VOAL

VOAL

Reshje bore në Maqedoni, Shqipëri dhe Kosovë

February 25, 2018

Komentet

Vuçiç paralajmëroi “masa serioze” ndaj Prishtinës, Kurti vizitë në veri të Kosovës, flet për hapjen e urës së Ibrit

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka zhvilluar një vizitë në veri të vendit, ndërsa më herët Presidenti serb Aleksandar Vuçiç është shprehur se në 72 orët e ardhshme do të bëjë publike planin e “masave serioze” që Beogradi do të ndërmarrë në lidhje me situatën në veri.

Nga Mitrovica, Kurti ka theksuar se Ura e Ibrit duhet të hapet, duke nënvizuar se kjo masë nuk është kundër askujt, por për përfitimin e të gjithë qytetarëve.

Qeveria e Kosovës ka paralajmëruar hapjen e kësaj ure prej disa muajsh, megjithëse ideja është kundërshtuar nga ndërkombëtarët, të cilët kërkojnë që çështja të zgjidhet përmes dialogut. Aktualisht, Ura e Ibrit është e hapur vetëm për këmbësorët.

Sipas Kurtit, hapja e urës ka rëndësi të madhe për imazhin ekonomik të vendit dhe për lirinë e lëvizjes.


“Liria e lëvizjes duhet të respektohet. Marrëveshja e Brukselit e vitit 2016 parashikon që ura të hapet deri më 2017, dhe tani është koha për ta realizuar këtë. Hapja nuk është kundër dikujt, por për të mirën e të gjithëve”, ka deklaruar Kurti.

Kurti vuri në dukje se hapja e urës është për të gjitha komunitetet e Kosovës, duke përfshirë serbët, boshnjakët dhe shqiptarët, të cilët duhet të lëvizin lirshëm në atë zonë.

“Ne nuk duam ta hapim urën kundër serbëve, përkundrazi! Duam që të gjithë të lëvizin të lirë,” ka thënë ai.bw

Kurti për dialogun me Serbinë: Kemi një marrëveshje, Beogradi duhet ta zbatojë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë një vizite në Mitrovicë të Veriut tha se nuk ka detaje rreth njoftimit për një takim të kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë në kuadër të dialogut për normalizimin e raporteve. Por ai tha se një marrëveshje tashmë ekziston dhe ajo duhet të zbatohet në terren.

“Megjithatë, Beogradi nuk e njeh marrëveshjen që e ka pranuar. Tani e kanë kuptuar se kjo marrëveshje nuk i përshtatet ideologjisë të ‘Serbisë së Madhe’. Mendoj se duhet ta respektojmë Marrëveshjen Bazë të shkurtit të vitit të kaluar dhe ta zbatojmë atë”, u tha Kurti gazetarëve në Mitrovicë të Veriut.

Në shkurt të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan për Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve, ndërkaq në mars u dakorduan për Aneksin e zbatimit të saj. Në ndërkohë, palët shprehën rezervat e tyre, gjegjësisht Kosova insistoi që marrëveshja duhet të nënshkruhet, ndërkaq Serbia paraqiti vijat e kuqe sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Bashkimi Evropian vazhdimisht ka kritikuar palët për moszbatimin e kësaj marrëveshjeje.


I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, qëndroi javën e kaluar në Prishtinë. Pas takimeve, ai deklaroi se ishte arritur pajtim për një rund të ri të dialogut midis kryenegociatorit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe atij të Serbisë, Petar Petkoviq. Megjithatë, ai nuk dha ndonjë datë se kur do të mbahet ky takim.

Më 10 shtator, Lajçak qëndroi në Beograd, ku u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Me të bisedoi edhe për vazhdimin e dialogut.

Ndryshe, dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është bllokuar që nga shtatori i vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit. Në fund të qershorit, Kurti paraqiti disa kushte për vazhdimin e dialogut në nivel të lartë politik. Një prej tyre ishte që Serbia të tërhiqte një letër që i dërgoi Brukselit vitin e kaluar, përmes së cilës shprehu rezerva lidhur me Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve.

Javën e kaluar, gjatë qëndrimit në Prishtinë Lajçak deklaroi se Serbia ka tërhequr letrën që kryeministrja e atëhershme serbe, Ana Bërnabiq, i kishte dërguar Brukselit.

Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh edhe një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, ndërsa kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut./ REL

Ukraina synon të prodhojë raketat e saj me rreze të gjatë veprimi për të reduktuar varësinë nga vendet partnere! Çfarë dihet për projektin

 

Që nga fillimi i agresionit rus kundër Ukrainës, Rusia ka përdorur shpesh raketa me rreze të gjatë veprimi kundër Ukrainës. Kievi ende nuk është në gjendje t’i përgjigjet në mënyrë adekuate sulmeve me raketa të prodhimit të saj. Raketat e dërguara ukrainasve nga partnerët e tyre kanë disa kufizime – si për nga aftësia e goditjeve ashtu edhe për mundësinë e përdorimit në territorin rus.

Ukraina dëshiron të ndryshojë këtë dhe dëshiron dëshiron të zvogëlojë varësinë e saj nga raketat e vendeve partnere. Kjo është arsyeja pse Kievi po punon me nguti në një program për të prodhuar raketat e veta. Çfarë dihet për të?

Dronët “Paljanica”

“Do të jetë e vështirë për rusët që ta shqiptojnë këtë emër. Do të jetë po aq e vështirë për ta që të mbrohen prej këtyre dronëve”, tha presidenti ukrainas Zelensky për llojin e ri të dronëve luftarakë “Paljanica”. Zelensky pretendon se “lufta e parë dhe e suksesshme” e dronave tani më ka ndodhur.

Sipas ministrit të Industrisë Strategjike, Oleksandr Kamishin, objekti i goditur nga “Paljanica” ndodhet në territorin ukrainas të pushtuar përkohësisht nga Rusia. Në një intervistë për DW, Kamishin tha se “Paljanica” është zhvilluar dhe prodhuar plotësisht në Ukrainë, dhe shtoi se “disa komponentë e kanë origjinën nga jashtë”.

Platforma United24, e cila ka publikuar një video të dronit “Paljanica”, vëren se kjo armë është projektuar dhe ndërtuar nga specialistë ukrainas brenda një viti e gjysmë. Objektivat kryesore do të jenë rreth 20 fusha ajrore, nga të cilat Rusia nis sulmet në Ukrainë me raketa analoge”. Të gjitha informacionet e tjera janë konfidenciale.

Raketat “Neptun”

Ukraina ka arritur njëfarë suksesi me programet e saj raketore në vitet e fundit, thotë Serhiy Shurez, drejtor i kompanisë së informacionit dhe konsulencës “Defence”. “Për shembull raketat antitank, si “Stugna” dhe “Corsair”, të cilat tashmë janë në prodhim masiv. Ose R-360 ‘Neptuni’, raketa kundër anijeve.” Është produkt i byrosë së projektimit të Kievit Lutsch, të cilin forcat e armatosura e kanë përdorur që nga viti 2020, ashtu si sistemi i raketave bregdetare RK-360MC, i cili është në gjendje të identifikojë anijet e armikut dhe t’i shkatërrojë ato. Raketa e tipit Neptun është e pajisur me një kokë me peshë 150 kilogramë dhe ka një rreze veprimi deri në 300 kilometra.

Për herë të parë, raketa e tipit Neptun u përdor në kushte luftarake në fillim të prillit 2022, kundër fregatës ruse “Admiral Essen”. Më pas, më 13 prill 2022, ndodhi një nga ngjarjet më të rëndësishme gjatë luftës mes Ukrainës dhe Rusisë: Dy raketa të tipit “Neptun” kanë fundosur luftanijen ruse “Moskva”. Në vitin 2023, u bë e ditur se projektuesit ukrainas kishin modifikuar “Neptun”. Tani këto raketa mund të godasin jo vetëm anijet, por edhe objektivat në tokë.

Raketat e modifikuara tani kanë një rreze veprimi prej rreth 400 kilometrash dhe janë të pajisura me një kokë që peshon 350 kilogramë. Mësohet se ushtria ukrainase ka përdorur tashmë disa herë raketa të modifikuara të tipit “Neptun”.

Për të depërtuar sa më thellë në territorin rus, Ukraina përdori raketat anti-ajrore S-200 vitin e kaluar, sipas raportimeve të mediave. Këto raketa janë modifikuar që të mund të godasin objektivat në tokë. Kievi nuk e ka konfirmuar zyrtarisht këtë, por një zyrtar i qeverisë i tha BBC se procesi është në vazhdim: “Ne duhet të gjejmë një rrugëdalje nga situata aktuale. Ne kemi gjetur një zgjidhje në S-200 dhe ajo po funksionon mirë deri më tani. ” Ukraina përdori edhe dronët e modernizuar të zbulimit sovjetik të tipit Tu-141 “Stryzh”, të cilët lëvizin me shpejtësi rreth 1000 kilometra në orë.

Raketat „Made in Ukraine”

Në fund të gushtit, presidenti ukrainas Zelensky konfirmoi testin e suksesshëm të raketës së parë balistike vendase. Në të njëjtën kohë, ai nuk ka treguar se për çfarë lloj rakete bëhet fjalë. Ministria e Mbrojtjes nuk ka dashur të komentojë programin raketor për DW, duke u bazuar në konfidencialitetin e informacionit. U vu re vetëm se ky program financohet nga buxheti i shtetit. Ajo që dihet është se industria ukrainase e armëve ka punuar në zhvillimin e një rakete balistike që nga viti 2006. Bëhet fjalë për raketa me rreze të shkurtër veprimi “Sapsan”, me diametër 0.9 metra dhe një rreze veprimi prej 500 kilometrash. Raketa njihet edhe me emrin “Hrim-2”. Dyshohet se Ukraina prodhoi “Hrim-2” për Arabinë Saudite me një diametër prej 0.6 metrash dhe një rreze prej 280 kilometrash.

Sot Ukraina është në gjendje të prodhojë mjaft raketa për luftë me Rusinë, thekson Frank Ledwidge, një ish-oficer i inteligjencës britanike dhe ekspert ushtarak në Universitetin e Portsmouth. “Kur bëhet fjalë për teknologjinë, Ukraina nuk duhet nënvlerësuar. Përpara agresionit rus, Ukraina ishte ndër 10 vendet më të mira në botë në programet hapësinore. Ajo ka një nivel të mjaftueshëm të njohurive edhe në çështjen e prodhimit të raketave. Më lejoni të sqaroj: raketa e preferuar e Elon Musk, përveç raketës së tij, është ajo Zenit, e prodhuar në Ukrainë”, tha ai për DW.

UGSHPD: PROPAGANDA ME DITËN E PARË TË SHKOLLËS DHE PADITURIA E SHIFRAVE

Duke përuruar  shkollën “Babë Dudë Karbunara” në Berat me në krah ministren e Arsimit dhe Sporteve Ogerta Manastirliu, kryeministri Rama nga përqafues i inteligjencës artificiale hidhet dhe kërkon mbështetje tek energjitë e mbetura të mësuesve të dalë në pension. Çfarë ndodhi pas Asamblesë Kombëtare me rienergjizimin që e bëri kryeministrin të shprehet për:-“…integrimin e pensionistëve në hapësirën e kësaj rritjeje ekonomike gjithëpërfshirëse në mënyrë që edhe pensionistët të fillojnë të ndiejnë hap pas hapi drejtë Shqipërisë 2030, …”?

Nuk është as e pabesueshme dhe as gënjeshtër, por kjo ka ndodhur me çeljen e vitit të ri arsimor 2024-2025 në Berat. Shkolla “Babë  Dudë Karbunara” sipas shifrave që mbron ministrja është; 1 nga 25 shkollat e reja të hapura ku punojnë 600 nxënës dhe mësues, pjesë e numrit të përgjithshëm të 350 mijë nxënësve.Ndërsa imazhi dhe propaganda nuk ka ndalur vetëm me reklamën e ndërtimeve të reja dhe rikonstruksioneve “në çdo cep të Shqipërisë dhe me standarde të efiçencës së energjisë”, sipas zv/kryeministres Balluku, disa dhjetra delegacione qeveritare dhe kryetarë bashkishë kanë vrapuar për të bërë foton dhe lajmin e ditës aty ku dhe influencat politike e kërkojnë hapësirën.

Në qoftë se opozita me përfaqësues të saj mundohet të japë vlerësimet e domosdoshmërisë së forcimit të programeve mësimore, theksi i tyre vihet për anën tjetër të shifrave negative që sigurisht janë prekur prej lëvizjes së lirë dhe shpopullimit, patronazhimit dhe preferencës politike të trupës mësimore pedagogjike, abuzimet me fondet e ndërtimeve dhe rinovimit të ndërtesave, mjediseve dhe librave ku një tregues në shifra të bie në sy se janë mbyllur 295 shkolla dhe 125 mijë nxënës më pak në 10 vitet e drejtimit të qeverisjes së rilindjes Socialiste. Të tjera shifra nga opozita konkretizojnë më thellë krizën kur analizojnë se 47% e fëmijëve të moshës shkollore jetojë me kushte të kequshqyerjes dhe se varfëria e familjeve ka bërë që rreth 20%  e të rinjve nuk kanë mundësi të ndjekin shkollën dhe janë të pa punë.

Gjendja është e trishtë, prej vitesh kemi dëgjuar se në lëndët shkencore për shkollën e lartë dhe veçanërisht në degën e fizikës ka nga 5-7 studentë. Atëherë kujt reforme arsimore duhet t’i besojmë?

Pa u zgjatur më shumë duhet të pranojmë se rienergjizimi i rilindësve socialistë për dije i dha rezultatet brenda 24 orëve. Të gjithë në frontin e propagandës me zhurmë shifrash dhe zotimesh, por dhe që të gjithë që hidhen në aksion me transportin dhe dietat e shërbimeve që ua siguron kryeministri, i cili nga ana e tij nuk mungoi të bënte ofertën e mirëqenies ekonomike që sjell qeveria e tij këto muaj deri në zgjedhje. Rama u tregoi shqiptarëve se rroga e mësuesve është mesatarisht 950 euro dhe u bëri ftesë;- të gjithë mësuesit pensionistë që duan të punojnë, të kthehen të japin mësim me orar të reduktuar”.

950 euro ! A do të rendë për të zënë radhën një arsimtar me një pension mujor mbi 200 euro që të punojë me orar të reduktuar në shkollën më të afërt ? Apo mund të punësohen me qindra mësues të larguar nga reforma ekonomike-politike e tre mandateve edhe pse si arsimtarë të diplomuar janë të shtrënguar sot të lënë vendin drejt emigracionit  sikurse ata që kanë mbetur po bëjnë sot çdo punë dhe nga dy punë për të siguruar të ardhurat, për të mbajtur familjen dhe për të shkolluar fëmijët e tyre?

Këto janë utopi të Ramës i cili ende nuk i ka nxënë shifrat dhe nuk e ka kuptuar se kemi nga renditja ndërkombëtare fundin e tabelës për paditurinë dhe analfabetizmin që ka goditur sistemin arsimor. Ai vazhdon dhe bën një propagandë “të guximshme” që shkon deri në tallje për mbarë shoqërinë shqiptare i bindur se do t’u marrë votën me këto forma mashtruese duke i fyer edhe më shumë në gjendjen e krizës që ata janë.

9 Shtator, 2024

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)

Berisha nesër në SPAK, opozita në protestë! Kreut të PD pirtet t’i komunikohet akuza! Zbardhet mesazhi i Nokës për strukturat

VALENTINA MADANI/ Ish-kryeministri Sali Berisha do të paraqitet nesër në SPAK ndërkohë që demokratët do të mblidhen në protestë.

 

Z.Berisha është thirrur në Prokurorinë e Posaçme (SPAK) ku në orën 12:00 pritet t’i komunikohet akuza në lidhje me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Po këtë ditë, pritet që PD-ja të nisë protestat.

Në SPAK do të paraqitet dhe dhëndri i tij, Jamambër Malltezi, ku edhe ai do të njihet me akuzën lidhur me aferën e privatizimit të ishkompleksit “Partizani”. SPAK pa pasur afat ligjor deri në 2 tetor për të përfunduar hetimet, por prokurorët i kanë mbyllur hetimet para afatit ligjor. Seanca për aferën e dyshuar korruptive ku nën hetim është ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, është shtyrë.

Dje pritej të bëhej bilanci 2 mujor i hetimeve të SPAK për dosjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Por seanca u shty pasi sipas gjykatës Berisha dhe Malltezi nuk rezultojnë të kenë marrë njoftim për procesin. Avokati i Berishës tha zvarritjet janë të qëllimshme. “Afatet ata i kanë 6 mujore, dhe mund të marrin zgjatje. Nuk e dimë, por seanca pasardhëse është regjistruar në 11 korrik. Nuk ishim vënë në dijeni më parë, pasi këta veprojnë si kokë autonome dhe veprojnë kur të duan, sipas direktivës. Ne kemi kërkuar ndryshim të masës dhe do të kërkojmë”,-tha avokati Genc Gjokutaj.

Ndërkohë pritet që në seancën e radhës Prokuroria e Posaçme të kërkojë shtyrjen me 3 muaj të tjerë të hetimeve, vendim që do të merret nga trupi gjykues pas dorëzimit të kërkesës nga organi i hetimit. Ndaj Malltezit Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Ndërkohë edhe për Berishën, Gjykata e Posaçme ka vendosur masën e sigurisë “Arrest shtëpie”. Sipas vendimit, Berisha nuk duhet të largohet nga banesa dhe të mos komunikojë me persona të tjerë përveç atyre që bashkëjetojnë në të njëjtën shtëpi me të.

PROTESTA

Por ndërsa pritet që Berishës t’i komunikohet zyrtarisht akuza, në PD ka nisur mobilizimi i anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së. Përmes një mesazhi, sekretari i përgjithshëm Flamur Noka u kërkon anëtarëve organizimin e një proteste, para godinës së SPAK. Në mesazhin drejtuar anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, Noka bën thirrje për protestë të fuqishme “në solidaritet me të drejtën, të vërtetën dhe kundër narkodrejtësisë”. “Të dashur miq. Ditën e mërkurë në ora 12:00 kryetari i PD Prof Dr Sali Berisha do shkojë pranë organizatës kriminale të SKAP. Të mobilizohemi të gjithë maksimalisht për protestë të fuqishme solidariteti me të drejtën, me të vërtetën, kundër narkodrejtësisë”,-thuhet në mesazhin që Flamur Noka ua drejton anëtarëve të Kryesisë dhe drejtuesve të strukturave të PD-së. Që prej muajit dhjetor kur SPAK e la në arrest shtëpie, mbështetës të PD-së kanë protestuar poshtë ballkonit të Berishës, aty ku ky i fundit ka mbajtur në mënyrë të vazhdueshme fjalimet e tij, ku nuk kanë munguar as akuzat ndaj qeverisë.

REAGIMET

Deputeti i Partisë Demokratike, Titan Shehu, reagoi pas njoftimit të Prokurorisë së Posaçme për thirrjen e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe dhëndrit të tij ditën e mërkurë në SPAK. Përmes një reagimi në rrjetet sociale, Shehu e cilësoi Berishën si të pandehur politik, ndërsa shton se procesi gjyqësor sipas tij, është i pilotuar.

“Në 9 muaj “hetim” nën arrest shtëpie ai është thirrur në SPAK vetëm një herë, për rreth 20 minuta, në fillim të atij procesi politik”, shkruan deputeti demokrat.

Më tej, ndalur te mbyllja e hetimeve, Shehu pyet se pse “Berisha u mbajt i izoluar pa u pyetur, duke shkelur edhe mbi të drejtat e njeriut, të deputetit, mbi vetë Kuvendin tonë”. “Një hetim i tillë politik nuk mund të mos prodhojë veçse një dosje politike”, shprehet deputeti Tritan Shehu.

Po dje reagoi edhe koordinatorit rajonal për Tiranën në PD, Klevis Balliu pasi ish-kryeministri Sali Berisha është thirrur në SPAK ditën e mërkurë, pasi do t’i komunikohet akuza lidhur me hetimet për privatizimin e ish-kompleksit “Partizani”. Balliu shprehet se Berishës duhet vetëm t’i kërkohet ndjesë pasi është mbajtur për 10 muaj në arrest shtëpie ka akuzë.

“E vetmja gjë që duhet të bëjnë të mërkurën është të kërkojnë ndjesë. Kryetarit të opozitës dhe opozitës gjithë Shqipërisë! 10 muaj nën masë arresti dhe SPAK akoma nuk ka ngritur akuzë. Tani pas 10 muajsh dhe pas 4 vite hetime të dala bosh pa asnjë provë dhe asnjë fakt drejtësia Rama thotë se do të ngrejë akuzë”, – shprehet z.Balliu./Gazeta Panorama

SHBA ndryshon strategji në Ukrainë? Administrata Biden i dorëzon Kongresit raportin e klasifikua

VOA

Administrata e Presidentit Joe Biden i ka dërguar Kongresit një raport të klasifikuar mbi strategjinë e saj për luftën në Ukrainë, thanë të hënën tre burime.

Një zyrtar në Kongres tha se raporti kishte mbërritur tek ligjvënësit të hënën dhe se ata nuk kanë patur ende mundësi ta shqyrtojë atë. Dy burime të tjera, të cilat nuk pranuan të identifikohen, konfirmuan dorëzimin e raportit. Shtëpia e Bardhë nuk iu përgjigj menjëherë një kërkese për koment.

Kongresi ka miratuar afro 175 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe vendet aleate që kur Rusia nisi agresionin ndaj Kievit.

Pas muajsh të tëra vonese, Dhoma e Përfaqësuesve e udhëhequr nga republikanët miratoi në prill projektligjin prej 95 miliardë dollarësh që përfshinte 61 miliardë dollarë financime për Ukrainën, si dhe miliarda dollarë ndihmë për Izraelin, civilët në zonat e konfliktit në mbarë botën dhe për vendet e rajonit Indo-Paqësor që përballen me rrezikun e Kinës.

Si pjesë e projektligjit, Kongresi i kërkoi administratës së Presidentit Biden të paraqiste një strategji të detajuar për Ukrainën deri në fillim të qershorit.

Mbështetja e Presidentit Biden për Ukrainën përkrahet nga demokratët dhe shumë republikanë në Kongres. Megjithatë, disa republikanë kanë kritikuar administratën e tij për kufizimin e mënyrës sesi Ukraina mund të përdorë armatimet amerikane, si për shembull refuzimin për dërguar armë që mund të godasin objektiva thellë brenda Rusisë, nga shqetësimi se një gjë e tillë mund të çonte në përshkallëzim të konfliktit.

Pasi kaluan disa javë dhe raporti nuk u dërgua në Kongres, disa anëtarë të Kongresit thanë se ishin zemëruar dhe se do të shqyrtonin edhe idenë e bllokimit të fondeve të mëtejshme.

Hetimet për dosjen ‘Partizanin’- Sali Berisha thirret në SPAK

Lideri i opozitës thirret në SPAK këtë javë

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, është thirrur për t’u paraqitur këtë të mërkurë në SPAK, sa i përket hetimeve ndaj tij për dosjen ‘Partizani’.

Berisha ndodhet në arrest politik prej 30 dhjetorit të vitit 2023.

Ndaj tij ka më shumë se katër vite që hetohet dhe drejtësia nuk ka mundur dot të ngrejë asnjë akuzë pasi nuk ka gjetur fakte.

Si Berisha ashtu edhe Malltezi i kanë kundërshtuar akuzat dhe e kanë cilësuar hetimin si të orkestruar nga qeveria.sn

Situatë alarmante për arsimin, po ikin familjet me fëmijë të vegjël

Numri i fëmijëve në shkolla do të reduktohet me shpejtësi sipas të dhënave të zbuluara në censin e vitit 2023.

Përveç rënies së lindjeve, numri i fëmijëve në parashkollor po pakësohet ndjeshëm nga fenomeni i emigracionit me familje.

Sipas të dhënave nga cens 2023, numri i fëmijëve në moshën 6 vjeç ishte 24,812. Duke marrë në konsideratë numrin e fëmijëve të lindur në vitin 2017 që janë 6-vjeçarët e vitit 2023, shihet se ka një tkurrje të ndjeshme.

Numri i fëmijëve që lindën në vitin 2017 ishte rreth 31 mijë, por fëmijët që i korrespondonin këtij viti ishin vetëm 24,812 kur u zhvillua censi.

Sipas të dhënave nga cens, këtë vit hyjnë në klasën e parë jo më shumë se 24 mijë fëmijë në të gjithë vendin. Gjithsej fëmijët e grupmoshës 0-6 vjeç janë 160,719 sipas cens 2023, nga më shumë se 260 mijë që ishin në vitin 2011.

Duke krahasuar numrin e foshnjave të lindura nga viti 2017 deri në vitin 2023, dhe atyre që ka gjetur cens, rezulton një numër më i ulët fëmijësh. Diferencat janë deri në 20% që është një tregues i pastër i emigrimit të fëmijëve me familjet.

INSTAT ka raportuar se në vitin 2022 në të gjithë vendin kishin lindur 24,688 foshnja, por nga numërimi i Cens ishin vetëm 21 mijë foshnja të moshës 1 vjeç.

Në dy vitet e fundit ka një zbutje emigrimit si azilkërkues, por ka një fenomen në rritje të punonjësve me kontrata të rregullta pune drejt vendeve të BE sidomos drejt Gjermanisë. Fillimisht si punonjës sezonalë, tani ky kontingjent ka siguruar kontrata dhe po merr edhe familjet e fëmijët.

Gjithashtu të dhënat e Cens 2023 kanë zbuluar se numri individëve +6 vjeç që ndjekin arsimin parauniversitar ishte 317,213 nxënës, teksa në të njëjtin vit shkollor (2023-2024) INSTAT, referuar Ministrisë së Arsimit, raportoi se arsimin parauniversitar +6 vjeç e ndiqnin 349,827 nxënës.

Numri i nxënësve që ndjekin arsimin nga klasa e parë deri në përfundim të shkollës së mesme ishte rreth 27 mijë nxënës më pak ose 9.3% më i ulët se sa shifra zyrtare që është referuar në fillimin e vitit akademik.

Të dhënat e Cens 2023 kanë treguar rënie drastike të numrit të nxënësve në shkolla. P.sh., INSTAT referoi se në vitin akademik 2023-2024 e ndiqnin arsimin 9-vjeçar mbi 258 mijë nxënës, ndërsa sipas Cenc 2023 ky nivel arsimor ndiqej nga rreth 231 mijë nxënës.

Gjithashtu Cens referoi se në momentin kur u krye anketa, vetëm 86 mijë persona ishin duke ndjekur arsimin e mesëm, ndërsa sipas të dhënave zyrtare, në vitin akademik 2023-2024 ishin regjistruar në arsimin e mesëm 91 mijë nxënës, ose rreh 5 mijë më pak se të dhënat zyrtare të regjistrimit./MONITOR

VIDEO/ Incident në 78-vjetorin e kryengritjes së Postribës, qytetari heq kurorat e vendosura nga Benet Beci: Ikni, komunistë! Policia e arreston

Postriba ka përkujtuar sot 78-vjetorin e lëvizjes së famshme antikomuniste. Gjatë ceremonisë, kryetari i Bashkisë së Shkodrës Benet Beci ka vendosur gjithashtu një kurorë me lule.

Banorët i kanë thënë Becit që të largohet, por kreu i Bashkisë Shkodër ka thënë se ka qenë aty për t’i respektuar. ‘Ikni komunistë! Mua ma kanë vrarë gjyshin, babën në burg! Unë nuk e dua respektin tuaj! Po na merrni në qafë!’- tha banori.

“Shqiptar jam dhe unë. Unë respektoj Shkodrën, ju respektoj juve”, ka qenë përgjigja e Becit.

“E kanë kapur atë djalin dhe e çojnë në burg. Hajde se mendohet se bën rrëmujë!’- u shpreh një banor, duke ju referuar një qytetari që sipas tij ishte shoqëruar për të mos shkaktuar trazira sot.

‘30 vjet janë ftuar në festë dhe nuk kanë ardhur kurrë! Asnjëherë. Sivjet këta të Enver Hoxhës duan ta bëjnë festën sivjet. Kjo është loja e këtyre. Ky është pushteti i Enver Hoxhës. Festa është e jona! Të lirohet ai djali.’’- u shpreh një tjetër banor. ‘Njerëz të poshtër! Poshtërsi na bëni ju!’- tha një banor.

Në mënyrë demonstrative, një nga qytetarët ka hequr kurorat me lule të vendosura më parë nga Beci. Pas këtij veprimi, policia ka arrestuar qytetarin Besim Shaba, që hoqi kurorat e kryetarit të Bashkisë.bw

Mbyllen 295 shkolla- Zhupa: 2024 nis si një vit shkollor me rekorde të zeza të arsimit parauniversitar

Deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa ka reaguar me nisjen e vitit të ri shkollor. Ajo në një mesazh ne facebook shkruan se janë mbyllur në të gjithë vendin 295 shkolla.

“Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer mbrapa, në vitet 2000 dhe është thelluar analfabetizmi funksional”, shkruan ajo.

Postimi i plotë:

Vit të mbarë shkollor për nxënësit dhe mësuesit!

2024 nis si një vit shkollor me rekorde të zeza të arsimit parauniversitar.

Shqipëria e fundit në Testin Pisa duke lënë pas edhe Palestinën që është në luftë.

Aftësitë e nxënësve tanë janë kthyer mbrapa, në vitet 2000 dhe është thelluar analfabetizmi funksional.

Ky vit rregjistron me të dhëna zyrtare mbylljen e 295 shkollave 9-vjeçare gjatë qeverisjes Rama.

Ministria e Arsimit Manastirliu, ose zonja Abuzimi , po bën centralizimin dhe burokratizimin e arsimit, duke shtuar patronazhist dhe facebokist për fushatë por jo punë dhe para për cilësinë e arsimit. Ngelemi vendi me 2.1% të GDP-së për arsimin, më e ulta në rajon.

47% e fëmijëve do shkojnë në shkollë me barkun bosh, ose të kequshqyer, duke pasur në duart disa libra të përdorur që vetëm dije nuk dhurojnë dot.

Mësuesit në rrethe numërojnë nxënësit që ikin, me shpresën që nuk do ju bjer ngarkesa dhe nuk do shkarkohen si të panevojshëm, sidomos ata që bindjet politike i kanë të ndryshme nga drejtorët politik patronazhist.

Mësuesit e dinë që detyra themelore për këtë vit shkollor do jenë listat e zgjedhësve që do cojnë si votues të Partisë Socialiste sesa lista e notave dhe e librave për nxënësit e tyre.

Në 2024 ende do bëhet mësim me turne, edhe në mes të Tiranës, ende do ketë klasa të mbipopulluara dhe mungesë infrastrukture dhe mjete didaktike.

Klasat digjitale dhe fjalimet pompoze me to nuk janë realitete të prekshme ku në 50% të shkollave rurale as nuk ka internet fare.

Panorama e 2024 është e zymtë por detyra jonë është që të luftojmë së bashku për ndryshimin, për përmirësimin dhe për shkuljen e të keqes.

Si kryetare e komisionit të Edukimit do shfrytëzoj cdo mjet parlamentar që arsimi të jetë në qëndër të vendimarrjes dhe llogaridhënia të jetë detyrim. sn

Mungesë investimesh nga qeveria për zhvillimin e turizmit në luginën e Drinit

VOA/Pellumb Sulo

Zona veriore e Shqipërisë ofron pasuri të shumta natyrore për zhvillimin e turizmit, kryesisht atij malor. Një prej tyre është edhe Lugina e Drinit, e cila përshkohet mes Alpeve, ku gjatë dy-tre vitet e fundit kanë nisur aktivitetin në fushën e turizmit rreth 70 biznese, kryesisht nga banorët vendas. Por, siç njofton Zërit i Amerikës, problem mbetet gjendja e rrugës automobilistike që shkon drejt Komanit dhe mbeturinat që derdhen në liqen.

Lugina e Drinit, me tre liqenet e saj dhe majat e Alpeve, ofron një potencial turistik që sa ka nisur të shfrytëzohet nga operatorët turistik privat, por edhe banorë të zonës, të cilët kanë hapur bujtinat dhe qendrat e para turistike për vizitorët vendas dhe të huaj.

Por, krahas tyre, në zonë janë shfaqur edhe problematikat e para, siç janë vështirësitë e udhëtimit dhe mbeturinat, të cilat shfaqen herëpashere mbi sipërfaqen e ujit, sidomos në Liqenin e Komanit.

Rruga e Komanit, me një gjatësi prej rreth 36 kilometrash, e cila nis nga qyteza e Laçit në Vau Dejës për të përfunduar në tunelin e Komanit, është një nga rrugët më të dëmtuara në Shqipëri, e cila nuk ofron siguri rrugore për dhjetëra automjete që lëvizin çdo ditë nëpër këtë aks të rëndësishëm rrugor duke transportuar banorë të zonës së Alpeve, por edhe turistë që shkojnë drejt pikave turistike si ajo e Lumit të Shalës, Valbonës si dhe qytetit Bajram Curri e deri në Gjakovë.

Shqetësimin për gjendjen e rrugës e kanë paraqitur disa herë përmes protestave banorët e zonës, operatorët turistik që veprojnë në Luginën e Drinit, por edhe organizatat joqeveritare.

Mirsad Basha i shoqatës “Eko Mendje” thotë se rruga e Komanit nuk është vetëm një rrugë e keqe, por ajo është me rrezikshmëri të lartë për jetën për shkak të shumë kthesave, humnerave, erozionit.

“Ndaj, duhet një vëmendje më e madhe për atë zonë. Megjithëse janë organizuar shumë protesta nga shoqëria civile dhe nga operatorët turistik të zonës, situata nuk ka ndryshuar”, thotë ai.

Kryetari i Bashkisë “Vau Dejës”, Kristian Shkreli, thotë ndërkohë se rruga ka degraduar plotësisht për shkak të automjeteve të tonazhit të rëndë që punojnë për nevojat e hidrocentralit të Komanit, por edhe numrit të lartë të automjeteve që shkojnë drejt pikave turistike të zonës.

“Është një rrugë ku prej 30 vitesh askush nuk ka vënë dorë dhe për këtë shkak ka ardhur edhe degradimi i saj. Por, ne si bashki nuk e kemi në ngarkim, pasi kjo rrugë është në inventarin e ARSH-së. Edhe po të ishte e Bashkisë Vau Dejës ne do ta kishim të pamundur investimin në atë rrugë, sepse është një investim shumë i madh. Por, kryeministri na ka premtu që, shumë shpejt, do të nisin punimet për rrugën Vau Dejës-Koman”, thotë ai.

Në qershor të vitit 2021, KESH-i paraqiti një plan për zhvillimin e zonës dhe rikonstruksionin e rrugës së Komanit, por në fund të vitit Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë deklaroi se “rruga e Komanit nuk është parashikuar në buxhetin e vitit 2022 dhe as buxhetin afatmesëm”.

Biologia Aurora Piroviç, një eksploruese e pasionuar e Veriut të Shqipërisë dhe udhërrëfyese e grupeve turistike në këtë zonë, veçon nevojën e një vëmendje më të madhe ndaj kësaj zone, e cila po tërheq me shpejtësi flukse turistike nga shumë vende të botës.

“Eksplorimi i Lumit të Shalës dhe Valbonës si dhe udhëtimi me motovarka apo me traget nëpër tre liqenet e luginës janë një nga përvojat më mbresëlënëse për vizitorët vendas dhe të huaj, thotë Aurora, por mbeturinat, që shfaqen herëpashere në ujërat e liqeneve, e dëmtojnë turizmin në këtë zonë.

“Gjatë të gjithë vitit në këtë basen problematike është ndotja, ndotja plastike që kryesisht vjen nga hedhja e mbeturinave në përrenj, lumenj, si mënyra më e shkurtër për të hedhur mbeturinat, por që është edhe rruga më e gabuar, e cila nuk po gjen zgjidhje. Duhet ndërgjegjësim, përmirësim i infrastukturës dhe hapësira për venddepozitimet e mbetjeve”, thotë ajo.

Pothuajse çdo vit, Korporata Elektroenergjitike, së bashku me vullnetarët e shoqatës mjedisore “Eko Mendje”, ndërmarrin aksione për pastrimin e Liqenit të Komanit nga mbeturinat. Megjithatë, sipas drejtuesit të kësaj shoqate, Mirsad Bashës, është përgjegjësi e bashkive mbrojtja e zonës nga ndotja prej mbeturinave.

Në pikën turistike të Lumit të Shalës, sipas kryetarit të Bashkisë Vau Dejës, Kristian Shkreli, aktualisht operojnë rreth 70 subjekte private në funksion të turizmit, të cilët paguajnë taksat në Bashkinë e Shkodrës, ndërsa pastrimin e zonës e bën Bashkia Vau Dejës, një bashki me fonde të pakta për të menaxhuar një territor kaq të gjërë.

“Këtë vit kemi pasur jashtëzakonisht shumë mbetje që na kanë sjellur shumë probleme. Sivjet ja kemi dalë, por shpresojmë që për vitin tjetër të bëjmë ndonjë kontratë me Bashkinë e Shkodrës për t’a patur sa më të lehtë pastrimin e tyre, sepse Bashkia e Shkodrës, për shkak të largësisë me Liqenin e Komanit, e ka të pamundur të bëjë pastrimin e mbeturinave që hidhen në liqen”, thotë ai.

Megjithë potencialin e madh për një zhvillim të turizmit malor të qëndrueshëm dhe gjithëvjetor, Lugina e Drinit, ashtu si e gjithë zona Veriore e Shqipërisë përballet me problematika, të cilat kanë ardhur nga një mungesë e gjatë ndër vite e vëmendjes ndaj kësaj zone, shoqëruar me investime të pakta në krahasim me zonat e tjera të Shqipërisë.

UGSHPD: RILINDJE MBI FAJDE

 

Kur një qeverisje i ka konsumuar idetë dhe kur korrupsioni që mbulohet nga propaganda mbetet i vetmi element dallues, publiku duhet të jetë shumë përzgjedhës nga sa sheh dhe dëgjon se çfarë bën politika. Tashmë prej mbi 11 vitesh kostumet dhe këpucët e ndërruara, portreti i freskët nga terapia dhe meditimi, sikurse dhe flokët krehur e lëkura e tendosur janë më e dukshmja e forës pse  karriget janë rrotulluar gjatë tre mandateve. Tani në Shtator, kur kanë mbetur vetëm pak muaj nga skadenca e mbathjeve* të reja, Rama vendosi të vërë metrin e rrobaqepësit (profesioni i tij i preferuar pas daljes nga politika), 187 klientëve të rinj të mundshëm të pushtetit e t’i vendosë ata përballë provës së kostumit të ri politik, me shijen dhe luk-un* pushtetar drejt 2030-ës.

Pra 187 klientë, 47 e të cilëve në listën e mbyllur do ta marrin Shqipërinë në dorë për ta çuar drejt Evropës.

Kjo është egoja politike dhe etja për pushtet me një mandat të katërt të Rilindjes Socialiste që doli nga Asambleja Kombëtare e PS e mbledhur në Golem, Durrës. 

Pra 187 të larët, të krehurit, të veshurit, të kamurit, të blinduarit me roje dhe të paguar nga taskat e shtetit janë gati për ofertën e re të Edvin Ramës.

Po shtetasit që i zgjedhin dhe i punësojnë pushtetarët ku janë?

Tani për tani dhe me erozionin 11 vjeçar nuk ke më nga ta kapësh pasi popullsia ka emigruar jashtë vendit me 1/3 e saj. Të flasësh për ekonominë e varfër, rritjen e çmimeve, shëndetësinë, arsimin, energjinë, furnizimin me ujë të pijshëm, grabitjen e natyrës dhe ndotjen e mjedisit etj. këto do të ishin fare të pamjaftueshme dhe të mërzitshme si fakte sepse sipas filozofisë rienergjizuese të Rilindjes Socialiste, Shqipëria sot jeton vitet e një pas njëshme të lumturisë së mbi 10 milion vizitorëve si dhe të tregut më të madh të zbatimit të koncesioneve për frymë popullsie për çdo projekt zhvillimi që futet nën prioritet globale më parë se interesat jetike të popullsisë së vendit. Thënë shkurt, bukë, ujë dhe dritë!

E trajtuam kështu hyrjen e shënimit, pasi Asambleja e Rilindjes Socialiste fillimin e saj e kishte “interesant”. Zhvillimi ose shtjellimi i brendshëm në të si raporti, kritika, autokritika, zgjedhjet e organeve të reja, emërimet, përshëndetjet, thumbat, cinizmi “i humorit”, dyert e mbyllura apo të hapura etj. janë pjesa më e rëndomtë e njohjes me procesin dhe shërbimet që i bëhen makinerisë elektorale për pranverën 2025.

Pra le të ndalemi tek çelja.

Bledi Klosi i rizgjedhur në pozicionin që mbante Sekretar i Përgjithshëm që theksoi se:-“…arritja më e madhe është rienergjizimi i gjithë strukturës së PS, kontaktet me ta dhe përgatitja e strukturës sonë për proceset shumë të rëndësishme që kemi tashmë pas vendimmarrjes të kongresit të datës 8 Dhjetor (2023), që janë procesi i censusit të gjithë procesit tonë zgjedhor dhe pastaj të përgatitjes së gjithë strukturës së PS për të qenë të gatshëm për mandatin tonë të katërt, për të përgatitur PS për garën elektorale dhe natyrisht për t’i dhënë mbështetje vizionit të Edi Ramës ‘Shqipëria 2030’…”

Pas ftesës së mirëseardhjes nga Klosi, kryetari i PS Edvin Rama i vuri menjëherë pikat mbi i duke vënë theksin tek 135 anëtaret/et që marrin pjesë për herë të parë në organin e asamblesë duke nënvizuar se:-“… konsiderojeni një nder të posaçëm dhe një borxh të madh që ja keni kongresit që ju dha votën dhe përpiquni t’ua ktheni këtë borxh të gjithë anëtarëve të familjes sonë të madhe politike duke e kryer me dinjitet në komunitetet tuaja detyrën e përfaqësuesit të asamblesë”.

Kjo mjafton për të kuptuar publiku, më shumë se sa çfarë thuhet nga raportet që premtimet “do të” e bëjnë Rilindjen Socialiste të aftë që të mbysë me propagandë opinionin publik mbi programet, zgjedhjet dhe emërimet e reja dhe të gjithë strategjinë për të zotëruar edhe më gjatë suksesin.

Borxhi një koncept i detyrimit të shlyerjes, ofertë për atë që nuk ka se ku punon, ku jeton, çfarë krijon dhe mund të merret me politikë në qoftë se nuk zgjedh rrogën dhe “postin fajde” tek piramida e pushtetit të Rilindjes Socialiste, është ndoshta ai vizion i Ramës që del nga modulet e Akademisë Politike një veshje ideologjike progresiste që shkakton dhe “shëron” kriza për të mbajtur sa më gjatë pushtetin.

I veçuam pikërisht këto dy shtjellime pasi prej periudhës nga njëri kongres tek asambleja e përgjithshme, Rilindja Socialiste e kryesuar nga Rama ka mbledhur plenume, ka ndërruar ministre dhe ministra, ka drejtuar samite ndërkombëtare sikurse dhe ka shëtitur drejt tyre pa realizuar asgjë veç imazhit dhe të propagandës të cilat sot jo vetëm brenda vendit, por kryesisht me shqiptarët e diasporës që janë të interesuar për ta ndryshuar vendin, profili i tij politik mbetet ai i një autokrati të cilin vetëm vota e lirë do ta largojë.

Kjo asamble doli me emra drejtuesish jo të padëgjuar më parë.

Motoja rienergjizim, doli të jetë rizgjedhje e po atyre që janë në krye ndërsa ndjesia e borxhit tek ata që i afrohen elitës së Rilindjes Socialiste janë treguesit më të mirë për të kuptuar se kjo forcë politike në pushtet udhëhiqet me parimet e përfitimit dhe me propagandë. Fatkeqësi për ata shtetas të pandërgjegjësuar ende që 11 vitet e Rilindjes Socialiste që po vërtetojnë se kanë zhgënjyer demokracinë, rendin e së drejtës, ekonominë e tregut dhe zgjedhjet e lira, përsëri do të mashtrohen nga pritshmëritë dhe rezultati i një qeverisje të papërgjegjshme që sërish kërkon edhe një shtytje të pushtetit drejt 2030,  “e zotuar” për t’i futur shqiptarët në Evropë.

_______________
mbathjeve*= ose veshmbathjeve
luk-un*= paraqitjen dhe veshjen pushtetare (the look of power/appearance).
 
8 Shtator, 2024
 

Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Profesionistë të Diasporës (UGSHPD)

Verband Albanischer Berufsjournalisten der Diaspora (VABD)

Union of Professional Albanian Journalists of Diaspora (UPAJD)

L’Union des journalistes professionnels albanais de la diaspora (UJPAD)

Unione dei Giornalisti Professionisti Albanesi della Diaspora (UGPAD)


Send this to a friend