VOAL

VOAL

Shembja e Teatrit – qeveria përshpejton futjen në rendin e ditës

June 28, 2018

Komentet

“Marsho për identitet dhe dinjitet”- Komuniteti shqiptar në Preshevë paralajmëron protestë kundër diskriminimit nga Serbia

Më 23 shtator, nga ora 13:00, në Preshevë do të zhvillohet protesta me moton “Marsho për identitet dhe dinjitet”.

Kjo protestë është njoftuar sot nga kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila bëri të ditur se marshimi do të nisë nga stadiumi i qytetit dhe do të përfundojë në qendër të tij.

Sipas Sinanit, protesta organizohet në shenjë kundërshtimi ndaj diskriminimit, shtypjes dhe shkeljeve që shqiptarët e Luginës së Preshevës po përjetojnë nga Serbia.

Ajo theksoi se protestuesit do të kërkojnë ndërprerjen e pasivizimit të adresave të shqiptarëve nga Serbia, njohjen e diplomave, krijimin e mundësive për punësim, si dhe institucione të hapura për të gjithë.

“Le të marshojmë për barazi dhe drejtësi! Në gusht ishim në Bujanoc, në shtator jemi në Preshevë, për të dëshmuar se jemi një. Problemet tona nuk mund të shtyhen më. Aspak më pak se sa na takon, asnjëherë më shumë, por gjithmonë atë që meritojmë! Për zbatimin e Marrëveshjeve të nënshkruara dhe për përmbushjen e detyrimeve të shtetit ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Për Preshevën me Gjykatë dhe për institucione ku shqiptarët janë të përfaqësuar!”, ka shkruar Sinani në Facebook.bw

OKB: Shqipëria ka rënien më të madhe të lindshmërisë në rang global deri më 2054!

Emigracioni i lartë dhe plakja e popullsisë do të çojnë popullsinë e Shqipërisë në rënie pa kthim në të gjithë skenarët.

Kombet e Bashkuara në projeksionet e reja “Rishikimi i Perspektivës së Popullsisë Botërore 2024” e renditën Shqipërinë si vendin me rënien më të fortë të normave të lindshmërisë (fertilitetit) për grua me rreth 15% deri në vitin 2054 në rang global. (shiko grafikun e mëposhtëm).

Pas Shqipërisë vendet që do të kenë rënie të lartë të lindshmërisë do të jenë Armenia, Moldavia, Mali i Zi etj.

OKB vëren se niveli i fertilitetit, ose numri mesatar i lindjeve të gjalla për grua gjatë gjithë jetës, ka rënë ndjeshëm gjatë dekadave të fundit në shumë vende. Aktualisht, shkalla globale e lindshmërisë është 2.25 lindje të gjalla për grua, një fëmijë më pak se një brez më parë. Në Shqipëri aktualisht niveli i lindshmërinë për grua është më pak se 1.2 fëmijë, shumë poshtë shkallës së zëvendësimit.

Në shumicën e shoqërive, fëmijët dhe të moshuarit konsumojnë mesatarisht më shumë sesa prodhojnë.

OKB këshillon se pothuajse në të gjitha vendet dhe zonat me popullsi që tashmë kanë arritur kulmin në madhësi të popullsisë, dritarja e mundësive për rritjen e përshpejtuar ekonomike të lidhur me një popullsi rinore është mbyllur. Megjithatë, edhe në vendet ku pjesa e popullsisë në moshë pune (midis 20 dhe 64 vjeç) po zvogëlohet, ka mënyra për të nxitur rritjen ekonomike.

Një nga strategjitë që rekomandon OKB është që vendet me rënie të popullsisë duhet të bëhen gjithëpërfshirës, duke futur në tregun formal të punës grupe që tradicionalisht janë përjashtuar, si gratë, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara.

Një qasje tjetër që rekomandohet është rritja e produktivitetit të punonjësve duke investuar në formimin e kapitalit njerëzor dhe trajnimin e vazhdueshëm, duke përdorur teknologjisë, duke përfshirë robotikën, automatizimin dhe inteligjencën artificiale (AI). Imigrimi (prurjet e emigrantëve) mund të ndihmojë gjithashtu në zbutjen e mungesës së fuqisë punëtore të lidhur me plakjen e popullsisë, të paktën në afat të shkurtër.

Migrimi ndërkombëtar nuk mund të kompensojë rënien e popullsisë ose plakjen e popullsisë në terma afatgjatë, por nuk duhet parë si një “zgjidhje” për atë që në fund të fundit është një proces universal dhe i pakthyeshëm: tranzicioni demografik.

Në vendet ku nivelet e lindshmërisë janë tashmë nën zëvendësimin, emigrimi i njerëzve në moshën riprodhuese mund të kontribuojë në rënien e mëtejshme të popullsisë. Në 62 për qind të vendeve dhe zonave të grupit që tashmë përjetojnë nivele të ulëta të lindshmërisë, emigracioni ka të ngjarë të kontribuojë në zvogëlimin e mëtejshëm të numrit të popullsisë nga tani deri në vitin 2054. Në këtë grup vendesh bën pjesë edhe Shqipëria.

Më herët, OKB, në projeksionet e reja për ecurinë e popullsisë së botës deri më 2054, referon se Shqipëria renditet në mesin e vendeve me rënien më të madhe të popullsisë ndërmjet 2024-2054 në rang global.

Raporti referon se grupi i vendeve ku përfshihet Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Lituania, Porto Riko dhe Moldavia do të përballet me një rënie të popullsisë në nivelet 14% në 30 vitet e ardhshme. Këto vende do të kenë normat më të larta globale të rënies së popullsisë./Monitor

Anketimi: Nënpresidentja Harris zgjeron avantazhin përballë ish-Presidentit Trump

VOA/Marrë nga Reuters

UASHINGTON – Sipas një anketimi të ri të opinionit publik, Nënpresidentja demokrate Kamala Harris kryeson me 47% mbështetje përkundër ish-Presidentit republikan Donald Trump me 42%, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj pas debatit televiziv ku votuesit mendojnë se zonja Harris pati paraqitjen më të mirë. Anketimi i bërë nga agjencia e lajmeve Reuters dhe firma e anketimeve Ipsos u publikua të enjten.

Anketimi dyditor tregon se zonja Harris është në një avantazh prej 5% ndër votuesit e regjistruar për të marrë pjesë në zgjedhjet e këtij viti, duke zgjeruar kështu më tej avantazhin e saj prej 4% përballë zotit Trump sipas anketimit të mëparshëm që pati bërë agjencia Reuters dhe firma Ipsos në periudhën 21-28 gusht.

Ndër votuesit që thanë se patën dëgjuar të paktën diçka rreth debatit të së martës, zonja Harris mori 53% mbështetje, ndërsa 24% prej tyre thanë se debatin e kishte fituar zoti Trump. Rreth 52% e të anketuarve thanë se zoti Trump hasi në vështirësi dhe se nuk u shfaq në formën më të mirë, ndërsa 21% prej tyre thanë të njëjtën gjë për zonjën Harris.

Nënpresidentja Harris, 59 vjeçe, e vendosi ish-Presidentin Trump, 78 vjeç, në pozita mbrojtëse gjatë një debati të nxehtë presidencial, me një seri sulmesh ndaj përshtatshmërisë së tij për detyrën e presidentit dhe sfidat e tij të shumta ligjore.

Anketimi përfshiu 1,690 amerikanë të moshës madhore në mbarë vendin, ndër ta 1,405 të regjistruar për të votuar këtë vit. Mundësia e gabimit të këtij anketimi është në nivelin rreth 3% ndër votuesit e regjistruar.

Megjithëse anketimet në nivel kombëtar, përfshirë anketimin e bërë nga agjencia Reuters dhe firma Ipsos, japin sinjale të rëndësishme për pikëpamjet e elektoratit, janë rezultatet shtet mbas shteti që çertifikohen në Kolegjin Elektoral ato që përcaktojnë fituesin dhe pritet që rezultati përfundimtar të vendoset nga një numër i vogël shtetesh jetike për betejën elektorale.

Mediat britanike: Qeveria e dha lejen! Kievi mund të përdorë armët tona për të sulmuar Rusinë

Britania e Madhe i ka dhënë leje Ukrainës, mbrapa dyerve të mbyllura, që t’i përdorë raketat e saj me rreze të gjata veprimi për të kryer sulme thellë brenda tokës ruse, raportojnë mediat britanike.

Sipas gazetës Guardian, burime qeveritare kanë thënë se është marrë tashmë vendimi për ta lejuar Kievin t’i përdorë raketat lundruese të prodhuara nga Britania, Storm Shadow, për sulme brenda Rusisë, megjithëse vendimi nuk është bërë publik dhe me gjasë nuk do të bëhet publik as në të ardhmen.

Zyrtarët britanikë nuk e kanë komentuar raportimin e Guardianit.

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka kohë që u bën thirrje vendeve të Perëndimit t’i heqin kufizimet ndaj vendit të tij për përdorimin e armëve me rreze të gjata veprimi për sulme thellë brenda Rusisë.

Të martën, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha se administrata e tij është duke punuar për ta gjetur një mënyrë për heqjen e këtyre kufizimeve.

Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, dhe homologu i tij britanik, David Lammy, ishin në një vizitë të përbashkët në Ukrainë të mërkurën, ku njoftuan ndihmë të re për Kievin.

Blinkeni njoftoi mbi 700 milionë dollarë ndihmë për Ukrainën, ndërsa Lammy konfirmoi se vendi i tij do t’ia japë Ukrainës edhe 600 milionë funte ndihmë dhe hua të garantuara.

Të enjten, forcat ruse kryen sulme në qytezën Konotop në rajonin Sumi në verilindje të Ukrainës mëngjesin e së enjtes, ku u plagosën 14 njerëz, sipas zyrtarëve vendës.Infrastruktura civile dhe objektet energjetike ishin në shënjestër të sulmeve, sipas tyre.

Administrata ushtarake e rajonit tha se Rusia përdori dronë kamikazë të tipit Shahed gjatë këtyre sulmeve.

Rusia e ka goditur në mënyrë sistematike infrastrukturën energjetike të Ukrainës, duke i shkaktuar dëme të jashtëzakonshme, gjë që e ka kufizuar furnizimin e banorëve me rrymë dhe ka shkaktuar reduktime të vazhdueshme.

Ndërkohë, Ukraina është përgjigjur duke kryer sulme me dronë thellë brenda Rusisë, ku ka dëmtuar objekte të energjisë që janë vendimtare për ushtrinë ruse, kryesisht depo të naftës.REL

UGSHPD: HESHTJA NDAJ ÇDO TUBIMI OPOZITAR,  KULTURA E RE POLITIKE E AUTOKRACISË

Kaloi qëllimshëm dhe i pa nënvizuar nga media shtetërore dhe radiotelevizionet me mbulim kombëtar një ndër ngjarjet plot vlera të 10 Shtatorit 2024. Ashtu siç shpesh gjen vend shprehja “ta eklipsosh faktin”, kjo ndodhi me “Forumi për të Ardhmen e Shqipërisë: Rruga Konservatore Përpara” zhvilluar në hotel Tirana International. Veprimtaria u organizua nga The Albanian Policy CenterThe Heritage Foundation dhe Nazione Futura, studiues nga SHBA, Hungaria, Italia, Shqipëria, përfaqësues të klerit dhe miq të Partisë Demokratike  dhe aleatëve të saj të cilët e shohin rëndësinë thelbësore të forcave të së djathtës dhe konservatorizmit në Shqipëri për t’i dhënë tonin zhvillimit politiko-shoqëror dhe ekonomik të vendit duke ruajtur vlerat e familjes, individit dhe shtetit të së drejtës.
Ligjëratat dhe fjalët përshëndetëse në sallë dhe nga distanca për forumin u përcollën drejtpërdrejtë vetëm nga një stacion tv (Syri), si dhe pak media të tjera e portale (Ora-Tv, News-24, dosja.al), gjë që tregon se mediat zyrtare shtetërore dhe publike me mosinteresimin shprehin qartë një censurë të hapur.
A ishte ky një interes i munguar?
Mos ishte frikë pasqyrimi apo nerv i ngordhur i gazetarisë së faktit?
Apo ky forum që u mbajt në qendrën e kryeqytetit dhe në një vendndodhje të shfytyruar nga kaosi urban nuk tërhiqet nga pompziteti i tapetit të kuq kryeministror dhe i samiteve brenda piramidave?
Këto pyetje sot mund t’i qartësojnë ata profesionistë të gazetarisë që bashkë me rrëzimin e diktaturës komuniste nisën rrugën e mbrojtjes së vërtetës, të fjalës së lirë dhe pluralizmit. Nga kujtimet e kohës na ishte dikur 15 katëshi (Hotel Tirana), që në fillimet e viteve ’90 u njoh si zemra dhe qendra e grumbullimit të jetës së grupeve mediatike dhe delegacioneve ndërkombëtare që u fokusuan në hapat e parë të demokracisë që po hidhte Shqipëria. Ndërsa sot ky objekt sikurse edhe i gjithë realiteti janë eklipsuar dhe mban pas shpine hijen e pushtetit të korruptuar sikur Inter Continental-in, një ndërtim pas shpatullave dy herë më të lartë. Pushtet monist me një barrë mbytëse për shtetasit dhe qytetarët. Një shesh kryeqyteti me një qendër që tashmë i ka humbur gjurmët dhe po i humb edhe lidhjet me çdo trashëgimi.
Tirana, qendra e miliona vizitorëve të huaj sot me një Muze Historik Kombëtar që ka mbyllur dyert dhe i nënshtrohet “rikonstruksionit”. Por edhe një hapësirë urbane që është transformuar drejt shkatërrimit në arkitekturë dhe po i humb edhe ato pak orientues të Tiranës si; Bulevardi, Xhamia, Banka, Sahati të cilat janë në thelb vendi dhe koha e veprimit të 11 viteve të qeverisjes së Rilindjes Socialiste.
Duhet ta theksojmë se nga ky këndvështrim tradita është tronditur dhe po kështu edhe për ata që nuk e shpien dot në përmend ndryshimin pasi përditshmëria e tyre është mes kaosit dhe propagandës që ka krijuar narko-shteti, njerëzit duhet të kuptojnë se edhe Heroi Kombëtar i të gjithë shqiptarëve Gjergj Kastrioti Skënderbeu sot ndjehet i kërcënuar duke humbur përmasën qëllimshëm mes kësaj shije urbane.
Por ky shesh që mban emrin e Heroit Kombëtar dhe mban Flamurin Kuq e Zi nuk mund të harrohen pasi ato janë përjetësisht prona dhe trashëgimia që shqiptarët e shqipërisë, e atyre në të gjitha trojet shqipërisë dhe të diasporës kanë prej shekujsh, do t’i ruajnë ndër shekuj dhe do të jenë gjithmonë krenarë.
A janë këto aspekte ata pak tregues që kuptueshëm ngritën një tribunë të mendimit konservator për ruajtjen e traditës kombëtare dhe zhvillimin e demokracisë shqiptare në këto kohë të vështira të zhvillimeve ekonomike dhe shoqërore dhe afrimi të natyrshëm me botën e qytetëruar?
Duke monitoruar vetëm dje sjelljen e mediave shtetërore dhe publike që preferojnë ta mbështesin verbërisht dhe me frikë pushtetin dhe që urdhërohen nga pushteti për të mos informuar publikun mbi një  “Forum për të Ardhmen e Shqipërisë: Rruga Konservatore Përpara”, kjo sot nuk ka të bëjë thjeshtë me as me pjesëmarrjen dhe as me të bërin opozitë, por me një realitet shqiptar ku informacioni, faktet dhe ngjarjet heshten nga pushteti . Prej pushtetit dëgjon vetëm propagandë dhe jo hapësira për mendimin ndryshe. Në këtë rrjedhë çoroditëse bien dhe mediat të cilat miqtë e nderuar dhe oratorët nga SHBA, Italia, Hungaria etj. i kanë numëruar në pikat hyrëse kufitare si turistë me netë qendrimi dhe thuajse të padukshëm si njerëz të përkushtuar për zhvillimin e demokracisë shqiptare për ruajtjen e vlerave e familjes, individit dhe shtetit të së drejtës dhe traditave të pasura historike dhe kulturore të kombit shqiptar.
11 Shtator, 2024
 
 
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

“Duhet të forcojmë mbrojtjen!”- Vjosa Osmani: Serbia është kthyer në shtetin më të fortë të Putinit në Evropë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka ngritur shqetësimin për ndërhyrjen e Rusisë në Serbi dhe ndikimin e saj destabilizues në rajonin e Ballkanit Perëndimor, gjatë një interviste për TVP World.

Ajo theksoi se këto veprime synojnë të krijojnë një “front të ri kundër Perëndimit.”

Osmani vlerësoi se qëllimi i Rusisë është destabilizimi i Ballkanit përmes Serbisë, dhe për këtë arsye, Kosova duhet të ndërmarrë hapa për të forcuar kapacitetet e saj mbrojtëse.

Ajo përmendi rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë me aleatët perëndimorë për të ndalur veprimet destabilizuese të Serbisë, të nxitura nga Rusia.


“Duhet të punojmë ngushtë me partnerët tanë nga bota demokratike për të ndalur iniciativat destabilizuese të Serbisë, të mbështetura nga Rusia. Në të njëjtën kohë, ne duhet të forcojmë mbrojtjen tonë për të qenë të aftë të vetëmbrohemi dhe të kontribuojmë për sigurinë në rajon,” deklaroi Osmani.

Ajo shtoi se lidhjet e forta ekonomike, kulturore dhe historike midis Rusisë dhe Serbisë mund të shfrytëzohen nga Moska për të ushtruar ndikim në një rajon që ende përballet me sfida të mëdha.

“Besoj se Ballkani Perëndimor ka të ardhme në integrimin me Bashkimin Evropian dhe NATO-n,” theksoi Osmani, duke shprehur shpresën për një perspektivë më të qartë euroatlantike për rajonin.

Në fund të intervistës, Osmani rikujtoi se Kosova vazhdon të jetë viktimë e agresionit serb, duke e përshkruar Serbinë si aleatin më të afërt të presidentit rus, Vladimir Putin, në Evropë, raporton media e Kosovës, Telegraf.

“Serbia është bërë mbështetësi më i fuqishëm i Putinit në Evropë, ndërsa Kosova dhe vendet e tjera të rajonit mbeten viktima të akteve të saj agresive,” përfundoi Presidentja Osmani.

Kurti dhe zëvendës-shefja e ambasadës së Amerikës nderojnë viktimat e sulmit të 11 Shtatorit

Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendës-shefen e ambasadës së ShBA-së në Prishtinë, Anu Pratipati, kanë bërë homazhe për nder të viktimave të sulmit të 11 shtatorit.

Pos Pratipatit, Kurti ishte i shoqëruar edhe nga ministrat e tij.

Ata bashkë nderuan viktimat para pllakës memoriale e cila u zbulua në oborrin e qeverisë në vitin 2019, njofton Klankosova.tv.

Berisha rrëzon hetimin e SPAK: Firma ime nuk ekziston në asnjë dokument! Të gjitha lejet janë dhënë nga Rama, Basha dhe Veliaj

Gjatë deklaratës së tij për mediat para SPAK, kryetari i PD-së, Sali Berisha është shprehur se, firma e tij nuk ekziston në asnjë dokument. Sipas Berishës, të gjitha lejet janë dhënë nga Rama, Basha dhe Veliaj.

Pjesë nga fjala e kreut të PD-së, Sali Berisha:

Sali Berisha u vu nën arrest me kallëzimin e rreme të Taulant Ballës se toka në territorin e Klubit Partizani nuk iu takonte pronarëve mbasi ishte shpronësuar nga autoritetet italiane. Prokurorët e dinin që ky ishte mashtrim sepse fletoret zyrtare të vitit 1942-1943 faktojnë qartë se ajo toke nuk është shpronësuar kurrë por ishte vendosur nën rekuizim për 6 muaj.

Nga dhjetëra zyrtar që kanë firmosur dokumentet e procesit të njohjes dhe kthimit të pronarët legjitim të tokës së konfiskuar nga regjimi komunist dhe para blerjen prej tyre të objekteve të Klubit Partizani asnjë nuk është në ndjekje penale sepse ata kanë zbatuar strikt ligjet e vendit.

Firma e Sali Berishës nuk ekziston në asnjërin prej këtyre dokumenteve.

Nuk ka asnjë provë, dëshmi apo dokument që të tregojë se Berisha ka kërkuar apo ka bërë presion ndokujt që të firmosë qoftë dhe një dokument të vetëm në procesin e njohjes dhe kthimit të pronës dhe të të drejtës së parablerjes, në rastin e privatizimit të Klubit Partizani.

Në vitet 2006-2013 nuk ka asnjë ligj apo VKM nominative të miratuar në lidhje me pronësinë dhe privatizimin. Të gjithë ligjet dhe VKM janë miratuar për të gjithë popullsinë dhe prej tyre pa asnjë diskriminim kanë përfituar nga procesi i njohjes, rikthimit dhe parablerjes së objekteve nga ish-pronarët legjitimë mbi 500 mijë qytetarë shqiptarë.

Ndër këta pronarë të ligjshëm, dhëndri im, Jamarbër Malltezi ka përfituar 410 metër katrorë tokë te Klubi Partizani të trashëguar nga familjarë të tij, ndër të cilët edhe të pushkatuar nga regjimi komunist.

Ky qëndrim ligjor dhe kushtetues i qeverisë së Partisë Demokratike është krejtësisht i kundërt nga qëndrimi i Edi Ramës, i cili me vendim të personalizuar nr. 183 i dha të vëllait, Olsi Rama, 37.000 m2 duke ua marrë në kundërshtim me ligjin pronarëve legjitimë; apo që përmes 4 VKM-ve të personalizuara i dha me 1 euro gazetarit të tij Karlo Bolino, 4500 m2 nga të nga e cila 1500 m2 të familjes Begeja dhe pronare të tjerë fisnikë të Tiranës ia kishin lënë komunitetit për ndërtimin e një shkolle të mesme.

Së fundmi rezulton se me manipulime dhe mashtrime Edi Rama ka marrë në Kanionin e Gjipesë 224.000 m2 tokë, me emrin e nënës dhe familjarëve të nënës së tij, pa pasur asnjë dokument zyrtar kadastral apo shpronësimi të kësaj toke nga ndonjë qeveri.

Zhvillimi i pronës private të rikthyer pesë familjeve të truallit të Klubit Partizani është kryer nga 3 trashëgimtarë të tyre, sipas vullnetit të tyre dhe në përputhje të plotë me ligjet e vendit.

Të gjitha lejet e zhvillimit të kësaj prone janë dhënë nga Edi Rama, Lulzim Basha dhe Erion Veliaj.

Asnjëri nga këta 3 partnerë të zhvillimit të kësaj prone nuk ka përfituar asnjë qindarkë nga qeverisja e Sali Berishes dhe asnjë dëm nuk i është shkaktuar shtetit.

Sali Berisha u vu nën arrest me pretendimin se ai ka nisur procesin e privatizimit të Klubit Partizani dhe ka ndryshuar destinacionin.

Ndërkohë dokumentet zyrtare provojnë se privatizimi është nisur nga qeveria socialiste, kurse ndryshimi i destinacionit nga terren sportiv në truall ndërtimi është bërë nga Edi Rama.

Në rastin e ndërrimit të destinacionit të Klubit Partizani shteti nuk ka humbur asnjë qindarke, SPAK ka anashkaluar të gjitha vendimmarrjet e bashkisë së Edi Ramës dhe ka shkuar drejt e tek kryeministri i vendit, i cili me vendim të Gjykatës Kushtetuese e kishte të ndaluar t’i ndryshonte ato.

Ndërsa për analogji, në rastin e inceneratorëve ku dëmi llogaritet në qindra miliona euro, SPAK-prokuroria private e Edi Ramës në vend që të hetojë, akuzojë apo arrestojë Edi Ramën që në kundërshtim me ligjin dhe qëndrimin kundër të dy ministrave, i dha bonusin kompanisë së paregjistruar, ata kanë arrestuar një drejtor bashkie që ka bërë propozimin për dhënien e bonusit! sn

Mobilizimi- Bardhi mesazh deputetëtve: Të mërkurën në protestë para SPAK

Kreu i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, ka mobilizuar deputetët e opozitës që të mblidhen nesër para godinës SPAK rreth orës 12:00.

Kreydemokrati, Sali Berisha, pritet të arrijë në ambientet e SPAK pas thirrjes së kësaj të fundit për t’u paraqitur në ambientet e Prokurorisë së Posaçme.

Ndërkohë mbledhja e Grupit Parlamentar në seli është shtyrë për të enjten.

“Të nderuar kolegë, nesër në 12:00, do të jemi përpara SPAK, sipas njoftimit që është bërë publik. Ndërkohë, mbledhjen e radhës së Grupit Parlamentar, lidhur me seancën plenare, do ta zhvillojmë, të enjten, ora 09:00, në seli. Ju falënderoj”, thuhet në njoftimin e Bardhit. sn

OKB publikon raportin: Shqipëria mes e 6 vendeve me rënien më të madhe të popullsisë në botë

Në 63 vende dhe zona te tjera, që zotërojnë 28% të popullsisë së botës popullsia e tyre arriti kulmin para vitit 2024. Ky grup përfshin Kinën, Gjermaninë, Japoninë dhe Rusinë. Në 48 vende dhe zona, që përfaqësojnë 10% të popullsisë së botës në vitin 2024, numri i popullsisë parashikohet të arrijë kulmin midis 2025 dhe 2054. Ky grup përfshin Brazilin, Iranin, Turqinë dhe Vietnamin. Numri i popullsisë në këto lokacione parashikohet të rritet me 5.3% në tridhjetë vitet në vijim.

Në 126 vendet dhe zonat e mbetura, popullsia ka të ngjarë të vazhdojë të rritet deri më 2054, potencialisht duke arritur një kulm pas vitit 2100. Ky grup përfshin disa nga vendet më të populluara në botë: India, Indonezia, Nigeria, Pakistani dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Numri i njerëzve që jetojnë në këto lokacione parashikohet të rritet me 38% deri 2054. Në nëntë nga këto vende dhe zona, duke përfshirë Angolën, Republikën e Afrikës Qendrore, Republika Demokratike e Kongos, Nigeria dhe Somalia, rritja e popullsisë ka të ngjarë të jetë shumë e shpejtë, me dyfishimin e popullsisë midis 2024 dhe 2054.

Këto vende do të çojnë popullsinë e globit drejt pikut referon OKB-ja. Në vendet ku nivelet e fertilitetit janë tashmë nën normën e zëvendësimit 2,1 fëmijë për grua dhe gjithashtu kanë emigrim të lartë të njerëzve në moshë riprodhuese do të përballen me rënie popullsie. Në këtë grup bën pjesë edhe Shqipëria. Migrimi ndërkombëtar gjithashtu ndikon në mënyrë indirekte numri i lindjeve në vendet e destinacionit dhe në vendet e origjinës.

  • foto galeri

Në vende si Shqipëria, Armenia, Guadalupa apo Xhamajka, emigrimi i një numri të madh të grave në moshë riprodhuese mund të zvogëlojë numrin e lindjeve që ndodhin në ato vende, referon OKB teksa vë në dukje se në vende të tilla si Portugalia, Federata Ruse dhe Spanjë, kthimi emigrantëve dha një efekt të kundërt.


Në vendet me shkallë të lartë emigracioni, nëse krijohen më shumë mundësi dhe punë të denjë, promovimi i kthimit te migrimit, mund të jetë qasje për t’u eksploruar dhe mund të jenë më efektive në ngadalësimi i rënies së popullsisë në afat të shkurtër se sa politikat që synojnë rritjen e niveleve të lindshmërisë. Së fundmi, Censi i vitit 2023 i INSTAT gjeti se popullsia e Shqipërisë ka zbritur në 2.4 milionë banorë, ose 420 mijë banorë më pak se në Censin e vitit 2011./ Monitor

Vuçiç paralajmëroi “masa serioze” ndaj Prishtinës, Kurti vizitë në veri të Kosovës, flet për hapjen e urës së Ibrit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një vizitë në veri të vendit, ndërsa më herët Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është shprehur se në 72 orët e ardhshme do të bëjë publike planin e “masave serioze” që Beogradi do të ndërmarrë në lidhje me situatën në veri.

Nga Mitrovica, Kurti ka theksuar se Ura e Ibrit duhet të hapet, duke nënvizuar se kjo masë nuk është kundër askujt, por për përfitimin e të gjithë qytetarëve.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e kësaj ure prej disa muajsh, megjithëse ideja është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çështja të zgjidhet përmes dialogut. Aktualisht, Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorët.

Sipas Kurtit, hapja e urës ka rëndësi të madhe për imazhin ekonomik të vendit dhe për lirinë e lëvizjes.


“Liria e lëvizjes duhet të respektohet. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2016 parashikon që ura të hapet deri më 2017, dhe tani është koha për ta realizuar këtë. Hapja nuk është kundër dikujt, por për të mirën e të gjithëve”, ka deklaruar Kurti.

Kurti vuri në dukje se hapja e urës është për të gjitha komunitetet e Kosovës, duke përfshirë serbët, boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët duhet të lëvizin lirshëm në atë zonë.

“Ne nuk duam ta hapim urën kundër serbëve, përkundrazi! Duam që të gjithë të lëvizin të lirë,” ka thënë ai.bw

Kurti për dialogun me Serbinë: Kemi një marrëveshje, Beogradi duhet ta zbatojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut tha se nuk ka detaje rreth njoftimit për një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve. Por ai tha se një marrëveshje tashmë ekziston dhe ajo duhet të zbatohet në terren.

“Megjithatë, Beogradi nuk e njeh marrëveshjen që e ka pranuar. Tani e kanë kuptuar se kjo marrëveshje nuk i përshtatet ideologjisë të ‘Serbisë së Madhe’. Mendoj se duhet ta respektojmë Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit të kaluar dhe ta zbatojmë atë”, u tha Kurti gazetarëve në Mitrovicë të Veriut.

Në shkurt të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars u dakorduan për Aneksin e zbatimit të saj. Në ndërkohë, palët shprehën rezervat e tyre, gjegjësisht Kosova insistoi që marrëveshja duhet të nënshkruhet, ndërkaq Serbia paraqiti vijat e kuqe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndroi javën e kaluar në Prishtinë. Pas takimeve, ai deklaroi se ishte arritur pajtim për një rund të ri të dialogut midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, ai nuk dha ndonjë datë se kur do të mbahet ky takim.

Më 10 shtator, Lajçak qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me të bisedoi edhe për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në fund të qershorit, Kurti paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik. Një prej tyre ishte që Serbia të tërhiqte një letër që i dërgoi Brukselit vitin e kaluar, përmes së cilës shprehu rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Javën e kaluar, gjatë qëndrimit në Prishtinë Lajçak deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën që kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar Brukselit.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL


Send this to a friend