VOAL

VOAL

më shumë se çdo gjë në qiell – Poezi nga Edward Estlin Cummings – Përktheu Skënder Buçpapaj

September 2, 2019

Komentet

NJË PAPA, KATËR LEBËR DHE DY VENDAS- Tregim nga SHKËLQIM HAJNO

 

Baaam…
Baaam…
Baaam…

Kambana e kishës  çau heshtjen e shurdhët nën atë kupë qielli që zotëronte krejt fshatin kufitar.

-Ç’është kjo kambanë? Kush ka vdekur?-pyeti Mane, më i madhi i barinjve lebër që dimëronin prej vitesh të imtat ndanë fshatit.-Ç’të jetë?!- pyeti më tepër veten në kasollen pranë nomesë sesa tre barinjtë e rinj .

-Kushedi, kanë zakonet e tyre fetare- tha njeri.

-Jo. Kjo është kambanë vdekje. E njoh mirë  këtë kambanë zije se kam vite  në vërri. Kësaj ane të fshatrave të krishtera.

Këmbana mortore nuk pushonte në intervale të njejta dhe pauza të gjata.

Intervalet e ndërprera përcillnin përzishëm dhimbje.

Baaam…
Baaam…
Baaam…

-Beco, zbrit poshtë te shtëpitë dhe pyet ku është kësolli.

Ai që quhej Beco u nis drejt shtëpive.

***

Pas pak, të lehurat e qenve të stanit u shpeshtuan dhe u bënë më të egra.

  • Ç’kanë? Bibi, dil e shih, mos hanë njeri!-iu drejtua Mane djaloshit tjetër.

 

Në bregoren pranë nomesë u shfaq befas rasoja e zezë e priftit të atyre anëve. (silueta). Në dorë mbante një stap. Qentë kërcyen më egërsisht me lehje të pandërprera.

-Urdhëro Papaa!. Mos kij frikë se i mbajnë djemtë!

-…Balooo!Boll tani! Murro! Hë, mjaft!- u dëgjua nga nomeja më i moshuari i barinjve.

Të katër lebërit e nomesë i dolën përpara. Në praninë e tyre, qentë u qetuan.

 

-Mirë se erdhe, Papa! Mirë se na urdhërove në stan!-tha Mane.

 

-Faleminderit o njerëz të Zotit! Erdha se kam, nevojë për ju…Për të katërt.

-Për hair!…

-Po. Kam nevojë për të katërt. Ka vdekur një i moshuar në këtë fshat që po soset  pak nga pak nga frymët e të gjallëve. Nga familja e të ndjerit, tani, ka mbetur gjallë vetëm plaka. Fillikat.Tetëdhjet e pesë vjeçe. Askush tjetër.

 

Të katër barinjte e ndiqnin me vëmendje e respekt rrëfimin e njeriut të Zotit.

 

-Nga tre të gjallët e vetëm që kishin mbetur deri dje në këtë fshat,   tani, kanë mbetur, dy: Plaka e të ndjerit  Dhroso që i kishte shkelur  nëntëdhjet e tetat  dhe Niko, një tjetër i moshuar, i vetmuar, rreth të nëntëdhjetave…

 

-Ngushëllime për të pasmit!-tha Mane.

-Faleminderit! Po tani kemi nevoje që të hapim varrin për të ndjerin !

– Papa, na ke gati  !- tha më i moshuari.

-Të ndjerin, e kemi njohur-shtoi. – Bile, i shpinim edhe qumësht në shtëpi çdo herë që vinim me kope për dimërim.

 

Në nome ra heshtje.

 

-Varrin do ta hapim ne. Na thuaj se kur duhet?-tha Mane.

 

-Zoti ua shpërbleftë, o njerëz të mire! Po të mundeni, që tani se koha, nuk pret. Se dua  do të bëj edhe meshë mortore në kishën e fshatit.

 

Mane hodhi sytë nga të rinjtë si të kërkonte një mendje.

-Patjetër,-tha i pari.

-Patjetër,-u hodh i dyti dhe i treti.

Papai u ndije i vlerësuar  dhe i kënaqur nga të katër të huajt.

 

-Zoti i madh ua shpërbleftë në të mira për familjte tuaja!-tha njeriu i perëndisë duke bërë  disa herë kryqin në ajër.

 

Papai priu. Të katërt e shoqëruan për nga fshati.

Nomeja mbeti pas.

 

***

 

 

-Djema, o njerëz të zotit. Më kuptoni. Pas gropës…dhe punës me të, ju dua përsëri të katërve. Do shkojmë në kishë. Dua të bëj meshën e përshpirtjes për të ndjerin Dhroso.

Mane, desh t’ë thoshte: ç’meshëzeza do bësh me katër veta dhe kishën bosh, por ndërroi mendje.

 

Peqe, Papa!(kup.pop.labëri: “dakord.”) Na thuaj dhe, pas na ke!

– U dua që të vini edhe ju në kishë. Të them dy fjalë përcjellje për të ndjerin…Le të jemi një grusht njerëzish. Zoti, nuk na numëron.

 

 

 

***

Atë ditë, porta e kishës ishte hapur që herët.

Që nga kandilthirësi, disku metalik me rërë dhe qirinj të ndezur, përhapej aroma e njohur e thimjanit dhe livanit përzier me lagështirën e mureve dhe çatisë me dërrasa guri.

Tre të rinjtë shikonin nga Papai dhe Mania duke i imituar ata në ritualin e vendosjes së qirinjve  në diskun me rërë të kandilthirësit. Aroma e qirinjve të ndezur për shpirtin e të ndjerit, u bëri përshtypje barinjve lebër që qëndronin në këmbë me nga një qiri të ndezur në dorë.

Era që frynte nga jashtë u jepte hark flakëzave të arta të qirinjve siç harkohet bari nga rryma e ujit pranë burimeve.

Në oborr nuk kishte njeri. Vetëm një qen plak i shushatur që i gëzohej frymës së njerëzve duke tundur bishtin.

Në shenjë ngushëllimi, Mane iu afrua të zonjës së hallit, plakës së ve që po qante me dënesë në rreshtin e parë të ulëseve të drunjta të sallës.

Silipitiria*(gr.ngushëllime!)”, Mana!Të të rojnë ç’ke!-dhe i vuri dorën në sup.

Tre të tjerët që nuk dinin asnjë fjalë greqisht, iu afruan gjithashtu plakës të ngjyer në të zeza që nuk dinte asnjë fjalë shqip.

-Ngushëllime! Silipitirja!

-Ngushëllime! Silipitirja!

-I paharruar! Silipitirja!

E brengosur, me duart e holla e të reshkurar, mana i takoi me një ndjenjë mirënjohje dhe habie bashkë. Bri saj, i moshuari tjetër me një shkop në dorë, qëndronte i pikëlluar.

Evloghitós o Theós imón pándoteI bekuar është Perëndia ynë, gjithmonë, tani e përherë e, në jetë të jetëve. Amin.”

Liturgjia e përmortshme kishte nisur.

«I Shenjtë është Perëndia, i Shenjtë i Fuqishmi, i Shenjtë i Pavdekshmi, mëshiro-na.»

Kryqi në duart e Papait, çante hapësirën gjysmë të errët të kishës.

„Evloghitós o Theós imón pándote…Sot përcjellim me lutje vëllanë tonë në Krisht, i cili pasi përmbushi udhën e kësaj jete dhe arriti moshë të thellë, kaloi nga kjo jetë në jetën e amshuar….”

Mane me kokën unjur dhe  kasketën në dorë shikonte në një pikë nga figurat e  ikonostasit të vjetër. Edhe tre të rinjtë kishin mbërthyer vështrimin nga ikona e Shën Mërisë me shprehjen plot përdëllim.

Fjalë e priftit dukeshin se dilnin jo nga goja e tij, por nga pamjet mistike të ikonave të gdhendura në dru dhe me një djenjë hipnotike sikur depërtonin drejt e në veshët dhe shpirtin e secilit.

O Perëndi i shpirtrave dhe i çdo mishi, Ti që e shkele vdekjen, e rrëzove djallin dhe i fale jetë botës sate, jepi prehje shpirtit të shërbëtorit Tënd,  Dhrosos në vend të ndritshëm, në vend të gjelbër, në … Vetëm Ti je pa mëkat; drejtësia Jote është drejtësi e përjetshme dhe fjala Jote është e vërteta.”

Në fund të shërbesës, Papa shpalli:

-Eonía i mnimi!(gr: I përjetshëm qoftë kujtimi i tij!)

 

Në çast Papai sheh nga katër barinjtë që qëndrojnë në heshtje disi të hutuar, sepse nuk kuptojnë asnjë fjalë. Papai e kalon fjalën shqip.

-Vëllezër, sot jemi pak në këtë kishë. Por Zoti nuk i numëron njerëzit siç i numërojmë ne. Para Tij nuk ka turmë e vetmi. Ka vetëm zemra. Vetëm zemra.

-Ju të katërt erdhët nga stani, nga mali, nga bagëtitë tuaja. Nuk e njihnit mirë këtë burrë. Por erdhët. Dhe kjo, është një e mirë që Zoti e sheh.

Pas përfundimit të shërbesës, Papai  u kthye nga lebërit:_

-Tani është radha juaj.  

Të katërt u ndanë si nga një komandë e padëgjuar, dy nga dy në krahët e arkëmortit.

Përkulen të heshutr dhe e ngrenë duke e nxjerrë nga kisha.

Pas tyre, në atë copë udhë drejt varrezave, as dyqind metra larg, korteu I  habitshëm  mortor me  katër lebër, dy vendas dhe një Papa dukej si në një kumt në lëvizje i një epoke të panjohur.///

 

***

 

‘Hardhia’ frymore e njeriut- Nga Fatmir Terziu

 

E lexova poezinë e Ruzhdi Goles dhe menjëherë pas leximit më erdhi dhe komenti i kritikut Pirro Loli që shkruante pak por saktë “Bukur Gole!“ Në këtë pikë ndjeva se vërtet ekzistojnë dhe ka poetë që hyjnë në letërsi pa bërë zë. Ruzhdi Gole i përket këtij lloji. Ai nuk ndërton poezi për t’i recituar në tribunat e famës, por për t’i lënë të rriten ngadalë në kujtesën e lexuesit, ashtu si hardhitë që nuk tërheqin vëmendjen me trungun, por me frytin. Për këtë arsye, poezitë e tij janë bërë pjesë e bankave të shkollës dhe auditoreve universitare, sepse mbartin atë cilësi të rrallë që nuk e konsumon koha: mendimin.
“Hardhi frymore” është një prej atyre poezive që duken të thjeshta në leximin e parë, por sa më shumë i afrohesh, aq më tepër të largohen nga shpjegimi i zakonshëm. Ajo nuk rrëfen një histori. Nuk përshkruan një peizazh. Nuk ndërton një dramë klasike. Në vend të tyre, ndërton një udhëtim të ndërgjegjes.
Poema hapet me një paradoks të madh: “Sonte i kemi hipur një veliere / po det nuk ka…”. Në pak fjalë, poeti rrëzon gjithë logjikën fizike për të ndërtuar logjikën ekzistenciale. Veliera nuk është më mjet lundrimi mbi ujë; ajo bëhet metaforë e dëshirës njerëzore për të ikur nga vetja. Por nuk ka det. Nuk ka hapësirë ku mund të arratisesh. Kjo është një nga figurat më të fuqishme të poezisë bashkëkohore shqiptare: njeriu kërkon udhëtim, ndërsa bota nuk i ofron më horizont.
Në këtë pikë, Ruzhdi Gole afrohet me filozofinë ekzistenciale. Arratisja nuk dështon sepse mungon guximi; dështon sepse njeriu nuk mund të largohet nga vetja. Çdo velierë mbetet e ankoruar në ndërgjegje.
Më tej, poeti ndërton një kontrast të pazakontë midis aventurës dhe shtëpisë.
“Në shtëpi vonë kur të shkojmë…”.
Kjo nuk është kthimi fizik në banesë. Është rikthimi në të vetmen hapësirë ku maskat bien. Jashtë mund të jesh çfarë të duash; brenda shtëpisë mbetesh ai që je.
Dhe pikërisht aty ndodh zbulimi moral.
“Gratë tona që asnjëherë s’na fyen / por që ne ndonjëherë edhe i gënjejmë”.
Këtu poezia shmang sentimentalizmin. Nuk idealizon gruan si figurë romantike, por e vendos në një plan etik. Gruaja nuk paraqitet si viktimë, por si qendra e qetësisë morale. Faji nuk shpërndahet. Ai pranohet. Pranimi është akti më i vështirë filozofik i njeriut, sepse kërkon të shohë veten pa justifikime.
Në strofën e dytë poezia zhvendoset nga morali në kozmologji.
“Qielli zbras shportat e reve…”.
Universi nuk përshkruhet si pafundësi astronomike, por si një kopsht fshatar. Retë mbahen në shporta. Yjet bëhen veriga rrushi.
Kjo është një nga metaforat më shqiptare që mund të ndërtohen. Kozmosi nuk ndahet nga toka. Qielli është vazhdim i arës. Ylli nuk është objekt astronomik; është fryt.
Por fryti mbetet i paarritshëm.
“S’i mbrrijmë dot sonte…”.
Kjo fjali përmbledh gjithë tragjedinë njerëzore. Njeriu gjithmonë jeton një hap larg lumturisë. Gjithmonë e shtyn për nesër.
Prandaj pyetja e vetme që qëndron si një goditje filozofike në qendër të poezisë është: “Nesër mbrëma?” Vetëm dy fjalë. Asnjë koment. Asnjë shpjegim. Vetëm një pikëpyetje. Kjo pikëpyetje ka peshën e gjithë filozofisë së kohës. Është pyetja e njeriut që nuk është i sigurt nëse nesër ekziston. Në këtë kuptim, poezia nuk flet për kalendarin, por për pasigurinë ontologjike të jetës. Pjesa përmbyllëse është kthesa më e bukur e gjithë strukturës poetike. Veliera shkundet. Çiftet hiqen nga supet. Maskat bien. Fillon kthimi. Jo drejt shtëpisë. Por drejt së vërtetës. Dhe atëherë vjen metafora që i jep titullin poezisë: “Hardhitë frymore të kësaj bote.” Kjo është një figurë me një dendësi të rrallë semantike.
Hardhia është bima që nuk rritet drejt qiellit pa mbështetje. Ajo kërkon mur, shtyllë, pemë. Pikërisht si njeriu. Edhe ai nuk jeton dot pa një mbështetje shpirtërore. Prandaj gruaja nuk është vetëm bashkëshorte. Ajo bëhet hardhi frymore: burim i jetës së brendshme, i kujtesës, i faljes, i vazhdimësisë dhe i shtëpisë. Në fund rikthehet refreni moral: “Ato asnjëherë s’na fyen…” Por tashmë vargu tingëllon ndryshe. Sepse lexuesi ka kaluar gjithë udhëtimin filozofik të poezisë.
Kur poeti shton: “Ne shpesh bukur i gënjejmë…”, fjala “bukur” është ndoshta ironia më e hidhur e gjithë tekstit. Nuk është bukuria e mashtrimit. Është bukuria me të cilën njeriu di ta zbukurojë fajin e vet. Dhe fundi: “I ledhatojmë turbullt.” Është një nga përmbylljet më të heshtura të poezisë moderne. Ledhatimi nuk lind nga paqja, por nga turbullira e ndërgjegjes. Dora kërkon falje aty ku goja nuk e shqipton dot.
Në planin estetik, Ruzhdi Gole përdor një gjuhë të kursyer, pa stoli të panevojshme. Metaforat e tij nuk imponohen; ato lindin natyrshëm nga përvoja njerëzore. Poezia nuk kërkon të jetë hermetike, por as nuk dorëzohet para leximit të shpejtë. Ajo të detyron të rikthehesh.
Në planin filozofik, “Hardhi frymore” është një meditim mbi tri të vërteta të mëdha: pamundësinë për t’u arratisur nga vetja, përkohshmërinë e iluzioneve dhe kthimin e pashmangshëm tek ajo që na mban gjallë shpirtërisht.
Në fund mbetet vetëm një bindje: njeriu mund të hipë në shumë veliera pa det, mund të ndjekë shumë yje që nuk i arrin kurrë, por gjithmonë do të ketë nevojë të kthehet tek hardhitë frymore të jetës së tij. Sepse aty nuk jeton vetëm dashuria. Aty jeton kujtesa, falja dhe e vetmja e vërtetë që nuk e zëvendëson dot asnjë horizont.
Poezia e Ruzhdi Goles nuk është thjesht një tekst lirik. Është një reflektim mbi qenien njerëzore, i shkruar me gjuhën e thjeshtë të përditshmërisë dhe me thellësinë e filozofisë. Pikërisht kjo e bën atë të mbetet gjatë në mendje: jo sepse thotë shumë, por sepse lë të pashprehura ato pyetje që vazhdojnë të na ndjekin edhe pasi vargu ka mbaruar.

Ruzhdi Gole: HARDHI FRYMORE

Sonte i kemi hipur një veliere
po det nuk ka,
supeve hedhur çiftet
po askund
nuk gjejmë prehë,
Në shtëpi vonë
kur të shkojmë
do shohim po ato bela –
gratë tona
që asnjëherë s’na fyen
por që ne ndonjëherë
edhe i gënjejmë.

Def kokat na kërcasin
s’i gjejmë kund kryet
kokat na rrotullohen
hënëza të plogëta,
qielli zbras
shportat e reve
si verige rrushi yjet
s’i mbrrijmë
dot sonte
nesër mbrëma
ndoshta bëhen tonat.

Nesër mbrëma?

Shpejt shkundim
nga kryet tona sonte
një velierë të shpupuritur
nga supet i heqim
çiftet tym qullur,

shpejt nxitojmë tek gratë tona
hardhitë frymore të k’saj bote

ato asnjëherë s’na fyen

ne shpesh
bukur i gënjejmë
i ledhatojmë

Mjerë kush mungon!- Tregim nga FATBARDH AMURSI

Nga halli mësova disa zanate, si: bojaxhi, murator, elektricist, hekraxhi dhe të gjitha këto se më kish hipur në kokë të bëhesha shkrimtar. Shkrova një libër për hapjen e një tuneli të papërfunduar dhe më akuzuan, se në fund të tunelit s`kishte dritë. Ende pa mbaruar si do t`i dukej drita?! Hapa kanale, hapa transhe, por në hapje tunelesh nuk më lejohej, pasi isha i paaftë ta shihja dritën atje ku e shihnin të tjerët. Sa hap e mbyll sytë po quhesha njeriu i errësirës. Dhe sa herë që përmendeshin “forcat e errëta”, e dija që atje më kishin vendosur dhe mua. Të gjithë ata, që më tregonin se kush isha unë, më dukej sikur në ballë mbanin një llambë, si ajo që mbajnë minatorët. Nga fundi i kalvarit, meqë dallohesha në bukurshkrim më caktuan në dekorin e qytetit, ku shkruheshin parrulla dhe bëheshin portrete udhëheqësish.
Isha mësuar të ulja kokën dhe të shihja punën time, përderisa isha njeriu nga i cili duhej të ruheshin. Por, njeriu i heshtur ngjallte dyshime. Seç bluan ai në heshtje?! Ata me të cilët më lidhi puna e re, s`u pushonte goja. Vesin e llapaqenit me sa duhet e kishin marr me induksion, për shkak të sektori të parrullave si mjet propagande.
Sapo Leu u largua, Ndreu si ta kishte pritur me padurim largimin e tij, ngriti zërin:
-E patë me sa nxitim që iku, se e pret dashnorja?! Po e përdor ajo si gomarin në dasëm. Shkon i lyen shpinë.
-Ajo po ia ha lekët!-e pasoi Lefi, që me raste aktivizohej dhe në estradën e qytetit.
-S`i dini të gjitha ju! Leu s`është nga ata që të ha, por tjetër kush e ka urdhëruar.-e pasoi Hazbiu.
-Racë hyzmeqarësh.-ky i fundit ishte Ndini, i cili pretendonte se rridhte nga një familje kaçakësh.
-Ti e njeh Leun?-më pyeti Hazbiu. Unë u mjaftova me një “ja ashtuja”.
-E paqartë kjo “ja ashtuja”.-ma preu Ndini.
Kur Leu u kthye, sikur të mos ishin ata që e kishin sharë, nis t`i vinin në dukje vetira, që, zor se i gjeje dhe tek udhëheqesit që u bënim portretet.
-Mirë që erdhi ti, të bëjë dhe unë një dalje.-tha Ndreu dhe nxitoi jashtë pa i fshirë cërkat e bojës mbetur në duar.
-Nuk po e mbante vendi? E shoqja, që e ka mësuese, orën e tretë e ka pushim dhe ai shkon ta kontrollojë. I qep e gjora aq të gjata rrobat sa mbulohet këmbë e kokë. Dekoltera siç mbajnë gratë e botës, s`ka mbajtur ndonjëherë zysha!
-Të isha unë e kisha lënë!-u hodh Leu.
-Eh, sa herë e ka lënë ajo! Ajo ik dhe ai lutu pas derës. Fuste sekretarin mik dhe ajo kthehej, për hatër të partisë.
-Po ti e njeh Ndreun?-m`u drejtua mua.
-Ja ashtuja.
-Shih si hiqet?! Ndreu njihet si pare e kuqe, por ky s`do të prishi gojën. Se kur e prish e dhjetë fare!
Kur u kthye Ndreu e mbytën me lëvdata. Në pëllëmbë të dorës e mban atë grua, që ta ka zili i gjithë arsimi! I erdhi radha të ikte Lefi. Ky para se të dilte në rrugë, ktheu njëherë kokën nga ne:
-Unë po iki, por ju e dini vetë, ë!-ata qeshën dhe ia bën me shenjë: pse ç`a kujton ti, se do të kursejmë?!
-Iu ndez hunda për një teke. Kjo është e treta, që pi në orar të punë.
-Pi në klub, se në shtëpi ajo labja e nxjerr në ballkon dhe për të tymosur!
-Mirë që s`po ha më hudhëra se do na qelbte!-e mbylli Leu, kur në derë u duk Lefi. Më pas nis ta lavdëronin si dollibash. Se kishte mundur me raki aq e aq dasmorë. I fundit doli Hazbiu.
-Iku fuksi! Shkon tek drejtori t`i raportojë.-e theu heshtjen Lefi.
-E njeh Hazbiun ti?-m`u drejtua Ndreu.
-Ja ashtuja.
-Nuk ke përgjigje tjetër ti, që thua gjithmonë të njëjtën fjalë?
-Mua më kanë sjellë këtu për t`u edukuar në gjirin tuaj. Të mësoj prej jush dhe jo t`u bëj moral. Juve s`u lejohet, ta shihni botën me sytë e mi.
-Hë ç`je ti, ç`je ti për të rrëshqitur?!
Pasi erdhi Hazbiu dhe e mbytën me lavde, duke i vënë në dukje një veti, që për fjalët që kishin thënë pas kurrizit të tij, s`do ua besonte kush.
-Ky burrë ka një cilësi të lartë: s`i shet kurrë shokët!-tha Lefi. “Këtu, mjerë ai që mungon.”-thashë me vete dhe vendosa të mos luaja nga vendi. Pas një heshtje që zgjati ca, Leut s`iu durua:
-Po të kullojnë sytë mbi beze, dil njëherë edhe ti si shokët!
-Dil e kulloti një çikë sytë, meqë na mbahesh dhe si poet! Nuk të merret për shkelje. Racionin e qumshtit dhe daljen e kemi me teskere.
-Mos e luani se është i trëmbur!-ua preu shpresat Hazbiu.-Më lehtë i del hidhërimi patlixhanit kur e fut në ujë se sa këtij i del frika.
-Nëse ai ka ardhur për t`u ndrequr, duhet të bëjë si ne.-u hodh Lefi.-I kam zëtë ata që duan të bëjnë të ndershmin me zor!
-Ky po na del më i ndërgjegjshëm se ne?!-u hodh Ndreu.
Ndërkohë ia behu sekretari i partisë, i cili pasi përshëndeti me një ngritje dore dha komunikimin e radhës:–Ju e dini që në byronë politike kemi disa figura të reja. Me rastin e festave na kërkohet urgjentisht, që të bëhen portretet e udhëheqjes. Ti, m`u drejtua mua.-do bësh shokun…-Më caktoi të bëja portretin e atij, që më kishte nxirë jetën.-Apo do ndonjë tjetër?-pyetjen e mora për provokim.
-Të rrimë shtrembër e të flasin drejt, këtij hakshe i ka ardhur shansi tek dera. Le të reflektojë.-ndërhyri Hazbiu.
-Sikurse e dini, e kemi sjell në gjirin tuaj, që të edukohet. A ka filluar të shkrihet me masën?-pyeti sekretari.
-Vjen ca i tërhequr, për të mos thënë i kamufluar.-tha Leu.
-Ka një ndroje para nesh, por besoj se me kalimin e kohës do t`i dali.-e pasoi Ndreu.
-Nuk di mbase gaboj, por mua më duket sikur vuan nga një frymë mosbesimi ndaj nesh.-tha Hazbiu. Të tjerët e miratuan me kokë.-Kemi një orë që i lutemi, për të mirën e tij, helbete poet tjetri, dil që dil, siç dalim dhe ne, ai kujton se mos po ia kemi me hile?!
-Po më thoni se vë në dyshim moralin tuaj? Nëse ky nuk shkrihet me ju, nuk harmonizohet me sjelljet tuaja, nuk merr frymën tuaj, s`ka për të parë dritë në fund të tunelit.-sekretari u drejtua nga unë.-Kaq po të them: mos u nda nga shokët! Vetmia intelektuale është e huaj për ne.-dhe duke mos e fshehur pakënaqësinë ndaj meje mori për nga dera e jashtme.
-I ke faj u bë kasapi të drejtoj kulturën!-u hodh Ndini.
-Me shkollë natë tjetri dhe na mbahet sikur ka lexuar më shumë se shoku Enver!-për të mos i dëgjuar më, lashë penelin dhe nxitova drejt derës. U largova për të mos u ndarë nga shokët. Meqë ata s`kursyen as sekretarin, që mbulonte sektorin e dekorit, le të thonin ç`të donin, mjafton që t`më pranonin si njëri ndër ta. Kur u ktheva më mbytën me lëvdata. Tani më duhej të bëja portretin e njeriut, që më kishte nxirë jetën. Gjithë dritën dhe ngjyrat për të cilat isha kritikuar se i mungonin krijimtarisë sime i lëshova mbi portretin e shokut…
Pas viteve `90-të ishte radha e byroistit të mungonte. Mos harro se ke vizatuar portretin e atij shokut, do më thoshte Hazbiu, Ndini, Leu e Ndreu, përveç Lefit…
Fatbardh Amursi

Mbi Plagët e Tokës, Dielli Nuk Perëndoi- Poemë nga Isuf B.Bajrami

Kur Dielli të kthehet

I.
Ishte një natë e turbullt shekullore,
pa hënë, pa yje, pa agim,
një natë që kishte harruar mëngjesin
dhe mbi supet e dheut
kishte vënë heshtjen si gur.

Nëpër atë terr të gjatë
ecën breza të tërë,
me këngën të mbyllur në gjoks,
me emrin e atdheut në buzë
dhe me lirinë si një ëndërr
që s’guxonin ta thoshin me zë.

Por nata, sado e gjatë,
nuk është përjetësi.

II.

Pastaj erdhën rrebeshet.

Erërat u ngritën nga malet,
qielli u ça nga bubullimat,
dhe toka, e lodhur nga prangat,
filloi të fliste me zërin e bijve të saj.

Erdhën fortunat,
jo për të shuar dritën,
por për ta çarë terrin.

Në çdo gur
mbeti një betim,
në çdo plagë
një copë lirie,
në çdo varr
një amanet:

Mos e lini agimin të vdesë!

III.

Dhe një ditë—

në horizontin e përgjakur të historisë
u shfaq Dielli.

Jo si një dritë e zakonshme,
por si një flamur i zjarrtë
mbi një tokë që kishte qarë shumë.

Liria hyri nëpër dyer,
u ngjit nëpër male,
u ul në oborre,
u fut në shkolla
dhe në sytë e fëmijëve
që më në fund
mund ta shihnin qiellin
pa frikë.

Por liria nuk është vetëm
të rrëzosh një pushtues.

Liria është edhe
të mos bëhesh rob
i vetvetes.

IV.

Dhe ja ku jemi sot.

Institucionet heshtin,
dyert mbeten të mbyllura,
fjalët përplasen si gurë
nëpër muret e Kuvendit,
ndërsa qytetari
pret.

Pret një zë.
Pret një vendim.
Pret një shtet që ecën.

Por në vend të punës
vijnë bllokadat,
në vend të përgjegjësisë
vijnë arsyetimet,
në vend të shërbimit
vjen loja e pushtetit.

Dhe populli?

Populli lodhet.

Ai që dikur priti dekada për liri,
s’duhet të presë pafund
për një institucion
që di të punojë.

V.

Por atëherë—

mbi qiellin tonë
erdhi Eklipsi.

Dielli ishte ende aty,
por dikush ia zuri dritën.

Jo me tanke.
Jo me pranga.

Por me lakmi,
me korrupsion,
me pazare të errëta,
me heshtje të blera
dhe me zëra që quhen dije
por nuk mbajnë as peshën
e një pyetjeje të sinqertë.

Pseudointelektualët
veshën petkun e së vërtetës,
ndërsa e vërteta
mbeti jashtë derës.

Disa e ngatërruan demokracinë
me të drejtën për ta ndalur demokracinë.

Disa e harruan
se opozita është kontroll i pushtetit,
jo peng i shtetit.

Dhe qytetari,
i ulur përballë ekranit,
pyeti me vete:

Për këtë dritë
a u derdh gjithë ai gjak?

VI.

Por mos u trembni nga eklipsi.

Sepse eklipsi
nuk e vret Diellin.

Vetëm ia fsheh fytyrën
për pak kohë.

Dhe kur hija largohet—

Dielli kthehet.

Jo si më parë.

Por më i fuqishëm.

Më i madh.

Më i pastër.

Sepse tashmë
e di çfarë është nata.

Dhe një popull që e ka njohur terrin
nuk duhet të pajtohet
me gjysmë drite.

VII.

Le të kthehet Dielli
mbi institucionet tona.

Le t’i hapë dyert e mbyllura,
t’i shkrijë akujt e inateve,
t’i djegë fijet e pazareve,
t’i ndriçojë dokumentet e fshehura
dhe fytyrat që fshihen pas fjalëve të mëdha.

Le të jetë demokracia
më shumë se një fjalë.

Le të jetë
një mënyrë jetese.

Një votë që respektohet.
Një ligj që vlen për të gjithë.
Një Kuvend që punon.
Një qeveri që përgjigjet.
Një opozitë që kundërshton
pa e penguar shtetin.
Dhe një qytetar
që nuk ndihet më i harruar.

VIII.

Sepse kjo tokë
ka paguar shumë shtrenjtë
për të mos jetuar në errësirë.

Këtu,
nata ka qenë shekullore.

Këtu,
rrebeshet kanë lënë plagë.

Këtu,
fortunat kanë marrë bijtë tanë.

Këtu,
Dielli ka lindur me gjak.

Prandaj askush
nuk ka të drejtë
ta kthejë agimin në muzg.

Askush.

IX.

Dhe nëse sot
mbi ne rëndon një eklips,

nesër—

do të vijë drita.

Do të zbresë nga malet,
do të hyjë në qytete,
do të zgjojë rrugët,
do të prekë shkollat,
do të ndriçojë institucionet
dhe do të ulet butë
mbi fytyrën e qytetarit.

Atëherë do ta kuptojmë:

Dielli nuk ishte larguar kurrë.

Ne vetëm
për një çast
harruam ta shikonim.

Dhe kur të kthehet plotësisht,
le të mos gjejë më një popull
që pret.

Le të gjejë një popull
që ndërton.

Një Kosovë
që nuk frikësohet nga e ardhmja,
që nuk robërohet nga e kaluara,
që nuk shitet për pushtet,
që nuk hesht para padrejtësisë—

por ecën.

E lirë.

Demokratike.

Me kokën lart.

Dhe nën atë Diell të ri,
le të shkruhet mbi qiell:

“Nata ishte e gjatë,
por nuk ishte e përjetshme.
Eklipsi ishte i rëndë,
por Dielli ishte më i fuqishëm.
Dhe kjo tokë—
më në fund—
do të mësojë të jetojë
nën dritën e saj.”

Vendi i Lekës,14.08.2026

“Ethe” gushti – Cikël me poezi lirike nga Përparim Hysi

1. Si?Nuk më besoni?

Po e lë veten në krahët e qefit
M’u arratis shpirti nga trupi.
Dilni e më shihni! Nuk mbahem shendit
Sado që jam plak,nuk pyes nga turpi.Çfarë,nuk besoni dhe jini të mëdyshur?
Dhe ç’lexoni e mirrni si sajim?
Më erdhi,o miq,syri i ndritur
Dhe bashkë me të shkuan në”vidhimë”.

Me të jam dhe kam vënë krahë si dragua
Dhe nuk ia kam asnjeriu për pesë
Mos më dilni përpara mua
Se për dashuri kam  “licencë”.
2. Mbas dekadash
I them asaj:-  Mos je ajo?
Ajo që njoha dikur,
Unë jam, por çfarë do?
Se kemi vite pa u parë,qëkur…
Sa po çuditem!
Çuditem shumë që po ju shoh!
Si nuk e sheh që gati po lajthitem?
-Moj, a ke sy apo jo?
Po ti dikur as nuk më the gjë
Mos do ta shpija mendjen,vallë?
Duhet ta vije re që ç’ke me të
Dhe e putha me mall.
Oh,bëri,sikur ra në korent
-Po ti,atëherë,ku e kishe gojën?
Eh, sa kohë ka ikur,”belbacak” i shkretë!
Dhe puthjet s’e mbajnë dot”ojën”.
3.  Dhe i thashë
Dhe i thashë:- Je e mrekullueshme!
Ndaj dhe unë të dua.
Pa më zuri”gjarpërushka”
Më “kafshoi” mua.
Eh,se ç’vajti në atë vapëgushti
Veç pse thashë dy fjalë.
As që pyetëm më nga turpi
Të zhytur në mall.Me të mundem,edhe rrokem
Si dy “axhamijë”
Dhe këndellem e gëzohem
Sado jam kokëthinjë.

4.  TI
Ti je dhe parfumi,dhe aroma
E bukur je si një yll!
Zura t’i putha ato buzë të njoma
Që mbanin erë trëndafil.
Ke një dlirësi që të bën për vete
Buzëqeshjen të kripur dhe pak të druajtur.
Ti sikur ke ardhur nga të tjerë planete
Ndaj,kush të sheh, bëhet si i luajturO.”Ethet e gushtit” janë të  rënda për një plak
Por ti je aq e bukur,e gjitha si një dremitje
Më”lojtën burgjitë”,u ktheva çunak
Se je aq e magjishme si një xhinde.

5.ATO
Çdo emër si një shtrëngim zemre
Asnjë prej tyre nuk veçoj.
Ah,sa e madhe është bota e një femre!
Dhe asnjërën prej tyre nuk  harroj.Secila prej tyre kishte sharmin e vet
Dhe aromën e veçantë kishte secila
Me to është mbushur plot imja jetë
Ndaj për to flas me superlativa.

Kështu po shkruaj,se e meritojnë
Të veçosh,ndonjërën, bën mëkat.
Flas për femra që dinë të dashurojnë
Dhe akujt nuk dua t’i hyjë në hak.

I kam dashur se diçka në zemër kam ndierë
Dhe ndjenja,mes nesh,ka qenë reciproke
Çdo njërën prej tyre e kujtoj si vlerë
Dhe nuk lë vend fare për ekuivoke.

                             Tiranë,12 gusht 2026

U NDA NGA JETA SKËNDER HALUCI , NJË JETË MES BURGUT POLITIK, DREJTËSISË DHE DINJITETIT NJERËZOR DHE PROFESIONAL- Nga Dr. Mujë Buçpapaj

Është ndarë nga jeta në moshën 64 vjeçare Skënder Haluci, jurist i mirënjohur, avokat dhe ish-kryetar i Gjykatës së Vlorës, një emër i njohur i sistemit të drejtësisë dhe i jetës publike shqiptare, një njeri që e përshkoi jetën përmes disa prej periudhave më të vështira të historisë sonë të afërt, duke mbartur mbi vete peshën e persekutimit politik, të burgut, të përpjekjeve për demokraci dhe, më pas, të shërbimit me nder në sistemin e drejtësisë.
Gjatë karrierës së tij, Skënder Haluci ushtroi disa funksione të rëndësishme, ndër të cilat atë të gjyqtarit dhe per disa vite edhe të kryetarit të Gjykatës së Vlorës dhe të komisionerit pranë Avokatit të Popullit. Për vite me radhë ai ushtroi profesionin e juristit, avokatit dhe gjyqtarit, duke u dalluar për përgatitjen profesionale, integritetin njerëzor dhe përkushtimin ndaj detyrës.
Skënder Haluci ishte gjithashtu një ish-i burgosur politik i diktaturës komuniste, pjesë e asaj gjenerate shqiptarësh që e paguan me vite burgu, internimi dhe vuajtjeje kundërshtimin ndaj sistemit totalitar.
Lajmi për ndarjen e tij te parakoshme dhe te papritur nga jeta është bërë i ditur nga familja.
Haluci ndodhej në vendlindje, në bjeshkën e Trokuzit, në Tropojë, ku kishte shkuar për të pushuar së bashku me familjen. Mëngjesin e sotëm, më 13 gusht 2026, ai u kishte treguar familjarëve se nuk ndihej mirë dhe, vetëm pak minuta më pas, është gjetur pa shenja jete. Ende nuk ka një përcaktim zyrtar për shkakun e vdekjes, ndërsa ekspertiza mjekoligjore pritet të hedhë dritë mbi rrethanat e kësaj ndarjeje të papritur.
.
Një jetë e përballur me diktaturën
.
Skënder Haluci njihej si një profesionist me integritet të lartë njerëzor e profesional. Por jeta e tij ishte shënuar shumë herët nga përplasja me mekanizmat e egër të diktaturës komuniste.
Në vitin 1983, Skënder Haluci, ne ate kohe gjimnazist, së bashku me kushëririn e tij, Isuf Haluci, u arrestua dhe u dënua fillimisht me vdekje, nën akuzën për përfshirje në një atentat të pretenduar ndaj udhëheqësit komunist Ramiz Alia.
Ai u arrestua gjashtë muaj pas vizitës së Ramiz Alisë në Tropojë dhe Has dhe më pas u dënua me vdekje. Një muaj pas dhënies së këtij dënimi, Presidiumi i Kuvendit Popullor e ktheu dënimin nga vdekje në 25 vjet heqje lirie.
Haluci e ka mohuar vazhdimisht përfshirjen në atentatin e pretenduar dhe ka deklaruar ndër vite se i kishte shpëtuar pushkatimit për shkak të situatës së krijuar në Has dhe Tropojë pas ekzekutimit të disa personave.
Pas dënimit të tij, familja u internua, u përndoq dhe u persekutua egërsisht. Për Skënderin dhe familjen, nisi një jetë e gjatë vuajtjesh, një jetë burgu dhe mbijetese, por edhe një betejë e heshtur për të ruajtur dinjitetin njerëzor.
Përndjekja nuk përfundoi me rënien e komunizmit. Ajo, në forma të tjera, e ndoqi edhe në pluralizëm. Shkarkimin nga puna, të motivuar, sipas tij, nga arsye ideologjike, Skënderi e përjetonte si një dënim me vdekje që i ishte dhënë për herë të dytë.
.
Kushëriri dhe miku im
.
Skënder Haluci ishte kushëriri im, por edhe miku im. Ai ishte një njeri që dha kontribute të rëndësishme për fitoren e demokracisë në Shqipëri dhe për përmbysjen e mentalitetit të vjetër politik.
Rrjedha e ngjarjeve të Lëvizjes Antikomuniste të Dhjetorit 1990 më gjeti si student pasuniversitar në Tiranë, në Kinostudion “Shqipëria e Re”, ku studioja për skenar të filmit artistik. Unë, si shumë studentë dhe intelektualë të rinj të asaj kohe, luajtëm rolin tonë në përpjekjen për fitoren e demokracisë, e cila do të merrte një dimension vendimtar me zgjedhjet e 22 marsit 1992.
Skënderi u lirua në grupin e fundit të të dënuarve politikë, në qershor të vitit 1991.
Takimi im me të, pas daljes nga burgu, ndodhi në një nga ato ditë të trazuara të fillimit të demokracisë, në një demonstratë për rrëzimin e bustit të Leninit në Bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Galerisë së Arteve në Tiranë.
Regjimi ishte detyruar të hiqte shtatoren e diktatorit Stalin në Tiranë, por në kryeqytet ende qëndronte monumenti i Leninit. Ndërkohë, me 22 qershor 1991 ishte paralajmëruar vizita historike në Tiranë e ish-Sekretarit amerikan të Shtetit, James Baker.
Për ne, studentët dhe intelektualët e Lëvizjes së Dhjetorit, ishte e papranueshme që përfaqësuesi i lartë i Shteteve të Bashkuara të pritej nën hijen e monumentit të udhëheqësit bolshevik rus, ndërkohë që vendi pretendonte se kishte hyrë në epokën e pluralizmit politik.
.
Nata e rrëzimit të Leninit
.
Në fillim të qershorit 1991, një grup studentësh të Universitetit të Tiranës dhe intelektualësh të rinj vendosëm të organizonim rrëzimin e monumentit të Leninit. Me shaka e quanim “Shoqata e rrëzimit të bustëve dhe monumenteve të diktaturës”.
U ndanë detyrat. Dikush duhej të siguronte kavo, dikush vare, dikush zinxhirë e mjete të tjera. Shumë prej tyre nuk arritëm t’i siguronim.
Në orën 19:00 të mbrëmjes, rreth monumentit u grumbulluan qindra, në mos mijëra njerëz. Bashkë me Arben Likën, Bardhyl Ukcamën, Zamir Mulajn, Arben Ibron dhe të tjerë, vendosëm të fillonim përpjekjet për rrëzimin e shtatores së diktatorit rus.
Litari këputej, ndërsa mjetet e tjera nuk po jepnin rezultat. Atëherë shkuam te Teatri Kombëtar, qe sihte pranë monumentit, dhe morëm kavon e skenës, më saktë atë që përdorej për mekanizmin e rrotullimit të skenës.
Kur u rikthyem me shpejtësi te puna e nisur, pashë një njeri të ngjitur në majë të shtatores së Leninit, i cili po përpiqej të vendoste një litar. Unë dhe disa tropojanë që ndodheshin aty e njohëm menjëherë.
I zgjatëm kavon dhe ai ia lidhi monumentit. Filluan tërheqjet, goditjet me vare. Busti u menjanua, u përkul, por nuk po rrëzohej.
Në atë çast Skënderi zbriti poshtë.
U takuam plot mall.
“Ku këtu, kushëri?” – e pyeta.
Më tregoi se sapo ishte liruar nga Spaçi dhe kishte ardhur në Tiranë me një makinë të tipit “Ifë”, së bashku me të burgosur të tjerë, të cilët kishin filluar të liroheshin që nga marsi i vitit 1991, pas insistimit të Partisë Demokratike dhe opozitës së djathtë.
Makina ishte ndalur pikërisht poshtë bulevardit dhe Skënderi, pa pritur asnjë sekondë, ishte përfshirë në aksion. Kishte qenë ndër të parët që ishte ngjitur në majë të monumentit.
Ishte një nga ato pamje që nuk harrohen dhe qe e kujtonin shpesh në biseda.
Ndërsa monumenti ishte anuar dhe dëmtuar, mbërriti një përfaqësues i qeverisë së koalicionit dhe na tha se do të dërgohej një vinç për ta hequr shtatoren e Leninit.
Ashtu ndodhi.
Atë natë monumenti i Leninit u hoq nga bulevardi.
Pak ditë më vonë, James Baker erdhi në Tiranë me ftesë të opozitës, në një pritje madhështore. Shqipëria e re politike po kërkonte vendin e saj në botën demokratike.
Nga beteja për demokracinë te drejtësia
Disa muaj para fitores së zgjedhjeve të 22 marsit 1992, themelova dhe drejtova gazetën “Tribuna Demokratike”, organ i Partisë Demokratike. Ishte një gazetë e ashpër në denoncimin e krimeve të komunizmit, por njëkohësisht shumë e kërkuar nga lexuesit.
Në atë periudhë, unë dhe redaksia përjetuam kërcënime të shumta, edhe fizike. Skënderi, Isufi dhe miqtë e tyre u bënë mbështetës të redaksisë dhe të përpjekjeve tona për të mbajtur gjallë zërin e lirisë dhe të demokracisë.
Në vitin akademik 1992–1993, Skënder Haluci filloi studimet për drejtësi. Gjatë viteve të burgut kishte mësuar tri gjuhë të huaja, ndër to anglishten dhe frëngjishten. U diplomua me rezultate të larta. Edhe në gjimnaz kishte qenë një nxënës i shkëlqyer.
Punoi si avokat gjatë viteve 1996–2005 dhe më pas filloi punën si gjyqtar, ku u shqua për përgatitje profesionale dhe përkushtim të lartë ndaj detyrës.
Takoheshim shpesh. E kam vizituar me ftesën e tij edhe kur punonte në Vlorë, thjesht si kusheri pa asnje interes apo porosi. Ishte një njeri i drejtë. E respektonin njerëzit përreth, edhe pse drejtësia në atë qytet përballej me sfida të mëdha, shumë prej të cilave i njohim të gjithë. Ai, megjithatë, e kreu detyrën e tij me nder.
Më pas mbajti edhe funksione të tjera në sistemin e drejtësisë dhe në institucionet publike, duke përfshirë detyrën e komisionerit pranë Avokatit të Popullit.
Në vitin 2020, largimi i tij nga sistemi i drejtësisë u përjetua prej tij si i padrejtë. Për një njeri që kishte kaluar me shume dinitet burgun komunist, që kishte luftuar për demokracinë dhe që kishte ndërtuar me mund një karrierë profesionale, kjo ishte një tjetër goditje e rëndë.
.
Bisedat tona të fundit
.
Pas largimit nga detyra, takoheshim herë pas here në “Hotel Tirana”, për kafe.
Bisedonim për “Gazetën Nacional”, për zhvillimet kombëtare, për letërsinë, për politikën, por veçanërisht për Tropojën, vendlindjen tonë.
Në një nga këto biseda më pati treguar se kishte ndërtuar një stan shumë të bukur në bjeshkën tonë në Alpeve, në Trokuz. Ishte i gëzuar që një pjesë të verës do ta kalonte në freskinë e bjeshkëve, larg zhurmës së qytetit dhe kujtimeve të rënda që kishte mbartur gjatë gjithë jetës.
Askujt nuk do t’i shkonte mendja se pikërisht atje do të gjente fundin e jetës.
Bjeshka jonë e Trokuzit është një vend përrallor nga me te rrallet ne Alpet Europaine. Një vend i bukur për të jetuar, për të kujtuar, por edhe per të vdekur. Disa nga të parët tanë kanë varret në bjeshkë, në Trokuz.
Skënder Haluci u nda nga jeta atje ku kishte dashur të pushonte, në tokën e të parëve të tij, mes maleve të Tropojës, pranë familjes dhe kujtimeve të vendlindjes.
Ai iku, por mbetet në kujtesën e atyre që e njohën si jurist, avokat, gjyqtar, ish-i burgosur politik, demokrat dhe, mbi të gjitha, si njeri.
Për mua, ai do të mbetet si kushëriri im, miku im dhe bashkëudhëtari im në ato vite të vështira kur Shqipëria po kërkonte rrugën drejt lirisë dhe demokracisë.
Kujtimi i tij do të mbetet i lidhur me ato ditë të mëdha të ndryshimit, me burgun që nuk e theu, me drejtësinë të cilës iu përkushtua dhe me bjeshkët e Trokuzit, ku zgjodhi të kalonte ditët e fundit të jetës.
Ngushëllimet e mia më të ndjera bashkëshortes, vajzes, familjarëve, vëllezërve, të afërmve, kushërinjve dhe të gjithë miqve të Skënder Halucit!
Shpirti i tij u prehtë në paqen e përjetshme!
Dr. Mujë Buçpapaj
Tiranë, 13 gusht 2026

Deklaratë e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, në 38-vjetorin e ekzekutimit të poetit disident Havzi Nela

HAVZI NELA – KUJTESA E NJË POETI DHE DINJITETI I FJALËS SË LIRË

Më 10 gusht 1988, në Kukës, në fundin e një epoke që ende nuk e kishte kuptuar se po i afrohej shembjes, regjimi komunist shqiptar ekzekutoi poetin dhe disidentin Havzi Nela.

Tridhjetë e tetë vjet më pas, kujtimi i tij nuk i përket vetëm historisë së letërsisë shqiptare, as vetëm historisë politike të dhunes se diktaturës. Ai i përket historisë së dinjitetit njerëzor dhe të lirisë së mendimit, sepse jeta dhe vepra e tij dëshmojnë se ekzistojnë rrethana historike në të cilat fjala poetike bëhet formë e rezistencës morale dhe se, përballë një pushteti që kërkon të kontrollojë mendimin, akti i të shkruarit mund të shndërrohet në një akt të lirisë.

Havzi Nela ishte poet, por fati i tij e vendosi atë përtej një përcaktimi thjesht letrar. Ai u bë një nga figurat simbolike të qëndresës së individit përballë një sistemi totalitar që kërkonte të ushtronte kontroll jo vetëm mbi jetën publike, por edhe mbi ndërgjegjen, gjuhën, kujtesën dhe imagjinatën e individit.

Ekzekutimi i tij ishte kulmi tragjik i një politike të gjatë represive ndaj intelektualëve dhe krijuesve shqiptarë. Regjimi komunist nuk e shihte artin si një hapësirë autonome të shpirtit dhe të mendimit, por si një instrument që duhej t’i shërbente ideologjisë zyrtare. Realizmi socialist nuk u imponua vetëm si metodë estetike; ai u përdor si mekanizëm ideologjik për të përcaktuar kufijtë e së lejueshmes në letërsi dhe në arte.

Në këtë sistem, krijuesi nuk vlerësohej vetëm për talentin dhe veprën e tij, por edhe për shkallën e konformizmit me doktrinën politike. Arti humbte autonominë e vet dhe shndërrohej në pjesë të mekanizmit të propagandës. Pikërisht kundër këtij nënshtrimi të ndërgjegjes krijuese u ngritën, në mënyra të ndryshme, shkrimtarë, poetë, artistë dhe intelektualë shqiptarë.

Historia e tyre përbën një nga kapitujt më të dhimbshëm dhe më pak të institucionalizuar të kujtesës sonë kombëtare.

Rreth 175 shkrimtarë, poetë, artistë, përkthyes dhe figura të tjera të botës së kulturës u dënuan me vdekje, me burgime të gjata, internim ose përndjekje politike; disa prej tyre humbën jetën nën tortura dhe në kushtet çnjerëzore të burgjeve komuniste. Pas këtyre shifrave qëndrojnë jetë njerëzore, biblioteka të humbura, dorëshkrime të zhdukura, vepra të ndaluara, karriera të ndërprera dhe familje të dënuara së bashku me krijuesit.

Prandaj, përkujtimi i Havzi Nelës nuk mund të reduktohet në një ceremonial vjetor. Ai duhet të jetë pjesë e një politike të qëndrueshme të kujtesës kulturore dhe historike.

Një shoqëri demokratike nuk e ndërton identitetin e saj vetëm duke kujtuar fitoret; ajo duhet të ketë guximin të përballet edhe me plagët e saj historike. Kujtesa e persekutimit të shkrimtarëve dhe artistëve është e tillë. Ajo na detyron të mendojmë mbi raportin ndërmjet pushtetit dhe kulturës, ndërmjet ideologjisë dhe artit, ndërmjet censurës dhe lirisë së shprehjes.

Në këtë perspektivë, kujtesa nuk është vetëm rikthim në të kaluarën; ajo është një instrument etik për të mbrojtur të ardhmen.

Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, e riorganizuar mbi parimet e pluralizmit, demokracisë, autonomisë së krijimtarisë dhe lirisë së shprehjes pas Kuvendit të 19 majit 2026, e konsideron këtë përgjegjësi pjesë të misionit të saj historik dhe institucional.

Për këtë arsye, Lidhja ka marrë vendim për ngritjen e Muzeut të Shkrimtarëve dhe Artistëve të Dënuar nga Regjimi Komunist, në ish-ndërtesën e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë.

Ky muze synohet si një institucion i kujtesës kulturore shqiptare, ku dokumenti historik, vepra letrare, dorëshkrimi, fotografia, dëshmia personale dhe memoria familjare të bashkohen në një narrativë të përgjegjshme dhe të dokumentuar mbi fatin e krijuesit nën diktaturë.

Ai duhet të jetë një hapësirë e kujtesës, kërkimit shkencor, edukimit dhe dialogut, jo një vend i hakmarrjes ndaj së kaluarës. Qëllimi i tij nuk është të prodhojë një histori të re të ndarjeve, por të dëshmojë se çfarë ndodh me kulturën kur pushteti politik përpiqet të kontrollojë ndërgjegjen krijuese.

Në këtë kuptim, muzeu i ardhshëm duhet të jetë një institucion i hapur për studiuesit, shkrimtarët, artistët, studentët dhe brezat e rinj, një arkiv i gjallë i një kohe që nuk duhet të përsëritet dhe një hapësirë ku dokumentet e historisë të mund të lexohen në dritën e standardeve bashkëkohore të kërkimit, të drejtave të njeriut dhe lirisë akademike.

Havzi Nela është pjesë e kësaj kujtese.Ai na kujton se liria e shprehjes nuk është një dekor i demokracisë, por një nga kushtet themelore të ekzistencës së saj. Një shoqëri mund të ketë institucione, ligje dhe struktura shtetërore, por nëse qytetari nuk ka të drejtën të mendojë, të shkruajë, të krijojë dhe të shprehë bindjen e tij pa frikën e ndëshkimit, demokracia mbetet e paplotë.

Për shkrimtarin dhe artistin kjo e drejtë ka një dimension të veçantë. Autonomia e krijimtarisë është kusht i vetë ekzistencës së artit. Letërsia nuk mund të jetë e lirë nëse i nënshtrohet një doktrine politike; arti nuk mund të jetë autentik nëse i kërkohet të përsërisë të vërteta të paracaktuara; kultura nuk mund të zhvillohet nëse mendimi alternativ trajtohet si kërcënim.

Kjo është arsyeja përse kujtimi i Havzi Nelës mbetet aktual.

Jo sepse historia duhet të jetojë përgjithmonë në dhimbjen e së kaluarës, por sepse e ardhmja duhet të ndërtohet mbi mësimet e saj.

Në 38-vjetorin e ekzekutimit të tij, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë nderon Havzi Nelën dhe të gjithë krijuesit shqiptarë që u persekutuan, u burgosën, u internuan, u censuruan apo humbën jetën për shkak të bindjeve, veprës dhe qëndrimit të tyre ndaj diktaturës.

Ne besojmë se nderimi më i vërtetë për ta nuk është vetëm përkujtimi i emrave të tyre.

Është rikthimi i veprës së tyre në kujtesën kombëtare, dokumentimi i historisë së tyre, studimi i trashëgimisë së tyre dhe mbrojtja e parimeve për të cilat ata u përndoqën.

Prandaj, sot, nga kujtesa e Havzi Nelës, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë përcjell një mesazh që i kapërcen kufijtë e një përvjetori:

Liria krijuese është e drejtë themelore.Liria e shprehjes është themel i demokracisë.Autonomia e artit është kusht i kulturës së lirë. Kujtesa historike është përgjegjësi qytetare.

Dhe mbi të gjitha:Një shoqëri që harron poetët e saj të persekutuar rrezikon të harrojë edhe arsyen përse liria duhet mbrojtur.

Në kujtim të Havzi Nelës dhe të të gjithë krijuesve shqiptarë të persekutuar nga diktatura, Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë angazhohet që kujtesa e tyre të mos mbetet vetëm një kapitull i dhimbshëm i historisë, por të shndërrohet në një trashëgimi të gjallë të lirisë, të dinjitetit dhe të përgjegjësisë intelektuale.

Dr. Mujë Bupapaj

KRYETAR I LIDHJES SË SHKRIMTARËVE DHE ARTISTËVE TË SHQIPËRISË

Tiranë, 10 gusht 2026

Në kujtim të poetit të shquar Demir Gjergji

Sot është ditëlindja e poetit të shquar Demir Gjergji.

Demir Gjergji ishte poet i cili nisi të shkruante që në vitet ’70, autor i një sërë vëllimesh poetike dhe gazetar i Radio Tirana. Vargu i tij shquhet për lirizëm të thellë dhe metafora goditëse.

Poezinë e parë e boton në vitin 1970.

Libri i parë “Ngjyrat e tokës”, sheh dritën e botimit në vitin 1974.

“Në sytë e mi” është përmbledhja e dytë poetike e botuar fill pasi përfundon studimet në Ut Tiranë, për gjuhë letërsi.

Më 1997, pas kthimit nga Italia, ku qëndron 2 vjet si emigrant, boton librin me poezi “Mërgimi i bukurisë“

Në vitin 2000 nxjerr në qarkullim librin tjetër me poezi “Vera në ikonë“

2001, nxjerr në qarkullim libri me profile shkrimtarësh “Shtëpia e shkrimtarit”

Një vit më pas boton përmbledhjen me poezi “Digjet ylli i ikur.

Në vitin 204 shkruan dhe boton monografinë “Haxhi Gjyli, një jetë për shkollën”.

2005- Boton përmbledhjen poetike “Ishujt e mbrëmjes”.

Në vitin 2008 shtëpia botuese “Toena” i boton në serinë e poezisë shqipe, cikli “Kambana”, përmbledhjen poetike “Vetëm (V)era vjen”.

Po në këtë vit i jep lexuesit adoleshentët një libër me përralla “Pse nuk qeshte bija e mbretit”.

Para pesë vjetësh, pikërisht në ditën e Shën Valentinit të atij viti, ky autor u dhuron lexuesve të dashuruar përmbledhjen me poezi dashurie ”Bibla e buzëve”, që është libri i parë i një triptiku botimesh me poezi dashurie.

Botim tjetër është libri poetik: ”Orë akulli”, si pjesë e dytë e triptikut. Botimi i fundit është romani “Biri i Botës”. Ndërkohë përmbledhja e tretë me poezi, që po përgatit për botim, me titull, “Alfabeti i algave”, është libri i fundit i triptikut

Ndërkohë Demir Gjergji ka qenë mjaft aktiv në faqet e shtypit të shkruar dhe në median e folur. Ka 12 vjet që punoi si gazetar në “Radio Tirana”, duke realizuar një nga emisionet më jetëgjata dhe më interesante “Fjala si Fillim, Fjala si Flijim”, i cili i kushtohet tërësisht letërsisë dhe autorëve të saj.

Krijimtaria e këtij autori është vlerësuar me çmime të ndryshme si Çmimi i dytë kombëtar për poemë në vitin 1986, Çmimet “Ditët e poezisë Shqipe” në vitin 2001, “Skampini” etj.

Demir Gjergji u nda nga jeta më 16 janar 202.

I VARUR NË LITAR NGA DASHURIA PËR LIRI DHE DEMOKRACI- Nga ARIF EJUPI

 

 

Hapin të qetë,
mendimin me peshë,
vigjilent për të dalluar
miqtë nga armiqtë.

S’dilte nga dera e oborrit
pa u përshëndetur me prindërit.
Edhe kur kishte halle e derte,
ikte dhe kthehej i buzëqeshur.

Nuk ankohej
për ditët e gjata
e netët pa gjumë.

Kurrë nuk e hidhte
vargun në letër
pa e gdhendur mirë,
e mirë.

Dëshironte që
Deti Adriatik
të mblidhte ujërat e Drinit të Bardhë;
Deti i Zi,
ujërat e Ibrit, Sitnicës, Llapit,
Drenicës, Moravës e Binçës;
Deti Egje,
ujërat e Lepencit e Nerodimes.

Nga ky konglomerat ujërash,
që buronin nga trojet shqiptare,
dëshira e tij e vetme ishte
t’i shihte të lulëzuara
Dardaninë, Iliridën,
Shqipërinë dhe Çamërinë.

Skilet e lakenjtë,
të verbuar pas yllit pesëcepësh
dhe përqafimit me sllavë e kinezë,
vargun e tij prej floriri
e kthyen në vaj e zi.

Në shesh e varën Havzi Nelën —
me fajin e vetëm
se Shqipërinë e deshi
me kufijtë e caktuar nga Zoti,
jo nga hartat
e të shiturve dhe pushtuesve.

Arif Ejupi
Gjenevë, 18 shkurt 2026

ZËMËRIM DHE PAS VDEKJES! DISIDENTI I PËRHERSHËM…- Nga VISAR ZHITI

 

– 100 vjetori i shkrimtarit Kasëm Trebeshina në ditë protestash –

 

– Ç’do të themi për shkrimarin Kasëm Trebeshina? – pyesja kur ishte datëlindjae tij. Po sot në 100 vjetorin e tij? Apo disidencë dcisidencës…

Jemi në ditë protestash. Ngritja krye duhet, që gjithsesi e shkundin kohën, shtetin, kërkojnë ndryshimin, godisin korrupsionin, edhe atë moral,  ndëshkim të së keqes, kërkojnë ndryshimin, drejtësi dhe kujtesë, jo harresat e qëllimta… drejtësi dhe në art e letërsi,  me art dhe letërsi…  të lirë, në një Shqipëri EuroAtalantike, Perëndimore…

Pse kjo mëri e ndërsjellte me shkrimtarin? – I kthehem pyetjes. Dhe po vazhdoj me kas:em Trebeshinën. Latinët thoshin se vdekja i barazon të gjitha. Siç duket jo për të gjithë.

S’e di a ndodh kund një marrëdhënie e tillë plot heshtje të zymtë të vendit me një shkrimtar të vetin…

        Diçka u tha dhe u bë dhe për të… Ditë protestash… Po a ishte protestues Trebeshina? Po. Po disident? Po. Mund të ketë kundërshti, që ishte i keq, por disident, që vepra e tij kështu e ashtu, por ai doli kundër, edhe me vepër…  Ndërkaq unë po sjell nga një shkrim, që nuk deshën të ishte parathënia e një libri dikur, pastaj nuk desha unë si pjesë e vorbullës dhe sherrnajës, por gjithsesi doli ndryshe…

Është datëlindja e 100-të e Kasëm Trebeshinës, kur ai s’është më që prej 9 vjetësh…

 

DIKTATURA DËNOI SHKRIMTARIN,                                         QË KISHTE DËNUAR DIKTATURËN:

 

1.

…kundërshtar i pandreqshëm, i zemëruari i gjithmontë, kështu e kaloi jetën dhe duket sikur ende kumton vetëm me heshtjen, por folëse, me të shk(r)uarën, me shumë libra të pabotuar, i burgosuri i lirë, i liri i  vetburgosur, tashmë i vdekur…

Dimë që diktatura e dënoi shkrimtarin, kur shkrimtari e kishte dënuar diktaturën. Ndëshkimin i ndërsjellë, që, si të thuash, nuk i ngjan thikës me dy presa, se në rastin e parë kemi të bëjmë me një krim shtetëror, kurse në të dytin me një qëndrim dhe “credo”, me disidencë, me lirinë e brendshme dhe me brendësinë e lirisë në misionin e lartë të shkrimtarit, edhe kur pengohet.

Duket sikur zgjidhen njerëz për t’u vënë në provë nga fuqi të mbinatyrshme, tragjedira, përmbytje, murtaja, diktatura, perëndi dhe gjysmë perëndi të saj, luftëra dhe shtypje, uri dhe frikë, hetuesi e gardianë, por dhe me konforte e Realizëm Socialist, dhe me mrekullira si dashuria, të tjera të parrezikshme si miqesia e botimet, prapashpinëritë e të dalit dëshmitar. Po në p:erballje me trejtin cil:et jemi?

Është kërshëria të gjetur në jetën dhe në veprën e Kasëm Trebeshinës të fshehta të pazakonshme dhe të zakonshme, prapaskena dhe interesa klanesh, qëllime të mbrapshta, ëndrrën, ku ndeshen të gjallë dhe të vdekur, fantazma dhe të pushtetshëm, mbërritja te tirania, burgu, urrejtja dhe ligësitë si n:e ferr, grupazhet, braktisja, vetburgimi i mëpastajmë sokratik, si në shpellë. Duket si një kthim në gjenezë..

Jetëshkrimi për Kasëm Trebeshinën sillte mjaft bëma, por dhe karakterin e tij të çuditshëm, përplasjet, pabesitë… po çelësat e leximeve të teksteve dhe nënteksteve, për të cilat më shumë flitet se sa janë lexuar, nga që kanë mbetur ende të panjohur, megjithëse herë pas here dalin nga mugëtira…

 

2.

PARTIZAN DHE SHKRIMTAR

 

I tillë ka qenë fati i shkrimtarit Kasëm Trebeshina dhe i krijimtarisë së tij, fat(kob) që ja bënë të tjerët, por që e zgjodhi dhe vetë me idealin e tij dhe asketizmin e tij dhe që ndryshon ngadalë, fat i kacafytjes dhe i mbylljes rrënuese, i mureve brenda mureve, teksa ai si natyrë është i kundërt me fatin e tij, i gjallë, i hapur, i çiltër deri në një egocentrizëm, i paqetë, fantazist, kështu më vjen të them, për aq sa arrikta të di për atë. Trebeshina dhe fati i tij që të dy ishin këmbëngulës dhe duronin. Më i fortë doli Trebeshina, me të vërtetë një kalorës hijerëndë i (ç)misionit të tij. Kali i tij është Pegasi, që ai gjithë kokëkrisje nuk pranoi ta bëjë kalë ushtrie për të tërhequr topa apo të ngarkohet me patatet e batalionit a të burgut, dhe as e futi në kooperativat rurale të Realizmit Socialist, edhe pse kishte qene luftëtar i egër, oficer dhe bënte pjesë me fitimtarët dhe u përkiste atyre që kishin marrë përsipër të ndërtonin një Botë të Re duke dashur me gjak ta shkatërrojnë të vjetrën me gjithsej dhe përfundoi në një burg të ri.

Edhe kur e rrëzonin poetin dhe e merrnin për ta hedhur pas telave me gjemba të ferrit, ai mbahej pas frerëve të yjeve, ndërsa flatrat e Pegasit si me magji i kalonin pas kurrizit… dhe kqyrte botën me mospërfillje krenare dhe mllef të pazakontë. Kështu dhe Kasëm Trebeshina u shndërrua në mit, por të heshtur, edhe t;e përz;enë, në një lloj kentauri të habitshëm, gjysmë pegas dhe gjysmë rob, me flatra dhe me patkonj, me bajonetë dhe penë. Pse ta fshehim, edhe vetë vrasës dhe kundërshtar i vrasësve.

I hazdisur, që i çmoj guximet, qendresën dhe shpërfilljet filozofike për gjithçka që është dhunë, përulje, padrejtësi dhe jo virtyt. Aq më tepër që  Trebeshina nuk ishte aq kollaj i çkyçshëm, por dhe arkivat për të janë të tilla. Por jo dhe aq. Dosjet e tij, që nga ajo e punës, e hetuesisë, e gjyqit, etj, etj, nëse kanë mbetur, s’e di sa mundësi ka patur t’i shfletojë hulumtuesi i mundshëm. Më shumë se sa mister shkrimtarësh, nëpër to me siguri janë ndrydhur kundërshti dhe krim, përplasje dhe mëkat, denoncime, turp, pabesi, vrasje të ngadalta, aq sa ke frikë se mos në vend të fletëve do të gjesh pergamena prej lëkure të rrjepura njerëzish.

Kasëm Trebeshina ishte njeriu që kishte kërkuar vazhdimisht të ndeshej, qoftë dhe me të ultën, se për të beteja ishte e madhëriushme. Kur pa mbaruar mirë adoleshencën, ai rininë e tij e vuri me të parët përballë luftës. U bë partizan dhe luftoi kundër pushtuesit, kuçedrës botërore të nazi-fashizmit. Pastaj kundër komunizmit si me një kuçedër tjetër. Nuk i la kohë vetes të ndihej fitimtar. U fut në burg për të sfiduar tiraninë  dhe mungesën e lirive. Pasi ranë diktaturat komuniste, ai prapë s’u ndie fitimtar, por dhe humbës jo, asnjëherë. Kurrë. I përkushtuar si një murg ndaj shkrimeve të veta. Kështu pohonte. Duke pasur si ikonë rrëfimtarin e shkëlqyer të shqipes, Mitrush Kutelin. Që edhe atë e burgosën. Shkrimtarit do të t’i duhej të ishte i urtë me këdo. Madje edhe me pleqërinë e vet. Por, siç thamë, Trebeshina mbetet egërshan gjithmonë. Me diktatorët, me sistemin e tyre, edhe pse luftoi me ta, me harenë dhe harresën kolektive, me fitoret, me nëpërkëmbjen, me kompromisin, me Realizmin Socialist dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, madje dhe me miqtë, kështu më duket, ëndërroi demokracinë dhe s’kish si të kënaqej  me atë, i ikën të gjithave dhe urren disidencën, madje edhe të vetën, edhe kombësinë…

 

Kasëm Trebeshina kur na përshfaqet partizan, trim i çartur, lufton me fanatizëm duke mos besuar në drejtimin, komedianët, i quan ata të shtabit, ndërkaq ka drejtuar vetë beteja dhe gjyqe partizane, ka ekzekutuar dhe ai, jo vetëm gjermanë, por edhe partizanë, duke ju bindur ligjit të luftës, vrit se do të vrasin, etj, etj. Po konturohej kështu lufta civile në Shqipëri. E tmerrshme! Megjithëse pati zëra që buçitën që atëhere:

“Ah, o bijtë e nënës, pse kështu përçarë./ Qoftë i mallkuar kush s’do t’ju bashkonjë, /…/, Pse e bëtë Kombin në greminë të shkonjë.”

(Hekuran Zhiti, “Dy kundërshtarët”, poemë, marrë nga “Luftëtar’ i lirisë”, “Oshëtima e Korçës”, shkurt 1944.)

Mes asaj ploje, thënë troç, vetëm duke i përfytyruar, unë jam ndjerë keq si në një vorbull infernale dhe më është dukur se isha hedhur në zanafillën e krimit dhe të ndëshkimeve të mëpastajme.

Ndërkaq çmoj kurajon për të thënë dhe të vërtetat e rënda.

Se së fundmi, kur shkrimtari gjerman Gynter Grass, vërsnik me Trebeshinën, rrëfeu në një libër autobiografik se në rininë e parë kishte qenë me forcat esese, u trondit jo vetëm lexuesi i tij në Gjermani, por i gjithë opinioni letrar botëror dhe gazetat hapën anketa, madje dhe në Shqipëri, për qëndrimin ndaj tij, aq sa u shkua deri atje, që a do t’i hiqej çmimi “Nobel”. Ndërsa një shkrimtar shqiptar shprehej në shtyp për Trebeshinën që pse të mos e marrë dhe ai “Nobel”-in?

Letërsia ndahet nga ai që e prodhon dhe bën jetë më vete, por për ndërgjegjen e njerëzimit kanë rëndësi në këtë rast dhe realiteti jo letrar. Poeti Ezra Paund si simpatizant i fashizmit u burgos në një kafaz në një shesh të madh të një qyteti të Italisë.

Rebelin Kasëm Trebeshina e burgosën bashkëluftëtarët e tij si kundërshtar dhe, sipas ritualit, dënuan dhe veprën e tij letrare, të akt-ekspertizuar nga kolegët e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë. Fitimtarët ishin bërë më pushtues se pushtuesi që mundën.

Ç’qendrim duhet mbajtur me Kas:em Trebeshinën apo si me burgun e Spaçit?

Duke mos qenë të lirë, duket sikur nuk prodhohet as liri.

Kurse në gjysmën matanë të kombit, në Kosovë, Presidenti Ibrahim Rugova i kishte thënë shkrimtarit Adem Demaçi kur doli gjysmë i verbër nga burgjet e gjata të Jugosllavisë, se “këtu mes nesh ishte një karrike gjithmonë bosh, të priste ty…”.

 

PROMEMORJA:

Intelektualë të shquar të Prishtinës, së bashku, na dëshmon poeti ynë i fuqishëm Ali Podrimja, i ishin kundërvënë uniformitetit në art, servilizmit krijues, tiradave, pra Realizmit Socialist dhe policisë letrare, aq më tepër të huaj, duke guxuar të dalin në mbrojtje të vlerave, lirisë së mendimit e të krijimit dhe botuan si një manifest të tyren tekstin problemor “Vox clamantis in deserto” qysh në tetor të vitit 1971.

Tetori siç duket qenka edhe muaji i kundërshtimeve të mëdha, se edhe Kasëm Trebeshina, “Zë i humbur në shkretëtirë”, në tetor, por më 1955, gati dy dekada më parë, guxoi atëhere kur nuk guxohej dhe i shkroi një promemorje diktatorit Enver Hoxha me akuza të rënda, por të vërteta, largpamëse, e paralajmëronte për batakun ku po e çonte vendin dhe kulturën, akt që nderon jo vetëm inteligjencën shqiptare, por të gjithën në perandorinë komuniste dhe racën e atyre që shkruajnë.

Thonë që ajo letër nuk gjendet në arkivë, të tjerë thonë që ka qenë dhe është. Mund ta kenë zhdukur, etj.  Thonë që Enveri nuk t:e linte gjallë me një letër të atillë, por dhe mund të mos ia kenë dhënë “për të mos e shqetësuar”, etj, etj. Për mua ka rëndësi kumti i Promemorjes. Kasëm Trebeshina e mbartte atë kumt. Gjithashtu Trebeshina u kacafyt në vendin amë të Realizmit Socialist, në Leningrad dhe në Moskë, kundër kësaj metode, e përjashtuan si të marrë, por  e burgosën në atdhe, nisi greva urie, kur i gjithë populli në një farë mënyre do të ishte në një pangopje të gjatë, kur intelektuali i njohur Xhevat Korça i kishte dhënë fund jetës me një grevë të tillë urie, i pari fare në burgun ku do të mbyllej Kasëmi, që pasi të dilte do të kërkonte të drejtën ta linin të ikte nga Shqipëria, por ata që ishin më të çmendur se ai si mund ta linin? Dhe pastaj ai vetë e kërcënoi shtetin se nuk do të votonte më. Kaq kishte në dorë. Dhe e burgosën prapë.

 

Kur Trebeshina hynte së pari në burg si disidenti i parë, bashkëkohës si të tillë kishte dhe Sejfulla Malëshovën, por ndërkohë ai gjente brenda telave me gjemba kundërshtarë tradicionalë, të lartë, të hapur kundër sistemit dhe ideologë antikomunistë, martirë të lirisë, qendrestarë asketë, një pjesë e të cilëve tani ishin nëndhè, pa varr, të pushkatuar nga bashkëluftëtarët e Trebeshinës nga po ato gjyqe, vazhdim i gjyqeve mizore partizane, ku dikur dhe ai pati bërë vetë.

Po ndaloheshin libra, po digjeshin bashkë me to dhe diploma të atyre që ishin lauruar në Perëndim, në Francë e Austri, në Itali e Gjermani, Greqi é Turqi, etj. Mbase ishte inati gjeneral që diktatori s’kishte kryer dot asnjë universitet asgjëkundi, as në mal, siç kishin qejf të thoshin adhuruesit e tij shkretanë.

Do të vazhdonin persekutimet e mëdha. Do të pushkatoheshin dhe poetë, djem të rinj, do të vareshin, dhe atëhere kur s’po ndodhnin më akte të tilla kaq mizore dhe në perandorinë komuniste. Po i afroheshim jo vetëm shekullit të ri, por edhe një mijëvjeçari të ri. Me shpresë të përzishme.

 

3.

KADARE DHE TREBESHINA,

TREBESHINA DHE KADARE.

 

Megjithëse i padëshirueshëm, madje dhe i pakuptimtë duket se ka mbetur pezull një konflikt që shfaqej herë pas here dhe në shtyp, me ndërprerje natyrisht, por i pambaruar dhe i pambyllur mes Trebeshinës dhe Kadaresë apo Kadaresë dhe Trebeshinës a i të dyve, i nisur në diktaturë, i heshtur mbase deri sa nxori krye, kur I.K. nëpërmendi inicialet e dënuara dhe të komplotuara me heshtje të “K. T”-së, gjë që u gjallërua në postdiktaturë, gjithë pezm, hapur, me akuza dhe kundërakuza jashtletrare.

A do të duhej të ndalej pak këtu?

Trebeshina, sipas meje, pati  një përkushtim deri në sakrificë për të vërtetën e letërsisë së tij, por kështu dhe Kadareja për letërsinë e tij të vërtetë. I pari i tha burgut: hapu, në ferr vete si shkrimtar, sepse ruaj brenda vetes luftëtarin, ndërsa i dyti, do të ruanter me çdo kusht shkrimtarin brenda vetes duke pranuar dhe kundërdënimin si mosdënim, luksin që i lejonte ajo kohë dhe më pas për të krijuar si dhe mundësinë e të qenit dëshmitar letrar dhe përballë atyre që sundonin. Ndërsa i pari zbriste humnerave duke u harruar si shkrimtar, i humbbotshëm, i dyti ngjitej lartësive duke u bërë shkrimtar i përbotshëm. Zbritja kishte terr dhe lehtësinë e dhembëshme të asgjësë. Ngjitja ishte e vështirë dhe me vezullime mëkatesh të krijuesit, që të bënin më të dukshëm për t’u goditur. Por dhembja mbetej përreth. Trebeshina, duke hyrë në burg, mbërrinte mjerimin e lirisë, të asaj lirie të mbytur, që s’kishe ç’t’i bëje më, kurse Kadare sikur donte t’ia hiqte kthetrat asaj lirie të mjerë, ta barabiste me liritë që shikonte nëpër Europë. Trebeshinën letërsia nuk e linte të jetonte, Kadarenë nuk e linte të vdiste. Shkruanin të dy, pavarësisht nga njëri-tjetri, njëri si të thuash në parajsën e rremë të ferrit dhe tjetri në ferrin e parajsës së rremë. Njëri fshehurazi me polic te kryet që i kujtonte abazhurin e fikur që nazistët i bënim me kafka të burgosurish, tjetri me abazhur të përndezur që i kujtonte policin e kuq dhe që duhej të fshihte mesazhet. Njëri s’kishte kohë të veten dhe shpikte moskohën, absurdin e saj vrastar, tjetri krijonte kohë edhe për të tjerët dhe shpikte të ardhmen duke risjellë të shkuarën si pjesë të përjetësisë. Nëse njëri s’botonte dot dhe i goditej vepra e tjetri botonte radhazi, me zulm dhe godiste me veprën, shteti ndërkaq të dyve u shtonte dosjet. Realisht i donte të dy ashtu, mendoj, dhe nuk i donte ndërkohë. Por përdorte imazhe të tilla dyshe për propagandë dhe për të trembur, për të torturuar të gjithën, si rrjedhojë njeri-tjetrin dhe veten. I burgosuri shpresonte lirinë e shpirtit, i paburgosuri çshpresonte shpirtërisht burgun…

Trebeshinën s’e la vendi, shteti më saktë, ta botojë veprën dhe pritet që ajo të dalë më shumë në dritë dhe të zërë vendin e merituar. Shkundëllimën dhe vetëtimat e shpeshta i ka dhënë. Nga thellësitë erdhën dallgët e saj si të një lumi të nëndheshëm. Në apokalipsin e ngjarjeve mes gomoneve të arratiakëve fanitet dhe skafi biblik i Noes.

Kur Faik Konica botonte në shqip në SHBA Përrallat Arabe, mbi  100 vjet më parë, midis të tjerash shkruante në hyrje të tyre se një “Princ i Kishës Romane, një kardinal emeritus”, por edhe Darvini, të dy i lexonin më ëndje ato përralla dhe i fusnin në dhjetë librat më të mirë të tyre. “…dy njerës të larguar njëri nga tjatëri sa një botë nga tjatëra, bashkoheshin në dashurin’ e këtij libri…”.

Dhe unë shtoj se dashuria përbashkuese për librin duhet të na bëjë më të mirë dhe më të drejtë, ashtu si lexuesit edhe shkrimtarët. Polemikat dhe mosmarrëveshjet të mos jenë në emër të urrejtjes. Nderim dhe dhembje për vuajtjen dhe për krijimin.

Shtoj prapë tani se lexuesi korrigjon. Arrin të bëjë pajtimin e atyre që s’u pajtuan asnjëherë edhe kur s’janë më.  Sepse ka veprën…

Jo të brazojë, të japë vlerat, detyrë parësore e Kritikës së munguar.

 

E thosha  me siguri që veprat që dalin nga urrejtja kurrë nuk janë aq të bukura, as aq jetëgjata sa krijimet që dalin nga dashuria. As dhe aq të rëndësishme.

Sa më larg zilive, të jashtburgut dhe për burgun, të lavdisë dhunuese dhe krenarive hiperbolike, boshe, sepse që të gjitha nuk janë letërsi, por lëndë për letërsinë. Veprat e urrejtjes në jetë vdesin më shpejt dhe shërbejnë për ndërprerjen. Dashuria është krijuese dhe punon hyjnisht për vazhdimësinë e pafundme.

 

4.

EMBLEMATIKU I ERRËT

 

Vlerësimet për veprën e botuar deri më tani në prozë dhe poezi të Kasëm Trebeshinës, për risitë dhe mesazhet që mbart ajo, sa e vazhdon traditën dhe sa e thyen atë, sa thyen heshtjen dhe të tashmen, shqetësimet që sjell dhe pasurimin që u bën letrave shqipe, janë biografia e shkrimtarit dhe ajo që mbetet është letërsia e tij. Aty janë vlera dhe mbivlera. Megjithatë nga ana shoqërore kemi të drejtë të dimë se ç’ishte dhe ç’bëri shkrimtari mes nesh, si qytetar. Po ne ç’bëmë me të? Aq më tepër “në kohën sot dhe në vendin këtu” jemi të detyruar të pyesim për këdo: me kë ishte, me ata që shtypnin apo me ata që shtypeshin? Sepse duam të farkëtojmë ndërgjegjen e shëndoshë kolektive, përgjegjësinë dhe guximin qytetar, – kështu pyesja çiltërsisht, kur tashmë dhe  çiltërsia bëhet pengesë

Kasëm Trebeshina është më emblematiku i disidencës shqiptare në diktaturën e letrave, i kundërshtimit të hapur. Ashtu si vepra e tij, na tërheq edhe jeta e tij. Datëlindjet e tij na shtojnë mundësinë e përsiatjes. Rrëfimet, dëshmitë, kujtesa për të dhe për të gjithë ata që vuajtën martirizueshëm, por dhe si heronj, për të Drejtën, të Vërtetën dhe liritë e njeriut, për fjalën, që u përleshën me të keqen vrastare, janë të një rëndësie të domosdoshme. Morali i demokracia nis me to, si me një datëlindje e përditëshme.

Që e gjitha të shndërrohet në vlerë e virtyte, në letërsi dhe art. Jemi në ditë protestash…

Mos u qell, Nexhip!- Esé nga FATBARDH AMURSI

 

Fatmir Musai është nga ata të paktët shkrimtarë, që s`ka lëvizur nga qyteti i tij, duke mos rreshtur ta njohë botën. Përfaqësues i atij brezi, që, për nga ëndrrat: u duk se do t`i ngjante metalurgjikut, gjë që s`ndodhi, për nga shpirti: ditës së verës, krejt e vërtetë kjo në Elbasan dhe për nga karakteri: kalasë në qendër të qytetit, që i shkon të gjithë atyre, të cilët themelet i ngrenë mbi shkëmb. “Dikur shtëpi të vogla plot me zemra,/Sot shtëpi të mëdha bosh përbrenda!”-vë në dukje këtë kontrast, jo pa qëllim. Edhe pse ardhur nga një kohë, kur poetit i kërkohej të ishte i angazhuar, e refuzon rrobën e ushtarit në kuptimin militantesk. Halli i tyre, si të dilnin nga rreshti, edhe pse urdhëri ishte aty me shokët. “Gjenerali i këngës po s’u ngrit nga varri/Për një Hall të Madh, bëjeni lanet!”-shkruan ai. Elbasani është në mesin e Shqipërisë, por Fatmir Musaj vetë s`bën pjesë tek “mesi i artë”, jo se s`ia di vlerën floririt, por ka bindjen se jo se çdo gjë që shkëlqen është ar, duke i ndenjur larg shkëlqimit të rremë. E kisha ndjekur krijimtarinë e tij një këtu e një atje, tani m`u dha rasti t`i lexoja katër libra. Tre më poezi: “Anonimi i artë”, “Kitarë e dehur”, “E di një shteg” dhe në prozë: “Guacka”. Mos vallë anonimi i artë i dehur nga kitara duke ecur në një shteg, që e di vetëm ai: përfundon në një guackë, sikurse i ndodh dhe margaritarit?

I frymëzuar nga libri I. Kadaresë “Autobigrafia e popullit në vargje”, synon dhe ai të krijojë autobiografinë e vetë poetike. “Poezia popullore është një botë e pajisur me gjithçka, e përgatitur për një jetesë autonome”, citon Kadarenë duke parashtruar para vetës të njëjtat pretendime, si ato të “gjeneralit të këngës”. I bën përshtypje që poeti popullor anonim s`di të thotë kurrë “unë”, gjë që e manifeston dhe vetë. Duke fshehur unin mos po rrezikohet individualiteti? Ndaj sqaron: “Egoizmi është si tapa,/Lartësitë kërkon të kapë,/S’di të bëjë një hap prapa,/S’di sepse ka lindur tapë!” Nga të gjitha pijet shampanja është euforike, duke e hedhur tapën përpjetë, por qejfliu i gotës preferon rakinë dhe verën. E merr malli të hyjë në folklor, ngaqë një zanë prej andej ia bën me dorë, duke ngjasuar me dervishin, i cili bën hajmali dhe “për ethe dhe për dashuri”. Nëse zana i qëllon të jetë Hankoja, që i ngjall të vdekurit dhe të gjallin e humb fare, nxiton t`i ngjajë ashikut: “Hapuni ju sorra se po vjen gjeraqina!” Në poezi ndihet një piskamë, është “Klithma e ikjes”, që vjen nga nizami përtej Urës së Qabesë, apo kurbetliu humbur dherave të huaj: “Ju të liq e ju sakatë,/Amanet ju lemë gratë!” Një klithmë kjo, që ndihet edhe sot. Veç të shkruarave në libra, shqetësohet për ato që ende s`i ka thënë, gjë që ndodh me të gjithë ata që duhet të kërkojnë nga vetja. “Merak kam: ca të pathëna/Do t’i them si t’ma marrë mendja,/E pastaj do shkoj të fle.” Prapë s`i flihet përderisa shkruan: “Unë shpesh flas me të ikurit,/Po ju mos më quani mistik,/Në mëngjes, pas gjumit të natës,/Kanatat mbyll që dhe vetë të mos ik!” Mos këto të pathëna do i shpreh me kitarën e dehur? “Një kitarë e dehur/Varur në mejhane,/Telat si ushkurë/Çakorduar fare!”

Dashuria erotike, duke e bërë me krah, e ngre përmbi re me shpejtësi reaktive, por “kur të përplas t`i thyen brinjët”, shkruan ai. Dhe ja shkaku: “Përse xhinset m`i ke grisur/atje sipër përmbi gju?!” Kur femra luan me gjuhën e trupit, një e grisur mbi gju jep një të krisur në zemër. Por në botën erotike gjendjet shpirtërore ndryshojnë me orë. “Po bëhesh xheloze dhe jetën po ma nxin/dhe kur një re të duket sikur po tund shaminë.” Tallet me të dashurën, sikurse do vuaj dhe vetë: “Keni parë të qajë një burrë/Ndënë shi kur zbrazen retë?/…Mos prisni të bëhet qull/Kur e marrin poshtë rrëketë!” Apo: “E mpakur, moj mike, e mpakur…/S’të njoha nga dorë e tretur.”

Duke i përkitur një brezi, që s`është mësuar t`i marr fitoret në tavolinë, por duke u përleshur, shpërthen kundër hilanjosit:

Ti nuk je njeri me huqe,

Se huqe te të gjithë gjen!

Ti je mola në sënduqe

Që krejt pajën na e bren!

Kësaj gjendje i bashkohet dhe Ridvan Dibra në romanin “Triumfi i Gjergj Elez Alisë”, kur shkruan: “Gjithçka e drunjtë në Kullën time ka tenjën brenda. Kjo e vërtetë nuk më shqetëson më, qysh kur jam bindur se çdo gjë në këtë botë ka brenda tenjën e vet: por njerëzit janë plot paragjykime dhe janë mësuar ta kërkojnë atë, domethënë tenjën, vetëm në gjërat e drunjta.”

Në poezinë e Fatmirit nuk mungon humori, që ai e bën pa të keq, sikurse dhe në poezinë “Tradhëtia e poetit”:

-U plake, poeti im, u plake,

Si kukudh rri pas mesnate!

– M’u plake, poezi dhe tinë,

S`e duron më yzengjinë!

– Yzengjia do dragua,

Jo maçok brenda n’katua!

– Ah, e di, je bërë xheloze,

Që kur pas i rashë një proze.

Kur e ngushtë të rri këmisha,

Zgjidh një tjetër në dyqan!

Duke i ndenjur e ngushtë këmisha e poezisë zgjedh atë të prozës. “Një libër që u shkrua vetë” e titullon ai librin me ese të shkruara në kohën e Covidit, i cili nis me njoftim se autori sapo ka krijuar një shoqatë të emërtuar “Kërmilli” dhe kush del jashtë guackës përjashtohet. E gjithë proza ka disa komunikata të renditura njëra pas tjetrës, ku dekori është po ai, veçse ndryshojnë situatat. Ligaveci tenton të përçajë shoqatën. Presidenca, ngaqë ka hapur thesin e dekoratave, tenton ta dekorojë shoqatën me titullin “Nderi i kombit”. (Është njësoj si ta nxjerrësh heroi nga garuzhja e kuzhinierit.) “Kërminjtë e mi të dashur, o paqësorë të avashtë, që bëheni luanë vetëm kur ju prishin rehatinë brenda guackës suaj!”-u drejtohet autori të gjithë atyre, që tregojnë kthetrat sapo i preket interesi e u prishet rehati.

Sikurse në një komunikatë tjetër: “Mirëmëngjes, butakë! Mos dyshuat gjë për këtë fjalën “butak”?! Oooo, jojooo! Nuk po ju denigroj, se unë vetë jam Kriebutaku i madh! Ndaj mos u merakosni! Përkundrazi, merreni si sihariq, sepse, në këtë klasën e Butakëve, ku hyjmë dhe ne Kërmijtë, paskemi disa mijëra kushurinj-specie të të gjitha llojeve të Guaskorëve ku janë e ku s’janë… sepse është Guaska tipari identifikues i Familjes sonë të madhe!”

Prozën e shoqëron dhe me vargje satirike, sikurse është dhe kjo në kohën e plehrave dhe të inceneratorëve. (Metalurgjiku mos u kthye në një mallkim dhe për inceneratorët, që pretendojnë ta nxjerrin energjinë, rrymën dhe nga plehërat, si një ngushëllimë për uzinat të kthyera në skrap?)

Sot jam vrer, sot jam bosh,

Asnjë letër s’hedh në kosh.

Se ca plehra një njeri,

Duhet të bëjë, gjithsesi!

Në një komunikatë tjetër: “Duhet të pranojmë se Heronjtë nuk u zhdukën menjëherë, por, si dinozaurët u zhdukën gradualisht, në tranzicion”, duke e zëvendësuar fillimisht me heroin e fabrikuar dhe më pas me antiheroin. Dikur meskini kritikohej, tani ai imitohet, ndaj dhe poeti nuk ia kursen talljen:

Tri herë e kam shpëtuar nga tymi e zjarri

Pijetarin tim të katit të tretë.

Ai fërkonte sytë si të ngrihej nga varri

E më thoshte: Po ti, pse vjen me vonesë?!

Përkundër mosmirënjohësve ai shpalos bujarin e tij, sikurse janë vargjet për kolegët.

Tash po qaj për Fadil Krajën,

Me k’to vargje plot amshim,

Në s’besofshi, punë e madhe,

S’ishte vetëm miku im!

Meqë e nisëm me Kadarenë, ja vlen ta përmbyllim po me atë, “punë e madhe” do thoshte Fatmir Musai, nëse të tjerëve nuk u pëlqen:

Kadaresë i shterën fjalët

Edhe tha:-Nuk shkruaj më?!

O të mjerë, po flet me zotat,

Që e kuptojnë më mirë se ne!

Kam nxirë shumë letra, por mos m`i shihni me mikroskop, shkruan ai në një poezi. Besoj se këtë kërkesë ia kam respektuar. Eja, Nexhip, mos u qell/…po më kërcasin trarët si film pa zë!” I drejtohet mikut të tij, Nexhip Ejupit. Kur të bjerë rruga këndej nga Elbasani, më tako, më tha një ditë. Dhe unë nuk u qella…

Shënim: Fotoja është shkrepur nga Fatmir Musai, kur u takuam në Elbasan. Përfitoj nga rasti t`i uroj shërim të plotë, pas atij operacioni “ku kish zënë vend një djall i fshehtë”, sikurse ai më shkruante.

Fatbardh Amursi

Ëndërr që përsëritej- Cikël poetik nga FERIDE PAPLEKA

ExLibris

Takimi me sublimen

Poema ime është
Ai ag i shenjtë qershori:
Kur ca murmurima që vinin
Nga shtrati i bebes
Ku flinte im bir
Më zgjuan si një ndriçim –

Ritmi i mistershëm i gugurimës
Që shpërndahej nga fryma e tij
Krahët dhe këmbët që lëvizte në ajër
Si të donte të përvijonte
Rrugët e së ardhmes
Shkruanin një partiturë
Që asnjë orkestër në botë
Nuk mund ta ekzekutojë –

E fshehur nga vështrimi i tij
Dridhtuese dhe e magjepsur
Shpirti im u përmbyt
Me ndjesi të panjohura
Të pakthyeshme
Krejt qenia ime u lëkund
Dhe më pushtoi
Një lloj lumturie si një joshje
Për të vdekur –
Jeta ime po pasqyrohej
Ndoshta ka qenë takimi me sublimen…

Perëndim në bregdet

Dita mbaroi dhe dielli
Mbeti mbi ujëra
Si peshk i kuq që përpëlitet
Në rrjetën e madhe të muzgut
Korriku vjen përvit
Mysafir i përhershëm
Me plazhet dhe zërat rinorë

Syri im sodit, por mendja
Kujton të tjera plazhe
Që zemra i ruan si diamantet
E fshehura në guaskë

Ti je pranë meje
Si diell përherë i ri
Që ma ngroh zemrën
Edhe në dimrin e jetës.

Është „luftë kundër armikut“

Valët e ajrit dridhen
Dhe nuk e lënë dritën e diellit
Të bjerë si përkëdhelje
Mbi fëmijët që luajnë
Mbi qytete dhe fshatra
Mbi pemë dhe mbi zogj
Mbi çati dhe ujëra
Mbi dashuritë

Diçka e e zezë lëviz nëpër qiell
Zërat përplasen dhe shuhen
Eshtë „luftë kundër armikut“
Dikush mbërthen në një tabelë
Foto të rinjsh rënë në front
Foto fëmijësh dhe nënash
Foto pleqsh e të sëmurësh
Vdekur nën rrënoja bombardimesh
Eshtë „luftë kundër armikut”.

Ëndërr që përsëritej

Rrugë të shkreta
Male shkëmborë
Të vdekur që ecnin:
Të vdekur që i kisha njohur në gjallje
Ata nuk më shihnin në fytyrë
Edhe unë nuk i shihja

Ecja pa e ditur se ku
Ata vonoheshin si të vdekurit
Kjo është e kuptueshme
Sigurisht, dikush do të më pyesë
Ku rrinin të vdekurit
Po ti e gjalla ku rrije
Unë s’di të them gjë
Ishte një ecje e shpejtë
Dhe, nuk dua të flas për ato kohë
Kur e ardhmja ime mbahej në një fije.

Unë jam

Unë jam çelësi i Borges-it,
Që ka humbur derën;
Jam muza e Platon-it
Që e frymëzoi të krijonte
Figurën e madhe të Sokratit;
Jam kompozimi i fundmë i Mozart-it
Që u arratis bashkë me të
Në honin e vdekjes;
Jam statuja e Shekspirit
Që shqetësoi për shumë vjet
Me dhjetëra skulptorë në botë;
Jam deti i munguar i Uliksit të Joyce-it;
Dhimbja e pamatshme e Kafka-s
Në katedralen e ndjenjave njerëzore;
Jam planeti i çmendur i Max Ernst-it;
Koha e humbur e Proust-it;
Dhe ndoshta një hije që endet
Në veprën e Pascal Quignard-it.
Jam Mosqenia.

Pohim i hidhur

Akrepat formojnë pa mëshirë
Nuk e di akrepat a ritmi i zemrës
Atë ekuacion me shumë të panjohura
Jetën time
Me vite të mjegullta,
Të strukura diku në nënvetëdijën time
Që presin zgjimin
Me vite të përgjakura
Që s’ua ndal dot agoninë
Me vite të pështjelluara –
Trëndafil Erërash në ndërrim stinësh
Shtojini shifrës fatale
Vitet e brezave që ikën
Vitet e Krishtit e të Parakrishtit
Kohën mitike të zotave sumerianë
Dhe atë kohë që nuk flet dot
Me një gojë të mbushur me natë
Shtojini luftërat
Që janë fytyra e këtij planeti egoist,
Paqen që është veç maskë
Dhe do të dalë një numër
Që nuk e nxë asnjë traktat aritmetik.

Tirana dhe unë

Tirana fle natën
Dhe ëndërron diellin pranveror,
Retë lundrojnë drejt pafundësisë,
Copëra të kaltra pështjellohen.
A është era,
Apo vala e trishtimit
Që bën një zhurmë të tillë
Mendja ime shfaq menjëherë
Një ekran të kujtesës
Që lë të shihet fëmijëria
Si një ëndërr që përsëritet
Kjo ëndërr e ëndrrave
Më dhuron përherë mahnitje
Sidoqoftë, lumturia e munguar
Merr formën e një ëngjëlli të zi
Jeta është një rrënojë qerthullore
E mbjellë me çaste jetëshkurtra.

Natyrë e qetë

Diell që perëndon
Qiell i portokalltë
Tinguj në dhomë
Puthjet tona të harruara
Vështrimet tona të hutuara
Dhe duart tona
Si dy pëllumba
Që kërkojnë të ngjiten në qiell.

Fytyrat tona megjithatë
Kundërshtojnë pasqyrën
Dhe gjërat e ndriçuara
Hapësira e pafund ka mbetur
Një mundësi e pamundur
Për të shkuar larg
Gjithsesi lulet që mblodhe për mua
Këtë ditë pranvere
Përgjojnë mbi tryezë.

Muzg kronologjik

I ndritshëm dhe frikësues qe ai muzg
Në Gare Montparnasse
Turma njerëzish nxitonin
Si një uragan shkonin dhe vinin
Nga të gjitha drejtimet
Një çast diçka e çuditshme i përndriti
Rrugët, njerëzit, ajrin
Mbase qe ideja e fuqishme e lëvizjes
Që ma përshkoi shpirtin
Unë shtanga
Dhe pastaj m’u mjegulluan
Kujtimet dhe shikimi –
Diçka e pakthyeshme po shkrinte –
Tërë e kaluara ime vogëlane
U shqye
Që atëherë unë i shoh gjërat ndryshe
Ja, pra, përse ndonjëherë
Kam brerje në ndërgjegje:
Po të mos ndodhesha atë çast në Gare Montparnasse
Mbase nuk do ta kisha këtë përhitje.

Larg dhe afër

Dje ti i kishe fjalët të lumtura
Që u futën në shpirtin tim
Kur isha e trishtuar nga imazhet e luftës.

E harruam gëzimin
Duke u strukur në shpirtrat tanë
Që kishin hyrë te njëri-tjetri
Dhe të heshtur qanin.

Unë ngrita krahët
Ti ngrite krahët
Me paaftësinë mizore
Për të ndihmuar.

Lufta ishte larg
Lufta ishte afër
Jetët tona donin të shtriheshin
Nën jetët e ikura

Ashtu ecëm të pikëlluar
Për të gjetur një qoshe
Ku lufta të ishte larg
Por ajo vetëm afrohej.

Parajsa nuk ka humbur

Engjëlli i jetës
Ndërton një labirint plot mistere
Parajsa nuk ka humbur
I pafundmë është fati yt
Qiellor zëri
Hapësira dhe Koha
Rrjedhin si një Gang i ri
Dhe trupi yt i ringjallur
I këndon gjestit jetësor.

Paris, korrik 2024

Përsiatje

Ka ditë të zymta
Po ashtu ka edhe net
Por fatlumërisht
Ka edhe ditë të qeshura, ajrore
Dhe net të bardha
Kur humbem
Duke lexuar dialogun « Banketi »
Të shkruar 2500 vjet më parë
Që e jep dashurinë
Si një gjendje të ndërmjetme
Midis vdekatares dhe të pavdekshmes
Midis paditurisë dhe dijes
Si një dëshirë për përjetësi
Dhe aspiratë për të Bukurën –
Ndërkohë unë kthehem tek e tashmja
Që është një përzierje e hollë
E vetëdijes me nënvetëdijen
Në një realitet të ashpër
Dhe, pastaj, kjo vuajtje e perhershme
Si një plagosje metafizike:
Toka ku kam lindur, Shqipëria.

Poema e manjolies

Manjolia është ende
Manjolia e dashurisë sonë
Ajo, në të cilën ti hipe
Këpute një lule e ma dhurove
Ishte muzg atëherë
Dhe ti ishe i ri
I ri si poema që po shkruaj
Për atë kujtim që e prodhon
Vetëm dashuria
Manjolia na priti me bujarinë e saj
Ngaqë e kuptoi
Se dashuria bën edhe marrëzira
Ajo sikur na uroi me zërin e saj të butë
Dhe na ushqeu idenë
Se dashuria mund të shfaqet
Edhe me një gjest të thjeshtë
Që në këtë rast
Mund të quhet antiekologjik
Por kështu ka ndodhur
Më kujtohet vegullia
Kur gjithë hapësira
U mbush me lule të bardha.

Peizazh apokaliptik

Vebdbanime të shkrumbuara
Fusha të zbrazëta
Pyje që i përpin zjarri
Ngjyrë e hirtë
Që shtrihet gjer sa nuk e nxë syri
Ngjyrë e lemerishme
Nuk është ngjyrë pikture
Futur në ndonjë tablo postmoderne
Toka aty lëngon
Nën një qiell legjendar
Dhe sytë e saj
Dikur krejt të blertë
Tani janë të shuar
Si të një zonje që ka humbur
Dashurinë e mbrame të jetës.

Nocturne

Ëndrra dhe prapë ëndrra
Për takime të pandodhura
Me njerëz të panjohur
Në net të bardha pagjumësie
Që lëkundeshin si gjethet në vjeshtë

Qielli ishte gjithnjë i yjezuar
Dhe hëna përherë e re

Në të vërtetë yjtë dhe hëna
Ishin mbushur si gjithnjë me heshtje
Por në një kohë të pakohë
Një melodi vinte ngadalë
Zëulët
Joshëse
Si dashuri e pamundur
A mos vallë
E gjithë kjo ishte një dhuratë
Që do të shndërrohej një ditë në poemë

Dritarja

Natë e zezë.
Sytë e mi zhbirojnë errësirën
Poezia fluturon jashtë dritares
Ajo kërkon mes territ
Dritëra të shkuara
Papritmas në zemrën time
Ndizet një yll :
E qeshura jote e rinisë
Ambruazia e saj më deh
Dhe unë transformohem
Në një vajzë të re të druajtur
Që mbledh lule
Ashtu si vajzat e Terës së lashtë
Që mblidhnin lulëkuqe
Në kohën e Helenës dhe Uliksit.


Send this to a friend