VOAL

VOAL

RRUGA E LUMIT TË VLORËS … – Nga Albert HABAZAJ

August 19, 2018
2 Comments
  • author avatar
    CELA 8 years ago Reply

    Shume bukur me shpirt per gjurmet e tua

Komentet

JANIS RITSOS – ROMIOSINI Përktheu nga greqishtja Vasilika IFANDI

 

Më 11 nëntor 1990, u nda nga jeta poeti i madh grek, Janis Ricos (Giannis Ritsos).

 

I

Këto pemë nuk rehatohen me më pak qiell,
këta gurë nuk rehatohen të qëndrojnë
nën hapa të huaj,
këto fytyra nuk rehatohen veçse
nën diell,
këto zemra nuk rehatohen veçse me drejtësinë.

Ky peizazh është i ashpër si heshtja,
shtrëngon në gjoks gurët e tij të përvëluar,
shtrëngon në dritë ullinjtë e tij jetimë
dhe vreshtat e tij,
shtrëngon dhëmbët.

Nuk ka ujë.
Vetëm dritë.

Rruga humbet në dritë dhe hija
e murit është prej hekuri.

U ngurtësuan pemët, lumenjtë
dhe zërat brenda gëlqeres së diellit.
Rrënja pengohet te mermeri.
Shkurret e pluhurosura.
Mushka dhe shkëmbi gulçojnë.

Nuk ka ujë.
Të gjithë kanë etje.
Prej vitesh.

Të gjithë përtypin një kafshatë qielli
mbi hidhërimin e tyre.

Sytë u janë skuqur nga pagjumësia,
një brazdë e thellë, e ngulitur
mes vetullave të tyre,
si një selvi mes dy maleve
në perëndim të diellit.

Dora e tyre është ngjitur pas pushkës,
pushka është vazhdim i dorës së tyre,
dora e tyre është vazhdim i shpirtit të tyre –
në buzë mbajnë zemërimin
dhe dhimbjen e kanë thellë në sy,
si një yll në një gropë kripe.

Kur shtrëngojnë duart, dielli është i sigurt
për botën.
Kur buzëqeshin, një dallëndyshe e vogël fluturon
nga mjekrat e tyre të egra.
Kur flenë, dymbëdhjetë yje bien
nga xhepat e tyre të zbrazët.
Kur vriten, jeta vazhdon
të ngjitet përpjetë,
me flamuj dhe me daulle.

Prej kaq vitesh të gjithë janë të uritur, të gjithë kanë etje,
të gjithë vriten,
të rrethuar nga toka dhe nga deti.

Përvëlimi ua dogji arat dhe kripa ua lagu shtëpitë,
era ua rrëzoi dyert dhe të paktat jargavane të sheshit.

Nëpër vrimat e palltove të tyre hyn e del vdekja.
Gjuha u është e athët
si kokrra e selvive.

Qentë e tyre ngordhën, të mbështjellë në hijen e tyre.
Shiu u bie mbi kocka.

Mbi karakollet e vrojtimit, të ngurosur, tymosin
bajgën dhe natën,
duke vëzhguar detin e tërbuar,
ku u fundos
direku i thyer i hënës.

Agatha Christie: Një botë misteresh, një udhëtim i jashtëzakonshëm në jetën e mbretëreshës së krimit

Në 50-vjetorin e vdekjes së Agatha Christie-t, ekspozita “Një botë misteresh”, në Bibliotekën Britanike, i fton vizitorët në një udhëtim magjepsës në jetën dhe krijimtarinë e mbretëreshës së romanit policor. Kjo ekspozitë e veçantë ofron për herë të parë mundësinë për të parë një koleksion të pasur dokumentesh private, ditarësh, dorëshkrimesh dhe sendesh familjare, të cilat deri më tani nuk ishin ekspozuar për publikun.

E kuruar me shumë kujdes nga Lucy Rowland, ekspozita paraqet një koleksion mbresëlënës objektesh që pasqyrojnë jetën dhe veprën e Christie-t. Vizitorët mund të shohin sende që sjellin në kujtesë momentet më të rëndësishme të jetës së saj, nga fëmijëria në Devon dhe udhëtimet nëpër botë, deri te karriera jashtëzakonisht e suksesshme si romanciere dhe dramaturge.

Ekspozita nis në një shtëpi tradicionale fshati angleze, një mjedis tipik në romanet e Christie-t ku zhvillohen ngjarjet e krimeve misterioze. Vizitorët që nuk e njohin mirë jetën e saj do të zbulojnë shumë të panjohura. Por edhe admiruesit më të zjarrtë do të kënaqen duke parë objekte dhe dorëshkrime që deri më tani janë mbajtur larg publikut.

Dhomat janë të mbushura me fotografi të fëmijërisë, tregime të hershme që ajo shkruante për të impresionuar motrën e saj dhe skica të vizatuara me dorë të St Mary Mead, fshatit të famshëm anglez ku zhvillohen hetimet e Miss Marple. Krahas tyre ka lojëra ku vizitorët mund të marrin pjesë dhe mistere që duhet t’i zgjidhin. Për shembull, sa janë gjasat të vritesh në një roman të Christie-t? Apo, a mund ta zbulosh motivin e vrasjes në një histori të caktuar?

Image

Në hapësirën e dytë të ekspozitës, e konceptuar si një farmaci, vizitorët mësojnë jo vetëm për shërbimin e Christie-t gjatë luftës dhe formimin e saj si farmaciste, por edhe se si njohuritë e saj të specializuara për barnat dhe substancat kimike u përdorën për të krijuar helmet vdekjeprurëse në romanet e saj. Përshkrimet e Christie-t për helmet ishin aq të hollësishme dhe të sakta, saqë në disa raste kanë ndihmuar edhe lexuesit të shpëtojnë jetë.

Më pas, vizitorët çohen në një nga mjediset më të famshme të krijimtarisë së saj: trenin Orient Express. Prej kohësh kam pasur interes për udhëtarët britanikë që vizituan Irakun në fillim të shekullit XX, gjë që më shtyu të hulumtoja edhe periudhën e qëndrimit të Christie-t në këtë vend. Përvoja e saj në botën arabe është sjellë në mënyrë mbresëlënëse si në pjesën kushtuar Orient Express-it, ashtu edhe në dhomën pasuese, që i kushtohet gërmimeve arkeologjike.

Agatha Christie në Lindjen e Mesme

Image

Siç shpjegon ekspozita, kur ishte e re, Christie u dërgua për herë të parë në Kajro për të marrë pjesë në atë që njihej si ceremonia e prezantimit të vajzave të reja në shoqëri. Ky ishte një rast kur vajzat e familjeve të pasura prezantoheshin zyrtarisht në rrethet shoqërore.

Në autobiografinë e saj, Christie shkruan: “Nëse kishe mundësi ekonomike, nëna organizonte një mbrëmje vallëzimi për ty. Zakonisht duhej të kaloje një sezon në Londër”, por “në jetën time nuk mund të bëhej diçka e tillë”. Sezoni shoqëror në kryeqytetin egjiptian ishte një alternativë më e përballueshme sesa organizimi i një prezantimi tradicional në Londër, që kushtonte shumë.

Megjithatë, në atë moshë, ajo nuk ishte aq e interesuar për rëndësinë historike të qytetit. Më vonë kujtonte: “Mrekullitë e lashtësisë ishin gjëja e fundit që dëshiroja të shihja dhe jam shumë e kënaqur që nëna nuk më çoi t’i vizitoja.”

Ajo u kthye në rajon në vitin 1928, pothuajse rastësisht. Në momentet e fundit ndryshoi planet për të udhëtuar drejt Karaibeve, pasi një bisedë e rastësishme e frymëzoi të shkonte në Bagdad me trenin Orient Express.

Pikërisht gjatë këtij udhëtimi u njoh me arkeologun e njohur Leonard Woolley dhe bashkëshorten e tij, Katharine, e cila ishte admiruese e veprave të Christie-t.

Dy vjet më vonë, Christie u kthye në Irak për t’i vizituar ata në Ur, një qytet-shtet i lashtë sumer në jug të vendit. Gjatë këtij udhëtimi njohu edhe ndihmësin e Woolley-t, Max Mallowan-in.

Image

Në kujtimet e tij, Mallowan tregon se Katharine i nxiti të dy të bënin një udhëtim së bashku. Gjatë një ndalese të papritur, ata vendosën të laheshin në një liqen me ujë të kripur, ndërsa makina e tyre ngeci në rërë.

Mallowan tregon se reagimi i qetë i Christie-t përballë këtij problemi të vogël e bindi se “ajo duhej të ishte një grua e jashtëzakonshme”. Vetëm disa muaj më vonë ai i propozoi martesë dhe çifti u martua në kishën e Shën Kolumbës në Edinburg, në shtator të vitit 1930.

Gjatë gjithë jetës së tyre martesore, Christie e shoqëroi Mallowan-in në pothuajse të gjitha ekspeditat arkeologjike. Çifti kishte një shtëpi në Bagdad dhe qëndronte për periudha të ndryshme edhe në vende të tjera të rajonit. Ekspozita nxjerr në pah rolin e saj, shpesh të lënë në hije, në ekspeditat arkeologjike të bashkëshortit.

Ajo ishte fotografe e zonja, mbikëqyrte punëtorët në vendet e gërmimeve dhe kujdesej për objektet e zbuluara. Madje, përdorte edhe kremin e saj hidratues për të pastruar artefaktet e lashta.

Është veçanërisht emocionuese të shohësh makinën e saj të vogël të shkrimit, një teknologji mjaft e përparuar për kohën, që i mundësonte të jetonte dhe të udhëtonte pa u kufizuar nga një vend i caktuar, duke shkruar kudo që ndodhej. Me të ajo hodhi në letër disa nga romanet e saj më të famshme.

Fama ndërkombëtare e Agatha Christie-t

Vëmendja që ekspozita i kushton vendeve dhe mjediseve ku jetoi e punoi Christie pasqyrohet edhe në trajtimin e saj si një shkrimtare me famë dhe ndikim botëror. Ajo tregon se si veprat e saj, të cilat shpesh janë konsideruar letërsi popullore me vlera të kufizuara letrare, vazhdojnë të lexohen dhe të përshtaten në gjuhë dhe kultura të ndryshme.

Ekspozita nuk i anashkalon as aspektet problematike të krijimtarisë së saj. Aty trajtohen qëndrimet antisemite dhe paragjykimet racore që shfaqen në shkrimet e Christie-t. Titulli origjinal fyes i një prej romaneve të saj më të njohura, “Dhe pastaj nuk mbeti asnjë” (1939), nuk përmendet drejtpërdrejt, por bëhet e qartë se romani ka pësuar ndryshime dhe se titulli është përshtatur me ndryshimin e qëndrimeve shoqërore ndër vite.

Përpara se të hyjnë në hapësirën kryesore të ekspozitës, vizitorët kalojnë pranë një muri të mbuluar me romane të Christie-t të përkthyera në gjuhë të ndryshme. Ndërsa shohim përshtatje të paautorizuara të romanit “Dhe pastaj nuk mbeti asnjë” në stilin e filmave të Bollywood-it, postera që reklamojnë shfaqje të dramës së saj “Kurthi i miut” në Shangai, apo intervista me autorë arabë të romaneve policore që flasin për trashëgiminë e saj letrare në botë, kuptojmë se veprat e saj kanë tërhequr gjithmonë lexues nga të gjitha anët e globit, pavarësisht kufizimeve që ekspozita i vë në dukje dhe i kritikon.

Dhoma e fundit, më moderne nga të gjitha, është teatri. Këtu vizitorët transportohen në West End-in e Londrës, zonën e famshme të teatrove. Në një ekran të madh shfaqet një video bardhezi e Christie-t, e cila, me një përulësi të jashtëzakonshme, feston dhjetëvjetorin e shfaqjes “Kurthi i miut” në hotelin Savoy të Londrës, në vitin 1962.

Është e vështirë të përshkruhet plotësisht ndikimi që Agatha Christie vazhdon të ketë edhe sot. Veprat e saj janë dashur dhe janë marrë si model nga miliona njerëz. Ekranet elektronike në dhomat e fundit të ekspozitës tregojnë se ajo ka shitur tashmë më shumë se dy miliardë libra; se ishte gruaja e parë që pati dy shfaqje teatrale njëkohësisht në skenat e West End-it dhe se veprat e saj janë përkthyer më shumë se 7236 herë.

Edhe 50 vjet pas vdekjes së saj, vetëm gjatë kësaj jave janë shitur 42.779 libra të saj në mbarë botën.

Informuese, mbresëlënëse dhe, mbi të gjitha, jashtëzakonisht argëtuese, ekspozita “Agatha Christie: Një botë misteresh” është një vizitë që nuk duhet humbur nga askush që ka shijuar ndonjëherë veprat e mbretëreshës së romanit policor. /The Conversation – Syri.net

NJË VJESHTË MES KUJTIMEVE DHE MALLIT- Nga Neki Lulaj, shkrimtar

Kjo vjeshtë më duket se ishte njëra ndër më të bukurat e jetës sime. Një lajm i këndshëm nga dhëndri dhe motra ime na gëzoi pa masë: do të kalonim disa ditë së bashku, duke udhëtuar, pushuar dhe vizituar vende të bukura nëpër Shqipëri.
Për mua dhe bashkëshorten time, që tashmë kemi hyrë në vitet e pleqërisë, një udhëtim i tillë ishte një dhuratë e veçantë. Me zemër të mbushur plot gëzim, u nisëm nga Perëndimi drejt Shqipërisë, kësaj toke që përherë ka qenë dhe mbetet krenaria e kombit tonë, me pasuri të rralla historike, kulturore e natyrore. Shqipëria, me malet e bjeshkët, luginat, lumenjtë, detin, liqenet dhe pasuritë e saj nëntokësore, është një vend i begatë, që natyra e ka pajisur me bukuri e mundësi të jashtëzakonshme.
Gjatë dhjetë ditëve të udhëtimit, ne, katër udhëtarët e pandarë, vizituam tetëmbëdhjetë qytete. Vjeshta na priti me ngjyrat e saj të arta, me qiellin e kthjellët dhe rrezet e buta të diellit. Pemishtet ishin të mbushura me ullinj, portokaj, mandarina e limona, fryte të punës dhe përkushtimit të njerëzve të kësaj toke.
Në çdo qytet kërkonim të njihnim historinë, monumentet, muzetë, kalatë, kishat e xhamitë, por edhe të takonim njerëz të artit e të kulturës. Këto ndalesa, biseda dhe përjetime na e bënin udhëtimin edhe më të bukur. As lodhjen nuk e ndienim, sepse çdo ditë na dhuronte diçka të re.
Njëra ndër dëshirat tona të kahershme ishte vizita në Parkun Arkeologjik të Orikumit. Kishim provuar edhe dy herë të mëparshme, por pa sukses, sepse në të dy rastet e kishim gjetur të mbyllur. Kësaj radhe, duke u nisur nga Vlora historike, shpresonim se më në fund do të na buzëqeshte fati.
Dhe, vërtet, e treta e vërteta!
Këtë herë na priti përgjegjësi i parkut, i cili me dashamirësi na udhëzoi për vendet që mund të vizitonim, na hapi portën dhe na uroi një ditë të mbarë.
Para nesh u shfaq kjo perlë e rrallë arkeologjike, ku historia e lashtë ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Aty ku deti duket sikur bisedon me natyrën, ku gurët e mureve madhështore ruajnë kujtimet e shekujve dhe ku valët e Jonit janë të vetmet që e ndërpresin heshtjen e lashtësisë.
Çdo gur dukej sikur kishte një histori për të rrëfyer. Puset e vjetra, muret gjigante dhe gjurmët e vendbanimit të lashtë dëshmonin për jetën dhe zgjuarsinë e njerëzve që kishin jetuar aty. Edhe rrënojat e teatrit antik të krijonin përshtypjen se, përtej shekujve, ende dëgjoheshin zërat e aktorëve dhe duartrokitjet  fren etike te spektatorëve.
Sikur vetë parku të na thërriste: Ejani e më njihni, sepse në gjirin tim ruaj një thesar të paçmuar të historisë!
Qëndruam më shumë se tri orë, duke shëtitur, fotografuar dhe shijuar bukurinë e këtij vendi të lashtë. U larguam të kënaqur, me dëshirën që një ditë të ktheheshim përsëri. Pas nesh mbetën gurët dhe muret e heshtura, ndërsa në shpirt morëm me vete një pjesë të historisë së tyre.
Pas kësaj vizite vazhduam rrugëtimin drejt Durrësit. Të nesërmen, gjatë shëtitjes nëpër qytetin e vjetër, rastësisht na tërhoqi vëmendjen një ekspozitë arti. Hyrëm brenda dhe u mahnitëm nga pikturat e bukura të ekspozitës me titull „Katër stinët“.
Aty patëm kënaqësinë të takonim autorin e veprave, piktorin Sadik Kasa, i cili ishte në shoqërinë e kolegut të tij, piktorit Qazim Kurtusha. Me të dy zhvilluam një bisedë të ngrohtë për artin dhe krijimtarinë, ndërsa fotografitë e përbashkëta mbetën dëshmi e këtij takimi të këndshëm.
Kështu, kjo vjeshtë na dhuroi jo vetëm bukuri natyrore e thesare historike, por edhe takime njerëzore që mbeten gjatë në kujtesë.
Udhëtimi ynë vazhdonte, por unë tashmë e ndieja se këto dhjetë ditë do të zinin një vend të veçantë në kujtimet e jetës sime. Sepse vitet kalojnë, stinët ndërrohen, por mbresat e bukura që i përjetojmë me njerëzit tanë të dashur mbeten përgjithmonë në shpirt.

 HARDHI DIELLORE- Poezi nga RUZHDI GOLE

        (Mirush e Guljelm,
        Guljelm e Mirush.)
Ata nuk frymojnë më
të përkohshëm
erdhën ikën
si të tjerët,
valë-valë në breg
të qetë, të pabindur
në shumë brigje njëherësh.
Tani, zëri i tyre jeton tjetër tingull …
herë asgjëje gjithçka
herë gjithçkaje
asgjë,
në verë pak dimërorë ndillen
diç të ngrohtë në dimër
ndarë përkrah
xixa, llohë
pakogjë.
E përkohshme
jeton vdekja e tyre
si përhera aq e përjetshme
afërlarg, dy pllambë këtu e dikund,
Mos b’zani njitash : ekrani ndrron
stinët me plot rreze përpjekje
ata janë bashkë rendje-etje
tek xhirimi i kësaj kohe
të vërtetë … vërtet
dhe e rrejshme
hardhi diellore
herë krisur
në zemër
në kryq.
Valë – valë në breg
shumë brigje njëherësh…
Ata ndoshta lanë kahera peng
verën për dimrin, për dimërimin
zjarrminë e tyre lanë tek të tjerët.
Hardhi diellore …. Krisur kryq e zemër…

Një ngjitje e suksesshme e shkrimtarit dhe studiuesit Vladimir Xhakollari- Nga Kujtim Mateli

 

 

Vladimir Xhakollari, pas botimit të dy librave me temën historike dhe vëllimit me tregime “Shtëpia e Pyllit” (2025), vjen me vëllimin poetik: “Petalet e kujtimeve”, i cili  sjell botën shpirtërore të njerëzve kurajozë dhe guximtarë që nuk ndalen para vështirësive, sjell dëshnicarin dhe përmetarin në përpjekjet e tij për liri dhe pavarësi, bukurinë shpirtërore të njerëzve trima dhe bujarë. Poeti i këndon bukurisë fizike dhe shpirtërore të vajzës rritur brigjeve të Vjosës, natyrës së bukur dhe sidomos kurorës së kësaj bukurie që është mali i Trebeshinës.

Poeti është i lidhur fort me vendlindjen e tij, edhe pse larg, ai mban në sy një krah shqiponje që i vjen rrotull vendlindjes së tij, Katundishtës. Atje, në vendlindje, poeti Vladimir Xhakollari ndihet i mrekulluar, atje gjen forcën dhe bukurinë e vargut, atje ndjehet plot shpresë, krenar për vazhdimësinë e rrugës që çelën të parët e tij.  Poezia: “Më mungon babai e nëna” është një elegji e ngrohtë familjare, ku prindërit shfaqen jo vetëm si njerëz të dashur, por si burime drite dhe dashurie. Vargjet:

“Nga Ylli merrja dritën,
Nga Hëna dashurinë”

është figura qendrore artistike e poezisë. “Ylli” dhe “Hëna” marrin vlerë simbolike: babai paraqitet si udhërrëfyes e forcë ndriçuese, ndërsa nëna si butësi, ngrohtësi dhe dashuri amësore. Kjo metaforë qiellore e ngre figurën e prindërve mbi përmasën e zakonshme tokësore.

Poeti përdor kujtimin si strehë emocionale. Oborri, pemët, hija, bisedat, janë elemente të jetës së thjeshtë shqiptare, të cilat bëhen vende të kujtesës. Vargu:

“Flas me pemët, nën hije”

krijon ndjesinë e vetmisë së njeriut që kërkon të mbajë gjallë të kaluarën përmes natyrës.

Në strofat e fundit poezia merr dimension ekzistencial. Kurbeti nuk paraqitet vetëm si largim fizik, por si boshësi shpirtërore:

“Bosh po kthehem në kurbet.”

Ky varg ka ngarkesë të fortë emocionale, sepse tregon se mungesa e prindërve e zbraz kuptimin e kthimit në vendlindje.

Mbyllja e poezisë rikthen simbolin e yllit dhe hënës në qiell, duke sugjeruar se prindërit mbeten të përjetshëm në kujtesën dhe ndërgjegjen e birit të tyre.

Poeti nuk është njeri i zakonshëm, poeti ka një mision në jetë: i cili është i lidhur me vendlindjen dhe atdheun. Me vargje dhe me forcën e mendjes, kërkon që ta lartësojë truallin e të parëve të tij. Në çdo hap që hedh, dëgjon zërat e vendlindjes, sheh ngjyrat e agimit që shumëfishohen mbi pragjet dhe portat e shtëpive. Poeti e ka ngjashmërinë me zogjtë shtegtarë që, sado të largohen, përsëri do të kthehen tek ajo foleja e vjetër, që i pret në guvat e maleve dhe strehët e shtëpive:

“Nëpër sokakë ka rënë një heshtje e rëndë,

Një kyç i ndryshkur, mban të mbyllur derën,

Një zog këndon, si të kërkojë ndonjë shenjë,

Por një këngë e vetme s’e kthen dot pranverën.” (Poezia: Fshati që s’kthehet më)

Në poezinë e Vladimir Xhakollarit është i pranishëm njeriu i kohëve moderne, me dashurinë për vajzën që do, edhe kur nuk e ka pranë, me shqetësimet e prindërve për fëmijët që rriten dhe fluturimi i tyre i ka çuar larg, në vende të tjera. Poezia “Shpresa në majë të ëndrrës” është reflektuese dhe motivuese. Në qendër qëndron ideja se njeriu jeton falë shpresës dhe ëndrrës. Autori i trajton ato si energji shpirtërore që e mbajnë njeriun gjallë dhe të lirë. Figura:

“Shpresa dhe ëndrra janë si burim” i jep poezisë një rrjedhshmëri të natyrshme. Burimi simbolizon jetën, freskinë dhe vazhdimësinë. Ndërsa krahasimi: “Shpirti i lirë shtegton lart, përmbi re” shpreh aspiratën njerëzore për tejkalim dhe liri. Poezia ka një ton idealist. Autori beson se vetëm “shpirtrat e pa prangosur” dinë të ëndërrojnë vërtet. Kjo krijon një lidhje mes ëndrrës dhe dinjitetit njerëzor. Përdorimi i Everestit si simbol është i goditur:

“Në majë të Everestit ngjiten pak”, këtu Everesti nuk është vetëm mali fizik, por metaforë e synimeve të larta të jetës. Mesazhi është se guximi dhe këmbëngulja e bëjnë ëndrrën realitet. Poezia mbart optimizëm të qetë dhe një  besim njerëzor te forca e shpresës.

Në poezinë e tij jepet shoqëria e kohës së sotme në të gjithë dimensionin e saj: aty ku përballet guximtari dhe i pavendosuri, ëndërrimtari dhe vizionari, njeriu që guxon të sfidojë pengesat për të ngjitur një lartësi:

“Ngrihu, përqafoje jetën,

Nuk na vjen përsëri,

Jeto çastet që na mbetën,

S`kemi pse mbajmë mëri.” (Poezia: Ngrihu)

Poezia  “Bota është më shumë se kaq” ka karakter filozofik dhe meditativ. Ajo trajton kalueshmërinë e jetës dhe vendin e njeriut në rrjedhën e kohës. Që në fillim poeti krijon një ritëm reflektues:

“Dita s’është veç dritë e bardhë,
Ngryset, zbardh, e shkon pa fjalë.”

Këtu dita simbolizon vetë jetën njerëzore: kalimtare, e heshtur dhe e pandalshme.

Në strofën e dytë shfaqet dimensioni kozmik i ekzistencës:

“Para nesh ka pasur jetë,
Miliona vjet që kanë rrjedhë.”

Autori e sheh njeriun si pjesë të një zinxhiri të pafund kohe. Kjo ide e relativizon krenarinë dhe pushtetin njerëzor. Vargu:

“Koha s’mbron as mbret e skllevër”, ka forcë sentenciale dhe përmbledh filozofinë e poezisë: koha është e barabartë për të gjithë. Megjithatë poezia nuk mbetet pesimiste. Në fund ajo kalon te ideja e kujtesës dhe përjetësisë shpirtërore:

“Kujtimi yt ndriçon si dielli.”

dhe më tej:

“Ti je gjurmë me përjetësinë.”

Këto vargje sugjerojnë se njeriu jeton përmes dashurisë, kujtimit dhe gjurmës që lë te të tjerët. Poezia e Vladimir Xhakollarit është e ngrohtë dhe emocionale, të zgjon mendime të bukura për ta dashuruar jetën dhe njerëzit e mirë të kësaj toke, që i rrinë pranë  njeri-tjetrit si lulet e prillit. Ato kanë vlera të dukshme lirike dhe njerëzore dhe mbajnë aromën e përjetimit personal dhe të urtësisë së jetës, gjë që u jep ngrohtësi dhe vërtetësi artistike.

DY AMERIKAT… (Dhe parafjala e një historiani të shquar)- Nga REX KASUMAJ

Vjeshtë, 2026

 

1.
Askush dhe kurrënjëherë nuk mund t’a trajtojë të gjithë botën.

Ndërsa rishfletoja Thao Te Ching-un, ndalova në këtë mendim që zbërthen thjeshtësisht bukur fatin e perandorive të mëdha.

Nëse, sipas Kunderës, lindja e njeriut qenka një aksident natyre, aherë dhe imperiet e paanë shfaqen e rrëzohen në shëmbëllim të tij.

Mirëpo, duke vajtur përtej kufijëve të njohjes, ai këlthet i deshpëruar, por kundër kujt? Qiellit, Dhéut që hesht apo, thellë zemrës së tij strehon një dhimbje e paemër…

Ndërkaq, ndryshe nga fatet njerëzorë, kimia e imperieve është e zbërthyer plotësisht.

Çelësin e funksionimit është një dhuratë historie në dorë. Vijnë e lulëzojnë dhe, kur ora beh, rrokullisen në pluhnajën e kohës që alternohet pafundësisht!

2.
Ne kontinentalët e vjetër, në jug veçanërisht, njohim dhe identifikojmë Amerikën me tre dimensionet e saj planetare: ushtrinë e madhe sipërore, Cia-n, këtë përgjuese fshehtësish gjithandej, deri dhe në shtretër bashkëshortësh e, së mbylluri, shpresën morale që ajo shkëndijon ndër popujt e palirë.

Po njeriu i thjeshtë amerikan? Punëtori i turneve të natës, fermeri që err e terr sos ditën në fushën e dielltë, arsimtari plot zell, mjeku i sh’pisë, kamarieri i sfilitur, kadeti që flijohet në themelet e lirisë së tjetrit në një skaj të tretur rruzullimi, rojat e zotërve të epërm apo studentët që gëzojnë të drejtën virgjine të ëndrrës?

Ai ka, natyrisht, vizionin e vet alternativ të atdheut. Adhuron mrekullinë e “tokës së premtuar” mbi gjithçka. Liria, demokracia dhe mirëqenia e saj bëjnë themelin përmasor të virtytit dhe dashurisë.

E pra, është Amerika e jonë, e jashtme (e aleatit, mikut a vartësit…) dhe tjetra, Amerika e brendshme, atdhetare, e tyre.

Ndaj dhe ngjyrat e Shtëpisë së bardhë apo Kongresit madhështor, këtij simboli të përflakur lirie, nuk i përcakton dot e Jashtmja, por vullneti politik sovran i elektorit të saj.

Republikanët e Trumpit, që këtej, do të nisnin e kryenin vepra lavdie për t’i dhënë vulë amerikane gjeopolitikës së re (Venezuela, mineralet e çmuara të Ukrainës apo Grënlanda, fjala vjen) që hijeson vende e kombe të vegjël.

Por, sërish, janë interesa të tjerë shtëpie që, duke prekur indin e jetës, diktojnë profilin ideologjik të Udhëheqjes së lartë.

E, pra, Trumpi i republikanëve do të humbiste betejën e meszgjedhore me Amerikën e brendshme që sfidon përherë Amerikën e jashtme dertare.

Kudoqoftë n’për zona e pjerrina të mugëta të yllit tokë….

Mark Twain kishte shkruar njëherë me ton ironie, pak gazmore, se Zoti shpiku luftën që amerikanët të mësonin gjeografinë.

Sepse, thjeshtë, pas misionesh të fisme apo aventurash të pahir, duan të harrojnë një kohë gjeografinë. Dhe t’i kthehen prapë të përkorë e me elan vital Shtëpisë. Truallit të bekuar të botës së re…

3.
Një historian e politolog gjerman nga “Humboldt-i” prestigjioz, H. Münkler (Libri: “Welt in Aufruhr”),
parathoshte më parë perëndime Fuqish që flasin në emër të botës dhe të kohës…

Ishte një ditë dimri, fror 2024, kur ushtritë ruse kapërcenin kufirin me dëborë të Ukrainës.

Dhe nga ky ag i hershëm, bota do veshte një mantel tjetër. Të errët e gjakndjellës. Por, tashmë, të njohur qysh nga shtatori i vitit të largët 1939, në ato fusha mërzitshëm prehëse të Polonisë.

Dhe pikërisht nga ky invazion i llojit të kulluar hitlerian, do të frymëzohej për të parathënë kohën që vjen.

Janë, pra, sipas vrojtimit të tij, tri perandori mbarëbote që, duke ndjekur një kod dialektik historie, do të shkërmoqen e bien.

Por unë do të doja djegshëm që Amerika, ky aleat i dëshmuar natyral, të mbijetojë prorë (si beson dhe G. Friedman (“Bota në njëqind…”), ose, së paku, të ikën e fundit, pas Ruses së hershme dhe Kinezes së përtrirë.

Fundja, këto dy Krijesa të shëmtuara shtetërore ku njeriu jeton i rrudhur në frikën e vet, nuk do të rrokullisen nga armët e huaja, por nga mallkimi i gjakut të vet.

Kronikat e moçme rr’fejnë se kështu kanë mbaruar të tillat n’për shekuj…

(r.)

Njeriu me “Dy  ZEMRA”- Esé nga Përparim Hysi

Libri i FUAT MEMELLIT”Jetë në dy kontinente”

Natyrisht,pak do çuditeni me këtë metaforë hiperboluese : “Me dy zemra”,por kur të lexoni librin”Jetë në dy kontinente” të FUAT MEMELLIT,do të bindeni që jam fare pranë të vërtetës.  Ky libër është një libër”monografi” të familjes,por i kalon caqet e një biografie familjare. Siç vë re,pasi e lexova librin, me autorin ka ndodhur ai  fenomen, që NOBELISTJA FRANCEZE(nominimi në vitin 2022),ANNIE ERNAUX e përcakton kështu;”Të kesh jetuar diçka,çfarëdo që të jetë, të jepë të drejtën për ta shkruar atë,” Të kesh jetuar diçka është gati një fjalë goje,po ky libër ( gati libër tavoline) është e mbushur me plot”diçkara”,ku “në gjithë diçkatë” vlon një jetë  80-vjeçare e autorit që është aq e larmishme nga dje deri sot, por, në të njëtën kohë, nga më intrigueset dhe tepër interesante. Kjo rrëfenjë kaq e gjatë për jetën e autorit, vërtet që fillon nga fëmijëria,por vazhdon me zik-zake dhe kthehet si në një film  me metrazh të gjatë. Aktorët e këtij”filmi”,së pari janë familjarët dhe,dalëgadalë “skena e filmit” zgjerohet dhe aty hyjnë”bashkëfshatarët nga SINICA  e KORÇËS,ku “regjisorit të filmit” FUAT MEMELLIT i ka”rënë koka”. SINICËN,FUAT MEMELLI e ka në zemër,edhe kur erdhi në TIRANË si student në INSTITUTIN BUJQËSOR, por vazdmisht,si  shtesë apo një”vertebër” më shumë,në shtyllën  kurrizore. Fati e ndihu që të fillojë punë në TIRANË dhe,fat mbi fat: gazetar apo kameraman në TELEVIZIONIN SHQIPTAR.  As kursin për gazetar dhe as atë për kameraman, nuk e fitoi as me mik dhe as me”krahëmarrje”,përkudrazi,ky fshatar nga SINICA kish dhënë prova me shkrimet e tij në gazetat  e kohës: herë në prozë dhe herë në poezi fryt i dashurisë për librin e letërsinë.
*
Puna në televizion  ishte një punë sa e lakumueshme,por, në të njëjtën kohë, me shumë përgjegjësi. Ndërroheshin drejtorët dhe “shkopinjtë” binin mbi kurrzin e punonjësve. Anonimët me letra informonin partinë se X… po Y,,, është  me “hije” në  biografi dhe nuk është i përshtatshëm për në TELEVIZION. Shpikën dhe shpifën dhe për FUATIN dhe aq donte,drejtori i asaj kohe,Thanas Nano, duke çuar FUATIN që qe një nga profesuonistët  më të mirë. në kooperativën bujqësore  PETRELË.  Kur njihem me këtë fakt, më vijnë ndërmemebd, vargjet e PATËR GJERGJ FISHTËS që thotë;
” Me kenë i mirë,të mpesin
Me pas bisht ta presin
Për mos me pas,ta ngjesin”
Ia “ngjesën” një bisht, se  gjasme një kushëri i largët tentoi të arratiset. Qe “kohë anonimësh”,por dhe në PETRELË ai jo vetëm punoi mirë,por fitoi sa dashurinë  e njerëzve,por dhe respektin e tyre.  U verifikua”bishti që i gjesën” dhe e rikthyen përsëri në Televzion. Këtë rikthim të merituar e fitoi me sjelljen dhe dashamirësin e tij. Vajti pak si”haka tek i zoti”,  Me të ndodhi ajo që ka thënë ARISTOTELI:”Është karakteristikë e një njeriu shpirtmadh (jo më kot e ka nominuar me dyzemra),të mos kërkoj ndere, por të jetë i gatshëm të bëjë të mira për të tjerët”. U kthye dhe,kur për nevoja të Televizionit,duhej blerë kamer,filluan prapë intrigat. Ngaqë për të negociuar,duhet dije frëngjisht,se në Francë negcionohej. ,iu fut kursit intensiv për të mësuar frëngjisht. E mori  dëshminë, por nga ata që”përgjonin në hije” deshën të dërgojnë një tjetër, Megjithatë,u nis  në Francë dhe u kthye me camerë të  kohës. Po duke marrë hua një batutë nga filmat tanë:”I çali të kujton  dhe nuk të harron”, “Hija” që e ndiqte pas kurdis dy hajdutë që vjedhin camerën që ruhej në makazinë me roje. U vodh Dhe FUATIT i vënë hekurat se”nuk qe i zoti ta ruante”. Qe në gjendje makthi si e gjeçë nga mos e pandehësh.  SA u sqarua”bihti që i ngjesën”,doli i pafajshëm dhe u kthye prapë në TV. Tani skur mori “për mbarë”:gati u bë”ambasador shetitës”: në FRaNCË;Në  Gjermani;në Begjikë;Holandë dhe Itali.Ndërkaq,Fëmijët  në mërgim. Pas fëmijëve, FUAT  MEMELLI,me zemër të thyer,u nis pas fëmijëve në  AMERIKË. Edhe në BOSTON ku është vendosur.është aktiv dhe kontribon me penë në oraganet e shtypit tek”DIELLLI”,tek “ILIRIA”. Jo  vetëm kaq,takon ish- PRESIDENTIN BILL KLINTON i shpreh mirënjohjen për KOSOVËN; takon kryebashkiaken e qytetit ku jeton dhe i dhuron lule dhe një poezi për viktimat nga një akt terrorist.
                                                                               *
  Ka15-vjet në BOSTON dhe ka krijuar shoqtë në emigracion, Pra,si të thuash,tani po i rreh zemra si nënshtetas AMERIKAN.  Por,po t’i vësh të dy zemrat në kandar, ajo nga”SINICA” është më e madhe.
Se sa shkruan libër për jetën në  BOSTON dhe mëtej,në KANADA ku ka dy djemtë e familjet e tyre,kthehet prapë në SINICË. Organizon Shoqtën ku është kryetar,rindërtojnë shkollën,ujësjelllsin dhe ,sado mysliman, bëhe nismëtari për hitorikun e kishës,për t’u thënë”ndal” hamendje se kisha shtë ndëruar nga grekët. Tërë jetën e jeton vetëm për t’u bërë mirë të tjerëve.Kur shoh kontributin në dobi të komunitetit,por  he të njerëzve në nevojë, më kujton atë që ka thënë ANTISTENI,nxënësi i SOKRATIT,që ka thënë:” E vetmja gjë që nuk na i rrëmben askush,është kënaqësia që ndiejmë,kur u bëjmë njerëzve mirë”. Po si mund t’i rrëmbesh këtë kontribut FUAT MEMELLIT që ka “dy zemra”?
Duke e mbyllur, më duket që me këtë  monografi ka arritur qëllimin që i ka vënë vetes. Dhe ia ka arritur.
Por JOHN  DEWEY thotë:”Arritja e një qëllimi është pika e fillimit për një  tjetër”. Duke e mbështetur këtë thënie dhe,më tepër për t’i mbushur mendjen FUAT MEMELLIT, po citoj LES BROWN që thotë:”Nuk je kurrë i vjetër për të vendosur një qëllim  tjetër,për të ëndërruar një ëndërr të re.”.
Unë si mik që e kam, e bëra këtë shkrim  si “doganë” për librin që më dhuroi. Por,kur vjen puna tek dhuratat,më vjen pranë BRIGANE JANG që thotë:”Duaje dhuruesin më shumë se dhuratën”. Ngaqë e dua,më shumë se dhurata, e uroj FUAT MEMELLIN pak “fshatarçe”(se nga fshati kam gjakun):”Pena të të bëhet plug për të çarë arat e letërsisë ” !
                                                                  Tiranë, 2 nëntor 2026

Fluturuan dritaret prej plumbi- Cikël poetik nga RUZHDI GOLE

SPIKAMË
Rrezja spikati
nga qerpiku i drithshëm
furtuna spikati,
shpejti do të jemi
mes qeshjes, bubullimës
aty jemi…s’i shohim
i shohim tinëz
ngadalthi.
Ç’shohim përpara mijëra herë ?
Gjunjtë me më pak lëngje,
shpejt do të jemi
pasardhës të denjë
në një dhëmbje
(mos shëmbje)
do na krisin kërcinjtë,
me e pa shkop
me syze fenerë
në shpirtin
bashkëshortor
pa nëpërkën
reumatizmë.
Ç’shohim përpara
mbarëprapthi?
Spikati rrezja,
furtuna
spikati.
ECJE PYLLI
Mëngjesi, në mjegull, këndellur
pylli plot shtigje
duket
sikur e ka humbur shtegun.
Ecën edhe pylli? Ndoshta …
poshtë me rrënjët
e mpleksura
sipër
shthurrur
sa bota.
Gishtrinjtë e acartë të mëngjesit
të gjallë pa thonj e baltë
sot e nesërmi.
E paskam humbur unë shtegun
pak, fare pak,
në Bamberg shtigjet
mua më bëjnë të lumtur
m’i kthjellojnë rrugët tempuj
lakadredhas, rrallë t’acartë.
Ndoshta …
rrënjët e mpleksura poshtë
sipër shthurrur botë sa bota.
ZOJA NDIH
Zoja më e re e këshillit të mirë
thurr dantellën e mëngjesit
me përshpirtje e me fill,
me fillin e etjes
të  vesës,
nën qirinj’
të shpresës.
Patjetër kjo Zoj’ kaq hijerëndë
nuk puth por don të puthet
lutjet e reja nuk janë
në hënë
por tek ujërat e shenjtë
sot nesër
tek afresku i buzëve.
Iu afrova një çast kësaj Zoje
me falje e lajka ëndërrt,
me hojet e saj rroja
k’saj bote
drojeve
Zoti
shtrembër
më shihte
por paprit’.
më ndihu zemër.
Zoja e këshillit të mirë
tek afresku i buzëve
gjoja të puth s’din
veson
nuk shterr
puthjeve…
SHAMI BOTE
M’u rrit mjekra sa u rrojta,
goja lidh
me shami
nga bota,
sytë pak rrezm,
bëj të dal përpjetë
ka gropa
dimëra të sertë
nga mortja,
lëvrijnë shpejt
gjarprinjtë
epokash…
…dikur isha qytet..
Pash më pash tash
rrënojë hoplash,
gojëlidh’
me shami
nga bota.
DRITARE PLUMBI
Fluturuan, fluturuan gjer sot ditët
me dritare të mbyllura përqark,
Ylberi nuk doli
diku rronte mëditës
ndritën stuhitë
paprit’
brofje ngadaltë
Me çark dita zuri çfarë mundi
ndoshta njeriun e lodhur përreth,
fluturan ditët me dritare prej plumbi
që ne jashta qentë mos t’i ndigjonim
por ata lehnin shqyeshin brenda nesh.
Fluturan dritaret e ditëve prej plumbi…

Të njoh mirë kush je- Poezi nga Elida Buçpapaj

ti shtirje
deri në përzirje
që ngjitet si tejë
veç belin dredh
pa i marrë lejë
lukunisë politike
jargos në strofull
zhapinjsh
e nepërkash
vorbull
me teser klinike
.
asnjë hap s’e hedh
pa i thurur
e përgjunjur
partisë tënde korte
si besnike e përdëllyer
me besë eskorte
.
besnikërinë
ta ka mëkuar
që në djep partia
me lot krokodili
e ovacione histerie
sa për sy e faqe
në tru thellë
të ka ngulitur
tradhtinë
që të bësh
me djallin paqe
.
ti je produkt i skaduar
në tezgat e shitjes
me shumicë
të tregut partiak
të shëmtesës
që të dha emrin e vet
plehu i tranzicionit
si i vetmi shansi yt

i mbijetesës

Liria me gabime drejtshkrimore- Poezi nga Enver Rexhaj

Një ditë, në shesh,
një njeri po kërkonte të vërtetën.
E pyetën:
— Çfarë ngjyre ka?

Ai tregoi qiellin.
— Gabim, — i thanë. — Qielli është i yni.

Tregoi detin.
— Edhe deti gënjen, — thanë, — ne kemi dokumente.

Pastaj nxori zemrën nga gjoksi
dhe ua vendosi mbi tavolinë.

Ata e shqyrtuan gjatë,
i matën rrahjet,
i numëruan plagët,
i kontrolluan vulat.

— Nuk është në formatin e duhur, — thanë më në fund.

Dhe e dëbuan nga sheshi.

Turma duartrokiti.
Disa nga bindja,
disa nga frika,
të tjerët sepse duartrokitnin të gjithë.

Një fëmijë pyeti të atin:
— Po nëse ai kishte të drejtë?

I ati ia mbuloi gojën me pëllëmbë.

— Mos pyet gjëra që të lënë pa miq.

Vitet kaluan.
Sheshi u mbush me statuja,
rrugët morën emrat e heronjve,
dhe e vërteta u shpall festë zyrtare.

Atë ditë, të gjithë dolën për ta kremtuar.

Edhe unë dola.

Mbaja një pankartë ku shkruhej:
LIRI!

Por, kur policia më pyeti se çfarë kuptoja me atë fjalë,
e palosa pankartën me kujdes
dhe u thashë:

— Më falni. E kam shkruar gabim.
Doja të thosha:
Qetësi.

PO BIE SHI- Poemë nga Isuf B.Bajrami

…mbi palcën e qenies, kujtesën dhe përjetësinë

Po bie shi mbi trupin tim të lodhur,
Si mbi një lis, në vetmi të ngelur,
Që rrufetë e Zeusit e kanë goditur,
Por rrënjën në palcë të dheut s’ia kanë shkëputur.

Në palcën e kockës fle një histori,
E gdhendur nga koha me plagë e kujtime,
Në rrënjën e tokës pulson e njëjta jetë,
Që lind nga dhimbja dhe çel në agime.

Në trupin tim shtrihet një hartë e lashtë,
Me lumenj në damarë e me male në eshtra,
Me dete që vlojnë në thellësi të gjakut,
E horizonte të mbyllura pas mureve të heshtjes.

Po bie shi…

Mbi mishin e çarë nga rrufetë e moteve,
Mbi kockën e krisur në thellësi të palcës,
Aty ku as drita nuk depërton pa dhimbje,
Ku heshtja ruan gjurmët e dhunës së natës.

Dikur muret ma matën frymën me gurë,
E nata ma numëronte rrahjen e zemrës,
Por unë në errësirë ruaja një agim,
Që asnjë mur s’mund ta burgoste në thellësi të qenies.

Zeusi mbi mua lëshonte rrufetë e qiellit,
Atlasi më mësonte peshën e ekzistencës,
Prometeu në palcë ma ruante zjarrin,
E Odiseu më printe në udhët e qëndresës.

Si Atlasi, mbi supe mbaj barrën e kohës,
Si Prometeu, në shpirt ruaj zjarrin e lirisë,
Si Odiseu, lundroj nëpër dete të pafundme,
Drejt Itakës së mallit, të rrënjëve e dashurisë.

Po bie shi…

Dallgët e kohës përplasen mbi mua,
Furtunat tronditin shkëmbinj e male,
Por rrënjët e mia, thellë në tokë,
Ruajnë kujtesën e brezave të gjallë.

Mali më njeh, se prej tij kam qëndresën,
Lumi më njeh, se në gjak kam rrjedhën,
Deti më njeh, se në shpirt kam thellësinë,
E qielli më njeh, se me të ndaj pafundësinë.

Në trupin tim, si në hartën e dheut,
Ka vija që koha i vizatoi me dhunë,
Ka pjesë që i ndan largësia e kufirit,
Por rrënjët e tyre pinë nga i njëjti lumë.

Nuk ndahet mishi nga kujtesa e trupit,
As rrënja nuk harron prejardhjen e vet,
Se çfarë ndan dora në hartën e kohës,
E bashkon shpirti në përjetësinë e vet.

Nuk jam vetëm unë që përballem me shiun,
Në mua kalojnë shumë breza e mote,
Jam një degë e një pylli të lashtë,
Që ende kërkon pranverë për këto troje.

Po bie shi…

E shiu depërton në plagët e vjetra,
Por nuk i shuan dot gjurmët e kujtesës,
Se disa dhimbje nuk kërkojnë mëshirë,
Por vetëm të mos humbasin në harresë.

Jam lis i vetmuar, por jo pa rrënjë,
Me degë të përkulura, me ballin në hënë,
Erërat më shkundin, furtunat më ndjekin,
Por rrënjët e mia në thellësi më mbajnë.

E dashuria…

Ajo nuk njeh kufij të kohës,
As largësi malesh, as thellësi detesh,
Ajo është fara që çan zemrën e gurit,
Është rrënja që lidh njeriun me dheun.

Është shiu që prek trupin e lodhur,
Është dielli që zgjon farën në tokë,
Është fryma e shenjtë në thellësi të qenies,
Që i jep shpirtit dritë kur gjithçka hesht.

Njeriu është natyrë që mësoi të ndiejë,
Natyra është heshtje që mësoi të flasë,
E dashuria është ura mes të dyjave,
Që i jep kuptim jetës edhe kur ajo dhemb.

Në çdo grimcë të trupit më flet një univers,
Në çdo grimcë të dheut më flet një jetë,
Ndoshta jemi pluhur i yjeve të lashtë,
Që për një çast mësuam të quhemi dashuri.

Po bie shi…

Mbi trojet ku historia ka lënë gjurmë,
Mbi gurët që ruajnë emra e kujtime,
Mbi lisat që panë perandori të shuhen,
E mbi rrënjët që mbetën gjallë ndër stuhitë.

Në këtë tokë, ku brezat u bënë kujtesë,
Ku guri mësoi të flasë me heshtjen,
Ku gjaku u bë dëshmi e ekzistencës,
Liria u rrit në palcën e dheut, si shpresë.

Se liria nuk është veç një fjalë,
As një flamur që valëvitet në erë,
Është fryma që kalon nga brezi në brez,
Është rrënja që mbetet kur trupi bëhet dhe.

Kur të pushojnë dallgët e shekujve,
Kur Zeusi të heshtë mbi kupolën qiellore,
Kur Atlasi ta lëshojë barrën e botës,
E Prometeu të ndezë zjarrin e agimit të ri,

Unë, si Odiseu, do të kërkoj Itakën,
Jo për t’u kthyer aty ku dikur kam qenë,
Por për të gjetur atë që koha s’ma mori:
Rrënjën, kujtesën dhe shpirtin që më mban.

Po bie shi…

Por shpirti im nuk përkulet nga stuhia,
As nuk e shuan shpresën errësira,
Se mund të copëtohet trupi në shumë horizonte,
Por jo një shpirt që i ka rrënjët në liri.

E kur të pushojë shiu mbi këtë lis,
Kur degët të lahen nga lotët e motit,
Ndoshta do ta kuptojmë të vërtetën e jetës:
Se edhe dhimbja mund të bëhet burim i dashurisë.

Ndoshta nuk është qielli ai që qan,
Por njeriu që s’di ta shprehë atë që ndien,
Ndoshta toka nuk pret vetëm pranverën,
Por dashurinë që në çdo plagë mbin.

Se unë jam toka, jam deti, jam mali,
Jam rrënja që mbijeton nëpër shekuj,
Jam njeriu që kërkon kuptimin e jetës,
Jam dashuria që sfidon edhe vdekjen.

PO BIE SHI…

Shiu edhe mund të pushojë,
Stuhitë mund të largohen,
Por ajo që njeriu shkruan me palcën e shpirtit nuk thahet …

DHE UNË ENDE QËNDROJ!

Vendi i Lekës,03.11.2026

TOKË FLUTURIMI – Cikël poetik nga RUZHDI GOLE

*
Detin lë pas
poshtë kodrat
qiellin lexoj në ajër,
shoh krahun e avionit
degëz’ drithërimi ndoshta
valë dhe gjeth’ nga krahët.
Jashta,
në të ftohtë
mes hojeve të ajrit
krahët e avionit s’i ndjehen,
zjarrmive buzë puth mes reve?
Mirëfilli së thelli,
këtu, dikund tjetër
më valëzojnë krahët.
Poetin lexoj në ajër.
*
Se si më duken,
njëherë ato nuk mugen
veç të bukura, të hajthme,
qeshin plot hir, xixa buzëve
herë ikona, herë afër përqafje.
Gjatë s’i vështroj dot
njerëzit ngahera nguten
hipin shkallët
pas lënë aeroport,
ah, t’isha bileta e fundit
e fluturimit
për tutje
me një nga ikonat
fshehtas
përqafje në gjoks.
*
Në Erlangen shëtis me pemët…
Ato më rrinë përkrah
në të gjitha çastet
prej tyre
gjethojnë bletë.
Hoje të gjelbërta
dita dhe nata,
të gjitha
çastet
bletë të paqme në Erlangen.
*
Pyll ndin
se po puthet
nga buzë dimri,
i kthjellët syri i ujrave
më i freskët gjaku alpin,
çdo rrekje shkund
hapat e fundmë hirin,
të kraharojmë … më pa u thinj.
Hirnon kalimthi horizonti
hop me gulçe tjera merr frymë
mbrëmja pyllit ia rrëzëllin kryqet,
në Nuremberg jetoj sonte
dhe miliona hapa larg
rrethrrotull atje
me kotjen
(e mortjes)
mes grushteve…
Pylli ndin
se po puthet.
*
Më pak se të tjerët e ndiej atdheun
dheun e tretur të Atit Kastriot,
Përkrenarja ime është thyer
edhe dehur nga triumfet
tona kalorsiake atbotë.
Vetëm një Skënderbe
trokon përkrah meje,
më sheh mua
me hijen shegë të krisur,
gjaku që pikon
s’është më dehje
por bir i arratisur…
*
Pa pandehur
jo aq pa pandehur
por si kujtesë në Nuremberg
më shfaqet një nga fantazmat
më rrëngjethëse të planetit,
Njerëzimi kujtohet për eshtrat
që ia thyen në terr
dhe ende
kurrkund s’i gjen
ende sot
në epokën e vranët
të ofshamave me helm…
më duket sikur edhe sot
plasariten statujat
vet kontinenti.
Në Nuremberg,
një brengë m’afrohet
më shumë se një jetë.
Jo pa pandehur, por kujtesë…
*
Shputat e mugut, të tjera hapa
drobitur ca nga plasat e jugut
ndez’ nga fluturat, flakëzat.
Duke jetuar veriun
kreshtëza, shpella
shputat e mugut
dredhojnë dinake,
borën e lume lënë
tek kufiri i turbullt
vet fshihen diku
gjurmë pa naze.
*
Acari gjerman sonte s’rri këmbëkryq…
Bota kërkon gjithandej shandanë
jo bota e madhe por e vockëla
që nis nga hapi i mbramë
për të shkuar në hënë
jo në hënën veç mall
por rënë pellgjeve
përmbys.
Acari gjerman
askund fshehur, askund përzënë
sonte rri këmbëkryq plot shandanë.
*
Këtu,
në Nuremberg
mëngjesi mbi fshatra
harliset frymëshenjtë.
Po atje tek vendi im ?
Mëngjesi ushqen
nga pak fshatarakët,
fusha ofshan
nga therrja në shpinë
pi ujëra e baltëra
përtyp
bukëpakët.
Mbjellja atje ofshan gjatë
cekët e thellë,
dy kallëza
ah, sa pak
për kurorë pastë
nga korrjet
e ardhshme,
tash për tash
mëngjesi
ushqehet
nga frutet
e pemës erë
fshatarakët e mi
me kothere perëndimi
ushqehen afër ndajnate.
*
Shoh jashta…
Terri zë vend nëpër eter
mbi peisazhe të larmë,
m’afrohen degë zogj
pa u ndjerë
zbresin nga qielli ngjiten lart.
Sot, të gjitha të fshehtat
më shumë i fsheh bota
kur fluturojmë ngahera
me krahë përdëlimi
terri
jashta përjashta
nder teshat e zeza
për çaste të ngrohta
zë vend
ndonjë lugine
shpejt nuk ka fat zgjimi…

Send this to a friend