Lufta me Teheranin po e zbeh takimin e rëndësishëm që presidenti amerikan, Donald Trump, pritet ta zhvillojë këtë javë me udhëheqësin e Kinës, Xi Jinping, në Pekin. Irani pritet të jetë një nga çështjet më të ndjeshme në agjendën e këtij takimi.
Trump pritet të mbërrijë në Pekin më 13 maj dhe të takohet me Xinë më 14-15 maj, pasi vizita e tij e planifikuar për më herët këtë vit u shty shkak të konfliktit me Teheranin.
Zyrtarë të lartë amerikanë thonë se Trump synon ta sfidojë drejtpërdrejt Xinë për lidhjet ekonomike dhe teknologjike të Kinës me Iranin, përfshirë blerjet e naftës dhe transportimin e pretenduara të mallrave me përdorim të dyfishtë.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Ken Moriyasu, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Hudson, tha se Pekini mund të ndihmojë taktikisht në uljen e tensioneve, por do t’i rezistojë çdo përpjekjeje që mund ta kërcënojë mbijetesën e regjimit iranian, të cilin ai e përshkroi si qendror për strategjinë afatgjatë euroaziatike të Kinës.
Radio Evropa e Lirë: Duke qenë se Trump pritet ta sfidojë Xinë për Iranin dhe Uashingtoni po prezanton sanksione të reja që synojnë rrjetet iraniane të naftës të lidhura me Kinën, sa i rëndësishëm është ky moment në diplomacinë SHBA-Kinë lidhur me Teheranin?
Ken Moriyasu: Jam i sigurt se Trumpi do t’i kërkojë Xi Jinpingut ndihmë për Iranin, dhe jam i sigurt se Kina është shumë e interesuar ta shohë fundin e kësaj lufte po aq sa edhe Trump dëshiron t’i japë fund asaj.
Por, jam gjithashtu shumë i sigurt se Xi nuk dëshiron ndryshim regjimi në Teheran. Pra, ndërsa ai mund të pranojë ta nxisë Teheranin të arrijë një lloj kompromisi, jam shumë i sigurt se Xi do t’i bëjë ballë çdo trysnie nga Trump për ta ndëshkuar Iranin në një mënyrë që mund të çojë në ndryshim regjimi.
Radio Evropa e Lirë: Kur e shikoni marrëdhënien e Kinës me Iranin sot, sa ndikim realisht ka Pekini mbi Teheranin?
Ken Moriyasu: Marrëdhënia vazhdon, por duhet ta kuptojmë përmes strategjisë afatgjatë të Kinës dhe rëndësisë që Irani ka brenda saj.
Nëse ndodh ndryshim regjimi në Teheran dhe vendi bëhet proamerikan, properëndimor dhe largohet nga Kina, kjo bie drejtpërdrejt ndesh me strategjinë kontinentale afatgjatë të Kinës.
Në 15 vjetët e fundit, Kina është përpjekur shumë ta kufizojë varësinë e saj nga rrugët detare tregtare, veçanërisht për energjinë, sepse cisternat e naftës duhet të kalojnë nëpër pika strategjike si Ngushtica e Hormuzit dhe Ngushtica e Malakës. Prandaj Kina është orientuar drejt tubacioneve tokësore, dhe brenda kësaj strategjie kontinentale Irani zë krahun jugor, ose ankorën jugore.
Nëse Irani bëhet properëndimor, kjo do të prishte lidhjet tokësore të Kinës me Lindjen e Mesme dhe Evropën. Do të komplikonte logjistikën energjetike dhe korridoret ushtarake të lidhura me Nismën “Rripi dhe Rruga”, dhe do të minonte idenë e një brendësie të vazhdueshme euroaziatike të izoluar nga fuqia ushtarake amerikane, diçka që Kina është përpjekur ta krijojë gjatë 15 vjetëve të fundit.
Radio Evropa e Lirë: Duke pasur parasysh lidhjet e ngushta ekonomike me Iranin, veçanërisht në eksportet e energjisë dhe blerjet e naftës, a përkthehet kjo në ndikim të rëndësishëm politik për Pekinin?
Ken Moriyasu: Kjo i jep më shumë ndikim Iranit sesa Kinës.
Nëse Irani e kupton strategjinë afatgjatë të Kinës, atëherë Teherani ka ndikim. Dhe, Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë politikën e Kinës dhe të pranojnë se Kina kurrë nuk do të mbështesë politika që mund të çojnë në ndryshim regjimi.
Kjo lidhet gjithashtu me Tajvanin. Përderisa Shtetet e Bashkuara mbajnë një kontroll strategjik mbi importet energjetike të Kinës përmes Ngushticës së Malakës ose Ngushticës së Hormuzit, Kina nuk mund ta marrë Tajvanin me forcë.
Edhe nëse Kina do të mund ta pushtonte ushtarakisht Tajvanin, SHBA-ja do të mundë ta ngufatke ekonominë kineze duke bllokuar ato rrugë.
Pra, ajo që Kina po përpiqet të bëjë fillimisht është të krijojë një korridor kontinental që e mbron nga hakmarrja amerikane. Pasi të përfundojë ky strehim apo kjo fortesë euroaziatike, atëherë Pekini do të kishte më shumë opsione lidhur me Tajvanin.
Nuk po them se Kina do ta pushtojë Tajvanin nëse ky korridor përfundon, por sigurisht që kjo do t’i jepte Pekinit më shumë fleksibilitet strategjik.
Radio Evropa e Lirë: Nëse Trump i kërkon Xisë ta përdorë atë ndikim mbi Iranin, çfarë lloj përgjigjeje prisni nga Pekini?
Ken Moriyasu: Kina po ndjek njëkohësisht dy qëllime afatgjata: dëshiron të largohet nga rrugët detare tregtare dhe gjithashtu dëshiron të largohet nga vetë varësia ndaj naftës.
Kjo është arsyeja pse Kina po inkurajon agresivisht kalimin nga makinat me benzinë në automjete elektrike, me energji elektrike të prodhuar nga energjia bërthamore ose qymyri. Një pjesë e madhe e atij qymyri vjen nga burime vendase ose nga Mongolia, të cilat janë të mbrojtura nga ndërhyrja ushtarake amerikane.
Megjithatë, Kina ende nuk ka arritur atje, kështu që ende ka nevojë për naftë. Kjo do të thotë se kjo luftë dhe rritja e çmimeve të naftës po e dëmtojnë Kinën tani për tani.
Në planin afatgjatë, megjithatë, Kina dëshiron ta kufizojë varësinë si nga transporti detar ashtu edhe nga vetë nafta.
Pekini ka nevojë për stabilitet në të ardhmen e parashikueshme, por nuk ka interes ta ndihmojë Trumpin të arrijë kontroll mbi Ngushticën e Hormuzit apo të mbështesë ndryshimin e regjimit në Teheran. Kjo nuk është në interesin strategjik afatgjatë të Kinës.
Radio Evropa e Lirë: Në këtë kontekst, a e shihni Kinën duke luajtur më shumë një rol diplomatik të heshtur prapa skenave, apo duke mbetur e kujdesshme publikisht?
Ken Moriyasu: Çdo rol që Kina do të luajë do të jetë taktik, jo strategjik. Jam shumë i sigurt për këtë.
Radio Evropa e Lirë: Meqë Uashingtoni po merret Iranin, Ukrainën dhe konkurrencën strategjike me Kinën njëkohësisht, si mendoni se i balancojnë politikëbërësit të gjitha këto sfida në të njëjtën kohë?
Ken Moriyasu: Kjo është edhe një arsye tjetër pse Xi mund të ndihmojë taktikisht, por jo strategjikisht.
Realiteti është se tensionet midis Uashingtonit dhe Teheranit nuk janë të këqija për Pekinin. Nëse Uashingtoni shpërqendrohet nga lufta që përfshin Iranin, kjo e largon vëmendjen nga Tajvani. Kjo i jep Kinës më shumë kohë për t’u përgatitur.
Pra, një nivel i caktuar tensioni midis Uashingtonit dhe Teheranit në fakt i shërben interesave strategjike të Kinës.
Por, në planin afatgjatë, plani i Kinës është fillimisht të krijojë korridore kontinentale përmes të cilave mund të sigurojë energji dhe tregti pa ndërhyrjen amerikane. Kjo është faza e parë, ndoshta gjatë dekadës së ardhshme.
Më pas Kina do të ishte në gjendje të projektonte fuqi më me besim drejt zonave bregdetare detare dhe potencialisht të mendonte për operacione ndaj Tajvanit më pas. Shtetet e Bashkuara duhet ta kuptojnë se çfarë po përpiqet të bëjë Kina.
Radio Evropa e Lirë: Në çfarë pike kriza mund të bëhet aq serioze sa Pekini të veprojë më vendosmërisht, qoftë diplomatikisht apo strategjikisht?
Ken Moriyasu: Raportohet se Kina ka rezerva strategjike të naftës që mund të zgjasin rreth katër muaj.
Derisa po afrohet ai afat kohor, Pekini do të përballet me më shumë presion për të siguruar rrugë alternative ose për të punuar me Uashingtonin dhe Teheranin për ta mbajtur të hapur Ngushticën e Hormuzit. Por, ka edhe pak kohë para se Kina të arrijë në atë pikë.
Radio Evropa e Lirë: Trump e shtyu një herë këtë vizitë për shkak të Iranit. A mund të jetë Irani një nga çështjet përcaktuese të takimit, madje përtej tregtisë dhe marrëdhënies më të gjerë SHBA-Kinë?
Ken Moriyasu: Në një pikëpamje më të gjerë, konkurrenca mes fuqive të mëdha SHBA-Kinë është në të vërtetë një garë për kontrollin e Euroazisë.
Nga perspektiva e Kinës, ajo dëshiron qasje të pandërprerë në tregjet energjetike të Azisë Qendrore dhe rrugët tregtare drejt Evropës pa ndërhyrjen amerikane.
Shtetet e Bashkuara nuk kanë domosdo nevojë ta dominojnë vetë Azinë Qendrore. Por, duhet t’i pengojnë përpjekjet e Kinës aq sa Pekini të mos ndiejë kurrë siguri absolute se Azia Qendrore, Kaukazi dhe Turqia janë plotësisht brenda sferës së saj, sepse sapo Kina ta ketë atë siguri, do të ketë aftësi më të madhe për të projektuar fuqi jashtë, veçanërisht drejt Tajvanit.
Strategjia amerikane duhet të jetë t’ia mohojë Kinës atë siguri absolute.
Në këtë kuptim, Irani është pjesë e kësaj gare më të madhe. Irani është pjesë e strehës apo fortesës që Kina dhe Rusia po përpiqen të ndërtojnë në zemrën euroaziatike.
Por, vetë Irani nuk është çështje përcaktuese në garën SHBA-Kinë. E gjithë Euroazia është.
Radio Evropa e Lirë: A mund të shënojë ky takim një pikë kthese në mënyrën se si Uashingtoni dhe Pekini angazhohen në krizat e mëdha ndërkombëtare të sigurisë në të ardhmen?
Ken Moriyasu: Jo, absolutisht jo. Kina dhe Shtetet e Bashkuara kanë vizione thelbësisht të ndryshme për Euroazinë, dhe ajo konkurrencë do të vazhdojë pavarësisht këtij samiti.
Çdo marrëveshje taktike që arrijnë: marrëveshje për sojë, marrëveshje për Boeing apo çfarëdo tjetër, nuk e ndryshon strukturën më të gjerë.
Struktura reale është konkurrenca e fuqive të mëdha për zemrën euroaziatike.
Radio Evropa e Lirë: Disa ligjvënës republikanë argumentojnë se Trump duhet ta kritikojë publikisht Kinën për mbështetjen që i jep Iranit prapa skenave. Sa i përhapur është ky qëndrim në Uashington tani?
Ken Moriyasu: Çdo mbështetje që Kina i jep Iranit prapa skenave është taktike. Nuk është çështja themelore.
Çështja themelore është se Kina ka nevojë për regjimin në Teheran për strategjinë e saj kontinentale. Se a zemërohen senatorët për ndihmën prapa skenave është çështje dytësore krahasuar me realitetin shumë më të madh strategjik.
Përgatiti: Ekrem Idrizi