjetur gjithmonë forcë dhe motivim.
Në jetën personale, muzika ka qenë streha ime shpirtërore në çdo periudhë të jetës, ndërsa në atë profesionale është bërë rruga përmes së cilës komunikoj me publikun dhe përcjell mesazhe dashurie, kulture dhe identiteti kombëtar.
Ajo mbetet ura më e fortë që më lidh me njerëzit, me atdheun dhe me vetveten.
NM: Sa e vështirë ishte të ruhej identiteti artistik shqiptar në diasporë, veçanërisht në Zvicër?
Bardh Ramadani ;Ruajtja e identitetit artistik shqiptar në diasporë, veçanërisht në Zvicër, nuk ka qenë aspak e lehtë. Jeta në mërgim sjell shumë sfida kulturore, shoqërore dhe shpirtërore, sidomos kur përpiqesh të ruash gjuhën, traditat dhe frymën shqiptare larg atdheut.
Megjithatë, dashuria për kulturën dhe muzikën shqiptare ka qenë gjithmonë më e fortë se çdo vështirësi. Me përkushtim, punë të vazhdueshme dhe vullnet për ta mbajtur gjallë identitetin tonë kombëtar, kam arritur ta vazhdoj rrugëtimin artistik edhe në diasporë.
Për mua, arti dhe muzika kanë qenë një mënyrë për të qëndruar pranë vendlindjes dhe për t’ua përcjellë brezave të rinj dashurinë për kulturën shqiptare.
Grupi artistik “Hareja”
NM: Si lindi ideja për krijimin e grupit artistik “Hareja” në Gjenevë?
Bardh Ramadani : Ideja për krijimin e grupit artistik “Hareja” në Gjenevë lindi në kuadër të KShGj-së – Komunitetit Shqiptar në Gjenevë, pjesë e të cilit është edhe grupi ynë artistik. Edhe unë jam anëtar i kryesisë së këtij komuniteti, ku prej vitesh kontribuojmë për ruajtjen dhe promovimin e kulturës shqiptare në diasporë.
Falë punës së palodhur, vullnetit të jashtëzakonshëm të bashkatdhetarëve dhe angazhimit të sinqertë të shumë aktivistëve, u bë i mundur themelimi i grupit “Hareja”. Ky grup u krijua nga mërgimtarë shqiptarë me një qëllim të qartë: ruajtjen, kultivimin dhe promovimin e trashëgimisë sonë kulturore e artistike larg atdheut.
“Hareja” është bërë një hapësirë e përbashkët artistike dhe shpirtërore, ku shqiptarët në diasporë ndihen më pranë gjuhës, traditës, muzikës dhe identitetit të tyre kombëtar. Përmes këngës, valleve dhe aktiviteteve kulturore, ne synojmë t’i mbajmë gjallë vlerat shqiptare dhe t’ua përcjellim ato brezave të rinj.
NM:Pse u zgjodh pikërisht emri “Hareja” dhe çfarë simbolike mbart ai?
Bardh Ramadani : Emri “Hareja” u zgjodh sepse bart në vetvete një domethënie të veçantë shpirtërore dhe kulturore për ne shqiptarët. Ai simbolizon gëzimin, bashkimin, mikpritjen dhe shpirtin festiv shqiptar, vlera që kanë qenë gjithmonë pjesë e traditës sonë kombëtare .Përmes këtij emri kemi dashur të përcjellim mesazhin se arti dhe kultura janë forcë bashkuese për komunitetin tonë në diasporë. “Hareja” përfaqëson atmosferën që ne synojmë të krijojmë në çdo aktivitet artistik e kulturor: gëzim, energji pozitive, dashuri për kulturën shqiptare dhe ndjenjë uniteti mes bashkatdhetarëve.
Ky emër është gjithashtu një simbol i afërsisë shpirtërore me vendlindjen, një kujtesë se, edhe larg atdheut, kultura dhe traditat tona vazhdojnë të jetojnë përmes këngës, valleve dhe aktiviteteve tona artistike.
NM: Cili është misioni kryesor i këtij grupi artistik?
Bardh Ramadani : Misioni kryesor i grupit artistik “Hareja” është ruajtja, kultivimi dhe promovimi i kulturës shqiptare në diasporë, si dhe transmetimi i saj te brezat e rinj. Përmes muzikës, valleve, aktiviteteve kulturore dhe artistike, synojmë të mbajmë gjallë gjuhën, traditat dhe identitetin tonë kombëtar edhe larg atdheut.
Një ndër qëllimet tona më të rëndësishme është që fëmijët dhe të rinjtë shqiptarë të lindur e rritur në diasporë të mos shkëputen nga rrënjët e tyre, por ta njohin dhe ta ndjejnë me krenari kulturën shqiptare.
“Hareja” nuk është vetëm një grup artistik, por edhe një urë bashkimi për komunitetin shqiptar, një hapësirë ku kultura, arti dhe dashuria për atdheun bashkojnë zemrat e bashkatdhetarëve tanë.
NM: Çfarë aktivitetesh organizon “Hareja” dhe si priten ato nga komuniteti shqiptar në Gjenevë?
Bardh Ramadani : Grupi artistik “Hareja” organizon dhe merr pjesë në shumë aktivitete kulturore, artistike dhe tradicionale, si mbrëmje kulturore, koncerte, festa kombëtare, manifestime artistike dhe aktivitete që promovojnë kulturën shqiptare në diasporë. Përmes këtyre veprimtarive synojmë të ruajmë dhe të përcjellim te brezat e rinj traditat, muzikën dhe vlerat tona kombëtare.
Gjithashtu, jemi mbështetës dhe bashkëpunëtorë të shumë organizimeve të komunitetit shqiptar në Gjenevë, në Zvicër dhe më gjerë, duke kontribuar me përkushtim në çdo aktivitet që promovon identitetin dhe kulturën shqiptare.
Aktivitetet tona priten gjithmonë me shumë dashuri, respekt dhe përkrahje nga bashkatdhetarët, sepse ato krijojnë atmosferë bashkimi, krenarie dhe afërsie me atdheun. Për ne, ky vlerësim nga komuniteti është motivimi më i madh për të vazhduar punën tonë artistike dhe kulturore.
NM: Sa është i rëndësishëm roli i grupeve artistike në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë?
Bardh Ramadani : Roli i grupeve artistike në ruajtjen e kulturës dhe traditës shqiptare në diasporë është jashtëzakonisht i rëndësishëm, madje jetik. Përmes artit, muzikës, valleve dhe aktiviteteve kulturore, ato mbajnë gjallë identitetin kombëtar dhe krijojnë ura lidhëse mes brezave të rinj dhe rrënjëve të tyre shqiptare. Pa këtë angazhim të vazhdueshëm, ekziston rreziku që kultura dhe traditat tona të zbehen me kalimin e kohës dhe të humbasin te brezat e ardhshëm.
Prandaj, është e domosdoshme që të punojmë dhe të angazhohemi vazhdimisht për ta ruajtur dhe promovuar trashëgiminë tonë kulturore, duke i afruar sa më shumë fëmijët dhe të rinjtë me gjuhën, muzikën dhe traditat shqiptare.
Në këtë rrugëtim kemi fatin të bashkëpunojmë ngushtë me shumë shoqata dhe organizata shqiptare në diasporë, si: LAPSH – LEPA, Ansambli “Gëzuar”, Rinia Contact, Shoqata e Studentëve Shqiptarë (AEAUG/ShSShGj), Ilirët dhe Iliria. Gjithashtu, bashkëpunojmë edhe me grupe dhe artistë të njohur muzikorë, si Art Band, Grupi Ocarina, si dhe me kitaristin Ilir Papazi dhe shumë aktivistë e artistë të tjerë, të cilët japin një kontribut të çmuar në edukimin, ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare.
NM:A ka interesim nga të rinjtë shqiptarë për t’u bërë pjesë e aktiviteteve artistike?
Bardh Ramadani : Po, fatmirësisht ka interesim nga të rinjtë shqiptarë për t’u bërë pjesë e aktiviteteve artistike, dhe kjo na jep shpresë të madhe për të ardhmen e kulturës sonë kombëtare në diasporë. Është një ndjenjë e veçantë krenarie dhe emocioni kur sheh të rinj e të reja, të lindur e të rritur në mërgatë, të angazhohen me aq dashuri dhe pasion në këngë, valle, muzikë dhe veshje tradicionale shqiptare.
Ky interesim dëshmon se, pavarësisht largësisë nga atdheu, lidhja me rrënjët dhe identitetin shqiptar vazhdon të jetojë te brezat e rinj. Për ne, kjo është një motivim i madh për të vazhduar punën tonë artistike dhe kulturore, duke krijuar hapësira ku të rinjtë mund të mësojnë, të shprehen artistikisht dhe të ndihen krenarë për origjinën e tyre shqiptare.
NM: Cilat janë sfidat më të mëdha në drejtimin e një grupi artistik në mërgatë?
Bardh Ramadani: Drejtimi i një grupi artistik në mërgatë shoqërohet me shumë sfida, të cilat kërkojnë përkushtim, durim dhe sakrificë të vazhdueshme. Ndër sfidat më të mëdha janë koha, financimi dhe ruajtja e motivimit të anëtarëve në mënyrë të vazhdueshme.
Shumica e anëtarëve janë të angazhuar me punë, familje dhe obligime të përditshme, prandaj gjetja e kohës për prova, organizime dhe aktivitete artistike nuk është gjithmonë e lehtë. Po ashtu, organizimi i aktiviteteve kulturore kërkon mbështetje financiare, e cila shpesh sigurohet falë vullnetit dhe kontributit të vetë komunitetit.
Megjithatë, sfida më e bukur mbetet ruajtja e entuziazmit dhe dashurisë për artin dhe kulturën shqiptare. Kur ekziston vullneti dhe dashuria për traditën, çdo vështirësi bëhet më e lehtë për t’u përballuar. Pikërisht kjo ndjenjë përkatësie dhe dashurie për kulturën tonë na mban të bashkuar dhe na jep forcë për të vazhduar përpara.
Muzika dhe identiteti kombëtar
NM: Mendoni se kënga shqipe në diasporë ka marrë dimension tjetër krahasuar me vendlindjen?
Bardh Ramadani : Po, mendoj se kënga shqipe në diasporë ka marrë një dimension të veçantë krahasuar me vendlindjen, sepse ajo bart një ngarkesë shumë më të madhe emocionale dhe identitare. Larg atdheut, kënga nuk është vetëm argëtim apo art, por bëhet mall, kujtim dhe lidhje shpirtërore me vendin, gjuhën dhe rrënjët tona.
Për shqiptarët në mërgatë, çdo këngë shqipe zgjon emocione të veçanta dhe krijon ndjenjën e afërsisë me familjen, traditat dhe kulturën shqiptare. Ajo shndërrohet në një mënyrë për të ruajtur identitetin kombëtar dhe për t’ua transmetuar atë brezave të rinj që rriten larg vendlindjes.
Prandaj, në diasporë kënga shqipe ka një mision edhe më të madh: të bashkojë njerëzit, të mbajë gjallë kujtesën dhe të forcojë ndjenjën e përkatësisë kombëtare.
NM: Sa ndikon muzika në ruajtjen e gjuhës shqipe tek brezat e rinj?
Bardh Ramadani : Muzika është një nga mjetet më të fuqishme për ruajtjen e gjuhës shqipe dhe forcimin e ndjenjës kombëtare te brezat e rinj në diasporë. Përmes këngës, fëmijët dhe të rinjtë jo vetëm që dëgjojnë dhe mësojnë gjuhën shqipe, por lidhen emocionalisht me kulturën, traditat dhe historinë e popullit të tyre.
Shpeshherë, muzika arrin aty ku fjalët nuk mjaftojnë. Ajo krijon afërsi shpirtërore me atdheun dhe zgjon krenarinë për identitetin shqiptar. Vetë fakti që në koncerte dhe aktivitete kulturore mblidhen mijëra mërgimtarë shqiptarë nga të gjitha trojet shqiptare është një sukses dhe dëshmi e fuqisë bashkuese që ka muzika.
Përmes këngës shqipe, brezat e rinj arrijnë ta ndjejnë gjuhën jo vetëm si mjet komunikimi, por edhe si pjesë të shpirtit dhe identitetit të tyre kombëtar.
NM: Çfarë emocionesh përjetoni kur interpretoni këngë patriotike apo folklorike para bashkatdhetarëve?
Bardh Ramadani : Kur interpretoj këngë patriotike apo folklorike para bashkatdhetarëve, përjetoj emocione shumë të forta krenarie, mallëngjimi dhe dashurie për atdheun. Në ato momente, muzika bëhet më shumë sesa interpretim; ajo shndërrohet në një lidhje shpirtërore mes nesh, një kujtesë e rrënjëve, historisë dhe sakrificave të popullit tonë.
Shpesh, gjatë interpretimit ndiej emocionet e publikut, mallin për vendlindjen dhe dashurinë që shqiptarët në diasporë mbajnë në zemër për atdheun. Kjo krijon një atmosferë të veçantë, ku kënga bashkon zemrat dhe na bën të ndihemi më afër njëri-tjetrit dhe më pranë tokës sonë.
Për mua, këto janë ndër momentet më të bukura dhe më të vlefshme të jetës artistike, sepse aty ndjej fuqinë e artit dhe shpirtin e pathyeshëm shqiptar.
NM: A mendoni se arti i bashkon shqiptarët më shumë në diasporë?
Bardh Ramadani : Pa dyshim, arti është një nga faktorët më të fuqishëm që i bashkon shqiptarët në diasporë. Përmes muzikës, valleve, aktiviteteve kulturore dhe traditave tona, ne krijojmë hapësira ku bashkatdhetarët ndihen më afër njëri-tjetrit dhe më pranë atdheut.
Arti ka fuqinë të tejkalojë distancat, dallimet dhe sfidat e jetës në mërgim, duke na bashkuar përreth gjuhës, kulturës dhe identitetit tonë kombëtar. Në çdo koncert, manifestim apo aktivitet kulturor, shohim se si shqiptarët nga të gjitha trojet mblidhen me të njëjtin emocion, krenari dhe dashuri për vendin e tyre.
Për këtë arsye, besoj se arti nuk është vetëm argëtim, por edhe një forcë e madhe bashkuese që mban gjallë shpirtin dhe unitetin e komunitetit shqiptar në diasporë.
Projekte dhe e ardhmja
NM: Me cilat projekte po merret aktualisht grupi “Hareja”?
Bardh Ramadani : Aktualisht, grupi artistik “Hareja” është i angazhuar në përgatitjen e aktiviteteve të reja kulturore, koncerteve dhe mbrëmjeve artistike për komunitetin shqiptar në diasporë. Përmes këtyre projekteve synojmë jo vetëm të ruajmë dhe kultivojmë kulturën shqiptare, por edhe ta promovojmë atë tek komunitetet e tjera që jetojnë në Zvicër dhe më gjerë.
Në aktivitetet tona përfshihen këngë, valle tradicionale dhe programe kulturore që prezantojnë vlerat, traditat dhe identitetin shqiptar. Një rëndësi të veçantë po i kushtojmë edhe përfshirjes së të rinjve, në mënyrë që ata të jenë pjesë aktive e ruajtjes dhe promovimit të kulturës sonë kombëtare.
Për ne, çdo projekt artistik është një mundësi për të afruar njerëzit, për të forcuar lidhjet mes bashkatdhetarëve dhe për ta prezantuar kulturën shqiptare me dinjitet dhe krenari para botës.
NM: A keni plane për koncerte, festivale apo bashkëpunime të reja artistike?
Bardh Ramadani : Po, kemi plane konkrete për koncerte, festivale dhe bashkëpunime të reja artistike, të cilat kanë për qëllim promovimin e kulturës shqiptare në diasporë dhe më gjerë. Këto aktivitete janë shumë të rëndësishme për ne, sepse përmes tyre prezantojmë traditat, muzikën dhe identitetin tonë kombëtar para publikut shqiptar dhe ndërkombëtar.
Në muajin qershor jemi të ftuar të prezantohemi në një aktivitet kulturor para një publiku multikulturor në Gjenevë, gjë që për ne përbën një mundësi të veçantë për ta përfaqësuar kulturën shqiptare me dinjitet, krenari dhe profesionalizëm.
Po ashtu, gjatë këtij viti kemi planifikuar disa koncerte dhe prezantime artistike në bashkëpunim me KShGj-në – Komunitetin Shqiptar në Gjenevë dhe me shoqata të tjera shqiptare që veprojnë në diasporë. Këto bashkëpunime janë shumë të vlefshme, sepse na ndihmojnë të forcojmë lidhjet kulturore ndërmjet bashkatdhetarëve dhe të përcjellim edhe më fuqishëm vlerat tona kombëtare te brezat e rinj dhe te komunitetet e tjera.
NM: Çfarë ëndërroni të arrini ende në jetën artistike?
Bardh Ramadani: Në jetën time artistike, ëndrra ime më e madhe është që kultura shqiptare të vazhdojë të jetojë dhe të kultivohet fuqishëm në diasporë, brez pas brezi. Dëshiroj që të rinjtë shqiptarë, edhe pse të lindur e të rritur larg atdheut, ta ndjejnë me krenari identitetin e tyre dhe ta vazhdojnë rrugën e ruajtjes së këngës, valleve, gjuhës dhe traditave tona kombëtare.
Për mua, suksesi më i madh nuk matet vetëm me skenën apo duartrokitjet, por me faktin që arti dhe kultura shqiptare të mbeten të gjalla në zemrat e njerëzve. Ëndërroj që përmes punës sonë artistike të lëmë një gjurmë pozitive dhe të krijojmë ura lidhëse mes brezave, në mënyrë që trashëgimia jonë kulturore të mos humbasë kurrë
NM: Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që jetojnë larg atdheut, por duan të ruajnë lidhjen me kulturën shqiptare?
Bardh Ramadani : Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që jetojnë larg atdheut është që të mos i harrojnë kurrë rrënjët e tyre dhe të jenë gjithmonë krenarë për identitetin, gjuhën dhe kulturën shqiptare, kudo që jetojnë.
Ruajtja e gjuhës, traditave, këngëve dhe zakoneve tona është mënyra më e bukur për të mbajtur gjallë lidhjen me atdheun dhe me historinë tonë kombëtare. Edhe pse jeta në diasporë sjell shumë sfida dhe ndikime të ndryshme kulturore, është shumë e rëndësishme që të rinjtë ta njohin origjinën e tyre dhe ta ruajnë atë me dashuri dhe krenari.
I inkurajoj të marrin pjesë në aktivitete kulturore, artistike dhe shoqërore shqiptare, sepse përmes tyre jo vetëm që forcojnë lidhjen me kulturën tonë, por edhe krijojnë një ndjenjë bashkimi dhe përkatësie me komunitetin shqiptar.
Kultura shqiptare është një pasuri e madhe, dhe ruajtja e saj është përgjegjësi dhe krenari për secilin prej nesh.
Pyetje personale dhe emocionale
NM: Çfarë ju bën më krenar në rrugëtimin tuaj?
Bardh Ramadani : Ajo që më bën më krenar në gjithë rrugëtimin tim artistik dhe jetësor është fakti se, sado pak, kam arritur të jap kontributin tim në ruajtjen dhe promovimin e identitetit tonë kulturor e kombëtar.
Për mua, është një ndjenjë e veçantë krenarie kur shoh se përmes muzikës, aktiviteteve artistike dhe angazhimit në komunitet kemi arritur të mbajmë gjallë gjuhën, traditat dhe shpirtin shqiptar në diasporë. Edhe më shumë më gëzon fakti kur të rinjtë afrohen me kulturën tonë dhe e vazhdojnë këtë rrugëtim me dashuri dhe përkushtim.
Kjo më jep bindjen se puna dhe sakrifica jonë nuk kanë qenë të kota, por kanë lënë gjurmë pozitive në ruajtjen e vlerave tona kombëtare.
NM: A ka ndonjë moment të paharrueshëm artistik që e ruani veçanërisht në zemër?
Bardh Ramadani: Po, kam shumë momente të paharrueshme gjatë rrugëtimit tim artistik, por ato që i ruaj më së shumti në zemër janë emocionet që kam përjetuar para bashkatdhetarëve të mi. Çdo duartrokitje, çdo buzëqeshje dhe çdo moment kur publiku këndon bashkë me ne mbetet një kujtim i veçantë dhe shumë i çmuar për mua.
Në ato çaste ndiej jo vetëm vlerësimin për artin, por edhe dashurinë dhe lidhjen shpirtërore që shqiptarët në diasporë kanë me kulturën dhe muzikën e tyre. Janë momente që të mbushin me emocion, krenari dhe motivim për të vazhduar më tej.
Për një artist, nuk ka shpërblim më të madh sesa të prekë zemrat e njerëzve dhe të shohë gëzim në fytyrat e tyre përmes këngës dhe artit.
NM: Si e përjetoni duartrokitjen e publikut shqiptar në mërgatë?
Bardh Ramadani: Duartrokitjen e publikut shqiptar në mërgatë e përjetoj si shpërblimin më të madh për gjithë punën, përkushtimin dhe dashurinë që kam dhënë për artin dhe kulturën shqiptare. Ajo nuk është vetëm një vlerësim për interpretimin artistik, por edhe një dëshmi se muzika arrin të prekë zemrat e njerëzve dhe t’i bashkojë ata përreth identitetit dhe traditës sonë.
Kur shoh emocionin, buzëqeshjet dhe mallin në sytë e bashkatdhetarëve gjatë një koncerti apo aktiviteti kulturor, ndiej një kënaqësi dhe krenari të veçantë. Në ato momente kuptoj se arti ka fuqi të madhe shpirtërore dhe se çdo sakrificë merr kuptim.
Për mua, duartrokitja e publikut është motivim për të vazhduar më tej dhe për të dhënë gjithmonë më të mirën në shërbim të kulturës dhe komunitetit shqiptar në diasporë.
NM: Nëse do ta përshkruanit jetën tuaj me një këngë, cila do të ishte ajo dhe pse?
Bardh Ramadani : Nëse do ta përshkruaja jetën time me një këngë, ajo pa dyshim do të ishte një këngë për atdheun, sepse gjithë rrugëtimi im jetësor dhe artistik ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me dashurinë për vendin tim, për gjuhën, kulturën dhe identitetin shqiptar.
Edhe pse jeta më ka çuar larg atdheut, zemra ime ka mbetur gjithmonë pranë tij. Malli, kujtimet dhe krenaria për rrënjët e mia kanë qenë frymëzim i vazhdueshëm në jetën dhe artin tim. Pikërisht për këtë arsye, një këngë për atdheun do ta pasqyronte më së miri shpirtin tim, emocionet dhe gjithë atë që kam përjetuar ndër vite.
Sepse, në fund, atdheu ka qenë dhe mbetet melodia më e bukur e jetës sime.
NM: Çfarë do të thotë për ju fjala “atdhe” sot, pas shumë vitesh aktiviteti në diasporë?
Bardh Ramadani : Për mua, fjala “atdhe” sot ka një domethënie edhe më të thellë pas shumë vitesh aktiviteti në diasporë. Atdheu është identitet, krenari dhe përgjegjësi. Është gjuha që flasim, kultura që ruajmë, traditat që përcjellim dhe dashuria që mbajmë në zemër, kudo që jetojmë.
Edhe larg vendlindjes, atdheu mbetet pjesë e pandashme e shpirtit tim. Ai është forca që më ka frymëzuar gjatë gjithë rrugëtimit tim artistik dhe njerëzor, duke më dhënë motivim për të kontribuar në ruajtjen dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare në diasporë.
Shfrytëzoj këtë rast për të falënderuar nga zemra të gjithë aktivistët, artistët dhe shoqatat shqiptare për punën e tyre të palodhur dhe kontributin e jashtëzakonshëm që kanë dhënë ndër vite në ruajtjen e identitetit tonë kombëtar.
Uroj që edhe në të ardhmen të vazhdojmë me të njëjtin përkushtim, unitet dhe energji pozitive, për ta mbajtur gjithmonë gjallë kulturën dhe shpirtin shqiptar.
“Larg trojeve shqiptare, por gjithmonë pranë kujtesës kombëtare, shqiptarët e mërgatës vazhdojnë të ruajnë me përkushtim historinë, gjuhën dhe amanetin e dëshmorëve. Në këtë frymë, në Gjenevë u organizua një mbrëmje përkujtimore kushtuar 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit.”
Në një atmosferë të mbushur me emocion, kujtesë historike dhe ndjenjë të thellë kombëtare, më 8 maj 2026, Shoqata Komuniteti Shqiptar në Gjenevë organizoi një mbrëmje përkujtimore kushtuar 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve të Kombit. Aktiviteti u mbajt në sallën Centre de quartier de l’Étang, ku u mblodhën bashkatdhetarë të shumtë nga Gjeneva dhe rrethina, veteranë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, familjarë dëshmorësh, veprimtarë të çështjes kombëtare dhe përfaqësues të shoqatave shqiptare në Zvicër.
Mbrëmja nisi me interpretimin solemn të Himnit të Flamurit, duke krijuar që në fillim një atmosferë dinjitoze dhe përplot ndjenjë atdhedashurie. Programin e hapi Linda Rexhaj Maliqi, e cila me kulturë dhe elegancë përshëndeti të pranishmit dhe u uroi mirëseardhje në këtë aktivitet përkujtimor.
Fjalën kryesore të mbrëmjes e mbajti kryetari i shoqatës, Nasuf Nuhiu, i cili theksoi rëndësinë e kësaj date për kombin shqiptar. Ai u shpreh se 5 Maji është dita kur shqiptarët, kudo që jetojnë, bashkohen për të nderuar sakrificën e dëshmorëve dhe për të kujtuar ata që dhanë jetën për liri.
“Sot përulemi me respekt para dëshmorëve të kombit, të cilët mbeten pjesa më e lavdishme e historisë sonë. Falë gjakut dhe sakrificës së tyre ne sot gëzojmë lirinë. Emrat dhe vepra e tyre duhet të jetojnë përherë në mendjet dhe zemrat tona”, tha ndër të tjera Nuhiu.
Një pjesë e veçantë e programit iu kushtua dëshmorit Kenan Halimi, i cili nga Gjeneva ishte nisur drejt Kosovës për t’iu bashkuar luftës çlirimtare. Të pranishmit ndoqën një fragment dokumentari kushtuar jetës dhe heroizmit të tij deri në momentin e rënies. Përmes këtij prezantimi u rikujtua vendosmëria dhe përkushtimi i brezit që iu përgjigj thirrjes së atdheut në ditët më të vështira të Kosovës.
Për jetën dhe veprën e dëshmorit foli Hajrush Sadiku, familjar i tij, i cili me emocione kujtoi rininë e ndërprerë nga lufta dhe amanetin që dëshmorët ua lanë brezave – ruajtjen e lirisë dhe të kujtesës kombëtare. Një moment veçanërisht prekës ishte prania në sallë e nënës së dëshmorit Kenan Halimi, e cila emocionoi të gjithë të pranishmit.
Në vazhdim, Nerxhivane Sejdiu-Ferati, anëtare e kryesisë së shoqatës, interpretoi një poezi kushtuar dëshmorit Kenan Halimi, duke i dhënë mbrëmjes një dimension të ndjerë artistik dhe emocional.
Më pas, Avni Azemi, vëllai i dëshmorit Nijazi Azemi – Komandant Mjekrra, foli për sakrificën e dëshmorëve dhe rrugën e tyre drejt lirisë. Ai rikujtoi edhe një thënie të komandantit: “Nuk mund të rri i qetë në Zvicër derisa ushtria serbe bën masakra në tokat tona”, fjalë që pasqyrojnë vendosmërinë dhe idealin e luftëtarëve të lirisë.
Shkrimtari dhe ish-ushtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Avni Azizi, solli para të pranishmëve një pasqyrë të rrugës historike të përpjekjeve shqiptare për çlirim. Në fjalën e tij ai theksoi se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ishte rezultat i një organizimi dhe rezistence të gjatë kombëtare, të mbështetur nga veprimtaria ilegale, burgjet politike, mërgata shqiptare dhe sakrifica e brezave.
Programi artistik vijoi me interpretimin e poezisë “Bijtë e humbur” nga Blerim Bunjaku, e cila u prit me emocione nga publiku dhe solli një tjetër moment reflektimi mbi dhimbjen dhe krenarinë kombëtare.
Një pjesë e rëndësishme e mbrëmjes iu kushtua edhe promovimit të librit “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar” të Prof. Dr. Xhevat Hasani. Në prezantimin e tij, profesori trajtoi çështje që lidhen me identitetin kombëtar shqiptar, rolin e gjuhës, flamurit dhe kujtesës historike si themele të pandashme të qenies sonë kombëtare.
Para të pranishmëve, fjalën e mori bashkatdhetari Jakup Halimi, një ndër mërgimtarët e brezit të parë shqiptar në Gjenevë. Ai kishte lënë Kosovën në vitin 1974 dhe kishte ardhur në Zvicër si pasojë e përndjekjes politike nga regjimi serb. Për shkak të veprimtarisë së tij patriotike në kuadër të grupit të Hidajet Hyseni, ai kishte vuajtur pesë vite burg politik në burgjet e ish-Jugosllavisë.
“Kam qenë pjesë e treshes”, u shpreh ai ndër të tjera, duke rikujtuar periudhën e rezistencës dhe sakrificës së veprimtarëve shqiptarë të kohës.
Në fjalën e tij, Jakup Halimi dëshmoi për rrugën e gjatë dhe të mundimshme të përpjekjeve për lirinë e Kosovës, duke sjellë para të pranishmëve kujtime dhe përjetime nga një periudhë e rëndë, por krenare e historisë sonë kombëtare.
Në përmbyllje të programit artistik, grupi “Hareja”, nën udhëheqjen e solistit Bardh Ramadani, interpretoi këngën “Mora fjalë”, një nga këngët më emblematike të repertorit patriotik shqiptar, e cila tashmë është kthyer në simbol të kujtesës dhe nderimit për Adem Jashari dhe gjithë sakrificën e bërë për lirinë e Kosovës. Interpretimi u përcoll me emocione të forta nga të pranishmit, të cilët në heshtje dhe respekt përjetuan vargjet e këngës që rikujtojnë heroizmin, qëndresën dhe idealin e luftëtarëve të lirisë. Në sallë u krijua një atmosferë e veçantë krenarie, mallëngjimi dhe bashkimi shpirtëror, ku shumë bashkatdhetarë iu bashkuan këngës, duke e kthyer atë në një moment kulmor të mbrëmjes përkujtimore.
Organizatorët falënderuan të gjithë pjesëmarrësit, familjarët e dëshmorëve, veteranët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfaqësuesit e shoqatave shqiptare dhe bashkatdhetarët që me praninë e tyre i dhanë kësaj mbrëmjeje një dimension të veçantë njerëzor dhe kombëtar. Ata theksuan se aktivitete të tilla nuk janë vetëm ngjarje përkujtimore, por edhe ura që lidhin brezat me historinë, sakrificën dhe identitetin kombëtar shqiptar.
Pas përfundimit të programit, të pranishmit vazhduan bashkëbisedimin në një atmosferë të ngrohtë vëllazërore gjatë një aperitivi të organizuar nga Shoqata Komuniteti Shqiptar në Gjenevë. Takimet, kujtimet dhe bisedat mes bashkatdhetarëve dëshmuan edhe një herë forcën e lidhjeve që mërgata shqiptare ruan me atdheun dhe me njëri-tjetrin.
Mbrëmja përkujtimore në Gjenevë dëshmoi se, edhe larg trojeve shqiptare, mërgata vazhdon të mbetet e lidhur ngushtë me kujtesën historike, me vlerat e luftës çlirimtare dhe me amanetin e dëshmorëve të kombit. Përmes organizimeve të tilla, Shoqata Komuniteti Shqiptar në Gjenevë synon që kujtimi për dëshmorët të mbetet i gjallë dhe të përcillet te brezat e rinj si pjesë e pandashme e ndërgjegjes kombëtare shqiptare, duke ruajtur kështu frymën e unitetit, respektit dhe dashurisë për atdheun.
Me rastin e 5 Majit – Ditës së Dëshmorëve, Komuniteti Shqiptar i Gjenevës organizoi një Akademi Përkujtimore kushtuar dëshmorëve Kenan Idriz Halimi dhe Njiazi Azemi.
Programin e këtij solemniteti e prezantoi zonja Linda Rexhaj-Maliqi, ndërsa fjalën hyrëse e mbajti kryetari i Komunitetit Shqiptar të Gjenevës, Nasuf Nuhiu. Në fjalën e tij, ai tha se “edhe pse larg atdheut, ne mërgimtarët ndiejmë obligim moral dhe kombëtar për të nderuar kujtimin e të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.”
Më pas, mbi jetën dhe veprën e ushtarit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe dëshmorit të kombit, Kenan Halimi, foli veprimtari i hershëm i diasporës shqiptare në Gjenevë, Hajrush Sadiku, i të njëjtit trung familjar me familjen Halimi.
Sadiku e nisi kumtesën e tij me historinë e migrimit të hershëm të familjes Halimi në Zvicër. Ai theksoi se kjo familje atdhetare, e ndjekur vazhdimisht nga regjimi komunist jugosllav, u detyrua të largohej nga Kosova dhe të marrë rrugën e mërgimit.
Gjatë viteve ’80, nga kjo familje në Gjenevë emigruan Hysk, Jakup, Bastri, Idriz, Sabit dhe Shyqeri Halimi. Megjithëse jetonin larg atdheut, ata nuk e shkëputën asnjëherë lidhjen shpirtërore dhe kombëtare me Kosovën.
Në veçanti, Jakup Halimi u angazhua në veprimtari ilegale patriotike së bashku me figura të njohura të lëvizjes kombëtare shqiptare, si Hydajet Hyseni, Kadri Abdullahu dhe Kadri Zeka.
Sadiku theksoi se demonstratat studentore të vitit 1981 ishin shprehje e pakënaqësisë së thellë politike, ekonomike dhe kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Ai rikujtoi se ato protesta, të cilat nisën në Prishtinë dhe u përhapën pothuajse në të gjitha qytetet e Kosovës, u shtypën me brutalitet nga regjimi jugosllav dhe veçanërisht nga aparati represiv serb, duke rezultuar me vrasje, burgosje dhe dënime të shumta ndaj studentëve, profesorëve dhe veprimtarëve shqiptarë.
Për shkak të angazhimit të tij patriotik, Jakup Halimi u arrestua nga UDB-ja jugosllave dhe u dënua me pesë vjet burg të rëndë. Edhe pas daljes nga burgu dhe kthimit në Gjenevë, ai nuk hoqi dorë nga ideali i lirisë dhe çlirimit kombëtar.
Në vazhdim, Sadiku foli për jetën e dëshmorit Kenan Idriz Halimi, i lindur më 6 prill 1978 në fshatin Skifteraj të Vitisë. Ai theksoi se Kenani, që në fëmijëri, ishte edukuar me frymë atdhedashurie nga gjyshi i tij Ferizi, i cili i kishte rrëfyer për vuajtjet, burgosjet dhe vrasjet që regjimi jugosllav ua kishte shkaktuar shqiptarëve që nga viti 1912 e deri në vitet ’80.
Deri në moshën 13-vjeçare, Kenani jetoi në Kosovë me nënën e tij, Zylfën, duke shpresuar se pas rënies së Murit të Berlinit edhe në Kosovë do të frynin erërat e demokracisë dhe lirisë. Mirëpo, në vend të përmirësimit, politika represive e Serbisë ndaj shqiptarëve të Kosovës u ashpërsua edhe më tej, duke krijuar rrethana të rënda politike, ekonomike dhe shoqërore për popullin shqiptar.
Më 1991, kur nisi vala e arrestimeve dhe e dhunës, Zylfja së bashku me fëmijët iu bashkua në Gjenevë bashkëshortit të saj, Idrizit.
Kenani, në atë periudhë nxënës i shkollës fillore “Emin Duraku” në fshatin Skifteraj të komunës së Vitisë, ndarjen nga arsimtarët, shokët dhe shoqet e klasës e përjetoi me dhimbje të thellë dhe mall të pashuar për vendlindjen.
Megjithatë, ai shumë shpejt u integrua në mjedisin e ri. Mësoi gjuhën frënge, u kualifikua në hidraulikë dhe nisi të punonte në sipërmarrjen e njohur Kugler Bimetal SA në Gjenevë.
Ai veçohej si punëtor i palodhshëm dhe humanist. Kur nisi eksodi i shpërnguljes masive të shqiptarëve të Kosovës nga dhuna dhe represioni i regjimit gjenocidal të Sllobodan Millosheviqit, Kenani ndihmoi shumë të rinj në gjetjen e punës.
Mirëpo, duke parë se çfarë po ndodhte në vendin e tij, ai nuk ndiente qetësi. Në heshtje nisi të vepronte. Edhe pse ende nuk i kishte mbushur 20 vjet, bie në kontakt me Ismet Jasharin.
Më 28 korrik 1998, pa zhurmë dhe pa rënë në sy, Kenani mbërrin në qytetin Bajram Curri të Shqipërisë, ku fillojnë fazën e stërvitjeve ushtarake. Më pas, së bashku futen të armatosur në Junik. Përveç kësaj, ata furnizonin me armë edhe luftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Për shkak të disa obligimeve në vendin e punës, Kenani kthehet përkohësisht në Gjenevë. Ai takon drejtorin e ndërmarrjes ku punonte dhe, pa hyrë në hollësi, i thotë se duhet ta ndërpresë përkohësisht punën. Edhe pse shumë i ri, ai ishte jashtëzakonisht i shkathët dhe i vendosur. Shumë shpejt rikthehet në bazat ushtarake të UÇK-së në Kalimash dhe Babinë të Shqipërisë.
Kenani takon eprorët e karrierës, Gëzim Hazrollin dhe Enver Rrustemin, dhe nën udhëheqjen e tyre mëson njohuritë bazike dhe të domosdoshme ushtarake.
Më 27 nëntor 1998, së bashku me 140 bashkëluftëtarë të tjerë, edhe pse bora ishte mbi një metër dhe moti tepër i ftohtë, në stil skifterësh kalojnë malin e Pashtrikut. Pas 60 orësh ecjeje me armë mbi supe, në agimin e 30 nëntorit 1998, pa u diktuar nga forcat armike, arrijnë në vendin e quajtur Bërshanc të Suharekës.
Oficerët e UÇK-së, Osman Fondaj dhe Xhemë Karaxha, që në kontaktin e parë me Kenanin vërejnë seriozitetin dhe përgatitjen e tij të mirë fizike.
Ata vendosin që Kenani të veprojë në kuadër të Policisë Ushtarake në Kasterc, ku ndodhej Brigada 123 e Zonës Operative të Pashtrikut. Edhe sot banorët e këtij lokaliteti e kujtojnë me emocione humanizmin e Kenanit. Ai, me mjete vetanake, shumë herë kishte siguruar ushqime dhe veshmbathje për familje të shumta.
Madje, Kenan Halimi kishte krijuar një miqësi të veçantë dhe vëllazërore me Ilaz Bytyçin, në familjen e të cilit ishte strehuar gjatë kohës së luftës. Familja Bytyçi u bë për Kenanin jo vetëm strehë sigurie, por edhe vatër ngrohtësie, dashurie dhe përkujdesjeje njerëzore. Ata u kujdesën për të me përkushtim të rrallë, sikur ta kishin djalin e tyre. Për këtë humanizëm dhe bujari shqiptare, familja Halimi do t’u mbetet përjetësisht mirënjohëse familjes Bytyçi.
Kenani kontribuonte kudo që e kërkonte nevoja dhe fronti i luftës. Ai, së bashku me Mejdi Xhaferin dhe Astrit Alajn nga Drenoci i Deçanit, kalojnë në Togun e Tretë vëzhgues të Njësitit Diversant “Kitërrat”, një ndër njësitet më të guximshme dhe operative të UÇK-së, që udhëhiqej nga Blerim Kuçi.
Njësiti ku vepronte Kenan Halimi ndërmori aksione të suksesshme luftarake kundër forcave okupatore serbe në fshatrat Studençan, Semetisht, Dobërdolan, Samadrexhë dhe Peçan të Suharekës.
Kenani ishte tronditur thellë kur, në dyluftim me forcat armike, në altarin e lirisë ra bashkëluftëtari i tij, Mejdi Xhaferi nga Mirosala e Ferizajt. Gjatë kësaj beteje të ashpër, që kishte zgjatur rreth tetë orë, këta djem trima i kishin shkaktuar humbje të mëdha armikut dhe kishin dëshmuar trimëri të jashtëzakonshme.
Njësiti “Kitërrat”, ku vepronte Kenani, nga dita në ditë shënonte fitore të reja. Më 12 qershor 1999, ushtarët e këtij formacioni të dalluar nga Peçani kalojnë në qytetin e Suharekës.
Të nesërmen, të vendosur që triumfi të ndodhte, ata u sjellin debakël forcave serbe të vendosura në Stacionin Policor të Suharekës.
Në mëngjesin e 13 qershorit 1999, mbi çatinë e ndërtesës së stacionit të policisë në Suharekë valoi Flamuri i Arbrit me shqiponjën dykrenare.
Armiku, duke parë se kishte humbur luftën, gjatë tërheqjes nisi të godiste popullatën civile. Luftëtari Kenan Halimi, që nuk njihte frikën, duke u dalë në ndihmë qytetarëve të paarmatosur e duarthatë, në përballje me forcat armike goditet nga një plumb dhe bie heroikisht, për të mbetur i pavdekshëm në kujtesën e popullit të tij.
Kenani nga qytetarët e Suharekës kujtohet me pietet dhe krenari. Në shenjë nderimi, shumë familje suharekase ua kanë vënë fëmijëve emrin e heroit Kenan Halimi.
Po ashtu, në parkun e qytetit është vendosur një pllakë përkujtimore dedikuar këtij ushtari trim, që nderoi jo vetëm Suharekën, por mbarë Kosovën.
Heroi Kenan Halimi, që vërtet meriton të kujtohet dhe të nderohet përjetësisht, është nderuar edhe nga anamoravasit. Shkolla e fshatit në Skifteraj, ku Kenani lindi dhe kreu shkollimin fillor, mban emrin e tij.
Një ngjarje tjetër që tubon të rinjtë e Republikës së Kosovës është edhe turniri tradicional i futbollit “Kenan Halimi”. Ndërkaq, familja Halimi, me vetiniciativë dhe në nderim të birit të saj, në vitin 2023 themeloi shoqatën bamirëse “Kenan Halimi”, e cila është në shërbim të familjeve me gjendje të rëndë ekonomike dhe sociale.
Në vazhdën e nderimeve për figurën e tij, më 13 qershor të këtij viti, në oborrin e shkollës në Skifteraj që mban emrin e këtij të riu çlirimtar, do të ngrihet busti i tij – kontribut i qytetarëve të Vitisë.
Në kujtim të dëshmorit Halimi dhe të dëshmorëve të tjerë, një fjalë rasti mbajti edhe poeti dhe publicisti Avni Azizi.
Azizi, si një nga luftëtarët e parë të UÇK-së, nga rajoni i Anamoravës, bëri edhe një vështrim historik të ngjarjeve të zhvilluara në trojet shqiptare. Ai u përqendrua posaçërisht në themelimin e celulave të para të UÇK-së dhe përgatitjet ushtarake në Shqipëri në fillim të viteve ’90.
Ky manifestim u pasurua edhe me promovimin e librit të prof. dr. Xhevat Hasani, “S’ka dhe s’mund të ketë komb kosovar”. Autori, para të pranishmëve, tha se hartimi i këtij libri i kishte marrë shumë kohë, pasi kishte hulumtuar dokumente të shumta, duke ardhur në përfundimin se promovimi i nocionit të “kombit kosovar” është qëllimkeq, sepse dëmton përpjekjet shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Autori, para të pranishmëve, tha se hartimi i këtij libri i kishte marrë shumë kohë, pasi kishte hulumtuar dokumente të shumta, duke ardhur në përfundimin se promovimi i nocionit të “kombit kosovar” është qëllimkeq, sepse dëmton përpjekjet shekullore të shqiptarëve për bashkim kombëtar.
Gjatë këtij manifestimi përkujtimor, zonja Nerxhivane Sejdiu-Ferati lexoi poemën “Vëllai im”, kushtuar heroit të kombit Kenan Halimi.
Ndërkaq, grupi i solistëve “Hareja” nga Gjeneva interpretoi këngën “Mora fjalë”, kushtuar legjendarit Adem Jashari. Interpretimi u prit me duartrokitje frenetike nga të gjithë të pranishmit.
Aktori Blerim Bunjaku recitoi poezinë “Bijtë e humbur”, kushtuar të gjithë atyre që armiku i masakroi dhe i la pa varre.
Në kuadër të kësaj akademie u prezantua edhe jeta dhe vepra e dëshmorit Njiazi Azemi. Nëpërmjet emocionesh dhe dhimbjeje, rrugëtimin jetësor të Njiaziut e rrëfeu vëllai i tij, Avni Azemi.
Në diskutimin e tij të shkurtër, por përmbajtjesor, ai tha:
“Ne humbëm anëtarin më të devotshëm të familjes, por fituam zemrat e të gjithë shqiptarëve.”
Avniu rikujtoi edhe thënien lapidare të heroit Njiazi Azemi:
“Më mirë në varr dhe në kujtesën e përjetshme të popullit, sesa i robëruar dhe i turpëruar nga armiku.”
Në këtë solemnitet morën pjesë edhe nëna e dëshmorit Kenan Halimi, si dhe familja e gjerë Halimi. Madje, Jakup Halimi, sot në moshë të shtyrë, evokoi kujtime nga koha e vuajtjeve në burgjet jugosllave.
Në fund, falë zemërgjerësisë së nënave dhe motrave shqiptare, u shtrua edhe sofra me ushqime tradicionale shqiptare. Me këtë rast, pjesëmarrësit bashkëbiseduan mbi sfidat dhe problemet e përditshme të jetës në mërgim.
Kjo skuadër, e njohur si një vatër suksesi dhe integrimi, këtë vit shënon 28-vjetorin e themelimit.
E lindur në rrethana të vështira historike, ajo është fryt i përkushtimit të të rinjve nga Kosova, të cilët u detyruan të marrin rrugët e mërgimit drejt vendeve të Evropës e deri në Zelandë të Re, si pasojë e dhunës dhe krimeve të regjimit të Millosheviqit.
Megjithatë, edhe në mërgim, shqiptarët nuk e humbën pasionin për sportin.
Ata e kthyen atë në forcë veprimi, duke themeluar klube futbolli dhe shoqata sportive, të cilat u shndërruan jo vetëm në hapësira garash, por edhe në ura të fuqishme integrimi.
Klubi Futbollistik “Kosova” e Gjenevës, aktualisht anëtar i Ligës së Dytë Regjionale të Gjenevës, u themelua gjatë viteve ’90 nga vëllezërit Besim dhe Burim Jahiu.
Ndërkohë, atyre iu bashkuan Fadil Haliti, Halil Rrahmani, Hysen Bilalli, Nexhat Xhimshiti – Xhimi, Reshat Kamberi, Bujar Ahmeti, Behxhet Rexha, Samet Mjaku e të tjerë.
Skuadra u regjistrua zyrtarisht në ACGF më 1998, duke i filluar garat në të ashtuquajturën Ligë të V-të, të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
Përveç të rinjve shqiptarë, Klubi Futbollistik “Kosova” e Gjenevës ka tubuar dhe vazhdon të tubojë në radhët e veta edhe talent të komuniteteve të tjera.
Pjesë e këtij ekipi të suksesshëm kanë qenë edhe lojtarë si Alex Tekumo, qendërsulmues i spikatur nga Kongo, i cili më parë pati luajtur në skuadrën e njohur spanjolle “FC Valencia”, si dhe portieri Antonio Di Marco, me origjinë italiane.
Meritor i veçantë për këto arritje është Besim Jahiu, i cili në rolin e Presidentit të klubit, por edhe si lojtar aktiv, arriti të sjellë në skuadër futbollistë me përvojë dhe emër nga hapësirat shqiptare dhe më gjerë.
Ndër ta dallohej Fadil Haliti, i cili kishte luajtur si mesfushor standard te klubi kroat FC Shibenik, anëtar i Ligës së Dytë të ish-Jugosllavisë (Grupi i Perëndimit).
Po ashtu, kontribut të rëndësishëm dha edhe Bujar Latifi, ish-lojtar i KF Shkëndija të Tetovës, anëtare e Superligës së Maqedonisë së Veriut, e më vonë edhe FC Concordia të Zvicrës.
Një tjetër emër i respektuar ishte edhe Hysen Bilalli, dikur qendërmbrojtës i pakalueshëm i Agromoravës dhe KF Borci, klub që më vonë u njoh si KF Ferizaj, sot anëtar i Superligës së Republikës së Kosovës.
Në fillim të viteve ’90, ky futbollist me përgatitje të jashtëzakonshme fizike ka luajtur edhe për disa skuadra të kantonit Vaud në Zvicër, si FC Saint-Légier, FC Forward-Morges dhe US Terre-Sainte .
Paraqitjet e tij të rregullta dhe loja cilësore në këto ekipe i mundësuan jo vetëm afirmim sportiv, por edhe rregullimin e dokumentacionit dhe qëndrimin e përhershëm në Zvicër.
Përforcim i madh për skuadrën FC Kosova të Gjenevës në atë kohë konsiderohen edhe vëllezërit Armend dhe Arben Selmani, sulmues të spikatur.
Veçanërisht Armend Selmani u dallua me paraqitjet e tij, duke luajtur me sukses edhe për Étoile Carouge FC, klub i njohur i Gjenevës që garon në Challenge League të Zvicrës.
Me fanellën e FC Kosova të Gjenevës debutuan gjithashtu një varg futbollistësh që lanë gjurmë në formimin dhe forcimin e skuadrës.
Ndër ta veçohet qendërsulmuesi efikas Halil Rrahmani, i njohur për instinktin e tij të golit dhe prezencën e përhershme në zonën kundërshtare.
Në portë u dalluan portierët shtatgjatë dhe të sigurt Reshat Kamberi dhe Bujar Ahmeti, të cilët i dhanë skuadrës stabilitet dhe besim në repartin defensiv.
Ndërkaq, në mbrojtje spikatën lojtarë me perspektivë dhe përvojë si Nexhat Xhymshiti – Xhimi, Behxhet Rexha dhe Samet Mjaku, të cilët formuan një linjë solide dhe të organizuar.
Kjo mbrojtje u plotësua me treshen e vëllezërve Bajrami, loja e të cilëve u ndërthur në mënyrë të shkëlqyer me futbollistët e ardhur, duke krijuar një harmoni të admirueshme në fushë.
Ngjitja e shpejtë dhe dominimi në ligat rajonale
FC Kosova e Gjenevës, pa konkurrencë serioze, arrin shumë shpejt të ngjitet një rang më lart në garat rajonale.
E përbërë nga lojtarë cilësorë dhe të përgatitur, skuadra i mposht kundërshtarët një nga një, me rezultate të thella dhe bindëse.
Si lider i grupit, kampionatin vijues e nis në Ligën e Katërt Rajonale të Gjenevës, ku vazhdon të dëshmojë superioritet të plotë.
Jo vetëm në terrenin vendas, por edhe si mysafire, kjo skuadër gjunjëzon rivalët e saj, duke imponuar ritmin dhe stilin e lojës.
Qendërsulmuesi Halil Rrahmani, si figurë kyçe e repartit të sulmit në këtë periudhë, pothuajse në çdo ndeshje tregohet vendimtar duke shënuar nga pozita të ndryshme dhe, në fund të kampionatit, renditet si golashënuesi më i mirë i skuadrës dhe i gjithë grupit.
Pa hasur pengesa, në sezonin 1999–2000, FC Kosova e Gjenevës siguron hyrjen në Ligën e Tretë Rajonale të kantonit të Gjenevës.
Edhe në këtë nivel, skuadra demonstron lojë të bukur dhe efikase, duke grumbulluar numrin maksimal të pikëve.
Epërsia e krijuar dy deri në tri javë para përfundimit të kampionatit ua siguron matematikisht titullin dhe ngjitjen e radhës.
Në fund të gushtit të vitit 2000, tashmë FC Kosova është anëtare e Ligës së Dytë Rajonale të Gjenevës.
Skuadra, e përbërë kryesisht nga lojtarë shqiptarë, nis garat me dymbëdhjetë ekipet më të mira të këtij kantoni.
Mbështetja e komunitetit – shtyllë e suksesit
Sukseset e këtyre djemve të përkushtuar shoqërohen me përkrahje të fuqishme nga bashkatdhetarët.
Për skuadrën e zemrës nuk kursejnë asgjë afaristët shqiptarë që prej vitesh veprojnë në Gjenevë, duke kontribuar financiarisht dhe moralisht.
Po ashtu, nga ndeshja në ndeshje shumëfishohet numri i tifozëve.
Ata, si lojtari i dymbëdhjetë i skuadrës, nën tingujt e daulles dhe zurlës, krijojnë një atmosferë të vërtetë festive në stadiumet e shumta të kantonit të Gjenevës, duke e kthyer çdo ndeshje në një manifestim të krenarisë dhe identitetit.
Kulmi i suksesit dhe sfidat e vazhdimësisë
FC Kosova e Gjenevës arrin kulmin e suksesit dhe krijon emër të respektuar në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës.
Përveç paraqitjeve të shkëlqyera në kampionat, futbollistët e saj pesë herë arrijnë të luajnë në finalen e Kupës së Gjenevës, një arritje që dëshmon nivelin dhe qëndrueshmërinë e kësaj skuadre.
Këta lojtarë, së bashku me bashkëlojtarët e tjerë shqiptarë, me të drejtë mund të konsiderohen si një gjeneratë që la gjurmë të pashlyeshme në futbollin gjenevas dhe e bëri krenare mërgatën shqiptare.
Sikurse çdo skuadër tjetër, edhe FC Kosova e Gjenevës ka kaluar nëpër momente krizash.
Megjithatë, ato u tejkaluan falë angazhimit të ish-futbollistëve veteranë si Fadil Haliti, Hysen Bilalli dhe Bujar Latifi, të cilët morën drejtimin e skuadrës në cilësinë e trajnerëve.
Ata ruajtën bërthamën e ekipit dhe e forcuan atë me elemente të reja cilësore.
Në këtë periudhë u angazhuan futbollistë të talentuar si Burim Terziu nga FC Drita e Gjilanit, Asmir Zeneli nga FC Meyrin, mbrojtësit perspektivë Liridon Heta dhe Liridon Imeri, mesfushorët Armend Zatriqi e Përparim Emerllahu, si dhe sulmuesit Alban Osmani e Ibrahim Fazlija.
Skuadra ruajti një formë stabile në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, ku garoi me sukses për plot 15 vjet – një dëshmi e qëndrueshmërisë dhe organizimit të mirë.
Në vitin 2013, trajnerët Haliti, Bilalli dhe Latifi, nga dëshira për t’u krijuar hapësirë të rinjve, kaluan te veteranët, duke ia lënë vendin trajnerit nga Lezha, Durim Lika.
Në këtë fazë, klubi përfitoi edhe nga përvoja e lojtarëve profesionistë nga Superliga e Shqipërisë, si Florian Braho, Klodian Asllani dhe Elton Lika.
Florian Braho kishte një karrierë të pasur, duke luajtur për KF Luftëtari të Gjirokastrës, KF Kastrioti të Krujës dhe KF Partizani të Tiranës.
Ndërsa, Klodian Asllani ishte pjesë e KF Dinamo të Tiranës gjatë viteve 2005–2007.
Elton Lika, vëllai i trajnerit, kishte luajtur për KF Besëlidhja të Lezhës dhe KF Skënderbeu të Korçës.
Megjithatë, viti 2015 shënon një nga periudhat më të vështira për FC Kosova e Gjenevës, pas një qëndrimi të gjatë dhe të suksesshëm, largohet nga Liga e Dytë Rajonale.
Rikthimi pas rënies – organizim, vizion dhe sukses
Pavarësisht dëshpërimit që shkaktoi rënia në një rang më të ulët garash, FC Kosova e Gjenevës reagoi shpejt dhe me vendosmëri, duke konsoliduar radhët dhe duke rikthyer besimin te simpatizuesit e saj.
Rënia natyrisht shkaktoi pakënaqësi tek tifozët dhe komuniteti, por vëllezërit Salihu – sipërmarrës të suksesshëm – së bashku me Qamil Sejdiun dhe një grup bashkëpunëtorësh ndërmorën hapa konkretë për rikthimin e klubit në nivelin e mëparshëm.
Një ndër nevojat më urgjente ishte angazhimi i një trajneri profesionist.
Kjo detyrë iu besua profesorit të Edukatës Fizike nga Kosova, Musa Selimi.
Ardhja e tij në klub ngjalli shpresë për ringritje dhe rezultate pozitive, dhe kjo pritje nuk vonoi të konkretizohej.
Brenda një viti, në 2016, FC Kosova rikthehet në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës, ku vazhdon të garojë edhe sot.
Megjithatë, pas emërimit të z. Selimi në detyrën e Dekanit të Fakultetit të Edukimit Fizik dhe Sportit në Universitetin e Prishtinës, pozita e trajnerit mbeti sërish sfidë për klubin.
Në këtë situatë, përgjegjësinë e drejtimit të ekipit e mori MA. Sokol Salihu, ish-futbollist i klubit dhe njëherësh lojtar i Étoile Carouge FC.
Kurse me ekipin e dytë u angazhua Abaz Nivokazi, ndërsa me juniorët u mor lojtari Anton Grisha, i ardhur nga FC Tërbuni i Pukës, i cili njëkohësisht ishte edhe pjesë standarde e ekipit të parë.
Veteranët e skuadrës udhëhiqeshin nga ish-lojtari i njohur i klubit, Halil Rrahmani, duke ruajtur kështu lidhjen mes brezave dhe traditën e ekipit.
Në këtë periudhë, skuadra kishte në përbërje futbollistë të talentuar si Mërgim Osmani, ish-portier i FC Grand-Lancy, Erion Hoti, Blendim Gashi (i ardhur nga FC Drita-Gjilan) dhe Liridon Bajrami, ish-lojtar i FC Shkupi.
Formë të jashtëzakonshme tregoi edhe sulmuesi Arben Selmani, i cili në atë kohë mbante epitetin e golashënuesit më të mirë të skuadrës.
Ndërkohë, një talent i ri si Erdi Rexhepi, ndonëse vetëm 16 vjeç, tërhoqi vëmendjen me paraqitjet e tij të shkëlqyera dhe premtuese.
Kur skuadra u ballafaqua me mungesë mjetesh dhe me rrezikun për shuarje të aktivitetit, në skenë u shfaq sipërmarrësi i suksesshëm Halil Rrahmani.
Ai, si një nga themeluesit e klubit dhe lojtar i dalluar përgjatë dy dekadave, prej vitit 2018 e deri në vitin 2024, në cilësinë e Presidentit të skuadrës, së bashku me shumë donatorë të tjerë shqiptarë, e mbajtën skuadrën stabile dhe me rol të rëndësishëm në Ligën e Dytë Rajonale të Gjenevës.
Në asnjë mënyrë nuk duhet harruar edhe qendërsulmuesi i mirënjohur Drilon A. Paçarizi, i cili, përveç FC Kosova të Gjenevës, luajti edhe për skuadra të njohura zvicerane si FC Étoile Carouge, FC Locarno, FC Lugano dhe FC Le Mont.
Paçarizi, si golashënuesi më i suksesshëm i FC Lugano-s, kontribuoi që kjo skuadër tiçineze, pas 13 vjetësh, të rikthehej më 2015 në elitën e futbollit zviceran.
FC Kosova e Gjenevës aktualisht udhëhiqet nga zoti Fisnik Buci në cilësinë e Presidentit, si dhe nga dy zëvendëspresidentët, Burim Jahiu dhe Petrit Ramiqi. Në skuadër mbretëron një frymë e mirë bashkëpunimi dhe tolerance.
Falë këtyre elementeve, si kusht për suksese të reja, afaristë të suksesshëm në Gjenevë e mbështesin pa kursim klubin me donacione.
FC Kosova e Gjenevës ka futbollistë të shkëlqyeshëm; veçmas bie në sy qendërsulmuesi Festim Rrahmani, i cili më herët pati luajtur në FC Stade Nyonnais të Nyonit.
Ai disa herë është shpallur golashënuesi më i mirë i Ligës së Dytë Rajonale të Republikës dhe Kantonit të Gjenevës.
FC Kosova e Gjenevës meriton përkrahjen tonë të parezervë në ndeshjen finale të Supërkupës së Kosovës, e cila do të zhvillohet më 9 maj 2026 kundër skuadrës së Prishtinës, në të cilën dikur luajtën yje të futbollit si Fadil Vokrri, Kujtim Shala, Fadil Muriqi, Favzi Rama, Faton Domi, Isa Sadriu, Agim Cana etj.
Ndeshja luhet në Stade des Arbères, Meyrin, të Gjenevës dhe fillon në ora 16:00.
Dygjuhësia përbën një fenomen kompleks gjuhësor, kognitiv dhe social, i cili në kontekstin e migrimit merr një rëndësi të veçantë. Në rastin e fëmijëve shqiptarë që rriten dhe shkollohen në Zvicër, bashkëjetesa e gjuhës amtare (shqipes) me gjuhën e shkollës paraqet jo vetëm një realitet të përditshëm, por edhe një potencial të rëndësishëm zhvillimor.
Në diskursin publik dhe në praktikën familjare vazhdojnë të jenë të pranishme dilema lidhur me rolin e gjuhës amtare në zhvillimin gjuhësor dhe arsimor të fëmijës. Një pjesë e prindërve, të udhëhequr nga shqetësimi për integrimin e suksesshëm të fëmijëve të tyre në sistemin arsimor të vendit pritës, priren të reduktojnë përdorimin e shqipes në familje, sidomos pas fillimit të shkollimit formal. Kjo qasje mbështetet shpesh në supozimin se përdorimi i dy gjuhëve mund të shkaktojë konfuzion ose vonesa në përvetësimin e gjuhës së shkollës.
Megjithatë, hulumtimet bashkëkohore në fushën e dygjuhësisë dëshmojnë qartë se këto shqetësime nuk gjejnë mbështetje shkencore. Përkundrazi, studimet tregojnë se zhvillimi i qëndrueshëm i gjuhës amtare kontribuon në mënyrë të drejtpërdrejtë në përvetësimin më të suksesshëm të gjuhës së dytë dhe në arritjet e përgjithshme shkollore.
Në këtë drejtim, punimet e albanologut zviceran Basil Schader theksojnë rolin e rëndësishëm të mësimit plotësues të gjuhës amtare. Sipas tij, ky lloj mësimi nuk ndikon vetëm në forcimin e kompetencës gjuhësore në shqip, por edhe në zhvillimin e aftësive të të nxënit dhe në përmirësimin e performancës në gjuhën e shkollës, përkatësisht në gjermanishte. Nxënësit që ndjekin mësimin plotësues tregojnë, mesatarisht, rezultate më të mira në lëndët gjuhësore, duke dëshmuar për ekzistencën e transferit pozitiv ndërgjuhësor.
Nga pikëpamja teorike, dygjuhësia përkufizohet si aftësia për të përdorur dy gjuhë në mënyrë funksionale, pa qenë e domosdoshme një kompetencë e barabartë në të dyja sistemet gjuhësore (J. B. Marcellesi). Ky përkufizim thekson karakterin dinamik dhe situatat e përdorimit të gjuhëve në kontekste të ndryshme komunikative.
Një ndarje e rëndësishme konceptuale në studimet mbi dygjuhësinë është ajo ndërmjet dygjuhësisë shtuese dhe asaj zvogëluese, e zhvilluar ndër të tjerë nga Laurent Gajo. Dygjuhësia shtuese nënkupton një proces në të cilin gjuha e dytë ndërtohet mbi bazën e një gjuhe amtare të zhvilluar mirë, duke e pasuruar repertorin gjuhësor të individit. Në të kundërt, dygjuhësia zvogëluese karakterizohet nga zëvendësimi gradual i gjuhës amtare nga gjuha dominante e mjedisit, çka shpesh rezulton në humbje të kompetencës në gjuhën e parë.
Në kontekstin e fëmijëve shqiptarë në Zvicër, vihet re shpesh një prirje drejt dygjuhësisë zvogëluese, e shkaktuar nga mungesa e përdorimit sistematik të shqipes në familje dhe nga mungesa e institucionalizimit të saj në arsimin formal. Kjo situatë nuk sjell vetëm reduktim të kompetencës gjuhësore, por ndikon gjithashtu në dobësimin e lidhjeve me identitetin kulturor dhe në kufizimin e potencialit për zhvillimin e një dygjuhësie të qëndrueshme.
Në kontekstin zviceran, studimet mbi komunitetin shqiptar kanë evidentuar sfida të veçanta në ruajtjen e gjuhës amtare, sidomos në brezin e dytë dhe të tretë. Hulumtimet tregojnë se përdorimi i shqipes në familje bie ndjeshëm me kalimin e kohës, ndërkohë që roli i shkollave të mësimit plotësues mbetet vendimtar për ruajtjen dhe zhvillimin e saj (Basil Schader, 2012; Fibbi & Wanner, 2009). Në këtë kuadër, dygjuhësia e qëndrueshme kërkon jo vetëm përfshirjen e familjes, por edhe mbështetje institucionale të vazhdueshme.
Nga perspektiva e zhvillimit kognitiv, studimet në neuroshkencë dhe psikologji gjuhësore kanë treguar se ekspozimi ndaj dy gjuhëve stimulon procese të avancuara mendore, si fleksibiliteti kognitiv, kontrolli ekzekutiv dhe aftësia për zgjidhjen e problemeve. Fenomene të tilla si alternimi i kodit (code-switching) nuk duhet të interpretohen si shenja të mungesës së kompetencës, por si tregues të një sistemi gjuhësor dinamik dhe funksional.
Në aspektin praktik, literatura shkencore sugjeron disa modele efektive për edukimin dygjuhësh në familje, si modeli “një prind – një gjuhë”, përdorimi i gjuhës amtare në mjedisin familjar dhe ndërtimi gradual i kompetencës në gjuhën e dytë (François Grosjean). Këto modele synojnë krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm dhe të pasur gjuhësor, i cili mbështet zhvillimin paralel të të dy gjuhëve.
Përfitimet e dygjuhësisë nuk kufizohen vetëm në aspektin gjuhësor. Ato përfshijnë dimensione të gjera kognitive, sociale dhe kulturore, duke kontribuar në formimin e individëve më të hapur, më të adaptueshëm dhe më të përgatitur për një shoqëri gjithnjë e më shumë ndërkulturore. Në këtë kuadër, edhe Këshilli i Evropës e konsideron shumë gjuhësinë si një kompetencë kyçe për qytetarinë demokratike dhe për pjesëmarrjen aktive në shoqëri.
Studime sociologjike mbi migracionin në Zvicër kanë treguar se ruajtja e gjuhës dhe kulturës së origjinës nuk bie ndesh me procesin e integrimit, por përkundrazi mund ta mbështesë atë, duke forcuar vetëbesimin dhe identitetin e fëmijëve (Fibbi, Kaya, & Piguet, 2003).
Në përfundim, ruajtja dhe zhvillimi i gjuhës amtare nuk duhet të shihet si pengesë për integrimin, por si një faktor mbështetës për suksesin arsimor dhe zhvillimin e gjithanshëm të fëmijës. Promovimi i dygjuhësisë së qëndrueshme kërkon bashkëpunim të ngushtë ndërmjet familjes dhe institucioneve arsimore, si dhe një vetëdije të rritur për vlerat që ajo bart në planin individual dhe shoqëror.
Gjenevë, 30.04. 2026 Nexhmije Mehmetaj
Referencat : duke përfshirë burime specifike për shqiptarët në Zvicër:
Bialystok, E. (2001). Bilingualism in development: Language, literacy, and cognition. Cambridge University Press.
Council of Europe. (2001). Common European Framework of Reference for Languages: Learning, teaching, assessment. Cambridge University Press.
Cummins, J. (2000). Language, power and pedagogy: Bilingual children in the crossfire. Multilingual Matters.
Fibbi, R., Kaya, B., & Piguet, E. (2003). Le passeport ou le diplôme? Étude des discriminations à l’embauche des jeunes issus de la migration en Suisse. Forum suisse pour l’étude des migrations et de la population.
Fibbi, R., & Wanner, P. (2009). Les deuxièmes générations en Suisse: profils et parcours. Seismo.
Fishman, J. A. (1991). Reversing language shift. Multilingual Matters.
Gajo, L. (2001). Immersion, bilinguisme et interaction en classe. Didier.
Grosjean, F. (2010). Bilingual: Life and reality. Harvard University Press.
Marcellesi, J. B. (1980). Le bilinguisme. Presses Universitaires de France.
Schader, B. (2006). Unterricht in heimatlicher Sprache und Kultur (HSK). Bildungsdirektion des Kantons Zürich.
Schader, B. (2012). Albanischsprachige Kinder und Jugendliche in der Schweiz: Hintergründe und schulische Perspektiven. Bildungsdirektion des Kantons Zürich.
Wanner, P., Fibbi, R., & Haug, W. (2005). Migrants and their descendants in Switzerland. Federal Statistical Office.
Në universin e muzikës klasike, ku çdo tingull kërkon disiplinë, ndjeshmëri dhe shpirt artisti, sopranoja shqiptare Fjolla Iseini përfaqëson një zë të ri që po afirmohet me finesë dhe përkushtim. E lindur në Shkup dhe e lidhur me muzikën që në fëmijëri, ajo e ka ndërtuar rrugëtimin e saj artistik hap pas hapi, nga skenat e festivaleve për fëmijë e deri te interpretimet në skenën operistike.
Me një formim të qëndrueshëm profesional në fushën e kantos dhe me përvojë në Operën dhe Baletin e Maqedonisë, Fjolla Iseini i përket atij brezi artistësh që e shohin artin si një mision të vazhdueshëm kërkimi dhe përkushtimi. Sot ajo jeton dhe vepron në Zvicër, ku përveç aktivitetit artistik, kontribuon edhe në edukimin muzikor të brezit të ri, duke e ndarë pasionin e saj për muzikën me nxënësit.
Rrugëtimi i saj nuk ndalet vetëm në skenë: ai vazhdon edhe në fushën akademike, ku ajo po përmbyll studimet e doktoratës në teknikën vokale, duke thelluar më tej kërkimin mbi artin e këndimit. Në këtë bisedë, sopranoja Fjolla Iseini ndan me ne kujtimet e fillimeve, sfidat e skenës operistike, përvojën e jetës artistike në diasporë dhe vizionin për të ardhmen e saj në muzikën klasike.
Fillimet dhe zbulimi i talentit
NM: Fjolla, ju keni filluar rrugëtimin artistik që në moshën pesëvjeçare. Si e kujtoni kontaktin tuaj të parë me muzikën dhe skenën?
FI: Që në moshë të vogël e kam adhuruar këngën. Në shtëpi isha një fëmijë i hareshëm; luaja dhe këndoja vazhdimisht, madje merrja telekomandën dhe e improvizoja si të ishte mikrofon.
Rrugëtimi im artistik nisi shumë herët. Talenti im u vu re që në moshën 3-vjeçare, kur një ditë, teksa isha me prindërit në një lokal, papritur mora mikrofonin e këngëtarit Selami Kolonja — një emër i njohur për të gjithë sot — i cili më vonë u bë edhe profesori im i solfexhos gjatë studimeve Bachelor. Aty këndova këngën “A vritet pafajësia” të Leonora Jakupi.
Ai mbeti i habitur se si një fëmijë kaq i vogël mund të interpretonte një këngë të tillë dhe iu drejtua prindërve të mi duke u thënë: “Vajza juaj ka talent, mos ia ndalni rrugën, por filloni që tani ta mbështesni.” Ky moment shënoi hapin e parë të rëndësishëm, kur familja ime vendosi të më orientojë drejt muzikës.
NM : Cilat kanë qenë kujtimet dhe emocionet nga festivalet e para për fëmijë ku morët pjesë ?
FI: Në moshën 5-vjeçare mora pjesë në festivalin për fëmijë “Cicërimat e para”, që organizohej në qytetin tim, në Gostivar. Aty u njoha për herë të parë me skenën. Interpretoja një këngë shumë të bukur për fëmijë, “Babi, a më dëgjon?”, me të cilën u shpërbleva me çmimin e parë nga juria profesionale. Që nga ai moment, skena u bë si shtëpia ime e dytë — aty filloi gjithçka.
Çdo festival ku kam marrë pjesë ka pasur rëndësinë e vet, por kujtimet më të bukura lidhen me miqësitë dhe përjetimet me këngëtarët e vegjël. Shkëmbenim ide, flisnim për mënyrën se si do të paraqitemi, si do të këndonim dhe cila këngë do të dilte më e bukur. Natyrisht, momenti më emocionues ishte gjithmonë fundi, kur ndaheshin çmimet. Gëzimi ishte i papërshkrueshëm sa herë që përmendej emri im si fituese e ndonjë çmimi.
NM: Sa ndikim pati familja në zbulimin dhe zhvillimin e talentit tuaj muzikor?
FI : Familja ime nuk i përkiste fushës së muzikës. Nëna ime ishte mësuese e ciklit të ulët fillor, ndërsa babai ekonomist. Unë isha e vetmja në familje që ndoqa këtë profesion. Tek unë, muzika ishte diçka e lindur, një dhunti natyrore që erdhi vetvetiu dhe që më pas e përforcova me shumë punë dhe përkushtim.
Megjithatë, familja ime pati një rol shumë të rëndësishëm në zhvillimin tim. Ata më mbështetën vazhdimisht dhe më inkurajuan të ec përpara, të dal në skenë, të këndoj dhe të ndjek shkollën e muzikës. Ishin një mbështetje e fortë dhe nuk më lanë kurrë të mbetem prapa.
Ajo që ishte më interesante ishte se, kur merrnim pjesë në festivale, shpesh na pyesnin nga e kishim trashëguar talentin. Shumë konkurrentë përgjigjeshin se e kishin nga nëna apo babai, ndërsa unë gjithmonë thosha se nuk e kisha trashëguar nga askush — isha e vetmja në familjen time që merresha me muzikë.
Formimi muzikor
NM :Studimet e para i keni filluar në drejtimin e pianos në Gostivar. Si ndikoi studimi i pianos në formimin tuaj si këngëtare lirike?
FI: Studimet e mia të para i nisa në drejtimin e pianos, edhe pse dëshira ime fillestare ishte të studioja flautin. Megjithatë, duke qenë se qyteti im, Gostivari, është relativisht i vogël dhe me një interesim më të kufizuar për muzikën klasike, nuk pata mundësi ta ndjek atë instrument. Në atë kohë, ofroheshin vetëm piano dhe solfezh, kështu që vendosa të filloj me pianon.
Ky instrument rezultoi të ishte një bazë shumë e rëndësishme për formimin tim muzikor. Studimi i pianos më ndihmoi jashtëzakonisht shumë në zhvillimin e dëgjimit muzikor, ndjeshmërisë artistike dhe kontrollit të intonacionit, duke ndikuar drejtpërdrejt në përgatitjen time si këngëtare lirike në vitet në vijim.
NM: Ju jeni vlerësuar me shumë çmime në konkurrencën kombëtare dhe ndërkombëtare. Cili prej tyre ka qenë më domethënës për ju?
FI: Vlerësimet kanë qenë të shumta. Në pothuajse çdo garë apo festival ku kam marrë pjesë, kam arritur të shpërblehem me ndonjë çmim. Që në fëmijëri kam qenë shumë këmbëngulëse dhe ambicioze; shkoja në festivale me dëshirë dhe bindje se do të kthehesha me një çmim — dhe shpesh ia dilja. Në ato gara kishte shumë fëmijë të talentuar, shpesh edhe fëmijë kompozitorësh apo këngëtarësh, me zëra shumë të bukur, por unë isha e vetmja që arrija të vlerësohesha vetëm falë punës sime, pa ndihmën e askujt.
Një nga çmimet më të papritura dhe më domethënëse për mua ka qenë në garën “Gjeniu i Vogël” në Tiranë, ku merrnin pjesë fëmijë nga e gjithë bota. Aty u rendita me çmimin e dytë,
me 90 pikë nga juria. Ishte një moment i jashtëzakonshëm për mua, sidomos kur përfaqësuesja moderatorë Alketa Vejsiu përmendi emrin tim dhe tha: “Një yll në skenën shqiptare po lind.” U ndjeva e habitur, por mbi të gjitha jashtëzakonisht e lumtur.
NM: Përmendet edhe aftësia juaj për dëgjimin absolut. Sa e rëndësishme është kjo dhunti në rrugëtimin e një këngëtareje operistike?
FI: Një tjetër vlerësim shumë i veçantë ishte kur u shpalla me “vesh absolut” në një konkurrencë në Strugë, ku merrnin pjesë pianistë të vegjël. Gjatë interpretimit tim në piano, fillova të improvizoj me akorde dhe juria vuri re aftësinë time për të dëgjuar dhe riprodhuar saktë tingujt. Kjo më solli vlerësimin si një nga dëgjueset më të sakta muzikore.
Kjo aftësi më ka ndihmuar shumë edhe në zhvillimin tim si këngëtare operistike. Gjatë studimit të veprave, shpesh i improvizoja tonalitetet në piano dhe i përvetësoja në këtë mënyrë. Falë këtij procesi dhe përkushtimit të vazhdueshëm, kam arritur të mësoj përmendësh një arie brenda dy ditësh, ndërsa një operë të plotë me katër akte brenda dy javësh. Kjo lidhet pikërisht me atë që quhet “vesh absolut” — aftësia për të përvetësuar dhe riprodhuar muzikën me saktësi, përmes dëgjimit dhe ndjeshmërisë së brendshme, shpesh edhe përtej notave të shkruara.
Studimet universitare dhe mentorët
NM : Studimet e këndimit artistik i keni zhvilluar në Fakultetin e Muzikës në Shkup. Çfarë ndikimi patën profesorët tuaj, veçanërisht prof. Nita Zenuni dhe tenori Kastriot Tusha, në zhvillimin tuaj artistik?
FI: Studimet e mia të para për kanto i fillova në Universitetin Shtetëror të Tetovës, ku pata si mentor kryesor tenorin Kastriot Tusha. Ai ishte njëkohësisht edhe profesor i teknikës vokale dhe më ndihmoi jashtëzakonisht shumë në formimin tim profesional, sidomos në përvetësimin e teknikës së të kënduarit. Po ashtu, një rol shumë të rëndësishëm pati edhe asistentja, profesoresha Nita Zenuni.
Për mua, ata nuk ishin vetëm profesorë që punonin me mua gjatë orëve të mësimit, por edhe mbështetës dhe motivues të vazhdueshëm. Më inkurajuan të marr pjesë në koncerte të shumta dhe më shtynë të dal në skenë sa më shpesh. Falë besimit që patën tek unë, u forcova shumë si studente dhe fitova siguri në rrugëtimin tim artistik.
Besoj se një pedagog i mirë ka fuqinë të të ndërtojë fort në profesion, dhe kjo është plotësisht e vërtetë. Nuk mjafton të kesh vetëm një profesor; e rëndësishme është të kesh një pedagog që di ta përcjellë dijen në mënyrën më të qartë dhe më frymëzuese të mundshme.
Profesorët e mi kanë pasur një rol të jashtëzakonshëm në zhvillimin tim dhe sot i përmend me shumë respekt dhe krenari.
NM: Në vitin e tretë të studimeve u shpallët zëri më i mirë ndër solistët e fakultetit. Si e përjetuat këtë vlerësim?
FI: Edhe pse nuk ishim një numër shumë i madh studentësh në degën e këndimit, u organizua një garë e brendshme mes nesh, ku synohej të përzgjidhej zëri më i pastër dhe më voluminoz. Nga kjo garë u përzgjodha unë.
Vendimi u mor nga shefi i katedrës dhe komisioni vlerësues, jo vetëm mbi bazën e interpretimit që realizova në atë moment, por edhe duke analizuar punën time trevjeçare gjatë studimeve. Ky vlerësim më gëzoi jashtëzakonisht shumë, sepse ndjeva se përkushtimi dhe puna ime ishin kurorëzuar me sukses.
Edhe pse kishte studentë më të rritur se unë, të cilët kishin nisur studimet një vit më herët, komisioni e pa të arsyeshme të më përzgjidhte mua. Në këtë prezantim u paraqita me arien e Mrikës nga opera Mrika e kompozitorit Prenk Jakova.
NM : Sa e rëndësishme ka qenë përvoja me studion operistike dhe interpretimi i arieve nga repertori klasik botëror gjatë studimeve ?
FI: Përvoja me studion operistike ka qenë jashtëzakonisht e rëndësishme për formimin tim artistik. Aty nuk punonim vetëm me arie, por edhe me opera dhe opereta më të vogla, zakonisht me dy akte, nga repertori botëror dhe në gjuhë të ndryshme.
Kjo lëndë na ndihmoi të formohemi si artiste, sepse puna zhvillohej në mënyrë shumë të detajuar. Profesori ynë ishte shumë i përpiktë dhe nuk punonte vetëm mbi interpretimin e veprave, por edhe mbi shprehjen e ndjenjave dhe përjetimin emocional që duhet të përcjellë çdo interpretim në skenë. Kjo përvojë më ka ndihmuar shumë në ndërtimin tim si këngëtare operistike.
Përvoja në Operën e Maqedonisë
NM : Ju keni qenë e pranishme edhe në skenën e Operës në Maqedoni. Çfarë përvoje artistike dhe personale ishte kjo për ju?
FI: Gjatë studimeve pata mundësinë të paraqitem në skenën e Operës së Maqedonisë, një përvojë shumë e rëndësishme dhe e veçantë për mua. Pas disa muajsh, u punësova aty si koristë, çka më dha mundësinë të jem pjesë e vazhdueshme e jetës artistike në këtë institucion.
Kjo eksperiencë nisi me një koncert të organizuar për këngëtarët e rinj të muzikës klasike. Përzgjedhja u bë përmes një audicioni nga një dirigjent italian, i cili ishte organizatori i koncertit. Nga rreth 80 kandidatë, u përzgjodhëm vetëm 10, dhe kjo për mua ishte një arritje shumë e madhe.
Ishte një ndjenjë e jashtëzakonshme të ngjitesha në atë skenë dhe të isha pjesë e një koncerti kaq madhështor. Kjo përvojë më ndihmoi të rritem si artiste, por edhe si person, duke më dhënë më shumë siguri dhe besim në vetvete.
NM : Ju u bëtë një nga artistet e para shqiptare në korin e Operës dhe Baletit të Maqedonisë. Çfarë sfidash dhe emocionesh solli kjo përvojë?
FI: Në korin e Operës së Maqedonisë, kam qenë një nga artistet e para të përzgjedhura përmes një konkursi të rregullt. Ajo që e bëri këtë përvojë edhe më të veçantë ishte fakti se karriera ime në këtë institucion nisi me një moment shumë domethënës: interpretimin në operën e parë shqiptare, Skënderbeu.
Ishte paraqitja ime e parë si koriste dhe pikërisht me një vepër shqiptare, e cila për herë të parë vihej në skenën e Operës së Maqedonisë. Ndjenja që përjetova ishte e papërshkrueshme — një përzierje krenarie, emocioni dhe përgjegjësie artistike, që do ta mbaj gjithmonë në zemër.
NM: Nga repertori i kompozitorëve të mëdhenj si Verdi, Puccini, Mozart apo Bizet, cili rol ose vepër ju ka prekur më shumë si artiste
FI: Nga repertori i kompozitorëve të mëdhenj botërorë, të gjitha veprat që kam interpretuar kanë pasur një vend të veçantë në formimin tim artistik dhe më kanë dhuruar emocione të thella. Megjithatë, ndër më të dashurat për mua mbetet opera Aida e kompozitorit Giuseppe Verdi. Sa herë që e kam interpretuar, jam ndjerë shumë e lidhur emocionalisht me të dhe e kam kënduar me shumë dashuri. Është një vepër e gjatë dhe e vështirë, që kërkon përkushtim të madh, disiplinë dhe punë të vazhdueshme për t’u interpretuar në nivelin e duhur.
Jeta dhe aktiviteti në Zvicër
NM : Prej disa vitesh jetoni dhe veproni në Gjenevë. Si ka ndikuar ky ndryshim mjedisi në zhvillimin tuaj artistik?
FI: Kaluan gati pesë vite larg vendlindjes që jetoj në Gjenevë. Fillimet nuk kanë qenë të lehta: një vend i ri, një ambient i panjohur dhe largimi nga familja dhe shoqëria ime. Megjithatë, asnjëherë nuk u shkëputa nga profesioni im. Në fillim kisha dyshime nëse do të arrija të përshtatesha me tregun zviceran, jo për mungesë aftësie, por për shkak të rrethanave dhe pasigurive të natyrshme.
Me kalimin e kohës kuptova se, me përpjekje dhe këmbëngulje, gjithçka është e mundur. Gradualisht fillova të angazhohem edhe këtu në projekte artistike dhe koncerte të ndryshme, duke vazhduar kështu rrugëtimin tim profesional edhe në një realitet të ri.
NM: Si e përjetoni faktin që përfaqësoni kulturën dhe talentin shqiptar në skenën artistike të Zvicrës?
FI: Jam shumë e lumtur që në Zvicër, veçanërisht në Gjenevë, jeton një komunitet i madh shqiptarësh që kanë arritur suksese të konsiderueshme. Prania e tyre ka qenë një mbështetje e rëndësishme për mua, sidomos në fillimet e mia në këtë vend të ri.
Këtu ekzistojnë edhe institucione ku flitet gjuha shqipe dhe organizohen aktivitete e evenimente kulturore shqiptare, gjë që më ka ndihmuar të ruaj lidhjen me identitetin tim dhe kulturën nga vij. Në të njëjtën kohë, jeta në një qytet ndërkombëtar si Gjeneva më ka dhënë mundësi të reja artistike, duke më nxitur të zhvillohem më tej dhe të përballem me sfida të reja në skenën muzikore.
Sa herë që këndoj shqip në Zvicër, zemra më mbushet plot, sepse besoj fort se rrënjët tona nuk duhet të shuhen dhe se këngët tona të bukura meritojnë të dëgjohen kudo.
Kam vënë re me shumë kënaqësi se edhe publiku zviceran i pret shumë mirë këngët shqipe. Në disa promovime librash ku kam interpretuar, reagimi i tyre ka qenë shumë vlerësues.
NM: A ka dallime mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër ?
FI: Po, ka dallime të dukshme mes jetës artistike në Ballkan dhe në Zvicër. Në Zvicër, gjithçka është më e strukturuar dhe profesionale; ekziston një organizim shumë i mirë, standarde të larta dhe më shumë seriozitet në qasjen ndaj artit. Kjo krijon mundësi të mira zhvillimi, por njëkohësisht kërkon edhe disiplinë dhe përkushtim maksimal.
Nga ana tjetër, në Ballkan jeta artistike është më e ngrohtë dhe më spontane. Ka më shumë afërsi njerëzore dhe emocion në interpretim, por shpesh mungojnë mundësitë e qëndrueshme dhe mbështetja institucionale.
Të dyja kanë bukurinë e tyre: Ballkani të jep shpirtin dhe ndjeshmërinë artistike, ndërsa Zvicra të ofron strukturën dhe profesionalizmin për ta zhvilluar atë më tej.
Angazhimi pedagogjik
NM : Krahas karrierës artistike jeni e angazhuar edhe në mësimdhënie. Çfarë ju motivon të punoni me fëmijët dhe të rinjtë në fushën e muzikës?
FI: Krahas karrierës sime artistike, mësimdhënia zë një vend shumë të rëndësishëm në jetën time profesionale. Ajo që më motivon më shumë për të punuar me fëmijët dhe të rinjtë është mundësia për të ndarë pasionin tim për muzikën dhe për t’i ndihmuar ata të zbulojnë dhe zhvillojnë potencialin e tyre artistik.
Për mua, muzika nuk është vetëm teknikë, por edhe një mënyrë e fuqishme shprehjeje dhe zhvillimi personal. Është një ndjenjë e veçantë të shohësh progresin e nxënësve, rritjen e vetëbesimit të tyre dhe gëzimin që përjetojnë përmes muzikës.
Ky proces më frymëzon vazhdimisht dhe më jep kënaqësi të madhe, si në rolin tim si pedagoge, ashtu edhe si artiste.
NM: Sa e rëndësishme është edukimi muzikor në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike te brezat e rinj?
FI: Edukimi muzikor është thelbësor në zhvillimin e ndjeshmërisë artistike te brezat e rinj. Përvoja ime me fëmijët dhe të rinjtë më ka bindur se muzika është një mjet i fuqishëm që ndikon jo vetëm në formimin artistik, por edhe në zhvillimin emocional, intelektual dhe kreativ të tyre.
Është shumë frymëzuese të shohësh se si ata rriten jo vetëm si artistë, por edhe si individë më të sigurt dhe më të ndjeshëm ndaj botës që i rrethon. Përmes muzikës, ata mësojnë të dëgjojnë me vëmendje, të përjetojnë më thellë dhe të shprehin emocionet e tyre në mënyrë të vetëdijshme dhe kreative.
Edukimi muzikor nuk kufizohet vetëm në teknikë apo interpretim; ai ndikon drejtpërdrejt në formimin e botës së brendshme të individit. Në një botë gjithnjë e më të shpejtë dhe të dominuar nga teknologjia, muzika mbetet një hapësirë e rëndësishme ku të rinjtë mund të lidhen me emocionet e tyre, të zhvillojnë ndjeshmërinë artistike dhe të gjejnë mënyrën e tyre unike të shprehjes.
Kërkimi akademik dhe e ardhmja
NM : Aktualisht jeni në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e teknikës vokale. Çfarë synoni të sillni të re me këtë kërkim?
FI: Po, ashtu jam në përfundim të studimeve të doktoratës në fushën e teknikës vokale, dhe synimi im kryesor është të sjell një qasje më të integruar dhe bashkëkohore në pedagogjinë e zërit. Kërkimi im fokusohet në ndërthurjen e traditës së teknikës klasike me njohuritë moderne mbi trupin, frymëmarrjen dhe funksionimin e aparatit vokal.
Dua të kontribuoj në krijimin e metodave më të qarta, më efikase dhe më të personalizuara për këngëtarët, duke marrë parasysh individualitetin e çdo zëri dhe nevojat specifike të secilit student. Synimi im është që ky kërkim të mos mbetet vetëm në nivel teorik, por të ketë një ndikim të drejtpërdrejtë në praktikën pedagogjike dhe në zhvillimin artistik të këngëtarëve të rinj.
Besoj se zëri nuk është thjesht një mjet që prodhon tinguj, por një instrument shumë delikat, që kërkon njohje të thellë dhe punë të kujdesshme, sidomos në trajtimin e kordave zanore. Për këtë arsye, synoj të ndihmoj në ndërtimin e një teknike të shëndetshme, të qëndrueshme dhe artistikisht të pasur për çdo këngëtar.
NM : Si e shihni të ardhmen tuaj artistike : më shumë në skenën operistike, në pedagogji, apo në kombinimin e të dyjave?
FI: Të ardhmen time artistike e shoh si një kombinim harmonik të të dyjave. Skena operistike mbetet pasioni im më i madh, aty ku mund të shpreh emocionet, të interpretoj dhe të lidhem drejtpërdrejt me publikun.
Në të njëjtën kohë, pedagogjia është një dimension po aq i rëndësishëm për mua, sepse më jep mundësinë të ndaj njohuritë dhe përvojën time me brezat e rinj, duke i ndihmuar ata të zhvillojnë zërin dhe ndjeshmërinë e tyre artistike.
Synimi im është që këto dy fusha të ndikojnë dhe të pasurojnë njëra-tjetrën: përvoja në skenë ta forcojë dhe ta bëjë më të gjallë mësimdhënien time, ndërsa puna pedagogjike të ushqejë reflektimin dhe rritjen time artistike.
Besoj se ky është një kombinim i bukur dhe i domosdoshëm, që nuk duhet lënë asnjëherë pas dore.
NM : Çfarë mesazhi do t’u jepnit të rinjve shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin një karrierë në muzikën klasike ?
FI: Mesazhi im për të rinjtë shqiptarë që ëndërrojnë të ndjekin një karrierë në muzikën klasike është të jenë të guximshëm, të durueshëm dhe të përkushtuar. Muzika klasike kërkon punë të vazhdueshme, disiplinë dhe pasion të vërtetë, por shpërblimi që sjell është i jashtëzakonshëm.
I këshilloj të rinjtë të kërkojnë mësimdhënës të mirë dhe të punojnë seriozisht për zhvillimin e teknikës dhe interpretimit të tyre, pa e humbur asnjëherë gëzimin dhe dashurinë për muzikën. Çdo zë është unik, dhe me përkushtim e këmbëngulje, ëndrrat mund të bëhen realitet.
Gjithashtu, besoj fort se një pedagog i mirë luan një rol vendimtar në formimin profesional të një artisti, sepse ai jo vetëm që të udhëzon, por edhe të ndihmon të zbulosh dhe të zhvillosh potencialin tënd në mënyrën më të mirë të mundshme.
Profesor Anton Çetta, me peshën e rëndë mbi supe të ditëve dhe netëve të liga, i heshtur e me duar të pastra e zemër të butë, trokiti në çdo derë të trojeve tona për të shëruar hasmëritë dhe gjakmarrjen, këtë plagë shekullore të shkaktuar nga vetvetja.
Profesori s’mbante armë, as pushtet, as flamuj krenarie personale. Mbante vetëm fjalën, atë fjalë të thjeshtë, por të shenjtë, që në ato kohë të errëta ishte shumëfish më e fuqishme se plumbat.
Profesori Anton, i njohur për modesti e sinqeritet, asnjëherë nuk u shfaq si hero. Vazhdimisht thoshte: Vetëm të bashkuar dhe si një trup i vetëm e mundim këtë të keqe të madhe.
Ai nuk kërkonte duartrokitje, as lavdi. Qëllimi i tij i vetëm ishte që hasmëritë e shndërruara në zakon të mos u liheshin si trashëgimi brezave të ardhshëm, që ishin absolutisht të pafajshëm.
Profesori, në çdo Kuvend të burrave, ulej me përulësi. Me fjalën e tij të matur, qetësonte zemrat e atyre që ndër vite ishin të ndrydhura nga plagët e hakmarrjes.
Ky ves i ligë e kishte sjellë popullin shqiptar buzë greminës. Kur fliste profesori Anton, mbretëronte heshtje e plotë. Ai nuk gjykonte. As nuk urdhëronte.
Por të gjithëve u kujtonte se gjaku nuk lan gjakun, se urrejtja nuk sjell mirësi e as drejtësi. Shtrirja e dorës së pajtimit dhe falja janë trimëria më e madhe e një burri të vërtetë e largpamës.
Ishte kohë kur nënat e mbanin frymën pezull për çdo hap të djemve të tyre, ndërsa fëmijët rriteshin nën hijen e një fati që nuk e kishin zgjedhur. Në atë errësirë, Anton Çetta ndezi një dritë që nuk digjte, por shëronte.
Shuajti zjarrin që digjte zemrat e nënave dhe fëmijëve jetimë dhe, në vend të tij, mbolli shpresë të re që kjo e keqe do të flaket njëherë e përgjithmonë.
Ky projekt i studentëve të Universitetit të Kosovës dhe i profesor Anton Çettës nuk ishte vetëm pajtim gjaqesh. Ishte pajtim i shpirtit me vetveten. Ishte kthim i njeriut te njeriu.
Ai e dinte se plagët nuk mbyllen brenda natës. Po ashtu e dinte se dikush duhet të jetë i pari që e shtrin dorën e pajtimit. Profesori u bë ajo dorë e zgjatur që rrafshoi humnera, mbylli kujtime të përgjakura, mbi shekuj të rënduar nga zakone që kishin humbur arsyen.
Në relievin e përthyer shqiptar, ku historia ka lënë gjurmë të thella të traumave nga kjo e keqe me pasoja katastrofike, figura e profesor Anton Çettës qëndron si një dritë që nuk shuhet kurrë.
Jo si monument i ngritur me gur, por si kujtesë e gjallë se një popull mund të shpëtojë vetveten kur zgjedh faljen, flak hakmarrjen dhe zakonet prapanike.
Profesor, Anton Çetta, pa zhurmë e pa bujë, u bë simbol i paqes dhe humanizmit. Ai nuk ndryshoi vetëm fatin e disa familjeve, por edhe një nga epokat më të errëta të popullit tonë.
Në rrjedhën e historisë sonë, vepra e tij duhet të kujtohet si mesazh dhe si ndërgjegje që vëllavrasja të mos përsëritet më në trojet tona.
Qoftë i përjetshëm kujtimi për profesor Anton Çettën, që me punën e tij të palodhshme u shndërrua në melhem të plagëve të kombit!
Qeveria e Edi Ramës prej vitesh promovon organizimin e një të ashtuquajturi “Samit të Diasporës” në Tiranë. Një emërtim i madh, që në vetvete ngjall pritshmëri të larta për një organizim serioz, gjithëpërfshirës dhe strategjik për shqiptarët që jetojnë jashtë atdheut.
Por, realiteti që shihet ndër vite lë shumë për të dëshiruar. Deri më sot, nuk është bërë kurrë transparente: Cili është qëllimi konkret i këtij samiti? Çfarë rezultatesh ka prodhuar ai? Kush i përzgjedh pjesëmarrësit dhe mbi çfarë kriteresh?
Një samit, në kuptimin e mirëfilltë, është një platformë vendimmarrëse, ku diskutohen politika konkrete dhe nxirren rekomandime të zbatueshme. Ndërsa këtu krijohet përshtypja e një aktiviteti ceremonial, më shumë për imazh sesa për përmbajtje.
Pjesëmarrje selektive dhe jo përfaqësuese . Nga ajo që është parë, në këtë organizim marrin pjesë kryesisht: individë të afërt me strukturat qeveritare, persona me interesa biznesi, figura që kërkojnë ekspozim publik.
Ndërkohë, mungojnë: aktivistët e mirëfilltë të diasporës, organizatorët që për dekada kanë qenë shtylla të komunitetit, përfaqësues të shoqatave serioze dhe funksionale.
Kjo krijon një hendek të madh midis realitetit të diasporës dhe përfaqësimit të saj në këtë “samit”.
Diaspora reale dhe diaspora e ekspozimit . Pas Pavarësisë së Kosovës, dinamika e organizimit të diasporës ka ndryshuar. Në shumë vende të Perëndimit janë krijuar: shoqata formale pa strukturë reale, organizime sporadike “sa për sy e faqe”, iniciativa që më shumë promovojnë individin sesa komunitetin.
Shumë prej këtyre subjekteve: nuk kanë kryesi funksionale, përfaqësohen nga dy ose tre persona, mbajnë emra të mëdhenj pa përmbajtje reale.
Pikërisht këto struktura shpesh shfaqen në aktivitete të nivelit të lartë, duke zëvendësuar ata që realisht kanë kontribuar ndër vite.
Samit apo turizëm institucional? Në vend që të jetë një platformë strategjike, ky organizim ngjan më shumë me: një aktivitet protokollar, një mundësi rrjetëzimi për interesa të ngushta, një formë “turizmi institucional” me fotografi dhe deklarata boshe.
Kjo e dëmton jo vetëm seriozitetin e vetë organizimit, por edhe besimin e diasporës ndaj institucioneve shtetërore.
Çfarë duhet të ishte një samit i vërtetë? Një Samit i Diasporës duhet të jetë: i hapur dhe transparent në përzgjedhjen e pjesëmarrësve, përfaqësues real i komuniteteve shqiptare në botë, i orientuar drejt rezultateve konkrete, platformë bashkëpunimi institucional dhe ekonomik.
Duhet të përfshijë: ekspertë të fushave të ndryshme, sipërmarrës të suksesshëm, aktivistë me kontribut të dëshmuar, përfaqësues legjitimë të shoqatave funksionale.
Nëse mungon përmbajtja, serioziteti dhe përfaqësimi real, atëherë çdo “samit” rrezikon të mbetet vetëm një skenë ekspozimi, një javë turizmi politik e institucional, pa ndikim të vërtetë në jetën e diasporës shqiptare.
Bilbordet e fotos ilustruese të Shasime Osmanit i takojnë fushatës zgjedhore të zgjedhjeve të 29 marsit 2026 për Këshillin e Madh, ku tashmë ajo është deputete
HYRJE
Në nëntor të vitit 2024, Shasime Osmani, studentja e drejtësisë në Universitetin e Bernës, do të ishte asambleistja e parë shqiptare në parlamentin e kryeqytetit të Zvicrës, që njihet si Këshilli i Qytetit, ndërsa në fund të këtij marsi, në zgjedhjet për parlamentin kantonal të Bernës, që njihet si Këshilli i Madh, Shasimja do të jetë deputetja e parë shqiptare e këtij parlamenti. Suksesi i Shasime Osmanit bëhet edhe më konkret kur kemi parasysh se emigracioni shqiptar i ngulitur si në rang Zvicre, ashtu edhe në Bernë, është në çerek shekullin e tretë. Mediat zvicerane shprehen me shumë simpati për Shasimen. E shohin si një “meteor në ngjitje”, si një “një zë për ata që nuk kanë zë”. Kauzat e Shasime Osmanit janë barazia dhe shanset e barabarta në arsimim. Shasime Osmani vjen nga një familje shqiptare tipike emigrantësh, me prejardhje nga Kërçova në Maqedoninë e Veriut. Gjyshi i Shasimes u vendos në Zvicër në fund të viteve ’70 si “gastarbeiter”. Në vitin 1993 do të shpërngulej në Zvicër babai dhe më 1999 nëna bashkë me Shasimen bebe. Familja, që do të shtohej edhe me dy fëmijë të tjerë, jeton në Bümplitz-Bethlehem, një nga lagjet e populluara me shumicë nga emigrantët e që përballen edhe me vështirësitë e jetës, megjithëse Zvicra është një nga shtetet më sociale të Europës. Shasimja, prej kur ishte 17 vjeçare, është angazhuar në Partinë Socialdemokrate të Zvicrës, me një aktivizëm të pandalshëm, shumë energjik dhe impresionues. Si deputete e Parlamentit Kantonal të Bernës, Shasime Osmani do të startojë në qershor. I uroj shumë suksese. Më poshtë po ju përcjell intervistën me Shasime Osmanin.
Shasime Osmani, një vajzë e re si gjithë vajzat e reja të moshës së saj, drejt realizimit të ëndrrave
INTERVISTA
E.B.: Në qershor mbaron studimet për bachelor në drejtësi, pak histori për rrugën e studimeve?
Shasime Osmani:Pas përfundimit të praktikës sime si Kauffrau EFZ në Zyrën Federale të Policisë, kam vazhduar me maturën. Që nga viti 2022 studioj drejtësi me synimin për t’u bërë avokate.
E.B.: Ëndrra jote e fëmijërisë ishte të bëheshe gjyqtare, kur gjyshi, që sot krenohet aq shumë me ty, e nisi jetën në Zvicër si “gastarbeiter”, po ashtu edhe prindërit iu përveshën punës plot sakrifica që t’ju rrisnin ju tre fëmijëve, ku i mbështete ëndrrat e tua?
Shasime Osmani: Që herët kam kuptuar se kisha më pak shanse se fëmijët e tjerë. Dhe këtë nuk mund ta pranoja. Unë thjesht kam qenë që fëmijë me natyrë shumë luftarake. Kam bërë shumë përpjekje në shkollë dhe kam punuar pesë herë më shumë se të tjerët. Shumë fëmijë me prejardhje emigrante e përjetojnë këtë.
E.B.: Mediat zvicerane ju vlerësuan si një meteor në ngjitje dhe si “një zë për ata që s’kanë zë” dhe ju vetë thoni dhe e argumentoni me një logjikë që nuk mund të kundërshtohet, që e garanton ligji dhe shteti social në Zvicër “se do të mbroni fuqinë punëtore, ata që punojnë 100%, që paguajnë taksat, por prapë nuk fitojnë mjaftueshëm”, a mund ta shtjelloni pak?
Shasime Osmani: Zvicra është një vend i pasur dhe i disiplinuar. Por jo të gjitha sektorët kanë paga të mira dhe jo të gjithë njerëzit kanë në praktikë të njëjtat mundësi. Ka njerëz, veçanërisht shumë persona me prejardhje emigrante, që punojnë vetëm për të mbijetuar.
E.B.: Qëllimi yt para zgjedhjes në Këshillin e Madh apo Parlamentin e Bernës ishte të përfundoje një stazh në Gjykatën Rajonale, po sot?
Shasime Osmani: Praktikën duhet ta kryej pas përfundimit të studimeve të mia Master. Kjo do të ndodhë përafërsisht pas 2.5 vitesh. Si anëtare e Këshillit të Madh lindin disa probleme për shkak të ndarjes së pushteteve. Aktualisht po kërkoj një zgjidhje.
E.B.: Jeni anëtarja e parë femër me origjinë shqiptare në Këshillin e Madh, ka anëtarë meshkuj me origjinë shqiptare Parlamenti i Bernës?
Shasime Osmani: Aktualisht jam e vetmja në Këshillin e Madh me prejardhje shqiptare. Edhe në Këshillin e Qytetit të Bernës kam qenë personi i parë dhe i vetëm me prejardhje shqiptare.
E.B.: Në nëntor 2024, vetëm 26 vjeçe, u zgjodhët këshilltarja e parë e Këshillit Bashkiak e qytetit të Bernës, si arritët deri aty?
Shasime Osmani: Kjo ishte një surprizë. Në atë kohë partia ime fitoi pesë mandate dhe një prej atyre mandateve e mora unë. Dhe kështu u bëra personi i parë me prejardhje shqiptare në Këshillin e Qytetit të Bernës.
E.B.: Jeni Anëtare e PS prej moshës 17 vjeçare, kush ju motivoi të futeshit kaq shpejt në politikë?
Shasime Osmani: Gjithmonë kam qenë e interesuar për politikën. Matthias Aebischer*, atëherë këshilltar kombëtar dhe president i “Kidswest”, më tha se shihte potencial tek unë dhe kështu u bëra anëtare.
E.B.: Keni fituar 9641 vota që ju dhanë shansin të startoni mandatin në Parlamentin e Bernës në qershorin që vjen, në cilën zonë ke kandiduar, cilët ju kanë votuar kryesisht?
Shasime Osmani: Kam kandiduar në njësinë zgjedhore të qytetit të Bernës dhe kam pasur një mbështetje të gjerë nga e majta, por edhe nga partitë e qendrës. Komuniteti shqiptar më ka mbështetur shumë.
E.B.: Si do da përshkruaje Bümpliz-Bethlehem, Zonën e VI apo distriktin e VI të Bernës perëndimore?
Shasime Osmani: Në Bümpliz-Bethlehem jetojnë shumë persona me prejardhje emigrante. Pabarazia sociale është një temë e rëndësishme: njerëz me paga të ulëta dhe fëmijët e tyre që kanë më pak mundësi për arsimim të lartë. Në të njëjtën kohë, aty mund të përjetosh shumë gjëra: projekte të shumta kulturore, qendra tregtare dhe takime me njerëz të ndryshëm.
E.B.: Në një kat përdhes të shumkatësheve prej betoni në Bümpliz-Bethlehem gjendet “Kidswest” një Atelie arti rekreativ falas që frekuentohet me shumicë nga fëmijët e të rinj nga mosha 6 deri në 16 vjeç me prejardhje emigrantësh, të cilën e vizitonit edhe ju fëmijë apo jo?
Shasime Osmani: Po, dhe “Kidswest” e ka formësuar shumë fëmijërinë time.
E.B.: Krijuese e Ateliesë së Artit ishte artistja Meris Schüpbach, e cila iu kushtua shumë fëmijëve dhe të rinjve nga prindër emigrantë që e vizitonin këtë shoqatë. Sot ajo nuk jeton më dhe e meriton një eulogji për krijesën e saj “Kidwest” – Fëmijët e Lagjes në Perëndim të Bernës. – Më bëri përshtypje një kredo e saj ku thosh “Më lejohet të jem ai/ajo që jam këtu dhe tani, me gjithçka që kam përjetuar, gjithçka që mendoj dhe gjithçka që dua, me gjithçka që më bën ajo që jam” – definicion i një mentoreje për të frymëzuar të qënit njeri i lirë në një botë pa paragjykime. Por edhe shoqëritë në sistemin demokratik nuk i shpëtojnë paragjykimeve, sidomos, kur flitet për qytetarët me prejardhje emigrantësh, a e keni njohur znj Meris, sot ju jeni kaq e re presidente e “Kidwest”e trashëgoni një thesar të krijuar prej saj, a mund të na e tregoni këtë rrugëtim?
Shasime Osmani: Meris Schüpbach ka qenë një nga figurat më përcaktuese në jetën time. Kur Kidswest u themelua në vitin 2006, unë kam qenë një nga fëmijët e parë që u bë pjesë e këtij projekti. Në vitin 2019 u bëra presidente e shoqatës dhe në vitin 2022 Meris Schüpbach, për fat të keq, ndërroi jetë. Gjurmët dhe vepra e saj janë edhe sot pjesë e Kidswest-it.
E.B.: Vazhdoni ta keni si maskotë-simbol të shoqatës «korbin»**. Përse? A ju kujtohet ndonjë ngjarje që lidhet me të?
Shasime Osmani: Në vitin 2009, SVP zhvilloi një fushatë të ashpër me korba. Kur e pashë këtë në rrugën time për në Kidswest, nga njëra anë u ndjeva e çuditur, sepse ata po përdornin maskotën tonë, dhe nga ana tjetër shpendi paraqitej sikur, si i huaj, po e “hante” Zvicrën. Kjo më tronditi dhe ishte një pikë kthese për interesimin tim në politikë. Zemërimi im frymëzoi çiftin artistik “Haus am Gern” për një fotografi të Këshillit Federal me fëmijë me prejardhje emigrante. Projekti më pas u bë i njohur në të gjithë Zvicrën dhe disa Këshilltarë Federalë na ftuan në Këshillin Federal ***.
E.B.: Ju përfaqësoni brezin e dytë apo të tretë të emigrantëve, që njihen si Sekondos, si e keni përjetuar të qënit me prejardhje të huaj dhe si mendoni t’i bashkangjisni kauzën tuaj “të drejta të barabarta në arsim”, një realiteti “se arritjet në arsim dhe statusi socialekonomik janë të drejta të trashëguara”?
Shasime Osmani: Në Bümpliz-Bethlehem, vetëm 1 në 11 fëmijë shkon në gjimnaz. Në lagje të tjera janë 5 në 10 fëmijë që shkojnë. Fëmijët e punëtorëve kanë më pak shanse, edhe kur kanë saktësisht të njëjtin sukses dhe performancë. Nga familjet akademike, rreth 75% vazhdojnë studimet. Nga familjet punëtore, vetëm rreth 25%.
E.B.: Duke marrë info për intervistën konstatova që keni një aktivizëm shembullor, pra, nëse shtypi bernez me simpati e përshkruan ngjitjen tuaj në Parlamentin e Bernës meteorike, a mendoni se kjo ngjitje i dedikohet vrapit tuaj të palodhur duke u përfshirë që adoleshente në politikë, në sindikatën studentore etj., a mund të na tregoni pak më tepër?
Shasime Osmani: Politika është përfaqësim. Unë punoj pa u lodhur për një Zvicër për të gjithë. Angazhimi im është vlerësuar nga populli. Kjo ka të bëjë padyshim me përkushtimin tim, por edhe me profilin tim politik dhe përfaqësimin e fortë që ofroj.
E.B.: Duke iu kthyer arsimimit, kauzës suaj të preferuar, me këtë rast po kujtoj Naim Frashërin, Rilindasi jonë që thosh se “vetëm dritë e diturisë përpara do të na shpjerë” dhe ndërkohë po sjell si fakt se gjuhën amtare në shkollat shqip e ndjekin në rang Konfederate vetëm 3% e fëmijëve. Ju vetë a keni patur mundësi ta ndiqni? A mendon se është shqetësim, se përmes gjuhës, brezat e së ardhmes mësojnë jo vetëm gjuhën, por edhe historinë e rrënjëve të tyre?
Shasime Osmani: Unë vetë nuk kam ndjekur kurrë shkollën shqipe. Në Zvicër njeriu është i angazhuar me gjermanishten dhe frëngjishten. Por nuk e shoh vërtet si problem. Të gjithë që unë njoh flasin shumë mirë shqip dhe janë gjithashtu shumë mirë të informuar për kulturën shqiptare.
E.B.: Cili do të jetë mesazhi që do t’i drejtoni rinisë me prejardhje shqiptare në Zvicër?
Shasime Osmani: Unë e di që nuk është e lehtë. Por dorëzimi nuk është opsion. Ndiqni atë që ju pëlqen dhe qëndroni besnikë vetes suaj. Diku gjithmonë hapet një derë.
E.B.: Rezultatet e 29 marsit, në Këshillin e Madh të Bernës që ka 160 anëtarë, kanë forcuar si maxhorancë krahun konservator SPD që nga 44 ka sot 51 vende, ashtu edhe Partia juaj Socialdemokrate ka rritje, a mendoni se do t’i arrini kauzat tuaja sipas premtimeve?
Shasime Osmani: Kjo do të jetë shumë e vështirë. Por jam e sigurt që do të gjejmë kompromise dhe jam e gatshme të flas me të gjithë, për t’i çuar përpara këto çështje.
E.B.: Meqë po flasim për premtime, unë jam dakord me vlerësimet që ju bën shtypi bernez si një meteor në ngjitje, por jeni me këmbët në tokë, sepse tek suksesi nuk u katapultuat, por e arritët me aktivizmin tuaj, a më premtoni se, kur një ditë do të zgjidheni deputete në Parlamentin e Konfederatës Helvetike, intervistën e parë do të ma jepni mua, që e kam parashikuar e para?
Shasime Osmani: Këtë parashikim e dëgjoj nga shumë njerëz në rrethin tim. Të shohim si do të vazhdojë karriera ime politike. Dhe po, ta premtoj që do të të jap intervistën e parë, nëse më kontakton shumë shpejt.
—-
*Matthias Aebischer është një politikan zviceran i SP, ish-gazetar televiziv, ish president “Kidswest”. Ka qenë deputet në Parlamentin e Zvicrës prej 2011-2025. Në fund të vitit 2024, ai u zgjodh në Këshillin e Qytetit të Bernës dhe mori detyrën në janar 2025. Ai dha dorëheqjen si deputet i Paramentit në mars 2025 për të marrë këtë pozicion, në krye të Drejtorisë për Inxhinierinë Civile, Transportin dhe Hapësirat e Gjelbra Urbane (TVS).
**Në vitin 2008 «korbi» u përdor nga SVP si një figurë simbolike për iniciativën mbi lëvizjen e lirë të personave. Ndërkohë «korbi» ishte simbol heraldik i ateljesë artistike Kidwest që frekuentohej shumë edhe nga fëmijë e të rinj me prejardhje emigrantësh. Më 2009 lindi një projekt bashkëpunimi midis fëmijëve e të rinjve të Kidwest me dyshen artistike të Haus am Gern (Rudolf Steiner dhe Barbara Meyer Cesta). Në këtë projekt që mori shumë hapësirë mediatike fëmijët e Kidswest rikrijuan foton zyrtare të Këshillit Federal (“Këshilli Federal i Kidswest”) për të nxjerrë në pah tema të tilla si pjesëmarrja dhe përfaqësimi. Haus am Gern dhe tetë fëmijë të Kidswest – përkatësisht Alberta, 8 vjeç (Kosovë), Shasime, 10 vjeç (Maqedoni), Bimi, 11 vjeç (Kosovë), Sheila, 12 vjeç (Shqipëri-Itali), Selina, 12 vjeç (Kili), Marigona, 13 vjeç (Kosovë), Ihab, 13 vjeç (Eritre), Sumudu, 9 vjeç (Zvicër-Sri Lanka) dhe Fjolla, 11 vjeç (Kosovë), e cila mori pjesë si zëvendësuese – u ftuan në Këshillin Federal të Konfederatës Helvetike.
***Këshilli Federal është Parlamenti i Konfederatës së Zvicrës
Fëmijët e Kidwest, e dyta majtas Shasime Osmani viti 2009
Parlamenti i Zvicrës me shtatë Këshilltarët Federalë dhe me kancelieren më 2009
Frikën ua fale liliputëve, dëshpërimin pesimistëve, urrejtjen fashistëve.
Ishe vashë e guximshme, që s’njihte dorëzim. Edhe pse ende fëmijë, luftove me shpirt e zemër, Kosovës për t’i dhënë emër.
Në ilegalitet të njohën me nofkën e ëmbël “LIRIA”. Me fjalën tënde të matur,e me peshë, zemrat e rinisë llapjane i mbushje me shpresë — për liri e ardhmëri.
Emri yt u bë betim, që flamuri të valojë, e kënga të jehojë, derisa Kosova të bëhet me Zot shtëpie.
Halime Murati — emblemë e guximit dhe krenarisë shqiptare!
Komentet