Në focus: Drama e ndaluar “Stuhi në prill” e Skënder Luarasit, “Ishin të gjithë bijtë e mi” e Artur Milerit etj.
Në prag dhe pas Plenumit të Katërt të PPSH, qershor 1973, u vunë në shënjestër autorë dhe vepra që u konsideruan me gabime të rënda ideologjike. Kritika zyrtare, kritikët dogmatikë të socrealizmit dhe censuruesit e të gjitha niveleve e strukturave, karikuan energjitë dhe morën një hovzim të pa parë, të zbulonin shfaqjet e huaja edhe atje ku nuk kishte që të tregonin devotshmërinë dhe besnikërinë ndaj Diktatorit të Madh.. Në shënjestër: disa vepra dhe autorët e tyre që ishin në rreth të kuq.
***
Për një fjalë goje të transferonin në skajet më të largëta të vendit, të çonin në punën krahu, në internim, po edhe në burg.
2
Nga botimet në revistën “Teatër” që drejtoja unë, censuruesit e zinj kishin piketuar dramën “Stuhi në prill” të Skënder Luarasit, “Ishin të gjithë bijtë e mi” të Artur Milerit, “Një natë e shkurtër qershori” dhe “Jashtë bie shi” të Minush Jeros, por jo dramën “Mosha e bardhë” e Dritëro Agollit, të cilën e bëmë karton para se të dilte në qarkullim, megjithëse se ishte nja dramë me vlera dhe pa gabime ideologjike, siç e kam paraqitur në studimin “Pse u nndalua drama “Mosha e bardhë” për frazën “Mos po diskretitohet Dritëroi që bëmë kryetar të LSHASH” që kryeministri Mehmet Shehu ia artikuloi ministrit të arsimit Thoma Deliana.
3
Si botues duhej të përballoja akuzat në gjyqin ideologjik (prej dy ditësh) që u zhvillua në Shtëpinë Qëndrore të Botimeve Skenike. Sipas modelit sovjetik mbante emëtimin “Shtëpia Qëndrore e Krijimtarisë Popullore” edhe pse nuk botonte folklor, por drama, komedi dhe pjesë me një akt për teatrin; skeçe, grimca humoristike dhe parodi e kuplete për estrradën; vepra muzikore e koreografike dhe materiale medodike për tre sektorët: i Skenës, Muzikës e Koreografisë dhe Kulturës Masive.
4
Ekipi i gjyqit tim ideologjik kryesohej nga Pipi Mitrojorgji funksionar i lartë në Aparatin e KQP, përfasues nga Komiteti i Kulturës dhe Arteve, Komiteti i Partisë të Tiranës, Komiteti Ekzekutiv dhe Bashkimet Profesionale.
Pas akuzave se në revistën “Teatër” janë botuar vepra me gabime ideologjike nga mungesa e vigjilencës revolucinare dhe moszbatimi i porosive të partisë e shokut Enver, Mitrojorgji, merr një pozë prej prokurori dhe më drejtohet mua: “Ngrihu më këmbë dhe na thuaj, këtu, përpara kolektivit: Përse e bototove dramën “Stuhi në prilll” të Skënder Luarasit e cila ka në thelb idenë e importimit të revolucionit sipas Luftës së Spanjës?”
5
Kjo pyetje idiote që ua kishte servirur një kritik që të kujton personazhin Mitro Karapataqi të Dritëro Agollit, te romani humoristik “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo”, më dha mundësinë e lirimit nga stresi… U them, një ide të tillë nuk e përmban kjo vepër. Dhe lexoj një fragment nga teksti i dramës që e kisha lexuar më përpara në një mbledhje për shfaqjet e huaja dhe qëndrimet liberale në drejtorinë e institucionit, ku ishte edhe Mantho Bala, kryetar i Komitetit të Kulturës dhe Arteve.
***
(Në dhomën e drejtorit jepet Hymni Kombëtar. Në radio kumbon zëri i spikerit): “Dëgjoni shqiprarë, ju flet Madriti: / Shqiptarë, rrokni armët, përgaditi. / fashistët italianë do t’ju sulmojnë, / atdhenë e Skëndërbeut ta robërojnë. / Shqipërinë dhe Ballkanin ta pushtojnë. / Gaditi shokë, botës t’i tregoni, / që mëmëdhenë dini si ta mbroni.”
I***
Me qetësi, u them, në shtresat dhe në nështresat e këtij teksti, nuk lexoj importim revolucioni, por thirrje nga luftëtarët e Spanjës që luftonin për mbrojtjen e Republikës dhe për liri e drejtësi sociale….“Mjaft! Mjaft!”- më ndërpret Mitrojorgji. (Nuk e prisnin këtë përgjigje!).. Pas një pauze të shkurtër më drejton gishtin kërcënues:“Thellohu djalë, thellohu në materialet e partiisë dhe të shokut Enver”. Unë kështu e kam kuptuar, ndoshta jam i paaftë… (më ndërpret përsëri) “Leri ato ti, s’i ha partia. Ty të kemi specialist të teatrit dhe dramaturgjisë, tregohu i hapur me partinë“. Dhe me një retorikë prej komunisti dogmatik enverist, foli se si kanë depërtuar shfaqjet e huaja dhe qëndrimet liberale e borgjezo-revizioniste tek njerëzit me lakra në kokë , kur nuk janë zbatuar mësimet e partisë. E të tjera, e të tjera….
6
Sajesa e termit “importim revolucioni’ nga një kritik, sherr-budalla kish provokuar si të paaftët ashtu edhe të aftët diabolikë…. E vërteta që s’thuhej ishte fakti që Enver Hoxha nuk i donte djemtë shqipatarë që dolën vullnetarë dhe luftuan si heronj në Luftën e Spanjës.
Nuk e donte as Skënder Luarasin, as Petro Markon, madje as Mehmet Shehun e të tjerë.
***
Sipas meje ky ishte njeri nga argumentet kryesore që refuzohej nga gjeniu i së keqes Enver Hoxha, drama“Stuhi në prill”. Një argument tjetër substancial ishin personazhet e ngjarjet që zhvilloheshin në periudhën e pushtimit të vendit tonë nga Italia fashiste, të cilat i flisnin me gjuhën e artit dramatik realitetit të asaj periudhe, por edhe në mënyrë tropologjike edhe realitetit të pasluftës, ku mund të hiqen paralelizma e të personalizohen personazhet e veprës me personazhet historikë të jetës reale.
7
Siç artikulova më sipër u gjykova edhe për drama të tjera. “Ishin të gjithë bijtë e mi” e Artur Milerit, e cila akuzohej se përshkohej nga “humanizmi mbiklasor”. Sipas ekipistave lexuesit i vjen keq që vetëvritet protagonisti i dramës Plaku Keler, pronar i një fabrike që prodhonte pistona aeroplani, edhe pse gjatë një kontrolli pistonat u konstatuan se kishin defekte dhe ai urdhëron të niset urgjent aeroplani për të bombarduar në Vietnam. Hataja ndodhi në fluturim. U shpjegova se Kelerin, autori e fut nëpër situata të rënda psikkologjike dhe trysni nga të gjitha anët duke e akuzuar si vrasës i pilotëve dhe të biritt pilot, – sa nuk e përballon dot të vertetën dhe vetëvritet.
***
Ekipisti Hulusi Hizma, përfasqsues i KKA, më thotë, përgjigju Mexhit, pse i vjen keq lexuesit? A nuk është ky “Humanizëm mbiklasor?
Hë, përgjigju, e merr fjalën Llambi, sekretari i organizatës bazë të partisë i cili nuk kishte lexuar as këtë dramë po as edhe ndonjë dramë tjetër.
Ngrihem më këmbë. Mua nuk më vjen keq fare, fare, për këtë kriminel që për të fituar para vret dhe te birin… Nuk besoj t’i vijë keq as lexuesit. Llambi hedh vështrimin te Mitrojorgji. Ai, me qetësi të frikshme, përsërit thënien standarte: “Thellohu, Mexhit, thellohu në mësimet e shokut Enver”.
***
Ndërsa drama “Një natë e shkurtër qeshori”, akuzohej për debatet e komisarit me një komandant të Ballit që nuk zbatohej qëndrimi i partisë se me armikun nuk bisedohet, por flitet vetëm me gjuhën e pushkës… (Trajtuar në librin KRITIKA -2, “Drama dhe spektakli I ndaluar” )
8
Ndalem te “Stuhi në prill”. Është dramë historiko-satirike, e shkruar nën ndikimin e veprave të Shekspirit. Sipas meje, në rrafshin e ideve dhe të mesazheve përmban vlera të larta; mesatare në portretizimin e personazheve, ndërsa në strukturimin e dramës vlerat janë minimale, nuk mungojnë edhe jovlerat. Në tërësi vlerësoj arsenalin e pasur të mjeteve figurative artistike, ironinë dhe satirën e mprehtë therëse që përshkojnë tejembanë teksin e veprës, ashtu si dhe realizmin si reflektim i realitetit, ku personazhet realë, historikë integrohen me personazhet fikshën.
Kjo është veçori e stilit të autorit ashtu siç është edhe mënyra e mishërimit atistik të ideve patriote, filozofike, sociale e politike dhe atyre të dashurisë e urrejtjes, duke stigmatizuar të keqen nga pozitat e së mirës, sidomos figurat negative, si nëpërmjet rrëfimit e përshkrimit të autorit, por edhe veprimeve e bëmave të tyre, çka kanë provokuar mendjen diabolike të Diktatorit, i cili tek ndonjë personazh apo disa, ka parë edhe personalizimin e vetëvetes.
9
Një semantikë të tillë e shprehu në mënyrën e tij djallzore edhe SH.GJ. në tubimin e dramaturgjisë që u zhvillua nga LShASH. Me që kishte bërë lesharapi hierarkinë e vlerave, duke kritikuar mbarë e mbrapsht vepra dhe autorë, këtë moment e shihte si shans që të fitonte pikë, të pëlqehej nga Qoftëlargu e të sfidonte edhe ata që e urrenin.
E nis ligjërimin e tij fjalët vrastare: “Jam indinjuar dhe skandalizuar kur kam lexuar dramën “Stuhi në prill” të Skënder Luarasit, botuar ne revistën “Teatër”. Professor Papazi, protagonist i dramës, është një figurë komplekse, krejtësisht negative, me shumë fytyra, filogrek, mashtrues e mistifikues, personifikim i të gjitha të këqijave. (Thekson) Aludohet për Shokun Enver!… “
***
Qetësi absolute në sallë. Edhe tronditja edhe frika kishin ngrirë. Po askush s’e dinte që botuesi i kësaj drame, ishte shokuar nga akuza rrënqethëse e tronditëse e kritikut Gj.Sh. i cili as nuk e vriste mendjen se çmund të pësonte botuesi. Përkundrazi me zjarr filloi të kritikojë përsëri, si gjithnjë, mbarë e mbrapsht autorë e vepra me gabime ideologjike, që më parë i kishte ngritur në qiell si vepra me partishmëri komuniste.
Nga gjendja e shok-ut, më nxorën thirrjet e irituara të artistëve për të marrë fjalën. Ishte zëri i disa dramaturgëve, regjisorëve, aktorëve, kritikëve, studjuesve dhe profesorëve të Akademisë së Arteve të Bukura.
Kryetari i Lidhjes Dritëro Agolli që drejtonte punimet e këtij tubimi, të parit ia dha fjalën dramaturgut dhe romancierit të ri nga Shkodra Ramiz Lika, i cili me vrull u ngrit në podium dhe më zë të revoltuar shpërthen: Si lejoni të flas akoma ky kritik faqezi, rramaduc, që na ka nxi veprat dhe jetën me kritikat paçaure. C’farë thotë në mëngjes, nuk e thotë në drekë, atë që thotë në darkë, pergënjeshtron në mëngjes….
***
Shumohen zërat për të marrë fjalën, thirrjet bëhen më të forta, kush e kush të flas më parë. Nuk dua t’jua përmend emrat atyre që folën, shumica kanë ndrruar jetë, të tjerë jetojnë në moshën e tretë, kurse ca që e kanë mik e të tjerë shok, nuk duan të lëndohet kritiku Sh.Gj. mbasi jeta e tij ka kaluar nëpër burgun-ferr komunist. Nuk do t’ua përmend emrat edhe për faktin se fjalët e atyre që ligjëruan në atë kohë, nuk i kisha shënuar në blok atë çast, që t’i citoja tani në ligjëratë të drejtë. Po substancat e thënieve të tyre i mbaj mend.
***
Sipas formulimit tim janë: Njeri tha se kritiku Sh.Gj.. po të pati mik a shok ta ngre veprën në qiell…. Tjetri: Nëse dikush nuk ia pëlqen kritikën e tij, ia nxin veprën… I treti që nuk ia zë në gojë emrin, po e thërret me nofkën Demkë, artikulon se u shkruan raportet shefave të paaftë dhe ata i marrin si të vërteta broçkullat që prodhon koka e tij … I katërti thoë: P.S. nuk i gjykon veprat për të zbuluar vlerat dhe jovlerat që ato përmbajnë, por i analizon sipas interesit karrierist të tij, miqësisë e shoqërisë duke kontribuar në shtimin e mjegullnajës në hierakinë e vler…(Në mes ia këpu fjalën, zëri metalik i Ramiz Alisë nga rrjeshti i parë i sallës):
C’ëshë ky mo?…C’është?!… U paska hedhur hi syve!…Si e mbani në digaster?… Apo nuk bëni pa të se e përdorni si demkë me që u shkruante raportet, siç u tha këtu… Dhe keni marrë mendt e tij…Hajde kuadro, hajde!…
***
Njerzit që donin të mirrnin fjalën, morën flakë. Pothuajse të gjithë flisnin në një kohë. Në këtë zhurmënajë ngrihet pa marrë leje dhe ngjitet në podium aktori brilan Ndrek Luca. Me pathos deklamon: “Kjo luftë që po bahet sot këtu për dramatrurgjinë, asht si Lirimi i Dytë i Tiranës !!!…”
Në çast Dritëro Agolli rrok mikrofonin. “Diskutimet ndërpriten. Do flas unë”. Dhe foli një orë duke kritikuar sipas direktivave të partisë dhe Enverit shfaqjet e huaja dhe ndikimet borgjezo-revizioniste në dramauturgji dhe teatër…
10
Kthehem përsëri te gjyqi ideologjik, Është dita e dyrë nbasdite. Kryetari i ekipit, nuk ishte I kënaqur me shpjegimet e mia. Më kerkon të bëja autokrtikë. E kisha menduar më përpara këtë. Fola me fjalë të përgjithshme duke kritikuar veten për mungesë vigjilence, rënie nën ndikimin e shfaqjeve te huaja dhe qëndimit liberal ndaj tyre, se nuk isha thelluar në mësimet e partisë dhe të Enverit, e të trjera e të tjera….Këtë ta kam përëritur disa herë, më thotë Mitrojorgji. U ngrit më këmbë dhe filloi të jap konkluzionet në emer të ekipit.. Sapo përundoi fjalën, menjëherë sekretari i organizatës së partisë, lexon tekstin e shkruar më përpara për largimin tim nga revista “Teatër”. Pipi me një buzëqeshje entuziaste, iu drejtua drejtoreshës, tani s’na mbetet gjë tjetër veç të shkojmë e të pijmë kafet
11
Dolën njeri pas tjetrit duke ndjekur pas ekipin. Askush nuk m’i hodhi sytë, as nga të deleguarit, as nga kolektivi, madje as nga kolegët e redaksisë. Të gjithë më kthyen shpinën. Mbeta fillikat në korridorin e ngushtë si tunel para ish-zyrës time. Vetëm Hasia, metodistja e kulturës masive nuk e ndoqi pas këtë turmë-kope të pafajshme…Ajo erdhi tek unë, më futi krahun dhe shkuam në Kafe Flora. Ishte një veprim njerëzor, fisnik, por edhe i guximshëm në atë kohë e sidomos në atë situatë. Mirënjohja ime është e lartë edhe sot.
12
Këtu është momenti të theksoj: Për veprat e ndaluar, botuar në revistën “Teatrër”, u dënova unë dhe askush tjetër. Nuk u dënua as Naum Prifti që bëri autokrtikë; as Leman Coçoli që tha se mbante përgjegjesinë kryesore si drejtoreshë e istitucionit; as Miho Gjini që s’ka punuar në këtë revistë kur janë botuar e dënuar këto drama. Në atë kohë Lemani dhe Naumi u ngritën në detyrë, i mori Mantho Bala në Komitetin e Kulturës dhe Arteve, ndërsa mua më dërguan për riedukim në komunitetin e kooperativistëve të Kasharit. Humoristi Hyskë Borobojka miku im, më shumë i Dritëroit, kreu vargjet:
“Dritëroi u bë kryetar
Mexhiti u degdis në Kashar”.
.13
Po si e priti profesor Skënder Luarasi lajmin se isha dënuar dhe më kishin dërguar në fshat? Rastësisht e kishte marrë vesh, pas dy muajsh, nga një miku im. Menjëherë më telefon dhe më le takim para ndërtesës së LSHA SH.
Kishte arritur para meje dhe po më priste në oborr. Pas dy minutash u takuam. Vija nga Kashari. Sapo zbrita nga biçikleta më përqafon si prind i dhimbshëm. Sa qenke djersitur! Mos je ftohur?.. . Ah, ç’të mora më qafë me dramën “Stuhi në prill! Jo professor, i them, ishin edhe disa vepra të tjera që u kritikuan për gabime ideologjike. Citova titujt e disave prej tyre. Jo, jo! drama ime është shkaku kryesor, më thotë. Eja të bisedojmë në Pallatin e Madh të Kulturës…
Nuk i shoh dot ca të Lidhjes….më japin alergji…
***
Rrugës nuk fliste. E kish përjetuar tejmase dënimin tim…Herë më fuste krahun, herë më vinte dorën mbi shpatulla. Sapo u ngjitëm në katin e sipëm të Pallatit, thirri kamerierin dhe porositi kafet e në çast filloi të më pyes: A isha i mërzitur, si e kishin pritur gruaja dhe vajza dënimin…A më kanë mallkuar…Të lutem professor, ne u gëzuam që nuk të dënuan edhe ty.…Tundi kokën, bëri ca lëvizje mimetike të fytyrës, shoqëruar me një buzëqeshje ironike që unë e nënkuptova se kjo kish të bënte jo vetëm se ishte i biri i Petro Nini Luarsit, një ndër presonalitetet më të ndritura që u sakrifikua për gjuhën dhe shkollën shqipe, por edhe për vetë personalitetin dhe figurën e shquar të professor Skenderit….Burgosja do ‘tia rriste më shume lavdinë!…Gjë që nuk e donte kurrë Enveri.
***
Vazhdon më tej me pyetje njera pas tjetrës: C’’punë bën në fshat… si konmunikon me fshatarët, me drejtuesit e kooperativës, si e.përballon rrugën me biçikletë e të tjera, e të tjera. Në një moment bën një pushim të shkurtër dhe merr një pozicion meditimi, me një vështrim përqëndruar diku…
Dëgjo djalë, më thotë, ti je djegur nga unë… Nuk e kishte me ty Qoftlargu, po me mua. Je i ri, s’ke si ta dishë të vërtetën përtej dramës sime… Ai më u r r e n t e… Dhe më foli gjerë e gjatë për figurën e tij diabolike e sadise….që hëngri jo vetëm kokat e kundërshtarëve dhe intelktualëve të shquar, por edhe të shokëve e miqve të tji të luftës e të punës……
14
Takoheshim rrallë me Profesorin. Puna në vatrën e kulturës. prej mengjesi e gjer në darkë më pengonte ta takoja më shpesh. Megjithatë sa herë më telefonte, merrja leje dhe takoheshim.
Më kujtohet një telefonatë që ishte më e veçanta. Ishte pikërisht më 7 prill 1975. Alo, Mexhiti.. Jam Skënderi. Dua sot të takohemi pa tjetër. Kam një surprizë. Të pres në ora 18 te Pallati i Kulturës. Do të vij pa tjetër Profesor. U tha, u bë, thonë kosvarët. Nga zëri m’u duk shumë i gëzuar. Pa e ditur pse-në e gëzimit të tij, u gëzova edhe unë.
***
Në ora 18 fiks,u takuam.Thërret kamerierin dhe porosit verë. Mos u habit. Sot është 7 prilli! ..C’të kujton kjo ditë për mua?!…Mos u lodh, ta them unë: “Kjo ditë e zezë për Shqipërinë, më nxiti të shkruaj dramën “Stuhi në prill”…
Menjëherë ia marr fjalën: Stigmatizove të liqtë, këndove bukur për luftëtarët e Spanjës dhe për ata që japin dhe jetën për mëmëdhenë. Më përqafon…. Afrohu më pranë, më thotë meje dhe më reciton vargjet e fundit të tekstit që i dinte përmendësh:
***
“Nga Madriti kushtrimin na dhanë. / Dëgjuat ç’tha në Spanjë Asim Vokshi / Dhe xhemal Kada, Thimjo Gogozoti: / Të dashurit shokë të klasës e vëllezërit tanë; / Dhe kush e di sa të tjerë shqiptarë;/ që shkuan për në Spanjë vullnetarë, / ranë dëshmorë në mbrojtje të lirisë, / Repulikës së popullit dhe demokracisë.
(Trokëlliijmë gotat me verë, bën një pauzë, pastaj deklamon bukur si aktor i klasicizmit)
*Gjithë të marrin shembull Skëndërbenë-
Kush mbetet prapa tradhton Atdhenë!”
——–
Një kujtim i bukur dhe drithërues, që ashtu si vera, sa më shumë kalojnë vitet, bëhet më i fortë!
Komentet