Çka duhej të ishte një kthim i gëzueshëm në atdhe për të ndarë gëzime që ndryshojnë jetën, u shndërrua në një kalvar të rëndë izolimi, humbjeje të dhimbshme personale dhe një dënimi të mundshëm prej 15 vitesh burg.
Kristian dhe Adriana Gjoni, një çift i ri nga Toronto, morën një nga fluturimet e para direkte të Air Transat nga Aeroporti Ndërkombëtar Toronto Pearson drejt Tiranës, Shqipëri.
Kristiani, një biznesmen në fushën e teknologjisë me origjinë nga Lezha e Shqipërisë, dhe bashkëshortja e tij Adriana ishin të etur të surprizonin të afërmit e tyre me lajmin se ishin në pritje të fëmijës së tyre të parë.
Para se të largoheshin nga Kanadaja, çifti kishte marrë çdo masë paraprake. Pasi kishin parë raportet investigative mbi “ndryshimin e etiketave të bagazheve” – një taktikë kontrabande në të cilën punonjës të korruptuar të aeroportit heqin etiketat e bagazheve nga valixhet e udhëtarëve dhe i vendosin në çanta të mbushura me kontrabandë – Gjonët ndoqën këshillat zyrtare të udhëtimit të qeverisë kanadeze.
Ata fotografuan me kujdes katër valixhet e tyre të regjistruara së bashku me etiketat e bagazheve të bashkangjitura përpara se t’i dorëzonin në aeroport.
Makthi i çiftit filloi pak çaste pasi zbritën në Tiranë. Një oficer doganor shqiptar i ndaloi dhe i pyeti pse një nga katër valixhet e tyre nuk kishte etiketë bagazhi. Kristiani shpjegoi se si pasagjer, ai nuk kishte asnjë kontroll mbi mënyrën se si stafi i linjës ajrore ose i aeroportit i trajton valixhet e tij.
Pas mbajtjes së çiftit për rreth dy orë e gjysmë, oficerët e shoqëruan Kristianin në zonën e marrjes së bagazheve dhe e urdhëruan të merrte një valixhe të vetme, të padeklaruar.
Kristiani protestoi menjëherë se çanta nuk i përkiste atij. Autoritetet shpërfillën kundërshtimet e tij dhe e hapën valixhen përpara një turme spektatorësh dhe kamerash, duke zbuluar 23.15 kilogramë kanabis.
Duke besuar se fotografitë në telefonin e tij do t’ia pastronin menjëherë emrin, Kristiani u tregoi autoriteteve fotografitë e bagazheve të tij reale të bëra në Aeroportin Pearson. Në vend që ta shfajësonin, masa paraprake u kthye kundër tij
Të panjohur me skemën e ndërrimit të etiketave që ndodh në aeroportet e Amerikës Veriore, policia shqiptare i cilësoi fotografitë si “jashtëzakonisht të dyshimta”, duke i trajtuar ato si provë të një fshehjeje të llogaritur dhe jo si provë pafajësie.
Pavarësisht se nuk kishte asnjë dosje kriminale, organet shqiptare të rendit e etiketuan atë si trafikant ndërkombëtar droge dhe e plasën në qeli për katër ditë.
Një qeli pa dritare, nën një dritë fluoreshente që nuk u fik kurrë. Për të ruajtur shëndetin mendor, ai krijoi një shah të improvizuar duke përdorur hi cigareje dhe bojë të gërryer nga muret.
Ndërkohë, trauma ekstreme mori një kahje katastrofike për Adrianën. Duke përjetuar një traumë të rëndë ndërsa ishte e ndaluar, ajo u dërgua me urgjencë në një spital lokal. Për më tepër, një ekografi fillestare dështoi të zbulonte shtatzëninë e hershme, duke bërë që autoritetet shqiptare të akuzonin publikisht çiftin se kishin sajuar shtatzëninë për të shmangur kontrollin doganor.
Analizat e mëvonshme të gjakut si në Shqipëri ashtu edhe në Kanada konfirmuan se ajo kishte qenë shtatzënë — dhe se kishte dështuar një bebe si rezultat i kalvarit të drejtësisë (tiranisë) shqiptare.
Vlen të theksohet se Gjonët nuk kishin qenë të vetmit viktima në atë fluturim. Një tjetër pasagjere kanadeze në bordin e të njëjtit avion u ndalua pasi etiketa e bagazhit të saj u zbulua në një valixhe të veçantë të mbushur me rreth 23 kilogramë kanabis.
Megjithëse ajo përfundimisht u lirua pa akuza, Kristiani nuk kishte atë fat. Përse u lirua ajo dhe jo Kristiani? Shqiptarët e dinë përgjigjen.
Kristiani përfundimisht u lirua me kusht pasi ekipi i tij ligjor u paraqiti gjykatave shqiptare prova që detajonin cenueshmërinë e vazhdueshme të manipulimit të bagazheve në Aeroportin Toronto Pearson.
Madje edhe Policia Mbretërore Kanadeze (RCMP) vërtetoi dëshminë e tij.
Edhe pse Kristianit i është lejuar të kthehet në shtëpi në Toronto, ai mbetet nën kushte të rrepta garancie që kërkojnë që ai të fluturojë përsëri në Shqipëri çdo katër muaj vetëm për t’u paraqitur tek autoritetet vendase. Atij i është caktuar të dalë në gjyq në fillim të vitit 2027, ku një dënim i mundshëm mund të mbartë deri në 15 vjet burg.
Ndërsa pasagjerja kanadeze, valixhja e manipuluar e së cilës ishte me kanabis u lirua menjëherë, Kristiani me shtetësi shqiptare u arrestua dhe gruaja e tij humbi një bebe nga situata e krijuar nga policia shqiptare.