Vizita në Uashington e ministres së Mbrotjes së Shqipërisë Olta Xhaçka dhe takimi me sekretarin e Mbrojtjes në detyrë Patrick Shanahan, nxori në pah shqetësimin rreth ndikimit rus në rajon. Si përgjigje ndaj pyetjes së Zërit të Amerikës, sekretari Shanahan tha se rreziku që paraqet Rusia në Ballkan është një nga arsyet kryesore të zhvillimit të këtij takimi.
“Kjo është një nga arsyet kryesore pse po takohemi sot. Është rrezik dhe ndaj jemi partnerë të fortë”, tha zoti Shanahan për Zërin e Amerikës.
Në komentet e tij në fillim të takimit, zoti Shanahan vlerësoi bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve duke përmenduar ndër të tjera agazhimin e Shqipërisë me trupa në Afganistan apo objektivin e shpallur nga pala shqiptare në kuadër të NATO-s për të paguar 2 për qind të Produktit të saj të Brendshëm Bruto, për mbrotjen.
“Marrëdhënia mes dy vendeve është e fortë. Dua t’ju falenderoj për kontributin dhe faktin që keni qenë një aleat model”, shtoi zoti Shanahan.
Kjo është vizita e dytë brenda një viti e ministres shqiptare të Mbrotjes Olta Xhaçka. Gjatë kësaj vizite u njoftua marrëveshja e arritur me Departamentin amerikan të Mbrotjes në funksion të modernizimit të forcave ajrore shqiptare, e cila parashikon marrjen e disa helikopterëve Black Hawk. Fillimisht Shqipëria do të marrë 3 helikopterë. Një tjetër projekt lidhet me rritjen e aftësive kibernetike të Shqipërisë.
Zonja Xhaçka tha se Shtetet e Bashkuara kanë qenë gjithmonë një mik i madh dhe aleat i popullit shqiptar dhe se pa mbështetjen dhe angazhimin bujar të tyre, siç tha ajo, fati i rajonit do të kishte qenë shumë ndryshe.
“Më lejoni të shpreh mirënjohjen e qeverisë shqiptare për administratën e amerikane për të qëndruar në mënyrë të vendosur me ne, në reformat kryesore që po ndërmarrim për të ndërtuar institucione më të forta demokratike dhe për të forcuar sundimin e ligjit. Veçanërisht për reformën në sistemin tonë të drejtësisë, i cili është vendimtar për procesin e pranimit në BE.
“Së fundi, por sigurisht jo për nga rëndësia, shpresojmë që brenda këtij viti të nisim punimet në bazën e parë ajrore të Aleancës në rajonin tonë, në Kuçovë, një zhvillim që besoj se e njeh rolin e Shqipërisë si një spirancë e stabilitetit në rajon dhe rrit rëndësinë tonë strategjike për Aleancën në tërësi”, tha zonja Xhaçka.
Duke iu referuar bazës në Kuçovë Ministrja Xhaçka tha se ky është një zhvillim shumë i rëndësishëm për një rajon që në vitet e fundit është bërë një pikë e nxehtë e rivaliteteve gjeopolitike dhe dëshmitar i një përpjekjeje shumë të bashkërenduar për të minuar sigurinë dhe stabilitetin.
Avokati serb Cedomir Stojkoviç ka paraqitur disa dëshmi me të cilat thotë se dëshmohet që presidenti i tashëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ishte pjesë e “turizmit të snajperëve” gjatë rrethimit të Sarajevës.
Stojkoviç në rrjetet sociale ka postuar një deklaratë të Vuçiçit dhënë në vitin 1994 për gazetën “Duga” e ku thoshte: “Shkova në Sarajevën serbe si vullnetar. Isha në varrezat hebraike për një kohë”. Stojkoviq ka postuar edhe videon e Vuçiçit.
Ai ka thënë se varrezat hebraike po përmenden aktualisht si vendi ku “turistë” ishin sjellë nga ushtria e Radovan Karaxhiçit prëmes Beogradit për të vrarë civilë me snajperë, në atë që është quajtur “turizëm snajperësh”.
“Kjo po ndodhte pikërisht kur Vuçiqi, sipas rrëfimit të tij, ishte në luftë atje”, ka shkruar Stojkoviç.
Ai ka thënë dëshmi tjetër është edhe deklarata e Vojislav Sheshelit gjatë gjykimit në Hagë se “Vuçiçi kishte qenë vullnetar me Slavko Aleksiçin te varrezat hebraike”.
Stojkoviç ka thënë se është dëshmi se ky “safari snajperësh”, duke paguar për të vrarë civilët, po zhvillohej në kohën kur Aleksiqi po drejtonte atë zonë dhe Vuçiç ishte nën komandën e tij.
Ai po ashtu tha se ka xhirime ku Vuçiq shihet me atë që duket se është snajper. Thotë se video është e vitit 1993 dhe atë video e ka postuar.
Prokurorët në Milano kanë hapur një hetim ndaj italianëve që dyshohet se kanë paguar anëtarët e ushtrisë së serbëve të Bosnjës për të shkuar në Sarajevë, në mënyrë që ata të vrisnin qytetarë gjatë rrethimit katërvjeçar të qytetit në vitet 1990.
Më shumë se 10,000 njerëz janë vrarë në Sarajevë nga bombardimet e vazhdueshme dhe sulmet me snajper midis viteve 1992 dhe 1996, në atë që ishte rrethimi më i gjatë në historinë moderne, pasi Bosnja dhe Hercegovina shpalli pavarësinë nga Jugosllavia.
Hetimi filloi nga një ankesë ligjore e paraqitur nga Ezio Gavazzeni, një shkrimtar me bazë në Milano, i cili mblodhi prova mbi akuzat, si dhe një raport të dërguar prokurorëve nga ish-kryetarja e bashkisë së Sarajevës, Benjamina Kariq.
Gavazzeni ka thënë se kishte lexuar për herë të parë raportet rreth “turistëve të dyshuar snajperistë” në shtypin italian në vitet ‘90, por vetëm pasi kishte parë “Sarajevo Safari”, një dokumentar i vitit 2022 nga regjisori slloven Miran Zupaniq, filloi të hetonte më tej.
Në dokumentar, një ish-ushtar serb dhe një kontraktor pretenduan se disa grupe perëndimorësh qëllonin popullsinë civile nga kodrat përreth Sarajevës. Pretendimet e tyre janë mohuar me forcë nga veteranët serbë të luftës.
“’Sarajevo Safari’ ishte pika e fillimit”, ka thënë Gavazzeni.
“Fillova një korrespondencë me drejtorin dhe që andej e zgjerova hetimin tim derisa mblodha materiale të mjaftueshme për t’ua paraqitur prokurorëve të Milanos”, ka shtuar ai.
Gavazzeni pretendon se shumë italianë dyshohet se janë të përfshirë, pa dhënë një shifër.
“Kishte gjermanë, francezë, anglezë… njerëz nga të gjitha vendet perëndimore që paguanin shuma të mëdha parash për t’u çuar atje për të qëlluar civilë.”
“Nuk kishte motive politike apo fetare. Ata ishin njerëz të pasur që shkonin atje për argëtim dhe kënaqësi personale. Po flasim për njerëz që i duan armët dhe që ndoshta shkojnë në poligone qitjeje ose në safari në Afrikë”, ka thënë ai.
Ai pretendon se të dyshuarit italianë takoheshin në qytetin verior të Triestes dhe udhëtonin për në Beograd, nga ku ushtarët serbo-boshnjakë i shoqëronin ata në kodrat e Sarajevës.
“Kishte një trafik turistësh lufte që shkonin atje për të qëlluar njerëz”, ka thënë ai.
Gavazenni ka shtuar se kishte identifikuar disa nga individët italianë që dyshohet se kanë qenë të përfshirë dhe të cilët pritet të merren në pyetje nga prokurorët në javët e ardhshme.
Në Ballkan, sovraniteti territorial po kthehet në një nocion abstrakt me pasoja tepër të rënda për ata popuj që do ta fillojnë të parët ta konsiderojnë të tillë. Shprehja “Ballkanizim” tashmë përdoret gjerësisht në fushën e marëdhënieve ndërkombëtare dhe asaj të sigurisë si një sinonim i ndarjeve e copëtimit të shteteve dhe konflikteve të përhershme. Në raport me sipërfaqen, nuk ka zonë me intensitet më të lartë konfliktesh territoriale sesa gadishulli Ballkanik.
Sovraniteti është dhe mbetet themel i sigurisë shtetërore, i pavarësisë politike dhe i kohezionit kombëtar. Megjithatë, në Shqipëri, sovraniteti po trajtohet gjithnjë e më shumë si një formalitet – diçka e garantuar automatikisht tashmë edhe nga anëtarësimi në NATO, nga protokollet diplomatike dhe nga një varg supozimesh optimiste për stabilitetin rajonal, për të cilin po sakrifikohet demokracia, të drejtat e njeriut dhe funksionimi i institucioneve shtetërore.
Disa zhvillime të cilat po ndodhin paralelisht – kolapsi demografik në përgjithësi dhe ai në jug në veçanti, propozimet territoriale-administrative me pasoja strategjike, ndikimet e huaja në proceset politike dhe trajtimi i diskutueshëm i negociatave për detin – tregojnë një dobësim strukturor të qëndrueshmërisë territoriale të Shqipërisë. Të marra të ndara nga njëra tjetra këto çështje ndoshta nuk do të përbënin arsye për t’u alarmuar, as për të shkruajtur këtë artikull. Por së bashku, në harmoni me njëra tjetrën, si gurët e vegjël të një mozaiku të madh, ato krijojnë një dobësi që asnjë shtet apo drejtues përgjegjës nuk mund ta shpërfillë.
Le t’i trajtojmë këto rreziqe faktike.
Reforma territoriale pa përfillur sigurinë kombëtare
Debati mbi reformën territoriale në Shqipëri është trajtuar kryesisht si një çështje e rendimentit administrativ dhe si një ndikues i drejtëpërdrejtë tek rezultatet e proceseve zgjedhore. Ta shikosh territorin e kombit dhe shtetit tënd vetëm përmes optikës administrative dhe asaj zgjedhore, është një lojë e rrezikshme të cilën kombi ynë nuk mund ta luajë.
Çdo shtet serioz e kupton që kufijtë administrativë janë instrumente strategjike aftagjata të cilat mund të sjellin pasoja fatale për një shtet. Ato formësojnë demografinë, modelet zgjedhore, përqendrimet e minoriteteve dhe levat politike afatgjata të cilat mund të përdoren nga të gjitha palët konkuruese në gjeopolitikë.
Në kuadër të reformës territoriale, së fundmi është propozuar bashkimi i zonave me përqendrim të lartë minoritar, të cilat ndodhen në brendësi të territorit, me zona pranë kufirit grek. Në këtë mënyrë krijohet një njësi e re territoriale me vazhdimësi të pandërprerë të vendbanimeve minoritare, të cilat kanë shprehur shprehur koherencë të njësuar politike, sociale dhe gjuhësore. Me këtë riformatim dhe dinamikë, ky territor më vonë mund të përkthehet në një platformë më të fortë zyrtare për pretendime kolektive.
Sipas manualeve shoviniste dhe fakteve historike, kemi plot zona të tjera në Ballkan e rajone të Europës ku konsolidimet e tilla administrative më pas evoluan në kërkesa autonomie dhe ku më pas është nevojitur edhe ndëryrja e organizatave ndërkombëtare dhe forcave shumëkombëshe. Shqipëria nuk ka arsye që të përbëjë përjashtim për këtë rast. Hartat administrative janë mjete gjeopolitike – dhe kur vizatohen gabim, ato mund të kthehen në armë. Një reformë territoriale që kryhet pa vlerësim të sigurisë kombëtare krijon hapësirë për gabime strategjike.
Në parlament, disa deputetë të minoriteteve tregojnë interes të shtuar për çështje territoriale – administrative, ndërkohë ky interes mungon ndaj komisioneve të tjera, pavarësisht rëndësisë së tyre për jetën e përditshme të qytetarëve shqiptarë. Kjo është e drejta e tyre kushtetuese në një vend demokratik – por lind pyetja: sa të gatshëm do të ishin ata deputetë të vendosnin në plan të parë sovranitetin territorial të Republikës së Shqipërisë duke anashkaluar çështjet tek të cilat kanë konflikt të drejtë-përdrejtë në lidhje me sigurinë kombëtare të Republikës së Shqipërisë?
Çështja detare: një zgjedhje juridiksioni që dobëson pozicionin shqiptar
Shqipëria dhe Greqia kanë rënë dakord ta çojnë çështjen e delimitimit detar në një gjykatë ndërkombëtare për të shqyrtuar mundësinë e një marrëveshjeje paraprake. Në parim, ky është një hap civilizues. Por, Shqipëria ka zgjedhur Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë – dhe jo Tribunalin Ndërkombëtar për të Drejtën e Detit në Hamburg, organi i specializuar i UNCLOS-it me standarde më të rrepta teknike.
Në Hagë, parimet e “barazisë së palëve” mund të zbehin argumentet teknike të Shqipërisë, duke i dhënë Greqisë më shumë hapësirë manovrimi.
Ky nuk është “kurth” në kuptimin figurativ të fjalës, por është disavantazh strategjik. Shtetet me kapacitete njerëzore teknike dhe juridike shumë më të mëdha dhe me diplomaci më agresive, shpesh dalin më të favorizuara në forume ku peshohen edhe konsideratat politike dhe gjeostrategjike. Kapacitet e Shqipërisë lënë shumë për të dëshiruar në këtë lëmi dhe kjo zgjedhje për të shkuar në Hagë për të arritur një marrëveshje është alternativa më e pafavorshme për Shqipërinë, e cila me gjendjen aktuale ka çfarë të ruajë nga ajo që ka, duke mos pasur frikë të humbasë diçka që nuk e ka.
Erozioni demografik: rënia e heshtur e sovranitetit
Në parim, një territor pa popullsi është më pak i mbrojtshëm dhe territori shqiptar pa popullsi shqiptare bëhet më lehtësisht i negociueshëm. Jugu i Shqipërisë po përjeton një nga krizat demografike më të rënda në rajon: fshatra që zbrazen e të rinj që largohen, duke lënë pas vetes vetëm të moshuar e kafshë shtëpiake. Nëse rënia demografike vazhdon, jugu bëhet i cënueshëm jo nga forca, por nga mungesa e njerezve dhe në këtë mënyrë sovraniteti cënohet shumë më herët sesa të lëvizen kufijtë. Sa më shumë të piqen kushtet e lartëpërmendura, aq më e lehtë dhe e mundur bëhet lëvizja e kufijve.
Nga ana tjetër, një pjesë e madhe e shqiptarëve të cilët jetojnë në Greqi kanë marrë shtetësinë greke dhe gjatë këtyre 30 viteve kanë përjetuar një proces shtetëror asimilimi sistemik. Ata janë qytetarë grekë dhe pjesëmarrës në politikën greke – dhe kur është nevoja, mobilizohen për të ndikuar në zgjedhjet shqiptare. Kjo nuk është e paligjshme por është strategjikisht e rëndësishme.
Rikonceptimi i bazave ushtarake në zona turistike
Turizmi është një mekanizëm i rëndësishëm i fuqizimit të ekonomisë shqiptare e cila ka burime të kufizuara. Ky sektor duhet të zhvillohet sa më shumë që të jetë e mundur në të gjithë vijën e tij bregdetare, ku rreth 7/8 e saj mbeten ende të pashfrytëzuara. Pavarësisht kësaj hapësire ende të pashfrytëzuar, bie në sy fakti që ish-instalimet ushtarake në jug po hiqen nga inventari i mbrojtjes me vendime qeverie. Ato po rikualifikohen si hapësira dhe objekte me destinacion turistik. Ky veprim ka dy pasoja negative në lidhje me sigurinë kombëtare:
Demilitarizimi i këtyre zonave nënkupton, reduktim të thellësisë operacionale, ngadalësim të reagimit ushtarak, ulje të pranisë shtetërore dhe rritje të varësisë tek aktorë ekonomikë privatë ose të huaj. Nëse nesër ka tensione politike, shteti do të përballet me pengesa strukturore për të ri-militarizuar që është normalizuar si aset civil ekonomik. Asnjë shtet serioz për sigurinë kombëtare nuk heq dorë nga asetet strategjike pa analizë afatgjatë. Shqipëria nuk duhet të jetë përjashtim; dhe
Shkëputja e një territori të caktuar nga një shtet për t’iu bashkëngjitur një shteti tjetër (qoftë edhe me referendurm), është më e lehtë nëse në atë territor nuk gjendjen ojekte të rëndësisë së veçante ose instalime ushtarake.
Heqja e nenit për tradhti të lartë ndaj atdheut
Ndryshe nga kodet penale të 32 shteteve europiane, Kodi Penal i Shqipërisë nuk ka një dispozitë të qartë për tradhtinë e lartë ose tradhëtinë ndaj atdheut. Nenet 209-218 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë parashikojnë dorezimin e ushtrisë, dorëzimin e territorit, provokimin e luftës, marrëveshje me shtete të huaja për ndërhyrje të armatosur, etj. Nga një analizë e thjeshtë e këtij grupi nenesh, shikon që neni 210 i cili parashikon “Marrëveshjen për Dorëzim Territori”, ka edhe dënimin më të vogël me burgim nga 5 deri në 10 vjet.
Për të qenë më të saktë:
“Neni 210
Marrëveshja për dorëzim territori
Marrëveshja e bërë me fuqi apo shtete të huaja për dorëzim pjesërisht ose tërësisht të territorit apo të forcave të armatosura e materialeve mbrojtëse, me qëllim për të cenuar integritetin e vendit, dënohet me burgim nga 5 gjer në 10 vjet.”
Jemi në një situatë ku, sipas ligjeve në fuqi, është e mundur që një tradhëtar i kombit i cili dorëzon territore, mund të dënohet më pak sesa dikush i cili dorëzon një qese me hashash, Neni 283a i Kodit Penal, “Trafikim i Narkotikëve” nga 7 deri në 15 vjet burgim.
“Nëse nuk siguron një karrige në tryezë, shumë shpejtë do ta gjesh veten në meny”
Si përfundim, mund të themi se Shqipëria gjendet përballë një krize ku rrezikohet sovraniteti territorial, i cili nuk shembet brenda një dite apo me një akt të vetëm. Ai sabotohet me faza përmes: rënies demografike; shkatërrimit të traditave e zakoneve; reformës sabotuese territoriale vetëm për interesa të ngushta partiake; heqjes të pengesave civile dhe ushtarake për shkeputje të mëvonshme të territorit; mungesës së një strategjie detare; lejimit të ndikimit të huaj; dhe dënimeve të buta penale për ata që synojnë dëmtimin e këtij sovraniteti.
Kufinjtë e vendit tonë nuk po cënohen as me tanke e as me raketa, por me vendime të brendshme të cilat, të marra së bashku, në terma afatmesëm, e bëjnë sovranitetin territorial më të cenueshëm. Nëse elita politike nuk e trajton integritetin territorial, arkitekturën administrative, strategjinë detare, politikat demografike dhe kornizën penale si një paketë të vetme të interesit jetik kombëtar – dhe nuk ndërton rreth tyre një konsensus minimal shtetformues përtej cikleve zgjedhore – Shqipëria rrezikon të shndërrohet nga subjekt në objekt të gjeopolitikës rajonale. bw
Oligarku bullgar me ndikim në vendin e tij Delian Peevski do të kishte dashur prej kohësh të shihte një hetim parlamentar mbi aktivitetet e miliarderit amerikan të bursës dhe filantropit George Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) në Bullgari. Por prej vitesh ka munguar shumica e nevojshme parlamentare për një hap të tillë. Ndërsa javën e kaluar, më në fund kjo shumicë u arrit.
Një komision i Parlamentit Bullgar i quajtur “Komisioni Ad-hoc për të shqyrtuar aktivitetet e George dhe Alexander Soros dhe fondacioneve të tyre në territorin e Bullgarisë” do të fillojë së shpejti punën e tij.
Komisioni do të raportojë se cilët individë dhe organizata mbështeten nga babai dhe i biri Sorosit dhe kush ka marrë para nga fondacioni i tyre OSF.
Aktualisht nuk janë parashikuar pasoja ligjore kundër individëve dhe organizatave të lidhura me Sorosin dhe fondacionet e tij.
Megjithatë parlamenti bullgar ndonjëherë – sipas modelit të ligjit rus “kundër agjentëve të huaj” vendosur në vitin 2012 – mund të ndërmarrë një përpjekje të tillë. Në shkurt 2025 pati një përpjekje, por për projektligjin nuk u arrit të krijohet shumica e nevojshme për ta kaluar atë në parlament. Derisa për këtë të ketë një shumicë, përpjekje të tilla do të mbeten një lloj propagande dhe demaskimi publik: Fjala është që të mund të denigrohet si “Sorosoid” – kjo është fjala fyese në bullgarisht – kushdo që me gjasë apo faktikisht ka pasur të bëjë me filantropin liberal.
Iniciatori i këtij projektligji, Deljan Peevski, që prej 20 vjetësh është ndër figurat më të spikatura të përfshira në skandale në historinë postkomuniste të Bullgarisë dhe emri i tij lidhet me një sërë pështjellimesh ndërmjet kriminalitetit të organizuar dhe politikës së nivelit të lartë. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar biznesmenin dhe manjatin e medias dhe kanë sekuestruar një pjesë të pasurisë së tij jashtë vendit. Por pavarësisht kësaj në Bullgari që është vend anëtar i BE-së Peevski vazhdon të ketë ndikim të fuqishëm në politikë. Në debatin për komisionin hetimor në parlament ai tha: “Ka ardhur koha për një betejë vendimtare. Bota e rreme e Sorosit dhe e Sorosoidëve duhet të shkatërrohet.”
Hungaria vendi i origjinës
Ideja, që akuzat e korrupsionit dhe kriminalitetit kundër tij të përdoren në drrejtimin e kundërt ndaj të gjithë atyre që i kundërvihen, duke i cilësuar si “agjentë të Sorosit” nuk është e Peevskit. Kjo ide ka lindur në Hungarinë e Viktor Orbanit. Atje mediet e afërta me qeverinë për herë të parë në vitin 2013 filluan të listojnë në mënyrë sistematike, se sa para dhe kur kanë marrë organizata të pavarura civle dhe persona kritikë ndaj qeverisë prej fondacionit OSF.
Që nga kriza e migracionit më 2015 qeveria e kryeministrit Orban për herë të parë ushtroi një fushatë të madhe shtetërore kundër Sorosit, gjatë së cilës është përdorur narrativa antisemitiste dhe ekstremiste e djathë. Në vendlindjen e George Sorosit kjo lë një shije veçanërisht të hidhur: Miliarderi i bursës ka prejardhje hungarezo-hebreje dhe i ka mbijetuar si i ri Holokasutit në Budapest. Nga qeveria Orban ai u akuzua, se po planifikon shkëmbimin e popullsisë në Europë ose se mishëron babëzinë ndërkombëtare, dmth. të kapitalit financiar hebre, që zhvat shtetet kombëtare.
Fushatat impenjative të Orbanit kundër Sorosit u kurorëzuan në disa ligje, ndër to edhe i ashtuquajturi “Stop-Soros-Paket” më 2018, përmes të cilit personat kritikë ndaj Orbanit dhe organizatat e pavarura u shkatërruan financiarisht për t’i bërë që të heshtnin. Më vonë ato u shpallën pa përjashtim si antiligjore nga Gjykata Europiane. Por efekti i tyre propagandistik ka mbetur.
Në Hungari megjithatë duket se është konsumuar damkimi i Sorosit si figura e armikut. Në vend të miliaderit të bursës ndërkohë propaganda e Orbanit po përdor Ukrainën si vatrën e re të së keqes. Sidoqoftë fushtatat hungareze kundër Sorosit janë përhapur si model sot pothuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Maqedonia e Veriut
Një ndër vendet e para europiano-lindore, që mori modelin e fuhatës kundër Sorosit pas Hungarisë, ishte Maqedonia (që nga shkurti 2019 e emërtuar Maqedonia e Veriut). Në fillim të vitit 2017 atje u themelua lëvizja “Stop-Operacionin-Soros”, përfaqësuesit e së cilës ishin pranë kryetarit të partisë nacionaliste të djathtë VMRO-DPMNE dhe dorës së fortë në Maqedoninë e atëhershme, Nikola Gruevski. Ky i fundit një vit më parë (2016) ishte detyruar të hiqte dorë nga posti nën presionin e lëvizjes masive civile për reforma dhe kundër korrupsionit. Ai i akuzonte protestuesit kundër qeverisjes së tij si të “drejtuar nga Sorosi”.
Polonia
Edhe në Poloni në vitet 2015 deri më 2023 partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) kopjoi fushatën e Viktor Orbanit kundër Sorosit. Në vitet 2017/18 PiS nisi fushtatat kundër “organizatave kriminale jo qeveritare”, që sipas saj “komandoheshin së largu nga Sorosi dhe Rusia”, pavarësisht mospërputhjes nisur nga fakti që Soros edhe në Rusi ishte stilizuar ndërkohë si figura e armikut.
Në fushtat elektorale 2019 dhe 2023 narrativa anti-Soros e PiS dhe të tjerave parti nacionaliste të djathta luajti një rol të madh. “Rrjeti Soros”, pra organizatat civile dhe mediet “e blera nga Sorosi” po kërcënojnë kombin dhe po destabilizojnë shoqërinë polake, thuhej.
Edhe presidenti polak i zgjedhur në qershor 2025 Karol Navrocki përdor narrativën anti-Soros. Ai akuzoi p.sh. kundërshtarin e tij në fushatën elektorale Rafal Trzaskovski, se “paguhet nga fondacionet gjermane dhe nga Sorosi” duke e paraqitur veten si “mbrojtës të sigurisë së Polonisë”.
Serbi
Në Serbi presidenti Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të partisë së tij në pushtet SNS dhe mediat pro-qeveritare prej vitesh ndjekin narrativën, se organizatat e pavarura joqeveritare, personat kritikë ndaj qeverisë dhe lëvizjet civile të protestës nxiten nga “agjentë huaj” dhe “financohen nga Sorosi”.
Në protestat aktuale, që po vazhdojnë prej një viti kundër qeverisjes së tij Vuçiq nuk flet vet në mënyrë eksplicite për Sorosin si nxitësi në prapaskenë, por konsideron se “shërbimet e huaja sekrete” dhe “fondet nga jashtë” janë financues të “revolucionit të ngjyrave”. Në mediat besnike ndaj Vuçiçit, si gazeta bulevardeske Informer, herë pas here botohen kryeartikuj të tillë si: “Sekreti i Sorosit’ Loja! Dora e përgjakur vjen nga Shqipëria në Beograd: Protestat në Serbi janë vetëm fillimi i destabilizimit të Ballkanit”.
Sllovakia
Në Sllovakikryeministri Robert Fico, i cili në tetor 2023 mori mandatin e katërt, ndoqi një shembull në legjsliacion nga vendi fqinj Hungaria. Që nga qershori 2025 ka hyrë në fuqi ligji i iniciuar nga qeveria e tij, që i detyron organizatat joqeveritare për “raporte transparence”. Përpara nismës ligjore Fico dhe përfaqësues qeverisë dhe partisë së tij Drejtimi-Socialdemokracia (SMER-SD) akuzuan Sorosin dhe “agjentët e huaj” se vazhdimisht influencojnë në Sllovaki.
Fico vet e akuzoi lëvizjen e protestëts, që më 2018 çoi ndër të tjera në dorëheqjen e tij, se është “financuar nga rrjeti i Sorosit”. Duke argumentuar ligjin e tij në fuqi që nga qershori “ligji i transparencës” ai thotë, se “të gjithë në Sllovaki duhet ta dinë, se cilën këngë këndon secila organizatë joqeveritare”.
Edhe në vende si Çekia, Rumania, Kroacia dhe Mali i Zi ka pasur në të shkuarën vazhdimisht fushata të politikanëve nacionalistë të djathtë dhe populistë kundër Sorosit dhe rrjetit të tij. Por ligje kundër organizatave joqeveritare si në Hungari dhe Sllovaki nuk janë miratuar.
Shqipëria rast i veçantë
Një rast i veçantë në narrativën anti-Soros në Europën Juglindore është prej kohëshShqipëria. Këtë narrativë e përdor opozita, por jo qeveria. Opozita e përdor këtë narrativë si kritikë ndaj kryeministrit Edi Rama (PS), i cili është në këtë post që nga viti 2013 dhe shpesh preferon të përdorë metoda të qeverisjes autoritare. Partia demokratike nacional-konservatore (PD) e akuzon Ramën, se është një “fanar ndriçues i Sorosizmit”. George Soros dhe djali i tij Alexander, sipas opozitës, që nga viti 2013 bashkë me Ramën kanë zbatuar një plan sekret, për të qendruar në pushtet në Shqipëri afatgjatë përmes reformës në drejtësi, kushtuese dhe elektorale./DW
Borxhi publik është një nga shpikjet më të mëdha të njerëzimit. Ai i lejon shoqëritë të ruajnë pasurinë, të përballojnë krizat dhe të ndërtojnë për të ardhmen. Pasi Britania e përdori aksesin e saj më të mirë në kredi për të mposhtur Napoleonin në vitin 1815, një historian e krahasoi aftësinë e saj për t’u financuar me “llambën e Aladinit”. Dy shekuj më vonë, gjatë pandemisë së COVID-19, një pjesë e madhe e botës pa me të njëjtën habi sesi vendet e pasura morën borxhe pa kursim për të financuar mbështetjen ndaj familjeve dhe kujdesin shëndetësor. Por magjia e huamarrjes vjen me një tundim, pikërisht atë për të cilin u shqetësuan David Hume dhe Alexander Hamilton në fund të shekullit XVIII. Nëse një vend është mjaftueshëm i besueshëm për të përballuar borxhet ekzistuese, ai ndodhet në një pozicion për të marrë më shumë.
Të kesh borxhe të menaxhueshme do të thotë se mund të menaxhosh edhe më shumë borxhe. Dhe kështu, është shumë e lehtë që borxhi të rritet. Magjia e huamarrjes vjen me një tundim Nëse kjo zgjat për shumë kohë, qeveritë fillojnë të përballen me kundërshtime. Tregjet e bonove, që i plotësojnë nevojat e tyre për borxh, fillojnë t’u kërkojnë më shumë interesa. Marrja e borxhit të ri bëhet më e vështirë, dhe po ashtu edhe rifinancimi i borxheve të vjetra. Nëse qeveritë nuk shtrëngojnë rripin, besueshmëria e tyre kreditore, e domosdoshme për stabilitetin, nis rënien dhe mund të dalë shpejt jashtë kontrollit. Historikisht, krizat e tilla të borxhit kanë qenë kryesisht problem i botës së varfër. Por sot, vendet më të mëdha e më të pasura kanë rënë në një model të rrezikshëm të huamarrjes në rritje të pandërprerë. Nivelet e borxhit kanë arritur kulme të larta dhe tregjet e bonove po tregojnë shenja rezistence.
Borxhi publik bruto si përqindje e PBB-së në ekonomitë e përparuara qëndron sot pranë 110%, pranë një niveli historik. Rritja e normave të interesit që prej vitit 2022, e nisur nga bankat qendrore për të frenuar inflacionin që u shkaktua pjesërisht nga shpenzimet e larta të qeverive, e ka bërë borxhin shumë më të rëndë. Vendet e pasura shpenzojnë sot për interesa rreth 50% më shumë sesa për mbrojtjen kombëtare. Dhe ato vazhdojnë të huazojnë. Këtë vit, deficiti mesatar në ekonomitë e zhvilluara do të jetë mbi 4% të PBB-së; në SHBA, kjo shifër është mbi 6%. Një seri krizash shpjegon pjesërisht borxhet e larta: kriza financiare e viteve 2007–2009, pandemia e COVID-19 dhe pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Por një pjesë të fajit e ka edhe ajo politikë e vazhdueshme e vendimeve afatshkurtra, për të cilën paralajmëronin Hume dhe Hamilton. Qeveritë kanë miratuar mekanizma për të kufizuar borxhin, si rregulli “pay as you go” në Kongres në SHBA apo Pakti i Stabilitetit dhe Rritjes në BE. Por politikanët i pezullojnë, abuzojnë ose i anashkalojnë pothuajse sa herë të duan.
Investitorët po kërkojnë norma më të larta interesi sepse ndiejnë rrezikun
Nuk ka oreks politik për shtrëngim të rripit. SHBA-ja ka shpenzuar çdo të ardhur shtesë që do të siguronte nga tarifat e vendosura nga Presidenti Donald Trump, madje edhe më shumë, duke rinovuar dhe duke zgjeruar uljet e taksave të vitit 2017 që ishin financuar me borxh. Dhe Shtëpia e Bardhë po shqyrton edhe më shumë ulje taksash. Franca përjeton kriza politike çdo vit, teksa çdo përpjekje për të ulur, qoftë edhe pak, shpenzimet publike, shkakton kundërshtime të ashpra, arsyeja kryesore pse vendi ka ndërruar pesë kryeministra në dy vjet. Kryeministrja e re e Japonisë mbështet politika fiskale ekspansioniste, pavarësisht borxheve të larta në nivele rekord. Qeveria britanike do të japë të paktën përshtypjen e kursimit më 26 nëntor, kur pothuajse me siguri do të rrisë taksat.
Por ndryshimet do ta mbajnë vendin vetëm brenda një kornize fiskale tepër tolerante. Tregjet e obligacioneve qeveritare po reagojnë. Për borxhin afatshkurtër, blerja e një obligacioni është kryesisht një parashikim mbi ecurinë e normave të interesit të vendosura nga banka qendrore gjatë kohës që bono mbahet, sekreti është të marrësh një yield më të lartë sesa do të prisje nga depozitat bankare. Por sa më afatgjatë të jetë, aq më shumë investitorët duhet t’u kushtojnë vëmendje rreziqeve që vijnë nga një buxhet i pakontrolluar. Prandaj është tregues fakti që në shumicën e ekonomive të mëdha dhe të pasura, obligacionet qeveritare 10-vjeçare japin sot më shumë interes sesa në momentin kur bankat qendrore filluan sërish të ulin normat afatshkurtra në vitin 2024; investitorët kërkojnë norma më të larta afatgjata sepse ndiejnë rrezikun.
Tronditjet financiare dhe obligacionet
Perspektiva që duhet t’i shqetësojë investitorët nuk është vetëm, madje as kryesisht, ajo e mospagimit të borxhit. Ekziston një armë tjetër që mund t’i dëmtojë ata në periudha të gjata: inflacioni. Borxhet zakonisht janë të fiksuara në vlerë nominale, që do të thotë se çmimet më të larta mund ta zhvlerësojnë realisht vlerën e tyre. Votuesit nuk e pëlqejnë inflacionin e lartë, dhe ai destabilizon ekonomitë. Por ndërsa borxhet rriten, inflacioni bëhet gjithnjë e më tërheqës, dhe rreziku që politikanët të ushtrojnë presion mbi bankat qendrore për ta nxitur atë shtohet.
Efekti i këtyre rreziqeve në tregun e obligacioneve mund të jetë i dukshëm. Në shtator, yield-i i obligacioneve 30-vjeçare të qeverisë britanike arriti nivelin më të lartë që nga viti 1998, pjesërisht sepse investitorët kërkonin kompensim për rrezikun fiskal të vendit. Në Japoni, yield-i arriti nivelin më të lartë ndonjëherë, pasi u rrit me më shumë se një pikë përqindjeje gjatë këtij viti. Vendi që dikur shihej si shembull i qëndrueshmërisë me norma të ulëta dhe borxhe të larta, tani duket i lëkundur. Borxhi afatgjatë i Francës ka norma interesi pothuajse sa ai i Italisë. Dhe në pranverën e vitit 2025, tregu amerikan i obligacioneve 30-vjeçare u duk si faktori kryesor që po kufizonte politikat e rrëmujshme të Presidentit Donald Trump, me yield-et që iu afruan niveleve më të larta që nga viti 2007. Ironia e kësaj rrëmuje fiskale globale është se kushtet ekonomike janë, në dukje, të favorshme. Asnjë ekonomi e madhe nuk ndodhet në recesion. Borxhet publike kanë rënë pak në terma realë që nga kulmi i pandemisë (falë inflacionit). Dhe megjithëse normat e interesit janë rritur, në shumë vende ato mbeten nën normën e rritjes ekonomike.
Kjo do të thotë se nëse buxheti “primar”, që përjashton kostot e interesit, është në ekuilibër, PBB-ja do të rritet më shpejt sesa borxhi. Në fakt, duke përdorur yield-et e obligacioneve 5-vjeçare dhe parashikimet e FMN-së për rritjen, The Economist llogarit se shumica e vendeve të pasura mund të kenë deficite të vogla primare dhe megjithatë ta mbajnë borxhin të qëndrueshëm si pjesë e ekonomisë, edhe nëse do të duhej të rifinanconin të gjithë borxhin me normat e sotme. Suficiti më i madh primar i nevojshëm për të balancuar borxhin është në Britani, vetëm 0.3% e PBB-së. Kjo nuk është shumë për vendet në vështirësi. Në fund të viteve 1990, Italia mbante suficite primare nga 3 deri në 6% të PBB-së për të ulur borxhin përpara se të hynte në Eurozonë.
Fatkeqësisht, edhe objektivat më modeste buxhetore janë të vështira për t’u arritur nëse je larg tyre. Në Britani dhe SHBA, deficitet mbeten të larta. Shtrëngimi i nevojshëm për të stabilizuar raportin borxh–PBB tejkalon 2% të PBB-së; në Francë është mbi 3%. Një tjetër problem në Europë është se tatimet janë tashmë të larta si pjesë e PBB-së, duke kufizuar hapësirën për t’i rritur ato pa dëmtuar ekonominë.
Nga vendet e G7, vetëm Kanadaja gëzon një pozitë më të mirë, me borxh të ulët, nevojë të vogël për përshtatje dhe hapësirë për të rritur taksat. Franca qëndron keq në të tre treguesit. Gjërat duken edhe më të këqija po të merret parasysh vala e ardhshme e shpenzimeve për popullsitë në plakje, mbrojtjen dhe tranzicionin klimatik. Dhe kostoja e lartë e interesave të borxhit që do të vijë ende nuk është llogaritur plotësisht. Rreth gjysma e borxhit ekzistues me norma fikse në vendet e OECD-së ka kosto më pak se 2% në vit, një trashëgimi nga koha kur normat ishin të ulëta. Vetëm në SHBA, borxhi publik sa një e katërta e PBB-së do të maturohet mes viteve 2025 dhe 2027. Rifinancimi i tij me normën e interesit të vitit 2024 do të rriste normën mesatare të interesit me rreth dy pikë përqindjeje.
Përshkallëzimi drejt krizës mund të ndalet nëse buxhetet do të rregulloheshin sot
FMN-ja ka vlerësuar se interesi i borxhit, pensionet, shëndetësia, mbrojtja dhe ndryshimet klimatike në ekonomitë e përparuara të Europës do të krijojnë një “presion” shtesë vjetor në shpenzime, që arrin pothuajse 6% të PBB-së deri në vitin 2050. Në Britani, Spanjë, Portugali dhe Zvicër, kjo shifër kalon 8% të PBB-së. SHBA-ja po plaket më ngadalë se Europa, por modeli buxhetor i Universitetit të Pensilvanisë (Penn Wharton Budget Model) vlerëson se SHBA-ja do të duhet të rrisë taksat dhe të ulë shpenzimet me nga 15% secilën, për të mbyllur hendekun e ardhshëm mes shpenzimeve dhe të ardhurave. Kritikët i hedhin poshtë parashikimet pesimiste fiskale. “Kush mund ta dijë të ardhmen?”, pyesin ata. Por problemi me parashikimet buxhetore është se ato priren të jenë tepër optimiste.
Zyra e Përgjegjshmërisë Buxhetore e Britanisë konstatoi këtë vit se, kur parashikonte deficitet pesë vjet më vonë, i kishte nënvlerësuar mesatarisht me 3.1% të PBB-së. FMN-ja ka arritur në përfundim të ngjashëm për vendet e pasura. “Nëse historia na mëson diçka, është që trajektorja e borxhit do të jetë më e keqe se çdo parashikim që bëjmë sot, dhe ndjeshëm më e keqe”, – tha vitin e kaluar Gita Gopinath, atëherë zëvendësdrejtuese e FMN-së.
Rreziqet e ChatGDP
Një arsye për këtë është se parashikuesit kanë qenë zakonisht shumë optimistë për rritjen ekonomike. Ndoshta, me ndihmën e përparimeve në Inteligjencën Artificiale (IA), kjo mund të ndryshojë. Por bumi i IA është i përqendruar në SHBA, dhe rritja më e shpejtë atje zakonisht nënkupton norma më të larta globale interesi, gjë që e bën borxhin më të shtrenjtë për t’u shlyer. Dhe, edhe kur politika ka synuar stabilizimin e raportit borxh–PBB, ky raport është rritur për shkak të krizave. Do të ishte naive të besohej se tronditje të tjera, si një pandemi apo një luftë, nuk do të ndodhin sërish. Si do të përfundojë kjo rrëmujë buxhetore globale? Nuk ka ndonjë ligj ekonomik që thotë se raporti borxh–PBB mund të rritet deri në një nivel të caktuar dhe jo më tej. Gjithçka varet nga tregjet dhe votuesit.
Nëse investitorët dyshojnë në gatishmërinë e një elektorati për të shlyer borxhet e vendit dhe fillojnë të shesin bonot e thesarit, qeveritë mund të detyrohen të bëjnë zgjedhje jashtëzakonisht të dhimbshme. Kostot e interesit mund të rriten aq shumë, sa vetëm suficite primare me vlera të larta, që kërkojnë masa të thella kursimi, mund të rikthejnë stabilitetin ekonomik. Alternativa tjetër për një vend në një krizë të tillë është mospagimi ose zhvlerësimi i borxhit përmes inflacionit. Përshkallëzimi drejt krizës mund të ndalet nëse buxhetet rregullohen sot. Por arsyeja pse kjo duket aq e pamundur është tema e kapitullit të ardhshëm: gjendja gjithnjë e më e brishtë e sistemeve të mirëqenies sociale të vendeve të pasura./Monitor.al
Por prej vitesh ka munguar shumica e nevojshme parlamentare për një hap të tillë. Ndërsa javën e kaluar, më në fund kjo shumicë u arrit.
Oligarku bullgar me ndikim në vendin e tij Delian Peevski do të kishte dashur prej kohësh të shihte një hetim parlamentar mbi aktivitetet e miliarderit amerikan të bursës dhe filantropit George Soros dhe Fondacioneve të tij të Shoqërisë së Hapur (OSF) në Bullgari. Por prej vitesh ka munguar shumica e nevojshme parlamentare për një hap të tillë. Ndërsa javën e kaluar, më në fund kjo shumicë u arrit. Një komision i Parlamentit Bullgar i quajtur “Komisioni Ad-hoc për të shqyrtuar aktivitetet e George dhe Alexander Soros dhe fondacioneve të tyre në territorin e Bullgarisë” do të fillojë së shpejti punën e tij. Komisioni do të raportojë se cilët individë dhe organizata mbështeten nga babai dhe i biri Sorosit dhe kush ka marrë para nga fondacioni i tyre OSF.
Aktualisht nuk janë parashikuar pasoja ligjore kundër individëve dhe organizatave të lidhura me Sorosin dhe fondacionet e tij. Megjithatë parlamenti bullgar ndonjëherë – sipas modelit të ligjit rus “kundër agjentëve të huaj” vendosur në vitin 2012 – mund të ndërmarrë një përpjekje të tillë. Në shkurt 2025 pati një përpjekje, por për projektligjin nuk u arrit të krijohet shumica e nevojshme për ta kaluar atë në parlament. Derisa për këtë të ketë një shumicë, përpjekje të tilla do të mbeten një lloj propagande dhe demaskimi publik: Fjala është që të mund të denigrohet si “Sorosoid” – kjo është fjala fyese në bullgarisht – kushdo që me gjasë apo faktikisht ka pasur të bëjë me filantropin liberal.
Iniciatori i këtij projektligji, Deljan Peevski, që prej 20 vjetësh është ndër figurat më të spikatura të përfshira në skandale në historinë postkomuniste të Bullgarisë dhe emri i tij lidhet me një sërë pështjellimesh ndërmjet kriminalitetit të organizuar dhe politikës së nivelit të lartë. SHBA-ja dhe Britania e Madhe e kanë sanksionuar biznesmenin dhe manjatin e medias dhe kanë sekuestruar një pjesë të pasurisë së tij jashtë vendit. Por pavarësisht kësaj në Bullgari që është vend anëtar i BE-së Peevski vazhdon të ketë ndikim të fuqishëm në politikë. Në debatin për komisionin hetimor në parlament ai tha: “Ka ardhur koha për një betejë vendimtare. Bota e rreme e Sorosit dhe e Sorosoidëve duhet të shkatërrohet.”
Hungaria vendi i origjinës
Ideja, që akuzat e korrupsionit dhe kriminalitetit kundër tij të përdoren në drrejtimin e kundërt ndaj të gjithë atyre që i kundërvihen, duke i cilësuar si “agjentë të Sorosit” nuk është e Peevskit. Kjo ide ka lindur në Hungarinë e Viktor Orbanit.Atje mediet e afërta me qeverinë për herë të parë në vitin 2013 filluan të listojnë në mënyrë sistematike, se sa para dhe kur kanë marrë organizata të pavarura civle dhe persona kritikë ndaj qeverisë prej fondacionit OSF.
Që nga kriza e migracionit më 2015 qeveria e kryeministrit Orban për herë të parë ushtroi një fushatë të madhe shtetërore kundër Sorosit, gjatë së cilës është përdorur narrativa antisemitiste dhe ekstremiste e djathë. Në vendlindjen e George Sorosit kjo lë një shije veçanërisht të hidhur: Miliarderi i bursës ka prejardhje hungarezo-hebreje dhe i ka mbijetuar si i ri Holokasutit në Budapest. Nga qeveria Orban ai u akuzua, se po planifikon shkëmbimin e popullsisë në Europë ose se mishëron babëzinë ndërkombëtare, dmth. të kapitalit financiar hebre, që zhvat shtetet kombëtare.
Fushatat impenjative të Orbanit kundër Sorosit u kurorëzuan në disa ligje, ndër to edhe i ashtuquajturi “Stop-Soros-Paket” më 2018, përmes të cilit personat kritikë ndaj Orbanit dhe organizatat e pavarura u shkatërruan financiarisht për t’i bërë që të heshtnin. Më vonë ato u shpallën pa përjashtim si antiligjore nga Gjykata Europiane. Por efekti i tyre propagandistik ka mbetur. Në Hungari megjithatë duket se është konsumuar damkimi i Sorosit si figura e armikut. Në vend të miliaderit të bursës ndërkohë propaganda e Orbanit po përdor Ukrainën si vatrën e re të së keqes. Sidoqoftë fushtatat hungareze kundër Sorosit janë përhapur si model sot pothuajse në të gjitha vendet e Europës Juglindore.
Maqedonia e Veriut
Një ndër vendet e para europiano-lindore, që mori modelin e fuhatës kundër Sorosit pas Hungarisë, ishte Maqedonia (që nga shkurti 2019 e emërtuar Maqedonia e Veriut). Në fillim të vitit 2017 atje u themelua lëvizja “Stop-Operacionin-Soros”, përfaqësuesit e së cilës ishin pranë kryetarit të partisë nacionaliste të djathtë VMRO-DPMNE dhe dorës së fortë në Maqedoninë e atëhershme, Nikola Gruevski. Ky i fundit një vit më parë (2016) ishte detyruar të hiqte dorë nga posti nën presionin e lëvizjes masive civile për reforma dhe kundër korrupsionit. Ai i akuzonte protestuesit kundër qeverisjes së tij si të “drejtuar nga Sorosi”.
Polonia
Edhe në Poloni në vitet 2015 deri më 2023 partia në pushtet Ligj dhe Drejtësi (PiS) kopjoi fushatën e Viktor Orbanit kundër Sorosit. Në vitet 2017/18 PiS nisi fushtatat kundër “organizatave kriminale jo qeveritare”, që sipas saj “komandoheshin së largu nga Sorosi dhe Rusia”, pavarësisht mospërputhjes nisur nga fakti që Soros edhe në Rusi ishte stilizuar ndërkohë si figura e armikut.
Në fushtat elektorale 2019 dhe 2023 narrativa anti-Soros e PiS dhe të tjerave parti nacionaliste të djathta luajti një rol të madh. “Rrjeti Soros”, pra organizatat civile dhe mediet “e blera nga Sorosi” po kërcënojnë kombin dhe po destabilizojnë shoqërinë polake, thuhej. Edhe presidenti polak i zgjedhur në qershor 2025 Karol Navrocki përdor narrativën anti-Soros. Ai akuzoi p.sh. kundërshtarin e tij në fushatën elektorale Rafal Trzaskovski, se “paguhet nga fondacionet gjermane dhe nga Sorosi” duke e paraqitur veten si “mbrojtës të sigurisë së Polonisë”.
Serbi
Në Serbi presidenti Aleksandar Vuçiq, përfaqësues të partisë së tij në pushtet SNS dhe mediat pro-qeveritare prej vitesh ndjekin narrativën, se organizatat e pavarura joqeveritare, personat kritikë ndaj qeverisë dhe lëvizjet civile të protestës nxiten nga “agjentë huaj” dhe “financohen nga Sorosi”.
Në protestat aktuale, që po vazhdojnë prej një viti kundër qeverisjes së tij Vuçiq nuk flet vet në mënyrë eksplicite për Sorosin si nxitësi në prapaskenë, por konsideron se “shërbimet e huaja sekrete” dhe “fondet nga jashtë” janë financues të “revolucionit të ngjyrave”. Në mediat besnike ndaj Vuçiqit, si gazeta bulevardeske Informer, herë pas here botohen kryeartikuj të tillë si: “Sekreti i Sorosit’ Loja! Dora e përgjakur vjen nga Shqipëria në Beograd: Protestat në Serbi janë vetëm fillimi i destabilizimit të Ballkanit”.
Sllovakia
Në Sllovakikryeministri Robert Fico, i cili në tetor 2023 mori mandatin e katërt, ndoqi një shembull në legjsliacion nga vendi fqinj Hungaria. Që nga qershori 2025 ka hyrë në fuqi ligji i iniciuar nga qeveria e tij, që i detyron organizatat joqeveritare për “raporte transparence”. Përpara nismës ligjore Fico dhe përfaqësues qeverisë dhe partisë së tij Drejtimi-Socialdemokracia (SMER-SD) akuzuan Sorosin dhe “agjentët e huaj” se vazhdimisht influencojnë në Sllovaki.
Fico vet e akuzoi lëvizjen e protestëts, që më 2018 çoi ndër të tjera në dorëheqjen e tij, se është “financuar nga rrjeti i Sorosit”. Duke argumentuar ligjin e tij në fuqi që nga qershori “ligji i transparencës” ai thotë, se “të gjithë në Sllovaki duhet ta dinë, se cilën këngë këndon secila organizatë joqeveritare”. Edhe në vende si Çekia, Rumania, Kroacia dhe Mali i Zi ka pasur në të shkuarën vazhdimisht fushata të politikanëve nacionalistë të djathtë dhe populistë kundër Sorosit dhe rrjetit të tij. Por ligje kundër organizatave joqeveritare si në Hungari dhe Sllovaki nuk janë miratuar.
Shqipëria rast i veçantë
Një rast i veçantë në narrativën anti-Soros në Europën Juglindore është prej kohëshShqipëria. Këtë narrativë e përdor opozita, por jo qeveria. Opozita e përdor këtë narrativë si kritikë ndaj kryeministrit Edi Rama (PS), i cili është në këtë post që nga viti 2013 dhe shpesh preferon të përdorë metoda të qeverisjes autoritare. Partia demokratike nacional-konservatore (PD) e akuzon Ramën, se është një “fanar ndriçues i Sorosizmit”. George Soros dhe djali i tij Alexander, sipas opozitës, që nga viti 2013 bashkë me Ramën kanë zbatuar një plan sekret, për të qendruar në pushtet në Shqipëri afatgjatë përmes reformës në drejtësi, kushtuese dhe elektorale./DW
Deputeti i PS, Erion Braçe, gjatë intervistës në emisionin “Kjo javë” iu përgjigj pyetjes së moderatores Nisida Tufa në lidhje me raportin e tij me kryeministrin Edi Rama, ku zbuloi se nuk flet me kryetarin e partisë.
Shkak, sipas Braçes, u bë shkarkimi i kryebashkiakut Erion Veliaj në Këshillin Bashkiak dhe shpallja e datës së zgjedhjeve për Tiranën.
Deputeti i PS tha se është shprehur publikisht kundër këtij vendimi të Ramës dhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese tregoi se ai ka patur të drejtë.
“Jam i prirur përkundrejt një ekuilibri, por kur kam të drejtë kam të drejtë dhe të drejtën time nuk e negocioj me kërrkënd.
Nëse unë thashë publikisht që duhet pritur vendimi i gjykatës Kushtetuese sa i takon shkarkimit të zotit Veliaj apo shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë, me këtë vendimin e Kushtetueses rezulton se paskam patur të drejtë. Por dhe me gjithçka që po pason si ligjërim, unë skam folur pas vendimit të Kushtetueses”, tha deputeti socialist Erion Braçe.
Nisida Tufa:Nëse unë ju pyes si është marrëdhënia juaj me kryeministrin cila është përgjigjia juaj, se ju kam pyetur dhe njëherë më keni thënë 5 ditë flasim dhe 5 muaj jo.
Erion Braçe:Jo tani nuk flasim. Unë mendoj se duhet të ketë gjithmonë një pauzë për të reflektuar secili në këtë marrëdhënie, që është politike, pune dhe marrëdhënie njerëzore në fund, unë kam bindjet e mia dhe nuk dua që të më cënohen kufijtë që unë ngre. Jam i prirur përkundrejt një ekuilibri, por kur kam të drejtë kam të drejtë dhe të drejtën time nuk e negocioj me kërrkënd.
Nëse unë thashë publikisht që duhet pritur vendimi i gjykatës Kushtetuese sa i takon shkarkimit të zotit Veliaj apo shpalljes së zgjedhjeve në Tiranë, me këtë vendimin e Kushtetueses rezulton se paskam patur të drejtë. Por dhe me gjithçka që po pason si ligjërim, unë skam folur pas vendimit të Kushtetueses.
“Ata që nuk materializojnë paranë publike nuk po bëjnë detyrën”- Erion Braçe “thumbon” ministrat e qeverisë: Disa vegjetojnë, dikush duhet t’i zgjojë
Deputeti i Partisë Socialiste, Erion Braçe, ka sqaruar qëndrimet e tij kritike ndaj disa ministrave të kabinetit, duke theksuar se reagimet e tij janë “në të mirë të punës dhe njerëzve”. I ftuar në emisionin “Kjo Javë” në News24, Braçe u shpreh se brenda qeverisë ka ministra që “vegjetojnë”, ndërsa ai e sheh detyrë të sinjalizojë çdo mungesë efikasiteti.
I pyetur nëse kritikat e tij shërbejnë për të tërhequr vëmendje, Braçe u përgjigj prerë:
“Pse s’duhet? Ne kemi detyrim ndaj njerëzve. Edhe brenda maxhorancës duhet të bëjmë rolin e pasqyrës. Kur një ministër fle, duhet t’i thuhet: lëviz!”
Ai tregoi se shpesh akuzohet se sillet si në opozitë, edhe pse është pjesë e pushtetit. “Nuk sillem si në opozitë. Por kur gjërat nuk ecin, e them në Parlament, në takime pune dhe, po qe nevoja, publikisht. Qytetarët s’duan të dinë nëse ti i ke marrëdhëniet mirë me qeverinë, duan zgjidhje”, tha Braçe, duke shtuar se qeveria “duhet të qëndrojë me këmbë në tokë, jo me krahët në ajër”.
Sa i takon efikasitetit të ministrive, Braçe solli në vëmendje të dhënat e diskutuara në Komisionin e Ekonomisë. Sipas tij, buxheti faktik i vitit 2024 tregon për shpenzime të parealizuara, me rreth 62 miliardë lekë të pashpenzuara dhe mbi 1.1 miliard euro fonde të pashfrytëzuara.
“Kur ti nuk përdor paratë që ke arkëtuar, je në gjumë. Ministrat që nuk materializojnë paranë publike nuk po bëjnë detyrën. Përse rrinë në karrige? Buxheti nuk funksionon vetëm me të ardhura; duhet edhe shtylla e shpenzimeve dhe rishpërndarja,” deklaroi ai.
Braçe vlerësoi se disa ministra të rinj janë vendosur me të drejtë në detyrë, por shtoi se “ende nuk shihen rezultate”.
Erion Braçe:Pse s’duhet bërë kjo gjëja! Jemi një qeveri për të përmbushur angazhimet që kemi marrë kundrejt njerëzve, por jemi dhe përballë kësaj qeverie, për të bërë rolin e pasqyrës, dhe brenda maxhorancës. Një ministër, që ka të tillë që vegjetojnë, pse mos të vihet para pasqyrës për t’i thënë; ej po fle. Ej lëviz. Do e bëja për veten time dhe për qeverinë. E kam bërë kohë pas kohe, dhe kur isha zv.kryeministër. Ka njerëz që se mendojnë këtë. Ka shumë gjëra që thuhen pas teje.
Më ka shqetësuar shumë një fjali që më tha dikush në Divjakë, të thënë nga dikush në pushtet, aktualisht dhe më herët dhe mbase në të ardhmen, që; ky se ka kuptuar akoma që është në pushtet, por sillet si në opozitë. Por nuk sillem si në opozitë. Por kur gjërat nuk ecin, ta them disa herë, në seanca në Parlament, në takime personale dhe pune, dhe kur nuk lëviz gjëra, do ta them dhe publikisht. Pse s’duhet ta them publikisht? Patjetër që do e them sepse kam detyrim kundrejt atyre njerëzve. Qytetarët nuk duan t’ia dinë nëse ti e ke mirë me qeverinë tënde, s’duan t’ia dinë, ata duan zgjidhje të problematikave. Qeveria duhet të jetë me këmbë në tokë, jo me krahë në ajër. Kur shoh se krahët janë në ajër jo për të fluturuar, por për të dalë nga realiteti. Duhet ta bëjë dikush këtë gjë, që të biem me këmbë në tokë.
Në komisionin e Ekonomisë janë diskutuar shumë gjëra. Buxheti faktit i 2024-ës sjell në vëmendje faktin se kishte 43 mln lekë, shpenzime që nuk janë realizuar. Në fund të muajit shtator jemi në 45 mld lekë suficit dhe kemi 62 mld lekë të pa konsumuara, pa 1.1 miliard euro të pashfrytëzuara. Buxheti për vitin e ardhshëm shënon rekord. Kur ti nuk përdor paratë që ke, i ke në buxhet, i ke arkëtuar, ti s’ke qenë efikas për të kryer shpenzimet për ata njerëz që flas unë. Ministrat që nuk e materializojnë paranë publike, janë në gjumë. Kur nuk përdor paratë, janë arkëtuar, janë mbledhur ato, buxheti nuk funksionon vetëm me një shtyllë, pasi duhet dhe shtylla e shpenzimeve. Të marrësh pra para për të rishpërndarë. Nëse nuk funksionon rishpërndarja, për çfarë rri si ministër. Kemi ministra të rinj, që u bë mirë që u zëvendësuan, por nuk shohim se po bëjnë gjë.
Në artikull thuhet se Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje publikisht njeriun që pastronte paratë e Kartelit të Sinaloas. EL PAIS më tej përmend edhe vizitën e Hysës në zyrën e Ramës dh foto që u publikuan atë ditë nga shtypi shqiptar.
SPANJË- Gazeta spanjolle, EL PAIS i ka kushtuar një artikull biznesmenit shqiptar Luftar Hysa, i cili u sanksionua nga SHBA së bashku me familjen e tij. Në artikull thuhet se Kryeministri Edi Rama mori në mbrojtje publikisht njeriun që pastronte paratë e Kartelit të Sinaloas. EL PAIS më tej përmend edhe vizitën e Hysës në zyrën e Ramës dh foto që u publikuan atë ditë nga shtypi shqiptar.
Ndër të tjera në artikull thuhet se Luftari, i cili jeton mes Meksikës dhe Kanadasë, është drejtuesi i familjes dhe ka dhënë intervista për bizneset e familjes së tij në Meksikë dhe Europë. Gazeta spanjolle ka prekur në artikull edhe momentin, kur disa media publikuan lajmin se qeveria meksikane po hetonte faktin se Ismael ‘El Mayo’ Zambada, një nga liderët e Kartelit të atëhershëm të bashkuar të Sinaloas, ishte lidhur me mafian shqiptare për të pastruar miliona dollarë përmes bizneseve dhe investimeve në brigjet meksikane.
Dhe këto krime se ndodhnin në një sërë kazinosh të familjes Hysa. Sipas EL PAIS në atë kohë Luftari u dërgoi një letër mediave shqiptare dhe dha një konferencë shtypi, ku përveç mohimit të çdo lidhjeje me krimin e organizuar, ai dha disa të dhëna mbi mënyrën dhe kohën kur kishte mbërritur në Meksikë.
Në fund EL PAIS shkruan se ai merrte qindra transferta milionëshe nga Meksika, të cilat më pas i shpërndante në shuma të vogla, përveç dërgimit, në më pak se një vit, të 28 milionë dollarëve në llogari të ndryshme në Shqipëri, Meksikë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Itali.
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara sanksionoi këtë javë një sërë kazinosh, restorantesh dhe pronarët e tyre në Meksikë, duke i akuzuar ata për pastrim të dyshuar parash për Kartelin e Sinaloas. Në total, thuhet se këto shtëpi bastesh kanë ndihmuar në pastrimin e dy milionë dollarëve nga viti 2017 deri në 2024; gjë që bëri që Rrjeti i Kontrollit të Krimeve Financiare të lëshojë një alert për 10 kazino, ndërsa Zyra e Kontrollit të Pasurive të Huaja sanksionoi 20 kompani dhe 7 individë.
Nga këta, shumica i përkasin familjes Hysa, një grupi biznesmenësh shqiptarë që “kanë përdorur influencën ose kontrollin mbi investimet e tyre në Meksikë për të pastruar fitimet e trafikut të narkotikëve”, të cilët ishin përmendur edhe vite më parë për lidhjet e tyre me grupe kriminale.
Sipas njoftimeve të Shteteve të Bashkuara, “Grupi i Krimit të Organizuar Hysa” përfshin Luftar Hysën, Arben Hysën, Ramiz Hysën, Fatos Hysën, Fabjon Hysën dhe Eselda Baku-Hysën dhe “mendohet të ketë operuar me miratimin e Kartelit të Sinaloas”, i cili kontrollon një pjesë të madhe të territorit ku ky grup zhvillonte aktivitetet e tij. Dhjetë kazinotë e përmendura ndodhen në shtetet Sinaloa, Tabasco, Baja California dhe Sonora, dhe emrat e tyre u bënë publikë një ditë pasi qeveria meksikane bllokoi llogaritë bankare të 13 kazinove në Meksikë për pastrim të supozuar kapitalesh dhe lidhje me krimin e organizuar.
Luftari, i cili jeton mes Meksikës dhe Kanadasë, është drejtuesi i familjes dhe ka dhënë intervista për bizneset e familjes së tij në Meksikë dhe Europë.
“Luftari, Fatosi, Arbeni dhe Fabjoni kanë punuar nga afër me një qytetar të Shteteve të Bashkuara për të pastruar para, përfshirë edhe transportimin e sasisë së mëdha të parave në dorë nga Meksika në SHBA, ku përdornin kompaninë e këtij qytetari për të pastruar fondet”, thuhet në njoftim.
“Luftari dhe Arbeni kanë përdorur kompani europiane për t’u pasuruar me këto fonde që i përkasin trafikantëve të supozuar të narkotikëve; përveç kësaj, Luftari është pronar i disa kompanive të përdorura nga ky grup”.
Herën e parë që emri i Luftarit doli në dritën publike ishte në fund të vitit 2022. Atëherë, disa media publikuan lajmin se qeveria meksikane po hetonte faktin se Ismael ‘El Mayo’ Zambada, atëkohë një nga liderët e Kartelit të atëhershëm të bashkuar të Sinaloas, ishte lidhur me mafian shqiptare për të pastruar miliona dollarë përmes bizneseve dhe investimeve në brigjet meksikane. Këto krime supozohej se po ndodhnin në një sërë kazinosh të familjes Hysa.
Asokohe, Luftari u dërgoi një letër mediave shqiptare dhe dha një konferencë shtypi. Në të, përveç mohimit të çdo lidhjeje me krimin e organizuar, ai jepte disa të dhëna mbi mënyrën dhe kohën kur kishte mbërritur në Meksikë.
Ai emigroi nga Shqipëria në vitin 1997 dhe mbërriti në Meksikë në vitin 2004, kur një mik nga Australia u kishte thënë se tregu i kazinove po hapej në Meksikë. Kjo përkonte me mandatin e presidentit Vicente Fox, gjatë të cilit u legalizuan lojërat e fatit në kazino dhe shtëpitë e basteve. Familja e tij jeton në Kanada, ku është rezident, ndërsa ai ka edhe nënshtetësi meksikane. Thotë se ka më shumë se 10 biznese në Meksikë, mes tyre bare, restorante dhe kazino.
Në ato data, shtypi shqiptar publikoi disa fotografi të Luftarit duke dalë nga zyra e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, në Tiranë; gjë të cilën e shfrytëzoi opozita për ta akuzuar për lidhje me krimin e organizuar meksikan. “Është shumë e pakëndshme që një familje shqiptare të kryqëzohet vetëm me një copë letër”, deklaroi atëherë Rama.
Në Kanada, Luftari ka pasur gjithashtu probleme me ligjin për lidhjet e supozuara me krimin e organizuar. Në tetor 2023, gazeta ‘La Presse’ publikoi se Policia Mbretërore e Kanadasë po e hetonte për rolin e tij në kazinonë ‘Magic Palace’ në Kahnawake, një rezervat indigjen i irokezëve në jug të qytetit të Kebekut.
“Çdo gjë tregon se Luftar Hysa është infiltruar në rezervatin indigjen të Kahnawake për të lehtësuar aktivitete të pastrimit të parave në emër të kartelit meksikan të Sinaloas, si edhe për përfitimin e tij personal”, thuhet në një deklaratë të depozituar në drejtësinë kanadeze. Aty, ai përshkruhet si një pastrues ndërkombëtar parash me bazë në Kebek dhe me udhëtime të shpeshta midis Montrealit, Meksikës dhe Evropës.
Burimet e ‘La Presse’ sigurojnë se autoritetet shqiptare kanë kërkuar ndihmën e homologëve të tyre në Kanada për ta hetuar, duke pohuar se ai dyshohet se është pjesë e një grupi kriminal të përkushtuar në pastrimin e kapitaleve të ardhura nga aktivitete kriminale në Meksikë, Kanada, Panama, Poloni dhe Shqipëri, dhe se posedon më shumë se 30 kazino dhe restorante të shpërndara në këto vende.
I njëjti artikull thotë se Qendra e Analizës së Transaksioneve dhe Raporteve Financiare të Kanadasë ngriti një alarm në mars 2023 për aktivitete të mundshme të pastrimit të parave nga ana e Luftarit. Sipas publikimit, ai merrte qindra transferta milionëshe nga Meksika, të cilat më pas i shpërndante në shuma të vogla, përveç dërgimit, në më pak se një vit, të 28 milionë dollarëve në llogari të ndryshme në Shqipëri, Meksikë, Mbretërinë e Bashkuar, Shtetet e Bashkuara dhe Itali./Dosja.al
Ka kohë që shoqëria në tërësi dhe veçanërisht fëmijët, të rinjtë dhe adoleshentët janë vënë nën një “bombardim të egër” dhe shoqëruar me sulmin e ashpër të deformimeve të sjelljes sociale dhe perceptimeve individuale për seksualitetin dhe pornografinë. Efektet dëmtuese të shëndetit social të shoqërisë dhe mënyrës së ndërtimit të raporteve individuale me seksualitetin, “vojerizmin seksual” dhe përhapjen intensive të të gjithë formave të pornografisë janë zgjeruar deri në kufijtë e një patologjie sociale. Nuk është e vetme, por përgjegjësia sociale e kësaj epidemie pornografike, e shfaqur në të gjitha format e mundshme dhe në të gjithë sistemin e komunikimit social, është një nga faktorët që po ndikon në deformimin ekzistencial të sistemit të kulturës qytetare, disiplinës seksuale, lidhjeve dhe marrëdhënieve intime. Është e vërtetë që në sistemin e vlerave, normave morale dhe fenomenologjisë së jetës seksuale në shoqërinë shqiptare, në këto tri dekada e gjysmë kanë ndodhur ndryshime thelbësore konceptuale, bërë përmbysje të raporteve të njeriut me kulturën seksuale dhe jetën intime, të paimagjinuara më parë në këto përmasa.
Ka shumë komponentë që kanë lidhje dhe ndikim të fortë ekzistencial në mënyrën, format dhe problemet e erotizmit, që kanë sjellë forma të reja të strukturës së lidhjeve erotike dhe disiplinës së jetës seksuale, të cilat në epokën e lirisë dhe të drejtave të zgjeruara të njeriut janë bërë më dinamike, të lëvizshme, të ndryshueshme. Shpesh kaotike e të paqarta dhe jo aq shumë të lehta për t’i përkufizuar nga pikëpamja sociale dhe optikë sociologjike. E gjithë kjo situatë është e shfaqur sidomos në një fenomen të dukshëm, sikurse është realiteti i zgjerimit të pornografisë, kinematografike, televizive dhe virtuale përmes rrjeteve sociale. Sipas filozofit Jean Boudrillars (Zhan Bodrijar), pornografizimi i shoqërisë është një fakt dhe realitet social që shfaqet në zgjerimin e përmasave të pornografisë deri në “nivelet e obezitetit” maksimal të saj. Kjo është ana e dukshme materiale e dimensioneve empirike të pornografisë, e cila ka vendin e vet kur aplikohet me sens mase e kulturë qytetare, si mjet kulturor, mbase esencial në lidhjet dhe marrëdhënie e kënaqësisë intime, përmes përdorimit të saj të kufizuar në hapësirë dhe kohë, duke e dimensionuar atë në kufijtë e shijeve personale dhe nevojave të vojerizmit individual. Por realitete flasin ndryshe dhe raportet e njeriut me pornografinë janë bërë toksike, të deformuara dhe me pasoja morale, psikologjike, shëndetësore e sociale. Ndikimi i pornografisë është bërë shumë i gjerë.
Ai ka dalë përtej kornizave të evidentimit empirik dhe përkufizimit nominal të termit, ka marrë zgjerim në hapësirat sociale, është bërë një “limfë” që shfaqet gjerësisht në jetën e përditshme, në ekrane dhe ambiente të argëtimit social dhe intim, saqë me të drejtë sociologët e kohës postmoderne, kanë filluar ta sintetizojnë këtë situatë sociale si shfaqje të një përmase të re, që ata e konsiderojnë si tendencë për “pornografizimin e shoqërisë” në tërësi. Kjo do të thotë se në jetën e sotme shoqërore, ka ndryshuar radikalisht lidhja dhe marrëdhënia midis ertotizmit dhe pornografisë, e cila “…nuk është gjë tjetër veçse përdhosje e erotizmit të vërtetë human”. Sociologët këtë fenomen e konsiderojnë si “krizë brilante të ekspozimit anormal” të elementëve biologjikë të intimitetit në publik, pa asnjë mbrojtje morale apo filtër social. Qëndrimi ynë ndaj kësaj dukurie nuk është konservator apo mesjetar. Evolucioni edhe në këtë aspekt ka qenë, por më i përmbajtur dhe më periferik në raport me nevojat e tjera të jetës sociale të njeriut. Shoqëria shqiptare e kaluar ka pasur normat e veta morale të mënyrës si operonte apo edhe ekspozonte intimitetin në ambiente sociale e private të përcaktuara.
Është e vërtetë që në shumë aspekte bota erotike e shqiptarit, ka qenë e mbingarkuar me doza të konservatorzimit dhe asketizmit, mbi “veshjes me ambalazhe morale” të rënda e konservatore të intimitetit, të rënduara përtej kufijve të lirisë dhe të drejtave të njeriut për jetën personale dhe botën e intimitetit. Por tani janë kapërcyer kufijtë e ngushtë të dikurshëm, kur seksualiteti dhe intimiteti përbënin “sekret të frikshëm” ideologjik e shoqëror, kur pamjet dhe ligjërimet për këtë “botë misterioze” ishin rrepësisht të ndaluara. Shoqëria shqiptare e kishte shumë të ekzagjeruar moralin puritan, që shtypte të gjithë komponentët e ekspozimit të intimitetit në marrëdhëniet erotike. Sot situata jo vetëm ka ndryshuar, por nga pikëpamja sociale efektet e pornografisë janë bërë më intensive dhe të agravuara, ngaqë sikurse duket, pornografia është bërë një “mall” që gjendet me lehtësi, përdoret gjerësisht, duke u kthyer në epidemi, që është vënë në dispozicion publik për përdorim me lehtësi të habitshme në çdo kohë dhe nga të gjitha moshat. Kaq shumë është rritur densiteti dhe intensiteti i shfaqjeve pornografike, saqë tashmë flitet për një fenomen social pandemik, që shfaqet si prirje konsistente që po e bën të pranueshme realitetin e përmasave shqetësuese të “pornografizimit të shoqërisë”. Duke diagnostikuar këtë situatë të ndikimit të pornografisë në jetën e sotme sociale, duke vlerësuar peshën e fenomenit të zgjerimit të kulturës së “imperializmit pornografik”, filozofi francez Alain Badiou thotë se, “Kapitalizmi e ashpërson pornografizimin e shoqërisë, duke ekspozuar çdo gjë si mall vitrine. Duke mos njohur funksionin tjetër të seksualitetit, ai e përdhos erosin në porno”. “Agonia e erosit” f. 10
Pjesa më e madhe dhe e shëndetshme e shoqërisë shqiptare e ka shqetësim dhe shpesh ka bërë reagime sociale, kulturore, pedagogjike e mediatike për deformimet që ka marrë kultura humane. Sepse lidhjet e intimitetit njerëzor, përveç faktorëve të tjerë, përfshirë edhe frytet e ëmbla e të hidhura të “importimit” të efekteve të “revolucionit seksual”, janë cenuar nga një pornografizim i ekzagjeruar, që po dëmton rëndë magjinë e intimitetit, e cila është një “botë” endemike e sociale njerëzore që ka misteret e veta, që jo domosdoshmërish janë të lidhura me ekspozimin publik. Pornografia kaotike jashtë çdo kodi të disiplinës kulturore sociale e shumëfishuar dhe e përhapur tashmë pa limit po shoqërohet me tendencat banale e pornografizimit të shoqërisë. Ajo po shkallmon esencën e intimitetit, përmes shfaqjeve banale të lakuriqësisë dhe misterin e tjetrit, duke e kthyer pornografinë në mjet për dukje, atraksion mercantilist për qëllime të tregtimit të trupit apo për konsum ekzibicional.
Pornografia e shfaqur si infeksion social dhe element i pornografizimit ka kthyer marrëdhëniet intime, relacionet erotike jashtë kufijve të intimitetit, duke i kthyer ato në marrëdhënie tregtare, publike e ekzibicionale. Kjo është arsyeja, që po përballemi me këtë zgjerim të papërmbajtur të pornografisë, rritjen e numrit të shikuesve, “admiruesve” të saj. Kjo e shoqëruar me pasoja sociale, sikurse është ulja e moshës së lidhjeve, marrëdhënieve seksuale dhe pornografike në të gjithë trajtat, format. Prandaj si sociolog ndihem i shqetësuar për efektet dhe kundërefektet e saj. Sepse si shoqëri nuk kemi asnjë imunitet që të ndihemi të mbrojtur nga fenomeni, dukuria sociale e pornografizimit të shoqërisë. Pa bërë moralin e strucit, fenomeni është evident dhe në zgjerim eruptiv. Atë e ndeshim kudo në revista e botime pornografike, që janë të banalizuara por të “justifikuara”, nën argumentimin e maskuar, e “ambalazhuar” keq me etiketën humane të përhapjes së kulturës së seksualitetit, si pjesë e kulturës së njeriut. E vërteta është ndryshe.
Në shoqërinë tonë shfaqjet e pornografisë kudo ku ai mund të shfaqet, është bërë strategji dhe modus vineti agresiv, ka dalë jashtë kontrollit human dhe përtej paradigmave morale kudo, në kanalet televizive, kinematografi, rrjetet e komunikimit social, “muret” e internetit, revista e botime specifike etj.. Nuk ka pse të mos e pranojmë të vërtetën. Kur flasim për një gjendje të “pornografizimit të shoqërisë”, kjo do të thotë se pornografia, bashkë me të ekspozimi i skenave licenzioze “live” të marrëdhënieve seksuale në ambiente publike, është epidemi që duhet të na shqetësojë. Familjen, shkollën, median, institucionet e edukimit dhe formimit publik, të gjitha në një pjesë të konsiderueshme, fajtorë dhe përgjegjës për këtë situatë të pornografizimit të shoqërisë. Sepse efektet nuk janë vetëm vizuale e psikologjike. Pornografia po bëhet një faktor, që në mënyrë të drejtpërdrejtë apo të tërthortë, nxit dhunën fizike, arrivizmin seksual, akseleron veprimet depresive, instiktive e autoagresive, sidomos veprimet banale, eksentrike e të pakontrolluara tek adoleshentët.
Një nga rreziqet e pornografizimit të jetës shoqërore është se pornografia nuk është një veprimtari pasive, inerte, pa ndikime në jetën sociale. Përkundrazi, ajo ka efekte për sjelljen, dinjitetin e njeriut human, për normat morale standarde, të pranuara të qytetërimit tonë, duke ndikuar në shfaqjet e dhunës sociale apo virale. Përdorimi banal, pa kriter dhe jo në vendin e duhur të erotizmit, ekzibicionet mediatike e skenat publike të intimitetit seksual është një limfë toksike, që cenon rëndë paradigmat morale tradicionale e moderne të jetës morale dhe disiplinës seksuale. Zgjerimi i patologjisë së “pornografizimit” është një mjet degradues me synime tinëzare e shkatërrimtare, që synon “asgjësimin me butësi”, me heshtje sociale, adoptim individual, pa shqetësim social të normave morale, që janë garante të shëndetit të shoqërisë shqiptare.
Nga jugu në veri, shtretërit e lumenjve janë mbushur me venddepozitime ilegale të mbetjeve urbane, duke shkaktuar dëme mjedisore dhe shëndetësore, ndërkohë që institucionet përgjegjëse bëjnë një sy qorr.
Tonelata mbetjesh bashkohen me ndotjen rreth inceneratorit të Elbasanit, ndërsa në rrjedhën e Shkumbinit mbërrijnë plehra të tjera nga venddepozitimet anës përroit Papër. Më tej, në Peqin, grumbuj mbetjesh dhe inertesh derdhen direkt në lumë.
Dikur me ujë të kristaltë, lumi i Shkumbinit është sot një nga më të ndoturit në vend.
“I gjithë lumi Shkumbin është një hotspot i madh, sepse venddepozitimet buzë Shkumbinit nuk u rehabilituan asnjëherë. Nuk e di nëse bashkitë janë duke i derdhur mbetjet në landfillin e Elbasanit” thotë Ornela Çuçi, eksperte e mjedisit.
Por Shkumbini nuk është i vetmi. Nga jugu në veri, në shtretërit e lumenjve derdhen prej vitesh pirgje me plehra në venddepozitime të paligjshme, duke i ndotur ujërat me grumbuj plastike, qese që valëviten në pemët përreth dhe inerte që ngrihen si kodra dhe rrëshqasin në ujë.
Në lumin Devoll që kalon pranë Gramshit, mbetje urbane dhe inerte gjenden në shtratin e lumit, duke pritur stinën e rreshjeve që t’i zhvendosë prej aty drejt liqenit të Banjës. Në Obot të Shkodrës në veri të vendit, përrenjtë që zbresin drejt lumit Buna sjellin mbetje të vendbanimeve përreth, njësoj si në brigjet e lumenjve Fan dhe Gjadër, ku gjenden vendgrumbullime të paligjshme mbetjesh që përfundojnë në detin Adriatik.
Ekspertët e mjedisit fajësojnë sistemin jofunksional të menaxhimit të mbetjeve urbane në Shqipëri, sikurse institucionet përgjegjëse dhe vetë qytetarët.
Sipas Denisa Kasës, aktiviste mjedisore, një pjesë e madhe e komuniteteve lokale nuk janë ende të ndërgjegjësuar për dëmet mjedisore.
“Ne si pjesë e shoqërisë civile, vazhdimisht kemi organizuar pastrime përgjatë lumenjve, por edhe aktivitete për t’u njohur me lumenjtë. Duhet të kemi parasysh se një pjesë e madhe e komuniteteve dhe njerëzve nuk janë të ndërgjegjshëm për vijimësinë e një lumi nga fillimi deri në fund dhe çfarë ndodh përgjatë tij,” tha Kasa.
Edhe Aleko Miho, profesor në Departamentin e Biologjisë në Fakultetin e Shkencave të Natyrës e vendos theksin te nevoja për ndërgjegjësim.
“Pjesa qytetare është e rëndësishme, kështu që të gjithë së bashku duhet të luftojmë për ndërgjegjësimin si shoqëri. Shoqëria ka nevojë shumë të ndërgjegjësohet për këtë gjë, shkolla ka të bëjë shumë për edukimin mjedisor,” tha ai.
Mes dhjetra venddepozitimeve klandestine, ka edhe nga ato që janë të certifikuara dhe përdoren nga pushteti vendor në kundërshtim me parashikimet ligjore. Landfille të tilla janë veçanërisht problematike për lumin e Vjosës.
“Në Vjosë kemi disa vendgrumbullime që janë shumë afër lumit. Kemi të Këlcyrës, të Tepelenës, pra gjatë gjithë Vjosës kemi disa vendgrumbullime mbetjesh. Sa më afër lumit, kuptohet që ndotja është shumë direkte në lumë,” thotë Besjana Guri, drejtuese e qendrës mjedisore “Lumi”.
Edhe profesori Aleko Miho është i shqetësuar për ndotjen e lumit Vjosa, i shpallur Park Kombëtar nga qeveria shqiptare.
“Përgjatë Vjosës ka disa shkarkime që vijnë nga zonat e banuara, që janë shkarkime të lëngëta që i shihni dhe nuk i shihni. Ne shpesh shohim ato që janë të dukshme, një landfill apo shpërndarje gjatë lumit apo në deltën e tij të mbetjeve plastike. Por ndotja është e shpërndarë, ka në lumë, ka në të gjithë pellgun e saj,” tha Miho.
Efektet e ndotjes së lumenjve nga mbetjet i kanë kapërcyer kufinjtë e Shqipërisë. Prej vitesh, Mali i Zi dhe Kroacia ankohen për mbetjet e plastikës, të cilat zhvendosen në hapësirën e tyre përmes rrymave detare.
“Fatmirësisht në Shqipëri, rrymat bregdetare nuk na i lënë të gjitha mbetjet që ne depozitojmë në detin Adriatik, por i marrin rrymat bregdetare dhe i çojnë në Kroaci ose në fund të brigjeve të Malit të Zi. Kësisoj, duke e hequr nga momenti jonë, ne i marrim mbetjet dhe i fshehim poshtë tapetit si gjithmonë,” thotë Ornela Çuçi. “Në këtë rast, tapeti ynë i poshtëm qenka Kroacia, dhe ata ankohen,” shtoi ajo.
Profesori Aleko Miho thotë se mbetjet e plastikës në lumenjtë e Shqipërisë shkaktojnë probleme të shumta mjedisore dhe shëndetësore, ndaj ai bën thirrje që këtë dëm ta paguajnë ndotësit.
“Një plastikë në ujë ka gjithë kohën të shpërbëhet dhe të lëshojë mikroplastika, pjesa më e madhe e të cilave janë kancerogjene,” shpjegon Miho.
“Ndotësi duhet të paguajë. Edhe qytetari që ndot duhet të paguajë, edhe ai që shkarkon plehra në buzë të lumit pa pyetur duhet të paguajë, edhe bashkia që nuk kujdeset për mbledhjen e plehrave ka pjesën e vet të përgjegjësisë,” shton më tej ai.
Pas dështimit të investimeve prej dhjetramilionë eurosh në trajtimin e mbetjeve urbane, qeveria ka përgatitur së fundmi një tjetër ligj dhe strategji. Por ekspertët e mjedisit janë mosbesues për aplikimin e tyre në praktikë.
“Kjo çështja e strategjive ka filluar të bëhet komike. Strategjia e parë që u bë në 2011 u pa që ishte implementuar shumë pak. Me ndihmën e GIZ u bë strategjia tjetër. Tashmë është bërë nevoja për një strategji pas 5 vitesh sërish, çka do të thotë që ne jemi të paaftë edhe të planifikojmë çfarë duhet të bëjmë, dhe kjo kryesisht për shkak të mosmenaxhimit të qartë të veprave madhore në këtë vend,” përfundoi Çuçi./ BIRN
Dallime të vogla, të tilla si vendosja e dorezës së derës dhe fijet e drurit në një sirtar dokumentesh, tregojnë se Putini ka përdorur tri zyra pothuajse identike në pjesë të ndryshme të Rusisë.
Yelizaveta Surnacheva, Andrei Soshnikov, Systema
Në një raport të transmetuar më 11 tetor 2020, një gazetar i televizionit shtetëror rus u tregon me entuziazëm shikuesve çfarë i pret: pjesë nga një intervistë me presidentin Vladimir Putin dhe, ndër të tjera, lajme për testimin e një rakete hipersonike, për të cilën Moska ishte mburrur kamotshëm.
“Pas intervistës, më shumë punë”, thotë gazetari, duke përsëritur narrativin e Kremlinit se Putini punon pa pushim për të mbajtur vendin të sigurt dhe të fortë.
Një mbishkrim në këndin e ekranit thotë “Novo-Ogariovo” – rezidenca kryesore presidenciale në periferi të Moskës – dhe në video shfaqet Putini duke u drejtuar drejt derës së zyrës së tij dhe duke zgjatur dorën për ta hapur.
Dhe aty qëndron e vërteta: pozicioni i dorezës së derës dhe disa hollësi të tjera tregojnë se pamjet nuk janë filmuar aspak në Novo-Ogariovo, sipas një hulumtimi të Radios Evropa e Lirë (REL).
Në fakt, ato janë xhiruar më shumë se 1.500 kilometra në jug, në një zyrë pothuajse identike në Boçarov Ruçei, një rezidencë shtetërore në Soçi, në brigjet e Detit të Zi.
Njësia hulumtuese ruse e REL-it, Systema, zbuloi se në Novo-Ogaryovo nuk ndodhet vetëm një, por dy kopje të zyrës së Putinit – një në Soçi dhe një në Valdai, afërsisht në mes të Moskës dhe Shën Petersburgut – dhe se Kremlini ka mashtruar publikun për vendndodhjen e presidentit qindra herë gjatë viteve të fundit.
Në shumicën e rasteve të dokumentuara nga Systema, takimet që supozohej se ndodhën në Novo-Ogariovo në të vërtetë ishin xhiruar në Soçi ose në Valdai – një qytet pranë liqenit, me pyje të dendura, që Putini e ka preferuar që nga fillimi i pushtimit të Ukrainës, i cili ka nxitur sulme me dronë ndaj caqeve ushtarake e industriale në Rusi.
Ky hulumtim tregon një Kremlin shumë sekret që ka mashtruar rregullisht publikun për vendndodhjen e Putinit në vitet e fundit. Ai gjithashtu ngre dyshime mbi kohën e takimeve dhe bisedave që administrata e Putinit i bën publike.
Në një raport hulumtues të publikuar në gusht, Systema zbuloi se të paktën pesë takime të Kremlinit që supozohej të kishin ndodhur në prill ose maj, në fakt ishin filmuar muaj më parë. Putini e ka vazhduar këtë mashtrim edhe këtë vjeshtë: që nga gushti, Kremlini ka publikuar të paktën shtatë video të vjetra, duke i paraqitur si të reja, sipas Systema.
Pas derës numër 1…
Systema arriti në përfundimin për tri zyrat pothuajse identike duke analizuar rreth 700 video të publikuara nga administrata e Putinit, ose të transmetuara në televizionin shtetëror, si dhe duke shqyrtuar imazhe të postuara në faqen e Kremlinit.
Gazetarët analizuan gjithashtu materiale të shumta, përfshirë postime në rrjete sociale dhe të dhëna të udhëtimeve të zbuluara, që përshkruanin planet dhe udhëtimet reale të njerëzve pranë rrethit të Putinit, si personeli i sigurisë dhe gazetarët e televizionit shtetëror që e mbulojnë atë.
Raporti i tetorit 2020 është një shembull i thjeshtë, por tronditës.
Vendosja e dorezës së derës karshi murit ndryshon në zyra.
Në zyrën e Novo-Ogariovo, doreza e derës pranë tavolinës së Putinit është vendosur pak më poshtë se një vijë ndarëse që ndan panelet e murit në të dy anët. Ky është fakt që dallohet qartë nga pamjet dhe fotografitë e dhomës, përfshirë imazhe nga kompania që kishte shtruar parketin atje.
Por, në pamjet ku Putini zgjat dorën për ta kapur dorezën, ajo është pak më lart se vija e murit, një ndryshim prej vetëm disa centimetrash, por i pamohueshëm. Kjo tregon se intervista është filmuar në Soçi, jo jashtë Moskës.
Ndër hollësitë e tjera që zbulojnë mospërputhje mes vendndodhjes së deklaruar dhe asaj reale të takimeve të shumta që supozohej se mbaheshin në Novo-Ogariovo janë: modelet në kravatat e Putinit, forma e mbajtëses së televizorit, ngjyra e tavolinës dhe korniza e tabakasë së dokumenteve në tryezë.
Systema konfirmoi këto gjetje duke analizuar dokumente udhëtimi të Putinit. Për shembull, një intervistë televizive në gusht 2020 që Kremlini pretendoi se ishte zhvilluar në Novo-Ogariovo, në fakt duket se ishte xhiruar në Soçi, duke gjykuar nga hollësitë, përfshirë dorezën e derës.
Zyrtarisht, intervista e Putinit me gazetarin Sergei Brilyov u regjistrua në Novo-Ogariovo jashtë Moskës, por vendndodhja e një plasaritjeje në mur tregon se ajo në të vërtetë u zhvillua në Boçarov Ruçei në Soçi.
Dhe vërtet, një biletë elektronike e blerë nga një agjenci udhëtimesh me lidhje me Kremlinin dhe e siguruar nga Systema tregonte se gazetari Sergei Brilyov kishte fluturuar nga Soçi në Moskë më 27 gusht, ditën kur intervista u transmetua në televizionin shtetëror.
Këto dhe dokumente të tjera të brendshme të televizionit shtetëror rus u siguruan nga gazetarët e Systema përmes emaileve të zbuluara nga kompania VGTRK, të ofruara nga Projekti për Raportimin e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (OCCRP).
Udhëtimet që tradhtojnë
Pamje të xhiruara në shtator 2020 supozohej të ishin nga Novo-Ogariovo. Por në një email që e ka parë Systema, një producent televiziv kërkonte organizimin e një udhëtimi në Soçi për gazetarin e njohur Pavel Zarubin dhe disa anëtarë të ekipit.
Zarubin, bashkautor i një emisioni javor në televizionin shtetëror, Rossia-1, që fokusohet tek Putini, ka udhëtuar shpesh në Soçi dhe ka sjellë pamje që më pas Kremlini i ka paraqitur sikur janë xhiruar në Novo-Ogariovo, zbuloi Systema.
Një dokument i zbuluar udhëtimi dhe një pjesë e shkurtër e një prej emisioneve të Zarubinit treguan se një anëtar i stafit të sigurisë presidenciale kishte qëndruar një natë në Soçi në të njëjtën periudhë kur pamjet e Putinit, që supozohej të ishin nga Novo-Ogariovo, por në fakt ishin xhiruar në Boçarov Ruçei, u regjistruan në tetor 2021.
Përveç dorezës së derës, ka edhe dallime të tjera midis zyrës në Novo-Ogariovo dhe asaj në Boçarov Ruçei: pozicioni i vijës ndarëse në mur pas Putinit dhe forma e këmbëve mbajtëses të televizorit.
Sipas Kremlinit, këto dy fotografi janë bërë në të njëjtën zyrë në të njëjtën ditë, më 12 korrik 2024. Megjithatë, detajet e brendshme tregojnë se ato janë bërë në dy vende të ndryshme.
Rezidenca e Boçarov Ruçei është përdorur nga drejtuesit sovjetikë që prej Nikita Hrushovit, liderit sovjetik nga 1953-65 e më pas pasuesit të tij Leonid Brezhnevit. Ndërtesa e vjetër, e ndërtuar në vitet ’50, u rrëzua dhe u zëvendësua me një të re para Lojërave Olimpike Dimërore Soçi 2014.
Pamjet e regjistruara pas ceremonisë së hapjes tregojnë një pritje me figura kulturore ruse, përfshirë Putinin dhe Alina Kabaevën, kampione olimpike në gjimnastikë ritmike në 2004, për të cilën raportohet gjerësisht se është partnerja e tij dhe nëna e të paktën dy fëmijëve të tij.
Gjatë viteve, Putini ka pritur shumë liderë dhe zyrtarë rusë në Boçarov Ruçei. Gjatë pandemisë COVID-19, për një pjesë të madhe të viteve 2020–2021, rreth një e treta e takimeve që supozohej të ishin në Novo-Ogariovo, në fakt u mbajtën në Soçi, sipas provave të shqyrtuara nga Systema.
Ai ka kaluar gjithashtu shumë kohë në Valdai, ku mban takime në një zyrë që duket shumë si ajo në afërsi të Moskës dhe në Soçi.
Izolim dhe siguri
Vitet e fundit, Putini e ka preferuar gjithnjë e më shumë Valdain. Ai është larguar pothuajse plotësisht nga Boçarov Ruçei që nga shkurti 2023, një vit pas fillimit të pushtimit të Ukrainës.
Pamjet dhe materialet e tjera të shqyrtuara nga Systema sugjerojnë se pothuajse të gjitha takimet e filtruara si nga Novo-Ogariovo në vitin 2025 në fakt janë zhvilluar në Valdai.
Fotografitë satelitore shfaqin ndërtesat që strehojnë zyra pothuajse identike në Novo-Ogariovo, Soçi dhe Valdai.
Edhe Valdai ka një rezidencë shtetërore, dhe në vitin 2016, në një zonë me pyje, në vendin e një fushe tenisi, u ndërtua një pavijon për takime dhe konferenca, nga e njëjta kompani që kishte rinovuar Novo-Ogariovon dhe Boçarov Ruçein.
Ashtu si me Boçarov Ruçein, vija ndarëse në mur pas karriges së Putinit është një nga shenjat se kjo nuk është Novo-Ogariovo. Një tjetër detaj që e dallon Valdain nga të dyja zyrat e tjera është një termostat i vendosur në qendër të panelit të murit, ndërsa tabaka e dokumenteve në tavolinën e Putinit ka një model druri ndryshe nga zyrat e tjera.
Duke kombinuar detajet vizuale dhe të dhënat e udhëtimit, Systema përcaktoi se një nga shumë takimet e mbajtura në Valdai ishte ajo e qeverisë tre ditë pas zjarrit në qendrën tregtare në Kemerovo, Siberi, në mars 2018, ku vdiqën të paktën 60 persona, shumica fëmijë, një javë pas rizgjedhjes së Putinit për mandatin e tij të katërt. Kremlini pretendoi se takimi u zhvillua në Novo-Ogariovo.
Derisa Rusia grumbullonte trupa përgjatë kufirit me Ukrainën para pushtimit të 24 shkurtit 2022, Putini foli me presidentin amerikan Joe Biden përmes video-konference nga Soçi më 7 dhjetor 2021. Biden e paralajmëroi atë kundër sulmit, ndërsa Putini kritikoi Kievin dhe NATO-n.
Pas kësaj, Putini udhëtoi në Valdai dhe zhvilloi disa takime atje, ndërkohë që Kremlini raportonte se ai ndodhej në Novo-Ogariovo.
Nga 24 shkurti deri më 12 prill, teksa trupat ruse fillimisht përparuan, por më pas u tërhoqën nga periferitë e Kievit, Putini mbajti të paktën 12 takime nga zyra e Valdait, sipas Systema.
Një analizë e pamjeve dhe provave të tjera tregon gjithashtu se nga 30 paraqitjet publike të Putinit në zyrë nga janari deri në fund të shtatorit të këtij viti, vetëm njëra nuk ishte filmuar në Valdai, ku, me kalimin e viteve, termostati është zhvendosur në të njëjtin pozicion si në zyrat e Soçit dhe Novo-Ogariovos.
Një imazh satelitor i ofruar nga Maxar Technologies tregon një sistem mbrojtës ajror të instaluar në rezidencën e Putinit në Valdai.
Sociologu Konstantin Gaaze, që studion autoritarizmin rus, thotë se, në kushtet e luftës me Ukrainën dhe sulmeve me dronë ndaj caqeve ruse, arsyeja për preferencën e Putinit për Valdai është e qartë.
“Është çështje sigurie, natyrisht”, thotë ai.
Boçarov Ruçei është në një zonë të hapur dhe të dukshme në Soçi, ndërsa masa të forta mbrojtëse do të tërhiqnin vëmendjen në periferinë elitare të Moskës ku ndodhet Novo-Ogariovo. Valdai është shumë më i izoluar, dhe sipas Shërbimit tus të REL-it, në gusht u raportua se 12 instalime të mbrojtjes ajrore janë ngritur në zonën përreth, shumica sisteme raketore Pantsir-S1.
Një vizualizim i bazuar në prova të shumta tregon vendndodhjen e vijës së bashkimit në murin pas tavolinës së Putinit në të tri zyrat.
Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, lexoi pyetjet që Systema i dërgoi para publikimit të artikullit, por nuk u përgjigj. Zyra e shtypit e VGTRK gjithashtu nuk komentoi.
Në vitin 2020, pasi media hulumtuese Proekt raportoi për herë të parë se Putini kishte dy zyra shumë të ngjashme, një në Novo-Ogariovo dhe një në Boçarov Ruçei, Peskov e quajti raportin “të pasaktë” dhe tha se “nuk ka zyra identike”.
Administrata e Putinit nuk ka adresuar kurrë provat që tregojnë se ka mashtruar publikun rus për vendndodhjen e qindra takimeve të presidentit.
Zëvendës kryeministrja Belinda Balluku prej më shumë se 2 javë është tashmë e pandehur nga SPAK, në lidhje me afera mbi tunelin e Llogarasë, që dyshohet se i ka kushtuar 50 mln dëm buxhetit të shtetit.
Gazetarja Klodiana Lala ka sqaruar se në lidhje me këtë hetim janë sekuestruar dhe deskriptuar disa telefona, ndërsa janë marrë në pyetje më shumë se 140 persona.
“SPAK po vijon hetimet. Balluku tashmë dihet që është nën hetim për miliona eruo dëm buxhetit të shtetit nga tuneli i Llogarasë. Deri tani kemi një heshtje të Ramës dhe mazhorancës.
Dhjetëra kontrolle i janë kryer vartësve të Ballukut dhe njerëzve të besuar të saj. Ka sekuestruar telefona dhe ka mbledhur dokumente të tenderave me rrugët dhe afera që shkojnë në miliona euro. Ka një hetim instensiv ku mund të dalin prova të reja. Në të ardhmen mund të ketë edhe akuza të reja në lidhje me të.
Janë disa telefona që janë dekriptuar.
Disa telefona të Berberit, në asnjë rast provat nuk dalin menjëherë. Kanë dalë disa detaje kryesore, por kur të shkojë dosja për hetim aty do të zbardhen të gjitha, në këtë proces janë pyetur 140 persona dhe mund të jenë duke u marrë edhe të tjerë në pyetje”, tha ajo.
Influencerja Elona Caslli kujton në rrjetin social komunikimin që kish patur me Albi Çela, njerin nga dy të rinj shqiptarë i fejuar me Samira Xhaferi qe humbën jetën në një aksident automobilistik në Cleveland, Ohio.
“In memoriam
Për të të kujtuar Alb, shkëputa këtë komunikim që patëm bashkë para disa kohësh, ku shprehet më së miri thelbi yt dhe njëkohësisht thelbi i një shqiptari të mirë.
Komentet