VOAL

VOAL

Shkëlqimi dhe rënia e Mbretëreshës Teuta – Nga MOIKOM ZEQO

March 18, 2016
1 Comments
  • author avatar
    Miha Persa 4 years ago Reply

    Pershendetje profesor.Sa shume nevoje kemi te njohim historine

Komentet

Leave a Reply to Miha Persa Cancel reply

“Si mundëm të shpëtonim të gjallë nga persekutimi nazist dhe ai stalinist, pasi falsifikuam…”

Dëshmia e rrallë letonezit mbi fatin tragjik të 2.749 hebrenjve!

 

“Geht,” i tha polici gjerman 15 – vjeçarit Eduards dhe vëllait të tij më të madh Georgs që, qëndronin në oborrin e mbushur të burgut me njerëz, “ikni”. Kjo fjalë i shpëtoi ata nga i njëjti fat me të, 2.749 hebrenjve nga qyteti port i Letonisë, Liepāja, të cilët u vranë nga xhelatët nazistë në ditët në vijim. Babai i tyre, Adolfs Alperovichs, ishte ekzekutuar disa ditë më parë. Ishte ideja e tij për të shpëtuar familjen, duke shpikur historinë se gruaja e tij, Erika, ishte me prejardhje gjermane dhe kështu dy djemtë ishin vetëm gjysma hebrenj.

I ndihmoi dhe fati që as nëna dhe as djemtë, nuk dukeshin “hebrenj”, sipas standardeve naziste. Ndihmoi gjithashtu fakti që ata letonezë që e dinin të vërtetën i ndihmuan ta fshihnin këtë të vërtetë, kurse ata që nuk e dinë, kurrë nuk e morën vesh. Georgs, vdiq nga ethet tifoide dhe difteria. Ndërsa Erika dhe Edwuards ishin, të vetmit anëtarë të familjes që i shpëtuan Holokaustit. Kjo është historia e Eduards Alperovichs, i njohur tani si Eduard Anders. Të dielën herët në mëngjes, 22 qershor 1941, u zgjuam nga shpërthime të përsëritura. Radioja na tregoi arsyen: Gjermania naziste kishte sulmuar BRSS-në!

Ne ishim të kënaqur. Një vit më parë, BRSS-ja kishte pushtuar dhe aneksuar Letoninë, duke e kthyer vendin tonë të lire në një koloni të shtetit policor sovjetik. Njerëzit arrestoheshin në mes të natës, për t’u vrarë ose për t’u dëbuar në Siberi. Shtëpitë dhe bizneset u konfiskuan – jo vetëm biznesi i eksportit të babait tim, por edhe një dyqan i vogël artizan. Hapësira e banimit ishte e kufizuar, duke detyruar shumë familje ti pranonin këto banesa. Vetëm 8 ditë më parë, më 14 qershor të vitit 1941, policia sekrete sovjetike (KGB-ja), kishte internuar më shumë se 15.000 njerëz në Gulag ose, në mërgim të përhershëm në Siberi. Edhe neve na urdhëruan të bënim valixhet gati dhe të prisnim të na merrnin. Fatmirësisht strehuesi ynë, një punëtor i ri letonez, ishte bërë major në Rojet Kufitare Sovjetike dhe pas disa shakash, pranoi të na hiqte nga lista!

Ne e dinim për antisemitizmin e Hitlerit dhe duhet të ishim shumë të shqetësuar, por ne u besuam gjermanëve. Pjesa më e madhe e Letonisë ishte sunduar nga fisnikët gjermanë për shekuj, gjermanishtja flitej gjerësisht nga njerëzit të arsimuar, dhe në Luftën e Parë Botërore, Letonia Perëndimore, ishte pushtuar për tre vjet nga trupat gjermane të disiplinuara dhe të civilizuara. Pas një viti sundimi sovjetik, ne menduam se Gjermania do të ishte e keqja më e vogël. Po ashtu mendonin edhe refugjatët hebrenj nga Gjermania naziste. Askush nuk e priste një Holokaust; më së shumti mund të ketë punë të detyruar dhe humbje të disave të drejtat civile.

Viti vdekjeprurëse 1941

Trupat gjermane pushtuan qytetin tim të lindjes, Liepāja, më 29 qershor, një javë pas fillimit të Luftës. Pjesa më e madhe e qendrës së qytetit u shkatërrua. Rrugët ishin shndërruar në gërmadha të djegura, të mbuluara nga kratere bombash dhe të spërkatura me xham të thyer.

Brenda pak orësh gjërat u bënë shumë të ashpra. Nuk e dinim që në fillim të vitit 1941, Hitleri kishte vendosur të vriste të gjithë hebrenjtë në Bashkimin Sovjetik gjatë pushtimit të tij. Kjo duhej të bëhej nga skuadrat speciale të vrasjes – katër ekipet, Einsatzgruppen, prej rreth 600-900 burrash të stërvitur për “Zgjidhjen Përfundimtare” dhe që vinin direkt mbas Ushtrisë. Ata organizuan masakra dhe ekzekutime të inskenuara për t’u dukur si: veprime hakmarrjeje spontane e banorëve vendas kundër “shtypësve të tyre çifutë-bolshevik”. Einsatzgruppe A, u caktua në shtetet Baltike dhe një nga ekipet e saj mbërriti në Liepāja në ditën e parë të pushtimit. Ai menjëherë qëlloi disa hebrenj, duke përfshirë kushëririn tim Alya, dhe organizoi një forcë vullnetare letoneze “Vetëmbrojtje”, për të çrrënjosur komunistët dhe për të shërbyer si ndihmëse e policisë.

Nazistët morën menjëherë kontrollin e shtypit Letonez, duke fajësuar hebrenjtë për të gjitha të këqijat e pushtimit të Sovjetikëve. Shumë letonezë, veçanërisht ata që kishin njohur personalisht hebrenj, e hodhën poshtë këtë propagandë. Por një pakicë Letoneze besonte, të paktën një pjesë të saj, – veçanërisht që hebrenjtë ishin përgjegjës për dëbimet sovjetike, torturat dhe vrasjet – dhe u bënë armiqësorë ndaj hebrenjve.

Komandanti i Marinës Gjermane, lëshoi ​​një sërë rregullash për hebrenjtë, duke i urdhëruar ata të vendosnin shenja të verdha në gjoks dhe kurriz, duke vendosur shtetrrethimin, duke i ndaluar ata nga në plazhet, parqet, pedonalet e këmbësorëve dhe në transportin publik, si dhe duke u kërkuar meshkujve nga mosha 16-60 vjeç, të raportonin çdo ditë në Sheshin e Qendrës së Zjarrit, për punë të detyruar. Hebrenjtë kapeshin çdo ditë, torturoheshin dhe merreshin me vete nga gjermanët. Dëshmitarët okularë, shpejt raportuan se ata dërgoheshin në një park ose në plazh, urdhëroheshin të gërmonin varret e tyre dhe ekzekutoheshin. Disa hebrenj u përpoqën të shpëtonin jetën e tyre duke konvertuar fenë dhe u kthyen në të Krishterë, por kjo nuk i ndihmoi…!

Në këtë situatë dëshpëruese, babai im Adolf, shpiku një plan për të shpëtuar të paktën gruan e tij dhe dy djemtë, duke përfituar nga pamja jonë ariane. Nëna ime Erika, duhej të pohonte se ajo nuk ishte fëmija biologjik i prindërve të saj hebrenj, por një pasardhëse e krishterë, e braktisur në pragun e derës së tyre. Kjo do ta bënte vëllain tim, Xhorxhin dhe mua gjysmë hebrenj: qytetarë të dorës së dytë, por që përjashtoheshin nga shumica e rregullave naziste për hebrenjtë. Sikur ta dinim se lufta do të zgjaste katër vite të tjera, nuk do t’i kishim pasur kurrë guximin për të provuar planin e babait tim. Shumë njerëz në qytetin tonë të vogël me 60.000 banorë, ishin në dijeni që historia jonë ishte një gënjeshtër. Doli që njerëzit që e dinin, nuk donin të na lëndonin dhe njerëzit që donin të na lëndonin, nuk e dinin.

Tani na duhej të bindnim nazistët mbi historinë tonë. Për fat të mirë, në vitet 1930, Erika kishte mbajtur korrespondonte me një sekt të krishterë, shoqërinë “Rosicrucian” në Kaliforni, për shëndetin e saj dhe problemet me vjehrrën e saj. Për shëndetin e saj, ata i dërguan asaj receta për ‘sallatë selino’ etj. Lidhur me vjehrrën e saj, ata sugjeruan të kthente faqen tjetër dhe të besonte në Jezu Krishti. Kjo tani mund të ndihmojë për të provuar orientimin e saj të krishterë.

Pasi bënë prova mbi përrallën e birësimit, Erika dhe George, shkuan te Shërbimi Gjerman i Sigurisë (S.D.). Ndihmuar nga pamja e saj e bukur, sharmi dhe talenti i saj në aktrim, ajo e bindi shefin e SD-së që, të na përjashtonte nga rregullat për hebrenjtë. Lejet e lëshuara nga S.D.-ja, na shpëtuan nga arrestimi dhe ekzekutimi. Ne i morëm ato pothuajse ditën e fundit, pasi vrasjet masive të burrave hebrenj, ndodhnin çdo ditë, duke arritur kulmin në një “gjueti” të madhe njerëzore më 22-25 korrik, gjatë kohës së cilës u vranë 1.100 burra.

Xhorxhi dhe unë arritëm të mbanim punët tona të verës, por kur ato mbaruan, ne nuk na lejua të rifillonim shkollën dhe as nuk gjenim dot punë. Babai ynë, Adolf, punonte si fermer në një fermë të izoluar, gjë që e mbajti të sigurt gjatë kërkimeve, por pas korrjes, nuk ishte më i nevojshëm për fermerin. Tani babait i duhej të paraqitej për punë në ‘Sheshin e Qendrës së Zjarrit’, por për shkak të vrasjeve, kjo ishte shumë e rrezikshme për hebrenjtë e spikatur. Kështu që ai vendosi të fshihej në banesën tonë. Ne përgatitëm një vend të fshehtë në qilar, diku pas një pirgu me dru zjarri.

Sa herë që binte zilja, ai duhej të ngjitej mbi dru dhe të fshihej. Por kjo rezultoi e padobishme. Kujdestari në bodrum kishte dëgjuar zërin e babait tim dhe e raportoi atë në polici. Më 2 dhjetor, kur u ktheva në shtëpi një mesditë, pas një tjetër kërkim të pafrytshëm pune, dëgjova zhurmën e druve të zjarrit duke u rrëzuar në dysheme dhe një gjerman që i bërtiste babait. Ai u përgjigj: “Unë nuk jam kriminel”. Ishin fjalët e fundit që i dëgjova të thoshte. Nëntë police, të udhëhequr nga një rreshter gjerman, kishin kontrolluar apartamentin dhe ishin gati të largoheshin, kur dikujt prej tyre i lindi ideja të shikonte pas druve të zjarrit.

Menduam që mbetëm jetimë!

Policia i mori të dy prindërit e mi. Unë dhe Xhorxhi menduam se tani ishim jetimë, por një javë më vonë u hap dera dhe Erika hyri brenda, dukej shumë e zbehtë. Ajo ishte liruar, por Adolf do të pushkatohej. Siç rezultoi, ai do të vritej mbas gjashtë ditësh. Shefi i SS-ve, Heinrich Himmler, kishte urdhëruar një përshpejtim të Holokaustit në shtetet Baltike, kështu që pasi u vranë 25.000 hebrenj të Rigës, në fund të nëntorit dhe në fillim të dhjetorit, radhën e kishte Liepāja.

Në orën 4 të mëngjesit të 15 dhjetorit u zgjova nga drita që po ndriçonte dhomën time të gjumit. Dy policë Letonezë qëndronin në dhomë, me pushkë mbi supe. Më thanë mua dhe Xhorxhit të visheshim dhe ndiqni ato. Duke ditur se po shkonim drejt një varri masiv, protestuam dhe treguam leje-kalimin, por kjo hajmali e kishte humbur papritur fuqinë e sajë. Megjithatë, policia nuk e mori Erikën, e cila kërkoi të vinte me ne. Na u deshën rreth 2 orë e gjysmë për të arritur tek Burgu i Grave në qytet, vetëm 10 blloqe larg. U desh të ndalonim në çdo bllok pak a shumë dhe të ktheheshim me fytyrë nga muri. Disa nga policët e armatosur me pushkë, qëndronin prapa nesh për të na ruajtur, ndërsa të tjerët hynin në shtëpi për të mbledhur familje hebreje, kryesisht gra dhe fëmijët.

Vazhduam të flisnim me policët që na ruanin ne, duke protestuar se leje-kalimet tona na përjashtonin nga arrestime të tilla. Një polic i ri u zemërua shumë, na shau dhe i kërkoi rreshterit që ta linte, të na qëllonte në vend si paralajmërim. Ne nuk e dëgjuam përgjigjen e rreshterit, por ajo u duk sikur e qetësoi të riun për momentin. Ne ishim ndër të fundit që arritëm në burg dhe na urdhëruan të rreshtoheshim pranë portës, me fytyrë nga muri. Në këtë orë, duhet të ishte mjaft errësirë, por oborri ishte shumë i ndriçuar nga prozhektorët. Atje ishin të mbledhur rreth 500 hebrenj, duke dëgjuar me vëmendje teksa një polic gjerman bënte apelin. Kur ne mbërritëm, ai kishte arritëm te shkronja K.

Pak minuta më vonë, u afruan disa prej policëve Letonezë që na kishin arrestuar, të udhëhequr nga një polic gjerman. Duke i shpjeguar pse kishim protestuar kundër arrestimit tonë, i thamë se nëna jonë, ishte gjermane dhe i treguam leje-kalimet tona. Ai na nguli sytë për 5 sekonda, ndoshta duke kërkuar për tiparet tona hebreje të listës së tij dhe më pas na largoi me fjalën e vetme “geht” (shkoni), ndërsa i bëri me shenjë portierit të na linte të iknim. Porta u hap, ne dolëm në rrugë dhe gati sa nuk u përplasëm me nënën tonë. Duke na menduar të vdekur, ajo po përpiqej të futej në burg, për të patur të njëjtin fat me ne. Përgjatë tre orëve e gjysëm që nga arrestimi, kishim qëndruar krejtësisht të qetë, edhe pse e dinim se ku po shkonim. Por tani që ishim të lirë, patëm ca të dridhura të mira.

Për tre ditë, viktimat marshuan ose u çuan në grupe të vogla në ish – poligonin e qitjes të ushtrisë letoneze Šķēde, 11 km. në veri të burgut, ku 2.749 hebrenj u ekzekutuan, mbi bazën e akuzave zyrtare gjermane. Ne i kishim shpëtuar vdekjes falë tekave të çastit të një polici gjerman. Fatmirësisht nuk e dinim që lufta do të zgjaste edhe 1.240 ditë të tjera. Siç do të zbulonim, mbijetesa kërkonte disa mrekulli, shumë fat dhe vendimin e duhur në momentet kritike – sipas instinktit, rastësisë ose zgjuarsisë.

Të luash për kohën…!

Menjëherë pas masakrës së dhjetorit, SD-ja na konfiskoi me shpejtësi kartat e identitetit dhe na tha që të zgjidhnim statusin tonë në zyrën e Komisionerit Gjerman të Qarkut për Letoninë. Zyrtari që trajton çështje të tilla, Zoti Buttgereit, na dha një leje 3-mujore me kusht që nëna ime të divorcohej nga babai im, të merrte dy deklarata që konfirmonin historinë e saj të birësimit nga njerëzit që e kishin njohur atë shumë kohë përpara luftës, dhe të dorëzonte një çertifikatë pagëzimi që vërtetonte origjinën e saj të krishterë. Kështu filloi jeta jonë “në këste 90-ditore”.

Divorci ishte i thjeshtë, pasi babai im ishte vrarë, një muaj më parë. Dëshmitë ishin krejtësisht të lehta, pasi dy gra Letoneze të guximshme dhe të dhembshur – Herta Kārkliņš dhe Sofija Zīverts – ranë dakord të shkruanin histori imagjinare që mbështetnin pretendimin tonë. Asnjëra prej tyre nuk mori para edhe pse e dinin që po rrezikonin jetën e tyre.

Çertifikata e pagëzimit ishte më e vështira. Buttgereit, mendoi se regjistrat e kishës Balltike Gjermane, ishin zhvendosur në një arkiv në Poznań (Posen) në 1939-‘41, kur shumica e gjermanëve baltik (gjithashtu të referuar ndonjëherë  si “Baltikët gjermanë”), u zhvendosën në zonën e dikurshme polake. Postës në fillim të vitit 1942, i duheshin 4-6 javë për secilën rrugë, kështu që 3 muajt tanë kishin mbaruar ndërkohë, ne kishim thjesht një letër, që thoshte se të dhënat e Kishës nuk ishin në adresën e parë, që i kishim shkruar fillimisht. Zoti Buttgereit, na dha një zgjatje 3-mujore, por kur ne përsëri nuk kishim asgjë përfundimtare për t’i treguar, ai me zor të madh na e zgjati lejen tonë me 3 muaj, duke na paralajmëruar se kjo ishte hera e fundit

Së shpejti mësuam se të dhënat ishin në Zyrën e Gjendjes Civile në Riga, por që ishte e mbyllur për momentin. Dyshonim nëse Buttgereit do të zgjaste përjashtimin tonë, ne filluam të mbyllnim llogaritë tona me botën meqë afatit 3-mujor po afrohej. Megjithatë, kur nëna dhe vëllai im shkuan në zyrën e Buttgereit në ditën e takimit, mësuan se ai ishte transferuar. Pasardhësi i tij, z. Pusill, nuk dinte asgjë për të kaluarën, dhe kështu Erika me ndihmën nga George, e tregoi historinë në një dritë pozitive dhe mori një tjetër zgjatje afati.

Kjo taktikë funksionoi të paktën edhe një herë, kur edhe Pusill u transferua. Ndërkohë, Zyra e Gjendjes Civile ishte rihapur. Në verën e vitit 1943, ne zbuluam se jo vetëm një, por dy vajza ishin pagëzuar Erika, 3 muaj para ditëlindjes së nënës sime (pretendohet ditëlindje të jetë caktuar dita kur ajo u gjet nga prindërit “birësues”). Por burri i ri në Zyrën e Komisariatit të zonës (Gebietskomissar), Gutschmidt, ishte mjaft i zgjuar për të kuptuar se një kërkim i tillë, veçanërisht pasi ajo vetë po e kryente atë, mund të vazhdonte përgjithmonë. Në fund të vitit 1943, ai nuk pranoi të rinovojë lejekalimet tona.

Pritëm të na binte shpata e Damokleut mbi krye, duke hamendësuar nëse policia do të na arrestonte në punë apo në shtëpi, dhe nëse ndodhte kjo e fundit, do të ishte ditën apo natën. Por asgjë nga këto nuk ndodhi. Arsyet mbetën të panjohura për ne, mbase Gutschmidt duke mos dashur të kishte gjak në duart e tij, nuk e kishte njoftuar Shërbimin e Sigurisë. Antisemitët vendas që na kishin denoncuar vazhdimisht në polici në vitet 1941–42, dukej se kishin hequr dorë, duke menduar se kishim lidhje me rangun më të lartë dhe sipas një thashetheme që dëgjuam, me dikë nga stafi i Hermann Göring!

Pse kishim ne lidhje me Reichsmarschall Göring, i cili ishte i dyti pas Hitlerit, nuk e morëm vesh. Ajo që mund të ketë filluar këtë thashetheme, ishte se Erika punoi si një nëpunëse dosjeje me kohë të pjesshme në një zyrë të vogël me katër persona, e quajtur me madhështi: Ostland Eisenhandelsgesellschaft Gmb Hder Reichsëerke “Hermann Göring”. Kompania Tregtare e Hekurit Ostland Ltd. E Punët e Rajhut “Hermann Göring” ishte thjesht një zyrë blerëse që kanalizonte prodhimin e fabrikës lokale të telit, në një kompleks gjigant industrial në Gjermani me emrin Göring. Por një letonez mesatar që shihte Erikën të hynte dhe të dilte nga një ndërtesë që kishte këtë tabelë dhe matufepsja nga fjalët e mëdha gjermane, mund të konkludonte se ajo kishte një lidhje të drejtpërdrejtë me Göring. Unë do të doja të falënderoja personin që i filloi thashethemet, pasi as vetë ne nuk mund të kishim shpikur një gjë më të mirë.

Duke qenë se situata e tyre ushtarake u përkeqësua gjatë viteve 1942-‘43, gjermanët u bënë më të gatshëm të pranonin ndihmë nga grupet etnike të përbuzura. Hitleri kishte thënë në korrik 1941 se, midis Gjermanisë dhe Uraleve, vetëm gjermanët do të mbanin armë. Ky rregull u bë më elastik në fund të vitit 1941, kur Himmler filloi të krijojë “Batalionet e Policisë Vullnetare Letoneze”. Shumica e anëtarëve të tyre ishin rekrutë, por fjala “vullnetar” anashkaloi Konventën e Hagës, e cila ndalon rekrutimin e civilëve në zonat e pushtuara. Ne shkurt 1943, menjëherë pas Stalingradit, Hitleri urdhëroi formimin e një “Legjioni Vullnetar SS Letonez”, me termin “vullnetar”, shërbeu përsëri si ‘gjethe fiku’ (maskimi).

Në nëntor 1943, George u rekrutua në Batalionin e 20-të të Policisë Letoneze. Si një “gjysmë çifut”, ai u caktua në një “kompani pune”, mes të ashtuquajturve “raca të llumit”, si romë, ukrainas, lituanezë dhe polakë. Pesë javë më vonë, George u shkarkua, pasi oficeri ndërlidhës gjerman i batalionit përcaktoi, se gjysmë-hebrenjtë nuk kishin të drejtë të shërbenin në njësitë bashkëpunuese me policinë gjermane. Ai u kthye në shtëpi, por vdiq i rrënuar nga ethet e tifos dhe difteria. Ajo bombë na goditi më fort sesa, vdekja e 24 të afërmve tanë të mbetur në vitin 1941. Tani ishim vetëm nëna ime, Erika dhe unë.

Vajtja në Perëndim

Situata ushtarake gjermane vazhdoi të përkeqësohej. Aleatët Perëndimorë zbarkuan në Normandi më 6 qershor 1944 dhe sovjetikët filluan ofensivën e tyre verore më 23 qershor. Ushtria e Kuqe kaloi kufiri letonez më 18 korrik. Tani lufta po përparonte në oborrin tonë të pasmë.

Me sovjetikët përsëri në tokën letoneze, gjermanët ofruan të linin refugjatë të besueshëm të kërkonin azil “të përkohshëm” në Gjermani, deri në “fitoren përfundimtare” të pritur. Unë e arsyetova këtë si mundësinë tonë të vetme për t’u çliruar nga Aleatët Perëndimorë, sepse nuk kishte asnjë shans që amerikanët apo britanikët, të shkonin në Liepāja përpara Ushtrisë së Kuqe. Një vit nën Stalinin kishte mjaftuar!

Refugjatët e ardhshëm duhej, të merrnin leje politike për t’u siguruar që vetëm njerëzit e besueshëm me një histori të pastër, do të futeshin në Gjermani. Megjithatë, ne nuk kishim më një leje-kalimi që na përjashtonte nga ligjet kundër hebrenjve dhe unë nuk kisha pasaportë, edhe pse më kërkohej ta kisha një të tillë, që kur kisha mbushur 16 vjeç në vitin 1942. Pavarësisht kësaj, ne aplikuam. Nuk e dimë se si ndodhi, por ne e morën dëshminë. Në lejen time, ishte ngjitur një pusllë ku thuhej se, si mashkull, midis grupmoshës 16 dhe 60, nuk më lejohej të largohesha. Por të paktën tani, ishim në gjendje të aplikonim për nënën time.

Disa kohë më parë, unë e pata “Arianizuar” pasaportën e Erikës duke fshirë emrin e saj të mesëm hebraik, Rachel, me hipoklorit natriumi. Reagenti zbardhi bojën, por gjithashtu ndryshoi dhe sfondin blu të zbehtë. Kështu që e shpërndava hipoklorit mbi të gjithë këndin e poshtëm të djathtë, për ta bërë atë të dukej si njollë derdhje kafeje. Edhe pse e dija që shoku im i klasës, George Spektor dhe familja e tij, ishin pushkatuar në vitin 1941, për një falsifikim të ngjashme, si adoleshent tipik moskokëçarës, nuk e mendova për së dyti. Kjo ende e la mbiemrin e dyfishtë të vajzërisë së mamasë time (Šeftelovics-Leventals), nga të cilat pjesa e pare, dukej shumë hebre ose sllave, dhe pjesa e dytë, ndoshta hebre për një Letonez, por më pak për një gjerman, i cili mund të mos e dinte që shqiptimi në letonisht tingëllonte shumë hebre “Löëenthal”. Por eksperimenti i mëtejshëm ishte, përtej aftësive të mia modeste të falsifikimit.

Në zyrën e Gebietskomissar nga katër nëpunësit, zgjodha atë që ishte më i ngarkuari, kalova në radhën e saj dhe e binda lehtësisht të mos e përfshinte “Šeftelovics” dhe shkruante “Volksdeutsche” (gjerman etnik), për përkatësinë etnike. Shefi i saj që do të firmoste dokumentin e qortoi, për shkrim “Volksdeutsche”, meqë Erika nuk ishte regjistruar siç duhet. Por, inat e sipër, ai nuk arriti të vërente se vajza gjithashtu  kishte lënë pa shkruar “Šeftelovics”. Tani ne kishim një kartë idenditeti të përshtatshme të arjanizuar për Erikën.

Në fillim të tetorit, ndalimi i largimit të burrave u hoq për pak kohë, dhe ne menjëherë bëmë aplikimin për kalim. U nisëm më 15 tetor 1944 me rreth 2.000 refugjatë të tjerë në një anije transporti të mbushur me pleshta, për në Gdansk. Me të mbërritur, Dogana Gjermane na vulosi në letër-njoftimet tona shqiponjën naziste, duke legjitimuar kështu kopjen time të dyshimtë për një pasaportë: një ID jozyrtare, nga një shkollë me korrespondencë në Potsdam.

Një tren na çoi në Stargard, Pomerania, ku na vendosën në një kamp kalimtar. Unë u sëmura me difterinë – një fat i mirë, siç rezultoi më vonë. Tre jave më vonë u regjistruam në një hotel dhe ndërsa plotësoja formularin e regjistrimit të policisë, më pyetën nëse isha gjysmë apo çerek çifut. I mësuar nga babai im për të thënë të vërtetën, isha gati të shkruaja “po”, kur befas më erdhi shkëndija që askush nuk më njihte këtu. Unë shkrova “gjerman”, grisa të gjitha dokumentet që i referoheshin nga prejardhja jonë hebreje dhe i hodha në tualet e zbraza ujin.

Disa ditë më vonë, ne morëm një tren për në Komotau në Sudetenland, ku familja e një ish-strehuesi – një zyrtar hekurudhe, i quajtur Fischer – na kishte ftuar të qëndronim me ta. Ne ishim të mirëpritur për aq kohë, sa zgjati proshuta jonë letoneze. Pas kësaj, duke u paraqitur si refugjatë gjermanë etnikë, ne morëm një dhomë në një apartament.

Shpejt u sëmura nga miokardit – një ndërlikim i zakonshëm kur të rriturit sëmuren nga difteria – dhe kalova dy muaj në spital. Zyra Shtetërore e Punësimit, më dërgoi njoftime për t’u paraqitur për punë si roje i armatosur për, punëtorët skllevër dhe robërit e luftës. Për sa kohë që isha në spital, mund t’i shmangesha thirrjeve javore, por sapo të lirohesha, më duhej të paraqitesha te mjeku i Zyrës së Punësimit. Pas disa përthyerjesh të gjurit, pulsi im u rrit në 200, gjë që e bindi doktorin të më justifikonte nga puna deri më 15 maj 1945. Si për fat, Lufta përfundoi më 8 maj 1945.

Vetëm 2 % e hebrenjve në Letoni i mbijetuan pushtimit nazist. Rreth 90 % u pushkatuan në vitin 1941, duke kursyer kryesisht tregtarë të rëndësishëm dhe familjet e tyre. Seleksionimet e mëtejshme eliminuan të moshuarit, fëmijët nën 12 vjeç, dhe hebrenj të tjerë “të padobishëm”, duke lënë vetëm një pjesë prej rreth 4 % të cilët, u dëbuan në kampet gjermane të përqendrimit, në vjeshtën e vitit 1944. Kushtet brutalisht të vështira në kampe dhe gjatë marshimeve të vdekjes, lanë gjallë deri në fund të Luftës, vetëm më të fortët, rreth 1.5 %, së bashku me 0.5 % që u fshehën nga letonezë të dhembshur.

Një mësim që kam marrë në Luftën e Dytë Botërore është, të mos bëj përgjithësime fyese për asnjë grup etnik ose fetar, por t’i  gjykoj njerëzit si individë. Gjatë Luftës, kam takuar mjaft letonez të denjë, fisnikë dhe të guximshëm, gjermanët dhe rus të drejtë, kundër paragjykimeve. Eduardi dhe nëna e tij Erika, emigruan nga Gjermania në Shtetet e Bashkuara në vitin 1949. Ai ndryshoi mbiemri e tij në Anders, dhe më pas u bë një profesor i Kimisë dhe një specialist i mirënjohur shkencor në fushën ezoterike të kimisë së meteoriteve. Tani është në pension dhe jeton në Kaliforni. /Memorie.al

Patronazhisti Gent Sharra, nga grabitjet me Dumanin te përfitimi i fondeve publike në Elbasan

Që Partia Socialiste e Elbasanit krijoi një nyje të fortë interesash me bandat nuk është sekret, por emrat e përfshirë në fushatë shkaktojnë habi për nga stofi që u zgjodhën patronazhistët dhe për nga rezultati, që prodhoi deputetin më të votuar të Elbasanit dhe të të gjithë Shqipërisë, Taulant Ballën.

 

ANGAZHIMI NE FUSHATEN E TAULANT BALLES NE ELBASAN 

Vendi i krimit, lagjia 5 Maji në Elbasan. Data, 21 Prill. Militantë të PD-së, kryesisht ish-efektivë policie të organizuar nga opozita sapo kishin ndaluar Mehmet Grecën, ish i dënuar për drogë në Britaninë e Madhe. Kishin informacione se Greca shpërndante para për vota dhe mblidhte karta identiteti. Greca mbahet me forcë për disa minuta dhe njoftohet policia. Vetë i ndaluari njofton grupin e forcës të Partisë Socialiste.

Dosja e prokurorisë që çoi në arrestimin e dy ish-zv.drejtorëve të komisariatit të Elbasanit Nikollaq Papa dhe Albert Nushi, nxjerr edhe emrat e atyre që erdhën në ndihmë të Mehmet Grecës.
Njerëzit nga shtabi elektoral i Taulant Ballës, që garantonin “mbarëvajtjen e fushatës” ishin Pjerin Xhuvani, Klement Xhaferi, një i skeduar më herët nga policia për ngjarjen e ndodhur në tregun agroushqimor, Luan Tabako, Marjo Cela, Marsel Rroka, Elton Bodinaku, si dhe Gentian Sharra.

Disa prej tyre janë të njohur për përdorimin e dhunës dhe armëve, por emri i fundit meriton vëmëndje të veçantë për nga reputacioni që gëzon në Ebasan.

FILLIMET SI GRABITËS ME TALO ÇELËN DHE NUREDIN DUMANIN 

Gent Sharra është për nga bashkëpuntorët e ngushtë të Talo Çelës dhe Nuredin Dumanit. Sot është shpallur në kërkim për grabitjet me dhunë që organizonte grupi kriminal.

Sharra përmendet dhjetëra herë në rrëfimin e Nuredin Dumanit, kryesisht në organizimin e grabitjeve. E para është ajo e vitit 2011, kur Dumani e përmend në vjedhjen me dhunë të Lirak Bajraktarit në Elbasan.

Sharra këtu ishte në rolin e organizatorit.

“Grabitja e parë që kam bërë ka qenë tek një argjendari në Elbasan, në fund të vitit 2010 fillim 2011. Ka qenë 8.3 kg flori si dhe 30 ora ose diçka më shumë. Kam pas njohje me një Ilir Feçi, ky kishte lidhje me disa persona nga Elbasani që ishin të kësaj fushe. Ilir e kam njohur në 2010 nga një tregtar që shiste perde, unë në atë kohë isha më paterica. Emrat Gentian Sharra dhe Talo Çela i kam njohur fillimisht prej Ilirit. Ilirit në 2010 i kam shitur një pistoletë për të përfituar një shume prej 300 eurosh nga të cilat do fitoja 80 mijë lekë të vjetra. Pistoletë jugosllave me sa mbaj mend Zastava. Organizator ka qenë Gentian Sharra dhe neve na mori Talo Çela. Ne pritem (unë dhe Ilir Feçi) këtë zotëri që kishte florinjtë e kam goditur unë i pari me levë hekuri, mbas qafe ose në kurriz të njëjtën gjë bëri dhe Iliri, mua me ra leva nga dora. Kam marrë një nga çantat. U vonuam pak dhe me pas u larguam bashkë me Sharrën. Ngjarja ka ndodhur në parkim rreth orës 7:30 – 8:00. Ishte një parkim i hapur. Informacionin e kishte Gent Sharra. Kanë qenë 2 çanta një e kam marrë unë tjetrën e ka marr Ilir Feçi. Talo Çela po na priste tek makina me Gent Sharrën shoqërues, këto ishin për mbrojtje. Kishim një makin bënz blu e errët, nuk jam i sigurt për ngjyrën, tipi 200-250. Shkuam më pas tek shtëpia e Talo Çelës e cila ndodhet në Bradashesh, një shtëpi private 3 katëshe. Në shtëpi kam shkuar vetëm unë dhe Talo Çela. Iliri po na priste në rrugë me një makinë Rover me targa italiane. Çantat i lamë në katin e 3 të Talo Çelës dhe më pas u larguam. Eshtë shitur më pas në Korçë nga Iliri me gruan e vet e cila quhet Fije, në shumë 12 milion të vjetra një kg flori. Lekët mi dha Iliri mbas 10 ditësh, u takuam tek lagja” tregon Dumani.

Me kalimin e viteve, ai e përmend Sharrën në grabitjen e Shyqyri Shalës në Kavajë, pastaj në vjedhjen me dhunë të Hamit Haxhisë në Durrës, pastaj në vjedhjen me armë të Xhemal Liçit në Elbasan, pastaj në vjedhjen me dhunë të Hamdi Sharkës në Berat.

DYSHIMET SI PJESËMARRËS NË GRABITJEN E RINASIT 

Më parë, emri i Gent Sharrës kishte dalë në grabitjen e Rinasit. Në atë kohë, ai mori me qira servisin ku u bë modifikimi i furgonit, i cili u përdor për grabitjen e Rinasit. Servis “Genti”, i cili ndodhet në rrugën e vjetër Elbasan-Rrethrrotullimi i Bradasheshit, aty ku dyshohet se u modifikua enkas për grabitjen furgoni me mbishkrimin “Hetimi tatimor” është bllokuar asokohe nga Policia si provë materiale.

Mësohet se oficerët e Policisë sekuestruan prej andej kamerat e sigurisë, ndërkohë që pronari i servisit, Gentian Sharra, kishte konfirmuar se servisin ia kishte dhënë me qira shtetasit Eldi Çalës, aktualisht në burg i izoluar në sistemin 41-biss.

PATRONAZHIST DHE PËRFITUES I FONDEVE PUBLIKE 

Por pas ardhjes së socialistëve në pushtet, Sharra kaloi në një nivel tjetër. Përfitimet nga vjedhjet me dhunë ishin shumë të vogla krahasur me paratë që sillte politika.

Reputacioni si i fortë dhe lidhjet me kriminelë të tjerë të Elbasanit e avantazhonin në listën e patronazhistëve që u angazhuan në fushatën e Partisë Socialiste. Dhe pas zgjedhjeve, në objektiv ishin fondet publike.

Open Data zbulon se kompania e Olta Sharrës, bashkëshortja e Gentian Sharrës ka fituar disa qindra miliona lekë nëpërmjet tenderave të dhënë nga Bashkitë e Elbasanit, Librazhdit dhe të Cërrikut. Praktikisht ajo ka qenë fituese në tre bashkitë e qarkut të Elbasanit. Të dhënat më poshtë tregojnë se si kanë kaluar fondet publike tek kompanitë e familjes Sharra:

 

Tabela tjetër tregon se kompania e bashkëshortes së Gentian Sharrës ka përfituar disa tendera të Spitalit Psikiatrik të Elbasanit, me një shumë që shkon rreth 300 milion lekë.

 

SEKUESTRIMI I PASURISE NGA POLICIA 

Disa pasuri të Gentian Sharrës u vunë nën sekuestro pas rrëfimit të Nuredin Dumanit. Pasuria e sekuestruar në pronësi të familjes Sharra arrin në vlerën e 5 mln eurove. Mes pasurive ishte 1 vilë në lagjen Katund i Ri, truall dhe sipërfaqe të shumta toke dhe 4 automjete.

Sipas policisë, Sharra u vu nën akuzë për grabitjet që kishte bërë me grupine Talo Çelës, por ndaj tij nuk ka asnjë akuzë për përfshirjen në ngjarjen ku mbeti i vrarë Pjerin Xhuvani.

 

AKUZAT PER LIDHJEN ME TAULANT BALLËN

Kreu i Partisë Demokratike ka akuzuar kreun e grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla për bashkëpunim me Gentian Sharrën.

Berisha tha se Gentian Sharra ka blerë vota për PS-në.

“Mes Taulant Begos dhe Sharrës ekzistojnë të patën 50 telefonata dhe qindra kilometra zbardhje të gjata të këtyre bisedave. Biseda që e faktojnë Taulant Begon anëtar të inkriminuar të bandës së famshme të Elbasanit.Taulant Bego ka marrë përsipër, ka dhënë porosi nga më të paligjshmet dhe ka kryer detyra nga më të paligjshmet në interes të Gentian Sharrës”, tha Berisha.

Taulant Balla ishte një ndër njerëzit më të zëshëm pas vrasjes së Pjerin Xhuvanit në Elbasan, por ditët e fundit ai ka heshtur. Balla nuk e ka komentuar faktin se 2 ish-shefat e policisë në Elbasan gënjyen për vrasjen e Pjerin Xhuvanit, ndërsa këto ditë është në një vizitë në Rumani. Balla rezultoi deputeti më i votuar në Shqipëri, me mbi 21 mijë e 500 vota, edhe më shumë se Edi Rama. Pavarësisht rezultatit “spektakolar”, Rama e transferoi nga drejtues politik i Elbasanit në atë të Fierit dhe nuk e përfshiu në kabinetin qeveritar. ©Lapsi.al 

Si u zgjodh Princ Wied-i monark i Shqipërisë…. (Kur europianët bënin “sherr” për Shqipërinë…) Nga Ervina Toptani

…Mënyra e qeverisjes për Shqipërinë u propozua nga dy Fuqitë e Mëdha, më të interesuarat, Austro-Hungaria dhe Italia. Rëndësia që Fuqitë e Mëdha i dhanë hartimit të marrëveshjes për Shqipërinë u dokumentua më së miri nga vendimi unanim i deklaratës së tyre të garancisë. Konferenca e Ambasadorëve në Londër kishte për qëllim të rregullonte gjendjen e brendshme të Shqipërisë pas kaosit që la pas lufta ballkanike dhe të përcaktonte kufinjtë jugorë e veriorë të vendit.
Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit e filloi punën më 15 tetor 1913 në Vlorë. Puna për vendosjen e xhandarmërisë iu besua Hollandës. Oficerët hollandezë nën komandën e gjeneralit De Veer mbërritën në Vlorë në fund të muajit tetor dhe filluan menjëherë nga puna. Por detyra më e vështirë për Austro-Hungarinë dhe Italinë ishte përzgjedhja e monarkut që do të kryesonte shtetin e ri shqiptar. Kjo kërkonte zgjidhje urgjente e sa më efikase. Shumë kandidatë u treguan të gatshëm në mënyrë direkte për të marrë fronin e Shqipërisë. Ndër të tjerë ishin: Princi Fuad i Egjiptit, Franc Jozef i Battenberg, Duka i Montpensier, Princi Luis Bonaparte, Duka i Urach, Princi Wilhem zu Wied e disa te tjerë.
Italia e përjashtoi menjëherë Dukën e Urach dhe Princin e Battenberg-ut si katolikë e nuk ishin aspak dakord as për Princin mysliman Fuad. Italia nuk e shihte me simpati ardhjen e nje princi katolik ne fronin e Shqipërisë për shkak të përhapjes së kultursprotektoratit austriak e pranisë austriake gjithnjë në rritje në Shqipëri. Më në fund këto dy Fuqi të Mëdha ranë dakord që monarku pretendent nuk duhet t’i përkiste asnjërës prej tre feve të popullsisë së Shqipërisë. Ai nuk duhet të ishte as katolik, as mysliman e as ortodoks. I vetmi kandidat që e përmbushte këtë kusht ishte princi gjerman protestant Wilhelm zu Wied. Kurioz është dhe fakti që Fuqitë e Mëdha nuk dëshiruan që në listë të jetë edhe një pretendent shqiptar për fronin e vendit.
Por nuk munguan as incidentet e rradhës përsa i përket përzgjedhjes së monarkut. Në gusht të vitit 1913 Vatikani bëri përpjekje për të penguar përzgjedhjen e një monarku protestant në Shqipëri.
Ata nuk donin një monark të fesë protestante por as nuk mund te shprehnin një kandidaturë të tyren prej problemeve të mëtejshme që kjo gjë mund të sillte brenda pallatit të Quirinales, siç njihej ndryshe rezidenca zyrtare e Mbretit të Italisë. Një monark katolik do të kërkonte mbështetje nga Vatikani por kështu mund të krijoheshin çarje në marrëdhëniet e mëtejshme politike ndërmjet Italisë zyrtare dhe Shqipërisë. Por nëse do të zgjidhej një monark protestant atëherë Vatikani nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe për monarkun e ri, gjë që ishte përsëri shqetësuese për ta.
Atëherë Vatikani propozoi që në krye të fronit shqiptar të vihej Princi Egjiptian, me të cilin ata ishin vënë në kontakt më herët. Por të dyja Fuqitë e Mëdha e refuzuan propozimin e Vatikanit me argumentin se kjo kandidaturë ishte refuzuar nga pjesa më e madhe e patriotëve shqiptarë. Kështu përfundimisht u vendos që monarku i Shqipërisë do të ishte princi gjerman protestant Wilhelm zu Wied.
…. Kajzeri i Gjermanisë Wilhelmi II, kur u vu në dijeni për shpalljen e kandidaturës së monarkut të ri të Shqipërisë, tha një frazë që i la të gjithë të habitur e që u përmend në çdo artikull gazete më pas. Duke kundërshtuar përzgjedhjen e Wilhelm zu Wied-it për fronin e Shqipërisë ai tha: “Një burrë që varet nga bashkëshortja e cila merr vendimet në vend të tij dhe bën ligjin nuk mund të jetë kurrë sovran i denjë për asnjë popull. Shqipëria është vend i vështirë për t’u udhëhequr nga princesha Sofi”.
Shkëputur nga libri “Esad Toptani dhe shqiptarët në vështrimin europian”. Dituria, 2017, Tiranë.
Autori: Ervina Toptani

DOSSIER “Gratë e vajzat që vuajtën në burgjet e regjimit komunist dhe abuzimet që bëheshin ndaj tyre nga…”

Memorie.al publikon dëshmitë e rralla të Tanush Kasos, kryetarit të Shoqatës së Burgosurve Politikë të Shqipërisë, të publikuara në librin e tij “Kalvari i burgjeve komuniste”, ku nga rrëfenjat e bashkëvuajtëseve të tij dhe nga ato që ai vetë ka parë e dëgjuar për torturat që u bëheshin femrave të burgosura në qelitë e Hetuesisë dhe burgjet e atij regjimi nga oficerët e Sigurimit të Shtetit, të cilët abuzonin mbi gratë dhe vajzat e dënuara me dhunë fizike e përdhunime. Cilët ishin disa nga ata ushtarakë të lartë të Ministrisë së Brendshme që abuzonin ndaj femrave të dënuara dhe disa nga vetëvrasjet që erdhën si pasojë e kësaj dhunë të egër shtazore që u krye ndaj tyre?

Kalvari i gjatë i Musine Kokalarit

Dikur thuhej se “burgu për burrat është”. Dhe me të vërtetë, që nga krijimi i shtetit shqiptar e deri sa u shfaq komunizmi, historia e vendit tonë nuk ka njohur asnjë grua të burgosur për motive politike. Fill pas vendosjes së pushtetit komunist, në burgjet shqiptare u dukën të dënuarat e para politike. Ndër ato, më e hershmja duhet të ketë qenë intelektualja e trimëresha gjirokastrite Musine Kokalari, e cila më 12 nëntor 1944, ende pa marrë fund lufta e pa u vendosur qeveria në Tiranë, u arrestua nga larot e Enver Hoxhës, vetëm për idealet kombëtare e demokratike që ajo ushqente, të cilat binin ndesh me doktrinën marksiste. U mbajt në fshehtësi dy javë, diku në zonat që i kishin nën kontroll Brigadat e Kuqe dhe mbasi i’a vranë pa gjyq të dy vëllezërit e saj, Vesimin dhe Muntazin, gjithashtu intelektualë dhe atdhetarë të shquar, e liruan, për ta burgosur përsëri në janar të vitit 1946, mbas një aktiviteti të shkurtër që ajo ndërmori kundër regjimit gjakatar të sapo instaluar në Shqipëri.

Musinea do të kalonte krenare dhe e papërkulur për afër 40 vjet nëpër kalvarin e burgjeve dhe të internimit, duke u bërë simbol i qëndresës dhe i virtytit të femrës shqiptare. Kjo vajzë e talentuar, që ishte diplomuar në Universitetin e Romës, autore e tre librave dhe e shumë shkrimeve publicistike, të cilat synonin emancipimin e femrës dhe përparimin e kombit, që ishte një nga themelueset e Partisë Social-Demokrate Shqiptare, do t’i mbyllte sytë përgjithmonë e harruar dhe e vetmuar në vend internimin e saj në Rrëshen të Mirditës, më 14 gusht 1983, pa mundur të shihte përmbysjen e tiranisë komuniste dhe agimin e lirisë e të demokracisë, për të cilat e shkriu jetën.

Gratë që u burgosën e internuan

Me qindra gra e vajza prej familjesh fisnike, me një edukatë e kulturë të shkëlqyer, por edhe plaka të moçme e fshatare të thjeshta, regjimi komunist i përplasi pa mëshirë nëpër burgje, ku vuanin e keqtrajtoheshin njëlloj si burrat, por edhe qëndronin njëlloj si burrat, si amazona të vërteta, prandaj i quanin edhe “burrnesha”. Faji i vetëm i tyre ishte se nuk i përkitnin komunizmit, sepse donin një Shqipëri të lirë e demokratike. I akuzuan për “agjitacion e propagandë kundër pushtetit”, për “pjesëmarrje në kryengritje të armatosur”, për “strehim të arratisurish”, për “mos denoncim”, për “mbajtje armësh pa leje”, për “sabotim ekonomik”, për “tentativë arratisjeje”, për “tradhti të lartë” etj., etj.

Disa gra e vajza të guximshme i kishin konsumuar tërësisht ose pjesërisht këto nene për të cilat akuzoheshin. Ato kishin qenë kurdoherë pranë burrave në luftën e shenjtë për liri, për rrëzimin e diktaturës komuniste. Të tjera vetëm dyshoheshin si të tilla, por ishin arrestuar e dënuar pa kurrfarë provash. Shumë prej tyre ishin viktima të hakmarrjes politike të regjimit të Hoxhës, i cili nuk kishte ç’tu bënte burrave, vëllezërve e baballarëve të tyre që luftonin maleve për liri ose që kishin shkuar jashtë shtetit, ku përpiqeshin e punonin për çështjen kombëtare. Nga torturat dhe vuajtjet pa fund, ato gra e vajza aq të brishta e të bukura u thinjën e u plakën para kohe. Shumë nga ato nuk patën fatin të gëzoheshin me fëmijë. Ato u privuan nga e drejta natyrore për të qenë nëna.

Puna e rëndë e krahut, varfëria dhe “biografia” nuk i’u ndanë as mbas daljes nga burgu, gjer në vdekje. Kështu kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste më shumë se 7367 gra e vajza, ndër të cilat kujtojmë: Musine Kokalari, Neva Frashëri, Olimbi Gavoçi, Frida Sadedini, Lavdie Petrela, Marie Ranxi, Marta Doda, Dylbere Pazari, Hazize Ferhati, Qefsere Bega, Liri Prifti, Shega Këlcyra, Semiramis Vërlaci, Erifili Bezhani, Rita Koka, Merushe Topulli, Elza Koh, Fatime Hoxha, Luçie Kola, Elsa Çika, Asamble Hatibi, Sanie Kosova, Gabriela Radiba, Fatbardha Qorri, Ana Daja, Terezina Pali, Adile Boletini, Vera Dema, Nexhibe Taraku, Agime Pipa, Drita Kosturi, Dhora Leka, Lefteri Dvorani, Ganimet Toptani, Ganimet Cuka, Mereme Gjuta, Pranvera Keqi, Qerime Bone, Viola Beqiri, Bianka Balliçi, Sanie Kollçinaku, Xhovana Qatja, Nurie Koculi, Hanza Borshi, Mih Riko, Samo Doko, Dodona Dako, Marika Dhima, Ana Dhamo, Zhaneta Ogranaja, Simona Koldai, Dragica Mosko, Alije Sula, Fiqiret Prishtina, Gjylso Kalo, Elena Preza, Delfiniz Prenushi, Merita Sokoli, Derka Panizeniç, Mine Shima, Afërdita Hajrullai, Fatime Demçe, Nadire Shima, Hilmie Lakasi, Lumturi Bakiri, Liri Mitrovica, Lindita Beka, Marie Levendi, Suzana Topçiu, Pranvera Lamaj, Behije Kalaja etj.

Burgjet ku vuajtën gratë

Gratë e burgosura në vitet e para mbaheshin në burgjet e burrave, në qytete të ndryshme, si Korçë, Tiranë, Shkodër etj., por në dhoma të veçanta. Më 1957-n gratë u grumbulluan në Burgun e Artizanatit, në Tiranë, ku bënin punë të ndryshme si rrobaqepësi, hekurosje, kopshtari, pastrime të ndryshme etj. Burrat e këtij burgu ishin të ndarë e nuk komunikonin me to. Më 1961-shin u krijua një kamp i punës së detyruar për gratë afër qytetit të Kuçovës, ku shfrytëzoheshin në punë të rënda bujqësore. Më 1970-n u vendosën në fshatin Kosovë të Dumresë, 50 km larg Elbasanit.

Kushtet e diferencuara higjienike, që janë të nevojshme për to, nuk merreshin aspak parasysh nga komanda e burgut. Papastërtia, era e rëndë dhe parazitët e kokës e të trupit përbënin një torturë me vete për ato fatzeza. Ligji nuk përfillte as gratë shtatzëna. Ato dënoheshin e mbaheshin njëlloj si të tjerat. Për t’u përmendur është rasti i Liri Gegës, e cila, duke qenë me barrë, u arrestua dhe u pushkatua bashkë me të shoqin, Dali Ndreun, që të dy militantë të Luftës Nacionalçlirimtare. Kjo u bë e njohur botërisht nga një fjalim i Nikita Hrushovit. Por nuk është i vetmi rasti i pushkatimit të grave shtatzëna. Të tilla kanë vdekur nga keqtrajtimi në hetuesi. Nuk lejohej asnjë mjek i familjes të bënte autopsinë e tyre.

Njihen disa raste lindjesh në burg të grave të arrestuara në gjendjen e shtatzënisë, të cilat nuk paraqisnin kurrfarë rrezikshmërie shoqërore. Në burg, por sidomos në birucat e izolimit, disa hetues të autorizuar përpiqeshin t’i nënshtronin gratë duke i përdhunuar. Në Burgun e Burrelit, siç tregonin të burgosurit e vjetër, gratë qëndronin të bashkuara si një trup i vetëm. Musinea me shoqe nuk lejonin që policët t’i shkëpusnin vajzat e reja prej tyre, gjoja për të fshirë e pastruar korridoret dhe oborrin. Ato dërgonin ndonjë plakë për të bërë pastrimin. Kështu e ruanin nderin dhe krenarinë e tyre. Por, gjatë paraburgimit, në qelitë e hetuesisë ka pasur raste kur ndonjëra është çnderuar me forcë nga ndonjë kryepolic ose hetues si: Nevzat Haznedari, Xhavit Struga, Skënder Kosova dhe ndonjë tjetër i pajisur me “carta Bianca”.

Disa gra janë vetëvrarë gjatë hetuesisë dhe të tjera janë çmendur. Drejtësia komuniste nuk shqetësohej fare kur arrestonte nënat me fëmijë, duke shkatërruar kështu familjen. Ndoshta ky ishte dhe qëllimi i fshehtë i saj. Për Sigurimin e Shtetit, çdo grua e huaj e martuar me një shqiptar ishte një “agjente e huaj” që duhej survejuar gjithmonë dhe në rastin më të parë të arrestohej, të dënohej dhe të asgjësohej, ose të largohej nga Shqipëria. Është një listë e tërë e këtyre grave fatkeqe, të cilat dashuria njerëzore i solli në këtë vend “romantik” të Ballkanit dhe që pastaj kaluan nëpër kalvarin e burgjeve komuniste.

Po përmendim disa prej tyre: Xhovana Simoneti, italiane, martuar me Haki Qatën, nga Tirana. Që të dy u burgosën dy herë: Bianka Balliçi, austriake, e martuar me Nedin Balliçin, nga Elbasani. Bëri dhjetë vjet burg në gjendje çmendurie. Mbas lirimit vdiq në spitalin psikiatrik. Barbara Orgocka, polake, burgosur si edhe i shoqi, inxhinier, Vasil Orgocka, nga Korça. Vanda Tiko, polake, martuar me mjekun Lefter Tiko nga Korça, burgosur të dy. Elena Cami, ruse, martuar me ing. Minella Cami nga Korça. Burgosur të dy. Dina Thaçi, ruse, e martuar me Ahmet Thaçin nga Shijaku. Arrestuar që të dy. Barbara Haxhihasani, hungareze. I shoqi, Fatos Haxhihasani, vari veten në hetuesi. Ajo u çmend në burg. Viola Beqiri, çifute ruse, me arsim të lartë. Akuzohej për spiunazh. Sigurimi e detyroi burrin dhe fëmijët që ta braktisnin.

Si pasojë e burgosjes ose e pushkatimit të njerëzve të familjes së tyre dhe e luftës psikike që bëhej mbi to, mjaft nëna, motra, gra e vajza me ndjenja të brishta kanë humbur aftësinë mendore. Disa prej tyre kanë kaluar deri në vetëvrasje. Kështu përfundoi e shoqja e Teme Sejkos, që i vranë burrin dhe një djalë, ndërsa tjetrin ia burgosën. Bujana, vajza e urtë dhe e zgjuar e Tuk Jakovës, edhe sot endet e çmendur nëpër Tiranë. Nuk mund të mos çmendej edhe Mereme Gjuta, së cilës ia hodhën te pragu i derës fëmijët e saj të bërë shoshë nga plumbat e komunistëve teksa u orvatën të shpëtonin nga thonjtë e diktaturës dhe të dilnin në botën e lirë. Sikur të mos mjaftonte kjo, kriminelët e Sigurimit e burgosën atë nënë fatkeqe.

“Çnderimi” një torturë më vete

Vetëm pas shembjes së diktaturës u arrit të konstatoheshin pasojat ende të freskëta të gjëmës antinjerëzore. Në vitin 1991, një komision i Helsinkit, mbasi u njoh me “dosjet e gjalla”, arriti në përfundimin se këto vende kishin qenë një ferr i vërtetë. Deri vonë ekzistonin pranë hetuesve të burgjeve e të Degëve të Brendshme dhoma të posaçme torturash. Mjaft njerëz që kanë pasur fatin e keq të hyjnë në to nuk kanë mundur t’i tregojnë askujt ato që provuan mbi trupin dhe shpirtin e tyre mbasi kanë dalë të vdekur që andej.

Por, përveç vdekjes, si të fundit të torturave, ekspertët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të asaj kohe e dinin se ndjenja e çnderimit është poshtëruese për një femër. Ajo e mposht krenarinë e saj dhe e bën të nënshtrohet. Prandaj edhe vepron pa hezitim në këtë drejtim. Nga disa të burgosur shkodranë tregohen rrëfenja të vërteta mbi përdorimin e kësaj metode torturimi që punonjësit e Sigurimit ushtronin mbi disa gra e vajza të të pushkatuarve, të arratisurve e të burgosurve. Shumë herë atyre u kishte hasur sharra në gozhdë, kishin ndeshur rezistencën e vendosur të këtyre femrave, që përpara nderit kishin pranuar vdekjen duke u hedhur nga dritaret e shtëpive ose që pas përdhunimit ishin vetëvrarë.

Vetë ish-kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të Shkodrës, Hilmi Seiti (i cili më pas do të vdiste mizorisht nga dora e Sigurimit të Shtetit), këtë lloj torture, që i falte kënaqësi, e kishte metodë të vazhdueshme pune. Tregojnë se ai ngjitej me shkallë natën dhe futej nga dritarja në shtëpinë e ndonjë gruaje të vetmuar dhe mbasi kryente punë, nën kërcënimin e revolverit, e detyronte të nënshkruante deklaratën e bashkëpunimit me Sigurimin. Ai kishte arritur të shtinte në dorë një artiste të re e të bukur, shumë të njohur në qytetin e Shkodrës, që i përkiste një familjeje me të arratisur, të pushkatuar e të burgosur. E mbante si mantenutë dhe si agjente personale, aq sa kishte rënë shumë në sy dhe ishte bërë objekt bisedash.

Po ashtu, Llambi Peçini, kur ishte kryetar i Degës së PB në Fier, me këtë mënyrë torture kërkonte t’i nënshtronte disa femra prej familjesh “të prekura” politikisht, si dhe disa të internuara.

Rastet e ‘gjalla’

Rreth viteve ’60, në një fshat të Dibrës, punëtori i Sigurimit i vuri syrin një vajze të fshatit që ishte ndërkaq e fejuar me një fshatar. Operativi i krijoi një akuzë false të fejuarit të vajzës, të cilin shumë shpejt e arrestuan. Ndërkohë që ai vuante burgun në kampin e Rubikut, vajza ra në duar të punonjësit të shtetit. Kur i shoqi mësoi të vërtetën, për habinë e të gjithëve, e humbi kontrollin, mbuloi kokën me një batanije dhe i nxori të dy sytë. E shtruan në spital, por asgjë nuk mund t’ia kthente shikimin, e me gjithë këtë, e rikthyen në burg.

Një rast tjetër është ai i Lezhës e Mirditës. Punonjësi i Sigurimit njihej nga fshatarët e zonës me nofkën “Toger Baba”. Përdorte dhunë të tmerrshme. I fuste vajzat në një thes, lakuriq, e brenda fuste edhe një mace. E qëllonin më pas macen dhunshëm në mënyrë që t’i çirrte gratë e shkreta. Ky rast ekstrem pati ankesa nga gjithë banorët e fshati dhe qeveria, për të larë duart, e ekzekutoi dhunuesin./Memorie.al

VDES PREJ TORTURASH DON EJËLL DEDA – Nga Fritz RADOVANI

Pjesa Nr.42. Zamak i Flamurit Kastriotit…

DON EJëLL DEDA

(1917 – 1948)

                                                              “Kam ndigjue keq per komunistat, aq sa

                                                                 vetë Mehmet Shehu ka pi gjak njeriut.”

                                                                                                        Don E. DEDA (1947)

Shpesh njeriu mbetet para një fotos tue mendue me vete: “Sa shumë i ka takue me kalue një popullit aq të vogel, sa ishte Populli i vuejtun Shqiptar!”

Don Ejëll Deda ishte djali i një familjes qytetare të Shkodres, i lemë me 23 Mars 1917. Shkollen fillore e kreu nder Freten, ndersa të mesmen n’ Jezuit.

Asht Shugurue meshtar me 24 Shkurt 1943, në kishen e Jezuitve nën kujdes të Don Mikel Koloqit. Meshen e parë e thotë në kishen Kathedrale Shkoder.

Emnohet famullitar në Bushat. Per fat studjuesi Pjeter Pepa ka lanë kujtime të sakta per Priftin e rij dhe të perkushtuem, në rrugen e vështirë të Tij.

Ishte vertetë i rij po shumë i përgatitun dhe me një oratori shumë terhjekse per besimtarët e asaj famulli, ku gjithnjë shquheshin klerikët e saj.

Shpesh besimtarët e këshillonin me pasë kujdes kur predikonte, se mos bije në sy të sigurimit dhe e arrestojnë dhe po mbeten pa Prift. Po Don Ejëlli i thonte i lutem Zotit, që të mos rreshtohej në burgje me të martirizuemit, dhe të vujtunit e, sa per Famullinë e Tij do të mendonte Zoti. Në fakt kishte ra në sy si antikomunist, po tue kenë prift dhe predikatar i mirë, sa vinte dhe vështirsohej gjendja e Tij, mbasi sigurimi atë detyrë kishte faj e pafaj: Vumje prangash dhe formime akuzash ku ishin ma të rrebtat per klerin.

Arrestohet me 12 Nandor 1947 dhe provon turturat ma mizore të sigurimit kriminal e vrastar të diktatorve barbar të Shqipnisë “porsa të çliruar”!!

Hapet “Dosja 7327” nga hetuesi i njohun Ali Xhunga, masakrues i njohun.

Fillon deponimet Don Ejëlli nga shkollat e perfundueme dhe idea që i ishte formue per komunizmin, kur kishte ndigjue që Mehmet Shehu ka pi gjakun e njeriut. Tregoi keqardhjen per mbylljen e Revistave fetare e perndjekjen e klerit pafajshem Katolik. Flet edhe per diktaturen ruse që asht në pushtetin e qeverisjes shqiptare. Tregon edhe një ngjarje të disa fshatarve që ishin aso kohe në mendimin e arratisjes, po nuk ishte takue prej kohësh me ata.

Aspirant Ali Xhunga tregon edhe inventarin e pasunisë gjetun tek qela e Tij.

Kryesisht në dosjen e Don Ejllit bie në sy perpjekja e hetuesit Ali Xhunga, që me lidhë Don Ejllin me Organizatën “Bashkimi Shqiptar” të Shkodres. Ajo që randon procesin e Don Ejllit asht akuza se: Gjoja ka nxitë grupin politik të Bushatit, me dalë nder male dhe nën drejtimin e Vlash Çunit, me luftue kunder pushtetit popullor bashkë me një grup të paknaqun fshatarësh. Kur shperthej Lëvizja e P0stribës nuk kam dijtë gja, e mora vesht nga populli.

Po ashtu, edhe mbas pak kohe kur flitej se tek Kisha e Fretenve janë gjetë nën elterë armë e dokumenta, unë nuk e kam besue ate ngjarje. Ky klerikë shenohet në proces nga Ali Xhunga, ka pasë lidhje edhe me Dom Tom Lacen me të cilin, kanë organizue simbas udhzimeve të marruna nga naltë, luftë të armatusun kunder Pushtetit. Don Ejlli asht organizator i kësaj Lëvizje.

Në Proces verbalin e gjykatës shenohet: Prokuroria Publike e Prefekturës së Shkodres, me aktakuzen e saj nr. 8, (datë s’ka) i solli kësaj gjykatë aktet hetimore të rrjedhura kundra të pandehurit Dom Ejëll Deda, nga Shkodra dhe banues në Bushat, famullitar i këtij fshati, per fajin se: Si klerik ka punuar vazhdimisht per të përgatitur terrenin per okupimin e vendi tonë nga fashizmi. Gjatë luftës ka propaganduar kunder Lëvizjes N. Çl., duke e paraqitur komunizmin si të pafe e komunistët si njerëz që pijnë gjak njeriu.

Mbas çlirimit, tue fillue nga lidhjet me Organizaten “Bashkimi Shqiptar” e, tue vazhdue procesi si masiper, mbyllet tue paraqitë vetë Dom Ejëll Deden, si organizator i grupit antikomunist, per me rrëzue pushtetin popullor. Në famullinë e Tij shenohet se edhe ka propaganduar tek fshatarët t’ arratisen.

Trupi Gjykues i përberë nga kryetar: Kapiten II Pertef Alizoti, anëtarë toger Basri Idrizi e Anastas Koroveshi, në prani të prokurorit Qemal Llazani, solli të pandehurin nga burgu, u pyet dhe tha se, quhej Dom Ejëll Deda, i biri i të Ndjerit Gjon dhe i Drandes, vjeç 30, i lindun në Shkoder e banues në Bushat me shkollë të naltë teologjike. I arrestuem me daten 12 Nandor 1947. U pyet per akuzen dhe tha: Studimet e nalta i kam krye në vitin 1943 në Shkoder e u emnova në Bushat. Nuk më ka ardhë mirë per pushtimin nga Italia. Unë e kam urrye Lëvizjen N. Çl., e nuk doja të vinin ata në qeverisje t’ Shqipnisë.

Vendim i Gjykatës:

Persëritet edhe njëherë materiali i përgatitun nga Aspirant Ali Xhunga. 

Ai shenon: “Sado që i pandehuri Dom Ejëll Deda u mundua të mohojë të vertetën. Kjo provohet nga atribuimet që i bëjnë njeritjetrit.” (Dosja 7327)

“E verteta” nder dosjet e Sigurimit ishte vetem ajo që shkruente hetuesi ose prokurori dhe, që merrej per bazë nga gjykata me të shkurtue edhe jeten.

Në bazë të nenit.., Ligji 372, i dt. 12 Dhjetor 1946, mbi fajet penale kunder Shtetit e Popullit, e cilëson fajtor Dom Ejëll Dedën dhe, e dënon 10 vjetë me privim lirije e punë të detyruar. I ngarkohen dhe shpenzimet e gjyqit, 54 L.”

I dënuemi Dom Ejëll Deda, nuk bani as dy vjet burg nga dënimi i dhanun, mbasi torturat shnjerzore e kishin ba të veten. Kaloi pjesen ma të madhe të kohës në spitalin e burgut, ku Don Ejlli edhe vdes në moshen 31 vjeçare.

Ishte 31 vjeç kur u nda nga kjo jetë plot vuejtje, mundime, tortura e shpifje!

31 vjeç mbytet nder tortura pa asnjë provë fajsije, vetem me hamendje tue u nisë sesi Klerik Katolik, ky nuk na do ne, prandej edhe duhet zhdukë. Edhe tortura ishte mjet shfarosje per njerzit që urrente Sigurimi i shtetit. E kjo që ka ngja me Klerikët Katolik në Shqipni, nuk besoj se njihet nder vendet tjera komuniste jo vetem të Lindjes, po as në ata ma të mbrapambetunat.

Nga jeta e Këtij Martiri të Kishës Katolike në Shqipni, ruhet një Kujtim:

Nga një dëshmi e Don Lazer Sheldisë në Brazil aso kohe, tregon sesi kishin rreshtue persekutuesit 11 vetë per ekzekutim të menjëhershem me 4 Mars 1946, mbas Vorreve të Rrëmajit në Zallin e Kirit. Aty ishte i pranishem dhe Dom Ejëll Deda e një doktor italian, që do të dëshmonte ekzekutimin e tyne.

Reshti i të burgosunve i fali ekzekutorët e tyne e thirrën, per lavdinë e Zotit e të Shqipnisë, nderkohë që armët filluen me hapë zjarr.

Ata ranë përtokë tue perqafue njeni-tjetrin.

Dom Ejllit ju dha një mundësi e pazakontë, që t’i ndante aty t’ekzekutuemve

Sakramentet e fundit. Ndersa vepronte kështu, Ai zhyste një copë të madhe pambuk në Gjakun e sejciles viktimë. Sot kjo Rrelike pambuku asht ruejtun në një prej Familjeve katolike të Shkodres. (Dëshmi e Don L. Sheldisë).

E pa kalue viti në burgun e Shkodres, i shkatrruem fizikisht nga torturat mbi trupin e Tij, vdiq edhe Don Ejëll Deda, në moshen e bukur 31 vjeçare.

Po me humbjen e jetës së Tij, humbi edhe Trupi i Atij Meshtari Martir!

Kujtimet e atyne ditve të zeza që ka kalue Shqipnia dhe kryesisht Shkodra, sot shumica janë të pabesueshme nga vetë rinia Shqiptare. E kur njeriu hapë një bisedë per me tregue një ngjarje si kjo, e 31 vjeçarit Don Ejëll Deda po, në qytetin e Shkodres ku janë zhvillue këto tmerre të mnershme, shumë vetë të pranishem hapin sytë e të shikojnë të çuditun dhe habiten sesi asht e mujtun me pasë ngja një barbarizem si ky, me një djalë universitar 31 vjeçar në qytetin e kulturuem të Shkodres, e pse? – Ishte Klerik Katolik Shqiptar!

Sot Rinia Shqiptare asht para fakteve dhe detyrave të mëdha, ndonse pjesa ma e madhe kerkon shpetimin me ikjen jashta shtetit “rilindur” komunist.

Nuk asht e gjetun rruga e vertetë e shpetimit! E njëditë, Europës do të vijnë e ti kujtohet se, kjo Rini Shqiptare që po përhapet nëper Botë pa asgja mbas shpirtit: Asht Rinia trashigimtare e Zamakve të Flamurit Gjergj Kastriotit, bash e Atij Skenderbeut, që Ju la trashigim Gjakun e Shqiptarit!

            Melbourne, 27 Qershor 2022.

“Kryetari i Degës së Brendshme të Patosit, më thirri në zyrë dhe më propozoi të bëhesha bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit”- Dëshmia e gjeologut të Naftës!

Një ditë isha ulur në kafene me një kolegun tim për të pirë kafe. Në bisedë e sipër ai me tha: “Do të tregoj një ngjarje që deri tani dhe vetes time, nuk doja t’ja përsërisja, sepse dhe sot në demokraci, kur e kujtoj dridhem”?! Atëherë i thashë: nëse krijon rrezik për ty apo për familjen, të lutem mos ma trego as mua. “Jo, jo u përgjigj ai, sot ajo ngjarje ka ngelur vetëm si kujtim i hidhur”. Kur është kështu, mirë atëherë, nëse lehtësohesh ma trego…! Pikërisht, ndershmëria dhe miqësia tënde, me lehtësojnë po të rrëfehem?!

 

“Mbas mbarimit të Fakultetit Gjeologji-Miniera, ministria me emëroi inxhinier gjeolog në Ndërmarrjen e Kërkimit te Naftës në Patos. Dhe në 2 maj të vitit 1957, fillova punë. Mbas nja 5-6 muajsh, shefi i Degës së Kuadrit, më njoftoi se me kërkonin në Degën e Brendshme të Patosit. E pyeta shefin: përse më kërkojnë? ‘Nuk e di’- u përgjigj ai. Të nesërmen në mëngjes, u nisa për në zyrën e Degës Brendshme. Duke ecur gjatë rrugës, m’u kujtuan porositë e babait: ‘Tani do fillosh punë; do të hysh në jetën e punës me shumë halle dhe çdo hap që të hedhesh në jetë; të jetë e matur. Regjimi ne të cilin jetojmë ne, është regjim komunist dhe ka si parim, Diktaturën e Proletariatit apo te klasës punëtore prandaj, duhet të punosh seriozisht dhe pa hile, sepse ky regjim, nuk bën shaka dhe nuk të falë, kushdo qofsh.

Në kafene apo në klube, të kesh kujdes mos të flasësh pa u menduar, duhet të ruhesh dhe nga shoku më i ngushtë, sidomos për problemet politike. Unë mendoj se rruga më e mirë dhe me e drejtë për ty, është të merresh me studime shkencore të profesionit tënd, sepse shkenca është pak më larg politikës dhe se si shtet në formim, qeveria ka nevojë për shkencëtarë të ndershëm dhe punëtorë. Kam dhe një porosi të veçante: Mundet, që Sigurimi i Shtetit, të kërkoi të bashkëpunosh. Në ketë rast, ka dy rrugë: Po të pranosh, do të spiunosh shokët dhe kolegët e t’u; po të mos pranosh, ata mund të fusin në burg.

Pra, është problem i vështirë. Ka dhe një rrugë të tretë, por është me shumë rrezik, të luash rolin e budallait. Por po të kuptuan mund, të përfundosh në çmendinë’?! (Babai im në kohën e Mbretit Zog, punonte sekretar në zyrën e rekrutimit, ndërsa në regjimin komunist, punonte teknik i qendrës së mobilizimit të ushtareve). Unë duke përpunuar në mëndje këshillat dhe mendimet e babait tim, pa pritur dëgjoj një zë: Hajde inxhinier. Hajde, se po te presim. Përpara meje qëndronte një mesoburrë me fytyrë të qeshur…! Më shtrëngoj dorën dhe me ftoi në zyrën e tij, duke u prezantuar: ‘Jam kryetari i Degës Brendshme të Patosit; ndërsa unë, ju përgjigja; Inxhinier gjeolog, Muhamed Sinjari, punonjës në Ndërmarrjen e Kërkimit të Naftës në Patos.

‘Shumë mirë’ u përgjigj ai dhe më ftoi të ulesha. Ai vazhdoi të më pyeste a isha i martuar, për prindërit, etj., dhe së fundi plasi bombën: ‘Partia dhe populli të dhanë mundësinë të bëhesh intelektual me profesion inxhinier gjeolog, për të cilën shteti ka shumë nevojë. Prandaj, duhet t’ja shpërblesh Partisë dhe popullit’.

Unë ju përgjigja se, jam gati të punoj me të gjitha forcat e mija atje, ku ka nevoje atdheu. ‘Bravo’ u përgjigj ai! Tani dëgjo: Ne, Dega e Brendshme e Patosit, të propozon të punosh me ne. A je gati’? Unë ju përgjigja: që në vogëli kam ëndërruar të bëhem detektiv, ju faleminderit, i thashë kryetarit dhe u ngrita për të ikur. ‘Prit’ – tha kryetari,- ku shkon’? Në ndërmarrje të bëj dorëzimet, pastaj të shkoj në Komitetin e Partisë, t’i njoftoj ata dhe pastaj, të vij këtu të filloj punën me ju.

Kryetari ngriu në vend dhe ju drejtua personit tjetër që ndodhesh në zyrë: ‘Ore Kozma, a ja ke shpjeguar inxhinierit ato që të thasë unë? ‘Jo shoku kryetar, se nuk pata kohë i tha ai, pastaj, m’u kthye mua: ‘Dëgjo more djalë se, qenke pak i nxituar ti. Ti do të punosh në ndërmarrjen ku të ka caktuar ministria, por njëkohësisht, do punosh dhe me ne’. Dy punë në të njëjtën kohë, ju përgjigja unë?! Po ju shoku kryetar, sa pune bëni? Ai u përgjigj pa u menduar: ‘Një’. Po unë, si ka mundësi të bëj dy punë, në të njëjtën kohë, nuk mund t’i bëj.

‘Po mirë, përse do shkoje në Komitetin e Partisë’ më pyeti ai? Sepse, ju përgjigja unë; shoku Enver ka thënë: asgjë mos i fshihni Partisë; dhe unë për çdo problem serioz, që lidhet me mua, njoftoi menjëherë Komitetin e Partisë. Unë zbatoj me përpikëri fjalët dhe porositë e shokut Enver. Ato për mua, janë të shenjta!

Ai ju drejtua Kozmajt: ‘Ku e gjete këtë mostër ti?! Kozmai ju përgjigj: Ju shoku kryetar më thatë të gjeja inxhinier të rinj për punën tonë. Unë ndërhyra: Shoku kryetar, nëse nuk ka vend pune për detektiv, unë si fillim le te punoj si oficer policie, më vonë për detektiv. Dhe u ngrita prapë të ikja. Ai më ndaloi, duke thënë: Ku shkon ti, qenke i nxituar?! Dakord të punoj si oficer policie dhe të shkoj në ndërmarrje të bej dorëzimet dhe të bëj edhe njoftimin në Komitetin e Partisë dhe se fundi te vij këtu, të filloj punën. Ai u nxeh dhe tha: ‘Ore Kozma, qenka fare ky, ti sikur e ke gjetur me porosi, ky qenka fare torollak’. Unë ndërhyra: të lutem shoku kryetar, mos na ofendo!

‘Dëgjo more djalë: Meqenëse shoku Kozma, nuk ta ka shpjeguar mirë detyrën, unë po ta përsëris më qartë: ti do punosh në Ndërmarrjen e Kërkimit të Naftës si inxhinier, por njëkohësisht, do punosh dhe për ne’. Ju thash dhe po e përsërit prap, dy punë njëherësh nuk i bëj dot. Ju shoku kryetar, zgjidhni dhe më caktoni se ku të punoj, por një detyre. ‘Pse’ – u shpreh kryetari – shokët e t’u që i bëjnë të dy detyrat? Gënjejnë, ju përgjigja unë; thonë se i bëjnë, por në fakt, nuk bëjnë asnjërën, ja fusin kot. Unë i shërbej atdheut me ndershmëri, siç na mëson shoku Enver dhe nuk i fsheh asgjë Partisë, unë jam njeri i ndershme, çdo problem, që më kërkohet ta zgjidhë, përpiqem me të gjitha mundësitë e mija ta zgjidhë, po nuk e zgjidha, i drejtohem Partisë, nëpërmjet Komitetit Partisë, për ndihmë!

Këto janë mësimet e shokut Enver! Besoj se dhe ju veproni kështu, apo jo shoku kryetar dhe ju nuk i mbani të fshehta Partisë; apo jo shoku kryetar? Ai u përgjigj menjëherë: pa tjetër dhe unë i pari zbatoj porositë e shokut Enver! ‘Por Partia dhe shoku Enver, na ka porositur, që Sigurimin e Shtetit, si arma më e mprehtë e Diktaturës së Proletariatit, ta kemi të fortë, që të godasim armiqtë e Partisë dhe të popullit, apo jo’? Po, ju përgjigja unë. ‘Atëherë’ – vazhdoi kryetari,- që ta kemi Sigurimin e fortë, duhet të na ndihmoni dhe ju, dakord’? Po ju përgjigja unë, jam gati qysh tani të filloj punë këtu në Dege, por dy punë në të njëjtën kohë nuk mund të kryhen. Unë nuk mund ta gënjej Partinë dhe shokun Enver. Shoku Enver në veprat e tij, që ju i keni lexuar patjetër, ka shkruar: secili të bëj punën e tij me ndershmëri dhe pastër dhe unë, veprat e shokut Enver, kam yllin ndriçues.

Tani mbasi të mbarojmë bashkë, unë do të shkoj menjëherë në Komitetin e Partisë dhe do t’ju shpjegoj bisedën tonë. Ata e dinë vetë, si do të më udhëzojnë, por çdo udhëzim brenda mësimeve të shokut Enver, ndryshe unë nuk e zbatoj. Kryetari u nxeh dhe ju drejtua përsëri Kozmajt: Ku ma gjete këtë idiot dhe budalla, që nuk po na ndihmon në punën tonë. Unë ndërhyra: nëse ju shoku kryetar, quani budalla dhe idiot, një besimtar të veprave të shokut Enver, atëherë t’i zgjidhim punët në Komitetin e Partisë dhe u ngrita, kur ai më ndaloi: Ku shkon? Në Komitetin e Partisë, ju përgjigja unë.

‘Ulu, ulu’ – më tha me zë të zbutur, se në Komitetin e Partisë, do shkoj unë dhe të bisedoj me ta, sepse ashtu siç the dhe ti: ne e kemi porosi nga shoku Enver, që çdo problem, ta diskutojmë dhe zgjidhim me Partinë. Ti qenke një kokë shkëmb, – tha kryetari. Jam kokë shkëmb – ju përgjigja unë, se zbatoj porositë e shokut Enver. Ai është udhëheqësi ynë i madhe dhe i gjithë populli, zbaton porositë e të madhit Enver Hoxha. ‘Tani, ik zhduku dhe puno mirë në ndërmarrje’. Unë vazhdova: Me premton që do shkoni ju në Komitetin e Partisë për bisedën tonë, apo të shkoj unë? Ai u nxeh dhe vazhdoi: ‘Të thashë se do shkoj unë, se e kemi detyrë

“O kujtime kujtimet e mija! Sa pisk e kam me ju; O kujtime” Shprehja e një shkrimtari, filozofi dhe profesori….por nuk me kujtohet!

Ishte koha e fillimit të ashtuquajturës demokraci. Unë isha nisur tek kafeneja e një shokut tim të klasës në Tiranë, kur dëgjoj një zë: Profesor, profesor? Kthej kokën dhe vura re se para meje, qëndronte një ish – nxënësi im, Mihali. I thashë: Ku je more Mihal? U bë kohë e gjatë pa u takuar; si je? ‘Mirë – u përgjigj ai dhe vazhdoi – po ju profesor si jeni? Tani mirë, por kam qenë me shumë siklet?! ‘E di e di’ – u përgjigj Mihali. Nga e di ti? Kush ta ka thënë? ‘Dëgjo profesor – vazhdoi ai: Në atë periudhë kohe, mua sapo më kishin caktuar në detyrën e Shefit të Sigurimit të Shtetit, për gjithë sektorin e Naftës. Dhe më pyetën shokët e Ministrisë, se si e njihni një inxhinier gjeolog, Hazbi Shehu? Po, ju përgjigja, më ka dhenë mësim në Teknikumin e Naftës. Është njeri i ndershëm, studiues, punëtor, nuk i ka qejf klubet, pijet, e nuk ka vese që e dëmtojnë njeriun. Përse më pyesni, e pyeta? Sepse Dega e Punëve të Brendshme e Patosit, i ka propozuar për bashkëpunim; kurse ai nuk ka pranuar dhe, është sjellë keq me kryetarin e Degës të Patosit dhe ata, kanë propozuar të merren masa për të. Ti, çmendim ke? Të dënosh njerëz të ndershëm si ai, do bënim shumë gabim. Shoku Enver, na porositi, të jemi të kujdesshëm me njerëzit dhe mos të dëmtojmë njerëzit tanë, se lemë përshtypje të keqe në popull! Njerëzit me të cilët ai ka punuar dhe punon, kanë përshtypje shume të mira për te. Mirë, thanë shokët e Ministrisë, analizoje mirë ketë rast dhe na kthe përgjigje?

Unë e kam shumë të qartë sjelljen dhe karakterin e tij dhe po e përsëris, nuk duhen prekur njerëz të tillë. Mire – u përgjigjen ata – na dërgo përgjigjen me shkrim. Unë ja dërgova përgjigjen dhe çështja tuaj profesor u mbyll, me gjithë kundërshtimet e kryetarit të Degës së Brendshme të Patosit, sepse e vendosa unë. Ketë e bëra, jo për ju, por sepse ashtu ishte e vërteta. Po tani si shkon me pune O Mihal? Kemi rënë nga fuqia ne tani. S’është e vërtetë – ju përgjigja – edhe tani gjithë pushtetin e kanë ish- sigurimsat dhe komunistët kudo, në çdo post, por unë tani nxitohem se kam takim me ish-shokët e klasës, tek kafeneja e një shokut tonë. Takohemi njëherë tjetër, dhe u ndamë”.

Kur shoku im përfundoi historinë e tij, unë i thashë se: ngjarja është shumë interesante, në se është e vërtete! Ai u përgjigj: ‘Aq e vërtetë është, sa që unë ndjej frikë dhe tani kur ka mbaruar çdo gjë. Vetëm se emri real është ai i Kozmait, sekretarit që punonte në Degën e Brendshme, emrat e tjerë, unë i kam ndërruar dhe janë fiktivë’. Po pse – i thashë unë, kanë kaluar mbi 50 vite dhe një pjesë e mirë e njerëzve nuk jetojnë, përse ndruhesh?! ‘Nuk është frika, por do thonë njerëzit: shkruan për të shitur mend. Kështu i dashur mik, nëse miku tuaj gazetar, e publikon, ta botoi me emra fiktiv, për ndryshe…! Memorie.al

“Ja diplomatët e huaj që kryejnë marrëdhënie intime në makina, parqe e lulishte dhe…”! Relacioni sekret për Ramiz Alinë

Dashnor Kaloçi

Publikohen disa dokumente arkivore me siglën “Sekret” të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (Fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1975, ku ministri i Punëve të Brendshme i asaj kohe, Kadri Hazbiu, me anë të një raport-informacioni dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht sekretarit të Komitetit Qendror Ramiz Alia, u bën me dije lidhur me disa probleme shqetësuese që kishin ndodhur nga ana e personelit të përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, të cilat kishin të bënin me veshjen e tyre, si: pantallonat kauboj, me minifunde, paraqitjen e jashtme, flokët dhe favorite e gjata, si dhe sjelljet e pahijshme e marrëdhëniet intime në lokale, parqe, lulishte e vende publike të disa prej tyre, gjë e cila kishte shqetësuar mbarë opinion publik.

Sipas raportit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, më problematikë në këtë drejtim, ishin: Jarmilla Mikloshkova e ambasadës çeke, Lavzek Lampark dhe Paulina Tomska të ambasadës polake, Meleke Ylker, Xhemal Asllani dhe Nexhat Kaja të ambasadës turke, Mishele Insonja, Viçenzo Kodispoti e Xhino Muçilli të ambasadës italiane, Jurgen Tanzar, Juta Vaizing, Barbara Platecek dhe Korala Golke të ambasadës gjermane, Maria Nagy e ambasadës hungareze, ambasadori grek, Dimitris Franxezkaqis dhe nëpunësi i po kësaj ambasade, Joanis, Tsumitas, etj.

Raport-informacioni i plotë i Ministrit Kadri Hazbiu, dërguar Ramiz Alisë, ku “për të parandaluar përhapjen e modës së huaj borgjezo revizioniste në Shqipëri si dhe shfaqjet e huaja që binin ndesh me moralin tonë socialist”, i propozon Ministrisë së Punëve të Jashtme që të gjitha përfaqësitë tona në vendet kapitalisto-revizioniste, të mos u lëshonin viza hyrje për në Republikën Popullore të Shqipërisë, shtetasve të huaj që kishin veshje dhe paraqitje të jashtme të papërshtatshme, si dhe hapjen e rrojtoreve dhe dhomave të zhveshjes në aeroportin e Rinasit dhe të gjitha Pikat Kufitare të Kalim Kontrollit në të gjithë vendin, me qëllim që të zhvisheshin, qetheshin dhe të rruheshin të gjithë të huajt, para hyrjes në Shqipëri.

 

 

 

Dokumenti sekret i hartuar nga Ministri i Punëve të Brendshme Kadri Hazbiu, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së dhe personalisht sekretarit të Komitetit Qendror, Ramiz Alia, lidhur me “problemin e përhapjes së modës së huaj borgjezo-revizioniste nga ana e personelit të përfaqësive të huaja diplomatike në Tiranë”!

REPUBLIKA POPULLORE E SHQIPËRISË SEKRET

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME Ekzemplar Nr. 1

DREJTORIA E PARË Tiranë, më 13.3.1975

Nr.1142

Lënda: Mbi veshjen, sjelljen, dhe paraqitjen e jashtme të personelit të përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare të vendeve kapitalisto-revizioniste.

SEKRETARIT TË KOMITETIT QENDROR TË PPSH

SHOKUT RAMIA ALIA

T I R A N Ë

Sipas udhëzimit Nr. 479, datë 4/V/1973, nuk lejohet të hyjnë në Republikën Popullore të Shqipërisë, të huajt, që me veshjen dhe paraqitjen e tyre të jashtme, propagandojnë mënyrën borgjezo-revizioniste të jetesës.

Nga ky rregull, përjashtohen pjesëtarët e trupit diplomatik, familjarët e të afërmit e tyre. Kjo nuk na duket e drejtë, për arsye se, ndërmjet tyre, ka persona që ndikojnë negativisht në edukimin e njeriut tonë të ri, por njëkohësisht, ngjallin pakënaqësi tek të huajt e tjerë, të cilët shpesh herë pyesin: “Përse nuk i zbatoni rregullat njëlloj për të gjithë të huajt”?!

Diplomatët dhe nëpunësit e përfaqësive të vendeve kapitalisto-revizioniste, në përgjithësi janë të dhënë pas modës. Nëpërmjet tyre, ka mjaftë persona që mbajnë favorite dhe flokë të gjata, pantallona kauboj, minifunde, si dhe persona që bëjnë gjeste dhe veprime të pahijshme nëpër rrugë dhe lokale e vende të tjera publike. Kështu p.sh.:

Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare çeke kanë rënë më shumë në sy, Jarmilla Mashkova, Milushe Kutova, Zllata Kostelçka, Zdeneka Vidskovska, Danushe Shtetkova dhe Jarmilla Mikloshkova, të cilat mbajnë minifunde, pantallona kauboj, etj.

Jarmilla Mashkova, ka kryer gjithashtu marrëdhënie intime në makinë, nëpër lulishte dhe rrugë të qytetit të Tiranës, në vende të dukshme nga publiku me shoferin e ambasadës gjermane, Jurgen Tanzar, i cili është larguar kohët e fundit nga vendi ynë.

Po kështu, gjeste dhe veprime të tilla të pahijshme ka bërë edhe Frantishka Kavbilova me atasheun e kësaj ambasade, Mirosllav Pokorni, të cilët gjithashtu janë larguar nga vendi ynë.

Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare polake, kanë rënë më shumë në sy Lavzek Lampark dhe Paulina Tomska, të cilët janë parë shpesh herë duke u puthur nëpër rrugë si dhe në ambiente publike të Hotel “Dajti”-t, sidomos me nëpunësit e ambasadës turke, Xhemal Asllani dhe Nexhat Kaja.

Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare gjermane, kanë rënë më shumë në sy Juta Vaizing, Barbara Platecek, Korala Golke, të cilat mbajnë minifunde dhe pantallona kauboj, ndërsa Johanin Vaizig, mban favorite të ekzagjeruara dhe flokë të gjata.

Nga ambasada dhe përfaqësia tregtare hungareze, bie në sy vetëm Maria Nagy, e cila mban minifund dhe pantallona kauboj.

Nga përfaqësitë e vendeve kapitaliste, më negativet janë: Tereza Mucilli, (italiane) Meleke Ylker (turke), dhe Paula Karrie (franceze), të cilat mbajnë minifunde dhe pantallona kauboj.

Veshje ekstravagante, minifunde dhe pantallona kauboj, mbajnë gjithashtu dhe nëpunësit e ambasadës italiane, Mishele Insonja, Viçenzo Kodispoti e Xhino Muçilli, si dhe ambasadori grek, Dimitris Franxezkaqis dhe nëpunësi i po kësaj ambasade, Joanis, Tsumitas.

Nëpunësi i ambasadës turke, Xhemal Asllani, bën gjeste dhe veprime të pahijshme në lokale dhe vende të tjera publike me disa femra të përfaqësive të vendeve revizioniste, në disa raste ka provokuar edhe femra tonat duke i ndaluar në rrugë ose ndjekur nga pas, u ka dhënë kartëvizitën, dhurata të ndryshme, etj.

Disa herë është grindur me qytetarë shqiptarë, të cilët i ka provokuar vetë. Për këtë, i është kërkuar Ministrisë së Punëve të Jashtme që, të paralajmërojë për veprimet e tij ambasadën turke, por që ende nuk është bërë gjë.

Sikurse shihet, mjaft diplomatë dhe veçanërisht nëpunës të përfaqësive të ambasadave të vendeve kapitalisto-revizioniste të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, me veshjen, sjelljen dhe paraqitjen e tyre, ndikojnë tek qytetarët tanë për përhapjen e modës dhe mënyrën borgjeze e revizioniste të jetesës.

Për t’u prerë rrugën këtyre influencave të huaja, sidomos tek të rinjtë, propozojmë që:

Nëpërmjet Ministrisë së Punëve të Jashtme, t’u thuhet zyrtarisht përfaqësive të huaja diplomatike dhe tregtare që janë të akredituara në Republikën Popullore të Shqipërisë, se: veshjet ekstravagante të disa punonjësve të tyre, favoritet dhe flokët e gjata që mbajnë në përgjithësi ata, si dhe gjestet e veprimet e pahijshme në rrugë, parqe dhe lokale të ndryshme publike, kanë rënë në sy të opinionit tonë shoqëror, prandaj të marrin masat e nevojshme në këtë drejtim, sepse këto janë veprime që bien në kundërshtim me etikën e moralin tonë socialist.
Të urdhërohen përfaqësitë tona jashtë shtetit, që të mos i japin vizë hyrje të huajve që me veshjen dhe paraqitjen e tyre të jashtme, bien në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist.
Për të lehtësuar zbatimin e urdhrit Nr. 479, datë 4/V/1973, si dhe për të mos lënë keqkuptime dhe përshtypje të këqija tek të huajt, mendoj që të merren këto masa:
Të gjitha PKKK (Pikat e Kalim Kontrollit Kufitar), dhe veçanërisht ajo e Rinasit e cila ka një dinamikë të madhe hyrje daljesh, të pajisen me rrojtore dhe dhoma të posaçme zhveshjeje. Në aeroportin e Rinasit, tani të huajt zhvishen nëpër WC, kurse lokali i rrojtores, është i papërshtatshëm.
Komandanti i PKKK dhe ushtarët, të mos marrin kontakt direkt me të huajt dhe t’u kërkojnë atyre të qethen, të rruhen, apo të heqin mini apo maksifundet, sepse ulin prestigjin e tyre si ushtarakë dhe masat marrin karakter policor.
Me këtë punë duhet të merren punonjësit e doganave.

E themi këtë, sepse nuk mjafton që të kontaktohet dhe t’i bëhet vërejtje të huajit, por duhet që t’i shpjegohet me takt edhe korrektësi edhe arsyet përse janë vendosur këto rregulla në vendin tonë, dhe pastaj të ndiqet çështja deri sa të bëhet korrigjimi i plotë në vend. Kufiri nuk do të lejojë shkeljen e këtyre rregullave.

Për zbatimin e këtyre rregullave duhet të mobilizohen të gjitha institucionet dhe organizatat e ndryshme shoqërore që kanë kontakte me të huajt, prandaj jemi të mendimit që për këtë qëllim, të lëshohet një udhëzim i posaçëm nga Kryeministria, pasi udhëzimi Nr.479, datë 4/5/1973, nuk është i plotë dhe ngarkon me detyrë vetëm Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme.

MINISTRI I PUNËVE TË BRENDSHME

KADRI HAZBIU

Shënim:

Pikë Kalimi Kontrolli Kufitar
Për këtë material, jemi konsultuar edhe me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe me Ministrinë e Tregtisë, kjo e fundit ka vetëm një vërejtje, që të mos e ketë nëpunësi i Doganës detyrën që të kërkoj nga huajt që të qethen dhe të vishen në rregull.
Shënimi i Ramiz Alisë për sekretarët e Komitetit Qendror dhe funksionarët e tjerë të lartë të sektorit të Marrëdhënieve me Jashtë pranë aparatit të Komitetit Qendror të PPSh-së

Shokut Hysni, Haki dhe Petro. Pastaj shokut Agim Popa. Ministria e Jashtme është dakord të veprohet kështu dhe ka marrë masat.

14.3.1973 Ramiz Alia

Shënimi i Hysni Kapos mbi dokumentin e Kadri Hazbiut

Të gjitha këto janë çështje që duhen biseduar me Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe ajo të vendosë në rrugë shtetërore si të veprohet. Nuk merret Komiteti Qendror me veshjet dhe sjelljet e diplomatëve dhe familjarëve të tyre. Memorie.al

“Për emigracionin shqiptar, Vatikani ka dërguar priftërinj e ka çelur kisha në SHBA, Francë, Gjermani, etj., kurse në Romë ka dërguar tre…”- Relacioni sekret i Drejtorit të Zbulimit më ’74!

Publikohen disa dokumente sekrete të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), të cilat i përkasin vitit 1974, ku ndodhet një raport-informacion i hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar, Jonuz Mersini, (i kamufluar si diplomat në godinën e Ministrisë së Punëve të Jashtme në Tiranë), dërguar Komitetit Qendror të PPSH-së, ku ai i bën me dije lidhur me “intesifikimin e punës armiqësore të Vatikanit, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, në periudhën 1973-’74, duke e maskuar atë nën petkun e aktiviteteve fetare”.

 

Raport-informacioni i plotë i shefit të Zbulimit Shqiptar lidhur me Selinë e Shenjtë në Vatikan, ku midis të tjerash thuhet: “Për të punuar në drejtim të emigracionit Vatikani, ka shpërndarë priftërinj dhe ka çelur e po çel kisha në SHBA-ës, në Francë, në Belgjikë, Itali, Jugosllavi, Gjermani, etj. Në Romë, është formuar një grup drejtues të të gjithë këtyre aktiviteteve që, përbëhet nga priftërinjtë: Daniel Gjeçaj, Gjeto Radi, Injac Perolli, etj”.

Dokumenti sekret me raport-informacion e hartuar nga Drejtori i Drejtorisë së Zbulimit Shqiptar, Jonuz Mersini, dërguar Komitetit Qendror të PPSh-së, lidhur me: “Intesifikimin e punës armiqësore të Vatikanit, kundër Republikës Popullore të Shqipërisë, Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare në Jugosllavi, në periudhën 1973-’74”.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

DREJTORIA E III – të         

              Sekret                  

Ekzemplar Nr. 4

                                                                                                                       Tiranë më 18.2.1974

I N F O R M A C I O N

Nga të dhënat e një burimi tonë të besuar na rezulton:

1 – Këto dy vitet e fundit Vatikani, ka intensifikuar veprimtarinë e tij armiqësore kundër vendit tonë dhe Kosovës, duke e maskuar atë nën aktivitetet fetare.

Përveç veprimtarisë direkt që zhvillon në forma e mjete të ndryshme kundër vendit tonë, nga të dhënat rezulton se ai po bën një punë intensive fetare, si në drejtim të Kosovës e viseve shqiptare në Jugosllavi, ashtu dhe në drejtim të emigracionit reaksionar e kosovar në vendet e Perëndimit.

Në drejtim të Kosovës Vatikani synon:

A – Të forcojë në masë, ndjenjat fetare dhe, duke shfrytëzuar të gjitha mundësitë të influencojë në këtë drejtim dhe në Shqipëri. Në rast ndryshimi të situatës në Shqipëri, Kosova do të jetë baza nga ku do të furnizohet me kuadro fetarë, vendi ynë.

B – Të ndalojë emigrimet familjare të kosovarëve drejt Perëndimit. Sipas burimit Vatikani, nuk është për shpërnguljen e kosovarëve përgjithmonë. Ata, inkurajojnë dhe aprovojnë vetëm emigrimin e përkohshëm për qëllime pune.

Për këtë problem, Vatikani ju ka tërhequr vërejtjen dhe tre priftërinjve shqiptarë të cilët, për përfitime personale, kanë tërhequr në SHBA-ës, një numër të madh familjesh kosovare.

Për të arritur këto qëllime Kleri Katolik në Kosovë, bashkëpunon ngushtë me Kishën Katolike të Kroacisë dhe Sllovenisë, sidomos për përgatitjen e priftërinjve dhe murgeshave shqiptare.

Deri tani në Kosovë dhe në viset e tjera shqiptare, janë hapur disa kisha Katolike me qendër në Ferizaj, Shkup, dhe Prizren. Janë hapur gjithashtu dhe 13 degë të instituteve femërore fetare për Kosovën, ku mësojnë afro 160 murgesha me kombësi shqiptare.

Në drejtim të emigracionit reaksionar dhe kosovar, Vatikani zhvillon një aktivitet të gjerë, sidomos për pjesën e besimit Katolik.

Në këtë drejtim ai synon: 

A – Të mbajë gjallë ndjenjat fetare dhe t’i aktivizojë ata, në veprime të kësaj natyre. I nxit që nëpërmjet korrespondencës dhe formave të mundshme këta, të influencojnë dhe tek njerëzit e tyre që kanë në Shqipëri për të mos e braktisur fenë dhe Zotin.

B – Ta kenë emigracionin reaksionar, nën kontrollin dhe influencën e vetë edhe si forcë politike për ta përdorur në situata të favorshme kundër vendit tonë. Këtu Vatikani, punon me kujdes për të mos ju kundërvënë zbulimeve të huaja sidomos atij amerikan, që e konsideron emigracionin si, pronë të vetën.

Për të punuar në drejtim të emigracionit Vatikani, ka shpërndarë priftërinj dhe ka çelur e po çel kisha, në SHBA-ës, në Francë, në Belgjikë, Itali, Jugosllavi, Gjermani, etj.

Në Romë, është formuar një grup drejtues të të gjithë këtyre aktiviteteve që përbëhet nga priftërinjtë: Daniel Gjeçaj, Gjeto Radi, Injac Perolli, etj.

2 – Burimi shpjegoi edhe qëllimin e fushatës së Vatikanit për problemin e priftit Shtjefën Kurti. Për një kohë Vatikani, shpresoi se edhe në Shqipëri, ashtu si dhe në të gjitha vendet revizioniste, do të kishte një rehabilitim gradual të fesë.

Për këtë arsye, sektorët që merren me Shqipërinë në Vatikan, morën orientim që jo vetëm mos të flasin kundër pushtetit tonë, por edhe të kërkonin rrugë për të kontaktuar e për tu afruar me ne.

Kur e panë se kjo, nuk pati rezultate dhe lufta në drejtim të fesë u ashpërsua, atëherë u vendos që të ndërmerrej një fushatë kundër persekutimeve fetare në Shqipëri, dhe për këtë u përdor si shkak rasti i Shtjefën Kurtit.

Duhet shtuar, theksoi burimi se, krerët e Vatikanit besojnë se prifti realisht është pushkatuar për faktin se ka pagëzuar një fëmijë, dhe se nëna e fëmijës është akoma në burg.

Qëllimi i fushatës ka qenë:

A – Të influencojë që qeveria shqiptare, të ndërpresë veprimet e ndërmarra ndaj fesë dhe priftërinjve, si dhe t’u krijohen atyre kushte më të mira jetese.

B – Të influencojë negativisht në qëndrimin e emigracionit në drejtim të vendit tonë, veçanërisht tek kolonitë dhe te emigracioni kosovar.

Fushata, nuk dha rezultatet e dëshiruara dhe Vatikani nuk është i kënaqur. Prandaj edhe ata e ndërprenë këtë fushatë. Për këtë influencojë dhe kërcënimi që i bëmë ne Vatikanit, me anë të shtypit për bashkëpunim me fashizmin.

Artikullin tonë që trajton këtë çështje, e kanë analizuar në Vatikan dhe në diskutime, kanë pranuar se aty ka një të vërtetë, por se kjo gjë i takon së shkuarës dhe që vetë Papët e mëvonshëm e kanë dënuar. Sidoqoftë ata, i tremben publikimeve të mëtejshme të këtyre materialeve. Memorie.al

                       Drejtori i Drejtorisë së III-të

                                   Jonuz Mersini

Zamak i Flamurit…AT  KARLO  SERREQI O.F.M. “Dënohet me vdekje me pushkatim, se nuk tregon Rrëfimin” Nga Fritz RADOVANI

Pjesa Nr. 41. Zamak i Flamurit…

 

 

AT KARLO SERREQI O.F.M.

(1911 – 1954)

 

                        “Dënohet me vdekje me pushkatim, se nuk tregon Rrëfimin.”

 

Arrestohet me 9 Tetor 1946, kur sherbente në Dukagjin se, nuk tregoi që ka rrëfye një të plagosun t’ arratisun nder male. Me vendimin e gjykatës atje të dates 18 Janar 1947 At Karlo Serreqi, dënohet me vdekje me pushkatim.

Mbas disa kohe dënimi me vdekje i kthehet në burgim të përjetshëm.

Shpjegimet e sakta të Dosjes 1268 i jep studjuesi Dr. Pjeter Pepa, ku na i  shpjegon dredhitë e Sigurimit shtetit, si e si me e zhdukë këte klerik.

At Karlo asht le në Shkoder me 26 Shkurt 1911 nga prindët Kol Serreqi dhe Maria Guga. Asht pagzue me emnin Ndue. Mori mësimet e para në shkollë Françeskane ndersa të naltat në Brescia Itali. Shugurohet në Torricchio të

Italisë, me 29 Qershor 1936. U kthye n’ Atdhe dhe shkon me sherbye nder disa famulli si Curraj t’ Eperm, Raje e Berishë dhe Nikaj – Mertur. Nder ato Malësi nuk ishte aspak e vështirë akuza e Sigurimit kriminal të shtetit: Se, ke strehue të arratisun apo ke bashkëpunue me ata nder male, sepse kudo e kurdo, ata ishin në të gjitha krahinat malore e fushore të Shqipnisë, po edhe të njoftun si antikomunista e Atdhetarë të vendosun me vdekë per liri.

Sigurimi i shtetit gjeti shkak per arrestimin e At Karlo Serreqit, me daten 11 Tetor 1946, kur u ba ndrrimi i kartmonellave, se kishte shpernda në njerzë të holla të disa arratisunve me i shkembye në besim, tue mos tregue se të kujt ishin tue fillue nga Pashuk Biba, Frano Sokoli, Mark Tugji etj. 

E randonte ngjarjen edhe permbajtja e disa letrave që At Karlo i ka shkrue disa fshatarve per me ndihmue të arratisunit tue i strehue në shtëpija.

Dihej se gjoja At Karlo kishte strehue edhe Nik Sokolin e ndihmue me bukë.

Pranon se me familjen e Kol Bib Mirakaj ka ruejt miqësinë ata pak muej që ata ishin pa u interrnue në fillim të vitit 1945. Mjaftonte edhe vetem një ditë per me t’ akuzue si “armik i popullit”. Shpjegon edhe ardhjen atje t’ Osman

Gazepit, që i kishte lanë një mitraloz. Pranon nga torturat se ka Rrëfye atje  Lush Martinin që asht plagosë në perpjekje me forcat e Ndjekjes. Tregon se atje ka Rrëfye edhe një t’ arratisun tjeter, po nuk mund të tregojnë njeriun dhe Rrëfimin e tij, mbasi asht “çeshtje Fetare dhe nuk mund të flasin.”

Tregon që ka Rrëfye t’ arratisun por, lidhje nuk ka pasë me asnjenin. Nga të arratisunit nuk kam marrë as të holla kur asht ba ndrrimi i tyne. Hetimet i ka vazhdue me Xhemal Selimin që njihej si torturues i sigurimit shtetit. Ky hetues e akuzon per bashkpunim me fashizmin dhe At Anton Harapin. Per lidhje me t’ arratisun dhe ndihma në të holla, si dhe rrezikshmeni tue i kerkue trupit gjykues pushkatimin e At Karlo Serreqit, si armik i Popullit.

Me 17 Janar 1947, Prokurori Namik Qemali e akuzon edhe per shkembim të një sasije monellash, gja të cilen avokat Ferdi Kumbaro nuk e pranon, tue i kerkue gjykatës: “Pafajsinë e At Karlo Serreqit i ngarkuem n’hetuesi pafaj.”

Këte pafajsi At Karlo e argumenton edhe Ai vetë me daten 16 Janar 1947, para Kryetarit gjyqit Misto Bllaci, Antarë Loni Dimishi e Anastas Koroveshi dhe ripersëritjes së akuzave fallco. Tregon se asnjëherë nuk ka pasë asnjë lidhje me t’ arratisun dhe as njohje personale me shumicen e tyne. Kur ju lexuen thanjet e të tjervet At Karlo i pranoi pjesërisht ato që s’ishin shpifje.

Megjithate, gjykata persëriti edhe njëherë dënimin e At Karlos me vdekje.

Atëherë pritej apeli nga Kuvendi Popullor i Shqipnisë. At Karlo Serreqi, ishte i njohun si qytetar i panjollosun me fajet që akuzohej, po edhe fajet per të cilat Ai akuzohej nuk kishin asnjë bazë vertetsije, gja që vertetohet.

Në Dosjen personale të At Karlo Serreqit, lutja per rishqyrtimin e dënimit të Tij asht ba dhe nenshkrue nga vllau i Tij Angjelin Serreqi, banues i qytetit të Shkodres, i njoftun nder qytetarët e nderuem dhe me prejardhje shumë të paster si dhe, me kontribut Atdhetar të vazhdueshëm edhe si Fis.

Në lutjen që i drejton Kuvendit Popullor, Angjelini shpreh edhe besimin e vet per pafajsinë e vllaut At Karlos, per të cilin ka bindje të plotë se Ai jo vetem asht i pafajshem, po as nuk e perpjekë asgja me akuzat ndaj Tij.

Me daten 21 Nandor 1947, Këshilli i Gjykatës së Naltë Tiranë, me kryetar Niko Çeta, mbasi mori në shqyrtim vendimin e gjykatës së dhanun per At Karlo Serreqin, dhe mbasi shqyrtoi akuzat e bame ndaj tij, ajo e ndryshoi Vendimin, tue e kthye në “dënim të Perjetshem”. Ndoshta, një rast i rrallë po, i pranueshem mbasi At Karlo Serreqi njifej si i këtillë edhe nder fshatrat ku ka sherbye që në moshen e Tij të re po, gjithmonë tue veprue me pjekuni, pasterti dhe perkushtim në detyren e Tij Fetare dhe Atdhetare.

Per vazhdimin e dënimit të Perjetshëm Ai dergohet në Burgun e Burrelit.

Këthimet e dënimit me vdekje me pushkatim, në dënime të “Perjetëshme” e që janë të shpeshta dhe të shumta, kerkojnë një sudim të veçantë, mbasi ata shpesh kanë pasë qellime të njajta me vendimet “me vdekje me pushkatim”, po, per mos me shtue shifrat e të vramve, i kthenin “dënim i perjetshëm”!

Nga disa emna të njohun që mund të pushkatoheshin, shohim kalimin e tyne nder burgjet e “perjetëshme” të Burrelit, Gjinokastres etj. Atje Ata kanë kalue pak vite dhe aty Ata kanë vdekë, tue ju humbë edhe kufomat.

Këte fat të zi pat edhe At Karlo Serreqi me 4 Prill 1954, nga ifrakti i zemres.

Rastet si ky i At Karlos, janë jo të pakta se pjesa ma e madhe janë arkivue në “dosje t’harresës” dhe, as nuk zehen me gojë se Ju humben kufomat e Tyne.

Pjesa e madhe që ishin n’ ata burgje gati asnjëherë nuk asht pranue si “e pafajshme”, po me rrugen e terthortë të zhdukjes në heshtje, ata hyjnë në të vdekunit e burgosun. E kjo vdekje asnjëherë nuk ka njohë “pafajsi” per ta.

E pse Trupat e Tyne të vdekun nuk ju dhane familjeve të tyne per vorrosje?

Jo, jo, në asnjë mënyrë, se kishin me plotsue dënimin e “përjetshëm”, tue ia tretë kufomat, të cilat mund të kerkoheshin edhe mbas 25 ose 30 vjetësh!!

E sot, asnjë gati nuk dihet as ku asht tretë Trupi i Tij, mbasi ishte “armik”, po i kujt nuk thohet, se ata që i tretshin kufomat ishin të “zgjedhunit”!

Dihet vetem një fakt: Se kush ka vdekë në Burgun e Burrelit, hidhej nga dy ose tre polic tek “qerrshija”, ku kalbeshin dhjetra kufoma të zhdukuna.

Këta vertetë nuk u pushkatuene, por Trupat e Tyne psuen të njajtin fat.

U zhdukën pa asnjë Shenjë tek koka dhe pa asnjë pikë lot nga trashiguesit.

Ajo që bije në sy nga këto vdekje të mnershme nder burgjet komuniste asht edhe fakti që nder ata burgje ishin të gjetun per zhdukje të perjetëshme edhe policët, të cilët merreshin me zhdukjet e kufomave të tyne. Duhet me thanë të verteten se pak ose aspak polic kanë tregue vendvorrosjet ose ma mirë me thanë: “Ku u tretëshin kufomat e të burgosunve që vdisnin nder ata burgje shfarosje të Atdhetarve tanë, si dhe të Klerikëve katolik.”

Kryesisht, ajo që veprohej me kujdes nga agjentët e Sigurimit të shtetit në raste vdekjesh nder burgje ishte “diagnoza e percaktueme nga mjeku”, që asnjëherë mos me u krijue dyshim nga familjarët e viktimës se, “vdekja ka qenë pasojë e ndonjë veprimi nga oficerat e sigurimit.” E raste të këtilla jo vetem që njihen të shumta, po njihen shumë pak raste vdekjesh natyrale.

Ndersa, nuk perjashtohen edhe rastet e kerkesave të hetuesve per me hapë edhe njëherë Dosjet “me shtesa emnash të rinjë”, tue i akuzue gjoja per ato akuza që janë lanë me qellim, pa u zanë me gojë në hetuesinë e kalueme.

Kjo rrugë ishte aq e shpeshtë sa zhdukte kushedi sa persona mbas sa kohe kur, “Dosja” mendohej e mbyllun dhe një personit i ishte falë jeta. Ndoshta, edhe pse kishin kalue vite, veç kur hapej fjala se “x person vdiq nga zemra” dhe, mbyllej “Dosja” me një dokument fallco të firmosun nga një mjek.

Asnjëherë nuk kanë me u dijtë të vertetat e vdekjeve nder burgje komuniste, mbasi “faktin e vertetë”, viktimat e kanë marrë me vete në Gropa pa emen!

Sot perkujtojmë një prej Këtyne Viktimave të Burgut Burrelit, i cili nuk la asnjë gjurmë mbas dënimit të “Perjetshëm”, edhe pse ishte shumë i rinj, i paster, Atdhetar dhe Klerik i Perkushtuem, që Rinia Shqiptare do t’a ruej perjetë në kujtesen e vet si: Zamak i Flamurit Kastriotit – Skendrerbeut!

            Melbourne, 24 Qershor 2022.

Deponimet e Dom Shtjefën Kurtit: Kur vetë Bashkimit Sovjetik nuk i kanë mjaftuar dyzetë vjet për t’i siguruar bukën popullit, po Shqipërisë…

Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Në proces-verbalet e mëparshme, keni thënë se keni dëgjuar emisionet e radiostacioneve të huaja. Na filloni çfarë lajme keni dëgjuar dhe me cilët i keni komentuar këto lajme?

Përgjigje: Në korrikun e vitit 1969, unë kam blerë një radio dhe nga koha që e kam blerë këtë radio, e në vazhdim deri në ditën që jam arrestuar, në mënyrë të vazhdueshme, kam dëgjuar emisionet e radio-stacioneve të “Zërit Amerikës”, Romën, Vatikanin dhe Moskën. Radio Zëri i Amerikës dhe Moskën i kam dëgjuar në gjuhën shqipe; ndërsa Romën dhe Vatikanin në gjuhën italishte. Në shumë raste, kur i kam dëgjuar këto lajme, ka qenë prezent edhe Pjetër Biba, rrallë Zef Nishi. Këto lajme i komentoja me këta të dy, duke u bërë një përmbledhje të lajmeve që dëgjoja në gjuhën italishte dhe u’a përktheja në gjuhën shqipe.

Në përgjithësi lajmet kanë patur karakter politik, por kishte edhe për çështje shoqërore dhe shkencore. Më kujtohet se në një rast, kam dëgjuar në lajmet që jepeshin nga radio “Zëri Amerikës” për përshëndetjen e Niksonit që i bënte shtypit shqiptar në Amerikë dhe arritjet për punën që ishte bërë deri në atë kohë dhe për të ardhmen. Kjo përshëndetje ishte me rastin e përvjetorit të gazetës “Dielli”. Lajmet e tjera që kemi dëgjuar dhe i kemi komentuar ndërmjet nesh, unë, Zef Nishi dhe Pjetër Biba, si dhe nga ndonjëherë edhe me Bardhok Markun, kanë qenë për luftën në Vietnam, për përparimet që kishin arritur këto vende në fushën e shkencës dhe të ekonomisë.

Nga këto emisione, unë kam dëgjuar me shumë radio Romën që dëgjohej mirë, por edhe radio Moskën e “Zëri Amerikës”, megjithëse kishte raste që nuk dëgjoheshin qartë, mbasi kishte zhurmë. Unë i kam dëgjuar shpesh. Përveç me personat që thashë më sipër, mua nuk më kujtohet që këto lajme t’i kem komentuar me njerëz të tjerë, veç rrallë nga ndonjëherë, kur ne i dëgjonim dhe komentonim lajmet e radiostacioneve që thashë më sipër, kanë qenë prezent edhe njerëzit e Pjetër Bibës, si Dava dhe Prena Biba.

Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos.

I pandehuri                                                                                      Hetuesi                 

Shtjefën Kurti                                                                              Iljas Haxhiaj

                                                          Proces – verbal

Në Tiranë, me 8 shtator 1970.

Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Në procesin e datës 14 korrik 1970, keni pohuar se në darkën që është organizuar në dhomën tuaj, përveç tjerash keni biseduar ndërmjet jush, Pjetër Bibës, Bardhok Markut dhe Zef Nishit për vazhdimin e vjedhjeve në kooperativën bujqësore të Gurëzit, me qëllim për të shkatërruar kooperativën. Na flisni që kur dhe sa herë keni biseduar për këtë çështje?

Përgjigje: Përveç bisedës që kemi bërë në dhomën time, me rastin që jemi mbledhur unë, Pjetër Biba, Bardhok Marku dhe Zef Nishi, për të cilën kam folur në proces-verbalet e mija të mëparshme, mua nuk më kujtohet që të kemi biseduar herë të tjera, por çështjen e dëmtimeve që duhesh bërë në kooperativën bujqësore të Gurëzit, me qëllim që të shkatërronim kooperativën. Mua më kujtohet se ne gjatë vitit 1969, në bisedat që kam patur me Pjetër Bibën, ky më ka thënë se ky pushtet më ka marrë tokën, livadhet që kam patur dhe unë, vazhdoi Pjetri, pse po marrë ndonjë send prej mullirit të kooperativës, nuk besoj se po bëj keq.

Në këtë rast, unë i thash Pjetrit se ti ke marrë mundin tënd dhe djersën tënde, duke kujtuar se Pjetri vidhte diçka nga mulliri i kooperativës. Më vonë, para se të arrestohej Zef Nishi, Pjetër Biba më ka treguar se në breg të Matës, tek një grua, kishin marrë tre derra, një për veten e tij, një për Zef Nishin dhe një për Bardhok Markun. Këta derra i kishin marrë për 9000 lekë të vjetra veresi dhe se Pjetri ishte bërë borxhli ndaj ndaj gruas për 9.000 lekët. Në këtë rast kuptova se Pjatër Biba nuk vjedhka me sasi të vogla kooperativën, por me sasi të të mëdha dhe i thash: “Ti or Pjetër paske hyrë thellë”! Pjetri më tha se unë do t’i paguaj. Nga kjo bisedë, unë kuptova gjithashtu se së bashku me Pjetër Bibën, vidhnin edhe Zef Nishi e Bardhok Marku nga kooperativa.

Pyetje: Si shpjegohet që ju nga kjo bisedë që keni bërë me Pjetër Biben, keni kuptuar se këta të tre vjedhin kooperativën?

Përgjigje: E vërteta është se nga bisedat që unë kam bërë me Pjetër Bibën, Zef Nishin dhe Bardhok Markun, kam marrë vesh se këta së bashku edhe me të tjerë vjedhin bereqet në kooperativën bujqësore të Gurëzit. Në pranverë të vitit 1969, duke qenë në dhomën time, së bashku me Pjetër Bibën dhe Zef Nishin, përveç bisedave të tjera kundër pushtetit, që unë kam folur në proceset e mija, në këtë rast është biseduar dhe për punën e vjedhjeve që ata kryenin në kooperativë. Unë, këtu kam biseduar me ta se vjedhjet, edhe në të ardhmen duhet të vazhdonin, mbasi në këtë mënyrë do të pakësoheshin të ardhurat në kooperativë, anëtarët e kooperativës do të bëheshin të pakënaqur, do të shkaktonin grindje ndërmjet anëtarëve, ata do të ngriheshin kundër kooperativës dhe në këtë mënyrë do të arrihej në shkatërrimin e saj.

Si Zefi dhe Pejtri, ishin plotësisht dakord me mua. Për këtë qëllim, për shkatërrimin e kooperativës bujqësore të Gurëzit, kemi biseduar edhe në darkën që jemi mbledhur në dhomën time, ku ishim unë, Pjetër Biba, Bardhok Marku dhe Zef Nishi. Përveç nesh, siç tham, këtu kanë qenë prezent edhe Prena me Dava Biba. Përsëri, këtu kemi folur për vazhdimin e vjedhjeve si dhe për të bërë njerëz të pa kënaqur ndaj pushtetit dhe kooperativës.

I pandehuri                                                                                      Hetuesi                 

Shtjefën Kurti                                                                              Iljas Haxhiaj

                                                          Proces – verbal

Në Tiranë, me 11 shtator 1970.

Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Mbas mbledhjes që është bërë në dhomën tuaj, ku aty vendoset që të vazhdonin vjedhjet në kooperativën bujqësore të Gurëzit, me qëllim që të arrihej shkatërrimi i kooperativës, a kanë vazhduar të kryejnë vjedhje nga bereqeti i kooperativës, Pjetër Biba, Zef Nishi dhe Bardhok Marku?

Përgjigje: Vjedhjet në kooperativën bujqësore të Gurëzit kanë vazhduar të kryhen nga Pjetër Biba, Zef Nishi dhe Bardhok Marku edhe mbas mbledhjes që u bë në dhomën time, por këto nuk vazhduan shumë, për arsye se në muajin shkurt të vitit 1970, filluan arrestimet. Në fillim u arrestua Zef Nishi, pas tij u arrestua Pjetër Biba dhe mbas Pjetrit, u arrestua Bardhok Marku. Pra, me arrestimin e këtyre, çështja e vjedhjeve të bereqetit në kooperativën bujqësore të Gurëzit u ndërpre dhe shkatërrimi i kooperativës nuk u arrit.

Pyetje: Përveç me Pjetër Bibën, Zef Nishin dhe Bardhok Markun, me cilët persona të tjerë ju keni biseduar për të kryer dëmtime në kooperativën bujqësore të Gurëzit, me qëllim që të arrihej shkatërrimi i kooperativës?

Përgjigje: Përveç bisedave që kam patur me Pjetër Bibën, Zef Nishin dhe Bardhok Markun, që të vazhdonin këta për të kryer vjedhje në kooperativën bujqësore të Gurëzit, me qëllim që të arrihej shkatërrimi i kooperativës, unë nuk kam biseduar me asnjë njeri tjetër për këtë qëllim.

Pyetje: A njihni Fran Nocin?

Përgjigje: Po, e njoh Fran Nocin, ky është djali i Nue Gjon Nocit.

Pyetje: Tregoni çfarë biseda armiqësore keni zhvilluar me Farn Nocin, kundër pushtetit?

Përgjigje: Me Fran Nocin, kam patur vetëm një përshëndetje kur jemi takuar, por biseda armiqësore kundër pushtetit, me të nuk kam zhvilluar. Ndërsa me të atin e tij, Nue Gjon Nocin, siç kam folur në proceset e mija, në dy raste kemi biseduar, për çështjen e ekzekutimit të Mark Dushit, për të cilin i vinte keq shumë, si dhe për mbylljen e kishave.

Procesin, mbasi e lexova dhe pash se thëniet e mija janë shkruar drejtë, e firmos.

I pandehuri                                                                                          Hetuesi             

Shtjefën Kurti                                                                                   Iljas Haxhiaj

Proces – verbal

Në Tiranë, me 1 tetor 1970.

Unë, Iliaz Haxhiaj, hetues në Ministrinë e Punëve të Brendshme, pyeta të pandehurin Shtjefën Kurti.

Pyetje: Vazhdoni të jepni shpjegime rreth aktivitetit armiqësor që keni zhvilluar kundër pushtetit?

Përgjigje: Dua të sqaroj pse unë kam vazhduar gjithnjë mos me pas besim në regjimin e sotshëm dhe për rrjedhim kam vazhduar me veprimtarinë time kundër pushtetit. Mbaj mend se kur ka qenë President i Amerikës Ajzenhauer, ky ka pasë mbajt një fjalim, duke thënë se ne do vazhdojmë garën e armatimeve, 25-30 ose deri në 70 vjet, deri sa ana tjetër të lodhet. Në lidhje sekrete, unë kam lexuar materialet dhe fjalimet e mbajtura në kongreset e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik, në kohën kur Hrushovi ishte në pushtet, i cili paraqiste shifra ekonomike kolosale si në bujqësi, ashtu dhe në zhvillimin tjetër industrial ushqimor, kurse më vonë lexova pranë shtypit tonë se, Hrushovi kishte gënjyer duke paraqitur shifra jo reale dhe të sakta, duke i fryrë ato dhe kjo u provua kur Hrushovi kërkoi ndihmën amerikane dhe kanadeze, për me i’a shit Bashkimit Sovjetik me kredi afër një milion tonelata grurë.

Në këtë mënyrë, unë kam patur deduksion për vete se Bashkimit Sovjetik nuk i paskan mjaftuar tash dyzet vjet pushtet komunist, për me i sigurie bukën popullit, hala paska nevojë për bukë. Kështu unë kam thelluar bindjen time dhe kam thënë se sistemi komunist nuk është në gjendje të plotësojë nevojat e popullit më mirë se sistemi tjetër kapitalist. Pra kam bërë deduksionet e mia, sikur ky sistem në Bashkimin Sovjetik, për dyzet e ca vjet nuk dha rezultatet, sipas parashikimeve dhe të folurit, a mos vallë në Shqipëri që është një vend i vogël dhe i prapambetur, do të arrihen suksese në lëmin ekonomik, që atje nuk u arritën për dyzet vjet. Këtu më ka fjetur dyshimi im, të cilin nuk e kam hequr, meqenëse isha në kundërshtim apriori me ato që thuheshin nga udhëheqja e partisë dhe e pushtetit në Shqipëri. Po t’i kisha fjalimet e këtyre udhëheqësve kundërshtarë, mendoj se do ta kisha gjetur të vërtetën. Memorie.al

I pandehuri                                                                                                     Hetuesi  

Shtjefën Kurti                                                                                        Iljas Haxhiaj

LAMTUMIRË MOJS MIRAKA Nga Eugjen Merlika

Shtator 2001

LAMTUMIRË MOJS

Ka pak ditë që u ndave nga kjo jetë, para kohe, ishe ende i ri. Ike në “vendin e panjohur nga s’na u kthye kurrë udhëtari”, po të përdorim fjalët e Shekspirit, që ty të pëlqente aqë shumë. Të përcollën për në banesën e fundit tokësore një lumë njerëzish, familiarë, të afërm, miq, shokë të vjetër të vuajtjeve e shokë të rij të politikës.

Jeta jote qe një rrugë e gjatë mundimesh e një rrugë e shkurtër politike. Më mirë mund t’a përcaktojmë si një travajë e gjatë ku, për shkak të politikës, vuajtjet qenë pa mbarim e ku politika, që do të shpaguante këto vuajtje, nuk të rezervoi vetëm frute të ëmbla.Ti nuk pushove, nuk i le kohë vetes me ba llogari, nuk u struke në ndonjë qoshe, në pritje të kohëve më të mira. U zhyte shpejt në politikë, me vrullin e një djaloshi e me sinqeritetin e një fëmije, megjithëse kryet ishte me thinja, sepse zemra e bardhë të diktoi ashtu.Ti i qëndrove besnike zemrës e betimit të saj, sepse ti kishe vetëm një fjalë e ajo nuk bëhej dysh. I tillë ishte karakteri yt, ajo qe zgjedhja, së cilës ja mbajte besën në ditë të mira e të këqia. Ndoshta prandaj në udhëtimin e fundit të përcollën dhe kundërshtarë e për këtë duhet të krenohesh, sepse vlera e personit që hyn në jetën politike matet më shumë me respektin që ngjall tek kundërshtari sesa me simpatinë e shokëve të idealit. Respekti i kundërshtarit në politikë fitohet me stil, koherencë, zgjuarësi, por mbi të gjitha me ndershmëri e këtë ti e kishe edhe për të shitur.

Në gjithë ata grushta dheu që mbuluan qivurin tënd munguan ato të disa shokëve të vjetër, shokëve të rinisë e të kampeve, miqve të zemrës, në emër të të cilëve unë po marr guximin të të kërkoj falje. Është e hidhur, shumë e hidhur vdekja e mikut kur je larg në tokë të huaj, të le një zbrazësirë të madhe në shpirt e një peng në zemër. Një peng kam dhe unë në shpirt se nuk munda të t’a hedh një grusht dhe, siç nuk munda t’ja hedh edhe Ahmetit, Nazmiut, Bujarit e sa shokëve të tjerë të atyre viteve të zymta…Ju kam ndezur nga një qiri në një faltore të madhe, në një kishë e jam lutur për ju. Kaqë munda të bëj, më falni, na falni.

“Një burrë duhet të shtrëngojë dhëmbët e të ndajë fatin e tij me atë të Vendit të tij.”, shkruante Pasternaku në “Doktor Zhivago”. Ne u lodhëm, nuk patëm besim e ikëm, e lamë Vendin tonë në çastin kur ai kishte më shumë nevojë. Të lamë ty dhe shokëve të tjerë barrën e luftës për të ndërtuar një demokraci e për të bërë Shqipërinë një Vend normal. Barra qe tepër e rëndë e ndoshta një pjesë e saj t’a shpejtoi çastin e fundit. Edhe për këtë të kërkojmë falje.

Trupi le të prehet i qetë në tokën tonë, nën lulet e freskëta, ndërsa “shpirti i bardhë si dëborë” më së fundi ka gjetur qetësinë në dritën e amshuar. Në atë përjetësi do të takohemi përsëri, sepse pak nga pak po vjen rradha jonë, pak nga pak po e kryejmë misionin për të cilin erdhëm në këtë botë. Na vjen keq se ëndrra dhe realiteti mbetën larg njëri tjetrit, por ani, bëmë aqë sa mundëm por na ngushëllon fakti se nuk deshëm e nuk mundëm të bëjmë keq.

Lamtumirë Mojsi ynë zemërbardhë, lamtumirë o mik i ditëve të vështira, lamtumirë.

Shtator 2001

 

Mojs Miraka, dënimi me burgim, proceduar nga 4 bashkëpunëtorë dhe 6 denoncues Arkiva Online e Viktimave të Komunizmit në Shqipëri

Diktatura dënonte vetëm për shkak të origjinës. Këtu mbështetej thelbi i dënimeve të saj sepse këto formulonin “forcën” e luftës së klasave. Kështu ndodhi edhe me Mojs Kolë Mirakën (1938-2001). Pas internimeve të gjata, regjimi vendosi ta burgosë. Propozimi erdhi nga rrethi ku ishte internuar, në Lushnje. U mor edhe mendimi i sekretarit të parë të Komitetit të PPSH-së, i cili ishte dakord.

Me shkresën nr.451/1, datë 7.7.1979, Drejtoria e Hetuesisë në MPB, i kthente dosjen formulare nr.319, me 89 fletë, vendimin e arrestimit, fillimin e transferimit të çështjes, 5 procese kallëzimi (në gjyq shtohet edhe një), biografinë dhe certifikatën familjare kundër Mojs Kolë Mirakës.

Në relacion thuhej se i ati Kolë Bibë Mirakaj dhe xhaxhai Pal Mirakaj, ishin arratisur dhe kishin vdekur. Ishin vrarë nga regjimi xhaxhai Pashuku dhe vëllai Ndoci. Pas lufte familja ishte internuar në Berat, Tepelenë dhe më pas në sektorin Gradishtë. Më 29.8.1977 ishte ngritur në përpunim aktiv 2A “për veprimtari armiqësore në formën e agjitacionit dhe të propagandës kundërrevolucionare”.

Sipas bashkëpunëtorit “Pandelija”, dilte se “në mënyrë të organizuar” me “armiq” si Sazan Dine, Ahmet Kolgjini, Genc Pervizi, etj., zhvillonte veprimtari armiqësore. Ishte shprehur se arbëreshët e Italisë gëzonin të drejtën e fjalës. Të dhëna kishin sjellë edhe bashkëpunëtorët “Korabi”, “Aparati”, “Pena”.

Në thelb të të gjithave ishte jeta e keqe që bëhej në vendin tonë si dhe opinioni se pas prishjes së marrëveshjes së Mukjes filloi vëllavrasja. Kësisoj Mojsi u arrestua më 10.7.1979. U akuzua në bazë të nenit 55/1 të Kodit Penal. Gjykata nuk e fshihte karakterin klasor të goditjes, kur artikulonte fjalët:

“I pandehuri Mojs Mirakaj, duke mbështetur veprimtarinë armiqësore të babait të tij, është kthyer në një element armik duke përhapur ide dhe pikëpamje kundër vijës politike të partisë tonë në drejtime të caktuara. Veprimtaria kriminale…ka patur si objekt cenimin e fitoreve që ka arritur populli ynë nën udhëheqjen e partisë në fushën politike, ekonomike, ushtarake e shoqërore”.

Gjykata e Rrethit Lushnje, e drejtuar nga Zylfi Beqa, me pjesëmarrjen e prokurorit Riza Taullahu, me vendimin nr.104, datë 9.10.1979, e deklaroi fajtor dhe e dënoi me 10 vjet heqje lirie. Mojsi u lirua më 20.12.1986.

DOSSIER “Burra me flokë si të grave…”- Zbulohet urdhëri i Kadri Hazbiut: Ndalohen të hyjnë në RPSH

Dashnor Kaloçi

 

Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë (fondi i ish-Komitetit Qendror të PPSh-së), ku ndodhen disa dokumente që i përkasin vitit 1973, ku Ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, ka nxjerrë një urdhëresë drejtuar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, me disa kritere që duhet të zbatoheshin për të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e jashtme të tyre, si flokët e gjata, basetat etj., që “binin ndesh me normat e moralit tonë socialist”, si dhe ndalimin e literaturës fetare që ata mund të dispononin, etj.

Si dhe dokumenti me raport-informacionin e Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, drejtuar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me ngjarjen e datës 20.7.1973, ku një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel”, të Gjermanisë Perëndimore, në përbërje të të cilit ishin 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas, u ndaluan të hynin në Doganën e Hanit të Hotit, pasi dispononin literaturë fetare, etj.

Dokumenti i vitit 1973 me urdhëresën e ministrit të Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, dërguar Pikave Kufitare të Kalim Kontrollit dhe Drejtorisë së Doganave, lidhur me disa kritere që duhet të plotësonin të gjithë shtetasit e huaj që hynin në Republikën Popullore të Shqipërisë, lidhur me veshjen e paraqitjen e tyre të jashtme, si flokët e gjata, basetat etj.

MINISTRIA E PUNËVE TË BRENDSHME

Nr. 479

Ekzemplar Nr. 1

Tiranë më 4.5.1973

K R I T E R E

MBI NDALIMIN E HYRJES NË RPSH-së SË SHTETASVE TË HUAJ QË NË VESHJEN DHE PARAQITJEN E JASHTME BIEN NË KUNDËRSHTIM ME NORMAT E MORALIT TONË SOCIALIST

Për të ruajtur rregullat e paraqitjes në vendin tonë socialist, si dhe për të penguar ndikimin e ideologjisë borgjezo revizioniste nëpërmjet, veshjes dhe paraqitjes ekstravagante të të huajve që vijnë në RPSH-së për arsye të ndryshme, si dhe nëpërmjet literaturës që ata sjellin me vete, të zbatohen kriteret e mëposhtme :

1 – Të mos lejohen të hyjnë në RPSH-së të gjithë ata persona të huaj që me paraqitjen e jashtme, janë në kundërshtim me normat e moralit tonë socialist si p.sh., burra me flokë si të grave, me baseta shumë të ekzagjeruara, me mjekra të çrregullta, si dhe me veshje të papërshtatshme, konkretisht femra me minifunde dhe maxifunde.

2 – Të mos lejohet kalimi i asnjë lloj literature me përmbajtje kundërrevolucionare, fetare, e pornografike. Kjo lloj literature, të mbahet në dogana dhe nëse poseduesi i tyre i kërkon, t’ju jepet në kthim.

3 – Literatura teknike, kulturore, e artistike, lejohet për të gjithë të huajt që vijnë në vendin tone, në masën e një ose dy copë librave apo revistave që pretendohet se janë në përdorim personal. Ndërsa sasia tjetër e kësaj literature, ndalohet dhe niset menjëherë në Drejtorinë e Doganave e cila, mbasi bën verifikimet në bazë të rregullave e dërgon këtë pa vonesë në institucionin ose dikasterin që pret të huajin.

4 – Personat me përmbajtje të papërshtatshme dhe ata që sjellin literaturë në ndaluar duhet të trajtohen në mënyrë korrekte dhe të kulturuar nga organet kufitare dhe doganore, duke ua bërë të qartë arsyet përse merren këto masa. Të gjithë ata të huaj që do të korrigjojnë në vend, paraqitjen dhe veshjen e tyre, lejohen të hyjnë në territorin e RPSH-së.

5 – Organet kufitare e doganore, nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikat 1. 2. dhe 3.

A – Për diplomatët e akredituar në RPSH-së dhe nëpunësat e përfaqësive diplomatike e tregtare, si dhe për pjesëtarët e familjeve të tyre.

B – Për funksionarët e Ministrive të Punëve të Jashtme, korrierët diplomatik të vendeve të huaja që kanë përfaqësi diplomatike në Tiranë.

6 – Organet kufitare dhe doganore nuk zbatojnë masat e parashikuara në pikën 1.

A – Për anëtarët e delegacioneve zyrtare që priten nga dikasteret ose institucionet e ndryshme të vendit tonë.

B – Për pjesëtarët e ekipeve sportive që vijnë me ftesën e vendit tonë ose, në kuadrin e takimeve sportive ndërkombëtare.

Personat që përmenden në pikën 5 dhe 6, do të lihen të lirë të kalojnë kufirin e vendit tonë, pavarësisht nga paraqitja e tyre. Në raste të tilla pikat e kalim kufirit dhe organet doganore në mënyrë të kulturuar, u vënë atyre në dukje se rregullat e vendit tonë, nuk lejojnë një paraqitje të tillë, megjithatë ju jeni të lirë të kaloni.

Krahas kësaj për çdo rast ato, u dërgojnë sa më shpejt organit të tyre epror një informacion të hollësishëm mbi këto konstatime.

Informacioni i përcillet institucionit pritës i cili, i merr vetë masat për rregullimin e paraqitjes së tyre.

MINISTRI I PUNËVE TE BRENDSHME

KADRI HAZBIU

Dokumenti i Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë në Tiranë, me raport-informacionin Drejtorisë së Doganave pranë Ministrisë së Tregtisë, dërguar Drejtorisë së Jashtme në Komitetin Qendror të PPSH-së, lidhur me bllokimin në në Doganën e Hanit të Hotit, të një grup turistësh nga Gjermania Perëndimore

REPUBLIKA POPULLOR E SHQIPËRISË

MINISTRIA E TREGTISË

DREJTORIA E DOGANAVE

Nr. 307 Prot

Tiranë më 21.7.1973

KOMITETIT QENDROR TË PPSH-së

DREJTORISË SË JASHTME

T I R A N Ë

Ju njoftojmë se më 20.7.1973, në orën 16.00 në doganën e Hotit, mbërriti një grup turistësh të firmës “Retel Tours das rrollende hotel” të Gjermanisë Perëndimore, i përbërë prej 36 gjermanë, 5 austriakë, dhe 1 luksemburgas.

Sipas procedurës së caktuar ata, u pyetën nëse kishin materiale propagandistike. Të gjithë ata dorëzuan gazeta e revista të ndryshme, me përjashtim të Jean Etien, lindur në Nechen të Luksemburgut, i cili nuk deklaroi asgjë.

Nga të dhënat që u morën aty për aty nga punonjësit e Doganës, u vendos kontrolli i imët i të përmendurit dhe ju gjetën, 70 broshura të lutjeve fetare në gjuhën franceze, 50 broshura të lutjeve fetare në gjuhën gjermane, 120 pamflete me fotografi të Krishtit në dy forma, si dhe 50 fotografi të Krishtit të përgjakur, të shtypura në Belgjikë.

Po kështu në një zarf në adresë të shokut Enver, ju gjetën 5 fije brenda, 10 fotografi të Krishtit, 8 thirrje fetare, dhe 5 fletë kopjative.

Mbas kontrollit ai deklaroi se këto materiale, do t’ja shpërndante turistëve të huaj në vendin tonë, dhe letrën do t’ja jepte Enver Hoxhës.

Në këto kushte punonjësit e Doganës së Hotit, e nxorën atë përpara grupit të të gjithë turistëve të huaj të cilëve, ju fol për shkeljen e rregullave të vendit tonë, dhe të gjithë njëzëri kërkuan që ky person të kthehej mbrapsht.

Pavarësisht nga kërkesa e grupit, sipas rregullave tona ky person, do të kthehej dhe u vendos kthimi i tij. Ndërsa të gjithë të tjerët u vendos që të ktheheshin në Tiranë, duke ju dhënë edhe materialet e lejuara, ndërsa materialet e tjera, ju ndaluan për t’jua dhënë në kthim. Jean Etien, mbasi ju komunikua kthimi i tij, u largua në Jugosllavi, pa thënë asgjë.

Bashkëngjitur ju dërgojmë zarfin që i drejtohet shokut Enver, së bashku me materialin që ka brenda, si dhe nga një kopje të materialeve të tjera që, ai la në Doganë. Memorie.al

Drejtori i Doganave

Edip Çuçi


Send this to a friend