AGIM REXHAJ / “Nderi i Kombit”
President i Nderit i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”
New York, më 9 Mars 2026
“… (në Vatër) me keqardhje konstatoj mungesën e bazës ligjore dhe të demokracisë së brendshme …krijimi i një klimë përjashtuese nga drejtuest e saj ndaj anëtarëve të ndershëm dhe veteranëve të Vatrës…hapja e proceseve gjyqësore me qëllim për t’i heshtur zërat kritikë, përjashtimi i anëtarëve dhe mbyllja e dyerve të Selisë, janë akte të papëgjegjshme që kanë dëmtuar dinjitetin, reputacionin dhe unitetin e Vatrës”.
“…distancohem nga ata që shkelin ligjet e Vatrës, apo nuk ruajnë etikën e komunikimit… qëndroj pranë dhe inkujaroj ata vatranë që mbrojnë parimet, demokracinë e brendshme dhe Kanunoren 100-vjeçare të vitit 1926… Zgjidhja afatgjatë është që problemet të kërkohen në rrënjë dhe jo në sipërfaqe, dhe zgjidhja të fillojë aty ku proceset kanë ngecur (në kuvendin e 2022), gjithmonë në përputhje me rregullat Kanunore të Vatrës…shkelësit e Kanunores së Vatrës duhet të terhiqen dhe t’i lënë rrugë komunikimit dhe zgjidhjes paqësore.”
Federata Vatra, kjo vlerë e madhe kombëtare, me një histori dhe kontribut të jashtëzakonshëm në jetën dhe ekzistencën tonë kombëtare, ka qenë për dekada krenaria e jetës sime. Ajo ka kaluar kohë të ndritura në rrugëtimin e saj 114-vjeçar, por edhe periudha të vështira të mbijetesës përballë sfidave historike me grekë, serbë dhe komunistë.
Ndërsa sot në kohë paqeje dhe stabiliteti kombëtar Vatra duhej të ishte në ditët e saj më të mira, ajo është plaga e jetës time. Vatra aktualisht po përballet me një situatë të ndërlikuar institucionale dhe ligjore, prandaj e shoh si obligim moral dhe qytetar, me fjalën time të ndihmoj
sadopak pozitivisht, duke kontribuar për paqen, dialogun dhe unitetin e saj.
Në jetën time kurrë nuk kam dashur të flas apo të mburrem për kontributet e mia. Për mua, shërbimi ndaj Vatrës ka qenë gjithmonë një detyrim moral dhe një nder. Megjithatë, në rrethanat e krijuara së fundmi, e shoh të nevojshme të bëj këtë sqarim për të mbrojtur të vërtetën dhe për të respektuar punën e shumë brezave veteranë që ka pasur Vatra.
Për më shumë se 41 vite kam qenë anëtar i Vatrës. Gjatë kësaj kohe kam pasur nderin të shërbej për 30 vite si sekretar dhe nënkryetar i saj dhe për 6 vitet e fundit si President Nderi me të drejtë vote, i zgjedhur me votë unanime. Kam kontribuar me përkushtim në punën e Vatrës, por edhe me mbështetje të vazhdueshme dhe të konsiderueshme financiare, këto të dokumentuara. E kam
bërë këtë sepse gjithmonë kam besuar në misionin historik të Vatrës dhe rolin e saj për çështjen kombëtare dhe komunitetin shqiptaro-amerikan.
Përveç angazhimit në Vatër, kam shërbyer si kryetar i degës së Lidhjes Demokratike të Kosovës për degën New York dhe rrethe, si dhe bashkëpunëtor i presidentit hisorik dr. Ibrahim Rugova.
Për 8 vite kam qenë anëtar i Bordit drejtues të Ligës Qytetare shqiptaro amerikane drejtuar nga kongresisti arbëresh Joseph Dioguardi dhe kam mbajtur lidhje të vazhdueshme me institucionet në Kosovë dhe Shqipëri.
Po ashtu kam qenë anëtar për 6 vite i komisionit të Kishës Zoja e Shkodrës për ndërtimin e Katedrales së Shën Terezës në Prishtinë. Në vlerësim të kontributit tim në komunutet dhe në Vatër, jam nderuar nga Presidenti i Shqipërisë, Bujar Nishani me titullin e lartë “Nderi i
Kombit”, se bashku me 12 martirë të Vatrës.
Gjatë gjithë këtyre viteve, kam pasur marrëdhënie të ngrohta me të të gjithë anëtarët e Vatrës. Bashkëpunimi, solidariteti dhe fryma vëllazërore kanë qenë gjithmonë forca që e kanë mbajtur
gjallë organizatën. Kam pasur nderin që të jem autor i 38 pajtimeve në mes shqiptarëve, ndërsa në Vatër kam ndërhyrë që çdo problem të zgjidhet në mënyrë paqësore dhe brenda familjes
vatrane, në përputhje me traditën e saj. Në funksion të kësaj është edhe kjo dalje imja sot.
Megjithatë, me keqardhje konstatoj se në vitet e fundit në Vatër janë evidentuar mungesa të bazës ligjore dhe të demokracisë së brendshme, dhe për pasojë është krijuar një klimë përjashtuese nga drejtuest e saj, jo vetëm ndaj meje, por edhe ndaj shumë anëtarëve të ndershëm dhe veteranëve të Vatrës. Kjo situatë ka lindur si pasojë e qëndrimeve tona kritike për moszbatimin e Kanunores dhe veprimeve që pengojnë unitetin e organizatës.
Nën këtë frymë përjashtuese shumë vatranë, me qëllim për t’i heshtur, janë kaluar në procese gjyqësore, një qasje me të cilën nuk jam pajtuar asnjëherë, pasi kultura e gjyqeve mes anëtarëve
nuk ka qenë kurrë traditë e Vatrës dhe ka dëmtuar dinjitetin, reputacionin dhe unitetin e saj.
Është gjithashtu e dhimbshme të konstatohet se Vatra ka katër vite që nuk organizon mbledhje të lira me anëtarësinë në Selinë e saj, dhe dy vite që ka mbyllur dyert për një pjesë të mirë të anëtarëve të saj. Përjashtimi i anëtarëve dhe mbyllja e dyerve, madje edhe ndaj meje si President Nderi, është një akt i papërgjegjshëm dhe duhet të korrigjohet sa më parë.
Aktivitete me rëndësi në Selinë e Vatrës, si ardhja e presidentes së Kosovës apo personaliteteve të tjera, dhe mbyllja e derës ndaj meje si President Nderi, lë një shije të keqe mosbesimi dhe përçarjeje në familjen e madhe të Vatrës. Jo pa krenari e them se kam qenë një ndër nismëtarët, firmëtarët dhe kontributorët dhe njëkohësisht kryetar i komisionit për blerjen e Selisë së Vatrës.
Shtepia e Vatrës është shtëpia e të gjithë anëtarëve që kanë dhuruar dhe paguar kuota; është shtepia e të gjithë shqiptarëve të ndershëm dhe patriotë.
Sqaroj se nuk do të bëhem pjesë e asnjë grupacioni, por do të vazhdoj të qëndroj pranë dhe inkujaroj ata vatranë që mbrojnë parimet, demokracinë e brendshme dhe Kanunoren 100-vjeçare
të vitit 1926, trashëguar nga korifejtë e Vatrës, Fan Noli dhe Faik Konica.
Mendimi im për njëzgjidhje afatgjatë është që problemet të kërkohen në rrënjë dhe jo në sipërfaqe, dhe zgjidhja të fillojë aty ku proceset kanë ngecur, gjithmonë në përputhje me rregullat Kanunore të Vatrës.
Në këtë kuadër, e shoh të nevojshme që gjyqet të mbyllen sa më parë, në të mirë të anëtarëve dhe të Vatrës. Ata që janë të vetëdijshëm për shkeljet Kanunore dhe strukturore të Vatrës duhet të terhiqen dhe t’i lënë rrugë komunikimit dhe zgjidhjes paqësore, duke rikthyer paqen, respektin për njëri-tjetrin dhe fokusin në rolin historik të Vatrës si avokate e çështjeve delikate në Kosovë, Shqipëri, Mal të Zi, Çamëri, Maqedoninë e Veriut, Luginën e Preshevës dhe në Diasporë.
Po ashtu, dua të bëj të qartë se unë, si President Nderi i Vatrës, do të distancohem nga ata që shkelin ligjet e Vatrës, pengojnë demokracinë e brendshme apo nuk ruajnë etikën e komunikimit, brenda organizatës dhe në publik. Këto qëndrime janë të menduara, të qëndrueshme, të përhershme dhe konform frymës vatrane. Nuk do t’u përgjigjem komenteve apo kritikave të
atyre që nuk janë të interesuar të kuptojnë ose të respektojnë këtë qëndrim.
Në fund, si President Nderi i Vatrës, lëshoj këtë thirrje të fuqishme për paqe, mirëkuptim dhe bashkim pa kushte mes të gjithë anëtarëve të Vatrës. Le të vendosim interesin e Federatës tonë
dhe të çështjes kombëtare mbi çdo interes dhe dallim personal.
Vetëm përmes dialogut dhe respektit mund ta ruajmë dhe forcojmë këtë institucion të rëndësishëm të kombit tonë. Mbaj shpresë të thellë për të ardhmen e Vatrës. Besoj se përmes
dialogut të hapur, respektit të ndërsjellë dhe frymës vëllazërore, Vatra mund të rikthehet në unitetin e saj historik dhe të vazhdojë të jetë një gur themeli i komunitetit shqiptar në Diasporë.
Me respekt të thellë për Vatrën dhe vatranët,
I juaji,
Agim Rexhaj – President i Nderit i Federatës Pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”
Komentet