VOAL

VOAL

Please Wait ...
0%

Pse nuk solidarizohet politika shqiptare me vendimin e Gjykatēs Federale të Zvicrës për dënimin e kriminelit Jeton Lleshi? – Nga Elida Buçpapaj

By | October 13, 2017
5 Comments
  • author avatar
    Anonymous 4 years ago Reply

    Oj zonjë boll na rrejte
    Edhe ni her po të them
    Facebook ish i deaktivizuar ne kohen kur zwicra filloj te shkruaj per ket rast me që edhe per Mediat zvicrane ish Enver Robelli publicist.
    Kështu që i njejti sikur ju.
    I vetmi person që e dinte emrin e Jeton Lleshit ishit ju burr e grua dhe Mazrekaj.
    Kështu që vet ju publikuat.
    Mbi te gjitha ata foto jan prej tash dhe jo 2002.
    The populli i don Luftetaret e jo tradhtaret.
    Dhe nëse kish dash tju vras u kishte vrar po nuk ishte aj qellim.
    Boll mo se sta var kerkush

    • author avatar
      Elida Buçpapaj 4 years ago Reply

      Ne jemi njohur me emrin e Jeton Lleshit ne fillim te muajit qershor. Nuk kemi disponuar asnje fakt kunder tij. Fotot jane hulumtuar nga drejtesia zvicerane. Por pas qershorit kur ne morem vesh emrin, ne mund te hulumtonim, por siç thoni dhe vete profili i Jeton Lleshit ishte i deaktivizuar por fotot ishin publikuar nderjohe ne mediat zvicerane. Ne kemi bere ribotim te teksteve nga mediat zvicersne. Nese do t’i kishim te dhenat ne, do t’i botonim ne te paret sepse ai deshi me na hedh ne ere dhe e zbuloi vete Zoti pas 15 vitesh.

  • author avatar
    HOOK 4 years ago Reply

    Politika shqiptare si ajo majtas , apo djathtas jane zhytur ne llumin e krimit dhe korrupsionit deri siper syve! Rama ka vite qe eshte bashkuar me kriminelat, sot e kane fute ne thes !Ndersa Basha ka marre nga Rama 11.4 miljon euro per familjen e tije! Ky Basha del e jep lajme çdo dite per krimin,pa marre asnje aksion politik kunder qeverise se droges dhe kriminelave.Do te deshironte ta rrezonte qeverin per te bere korrupsionin e rradhes; por Opozita eshte e pavlere , e pa besueshme nuk i shkon njeri pas, eshte e shitur dhe eshte e futur deri ne fyt me korrupsionin , prandaj vetem se shahet sa per sy e faqe me Edi Ramen . Pra vazhdon teatri ne politikè! **Medjat jane te kapura nga llumi i pushtetit; disa pronar medjash jane trafikant drogash te lidhur direkt me Ilir Meten! Keto jane arsyet pse politika dhe medjat e Tiranes nuk solidarizohet me denimin e kriminelit ne Zvicer , sepse jane ata vet ne kete pozicion te jashtligjshem! Zonja Buçpapaj duhet ta dini se ne luften Tuaj per drejtesi dhe lirin e fjales keni mbeshtetjen e pjeses dermuese te shqiptareve! Lajmi i mire eshte se klasa politike e korruptuar ne Tirane i ka ditet e numeruara!

Komentet

Leave a Reply to HOOK Cancel reply

“HISTORIA E ANGLISË” E ANDRÉ MAUROIS SHQIPËRUAR NGA VIKTOR KUJXHIJA – Nga ROMEO GURAKUQI

Në gjysmën e shekullit të XX në libraritë e Shqipërisë komuniste mungonte në shqip një histori e plotë e Anglisë nga prehistoria deri në ditët tona. Më së shumti studentët dhe lexuesit shqiptarë janë njohur me historinë e Mbretërisë së Bashkuar, përmes cikleve të leksioneve të veçanta në lëndët e përgjithshme, që zhvillohen ndër fakultetet e historisë, në lendët e Historisë së Institucioneve, të Gjeografisë politike të shteteve, etj. Mirëpo, asnjë prej këtyre strukturave të pjesshme të dhënies së dijeve universitare nuk mund të ndihmonte sa duhej studentët shqiptarë për të kuptuar në tërësi historinë e këtij vendi të rëndësishëm, për të njohur kulturën angleze, brendinë e popullit me ide dhe gjykime, që ndryshonin nga ato të popujve të tjerë të kontinentit. Mirëpo bëhet fjalë për një komb që ka luajtur dhe luan edhe sot e kësaj dite, një rol shumë të spikatur, vendimtar në historinë politike, institucionale, kulturore europiane dhe botërore.
Mungesa e një teksti të tillë të veçantë në fakt nuk do të thoshte se shqiptarët e mençur dhe të urtë, nuk punonin për ta realizuar një korpus të tillë që i nevojitej një ditë brezit të ri të çliruar nga izolimi i imponuar. Mirëpo, në ditët e territ diktatorial, askujt nuk i shkonte ndërmend, se kjo sipërmarrje po ndodhte ndërkohë. Dikund ndër cepat më të humbur të vendit, njerëz të qartë, largpamës, me vullnet të hekurt, me guxim dhe papërkulshmëri, punonin natën, nën dritën e kandilit të qelisë së vuajtjes së një dënimi të padrejtë, për t’ia ndriçuar një ditë mendjen bashkëqytetarëve të tyre. Ishin të pathyeshmit e Desidencës, që në përvuejtëninë e tyre, po linin gjurmën e ekzistencës, sherbesës shembullore ndaj vendit, brezit të ri dhe pavdekshmërisë së thalbit të nacionit arbnor.
Vepra «Historia e Anglisë» e shkrimtarit dhe historianit të mirënjohur francez të shekullit XX André Maurois, i sillet tanimë e plotë lexuesit shqiptar, me përkthimin nga origjinali në frëngjisht të Viktor Kujxhisë, më shumë se 50 vite pas realizimit të kësaj pune voluminoze dhe 25 vite mbas botimit të pjesës së Historisë Moderne të saj prej Pjetër Arbnorit (André Maurois, Histori e Anglisë, Përktheu nga origjinali Pjetër Arbnori, Çabej, Tiranë, 1996). Të dy përkthyesit e Maurois-ë janë përfaqësues të një kulture shqiptare, asaj katolike shkodrane, të një brezi dhe të të njëjtit fat politik, duke qenë se të dy kanë qenë pjesë e vetëdijshme e rinisë desidente, të burgosur të mirëfilltë politikë dhe e kanë realizuar këtë punë në kohë të ndryshme gjatë viteve të vuajtjes së dënimit në Burgun e Burrelit. Nuk mund ta themi me saktësi kohën kur është bërë përkthimi që sot po e botojmë, por sipas dëshmive të familjarëve, Vitor Kujxhija e ka shqipëruar librin në Burrel mes viteve 1970-1974, d.m.th. në katër vitet e fundit të vuajtjes së dënimit.
Vitor Kujxhija, ditën e daljes nga burgu (1974) e ka gjykue si një rast të pamundur për nxjerrjen fshehtazi të dorëshkrimit, prandaj ia ka lënë atë në mirëbesim shokut të tij të afërt të vuajtjeve, Dul (Abdullah) Sallakut, nga Tirana. Vetëm kur Sallaku ka dalë për vete nga burgu në vitet e shkërmoqjes së regjimit, 1989-1990, kur situata e kontrolleve ishte lehtësuar dhe vigjilenca e gardianëve nuk ishte e një kohe të mëparshme, ia ka arritur ta marrë brenda rrobave të tij edhe dorëshkrimin e shokut të tij të vuajtjeve, i cili nuk jetonte më. Dhe si në besën e shqiptarit të një kohe, pak mbasi ka dalë në lirinë e një Shqipërie që po zgjohej papritmas nga agonia diktatoriale, zotni Abdullah Sallaku vizitoi shtëpinë e familjes Kujxhija në Shkodër në lagjen Giuhadol dhe ia dorëzoi dorëshkrimin e lënë amanet nga shoku i tij i qelisë, të cilin e kishte ruajtur fshehtazi me mjaft përkujdesje për 15 vite me radhë. Vitor Kujxhija kishte ndërrue jetë me 8 tetor 1988, pa arritë me e pa lirinë e shokëve të tij të përsekutimit gjysëm-shekullor të Shqipërisë në tërësi, sikurse me siguri nuk ka ditë asgja për fatin e matejshëm të dorëshkrimit, punës së tij të mundimshme, veprës që ai donte me ia lanë si kujtim brezave. Mirëpo solidariteti i njerëzor në ditët të vuajtjeve të papërshkrueshme, forca e rezistencës e njerëzve me ideale dhe formim solid qytetar e intelektual, kodi i besës dhe fjalës së dhënë, edhe në atë epokë të përmbytjes së Shqipërisë së vlerave tradicionale, bëri që pinjollët e familjeve që krijuan dhe mbajtën kombin gjallë, ta shpëtojnë dhe përcjellin këtë mesazh të shpresës dhe mbijetesës, nepër errësirë drejt dritës së lirisë.
Si edhe mijëra shqiptarë të tjerë, brenda burgut të madh të Shqipërisë dhe bashkëqytetarëve të lagjeve të desidencës kolektive të asaj Shkodre, që nuk iu përkul regjimit, Vitor Kujxhija përjetoi që në rininë e tij të hershme privimin e lirisë (Dënimi i parë në vitin 1946 deri në vitin 1949, si pjesëmarrës në organizatën rinore antikomuniste. Dënimi i dytë, 1957-1974, për tentativë arratisje së bashku me vëllain e tij Injacin). Ai ishte përfaqësues i Brezit të Rezistencës së Vetëdijshme dhe Vuajtjeve të Papërshkrueshme të Shkodrës, brez që gjithsesi nuk humbi pa lënë shenjën e vetëdijshmërisë, kapacitetit të lartë politik, arsimor dhe kulturor, pasues i denjë i brezit të etërve luftëtarë me penë dhe aksion për indipendencën, që nga okupacioni osman. Dhe shenja e ekzistencës, e mbijetesës, e trashëgimit të nivelit të lartë arsimor dhe kulturor të prindërve të tij, mesazhit të opozicionit dhe pathyeshmërisë, ështe vepra që kemi para, përkthimi i Historisë së Anglisë së Maurois-ë.
Vjen para nesh mbasi qendroi edhe 31 vite të tjera në arkivin e familjes, për të na kujtuar të gjithëve, se Shkodra e urtësisë dhe e dijes, e brezit të rinisë së edukuar nga etërit e mëdhenj të dy shkollave më të rëndësishme të formimit të vetëdjës kombëtare, aty pranë shtëpisë së familjes Kujxhija në Shkodër, mbijetoi edhe në ditët më të errëta të pushtimit komunist të Shqipërisë. Vjen si mesazh dhe si model i përkryer i përcjelljes së historisë institucionale të demokracisë më të vjetër të botës, për shqiptarët e sodit, studentët shqiptarë të historisë, jurisprudencës, shkencave politike, për klasën e mësimit të politikës, dhe brezin e njerëzve që mendojnë drejtë në shoqërinë bashkëkohore. D.m.th. vjen sot në ditën me të nevojshme për refleksion, si një model krahasues, që ndihmon për të kuptuar se çfarë kemi bërë mbrapsht edhe në këto tre dekada të rrumujës së kultivueme nga diletantët dhe matrapazët, që vrapuan të kapin dirigjencën e një vendit ë ndërlikuar në mënyrë të shumëfishtë.
Për disa muaj me radhë jemi marrë me përgatitjen e plotë për shtyp të Historisë së Anglisë, të bazuar mbi dorëshkrimin origjinal, të këtij përkthimi të rëndësishëm jetësor të Vitor Kujxhisë. Dy fletore të shkruara me shkrim dore të ngjeshur, por të qartë, me një kaligrafi të përsosur, provë e një shkollimi nga dita e parë e nxënies në vendin e duhur, ishin burimet mbi të cilat u punua për të realizuar këtë botim. Vitor Kujxhija vertetë nuk jeton më, por u ka lënë bashkëkombasve të vet një punë dinjitoze, të saktë, të realizuar në gegënishte letrare, me një korrektesë dhe kulturë historike, juridike dhe antropologjike të mahnitshme, që mund ta prodhonin vetëm nxënësit e shkollave elitare të Kryeqendrës së Veriut.
«Historia e Anglisë» e mbulon të gjithë historinë e ishujve, nga koha e keltëve deri në fillimet e epokës bashkëkohore. Është një vepër e shkruar me një stil mjaft të rrjedhshëm, ku faktet, kuriozitetet kuptimplote të gjetura me mjaft kujdes, interpretimi historik, gjuha e përdorur dhe posaçërisht përkthimi në gjuhën tonë, në një shkodranishte të letrarizueme dhe të përshtatun mirë për lexuesin e sotëm, të japin një kënaqësi të veçantë në lexim dhe në kuptim.
Përmes këtij botimi, lexuesi ynë mund të kuptojë rrugën e ndërlikuar dhe të shtresëzuar të formimit të një nacioni të madh, nga Britania prehistorike, në atë romake, anglo-saksone, normane ; do të njohë jetën politike dhe udhëheqësinë mbretërore me të gjitha veçantitë, në mënyrë të sintetizuar, ndër shtëpitë e ndryshme, që sunduan gjatë mesjetës dhe kohëve moderne (Plantagjenetëve, Jorkëve, Lankastërve, Tudorëve, Stjuartëve, Hanoverit dhe Windsor.); do të kuptojë mbijetesën e popullatave më të vjetra të ishujve britanikë dhe do të japë përgjigjet mbi konstruktet e sotme kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar; do njihet me shkrirjen kulturore dhe antropologjike të vendasve me pushtuesit, që nga kontinenti invaduan nga mesjeta e hershme ishujt.
Duhet të kujtojmë se normanët invadues (1066) dhe pasardhesit e tyre formuan një popullsi të dallueshme në Angli. Ishte pushtimi i një populli, gjuha dhe institucionet e të cilit qenë të ndryshme nga vendasit anglo-saksonë. Roli i William Pushtuesit në historinë e këtij vendi është i konsiderueshem, mbasi Ai përfundoi Epoken Anglo-Saksone, duke shkrirë kulturën normane brenda Anglisë, që më pas gradualisht krijoi kulturën mesjetare dhe moderne angleze; Ai ndryshoi tërësisht rolin e Anglisë në Mesjetë, ripërpunoi të drejtën angleze; ndryshoi gjuhen kombetare; themeloi feudalizmin, etj.
Përveç rrugës së formimit të Anglisë mesjetare dhe moderne, lexuesi do njihet me Uellsin dhe popullin e tij, Skocinë, Irlandën dhe problematikat gjegjëse të bashkëjetesave të tyre me anglezët. Gjatë leximit të kësaj historie konçize, shkruar me një elegance, rrjedhshmëri, lexuesi kalon në mënyrë të përmbledhur nepër të gjithë historinë e ishujve britanikë, kupton mbivendosjet kulturore që historitë e invadimit të Anglisë, posaçërisht të pjesës jugore, që kanë ndikuar në formësimin e dallimeve të brendshme etnike dhe nacionale në një hapësirë të tillë, mes anglezeve, uellsianëve, skocezëve dhe irlandezëve.
Një rol të posaçëm në forcimin dhe konsolidimin e Monarkisë Angleze ka luajtur Dinastia uellsiane e Tudoreve, e cila ka sunduar me anën e pesë monarkeve, Angline dhe Irlanden, nga viti 1485 deri me 1603.  Tre prej këtyre mbretërve Tudorë, Henry VII, Henry VIII dhe Elizabeth I, e kanë transformuar Anglinë nga një shtet të dobët europian, në një shtet të fuqishëm, që në shekujt e ardhshëm do të mbizotëronte boten. Po ashtu, gjatë periudhës së Tudorëve, u krijua Kisha e Anglisë dhe u hartua kuadri ligjor, që përcaktoi bazat afatgjata të ekzistencës së saj dhe raportet mjaft të brishta me katolicizmin, presbiterianizmin dhe desidentët e tjerë.
Në të gjithë librin, lexuesi shqiptar do të njihet me lindjen, zhvillimin dhe natyrën e posaçme të të drejtës angleze; do të kuptojë pse në këtë të drejtë në fillesë munguan kodet të dokumentuara, pse ishin të rëndësishme vendimet gjyqësore të Gjykatave të Common Law në zgjidhjen e çështjeve; pse në këtë sistem, mungonin përgjithësisht parimet e të drejtës romake dhe pse ky vend shquhet në historinë e vet për një pavarësi të pastër dhe të përkryer të sistemit gjyqësor.
Anglia është vendi i parë që zhvilloi një sistem të së drejtës kushtetuese dhe të kufizimi të pushtetit monarkik. Magna Charta Libertatum (1215), përbën rastin e parë të kufizimeve juridike, që iu vendosen monarkisë në përiudhën e mesjetës së mesme. Kuptimi i këtij dokumenti ishte se pushteti politik duhet të veprojë në respektim të ligjit dhe se ligji mbron qytetarët në qenien e tyre si persona dhe pasuritë e tyre; u afirmua teza themelore e Common Law, nepërmjet së cilës përcaktohet se asnjë njeri nuk është jashtë dhe mbi ligjin, sado i lartë të jetë ai; asnjë person i lirë nuk mund të ndëshkohej (me arrestim, humbje të pasurive, internim e kështu me radhë), pa një gjykim, sipas të drejtës, prej anëtarëve të një gjykatë që janë të një rangu me atë, ose sipas ligjit të vendit. Me Magna Carta u afirmua po ashtu parimi i përfaqesimit, fillimisht në Magnum Concilium e pastaj në Parlamentin Anglez, i cili nga viti 1295 u bë një institucion i përhershëm, i strukturuar në dy dhoma.
Lidhur me këtë, lexuesi po ashtu do të njihet me evolucionin nepër rrjedhen e historisë politike të shekullit XVII të Habeas Corpus Act, mbi bazën e të cilit u përcaktua, se askush nuk mund të arrestohej arbitrarisht, askujt nuk mund t’i privohej liria, pa një vendim të një gjykatësi bazuar mbi prova, në një proces gjyqësor të drejtë. Vendimtar në zhvillimin e një historie politike paqësore, të një transformimi gradual demokratik, parlamentar dhe në kultivimin e kulturës së tolerancës dhe dialogut të qytetëruar në këtë vend ka luajtur i ashtuquajturi „Revolucioni i Lavdishëm“ i vitit 1688, me të cilin u hap rruga e transformimit të Monarkisë Kushtetuese në një Monarki Parlamentare. Lexuesi do të njihet me evolucionin e insitucioneve të qeverisjes me ardhjen e Dinasistë së Hanoverit 1714, krijimin e institucionit të Kabinetit Ministror, të Kryeministrit, të institutit të përgjegjësisë parlamentare, do të kuptojë çfarë janë konventat e kufizimit të pushtetit të Monarkut dhe të Dhomës së Lordëve. Në shekullin XVIII Anglia shfaqet si e para monarki liberale, me një monark të kontrolluar nga Parlamenti, që detyrohej të respektonte normat në mbrojtje të individit qytetar. Pushteti i Parlamentit pas kësaj kohë vijoi të rritej dhe të kufizonte gjithnjë e më shumë pushtetin mbreteror. Parlamentit iu njoh e drejta për të aprovuar buxhetin, caktimin e numrit të forcave nën armë, e drejta ekskluzive për të nxjerrë ligje dhe të vendoste edhe mbi çështjet e trashëgimisë së fronit.
Në fund nuk mund të lë pa përmendur një figurë të madhe të historisë së këtij vendi: më 1837 në fron u  ngjit Viktoria. Megjithëse një vajzë e re, vetëm 18 vjeçare në kohën e ardhjes në fron, me pak njohuri mbi jetën e oborrit, monarkja e re kishte energji, vendosmëri e inteligjencë dhe këto cilësi i dhanë asaj mundësinë ta shihte politikën si një art që duhej mësuar sikurse çdo gjë tjetër. Mbretërimi i saj (1837-1901) do të jetë më i gjati në historinë angleze dhe nga pikpamja e prosperitetit material, fuqisë politike, përparimit shkencor dhe arritjeve kulturore, më i pasuri. „Historia e Anglisë“ vjen e përmbyllet nga autori në rrjedhën e dekadave të para të shekullit XX.
Libri është sjellë në gjuhën shqipe me një saktësi në pikëpamje të njohjes historike, juridike dhe kulturore, duke pasë parasysh se për realizmin e projektit me sukses, siç mund të kuptohet nga parashtresa, nuk mjafton njohja e gjuhëve, por është e domosdoshme njohje shumë e mirë e historisë, e të drejtës në përgjithësi dhe të drejtës kushtetuese britanike në veçanti, etnologjisë, gjeografisë politike e kulturore, etj. Në këtë këndvështrim vepra në gjuhën shqipe vjen shkencërisht korrekt, me shpjegime të nevojshme, që nuk e lënë në asnjë moment lexuesin të pasqaruar.
Autori i «Historisë së Anglisë», André Maurois (është pseudonomi i Émile Herzog, (1885- 1967), i cili po ashtu ka shkruar edhe një «Histori të Francës» ishte biograf, romancier, eseist dhe provoi me sukses të shkruante edhe historinë në një menyrë të shkëlqyer dhe mjaft tërheqëse për lexuesit. Maurois, i cili gjatë Luftës së Parë Botërore ka qenë edhe oficer i ndërlidhjes në Ushtrinë Mbretërore Britanike, tregoi një interes të posaçëm në njohjen e botës anglisht-folëse. Më pas ky interes i tij u shndërrua në një fokus kërkimi dhe studimi, që u kurorëzua në dy librat e tij, Historia e Anglisë (Histoire de l’Angleterre (1937), dhe Historia e Shteteve të Bashkuara ( Histoire des États-Unis (1943) që e bënë atë mjaft popullor. Në vitin 1938 Maurois u zgjodh anëtar i Akademisë Franceze. Ndër biografitë e shumta të Maurois, mjaft të vlerësuara për prozën e tyre të qartë dhe të këndshme, analizat e tyre thella, janë veprat mbi Percy Bysshe Shelley (1923), Lord Byron (1930), Victor Hugo (1954), George Sand (Lélia, 1952), dhe Honoré de Balzac (1965). Por biografia më e mirë e  konsideruar nga kritika, është ajo kushtuar Marcel Proust (1949).
Historia e Anglisë që i vjen sot lexuesit shqiptar, i shërben kujtdo që dëshiron të njohë historinë e një kombi të madh dhe don t’u jap përgjigje një numri pyetjesh që i lindin vetvetiu gjatë leximit të përgjithshëm, ose procesit të mendimit mbi rolin e Mbretërisë së Bashkuar në historinë e djeshme dhe të sotme të botës. U shërben para së gjitha studentëve të historisë, të antropologjisë kulturore, jurisprudencës, shkencave politike dhe marrëdhënieve ndërkombëtare.
Libri është një lëndë më vete formimi për çdo njeri që don të kuptojë dhe shpjegojë politikën, kushtetutën, parlamentarizmin, demokracinë dhe mënyrën, çelësin se si një komb do të duhet të ketë sukses në përparimin e tij në histori.
Tiranë, me 16.10.2021

AMBASADORI WILLIAM WALKER: PUNONI PËR KAUZËN QË BASHKON TË GJITHË SHQIPTARËT Nga Frank Shkreli

Javën që kaloi pata nderin të merrja pjesë si i ftuar në aktivitetin e “Akademisë përkujtimore në 66 Vjetorin e Ditëlindjes së Komandantit Legjendar, Heroit të Kombit, Adem Jashari dhe 109 Vjetorin e Pavaresisë së Shqipërisë.” Ky aktivitet u organizua nga Shoqata Shqiparo- Amerikane “Skenderbej” Inc., dhe Shkolla Shqipe “Alba Life”, të dyja me qëndër në Nju Jork, si dhe në Online. I ftuar i posaçëm në këtë tubim ishte edhe ish-Ambasadori i Shteteve të Bashkuara, William Walker — ish-shefi i Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë, i cili erdhi enkas nga Washingtoni për të marrë pjesë në këtë aktivitet dhe për të përshëndetur, me këtë rast, komunitetin shqiptaro-amerikan në sallën “Illyria” të siguruar nga politikani shqiptaro-amerikan, Mark Gjonaj, pikërisht për aktivitete të tilla dhe të tjera, në lagjën Bronx, New York.

Ambasadori Walker, si mik amerikan i dalluar i Kombit shqiptar, vazhdimisht dhe shpesh merr pjesë në organizime të ndryshme të komunitetit tonë këtu në Shtetet e Bashkuara , ndërsa ndjekë me kujdes edhe ngjarjet politike në Kosovë, Shqipëri dhe anë e mbanë trojeve shqiptare në Ballkanin Përendimor. Thonë se miku i mirë dallohet në ditë të vështirë. Për shqiptarët e Kosovës, nuk kishte më mik të mirë atë ditë të vështirë të Janarit, 1999, se Ambasadorin William Walker i vendosur në atë kohë në Prishtinë, në krye të Misionit verifikues të OSBE-së në Kosovë. Zot ruajna të kishte qenë ndonjë tjetër shef i këtij misioni, nga ndonjë vend tjetër anëtar i OSBE-së në atë detyrë kritike për atë kohë në Kosovë – si shef i Misionit Verifikues të OSBE-së. Por ishte amerikani William Walker, të cilit nuk i trembej syri as nuk kishte frikë nga kriminelët e Millosheviçit. Me të dëgjuar se diçka e tmershme kishte ndodhur në Reçak, me 22 Janar 1999 – në një ditë e ftohtë e dimrit në Kosovë — ai niset nga Prishtina për të parë dhe për të qenë vet dëshmitar i asaj masakre në Reçak. Me të këthyer në Prishtinë, Ambasadori Walker i njoftoi botës të vërtetën mbi masakrën e Reçakut dhe për krimet që po bënte regjimi kriminal i Serbisë kundër shqiptarëve të Kosovës. Ishte ky një alarm i Z. Walker që më në fund bindi edhe ata skeptikë ndërkombëtarë të cilët minimizonin krimet e terroriste serbe në Kosovë, se çfarë po ndodhte, vërtetë, në atë vend. Ambasadori Walker vazhdoi të shërbente si dëshmitar duke folur të Vërtetën e krimeve që po ndodhnin në Kosovë – një dëshmi që më në fund bindi botën se diçka duhej bërë për të ndaluar – para se të ishte tepër vonë — një gjenocid të vërtetë në Kosovë nga forcat terroriste të policisë dhe ushtrisë serbe kundër popullësisë së pafajshme dhe të pa armatosur shqiptare. Në të vërtetë, apeli i tij tronditës pas masakrës që kishte parë, ishte një thirrje drejtuar botës për një ndërhyrje ushtarake të fortë kundër Serbisë, me qëllim për të shpëtuar nga zhdukja një popull të vogël dhe të pambrojtur.

Sot, 22 vjetë më vonë, miku i shqiptarëve — i Kosovës dhe i Shqipërisë – dekada pas shembjes së komunizmit dhe pavarësisë së Kosovës – Ambasadori William Walker ka një shqetësim dhe një thirrje tjetër për fatin e shqiptarëve. Por kësaj radhe, mesazhi i tij nuk i drejtohet botës së huaj për të shpëtuar shqiptarët nga ndonjë gjenocid i mundëshëm, por u bën thirrje vetë shqiptarëve dhe liderve të tyre që të kujdesën, mbi të gjitha, për interesin kombëtar. Kësaj klase politike, deri më sot, siç e kam thënë shpesh është, kryesisht, e dështuar anë e mbanë trojeve arbërore — e cila me sjelljet e saja po çuditë botën dhe po zhgënjen shqiptarët me keq-qeverisjen, korrupsionin e thellë dhe mungesën e shtetit ligjor – duke i detyruar shqiptarët të braktisin trojet e veta, në kërkim të një jete më të mirë dhe më të drejtë. Ambasadori Walker u tha të pranishëmve në tubimin e Nju Jorkut se ndihej shumë i kënaqur që sheh aq shumë shqiptarë, nga të gjitha trojet të mbledhur së bashku “për kauzën shqiptare…jo për kauzën e Shqipërisë, jo për kauzën e Kosovës, por për kauzën që unë mendoj se bashkon të gjithë shqiptarët”, theksoi ish-didplomati amerikan. Ambasadori Walker tha se ka probleme anë e mbanë trojeve shqiptare, të cilat sipas tij, “mund të përkeqësohen, para se të përmirësohen”. Shqipëria ka probleme, Kosova ka probleme, shqiptarët e Maqedonisë përballen me probleme. Problemet, shtoi Ambasadori Walker, janë të natyrës politike, breznishë, që përçajnë popullin, probleme të llojlojshme që ndajnë e pëçajnë trojet shqiptare, e si përfundim edhe diasporën. “Është diskurajues fakti”, tha ai, “që Kosova nuk është e bashkuar ashtuqë (aktorët politikë) të mund të bisedojnë së bashku për të zgjidhur ndryshimet që ekzistojnë midis tyre”. E njëjta gjë ndodhë edhe në diasporë, shtoi Z. Walker. “Unë njoh shqiptarë që unë i respektoj”, shtoi ai, “e të cilët mbështesin Edi Ramën, Sali Berishën ose ndonjë tjetër parti politike. Dhe përsa i përket Kosovës, kur takoj shqiptarë nga Kosova, nuk më duhet më shumë se një minutë për të zbuluar se cilës parti i përkasin, LDK-së, PDK-së, AAK-së. Këto gjëra”, tha Ambasadori Walker, “tentojnë të ndajnë e përçajnë edhe diasporën aq sa përçajnë edhe trojet shqiptare. Z. Walker tha se ka shpresë se diaspora do të mund të japë një kontribut më të madh për të ndihmuar, eventualisht në zgjidhjen e disa prej këtyre problemeve. “Përçarjet janë aq të thella, problemet janë aq të mëdha, sa që unë nuk shoh asnjë person dhe asnjë parti politike në asnjë prej trojeve shqiptare që mund të përballet me problemet ekzistuese, në përpjekje për t’i zgjidhur ato. Por nga ana tjetër, theksoi ai, “Diaspora e cila posedon talente dhe breze të reja që kanë mundësi arsimi, që prindërit e tyre nuk i kanë pasur, nëqoftse ata bashkojnë forcat do mund të shihni marrëdhënie më të mira midis diasporës dhe trojeve shqiptare, si dhe përpparim drejtë realizimit të objektivave që kanë të gjitha ato troje” për të ardhmen e tyre. Ai i bëri thirrje diasporës që të punojë për “kauzën e përgjithëshme shqiptare”, jo për një parti politike ose një lider politik.

Siç duket, Ambasadori William Walker e ndjekë për së afërmi situatën dhe zhvillimet politike në Shqipëri dhe në Kosovë dhe si rrjedhim – është, ashtu siç jemi shumë prej nesh — përfshir edhe autorin e këtyre rreshtave modestë — tepër i shqetësuar, për të mos thënë të alarmuar me situatën aktuale konfliktuale politike dhe krejtësisht shpërfillëse ndaj rreziqeve politike, ekonomike dhe kombëtare në përgjithësi, përball të cilave gjënden sot shqiptarët, anë e mbanë trojeve arbërore.

Në fjalën e tij para 250-300 shqiptaro-amerikanëve të cilët ishin mbledhur fund javën e kaluar në sallën e re “Illyria” në Nju Jork – ku pata nderin dhe privilegjin t’isha i ftuar edhe unë — për të kujtuar Heroin Legjendar Adem Jashari në 66-vjetorin e ditëlindjes së tij dhe për të festuar 109-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë – Ambasadori Walker u bëri thirrje shqiptarëve kudo gjënden – dhe sidomos liderëve politikë shqiptarë – që të vendosin mbi gjithçka tjetër, interesat kombëtare. Apeli i drejtë për drejtë i një miku të Shqiptarëve, i cili ia do të mirën Kombit shqiptar – jo vetëm në një ditë të vështirë – por gjithmonë, u bëri thirrje shqiptarëve dhe liderve shqiptarë duke iu drejtuar, pak a shumë,me këto fjalë: Vendosni kombin tuaj mbi egot tuaja, mbi interesat politike, mbi liderët politikë. Promovoni interesin dhe komunitetin shqiptar kudo në botë. Unë sot jam këtu për ta bërë këtë, tha Z Walker.

Për ata që kanë veshë për të dëgjuar dhe sy për të parë, duke marrë parasysh gjëndjen aktuale brenda dy shteteve shqiptare si dhe marrëdhëniet ndërshtetërore Shqipëri-Kosovë, nuk besoj se ka këshillë më të mirë për klasën politike konfliktuale shqiptare, anë e mbanë trojeve arbërore, sidomos në këtë javë të pavarësisë së Shqipërisë, nga një mik i madh i Kombit Shqiptar, siç është Ambasadori William Walker. I cili po të mos kishte pasur guximin të shkonte në Reçak at ditë të Janarit 1999, nuk di si të qëndronin punët sot me Kosovën dhe me të drejtat e shqiptarëve në trojet dardane, në përgjithësi.

Të shtunën që kaloi, Ambasadori William Walker nuk foli për ndonjë rrezik që u kërcënohet sot shqiptarëve nga të huajt, por si një vërejtës i gjëndjes aktuale politike në Shqipëri dhe në Kosovë – m’u duk sikurë ai paralajmëroi shqiptarët që të kenë kujdes nga rreziku i përbrendëshëm – nga konfliktet dhe grindjet politike ndër-partiake dhe mosmarrveshjet ndër-shtetërore Shqipëri-Kosovë dhe midis liderve të tyre. Është ky një paralajmërim që, At Gjergj Fishta pothuaj 100-vjet më parë, ia ka drejtuar klasës së atëherëshme politike shqiptare, mbi rrezikun e përbrendshëm, që sipas tij i kanosej Shqipërisë dhe shqiptarve. Paralajmërimi i Fishtës — thënë me fjalë tjera nga Ambasadori William Walker, për të përshkruar aktualitetin e sotëm politikë në botën shqiptare — është aktual për politikën e sotme dhe përball rreziqeve me të cilat po përballen sot Shqipëria dhe Kosova. “Rreziku i përbrendshëm”, në kohën e Fishtës ishin “vagabondët, sallahanët, të shiturit”, ndërsa sot, jo fort ndryshe nga atëherë, janë liderët autoritarë modernë, pretendues të pushtetit, të korruptuarit, përfshir politikanët në nivelet më të larta, trafikantët, dhe pazarxhinjtë e trojeve. “Kombi s’do rrejtë! Kombit i duhen çelë sytë!”

Ambasadori William Walker për shumicën e shqiptarëve kudo, ka lenë gjurmë të thella dhe vulë të pashlyeshme në historinë e Kosovës dhe dhe të mbarë Kombit shqiptar, prandaj fjalëve të tija duhet t’u vihet vesh. Interesat kombëtare mbi të gjitha, porositi ai, në këtë javë të pavarësisë së Shqipërisë dhe të shqiptarëve! Porositi miku i shqiptarëve, në një tubim të shqiptaro-amerikanëve në Nju Jork, në kujtim të Adem Jasharit dhe të Pavarësisë së Shqipërisë. Të atij Adem Jasharit i cili vendosi mbi të gjitha — interesat kombëtare të Shqiptarisë dhe të Kosovës — duke sakrifikuar to çdo gjë të shënjët në jetën e tij, përfshir familjen. Nepërmjet fjalëve të William Walker drejtuar shqiptarëve të Nju Jork-ut të shtunën që kaloi, edhe Komandanti legjendar Adem Jashari u bëri thirrje shqiptarëve kudo dhe sidomos liderve të tyre aktualë, që të nderojnë, të respektojnë dhe të kujtojnë sakrificat e tija, të familjes Jashari dhe të gjithë deshmorëve të renë për liri e demokraci, duke vendosur kombin mbi egot tuaja, mbi interesat politike dhe mbi liderët tuaj aktualë politikë, sidomos, në këtë kohë mjaft kritike për mbarë Kombin shqiptar.

 

Z. Qemal Zylo duke i dorëzuar Amb. Walker Çmimin e Mirënjohjes

Frank Shkreli

Edhe gratë e vjazat demokrate të Shqipërisë kundër antivlerave demokratike – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

Në Foltoren Demokratike të Sali Berishës, bërë në Tiranë, më 21 nëntor 2021, Gratë dhe Vajzat e Lidhjes Demokratike të Gruasë së Shqipërisë me kryetaren e tyre të shquar Albana Vokshi në krye, në sjelljen,në kërkesat dhe në diskutimet e tyre u treguan më të ekuilibruara, më të sinqerta, më racionale dhe më burrnesha sesa Lulzim Basha, ngase njëzërit mbështetën axhendën politike  të Sali Berishës (kryetarit historik të PD-së) për rimëkëmbjrn, reformimin, decentralizimin dhe demokratizimin e Partisë Demokratike (PD-së), që të jetë më e hapur, më unike dhe më  aktive në çuarjen përpara të misionit historik, demokratik , kombëtar e shtetëror.

Kisha kënaqësinë, që këtë foltore historike të LDG-së së Shqipërië, ta dëgjoja dhe shikoja me interesimimin më të madh dhe me vëmendje të merituar që nga fillimi e deri mbylljen e saj tejet të suksesshme.

T’iu them të vërtetën, një organizim i tillë i mrekullueshëm, pa zhurmë, pa poterë, pa bërryla dhe pa përplasje, ndryshe nga “cirkusiadat” ofenduese dhe banale, të para  në parlamentet e Kosovës dhe të Shqipërisë,  bëri që të ndihem mirë shpirtërisht, sepse  sjellja, serioziteti, qëndrimi, prezentimi,  emancipimi, vetedija dhe pjekja politike, kulturore, civilizuese dhe kombetare, dëshmuan shkallën më të lartë të demokracisë dhe të tolerancës parlamentare progresive evropiane perëndimore.

S’ka asnjë dyshim se, secila grua dhe vajzë demokrate që mori fjalën në këtë Foltore, dëshmoi nivelin sipran të edukatës, të diturisë, të kulturës, të kurajos që të shprehin dhe të mbështetnin lirisht dhe me argumente pikëpamet e tyre lidhur me kërkesën unanim, që të mbahej Kuvendi i Jashtëzakonshëm  i PD-së, më 11 dhjetor 2021, ku pritet të bëhen ndryshime  rrënjësore të PD-së, si rrjedhim i dështimeve të saj për shkak të keqmenaxhimit të saj 8-vjeçar nga ana e kryetarit Lulzim Basha (2013-2021).

Edhe në këtë Foltore të BAZËS, Gratë dhe Vajzat e Lidhjes Demokratike të PD-së së Shqipërisë, njëzërit kërkuan reformimin, bashkimin, hapjen më të       madhe ndaj kuadrove të reja, fuqizimin, demokratizimin, si dhe drejtimin e saj  nga Sali Berisha.

Gjithashtu, në këtë  tubim të Lidhjes së Gruasë së PD-së  në Tiranë, gratë dhe vajzat demokrate mbështetën fuqimisht argumentet e Sali Berishës, se  Berisha dhe  PD-ja janë me  Amerikën, jo kundër saj, ashtu siç po i shpifin oponentët politikë, mafiozët, rrencat dhe puthadorët e agjenturave të ndryshme antishqiptare, që po shpifin dhe po gënjejnë me qëllim që Berishën dhe PD-në ta konfrontojnë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Pra, demokratet shqiptare , ashtu sikurse Sali Berisha u shprehen se janë krah për krah me Amerikën, ashtu sikurse në vitet ’90 të shekullit XX. Që atëherë, e, edhe sot, ne nuk kemi ndryshuar idenë, as besimin, as programin, as interesimin, as respektin, as  mirënjohjen dhe, as dashurinë tonë për bashkëpunimin, për zhvillimin  dhe për thellimin e  partnerizmit dhe të miqësisë me Amrikën. Kjo është garanica më e mirë, më e sigurt dhe më me perspektivë për ndërtimin, avancimin dhe  për jetësimin e standardeve dhe të vlerave  të lirisë, të drejtësisë dhe të demokracisë  amerikane në Shqipëri.

JEHONA E VEPRËS HEROIKE E ADEM JASHARIT NË DIPLOMACINË BOTËRORE – LIDHJET E FAMILJES JASHARI ME LAHUTËN E MALCISË TË AT GJERGJ FISHTËS- Nga Frank Shkreli 

 

 

Përshëndes organizatorët e këtij tubimi – Kryetarin e Shoqatës Shqiptaro-Amerikane, “Skenderbej”, Zotin Mark Qehaja, me bashkpuntorët e tij të Shoqatës – e cila me krenari mban emërin e Kryetrimit dhe të Përgjithëmonshmit të Kombit shqiptar – Gjergj Kastrioti-Skenderbeu, si dhe Shkollën Shqipe Alba Life – Ambasador i Kombit. U falënderoj përzemërsisht për ftesën. Gjithmonë qofshi faqe bardhë!

 

I am humbled and so honored to be here with one of the greatest friends of the Albanian nation, His Excellency Ambassador William Walker. I don’t know what would have happened if Ambassador Walker had not gone to Reçak that cold day of January 1999.  We need more ambassadors like William Walker — to speak the truth to the world. Ambassador Walker may God give you health and a long life, so that you may continue to be a Witness.

 

And Mark Gjonaj, our Councilman – how great is this place for our community – the best thing that has ever happened for the Albanian-American community. You have given a voice to this community, like never before. Thank you for your exemplary service to our community.  God bless you, and we wish you the best in whatever new endeavor you decide to pursue, my friend!

 

Të nderuar pjesëmarrës: do preki, shkurtimisht, dy tema: Jehonën që bëri vepra heroike e Adem Jasharit në diplomacinë botërore, perëndimore – dhe frymëzimin e fuqishëm që Familja Jashari si dhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës gjetën në veprën Lahuta e Malcisë të At Gjergj Fishtës – një ndikim ideshë dhe ndjenjash të forta që besoj se mund të kenë gjallëruar dhe ngritur aftësinë vepruese të UÇK-së dhe të udhëheqsit moral dhe komandantit legjendar të saj, Adem Jasharit.

 

Pak kohë më parë më tërhoqën vëmendjen deklaratat e historianit të njohur shqiptar, Profesor Jusuf Buxhovit në një intervistë, me Blendi Fevziun në programin “Opinion”. Ai tha se në takimet me amerikanë — pas “paralajmërimit të Krishtlindjes” i Presidentit Xhorxh Bush në vitin 1992  –sipas tij, u ishte thënë përfaqsuesve të Kosovës, se “deri tani keni bërë rezistencë institucionale, me fjalë tjera deri tani keni bërë “politikë pa luftë dhe kështu do të vazhdoni”, por do vijë koha që “do bëhet luftë,  pa politikë”, sipas historianit Buxhovi. Duke folur për librin e tij të fundit, ai shtoi se amerikanët i kishin thënë grupit të intelektualëve kosovarë të asaj kohe se, “Ne do t’i kontrollojmë të dyja”, politikën dhe luftën. Kjo u është thënë shqiptarëve të Kosovës që në vitin 1992, shtoi ai. Sipas Prof. Buxhovit, përveç amerikanëve edhe gjermanët ishin, “vendosmërisht”, të interesuar të stimulonin disa grupe të armatosura, madje i kanë ushtruar e stërvitur ato, tha Buxhovi, duke shtuar se ka qenë vetë pjesëmarrës në ato bisedime. Bazuar në dokumentat që posedon, Prof. Buxhovi tha se, definitivisht, Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania kanë qenë të interesuara që t’i stimulojnë disa grupe të armatosura në Kosovë. “Lufta e diplomacisë do të këthehej tani në diplomaci të luftës”, citon ai zyrtarët amerikanë, të kenë thenë në takimet me elitën kosovare të atyre viteve.

UÇK-ja ka qenë e orientuar shumë kah Perendimi dhe larg grupeve terroriste dhe si e tillë, ajo ka qenë e interesuar që të ruhej uniteti i brendshëm kombëtar”, tha në bisedën e tij me gazetarin Blendi Fevziu, historiani Buxhovi dhe njëri prej pjesëmarrësve në takimet e para me zyrtarët amerikanë dhe gjermanë, që në fillim të 1990-ave dhe më vonë.

 

Dy ngjarje, kanë berë jehonën heroike të veprës së Adem Jasharit për liri e të cilat kanë tërhequr vëmendjen e diplomacisë perendimore dhe medias ndërkombëtare. Ndër të tjera, ishin dy skena krimesh kundër njerëzimit dhe një takim diplomatik me UÇK-ën – para ndërhyrjes së NATO-s — ngjarje këto që ndodhën brenda një viti e që ndryshuan epokën dhe benë këthesën e madhe për Kosovën dhe epër Kombin shqiptar. Masakra e Reçakut, lufta heroike dhe vrasja e Adem Jasharit me familje dhe takimi i Ambasadorit Holbrooke me përfaqsuesin e UÇK-ës, Hajdin Abazi. “Kishte ardhur, pra, koha për luftë, pa politikë”. “Lufta e diplomacisë do të këthehej në diplomaci të luftës”.  Ky ishte momenti i jehonës së veprës dhe sakrificës së Adem Jasharit, familjes së tij dhe UÇK-ës.

 

Historiani Buxhovi tha në intervistën e tij se, UÇK-ja ishte e orientuar ka Perëndimi. Unë nuk di se kush mund të jetë më pro-perendimor se At Gjergj Fishta.  Dikush mund të pyes, po ç’kanë të përbashkët Familja Jashari dhe At Gjergj Fishta?

 

Të dy këta, Adem Jashari dhe Gjergj Fishta – burra dhe shtylla të fisit shqiptar, njani me urti në mendje e tjetri me trimëri në zemër – me të njëjtin mendim e me të njëjtin qëllim.  Ka ardhë koha, pra, t’ia këthjellojmë Shqipes kujtesën:  Ndoshta pak njerëz e dinë se At Gjergj Fishta, nepërmjet Lahutës së Malcisë, është i lidhur ngusht me familjen Jashari dhe me luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. I pari i familjes Jashari — Shaban Jashari — e kishte mësuar përmendësh të gjithë Lahutën e Malcisë të Gjergj Fishtës (pasi ishte e ndaluar në atë kohë) dhe e recitonte në familje dhe në odat e burrave, sipas një burimi të historianës amerikane Anna Di Lellio. (“Sacred Journey to a Nation: The Construction of a Shrine in Postwar Kosovo Anna Di Lellio, Independent Scholar and Stephanie Schwandner-Sievers School of Slavonic and East European Studies, UCL, London”.)  Ishte në odën e burrave të familjes Jashari aty ku Ademi i ri ka dëgjuar më së pari recitimet e babait të tij, nga Lahuta e Malcisë e At Gjergj Fishtës.

 

Fatkeqësisht, për shkak të shtrembërimit të historisë nga historianët nostalgjikë të komunizmit kombëtar dhe ndërkombëtar, nga të dy anët e kufirit shqiptaro-shqiptar, shumë njerëz nuk dinë se i Pari i familjes Jashari, Shaban Jashari – i uritur për mësim e dije, për lexim e shkrim – i mori njohuritë e para në gjuhën shqipe nga mësuesit që kishte dërguar Ernest Koliqi anë e mbanë trojeve shqiptare, përfshir Drenicën. Madje ai shërbeu edhe si mësues për një kohë, megjithse nuk kishte përgatitjet e duhura – por as pajtimin me regjimin e ri komunist të asaj kohe, as miratimin e tyre.

 

Jam i sigurt se, përveç Familjes së Jasharëve, ka shumë raste të tjera frymëzimi nga vargjet e At Gjergj Fishtës, në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por dua të përmend vetëm edhe rastin e Heroit kombëtar Agim Ramadani. Bashkëshortja e Heroit legjendar, Zonja Shukrije Ramadani, me një rast ka treguar për dashurinë e bashkshortit të saj për poezitë e Fishtës, duke thënë se para se ishte nisë për në betejën e fundit, Agim Ramadani, sipas saj, kishte marrë me vete kasetën me poezinë e At Gjergj Fishtës, recituar me zërin e Reshat Arbanës. “Deshta me ju lanë një kujtim”, tha ajo.  “Agimi, kur u nis për në luftë, nga gjithçka që mori me vete, ishte një kasetë, në të cilën kishte të regjistruara me zërin e Reshat Arbanës, poezitë e Fishtës së Madh. Kur e pyeta pse po e merr, ai më tha: – “Shiqo.  Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë, na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut. Me atë zë (të Fishtës) ai u dha zemër ushtarëve të tij në betejat më të forta që u zhvilluan në luftën çlirimtare të Atdheut tonë”, ka thënë Shukrije Ramadani.

 

Qendresa dhe sakrifica sublime e familjes së Adem Jasharit i kishte rrënjët thellë në shqiptarizëm të pastër fishtjan, ashtu siç i kishte edhe Ushtria Çlirimtare e Kosovës dhe jo në ndonjë lëvizje majtiste, ose terroriste siç mund të pretendojnë edhe sot disa mendje të humbura.  Ishte kjo trashëgimi, sakrificë dhe vendosmëri e një populli dhe e komandantit legjendar, për të siguruar lirinë, njëherë e përgjithmonë. Ishin, pra, sakrifica dhe lufta e Adem Jasharit që, më në fund, bëri jehonën që tingëlloi në veshët e diplomacisë perëndimore për angazhim serioz ushtarak  të NATO-s – vepër e  cila, përfundimisht bëri që, “Lufta e diplomacisë (së deri atëhershme) të këthehej në diplomaci të luftës”, për çlirimin përfundimtar të Kosovës nga pushtuesi serb.

 

Shqiptarët sot janë me dy shtete të pavarura, Shqipërinë dhe Kosovën – jemi të mbledhur sot këtu për të festuar Pavarësinë e Kombit – ditëlindjen e komandantit legjendar të Kombit, Adem Jasharit dhe njëherazi kujtojmë edhe 150-vjetorin e lindjes së Poetit kombëtar, At Gjergj Fishtës – sipas të dhënave edhe babait shpirtëror të Familjes Jashari dhe të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

 

Në këtë përvjetor të pavarësisë së Shqipërisë, Adem Jashari dhe At Gjergj Fishta kanë një porosi për shqiptarët – sidomos për klasën politike aktuale në Tiranë dhe në Prishtinë.  Komandanti legjendar Adem Jashari, besoj se do të urdhëronte: Mjaft me intrigat dhe me flirtimet me të huajt që nuk ia duan të mirën Kombit shqiptar dhe boll me sjelljet tragji-komike të  brendëshme politike, tepër të rrezikshme ndaj interesave kombëtare. Gjergj Fishta do të paralajmëronte për rrezikun e përbrendëshëm!  “Shqyptarë! Atdheu nuk mbahet me dokrra e me pallavra, por me fli e me punë”. At Gjergj Fishta

 

Të gjithë së bashku — shqiptarë nga të gjitha trojet e fisit tonë arbëror – para Altarit të Atdheut në këtë log të kuvendit të “Mbledhur bijt e Shqipërisë përpara këtij Alltari të madh të Atdheut! Faluni! Përunjuni përpara këtij Senotafi të shenjtë! Adhuroni shpirtërat e Deshmorëvet! Dhe lavduroni këtë ditë madhështore!  Gëzouni o Shqiptarë të arratisur në çdo anë të botës. Këndoni ju zogjt e bukur e fluturoni në qiellin e Shqipërisë! Lulëzoni ju fusha! Gjëmoni ju male! Buçitni ju lumenj dhe dete të Shqipërisë!  Bekonani ju o Deshmorët e shenjtë t’Atdheut. Kurajo, durim dhe shpresë, Ti Shqipëria irredente!” (Ilia Dilo Sheperi).

 

Ju falënderoj nga zemra dhe ju përshëndes me fjalët e Ilia Dilo-Sheperit!

 

Gëzuar Pavarësia!

 

Frank Shkreli

 

 

Takimi i Përfaqsuesit të Presidentit të Shteteve të Bashkuara, Z. Bill Clinton, Ambasadori Riçard Holbrooke me Hajdin Abazin, anëtar i UÇK-ës, në kryeqendrën e UÇK-ës në Junik, 24 qershor 1998 – rezultat i jehonës së veprës heroike të Adem Jasharit në korridoret e fuqive të mëdha perëndimore.

 

 

Deshmori i Kombit Agim Ramadani për At Gjergj Fishtën: “Ky është zëri i Atdheut, zëri që na ndihmon, na jep shpresë, na jep fuqi, që të vazhdojmë luftën ashtu siç duem, deri në çlirimin e plotë të Atdheut”.

Berisha dhe Kurti mbështetin bashkimin e Shqipërisë me Kosovën! – Nga Prof. Dr.Mehdi HYSENI 

Barometri diplomatik

 

 

*** Së fundi, pas 9 vitesh (2012-2021), edhe kryeministri i qeverisë së Kosovës, Albin Kurti në një prononcim të tij për media u shpreh se : “ Nëse në të ardhmen, do të bëhej një referendum demokratik  paqësor për bashkimin me Shqipërinë, do të votoja pro, por e përsëris prapë, vetëm nëse do bëhej në mënyrë paqësore dhe demokratike”.( https://www.kosova-sot.info/lajme/583494/albin-kurti-do-te-votoja-per-bashkim-me-shqiperine-nese-do-te-organizohej-referendum-demokratik-e-paqesor/.  

 
 
Kjo deklaratë e kryeministrit Albin Kurti, duhet kuptuar drejt, por shtrohet pyetja,kur pritet të organizohet ai REFERENDUM DEMOKRATIK  E PAQËSOR, dhe, kush do të ishte ai burrë shteti i Shqipërisë, që do ta ORGANIZONTE atë REFERENDUM  për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, mos Edi Rama, kurrë ! Ky është problemi, se ajo dihet që Albin Kurti dhe Avni Klinaku  me lëvizjet e tyre politike kombëtare  e mbështetin bashkimin kombëtar shqiptar, që  më se dy dekada.

                            ***  ***   ***

Sali Berisha pati shansin historik që në Nëntorin e vitit 2012, të shpallte REFERENDUMIN PAQËSOR për bashkim kombëtar. Këtë kërkesë ia pata sugjeruar publikisht përmes mediave ish-kryeministrit shqiptar Sali Berisha, si vijon :

-Pavarësisht se si do të pozicionohet Qeveria, Kuvendi dhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë lidhur me kërkesën historike të kryeministrit Sali Berisha për bashkimin kombëtar shqiptar, të pohuar në mënyrë premtuese, të guximshme dhe solemne në manifestimet madhështore të kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit, kryeministri Sali Berisha zyrtarisht në emër të qeverisë qeverisë së tij, i dha vizën legale bashkimit kombëtar shqiptar, me ç’ rast i hoqi “vellon” e zezë kontestuese, irracionale dhe përfolëse të bashkimit kombëtar shqiptar, duke nënvizuar se ai është realitet, domosdoshmëri e kohës, europianizëm, qytetërim, demokraci, paqe, stabilitet, siguri dhe qetësi jo vetëm për kombin shqiptar, por edhe për mbarë rajonin dhe Evropën e integruar demokratike.

 

Me gjithë pro et contra-t dhe dilemat e deritashme disavjeçare të kryeministrit të qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha lidhur me ribashkimin kombëtar shqiptar, ai së fundi, me rastin e kremtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë së Ismail Qemalit (28.11.2012), para gjithë botës APELOI për ribashkimnin kombëtar shqiptar.

 

Me rastin e manifestimit të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë Etnike, të Ismail Qemalit, posaçërisht në manifestimin që u bë në Shkup, ku kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tha se duhet bërë bashkimi kombëtar shqiptar, kjo ishte një befasi pozitive për të gjithë shqiptarët, sepse Sali Berisha paraprakisht përmes disa  prononcimeve të tij zyrtare, është deklaruar kundër bashkimit kombëtar shqiptar dhe Shqipërisë Etnike.

 

Këtë apel për ribashkimin kombëtar shqiptar, kryeministri Sali Berisha e përsëriti edhe në manifestimet e tjera, të bëra në Vlorë, në Tiranë, në Elbasan dhe në disa qytete të tjera të Shqipërisë, ku qindra e mijëra shqiptarë e duartrokitën dhe e brohoritën, duke e shpërblyer me epitetin e kryeministrit të Shqipërisë Etnike. Kjo mbështetje gjithëpopullore APELIT të kryeministrit Sali Berisha për Ribashkimin Kombëtar Shqiptar, është prova më e argumentuar dhe e justifikueshme se, populli shqiptar njëzëri dhe, me plot të drejtë po kërkon ribashkimin e tij brenda kufijve historikë, natyralë dhe gjeopolitikë të Shqipërisërisë Etnike, jo përtej tyre për të krijuar të ashtuquajturën “Shqipëri e madhe”, e cila, kurrënjëherë në historinë, në politikën, në diplomacinë e as në mendjen e shqiptarëve, nuk ka qenë e projektuar, as e kërkuar, ashtu siç ka shpifur dhe po shpif propaganda, politika, diplomacia dhe histsoriografia falsfikatore serbo-greko-maqedone-malazeze gjoja se, së fundi, edhe kryeministri aktual i qeverisë së Shqipërisë, Sali Berisha me deklaratat e tij me rastin e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ka shpalosur kalendarin” dhe itinerarin e agjendës zrytare politico-diplomatike të formimit të “Shqipërisë së madhe”. Mirëpo, kjo fare nuk është e vërtetë, sepse edhe kryeministri Sali Berisha, ashtu sikurse edhe të gjithë shqiptarët e tjerë të Shqipërisë Etnike (përpos filoserbëve dhe kuislingëve të “kombit kosovar”), me të drejtë ka deklaruar dhe ka apeluar se kombi shqiptar, duhet të ribashkohet sa më parë, jo në kuadrin e një “Shqipërie të madhe”, të shpifur nga kolonialistët dhe imperialistët serbo-malazezë-grekë dhe maqedonë, por vetëm brenda kufijve natyralë të Shqipërisë Etnike, gjysma e së cilës, edhe sot, në dekadën e dytë të shekullit XXI, është plaçkë koloniale e Serbisë, e Greqisë, e Malit të Zi dhe e Maqedonisë.

Duke mbajtur parasysh faktin relevant se me dekalrimin zyrtar të kryeministrit Sali Berisha, bashkimi kombëtar, tanimë, nuk është kurrfarë tabu teme, as miti, as kurrfarë fantazme e trilluar, por realitet dhe domosdoshmëri e pashmangshme për zgjidhjen përfundimtare dhe të drejtë të problemit kolonial të shqiptarëve në Ballkan, si Qeveria, Kuvendi, ashtu edhe Presidenti i Republikës së Shqipërisë, në mënyrë urgjente, konstruktive, demokratike, paqësore dhe kushtetuese, duhet ta mbështesin dhe ta zyrtarizojnë APELIN PËR BASHKIMIN KOMBËTAR shqiptar të Kryeministrit Sali Berisha, pavarësisht nga shpifjet dhe nga kritikat politiko-propagandistike asntishqiptare të Athinës, të Shkupit, të Beogradit dhe të Podogoricës, të cilat e kanë akuzuar Sali Berishën kinëse ai po kërkon formimin e një “Shqipërie të madhe”(!?)

 

-Zëdhënësit e Qeverisë së Shqipërisë nuk duhet të rraskapitën dhe të shterohen kot i kotit, duke iu përgjigjur notave dhe demarsheve kritikuese antishqiptare të Athinës zyrtare, se çfarë ka dashur të thotë kryeministri Sali Berisha në mitingjet dhe në takimet ceremoniale me rastin e kemtimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, sepse ai ka qenë shumë i qartë dhe i saktë në prononcimet e tij-KËRKOI bashkimin kombëtar shqiptar, jo kurrfarë “Shqipërie të madhe”, ashtu siç e akuzoi dhe e atakoi ministri i Jashtëm i Greqisë Avramopullos!!!

 

Prandaj, Qeveria shqiptare me në krye Sali Berishën, në vend se të harxhojë energji të kotë, duke polemizuar me zyrtarët e Athinës, të Shkupit, të Beogradit dhe të Podogoricës, se Shqipëria nuk ka pretendime territoriale ndaj fqinjve etj., me procedurë të shkurtër nevojitet që t’i ushtrojë kërkesë Kuvendit të Republikës së Shqipërisë për zyrtarizimin dhe mbështetjen ligjore dhe kushtetuese të KËRKESËS së Sali Berishës për bashkimin kombëtar shqiptar, kërkesë kjo, të cilën e mbështeti botërisht dhe solemnisht mbarë kombi shqiptar i derdhur në Vlorë, në Tiranë, në Shkup, në Elbasan, në Prishtinë, në Tetovë e gjetkë…me rastin e festimit të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë.

 

Pra, kryeministri Sali Berisha, sa më parë të jetë e mundur, duhet të kërkojë legalizimin e APELIT të tij historik për bashkimin kombëtar shqiptar, në mënyrë që Kuvendi I Republikës së Shqipërisë, në përputhje me Kushtetutën në fuqi të Republikës së Shqipërisë(1998), të miratojë Rezolutën për organizimin dhe shpalljen e REFERENDUMIT për BASHKIMIN KOMBËTAR SHQIPTAR dhe të SHQIPËRISË ETNIKE. Kjo do të ishte përgjigjja më e saktë, më e drejtë, më racionale ligjore, demokratike dhe kushtetuese për të gjithë antibashkuesit filosllavë dhe për të gjitha vendet fqinje kolonialiste (Serbia, Mali i Zi, Maqedonia dhe Greqia).

Nëse kjo nuk ndodh, atëherë, pa u vonuar, duhet të reagojnë: Lëvizja Vetëvensdosje, Lëvizja për Bashkim, FDBK, FBKSH,AKZ dhe Lista për Shqipërinë Natyrale, subjekte politike dhe kombëtare këto, të cilat me platfromat dhe me programet e tyre janë pëcaktuar dhe deklaruar botërisht për ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, duhet të hartojnë dhe të nënshkruajnë një MEMORANDUM të përbashkët, drejtuar Qeverisë, Kuvendit dhe Presidentit të Republikës së Shqipërisë, duke kërkuar që këto institucione më të larta shtetërore, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në fuqi (1998), të shpallin dhe të miratojnë REFERENDUMIN për ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike, në bazë të së drejtës historike, legjitime dhe, në bazë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në fuqi (1998).

Kjo do të duhej të ishte ecuria e procedurës ligjore, kushtetuese dhe demokratike e institucionalizimit dhe e mbështetjes zyrtare shtetërore e APELIT-KËRKESËS historike të Sali Berishës për ribashkimin kombëtar shqiptar dhe të Shqipërisë Etnike.

 

Ndryshe, vetëkontestimi, vetëheshtja, vetëmohimi dhe margjinalizimi i saj nga ana e politikës dhe e drejtësisë zyrtare të Qeverisë, të Kuvendit dhe të Presidentit të Shqipërisë, do të ishte kompremetimi më i madh politik dhe kombëtar i kryeministrit Sali Berisha si në sy të gjithë kombit shqiptar, ashtu edhe të bashkësisë ndërkombëtare, posaërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian(BE).

(3 dhjetor 2012)

TË MOS SHNDËRROHEMI NË HORDHI – Nga SKËNDER BUÇPAPAJ (arkiv*)

‘Ne’ të Republikës së Shqipërisë, në rreth një gjysmë shekulli, të paktën dy herë jemi shndërruar në hordhi. Herën e parë, më 1967, kur iu vërsuleshim kishave, xhamive, tyrbeve dhe teqeve. Dhe, herën e dytë, më 1997, kur i vërsuleshim gjithçkaje që na dilte përpara.

Herën e parë, ne ishim një hordhi në kazermë. Vërsulja kundër tempujve shpirtërorë ishte barabar me rrënimin flagrant të themelit mbi të cilin ishim vendosur dhe ndërtuar prej mijëvjeçarësh. Tashmë shoqëria jonë ishte një ndërtesë e mbështetur në ajër, më keq, në bosh.

Viti 1967 shënonte përfundimisht kapitullimin tonë tërësor, pa kushte përballë hipnozës që ushtronte ndaj nesh diktatura enveriste, si shoqëri me tru të hekurosur.

Herën e dytë, rrafsh tridhjetë vjet më vonë, ne ishim një hordhi klasike, kufizoheshim vetëm me vetveten tonë. Edhe atë çka kishte mbetur nga shteti, e rrënuam.

E kam përmendur edhe më parë. Mediat perëndimore në atë kohë habiteshin që zemërimi i shqiptarëve të shkonte përtej çdo parashikimi dhe të mos kursente asgjë, të mos kursenin çfarë kishte krijuar ajo vetë me mund e sakrifica mbinjerëzore. Konkluzioni i tyre ishte se shoqëria shqiptare kishte mbetur pa shtyllën kryesore, pa shtyllën shpirtërore që në vitin 1967, prej kur Republika e Shqipërisë ishte zyrtarisht vend ateist, madje i vetmi në botë. Dhe mediat parathonin se do të duhej kohë që kësaj shoqërie t’i kthehej shtylla më e domosdoshme, besimi.

Për të përkufizuar gjendjen tonë si shoqëri nuk kam përdorur fjalë më pranë burimit shqip si zhgan, skotë, lukuni, por, për hir të atyre me zell të tepëruar antiturk, kam përdorur fjalën hordhi, me burim turk – urdu. Në gjuhët perëndimore është dokumentuar për herë parë në vitin 1520. Dhe ka marrë këto kuptime: 1. Grupim i përkohshëm njerëzish për qëllime lufte, gjahu apo emigrimi edhe pa lidhje gjaku mes tyre: hordhitë e Hunëve. Kuptimi i zgjeruar: grupe të çrregullta të armatosura që kryejnë shkatërrime, plaçkitje e veprime të ngjashme – hordhitë barbare. 2. Me kuptim përkeqësues ose tallës – turmë, frotë.

Zgjedhjet e 23 qershorit 2013 në Republikën e Shqipërisë, me pjesëmarrjen masive dhe votën po aq masive kundër qeverisjes tetëvjeçare të Partisë Demokratike, shënuan një zgjim qytetar në rritje të shoqërisë. Atëherë unë jam shprehur se kjo votë ishte një valvul shkarkuese e zemërimit dhe pakënaqësisë ndaj një partie politike. Që në dështimin e parë të mundshëm të koalicionit të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, ky zemërim dhe kjo pakënaqësi do të shkarkohej kundër krejt klasës politike. Dhe do të harrohej krejtësisht ajo çka pamë këto vitet e fundit në Greqinë fqinje.
Protestat masive të nëntorit dëshmuan se këtë zgjim qytetar e prin rinia shkollore dhe studentore. Kjo kategori përfaqëson njëkohësisht ndjeshmërinë, vetëdijën, përgjegjshmërinë e lartë qytetare. Ndërkaq protestave nuk iu mungoi një përmasë ekstremiste e tipit antiglobalist, antiperëndimor dhe vetizolues, një lloj rizgjimi i së majtës ekstreme tradicionale. Për t’u gjykuar në mënyrën më të saktë natyra e një proteste, patjetër shikohet përmbajtja e parullave, sidomos i atyre të shkruara. Në protestat e nëntorit, në 90 për qind të rasteve, nuk ishte në shënjestër qeveria apo kryeministri. Vetëm me përfshirjen e opozitës filluan të duken edhe parullat e këtij lloji. Me përfshirjen e grupeve me orientime nga më të ndryshmet në protesta, ne ishim dëshmitarë se ato, krahas masivizimit, patën edhe prirje për çorientim, për përhapje paniku, duke e çuar shoqërinë drejt një histerie kolektive.

Në kuadrin e kësaj histerie kolektive, doli në pah, në mënyrë më alarmante se kurrë, mungesa e një elite të vërtetë, sidomos mungesa e një elite të institucionalizuar. Kryeministri Rama e kishte rastin të hidhte një hap sado fillestar drejt institucionalizimit të kësaj elite të mundshme. Vendosja e dialogut me këtë elitë do të jetë çelësi i vetëm për të mos lejuar rrëshqitjen e shoqërisë drejt shndërrimit të saj në hordhi.

Edhe grupimet shoqërore më të profilizuara, të përfshira protestat, ato ambjentaliste, nuk ishin bindëse në paraqitjet e tyre. Sepse askush prej atyre që morën fjalën në rrugë, sheshe, para protestuesve, para publikut nuk arritën të shpjegonin thelbin e shqetësimit të tyre. Në vend të ndriçimit të realitetit të pritshëm që krijonte ardhja e armëve kimike në Shqipëri, u krijua errësim i vërtetë, prej këtej panik dhe çoroditje. Në Perëndim, grupime të tilla, sipas tematikës së shqetësimeve, aktivizojnë në krye të veprimtarive të protestave, ekspertë të vërtetë të fushave përkatëse.

Krahu mediatik vuajti nga të njëjtat simptoma si ato të rrugës. Për më tepër, mediat morën rolin e komentatoreve të drejtpërdrejta të spektakleve që jepeshin në rrugë dhe sheshe. Nuk u vu re gati askund në mediat një zë i specializuar që të hidhte dritë mbi realitetin e vërtetë. Për këtë mjerisht nuk u treguan të interesuara as qeveria, as opozita.

Në mungesë të një elite, sidomos në mungesë të një elite të institucionalizuar, të një elite me autoritet të barabartë ndaj të gjitha grupimeve politike apo qytetare, do të kemi një shoqëri me tru të shpëlara, së paku me një shoqëri me tru lehtësisht të shpëlashme. Politikani amerikan Powell Clayton dikur thoshte: “Në predikimet e mia shigjetat gjithmonë kanë synuar ndaj hordhisë me tru të shpëlara.”

Mjerisht tiparin e truve të shpëlara duket se e dëshiron dhe e ushqen me qëllim politika në Shqipëri, si mënyrë për ta larguar shoqërinë nga thelbi racional i realitetit. Dhe kështu shoqëria kalon nga njëra fushatë histerizmi në tjetrën. E tillë ishte fushata që mori shkas nga vizita e kryeministrave Thaçi, Rama dhe Erdogan në Prizren, ku u spekullua me një thënie të pathënë nga kryeministri turk për një histeri anti Turqi dhe antiturke. E vetmja kritikë racionale ndaj këtij takimi, në fakt, ishte se ky takim zhvillohej në kuadrin e zgjedhjeve lokale të 3 nëntorit në Kosovë dhe ishte një solidaritet elektoral ndaj Thaçit. Por as Turqia, as turqit nuk meritonin gjithë atë shfrim që pamë në mediat tona. Është e drejtë që urrejtjen apo antipatinë të mos e ushqejmë ndaj fqinjëve tanë. Po aq është e drejtë që këto ndjenja të mos i drejtojmë ndaj faktorëve të tjerë.

Shoqërisë sonë i shpëlahen trutë duke e trullosur një herë se rreziku i saj më i madh dhe më urgjent është ai turk. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku i saj më i madh e më ugjent është Xhamia e Madhe e Tiranës apo Xhamia e Madhe e Prishtinës. Pastaj i shpëlahen trutë se rreziku vjen nga zhbirja kolektive që ka emrin asgjësim i armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Kështu logjika kolektive, vetëdija kolektive e shqiptarëve orientohet në mënyrat më të gabuara, më vetëshkatërruese të mundshme.

Lordi Byron thoshte për shoqërinë e kohës së tij: “Shoqëria është tashi një hordhi e polarizuar, e formuar nga dy palë të fuqishme, Bezdisësit dhe të Bezdisurit.” Kur nuk ekziston një faktor i tretë, atëherë hendeku i moskuptimit dhe i kundërvënies mes këtyre rritet. Dhe në raste si të shoqërisë sonë, ai shpërthen kundër vetvetes sonë. Në rrethanat e një bote të hapur, ata që nuk na e falin këtë mëkat janë të tjerët. Nuk ka pse të mos i mirëkuptojmë ata, aq më tepër kur janë miqtë tanë, aleatët tanë, partnerët tanë jetikë më të dëshmuar.

*20 nëntor 2013

Fëmijët e tyre u vranë nga kriminelë pedofilë të rritur- Nga AUREL DASARETI

Fëmijët e tyre të vegjël e të ëmbël të pafajshëm janë zhdukur përgjithmonë. Ata vogëlushë dhe vogëlushe u masakruan dhe u vranë nga kanibalë të ndyrë, nënat e të cilëve nuk duhej t’i kishin lindur, por t’i kishin abortuar.

Tani prindërit e mbijetuar po luftojnë për mbrojtje më të mirë ligjore dhe të drejta për të afërmit.

Marie ka treguar se si është të shtrihesh në dyshemenë e banjës në pozicionin e fetusit, kur ankthi paralizon, lotët shteren – pastaj mungojnë dhe malli i bën copë-copë ditën e re. Kur qan si një fëmijë i vogël dhe nuk është në gjendje të ndalë ulërimat. Ajo tregoi për ditën e tre viteve më parë, kur mësoi se vajza e saj Elisabet, vogëlushja e mirë shtatëvjeçare që tregohej bujare me përqafimet, e cila ishte lart e poshtë, që i pëlqente të hidhej në shtrat pas gjumit, u gjet pasi kishte munguar për pesë ditë. E goditur me thikë, përdhunuar dhe vrarë. Vajza, një 7-vjeçare e cila ishte për një vizitë fundjave te gjyshërit e saj, kishte qenë në dyqan gjatë rrugës së kthimit. Ajo nuk u kthye në shtëpi më 23 qershor 2015.

…Nëna e saj qëndron në një dhomë pritjeje në sallën e gjyqit në qytet. Përballë saj janë disa gra dhe burra të rritur. Ata janë të gjithë të mbijetuar të cilëve u është vrarë fëmija gjatë viteve të fundit. Ata kërkojnë dënimin me vdekje për përdhunuesit-vrasësit e fëmijëve. Duan që takimi i tyre me drejtësinë të jetë ndryshe nga tani e tutje. Ata duhet të përballen me drejtësi, dinjitet dhe respekt. Ata kanë nevojë për informacion më të mirë dhe ndihmë për të kaluar përmes gjyqësorit…

Pas vrasjes së vogëlushes së tyre nga ai bir kurve prej kanibali , Marie dhe bashkëshorti i saj kanë shpenzuar energji jo vetëm për punë për interesat e prindërve që u kanë vrarë fëmijët, por edhe për prindër të cilët janë më të shqetësuar se fëmijët dhe të rinjtë që jetojnë sot duhet të kenë një përditshmëri të sigurt…

Jam i inatosur dhe i provokuar si është e mundur që shteti shqiptar (shoqëria) toleron të mbeten në liri kanibalët vrasës dhe pedofilët…

https://www.syri.net/kronike/465320/videolajm-fjalet-prekese-te-nenes-se-mateos-do-jem-ketu-cdo-dite/

https://www.syri.net/kronike/465314/familjaret-e-mateos-nisin-mbledhjen-e-firmave-kerkojme-varjen-e-autorit/

 

Për një komb të caktuar, për këso vrasjesh makabre duhen gjetur ligjet që i përshtaten.

Aurel Dasareti

Baza është SOVRANI i PD-së – Nga Prof.Dr.Mehdi HYSENI

Barometri diplomatik

         *** Kësaj, duhet t’i nënshtrohen edhe Sali Berisha, edhe Lulzim Basha me bashkudhëheqësitë e tij.

Pavarësisht nga anatemat dhe akuzat e fabrikuara të “kalemxhinjve” vendorë se gjoja Sali Berisha me foltoret e tij me BAZËN-SOVRANIN gjoja “ka marrë rrugën e antiamerikanizmit, si dhe ka personalizuar PD-në për interesa të tij personale” , gjë që asnjëra e as tjetra nuk kanë kurrfarë themeli të qëndrueshëm dhe të justifikueshëm veç propagandës antishqiptare dhe antiamerikane ,  duke zhurmuar në stilin apolitik “zo bane llugë”, ashtu sikurse dikur propogandonin me buri oponentët politikë të Albin Kurtit në Kosovë, se gjoja Ai dhe Lëvizja Vetëvendosje “ishin kundër Amerikës”. Mirëpo, koha vërtetoi të kundërtën, ashtu si e pata mbrojtur me argumente të qëndrueshme (2007-2021) se Albin Kurti dhe Vetëvendojsa nuk  janë kundër Amerikës, por ata që për inetresa të tyre korrupcioniste, burokratike dhe kriminale mafioze , si dhe të luftës për kapjen e shtetit dhe të pasurisë së paligjshme; ata ishin kundër Amerikës, jo assesi Albin Kurti, i cili sot është kryeministër  i Kosovës në saje të votes plebishitare të 14 shkurtit 2021, të cilin e mbështet Amerika. Pra, e vërteta doli në shesh, duke e shkallmuar gënjeshtrën, shpifjen dhe intrigat  se kinse Albin Kurti me Lëvizjen Vetëvendosjes  “ishin antiAmerikë” !

Prandaj, të gjitha shpifjet dhe intrigat politiko-propagandistike të ethshme  të skribomanëve shqipfolës kundër Sali Berishë, do të davaritën sikurse ato kundër Albin Kurtit dhe Lëvizjes Vetëvendosje, duke qenë se Partia Demokratie (PD) me  Sali Berishën në krye (1991-2013) deri më sot, asnjëherë nuk ka provuar se është me orientim antiamerikan apo antievropianoperëndimor qoftë në sfondin programor, apo qoftë në atë praktik në ushtrimin e veprimtarisë së saj  politike në Republikën e Shqipërisë.

 Prandaj, askush nuk ka të drejtë të gënjejë, të spekulojë, të shpifë, të mashtrojë, të manipulojë dhe të dezinformojë opinion publik të brendshëm dhe atë ndërkombëtar se  ish-presidenti dhe ish-kryeministri i Shqipërisë, Prof.Dr. Sali Berisha (kryetari historik i PD-së)  gjoja “është antiamerikan” !?

Kjo është marrëzi dhe përpjekje subversive për kriminalizimin e bashkëpunimit dhe të marrëdhënieve ndërshtetërore  mes Republikës së Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Kjo është gënjeshtër propagandistike armiqësore antishqiptare, antiamerikane dhe antievropiane perënidmore kundër Shqipërisë demokratike dhe, kundër marrëdhënieve të saj miqësore dhe aleatore me partnerin e saj strategjik-SHTETET E BASHKUARA TË AMERIKËS.

Të gjithë ata  që “luajnë” në këtë letër për armiqësimin e PD-së me Amerikën, politikisht do të digjen dhe, do të vetëmargjinalizohen dhe, vullnetarisht do të  vetëmënjanohen nga skena politike dhe publike në Shqipëri.

 -Luzim shko në Kuvend, të thërret SOVRANI !

Nëse jeni për mbrojtjen e kauzës kombëtare, atdhetare dhe demokratike, si dhe të parimeve dhe të vlerave universale, atëherë, Lulzim Basha të prêt Kuvendi Kombëtar i Jashtëzakonshëm, i organizuar nga SOVRANI, që do të mbahet në Tiranë, më 11 dhjetor 2021.

Pra, pavarësisht nga gojët e këqia, nga minuesit dhe nga armiqtë  e brendshëm vendorë të PD-së dhe të “Foltores” së Sali Berishës, unë,  po të kisha qenë në vendin e Lulzim Bashës, pa asnjë dilemë dhe hamendjeje, do t’i bashkohesha Kuvendit të Jashtëzakonshëm Kombëtar të Partisë Demokratike të Shqipërisë, më 11 dhjetor 2021, ku do të shtroja pikëmpjet dhe qëndrimet e mia lidhur me udhëheqjen 8-vjeçare të PD-së (të “parapaguar”  në opozitë), sepse për humbjet dhe për dështimet e njëpasnjëshme mbajnë përgjegjësi të gjithë anëtarët e PD-së së bashku me kryetarin e tyre Lulzim Basha,  (2013-2021), por, jo edhe Sali Berisha, mbase pas zgjedhjes për Kryetar të PD-së së Lulzim Bashës, ai nuk mbante asnjë funksion brenda PD-së, vullnetarisht qe vetëdorëhequr nga udhëheqja e saj për t’i dhënë përparësi dhe mbështetje brezit të  ri të liderëve politikë , siç është Lulzim Basha.

Prandaj, nuk është ligësi e as “fundi i botës”  që kryelideri i deritashëm i PD-së Lulzim Basha të marrë pjesë në Kuvendin Kombëtar të Jashtëzakonshëm dhe legjitim të SOVRANIT, që do të mbahet më 11 dhjetor 2021. Pra, pavarësisht nga “gojët e këqia”, që në format më bizare, më irracionale, më antiligjore, më amorale, më intriguese dhe më antidemokratike po nxisin PËRÇARJEN (divide et impera) dhe FRAKSIONIZMIN brenda  PD-së, me qëllim të ndarjes dhe të copëtimit të saj në “dysh”. Kjo armiqësi do ta shpartallonte PD-në, duke e margjinalizuar edhe më tej, në afat të pacaktuar  si  “mbretëreshë” të opozitës, pa asnjë rezultat konkret  në skenën politike.

Duke qenë se deri tani në mënyrë të ligjshme, në bazë të Statutit në fuqi të PD-së, ka folur BAZA me mbi “4.200” nënshkrime për mbajtjen e Kuvendit  të Jashtëzakonshm Kombëtar më 11 dhjetor 2021,  të gjitha organet e saj drejtuese së bashku me kryetarin Lulzim Basha, moralisht, ligjërisht dhe demokratikisht i nënshtrohen  Vendimit të mbajtjes së këtij Kuvendi të Jashtëzakonshëm. Për më tepër, Lulzim Basha me mbështetësit e tij të udhëheqjes së PD-së nuk  gëzojnë asnjë të drejtë morale e as ligjore që të organizojnë një ANTIKUVEND tjetër më 18 dhjetor, ashtu siç janë deklaruar, mbase  SOVRANI  me shumicën dërrmuese të anëtarëve të tij ka vën jashtë loje  legjitimitetin  e udhërheqjes së PD-së me Lulzim Bashën në krye për shkak të dështimeve 8-vjeçare politike, si dhe për shkak të abuzimit të Programit dhe të akteve normative ligjore të PD-së.

Prandaj, logjikisht dhe normalisht, Lulzim Basha do të duhej të merrte pjesë në Kuvendin Kombëtar të Jashtëzakonshëm të PD-së, më 11 dhjetor 2021,  duke iu kërkuar ndjesë  delegatëve, si dhe duke iu sqaruar atyre shkaqet dhe rrethanat, që kanë ndikuar në të gjitha dështimet politike të PD-së. Një ballafaqim  i tillë i Lulzim Bashës me delegatët legjitimë të BAZËS në Kuvendin Kombëtar të Jashtëzakonshëm, më 11 dhjetor 2021, është  i  obligueshëm dhe i domosdoshëm, pavarësisht kritikave dhe mospajtimit të të pranishmëvee, që mund të drejtohen në adresën e tij.

Baza e PD-së nuk është “klandestine”, por SOVRANE , legjitime dhe legale !

 

Këtë të vërtetë, de fakto dhe de jure nuk mund ta kontestojë askush nga “kalemxhinjtë” e sotëm, pavarësisht nga dëshirat dhe nga interesat e tyre të shkreta, që me interpretimin e tyre arbitrar propagandistik, po i fryjnë flakës së zjarrit, që të gllabërojë PD-në dhe, që Sali Berishën(si  kryetar historik i saj) përfundimisht ta izolojnë nga politika udhëheqëse e partisë dhe e shtetit. Kjo është lufta politko-propagandistike, që po zhvillohet në disa fronte  në skenën poltike të Shqipërisë.

Mirëpo, gabohen të gjithë që po kontestojnë dhe po mohojnë fjalën  dhe vendimin e SOVRANIT me “4.200 firma” , që të mbahet Kuvendi Kombëtar i Jashtëzakonshëm i PD-së, më 11 dhjetor 2021.

Me BAZËN nuk mund të luajë  “biz-bad-bad” asnjë organ i saj, qoftë ai edhe kryetari, sekrtari apo ndonjë komision a këshill i saj, sepse de fakto dhe de jure ajo është SOVRANI i PD-së, askush tjetër me vota apo pa vota  nuk mund të jetë legjitim e as legal mbi të, pavarësisht nga funksioni që mban në hierarkinë e PD-së.

Prandaj, secili që shkel rregullat, parimet dhe vlerat demokratike, si dhe aktet normative të PD-së, mund të ndëshkohet nga BAZA, pavarësisht  se kush është në pyetje, Lulzim Basha, Hajredin Pasha apo Halil Hamëza, si dhe pavarësisht nga fakti, pse qe 8 vite nuk ka folur BAZA-SOVRANI, kjo nuk do të thotë  se ai nuk ka pasur një të drejtë të tillë, që për humbjet dhe për dështimet 8-vjeçare  të kërkojë llogari nga Lulzim Basha dhe nga “eskorta” e tij drejtuese, që PD-në e kanë çuar prej humbjeje në humbje, duke  e lënë të “kalbej” në opozitë. (2013-2021) !!!

Tanimë u bë krejtësisht e qartë pse qe tre muaj BAZA e PD-së  me Sali Berishën në krye po shqyrton humbjet dhe dështimet 8-vjeçare (2013-2021), duke kërkuar llogaridhënie  politike nga kryetari i saj Lulzim Basha.

Sa më sipër, deri tani, Sali Berisha e ka mbështetjen e BAZËS-SOVRANIT, prandaj logjikisht, ligjërisht dhe demokratikisht, duhet të mbështet SOVRANI, jo ata që nuk e njohin vullnetin dhe të drejtën  e Tij, duke thirrur kot një antikuvend  tjetër më datën 18 dhejtor 2021, pavarësisht nga interesat dhe objektivat tyre politike.

Bashkë me urimin edhe një sqarim për fitoren e Përparim Ramës ! Nga Elida Buçpapaj

Kosova sapo kaloi raundin e dytë të zgjedhjeve lokale dhe rezultatet tashmë dihen.

Po fokusohem tek fitorja dhe fituesi i Prishtinës, sepse shoh se shtypi po kërkon ta fusë opinionin publik në qorrsokak.

Në Kosovë opinioni publik mendon me kokën e vet, pa marrë parasysh katastrofën e shtypit Kosovë-Shqipëri, ndërsa në Shqipëri mediumet e kapura nga pushteti e arrijnë funksionin trushplarës sepse një rrenë kur përsëritet duket sikur është e vërtetë.

Gara për Prishtinën nisi si një konkurencë midis pesë kandidatësh: të LVV, LDK, PDK, AAK dhe AKR.

Kandidati i LVV Arben Vitia vinte direkt nga partia e tij, sikur edhe Daut Haradinaj nga AAK apo Uran Ismaili nga PDK, ndërsa LDK-ja dhe AKR u futën në fushatë me kandidatë nga bota e biznesit në diasporë. Pra LDK zgjodhi arkitektin me veprimtari të suksesëshme në Mbretërinë e Bashkuar. Që do të thotë se nuk pati burime njerëzore të vetat, por kjo pak rëndësi ka, mjafton që të gjenden figura të meritueshme. Tani LDK e shpall fitoren si të vetën, ndërsa Përparim Rama si fitoren e tij personale, në fakt të dyja palët ishin shkak-pasojë.

Në raundin e parë të zgjedhjeve fituesi ishte Arben Vitia me 42.6 % ose 35 243 vota, ndërsa humbësi Përparim Rama me 29.34 % që përkthehet ndryshe me 24.474 vota. Tre kandidatëve të tjerë u mbeti diferenca pra 28% ndarë midis Daut Haradinajt/AAK, Uran Ismailit/PDK dhe Gëzim Mehmetit/AKR.

Në raundin e parë fitorja e Arben Vitisë ishte shumë e qartë me një rezultat të thellë dhe diferencë shumë shprehëse me 13 % ose rreth 10 mijë vota më tepër se Përparim Rama!

Po çfarë ndodhi në raundin e dytë, lind pyetja. Nuk është vështirë të merret me mend.

Në raundin e dytë, pas humbjes së kandidatëve të tyre, kryesitë e PDK, AAK dhe AKR i orientuan militantët të votonin kandidatin e LDK-së, dmth Përparim Ramën.

Dhe vetëm me votat e PDK, AAK dhe AKR do të fitonte arkitekti Përparim Rama.

Rezultati do të qe ky: Përparim Rama/LDK 51.07 % ose 40659, ndërsa Arben Vitia/LVV 48.93% ose 38.958 – me një diferencë 1701 vota.

Fitorja e Përparim Ramës në Prishtinë erdhi si rezultat i votave të aleancave të vjetra të LDK me PDK, AAK dhe AKR, që nuk sjellin jehona të mira, ndërsa  kusht i aleancës të lëvizjes të Vjosa Osmanit e Donika Gërvallës me Albin Kurtin ka qënë që LVV të mos hyjë  në aleancë me PDK dhe AAK.

Përparim Rama, megjithë karierën e tij shumë brilante, përpara kamerave duhet të ishte modest dhe jo delirant sikur u shfaq tek syri.net, kur i tha Çim Pekës se ai, dmth Përparim Rama e dinte se do të fitonte, se ndryshe nuk do të futej në garë dhe se do të qëndrojë bile 8 vjet në atë post! Si nuk tha, 3 apo 4 mandate! Mund të qëndrojë, nëse do të jetë i sukseshëm por fjalë në erë pa prova nuk mund të thotë.

Nuk e paragjykoj aspak dhe uroj të ndikojë në kthimin e Prishtinës në një metropol të vërtetë pasi tani kryeqyteti i Kosovës është metropoli i rrëmujës vepër e të gjitha partive, përveç LVV, që nuk ka qenë asnjëherë pjesë e pushtetit qendror.

Gjithsesi mendoj se një zyrtar i lartë, duhet të jetë gjithmonë me këmbë në tokë kur ballafaqohet me publikun. I tillë duhet të ishte edhe Përparim Rama, pa eufori për fitoren, sepse fitorja e tij ishte në fakt fitore e opozitës.

Po të kishte dalë si kandidat i pavarur do të qe tjetër gjë.

Nëse sistemi zgjedhor do të përjashtonte garimin me raunde, fitorja do të ishte e Arben Vitisë dhe Përparim Rama, bashkë me LDK që e zgjodhi, do të humbnin. Fitorja e Përparim Ramës është në fakt fitore e LDK + PDK + AAK + AKR – dmth partive që kanë patur pushtetin për 20 vjet që dhe e kanë katandisur Kosovën dhe Prishtinën me një urbanizëm tribal.

Kaq kisha. Shtypi i pavarur është kërkesë e kohës për t’i shqiptuar të vërtetat sikur janë, ndërkohë që Përparim Ramës i uroj suksese!

DOKTOR RIFAT LATIFI, ME EMËRIMIN TËND FITON KOSOVA! – Një shënim personal – Nga Frank Shkreli

  1. Kryeministër Kurti, ke marrë më të mirin që kemi në këto anë, këndej oqeanit. Zgjodhe dhe emërove një Ministër të Shëndetësisë për Republikën e Kosovës, njërin prej më të mirëve — jo vetëm të botës shqiptare – por edhe njërin ndër më të mirët e Amerikës dhe të botës, Dr. Rifat Latifin.

 

Të martën që kaloi, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti njoftoi se ka emëruar Prof. Dr. Rifat Latifin, Ministër të Shëndetësisë në Qeverinë e Republikës së Kosovës.  Emërimi i tij u bë i ditur në një konferencë të përbashkët për shtyp të Kryeministrit Kurti dhe Dr. Rifat Latifit.  Zoti Kurti vlerësoi përvojën profesionale dhe arritjet akademike të Doktor Latifit – i njohur mirë për ekspertizën e tij në Shtetet e Bashkuara dhe në botë – përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.  Dr. Latifi ka punuar gjatë dekadave të kaluara në disa prej universiteteve dhe qendrave spitalore më të dalluara dhe më me zë të Amerikës, përfshir atë të fundit, Westchester Medical Center në Nju Jork.

 

Siç theksoi edhe Kryeministri Kurti gjatë paraqitjes së tij, Doktor Latifi, megjithse jetonte dhe punonte në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për dekada, ai kurrë nuk u nda as nuk e harroi vendlindjen e tij – Kosovën.  Gjatë gjithë kësaj kohe Dr. Latifi ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetësor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e Telemedicinës atje dhe në shumë vende të botës.  Në të vërtetë ishte rreth katër dekada më parë që e kam njohur për herë të parë Dr. Rifat Latifin. Më kujtohet sikur të ishte dje, një mjek i ri, plot entuziazëm dhe energji, pat ardur për të vizituar Zërin e Amerikës, për herë të parë. Por kishte ardhur edhe për një qëllim tjetër: dëshironte një intervistë me Zërin e Amerikës në gjuhën shqipe, për të folur për një ide të re që ai kishte në mendje dhe të cilën donte t’ia njoftonte botës shqiptare dhe më gjërë: TELEMEDICINA– Telemjekësia.  Ne shikuam njëri tjetri, pasi ishte një term që nuk e kishim dëgjuar më parë, jo vetëm ne, por besoj nuk përdorej as në qarqet mjekësore të kohës – dhe filluam të qeshnim.  Po, mirë i thamë, ti shpjegoje se për çfarë e ke fjalën. Nejse, e gjithë kjo është histori tani, ne të Zërit të Amerikës ishim gabim që dyshonim në atë kohë Dr. Latifin për idenë e tij të telemedicinës dhe me kohë, ai ka provuar se kishte të drejtë.  Si rrjedhim i asaj vizite të parë, për një kohë, Dr. Latifi paraqitej rregullisht në programet e Zërit të Amerikës duke iu përgjigjur pyetjeve të dëgjuesve mbi telemedicinën dhe shëndetin, në përgjithësi. Sot, kontributi i Dr. Latifit në fushën e telemjekësisë njihet, nderohet, çmohet dhe adhurohet këtu në Shtetet e Bashkuara dhe anë e mbanë botës, siç vlerësohen edhe veprat shkencore të tija, të botuara gjatë viteve, e që përdoren në universitetet më të mira të mjekësisë në Amerikë dhe më gjërë.  Është autor dhe bashkautor i mbi 350 punimeve shkencore apo kapitujve të librave shkencorë, ndërsa, njëkohësisht, shërben edhe si anëtar i bordit editorial të disa revistave shkencore.

 

Gjatë gjithë kësaj kohe ai ka promovuar zhvillimin e një mjedisi shëndetsor më të mirë e më të denjë për Kosovën dhe për Shqipërinë, përfshir edhe themelimin e telemedicinës atje, dhe në shumë vende të botës. Doktori ynë i mirë, përveç gjithë këtij aktiviteti të madh në fushën e ekspertizës së tij, një pjesë të madhe të karierës së tij, ai ia ka kushtuar gjithashtu edhe vullnetarizmit – një dukuri kjo që fatkeqësisht nuk është aq e përhapur në shoqërinë shqiptare – por Dr. Latifi edhe në këtë fushë ka dhënë ndihmesën e tij me shembëllin e tij të ofrimit të shërbimeve mjekësore, pa pritur ndonjë përfitim financiar ose ndonjë privilegj tjetër. Edhe për këtë fushë, Dr. Latifi është i njohur ndërkombëtarisht.  Dr. Latifi është nderuar për kontributin në ngritjen e telemjekësisë në zonat rurale të SHBA-së dhe në vendet e dala nga konfliktet apo fatkeqësitë natyrore në botë, përfshir Kosovën dhe Shqipërinë.

 

Lista e arritjeve të Dr. Latifit është tepër e gjatë për tu përfshir në një shkrim si ky, por duhet përmendur se në kohën më kritike të pas luftës në Kosovë, Dr. Latifi dhe ekipi i tij, ndër të tjera, ngriti atje një qendër telemjekësie që përfshinte infrastrukturën teknike, një bibliotekë elektronike dhe programe të edukimit virtual. Qendra të tjera, pastaj, ai krijoi në Shqipëri dhe Afrikë, që tani quhen International Virtual E-Hospital (IVeH). Pastaj, i quajturi Sistemi Spitalor, me seli në qytetin Hope të shtetit amerikan Idaho dhe një tjetër në Brazil i është përkushtuar rindërtimit të sistemeve të kujdesit shëndetësor në zonat e thella e të varfëra të atij vendi. Dr. Latifi, si president i organizatës, ka punuar me kolegët për të zhvilluar një model të njohur si Inicimi-Build-Operim (IBOT) për të siguruar qëndrueshmërinë e programit. Sipas një njoftimi, nga www.facs.org, modeli përfshin ndërtimin dhe forcimin e burimeve të sistemit, vendosjen e pajisjeve dhe zhvillimin e mundësive të arsimit dhe trajnimit, nga të cilat kanë përfituar qindra universitete, qendra mjekësore dhe organizata shëndetsore në dhjetëra vende kanë transmetuar qindra aktivitete edukative dhe leksione përmes sistemit ndërkombëtar, IVeH.  Veprimtaria e Dr. Latifit është vlerërsuar mjaft edhe nga ente qveritare ndërkombëtare nga të cilat ka marrë edhe grante për veprimtarinë e tij, siç janë Agjencia Evropiane për Rindërtim, Departamenti Amerikan i Shtetit, Agjencia e Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID), qeveria e Sllovenisë, dhe Organizata Botërore e Shëndetësisë, ndër të tjera.

Vitet e fundit, Dr. Latifi ka punuar si profesor dhe Drejtues i Departmentit të Kirurgjisë në Kolegjin e Mjekësisë së Nju Jorkut, drejtues i Departamentit të Kirurgjisë në Qendrën Mjekësore të zonës Westchester, Spitalin për fëmijë të “Maria Farerit” dhe spitalin rajonal të krahinës Mid-Hudson.  Ishte pikërisht në këtë spital, ku unë u shtrova, para disa muajsh, për një operacion shumë të rëndë – një operacion që falë kujdesit të jashtzakonshëm të Dr. Rifat Latifit, kirurgut tim Dr. David Spielvogel dhe ekpit më të gjërë të mjekëve dhe infermiereve që mbikqyrte miku im Dr. Latifi – operacioni im, ndonëse tepër serioz për nga natyra – kaloi mirë dhe tani disa muaj më vonë e ndjejë veten shumë mirë. Në këtë botë ka lloj-lloj heronjsh. Për mua, ekipi i Dr. Latifit në Qendrën Mjekësore Westchester janë heronjtë që bënë ndryshimin në rastin tim.  Respekti që ekipi i tij kishte për Dr. Latifin – si profesionist dhe si drejtor dhe bashkpuntor – vihej në dukje në çdo bisedë që kisha me mjekët dhe infermieret gjatë qëndrimit tim në Westechester Medical Center. Dola prej atij spitali – ku Dr. Rifat Latifi nderohej dhe respektohej aq shumë prej të gjithëve. Dola prej atij spitali, krenar për një shqiptar i arritjeve të përmasave të tilla dhe aq i respektuar nga kolegët e tij. Dola

nga spitali me ndjenjën se heronjtë i takon rëndom çdo ditë, heronjë që luftojnë për të shpëtuar jetë, që luftojnë për kauza fisnike, heronjë që krejtë, qetësisht, dhe pa zhurmë, pa rrahur gjoksin se bëra këtë e kështu – ndajnë dashurinë e tyre për njerëzimin. Se për ta, dashuria për të tjerët është, vërtetë, ajo që mjekët dhe infermierët ndajnë me botën dhe njerëzimin.

 

Në fjalën e tij në konferencën e përbashkët me Kryeministrin e Republikës së Kosovës, Z. Albin Kurti, Ministri i sapoemëruar i Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës,Dr. Latifi falënderoi kryeministrin Kurti për nderin e madh dhe besimin për këtë detyrë me përgjegjësi të jashtëzakonshme. Dr. Latifi u zotua se, bashkë me ekipin e tij, do të angazhohen që në mënyrë afatgjatë të ngrisin standardet mjekësore në Kosovë. Unë nuk kam asnjë dyshim se Ministri i ri i Shëndetësisë në Kosovë, Dr. Rifat Latifi, kur flet për standard ka në mend standardet amerikane, dhe se do përpiqet me gjithë qenjen e tij njerëzore dhe profesionale, të vendosë një kulturë dhe një përvojë amerikane në mjedisin shëndetsor të Kosovës, në dobi dhe për dashuri që ai ka për njerëzimin dhe për Kosovën-Dardaninë e tij të dashur, e kur të harruar, siç theksoi edhe Kryeministri Kurti. Me emërimin e Dr. Latifit në detyrën e Ministrit të Shëndetësisë në qeverinë e Kosovës, Kryeministri i Kosovës tregon seriozitetin e qeverisë së tij për të emëruar në detyra kyçe të qeverisë së Republikës së Kosovës, shqiptarë që kanë bërë karierë në vendet perëndimore – në këtë rast në një mjedis, ku ka jetuar e punuar Dr. Latifi – një mjedis shumë konkurues, me më të mirët e Amerikës dhe të botës.

 

  1. Kryeministër na e more më të mirin e komunitetit shqiptaro-amerikan dhe një ndër më të dalluarit e Amerikës – në fushën e tij profesionale të telemedicinës dhe jo vetëm. T’a bëjmë hallall që e more, Dr. Latifin, se Kosova dhe Shqipëria kanë nevojë për njerëz të tillë. Mikut tim Dr. Latifit i uroj sukses në detyrën e tij të re. Urimet e mia edhe Kryeministrit Kurti për një emërim të shkëlqyeshëm. Uroj që ky vendim të hapë dyer të reja që Kosova dhe Shqipëria të fillojnë të konsiderojnë, më në fund dhe pa paragjykime politiko-ideologjike, emërime të tilla të shqiptarëve të dalluar në profesionet e tyre në diasporë. Shqipëria dhe Kosova, vetëm do të përfitojnë nga individë të përgatitur siç është Dr. Rifat Latifi.

 

Natyrisht, se për komunitetin tonë këtu në Amerikë dhe për disa shqiptaro-amerikanë si unë, që e kemi njohur Dr. Latifin për një kohë të gjatë – vërtetë, do na mungojë shumë prania e tij në takime, darka e dreka të komunitetit, ku ishte shpesh i pranishëm. Në të vërtetë, para disa javësh kur komunikova me anë të një mesazhi me Dr. Latifin, më premtoi se me të këthyer nga Kosova, do të takoheshim së shpejti, “për një gotë verë, për të celebruar jetën”, sipas fjalëve të tija, një referencë kjo siç duket ndaj përmirësimit të shëndetit tim pas operacionit në spitalin Westchester Medical Center, ku ai ishte Drejtor i Departmentit të Kirurgjisë.  Ani, i dashur Doktor Latifi, gota e verës së kuqe pret, besoj se do të kemi rast.  Kosova ka më shumë nevojë për ty, sot. Me emërimin tëndë, Kosova fiton!

Një diplomat rumun që flet në emër të aleancës dhe fenomeni i mungesës së kohezionit në NATO që po dëmton Ballkanin Perëndimor – Nga SHABAN MURATI

Fenomeni i prejkohshëm i mungesës së kohezionit në NATO po shfaqet në disa forma të dëmshme të disa qendrimeve jo koherente atlantike në Ballkanin Perëndimor. Në datën 15 nëntor 2021 u zhvillua në Beograd në parlamentin e Serbisë sesioni i 101 i seminarit “Rose-Roth” të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, në organizim të qeverisë serbe, me titullin “Integrimi euroatlantik, partneriteti për paqe dhe hapa të tjera për përballimin e sfidave të mbetura në Ballkanin Perëndimor”, ku sesionin e hapjes e drejtuan me fjalimet e tyre kryeministrja e Serbisë, Ana Bernabiç, dhe zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mircea Geoana.

Nuk është e qartë se përse Asambleja Parlamentare e NATO-s, ku bën pjesë edhe Shqipëria, kishte zgjedhur Serbinë për të organizuar këtë sesion me temën kushtuar sfidave të sotme në Ballkanin Perëndimor, kur Serbia është sfida kryesore luftënxitëse, që duhet përballuar nga NATO, BE dhe Perëndimi në Ballkanin Perëndimor. Në 15 nëntor portali “charter 97.org.ru” shkruante në analizën e vet për thellimin e krizës në rajon: “Epiqendra e konfliktualitetit në Ballkanin Perëndimor është Serbia, e cila ka nisur provokacionet e rradhës, që mund të kthehen në gjakderdhje. Pas kulisave të politikës agresive të Beogradit ndaj shteteve fqinjë si Mali i Zi, Republika e Kosovës dhe Bosnje-Hercegovina, qëndrojnë protektorët rusë. Problemi themelor për Moskën në Ballkan është të ndalojë integrimin e mëtejshëm të këtyre shteteve në BE dhe në NATO”. Nuk është e qartë se përse ishte zgjedhur pikërisht kjo temë për të organizuar në Serbi seminarin e Asamblesë Parlamentare atlantike në kryeqytetin e Serbisë dhe me qeverinë e Serbisë.

Qendrimet dhe përcaktimet orientuese, që u paraqitën në emër të NATO-s në atë seminar parlamentar atlantik, tingëllojnë të habitëshme dhe krijojnë mendimin se ishte zgjedhur edhe vendi i gabuar, edhe koha e gabuar, edhe deklarime të gabuara për t’u paraqitur në Beograd. Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s, diplomati rumun Mircea  Geoana, deklaroi se Serbia jep një kontribut të vlefshëm për sigurinë në Ballkan dhe në Europë, se partneriteti me Serbinë është pjesë jetike, dhe konkludoi se “Unë e di që ne mund të llogarisim mbështetjen konstante të Serbisë”.

Nuk kuptohet nëse Geoana foli si diplomat rumun apo si përfaqësues i NATO-s dhe zëvendëssekretar i përgjithshëm i saj. Si diplomat rumun është i kuptueshëm glorifikimi i Serbisë prej tij, sepse Rumania është shtet që përkrah politikën serbe në rajon dhe nuk e njeh Kosovën, që e quan pjesë të Serbisë, se Rumania është në një mikroaleancë të ngushtë ortodokse Serbi-Rumani-Bullgari, të quajtur “grupi i Krajovës”, etj. Por të japësh qëndrimet rumune në emër të NATO-s dhe ta përkufizosh Serbinë e sotme si kontribut i sigurisë në Ballkan dhe në Europë, më e pakta do të thotë të flasësh në erë, jashtë kohës dhe jashtë vendit të duhur.

Në emër të Aleancës Atlantike diplomati rumun Geoana afishoi një qëndrim për Serbinë e sotme dhe për qeverinë e saj të sotme, i cili jo vetëm është i habitshëm, por edhe i dëmshëm. Të krijosh iluzionin që gjeneratori kryesor i tensionit në Ballkanin Perëndimor, Serbia, është kontribut sigurie për rajonin tonë dhe për Europën, do të thotë të mos jetosh as me situatat ballkanike dhe as me nevojën reale të përballimit të sfidave të sotme në Ballkanin Perëndimor. E nxitur nga kjo frymë euforie rumuno-atlantike të seminarit, kryeministrja serbe Ana Bernabiç iu drejtua në 15 nëntor audiencës atlantike me një panegjirik tipik bizantin se “Serbia po krijon pozicionin e partnerit të përgjegjshëm  dhe të besuar të NATO-s”.(Në gjuhën e popullit me këtë rast thuhet “hapu dhe të futem”).

Së pari, si mund të flasë diplomati rumun, që mban spaletën e NATO-s, për kontribut të Serbisë në sigurinë e rajonit, kur aktualisht Ballkani Perëndimor po kalon periudhën më të rrezikshme të tensioneve dhe të pragluftës në Bosnje-Hercegovinë dhe në Kosovë pikërisht për shkak të ndërhyrjes së Serbisë. Jo larg, por para një muaji dy herë me rradhë Beogradi provokoi situata praglufte në kufirin verior të Kosovës. Madje presidenti serb kërcënoi dhe NATO-n me ultimatum ushtarak, të cilin Geoana për shkak të postit që mban duhet ta ketë lexuar. Në Bosnje-Hercegovinë separatizmi i “serpska republikës” i mbështetur nga Beogradi mbërriti në pikën më inkandeshente, që nga mbarimi i luftës atje në vitin 1995, sa që i Përfaqësuesi i Lartë Ndërkombëtar në Sarajevë, Kristian Shmidt, paralajmëroi në 4 nëntor Këshillin e Sigurimit të OKB se Bosnje-Hercegovina ndodhet në rreziqe ekzistenciale. Në kulmin e këtyre tensioneve ndëretnike presidenti serb Vuçiç deklaroi se Serbia mbështet politikën e “serpska republikës”. Për shkak të postit atlantik që ka, zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s Geoana duhet ta dijë se në 14 tetor Dodik e kërcënoi edhe NATO-n se nëse NATO ndërhyn në “serpska republika” ai do të thërrasë për ndihmë Rusinë. Emisari rumun i NATO-s duhet ta dijë që Serbia organizoi grushtin e shtetit në Mal të Zi në 2016 për të ndaluar atë shtet të hyjë në NATO, që Serbia organizoi përpjekjen për grusht shteti në 2017 në Maqedoninë e Veriut për të penguar atë shtet të hyjë në NATO. Mbetet enigmë se ku e pa dhe ku e gjet ai “kontributin e Serbisë për sigurinë e rajonit tonë”.

Së dyti, si mund të flasë një përfaqësues i NATO-s për kontribut sigurie të Serbisë në rajon dhe në Europë kur Serbia është plasdarmi kryesor i Rusisë në Ballkan, është aleati dhe sateliti i vetëm ushtarak dhe strategjik i Rusisë në rajon. Nëse Serbia po ndjek një garë të çmendur armatimesh me armë të sofistikuara ruse, që nga avionët gjuejtës, tanket, dronët ushtarakë dhe sistemet e raketave ruse, nëse Serbia është pajisur me sistemet antiraketë ruse “Pancir” dhe planifikon të blejë edhe sistemet e reja raketore S-400 në Rusi, nëse forcat ushtarake ruse stërviten dy herë në vit në Serbi për zbarkim në Ballkan, të gjitha këto i bën me objektivin kundër vendeve të NATO-s në rajon dhe në Europë. Zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s duhet ta dijë se Serbia i ka lejuar Rusisë bazë ushtarako-diversioniste në Nish dhe Serbia po ndërton në mënyrë të paligjshme një bazë të madhe ushtarako-ajrore në “serpska republika”, që do të jetë në dispozicion edhe të forcave ushtarake ruse. Nuk e di nëse duhet quajtur guxim diplomatik personal apo tallje me rajonin, që zëvendëssekretari i përgjithshëm i NATO-s flet dhe lavdëron të ashtuquajturin “neutralitet ushtarak” të Serbisë.

Së treti, disa burokratë atlantikë po përpiqen ta maskojnë filoserbizmin e tyre me pretekstin se sivjet duhet celebruar 15 vjetori i pranimit të Serbisë në program atlantik “Partneritet për Paqe” në samitin e Rigës në 29 nëntor 2006 . Madje diplomati rumun i NATO-s në mënyrë patetike në seminarin e 15 nëntorit në Beograd e quajti “ ngjarje shumë speciale me rëndësi historike”. Në 3 dhjetor 2006 unë kam shprehur rezervat e mia për pranimin e Serbisë në programin atlantik “Partneritet për Paqe”, sepse nuk iu vu asnjë lloj kushti dhe nuk iu kërkua asnjë lëshim në bisedimet ndërkombëtare, që po zhvilloheshin për statusin e Kosovës: “Ai vendim duket i parakohshëm dhe vështirë se do të realizojë shpresat ose pretendimet e atyre, që mendojnë se do të rezultojë me një forcim të pozitave të forcave vërtetë demokratike dhe proeuropiane në Serbi”. (Libri “Profile të diplomacisë europiane në Ballkan”, 2010, faqe 142).

Por çfarë ka bërë Serbia gjatë 15 viteve të pranimit në “Partneritetin për Paqe”? Një vit më pas, në 2007, kundër anëtarësimit në NATO Serbia miratoi nën diktatin e Rusisë doktrinën zyrtare të “neutralitetit ushtarak”, që ndalonte hyrjen e saj në blloqet ushtarake. “Neutraliteti” u përdor si justifikim për bllokimin e integrimit atlantik dhe u përdor për maskimin e integrimit ushtarak të Serbisë me Rusinë. Në vitin 2009 Serbia i dha Rusisë bazën ushtarake të Nishit. Në vitin 2013 Serbia nënshkroi me Rusinë Traktatin e aleancës strategjike dhe ushtarake, duke u bërë vendi i vetëm në Ballkan, që ka nënshkruar këtë lloj traktati me Rusinë. Në vitin 2013 Serbia u bë shtet vëzhgues në parlamentin e organizatës ushtarake ruse “CSTO”, që është një NATO aziatike e Rusisë. Serbia në 2014 përkrahu aneksimin e dhunshëm rus të Krimesë dhe presidenti serb Vuçiç lavdërohej në 14 nëntor 2021 në mediat ruse se Serbia është shteti i vetëm europian, që nuk është bashkuar me sanksionet e BE kundër Rusisë.

Së katërti, Serbia aktualisht po i bën një sfidë direkte NATO-s dhe Perëndimit duke mbrojtur sot vijën zyrtare të politikës kriminale të qeverisë së Sllobodan Millosheviçit, ku presidenti i Vuçiç ka qenë ministër. Këto ditë Vuçiçi mori hapur në mbrojtje figurën e diskredituar të kriminelit ndërkombëtar të luftës, Ratko Mlladiç, kasapi i masakrës masive të Srebrenicës, dhe urdhëroi forcat policore që të ruanin natë e ditë muralet e glorifikimit të kriminelit Mlladiç, që me sponsorizimin e qeverisë janë pikturuar në qendër të Beogradit. Dikush duhej t’i kishte thënë zëvendëssekretarit të përgjithshëm të NATO-s se Serbia dhe qeveria serbe celebrojnë çdo vit një ditë “Anti Nato” në 24 mars. Dajana Ostiç, studjuese në “Këshillin për Politikën Strategjike” në Beograd shkruan: ”Regjimet autoritare siç është pushteti në Serbi mbahen falë konstruksionit të armiqve të brendshëm dhe të jashtëm. Në rastin e Serbisë armiku i jashtëm nuk është as Rusia dhe as Kina, por ështe NATO dhe Perëndimi”. Një ditë para seminarit atlantik të Beogradit presidenti serb Vuçiç në një intervistë në 14 nëntor në kanalin shtetëror rus “Rossija 1” i betohej presidentit rus Putin se “Serbia as sot, as nesër dhe as kurrë nuk do të hyjë në NATO”.

Çeshtja e qendrimeve apo iluzioneve atlantike ndaj Serbisë duhet parë jo thjeshtë si sjellje apo lajthitje e njërit apo tjetrit emisar apo burokrat atlantik. Ajo duhet parë në këndvështrimin e dëmeve, që shkakton në stabilitetin dhe në ekuilibrat politikë, psikologjikë, diplomatikë dhe ushtarakë të vendeve të rajonit tonë. Sepse çdo lloj glorifikimi apo mbështetje e Serbisë nga segmente të BE apo NATO-s në këto kohra don të thotë inkurajim i kursit agresive të saj ndaj shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Nuk kemi vetëm fshehjen apo shtrembërimin e realitetit ballkanik nga njeri apo tjetri emisar apo burokrat i NATO-s, por dhe një nxitje indirekte të një procesi destabilizimi, që Serbia dhe Rusia po zbatojnë sot në Ballkanin Perëndimor.

Është shqetësuese tendenca jo pozitive, që po shfaqet në disa punonjës dhe zyra atlantike për qëndrime indulgjente dhe favorizuese ndaj Serbisë. Duket si një infeksion i ardhur nga BE, e cila tradicionalisht ka mbi dy dekada që ndjek një politikë të gabuar të trajtimit preferencial ndaj Serbisë. Në rastin e zyrave atlantike kjo bëhet edhe më e dëmshme, sepse lidhet me rrethana dhe me mekanizma të karakterit të sigurisë kombëtare në planin ushtarak të shteteve të rajonit. Një kurs indulgjent ndaj Serbisë, e cila po shkakton sot tensione luftarake dhe ndërhyrje brutale në punët e brendshme të Bosnje-Hercegovinës, Kosovës dhe Malit të Zi, mund të cenojë interesat e stabilitetit të vendeve dhe të popujve të rajonit.

Përballë këtyre tendencave dhe fenomeneve jo pozitive politike e diplomatike brenda aleancës atlantike ka rëndësi që edhe Shqipëria të luajë rolin e saj rajonal dhe të shprehë zërin e interesave të saj si anëtare e NATO-s dhe si shtet i Ballkanit Perëndimor. Aq më tepër që objekt i ndërhyrjes, i shantazhit dhe i agresivitetit ushtarak serb është bërë shteti i dytë shqiptar Kosova, gjysma e kombit shqiptar. Normat dhe mënyrat e organizimit të organeve të NATO-s kërkojnë që çdo formulim qëndrimi të kursit dhe të politikës ballkanike të NATO-s të ketë konsultimin dhe konsensusin e shteteve anëtare nga Ballkani Perëndimor. NATO ka tre shtete anëtare në Ballkanin Perëndimor dhe nuk duhet që një diplomat rumun me poste në NATO të paraqesë qëndrime, që dëmtojnë interesat e vendeve të NATO-s në rajon.

PSE (NUK) U FTUA KOSOVA NË SAMITIN E DEMOKRACIVE TË PRESIDENTIT BIDEN – Nga MA. AGIM ALIÇKAJ

-Demokracia e vërtetë amerikane dhe padrejtësitë “demokratike”evropiane

  FTESA E AMERIKËS PËR SAMITIN E DEMOKRACISË

 

Fajsimi i qeverisjes Osmani-Kurti për mosmarrjen e ftesës për “Takimin e lartë të Demokracive” që organizohet nga presidenti Biden në fillim të Dhjetorit, nga një pjesë e opozitës jokonstruktive dhe disa analistëve të paaftë dhe të shitur, është pa kurrëfarë baze. Zgjedhjet nacionale dhe ato lokale ishin të nivelit më të lartë, më të mirat në Ballkan dhe mund të krahasohen me zgjedhjet e vendeve demokratike evropjane. Luftimi i korrupsionit dhe zhvillimi i demokracisë në Kosovë janë në rrugë të drejtë. Ato nuk bëhen për 8 muaj qeverisje, këtë duhet ta dijë çdokush.

Qëndrimi i ish-ambasadorit jodiplomatik proserb Grenell dhe tjerëve se projekti i gazit ka ndikuar në këtë vendim të Presidentit Biden është paragjykues. Projekti i gazit është vendim ekonomik, jo politik. Njësoj është edhe renditja e dialogut me kriminelët serb aty ku e meriton, në vendin e katërt nga ana e Kryeministrit Kurti. Asnjëra nuk kanë gjë të përbashkët me zhvillimin e demokracisë.

Më shumë mundësi kjo ka të bëjë me sjelljet destabilizuese, të shtetit fashist serb, krijimin dhe mbajtjen e hapur të konfliktit me Bosnjën dhe Kosovën. Pra, si gjithmonë, Kosova ia ka parë sherrin Serbisë. Me korrupsionin e lartë, nivelin e ulët të zhvillimit demokratik dhe sjelljen konfliktuale, Serbia dhe Bosnja nuk e meritojnë të jenë pjesë e “Samitit për demokraci”.

Edhe pse Kosova e meriton ftesën, Komisioni i Administratës Biden për klasifikim dhe dërgim të thirrjeve nuk ka mundur të sjell vendim për ta lënë jashtë vetëm Serbinë dhe Bosnjën për të mos e irrituar Evropën dhe dëshirën e saj për ta tërhequr Serbinë nga Rusia dhe Kina me përkdhelje të pafund në dëm të Kosovës.

Në të vërtetë, ky është edhe problemi kryesor për dështimin e bisedimeve në mes të Kosovës dhe Serbisë të udhëhequra nga emisarët evropian. Serbia si ish-Jugosllavia me kriminelin Vuçiq në krye si ish-diktatori Tito, me mashtrime dhe veprime nga më të ndryshimet, mundohet të luajë rol të dyfishtë, bashkëpunim vëllazëror me Rusinë dhe mjelje të Evropës. Është e çuditshme sa e hanë “me vullnet” këtë mashtrim shumica e përfaqësuesve evropian.

Nuk ka dyshim se Presidenti Biden e di mirë problemin e Kosovës me Serbinë dhe ka qëndrim të drejtë në trajtimin e çështjes së saj. Por ai është shumë i zënë me punë tjera më të mëdha dhe më të rëndësishme për popullin dhe shtetin amerikan. Lidhjet e dyshimta të Sekretarit të Shtetit Blinken me Sorosin dhe ndikimi i kuadrove të mbetura nga administrata e mëparshme e bëjnë politikën e Administratës Biden në Ballkan ende të paqartë dhe të pasigurtë, gjë që mund të ketë ndikuar në vendimin për mosftuarjen e Kosovës në samit.

Por demokracia e vërtetë dhe drejtësia amerikane funksionojnë në mënyrë të pashembullt. Lobizmi është pjesë legale e kësaj demokracie. Menjëherë, sapo u publikua lajmi për mosmarrjen e ftesës, Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane më në krye me ish Kongresmenin Joe DioGuardi dhe Këshilltaren për çështje ballkanike Shirley Cloyes DioGuardi u vu në veprim. Filluan kontaktet me gojë dhe shkrim me kabinetin e Kryetarit të Komitetit të Senatit për Punët e Jashtme, senatorit Bob Menendez, të cilat vazhduan edhe gjatë vikendit të javës së kaluar.

Në cilësinë e personit numër një të Senatit amerikan me ndikim të madh në politikën e jashtme amerikane, Senatori Menendez bashkë me 7 kolegë të tij, ditën e Hënë me 8 Nëntor i dërguan letër presidentit Biden, me të cilën i kërkojnë atij transparencë dhe qartësi në lidhje me kriteret e përdorura për të vendosur se cilat vende duhet të ftohen në samitin për demokraci. Edhe pse Kosova në këtë letër nuk përmendet me emër, nuk ka dyshim se kjo letër ku numrohen çështje shumë të rëndësishme për demokracinë amerikane, është inicuar për shkak të Kosovës dhe në prapavijë është biseduar për te.

Si rezultat, ditën e Enjte u bë e ditur se Kosova do të ftohet në samit por nuk u la anësh as Serbia për arsyet e përmendura më parë. Kësaj radhe shteti jo civilizues serb  ia pau hajrin  Kosovës dhe Lobit Shqiptaro-Amerikan. Por, mos të gëzohet shumë sepse Joe, Shirley dhe Lobi shqiptar do ia mbyllin rrugët në Amerikë edhe Vuçiqit, njësoj si Milosheviqit.

Kontributi i të tjerëve në arritjen e këtij suksesi ishte i mirëseardhur por angazhimi i Senatorit Menendez dhe senatorëve tjerë të njohur në këtë çështje shumë të rëndësishme ishte vendimtar. Meritë e veçantë dhe falënderim i posaçëm i takon pikërisht Zonjës Shirley Cloyes DioGuardi për angazhimin e saj maksimal me profesionalizëm dhe përkushtim.

Është e nevojshme të theksohet se parakusht për të ndodhur gjërat e rëndësishme për Kosovën janë demokracia, respektimi i të drejtave të minoriteteve, luftimi i korrupsionit, zhvillimi ekonomik, forcimi i shtetit dhe ruajtja e integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës. Presidentja Vjosa Osmani dhe Kryeministri Albin Kurti me ekipet e tyre kanë aftësi, mençuri dhe guxim për ta bërë këtë. Ata mund të krahasohen lirisht me liderët më të mirë dhe më të fortë të shteteve demokratike.

Rëndësi dhe përgjegjësi të veçantë kanë ministrat shumë të aftë të mbrojtjes dhe punëve të brëndëshme, z. Armend Mehaj dhe z. Xhelal Sveçla. Aty ku është Armendi, nipi i Isa Boletinit, nuk shkelë dot këmba e ushtarit serb.

PADREJTËSIA EVROPIANE NDAJ KOMBIT SHQIPTAR

 

          Unioni Evropian është i përbërë nga shtete demokratike, më pak demokratike dhe shumë pak demokratike të cilat kanë bërë edhe padrejtësi ndaj kombit shqiptar gjatë gjithë historisë. Shumë prej tyre i konsiderojnë ato gjëra “normale” dhe “demokratike”. Evropa nuk pushon së predikuari diversitet, përfshirje dhe tolerancë ndëretnike. Në të njëjtën kohë nga Republika e Kosovës kërkon shtet multietnik dhe krijimin e bashkësisë së pastër etnike serbe. Këto nuk shkojnë hiç së bashku. Kjo kërkesë nuk siguron barazi por përçarje, është formulë për shkatërrimin e shtetit dhe si e tillë krejtësisht e padrejtë dhe e papranueshme.

Këto gjëra e tregojnë hipokrizinë dhe padrejtësinë “demokratike”të një pjesë të madhe të shteteve evropiane të cilat nuk dëshirojnë të forcohet shteti i Kosovës. Të helmuar nga propaganda shoviniste serbe, kanë qëndrime paragjykuese dhe nënçmuese ndaj kombit shqiptar në baza nacionale dhe fetare. Kësaj duhet shtuar edhe ndikimin e madh rus dhe interesat ekonomike të shumë shteteve evropiane për gazin e Rusisë.

Veprimet e drejta, të mençura, të kontolluara dhe të domosdoshme të Qeverisë Kurti në veri të shtetit të Kosovës kishin efekte të shumta pozitive për Republikën e Kosovës. Ato e nxitën Serbinë dhe Rusinë ta tregojnë haptas agresivitetin e tyre, sjelljet e tyre shkatërruese dhe ambicjet hegjemoniste për dominim në Ballkan dhe dalje në detin Adriatik. Përfaqësuesve të Evropës Borrell dhe Lajçak ju ranë maskat të kinse ndërmjetësuesve të paanshëm. Kërkesa e tyre për ndalim të veprimeve shtetërore kundër banditëve të të gjitha nacionaliteteve dhe për dialog me ta, ishin të padrejta, absurde dhe të turpshme.

PËRFUNDIMISHT

 

Qëndrimet jokonstruktive të disa shteteve të Evropës, sjelljet nënshtruese të ish qeveritarëve të korruptuar të Kosovës të cilët sëpari e rrjepën pastaj e qitën në shitje token e saj, pallavrat me qëllime anti-shqiptare për “Ballkan të hapur” të shërbëtorit serb Edi Rama dhe angazhimi i pamjaftueshëm i Amerikës, e ndihmojnë Serbinë fashiste të vazhdojë me sjellje destruktive dhe destabilizim të Evropës Juglindore. Këto e bëjnë të pamundur njohjen e pavarësisë së Republikës së Kosovës. Bisedimet duhet të vazhdohen por ato janë  të kota si dhe deri më tash.

Ky problem mund të zgjidhet vetëm me angazhimin e plotë dhe të  drejtpërdrejtë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

 

Dëshiroj ta përsëris se:

“Ka ardhur koha që Presidenti Biden, për interesa strategjike, në mbrojtje dhe përmbyllje me sukses të investimit amerikan në Kosovë, njësoj si Presidenti Bush në Qershor të vitit 2007, të thotë “Enough is enough”. Ta anëtarësojë në NATO shtetin më pro-Amerikan në botë dhe ta bind Evropën për liberalizim të vizave dhe fillim të procesit afatgjatë të hyrjes së Kosovës në Unionin Evropian. Serbia dhe Rusia nuk mund ta ndalojnë këtë gjë në asnjë mënyrë.”

LIRIA. INTEGRITETI TERRITORIAL DHE SOVRANITETI I REPUBLIKËS SË KOSOVËS NUK MUND TË NEGOCIOHET NGA ASKUSH DHE ME ASKEND. POPULLI I LAVDISHËM I DARDANISË E KA PAGUAR ATË ME GJAK DHE SAKRIFICË TË PAFUND.

 


Send this to a friend