Një mbrëmje e këtyre dy tre ditëve. Studio televizive nga të shumtat dhe analisti, njëri prej tyre, Çollaku quhej, tha e, më pas, shkroi: me gjasë ka tri etapa zhvillimi të protestës.
E para, qenkësh kjo që shohim, e dyta, qëndrimi ditë e natë në protestë dhe, nëse ato nuk mjaftojnë, aherë do të rrethohet kryeministria për të mos lënë askënd të hyjë e as të dalë q’andej!
Dhe ashtu mund të jetë. Krejt natyrshëm. Por nga e di ky? Nga e di, them, sepse mu duk dashakeq, i lig dhe, pra, edvinist i errët! (Do t’a stoliste poashtu tezën e qarkulluar të Ramës për ndërhyrje të Kosovës, duke shtuar se Albin Kurti, megjithatë, del i humbur ngase politikanët e Tiranës janë më dinakë e të strukturuar!)
Ndaj tani, kur Rama hodhi fjalën sfidante se largohet kur do vetë, e pra ndoshta fare, në ç’etapë, vallë, do të kalojë Protesta?
Deklarata e Premierit vetmitar ishte, në fakt, cinike, por vetë përmendja e ikjes është shenjë e torturës së tij intime dhe përpunimi dramatik i idesë: për të ikur – por kur dhe në ç’rrethana e kushte?
Ikja i përhihet në horizont, porse beteja e tij jetike është: si t’a kthejë atë në një dorëheqje të thjeshtë europjane, aherë kur qeveria nuk funksionon nga presioni opozitar, apo i shkëputen koalicionarët dhe humbë shumicën. E, pra, të sigurojë pasurinë e grabitur e, mbi të gjitha, të shmangë grila burgu të sigurisë së lartë!
Por ky është i mbytur në llumnajën e vet. E ka të vështirë një largim të tillë fisnik. Që këtej, i mneruar për humbjen e gjithçkaje, pasurisë e lirisë, sepse nder nuk i ka mbetur, kujtohet për një protestë apo miting paralel.
Veçse kjo është një fije kashte për atë që fundoset.
Sa i mjerë. Dhe, njëherësh, i rrezikshëm.
Kështu dhe Millosheviqi organizonte mitingje paralele.
Megjithatë, nuk ngjajnë shumë mes vete. I bashkon diktatura, por i ndanë profili e shërbesa.
Ndërsa i pari ishte nacionalist e më vonë kriminel lufte që vriste të tjerë popuj, ky vret
gjithashtu: jo popuj të tjerë, por popullin e vet. Rininë e tij. Dhe jo me armë e gjak. Vret ndryshe. Më thellë e përhumbshëm. Vret shpresën, buzëqeshjen, gëzimin e jetës dhe ardhmërinë e tyre.
Po a s’është humbja e ngjashme?
Duke shndërruar atdheun në një vendkonvikt të madh seniorësh, ai dhe zhgani i tij mafioz, ushtrojnë gjenocid ndaj popullit të vet!
Atdheu mbytej në vaj pa jetë, e pa varre.
E, kështu, zhbëhej thjeshtë e qetësisht. Larg zhurmës mediatike të botës.
Por Atdheu ka zot. Ishte rinia që do të ndërpriste heshtjen dhe dorëzimin fatal.
Kurse ai, madhëria e tij, vijon të rivalizojë shpërfillshëm: unë iki kur dua vetë!
Po të donte, do ikte qëmoti.
Ai kërkon Orën e përshtatshme për të ikur: i lirë dhe i kamur. Dhe poaq, pa kujtesë të ligë kombëtare për emrin e tij.
Sidoqoftë tiranët e korruptuar e shpirtshitur bien.
Por e di, vallë, leksionin e njohur: sa më i madh faji, aq më i keq fundi i tij?!
Por besoj thellë se dhuna që detyronte administratën të votojë kolektivisht për të, është sërish mënyrë shantazhi për të detyruar punonjës të shkretë e arëgatë të shitur të dalin në
kundërmitingun e tij.
Megjithatë ata nuk janë populli. Rinia e tij e ndritur. Janë moralisht të thyer e turpëruar.
Lëvizja Rinore e Tiranës njeh gjuhën dhe idealin që ka zgjedhur. Ndaj dhe nuk mund të përfundojë kurrsesi e humbur në shtëpi.
As para kombit dhe as para historisë!