VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Rasti “Caja”- Agron Tufa padit ish-drejtorin e Qafë Barit: Ne po bëjmë detyrën. Topi në pushkë le t’i ngelet drejtësisë shqiptare

By | June 23, 2019
blank

Komentet

blank

Intervista – Loeckel: Kosova të fuqizojë mekanizmat mbikëqyrës kundër korrupsionit

Kestrin Kumnova

Kosova duhet të fuqizojë mekanizmat e pavarur që do të mbikëqyrnin shpenzimet qeveritare, si pjesë e luftimit të korrupsionit në nivele të larta, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Norman Loeckel, ekspert i organizatës Transparency International në Gjermani.

Duke folur për emisionin “Iustitia”, që është prodhimi më i ri i Radios Evropa e Lirë, në bashkëpunim me Betimin për Drejtësi, eksperti gjerman thotë se edhe në Gjermani ka dobësi në ligjet që luftojnë korrupsionin, mirëpo sipas tij, ndjeshmëria e publikut dhe mediave është shumë e lartë.

Radio Evropa e Lirë: Si ka arritur Gjermania të renditet në top dhjetëshen e vendeve në luftën kundër korrupsionit në sektorin publik?

Norman Loeckel: Gjermania ka rregulla shumë strikte për punonjësit në sektorin publik dhe në përgjithësi për personat që punojnë në qeveri. Këto rregulla zbatohen fuqishëm. Kjo është njëra pjesë e tregimit, pjesa tjetër është se ne kemi natyrisht politikanë për të cilët rregullat, fatkeqësisht janë relativisht të dobëta dhe nuk zbatohen me vendosmëri. Pra, kemi një lloj sistemi të ndarë. Mendoj se në përgjithësi ka një nivel të ulët të tolerancës në shoqërinë gjermane dhe media për rastet e korrupsionin. Pra, edhe në fushat ku rregullat janë relativisht të dobëta, ka pasoja të mëdha nëse zbulohet korrupsioni.

Radio Evropa e Lirë: Në çfarë shkalle janë rastet korruptive në mesin e zyrtarëve të lartë politik dhe çfarë trajtimi bën Gjermania për këto raste?

Norman Loeckel: Në nivelet e larta, që nënkupton njerëzit që punojnë në qeveri – ministrat –nuk ka pasur shumë raste të korrupsionit. Në përgjithësi, në nivelet e larta qeveritare ka shumë pak korrupsion, kjo edhe për faktin se këtu në Gjermani ka shumë kontroll. Njëri ndër rastet është ai i një zëvendësministri të Mbrojtjes, i cili ka pranuar ryshfet gjatë prokurimit të materialeve të mbrojtjes. Ky rast u zbulua shpejt. Ai u mundua të ikte në një vend tjetër, por nuk ia arriti. Ai do të ekstradohet dhe gjykohet në Gjermani. Pra, në përgjithësi, për shkak të kontrolleve të rrepta të mekanizmave parlamentarë dhe joparlamentarë si dhe nga ana e mediave, në nivelet e larta qeveritare, është e vështirë të fshihet korrupsioni.

Radio Evropa e Lirë: Sa zgjasin procedurat gjyqësore në këto raste dhe cilat lloje të dënimeve parashikohen me ligj?

Norman Loeckel: Nëse një zyrtar i lartë i qeverisë është i përfshirë në ryshfet, ky rast merret shumë seriozisht, varësisht edhe prej kompleksitetit të çështjes. Nëse është rast më kompleks, prokuroria mund të hetojë për dy vjet, nëse është ndonjë shkelje më e ulët, atëherë gjithçka mund të përfundojë brenda disa muajsh. Në lidhje me dënimet, ato natyrisht se dallojnë, varësisht nga çështja. Nëse ka pasur shkelje të lehta të rregullave, mund të mos ketë dënim, por vetëm veprime disiplinore brenda ministrisë. Por, nëse është çështje korrupsioni e profilit të lartë, kemi pasur raste të tilla që kanë kaluar vite të tëra në burg.

Radio Evropa e Lirë: Cili është reagimi i publikut dhe mediave për rastet potencialisht korruptive në mesin e zyrtarëve të lartë?

Norman Loeckel: I marrin me shumë seriozitet këto shkelje, qoftë edhe nëse janë veprime potenciale. Në përgjithësi kanë shumë pak tolerancë dhe kjo mund të paraqesë një fund të shpejtë të karrierës për politikanët dhe zyrtarët publikë nëse janë të përfshirë në korrupsion. Në fakt ka shumë më pak tolerancë krahasuar me ligjet. Ligjet ndonjëherë, në disa raste janë të dobëta, por publiku është shumë i ndjeshëm. Pra, edhe në rastet kur ligji nuk e ndalon, karriera për politikanët e përfshirë në afera korruptive mund të marrë fund.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë është kyçe në trajtimin e rasteve korruptive të zyrtarëve të lartë?

Norman Loeckel: Së pari duhet të keni rregulla të ashpra dhe ato duhet të zbatohet. Nuk është e mjaftueshme të kesh vetëm prokurorë, por gjithashtu duhet të keni mekanizma parlamentarë që mbikëqyrin ministritë, pastaj mekanizma të pavarur të llogaridhënies që mbikëqyrin shpenzimet e parave në ministri dhe procesin e prokurimit, nëse fondet publike po shpenzohen në bazë të ligjit. Këto mekanizma auditimi dhe të pavarur brenda qeverisë duhet të jenë të fuqishme dhe vërtetë të ushtrojnë kontroll.

Radio Evropa e Lirë: Çfarë mësime mund të marrë Kosova nga Gjermania në lidhje me trajtimin e rasteve korruptive të nivelit të lartë?

Norman Loeckel: Natyrisht, nëse ligjet janë aty, por ato nuk zbatohet, atëherë ky është një problem i madh. Ligjet mund të përmbysen nëse ekzistojnë në letër, por nuk ka mekanizma të pavarur të cilët kontrollojnë shpenzimet e parave për shembull brenda qeverisë. Kështu është vështirë t’i hapet rruga ndëshkimit. Nëse keni këto mekanizma të pavarur, natyrisht ju duhet të keni vullnet politik që gjithashtu të keni prokurorë të pavarur, të cilët mund t’i dërgojnë shkelësit para gjykatës.

blank

Dr. Driton Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“ Intervistoi: Dashnim HEBIBI

Intervistë ekskluzive me Dr.Driton Salihu, tash më ish drejtor i Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë

Salihu: „Në 321 shtëpi të shëndetit në Serbi, isha i vetmi i kombësisë shqiptare“

„Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik. Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.“, na tha ndër të tjera, z.Salihu.

Në këtë kohë të rëndë kur pandemia thuajse në çdo skaj të botës po qëndron dhe po merr jetë njerëzish, në Luginë të Preshevës, në vend se të bashkëpunohet, atje po krijohet panikë te qytetarët e Preshevës me rrethinë, duke e shkarkuar edhe drejtorin e shtëpisë së Shëndetit. Presheva me rrethinë, duke lënë anash simpatitë politike lokale, të gjithë së bashku, përcillnin çdo informacion që vinte nga drejtori i Shtëpisë së Shëndetit, ku ai në forma të ndryshme në fillim të pandemisë, mundohej që në mënyrë profesionale me ato mundësi që kishte, që ti informoj banorët e asaj treve me një pandemi që e ka kapluar gjithë botën. Qysh në fillim edhe lexuesit tanë, kanë pasur mundësi të lexojnë një intervistë nga drejtori z.Driton Salihu, ku ai gjithnjë i bënte thirrje banorëve, që ti respektojnë masat e vendosura dhe ashtu u veprua, për një kohë, Presheva me rrethinë, nuk kishte as një person të infektuar. Kur dihet, se egziston shtëpia e shëndetit dhe është stafi që punon aty dhe punonte në çdo kohë edhe në fillim të pandemisë edhe telefoni privat i drejtorit nuk pushonte, për t`u informuar, ku edhe vetë ai nuk pritonte, por postonte githnjë informacione përmes FB, se si është gjendja dhe të mos bëhet panikë, por jepte informacione profesioniste. Shkurt e shqip, qytetari ndjehej më i besueshëm, kur në krye të një institucioni të shëndetësisë është një shqiptarë. Edhe pse një qytet me një përqindje mbi 90 përqind shqiptarë në pandemi, aty shkarkohet drejtori i shëndetësisë dhe në vend të tij vendoset një mjekë serb. Për të kuptuar më shumë pse ka ndodhur ky rast, se si është gjendja aktuale në Preshevë e me rrethinë në këtë pandemi si dhe për projektet që i ka pasur ndërmend ti ndërmarë, na flet ekskluzivisht, Dr.Driton Salihu, tash më, i shkarkuar nga detyra e të parit të shtëpisë së shëndetit në këtë qytet.

Z.Salihu, përshëndetje të përzemërta. Të falënderoj fillimisht për kohën, që do të ndani për të realizuar këtë intervistë. Lajmin për shkarkimin tuaj nga detyra e e drejtorit të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, thuajse çdo banorë i Preshevës e me rrethinë e kanë pritur keq, sepse jemi në një kohë të rëndë të Pandemisë me Covid-19, plus kur dihen sukseset tua gjatë gjithë pandemisë. Lexuam disa prononcime tuat në disa media, por a mund t`na tregoni drejt, keni menduar, se do merni një shkarkim nga detyra në këtë kohë?

Ju falënderoj edhe juve gjithashtu. Presheva po kalon një situatë të vështirë epidemiologjike, sidomos nga muaji mars kur ndihmë në shtëpi të shëndetit kanë kërkuar 2211 pacient me simptome febrile ku prej tyre 412 kanë qenë pozitiv në Covid-19, çka është një shifër e lartë për një komunë si Presheva. Deri sapo përballeshim me pandeminë globale dhe vaksinimin masiv, unë me një letër nga ministri i shëndetësisë së Serbisë jam shkarkuar dhe në vend timin është emëruar një mjek i kombësisë serbe.

Pse, sipas jush jeni shkarkuar?

Në dokument shkarkimin nga ministria e shëndetësisë nuk ka asnjë edhe një arsyje të vetme për shkarkimin tim. Në momente kur përballesh me probleme në menaxhimin e shëndetsisë, por gjatë kësaj rruge duhet të përballesh edhe me letra “anonime” e procese të montuara gjyqësore e sabotime të inicuara nga persona të ndryshëm.
Kjo sfidë në asnjë moment nuk ndaloi motivacionin tim për një shëndetësi efikase dhe profesionale për Komunën e Preshevës. Këto në foto, që do ta shihni edhe në profilin tim në FB janë vetëm një pjesë e letrave “anonime” të cilat janë dërguar në Beograd për rë inicuar kontrollime të inspektorëve, për të shpifur, e shantazhuar dhe kompromituar Shtëpinë e Shëndetit në Preshevë. Ata të cilët kanë qenë pjesë e këtij komploti e mbajn përgjegjësinë për këtë katrahurë.
Mua më mbetet vetëm keqardhje për pacientet tanë që më së pakti e kanë merituar këtë situatë.

Sigurisht, keni pasur kontakte më herët me ndoj zyrtarë të ministrisë së shëndetit të Serbisë më herët, se si të menaxhohet kjo pandemi?

Po kontaktet kanë qenë të vazhdueshme me Insitutin për shëndet publik pasi ka të bëj me vaksnimin e popullatës po edhe testimet me Covid-19.

Pandeminë e keni menaxhuar që në fillim mirë, por tash, dita ditës, po vijnë lajme nga Presheva me rrethinë, se shumë po ka të infektuar dhe po ndahen nga jeta. Ku është faji?

Rastet e vdekjeve janë rritur, pasi Covid-19 nuk po pyet më as moshën po as gjininë. Të gjithë ata që po kanë sëmundje dytësore po edhe në një far mënyre po lajmrohen me vonesë, një numër i tyre po përfundon edhe me fatalitet.

Ishit i vetmi drejtor shqiptarë i Shtëpisë së Shëndetit në Republikën e Serbisë. Mos ndoshta, pse jeni shqiptarë jeni larguar?

Në 321 shtëpi të shëndetit që janë në Serbi, unë i vetmi i kombësisë shqiptare. Konsideroj që arsyja e vetme e shkarkimit tim është ai politik.
Komuna e Preshevës ka qenë njërsa ndër komunat me menaxhim më të mirë sa i përket vaksinimit të popullatës tek ata me mbi 65 vjet. Ne kemi qenë në top 5 komunat sa i përket vaksnimit të popullatës.

Doktor, padyshim se edhe stafi i mjekëve e kanë pritur keq. Si ishte reagimi i tyre?

Në një komunë ku janë 95% e banorëve shqiptar dhe një drejtues i një institucioni kaq të rëndësishëm vendoset i kombësisë serbe, atherë len të kuptohet edhe revoltimi i shumicës së qytetarëve.

Cili është suksesi juaj më i madh gjatë mandatit tuaj?

Ne kemi qenë përfitues i projektit më të shtrenjtë financiar në Renovimin e plotë të objekteve të Shtëpisë së Shëndetit në Preshevë, projekt i cili ende nuk është tenderuar nga Qeveria serbe, edhe pse të gjitha procedurat paraprake kanë kaluar që nga 2017-ta.
Renovimi i urgjencës me mjete Ndërkombëtare, realizimi i Programit të asistencës shtëpiake në bashkëpunim me Komunën e Preshevës për punësimin e stafit mjekësor, zgjerimin dhe avancimin e shërbimeve mjekësore në vendbanimet e komunës së Preshevës, renovimi i ambulantave në vendbanimet e komunës sonë, rekonstruksioni i sistemit të ngrohjes qendrore në një sistem ekologjik, sigurimi i autoambulancave si donacion nga vendet evropiane, vendosja e Sistemit të menaxhimit të orarit të punës për stafin medicinal, sigurimi i vendeve të punës në afat të pacaktuar për një numër të konsiderueshëm të punëtorëve medicinal, pajisje me aparaturë të re në laborator e shumë projekte të tjera që janë me rëndësi vitale për një shëndetësi më të mirë për qytetarët e Preshevës.

„Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës“

Përpos disa projekteve, që i keni realizuar, sa jemi të informuar, keni pasur edhe një projekt kërkese për të realizuar edhe spitalin e parë shqiptarë në Luginë të Preshevës, aty diku në mes të Preshevës e Bujanocit?

Presheva dhe Bujanoci e kanë momentin e fundit që të kenë një spital rajonal. Këto dy komuna kanë rreth 80.000 banorë dhe shërbimin shëndetësorë dytësor Presheva e ka 45 kilometra larg në qytetin e Vranjës.
Unë iu kam drejtuar me arsyje të qarta presidentit serb, kryeministres së Serbisë, ministrit të shëndetësisë si dhe së bashku me vetqeverisjen lokale që kjo iniciativë sa më shpejtë të aktualizohet pasi momentalisht kërkesat primare janë që reparti i pediatrisë dhe sëmundjeve interne janë të patjetërsueshme për qytetarët e komunës së Preshevës që mos të udhëtojnë në qytetet tjera.

Na flisni më shumë ju lutem në lidhje me këtë projekt, ku e keni menduar mbështetjen, nga Ministria e Serbisë, Shqipërisë, Kosovës apo nga diaspora jonë, apo tek të gjitha nga pak, me rëndësi të realizohet ky projekt?

Ne për fillim kemi nevoj vetëm për leje nga Ministria e shëndetësisë gjegjësisht nga qeveria e Serbisë. Vendin, ndërtimin apo edhe realizimin e këtij projekti e kemi më të lehtë, pasi siç dihet edhe diaspora e jonë ka shpreh interesim të madh që Presheva dhe Bujanoci të ketë spital, po ashtu edhe qeveria e Kosovës dhe Shqipërisë me fondin e premtuar të solidaritetit mund të jap kontribut të veçant. Ne staf kemi, po edhe me angazhimin e mjekëve shtes, do të kompletohej i tërë spitali.

„Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital“

Pse sipas jush, nuk është ndërtuar deri më tash, një spital në Luginë të Preshevës?

Nuk ka pas interes as shteti, po edhe asnjëherë nuk është bë një kërkesë e mirëfilltë dhe e detajizuar që Presheva të ketë spitalin rajonal.
Kur një komunën si Pasjani në Gjilan e cila ka 3-4 herë më pak banor se Presheva ka spital, atherë edhe pse Lugina e Preshevës mos të ketë?

Qytetarët e Luginës së Preshevës, siç e dini edhe Ju, duhet të shkojnë në Vranjë, Nish, Shkup edhe më larg për ndoj sëmundje serioze, pse a nuk ka kapacitet mjekësorë lugina. Komenti juaj?

Po, qytetarët e Preshevës për edhe një shërbim më të vogël sekondar mjeksor duhet të udhëtojnë për në spitalet tjera nëpër Serbi.

Ti kthehemi shkarimit tuaj nga detyra, a keni bërë ndoj ankesë apo keni ndërmend që të ankoheni?

Vendimi për shkarkim është i plotfuqishëm andaj edhe nuk ka asnjë mënyrë ankese.

Besoni, se do të fitoj drejtësia?

Të shohim, është vendim arbitrar nga Ministria e shëndetësisë.

Z.Salihu, edhe njëherë, si e shini shëndetësinë e Preshevës me rrethinë, mu në valën e tretë të Covid-19, ku dita ditës po merr jetë?

E rënduar, andaj edhe qytetarët duhet të kenë shumë kujdes në preventivën ndaj kësaj pandemie. Ende asgjë nuk ka përfunduar edhe pse vaksinimi po shkon mirë.

Për fund të kësaj interviste, mundem të them, nga shumë mendime të banorëve të asaj ane, sa i kemi përcjellur, se kanë thënë, po e humbëm një drejtorë, që nuk është ndal asnjëherë, që të jetë sa më afër nesh, sidomos tash me pandemi. Komenti juaj?

Ne kemi dhënë maksimumin dhe me mundësitë tona i kemi dalë në ndihmë të gjithë qytetarëve që kanë pasë nevoj në luftë kundër Covid-19 dhe ia kemi arritur të menaxhojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Të flm edhe njëherë e u dëgjofshim për gëzime.

Ju lutem. Ju falënderoj edhe juve dhe përshëndes të gjithë lexusit tuaj kudo që ndodhen. Lutem, që të kalohet kjo pandemi sa më shpejt, por edhe kësaj here, edhe pse nuk jam në detyrë, si bashkëqytetarë, ju kisha lutur të gjithë banorëve, që të kenë kujdes, ti mirëmbahen rregullave, sepse pandemia është e pamëshirshme. Prandaj, ju lutem, kujdes, jo panikë, por të kemi mirëkuptim për rregullat që janë vendosur, që të gjithë së bashku të dalim fitues para kësaj pandemie.

blankblank

Intervistoi: Dashnim HEBIBI

blank

Intervista – Caplan: Do të ketë presion mbi Kurtin për dialogun

Dr. Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oxfordit.

Kestrin Kumnova

Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do t’i bëjnë presion kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, që të nisë dialogun me Serbinë pa vendosur parakushte, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Richard Caplan, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin e Oksfordit. Ai nuk është optimist për ndonjë rezultat të shpejtë në dialog, për shkak të pozicionit aktual të palëve. Madje, thotë se bazuar në situatën e tanishme, ekziston mundësia që dialogu të zgjasë pa fund, siç po ndodh në rastin e Qipros apo mes izraelitëve dhe palestinezëve.

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka formuar tashmë qeverinë e re dhe Bashkimi Evropian ka bërë thirrje që ajo të angazhohet menjëherë në dialogun me Serbinë, që lehtësohet nga Bashkimi Evropian. Sipas jush, çfarë zhvillime mund të priten në lidhje me dialogun pas ndryshimit të përbërjes së qeverisë në Prishtinë?

Richard Caplan: Pyetja është nëse do të ketë dialog. Mendoj se ka presion në (kryeministrin e Kosovës, Albin) Kurtin dhe në Serbinë që të rifillojnë negociatat. Mendoj se ka mundësi që të mbahen prapë, por nuk jam shumë optimist për rezultatin që mund të prodhojnë. Në fakt, Kurti ka ulur nivelin e pritjes, pasi ka sugjeruar se nuk është realiste të fokusohet në marrëveshjen përfundimtare, por të ketë fokusim në çështje siç është tema e të pagjeturve. Mendoj se ky është një drejtim ku mund të bëhet një lloj përparimi, por duke pasur parasysh natyrën dhe shkallën e mospajtimeve mes dy palëve, mendoj se do të jetë shumë e vështirë të lëvizet përpara në çështje më thelbësore.

Radio Evropa e Lirë: Siç e thatë edhe ju, kryeministri Kurti insiston në disa principe që duhet përmbushur në mënyrë që të vazhdojë dialogu, ndër të cilat është edhe kërkimfalja nga Serbia dhe njohja e Kosovës. Menjëherë ka pasur reagime nga Serbia në lidhje me këto kushte. Si e vlerësoni ju këtë situatë?

Richard Caplan: Duke e ditur pozicionin e Kurtit dhe të partisë së tij, unë nuk jam i befasuar me këto parime. Ai iu thotë parime, por në të vërtetë ato janë parakushte. Unë mendoj se ju duhet të shkoni në dialog pa parakushte. Mendoj se është e rëndësishme që të fillohet, të ketë bisedime dhe dialog. Këto parakushte nuk do të plotësohen nga ana e Serbisë, pasi ky vend nuk do të pranojë Kosovën si shtet të pavarur, ashtu siç ka kërkuar Kurti.

Radio Evropa e Lirë: Cilat mund të jenë pasojat për të dyja vendet nëse nuk angazhohen në dialog?

Richard Caplan: Është ngecje dhe mendoj se kjo situatë mund të zgjasë pafund. Ju keni shembuj të situatave të tilla, për shembull negociatat në Qipro mes qipriotëve turq dhe atyre grekë. Negociatat e tyre po zgjasin me dakada. Pastaj, negociatat mes izraelitëve dhe palestinezëve, të cilat gjithashtu po zgjasin me dekada. Pra, nuk mund të përjashtohet mundësia që edhe ky dialog (Kosovë-Serbi) të zgjasë pafundësisht në të ardhmen. Megjithatë, mendoj se dallimi në këtë rast është se do të ketë shumë presion ndaj palëve që të shënojnë përparim. Një aspekt për të cilin të gjithë shpresojnë se mund të bëjë dallimin është anëtarësimi i Serbisë në Bashkimin Evropian, dhe kushti ndaj saj që të normalizojë marrëdhënien me Kosovën. Kjo mund të ishte një pikë kthese. Por, për momentin kur shikoj të ardhmen, nuk jam shumë optimist.

Radio Evropa e Lirë: A mendoni se presioni do të bëhet më shumë në anën e kryeministrit Kurtit, për të mos vënë kushte ndaj dialogut?

Richard Caplan: Po mendoj se do të ketë shumë presion ndaj Kurtit të tërhiqet nga kushtet sepse këto janë kushte të reja, nuk janë vënë më parë nga liderët e Kosovës për të zhvilluar dialogun me Serbinë. Pra, po mendoj se do të ketë presion ndaj Kurtit nga ana e Bashkimit Evropian dhe administrata e presidentit amerikan, Joe Biden që të vazhdojë dialogun pa parakushte.

Radio Evropa e Lirë: Administrata e re amerikane ka treguar sinjale të një bashkëpunimi më të afërt me Bashkimin Evropian në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi. Cilat mund të jenë rezultatet e këtij bashkëpunimi?

Richard Caplan: Unë mendoj se kordinimi më i mirë do të jetë rezultat i këtij bashkëpunimi. Nuk ka pasur koordinim të mjaftueshëm ndërmjet administratës së ish-presidentit, Donald Trump dhe Bashkimit Evropian. Në disa aspekte administrata e Trumpit ka vepruar njëanshëm – por jo kundër – objektivave dhe qëllimeve të Bashkimit Evropian. Mendoj se administrata Biden do të jetë më e ndjeshme në kuptim të rëndësisë së koordinimit. Megjithatë, dallimi qëndron në faktin se kjo çështje nuk është me prioritet të lartë për administratën e Bidenit, por mbetet e rëndësishme. Administrata amerikane tashmë ka sinjalizuar se për të kjo çështje është e rëndësishme që të zgjidhet.

Mendoj se kanë prioritete më të mëdha, kryesisht të brendshme, ballafaqimi me pandeminë dhe rimëkëmbjen ekonomike, por edhe ato të jashtme siç janë: rifillimi i dialogut me Iranin, pastaj Kina dhe Rusia. Mendoj se këto kanë përparësi në krahasim me Kosovën. Për SHBA-në nuk do të jetë e rëndësishme njëjtë sikurse është për Evropën, por do të ketë përpjekje më të mëdha për të punuar së bashku në këtë drejtim.

blank

Intervista – Lajçak: Vazhdimi i dialogut, brenda javësh

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë se takimi i parë midis kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, pritet të ndodhë brenda disa javësh.

Ai thotë se është inkurajuar nga vizita e fundit në Prishtinë dhe Beograd, ku, siç shprehet, ka marrë garanci se udhëheqësit janë të gatshëm të vazhdojnë dialogun.

Me Kurtin në krye të delegacionit të Kosovës, Lajçak beson se ekziston një situatë e re, sepse, sipas tij, të dy bartësit e dialogut tani kanë mandat shumë të fuqishëm.

Të premten e kaluar, Këshilli Evropian ka zgjatur mandatin e Lajçakut deri në gusht të vitit 2022.​

Radio Evropa e Lirë: Zoti Lajçak, Kosova, së voni, është bërë me Qeveri të re dhe kjo është pikërisht ajo që ju duhet për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi. Kur mund të presim takimin e parë midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq?

Mirosllav Lajçak: Mendoj se takimin e parë mund ta presim shumë shpejt, pa shtyrje të panevojshme. Kosova, ashtu siç jemi marrë vesh edhe me zotin Kurti, duhet të përfundojë me krijimin e institucioneve. Ka mbetur tani edhe zgjedhja e presidentit dhe përgatitja e ekipit të ri. Pas kësaj, presim që ata të jenë të gatshëm. Ai [Kurti] më ka thënë se është i gatshëm të vijë në Bruksel, për t’u takuar me presidentin Vuçiq. Vuçiq më ka thënë se është i gatshëm të vijë kurdo që të ftohet.

Radio Evropa e Lirë: Tani do të keni bashkëbisedues të rinj nga Prishtina. Në mesin e tyre ka të tillë që mendojnë se duhet rifillim i dialogut dhe jo vazhdim i procesit që ka ngecur në shtator. Si e imagjinoni ju këtë takimin e parë midis kryeministrit të ri të Kosovës dhe presidentit të Serbisë, në kontekstin e procesit që udhëhiqni tashmë një vit?

Mirosllav Lajçak: E rëndësishme është se gjatë qëndrimit tim të fundit në Prishtinë dhe Beograd, partnerët më kanë konfirmuar se e dinë mirë rëndësinë e dialogut dhe se janë të gatshëm të vazhdojnë me këtë proces. Natyrisht se dialogu është jo vetëm [proces] i normalizimit të marrëdhënieve, por edhe platformë ku zgjidhen problemet që sjell jeta. Po, kemi ekip të ri dhe kur jam takuar me zotin Kurti në Prishtinë, më ka thënë se duhet të njoftohet me tërë procesin, me atë që është rënë dakord dhe ky ka qenë edhe një nga qëllimet kryesore të vizitës sime. Jemi pajtuar që të takohemi edhe një herë pasi të njoftohet [me procesin], në mënyrë që të merremi vesh se si të vazhdojë procesi.

Unë tani pres takimin e radhës, për të diskutuar se në çfarë forme do të vazhdojmë, sepse ajo që është dakorduar, është dakorduar nga Qeveria e kaluar. Duhet të shohim se në çfarë mase do të identifikohet Qeveria e re me atë që është rënë dakord, apo do të vijë me propozime të reja. Natyrisht se agjenda, përmbajtja e bisedimeve përcaktohet nga dy palët, Prishtina dhe Beogradi.

“Nuk kemi kohë për të humbur”

Radio Evropa e Lirë: A keni ndonjë afat kohor, deri kur do të prisni? Kjo që thatë kërkon kohë, ndërsa dialogu ka ngecur gati që një vit.

Mirosllav Lajçak: Kemi pasur një periudhë mjaft produktive midis korrikut dhe shtatorit të vitit të kaluar. Pastaj, situata politike në Kosovë nuk ka qenë e tillë që të lejonte vazhdimin e bisedimeve për këto tema. Tani, siç e thashë, kemi garanci se të dyja palët janë të gatshme të vazhdojnë. Nuk kemi kohë për të humbur, sepse kalendari politik është i tillë që nuk ka zgjedhje të mëdha, nuk ka në Serbi, ka zgjedhje lokale në Kosovë në vjeshtë. Kështu që, duhet ta shfrytëzojmë këtë kalendar politik dhe, siç e thashë, t’iu qasemi bisedimeve pa shtyrje. Kryeministri Kurti i ka marrë këto mesazhe nga partnerët e tij evropianë, nga përfaqësuesi i lartë i BE-së, [Josep] Borrell. Ai e di se kjo [vazhdimi i dialogut] pritet nga ai.

Unë kam thënë se nuk duam asgjë në mënyrë artificiale; natyrisht se duhet të formohen të gjitha institucionet e nevojshme. Kemi Qeverinë, kemi Kuvendin dhe duhet të zgjidhet edhe presidenti [i Kosovës]. Mendoj se kemi edhe bashkëbiseduesin kryesor. Në ekip, mendoj se do të mbeten pak a shumë edhe njerëz që e kanë udhëhequr këtë proces deri tash – pra, ajo përvoja historike. Andaj, mendoj se nuk ka arsye që të mos vazhdojmë brenda disa javësh.

Radio Evropa e Lirë: Kur jemi te kalendari dhe afati prej disa javësh, mandati juaj skadon më 31 mars. Kur Albin Kurti dhe Aleksandar Vuçiq të vijnë në selinë e BE-së, a do të takojnë Mirosllav Lajçakun apo dikë tjetër?

Mirosllav Lajçak: Duket se po, sepse, të premten e kaluar, Këshilli Evropian ma ka zgjatur mandatin deri në fund të gushtit të vitit 2022, pra për 17 muaj. Prandaj, mendoj se kemi kohë të mjaftueshme për një punë serioze.

Radio Evropa e Lirë: Nga Prishtina do t’ju vijë një person që zyrtarisht e ka mbështetur më shumë se gjysma e popullsisë së Kosovës. Sa e lehtëson kjo procesin, në kuptimin e asaj që ajo që do të dakordohet, do të miratohet nga institucionet dhe shoqëria e Kosovës?

Mirosllav Lajçak: Kjo është shumë e rëndësishme. Natyrisht, mbështetja që ka fituar zoti Kurti në zgjedhje është vërtet historike: janë të papara mbi 50 për qind e votave. Kjo i jep fuqi të negociojë, të merret vesh dhe ajo që dakordohet, të realizohet. Kjo është shumë e rëndësishme. E dimë mirë se edhe presidenti Vuçiq ka pozicion shumë të fuqishëm në Serbi. Pra, kemi dy partnerë që kanë mandate shumë të fuqishme. Kjo do të jetë një situatë e re.

Zoti (Avdullah) Hoti [ish-kryeministri i Kosovës] ka qenë përgjegjës, konstruktiv, partner shumë serioz, por fuqia e tij politike ka qenë më e vogël dhe ky po që ka qenë një faktor.

Radio Evropa e Lirë: Zoti Hoti ka pranuar që të hapet çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe nuk ka pasur mbështetje politike që të kthehet sërish në Bruksel dhe t’i vazhdojë këto negociata. Por, ju në disa raste keni thënë se çështja e Asociacionit është e pashmangshme në procesin që udhëhiqni. A qëndroni ende pas kësaj?

Mirosllav Lajçak: Ekziston një parim shumë mirë i njohur i së drejtës ndërkombëtare, që thotë “pacta sunt servanda” – ajo që është dakorduar, duhet të realizohet. Kjo është ajo që mund të them. Për këtë [Asociacionin] është rënë dakord shumë kohë para ardhjes sime, më 2013, më 2015. Nuk mund të sillemi sikurse kjo nuk ekziston. Pres negociata se si të realizohet kjo.

Ndryshimi i kufijve në baza etnike “nuk është koncept i shekullit 21”

Radio Evropa e Lirë: Kanë ekzistuar disa tema që palët i kanë hapur. Nuk janë pajtuar për to, por kanë pranuar të flasin. E kam fjalën për shkëmbimin e territoreve. Bartësit e atëhershëm të procesit, Hashim Thaçi, që nuk është më i pranishëm as fizikisht, as politikisht në Kosovë, dhe Aleksandar Vuçiq, kanë pranuar se në një moment kanë biseduar për mundësinë e shkëmbimit të territoreve. Paraardhësja juaj, Federica Mogherini, ka lejuar hapjen e kësaj teme, duke e arsyetuar me faktin se Bashkimi Evropian nuk do të pengojë çfarëdo që palët merren vesh. Ju, atëbotë, keni qenë ministër i Jashtëm i Sllovakisë dhe e keni kundërshtuar këtë ide. Tani, si përfaqësues i BE-së, a mbeteni pas qëndrimit që keni pasur në Bratislavë apo do të lejoni hapjen e temave kontroverse, nëse palët bien dakord?

Mirosllav Lajçak: Unë nuk i kam ndryshuar qëndrimet e mia. Unë nuk mendoj se roli i Bashkimit Evropian në këtë proces është të marrë shënime. Roli i Bashkimit Evropian është të sigurojë se procesi [i negociatave] është evropian, është proces i shekullit 21, është proces që e afron Kosovën dhe Serbinë me Bashkimin Evropian. Ndryshimi i kufijve në baza etnike nuk është koncept i shekullit 21, nuk është koncept mbi të cilin është ndërtuar BE-ja. Andaj, unë vërtet ndjej se roli im dhe i BE-së është të kërkojmë zgjidhje që janë evropiane.

Unë jam i bindur se ndryshimi i kufijve do të thoshte hapje e Kutisë së Pandorës, që gjë do të ishte shumë e rrezikshme dhe, në të njëjtën kohë, do të nënkuptonte se BE-ja, në njëfarë mënyre, ka hequr dorë nga ambicia e saj për të tërhequr rajonin e Ballkanit Perëndimor në radhët e veta, duke ndërtuar standarde evropiane, kulturë evropiane. [Në të kundërtën] do të shkonim në një drejtim tjetër, në një drejtim shumë të rrezikshëm. Derisa unë të jem në këtë detyrë, do të përpiqem, do të angazhohem dhe garantoj që të gjitha zgjidhjet janë zgjidhje evropiane dhe përafrojnë Serbinë e Kosovën me BE-në, e jo e kundërta.

Radios Evropa e Lirë: A do të thotë kjo se ju, si ndërmjetësues apo lehtësues, nuk do të lejoni hapjen e asaj që konsideroni Kuti të Pandorës, pa marrë parasysh a bëhet fjalë për shkëmbimin e territoreve apo ndonjë temë tjetër që do të shkaktonte kundërthënie të tilla?

Mirosllav Lajçak: Nuk mendoj se duhet të jap ndonjë deklaratë të fuqishme, sepse kjo çështje nuk është në rend dite, nuk është në tryezë dhe nuk do të kalonte. Andaj, askush nuk e vë në tryezë, sepse i kemi parë reagimet që kanë qenë në rajon. Reagime të fuqishme negative. Partnerët janë realistë dhe e dinë mirë se duhet të gjejmë zgjidhje që e ndihmojnë stabilizimin e rajonit dhe evropianizimin e mëtejshëm të tij. Andaj, nuk duhet të them se nuk do të lejoj, sepse nuk ka çfarë të mos lejoj, sepse atë [shkëmbimin e territoreve] momentalisht askush nuk e propozon.

Radio Evropa e Lirë: Keni thënë se angazhoheni për një marrëveshje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme, që do t’i zgjidhte të gjitha çështjet e hapura midis dy palëve. Po ashtu keni thënë se do të pajtoheni për gjithçka, derisa nuk merreni vesh për marrëveshjen e plotë. Në mandatin tuaj ka të reja në kuptimin se ju bisedoni për elemente, që në fund do të rrumbullakohen me marrëveshjen gjithëpërfshirëse. Si e shihni ju atë marrëveshje? Si e imagjinoni tekstin e asaj marrëveshjeje midis palëve? Cilat do të jenë ato çështje që do të zgjidhen njëherë e përgjithmonë midis Prishtinës dhe Beogradit?

Mirosllav Lajçak: Unë nuk do t’i prezantoja publikisht ato çështje, por mund të them se presidenti Vuçiq dhe kryeministri [i atëhershëm] Hoti janë dakorduar vitin e kaluar, me ndërmjetësimin tonë. Të dyja palët e kanë ditur saktësisht se për çfarë negociohet, se sa hapa çojnë drejt marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Tani natyrisht se duhet të dëgjojmë nga administrata e re në Kosovë, se në çfarë mase identifikohet me ato marrëveshje apo me atë plan, me atë program, a ka propozime apo elemente të reja, në të cilat edhe ka të drejtë…

Nuk është Bashkimi Evropian ai që vendos se cili do të jetë rezultati, janë Beogradi dhe Prishtina që merren vesh, ndërsa ne jemi aty për të ndihmuar. Andaj, siç e thashë, po hyjmë në një fazë të re dhe duhet të presim takimin e parë të dy udhëheqësve, për të ditur më saktësisht nëse ka ndonjë ndryshim në këtë proces.

Radio Evropa e Lirë: Kur jeni emëruar vitin e kaluar, ka ekzistuar edhe një proces dialogu, që e ka udhëhequr Uashingtoni. Ju madje jeni pritur me “dush të ftohtë” nga administrata e atëhershme amerikane dhe marrëdhëniet Bruksel-Uashington kanë qenë krejtësisht të polarizuara. Tani kemi një administratë të re, e cila në disa raste ka konfirmuar se e mbështet plotësisht dialogun e Brukselit dhe përpjekjet tuaja personale. A është e mjaftueshme që Uashingtoni të dalë me vetëm këto sinjale pozitive të mbështetjes apo prisni që gjatë procesit të ketë një rol më aktiv të zyrtarëve amerikanë?

Mirosllav Lajçak: Mendoj se kemi sinjale mjaft të fuqishme që vijnë nga administrata e tanishme amerikane, që tregojnë se ata e mbështesin Bashkimin Evropian, e mbështesin procesin e zgjerimit, e mbështesin dialogun, e mbështesin misionin tim. Kjo nuk do të jetë pasive. Ata e bëjnë këtë edhe në mënyrë aktive, pra në komunikim me partnerët. Nuk dua të kthehem në të kaluarën, por e kam parë se sa keq e ka pranuar rajoni kur ka vënë re se Brukseli dhe Uashingtoni nuk flasin me gjuhën e njëjtë. Natyrisht se kjo ka qenë në dëm të të gjithëve.

Mua më vjen shumë mirë që sërish jemi në një situatë, në të cilën jemi mësuar të jemi gjatë viteve të kaluara, duke punuar nga afër me Uashingtonin. Edhe Uashingtoni shfrytëzon ndikimin e tij për të përsëritur filozofinë e njëjtë, parimet e njëjta, që i kemi edhe ne. Mendoj se kjo është shumë mirë për rajonin.

Radio Evropa e Lirë: Megjithatë, në Uashington është arritur një marrëveshje, që quhet Marrëveshja e Uashingtonit. Përfaqësuesit e administratës së re amerikane, në paraqitjet publike, nuk i referohen më atij dokumenti. Ende nuk ka konfirmim se si do t’i qasen asaj marrëveshjeje. Por, çfarë do të thotë ajo marrëveshje për ju dhe për përpjekjet tuaja në dialogun e Brukselit?

Mirosllav Lajçak: Nuk më takon mua të komentoj diçka që është realizuar në Uashington. Por, dua të them se nuk ka kurrfarë konkurrence dhe disa pika në ato dokumente për obligimet politike që lidheshin me dialogun, nuk shihen më si konkurrencë për procesin tonë. Është shumë e rëndësishme që administrata amerikane është plotësisht me ne dhe mbështet procesin që udhëheq BE-ja. Kjo është shumë e rëndësishme.

Radio Evropa e Lirë: Në disa raste keni thënë se marrëveshja gjithëpërfshirëse mund të arrihet brenda disa muajsh. Tani thoni se mandati juaj është zgjatur deri në gusht të vitit 2022. A është kjo ndonjë shenjë se palët nuk do të mund të merren vesh dhe se do të keni shumë punë gjatë një viti e gjysmë apo edhe më gjatë?

Mirosllav Lajçak: Kam bërë përpjekje disa herë që ta shpjegoj tezën time. Do të provoj edhe një herë. Unë kam thënë se teknikisht, në një botë ideale, ajo për të cilën duam të pajtohemi – nëse kemi përpjekje të plota nga të dyja palët – mund të arrihet brenda disa muajsh. Nuk na duhen dhjetë vjetët e ardhshëm, as pesë, as tre. Por, po ashtu kam thënë se për shpejtësinë e procesit vendosin dy palët, pra Serbia dhe Kosova. Ne jemi këtu, unë jam këtu, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë. Ne jemi të gatshëm të shkojmë me shpejtësinë me të cilën shkojnë dy palët.

Ekzistojnë këtu kalendarë politikë. Kur unë kam nisur mandatin, askush nuk e ka pritur se çfarë do të ndodhte në nëntor në Kosovë dhe çfarë do të vendoste Gjykata Kushtetuese në dhjetor. Ky është realiteti. Jetojmë në shoqëri demokratike dhe përveç kalendarëve natyrorë, ka edhe politikë. Prandaj, dua të theksoj edhe një herë se kalendari politik tani është pozitiv. Nuk shohim ndonjë pengesë, që do të pamundësonte punën tonë. Dhe, duhet ta shfrytëzojmë këtë. Nëse vitin e ardhshëm ka zgjedhje të reja, ato natyrisht se ndikojnë. Prandaj, kam thënë se [marrëveshja gjithëpërfshirëse] teknikisht mund të arrihet brenda disa muajsh, por nuk jam unë ai që vendos për këtë. Duhet të respektojmë edhe kalendarin politik që ndikon në këtë proces. Shpresoj se tani gjithçka është e qartë.

Përktheu: Valona Tela
blank

Intervista – Vasfije Krasniqi-Goodman: Në kuvend për të kërkuar drejtësi

Arton Konushevci

Deputetja e zgjedhur nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Vasfije Krasniqi-Goodman, thotë se do të luftojë për drejtësi dhe thyerjen e stigmës ndaj viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë. Në këtë intervistë për Radion Evropa e Lirë, Krasniqi-Goodman, që është e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës, po ashtu flet edhe për përfshirjen eventuale të saj në procesin e dialogut me Serbinë.

Radio Evropa e Lirë: Zonja Krasniqi-Goodman, që një kohë të gjatë jetoni në Shtetet e Bashkuar të Amerikës dhe keni vendosur të ktheheni me familje në Kosovë. Pse?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Tash, pasi jam kyçur në politikë do të doja që të jetoja këtu me familjen, që të mos jem vetëm dhe për shkak se unë e urrej pak udhëtimin dhe më konvenon që ta kem familjen këtu, që të mos udhëtoj shpesh mes Kosovës dhe Amerikës.

Radio Evropa e Lirë: Pse vendoset të garoni për deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Thënë të vërtetën, unë nuk e kam pasur kurrë as idenë apo dëshirën të garoj në politikë, po kur më erdhi oferta e parë nga partitë politike në Kosovë, të parën e refuzova, kur me erdhi e dyta vendosa që të bashkohem me Lëvizjen Vetëvendosje, për shkak që t’i shtyj kauzat e mija përpara, siç është puna e drejtësisë dhe si trajtohen viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: A keni pritur se do ta keni gjithë këtë mbështetje nga qytetarët ?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Kam pasur mbështetje të fortë, kam pasur mesazhe, telefonata, ku ta di. Më mbështetnin shumë. Siç e dini, unë nuk kam bërë fushatë, nuk kam pritur që do të kem përkrahje aq të madhe pa bërë fushatë. Për mua ka qenë pak e çuditshme.

Radio Evropa e Lirë: Para një viti, në një fjalim në Kuvendin e Kosovës, keni qenë kritike për shoqërinë kosovare edhe krejt ata që nuk i kanë ndihmuar gratë, që i stigmatizojnë ato. Keni menduar që një ditë do të zgjidheni si deputete?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jo, asnjëherë nuk kam menduar. Ky ka qenë një vendim i shpejt, nuk ka qenë diçka që kam menduar se do të jem deputete. Tash që jam, shpresoj që të jem zë i fuqishëm për të mbijetuarat dhe të shtyj kauzën time përpara, siç thash edhe më herët dhe si një deputete të shoh gjërat nga brenda, për të parë se si po trajtohen viktimat.

Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë fjalimit të saj para Kuvendit të Kosovës më 2020.

Vasfije Krasniqi-Goodman gjatë fjalimit të saj para Kuvendit të Kosovës më 2020.

Radio Evropa e Lirë: Si e more vendimin për të hyrë në politikë?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Normal që kam biseduar me familjen, si me familjen në Kosovës ashtu edhe me familjen në Amerikë sepse për mua është një diçka e re, unë nuk jam politikane, por meqë vendosa të hyj në listë, ka qenë në momentin e fundit. Mund të them që ka qenë pak para se të dorëzohen emrat –lista e deputetëve – kur kam vendosur. U kam thënë po, po hyj me listën tuaj dhe ashtu vendosa shpejt e shpejt.

Radio Evropa e Lirë: Për çka do të angazhoheni si deputete e Kuvendit të Republikës së Kosovës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ju e dini, numër një për mua është drejtësia. Të ketë drejtësi për të gjitha viktimat e luftës së Kosovës, t’i shtyj përpara. Po ashtu edhe stigmën, për ta thyer stigmën sepse prapëseprapë në Kosovë viktimat janë shumë të stigmatizuara si nga familja, shoqëria e nga institucionet. E këto dyja janë qëllimet e mija pse unë dua të jem në parlament. Edhe për gjërat e tjera, për të gjitha viktimat e luftës sepse siç e dimë, nuk ka shumë serbë që janë dënuar për krimet që i kanë bërë në Kosovë, pa marr parasysh a janë për vrasjet, masakra, për dhunimet. Kështu që unë jam aty për të kërkuar drejtësi dhe për t’ia kujtuar edhe shtetit të Kosovës (që) të luftojë më shumë për drejtësi, por edhe Serbisë, t’ia rikujtoj për çdo ditë se çka ka ka bërë në Kosovë para 22 vjetësh… sepse i kemi harruar pak krimet e luftës.

Radio Evropa e Lirë: Në sallën e Kuvendi të Kosovë do të jenë të pranishëm edhe deputetë serbë. Si do të silleni me ta?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Shikoni, ka për të qenë diçka e vështirë për mua, meqë janë pala serbe dhe e dimë të gjithë se çka kanë bërë dhe kush i udhëheq ata. Sigurisht se ata udhëhiqen nga shteti i Serbisë. Por, kur punon me një institucion të përbashkët në Kosovë, duhet ta gjesh atë balancën dhe respekti është i dyanshëm, nuk është i njëanshëm. Ka për të qenë pak e vështirë, por varet se si do të sillen ata me mua, edhe unë sillem me ta si ta meritojnë.

Radio Evropa e Lirë: Keni pasur qëndrim se zëri ë viktimave të dhunës seksuale duhet të dëgjohet në procesin e dialogut me Serbinë. Mendoni ende kështu dhe cili do të jetë kontribut i juaj për këtë çështje?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Duhet të dëgjohet zëri. Me sa e di unë, dhuna nuk është përmendur kurrë në asnjë (proces) dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Është një diçka që duhet të përmendet. E tash, se a do të jem unë pjesë apo ajo, varet krejt prej dikujt tjetër, jo nga unë. Por, unë konkretisht nëse do të jem pjesëmarrëse aty, do t’ia përmend Serbisë krimet që ka bërë sepse unë jam dëshmitare e gjallë për krimet e Serbisë dhe ata duhet të ballafaqohen me të kaluarën dhe jo të mohojnë krimet që kanë bërë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka qenë e vështirë për ju të flisni publikisht për atë se çka ju ka ndodhur gjatë luftës?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Ka qenë e vështirë, jo vetëm për mua, por edhe për familjen time kur ne e dimë se çfarë shoqërie kemi në Kosovë dhe si ballafaqohemi ne me një temë tabu.

Ka qenë e vështirë, por unë jam falënderuese që kam pasur përkrahjen e familjes, duke nisur nga vëllezërit, motrat, bashkëshorti, fëmijët edhe familjes më të gjerë. Por, prapëseprapë është një gjë e vështirë sepse po të ishte e lehtë do të dëgjohej zëri edhe i 20 mijë vetave të tjera. Por, nuk kemi shumë që flasin për shkak të stigmës, edhe familjes edhe rrethit se si i trajtojnë ato nëse flasin për krimin që kanë përjetuar.

Krasniqi-Goodman viziton memorial "Heroinat" kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Krasniqi-Goodman viziton memorial “Heroinat” kushtuar viktimave të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Radio Evropa e Lirë: Sa ka ndryshuar jeta juaj që nga ai moment kur keni vendosur të flisni publikisht për të kaluarën tuaj?

Vasfije Krasniqi-Goodman: Jeta ime ka ndryshuar sepse nuk e kam atë jetën private siç e kam pasur përpara. Jam më e angazhuar, më aktiviste për të thyer stigmën për t’iu ndihmuar viktimave pa marr parasysh, sepse kemi viktima që më të vërtetë nuk kanë përkrahjen e askujt fare, as të familjes, të prindërve, vëllezërve apo të bashkëshortit.

Unë jam aty që sado pak t’ua lehtësoj jetën e përditshme, të më kenë mua aty që mund të flasin lirshëm, të mos jetë diçka që ato ta mbajnë në vete, po të më kenë mua për çdo ditë të flasim, sado pak t’ua lehtësoj vuajtjen.

blank

Intervista – Whyte: Qeveria e re do të gjykohet nga veprat

Krenare Cubolli

Këshilluesi i Kosovës në rrugën drejt pavarësisë, Nicholas Whyte, ka thënë se Qeveria e re e kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, do të gjykohet nga veprat dhe jo fjalët dhe se vetë Kurti duhet të ketë kujdes nga premtimet që bën.

Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Whyte, që drejton zyrën në Bruksel të Organizatës për shërbime të konsulencës APCO, ka thënë se duhet të njihet autoriteti i Kosovës në territorin e vet, dhe e ka quajtur skandaloz faktin që regjistrat e kadastrave nuk i janë kthyer ende Kosovës nga ana e Serbisë.

Nën udhëheqësinë e presidentit amerikan Joe Biden, Whyte ka thënë se pret më shumë angazhim të Shteteve të Bashkuara në Ballkan. Ai ka thënë edhe se Qeveria e re Kosovës mund të ketë më pak kontakte me zyrtarë diplomatikë në botë, për dallim nga partitë tjera politike.

Radio Evropa e Lirë: Kosova ka tani qeveri të re dhe kryeministër të ri, Albin Kurtin. Ai ka fituar mbi 50 për qind të votave dhe nuk ka pasur nevojë për mbështetjen e partive tjera shqiptare për të krijuar qeverinë. Si e shihni ju Qeverinë e re të Kosovës?

Nicholas Whyte: Ju thoni se ai është kryeministër i ri, por në fakt ai është kryeministri i vjetër, që veçse është kthyer, ndonëse krijohet përshtypja se thuajse dje ka qenë dita kur ai është bërë kryeministër për herë të parë dhe në fakt ajo ka ndodhur një vit më parë.

Për secilin shtet është e dobishme një qeveri me shumicë parlamentare. Mendoj se vëzhguesit e jashtëm do të jenë të kënaqur që institucionet e Kosovës kanë krijuar një qeveri të re, me mandat të qartë. Duhet përmendur po ashtu se zgjedhjet janë zhvilluar mirë dhe se kjo gjë nuk vlen për të gjitha vendet fqinje. Kjo pikë është në favor të Kosovës.

Mirëpo sikurse secila qeveri tjetër, edhe kjo qeveri do të gjykohet nga veprat, më shumë sesa nga fjalët. Prandaj do të jetë interesante të shihet se deri në çfarë pike mund të shkojë kryeministri përpara me agjendën që ka krijuar. Mendoj se zyrtarët në Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara do të presin që të shohin zhvillim në ekonomi dhe ecje përpara, e jo luftim të proceseve të së kaluarës.

Radio Evropa e Lirë: Në Kosovë po ashtu pritjet për qeverinë e Kurtit janë goxha të mëdha. Ai ka premtuar se do ta vë pandeminë nën kontroll, reforma në gjyqësor, luftë kundër korrupsionit, vende të reja pune. Sa të realizueshme janë këto, marrë parasysh situatën me pandeminë dhe dëmet e shkaktuara në ekonomi?

Nicholas Whyte: Shtete më të mëdha dhe më të fuqishme sesa Kosova janë duke u përballur me pandeminë. Fatkeqësisht Kosova është më shumë marrëse sesa dhënëse, andaj situata në Kosovë do të ndikohet nga vendimet që merren diku tjetër.

Në të njëjtën kohë, është e rëndësishme që të ekzistojnë disa nivele të kompetencave dhe planeve bazike. Kosova nuk është vendi i vetëm që po përballet me këtë situatë dhe mendoj se ka modele të mira nga jashtë që mund të ndiqen. Nëse do ta këshilloja Kurtin, do t’i thoja që të jetë shumë i vëmendshëm, sepse të flasësh është diçka tjetër, të veprosh është krejt diçka tjetër.

Radio Evropa e Lirë: Kritikët thonë se nuk është e shëndetshme për demokracinë kur një parti ka fuqi të tillë. Në këtë rast, Lëvizja Vetëvendosje është duke drejtuar qeverinë, ka pozitën e kryeparlamentarit dhe kandidatja për pozitën e presidentit është nga lista e LVV-së. Cili është opinioni juaj?

Nicholas Whyte: Unë jam rritur në Mbretërinë e Bashkuar, që ka histori të qeverive me shumicë parlamentare. Fakti që po bëni këtë pyetje mund të jetë sepse Kosova është përballur me situatë të pazakonshme prej formimit të institucioneve për herë të parë, gati 20 vjet më parë.

Shtetet krijojnë paradigma të ndryshme, në bazë të mënyrës së veprimit. Shqipëria ka një histori me qeveri të krijuara nga një parti e vetme. Shqipëria ka probleme dhe nuk jam i sigurt nëse ato janë rezultat i sistemit tradicional. Ndërkohë, Maqedonia e Veriut ka pasur gjithnjë qeveri të koalicionit. Sërish lind pyetja, a e ka lënë mbrapa kjo gjë Maqedoninë e Veriut, apo problemi ekziston diku tjetër? Kultura politike është unike në secilin shtet. Mendoj se është e drejtë të thuhet se ekziston një përvojë e re në Kosovë që të ketë qeveri të formuar nga një parti. Secili hap në demokraci është eksperiment.

“Marrëdhëniet Kosovë-Serbi së fundmi kanë qenë toksike”

Radio Evropa e Lirë: Të fokusohemi pak në marrëdhëniet me jashtë. Këtë vit, dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian, ka hyrë në vitin e dhjetë, por fundi nuk po i shihet. Kurti tashmë ka thënë se ky proces nuk do të jetë prioritet për qeverisjen e tij dhe nuk duhen të bëhen kompromise tjera. Në ekspozenë e tij, ai ka thënë se Kosovës i duhet një dialog për të zgjidhur problemet ekzistuese dhe jo për të krijuar probleme të reja. Si e shihni këtë proces nën udhëheqësinë e Kurtit?

Nicholas Whyte: Mendoj se është e drejtë të thuhet se dialogu nuk ka rezultuar ashtu siç kanë pritur njerëzit dhjetë vjet më parë. Më kujtohet euforia për arritjen e marrëveshjes në mes të Prishtinës dhe Beogradit dhe mendoj se është krejtësisht e arsyeshme të thuhet se premtimet fillestare nuk janë realizuar. Një pikë specifike, të cilën e kam përmendur edhe në intervistat tjera, është se mua më duket skandaloze që regjistrat e kadastrave nuk i janë kthyer Kosovës nga ana e Serbisë. Mendoj se kjo gjë është thelbësore sa i përket njohjes së autoritetit të Kosovës në territorin e vet. Dhe mendoj që jo vetëm autoritetet në Kosovë, por edhe komuniteti ndërkombëtar duhet t’i bëjë presion Serbisë më shumë në këtë pikë.

Serbia është vendi më i madh fqinj i Kosovës. Kosova ka lidhje me Serbinë në disa rrugë. Duhet të ketë marrëdhënie mes tyre. Mendoj që nuk është e paarsyeshme të thuhet se marrëdhëniet kanë qenë të një formati toksik në kohën e fundit, dhe është e arsyeshme të thuhet se, duhet të ketë mënyra tjera komunikimi dhe rivendosje të marrëdhënieve.

Kjo nuk nënkupton largim nga dialogu dhe nuk nënkupton flakjen tutje të marrëveshje të arritura tashmë. Komuniteti ndërkombëtar do të jetë jashtëzakonisht i pakënaqur nëse ka sugjerime se qeveria e re do ta diskutojë, shembull, Planin e Ahtisarit. E kam vërejtur se Kurti e ka përmendur disa herë se nuk do ta bëjë këtë gjë.

Në të njëjtën kohë, Kosova është shtet sovran dhe duhet të marrë vendimet vetë dhe të marrë përgjegjësi për vendimet e veta.

Fati i Asociacionit të komunave me shumicë serbe

Radio Evropa e Lirë: Në fakt Kurti e ka përmendur në ekspozenë e tij gjithashtu Planin e Ahtisarit. Ai ka thënë se Kosova ka bërë mjaft kompromise përmes atij plani. A mendoni se Kosova nuk duhet të bëjë më kompromise me Serbinë?

Nicholas Whyte: Secila marrëveshje kërkon kompromise nga të dyja palët. Mendoj se është e drejtë që të përcaktohet pozicioni negociues dhe të thuhet se nuk do të pranohen kompromise tjera. Mirëpo, në realitet, nëse arrihet deri te një marrëveshje, të dyja palët duhet të bëjnë kompromise. Po e theksoj, të dyja palët.

Radio Evropa e Lirë: Cili duhet të jetë kompromisi nga ana e Kosovës?

Nicholas Whyte: Një çështje, që besoj se teknikisht nuk është kompromis sepse për të është arritur pajtueshmëri, por nuk është zbatuar ende, është marrëdhënia me komunat me shumicë serbe. Unë e di që kjo temë është subjekt i shumë retorikave në Kosovë. Është fakt se ky është zotim, që kanë bërë qeveritë e kaluara në Kosovë. Duhet të gjendet një zgjidhje që është e pranueshme për Kosovën dhe për serbët që jetojnë në Kosovë. Ky është një kompromis që është bërë me Planin e Ahtisarit, por që nuk është zbatuar ende.

Radio Evropa e Lirë: Në ekspozenë e tij, Kurti ka folur për një varg çështjesh, por nuk e ka përmendur Asociacionin e komunave me shumicë serbe.

Nicholas Whyte: Nuk mund ta fajësoj.

Radio Evropa e Lirë: Pse?

Nicholas Whyte: Mendoj se është më mirë të mos negociohet në altoparlant.

Radio Evropa e Lirë: Me zgjedhjen e Kurtit tani, a do të ketë Serbia përfaqësues të ri në dialog?

Nicholas Whyte: Nuk mendoj që politika e Serbisë përcaktohet se kush është kryeministër në Kosovë. Nuk mendoj që një gjë e tillë është e rëndësishme për atë se çfarë ndodh në Beograd.

“Duhet të ketë njohje të plotë diplomatike”

Radio Evropa e Lirë: Si e shihni marrëveshjen përfundimtare në mes të këtyre dy vendeve?

Nicholas Whyte: E mbaj mend në fillim ambasadorin (Wolfgang) Ischinger duke folur për marrëdhëniet në mes të dy Gjermanive. E pranoj se në atë kohë kam menduar se diçka e tillë është vetëm ëndërr, sepse ka tingëlluar joreale. Mirëpo tani mendoj se është krejtësisht e mundshme për dy shtete sovrane, që ta trajtojnë njëra-tjetrën si të pavarura.

Njohja e plotë diplomatike mund të mos jetë qëllimi përfundimtar, ndonëse nuk do të ishte e menduar mirë nëse nuk do të ishte.

Qëllimi përfundimtar duhet të jetë pranimi i plotë, funksional dhe operacional i Serbisë ndaj sovranitetit të Kosovës. Nëse Serbia vendos të mos ia njohë territorin Kosovës, atëherë ky duhet të jetë problemi i Serbisë. Problemi i Kosovës është që të sigurojë se Serbia ka sjellje të denjë me fqinjët. Kështu e shoh një kënd që mund të jetë i realizueshëm, diçka si marrëdhëniet mes dy Gjermanive, të cilave u është njohur sovraniteti. Çështjet teknike janë diçka tjetër. Mendoj se është mirë që të ketë njohje të plotë diplomatike, por edhe duhet ta qartësojmë se fundja ky është problem i Serbisë.

“Administrata Biden është më e informuar për Ballkanin”

Radio Evropa e Lirë: Sa i përket dialogut, si e shihni rolin e administratës amerikane në këtë proces? Kurti ka thënë se synon të thellojë lidhjet me SHBA-në, derisa ka zëra se Kosova duhet ta shfrytëzojë mundësinë, sepse dihen tashmë lidhjet personale të presidentit amerikan, Joe Biden me Kosovën.

Nicholas Whyte: Është e vërtetë se administrata e re është më e informuar për Ballkanin, në krahasim me administratën Trump. Njëzet vjet më parë, kur pata shkuar në Uashington për të folur për Ballkanin, nga të paktat dyer ku mund të trokisja dhe të prisja bisedë inteligjente nga pala tjetër, ka qenë dera e senatorit Biden.

Prandaj është e qartë se administrata e re do të jetë më e angazhuar. Nuk është me domosdo gjë më e mirë. Problemi me qeverinë e re më duket se qëndron në aspektin se ka më pak kontakte në kryeqytetet e huaja, sesa partitë tjera politike. Në anën tjetër, duhet ta përmend se një rrjet i tillë nuk ka rezultuar me ndonjë rezultat për Kosovën.

Radio Evropa e Lirë: Ju keni këshilluar Kosovën në rrugën e saj drejt pavarësisë. Cila do të ishte porosia juaj sot për liderët e Kosovës?

Nicholas Whyte: Qëndroni në një pozicion të favorshëm, jini proaktivë, theksoni nevojën për zgjidhje, jo për probleme, dhe sigurohuni që zotimet ekzistuese do të respektohen dhe që ju prisni nga të tjerët që të respektojnë zotimet e tyre po ashtu.

blank

Intervista – Hoxhaj: Prova për luftën anti-korrupsion në Shqipëri është nëse do të shkojë në nivelet e larta

Një ekspert i së Drejtës Evropiane dhe anti-korrupsionit në BE, thotë se se prova për suksesin e luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri, është nëse do të shkojë deri në në nivele të larta. Andi Hoxhaj, profesor në Universitetin Warwick në Britani thotë se megjithëse në letra vendi mund të duket demokratik, zbatimi i demokracisë është i pakonsoliduar. Prof. Hoxhaj i tha koleges Keida Kostreci, se tonet e forta në politikën e Shqipërisë para zgjedhjeve heqin vëmendjen nga problemet e vërteta që shqetësojnë qytetarët.

Zëri i Amerikës: Profesor Hoxhaj, sipas raporteve të organizatave ndërkombëtare, korrupsioni vazhdon të mbetet problem në Shqipëri. Ju e keni studiuar këtë dukuri për Shqipërinë dhe për Ballkanin. A mendoni se ka ndryshim gjendja dhe çfarë duhet të bëhet më tej?

Prof. Andi Hoxhaj: Çështja e korrupsionit sidomos në demokracitë hibride, ashtu siç është Shqipëria dhe një pjesë e madhe e Ballkanit Perëndimor, është në përmasa goxha të përhapura. Përsa i përket specifikisht në Shqipëri, institucionet tona ende nuk janë përforcuar për ta luftuar korrupsionin. Përveç kësaj korrupsioni tek ne është edhe një çështje sociale që duhet trajtuar përtej ligjeve dhe institucioneve që ne kemi ndërtuar deri tani.

Zëri i Amerikës: Sa ka ndikuar reforma në drejtësi për ta luftuar këtë dukuri? A është përmirësuar gjendja falë saj?

Prof. Andi Hoxhaj: Reforma në drejtësi deri tani ka dhënë disa indikime pozitive dhe ka krijuar deri diku një klimë që ka një farë ndryshimi, duke qenë se gjyqtarët që i janë nënshtruar procesit të vetingut, pothuajse gjysma nuk janë më pjesë e saj dhe kjo tregon pozitivisht që është duke u luftuar. Mirëpo përsa u takon qytetarëve në nivel të ulët, akoma vazhdon si fenomen duke parë edhe ne nga disa raste, siç ka njoftuar edhe media juaj, përsa i përket korrupsionit në fushën e mjekësisë. Por duhet t’u lëmë akoma edhe pak kohë institucioneve që të ngrihen, që reforma në drejtësi ka parashtruar dhe testi më i madh i tyre do të jetë nëqoftëse do të shkojnë për korrupsion në nivelin e lartë dhe për të investiguar më tepër ata gjyqtarë apo prokurorë që nuk e kaluan vettingun.

Zëri i Amerikës: Kjo më çon tek pyetja tjetër po lidhur me korrupsionin. Disa analistë thonë se procesi i reformës në drejtësi është i rëndësishëm, por kanë përshtypjen se nuk shkon aq sa duhet përderisa nuk shtrihet tek elitat politike. Cili është mendimi juaj për këtë?

Prof. Andi Hoxhaj: Unë atë doja ta lidhja me faktin që duhet të krijohet një klimë llogaridhënieje dhe jo gjithçka është thjesht në reformë apo në ligj. Për shembull, Shqipëria ka kaluar një ligj udhërrëfyes “whistleblower” në anglisht, i cili është nga më të mirët që ka në rajon. Mirëpo atë si ligj askush – flasim për nënpunësit e sektorit publik – nuk e ka përdorur për shkak se nuk kanë besim se diçka do të bëhet dhe nuk kanë besim se (dikush) do të ndërshkohet. Kështuqë është mesa duket edhe kjo pjesa e klimës dhe mesa duket institucionet aktuale akoma rezistojnë përsa i përket për të luftuar korrupsionin në nivele të larta. Por nëse nuk do të ndodhë në një afat të gjatë kjo do të ketë një impakt negative përsa i përket procesit tonë për në BE, sepse vendet si Rumania apo Kroacia, kanë goxha rekorde përsa i takon luftës ndaj korrupsionit në nivel të lartë.

Zëri i Amerikës: Përsa u takon reformave, a mendoni ju se ka një hendek mes kuadrit ligjor dhe zbatimit të këtyre reformave?

Prof. Andi Hoxhaj: Besoj se ky është një nga problemet më të mëdha që ne kemi që pas rënies së komunizmit, ku kemi kaluar shumë ligje që ne deri diku i trajtojmë si detyra shtëpie që na jep BE-ja por pa e vrarë shumë mendjen për t’i aplikuar këto ligje dhe prandaj edhe po t’i shikosh edhe kushtet që BE-ja na ka vendosur sidomos në tre vitet e fundit, janë për t’u zbatuar këto ligje dhe sfida më e madhe është që duhet të zbatohen. Por përtej kësaj duhet të krijohet edhe një klimë qe neve ta ndjekim shtetin ligjor dhe rregullat që ai parashtron.

Zëri i Amerikës: Pyetja ime tjetër ka të bëjë me plotësimin e kushteve për anëtarësimin në BE, meqenëse ju e keni studiuar këtë fushë. Ku ndodhet Shqipëria në këtë rrugëtim për plotësimin e kushteve për integrim?

Prof. Andi Hoxhaj: Për momentin BE-ja ndodhet në një udhëkryq përsa i takon vetes së saj dhe përsa i përket politikës së zgjerimit. Shqipëria aktualisht ka diku tek 15 kushte që i janë parashtruar për t’i plotësuar. Shumicën e tyre i ka plotësuar duke qenë se kishin të bënin me reformën në drejtësi, duke qenë se Gjykata Kushtetuese është ngritur. Ata mund të ftohen në konferencën e parë për negociatat. Mirëpo procesi i gjithi ka ndryshuar deri diku dhe mua më duket se ajo që partitë politike nuk po e trajtojnë në këto zgjedhje aktuale është se paketa për Ballkanin Perëndimor ka ndryshuar përsa i përket zgjerimit dhe nuk ka më një zgjerim si më përpara, një proces që ne duhet të mbushim 35 kapituj por tani duket sikur ne do të integrohemi përreth marketit të përbashkët dhe në nëntor tek procesi i Berlinit, kjo është marrë parasysh. Është pak a shumë si mini-Shengeni që është diskutuar në media dhe njerëzit e njohin më shumë, por disi më i gjerë dhe lidhet ngushtë me procesin e integrimit.

Zëri i Amerikës: Si do ta përshkruanit situatën e demokracisë në Shqipëri? Siç thatë ju Shqipëria mbetet një vend hybrid përsa i takon demokracisë dhe sipas Freedom House është ende pjesërisht i lirë.

Prof. Andi Hoxhaj: Demokracia e Shqipërisë nëse e shikon për studim të duket sikur në letra (vendi) është goxha demokratik, për faktin se ka diku rreth 130 parti të regjistruara, në zgjedhjet e kaluara ishin diku tek 57 që morën pjesë, mbi 800 media të regjistruara dhe janë mbi 11 mijë organizata joqeveritare të regjistruara dhe kemi dy opozita, një parlamentare dhe një joparlamentare kështuqë në letra të krijohet përshypja se ne jemi një vend goxha demokratik. Mirëpo vazhdon të jetë, siç e ka përkufizuar edhe Freedom House, edhe raporte të tjera, një vend në tranzicion për arsye se praktikat e demokracisë janë në një nivel jo të konsoliduar. Siç po e shikojmë, kur vijnë fushatat zgjedhore duhet të jetë një festë e demokracisë, ku ne zgjedhim një palë, ose një palë tjetër por po ta shikosh tek ne është goxha frikë dhe është me goxha ankth se si do të ndodhë. Kjo ka të bëjë me shumë arsye, por një nga ato ka të bëjë me faktin që institucionet nuk janë pjekur dhe partitë akoma nuk e shikojnë që janë pjesë e një demokracie dhe që japin një kontribut, por e trajtojnë deri diku sikur Shqipëria është prona e tyre dhe njëra palë do t’ia marrë palës tjetër.

Zëri i Amerikës: Jemi diçka më shumë se një muaj para zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare në Shqipëri dhe para daljes së listave, BE dhe SHBA theksuan vazhdimisht që në këto lista të mos përfshiheshin emra të përfolur, emra të diskutueshëm që mund të kishin lidhje me krimin. Si do ta komentonit ju faktin që ende është e nevojshme që të bëhen këto thirrje nga BE dhe SHBA?

Prof. Andi Hoxhaj: Kjo tregon që institucionet tona ende nuk kanë marrë përgjegjësitë që të distancohen nga individë të tillë. Ne kemi kaluar një ligj në vitin 2015, ligjin 138 që lidhet me integritetin e njerëzve që kandidojnë në fushata të ndryshme elektorale, apo që bëhen pjesë e institucioneve publike dhe ata duhet të diskualifikohen, nëqoftëse kanë rekorde kriminale apo kanë kryer vepra penale. Është mirë që si Bashkimi Evropian, edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës e bëjnë këtë thirrje sepse edhe qytetarët i sensibilizojnë që t’i shikojnë më me kujdes kandidatët. Mirëpo përgjegjësia më e madhe u bie subjekteve politike, u bie strukturave të partisë që bëjnë filtrimet dhe natyrisht që i bie Prokurorisë dhe KQZ-së që duhet t’i regjistrojë. Kështuqë duhet që edhe ata të bëjnë një punë më rigoroze përsa i përket këtij procesi. Mirëpo kur mekanizmat nuk janë të mjaftueshëm, atëherë votuesit duhet t’i ndëshkojnë në formën elektorale.

Zëri i Amerikës: A mendoni ju se është mungesë vullneti nga ana politike, apo thjesht sistemi dhe institucionet nuk janë në atë faze aq të zhvilluar?

Prof. Andi Hoxhaj: Unë do të thoja janë të dyja. Një është që subjektet politike zakonisht kandidojnë njerëz që mendojnë se do u sjellin goxha vota dhe të tillë persona mund të kenë goxha impakt për të sjellë vota. Tjetra është pastaj që institucionet tona nuk i kanë resorset e mjaftueshme për të bërë investigime të tilla. Po të shikosh pagat që neve japim, janë ndër më të ulëtat për organet ligjzbatuese dhe madje resorset që ata kanë nga ana e buxhetit, pak a shumë u mjaftojnë vetëm për mirëmbajtjen dhe nëqoftëse do të bëjmë një investigim rigoroz, nuk i ka të mjaftueshme.

Zëri i Amerikës: Ende pa filluar fushata me intensitet duket se toni i polemikave, polarizimi është theksuar para zgjedhjeve, duke pasur parasysh elektoratin që duan të tërheqin partitë kryesore. Si do ta komentonit këtë lloj fryme polarizimi në Shqipëri?

Prof. Andi Hoxhaj: Nuk është aspak e shëndetshme. E kuptoj se përse bëhet sepse bëhet për të mobilizuar bazën, ose edhe ata që nuk janë aq aktive dhe kjo është deri diku një strategji, mirëpo nuk është aq e shëndetshme, sepse heq vëmendjen nga temat që duhet të diskutojmë, si për shembull e ardhmja jonë me BE-në, çfarë do të ndodhë me tregëtinë, apo çfarë do të ndodhë me arsimin, me shëndetësinë e kështu me radhë. Dhe ky polarizim i tepërt heq fokusin nga problemet reale që ne kemi, apo edhe fokusin për t’i diskutuar programet që këto parti kanë. Unë para se të vija në programin tuaj, doja t’i shikoja pak programet çfarë mund të kishin dhe po t’i shikosh shumica kanë pak a shumë si program të majtë dhe nuk shikon ndonjë diferencë të madhe qoftë nga ana ideologjike, qoftë nga politika që bëjnë. Dhe deri diku do të thoja që janë goxha sipërfaqësore dhe disa nga ato që shikon, ose premtimet, pyet që si mundet t’i paguajmë ose taksat që do të rriten për t’i paguar këto investime dhe ky polarizimi mendoj se është deri diku për ta hequr vëmendjen nga kjo lloj llogaridhënie apo qoftë edhe nga premtimet për të cilat nesër pasnesër mundet të pyesim.

blank

Vjosa Osmani në BBC: Kosova është këtu për të qëndruar, Kosova është këtu përgjithmonë

Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, ka dhënë një intervistë për emisionin e BBC-së, “Hard Talk”. Gjatë emisionit, ajo është pyetur se cili është dallimi i saj me politikanët e gjeneratës së vjetër, pse duhet t’i besojë rinia e Kosovës, çfarë mendon për gjykimin e ish-presidentit Thaçi në Hagë, cili është qëndrimi i saj për dialogun me Serbinë dhe nëse do ta përkrahte bashkimin me Shqipërinë.

Përktheu: Nasuf Abdyli

E pyetur se si dallon ajo nga gjenerata e vjetër e udhëheqësve, Osmani tha se për 20 vjet asnjëherë nuk ka qenë në pozita ekzekutive dhe se nuk ka pasur dorë në vendimet që janë marrë në vend.

“Ka edhe shumë arsye tjera, por është kryesisht për shkak të konsistencës që kemi shfaqur gjatë dy dekadave të fundit, që i ka bindur qytetarët e Kosovës të na japin përkrahjen e jashtëzakonshme që na dhanë”, deklaroi Osmani.

“Pritjet e të rinjve nuk janë përmbushur në shumë aspekte. Siç thashë, një nga problemet kryesore në vendin tonë është krimi dhe korrupsioni, që ne synojmë t’i ndalim përmes veprimeve konkrete në qeverinë e ardhshme, por njëkohësisht besoj se ka qenë rreth shembullit që do të vendoset nga udhëheqësia e këtij vendi, pra ne do të udhëheqim me shembull, siç kemi dëshmuar viteve të kaluara se jemi të pakorruptueshëm, por njëkohësisht duke treguar se absolutisht nuk bëjmë kompromise me ata që korruptohen. Në këtë mënyrë, ne do të sjellim demokraci së pari për institucionet e Kosovës dhe së dyti duke u përqendruar në dy fusha kryesore, që janë shkollimi dhe vendet e punës për rininë duke u bazuar në meritokraci.”

Gazetari i BBC-së i thotë zonjës Osmani se ajo ka qenë për një kohë të gjatë në politikë dhe se ka bërë kompromise gjatë karrierës. Ajo u përgjigj kështu:

“Por unë kam bërë vetëm kompromise që kanë qenë në interesin e vendit dhe në interesin e popullit, asnjëherë të kundërtën dhe populli i Kosovës e di këtë dhe për këtë arsye e vendosën besimin e tyre në mua dhe në z.Kurti në listën tonë të përbashkët. Siç theksova, kurrë nuk kam pasur rol ekzekutiv në vendimmarrje gjatë dy dekadave të kaluara. Kur kam qenë këndej, kam qenë kryesisht në rol këshillëdhënës dhe së dyti, në pesë mandatet që kam fituar radhazi në Kuvend, kam qenë opozitë e veprimeve që nuk ishin në interesin e popullit. Pra, të qenët në politikë nuk nënkupton patjetër që ke pasur rol në vendimet që janë marrë dhe që nuk kanë qenë në interesin e popullit.”

Osmani u pyet nëse e përkrah vendosjen e drejtësisë në Hagë e jo në Kosovë dhe nëse e përkrah gjykimin e Thaçit rreth akuzave serioze për krime. Me këtë rast, ajo tha:

“Drejtësia nuk do të vendoset derisa Serbia ta vendosë drejtësinë për kriminelët serbë që kanë kryer krime, krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidin kundër popullit të Kosovës dhe kjo është e vërteta që nuk mund ta mohojë askush, sepse ka ndodhur para syve të tërë botës. E tërë bota i pa krimet e kryera nga Serbia. Pra, drejtësia do të vendoset vetëm kur Serbia të pendohet, të kërkojë falje dhe të sigurohet që ata që i kanë kryer ato krime të vendosen para drejtësisë. Më lejoni të përmend se Serbia sot udhëhiqet nga njëri prej ish-ministrave të Millosheviqit dhe fatkeqësisht ata ende mohojnë”, tha Osmani.

“Kosova është duke e bërë të kundërtën. Kosova ka vendosur që përmes amandamentimit kushtetues dhe me shumicë bindëse në kuvendin e saj t’i formojë Dhomat e Specializuara me seli qendrore në Hagë, saktësisht për shkak se ne nuk kemi asgjë për të fshehur, saktësisht për shkak se ne besojmë në drejtësi dhe saktësisht për shkak se duam drejtësi për të gjitha viktimat dhe ne nuk kemi frikë nga e vërteta. Unë nuk jam as gjykatëse, as prokurore dhe nuk mund të përcaktoj se cili do të jetë rezultati përfundimtar i asnjë gjykimi kudo në botë, por ajo që mund të them është se Kosova e ka shfaqur përgjegjësinë e saj të lartë ndaj komunitetit ndërkombëtar, por mbi të gjitha para popullit të vet duke treguar se ne jemi gati të vendosim drejtësi, nëse janë kryer krime”, shtoi ajo.

E pyetur nëse do ta përkrahte burgosjen e Hashim Thaçit për një kohë të gjatë, në rast se ai shpallet fajtor për akuzat e Gjykatës Speciale, Osmani tha: “Për ta kuptuar përgjigjen time, më duhet që së pari të flas për atë që ka ndodhur në Kosovë, të flas për familjet e viktimave. Unë flas në emrin e tyre, në emër të të gjitha familjeve të viktimave dhe për këtë arsye, nuk është vetëm detyrë e imja politike, por edhe detyrë morale që të kërkoj drejtësi.”

“Nëse ne si Republikë e Kosovës e kemi shfaqur gatishmërinë tonë për themelimin e Dhomave të Specializuara. Nëse liderët politikë të Kosovës, të cilët tani janë në Hagë, e kanë shfaqur gatishmërinë e tyre që t’i përgjigjen drejtësisë, pavarësisht gjithçkaje, atëherë natyrisht që ne e kemi jo vetëm të drejtën, por gjithashtu edhe përgjegjësinë, dhe jo vetëm ne si kosovarë, por presim edhe nga pjesa tjetër e botës që të luftojë për drejtësi, të bëjë thirrje për drejtësi, sepse obligimi për të folur për drejtësi për viktimat e gjenocidit është obligim për të gjithë, jo vetëm për ne dhe siç thashë, s’mund të flas hipotetikisht për atë se cili do të jetë vendimi përfundimtar…”, shtoi Osmani.

Pas mungesës së përgjigjes konkrete, gazetari këmbëngul dhe ia përsërit pyetjen, duke ia shtuar edhe një nënpyetje, nëse Osmani do të kërkonte si presidente që Thaçit t’i falej dënimi, nëse ai shpallet fajtor. Në lidhje me këtë, Osmani deklaroi:

“Siç e dini, ligji ndërkombëtar nuk lejon falje për llojet e krimeve për të cilat ju po flisni, por përgjigjja është shumë e thjeshtë. Kuvendi i Kosovës i është përgjigjur kësaj para një kohe të gjatë, në vitet 2014 dhe 2015, kur e njohëm juridiksionin e Dhomave të Specializuara. Ne nuk thamë se do ta pranojnë një pjesë të saj por tërë atë, sepse ne besojmë në drejtësinë ndërkombëtare, por gjithashtu besojmë në të vërtetën dhe për ne është vetëm një e vërtetë e thjeshtë, sepse ka ndodhur edhe para syve tuaj dhe kjo ka qenë që Serbia ka kryer krime lufte, krime kundër njerëzimit dhe gjenocid dhe ne ishim viktima të atyre krimeve.”

E pyetur se a mendon se është gabim qëndrimi i Albin Kurtit se vazhdimi i dialogut me Serbinë nuk është në mesin e prioriteteve kryesore, duke e bërë atë sikur nuk është i interesuar për dialog, Osmani tha: “Ai kurrë nuk ka thënë se nuk është i interesuar për dialog me Serbinë, por populli i Kosovës na ka besuar me një platformë që është e bazuar në vende pune dhe drejtësi dhe këto do të jenë dy prioritetet kryesore për ne të dy dhe për njerëzit që do të punojnë me ne dhe me shumicën që e kemi në Kuvend. Kjo nuk nënkupton në asnjë mënyrë që ne nuk do të përqendrohemi edhe në dialog si një ndër prioritetet. Si presidente e vendit, si udhëheqëse e politikës së jashtme, unë do të sigurohem që në këtë proces ne të mos jemi vetëm të pranishëm, por njëkohësisht ta përfaqësojmë interesin e Kosovës në mënyrën më të mirë të mundshme. Kosova ia ka zgjatur dorën e bashkëpunimit Serbisë, pavarësisht faktit që ata kurrë nuk kanë kërkuar falje për krimet që i kanë kryer.”

Osmani gjithashtu tha se drejtësia është parakusht për paqe, duke i përmendur rreth 1.700 personat që ende janë të zhdukur dhe varrezat masive në Serbi, të cilat tha se duhet të hapen dhe se kosovarët duhet të dinë për vendndodhjen e të dashurve të tyre.

Gazetari i BBC-së më pas e pyet Osmanin nëse historia e saj personale dhe familjare rreth përballjes me forcat serbe gjatë luftës ia bën të vështirë ta marrë në konsideratë paqen e qëndrueshme me Serbinë. Osmani përgjigjet duke thënë: “Në të vërtetë, kjo vetëm e rrit përgjegjësinë për mua për t’u siguruar që kjo të mos i ndodh më kurrë askujt. Pavarësisht përkatësisë etnike të Kosovës, ata janë të gjithë qytetarë që unë i përfaqësoj. Dua të sigurohem që kontributi që unë e lë prapa dhe trashëgimia që ne lëmë prapa të jetë paqja që zgjat përherë dhe kjo duhet të jetë përmes angazhimit konkret dhe të sinqertë të të gjithëve.”

Osmani u deklarua edhe rreth faktit se pesë shtete të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, pasi u pyet se sa e zhgënjyer është për këtë dhe për mungesën e lëvizjes së lirë për qytetarët e Kosovës. “Ka goxha shumë frustrim sa i përket mungesës së liberalizimit të vizave, sepse BE-ja ende nuk e ka përmbushur këtë premtim, pavarësisht faktit që jo vetëm se i kemi plotësuar të gjitha kriteret, por e kemi plotësuar dyfishin e kritereve të cilitdo shtet në rajon, por ne nuk duhet të përfshihemi nga dëshpërimi, por të punojmë fort që t’i bindim ato vende që ende mund të kenë dyshime nëse janë përmbushur kriteret plotësisht, pavarësisht faktit se Komisioni Evropian ka thënë vazhdimisht se e kemi bërë këtë, kështu ka thënë edhe Parlamenti Evropian”, tha ajo.

Osmani u pyet rreth deklaratës së Kurtit se do ta përkrahte me votë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, me ç’rast deklaroi: “Unë besoj fuqishëm në një Kosovë të pavarur dhe sovrane dhe do të vazhdoj të punoj për këtë. Zotëri Kurti dhe unë u jemi përgjigjur qartazi pyetjeve rreth kontekstit të tanishëm kushtetues të Kosovës.”

Në fund, Osmani u pyet se si do të votonte, nëse në të ardhmen në Kosovë do të mbahej referendum për bashkimin me Shqipërinë. Ajo refuzoi që të përgjigjej drejtpërdrejt, por la të kuptohej se tash për tash e përkrah Kosovën e pavarur dhe nuk dha shenja se do ta përkrahte bashkimin në kontekstin aktual kushtetues.

“Kjo nuk është pyetje që do t’i përgjigjesha, sepse sipas kushtetutës sonë, nuk mund të ketë referendum për këtë temë. Kushtetuta është e qartë dhe unë vërtet besoj në këtë kushtetutë. Nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë – ndonëse dispozitat për ndryshimin e saj janë jashtëzakonisht të vështira, sepse ato i kërkojnë edhe dy të tretat e komuniteteve joshumicë -, vetëm nëse kjo kushtetutë do të ndryshohej ndonjëherë dhe kjo mund të ndodhë – s’jam e sigurt – pas disa dekadave, në atë kontekst politik do të mund të përgjigjesha. Në kontekstin politik të tanishëm, natyrisht, duke besuar në mënyrë fundamentale në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përgjigjja ime është: Kosova është këtu për të qëndruar, Kosova është përgjithmonë”, deklaroi Osmani.

blank

Intervista – Palmer: SHBA do standardet më të larta ndërkombëtare në zgjedhjet e prillit në Shqipëri

Matthew Palmer, zëvendës ndihmës Sekretar i Shtetit dhe përfaqësues i posaçëm amerikan për Ballkanin Perëndimor, tha për Zërin e Amerikës se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik tek Shqipëria. Ai tha gjithashtu se SHBA dëshirojnë të shohin që zgjedhjet e prillit në Shqipëri të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Zoti Palmer i bëri i komentet në një intervistë me kolegun Ilir Ikonomi, me rastin e 30-vjetorit të rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike Amerikë-Shqipëri më 15 mars 1991.

Zëri i Amerikës: Zoti Palmer, si i shihni marrëdhëniet midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë 30 vjet pas rivendosjes të tyre?

Matthew Palmer: Është diçka vërtet e jashtëzakonshme që ne po festojmë 30 vjetorin këtë vit dhe presim njëqindvjetorin e marrëdhënieve Amerikë-Shqipëri në vitin 2022. Vizita ime e parë në Tiranë ka qenë në vitin 1993, vetëm dy vjet pas rivendosjes së marrëdhënieve, dhe u prita nga Ambasadori William Ryerson. Sigurisht duke parë Shqipërinë sot, duke parë Tiranën sot dhe duke e krahasuar me 28 apo 30 vjet më parë, ka pasur një rritje të jashtëzakonshme. Jam mjaft i sigurt se këto prirje do të vazhdojnë në të ardhmen.

Zëri i Amerikës: Nëse i pyet shqiptarët sot pritshmëritë e tyre për angazhimin e SHBA në Shqipëri janë shumë të mëdha. Njerëzit gjithmonë pyesin: Përse Shtetet e Bashkuara nuk bëjnë më shumë për Shqipërinë, pasi ne jemi edhe partnerë strategjikë. Cili është mendimi juaj?

Matthew Palmer: Ne e vlerësojmë thellësisht partneritetin që kemi me Shqipërinë. Shqipëria është një vend që kontribuon, jo vetëm për paqen dhe sigurinë rajonale, por edhe për paqen dhe sigurinë globale. Ka qenë një partnere e jashtëzakonshme për ne në aleancën e NATO-s. Është një marrëdhënie që ne e vlerësojmë, që ne mendojmë se ka shumë potencial në rritje dhe ku unë parashikoj që Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të investojnë mjaft energji dhe kapital politik.

Zëri i Amerikës: Shqipëria përballet me zgjedhje së shpejti dhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Tiranë Yuri Kim po bën presion mjaft të fortë për lista të pastra të kandidatëve, që asnjë kandidat me të kaluar kriminale të mos përfshihet në to. Përse është kjo një përparësi kaq e madhe për Shtetet e Bashkuara? Si lidhet kjo me sigurinë e Shteteve të Bashkuara?

Matthew Palmer: Forca e demokracisë në Shqipëri ka rëndësi thelbësore për marrëdhëniet Amerikë-Shqipëri. NATO-ja është jo vetëm një aleancë interesash, por edhe një aleancë vlerash. Në hapësirën demokratike në Shqipëri ka pasur shumë hapa pozitive dhe ka ende shumë punë për të bërë. Ne u ndjemë shumë të kënaqur që pamë parlamentin shqiptar të miratonte legjislacionin, në përputhje me rekomandimet e ODIHR për reformën zgjedhore. Ne duam të shohim që legjislacioni i ri të vihet në zbatim dhe që zgjedhjet e prillit të kryhen në bazë të standardeve më të larta ndërkombëtare. Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara për të mbështetur demokracinë, qeverisjen e mirë, shtetin e së drejtës, në të gjithë botën. Kjo është sidomos e vërtetë kur flasim për një partner amerikan dhe një aleat amerikan. Pra, ne kemi një interes këtu, kemi një interes tek rezultati. Ne duam ta shohim demokracinë shqiptare të lulëzojë, të rritet dhe të zhvillohet, po ashtu si dëshiron edhe publiku shqiptar.

Zëri i Amerikës: Reforma në drejtësi. Ka pasur një shtytje të vazhdueshme nga Shtetet e Bashkuara për reformën në drejtësi, e cila po vazhdon prej disa vitesh. Si do të siguroheni ju që, pas reformës, Shqipëria nuk do të rrëshqasë prapa dhe rezultatet e arritura nuk do të përmbysen? Më duket se është një pyetje e rëndësishme.

Matthew Palmer: Po, është një pyetje e rëndësishme. Dhe unë mendoj se është e rëndësishme të theksohet përparimi i bërë. Tani kemi kuorum për Gjykatën Kushtetuese, e cila është formuar; Gjykata e Lartë po shqyrton çështje, kanë filluar të trajtohen çështjet e prapambetura, procesi i verifikimit po funksionon. Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për të punuar me partnerët tanë shqiptarë që reforma gjyqësore të mos e humbasë forcën dhe që përparimi i bërë të vazhdojë, që të vazhdojë prirja e deritanishme. Ne mendojmë se sundimi i ligjit është thelbësor për demokracinë, për rritjen dhe begatinë.

Zëri i Amerikës: Pritshmëritë tek shqiptarët kanë qenë gjithashtu shumë të larta për investimet ekonomike nga Shtetet e Bashkuara, por nuk kemi parë investime serioze deri më tani që nga rivendosja e marrëdhënieve dekada më parë. Ç’mendoni?

Matthew Palmer: Mendoj se ka pasur disa investime të rëndësishme amerikane: Exxon ka qenë aktiv, Bechtel është aktiv. Me përparimin e Shqipërisë në institucionalizimin e sundimit të ligjit, qeverisjen e mirë, transparente e të përgjegjshme, kjo do të jetë një magnet për biznesin amerikan. Biznesi amerikan shkon atje ku mendon se mund të ketë fitim, atje ku mendon se interesat e tij do të respektohen nga një sistem i pavarur gjyqësor.

Zëri i Amerikës: Ju keni theksuar më parë se qasja e SHBA ndaj Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë, nuk ka ndryshuar me ndryshimin e administratës. Por, a do të ketë Departamenti i Shtetit nën drejtimin e Sekretarit Antony Blinken, një qasje më pak të drejtpërdrejtë, në kuptimin e ndërtimit të demokracisë apo në fusha të tjera?

Matthew Palmer: Unë mendoj se Sekretari Blinken, Presidenti Biden e kanë bërë plotësisht të qartë investimin e tyre në demokraci, në qeverisjen e mirë dhe në sundimin e ligjit. Unë mendoj se këto kanë qenë dhe do të vazhdojnë të jenë thelbësore për interesat amerikane në Ballkanin Perëndimor, dhe unë shoh se administrata Biden-Harris është e angazhuar fort për të mbështetur demokracinë, reformën në drejtësi, transparencën dhe sundimin e ligjit. Kjo do të jetë thelbësore për angazhimin tonë.

Zëri i Amerikës: A pritet ndonjë nismë e re madhore për Ballkanin apo për Shqipërinë në veçanti?

Matthew Palmer: Gjithmonë ka gjëra të reja. Për Shqipërinë, mendoj se ajo ku do të përqendrohemi është të bëjmë gjithçka mundemi për të ndihmuar vendin të ecë përpara në rrugën e tij evropiane. Do të dëshironim shumë të shihnim mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare (IGC) për Shqipërinë. Ne mendojmë se kjo është diçka që Tirana e ka merituar, Shkupi gjithashtu. Do të dëshironim që Bashkimi Evropian ta mbajë premtimin dhe të organizojë konferencën e parë për të dy vendet.

Zëri i Amerikës: Z. Palmer, është folur shumë kohët e fundit për të ashtuquajturën diplomaci vaksinash të ndjekur nga Kina dhe Rusia në Ballkan. A jeni të shqetësuar se Shqipëria mund të jetë në shënjestër?

Matthew Palmer: Ne do të dëshironim të shihnim që të gjithë në Ballkan të kenë qasje ndaj vaksinave dhe kjo është arsyeja pse administrata Biden-Harris po jep deri në 4 miliardë dollarë për të mbështetur nismën Covax. Ne mendojmë se përmes Covax-it dhe bashkëpunimit shumëpalësh bota mund të sigurojë më së miri shpërndarjen e drejtë të furnizimit me vaksina. Unë jam gjithashtu i bindur se në javët dhe muajt e ardhshme, furnizimi me vaksina do të rritet në mënyrë eksponenciale dhe do të ketë vaksina të mjaftueshme për të gjithë.

Zëri i Amerikës: Z. Palmer, ju faleminderit.

Matthew Palmer: Faleminderit që më dhatë mundësinë.

blank

Intervista – Bob Hand: Mungesa e kulturës së sundimit të ligjit e mban Shqipërinë larg potencialit të saj

15 marsi i këtij viti shënon 30 vjetorin e rivendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë. Bob Hand, këshilltar i lartë pranë Komisionit Amerikan të Helsinkit dhe ekspert për Ballkanin Perëndimor, thotë se lidhjet e ngushta mes dy vendeve i kanë qëndruar provës së kohës gjatë këtyre tre dekadave. Por ai nuk i kursen kritikat dhe, në një intervistë me kolegun tonë Ilir Ikonomi, pohon se Shqipëria ende përballet me sfida të tilla si korrupsioni mes zyrtarëve, krimi i organizuar dhe mungesa e një kulture të sundimit të ligjit, të cilat vazhdojnë ta mbajnë larg potencialit të saj.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, kanë kaluar 30 vjet nga rfillimi i marrëdhënieve diplomatike Amerikë-Shqipëri dhe që nga ajo kohë ju e keni vëzhguar Shqipërinë nga afër. 30 vjet janë një pikë referimi. Si i shihni marrëdhëniet sot?

Bob Hand: Më lejoni të them se, në fakt, udhëtimi im i parë në Shqipëri ka qenë shumë muaj para vendosjes së marrëdhënieve dypalëshe. Unë kam punuar në Komisionin e Helsinkit prej më shumë se tre dekadash, kam qenë dëshmitar i Përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe kam luajtur rol në reagimin amerikan ndaj konflikteve në Ballkan, prandaj një nga gjërat që më bëjnë të ndihem më krenar dhe më i lumtur që e kam dëshmuar, ka qenë rivendosja e marrëdhënieve dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, fakti që Shqipëria u shndërrua nga një vend që dikur amerikanët as që mund ta vizitonin, në njërin nga vendet më miqësore ndaj amerikanëve në Evropë madje edhe në botë. Gjithashtu jam i kënaqur për faktin që kjo miqësi i ka qëndruar kohës përgjatë 30 vjetëve. Gjatë gjithë viteve 1990, 2000 e deri sot, Shqipëria ka vazhduar të jetë një partner shumë i fortë i Shteteve të Bashkuara në shumë aspekte. Dhe sigurisht, që nga viti 2009, ajo ka qenë gjithashtu një aleate e NATO-s. Prandaj, unë e shoh këtë si një histori suksesi, jo vetëm për vendin tim, Shtetet e Bashkuara, por edhe për vetë Shqipërinë.

Zëri i Amerikës: Por, nga ana tjetër, a mendoni se Shqipëria i ka përmbushur shpresat e Shteteve të Bashkuara, kur ato vendosën ta mbështesnin atë, duke filluar me vizitën e Sekretarit Baker në qershor 1991? Jua bëj këtë pyetje sepse, megjithëse Shqipëria është anëtare e NATO-s, siç e përmendët edhe ju, ajo është ende ndër vendet më të varfra të Evropës, me shumë probleme të tjera, një vend ku të rinjtë po largohen…

Bob Hand: Çdokush që i ka parë intervistat e mia me Zërin e Amerikës gjatë dekadave, e di që përgjigjja ime do të ishte: jo, Shqipëria nuk i ka përmbushur plotësisht pritshmëritë, të paktën pritshmëritë e mia, apo ato të Shteteve të Bashkuara, por më e rëndësishmja ajo që populli shqiptar meriton. Mendoj se sot kryesisht shohim sfida të tilla si korrupsioni mes zyrtarëve, krimi i organizuar, mungesa e kulturës së sundimit të ligjit, të cilat vazhdojnë ta mbajnë Shqipërinë larg potencialit të saj, pasi ajo mund të kishte qenë shumë më efektive në Evropë, si aleate e Shteteve të Bashkuara dhe në shërbim të nevojave të popullit të saj. Unë historikisht jam një mik i Shqipërisë, por edhe një kritik dhe më duhet të vazhdoj ta nxis Shqipërinë të përpiqet të ecë përpara për të bërë një punë më të mirë, veçanërisht në trajtimin e sfidave që sapo përmenda.

Zëri i Amerikës: Shtetet e Bashkuara vazhdimisht kanë bërë presion ndaj elitave politike shqiptare që të sillen në mënyrë demokratike. Sa i efektshëm ka qenë ky presion? Në të vërtetë njerëzit presin që SHBA të jenë më këmbëngulëse, sidomos kur bëhet fjalë për politikanët.

Bob Hand: Mendoj se në përgjithësi, nëse e vendosim në kontekstin e duhur, duhet pranuar se Shtetet e Bashkuara e kanë shtyrë fuqishëm Shqipërinë për të bërë reforma. Sigurisht që ka edhe çështje të tjera në marrëdhëniet dypalëshe dhe një prirje të natyrshme nga çdo qeveri, përfshirë qeverinë e SHBA për të mbështetur më tepër stabilitetin se sa elemente të tjera, që ndonëse kanë të bëjnë me ndryshime pozitive, sjellin një farë paqëndrueshmërie në periudhën afatshkurtër. Prandaj uroj që Shtetet e Bashkuara të mund të bëjnë më shumë në këtë aspekt. Në fillim, kur Shqipëria sapo kishte dalë nga izolimi komunist, ajo kishte nevojë për të kuptuar dhe mësuar praktikat demokratike. Sot, pas 30 vjetësh, ajo e di se ç’janë këto praktika, ajo e di se çfarë është sundimi i ligjit. Kjo është thjesht një çështje e lidershipit politik, pra a e kanë ata vullnetin për të zbatuar atë që është e nevojshme për Shqipërinë? Dhe meqenëse kjo nuk është më shumë një çështje e të mësuarit se sa e vullnetit politik, unë do të doja që ne të ishim më të sinqertë, për shembull me zgjedhjet që po afrojnë. Jo duke thënë se pati përmirësime, por duke qenë kritikë nëse nuk janë bërë përmirësimet që ne kemi pritur.

Zëri i Amerikës: Reforma në drejtësi në Shqipëri ka qenë një nismë e madhe e SHBA, por rezultatet e saj ende diskutohen nga disa si tepër pak dhe tepër vonë. Çfarë mendoni se është arritur nga këto përpjekje, a kanë qenë efikase deri më tani?

Bob Hand: Unë jam një mbështetës shumë i fortë i reformës gjyqësore. Nuk mendoj se dikush mund të thotë se është bërë shumë pak. Kjo është një përpjekje shumë, shumë e madhe, me kontrollin e pastërtisë së gjyqtarëve dhe gjithçka tjetër që lidhet me këtë. Përsa i përket thënieve se ka qenë e vonuar, ndoshta do të kishte qenë tepër e vështirë të zbatohej një reformë kaq e madhe më herët. Gjithsesi, do të duhet një farë kohe që rezultatet e reformës të japin efekt. Ato mund të mos jenë të dukshme menjëherë. Prandaj do t’i inkurajoja të gjithë shqiptarët që të jenë të durueshëm dhe të vazhdojnë ta nxisin këtë reformë për të ecur përpara. Mendoj se rezultatet përfundimisht do të shohin dritën e diellit për sa kohë që ky angazhim të mbetet. Së fundi, do të thosha se reforma jo vetëm që krijon një sistem gjyqësor më të mirë, por edhe e ruan këtë sistem. Ne duhet të kujdesemi që pas këtij procesi të mos ketë kthim prapa, por gjithmonë të ketë vigjilencë, në mënyrë që kultura e pandëshkueshmërisë, korrupsioni e të tjera të kenë marrë fund.

Zëri i Amerikës: Megjithatë, shumë njerëz kanë pritur që një numër zyrtarësh të rangut të lartë të ishin arrestuar si rezultat i kësaj reforme, të paktën si një shfaqje e fuqisë së reformës. Kjo nuk ka ndodhur. Të tjerë presin që Shtetet e Bashkuara të përfshihen më drejtpërdrejt në zbatimin e reformës. Çfarë mendoni?

Bob Hand: Unë mendoj se Shtetet e Bashkuara kanë qenë mjaft të përfshira, por Shtetet e Bashkuara nuk mund të zëvendësojnë presionin nga brenda një vendi që një ndryshim i tillë të ndodhë. Mendoj se ndonjëherë ka një shpresë thuajse të tepruar tek Shtetet e Bashkuara për të bërë hapa të tilla. Sa u përket zyrtarëve të niveleve më të larta, pra që ata të vihen nën vëzhgim më të fortë apo të ndiqen penalisht, mendoj se koha do të tregojnë nëse kjo do të ndodhë ose jo. Unë mendoj se ka rëndësi të vendoset parimi se askush nuk është mbi ligjin.

Zëri i Amerikës: Shqiptarët prisnin që pas pranimit të vendit në NATO në 2009, integrimi në BE do të kishte qenë një proces i shpejtë. Në fakt gjërat kanë lëvizur ngadalë, duket se shumë pak gjëra po ndodhin. Cili ka qenë problemi?

Bob Hand: Mendoj se, nga një vështrim afatgjatë, ka patur një ritëm të ngadaltë reformash në Shqipëri dhe në vendet e tjera, por dua të theksoj se nuk mendoj që kjo vazhdon edhe sot. Shqipëria ka ndërmarrë veprime që justifikojnë fillimin e negociatave për hyrjen në BE dhe për një lëvizje më të shpejtë. Problemi nuk është më në Ballkan, por mendoj se është në Bruksel, është tek ngurrimi për të sjellë anëtarë të rinj dhe për t’u zgjeruar. Sinqerisht më shqetësojnë disa nga arsyetimet që janë dhënë për t’u përpjekur që ta fshehin këtë fakt, sepse ato dekurajojnë reformatorët në rajon. Dhe unë mendoj se ndërsa flasim për reformën në gjyqësor ose për zgjedhjet, asgjë nuk mund ta nxisë Shqipërinë më shumë sesa nocioni se anëtarësimi në BE nuk është edhe aq i largët. Prandaj BE-ja duhet të bëjë më shumë për të dërguar mesazhe pozitive në rajon, në vend që të dekurajojë vendet që marrin vendime të vështira dhe zbatojnë politika të vështira, dhe që më pas nuk u njihet asnjë meritë për to. Kjo është arsyeja pse unë kam theksuar që politika e SHBA duhet të lëvizë. Ne duhet të vazhdojmë inkurajimin tonë ndaj vendeve në rajon, përfshirë Shqipërinë, për të bërë reforma, në mënyrë që të mund të anëtarësohen në BE. Por ne gjithashtu duhet ta angazhojmë Evropën shumë më fort në Ballkan dhe t’i bëjmë të ditur Evropës që është në interesin e tyre, tonin dhe të të gjithëve për t’i anëtarësuar këto vende pasi të kenë plotësuar kushtet që priten prej tyre.

Zëri i Amerikës: Shqipëria ka qenë në një krizë të thellë politike me një parlament jo funksional dhe ju e keni komentuar këtë në të kaluarën. Ku e shihni rrugëdaljen? A është vendi gati për një fillim të ri së shpejti?

Bob Hand: Do të shohim se çfarë do të sjellin zgjedhjet e ardhshme. Mendoj se gjatë viteve, me bojkotet e ndryshme, më pas me atë në vitin 2019, kur opozita u largua nga parlamenti, u pa se sa serioze mbeten problemet e pjekurisë politike të vendit. Unë gjithmonë e kam quajtur pozitiv faktin që disa njerëz qëndruan në parlament dhe vazhduan të punojnë brenda sistemit për ndryshime pozitive. Tani thjesht shpresoj që udhëheqësit politikë shqiptarë, por edhe populli i Shqipërisë të kenë mësuar nga kjo përvojë e ngërçit dhe e bllokimit politik. Shpresoj që, kur të vijnë zgjedhjet, ata ta mbajnë parasysh këtë kur të zgjedhin ata që do të drejtojnë qeverinë e ardhshme.

Zëri i Amerikës: Në thelb, zoti Hand, cili është interesi strategjik i SHBA në Shqipëri?

Bob Hand: Mendoj se SHBA vazhdojnë të kenë një interes të fortë në Evropë në tërësi dhe Shqipëria është pjesë e Evropës kurse Ballkani është gjithashtu rajoni ku ende ka paqëndrueshmëri të ndryshme për shkak të mungesës së ecurisë drejt anëtarësimit në BE. Këto vende nganjëherë nuk dinë ku të shkojnë dhe gjithnjë gjenden forca duan të bëjnë keq. Shteteve të Bashkuara gjatë më shumë se 100 viteve të fundit u është dashur të marrin përsipër angazhime serioze ndaj Evropës për të rivendosur stabilitetin në rajon. Unë mendoj se, Shqipëria është një partnere me ne në këtë aspekt. Vitin e kaluar , kryesimi i OSBE-së nga Shqipëria reflektoi mirë për Shqipërinë, jo vetëm si një vend që pjesa tjetër e Evropës duhet ta ndihmojë, por edhe si një vend që mund të kontribuojë dhe të ndihmojë Evropën në tërësi. Mendoj se, në këtë kuptim, të kesh një partnere si Shqipëria, është shumë në interes të SHBA.

Zëri i Amerikës: A shihni se Rusia dhe Kina po përpiqen ta sfidojnë këtë interes të SHBA në Shqipëri?

Bob Hand: Po, do të thoja që ky është një shqetësim për vetë Shqipërinë. Megjithë prirjet shumë pro amerikane që kanë shqiptarët, për sa kohë që ka korrupsion zyrtar dhe krim të organizuar, kjo mund të dëmtojë partneritetin tonë. Paraja të korrupton. Rusia dhe Kina shpesh gjejnë terren të përshtatshëm në vende ku ka korrupsion dhe krim, ndërsa Shtetet e Bashkuara nuk mund të veprojnë kështu. Prandaj, ka një arsye se përse Shqipëria duhet të ndërmarrë reforma, veçanërisht për të luftuar korrupsionin. Do të thosha gjithashtu që Kina dhe Rusia janë më shumë problem në disa nga vendet e tjera të rajonit se sa në Shqipëri. Nuk janë vetëm Kina dhe Rusia, por ka edhe ndikime të tjera në rajon që nuk janë gjithmonë të mira. Marrëdhëniet tona me Turqinë për momentin, nuk janë domosdo në një pikë të mirë. Nuk e them këtë kundër vetë Turqisë, dhe në fakt Shqipëria ka lidhje të forta me Turqinë. Por qeveria e Erdoganit dihet që bën presion mbi vendet e tjera. Unë shpresoj që Shqipëria, ndërkohë që ruan lidhjet e saj me Turqinë, të bëjë gjënë e duhur dhe jo t’i nënshtrohet presionit që mund të ushtrohet mbi të. Shqipëria është një vend sovran që duhet të kujdeset së pari për interesat e veta. Mendoj se pikërisht kjo është ajo që SHBA dëshirojnë të bëjë Shqipëria. Sigurisht që nga kjo do të përfitonin edhe marrëdhëniet tona dypalëshe.

Zëri i Amerikës: Zoti Hand, ju faleminderit.

Bob Hand: Ju faleminderit gjithashtu. Ju lutem, urojini më të mirën të gjithë shikuesve në Shqipëri dhe u bëni thirrje atyre të qëndrojnë vigjilentë gjatë kësaj pandemie, deri sa të vijë koha kur të gjithë të mund të dalim lirisht. E di që kjo është një periudhë e vështirë. Por më e mira që mund të bëjmë është të qëndrojmë vigjilentë dhe ta luftojmë këtë pandemi deri sa ajo të jetë larguar.

blank

Ardian Ndreca: Mbi Fjalorin e madh, Enciklopedinë dhe Akademinë e Shkencave pas reformës

Intervista e Akademikut tëJashtëm: S’mund të hartohet nji fjalor pa spastrue barbarizmat  dhe pa vjelë pa kompleks të folmet dhe dialektet

Fatmira Nikolli

Nji fjalor i tillë nuk mund të jetë fryt i nji aksioni të përqëndruem por vetëm i nji projekti afatgjatë, rezultatet e përkohshme të t’cilit, duhet të diskutohen publikisht mes specialistave të çdo hapsine tematike vit për vit”.

Një vit pas pranimit si anëtar i jashtëm i Akademisë së Shkencave, kur institucioni është pas reformës së shumëdiskutuar, Ardian Ndreca, vjen në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ku ndalet në projektet e shpallura nga ASH, nga Fjalori i madh, Enciklopedia Shqiptare e deri te një Kuvend Albanologjik. Të tria, duket të jenë nisma madhore për një Akademi ende të brishtë, pas viteve të zvarritjes së saj dhe reformave qëkanë shoqëruar ndërrimin e pushteteve.

Ndreca ofron këndvështrimet e tij mbi qasjet që duhet të ketë një akademi për nisma të mëdha dhe për ata që duhen përfshirë në to. “Nëqoftë se sot do të hartohej nji fjalor i tillë me materiale që janë mbledhë e përpunue para dy-tri dekadash, ai s’do të ishte as fjalor i sotëm i shqipes dhe as gjithëpërfshirës”, thotë ai mbi Fjalorin e madh, ndërsa sa i takon Enciklopedisë, pyet se “Sa thellë mtojnë me i hy dijes ata që e kanë konceptue atë punë?”.

Duke shpresuar që “Akademia të rindërtojë vetveten, problemi i nji akademie si kjo e jona nuk asht buxheti i kufizuem por mendësia”, Ardian Ndreca, profesor dhe drejtues i katedrës së Historisë së Filozofisë Moderne  në Universitetin Urbaniana në Romë, vëren se “kuvende në formë kongresesh partiake, shkencë me primje plebishitare kur ftohen të gjithë të flasin për gjithçka, nuk besoj se ka ma në ditët e sotme dhe albanologjia nuk ban përjashtim”.

Ndreca ndalet te nevojat që ka Akademia, duke mirëkuptuar edhe  rrethanat kohore ashtu sikundër pohon se edhe ASH, si çdo organizëm i gjallë, “kur i bjerrë aftësitë e veta nuk i rifiton ato mbrenda nji dite, duhet durim dhe punë”.
-Prej pothuaj një viti jeni pjesë e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, kohë që përkon me postreformën e saj. Gjatë këtij viti, janë dhënë çmime, janë shtuar anëtarë, janë bërë konferenca e përkujtimore, deri edhe një komitet që u mor me pandeminë, por që mbeti kryesisht në hije. Si anëtar i jashtëm por si pjesë e Akademisë, a mendon se reforma ka dhënë ose po jep fryte?  

Ka plot 12 muej që jeta jonë karakterizohen prej mbylljes për shkak të pandemisë dhe pothuejse gjithçka asht zhvendosë në rrjet dhe bilancet janë të gjitha të prekuna prej këtij kushtëzimi të detyruem. Për komisionin e pandemisë nuk e kam të qartë se çfarë detyre ka pasë, mbasi Akademia nuk mund të përdoret ad hoc për emergjenca, madje në raste të tilla asht mirë që Shteti të flasin me nji za të vetëm operativ, mundësisht pa mëdyshje, për aq sa mund të flitet në nji situatë të tillë.

Detyrimet statutare të Akademisë janë të qarta, organizimi i saj gjithashtu, prandaj pritshmëria asht e lidhun ngusht vetëm me këto dyja. Si drejtues i “Shejzave” dhe antar i jashtëm i Akademisë, kishim organizue në detaje nji konferencë shkencore në kujtim të veprës dhe figurës së Át Zef Valentinit, ku do të merrnin pjesë edhe disa studiues të huej, mjerisht konferenca u shtye, pse në prani nuk mund të mbahej dhe jam i mendimit se jo çdo lloj aktiviteti mund të organizohet në platformat e rrjetit virtual.

Po të mendoja se frytet e reformës janë vetëm këto që janë pa deri tashti, do të thoja pa asnji mëdyshje se asht tepër pak, por ky vit asht nji “rrethanë lehtësuese” për të gjithë, reforma sapo ka nisë dhe nuk do të thotë se mbrenda saj nuk do të ketë nji reformë tjetër. Qëllimi i parë kur bahen reforma asht kthimi i besimit tek institucioni përkatës, serioziteti dhe puna janë mjetet që e realizojnë këtë objektiv, njerëzit e aftë dhe të ndershëm jana ata që e çojnë përpara reformën. Duhet të kemi ende durim, edhe nji organizëm i gjallë kur i bjerrë aftësitë e veta nuk i rifiton ato mbrenda nji dite, duhet durim dhe punë.

–  Së fundmi, janë shpallurtri nisma, por do të doja së pari, të ndaleshim te “Fjalori i madh i shqipes”. Çfarë duhet mbajtur pararysh, kur bëhet fjalë për një Fjalor të madh, në kohë lirie?

S’mund të hartohet kurrë nji fjalor gjithëpërfshirës i shqipes prej 100 mijë fjalësh pa spastrue ma parë barbarizmat e panevojshme dhe pa vjelë pa asnji kompleks të folmet dhe dialektet e gjuhës sonë, këtej e andej kufijve politikë, pa harrue arbëreshët, arvanitasit, çamët etj.

Për nji punë të tillë nuk mjaftojnë të hollat por duhet nji mobilizim i përgjithshëm: shkrimtarë, mësues, kultivues të landëve humanistike e shkencore, specialista të vjeljes dhe përpunimit teknologjik të njësive, botues, ente shtetnore, institute studimesh kudo nëpër botë.

Në qoftë se sot do të hartohej nji fjalor i tillë me materiale që janë mbledhë e përpunue para dy-tri dekadash, ai s’do të ishte as fjalor i sotëm i shqipes dhe as gjithëpërfshirës.

Nga ana tjetër nji fjalor i tillë nuk mund të jetë fryt i nji aksioni të përqëndruem por vetëm i nji projekti afatgjatë, rezultatet e përkohshme të t’cilit, duhet të diskutohen publikisht mes specialistave të çdo hapsine tematike vit për vit, tue qenë se kandvështrimi i ngushtë leksikografik duhet të gërshetohet në mënyrë dinamike me atë nocional.

Gjithçka duhet të bahet me transparencë dhe me kompetencë, cilësina këto të nji botëkuptimi shkencor që nuk i pranon kompromiset e mendësisë së mëditësve.

– Një tjetër nismëështë “Enciklopedia Shqiptare”, projekt për të cilin dihet ende pak. Në vazhdën e idesë mbi Fjalorin, si e gjykoni këtë nismë?

Çështja e enciklopedisë asht edhe ma e ndërlikueme. Ma së pari do të duhej të baheshin publike objektivat dhe kriteret e saj. Sa thellë mtojnë me i hy dijes ata që e kanë konceptue atë punë? Kjo nisë tek zonat tematike të saj dhe tek metodologjia bazë.Tue qenë se kemi të bajmë me shkenca që nuk kanë nji metodë të vetme, atëherë kriteret për hartimin e saj do të duheshin përshtatë në bazë të statutit epistemologjik të secilës shkencë. Këtë gja nuk mund ta bajnë nji ose dy persona, pse ka ikë koha e Wilhelm von Humboldt-it.

Nga ana tjetër duhet të përcaktohen qartë parametrat formal, nji listë emnore bashkëpuntorësh kontribues dhe këshilltarësh për çdo tematikë, vendas dhe të huej.

– Ka pasur jo pak kritika sa i takon Fjalorit Enciklopedik që shpesh ka bartur zëra me përshkrime të diskutueshme, për disa opinione, siç kanë qenë nëkohën e komunizmit ose ngjyresa të njëjta. A mendoni se jemi gati të shkëputemi nga ideologjitë për të bërë një enciklopedi, bashkëkohore, të denjë dhe me kritere të qarta shkencore?      

Sot enciklopedia asht nji ndërmarrje madhore që s’mund të bahet pa nji kod etik. Ka shumë koncepte që s’janë të përcaktueme në mënyrë univoke, prandaj pasqyrimi i tyne nuk mund të marrin ngjyrime definitive në nji kohë që, bjen fjala, argumentimet përkatëse mbështeten në hipoteza ende të paprovueme. Në kohët tona të hartosh nji enciklopedi domethanë së pari me shmangë qëndrimet politike dhe ideologjike, besoj ju e dini se përveç cektësisë konceptuale, tentativat e maparshme kanë vuejt edhe prej kësaj të metë.Nuk mund të shprehen gjykime vlerësuese, të pranohen tone absolutizuese, pse gjithsesi në rastin e shkencave shoqnore bahet fjalë për nji seri procesesh të pambylluna që janë subjekt ndryshimesh të vazhdueshme, pra nuk kemi të bajmë me dogma. Kjo gja vlen, mutatis mutandisedhe për shkencat ekzakte, të cilat, siç na ka tregue Karl Popper, janë subjekte të parimit të falsifikabilitetit, domethanë, të vërtetat e tyne të sotme, shërbejnë si pikënisje për disa të tjera që do të zbulohen nesër. Për shembull, modeli atomik i Niels Bohr në momentin që asht zbulue ka qenë nji e vërtetë relative që ma vonë ia ka lëshue vendin vizioneve tjera ma të plota, mbrenda të cilave qëndron edhe modeli Bohr, por qëndron si diçka e tejkalueme në kuptimin e nji të vërtete asertive.

Ka shumëçështje që janë në diskutim, jo vetëm historike, por edhe koncepte e qasje mbi pushtime, sundime a zhvillime të caktuara në kohë të ndryshme. Gjithnjë e më shumë, kërkohet një lloj unifikimi i trajtimit të historisë mes kombeve, qoftë edhe për të zhbërë gjykimet e denigrimet e popujve.Mbi ç’parime duhet bazuar një enciklopedi në ditët tona?

Enciklopedia siç e mendoj un do të duhej të ishte ma pak nocionale dhe ma shumë konceptuale. Pra, nuk na shërben nji wikipedia e shtypun në nji ose disa vëllime. Na lypet nji burim orientues dijet.Enciklopedia nuk asht fjalor enciklopedik, as nji pranëvendosje datash, veprash, apo nji përmbledhje mendimesh me pak bibliografi në fund.Pjesa e saj konceptuale duhet të shpalosin nji vizion të qartë e të përcaktuem rreth nji çështjeje. Ajo duhet të jetë encikopedia shqiptare jo pse asht në gjuhën shqipe dhe kur e lexon kupton se aty mbahet ana e shqiptarëve, por pse shprehë disa të vërteta për të cilat kemi fakte të lexueshme në dritën e arsyes dhe rreth të cilave mund të japim disa interpretime po me anën e arsyes.

Nëse për nji fakt ka ma shumë se nji interpretim që mbështetet tek arsyeja, asnji prej tyne nuk duhet të heshtet vetëm pse nuk na pëlqen ne apo dikujt tjetër. Për shembull, reformat osmane, të ashtuquejtunat “tanzimat” që nisën në vitin 1839.Kur flitet për kryengritjet shqiptare që morën shkas prej tyne, kryengritje që në thelb ishin të drejta dhe ndikuen pozitivisht në rrugën që çoi drejt Lidhjes së Prizrenit, nuk duhet të heshtet që tanzimati si lëvizje ishte nji tentativë me modernizue dhe me europianizue Perandorinë osmane dhe mtonte me transformue nji feudalizëm primitiv në diçka ma të pranueshme dhe efikase. Pamvarsisht se vetëdija e shumë prej atyne që iu kundërvunë tek ne nuk ishte pasqyrë e nji platforme të qartë shqiptariste, veprimi i tyne politik dhe ushtarak – për arsye të nji heterogjeneze qëllimesh historike – qe tepër pozitiv.

Nuk duhet të harrojmë se as evolucioni në natyrë nuk asht linear, pra mos t’ia kërkojmë këtë tipar historisë apo fushave tjera ku elementi njerzor ka fjalën e fundit!

 

Një kuvend studimesh albanologjikeështë paraparë të mbahet këtë vit, që sipas një koncepti paraprak të ASH-së, në kushtet e globalizmit është i nevojshëm, por edhe sepse institucionet shkencore, kanë përgjegjësinë e njohjes së gjendjes së albanologjisë, në kohën kur sipas këtij koncepti, mungesa e kritikës shkencore ka qenë shkak që në mjaft raste debatet të rrëshqasin prej regjistrit shkencor në atë të atdhetarizmit retorik. Çfarë mund të sjellë një kuvend albanologjik?

Kam ndie edhe un për nji kuvend të studimeve albanologjike që me gjasë organizohet këtë vit nga Akademia jonë dhe ajo e Kosovës, nji si bilanc madhor i gjithë asaj çka ka ndodhë në 50 vitet e fundit, tue nisë prej kuvendit të studimeve ilire të vitit 1972. Të flasësh sot për etnogjenezën e ilirëve, për “iliricitet”, për protoshqipen etj.më duket shumë impenjative në kushtet e nji letargjie institucionale prej dekadash që na ka karakterizue. Nuk kam pasë nji komunikim zyrtar në lidhje me këtë projekt prandaj nuk po zgjatem.

Mendoj se sot tendenca e përgjithshme asht organizimi i kuvendeve me nji optikë të mirëpërcaktueme, pse në rast kuvendesh masiverreziku me mbetë në sipërfaqe të çështjeve asht i madh.

Kuvende në formë kongresesh partiake, shkencë me primje plebishitare kur ftohen të gjithë të flasin për gjithçka nuk besoj se ka ma në ditët e sotme dhe albanologjia nuk ban përjashtim.

Do të ishte e udhës që nji problematikë e vetme të trajtohej në të gjitha kandvështrimet, mundësisht tuemos iu rikthye disa kategorive të konsumueme.

Do të doja të dija se çfarë zbulimesh të reja sensacionale janë ba në këto 50 vite që të justifikojnë nji megabilanc të tillë? Më duket se në gjuhësi sillemi rishtas tek Formula e Pagëzimit dhe Buzuku, bejtenxhinjtë po ata kanë mbetë!Janë deshifrue shkrime të panjohuna ilire, janë zbulue qendra banimi antike që na detyrojnë me rishkrue ndonji kapitull të historisë apo thjeshtë shtojnë ndonji paragraf të ri!?

S’kemi nevojë për qasje triumfaliste por për punë të heshtun dhe serioze e cila mund të nasjellë fryte të vërteta, por jo për festivale, por në qendra të specializueme, me njerëz që kanë tagër dhe dije për me folë me autoritet.

-Është disktutuar gjatë reforma e Akademisë, që nga një ‘kufomë e vetvetes’, duhej të ishte kthyer në një organ këshillimor që do të duhej t’i imponohej me mendimin e saj shkencor, qeverisë.  Ju jeni ndër akademikët më të ‘rinj’, që ju bashkuat vitin e kaluar.Çfarë do të ndihmonte Akademinë drejt kësaj rruge? 

Mendoj se Akademia duhet të afrojë të rinj e të reja shqiptarë, figura të afirmueme në shkencë në të gjithë botë. Nuk mund të jetë pengesë për këtë gja fakti që nji e re apo i ri shqiptar që ka lanë atdheun për me studiue me forcat e veta para 20-30 vitesh, për arsye të kuptueshme integrimi asht detyrue me lanë shtetësinë shqiptare.

Shqiptar nuk të ban veç nji dokument, këtë gja ua kujtojmë atyne “tregtarve të flamujve” që kanë dhanë shtetësinë shqiptare pa asnji kriter e tue thye ligjin në gjithë këto vite.

Nuk mund ta konceptoja për shembull Akademinë tonë pa antarë të sajin shkencëtarë si Laura Mersinin apo Dorian Kçirën. Mendoni pak, Laura Mersini ka dhanë leksione në Lucasian Chair, katedra e Newton-it, ka formulue nji teori të sajën të universit, asht nji personalitet shkencor i rangut botnor dhe s’mund të injorohet prej nji vendi të vogël dhe të vorfën si ai i yni që mjerisht nuk ka aftësi për kërkime shkencore që t’i përgjegjen bashkëkohësisë!

Thjesht, nëse nji doktorand shqiptar i përzgjedhun do të mund të kishte nji udhëheqës të këtij kalibri në punën e vet shkencore, ky kontribut madhor do ta justifikonte mosmarrjen pjesë të nji personaliteti si ajo në nji mbledhje ku diskutohet buxheti i Akademisë!

-Megjithatë, buxhetet janë të domosdoshme për projekte të mëdha si Enciklopedia apo Fjalori?

Shpresoj që Akademia të rindërtojë vetveten, problemi i nji akademie si kjo e jona nuk asht buxheti i kufizuem por mendësia. Kemi nevojë për nji mendësi të re, shkenca duhet të fluturojë nalt, sa ma nalt, larg interesave të vogla, tarafeve, vogëlsinave. Nuk them se nuk janë ba hapa përpara, por ende asht ba tepër pak dhe rrezikojmë gjithnji me e humbë drejtimin.

blank

Meri Lalaj: Topalli një zonjë e hekurt në parlament! Në fillim Ramën e kam votuar dhe e kam dashur, por pas mandatit të parë të tërhiqej –

Meri Lalaj kandidatja për deputete e Lëvizjes për Ndryshim të Jozefina Topallit në një intervistë në Report Tv ka deklaruar se do të kandidojë në Tiranë. Ndërsa foli për Topallin ajo tha se nuk e njeh personalisht por e konsideroi atë një zonjë të hekurt në kohën që ka qenë në politikë sidomos në krye të Kuvendit.

Meri Lalaj kandidatja për deputete e Lëvizjes për Ndryshim të Jozefina Topallit në një intervistë në Report Tv ka deklaruar se do të kandidojë në Tiranë. Ndërsa foli për Topallin ajo tha se nuk e njeh personalisht por e konsideroi atë një zonjë të hekurt në kohën që ka qenë në politikë sidomos në krye të Kuvendit.

“Topallin se njoh nga afër shumë pak e njoh, e njoh se çka bërë në politike. Ajo  ka qenë një zonjë e hekurt në kuvend dhe e admiroj për këtë. Është një model shumë i mirë. Nuk e di ku do kandidoj, sjanë përcaktuar qartë. Në këto kohë më është bërë mendje dhallë ngaqë jepen shumë premtime. Ndryshimin do e bëja në arsim. Do shikoja kushtet se ku është shkolla jonë sepse kam qenë mësuese dhe e di si funksionon sistemi. Këtë fushë mund ta merrja për ta ndjekur”, tha ajo.

Ndërkaq ajo dha dhe një mendim për liderët kryesorë duke thënë se më parë ka votuar Edi Ramën, kurse Bashën nuk e shikon si një ndryshim të mundshëm. Sipas saj vendi duhet të drejtohet nga figura të reja.

“Në fillim Edi Ramën e kam votuar dhe e kam dashur. Do ishte më mirë që pasi mbaroi atë si kryetar bashkie të tërhiqej ose të bënte vetëm një mandat si kryeministër. Unë mendo j se shqipërisë i duhen figura të reja. Një miku i mi  huaj thotë se të mençurrit shqiptarë rrinë të struktur nëpër skuta”, tha ajo.


blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
blank
Send this to a friend