Nesër më shumë!
Me këtë brohoritje afroi ora e tretë e protestës në ditën e 16, në Bulevardin ‘Dëshmorët e Kombit’, përpara ndërtesës së kryeministrisë.
U mësua se kryeministri ndodhej në paraqitjen e ekspozitës së 18 vetjake që prej 1991, në Bazel- Zvicër.
Në shumicën e programeve tv-live dhe studiot e analistëve, protesta qendron si dekor ku priten zhvillime apo ka edhe lidhje me reporterë në terren. Disa nga mediat e shkruara ishin gjithashtu të vëmendshme që të jepnin pamje dhe foto nga droni për të treguar tendencën e një pjesëmarrje më të ulët në raport me ditët e tjera. Thënë më saktë nga marshimi 16 km dhe tej zgjatja pas mesnate e protestuesve drejt Aeroportit të Rinasit, ku u vu re se një krah i autostradës Tiranë-Durrës u ndërpre dhe publiku në të dy anët e rrugëve sikurse edhe drejtuesit e automjeteve i jepnin mbështetje atyre, ky precedent i dha mundësi policisë të përballej paqësisht në orët e para pasmesnate.
Pra nga kthimi sërish drejt Tiranës dhe pak para se protesta në Ditën e 16- do të fillonte, një njoftim i Drejtorisë së Policisë së Tiranës sqaronte se:-“Policia e Tiranës ka proceduar penalisht 19 shtetas, të dyshuar si organizatorë dhe pjesëmarrës në bllokimin e qarkullimit në aksin rrugor në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”, në Rinas, ndërsa vijon puna për identifikimin e personave të tjerë përgjegjës.”
Ky njoftim në formën e komunikatës ndryshon shumë nga mënyrat e policimit në bashkësi/komunitet kur protestat zhvillohen dhe për më shumë në ditët e zhvillimit të tyre ato kanë dhënë mesazhin se janë thellësisht paqësore, të distancuara nga provokimet të cilat edhe nuk kanë munguar gjatë dy javëve.
Të adresosh një njoftim ose komunikatë në media, në shtypin e shkruar, në çdo Radio Tv i cili është publikuar në secilin prej tyre, por ende jo në faqen-online të Drejtorisë Vendore Tiranë apo edhe vetë Ministrisë së Brendshme për një procedim të tillë, raporti i shtetit me transparencën e kërkuar mungon krejtësisht.
Kjo indice mund të vërtetohet nga qytetarët në protestë, nga anëtarët e Kuvendit të Shqipërisë, nga organizatat joqeveritare, nga Avokati i Popullit, nga trupa dhe misionet diplomatike për të mbajtur një qëndrim korrekt në lidhje me adresimin e lëndës së procedimit penal për 19 shtetas mbi:-” Sipas njoftimit zyrtar, në vijim të veprimeve procedurale të kryera pas tubimit të zhvilluar më datë 14.06.2026, specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda kryen veprimet hetimore dhe procedurale për identifikimin dhe procedimin penal të personave organizatorë dhe përgjegjës për bllokimin e rrugës në drejtim të Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.
Në një paragraf të lajmit janë renditur inicialet, mosha si dhe gjinia që përcaktohet nga cilësimi vjeç-vjeçe.
Ku qendron shqetësimi mund të lindë pyetja?
Shqetësimi i parë vjen për korrektesën dhe transparencën. Si mundet që përmbajtja e këtij njoftimi është përcjellë si lajm por nuk është i përditësuar në institucionet përgjegjës.
Mund të ishin mediat ato që mund të kërkonin një informacion me drejtuesit e institucioneve përkatëse përpara se sa të përcillnin një njoftim, një dokument të pa vulosur, të pa firmosur, të pa protokolluar së paku deri në mbylljen e orarit zyrtar dhe veprimeve nga këto institucione. Në qoftë se emergjenca ishte kryesisht për objekte të sigurisë së lartë, siç janë rrugët nacionale dhe aeroportet, atëherë shteti të formulojë si duhet dokumentin.
Ata qindra dhe mijëra protestues po tregojnë durim dhe frikën e kanë vrarë me përballje paqësore dhe qytetari, çdo ditë dhe me orë të tëra.
Respektimi i pjesëmarrësve në protestë lidhet me një ndërgjegjësim reciprok mes tyre dhe institucioneve duke përfshirë edhe mediat. Siç u përmend në fillim të këtij shënimi studiot televizive janë populluar kohët e fundit me deputetë të mazhorancës për të shtyrë pikërisht atë çka ka humbur në komunikim nga daljet e kryeministrit.
Disa prej tyre janë shprehur së fundmi me:-“kushdo që ka marrë pjesë në protestë merr parasysh pra do procedohet mund të dënohet…”* Një masë dënimi që shkon deri në 3 vite heqje lirie. Në një tjetër studio këndvështrimi i përbërjes së protestuesve nga mosha, gjini, besime, profesione etj. kishte për qëllim që diversitetin e përbërjes ta quante si një mangësi të organizimit dhe kauzës:-“…ndërkohë aty brenda ka njerëz që janë antisemitistë, njerëz që janë në mbështetje të Izraelit. Aty brenda ka njerëz që janë pro barazisë gjinore kundër barazisë gjinore, janë pro të drejtave të komunitetit LGBT kundër të drejtave të komunitetit LBT. Ka njerëz që kanë ndasi të jashtëzakonshme ndoshta dhe fetare, njerëz që mund të jenë totalisht laikë, njerëz që janë globalistë, njerëz që janë nacionalistë, njerëz që nuk janë kaq nacionalistë, pra njerëz që ecin në marshimin e tyre pavarësisht se mund t’i ndajnë ide që janë totalisht të kundërta për mënyrën se dhe unë mendoj që kjo është gjëja e bukur e kësaj që secili aty ikën për të protestuar për atë që ai mendon që nuk shkon mirë në Shqipëri. Gjëra që nuk shkojnë mirë në Shqipëri ka sa të duash.”*
Ndërsa në po atë studio ku mijëra gjërat që nuk shkojnë përbëjnë tashmë një krizë arsyetimi hodhi idenë se protesta që po kërkon dorëheqje nënkupton hapjen e rrugës për një qeveri teknike e shprehur në :-“… Ikën qeveria ka zgjedhje prapë. Zgjidhet qeveria tjetër. Populli zgjedh s’ka nevojë të ketë emra që tani.”
Nga monitorimi i programeve televizive raste të tilla dhe qëndrimeve pro qeverisë kishte me shumicë çka tregon se një “dobësim” i protestës u shënjestrua me sulm frontal mediatik dhe krijimin e një çoroditjeje të opinionit. Ky parashikim do të shihet në titujt dhe rrëfimet kryesore të ditëve të ardhshme.
Kryeministri Rama, veç Kuvendit të Shqipërisë ku ai nuk shfaqet, por i delegon interpelancat për të shprehur qëndrimet e tij boshllëkun e mbush duke përdorur hapësirat e veta kryesisht në mediat sociale ku Protesta lidhet thjeshtë me një investim në Zvërnec dhe ajo nuk ka të bëjë me shumën e problematikave të grumbulluara prej korrupsionit të qeverisë. Herë të tjera daljen nga kriza kryeministri e jep një përmbledhje në konferenca shtypi me gazetarë të huaj. Ndjen se çështja ndërkombëtarizohet dhe ruan lidhjen vetëm me bazën(administratë dhe patronazhistë), kur drejton mesazhe politike nga forumet dhe festimet partiake duke treguar se gjithnjë e më shumë ai i largohet ose i fshihet përballjes me kërkesat e protestuesve dhe mediave vendore.
Një çështje të cilës thuajse plotësisht ju rrëshqit ishte largimi nga grupi i PS-s i deputetes së Shkodrës (lista e mbyllur), Mariana Koçeku . Kërkesa e saj si përfaqësuese e pavarur krijon nga të dhënat e zgjedhjeve të fundit të 11 Majit, 2025 jo vetëm një ‘hemorragji’ prej rreth 10.000 votuesve, por krijon precedentin e jetës brenda rradhëve të Rilindjes Socialiste që tashmë janë tronditur për shkak të korrupsionit dhe protestave qytetare. Deputetja Koçeku është mjaftuar me deklaratën:-“Prej sot jam deputete e pamvarun. Idealet e vlerat e mia janë ato që i kam pasë e i kam shprehë qysh para se me u asociu me nji parti. Ato m’i diftojne kufijtë”.
Por duke ju kthyer edhe njëherë motivit të vazhdimësisë së protestuesve me thirrjen; ‘Nesër më Shumë!’, lind sërish pyetja.
Cili do të jetë qëndrimi i forcave të policisë për mbarëvajtjen e protestës?
Njoftimi i shpërndarë me procedimin e 19 shtetasve, ka hijen e një mentaliteti të vjetër si “krehja dhe sita” e popullatës në ushtrimin e detyrave dhe përgjegjësive të policisë. Krijon një situatë frike dhe paniku ndër pjesëmarrësit kjo e[edhe për më shumë se njoftimi zyrtar është thjeshtë i shkruar pa deklarimin e tij në publik nga drejtues të institucioneve. Një qëndrim që e vështirëson me dashje afrimin dhe njohjen e protagonistëve të kësaj lëvizje qytetare.
Policimi në bashkësi/komunitet sidomos në një sistem demokratik ka një ndërthurje dhe bashkëveprim reciprok. Ka nevojë që të ruaj mesazhin e një proteste si kjo, duke shmangur përplasjet. Lënien lirë të shtetasve që zgjedhin qytetarinë dhe jo dhunën. Pikërisht për përmasën kombëtare dhe ndërkombëtare që ajo ka marrë pa provokuar ndonjë incident, kjo protestë e lidhur me mbrojtjen e natyrës dhe pronës e bën edhe më të shëndetshme ndërgjegjen e një kombi për t’ju bashkuar natyrshëm vendeve më të zhvilluara.
Së paku fizikisht në media edhe pse medias i është drejtuar një njoftim për shtyp, përmbajtja dhe mesazhi duhet të përcillet nga ata njerëz dhe profesionistë të zgjedhur apo të emëruar që t’i drejtohen qartë publikut.
Protesta është njoftuar se vazhdon.
Frika është vrarë nga qytetaria në atë shesh dhe po tregon se nuk ka kthim pas pa plotësuar kërkesat e tyre… Dorëheqje!
_____
* Ardit Bido PS – në Now Euronews
* Iris Luarasi PS – 3D për TVSH
* Fitim Zekthi – 3D për TVSH
15 Qershor, 2026
Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)
Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)
Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)
L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)
Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)