VOAL

VOAL

Sabina Çudiç ‘shpërthen’ ndaj Escobarit: Po ndani Bosnjen dhe mbështesni autokratët

November 9, 2021

Komentet

Zgjedhjet parlamentare në Kosovë- DW: Zgjedhje të rregullta, Vetëvendosje e Kurtit partia e parë

KOSOVË- Qytetarët në Kosovë votuan të dielën (07.06.) në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare. Sipas rezultateve preliminare të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve KQZ, lëvizja Vetëvendosja e kryeministrit në detyrë Albin Kurti doli partia e parë me 42.92 % të votave, (08.06.) një rënie e kësaj partie krahasuar me zgjedhjet e fundit të dhjetorit të vitit 2025, ku kishte mbi 51%. E dyta renditet Partia Demokratike e Kosovës PDK, me 21.06 %, e pasuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës LDK, me 17.61%. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës AAK, mori 7.18 % të votave.

Partia më e madhe e serbëve të Kosovës, Lista Srpska, mori 6.17 % të votave. Këto rezultate sipas KQZ-së, janë nga mbi 97% të votave të numëruara, pa përfshirë votat e diasporës dhe votat me kusht. Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti, duke iu drejtuar simpatizantëve të tij në mesnatë, rezultatin prej rreth 43% të partisë së tij, pa përfshirë votat e diasporës, e cilësoi rezultat fitoreje për qeverinë, siç tha Kurti 4. “Kjo përbën konfirmim të një dekade qeverisjeje të Lëvizjes Vetëvendosje”, tha Kurti, duke paralajmëruar se do të bashkëpunojë me partitë e tjera për të zgjidhur çështjen e presidentit.

“Javët në vijim do të takojmë, do të bashkëpunojmë me të gjitha partitë, sepse para së gjithash e mbi të gjitha e kemi interesin publik, vullnetin dhe Republikën sovrane, të cilës i shërbejmë me devotshmëri. Llogaritni në ne jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që bëjmë”, u shpreh Kurti. Simpatizantë të Vetëvendosjes festuan në kryeqytet dhe në disa komuna tjera.

Reagime pas pjesëmarrjes së ulët në zgjedhje
Nga Partia Demokratike e Kosovës sipas sekretares së përgjithshme të saj, pjesëmarrja e ulët në zgjedhje përbën “zhgënjim të jashtëzakonshëm qytetar”. Sipas saj, “ky nivel i pjesëmarrjes është mesazh politik që duhet të merret seriozisht, veçanërisht nga pushteti”.

Ndërkaq, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës LDK, Lumir Abdixhiku, rezultatin e partisë së tij e cilësoi shumë të mirë krahasuar me atë të dhjetorit të vitit 2025, ku kjo parti kishte vetëm 13%. Lidhur me bashkëpunimin eventual me Vetëvendosjen për formimin e institucioneve të reja, ai tha se emri i Vjosa Osmanit për presidente do të jetë pikënisja e çdo bisedimi për presidentin. Kryetari i ri i Aleancës, Ardian Gjini, nga ana e tij, rezultatin e cilësoi si “nisje të jashtëzakonshme” për subjektin që ai përfaqëson.

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 7 qershorit, kishin të drejtë vote mbi dy milion qytetarë. Këto zgjedhje ishin të tretat me radhë brenda një viti e gjysmë me synimin për ta zhbllokuar krizën institucionale. Sipas analistëve, rezultati i këtyre zgjedhjeve nuk garanton stabilitet institucional, nëse, partitë politike nuk arrijnë ndonjë marrëveshje paraprake për çështjen e Presidentit./DW

Disa sugjerime për analizë të zgjedhjeve të 7 qershorit- Nga VETON SURROI

1. Rrjedha e zgjedhjeve të 7 qershorit dëshmoi për një demokraci zgjedhore tashmë të konsoliduar sipas standardeve evropiane. Organizimi i procesit, pranimi i rregullave të garës dhe sjellja e aktorëve politikë gjatë ditës së votimit e vendosin Kosovën në një pozitë shembullore në kontekstin rajonal, në një kohë kur shumë vende të rajonit përballen me kontestime të integritetit zgjedhor.
2. Rezultati përfundimtar ende nuk është i ditur. Një kontingjent i konsiderueshëm votash – votat me postë, votat në përfaqësitë diplomatike dhe votat me kusht – mbetet pa u numëruar. Këto vota mund të ndikojnë, madje ndjeshëm, si në përqindjet përfundimtare ashtu edhe në ndarjen e mandateve. Për rrjedhojë, është ende herët për të nxjerrë përfundime për fitues apo humbës relativë të këtyre zgjedhjeve.
3. Nëse zgjedhjet e dhjetorit 2025 trajtohen si një përjashtim statistikor nga trendi afatgjatë elektoral, atëherë pika më e përshtatshme krahasuese janë zgjedhjet parlamentare të shkurtit 2025. Vetëm pas përfundimit të numërimit do të mund të vlerësohet me saktësi se si ka evoluar mbështetja për secilin subjekt politik gjatë një periudhe prej rreth një viti e gjysmë.
4. Pavarësisht ndikimit që mund të kenë votat ende të panumëruara, një element tashmë duket i qartë: distanca e madhe ndërmjet subjektit të parë dhe subjekteve të tjera politike. Ka gjasa reale që subjekti i parë të ruajë një nivel mbështetjeje që i afrohet ose e tejkalon mbështetjen e tri partive kryesore opozitare të marra së bashku. Kjo është një e dhënë me rëndësi të veçantë për interpretimin politik të rezultatit.
5. Kjo distancë sugjeron mungesën e ndryshimeve dramatike në strukturën e skenës politike kosovare brenda një periudhe relativisht të shkurtër. Zgjedhjet nuk po prodhojnë një rikonfigurim rrënjësor të raportit të forcave politike. Përkundrazi, ato po konfirmojnë një ekuilibër të përgjithshëm që mbetet i qëndrueshëm. Kjo duhet t’i nxisë subjektet politike të heqin dorë nga pritja se zgjedhjet e njëpasnjëshme të parakohshme do të prodhojnë rezultate thelbësisht të ndryshme.
6. Mesazhi i dytë politik i këtyre zgjedhjeve lidhet me pjesëmarrjen. Krahasuar me zgjedhjet e shkurtit 2025, mbi njëqind mijë qytetarë më pak kanë marrë pjesë në votim. Ky fakt mund të interpretohet si një sinjal lodhjeje zgjedhore dhe si një pritshmëri e qytetarëve që energjia politike të mos përqendrohet në cikle të pafundme zgjedhore, por në gjetjen e zgjidhjeve për konsolidimin institucional dhe funksional të shtetit.
7. Kështu, njëri prej mesazheve më të rëndësishme të 7 qershorit mund të jetë se elektorati nuk po kërkon ndryshim të vazhdueshëm të rregullave të lojës. Ai po kërkon funksionalitet institucional, stabilitet politik dhe aftësi për të prodhuar qeverisje efektive brenda mandatit që jep vota e qytetarëve.

RAMA OUT- Rreth 400 mijë firma dhe numri vazhdon të rritet- Peticioni kundër Ramës përhapet me shpejtësi

Mes valës së protestave që po zhvillohen në mbarë vendin dhe pakënaqësisë në rritje ndaj qeverisë, një peticion online me sloganin “Rama Out” po përhapet me shpejtësi në rrjetet sociale, duke mbledhur qindra mijëra firma nga qytetarë që kërkojnë ndryshim politik.

Sipas të dhënave të publikuara nga fushata, deri më tani peticioni është firmosur nga 396,476 shqiptarë, duke arritur rreth 40% të objektivit prej 1,000,001 firmash.

“Nëse besoni se vendi ka nevojë për ndryshim, mos qëndroni në heshtje”, thuhet në thirrjen publike të peticionit, i cili u bën apel shqiptarëve të shprehin pakënaqësinë e tyre përmes firmës online.

Rritja e shpejtë e numrit të firmave vjen në një moment kur protesta të shumta po zhvillohen në vend për çështje të ndryshme ekonomike, sociale dhe politike.

Siç është artikuluar edhe në protestë, peticioni pasqyron pakënaqësinë e akumuluar ndër vite për korrupsionin, largimin masiv të të rinjve, rritjen e kostos së jetesës dhe mungesën e besimit te institucionet.

Teksa numri i firmave vazhdon të rritet çdo ditë, nisma “Rama Out” po shndërrohet në një nga fushatat online më të mëdha të momentit.

Peticionin mund ta gjeni këtu: ramaout.com

Nga The Times, CNN, BBC, Bloomberg dhe Reuters- Revolta qytetare! Mediat ndërkombëtare jehonë protestës në Tiranë kundër Ramës

Protestat masive që kanë përfshirë Shqipërinë, ku bëhet thirrje për dorëheqjen e qeverisë, vijojnë të tërheqin vëmendjen e mediave kryesore botërore. Në Bloomberg, The Guardian apo CBS News evidentohet vala e zgjatur e protestave në Tiranë, të njohura ndryshe si “Flamingo Revolution”, duke raportuar se mijëra qytetarë kanë mbushur bulevardet me thirrje kundër qeverisë.


 

Në Al Jazeera dhe Le Monde theksohet se lëvizja ka shpërthyer jashtë kauzave tradicionale partiake, duke u kthyer në një revoltë popullore kundër arrogancës dhe keqqeverisjes. BBC News thekson qëndrimin e qeverisë shqiptare.

Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar projektet e resortit si mundësi zhvillimi, por media e huaj raporton edhe ndjeshmërinë e lartë të qytetarëve për të mos cenuar natyrën dhe zonat e mbrojtura, si Laguna e Nartës apo ishulli i Sazanit. NPR dhe agjenci si Reuters dhe Associated Press kanë transmetuar mesazhet e protestuesve dhe sloganet si “Shqipëria nuk shitet”.

Drejtori i organizatës bamirëse mjedisore BirdLife për Evropën, Ariel Brunner, tha për CNN se ai dhe ambientalistë të tjerë vizituan vendin natyror në fillim të majit, ku panë ekskavatorë që gërmonin në plazh dhe kamionë që hidhnin zhavorr.

E përditshmja The Times bën një përshkrim të arsyeve që çuan shqiptarët të ngriheshin në protesta masive./BalkanWeb

“Ishte pika e fundit”, BIRN: Revolta dhe protesta kundër Ramës dhe qeverisë

Është 10:30 e darkës dhe grupe të rinjsh, me qindra, marshojnë në rrugët e Tiranës për të gjashtën ditë me radhë, pasi kanë protestuar për mbi pesë orë në bulevard para kryeministrisë. “Rama jepe dorëheqjen”, dëgjohet si të ishte kor tifozësh pas ndeshjes së kombëtares dhe për ta bërë protestën të duket festive, shoferët e makinave nuk ankohen për trafikun siç është normale në kësi rastesh, por lënë timonin e zbresin të duartrokasin.

Protestuesit janë të zemëruar, të revoltuar madje, por këto nuk ua sheh në fytyra të qeshura e as në pankartat që me shumicë janë poezi e thirrje politike me humor e sarkazëm. Por kur flasin pastaj, ti mund të dëgjosh dëshpërimin dhe shpresën e humbur.

“Shpirti ka ngel pa na dal”, thotë një vajzë, rreth 20 vjeç, që mban në dorë një letër A4 me poezi të Gjergj Fishtës.

Ajo, e qindra të tjerë të lindur pas ’92-shit, në një Shqipëri teorikisht pluraliste janë rritur duke parë përditë në televizion fytyrat e dy-tre personave që kanë kontrolluar jetët e tyre dhe fatet e Shqipërisë. Për të, për djem e vajza që s’kanë qenë asnjëherë më parë të përfshirë aktivisht në politikë, ato dy-tre fytyra politikanësh që prej vitesh kontrollojnë gjithçka janë bërë personazhe të At Gjergj Fishtës: “Rriqna t’ndyet, mikrobe t’kqij, që t’mjerës ksaj Shqypni, pa dhimbë gjakun tuj ia pi”.

Në shumicë dërrmuese, profesionistë të lirë, rreth të 30-tave me fëmijë të vegjël që shumë i marrin për dore apo mbi shpatulla në protestë, mbi një dyzinë të intervistuarish nga BIRN, tregojnë se në rrugë i nxori dhuna ndaj banorit të Zvërnecit, por këtu nuk janë më vetëm për të, por për një sërë mërish e zhgënjimesh të mbledhura në vite prej politikës e qeverisjes.

“E kam parë vetë ‘live’ atë zotërinë që e kanë tërhequr zvarrë. Aty e humba besimin totalisht. Aty kam ndjerë që s’kemi shtet fare. Edhe në qoftë se kam pasur dikur ndonjë fije besimi, aty u rrëzua fare”, thotë Akil Cala, rreth të 30-tave, ndërsa përdor dronin e tij për të filmuar e transmetuar protestën. “Gjithandej jemi live, në Facebook, në Tik-Tok, në Instagram”, thotë i riu që e sheh si detyrë të transmetojë gjithçka në mungesë të besimit te televizionet që heshtën apo u përpoqën të heshtin për ditë me radhë protestën.

Protesta në rrugët e Tiranës nisi kur roje private të punësuara prej kompanisë të lidhur me Jared Kushner, dy vëllezër miliarderë nga Katari dhe biznesmenin vendas Shefqet Kastrati, që ka marrë prej KKTU-së së drejtuar nga Rama leje zhvillimi për resort turistik në zonën e mbrojtur mes Zvërnecit dhe Pishë Porosë, morën peng dhe dhunuan një protestues paqësor, ndërsa ky ishte jashtë një rrethimi telash me gjemba të ngritur në kantier.

Mungesa e trasparencës për projektin që prek një prej copëzave të parajsës në vend, kompani me përfitues të fshehur offshore dhe konflikte pronësie që mbajnë peng vendin dhe i kanë vënë shpesh qytetarë të thjeshtë përballë të fortësh të lidhur me pushtetin, u bënë arsye që nxorën në rrugë masivisht të rinj, aktivistë mjedisi e aktivistë për të drejtat e njeriut.

Zemërimi që i kishte nxjerrë fillimisht në rrugë për flamingot dhe pelikanët dukej se kishte hapur edhe plagë të tjera, më të vjetra. Teksa turma mbushte sheshin, protesta po shndërrohej në një forum të pakënaqësive të grumbulluara prej vitesh.

“Nuk është më vetëm për pelikanin dhe flamingon,” tha Merita Mahilaj, 33 vjeç, duke mbajtur herë në krah e herë për dore vajzën e saj katërvjeçare. “Zvërneci ishte shkëndija. Ishte ai personi që u tërhoq zvarrë. Por e vërteta është se na ka ardhur në majë të hundës.”

Për Mahilajn, protesta ishte po aq për të ardhmen e fëmijëve sa edhe për mbrojtjen e natyrës. Ajo foli për një qytet që, sipas saj, është mbushur me beton ndërsa hapësirat publike janë tkurrur.

“Po protestoj për fëmijët,” tha ajo. “Për vajzën time, por edhe për fëmijët e kryeministrit dhe të gjithë politikanëve. Të gjithë meritojnë të rriten në një qytet me parqe, me hapësira të gjelbra, me vende ku mund të jenë të lumtur.”

Shumëngjyrëshe

Ndërsa për Meritën arsye për të protestuar janë fëmijët, dhjetëra mijëra që kanë dalë në protestë prej 8 ditësh, kanë një listë të gjatë përmbledhur shkurt në sloganet që hidhen në shesh në atë që po njihet si “Revolucioni i flamingove”.

Më të dëgjuarit janë: “Jep dorëheqjen” dhe me gjasë më përbashkuesi është ai që thërret për Ramën dhe Berishën në burg. Dy njerëzit që kanë sunduar vendin për pjesën më të madhe të kohës pas rënies së diktaturës, me qeveri të mbuluara në skandale korrupsioni.

Ngjitësi, kryesisht mllefi ndaj kësaj kaste politike arrogante dhe që e sheh veten të pazëvendësueshme, po mban bashkë në të njëjtin trotuar qytetarë me bindje krejt të ndryshme politike.

Në shesh, përpos ambientalistëve dhe aktivistëve për mjedisin, janë grupe me nacionalistë me flamuj kombëtar apo simbole të tjera që kundërshtojnë atë që e shohin si “Shitjen e atdheut”, dhe po aty janë grupe të majtësh që kundërshtojnë sistemin oligarkik. Në të njëjtën hapësirë protestojnë klerikë, praktikantë fetarë dhe aktivistë të të drejtave të komunitetit LGBTQ+.

Edhe pse nuk janë në qendër të protestës, Arlind Qorri, kreu i Lëvizjes Bashkë, një parti e re e majtë, është në të njëjtin shesh me Agron Shehajn, i cili drejton një forcë të qendrës së djathtë, edhe pse të dy më shumë se një herë kanë refuzuar bashkëpunimin.

Këto grupime që në ditë të tjera zor se do të uleshin bashkë, kanë një dakordësi të heshtur për të qëndruar në shesh, thërrasin të njëjtat slogane dhe kanë rënë dakord për një listë me pesë kërkesa që fillon me dorëheqjen e qeverisë, shfuqizimin e ligjit për investimet strategjike, atij për paketën e maleve, ndryshimeve në ligjin për zonat e mbrojtura dhe ndryshimeve në ligjin për trashëgiminë kulturore.

Shumëngjyrshmëria, që u përdor në disa raste për t’i shënjestruar protestuesit nga zëra pranë qeverisë apo pranë Partisë Demokratike në opozitë, duket se ka një rol të kundërt në shesh, ku ata që marrin pjesë e shohin këtë si shenjë qytetarie.

“Sepse më duket më qytetare, më duket që është për vendin tim, nuk më duket personale, partiake dhe me të njëjtat fytyra që kemi parë gjithë këto vite”, thotë një grua rreth të 30-tave ndërsa qëndron në shkallët e kryeministrisë dhe mban në duar një banderolë që ironizon frikën e administratës publike për të ngritur zërin për problemet në vend. “Babi ça është protesta?!”, pyet fëmija në pankartë. “Nuk e di babi, punoj në administratë”, përgjigjet burri i ngulur para TV.

Vehap Kola, lektor në universitet dhe aktivist në një sërë protestash, e sheh diversitetin e protestës si forcë të saj dhe thotë se ata i bashkon pabarazia para ligjit.

“Ideja është se për disa njerëz ligji është derë e hapur, për të pushtetshmit, oligarkët shokët e Ramës, ndërsa për shumicën e njerëzve është mur për t’i penguar, siç ishte rrethimi në Zvërnec”, thotë ai.

Sipas tij, edhe pse vishen ndryshe, kanë vese të ndryshme dhe besime të ndryshme, për sa kohë janë në shesh për shkak të kësaj pabarazie të cilën e vuajnë qytetarët, do të jenë bashkë me një qëllim.

Sipas tij revolta shkon përtej ngjarjeve që ndodhën së fundmi në Zvërnec, apo të ngjashmeve në zona të tjera dhe ka të bëjë me trajtimin e vendit si të pavlerë prej kryeministrit. Kola thotë se e kundërta është e vërtetë, pasi shqiptarët ia kanë dalë të sigurojnë mirëqenie dhe përmirësojnë ekonominë në këtë vend, pavarësisht korrupsionit që ua vështirëson këtë rrugë.

“Propaganda është e fortë dhe do përpiqet t’i ndajë. Mesazhet e tipit që ‘shiko këta myslimanët në protestë me ata të LGBTQ+’, por kjo ka zakonisht efektin e kundërt”, tha Kola.

Flamingot dhe pelikanët

Ashtu si protesta studentore e disa viteve më parë, edhe kjo lëvizje – ku mes pjesëmarrësve gjenden shumë nga ata ish-studentë – është e mbushur me metafora dhe simbolika. Në pankarta dhe rrjetet sociale, pelikanët shfaqen duke gëlltitur kryeministrin si një peshk, ndërsa imazhe dhe skena të krijuara me inteligjencë artificiale, të frymëzuara nga estetika anime, i japin protestës një gjuhë vizuale të re dhe të pazakontë.

Megjithatë shpendët mbizotërojnë, qoftë si flamingo në shkumë deti që dalin mbi kryet e protestuesve, qoftë si simbolet kryesore në parulla dhe batuta.

Për aktivistët e mjedisit ky sigurisht është një moment triumfi.

“Ne kemi dalë në protestë për zonat e mbrojtura, duke nisur nga Narta, ku duan të ndërtojnë një resort shumë të madh duke rrezikuar një ekosistem të tërë”, thotë Fatma Paja, që bën pjesë në një prej grupimeve më të zëshme që shëtit në protestë dekoruar me kurora lulesh dhe tërheq vëmendjen përmes daulleve e bilbilëve.

Për Pajën dhe të tjerë aktivistë, qëllimi kryesor është shfuqizimi i ndryshimeve në ligjin për Zonat e Mbrojtura të vitit 2024, i cili ka krijuar hapësirën për të ndërtuar brenda tyre.

Kristi Xhiveri, inxhiniere mjedisi, me origjinë nga Narta por që jeton në Tiranë, thotë se nuk e shikon dot natyrën e vendit ku është lindur të shkatërrohet siç ka ndodhur ndërkohë me zona të tjera përreth.

“Unë e di shumë mirë rëndësinë e atij ekosistemi. E di rëndësinë e natyrës”, thotë ajo, ndërsa shton se iu frikësohet faktit se zona mund të ketë fatin e fshatrave të rivierës që, sipas saj, janë rrënuar nga ndërhyrjet dhe betonizimi.

“Palasa është e shkatërruar. Ka qenë një bukuri natyrore. Tani ka kuba betoni që duken si koshere bletësh”, thotë Xhiveri.

Ndërhyrjet e kësaj natyre, sipas saj, kanë rrënuar fshatrat historikë në zonë, kanë detyruar banorët të largohen dhe janë një kërcënim, jo vetëm për natyrën, por edhe për trashëgiminë kulturore aty.

Por ndërsa mbrojtja e mjedisit mbetet në qendër të protestës, Xhiveri pranon se një nga arsyet që e ka nxjerrë në shesh është kontrasti i fortë mes premtimeve të kryeministrit për investime prej 4 miliardë eurosh dhe realitetit që përjetojnë banorët në zonë.

“Nuk kemi ujë. Nuk kemi rrugë, infrastrukturë. Nuk kemi arsim. Nuk kemi shëndetësi dhe dëgjon kryeministrin që flet për resorte 4 miliardëshe”, thotë ajo.

Në rrugë për të gjitha

Pavarësisht se është lidhur fort me mbrojtjen e mjedisit dhe konfliktet e pronësisë në Zvërnec, Rrjoll, Theth, Durrës, Dibër e zona të tjera të vendit ku planet e qeverisë për investime në turizëm, energjetikë e të ngjashme janë përballur me banorë që i shohin ato si zaptime, protesta përmbledh një mllef të akumuluar në vite.

“Hera e parë që kam dalë. Janë bërë të gjithë njerëzit bashkë, pa parti e këto… Të paktën kjo është një arsye që kam ardhur. Po problemet janë të shumta, nuk numërohen”, thotë Emanueli, 27 vjeç. Ai tregon se në pak kohë i është dashur të ndërrojë tre herë karrierë. Nga juridiku, te punimet grafike dhe tani është stilizues makinash i vetëpunësuar.

Të njëjtat ndjesi ndan Besim Gjikani, 71 vjeç, të cilin e takojmë në sheshin Skënderbej.

“Sepse [është] detyrimi që populli ka ndaj Shqipërisë për keqqeverisjen e 35 viteve, për grabitjen e pasurisë kombëtare, për varfërimin e 95% të shqiptarëve”, thotë i moshuari.

Të tjerë protestues numërojnë afera korruptive të freskëta e të vjetra. Të tjerë ankohen për arrogancën e pushtetit, vendimmarrjen që i lë jashtë qytetarët. Në shesh në të pesë ditët e para të protestës fonia nuk dëgjohej. Grupime të ndryshme kishin qendra të ndryshme graviteti në shesh. Koret herë bashkohen dhe herë ndahen.

Por nevoja për t’u dëgjuar është e madhe. E sheh te njerëz të zakonshëm që shtyhen të flasin në megafonë. Te të rinj që vetëtransmetojnë e komentojnë protestën në rrjetet sociale.

Një prej shumë arsyeve pse ata janë në shesh është se për shumë kohë tashmë janë të padëgjuar, të papyetur dhe pa zë. Kjo i ka bërë qytetarët t’i vënë kompanitë e mëdha mediatike me licenca kombëtare transmetimi në të njëjtin kosh me qeverinë dhe drejtues të opozitës zyrtare.

“Na ka nxjerrë gjithë kasta politike, media, oligarkia që e ka pushtuar tërësisht këtë vend, si dhe indiferenca që kanë ndaj popullit. Zvërneci ka qenë pika e fundit që derdhi gotën që ne të dalim në shesh”, thotë Enea, 32 vjeç nga Erseka, që ishte të enjten në shesh dhe kishte në duar fotografitë e oficerit të policisë të vrarë në operacion po atë ditë, që për të është viktimë e po të njëjtit sistem.

Duke iu referuar akuzave të kryeministrit se protesta po nxitet nga aktorë të huaj, Enea thotë se protestuesit i janë përgjigjur këtyre pretendimeve me ironi prej katër ditësh. “Se gjasme na ka dërguar greku, e gjasme na ka dërguar rusi. Të ishte kaq e lehtë shqiptarët të ngriheshin, Edi Rama do kishte ikur me kohë”, thotë ai.

Diku më në qendër të protestës, një tjetër Enea, një hidraulik 31 vjeç nga veriu i Shqipërisë, mban në dorë një banderolë në të cilën thërret në protestë median e huaj, se e jona, thotë ai, është e korruptuar.

“Sepse jan t’ shitun vlla, janë të gjithë të korruptum, janë të gjithë të blerë. Kur bëhet pozita dhe opozita bashkë, edhe mediat bashkë me to… asnjë s’bëhet, që janë të gjithë të korruptum”, thotë Enea Deda.

Me zë që i dridhet nga emocionet, Deda thotë se e pa Shqipërinë të mbërrinte fundin kur rojet private morën peng një qytetar në sy të policisë.

“Pashë një shtet të rrëzuar. Nuk di, nuk besoj të ketë fjalë që ta përshkruaj vlla. I bie që policia të mbrojë njerëzit, policia po i shihte ata ta tërhiqnin zvarrë aty, e s’bënin asgjë. Çfarë policie, çfarë shteti”, thotë ai pa i ulur duart me të cilat mban banderolën. Në zë ka dëshpërim e hidhërim dhe revoltë njëkohësisht.

“Ai është fundi vlla, nuk është më pika e fundit, është fundi!”, përfundoi 31-vjeçari./Reporter.al

Fatos Tarifa letër socialistëve: Populli nuk refuzon PS-në, por Edi Ramën, ka sunduar me arrogancë, pushtetin e trajton si pronë! Do përfundojmë kashtë e k*qe si PD e Berishës

Nga Prof. Fatos Tarifa


Socialistë shqiptarë!
Anëtarë të Partisë Socialiste!
Deputetë dhe mbështetës të kësaj partie!

Zgjohuni!

Në krye të partisë keni një njeri që ju komandon, kërkon bindje pa kushte për çdo gjë, ju fyen me gjuhën dhe sjelljet e tij, ju nëpërkëmb dinjitetin në vend që t’ju respektojë, të konsultohet me ju dhe t’ju udhëheqë.

Në krye të qeverisë, të dalë nga votat e socialistëve, kemi një kryeministër, të cilin një pjesë e madhe e popullit nuk e mbështet dhe nuk e do më, siç dëshmojnë protestat masive të ditëve të fundit. Këto protesta nuk janë fryt i ndonjë lufte hibride nga armiqtë e jashtëm të Shqipërisë, siç përpiqet t’u mbushë mendjen shqiptarëve kryeministri, por pasojë e dëshpërimit dhe zemërimit të akumuluar nga korrupsioni sistemik, arbitrariteti në vendimmarrje dhe keqqeverisja e tij.

Nuk është Partia Socialiste ajo që populli refuzon, por kryetari i saj dhe kryeministri i vendit, i cili, për trembëdhjetë vite (sot ai është kryeministri më jetëgjatë në detyrë në të gjithë Europën), ka sunduar me arrogancë, duke e trajtuar pushtetin si pronë personale. Në këto 13 vite në Shqipëri është bërë çfarë ka dashur dhe si ka dashur Edi Rama, jo për të përmbushur nevojat e qytetarëve dhe as duke dhënë llogari para tyre apo përfaqësuesve të tyre. Kjo nuk është mënyra se si funksionon një demokraci parlamentare, madje as një monarki kushtetuese. Ky është modeli i një autokracie, i një sulltanati, ku vullneti i një njeriu të vetëm zëvendëson vullnetin e popullit.

Prej vitesh z. Rama përsërit refrenin se ai qëndron në krye të qeverisë falë votave të socialistëve shqiptarë dhe përkrahësve të Partisë Socialiste—votave tuaja dhe votës sime. Por kjo është vetëm alibia e tij për të mos e lëshuar pushtetin, pas të cilit është kapur dhe amoruar njëlloj si Berisha dhe si çdo politikan që e shndërron autoritarizmin në metodë qeverisjeje dhe në mënyrë sundimi.

Mijëra të rinj që i janë bashkuar Partisë Socialiste vitet e fundit dhe dhjetëra mijëra socialistë që kanë votuar për këtë parti e kanë gjetur kryeministrin në krye të saj, pa pasur kurrë mundësinë të zgjedhin mes tij dhe dikujt tjetër. Në fakt, Rama u ka mbyllur çdo hapësirë të tjerëve në atë parti për të konkurruar me të.

Sa i përket alibisë së tij se janë tetëqind mijë votat e “popullit socialist” ato që e mbajnë në postin e kryeministrit, nga i cili thotë se, për shkak të atyre votave, nuk do të largohet kurrë, kjo është, si çdo alibi, një mashtrim i madh. Tetëqind mijë vota shqiptarët i kanë dhënë për Partinë Socialiste, jo për Edi Ramën. Dhe do t’i jepnin edhe nëse në krye të saj do të ishte një tjetër individ—një socialist i mençur dhe i ndershëm, që pushtetin e sheh si shërbim ndaj publikut dhe interesave të vendit, jo si pronë personale.

Nuk jam nihilist dhe nuk mohoj zhvillimet pozitive dhe arritjet e këtyre viteve të fundit. Por, nëse deri më sot keni besuar mitin e stisur nga vetë z. Rama—se vetëm ai mund ta drejtojë dhe zhvillojë këtë vend, se vetëm ai ka fuqinë magjike ta anëtarësojë Shqipërinë në Bashkimin Europian—sot është koha të çliroheni nga ky iluzion dhe të shihni realitetin në sy. Ashtu siç nuk ishte Berisha ai që e futi Shqipërinë në NATO dhe mundësoi lëvizjen e lirë pa viza në Europë, nuk është Rama ai që do ta fusë këtë vend në BE, pavarësisht përpjekjeve të tij për ta shitur këtë si të vërtetë.

Protestat masive të ditëve të fundit krijojnë një dyshim të arsyeshëm se Partia Socialiste, partia më e madhe në vend, mund të mos i ketë të garantuara në zgjedhjet e ardhshme votat që ka marrë deri më sot. Arsyeja është e thjeshtë: kjo parti është identifikuar plotësisht me kryeministrin Rama, largimin e të cilit sot e kërkon një pjesë e madhe e shqiptarëve, mes tyre edhe shumë socialistë.

Që të mos humbasë vokacionin, misionin dhe një pjesë të elektoratit të saj—veçanërisht të rinjtë e gjeneratës Z dhe, shumë shpejt, ata të gjeneratës Alpha—Partia Socialiste, organet drejtuese dhe anëtarët e grupit të saj parlamentar duhet të ndahen nga Rama. Koha është sot, jo nesër, kur të jetë vonë. Deri më sot, ai e ka përdorur PS-në si kalë beteje për të marrë dhe mbajtur pushtetin, por kurrë për të udhëhequr në emër të saj. Ka ardhur koha ta zbrisni nga ai kalë. I keni të gjitha mundësitë, nëse mposhtni frikën dhe thyeni kultin e individit dhe mitin e pazëvendësueshmërisë.

Unë nuk do të doja që, për shkak të kryetarit të saj, Partia Socialiste të pësonte fatin e Partisë Demokratike: të “berishizohej”, të bëhej kashtë e koqe, që masa e gjerë e socialistëve të zhgënjehej edhe më tej dhe figurat kryesore të saj të shndërroheshin në Vokshët dhe Nokat e PS-së—besnikë deri në fund ndaj kryetarit, por të verbër ndaj partisë së tyre.

Ju duhet ta merrni fatin e Partisë Socialiste në duart tuaja. Në duart e Edi Ramës kjo parti mund të mos ketë një fat më të mirë se ai PD-së së Berishës. Kjo do të ishte një humbje e madhe për demokracinë në Shqipëri.

Në emër të Shqipërisë dhe për të mirën e brezit të ri e të demokracisë në këtë vend, mos e lejoni që kjo të ndodhë!

Në fund të fundit, brezi i ri i sotëm dhe brezat e ardhshëm do të na gjykojnë jo vetëm për ato që kemi bërë e vazhdojmë të bëjmë, por edhe për ato që nuk i bëmë në kohën dhe mënyrën që duhej./ Gazeta Dita 

Zgjedhjet nxorën numra për qeverisje, por jo domosdo zgjidhje

Bekim Bislimi

Rezultatet preliminare të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 7 qershorit në Kosovë kanë krijuar një paradoks të njohur: numrat sugjerojnë mundësi për formimin e institucioneve, por realiteti politik paralajmëron një tjetër ngërç të mundshëm.

Ndërsa në letër ekzistojnë kombinime të mjaftueshme për një shumicë qeverisëse, në praktikë, polarizimi i thellë ndërmjet partive e vë në pikëpyetje funksionalitetin e saj, thonë njohësit e rrethanave politike.

Sipas të dhënave preliminare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka dalë e para me 42.91% të votave, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) me 21.08%, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 17.60%, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) me 7.17% dhe Lista Serbe me 6.17%.

Numrat janë, vullneti mungon

Donika Emini, nga Grupi Këshillues për Politikat e Ballkanit në Evropë, vlerëson se këto rezultate, në rrethana normale politike, do të krijonin një bazë pothuajse ideale për qeverisje.

“Në një sistem ku kompromisi politik funksionon normalisht, kjo do të ishte një formulë ideale: një fitues i qartë, por jo dominues, që kërkon bashkëpunim më të gjerë politik. Megjithatë, Kosova nuk ndodhet në rrethana normale. Pas dy vjetësh krizë institucionale dhe polarizimi të thellë, këto rezultate rrezikojnë të prodhojnë sërish ngërç”, vlerëson Emini për Radion Evropa e Lirë.

Në të njëjtën linjë është edhe politologu Dritëro Arifi. Ai thekson se problemi nuk është aritmetik, por politik.

“Nuk është problemi se nuk ka numra. Problemi është vullneti politik. Nëse ka gatishmëri për të lëvizur përpara, zgjidhja mund të gjendet”, thotë ai.

Sipas tij, shumëçka do të varet nga qëndrimi i LVV-së nëse është e gatshme të hyjë në koalicione.

Pas shpalljes së rezultateve, lideri i kësaj partie, Albin Kurti, paralajmëroi se do të komunikojë me të gjitha subjektet politike, duke theksuar nevojën për bashkëpunim në funksion të “interesit publik dhe vullnetit të përgjithshëm”.

“Pra, llogarisni te ne, jo vetëm në punën që bëjmë, por edhe në bashkëpunimin që do të bëjmë”, tha Kurti para mbështetësve të tij.

Nyja e presidentit dhe opsionet e vështira

Zgjedhjet e 7 qershorit erdhën si pasojë e mosmarrëveshjeve për zgjedhjen e presidentit, pas përfundimit të mandatit të Vjosa Osmanit.

Ato ishin të tretat brenda më pak se një viti e gjysmë – pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 dhe një tjetër palë të parakohshme më 28 dhjetor.

Të parat dështuan të prodhojnë qeveri, ndërsa të dytat, ndonëse i dhanë Lëvizjes Vetëvendosje mbi 51% të votave – shumicën më të madhe në Kosovën e pavarur – nuk siguruan marrëveshje për presidentin, sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.

Vetë Osmani, e cila ishte kandidate e LDK-së për këtë post në zgjedhjet e 7 qershorit, tha se LVV-ja nuk ka asnjë arsye për ta refuzuar emrin e saj për postin e presidentes.

“Ka mijëra arsye për të thënë ‘po’, dhe të gjitha janë në interes të shtetit”, deklaroi ajo.

Në këtë kontekst, çështja e presidentit mbetet një nga pengesat kryesore për çdo marrëveshje politike.

Sipas Eminit, nga perspektiva e stabilitetit institucional, koalicioni më i fortë do të ishte ai ndërmjet LVV-së dhe njërës prej dy partive kryesore opozitare – PDK-së ose LDK-së.

“Në aspektin numerik, një koalicion me PDK-në do të ishte më i fuqishmi, por politikisht jashtëzakonisht i vështirë, për shkak të nivelit të lartë të polarizimit. Një opsion më natyral mbetet bashkëpunimi me LDK-në. Vetë Kurti, në të kaluarën, e ka lënë të hapur mundësinë e një partneriteti të tillë”, thotë Emini, por thekson se nyja kryesore e këtij bashkëpunimi mbetet zgjedhja e presidentit.

LDK-ja e sheh këtë post si të rezervuar për Osmanin, porse LVV-ja nuk ka dëshmuar gatishmëri për ta mbështetur atë, pasi ajo ka përfunduar mandatin e parë në prill.

Arifi, po ashtu, e sheh me skepticizëm një koalicion LVV-PDK, por nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje më të gjerë ndërmjet partive shqiptare, ku do të përfshiheshin kryeministri, kryeparlamentari dhe presidenti.

“Logjikisht do të shkohet drejt asaj se kush do ta ketë kryeministrin. Ndërsa, çështja e presidentit do të shfrytëzohet si justifikim, për të arrritur realisht te posti i kryeministrit. Si do të bëhet kjo? Do të jetë shumë e vështirë”, thotë ai.

Mes kompromisit dhe krizës së re

Në këtë situatë, sipas analistëve, Kosova ndodhet përballë dy skenarëve: një marrëveshje politike që siguron stabilitet institucional, ose një cikël i ri bllokadash që mund të çojë në zgjedhje të reja.

Emini e konsideron kompromisin si rrugën më racionale, pasi ai do të garantonte jo vetëm formimin e qeverisë, por edhe zgjedhjen e presidentit dhe stabilitetin afatgjatë.

Megjithatë, paralajmëron se praktikat e deritanishme politike lënë hapësirë për një tjetër krizë.

“Nëse mbizotëron logjika e bllokadës, nuk mund të përjashtohet një cikël i ri zgjedhjesh. Edhe pse i kushtueshëm politikisht dhe financiarisht, ky mbetet një skenar real”, thotë ajo.

Edhe sipas Arifit, një zgjidhje e qëndrueshme kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

“… përndryshe, vendi rrezikon të mbetet pa institucione dhe të hyjë në një periudhë të gjatë paqartësie”, thekson ai.

Pasojat përtej politikës së brendshme

Dështimi për të arritur një marrëveshje nuk do të prodhonte vetëm krizë të brendshme, por edhe pasoja në planin ndërkombëtar.

Sipas Eminit, një situatë e tillë do ta dëmtonte pozitën strategjike të Kosovës dhe marrëdhëniet me partnerët kryesorë.

“Kosova rrezikon të perceptohet si çështje dytësore në rajon, përveç rasteve kur lidhet me kriza sigurie. Njëkohësisht, do të dërgonte sinjal negativ për kapacitetin e brendshëm shtetëror dhe do të dëmtonte proceset integruese me BE-në”, vlerëson ajo.

Arifi shton se mungesa e institucioneve funksionale do të sillte stagnim në politikën e jashtme.

“As SHBA-ja dhe as BE-ja nuk bashkëpunojnë me një vend pa stabilitet institucional. Aktualisht, për fat të keq, jemi në vendnumërim dhe kjo është humbje për shtetin dhe jo për ndonjë individ të caktuar politik”, përfundon ai.

Zgjedhjet nuk sollën ndryshim!- Nga Florim Zeqa

 

Rezultati zgjedhor, edhe pse nuk ndikoj në renditjen e subjekteve politike, e imponon nevojën e një bashkëpunimi mes forcave politike në Kuvend.

Bojkoti qytetar ndaj zgjedhjeve të 7 qershorit duhet të jetë alarm për të gjitha partitë parlamentare.

 

Qytetarët me mosdalje në votim i ndëshkuan të gjitha partitë

 

Rënia e madhe e numrit të daljes së qytetarëve në zgjedhje dhe përqindjes së votuesve në të gjitha komunat e Kosovës për 200 mijë votues apo 25.7% më pak në krejt Kosovën është tregues i lodhjes së qytetarëve me zgjedhje të shpeshta dhe i humbjes së besimit në partitë ekzistuese.

Rënja në 36 % e daljes së popullatës në zgjedhje, ndikon në legjitimitetin e këtyre zgjedhjeve.

Kur 64 % e qytetarëve i bojkotojnë zgjedhjet, dëshmon rënjen e besimit të qytetarëve në partitë ekzistuese!

200 mije votues më pak nga zgjedhjet e 28 dhjetorit të vitit të kaluar duhet të jenë shqetësim për të gjitha partitë politike.

Këta 200 mijë votues me bojkotin zgjedhor e shprehën revoltën tyre ndaj të gjitha partive pa dallim, liderëve partiakë dhe politikanëve në veçanti, të cilët për egot e tyre personale e sollën pa nevojë vendin në zgjedhje të jashtëzakonshme.

Krahasimet e përqindjeve të partive politike me 36 %-in e daljes së votuesve në zgjedhje përveqse qesharake, janë tendencioze në krahasim me fitoren e bojkotit qytetar!

Bojkoti i zgjedhjeve është ngritje e vetëdijes qytetare, e cila thërret si kushtrim për ngjizjen e një alternative të re politike.

 

ADN e vetmja shpresë për shpëtim

 

Të dashur qytetarë dhe bashkatdhetarë, 7 qershori nuk ishte fillimi dhe as fundi i një epoke!

Ndryshimi i vërtetë pritet të ndodhë pas këtyre zgjedhjeve me daljen në skenë të Alternativës Demokratike për Ndryshim apo ADN-së politike shqiptare siq e pëlqej ta quaj, të këtij projekti madhor për vendin, i hartuar më kujdes të veçantë nga ana ime!

Në ADN secili qytetarë dhe mërgimtarë kudo që ndodhet do ta ketë mundësinë e pjesëmarrjes në vendimarrje dhe të krijojë mirëqenje për familjen e tij dhe të tjerët në shtetin e Kosovës, e jo si deri më tani, që ne, më votën tonë t’i ngrisim në karrierë politikanët e papërgjegjshëm, të cilët më pas, jo vetëm që po na harrojnë, krijojnë pasuri të paligjshme për vetën, familjet e tyre dhe farefisin e gjërë!

Përmes ADN-së do t’i jepim goditjen përfundimtare të keqës që e ka pllakosur vendin tonë në këto vitet e paspavarëisë!

Mbase, është momenti i fundit që qytetarët dhe mërgimtarët të vetëdijësohen dhe ndërgjegjësohen për t’ua kthyer shpinën këtyre partive të dështuara në qeverisje dhe shtetndërtim!

Këto parti dhe këta politikan e demaskuan vetën e tyre me politikat hileqare dhe inatçore duke e përçarë një popullatë të tërë!

 

 

Familja është e shënjtë, shteti është i shënjtë, kombi është i shënjtë dhe i patjetërsueshëm.

 

Andaj, që t’i shpëtojmë këto tri gjëra kaq të çmuara duhet të bashkohemi rreth Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN), pasi kjo është e vetmja shpresë reale për ndryshim dhe shpëtim nga katandisja e mëtutjeshme e çdo vlere kombëtare dhe njerëzore në Republikën e Kosovës.

 

Ju mirëpres në rrugëtimin e përbashkët!

 

Me respekt dhe dashamirësi: Florim Zeqa-nismëtar i Alternativës Demokratike për Ndryshim (ADN).

5.2 milionë metra katrorë- Zbulohet dokumenti, Qeveria përgatit transferimin e ishullit të Sazanit te Jared Kushner

 

Një projektvendim i Këshillit të Ministrave, siguruar nga BIRN, parashikon transferimin e ishullit të Sazanit nga administrimi i Ministrisë së Mbrojtjes te Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit, si pjesë e procedurave për zhvillimin e projektit strategjik “Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit”.

Në një intervistë të fundit për podkasterin e sipërmarrësit David Senra, Ivanka Trump përshkroi projektin që po zhvillon së bashku me bashkëshortin e saj, Jared Kushner, si një investim me përmasa të mëdha në Mesdhe.

“Po punoj për një projekt të jashtëzakonshëm me bashkëshortin tim në Mesdhe. Është një projekt me përmasa gjigante. Bëhet fjalë për një ishull privat prej 14 mijë hektarësh në zemër të Mesdheut,” tha Trump.

Megjithatë, ndryshe nga përshkrimi i saj, Sazani është pronë shtetërore dhe administrohet nga Ministria e Mbrojtjes.

Dokumenti i siguruar nga BIRN tregon se qeveria po ndërmerr hapat për ta transferuar ishullin në Fondin e Pasurive të Paluajtshme për Mbështetjen e Investimeve Strategjike, duke e kaluar atë nën administrimin e Ministrisë së Ekonomisë.

Projektvendimi, i propozuar nga ministri i Ekonomisë, Blendi Gonxhja, parashikon transferimin e pasurive shtetërore në zonën kadastrale 3269 të Bashkisë Vlorë për “zhvillimin dhe realizimin e projektit për investim strategjik ‘Resorti Turistik – Ishulli i Sazanit’”.

Sipërfaqja që parashikohet të vihet në dispozicion të projektit përfshin rreth 5.2 milionë metra katrorë truall dhe ndërtesa ekzistuese në ishull, ose më shumë se 90 për qind të sipërfaqes së Sazanit.

I pyetur nga BIRN për projektvendimin dhe procedurat e transferimit të ishullit, qeveria shqiptare tha se dokumenti ishte “hedhur për mendim dhe nuk është realizuar”.

“Është për të konsoliduar të gjithë atë territor si zonë zhvillimi, pasi ka qenë zonë ushtarake, dhe për ta kaluar në administrim të Ministrisë së Ekonomisë,” tha zyra e shtypit e kryeministrit Edi Rama.

“Në këtë projektvendim nuk ka privatizim dhe ky dokument shërben për të realizuar fazën e negociatave për interesat e shtetit si partner në investim,” shtoi ajo.

5.2 milionë metra katrorë/ Zbulohet dokumenti, Qeveria përgatit

Projektvendimi i KM për Sazanin

Në fund të vitit 2024, qeveria shqiptare i dha statusin e “Investitorit Strategjik” kompanisë Atlantic Incubation Partners LLC, e lidhur me Kushner. Sipas vendimit të Komitetit të Investimeve Strategjike, investimi i planifikuar arrin në 1.4 miliardë euro dhe parashikon zhvillimin e një kompleksi turistik në një pjesë të ishullit.

Afatet për realizimin e projektit u shtynë në fund të vitit 2024, ndërsa investitorit iu njohën lehtësi të reja. Ndër to përfshihen ndryshime ligjore që lejojnë procedura të posaçme për investitorët strategjikë, si dhe angazhimi i Ministrisë së Mbrojtjes për pastrimin e zonës nga municionet e paplasura që gjenden në tokë dhe në detin përreth ishullit.

Më herët, presidenti Bajram Begaj dekretoi nxjerrjen e një zone stërvitore nga Plani i Përhapjes së Forcave të Armatosura, një hap që konsiderohet i nevojshëm për zhvillimin e projektit.

Sipas projektvendimit, transferimi përfshin pasurinë nr. 206/7 me sipërfaqe 5,255,215 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 31,005 metra katrorë; pasurinë nr. 208 me sipërfaqe 254,178 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 5,344 metra katrorë; si dhe pasurinë nr. 207 me sipërfaqe 9,386 metra katrorë dhe ndërtesa me sipërfaqe 412 metra katrorë.

Ishulli i Sazanit është pjesë e Parku Kombëtar Sazan-Karaburun, i vetmi park kombëtar detar dhe tokësor në Shqipëri. Zona konsiderohet habitat i dhjetëra specieve me rëndësi ndërkombëtare, përfshirë specie të rrezikuara të faunës detare.

Projektvendimi për kalimin e ishullit të Sazanit te kompania “Atlantic Incubation Partners LLC” vjen në një kohë kur Shqipëria është përfshirë nga një valë protestash kundër zhvillimit të një tjetër projekti turistik të lidhur me familjen Trump në zonën e mbrojtur të lagunës së Nartës.

Mijëra qytetarë shqiptarë kanë protestuar gjatë javës së fundit në Tiranë dhe qytete të tjera të vendit kundër projektit për ndërtimin e një resorti në këtë zonë nga investitorë nga Katari, të lidhur me Jared Kushner dhe grupin Kastrati.

Tubimet e përditshme në Tiranë, të cilave u janë bashkuar kryesisht të rinj me pankarta satirike, janë pagëzuar nga mediat si “Revolucioni i Flamingove”, për shkak se flamingoja e lagunës së Nartës është kthyer në simbol të protestave.

Protestuesit kanë kërkuar anulimin e projektit për ndërtimin e resortit në Zvërnec, si dhe dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama, të cilin e akuzojnë se po favorizon në mënyrë të paligjshme investitorët.

Kryeministri Edi Rama është treguar sfidues ndaj protestuesve, duke u zotuar se qeveria nuk do të tërhiqet nga projekti. Ai ka akuzuar gjithashtu forca të jashtme si nxitëse të protestave, duke i cilësuar ato si pjesë e një “lufte hibride”. /BIRN/

Lutfi Dervishi: Zvërneci ishte thjesht shkëndija, lënda djegëse ishte aty prej kohësh! Organizatori më i madh i kësaj proteste është pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh

Analisti Lutfi Dervishi thotë se debati publik rreth protestave po përqendrohet gabimisht te pyetja se kush i organizon ato, ndërsa po neglizhohet arsyeja pse qytetarët po dalin në shesh.

 

Në një reagim për protestën që ka hyrë në ditën e tetë, Dervishi argumenton se pjesëmarrja në rritje e të rinjve, familjarëve, artistëve, intelektualëve, sipërmarrësve dhe pensionistëve tregon se lëvizja po ushqehet nga pakënaqësi të grumbulluara prej vitesh.

Sipas tij, ngjarjet në Zvërnec mund të kenë qenë shkëndija e revoltës, por jo shkaku i vetëm. Ai rendit si faktorë kryesorë problemet në shërbimet publike, mungesën e përfaqësimit politik, rritjen e kostos së jetesës dhe vështirësitë ekonomike.

Dervishi vëren se protesta jo vetëm nuk është zbehur me kalimin e ditëve, por ka fituar më shumë mbështetje dhe energji, ndërsa solidarizimi i diasporës në Europë dhe SHBA tregon se shqetësimet që ajo ngre shkojnë përtej një çështjeje lokale.

Reagimi i Lutfi Dervishit: 

Pse po rritet protesta?

Protesta ka hyrë në ditën e saj të tetë, por ka plot njerëz që po i mundon e njëjta pyetje: kush qëndron pas saj?

Analistë, politikanë dhe komentues në rrjetet sociale po garojnë ethshëm për të gjetur organizatorët. Në listën e dyshimeve gjen nga “armiqtë e jashtëm” tradicionalë (grekët, serbët, iranianët) e deri tek formula e gatshme e “tradhtarëve vendas” që nuk ia duan të mirën Shqipërisë.

Ndërsa vëmendja është përqendruar e gjitha tek prapaskena, po lihet në hije pyetja thelbësore: kush ka dalë në shesh dhe pse?
Pamja e bulebardit është e pazakontë. Aty sheh të rinj, familjarë me fëmijë, artistë, intelektualë, sipërmarrës, pensionistë dhe qytetarë pa asnjë petk partiak. Kjo protestë nuk po tkurret me kalimin e ditëve; përkundrazi, po rritet. Ka më shumë pjesëmarrës, më shumë energji dhe një kreativitet që nuk është parë prej kohësh. Nuk është rastësi që shumë prej tyre e kanë pagëzuar si “protesta e bukur”.

Në sipërfaqe, shkaku është i qartë: ngjarjet në Zvërnec, rrethimi me tela me gjemba, dhuna ndaj qytetarëve dhe ndjesia e frikshme e përballjes me një “shtet brenda shtetit”. Por nuk mund të lidhet gjithë pylli me një litar. Një revoltë mund të nisë nga një incident i vetëm, por vështirë se zgjerohet dhe mbijeton për tetë ditë me radhë vetëm prej tij.

Në shesh ka shpërthyer një masë kritike pakënaqësish të grumbulluara ndër vite. Janë qytetarët që përplasen çdo ditë me dështimet në shëndetësi, arsim, administratë dhe me banalitetin e debatit politik/publik. Janë njerëzit që ndihen të papërfaqësuar dhe që ndiejnë fyerje inteligjence kur shohin se kush flet e vendos për ta në Kuvend, qeveri apo media.
Kësaj i shtohet edhe dimensioni ekonomik që nuk mund të injorohet: rritja stratosferike e kostos së jetesës, pamundësia për të siguruar një shtëpi dhe ndjesia se hapësirat për të ndërtuar të ardhmen këtu po mbyllen. Zvërneci ishte thjesht shkëndija; lënda djegëse ishte aty, e tharë prej kohësh.

Një tregues interesant është se vala e revoltës i ka kaluar kufijtë e Shqipërisë. Tubimet solidare në qytetet europiane dhe deri në Shtetet e Bashkuara nuk shpjegohen thjesht me nostalgjinë apo lidhjen emocionale të emigrantëve me atdheun. Shumë prej tyre u larguan pikërisht nga këto plagë që sot po denoncohen në shesh. Për diasporën, ky reagim është një lloj pakti solidariteti me ata që mbetën, dhe një refuzim i prerë ndaj një modeli qeverisës që prodhon vetëm eksod.

Jehona që dëgjohet mijëra kilometra larg tregon se kjo lëvizje ka prekur një nerv shumë më të thellë sesa Zverneci.
Prandaj, pyetja “kush e organizon protestën?” duket gjithnjë e më pak e rëndësishme. Kur një protestë jo vetëm mbijeton, por rritet dita pas dite, shpjegimi nuk gjendet tek teoritë e konspiracionit, por tek realiteti. Përgjigjja është në shesh, në sytë e njerëzve që janë lodhur duke pritur, duke u dëgjuar pa u dëgjuar dhe duke u përfaqësuar pa u përfaqësuar. Në fund të fundit, organizatori më i madh i kësaj proteste nuk duhet kërkuar as te armiqtë, as te partitë, as te grupet e interesit, as te sharlatanë protestash, por te pakënaqësia e grumbulluar prej vitesh nga litari që tërhiqet dhe zullumi që trashet.

“Rama n’burg!”, aktori Çun Lajçi tregon përjetimet nga protesta që mbushi Bulevardin: Atdheu nuk është plaçkë tregu, mos bëni pazare!

Aktori i njohur Çun Lajçi, ka ndarë një reflektim emocional pas pjesëmarrjes së tij në protestën e zhvilluar në Tiranë kundër projektit në Zvërnec dhe politikave të qeverisë.

Në një postim në rrjetet sociale, Lajçi përshkruan atmosferën e protestës, ku sipas tij mijëra qytetarë të të gjitha moshave u mblodhën për të shprehur kundërshtimin ndaj asaj që e cilëson si “pazare me atdheun”.

Ai shprehet gjithashtu kritik ndaj klasës politike, duke theksuar se debatet për pushtetin po dominojnë mbi çështjet e interesit kombëtar dhe mbrojtjes së territorit.

REAGIMI

Ata brohorasin. Unë eci e eci, e vargu s’ka të sosun.

Ata nuk ndalen. Unë po. Ulem n’rranzën e nji pishe shtathedhun, si me dashtë me ia marrë frymën tokës e me e ndigjue çka po flet nën kambët e mij.

Pankartat n’duert e vajzave e djemve sikur m’thonë:

— Lexo ti që shkruen, e mos hezito me shkrue nesër kur të kthehesh n’Prishtinë.

Nji gjeneratë rinore asht çue n’kambë. Nji dallgë e ngrohtë prej Sazanit e Karaburunit, e nji fllad prej Dajtit, ka zbritë n’Tiranë me shkundë pluhunin e viteve, me ua kujtue njerëzve se atdheu nuk asht plaçkë tregu.

Unë, mbi rranzën e pishës shumëvjeçare, përballë Kuvendit, shikoj pankartat e lexoj:

“Rama n’burg!”

Disa i mbajnë nalt me zemërim, disa me shpresë, e disa veç për mos me u dorëzue.

Ajo nanë e re, mbështjellun me flamurin e kuq e me plis mbi flokë, që e mban foshnjën n’grykë, buçet e thërret:

— Shqipnia nuk shitet!

Mua më përloten sytë. Më lagen faqet.

Fëmija në krahët e saj më shikon e qeshet.

E ajo buzëqeshje ma kthen shpresën. Sikur ma kthen jetën mbrapsht. Sikur vitet bien prej supeve e unë bahem prap çun i ri.

Ngrihem.

Eci me turmën, tue e shikue fëmijën n’krahët e nanës e tue lexue sllogane të ndryshme, e ndër mend më vjen nji pyetje që më ther si gjemb:

— Ç’na duhen fëmijët, nëse ua shesim tokat?

Jo!

“Shqipnia nuk shitet!”, bërtas edhe unë.

Por prap ulem n’trotuar.

Dikush më pyet:

— Je mirë, xhaxh?

Po pse t’mos jem mirë? – ia dredhi. A s’thoshte Isa Begu:

— Unë jam mirë kur Shqipnia asht mirë!

Ai buzëqeshi.

— Aha, nga Kosova qenke!

— Po, nga ajo Kosovë që vazhdon me e dashtë këtë tokë ma shumë se Edi, ma shumë se Salihu, por jo sa ky fëmijë e kjo nanë e re.

E kur i thashë këto fjalë, dola prej turmës së dalldisun.

Por jo prej mendimit.

Sepse turma mbeti pas meje, ndërsa zani i asaj nanës e e qeshuna e atij fëmije vazhduen me ecë me mua rrugëve të Tiranës, si nji amanet që s’duhet harrue:

— Shqipnia nuk asht e jona me e shitë.

Asht e fëmijëve që ende s’dinë me folë, por që nesër kanë me na pyetë çka bamë me tokat.

N’Prishtinë kur zbrita, askush nuk më pyeti për lumin e njerëzve që kishte mbushë Tiranën, tue brohoritë:

— Mos bani pazare me atdheun!

Ata kishin hall tjetër.

Jo Shqipninë, por fituesin e nesërm.

Jo atdheun, por pushtetin.

“Dëshpërimi, pasojë e keqqeverisjes”- Ish-zv. ministrja socialiste, Irena Beqiraj: Janë shumë të frikësuar nga protesta! Në sheshe janë ata që guxojnë të flasin me zë të lartë

Ish-zëvendësministrja socialiste e Financave, Irena Beqiraj teksa ka komentuar protestat masive të qytetarëve thotë se “dëshpërimi është pasojë e keqqeverisjes”.

 

Me anë të një postimi në rrjetet sociale ajo i ka cilësuar protestat si një shprehje të drejtpërdrejtë qytetare dhe si transformim të zhgënjimit e dhimbjes në një akt publik.

Beqiraj shprehet se protestat, të cilat sipas saj janë etiketuar si “pa kokë, pa emër dhe pa numër”, kanë treguar se qytetarët janë larg apatisë dhe po ushtrojnë detyrën e tyre qytetare.

“Janë kapur të papërgatitur,  sepse kjo protestë është ndryshe . Në sheshe janë ato që guxojnë të flasin me zë të lartë, janë ata që nuk kanë nevojë për protagonizëm, janë ata që nuk veprojnë të drejtuar nga ambicia për të qënë të dukshëm në vijën e parë , por  që me durim presin radhën për të folur. Janë  ata që vendosën të bëheshin të zhurmshëm pikërisht në momentin kur shpresat po shuheshin  dhe heshtja impononte nënshtrim”, shkruan ndër të tjera Beqiraj.

Nga Irena Beqiraj 

Protesta që shndërroi  zhgënjimin edhe dhimbjen në një akt të vërtet publik!

Protesta pa kokë , pa emër , pa numër,  e organizuar sipas tyre,  nga “poli -agjentët” grekë  serbë, iranianë, sorosianë,  i ka trembur.

Janë shumë të frikësuar , sepse pas shumë kohësh apatie, kemi vendosur të bëjmë  detyrën tonë qytetare  .

Janë në dhimbje të madhe, sepse duke u përpjekur për pushtetin e tyre politik , janë mësuar të na ndajnë , të na trajtojnë si të pavetëdijshëm, të na indoktojnë një neveri të qëllimshme  ndaj njëri tjetrit , në mënyrë që të mos merremi kurrë me ta .

Kanë mbetur pa strategjinë e zakonshme me të cilën zakonisht na shtypin  sepse në sheshe , në Tiranë , Vlorë , Korçë, kudo,  janë mbledhur njërëz që po tregojnë se dëshpërimi nuk është gjendje shpirtërore në ketë vend , por pasojë e keqqeverisjes edhe mungesës së alternativës politike.

 Janë kapur të papërgatitur,  sepse kjo protestë është ndryshe . Në sheshe janë ato që guxojnë të flasin me zë të lartë, janë ata që nuk kanë nevojë për protagonizëm, janë ata që nuk veprojnë të drejtuar nga ambicia për të qënë të dukshëm në vijën e parë , por  që me durim presin radhën për të folur. Janë  ata që vendosën të bëheshin të zhurmshëm pikërisht në momentin kur shpresat po shuheshin  dhe heshtja impononte nënshtrim .

Ndaj në ato sheshe çdo fjalë ka rëndësi,  çdo koment publik . Arritja më e madhe e kësaj proteste  është pikërisht – shndërrimi i dhimbjes  në akt të vërtet publik, qytetar e civil .

Akti publik që po ndodh shesheve të këtij vendi, ka zhvlerësuar vullnetin e kalbur politik ,  ndaj  po shpenzojnë para, po përdorin çdo mendje djallëzore pa shtyllë kurizore duke zuzatur si miza pa kokë televizioneve , për të  na penguar që ta shohim të vërtetën .

Po kërkojnë me qiri në tokë e në qiell , majtas e djathtas , jashtë e brenda  organizatorin se janë mësuar të mblidhen rreth individit , rreth interesave personale, të gjejnë lugën edhe përsheshin, sepse kurrë nuk kanë mundur ta shohin botën përtej interesave të tyre të ngushta…..

Janë në hall se njerëzit që i duan këto toka janë një elektorat me të cilin nuk mund të debatohet. Nuk janë militantët e sëmurë . Janë ata që e dinë mirë që tokën e trashëguar ua kemi borxh fëmijëve tanë.

 Numërojnë , etiketojnë , po kërkojnë me çdo kusht  dështimim sepse në shesh është mendja , shpirti i  shumicës dërrmuese që është kundër tyre.

Kanë kuptuar më në fund se nuk jemi të pazot,  të mblidhemi rreth njëri tjetrit , rreth të ardhmes së fëmijëve tanë . Panorama


Send this to a friend