Vjeshtë, 2026
1.
Askush dhe kurrënjëherë nuk mund t’a trajtojë të gjithë botën.
Ndërsa rishfletoja Thao Te Ching-un, ndalova në këtë mendim që zbërthen thjeshtësisht bukur fatin e perandorive të mëdha.
Nëse, sipas Kunderës, lindja e njeriut qenka një aksident natyre, aherë dhe imperiet e paanë shfaqen e rrëzohen në shëmbëllim të tij.
Mirëpo, duke vajtur përtej kufijëve të njohjes, ai këlthet i deshpëruar, por kundër kujt? Qiellit, Dhéut që hesht apo, thellë zemrës së tij strehon një dhimbje e paemër…
Ndërkaq, ndryshe nga fatet njerëzorë, kimia e imperieve është e zbërthyer plotësisht.
Çelësin e funksionimit është një dhuratë historie në dorë. Vijnë e lulëzojnë dhe, kur ora beh, rrokullisen në pluhnajën e kohës që alternohet pafundësisht!
2.
Ne kontinentalët e vjetër, në jug veçanërisht, njohim dhe identifikojmë Amerikën me tre dimensionet e saj planetare: ushtrinë e madhe sipërore, Cia-n, këtë përgjuese fshehtësish gjithandej, deri dhe në shtretër bashkëshortësh e, së mbylluri, shpresën morale që ajo shkëndijon ndër popujt e palirë.
Po njeriu i thjeshtë amerikan? Punëtori i turneve të natës, fermeri që err e terr sos ditën në fushën e dielltë, arsimtari plot zell, mjeku i sh’pisë, kamarieri i sfilitur, kadeti që flijohet në themelet e lirisë së tjetrit në një skaj të tretur rruzullimi, rojat e zotërve të epërm apo studentët që gëzojnë të drejtën virgjine të ëndrrës?
Ai ka, natyrisht, vizionin e vet alternativ të atdheut. Adhuron mrekullinë e “tokës së premtuar” mbi gjithçka. Liria, demokracia dhe mirëqenia e saj bëjnë themelin përmasor të virtytit dhe dashurisë.
E pra, është Amerika e jonë, e jashtme (e aleatit, mikut a vartësit…) dhe tjetra, Amerika e brendshme, atdhetare, e tyre.
Ndaj dhe ngjyrat e Shtëpisë së bardhë apo Kongresit madhështor, këtij simboli të përflakur lirie, nuk i përcakton dot e Jashtmja, por vullneti politik sovran i elektorit të saj.
Republikanët e Trumpit, që këtej, do të nisnin e kryenin vepra lavdie për t’i dhënë vulë amerikane gjeopolitikës së re (Venezuela, mineralet e çmuara të Ukrainës apo Grënlanda, fjala vjen) që hijeson vende e kombe të vegjël.
Por, sërish, janë interesa të tjerë shtëpie që, duke prekur indin e jetës, diktojnë profilin ideologjik të Udhëheqjes së lartë.
E, pra, Trumpi i republikanëve do të humbiste betejën e meszgjedhore me Amerikën e brendshme që sfidon përherë Amerikën e jashtme dertare.
Kudoqoftë n’për zona e pjerrina të mugëta të yllit tokë….
Mark Twain kishte shkruar njëherë me ton ironie, pak gazmore, se Zoti shpiku luftën që amerikanët të mësonin gjeografinë.
Sepse, thjeshtë, pas misionesh të fisme apo aventurash të pahir, duan të harrojnë një kohë gjeografinë. Dhe t’i kthehen prapë të përkorë e me elan vital Shtëpisë. Truallit të bekuar të botës së re…
3.
Një historian e politolog gjerman nga “Humboldt-i” prestigjioz, H. Münkler (Libri: “Welt in Aufruhr”),
parathoshte më parë perëndime Fuqish që flasin në emër të botës dhe të kohës…
Ishte një ditë dimri, fror 2024, kur ushtritë ruse kapërcenin kufirin me dëborë të Ukrainës.
Dhe nga ky ag i hershëm, bota do veshte një mantel tjetër. Të errët e gjakndjellës. Por, tashmë, të njohur qysh nga shtatori i vitit të largët 1939, në ato fusha mërzitshëm prehëse të Polonisë.
Dhe pikërisht nga ky invazion i llojit të kulluar hitlerian, do të frymëzohej për të parathënë kohën që vjen.
Janë, pra, sipas vrojtimit të tij, tri perandori mbarëbote që, duke ndjekur një kod dialektik historie, do të shkërmoqen e bien.
Por unë do të doja djegshëm që Amerika, ky aleat i dëshmuar natyral, të mbijetojë prorë (si beson dhe G. Friedman (“Bota në njëqind…”), ose, së paku, të ikën e fundit, pas Ruses së hershme dhe Kinezes së përtrirë.
Fundja, këto dy Krijesa të shëmtuara shtetërore ku njeriu jeton i rrudhur në frikën e vet, nuk do të rrokullisen nga armët e huaja, por nga mallkimi i gjakut të vet.
Kronikat e moçme rr’fejnë se kështu kanë mbaruar të tillat n’për shekuj…
(r.)