Nga akuza: “Të paditurit janë të zemëruar dhe të motivuar nga refuzimi i VATRËS për t’u angazhuar në mbështetje të z. Sali Berisha, i cili është shpallur ‘persona non grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara… Lumaj ka bërë deklaratë të rreme se Edi Rama ishte akuzuar për krime të tilla si tradhti dhe korrupsion…”
Institucionet historike maten jo vetëm me jetëgjatësinë e tyre, por edhe me aftësinë për t’u qëndruar besnike parimeve mbi të cilat janë ngritur. Federata Vatra 114 vjeçare, sot mund të ketë seli, kryetar, statut, gazetë, ceremony dhe fotografi, por mund të ketë humbur diçka shumë më të rëndësishme: autoritetin moral. Nëse Vatra ka humbur autoritetin nmoral, ajo mund të vazhdojë të ekzistojë juridikisht, por që fillon të zbrazet shpirtërisht, dhe ky mendoj unë, është problemi më serioz i drejtimit të sotëm të Vatrës.
Fan Noli, Faik Konica dhe brezi i patriotëve që ngritën dhe konsoliduan Vatrën nuk na lanë trashëgim jo vetëm Vatrën, por edhe diçka tjetër të çmueshme: standardin moral, i cili në traditën shqiptare përmblidhet në një fjalë të madhe që quhet BESË.
Besa nuk asht folklor, dekor patriotik apo fotografi me politikanin e radhës. Besa është marrëveshja ndërmjet fjalës së djeshme dhe veprimit të sotëm. Aristoteli e lidhte virtytin me karakterin dhe karakterin me veprimin e përsëritur. Pikërisht për këtë arsye një drejtues nuk gjykohet vetëm nga ajo që deklaron, por nga modeli që krijojnë veprimet e tij të përsëritura, të cilat bëhen mënyrë e të menduarit dhe të drejtimit. Historia e viteve të fundit të Vatrës, mendoj se paraqet pikërisht një model kontravers të tillë.
Pse mendoj unë kështu, do ta shtjelloj më poshtë.
Në vitin 2020, Elmi Berisha sapo u zgjodh pa zgjedhje kryetar i Vatrës, zhvilloi takim me Gramoz Ruçin dhe Taulant Ballën. Pati një revoltë të madhe të vatranëve. Por mua më ra në sy heshtja e Alfons Grishajt, i cili paraqitet vazhdimisht si protagonist i 2 Prillit 1991 dhe antikomunist. Nuk mbaj mend ndonjë reagim proporcional prej tij ndaj takimit të kryetarit të Vatrës me Gramoz Ruçin, figurë rreth së cilës prej dekadash ekzistojnë akuza të rënda publike lidhur me vrasjet e 2 Prillit. Ku shkuan parimet dhe morali e Grishajt, apo ato vlejnë vetëm kur nuk prekin interesin?
Si me dashtë me e la këtë veprim, më pas pamë Elmi Berishën në aktivitete politike të Partisë Demokratike dhe në fotografi me Sali Berishën. Gjithashtu, vatranët kujtojnë emailet ku Alfons Grishaj fliste për miqësinë e tij me Sali Berishën, madje duke e përdorur këtë afërsi si një lloj peshe politike edhe për të kërcënuar me jetë vatranët kundërshtarë të tij në Vatër.
Por fill mbas përcaktimit amerikan “non grata” ndaj Sali Berishës, atmosfera ndryshoi: “Berisha ka mbaruar punë”, thuhej. Miku i tyre i djeshëm u kthye papritur në një barrë politike. Në bisedat që zhvilloja personalisht me Elminë, Alfonsin, kolonel Demirajn apo editorin e Dielit Paja, qëndrimi i tyre kundër Sali Berishës dhe në favor të Lulzim Bashës ishte i dukshëm. Kur i kërkova Alfons Grishajt ndihmë për organizimin e një Foltoreje në Michigan, ai refuzoi.
Pas vendimit të Lulzim Bashës të 9 shtatorit 2021 për përjashtimin e Sali Berishës nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike, linja editoriale e Diellit, sipas vlerësimit tim, u vu dukshëm në shërbim të Bashës.
Ndër shkrimet e mija në mbështetje të Doktorit, mbaj mend që atë periudhë i dërgova redaktorit të Diellit Sokol Paja shkrimin tim: “Dritë-hije shqiptaro-amerikane mbi çështjen Berisha”. Ai jo vetëm që nuk e botoi, por më bllokoi në gazetën Dielli dhe nga të gjitha kanalet e komunikimit. “Sa të jem unë në këtë gazetë, emri i Sali Berishës nuk do te përmendet këtu”, më tha. Dhe si për ironi, por jo koencidencë, të vetmet faqe shqiptare publike që më kanë bllokuar kanë qenë faqja e Edi Ramës dhe menjëherë pas saj, gazeta historike e Vatrës, Dielli.
Në Kuvendin e Vatrës të vitit 2022 paraqita një rezolutë në emër të Vatrës që i kërkonte ambasadores Yuri Kim të mos ndërhynte në proceset e brendshme të Partisë Demokratike dhe në zgjedhjen e drejtuesve të saj, të cilën delegatët e miratuan. Elmi Berisha dhe veçanërisht Alfons Grishaj e kundërshtuan dhe bllokuan publikimin e saj. Këto janë vetëm disa episode, që duhet të mbeten në kujtesën institucionale të Vatrës, sepse tregojnë se debati për Dr. Berishën e PD-në nuk është shpikur sot.
Vazhdojmë…
U bë e bujshme edhe marrëveshja me Edi Ramën e shpallur nga vetë drejtuesit e Vatrës, që e quajtën më vonë memorandum me Parlamentin e Shqipërisë, i cili nuk u nënshkrua kurrë, si pasojë e reagimeve publike të vatranëve.
Në të njëjtën periudhë pati tensione edhe rreth vizitës së deputetit Belind Këlliçi në Vatër. Sipas të dhënave që kam, redaktori i Diellit, Sokol Paja kishte angazhuar rreth 20 huliganë për të prishur takimin e tij. Besoj se mbani mend se si Sokoli i raportonte për këtë vizitë zëdhënësit të Edi Ramës, Mero Naze në gazetën e tij Tema.
Kur Edi Rama vinte në New York, përfaqësues të Vatrës merrnin pjesë në takime të ngushta me të. Në Vatër u pritën edhe përfaqësues të Bashës si Gjekmarkaj dhe deputetë socialistë si Lindita Nikolla etj.
Por kontrasti bëhet moralisht shumë më i rëndë kur kujtojmë se, ndërkohë që politikanëve u hapej dera, vatranëve u mbyllej ajo.
Elmi Berisha ju mbylli dyert dhe la në shi rreth 70 vatranëve kur ata u mblodhen për një mbledhje në Selinë e Vatrës. Si mundej t’i mbyllej dera e Vatrës Agim Rexhës, “Nderi i Kombit”, President Nderi i Vatrës, një njeri me kontribute të rëndësishme financiare dhe funksionale, si dhe njëri nga firmëtarët e blerjes të kësaj e Selie?!
Si mundej ti mbyllej dera e Vatrës Sergio Biticit, një patrioti dhe nacionalisti të njohur, i cili bashkë më vëllezërit e tij e kishin mbajtur Vatrën si “veshka në dhjamë” me financa dhe kujdes të veçantë për dekada e dekada?!
Si mund ti mbyllej dera e Varës Idriz Lamajt, shkrimtar, poet, studiues dhe gazetar i Zërit të Amerikës për 40 vite, librat e të cilit mbushnin bibliotekën brenda selisë së Vatrës?!
Si mund t’ia hapësh derën pushtetarit dhe t’ia mbyllësh vatranit? Çfarë kuptimi ka fjala “Vatër” nëse njerëzit e saj lihen jashtë? Elmi Berisha mund të kontrollojë çelësat e një ndërtese sikurse bëri Lulzim Basha, por nuk mundi kurrë të kontrollojë frymën e Vatrës.
Si mundej që të deklaroheshin të përjashtuar nga Vatra intelektualë, patriotë dhe vatranë të ndershëm dhe pinjollë të familjeve të persekutuara si Nazo Veliu, Ramiz Mujaj Mark Mërnaçaj, Ervin Dine, Agustin Mirakaj apo Valentin Lumaj?! Cili ishte motivacioni i vërtetë? Të vetmin motivacion të saktë, e gjej në faqet pafund të gjykatave të larta amerikane ku paditeshim për akuza të rreme ndaj Edi Ramës dhe se kishim mbështetur non-gratën Sali Berisha.
Në një padi të Elmi Berishës kundër një grupi vatranësh shkruhej:
“Të paditurit janë të zemëruar dhe të motivuar nga refuzimi i VATRËS për t’u angazhuar në deklarime dhe veprime politike në mbështetje të z. Sali Berisha, ish-udhëheqësit të Shqipërisë, i cili është shpallur ‘persona non grata’ nga qeveria e Shteteve të Bashkuara.”
Lexojeni prapë. Kjo nuk është bisedë private apo status Facebook-u. Është akuzë e përdorur në një proces gjyqësor kundër vatranëve.
Në një proces tjetër kundër meje dhe Agustin Mirakaj, drejtuesit e Vatrës shpreheshin tekstualisht: “… Lumaj ka bërë deklaratë të rreme se Edi Rama ishte akuzuar për krime të tilla si tradhti dhe korrupsion…”
Paradoks ishte i qartë, kur kritikonim Edi Ramën, kjo përdorej kundër nesh. Mandej shpreheshin se mbështesnim Sali Berishën, për ta përdorur edhe këtë kundër nesh. Atëherë unë kam të drejtë të pyes: kë po mbronte politikisht ky drejtim i Vatrës dhe kujt i shërbente ky standard i dyfishtë? Nga sa shkrova më sipër, unë kam krijuar bindjen time se këto qëndrime, në praktikë kanë favorizuar politikën e Edi Ramës dhe George Soros dhe qarqeve politike kundërshtare të Sali Berishës.
Vazhdojme…
Një javë pasi Sali Berisha rikonsolidoi pozicionin e tij në Partinë Demokratike dhe u rizgjodh kryetar, Alfons Grishaj fluturoi në Tiranë dhe “vodhi” përsëri një fotografi me të. Po ashtu Gazeta Dielli e ndryshoi përsëri narrativën e saj duke publikuar aty-këtu aktivitetin e doktorit.
Por të dashur vatranë, kur ishin te sinqertë Elmi Berisha, Alfons Grishaj, kolonel Demiraj dhe Sokol Paja, kur takonin Gamoz Ruçin dhe Taulant Ballën, kur refuzonin Foltoren, kur mbështesnin Bashën, kur distancoheshin nga Berisha, apo pasi Berisha rimori PD-në, shkonin në Tiranë për fotografinë me të?
Kur parimi ndryshon sa herë ndryshon raporti i forcave, nuk kemi më parim. Immanuel Kant ndërtoi një pjesë të madhe të filozofisë së tij morale mbi idenë se parimi nuk mund të jetë moral vetëm kur na leverdis. Nëse standardi ndryshon sipas interesit, atëherë ai nuk është më standard moral. Pra dukshëm drejtuesit e Vatrës përveçse jo legjitimë, mendoj se kanë një problem të madh moral që quhet OPORTUNIZËM. Ne shqiptarët e kemi një thënje të bukur: “Nuk ndërrohet Besa sa herë ndërron moti”.
Unë e kam mbështetur Sali Berishën për më shumë se 35 vjet. E kam mbështetur më pak kur ishte në pushtet dhe i fortë dhe më shumë kur ishte në opozitë dhe nën sulm. E kam mbështetur përpara “non gratës”, gjatë saj dhe vazhdova ta mbështes edhe atëherë kur shumë prej atyre që dikur krenoheshin me miqësinë e tij filluan të distancoheshin.
Po ashtu kam thënë kritikat e mija kur kam menduar se ka gabuar. Sepse besnikëria nuk është servilizëm. Sali Berisha nuk ka qenë politikan perfekt apo i pagabueshëm. T’i thuash mikut se po gabon nuk është tradhti, por shpesh është forma më e ndershme e miqësisë.
Por unë nuk e kam braktisur Berishën për t’u rreshtuar me kundërshtarët e tij politikë sa herë që era politike ka fryrë kundër tij. Kjo është koherencë, karakter dhe në kuptimin tim shqiptar të fjalës, kjo është BESË. Besa do të thotë të mos tradhtosh bindjen për interes.
Mbase mund të kem gabuar në këtë mbështetje. Këtë e gjykon publiku dhe koha. Por historinë time nuk kam nevojë ta rishkruaj. Nuk kam qenë me Berishën kur më leverdiste, kundër tij kur ishte “non grata” dhe përsëri me të kur rrethanat ndryshuan.
Vazhdojmë…
Pas Kuvendit të monitoruar të Vatrës dhe procesit gjyqësor, Alfons Grishaj publikoi shkrimin denigrues “Egomaniaku”, drejtuar kundër vatranëve dhe veçanërisht kundër meje. Shkrimi u publikua në gazetën Rilindja Demokratike të Partinë Demokratike, por disa orë më vonë u hoq. Sipas përshtypjes që kam, drejtuesit e Vatrës duket se kanë besuar se heqja e tij mund të ketë ardhur me ndërhyrje nga Sali Berisha ose njerëz pranë tij.
Por për mua ekziston një shpjegim tjetër i mundshëm: heqja mund të ketë ardhur për shkak të ndërhyrjes apo autoritetit të Monitorit të caktuar në çështjen e Vatrës.
E them këtë sepse sjellja e Vatrës që pasoi është interesante. Dr. Berisha ka marrë ftesë nga IDU për konferencën e Partisë Republikane Amerikane, Ai ka deklaruar se do të vijë në Amerikë, ka shpallur takime me shqiptarë në New Jersey dhe në Dallas. Por pse hesht Vatra dhe Gazeta Dielli? Asnjë entuziazëm. A nuk është ardhja në Amerikë e kryetarit të opozitës shqiptare një lajm me interes për komunitetin shqiptaro-amerikan? Asnjë nga retorika e dikurshme e miqësisë. Asnjë nga fotografitë që dikur përdoreshin si dëshmi afërsie. Pse?
Pas viteve kur përcaktimi amerikan ndaj Dr. Berishës u përdor edhe në argumentet gjyqësore kundër vatranëve dhe tani që ai ndodhet sot në New York, në qytetin ku ndodhet Selia e Vatrës, do të jetë shumë interesante të shohim se çfarë do të ndodhë.
A do ta raportojë Dielli vizitën? A do të vizitojë Dr. Berisha Vatrën? A do ta ftojë Vatra? A do të shkojnë drejtuesit e Vatrës ta takojnë? A do të dalë përsëri fotografia e miqësisë?
Nëse po, atëherë unë pyes: kur përdornit “non gratën” e tij në dokumentet gjyqësore kundër vatranëve, cili ishte parimi juaj? Sepse BESA PROVOHET KUR KA KOSTO. Njeriu me besë nuk e braktis mikun kur ai bie dhe nuk vrapon ta përqafojë kur ai ngrihet përsëri.
Filozofia morale na mëson se karakteri provohet pikërisht atëherë kur parimi ka një çmim. Kur parimi dhe interesi përputhen, të gjithë mund të duken parimorë. Prova vjen kur duhet të zgjedhësh ndërmjet tyre. Nëse zgjedh interesin quhesh i pabesë.
Dhe këtu qëndron akuza ime kryesore ndaj drejtimit të sotëm të Vatrës. Jo se kanë takuar një socialist, jo se kanë bërë fotografi me një democrat, jo se kanë pasur mendim ndryshe nga unë. Problemi është modeli: me Ruçin kur ju duhet, me Ballën kur ju duhet, me Ramën kur ju duhet, me Bashën kur ju duhet, me Berishën kur ju duhet, kundër Berishës kur nuk ju duhet, dhe ndoshta përsëri pranë Berishës tash që ai ja mbërriti në Amerikë.
Ky nuk është standart moral por pluralizëm moral për interes apo oportunizëm.
Unë nuk kërkoj një Vatër të Sali Berishës, nuk dua një Vatër të Edi Ramës, nuk dua as një Vatër të Valentin Lumajt. Dua Vatrën e vatranëve, një Vatër që i thotë të vërtetën Ramës kur Rama gabon dhe Berishës kur Berisha gabon. Një Vatër që nuk e përcakton moralin e saj sipas asaj se kush qeveris Tiranën. një Vatër që nuk ia hap derën pushtetarit dhe ia mbyll vatranit. Një Vatër ku Dielli është tribunë e mendimit të lirë dhe jo instrument i drejtuesve. Një Vatër ku mendimi ndryshe nuk censurohet, përjashtohet apo trajtohet si armik vetëm sepse kërkon transparencë dhe llogari. Sepse institucioni që nuk duron kritikën nuk është i forte, por është i dobët dhe i pasigurt. Drejtuesi që kërkon vetëm bindje nuk kërkon bashkëpunëtorë por kërkon oborrtarë.
Në fund të fundit, memoria e një institucioni historik si Vatra është shumë më e gjatë se mandati i një kryetari. Vatra ka mbijetuar mbi një shekull jo sepse drejtuesit e saj kanë ditur gjithmonë pranë cilit pushtetar duhet të qëndronin, por sepse kanë ditur për çfarë duhet të qëndronin.
Ky është ndryshimi ndërmjet interesit dhe idealit, ndërmjet oportunizmit dhe karakterit, ndërmjet besës dhe besëpremjes. Mund të kesh pozitë por nuk ke autoritet, mund të kesh pushtet por nuk ke respekt, mund të kontrollosh Selinë por jo frymën e Vatrës, mund të kontrollosh Diellin por nuk mund të kontrollosh të vërtetën dhe besimin e vatranëve. Prandaj mendoj se drejtuesit e Vatrës jo vetëm kanë humbur besimin e vatranëve por kanë, humbur autoritetin moral për të folur në emër të institucionit.
Sepse mbi çdo post, mbi çdo fotografi, mbi çdo miqësi politike dhe mbi çdo interes të momentit ekziston një gjykatës që nuk blihet dot, nuk frikësohet dhe nuk manipulohet, që është koha. Dhe koha nuk do të pyesë me kë bëre fotografi, por do të pyesë: ku qëndrove kur qëndrimi kishte një çmim? Mbi këtë bazohet karakteri dhe prova e moralit. Dhe, mbi të gjitha, karakteri dhe morali janë prova e BESËS, në këtë rast edhe Besa ndaj Sali Berishës.
Ju falenderoj per vëmendjen, Valentin Lumaj
Shenim: Shkrimi ështe ne rrafshin politik dhe jo personal.