VOAL

VOAL

Sfidat e Konsolidimit të Demokracisë Shqiptare – Nga Dr. Elez Biberaj Drejtor i Drejtorisë së Euroazisë Zëri i Amerikës

April 6, 2019

Komentet

UGSHPD: RAMA ME “TURR” NË DIASPORË DHE ME AKADEMI POLITIKE (PROGRESISTËT NDËRKOMBËTARË ME PARATË E SHQIPTARËVE)

I nderuar Kryeministër i Shqipërisë Edvin Rama,

Prej nga do t’ia fillonit ju me rienergjizimin e diasporës shqiptare, do të ishte një pyetje e parë prej UGSHPD-së?
Nga mënyra e renditjes së vendqëndrimeve tuaja të ardhshme si; Athinë, Milano, Londër dhe Mynih (në qoftë se nuk janë takime nga distanca, zoom online), vërejmë se ky rrugëtim i cunguar i hartës tuaj “globaliste apo gjithëpërfshirëse” flet shumë për strategjinë e zgjedhur politike dhe e shpjegon atë disi se përse ende nuk keni parashikuar edhe një ndalesë si SHBA-ja. Mbase mund të jetë edhe një surprizë, por përpara se të jetë një e tillë strategjia dhe trajta ideologjike e juaj për arritur pas 2025 -ës edhe vitin 2030-të me atë korrupsion dhe skandale që shihet qeverisja juaj duket si një tentativë naive. Dëshira të tilla pushtetmbajtëse mund të mbahen vetëm me dhunë dhe kjo shpreh vetëm bindjen tuaj dhe jo respektimin e ligjeve dhe rregullat në demokraci. Kjo do t’ju bënte një diktator dhe nuk besojmë se populli shqiptar diaspora do ta pranonin atë përmes votës e tyre, veç se do të ishin të mashtruar dhe sy errët prej propagandës që ju investoni.
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës me shtrirje në Europë dhe SHBA  formuar që prej vitit 2021 e ka ndjekur me vëmendje qeverisjen tuaj. Periudha e mandatit të fundit me gafa dhe skandale të pafundme tregon për një dekadencë, një fermentim prej korrupsionit dhe përvetësimeve në një shkallë të atillë që të bën të dyshosh se mund ta prodhojë ndryshimin. Megjithatë pas dhjetë vitesh juve vazhdoni të keni kuraje dhe të udhëhiqni përsëri shqiptarët. 
Rienergjizimi që ju pretendoni tashmë edhe jashtë Shqipërisë duket paska vënë fillimisht “panele diellore” dhe “mulli-ere” vetëm në Evropë pasi “kabllo juaj ideologjike” përtej Atlantikut kushton shumë para për t’u bërë edhe më i famshëm. Ai është i shtrenjtë edhe si çmim edhe si sukses sepse që në nisje është një mendim i mbrapshtë. I mbrapshtë moralisht dhe po aq edhe i pafytyrë sepse juve dhe modeli i një shteti që  nuk mund t’i shitet diasporës në perëndim dhe SHBA. As leksion demokracie, dhe as të mund t’u flasësh dhe japësh shqiptarëve ide të iniciativës private duke i treguar ato si shembuj personal suksesi sepse qeverisja e juaj i ka përzënë duke ua bërë jetën të vështirë ashtu edhe sikurse nuk mund t’u dalësh në mbrojtje lirive dhe të drejtave të njeriut e mediave dhe shtypit të lirë. 
Pavarësisht se gjeneratorët tuaj nostalgjikë të së majtës dhe ata më të moderuarit prej globalizmit dhe shoqërisë së hapur sorosiane gjatë tre mandateve në pushtet po e ushqejnë propagandën, juve dhe qeverisja juaj po provoni se jeni një katastrofë dhe degradim vlerash. Strategjia juaj e riciklimit dhe rienergjizimit për të fituar 2025-ën si dhe mandatet në vazhdim është e mangët sepse korrupsioni që ju ka ekspozuar çdo qelizë të parti-shtetit nuk ju jep më besimin shqiptarëve. Të shndërroheni nga artist në politikan dhe prej këtu të ktheheni përmes Akademisë Politike dhe Modulet Ideologjike në një mendimtar dhe filozof, për hir të lirisë së ideve kjo ëndërr dhe përpjekje ju realizoftë, por jo me paratë e shqiptarëve nuk mundet të vazhdojë ky mashtrim dhe ky eksperiment.
Piedestali i ngritur me korrupsion dhe përvetësim ekonomik tregon se keni mbetur në nivelet më mediokre të historisë së shkuar komuniste të Shqipërisë të cilën e ringjallni herë pas here dhe shtetin e drejtoni si dikur Partia e Punës edhe pse Shqipëria prej kohësh ka anëtarësitë në Këshillin e Europës dhe në NATO dhe ku më e bukura është se në to nuk është parë asnjë pjesë e kontributit tuaj personal.
Ashtu siç ju kapët Bashkinë e Tiranës dhe ndërtuat skemën e grabitjes së pushtetit vendor, po ashtu kapët Partinë Socialiste dhe e kthyet drejtimin e saj nga një grusht njerëzish të zellshëm për t’u quajtur elitë dhe të ç’ngjyrosur me vesin e vjedhjes që Rilindja Socialiste. Fatkeqësia e përzierjes me politikën tuaj ka marrë në qafë figura të së majtës të pas viteve ’90-të si edhe të aleancave që juve lehtësisht i keni blerë duke i bërë bashkëfajtorë për ta minuar demokracinë dhe pluralizmin në emër të ngritjes së një shteti autoritar.
Nga leximi i renditjes Athinë, Milano, Londër dhe Mynih, vërejmë se harta juaj globaliste dhe gjithëpërfshirëse nuk e përmban SHBA-në dhe kjo ndjehet që në krye diskriminuese. Shqiptaro-Amerikanët të vendosur në SHBA që prej viteve 1880 janë sot jo thjeshtë për qindra mijë bashkatdhetarë dhe bashkëkombës, shtetas amerikanë që e duan atdheun e tyre dhe ruajnë lidhjet me vendlindjen e të parëve ndjehen të lirë dhe e shprehin me krenari shprehin identitetin e tyre shqiptarë. Ata fillojnë prej arbëreshëve, shqiptarëve në trojet e tyre në  Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni dhe Çamëri dhe që prej  gati 150 vitesh janë shembulli i atdhedashurisë, frymëzimi i Shqipërisë së pavarur dhe unitetit, i zgjedhjes së aleatit të duhur të cilin ju  keni marrë përsipër ta shkatërroni.
Është e vështirë t’ju drejtojmë një pyetësor për ta përshkruar juve vetë rrugën tuaj politike fatkeqësisht jo shqiptare sepse i mungoni parlamentit për t’u ballafaquar. Mazhoranca në vijë partiake vendos ato që juve kërkoni dhe një nga komisionet hetimore për dezinformimin që juve së fundi propozuat, bashkë me dy të tjerët që bllokohen sepse janë thirrur nga opozita e kanë bërë rilindjen socialiste në parlament si “kare-oke” të hiteve të kryeministrit, një klub ku zhyten në borxh dhe shpërdorohen paratë e shqiptarëve. Kështu juve po e kërkoni që edhe drejtësia të kthehet në shërbimin tuaj pikërisht për ta vrarë pluralizmin dhe dëshpëruar popullin shqiptar.
A është kjo strategji e juaja një rritje e influencës ndërkombëtare apo izolim i Shqipërisë që juve të sundoni më 2025 dhe përtej?
Turi juaj “Krenar për Shqipërinë” duket një mashtrim i madh. Mes shumë pyetjeve; – Athinës juve do t’ju tregoni vlerën e dhunimit të votës dhe burgosjen e Kryetarit të Bashkisë Himarë, apo do të falenderoni qindra mijë emigrantët që ndihmojnë ekonomikisht prindërit pensionistë? – Milano do të jetë pasarelë e modës, apo shkëmbim përvoje se si kampet e refugjatëve mund të shndërrohen në biznes të ligjshëm ku qeveria përfiton miliona euro dhe ndjenja humaniste shitet si larja e një borxhi të vjetër? Po Londra, jashtë Bashkimit Europian për shkak të krizave që shkakton emigracioni i paligjshëm çfarë eksperience do të marrë prej pushtetit tuaj? Kur të vijë rradha e Munihut me siguri që Shqipëria e Kampionatit Europian të Futbollit do të shitet si sukses i juaj, por të mos harroni se Samiti i Berlinit e mbylli idenë e “Ballkanit të Hapur”
 
Diaspora shqiptare jeton një krizë të madhe sepse skema juaj e ngritjes së qindra  “Ambasadorëve të Kombit” (me VKM # 339 06.06.2018)është një Certifikatë e përzgjedhur nga kriteret tuaja dhe firmosur personalisht prej jush është ndikimi për t’i marrë atyre votën ose për t’i zhgënjyer. Në të rastet rezultati llogaritet si fitore.
 
Por përpara se të shkojmë kaq larg me analizën ja vlen të ndalemi “Akademia Politike”, propaganda  po e shpalos atë ngadalë ashtu sikurse edhe turi juaj “Krenar për Shqipërinë”. Krahasimi tregon deformimin e demokracisë në Shqipëri, rikthimi i partisë-shtet ju bën juve jo vetëm autokrat, por edhe një diktator të ngjashëm me të shumtët e shekullit të kaluar dhe të këtij të riut që bota po e provon.

Nga një shënim i ditëve të fundit ATSH 20 Prill nënvizon; Kryeministri Edi Rama, njëkohësisht kryetar i Partisë Socialiste, i bëri apel sot të gjithë të interesuarve, të bëhen pjesë e Akademisë Politike të Partisë Socialiste.

 Në një postim në rrjetet sociale, Rama tha se “255 aplikime deri tani. Ka ende kohë për të aplikuar, ndërkohë që kemi marrë edhe disponimin e disa lektorëve të shkëlqyer ndërkombëtarë”.

“…Partia Socialiste ka hapur më 9 prill aplikimet për regjistrime në Akademinë Politike të saj. Në kuadrin e Rienergjizimit të partisë, pritet të regjistrohen në këtë akademi të rinjtë që duan të mësojnë më shumë për historinë dhe idetë e partive progresiste, por edhe të Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Edhe për këto shqiptarët do të paguajnë?

Shikoni përmasat e propagandës dhe nivelin e korrupsionit që ka rënë vendi. 
Jeni kthyer në paranojat e ish diktatorit Hoxha i cili shkruante dikur kujtime për internacionalizmën, proletariatin, marksizëm-leninizëm, luftën e klasave, ushtrinë, bujqësinë, rininë, gruan, etj. nënsiglën  Shpati,  por herë të tjera ai shkroi me dhjetra vëllime e vepra studimore në krye të vijës ideologjike me nënshkrimin Tarasi, ku rrëfeu se si miqtë e afërt ju kthyen në armiq dhe ai i hoqi qafe një e nga një brenda vendit sikurse ju kundërvu revizionizmit dhe imperializmit duke u izoluar dhe rrethuar me bunkerë për vete dhe besnikët e tij fatkeqësisht rrënoi gjithë popullin.
Ndaj të urojmë o kryeministër i tre mandateve që ta vazhdosh rrugën e shkrimeve ideologjike, akademinë politike dhe frymën progresiste me të gjitha modulet. Ta shijoni krijimtarinë e lirë të ideve, të kini edhe simpatizantët tuaj kudo. Krijoni sa më shumë me paratë dhe djersën tuaj, por jo nga ajo zyrë shteti dhe me paratë e shqiptarëve.

25 Prill, 2024

 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Shefi i NATO-s fluturon me aeroplan ushtarak mbi Gjermani

Shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bashkëpilotuar një aeroplan Eurofighter në Gjermaninë veriore, mes tensioneve të rritura me Rusinë.

Në një prononcim për media pas fluturimit, Stoltenberg tha se ishte i impresionuar nga aftësitë e Forcave Ajrore Gjermane dhe Bazës Ajrore Laage në Rostock të Gjermanisë së Veriut.

“Baza Ajrore Laage është e rëndësishme për Gjermaninë, është mbresëlënëse jo vetëm sepse trajnon kaq shumë pilotë gjermanë, por është e rëndësishme edhe për NATO-n sepse këtu trajnohen pilotët më të mirë në botë”, tha Stoltenberg.

Gjithashtu, shefi i NATO-s theksoi se gjatë fluturimit të tij ka vëzhguar stërvitjet e ndryshme të aeroplanëve luftarak dhe vlerëson mbështetjen e tyre për aktivitetet e policisë ajrore të NATO-s, shkruan AA, përcjell Telegrafi.

Pas aktivitetit, Stoltenberg falënderoi shefin e Forcave Ajrore Gjermane, gjeneralin Ingo Gerhartz dhe personelin e tij ushtarak, për shërbimin e tyre dhe kontributin në misioniet e aleancës.

“Unë do të doja t’ju falënderoja për atë që bëni për Ukrainën, sepse Gjermania është një nga vendet evropiane që ofron mbështetjen më të madhe për Ukrainën dhe tani po ofron edhe sistemin Patriot”, tha shefi i NATO-s.

“Dhe me sa e di, ju aktualisht edhe po trajnoni personelin për përdorimin e sistemit Patriot, gjë që tregon se forcat gjermane po kontribuojnë në mënyra të ndryshme në NATO”, shtoi ai. sn

Teliti thirrje qytetarëve: Të na bashkohen në tubim, jo për opozitën, por për të mbrojtur interesat e tyre

Nënkryetari i Këshillit Bashkiak të Tiranës, Dorian Teliti, i ftuar në ‘Panorama TV’, u ka bërë tirrje qytetarëve të bashkohen në protestën e opozitës dhe Aleancës për Teatrin para bashkisë së Tiranës, ditën e nesërme.

Teliti u shpreh se protesta duhet të zhvillohet në të gjithë vendin dhe se njerëzit e strukturat lokale duhet të reagojnë.

Ai theksoi se qytetarët duhet të bashkohen në tubim, jo për opozitën, por për të mbrojtur interesat e tyre.

“Të na bashkohen nesër në orën 10 për interesin e vet jo të opozitës. Unë besoj se Tirana meriton më shumë, më e mirë seç është sot dhe kjo do ishte bërë nëse të gjitha burimet financiare do ishin investuar siç duhet”, tha ai

Teliti: Protesta duhet të kishte në të gjitha bashkitë në vend. Strukturat lokale dhe njerëzit duhet të reagojnë. Konstatojmë se në këto ditë që janë nevrikosur metë drejtë profesionistët e lirë, dhe po reagojnë sot që i ka ardhur fatura. Duhet të jetë ata që ta shtyjnë shoqërinë. Janë shtresa që kanë mundësinë që të ngrenë zërin dhe të krijojnë frymë, e politikë.

I bej thirrje qytetarëve të mos reagojnë vetëm kur vjen problematika në shtëpi. I bej thirrje të na bashkohen nesër! 8 tendera për ujësjellësin kanë shkuar për 5D. Sot vijojnë kostot e depozitave, pompave, nuk ka ujë 24 orë. Qyteti është ndotur, problematika me parkimet dhe transportin urban skandaloz.

Të na bashkohen nesër në orën 10 për interesin e vet jo të opozitës. Unë besoj se Tirana meriton më shumë, më e mirë seç është sot dhe kjo do ishte bërë nëse të gjitha burimet financiare do ishin investuar siç duhet.

SPAK rrëzoi Olsi Ramën/ Reagon Bardhi: Edi Rama nuk mund të fshihet më, duhet të japë shpjegime

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk ka pranuar kallëzimin e Olsi Ramës ndaj Gazment Bardhit, duke konstatuar se nuk ka asnjë shpifje dhe asnjë kallëzim të rremë.

Për këtë arsye, Prokurori i Posaçëm Elvin Gokaj, më datë 17 prill, ka vendosur mosfillimin e procedimit penal, për kallëzimin e paraqitur nga Olsi Rama. Olsi Rama kallëzoi Gazment Bardhin me pretendimin se ka shpifur ndaj tij, duke e akuzuar si të përfshirë në Laboratorin e drogës në Xibrakë.

Lidhur me këtë vendim të SPAK ka reaguar kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Gazment Bardhi, që ka kërkuar që Edi Rama të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë.

Reagimi i plotë i Gazment Bardhit:

Edi Rama nuk mund të fshihet më! Pretendimi i tij se nuk jep shpjegime në Kuvend, sepse kërkuesi i interpelancës është kallëzuar në SPAK, është rrëzuar më 17 Prill.

Nuk ka ndodhur kurrë të kem bërë denoncim të pabazuar në të dhëna konkrete, fakte konkrete apo dokumente zyrtare. Prandaj, pasi u fsheh pas Olsit për 1 muaj, fitoi kohë për të gjetur alibi e gënjeshtra, sot Edi Rama ka detyrimin të shpjegojë çfarë e lidhte Olsi Ramën me kreun e narko-organizatës dhe pse krerët e organizatës, bashkë me vëllain e tij Olsi Ramën përdorin të njëjtin automjet me targa AA 653 DM, në të njëjtën periudhë të planifikimit dhe ngritjes së laboratorit të kokainës në Xibrakë?

Nuk ka më vend për vonesa, zvarritje apo fshehje për të hetuar rolin e Olsi Ramës në organizatën e trafikut të drogës së Xibrakës. Prandaj ripërsëris kërkesën për heqjen e pezullimit ndaj procedimit penal nr. 335/1-2016. SPAK duhet të na provojë që në Shqipëri nuk ka persona të paprekshëm, që hetohet dhe vihet përpara përgjegjesisë cilido, qoftë ky edhe vëllai i Kryeministrit. Prova janë aty, duhet vetëm të hiqet pluhuri që ka zënë atë dosje të lënë në harresë. Kaq duhet dhe më pas zotimi i Edit të vogël, “ose unë ose ai në burg”, merr përgjigje vetiu!/sn

Ukraina godet agresorin rus me raketa me rreze të gjatë veprimi

VOA/Marrë nga Associated Press

Ukraina ka filluar të përdorë për herë të parë raketa balistike me rreze të gjatë veprimi të siguruara nga Shtetet e Bashkuara në fshehtësi. Zyrtarë amerikanë thanë të mërkurën se ushtria ukrainase goditi javën e kaluar një aeroport ushtarak rus në Krime si dhe forcat ruse gjatë natës në një zonë tjetër të pushtuar.

Ukraina kishte kërkuar prej kohësh furnizimin me raketat e reja që dyfishojnë rrezen e veprimit në një gjatësi deri në 300 kilometra. Tetorin e shkuar Shtetet e Bashkuara i dhanë Ukrainës raketa me rreze më të shkurtër veprimi. Një nga zyrtarët tha se Shtetet e Bashkuara po i ofrojnë Ukrainës më shumë raketa me rreze të gjerë veprimi në bazë të një pakete ndihme të nënshkruar nga Presidenti Joe Biden të mërkurën.

Në muajin shkurt, Presidenti Biden miratoi planin për t’i dhënë Ukrainës një sistem raketash taktike, të njohura si ATACMS. Në muajin mars Uashingtoni përfshiu një numër të konsiderueshëm sistemesh të tilla në një paketë ndihme prej 300 milionë dollarësh, tha një zyrtar.

Dy zyrtarët amerikanë, të cilët folën në kushte anonimiteti përpara se dërgesa për Ukrainën të bëhej publike, nuk pranuan të jepnin numrin e saktë të raketave të dërguara muajin e kaluar, apo në paketën e fundit të ndihmave.

Për muaj të tërë, Uashingtoni nuk e pajisi Ukrainën me raketa me rreze të gjatë veprimi si rezultat i drojës se Kievi mund t’i përdorte ato për të goditur në brendësi të territorit rus, çka do ta zemëronte Moskën dhe do të çonte në përshkallëzim të konfliktit.

Kjo ishte arsyeja kryesore pse Uashingtoni i dha Ukrainës në tetor raketa me rreze të mesme veprimi, që kapin një distancë prej rreth 160 kilometrash.

Admirali Christopher Grady, nënkryetar i Shtatmadhorisë amerikane, tha të mërkurën se Shtëpia e Bardhë dhe planifikuesit ushtarakë shqyrtuan me kujdes rreziqet e ofrimit të raketave me rreze të gjatë dhe vendosën se tani ishte koha e përshtatshme.

Në një intervistë për agjencinë e lajmeve Associated Press, ai tha se armët me rreze të gjatë veprimi do ta ndihmojnë Ukrainën që të eliminojë nyjet e logjistikës ruse dhe përqendrimet e trupave që nuk janë në vijën e frontit. Zoti Grady nuk pranoi të identifikonte se çfarë armësh specifike po i dërgoheshin Ukrainës, por tha se ato do të jenë “shumë shkatërruese nëse përdoren siç duhet, dhe unë kam besim se do të përdoren siç duhet”.

Të mërkurën, Presidenti Joe Biden miratoi projektligjin që parashikon 95 miliardë dollarë në ndihma për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Zyrtarët ukrainas nuk kanë pranuar publikisht se kanë marrë apo kanë përdorur raketat me rreze të gjatë veprimi ATACMS. Por duke falenderuar Kongresin amerikan për miratimin e paketës së ndihmës të martën, Presidenti Volodymyr Zelenskyy vuri në dukje se “pajisjet ushtarake ukrainase me rreze të gjatë, artileria dhe mbrojtja ajrore janë mjete jashtëzakonisht të rëndësishme për rivendosjen e paqes”.

Një zyrtar i Shteteve të Bashkuara tha se administrata e Presidentit Biden e kishte paralajmëruar Rusinë se nëse Moska blinte ose përdorte raketa balistike me rreze të gjatë, Uashingtoni do ta furnizonte Kievin me raketa të të njëjtit lloj.

Rusia mori raketa të tilla nga Koreja e Veriut dhe i ka përdorur ato në fushën e betejës në Ukrainë, tha zyrtari, duke e nxitur administratën e Presidentit Biden që të jepte miratimin për dërgimin e raketave me rreze të gjatë veprimi.

Investigimi i RAI3/ Reagon parlamenti italian: Telefonata e Ramës, ndërhyrje e papranueshme në lirinë e medias

Telefonata e kryeministrit shqiptar, Edi Rama, me drejtuesin e rrjetit publik italian RAI, ka skandalizuar jo vetëm gazetarët, por edhe politikën e këtij vendi.

Komisioni parlamentar i medias, që njihet edhe si Komisioni për Mbikëqyrjen e RAI-t, e quan këtë telefonatë të Ramës, një ndërhyrje të papranueshme dhe flagrante në lirinë e medias.

Për kryetaren e Komisionit Mbikëqyrës të Rai-t, Barbara Floridia, “është paradoksale që një shef i huaj qeverie ndërhyn drejtpërdrejt tek një menaxher i shërbimit publik pasi është përmendur në një investigim gazetaresk. Edhe nëse kryeministri shqiptar, Edi Rama, do të besonte se ai ishte dëmtuar në një farë mënyre nga investigimi i ‘Report’, kjo nuk mund të justifikojë në asnjë mënyrë ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë te Rai”.

“Shpresoj që të ketë një konsensus të gjerë të të gjitha forcave politike në luftën kundër ndërhyrjeve të jashtme në informacion në mënyrë që të mbrohet pavarësia e medias”, shtoi ajo.

Akoma më të ashpër ishin tre anëtarë të këtij komisioni, Dario Carotenuto, Dolores Bevilacqua dhe Anna Laura Orrico.

“Sikur të mos mjaftonte presioni i qeverisë së Melonit ndaj transmetimeve të ‘Report’, tani janë përfshirë edhe krerët e qeverive të shteteve të huaja si kryeministri shqiptar Edi Rama. Le t’i bëjmë Giorgia Melonit një pyetje të thjeshtë: a është normale sipas jush që një drejtues i televizionit publik të kontaktohet drejtpërdrejt nga kryeministri shqiptar për t’u ankuar për një raport gazetaresk? A nuk mendoni se duhet të ndërhyni personalisht për të shmangur atë që duket si një ndërhyrje e panevojshme e kryeministrit shqiptar në lirinë e shtypit dhe pavarësinë e gazetarisë italiane? Nëse i intereson vërtet, siç pëlqen ta thotë shpesh, “sovraniteti i kombit”, le t’i flasë mikut të tij Rama dhe t’i thotë se Italia nuk duron dot ngjarje të tilla. Sa i përket RAI-t, kërkojmë që të zbardhet çdo detaj i kësaj çështjeje”, thuhet në deklaratën e tyre.

Presidenti Biden nënshkruan ndihmën prej 95 miliardë dollarësh për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin

VOA

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden miratoi të mërkurën projekt-ligjin që parashikon 95 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, Izraelin dhe Tajvanin.

Ai tha se ligji për ndihmën do ta bëjë Shtetet e Bashkuara dhe botën më të sigurt dhe se dërgimi i paisjeve ushtarake për Ukrainën do të fillojë brenda disa orëve.

Presidenti Biden tha se me miratimin e kësaj ndihme Shtetet e Bashkuara rikonfirmojnë rolin udhëheqës të Amerikës në botë.

“Ajo i jep mbështetje jetike partnerëve të Amerikës që mënyrë që ata të mund të mbrohen përballë kërcënimeve ndaj sovranitetit të tyre, jetës dhe lirisë së qytetarëve të tyre. Dhe është një investim në sigurinë tonë, sepse kur aleatët tanë janë më të fortë, ne jemi më të fortë”, tha presidenti Biden.

Ai falenderoi anëtarët e Kongresit dhe udhëheqësit e Dhomës së Përfaqësuesve, si demokratë edhe republikanë për miratimin e ndihmës.

Nënshkrimi nga presidenti u bë pasi Senati votoi me shumicë dërrmuese të martën në mbrëmje në favor projekt-ligjit.

Pas votimit me 79 pro dhe 18 kundër, udhëheqësi i shumicës në Senat, Chuck Schumer tha se Amerika po i dërgon një mesazh mbarë botës.

“Sot, pas më shumë se gjashtë muajsh pune të palodhur, shumë vështirësish dhe pengesash, Amerika i dërgon një mesazh mbarë botës: Ne nuk do t’ju kthejmë shpinën. Ne u themi aleatëve tanë se jemi me ju. Ne u themi kundërshtarëve tanë, mos u ngatërroni me ne. I themi botës se do të bëjmë gjithçka për të mbrojtur demokracinë dhe mënyrën tonë të jetesës. Ky projektligj i sigurisë kombëtare është një nga masat më të rëndësishme që ka miratuar Kongresi për të mbrojtur sigurinë e Amerikës dhe sigurinë e demokracisë perëndimore”, tha zoti Schumer.

Miratimi i pjesës së ndihmës prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën vjen ndërsa Kievi ka nevojë të jashtëzakonshme për furnizime të reja ushtarake dhe presidenti rus Vladimir Putin ka intensifikuar ofensivën.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi Presidentin Biden, udhëheqësin e shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer dhe udhëheqësin e pakicës, Mitch McConnell pas miratimit të projekt-ligjit nga Senati, duke thënë se votimi “përforcon rolin e Amerikës si një model i demokracisë dhe udhëheqëse e botës së lirë”.

Zyrtarët amerikanë thonë se Pentagoni është gati të dërgojë 1 miliard dollarë ndihmë të re ushtarake në Ukrainë, pjesa më e madhe pas javëve të ardhshme.

Dhoma e Përfaqësuesve e miratoi ndihmën të shtunën.

Ligji parashikon gjithashtu 26 miliardë dollarë ndihmë për Izraelin, si edhe ndihmë humanitare për qytetarët e Gazës, si edhe 8 miliardë dollarë për përforcuar mbrojtjen ndaj Kinës në Tajvan dhe Indo-Paqësor.

Më herët të martën, presidenti i sapozgjedhur i Tajvanit Lai Ching-te vlerësoi veprimin e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA.

Lai Ching-te, Zëvendëspresident dhe president i zgjedhur i Tajvanit

“Ky veprim jo vetëm që do të forcojë qëndrimin kundër autoritarizmit mes aleatëve të Perëndimit dhe Paqësorit, por gjithashtu do të ndihmojë në sigurimin e paqes dhe stabilitetit përgjatë ngushticës së Tajvanit, si edhe do të rrisë besimin në rajon lidhur me vendosmërinë e SHBA-së për të mbrojtur lirinë dhe demokracinë në rajon. Pra dëshiroj të shpreh edhe një herë mirënjohjen time të sinqertë për Kongresin amerikan për miratimin e këtij legjislacioni, për të përmbushur angazhimin e tij ndaj sigurisë së Tajvanit.”

Zoti Lai i bëri komentet në një takim me një delegacion nga SHBA.

Transparency International nxin Ramën – Qeveria kontrollon mediat. Lidhje mes zyrtarëve dhe grupeve kriminale, blerje votash në zgjedhje

VOA

Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) publikoi sot në Tiranë Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit për Shqipërinë, mbi efektivitetin e mekanizmave kombëtarë kundër korrupsionit.

Raporti, një bashkëpunim me Organizatën Transparency International, me mbështetjen e Bashkimit Europian, vëren një rënie në sektorin publik sa u takon mekanizmave kundër korrupsionit, një stanjacion në media dhe shoqërinë civile, ndërsa veçon si përparimin më të rëndësishëm atë në sistemin gjyqësor dhe në prokurori.

“Kuadri legjislativ i Shqipërisë mbetet i fragmentuar dhe efektiviteti i reformave është i kufizuar; shumë institucioneve publike u mungojnë kapacitetet, burimet dhe stafi i nevojshëm për detyrat e tyre”, thuhet në raport.

Lidija Prokic, këshilltare rajonale e organizatës Transparency International për Europën Lindore dhe Juglindore, tha për Zërin e Amerikës se reformat anti-korrupsion në Shqipëri duhet të vazhdojnë, se reforma në sistemin gjyqësor po kryhet me sukses, por edhe se ky Raport zbuloi se disa sektorë janë ende të brishta përballë korrupsionit.

“Një nga gjetjet më të spikatura nga Raporti është dobësia e rolit mbikëqyrës të parlamentit, prej nga rezulton që në disa fusha korrupsioni lehohet të vazhdojë. Nevojitet më shumë ndërveprim midis shoqërisë civile dhe institucioneve qeveritare në krijimin e një legjislacioni të vërtetë e funksional, që ta mbrojë shoqërinë nga korrupsioni. Kjo është e vetmja rrugë ku Shqipëria dhe vende të tjera në rajon mund të përparojnë drejt integrimeve europiane”, tha zonja Prokic për Zërin e Amerikës.

Në Raportin e Vlerësimit të Sistemit Kombëtar të Integritetit, një instrument i organizatës Transparency International, analizohen mirëqeverisja, transparenca dhe llogaridhënia tek Kuvendi, qeveria, partitë politike, gjyqësori, media, institucionet e pavarura, organizatat e shoqërisë civile si biznesi privat.

“Sektori publik i Shqipërisë është shtylla me pikët më të ulëta, sepse vuan nga standarte të paqarta profesionale, nga rreziku i korrupsionit dhe nga ndikimi politik”, thuhet në raport.

Sipas tij, përpjekjet për reforma dështojnë në krijimin e një sektori publik profesional dhe të përgjegjshëm, ku shkarkimet e padrejta mbeten një shqetësim me rëndësi.

IDM thekson në raport se në Shqipëri janë të pranishme forma të ndryshme korrupsioni, nga korrupsioni i vogël dhe nepotizmi deri te pastrimi i parave dhe kapja e shtetit, të cilat kanë marrë një rritje të konsiderueshme.

“Korrupsioni i madh dhe kapja e shtetit janë rritur ndjeshëm në dekadën e fundit, pasi Shqipëria ka rritur rreziqe të tilla nëpërmjet privatizimit, koncesioneve dhe partneriteteve publik-privat PPP. Këto mënyra të transferimit të parave publike dhe kapitalit në duar të privatit kanë qenë të prirura ndaj korrupsionit dhe pretendohet se kanë kontribuar në pasurimin personal të zyrtarëve qeveritarë”, thekson raporti.

Sektorët ekonomikë më të prekur nga korrupsioni i madh, sipas këtij raporti, kanë qenë energjia, transporti, ndërtimi, shëndetësia dhe turizmi.

“Pastrimi i parave dhe marrëveshjet e fshehta ndërmjet partive politike, zyrtarëve të qeverisë dhe grupeve të organizuara kriminale janë shqetësuese dhe janë përkeqësuar”, thuhet në raport.

Kuadri legjislativ kundër korrupsionit vlerësohet se është mjaft gjithëpërfshirës, por jo mjaftueshëm i qartë në përcaktimin e përgjegjësive institucionale për ta zbatuar atë.

“Mungesa e transparencës lehtëson vendimmarrjen e korruptuar dhe kapjen e shtetit”, thekson raporti.

Pavarësisht Ligjit për të Drejtën e Informimit dhe Ligjit për Njoftimin dhe Konsultimin Publik, institucionet publike, sipas raportit, ende nuk arrijnë të zbulojnë të dhënat përkatëse buxhetore dhe të prokurimit, ndërkohë që proceset e konsultimit publik priren të jenë formale.

Në të theksohet se “ndikimi i qeverisë mbi Kuvendin është i rëndësishëm dhe institucionet e pavarura si KLSH, ILDKPKI dhe Avokati i Popullit ushtrojnë presion të kufizuar thelbësor mbi ekzekutivin për të hartuar politika efektive kundër korrupsionit”.

Pavarësisht një ligji të ri për prokurimin publik, raporti thekson se “procedurat e prokurimit publik në sektorin shëndetësor dhe në infrastrukturë vuajnë nga një sërë çështjesh që variojnë nga ofertat fiktive deri te mungesa e mbikëqyrjes efektive”, ndërsa “nuk bëhen të ditura detajet në lidhje me zbatimin dhe ekzekutimin e kontratave të koncesionit/partneritetit publik-privat (PPP)”.

Në këtë raport theksohet se zbatimi në praktikë i ligjit për parandalimin e konfliktit të interesit dhe për mbrojtjen e sinjalizuesve mbetet i dobët.

Mjedisi i biznesit në Shqipëri vlerësohet se ka mbetur i prirur ndaj korrupsionit për shkak të sfidave si informaliteti, administrata publike joefektive dhe besimi i ulët në sistemin e drejtësisë. “Rastet e zyrtarëve publikë që marrin pagesa nga sektori privat janë të përhapura, megjithëse ka pasur iniciativa për të reduktuar kontaktet mes bizneseve dhe zyrtarëve publikë”, thuhet në raport.

Në të theksohet se shoqëria civile, mediat dhe partitë politike kanë shënuar rezultate të dobëta.

“Besimi tek partitë politike është shumë i ulët, sepse partitë politike kanë përqafuar klientelizmin, duke ofruar përfitime në këmbim të mbështetjes elektorale dhe financiare, duke shtuar dyshimet për përfshirjen e grupeve kriminale në këtë marrëdhënie”, thuhet në raport.

Në raport thuhet po ashtu se Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ende i mungojnë burimet e mjaftueshme për të monitoruar financimin e partive politike dhe të ndëshkojë shkeljet e ligjit nga partitë politike, ndërsa “ka akuza për ndërhyrje të partive politike në burimet dhe dhënat shtetërore”, por “mekanizmat për të parandaluar keqpërdorimin e burimeve publike gjatë fushatave politike janë joefektive”.

Zonja Prokic, përfaqësuese e Transparency International, tha për Zërin e Amerikës se shoqëria civile ka një rol të rëndësishëm për të luajtur në luftën ndaj korrupsionit, dhe ajo po kurajohet nga TI, që të jetë më bashkëpunuese dhe më aktive në përpjekjet për të mbajtur nën kontroll korrupsionin.

“Qëllimi ynë është bashkëpunimi me qeverinë që ajo të marrë masa konkrete në kontrollin e korrupsionit së pari në sektorin publik, por Raporti vëzhgon korrupsionin edhe në sektorin e biznesit, i cili është po ashtu i lidhur me rolin e parlamentit, qeverisë, dhe drejtësisë. Secili ka një rol të madh për të luajtur, dhe nuk mund të shihen të shkëputura”, tha zonja Prokic.

Në të theksohet se organizatat e shoqërisë civile monitorojnë llogaridhënien e qeverisë me metoda të ndryshme, por ndikimi i tyre është i kufizuar, ndërsa përballen me vëmendje të kufizuar, me frikësime të vazhdueshme, ngacmime dhe sulme.

Sa i takon gazetarisë, në raport thuhet se materialet e përgatitura nga qeveria dhe reklamat e fshehura vënë në dyshim integritetin gazetaresk dhe rolin publik të medias.

“Pavarësia editoriale kushtëzohet nga interesat e pronarëve dhe vlerësohet se mediat promovojnë axhendat e qeverisë, biznesit dhe grupeve kriminale për përfitime personale në tregje fitimprurëse”, theksohet në raport, i cili veçon si problem kufizimet mbi informacionin për gazetarët investigativë, shoqërinë civile dhe profesionistët e medias.

“Krijimi i Agjencisë për Media dhe Informim në vitin 2021 ka centralizuar më tej kontrollin e përmbajtjes së informacionit që bëhet publike nga institucionet qeveritare”, thuhet në raport.

Ai thekson se “liria e medias në Shqipëri është përkeqësuar”, ndërsa “media priret të politizohet ndjeshëm dhe marrëdhënia midis qeverisë dhe pronarëve të medias duket se lidhet me një përfitim reciprok: mbulim pozitiv për qeverinë në këmbim të aksesit në fondet publike dhe lehtësimit të procedurave administrative”.

Në raport theksohet se linjat editoriale të mediave diktohen nga interesi vetjak ekonomik; fakti që pronarët e kompanive më të mëdha mediatike janë aktivë edhe në sektorë si ndërtimi, shëndetësia ose financa.

“Këto marrëdhënie zhvillohen më tej në rrjete klientele të plota thelbësore për korrupsionin e madh dhe mundësinë për të përfituar nga kontratat publike”, thekson raporti i IDM-së për vitin 2023, i cili vjen pas atij të fundit në vitin 2016.

Raporti vlerëson reformën në drejtësi, procesin e vetingut, si dhe ngritjen e një prokurorie të posaçme kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por thekson se ende gjendja e qeverisjes demokratike është përkeqësuar, ndërsa gjendja e shtetit të së drejtës ka ardhur ngadalë në rënie.

Po ashtu regjistrohet përkeqësim edhe sa i takon mbrojtjes së drejtave njerëzore dhe qytetare, ku janë dokumentuar shkelje të së drejtës për tubim të lirë, ndalime të paligjshme dhe shkelje të së drejtës për strehim nëpërmjet dëbimeve me forcë dhe prishjes së pronës për t’i krijuar hapësirë projekteve të infrastrukturës në kryeqytet.

Von Cramon: Pasivizimi i adresave të shqiptarëve në Luginë duhet të ndalet menjëherë

Deputetja e Parlamentit Evropian, Viola von Cramon, i ka bërë thirrje Qeverisë së Serbisë ta ndalë menjëherë pasivizimin e adresave të shqiptarëve në Luginë.

Von Cramon të mërkurën ka njoftuar për takimin që ka pasur me përfaqësuesit shqiptarë në Luginë, duke i bërë thirrje Qeverisë serbe ta ndalë diskriminimin sistematik ndaj tyre.

“Takimi i rëndësishëm me përfaqësuesit politikë të minoritetit shqiptar nga jugu i Serbisë. Diskriminimi sistematik ndaj tyre, duke përfshirë ‘pasivizimin’ e adresave, nga Qeveria e Serbisë është e papranueshme dhe duhet ndalur menjëherë!”, ka shkruar ajo në “X”. sn

Senati amerikan miratoi paketën prej 61 miliardë dollarësh, Zelensky: SHBA është fener i demokracisë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky reagoi pas miratimit nga Senati i SHBA-së të një pakete ndihme prej 61 miliardë dollarësh për Ukrainën, si provë e rolit të Uashingtonit si një “fener i demokracisë”.

Në një deklaratë në aplikacionin Telegram, ai tha se është mirënjohës për ndihmën jetike për Ukrainën.

“Ky votim përforcon rolin e Amerikës si një fener i demokracisë dhe udhëheqës i botës së lirë”, shtoi ai.bw

Shumica e vendeve të BE-së, pro heqjes së masave ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian i është afruar heqjes së masave kufizuese ndaj Kosovës, të vendosura para një viti nga ana e Komisionit Evropian, si pasojë e përshkallëzimit të situatës së sigurisë në veri të Kosovës.

Masat përfshinin: suspendimin e përkohshëm të grupeve punuese për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale.

Gjithashtu, u suspendua edhe programimi i fondeve për Kosovën, të cilat ishin paraparë të dorëzoheshin përmes Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor dhe IPA 2024 (Intrumentet e Para-Anëtarësimit).

Por, pas masave ndëshkuese, Kosova mbeti jashtë granteve që BE-ja miratoi në korrik të vitit të kaluar, në vlerë prej 2.1 miliardë eurosh.

Radio Evropa e Lirë nga disa burime diplomatike në BE mëson se shumica e madhe e vendeve anëtare janë në favor të heqjes së të gjitha masave, ndërsa një numër më i vogël i shteteve do që heqja e tyre të bëhet në mënyrë graduale.

Kundër heqjes së masave, sipas këtyre burimeve, nuk është shprehur asnjë vend anëtarë i BE-së. Kjo përshtypje është vërejtur në diskutimin e fundit që është zhvilluar në BE të martën mbrëma për situatën aktuale në Kosovë. Diskutimi është bërë në Komitetin për politikë edhe siguri të BE-së (PSC) ku janë ambasadorët e 27 vendeve anëtare.

“Shumica e vendeve anëtare duan që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës, por janë disa vende, në mesin e tyre edhe tri vendet e QUINT-it (Gjermania, Franca dhe Italia) që duan heqjen graduale të masave ndaj Kosovës”, ka thënë për Radion Evropa e Lirë një burim diplomatikë i BE-së.

Të njëjtat burime kanë thënë se edhe Shërbimi i veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) është në favor të heqjes së masave ndaj Kosovës, por hezitim deri tash ka pasur më shumë nga Komisioni Evropian, ku ndikim të madh ka komisionari për fqinjësi dhe zgjerim, Oliver Varhelyi.

Gjatë diskutimeve të fundit është folur për hapat që ka ndërmarrë Kosova për të përmbushur kushtet për heqjen e masave, por edhe për hapat që, sipas raportuesve që kanë folur, akoma nuk janë përmbushur në tërësi. Për situatën aktuale në Kosovë para përfaqësuesve të vendeve anëtare kanë folur dy të dërguar të posaçëm të BE-së, Miroslav Lajçak, si i dërguar i posaçëm për dialog dhe Tomas Sonyong, i cili është i dërguar i posaçëm për Kosovë dhe shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

Ata kanë thënë se situata ende është e tensionuar dhe problemet e shkaktuara në veri nuk janë tejkaluar as pas mundësisë ofruar serbëve në katër komuna në veri për të votuar për shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave.

Që të dy, sipas burimeve diplomatike, u janë shmangur pyetjeve direkte se a po e shkel Serbia Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve me Kosovën duke kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Vetëm kanë konstatuar se Serbia është angazhuar në përpjekje për të penguar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Gjatë diskutimit, sipas burimeve diplomatike, ka pasur thirrje që të hiqen të gjitha masat ndaj Kosovës sa më shpejt, sepse ato kanë krijuar përshtypjen se BE nuk ka qasje të balancuar ndaj Serbisë dhe ndaj Kosovës.

Më të zëshmet në kërkesat për heqjen e masave ndaj Kosovës kanë qenë Finlanda, vendet Baltike, Kroacia, Polonia, Sllovenia dhe disa vende të tjera. Ndërsa Franca, Italia dhe Gjermania kanë dashur të lënë përshtypjen se vendet e QUINT-it kanë qëndrim të përbashkët dhe kanë preferuar heqjen graduale të masave.

Hungaria, e cila deri vonë ka qenë kundër, tash nuk është shprehur kundër.
Vendet anëtare kanë bërë thirrje që përfaqësuesi i Lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, sa më parë që të jetë e mundur të raportoj para Këshillit të BE-së për përmbushjen e kushteve nga ana e Kosovës për heqjen e masave. Ky raport është i nevojshëm në mënyrë që masat të hiqen, në tërësi apo pjesërisht.

Burimet e BE-së kanë thënë se edhe konkluzionet nga takimi i ministrave të BE-së nga 12 dhjetori i vitit 2023 përmendin “heqjen e masave” e jo heqjen graduale siç kërkojnë disa vende.

“Këshilli rikujton se BE-ja është e gatshme për heqjen e masave në rast se arrihet progres i mëtejshëm në përmbushjen e kërkesave. Këshilli do të përcjellë çështjen dhe do t’i kthehet në bazë të raportit të përfaqësuesit të Lartë për përmbushjen e këtyre kërkesave”, shkruan në konkluzionet e Këshillit të çështjeve të përgjithshme të BE-së nga dhjetori i vitit të kaluar.

Ka një paqartësi brenda BE-së edhe rreth nevojës që vendet anëtare të pajtohen për heqjen e masave. Kjo, sepse kur ishin vendosur masat, ishte thënë se “kjo është kompetencë e Komisionit Evropian“. Tash kërkohet që për heqjen e tyre të ketë pajtim nga të gjitha vendet anëtare të BE-së. Burimet e BE-së pas debatit të fundit ku u pa gatishmëria e vendeve anëtare thonë se “BE-ja po afrohet drejt heqjes së masave ndaj Kosovës, porse ende nuk është punë e kryer“.

Pse i janë vendosur Kosovës masa ndëshkuese?

Që pothuajse një vit, Kosova ka qenë nën disa masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian. Këto masa ishin vënë pasi BE-ja thoshte se Kosova nuk kishte bërë mjaftueshëm për ta shtensionuar situatën në veriun e banuar me shumicë serbe.

Në maj të vitit 2023, tensionet në atë pjesë të Kosovës kulmuan pas hyrjes së kryetarëve shqiptarë në objektet komunale. Ata dolën nga zgjedhjet që popullsia shumicë serbe në Mitrovicë të Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok i bojkotoi.

Përfaqësues të shteteve perëndimore kanë kërkuar nga Kosova që, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të mundësonte largimin e atyre kryetarëve, për të cilët thoshte se nuk përfaqësonjnë vullnetin e banorëve.

Të dielën, Kosova mbajti procesin e votimit që mund të çonte në shkarkimin e kryetarëve të këtyre komunave, por sërish pati bojkot, pas thirrjes që bëri partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe.

Pasi që nuk u siguruan votat e mjaftueshme, procesi dështoi. Por, pas mbajtjes së procesit, Qeveria e Kosovës dhe liderë si kryeministri Albin Kurti e presidentja Vjosa Osmani kërkuan që masat ndëshkuese të BE-së të hiqen.

Radio Evropa e Lirë e pyeti edhe Qeverinë e Kosovës lidhur me efektet që kanë pasur masat ndëshkuese, por nuk mori përgjigje deri në publikimin e këtij artikulli. As BE-ja s’deshi t’i komentojë efektet specifike të këtyre masave.

Hapat drejt shtensionimit të situatës në veri të Kosovës

Marrëveshja ndërmjet BE-së dhe Kosovës për zbatimin e deklaratës së 3 qershorit 2023 të 27 vendeve të BE-së

10 korrik 2023

Hapi Veprimi Koha
1 Qeveria e Kosovës deklaron publikisht gatishmërinë e saj për t’u angazhuar për shtensionimin e situatës dhe se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim që mund të shkallëzojë situatën në veriun e Kosovës. Kjo përfshin një zvogëlim të menjëhershëm për 25% të pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Java e parë
2 Policia e Kosovës kryen vlerësime të rregullta të sigurisë bashkë me EULEX-in, dhe me KFOR-in, sipas nevojës, për të shikuar mundësinë për zvogëlim të mëtejmë të tërë pranisë policore në dhe rreth ndërtesave komunale. Nga java e parë, në vazhdimësi
3 Qeveria e Kosovës bën një deklaratë publike, për të mbështetur mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në 4 komunat nveriore, pas verës. Kosova përkushtohet të sigurojë bazën e nevojshme ligjore për të mundësuar organizimin e zgjedhjeve. Nga java e parë, zbatimi sa më parë të jetë e mundur
4 BE-ja do t’i ftojë dy kryenegociatorët në Bruksel, për finalizimin e planit të sekuencimit për Marrëveshjen drejt rrugës për normalizimin e marrëdhënieve, pas të cilit do të fillojë zbatimi i të gjitha neneve të marrëveshjes. Java e dytë
Burimi: Qeveria e Kosovës

Radio Evropa e Lirë

Vjosa Osmani: Serbia do të tentojë sërish që të destabilizojë Kosovën

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, ka thënë se Serbia do të tentojë sërish të destabilizojë Kosovën.

Sipas saj, përpjekjet e Serbisë për të destabilizuar situatën e sigurisë në Kosovë janë të vazhdueshme.

“Një gjë e tillë do të tentohet sërish nga Serbia, sepse vazhdimisht bëhen planifikime të tilla, por jam e bindur me të gjitha përgatitjet që po i bën policia e Kosovës, në partneritet me prezencën ndërkombëtare, në veçanti me EULEX-in dhe NATO-n, si përgjegjës të dytë dhe të tretë për sigurinë në Kosovë, që ne do të parandalojmë çdo sulm”, ka thënë Osmani për Zërin e Amerikës.

Osmani ndër tjera ka përmendur edhe bojkotimin e procesit të votimit në veri, duke thënë se u bë me presion direkt nga ana e Beogradit. Sipas saj, një situatë e tillë është shqetësuese dhe mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë.

“Natyrisht që na shqetëson, sepse vërtet Kosova vazhdimisht ka treguar gatishmëri të plotë që t’i ofrojë qytetarëve të saj jo vetëm mbrojtje kushtetuese, por edhe instrumente të reja në qoftë se dëshirojnë t’i ndryshojnë kryetarët e komunave”.

Por shqetësimi kryesor sipas Osmanit, është presioni i vazhdueshëm që bëhet mbi qytetarët nëpërmjet strukturave ilegale e kriminale, të cilat financohen, nxiten dhe politikisht emërohen nga ana e Vuçiçit.

“Kjo tregon nga njëra anë interferim ilegal në zgjedhjet e një shteti tjetër nga ana e Serbisë dhe e dyta që Serbia mbetet po e njëjta dhe si qëllim parësor ka pengimin e integrimit të serbëve në institucionet e Kosovës, pavarësisht dialogut që ka zgjatur prej 12 vitesh dhe pavarësisht obligimit të tyre ndërkombëtar me po marrëveshjen e 2013, të cilën po e kërkojnë, ku kërkohet që serbët të integrohen në institucionet e Kosovës dhe të zhbëhen të gjitha strukturat ilegale. Pra është situatë shqetësuese të cilën e ka krijuar Serbia dhe që mund të ndryshohet vetëm me presion serioz ndërkombëtar mbi Serbinë”, ka thënë Osmani. sn


Send this to a friend