1.
Nëqoftëse unë jam një profet plot me atë shpirt profetik që ecën mbi një zgjedhë të lartë ndërmjet dy deteve,-
– që ndërmjet të shkuarës dhe të ardhmes si një re e rëndë lundron, armike e ultësirave asfiksuese dhe e gjithçkaje të lodhur, që më nuk di as të rrojë dhe as të vdesë:
gati për rrufenë e gjirit të saj të errët, për çburgosjen e rrezes së dritës që shelbon, me barrë, me rrufe që thonë po, që qeshin po, gati për lëshimin e vetëtimave profetike:-
– Dhe bekuar qoftë kush ka mbetur me barrë në këtë mënyrë! Në fakt, duhet të mbetet varur, për shumë kohë e mbi male, si kërcënim për mot të keq, për atë mot që duhet të ndezë dritën e së ardhmes!-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së përjetësisë dhe të unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
2.
Nëse tërbimi im kurrë varre nuk shpërtheu, gurë sinori nuk hoqi dhe nuk rrokullisi humnerave tabela vlerash të thyera: nëse qesëndia (tallja) ime nuk i fshiu me frymën e vet fjalët e mykura, nëse, si fshesë, kurrë nuk i mbërrita merimangat kryqëtare dhe as dhomat e vdekjes të lashta e të ngulfatura:
Nëse nuk jam ulur me entuziazëm atje ku prehen të varrosur hyjni të lashta, duke bekuar botën, duke dashuruar botën, pranë monumenteve të shpifësve të lashtë të botës:-
-sepse unë i dua edhe kishat, edhe varret e hyjve, kur qielli vështron me syrin e tij të pastër përmes çative të tyre të rrënuara; më pëlqen të dergjem si bari dhe lulëkuqja ndërmjet kishave të rrënuara-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
3.
Nëse kurrë tek unë nuk mbrriti ndonjë frymë e frymëmarrjes krijuese dhe i asaj domosdoshmërie qiellore që i detyron shanset (rastet,fatet) të vallëzojnë në plotërinë e yjeve
Nëse kurrë nuk qesha me qeshjen e rrufesë krijuese, pas së cilës nuk mënon kurrë më pas, kërcënuese, por e bindur, bubullima e gjatë e veprimit:
Nëse kurrë nuk kam luajtur me zare me zota mbi tavolinën hyjnore të tokës aq sa toka të dridhet, të çahet, të çfryjë e të vjellë lumenj zjarri:-
-sepse toka është një tavolinë hyjnore që dridhet nga fjalët krijuese dhe hedhja e shenjtë e zareve:-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
4.
Nëse kurrë nuk kam pirë me gllënka gjigande në atë brokë shkumuese për aroma dhe koktejle, në të cilën të gjitha gjërat janë përzjerë si duhet:
Nëse dora ime kurrë nuk derdhi të largëtat mbi të afërtat, zjarr mbi shpirt, kënaqësi mbi dhimbje , mallkim mbi bekim:
Nëse vetë unë jam një grimë e asaj kripe që shelbon dhe bën që të gjitha gjërat të jenë përzjerë si duhet brenda brokës së koktejleve:-
Sepse ekziston një diell që lidh të mirin me të keqin: madje edhe më i ligu është i denjë të shërbejë si aromát, është i mirë për të derdhur në fund shkumën:-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- së unazës së kthimit?
Kurrë nuk gjeta gruan prej së cilës të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
5.
Nëse jam mik i detit dhe i gjithçkaje që atij i ngjan, dhe edhe më shumë, dhe pafundësisht, mik i tij, kur ai, i tërbuar, më kundërvihet:
Nëse e kam në shpirt atë kërkim të vullnetshëm drejt të pazbuluarës, nëse në këtë vullnet timin është ai i marinarit:
Nëse s’kam brohoritur kurrë “Bregu u zhduk- tani më ra hallka e fundit e prangosjes sime-
-e pakufishmja uturin rreth meje, nga larg shkëlqejnë koha dhe hapësira, përpara! Përpara, zemër e lashtë!”-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
6.
Nëse virtuti im është virtut valltari, – shpesh me të dy këmbët kërceva në një ekstazë prej ari dhe smeraldi:
Nëse ligësia ime është veç ligësi e qeshur, që zë vënd pas shpinëzave me trëndafila dhe rreshtave të zambakëve
– në të qeshurën mblidhet e gjithë ligësia, prandaj shenjtërohet dhe falet në vetë bekimin e vet:-
dhe nëse kjo është alfa dhe omega ime, që e rënda të letohet, që çdo trup, valltar të bëhet dhe që çdo shpirt, të bëhet zog: vërtet që kjo është alfa dhe omega ime!-
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
7.
Nëse kurrë mbi veten nuk hapa qiej të qetë, nuk fluturova me krahët e mi drejt qiejve të mi:
Nëse kurrë duke lodruar nuk notova në largësi të thella drite dhe nëse kurrë s’më arriti zogu “mençuria e lirisë sime”:-
-kështu flet zogu “mënçuria”: “ Ja, nuk ka asnjë as më lart dhe as më poshtë! Hidhu andej këtej, brënda jashtë, ti, o i lehtë.Këndo ! Më mos flit!”-
– A nuk janë bërë të gjitha fjalët për të rëndët? A nuk e mashtrojnë të lehtin të gjitha fjalët?Këndo! Më mos flit!
Oh, e si do të mundja t’i rezistoja dëshirës së unazës së unazave martesore- të unazës së kthimit?
Nuk e gjeta kurrë dot gruan prej së cilës do të desha të kisha bij, përveç kësaj gruaje që dashuroj: sepse ty të dashuroj, o përjetësi!
Sepse ty të dashuroj , o përjetësi!
Përktheu Lluka Qafoku






Komentet